• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEPUTETET E LISTAVE PARTIAKE

June 13, 2017 by dgreca

Deputetet e listave partiake, klanore, nuk e perfaqesojne popullin!/

1 Parlamenti i pare

NGA SADIK ELSHANI/* Me 11 qershor ne Kosove u mbajten zgjedhjet per deputete te Kuvendit te Kosoves, ndersa me 25 qershor ne Shqiperi do te mbahen zgjedhjet per deputete te Kuvendit te Shqiperise, Ky proces zgjedhor ne formen e tanishme nuk duhet te jete i pranueshem ne te artdhmen, sepse kandidatet per deputete nuk konkurojne individualisht, ne menyre te drejtperdrejte ne zonat e tyre zgjedhore perkatese. Ata jane pjese e listave te perpiluara nga boset e partive perkatese. Keto lista te pakuptimta e te pavlera me kujtojne listat e Çiçikovit, personazhit te romanit “Shpirtera te vdekura” te Gogolit. Çiçikovi bredhte neper stepat e Rusise dhe nga pronaret e tokave mbledhte (fuste ne lista) sherbetoret qe kishin vdekur. Pra, shpirtera te vdekur, per ta mashtruar pastaj qeverine… te tilla jane edhe listat e deputeteve te perpiluara nga prijesit, zotet e partive politike. Ato lista jane te pakuptimta, sepse nuk i sherbejne askujt, nuk i sherbejne popullit, por vetem interesave te boseve, zotuesve, pronareve te partive politike. Thene me mire, klaneve, grupeve mafioze te tyre. Kryetari i partise dhe nje rreth fare i ngushte rreth tij vendos se kush duhet te jete ne liste dhe ku duhet te kandidoje ai kandidat. Kush ben fjale per demokracine e brendshme ne parti?! Ndodh shpesh qe nje kandidat qe kurre nuk ka jetuar ne nje qytet, apo rreth, caktohet qe te perfaqesoje ate qytet, ate rreth. Keshtu e kerkojne ineresat partiake, klanore –  kush pyet per interest e vendit, popullit! Pra, kujt i sherbejne deputete te tille? Ke perfaqesojne keta deputete? Popullin? Jo, ata perfaqesojne interesat e uleta klanore, partiake. Ata tani nuk jane sherbestare te popullit, por servile te verber te bosave te partise – parti qe me shume ngjajne me grupe mafioze, grupe gangsteresh, sesa me organizata politiko – shoqerore te mirefillta.

Shumica e deputeteve te Kuvendit te Kosoves dhe atij te Shqiperise jane njerez te zhveshur nga çdo vlere morale e njerezore. Jane njerez qe as qe e cajne koken per hallet, per mireqenjen e popullit, por vetem e shfrytezojne poziten e tyre per t’u pasuruar ne menyre te pandershme e te paligjshme, per t’i mbrojtur interesat e familjareve dhe klaneve te tyre. Kuvendi (Parlamenti) duhet te jete nje tempull i demokracise se nje vendi ku rrahen problemet e vendit, çeshtjet madhore te kombit. Te ne ndodh e kunderta: Kuvendet tona jane shnderruar ne sheshe betejash ku hidhet gaz lotesjelles, arena gladiatoresh ku deputetet fyejne, shajne e rrahen me njeri – tjetrin, sepse sipas tyre, keshtu e kerkojne interest e partive te tyre. Njerezve te tille u mungojne ndjenjat, vetedija, ndergjegja kombetare, u mungon vizioni i qarte per perspektiven e vendit, u mungon pergatitja profesionale dhe kultura politike, parlamentare. Çka eshte edhe me e keqja, atyre u mungojne edhe rregullat minimale, me elementare te miresjelljes.Prandaj, ne sot nuk kemi nje program kombetar, nje platforme kombetare, nuk flasim me nje ze dhe nuk mbajme nje qendrim te perbashket per çeshtjet jetike te vendit tone. Kuptohet, partite politike duhet t’i kene profilet e tyre, dallimet e tyre, por jo dallime te tejskajshme (ekstreme), sa ta konsiderojne njeri – tjetrin armik e jo vetem kundershtar politik. Mund t’i kene dallimet ne qasjet per zgjidhjen e problemeve te ndryshme, por kur vjen çeshtja per mbrojtjen e interesave kombetare te gjithe duhet te flasin me nje ze, te behen nje. Nuk ka kurrefare bashkepunimi ne mes te partive politike shqiptare per ndonje çeshtje te caktuar per ta permiresuar mireqenjen e popullit, per t’i bashkerenduar veprimet per interesat madhore kombetare. Udheheqesit shqiptare, udheheqesit e partive politike shqiptare me me kenaqesi takohen me Vuçiqin (ish kryeministrin, tani kryetarin e Serbise), sesa me njeri – tjetrin.

Gjendja e sotme ne Kuvendin e Shqiperise, atmosfera qe eshte krijuar ne ate Kuvend eshte nen nivelin e Kuvendit te Pare te Shqiperis te gati 100 viteve me pare. Te kujtojme se ne ate kohe depute ishin: At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Stavri Vinjau e shume te tjere.  Fjalori i ndyre, sjelljet e pahijshme, jodinjitoze nuk duhet te kene vend ne Kuvendin e Shqiperise dhe ate te Kosoves, as ne skenen politike shqiptare, madje as ne rruge. Tani gjate fushates zgjedhore keta deputete na paraqiten si engjuj, thua se gjer me tani kane jetuar ne ndonje planet tjeter. Harrojne se ata jane vete pergjegjes te drejtperdrejte per gjendjen e rende ekonomike, shoqerore politike qe sot ekziston ne vend. Na premtojne mrekullira, por populli yne e ka nje fjale te urte: “Ujku qimen e nderron, zakonin s’e harron”. Na bombardojne me parulla: “Rilindje”, “Republika e Re”, “Koha per Fillimin e Ri’, etj. Asnjera nga keto emertime terheqese nuk mund te permbushen me riciklimin e politikaneve jokombetare, te korruptuar, mashtrues e genjeshtare. Degjojme fjalet: te majte, te djathte, por ne skenen politike shqiptare nuk e degjojme fjalen: kombetar, sepse askush nuk eshte duke punuar per ceshtjet kombetare, por vetem per ato vetjake, klanore, partiake. Edhe populli duhet te zgjohet, te marre pjese masovikisht ne zgjedhje dhe te zgjedhe kandidatet me te pershtatshem e t’u thote jo, demagogeve, palaçove, matrapazave. Ne demokraci, vota e lire eshte arma me e fuqishme qe e ka populli ne duart e tij.

Kuvendet kane luajtur nje rol te rendesishem ne historine e popullit tone. Ato kane qene institucione shteterore kur shteti shqiptar nuk ekzistonte. Ne ato kuvende jane mbledhur burrat e zgjedhur dhe kane kuvenduar me maturi, mençuri per çeshtje madhore te kombit tone, per fatet e tij ne rrethana shume te veshtira historike. Ne keto kuvende jane derguar burrat me te zote, me te mire, me trima te zonave te tyre. Fjalet kyce te ketyre kuvendeve kane qene:besa, lidhja, beselidhja, bashkimi. Nje nga keto kuvendet e rendesishme, ndoshta me i rendesishmi deri ne  shpalljen e pavaresise se Shqiperise u mbajt pikerisht diten e sotme (10 qershor) 139 vite me pare ne Prizren: Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ne Prizren u mblodhen perfaqesuesit nga te gjitha trevat shqiptare me nje qellim te perbashket, per te mbrojtur teresine tokesore te trojeve shqiptare, per formimin e shtetit autonom shqiptar dhe per t’i treguar botes se ky vend ka zot.

Edhe sot te mesojme e te frymezohemi nga pervoja historike e bashkimit kombetar te Lidhjes se Prizrenit. Te marrim shembull nga Rilindesit tane mendjendritur, te lartesojme vlerat tona kombetare, kodin tone te larte etik e moral. Per nje kohe te gjate ideologjite e huaja te te gjithe spektrit politik dhe te gjitha ngjyrave politike i kane sjellur perçarje e deme te medha kombit tone. Partia e shqiptarit le te jete kombi, Shqiperia, dhe ideologjia e tij te jete: shqiptarizmi. Kjo eshte jehona dhe porosia e idealeve te Epokes se ndritur te Lidhjes se Prizrenit. Vetem te bashkuar mund te ecim perpara!

Filadelfia, qershor, 2017

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Deputetet e Listave, partiake, Sadik Elshani

Kurti thërret bisedime për krijimin e qeverisë së re

June 13, 2017 by dgreca

Kosovë-Kurti thërret bisedime për krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga Vetëvendosje/

“Si kandidati për Kryeministër, me legjitimitetin më të qëndrueshëm të fituar prej votës së qytetarëve, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të nisur e drejtuar bisedimet me subjektet e tjera politike në kuadër të krijimit të qeverisë së re të Kosovës, që do të hiqte regjimin e vjetër nga pushteti, me drejtësi e pa hakmarrje do ta çlironte shtetin, dhe do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik të vendit”, theksoi Albin Kurti./

1 albin kurti

PRISHTINË, 13 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, thërret bisedime për krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga Vetëvendosje.

“Zgjedhja e re qytetare tash duhet të bëhet qeveri e re progresive që zgjidh problemet e vendit tonë. Nëpërmjet 40 Prioriteteve të Republikës dhe marrëdhënies së afërt me popullin, me votën e tyre, qytetarët e vendit jo vetëm kanë afirmuar Lëvizjen Vetëvendosje si partinë më të madhe politike në Kosovë, si partinë e parë në Republikë, por edhe kanë krijuar një situatë krejtësisht të re politike”, deklaroi Kurti në konferencën e sotme për shtyp.Tutje ai tha se Lëvizja Vetëvendosje, si askush tjetër në këto zgjedhje, ka fituar një legjitimitet të madh e të fuqishëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa dy koalicionet përballë tha se kanë pësuar humbje të thella.

“Në këto kushte plotësisht të reja politike, dhe bazuar mbi përkrahjen e madhe qytetare, ne deklarojmë se jemi të gatshëm për të ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ndërtimin e një qeverie të re të vendit të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Qytetarët kanë votuar për ndryshim, dhe ne e kemi dëgjuar mirë e qartë zërin e tyre. Prandaj, e kemi obligimin që të japim maksimumin tonë për ta çuar përpara vullnetin e tyre”, shtoi Kurti.Ai ka ftuar të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK-AKR-Alternativa si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK-AAK-Nisma që janë “kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të Klanit Pronto, që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar mbi situatën e re politike të vendit pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një qeverie të re të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”.

“Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një mandat të qartë dhe të fuqishëm prej qytetarëve për të sjell ndryshimin në qeverisje. Si kandidati për Kryeministër, me legjitimitetin më të qëndrueshëm të fituar prej votës së qytetarëve, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të nisur e drejtuar bisedimet me subjektet e tjera politike në kuadër të krijimit të qeverisë së re të Kosovës, që do të hiqte regjimin e vjetër nga pushteti, me drejtësi e pa hakmarrje do ta çlironte shtetin, dhe do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik të vendit”, theksoi ai.Në fund, Albun Kurti iu ka bërë thirrje gjitha partive të tjera dhe deputetëve që janë të përcaktuar për t’i sjell vendit ndryshimin, që të bashkohen në këto bisedime për përgatitjet për ndërtimin e një qeverie te re të Republikës së Kosovës.Në zgjedhjet e parakohshme parlametare të së dieles së 11 qershorit në Kosovë, sipas rezultateve preliminare të 99,88% të vendvotimeve të procesuara deri sot në mëngjes nga KQZ, koalicioni i 13 partive shqiptare – Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe 10 të tjerave ka 33,98% të votave, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme ka 27,12%, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, ku në listë përfshiheshin edhe kandidatët për deputë të subjektit politik më të riut drejt regjistrimit si parti – Alternativa e të Lëvizjes për Drejtësi ka 25,74% të votave. /b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kurti, Qeveria e re, vetvendosja

Zbulohet nje veper e panjohur e piktorit Simon Rrota

June 13, 2017 by dgreca

Ditari i piktorit te njohur, nje veper sa historike dhe kulturore, aq edukative dhe sociale/

Nga Pjeter Logoreci/

Këto ditë pata privilegjin të kisha në dorë një dorëshkrim me kujtime ose DITARIN e piktorit të njohur shqiptar, birit të Shkodres, Simon Rrotes. Personalisht e si kërkues, jam njohur me disa nga pjestarët e familjes Rrota, me jetën dhe veprimtarinë e të cilëve kam shkruar më parë duke publikuar informacione, foto dhe dokumenta të panjohura. Po ashtu, në arkivat e Vjenës kam pasur rastin të njihem me dokumenta që tregojnë veprimtarine e gjërë në të mirë të atdheut të Kolë e Justin Rrotes, vëllezërve të piktorit Simon Rrota, apo me jetën dhe veprimtarinë e vëllaut të vogël, fotografit të njohur Gjon Rrota. Njohja e shumë ngjarjeve, të përshkruara në këtë ditar, personazheve, familjarëve të autorit, shumë ambienteve ku zhvilloheshin këto ndodhi, më bëri që gjatë leximit të përjetoj momente e ndjesi të vecanta.

Foto 1 Fleta e pare e DitaritSimon Rrotashtepia e simon rrotesSimon_Rrota_Gjatë_punës_1934Simon_Rrota_Tek_pusi_i_fshatit_1934

1-Faximile e ditarit./        2- Simon Rrota/                   3- Shtepia e Simon Rrotes/   4- Simon Rrota;Gjate punes-1934/  5- Simon rrota-Tek Pusi i fshatit-1934/

Shënimet e ditarit janë të rreshtuara në 204 faqe të shtypura me makinë shkrimi nga i biri i autorit, Rafaeli, i cili i është referuar me korrektësi dorëshkrimit origjinal të autorit. Kujtimet e piktorit Simon Rrota fillojnë  duke përshkruar në mëndyrë kronologjike ngjarjet dhe ndodhitë me mbresëlënëse të jetës së tij që nga fëmijëria, shkollimi, zanafilla dhe vështirësitë e përmbushjes së dëshirës së tij të jetës – PIKTURES, deri në kujtimet e ngjarjeve që ndodhën ndër periudha të ndryshme në qytetin e tij të lindjes, Shkodren apo perpjekjet e shqiptarëve për pamvarsi si dhe zhvillimet e luftës së parë botërore.

Ditarin e përshkon një stili i qartë dhe i thjeshtë i ngjarjeve, që shpesh bëhet shumë emocional edhe për vetë autorin. Ndër ato reshta, ku ai shkruan për artin e pikturës, për prindërit apo atdheun, lexuesi ”ndjen” mallin e emocionet që autorit i kanë pushtuar shpirtin, që bën “ti dridhet dora”.  Daljes së vëllezërve nga shtëpia, në vitin 1901 e Kolës (vëllaut të madh), i cili largohet për në Klagenfurt të Austrisë për studime të larta të mësuesisë, më pas, largimit në 1902 të Ndocit ose sic u quajt më vonë At Justin Rrota për të vazhduar studimet në teologji e pregaditjen për meshtar, autori i kushton faqet e para.

Si periudhë kohore, autori fillon të kujtojë e të përshkruaj ndodhitë që i kanë mbetur në mendje, që nga viti 1902, kur ai ishte vetëm 15 vjec, kur “ishte bërë burrë” dhe kërkon ti bëhet ndihmë babait të tij të moshuar, për të mbajtur familjen duke u punësuar si “Shegert” tek një tregëtar i madh në Pazarin e Shkodres. Puna që filloj të bënte aty si shënues i mallrave që hynin e delnin në magazinat gjigande të pronarit, bëri që Simoni 14 vjecar të përballet për të parën herë me personazhe apo me  atmosferën orientale të pazarit, me shumëllojshmërinë e mallrave që vinin kryesisht nëpërmes anijeve në lumin Buna, me sengserë, hamej, peshues, kafexhinjë, shënues, tregtar të vegjël e të mëdhenj të ngarkuar me napoljona arit, gjë që e ndihmoj atë për të fiksuar në memorien e tij tipa të ndryshëm që do ti duheshin për vizatimet e pikturat e mevonëshme.

Dëshira e Simonit për të mësuar sekretet e pikturës, bindi babain e tij Gjushin, që ti kërkojë piktorit të famshëm Kolë Idromeno, ta marrë nën mbikqyrje, si nxënës pikture, djaloshin fillestar i cili më vonë, njohjes, mësimdhënies e punës me të, do ti kushtojë shumë faqe në kujtimet e tija. Njëkohësisht një vend të vecantë në ditar, merr edhe miqësia e Simonit me At Gjergj Fishten i cili atë kohë drejtonte shkollën franceskane në Shkoder dhe që merrej vetë me vizatim. Frati franceskan e ndihmon, piktorin e vogël me materiale që i duheshin për pikturën që atë kohë gjindeshin me shumë vështirësi, si dhe me ambiente për të punuar.

“Dishiri qi i paraqita, për kërkesën e materialit, – kujton ai, – e gëzoi shumë fratin, prandaj, pa far voneset më mori për krahut, më prini përpara, tue me cue në dhomën e vizatimit ku unë tre vjetë ma parë kisha mësue vizatim me shokët e shkollës. Aty material kishte mjaft e pa dhimbë. Më dha nji sasi të mirë lapsa, goma, letra vizatimit e modele të ndryshme. Përvec gjanave, i dha urdhën shërbyesit të shkollës, Ndoke Cunit, i cili ishte edhe kepucar e bante sandale për freten, qi, sa herë qi do të më nevojitesh material për vizatime, me ma dhanë pa pengesa. Gzimi kje i madh e kshtu unë pa vonesë ju shtrova punës me dishir për me vizatue elementet e para, e mbasi bana nji sasi të mirë, i cova te Kolë Idromeno për me i korigjue…”

Një ndër ngjarjet e rëndësishme të kohës, që autori e përshkruan me hollësi, ishte dhe termeti i 1 qershorit të vitit 1905 në Shkoder. Ai kujton: “Vendi ku unë punojshe, nuk ishte i mirë e as dritë të rregullt nuk kishte, për arsye se banojshim ku mujshim…për shkak të termekut qi në vjetin 1905, me 1 qershor, në orën 16.20 (ala turka), Shkodra u trondit prej termekut të randë e me dame të mëdha…” dhe vazhdon të përshkruaj me hollësi situaten katastrofale dhe rrenimet që pat në cdo cep të qytetit.

“…Shkodra u shndrrue krejt, e tjetër nuk u pa vec tym o pluhun,…qi u shkaktonte prej rrenimit të mureve e të shpijave, me shumicë. Kushtrimi u dha gjithkah, pse secili u interesonte për njerzit e të afërmit e vet, e në raste nevojet me dhanë ndihmë për nxjerrjen e viktimave qi kishin mbetë ndër rrenoja… Në Shkoder nuk mbeti  shtëpi pa u prishë e pësue dame të mëdha. Ndër to edhe Kisha e Madhe (Katedrale)…sidomos tullat qi ranë prej tavanit tuj damtue edhe njerzit”

Fragmente shumë interesante të ditarit janë miqësia dhe bashkëpunimi i autorit me At Gjergj Fishten i cili duke parë situatën e vështirë ekonomike të familjes Rrota dhe të vetë Simonit, e aktivizon në punime të ndryshme artistike si piktor. Së pari i beson ndërtimin e Betlemit të Krishtlindjes, me e pasunue me figura të cilat Simoni i realizonte plot fantazi e realizëm, e më vonë me pregaditjen e skenave teatrore të një komedie të cilën e kishte përkthyer vetë….

”…mbas sa ditësh, më thirri Pater Gjergj Fishta per me ba disa skena për teatër, për nji dramë të përkthyeme prej tij “Mjeku i përdhunë” (Komedi e Molier-it). Kjo do të ishte rasa ma e mirë për mue me pasë përpjekje ma të ngushta me poetin tonë. Edhe ai vetë, mori pjesë me mue, në punimin e atyne skenave mbasi vizatimi i vinte për dorësh, e kështu punojshim bashkë. Ndërsa unë papushim me brushat e mija ngjyrojshe në ato skena të bukura, poeti recitonte vjersha e lëshonte disa batuta satirike qi mue më bajshin me qesh aq shumë sa mu donte me lanë edhe punën tue i thanë se nuk mujshe me vazhdue ma, pse dhimbje të mëdha më kishin kape dejt e qafës prej së qeshunit të fortë….”

Këtu autori, faqe me radhë, vazhdon të tregojë anektodat dhe humorin që At Gjergj Fishta krijonte me nxansat e tij, të cilëve u recitonte në shqip vargje apo u tregonte historina me heronjtë tonë kombëtare, duke u ba njikohësisht edhe aktor e interpretues… Në ditar përshkruhet vënia në skenë për herë të parë e një drame në shqip:

….” Drama pati sukses të madh në Shkoder pse e organizueme në te tana pikat dhe skenat e bukura, e veqanërisht pse drama ishte në gjuhen shqip qi ma përpara nuk ishin cfaqë në Shkoder, prandej bani nji përshtypje të madhe në popull qi e priti me duartrokitje të vazhdueshme, në drejtim të poetit tonë. Mbasi mbaroj gjithshkafja, Pater Gjergji më shpërblej mirë për punën qi kishe ba, tue me dhanë tetë mixhida të bardha (pare turke argjenti), qi aso kohe kishin nji vlerë të madhe e mue më gzuen shumë….”

Në fletët në vijim, Simon Rrota tregon vështirësitë që kishte, si fëmijë piktor, për të realizue deshirat e tij me vizatime apo portrete të cilat i duhej ti bente në naturë apo në mes të njerzve të cilët nga injoranca nuk kuptonin artin e tij dhe shpesh reagonin brutalisht duke ja vjedhur, prishur apo grisur bllokun e skicave që mbante kudo me vehte…

” tue kenë, –tregon ai -, se populli hartin nuk e kuptonte, unë para tyne ishe i pavlefshëm me atë bllokun e skicave qi mbajshe me vedi. Më thojshin se unë ishe i papunë e u sillshe rrugash si rrugac, në vend qi me punue nji zanate, përvec kësaj, kudo qi unë rrijshe me vizatue, aty kishin për tu mbledhë te tanë vagabondat e Shkodres, qi atherë ishin me shumicë…. e me prishnin punët qi bajshe….

Episode e përshkrime shumë interesante, vazhdojnë në përmbajtjen e këtij Ditari, të cilat kanë vlerë të madhe historike dhe edukative për brezat e ri, si dhe për ndonji ekspert historie apo folklori, prandaj, duke falenderue familjen që ma besoj këtë vepër të Simon Rrotes, shpresoj që ndonjë nga lexuesit e këtij shkrimi të marrë përsipër që të mbështesë financiarisht botimin e kësaj vepre.

Vazhdon në numrat e ardhshëm

Filed Under: Histori Tagged With: Pjeter Logoreci, Simon Rrota, Vepra e panjohur

“Vatra“ e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi

June 13, 2017 by dgreca

NË 105-VJETORIN E NJOHJES SE FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS – “VATRA” NGA SHTETI AMERIKAN/

4 korrik 1917 Noli_me_Wilson.IMG

NGA ADIL FETAHU/Federata Panshqiptare  e Amerikes “Vatra” u themelua si Federatë e disa shoqërive shqiptare, të cilat vepronin në ShBA, si bie fjala Shoqëria “Malli për Memëdhenë”,  “Besa-Besë”, “Flamuri i Krujës”, “Dallëndyshja” etj., me 28 prill 1912, ndësra njohja zyrtare dhe licenca e themelimit iu dha nga shteti Masaçusets më 13 qershor 1912.  Nuk ishte e lehtë të bashkoheshin e të shkriheshin shoqëritë shqiptare në një shoqëri, sepse shqiptarët janë individualistë të  mëdhenjë, që nuk e durojnë as hijen e vet, dhe vështirë pranojnë ta “humbin” subjektivitetin e krijuar. Por, falë mençurisë së intelektualëve të forte, siç ishin Konica, Noli, Floqi, Tromara, Kotta etj, u arrit të akordohen e bashkohen, rreth nje „Vatre“.

Federata Panshqiptare  e Amerikes “Vatra” u bë strumbullari i mërgatës shqiptare në Amerikë, që i shërbeu jo vetem asaj mergate, por edhe atdheut, shtetit e kombit shqiptar. Në krye të “Vatrës” e të organit të saj “Dielli”, prinë e vepruan shumë atdhetarë dhe intelektualë të shquar, si Petro Nini Luarasi, Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica, Kostandin Çekrezi, Kristo Floqi, Mirko Adams, Paskal Aleksi, etj. Shoqëria “Vatra” dhe gazeta “Dielli”, bënë më të mirën e mundshme për çështjen kombëtare dhe për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi dhe zhdukja totale, që i kanosej prej monarkive fqinje dhe pazarllëqeve që bënte diplomacia ndërkombërtare pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Fushata historike e “Vatrës” për shpëtimin e Shqipërisë u intensifikua sidomos prej vitit 1917, kur edhe Amerika hyri në luftë. Atëherë, fushata e “Vatres” u hap (qershor 1917) me moton e paharruar të vargjeve të Nolit: “Mbahu neno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë” , që ishin refreni i poezise „Jepni për Nënën“. Dhe, vërtetë, djemtë shqiptarë në Amerikë bënë çmos, pa kursye asgjë për kauzën shqiptare. Falë atyre “djemëve”, çështja shqiptare fitoi përkrahjen dhe mbrojtjen e Amerikës. Vet Fan Noli, në vitin 1917 u takua me presidentin e ShBA-ve, W.Wilson, nga i cili kërkoi mbrojtje, dhe  mori garancione se do ta mbrojë pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa premtimin e realizoi në Konferencën e Paqes, në Paris (1919-1920), përmes programit të paqes botërore, të quajtur „14 pikat e Wilsonit“ (8 janar 1918). Në atë Program theksohej qartë se „nëse s’do të ketë drejtësi për të tjerët, s’do të ketë as për ne“. Në pikën 11 të Programit, ndër të tjera thuhej: „…marrëdhëniet e disa shteteve ballkanike ndërmjet tyre të vendosen me negociata miqësore, në saje të vijave të vendosura historikisht dhe të përkatësisë kombëtare, e të sigurohen garanci ndërkombëtare të pavarësisë politike dhe ekonomike si dhe integriteti territorial i disa shtteve ballkanike“. Kurse në pikën 14 parashihej „themelimi i një asosciacioni të kombeve, me qëllim që të sigurohen garancione për politikën, pavarësinë dhe integritetin territorial njësoj si për shtetet e mëdha ashtu edhe për shtetet e vogla“. Në bazë të kësaj pike u themelua Lidhja e Kombeve, anëtare e së cilës u bë edhe Shqipëria më 17 dhjetor 1920), përsëri në saje të përkrahjes amerikane dhe angazhimit të „Vatres“ e miqve të saj.

Në Konferencën e Paqes, presidenti Wilson u distancua nga Memorandumi (28 qershorit 1919) sipas të cilit, Anglia dhe Franca e neglizhonin njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), dhe lejonin copëtimin e saj. Me rastin e largimit nga Konferenca dhe kthimit për në Washington, presidenti Wilson i kishte lënë delegacionit të tij udhëzime të vecanta se si të vepronte për cështjet e pazgjidhura. Nga anija me të cilën po kthehej për në Washington, më 30 qershor, i kishte dërguar sekretarit amerikan për punë të  jashtme, Rober Lansing, telegram me këtë përmbajtje: „Para se të largohesha kisha ndërmend t’ju shprehja ju dhe kolegëve të mi të tjerë  interesimin tim të thellë për të ardhmën e Shqipërisë. Kam frikë se ndoshta, në morinë e cështjeve, nuk do t’u japin të drejtave të saj (të Shqipërisë, (a.f.) rëndësinë dhe konsideratën e duhur dhe ato do të lihen në harresë. Ju lutem, të jeni shumë i vëmendshëm në lidhe me to”, porosiste presidenti Wilson.

Ishte ndikimi i “Vatres” që presidenti amerikan e shpëtoi Shqipërinë. Ajo mobilizoi, organizoi dhe vuri në lëvizje e veprim të gjitha forcat intelektuale e material të patriotëve shqiptarë në funksion e dobi të shtetit të tyre. Kontributi i saj ishte vendimtar që mbrojti Shqipërinë nga copëtimi dhe zhdukja. Kryeministri grek Elefterios Venizellos, pas Konferencës së Paqes kishte deklarua: “Vatra” ma mori nga dora Vorio Epirin”!

Në këtë përvjetor (të 105-të) të njohjes nga Shteti Amerikan(Vatar nisi procesin e themelimit dhe veprimit, i kujtojmë me shumë respekt e pietet të gjithë ata patriotë të “Vatrës”, të cilët u angazhuan me mish e me shpirtë e dhanë gjithçka prej vetes dhe kontribuan për shpëtimin e Shqipërisë. Poashtu, i kujtojmë, u jemi mirënjohës e falënderuar përjetë edhe të gjithë miqve të shqiptarëve, të cilët u angazhuan për mbrojtjen e të drejtave tona legjitime, prej presidentit Wilson, deri te presidentët Bush e Klinton, dhe personaliteteve tjera të shquara.

Një meritë të posaçme për afirmimin e punës së “Vatres” dhe sensibilizimin e kauzës tone ka gazeta më e vjetër shqiptare, organ i Shoqërisë “Vatra”, gazeta “Dielli”, që prej themelimit të saj (1909), e cila ishte krah i fortë e zëdhënëse e “Vatres” dhe aspiratave e të drejtave shqiptare, jo vetëm në mërgatë, por më tepër në Atdhe. Rrezet e “Diellit” ndiçuan e ngrohen jo vetëm mërgimtarët tanë atje, por gjithë shqiptarët kudo që ishin. I kujtojmë me shumë respekt botuesit, menaxherët, redaktorët, bahkëpunëtorët e gazetës, prej të parit deri më sot. Urojmë, që “Dielli” i “Vatres” gjithmonë të përhape dritë e ngrohtësi e të mos perëndojë kurrë!

Urime 105-vjetori  te njohjes se Federatës Panshqiptare te Amerikes “Vatra” e vatranëve të gjithë kohës, dhe gazetës „Diellit“ e  personelit te saj, prej numrit te parë deri më sot e tutje!

Adil FETAHU

(adil_fetahu@hotmail.com)

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 105 vjetori, Adil Fetahu, i njohjes se Vatres

Disa mësime nga rezultati i zgjedhjeve në Kosovë

June 13, 2017 by dgreca

1 zgjedhjet Kosove

Moralisht të drejtën për qeverisje do të duhej ta kishte Vetëvendosja, edhe pse ligjërisht PDK-ja bashkë me koalicionin e gjerë të saj ka më shumë vende në parlamment sesa Vetëvendosja. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte zhgënjim i madh, sepse për herë të parë u rendit në vendin e tretë, pas PDK-së dhe Vetëvendosjes./

1 enver BytyciNga Enver Bytyçi/ Kosova e filloi dhe e përfundoi procesin e zgjedhjeve parlamentare në një hark kohor shumë më të shkurtër sesa Shqipëria. Edhe rezultati zgjedhor në Prishtinë iu njoftua publikut në një kohë rekord, çka deri më sot nuk ka ndodhur në Shqipërinë e një tranzicioni të gjatë e të vështirë. Kësaj radhe ankesat për parregullsi ishin minimale, gjë që i jep legjitimitet të plotë rezultatit zgjedhor, ndërkohë që Shqipëria asnjëherë nuk u shkëput nga sindromi i kontestimeve dhe dyshimeve për manipulimin e procesit zgjedhor. Të gjitha këto diferenca në kryerjen e zgjedhjeve çojnë edhe në krijimin e një hapësire diferencuese në sistemin e qevereisjes, sepse në përgjithësi zgjedhjet dhe legjitimiteti i tyre përcakton gjithashtu sistemin e qeverisjes në katër vitet e ardhshme . Ndërkaq rezultatet zgjedhore nxorën Lëvizjen për Vetëvendosje si parti të parë në Kosovë. Nisur nga kjo, moralisht të drejtën për qeverisje do të duhej ta kishte Vetëvendosja, edhe pse ligjërisht PDK-ja bashkë me koalicionin e gjerë të saj ka më shumë vende në parlamment sesa Vetëvendosja. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte zhgënjim i madh, sepse për herë të parë u rendit në vendin e tretë, pas PDK-së dhe Vetëvendosjes. Kjo erdhi si rezultat i konsumimit të saj në një bashkëqeverisje të gjatë dhe si pasojë e një drejtimi jo efektiv nga ana e lidershipit të saj, drejtim që ka favorizuar grindjet e brendëshme dhe krijimin e disa fraksioneve. E vetmja gjë pozitive që mund të shënohet në këtë fushatë zgjedhjesh ishte kandidimi i një kryeministri të ri për zgjedhjet parlamentare. Asgjë tjetër nuk u pa si faktor inkurajues që LDK të ishte parti fituese e zgjedhjeve të 11 qershorit. Por jo më pak humbëse mund të konsiderohen partitë e dala nga lufta. PDK e zotit Thaçi mori rezultatin më të ulët në dekadën e fundit, nën 30 përqind. Ndërkohq që një ulje të ndjeshme pësoi edhe AAK e zotit Haradinaj dhe Nisma e zotit Limaj. Koalicioni i partive të dala nga lufta nuk morën të gjitha së bashkë aq vota sa kishte marrë PDK e vetme në zgjedhjet e vitit 2014. Në këto kushte presidenti Thaçi është i detyruar që të mandatojë koalicionin e kryesuar nga partia e tij, me zotin Haradinaj si kryeministër. Natyrisht që ai këtë do ta bëjë me dëshirë të madhe. Por ky koalicion nuk ka numrin e nevojshëm të deputetëve që të krijojë qeverinë e re. LDK dhe Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me PDK-në e zotit Thaçi. Mesa duket besueshmëria politike e nivelit të ulët në partneritetin me PDK-në ka zhbërë mundësinë e krijimit të një aleance midis këtij grupimi politik dhe dy partive që vijnë pas saj. Kurse votat e deputetëve minoritarë, sidomos atyre serbë mund të kushtëzohen me moskandidimin e zotit Haradinaj për postin e kryeministrit. Por edhe sikur ata të jepnin përkrahjen e tyre për koalicionin e PDK-së me partitë e tjera, numri i deputetëve shkon në 59, nderkohë që një koalicion i mundshëm Vetëvendosje-LDK me 61 deputetë do të siguronte votimin e një qeverie të re. Sipas të gjitha gjasave Vetëvendosja dhe LDK i kanë të gjitha shanset të krijojnë një qeveri të re me Albin Kurtin kryeministër. Por edhe në këtë rast mbeten dy çeshtje për diskutim: Së pari, nëse LDK mbetet në qeverisje ajo do të konsumohet edhe më tej dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të konsolidojë përfundimisht qenien e saj në vendin e tretë. Ndaj dhe interssi politik i LDK-së është e duhet të jetë të qëndrojë në opozitë, me qëllim që ajo të reformohet dhe të krijojë një bazë solide për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse ajo qëndron përsëi në pushtet rrezikon të mos reformohet e për pasojë të shndërrohet në një dekor të papërfillshëm për partitë politike të shumicës. Së dyti, një problem tjetër që dëmton këtë koalicion ka të bëjë me reagimin e pakicës serbe në parlament, sa e gatshme do të jetë ajo të bëhet pjesë e një qeverisjeje me kryeministër Albin Kurtin, i cili në platformën e tij politike është shprehur kundër dialogut me Serbinë, megjithëse nuk e ka kontestuar asnjëherë dialogun me serbët e Kosovës. Deputetët e pakicës serbe në fakt janë në dilemë: Aq sa nuk besojnë te zoti Haradinaj, thuajse në të njëjtën masë nuk i besojnë as zotit Kurti. Megjithatë LDK-në mund ta shohin si garanci për interesat e tyre e për këtë arësye mundet që bashkësia ndërkombëtare të imponojë një koalicion qeverisës, pjesë e të cilit të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës. Duke u ndalur te ndikimi i ndërkombëtarëve, mund të thuhet se ata do ta dëshironin kësaj radhe ta shihnin në qeverisjen e vendit koalicionin e PDK-së me zotin Haradinaj kryeministër dhe për këtë do të duhej t’i bënin presion LDK-së të merrte pjesë në këtë qeverisje. Kjo për shkak se një pjesë e komandantëve të luftës do të përfundojnë në gjyqin special dhe qenia në pushtet e partive nga ata vijnë e favorizon dhe lehtëson këtë proces. Por ndërkombëtarët do të pranonin edhe pjesmarrjen e vetëvendosjes, me kusht moderimin e qëndrimeve të saj sa i përket raporteve rajonale në politikën e jashtme. Zoti Kurti ka mundësi që të moderohet në këtë aspekt edhe për faktin se e njeh mjaft mirë teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Por do t’i duhet të heqë dorë nga një vijë politike dalluese të përdorur në opozitë e për pasojë edhe të lëkundë besueshmërinë te qytetarët. Nga ana tjetër Vetëvendosje shihet si çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit në Kosovë. Në këtë kuptim ajo do ta luante këtë rol në paritet, nëse Albin Kurti do të merrte postin e kryeministrit të vendit. Kësisoj Vetëvendosja do të testohej për premtimet e saj në këtë aspekt. Vështirë është të thuhet se Vetëvendosje do ta luante këtë rol në një koalicion me PDK-në të akuzuar prej saj në vijimësi për abuzim me pushtetin, aq më tepër me një kryeministër të nominuar nga vetë PDK. Nga e gjithë ajo çfarë zhvillohet në periudhën postzgjedhore duhet besuar se natyrshëm, pas dështimit të zotit Haradinaj për të krijuar qeverinë e re, ky besim do t’i jepej automatikisht liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit. Nëse vijmë deri te ky akt ritunë të kërkuar nga ligji, atëherë natyrshëm do të rezultonte një koalicion i Vetëvendosjes me LDK-në. Këtë formulë do ta favorizonte edhe Isa Mustafa, sepse pjesmarrjen në qeveri do të shiste te anëtarësia e tij si sukses për t’i shpëtuar ndëshkimit për humbjen e tij të pakontestueshme. Tiranë, 13.06.2017

Filed Under: Politike Tagged With: Disa mësime nga rezultati, Enver Bytyci, i zgjedhjeve, ne Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1958
  • 1959
  • 1960
  • 1961
  • 1962
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT