• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Xhevair Lleshi:NE PËRJETOJMË ZHVLERËSIMIN E NDRITUR TË LIBRIT

June 2, 2017 by dgreca

Intervistë me shkrimtarin dhe botuesin Xhevair Lleshi, Mjeshtër i Madh/

1-xhevair-lleshi-zyrePYETJE: Jeni prej vitesh në tregun e botimeve, por cilat janë vështirësitë me të cilat përballen sot shtëpitë botuese?

Xhevair Lleshi- Vërtet e ke? Pse, paska në Shqipëri shtëpi botuese? Jo, këtu nuk ka asnjë vështirësi! Po, ka njerëz të mërzitur, që nuk duan t’i shohin me sy librat, ka shkolla që kanë vënë gardhin urdhërues te dera e tyre kundër librave (se përse venë në shkollë fëmijët, hajde merre vesh!), por ka edhe libra të neveritur! Mësues që nuk kanë lexuar kurrë një libër! Tamam ka ardhur koha e zhvlerësimit të njeriut të ditur! Pa hile! Rritje biologjike dhe rrënim. Një pështirosje e pa treguar! Ja, këtë ndjen sot! Dhe ti më flet për të mjerat shtëpi botuese, ose për ata që lypin, hiqen zvarrë, presin e përcjellin ngushëllime për vdekjen e librit, tallje, gjuha e drunjtë përjashta, tregim me gisht, teknologji që po ecën turravrap bashkë me kallajin e dukjes njerëzore, thotë një poet. Një shëmti e  bujshme dhe e përbindshme, të tilla janë institucionet pa libra, bibliotekat që kanë harruar librat, libraritë shqiptare që nuk i pranojnë librat e shkruara nga shkrimtarët shqiptarë. Paskajshmërisht e hidhur, vetmi tronditëse, një gjendje e mynxyrshme,  ngujim i tmerrshëm. Dhe kompjuteri, ndërkohë, mrekullia e paskajshme, qeshet e qeshet si e zënë nga kolera e vjetër që rron në forma moderne. Dhe, fundja, kjo ndodh se njeriu është bërë i pasjellshëm në lirinë e demokracisë, me mendjen te zakoni i vjetër dhe me dëshirën e çmendur tek shthurja instinktive. Dhe, dihet kultura (pale libri i gjorë!) ka ikur për dhjamë qeni. Me librat nëpër këmbë, duke i shkelur për qejf, lozin trimërisht bigamia, incesti, pedofilia, gruaja e legalizuar si prostitutë, droga, urrejtja patologjike për njeriun e thjeshtë. Njeriun e zakonshëm, siç cilësohet nga të pazakonshmit, që mjerisht na drejtojnë. Fundja në këtë mjerim, le të botosh edhe libra… Apokalips urban, e ka quajtur Markuse, mungesën dhe trajtimin kështu të librave.

 – Një situatë që vijon problematike dhe për ju nuk ka ndryshim?

Xhevair Lleshi- T’i ndajmë gjërat: ti flet për të jetuar apo për të përparuar, për të ecur me kokën lart në biznesin tënd? Hm. Isha nxënës në maturë kur lexoja fshehur romanin e madh të Hygoit: Viti Nëntëdhjetë e tre. Ndjeja dhe nga kjo rrëqethesha e shqetësohesha magjishëm: po shihja njeriun mendjeftohtë, dialogun e fuqishëm, rebusin e pazgjidhur kurrë të gjakut, mosnjohjen, guximin e çartur, krimin, prerjen e kokave, flakën e pushkëve, vdekjen magjike, irracionalitetin e mrekullueshëm, absurdin e bukur. Dhe sot ja ku jemi: me shumë seks të nxehtë dhe pa dashuri. Njerëzit sikur nxitojmë të vdesin, duke mallkuar nënën që i solli në jetë? Sot ne vegjetojmë si në mitrën e nënës! Ah! Ç’mrekulli do të qe! Dhe nuk do ta dëgjoje më për librin, botimin, shitjet, lodrat, s’do t’ia dije ç’bëhej jashtë, s’do të kishe katrahurë rrotull, s’do dëgjoje për askënd që të të kallte frikën. Se punët janë mirë e tu mirë, apo jo? Jo, jo! Zvetënim, Tv, iPhone, iPod, Galaxy, civilizim i allasojtë (pa libra, domethënë me aq shumë libra që flenë nëpër librari, që shteti e ka humbur vulën (që mos iu duktë kurrë ajo vulë!) për librat, bibliotekat i ka kthyer në ahure, që nuk kujtohet asnjëherë t’u japë libra falas nxënësve dhe… policëve për kulturë, falas… FALAS? Ç’thua o i marrë! Mishmash trushkulës! Trysni e papërballueshme nga e Keqja! Kopeja e njerëzve ecën mbrapsht pa orientim. Marramendje e bukur, fasadë përndritëse, obezitet i mrekullueshëm, fytyra me temperaturë që shkëlqen. E kush do t’ia dijë më? Autistë të ngopur me këtë jetën tonë të lumtur, engjëj që s’bëjnë dot pa mëkate, të sëmurë mendorë kaq të bukur dhe simpatikë që të ngashënjejnë, paraplegjikë që luftojnë kundër monstruozitetit njerëzor (!), diçka e bryllët dhe po aq e neveritshme. Dhe ne flasim për situata problematike! Kuje e zezë! Ne jemi të kredhur në gjiriz. Një shtëpi botuese që pi sisë në gjoksin e ministrisë së arsimit, boton me tre emra të ndryshëm (që të fshihet si struci!) tekstin e anglishtes. Dhe e fiton. Pra, sot kemi tre «shtëpi botuese» të një njeriu me tre tekste «të ndryshme»! Dhe të gjithë ngrohen nën këtë diell. Shëmti dhe kutërbim i hatashëm. Dhe me që është fushatë zgjedhore, ky numërohet një sukses i madh! Kultura është bërë shpresa që zbrazet si trasta që s’mban më brenda as bukën e përditshme!…

 – Botuesit dhe Ministria e Kulturës, kjo e fundit si ka ndikuar gjatë këtyre viteve me politikat e saj?

Xhevair Lleshi- Pse, vërtet ju mendoni se ka politika të Ministrisë së Kulturës? Ministria duhet të ishte pranë çdo shtëpie, ku mblidhen mbrëmjeve njerëzit e familjes dhe ndodhen gjithnjë me veten e tyre para gjithçkaje. Këtu fillon çdo gjë: ose pranë kolltukëve të rehatshëm duke rrëkëllyer ndonjë gotë, ose flasin andej-këtej, lënë mënjanë ngjyrën e ditës dhe sikur harrojnë rruzullin e dehur. Pra politika kulturore është kudo: në familje, në rrugë, në institucione, në filma, libra, përkthime, në zyra dhe në vetë ministrinë tonë të dashur. Unë për vete si botues e kërkoj ku të mundem dhe në 26 vitet e mia si botues nuk e kam gjetur dot…

Ndryshe do ta kisha nxjerrë trishtimin, vuajtjen, dhimbjen, dashurinë, apo ndoshta do marrosesha pas grave të bukura! Dhe ndoshta kaq do ishte e mjaftueshme dhe një mrekulli. S’ka një zgjidhje, qoftë dhe sa për të thënë, për këtë mjerim të fshehur. Je i lënë pas dore. Gjeje vet zgjidhjen. Jemi bërë papritur eremitë të gotës dhe seksit, pa e vrarë fare, pa ndonjë parandjenjë, pa mistikë! Sepse tek ne njerëzit urrehen ose neveriten. Pale për kulturë që s’bëhet fjalë. Kap ç’të kapësh, rrëmbe ç’të rrëmbesh, s’ka më kohë, bëj kujdes të mos biesh në sy, dhe kujtdo luaja fenë!…

Politikat kulturore? E ku ka të tilla? Ik more tutje! Dhe mundësisht hidhja kësaj bote. Cilës botë? Asaj ku rrojnë fëmijët tanë? Ja, kjo nuk sillet më nëpër mend. Kjo! Aty ku rrojnë nënat tona? Kronikat e zeza e jetës sonë? Apo librat? Njëri më i pacipë se tjetri. Me tirazhe qesharake, shkuar për karton, të trëndafiltë, të mynxyrshëm, jashtë kohës sonë. Atje, tek librat e pëlqyer, pa fare politika kulturore është  krimineli i sotëm, pinjolli i tanishëm i velur i internetit, i dehuri xurxull prej lirisë, të gjitha gjërat që eglendisen jashtë kontrollit, banditi i dashuruar, vulgariteti dhe arroganca. Po mirë, pa na e thuaj ti ç’duhet të bëjmë! Eh! Ta dinim ne, ohu, ishim bërë ministra me kohë! Vulgu i mendjes hipën në pushtet, ekranizohet, bëhet kurdoherë me moral, i bën të vetat fëlliqësitë dhe banalitetet, madje edhe gajaset, lë mendtë dhe paratë (ou, ta marrsha të keqen!), dhe tani në fushatë zgjedhjesh as qesh e as trishtohet dhe end përplot ëndrra dhe sigurisht e ndjen veten të huaj në këtë botë! Kjo të jetë, thua ti?… Nuk e di.

 – Ministria e Kulturës ka krijuar një fond përkthimi, fond për krijimtarinë letrare. Në gjykimin tuaj si është kjo mbështetje?

Xhevair Lleshi- Në kaosin e përveçuar shqiptar, në ankthin e pashterur të krijimtarisë, në terrorin e përditshëm të librit rend frika mos e merr vesh Ministria e Kulturës, frika mos shkruan libër kryeministri…,  frika mos zhvillohet gara e «titanëve» të politikës që shkruajnë ndonjë libër dhe rrëmbejnë thërrimet. Tek ne realisht mungon institucioni i Kulturës. Jo Ministria e Kulturës që s’bën asgjë, jo! Ajo është qyp i shpuar qindarkash. Ditën numëron kacidhet, natën shyqyr fle, ndonjëherë tund ndonjë rreckë aktiviteti. Po. Ministria e Kulturës. Ajo është. Po ne, or miq, s’kemi kulturë. Familja po shkoqet trembshëm, hiri i lirisë fryhet si tullumbace që merr sytë protestuesve. Dhe librat shfryjnë qeset e parave dhe ulin dënimet e privatësisë. Dhe të gjithë duan të bëhen shkrimtarë, hajdutët nuk vjedhin më, aftësia ka filluar të ushqehet prej ryshfetit. Mos more! Ç’po na thua! Fonde ka dhe ti na i quan thërrime! Mirëpo qesen e zbrazi flladi që fryn për fresk… Dhe libri bëhet i ankthshëm, sepse krijimtaria letrare dhe përkthimi janë në evazionin fiskal, batërdia e të shkarrashkruarit sjell erë lufte. S’ka mbështetje për letërsinë shqipe. Dhe kjo duhet të jetë indirekte: librat që çon shteti në bibliotekat publike dhe të shkollave (aty ku mësohet!). Para, miq, ka vetëm për zotërinjtë e kamur që për fat s’paguajnë as taksa.Kultura tek ne është rrumpallë. Dhe mësuesi/ja i/e letërsisë s’merr dot frymë nga librat, ndonëse në reanimacionin ku dergjet i jep ushqim Shteti ynë dhe Ligji. O ç’shtet që kemi! Vaj medet, thotë kryeministri ynë, për kulturën. Dhe kjo bëhet kryefjalë e Kulturës për kohën e re! Po bien fort fanfarat e festës së librave. Qeveria ka hapur thesin!….

  – Ju jeni shprehur dhe kundër projektligjit për librin që ka publikuar Ministria e Kulturës në faqen zyrtare. Jeni shprehur kundër Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, për ju ku duhet të kishte pasur vëmendje puna me këtë projektligj, pra çdo do donit ju si autor por dhe si botues?

Xhevair Lleshi- Në këtë katrahurë kulturore dhe sidomos të Librit, ku varfëria po luan në skenën tragjike të mjerimit, ç’idealizëm kërkohet prej nesh? Të bëjmë të tjera therori? Jo, ka vdekur koha për therori. Histeri e çuditshme që shfren. Po. Unë jam kundër atij Ligji që nuk e mbron gjuhën dhe letërsinë shqipe, që nuk i mbron shkrimtarët shqiptarë, që hedh baltë mbi ta, sepse ne për fat kemi shkrimtar kryeministrin dhe dy a tre nga oborri kryeministror. Kaq mjafton. Se ato libra sigurisht të bëjnë të lumtur e të pasur. Dhe ne duhet të jemi të lumtur, apo jo! Kjo flet shumë për varfërinë. Dhe në varfëri s’i ndihet kakërrima Librit! Në kokrrat e misrit, megjithatë, janë gdhendur shkronjat e alfabetit. Tespihe që i tregon si anekdotë të jashtëzakonshme kryeministri përmes përrallave që mahnitin edhe fshatarët e luginave, që dëgjojnë sypatrembur e… të frikësuar, me aq tharm artistik sa të bie të fikët. Ne jemi dishepuj modernë të kulturës që mungon, të librit me shumicë që fle gjumin e lemerisur nën freskun e mrekullueshëm të qeverisë… Jemi në besën e saj, apo jo?

 – Me këto probleme që ju folët ku e shikoni sot ndihmën e ministrisë për librin shqip dhe autorët shqiptarë?

Xhevair Lleshi- Pse, mirë unë, po as ti nuk e sheh? E tmerrshme, e kemi kaq me bollëk dhe nuk e shohim! Ndihma e fortë, trysnia e talenteve të mëdha, etërit e lavdishëm të Librit, të pushtetshmit që kërkojnë mëshirë, mikpritja tradicionale që s’di pse i fut hundët te Libri, fresku i Fustanellës pranë shtëpisë muze të Kadaresë, besa e pafalshme e ministrave, falja e tmerrshme e popullit! Ç’janë këta burra që na çojnë zbathur të kullosim te Rilindja Kombëtare, të punojmë nëpër humbëtira kurrë të imagjinuara, të vetmuar humbameno, larg nga bota aktive e Kulturës dhe e Librit, me kthinat plot me libra edhe në gjuhë të tjera! Zhukat e moçalit dhe gjembaçët e djerrinës oshtijnë. Ja këtu, për fatin tonë të madhnueshëm, është fshehur ndihma e Shtetit tonë për Librin! Kush ka sy e shikon, kush ka veshë e dëgjon!

Në ministrinë e kulturës të flasin me zhargon rruge (kujtoni «Të mjerët»!), mezi zbythen edhe me delikatesë para provash heroike të ndihmës për librin, është shpallur në kërkim shkërdhatëria e krijimtarisë artistike dhe shprehjet e kulturës së lartë të Librit. Edhe morali, nëse vërtet ekziston. Neronët e Librit janë në fuqi, si njerëz të jashtëzakonshëm që i japin mundësi jete e kulture njerëzve të zakonshëm…

            Intervistoi Julia Vrapi

Filed Under: Interviste Tagged With: perjetojme, Xhevair Lleshi, zhvleresimin e librit

KJO NUK ËSHTË SHQIPËRIA QË DUAM, Z. KRYEMINISTËR!

June 2, 2017 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Më poshtë është një fotomontazh i hedhur të mërkurën në fejsbukun e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.  Unë e dija se politika shqiptare ka rënë në nivelin më ultë moral që mund të bjerë, por ky fotomontazh mund t’ua kalojë të gjithave që kemi parë deri më sot gjatë fushatave politike dhe jo vetëm — të pakën kur të merret parasyshë burimi nga vjen.   Vjen nga Zyra e Kryeministrit!  Pra, fotomontazhi nuk është vendosur në fejsbuk nga ndonjë kundërshtar politik vendor i pa përvojë i Dr. Halim Kosovës, ose nga ndonjë analist e komentues që do të shpreh mllef, por nga Kryeministri i vendit, i cili duhet të jetë shembull morali e tolerance për të gjithë, e sidomos për të rinjtë e të rejat e vendit, të cilët nuk besoj se duan që fushatat politike të zhvillohen në këtë mënyrë.

Çdo të thotë Kryeministri shqiptar me këtë fotomontazh të shëmtuar: se shqiptarët të cilëve u shërben Dr. Kosova qenkan kafshë.  Se nënat shqiptare që lindin fëmijë na qenkan çfarë, lopë???!!!!, Z. Kryeministër?  Cili është mesazhi i tij?  Paske ra poshtë pa nevojë, Z. Rama.  Ky fotomontazh nuk të nderon ty as familjen, as nuk nderon partinë që përfaqëson, por mbi të gjitha nuk nderon as Shqipërinë dhe as shqiptarët.  Kjo nuk është fushata që dëshirojnë shqiptarët dhe kjo nuk është as Shqipëria që ata duan dhe njohin.  Shqiptarët kudo që janë, dinë një moral  dhe diskurs tjetër shoqëror e politik, e jo të këtij lloji që po përhapet në fejsbuk nga ju kundër Dr Halimit.   Përveç mungesës së ndjenjave njerëzore dhe politike të një burrshteti,  hipokrizia e juaj e madhe Z. Kryeministër shihet në mesazhin më poshtë fotos denigruese, në fejsbukun tuaj kundër Dr. Halimit.  Në një tjetër fotomontazh të Kishës së Shnanout shkruani lidhje me vizitën tuaj më heret atë ditë në Lezhë:  “Sipas Marubit, kjo foto e 1930 shfaq “kishën e Shnanoit të fretënve françeskanë në Lezhë.  Pasi dhe nën gërmadhat e një stili të pastër romanik, dëshmohet pasuria fantastike dhe shpirtërore e hinterlandit të Lezhës dhe Laçit, djep i historisë kombëtare dhe qendër kryesore e Motit të madh të Arbërit”.

Me cilin Kryeministër të Shqipërisë kemi të bëjmë, me atë që postoi fotomontazh fyese kundër Dr. Kosovës apo me Kryeminsitrin morlaist që postoi fotomontazhin e Kishës së Shnandout të rrënuar duke venë në në dukje “moralin fantastik” të atyre zonave.   Fotomontazhi fyes me mbishkrimin tuaj, “Halim Kosova i Bashkohet Kërkimit të PD për Knadidatë”, në fejsbukun  tuaj zyrtar kundër Doktorit të nderuar të Tiranës nuk përputhet aspak me atë, “pasurinë fantastike shpirtërore të hinterlandit të Lezhës dhe Laçit, djep i historisë kombëtare dhe qendër kryesore e Motit të madh të Arbërit”, siç e cilësoni ju, me të drejtë.

E kundër kujt e bëni këtë, Z. Kryeministër?  Kundër një personi i cili ndryshe nga të gjithë politikanët shqiptarë të këtyre 25-viteve të fundit,  në fushatën e tij për kryetar bashkie të Tiranës dy vjetë më parë, mbrenda mundësive të tija, Dr. Kosova u përpoq të sillte një qytetërim politik në fushatën e tij, duke respektuar mendimet dhe qëndrimet ndryshe të të tjerve, përfshirë kundërshtarin e tij politik.  Ai në të vërtetë përcaktoi tonin se si duhet të zhvillohet një fushatë politike, në një vend që e quan veten demokratik.   Fatkeqsisht, zëri i tij ishte një zë që nuk u dëgjua nga profesionistët politikë si ju dhe të tjerë politikanë të karjerës, një zë që po të ndiqej mund të përbënte një fillim të ri në politikën shqiptare, ndryshe nga mesazhi që jepni ju, Z. Rama me fotomontazhin në fejsbukun tuaj.  Kjo që po bëni ju me këtë mesazh nuk është fushatë ndaj një kundërshtari politik por është një përpjekje për të poshtëruar një njeri të ndershëm – që të tillë e njeh gjithë Tirana — dhe po ofendoni një profesion të ndershëm, atë të mjekut, dhe njëherazi ofendoni edhe njerzit që ai u shërben si mjek.

Po i bini Dr. Kosovës se ai nuk është politikan i tipit të politikanëve shqiptarë. Ai me fushatën e tij për kryetar bashkie mënjanoi dhe i ndejti larg pikërisht kësaj lloj fushate fejsbuku që kini ndërmarrë ju kundër tij.  Dr. Kosova humbi zgjedhjet me atë rast, por doli fitues, si indivd dhe si politikan, por edhe si mjek, shërbëtor dhe kujdestar i shëndetit të popullit të tij, të cilit i është betuar se do t’i shërbejë. Është ky një betim shumë më serioz dhe më i ndershëm dhe i moralshëm se betimi i politikanëve për t’i shërbyer popullit.

Për Dr. Kosovën është më e ndershme të jetë në shoqëri të burrave të ndershëm e madje edhe i vetëm, edhe nëqoftse humbet zgjedhje, se sa të bëhet pjesë e këtij diskursi imoral politik.   Nuk e di nëse e mbani mend, Z. Kryeminsitër, por Dr. Kosova kishte paralajmëruar gjatë fushatës për kryetar bashkie të Tiranës se nqëoftse do fitonte, ai do të bashkpunonte me ju, me Kryeministrin e vendit, kundërshtarin e tij politik, por ai nuk u konsideroi ju si armikun e tij.   Kjo më pat pëlqyer dhe Dr. Halimi është për tu përshëndetur nga të gjithë për këtë qëndrim dhe shembull që dha për të gjithë politikanët e djathtë e të majtë.  Fushata e Dr. Kosovës ishte një freski në atmosferën e vrazhdë, intolerante e shpesh fyese të politikës shqiptare, pasqyrim i të cilës është fotomontazhi në fejsbukun tuaj, Z. Kryeministër.   Në atë kohë, qe vlerësuar se ndoshta fushata e Doktor Kosovës për kryetar bashkiak të Tiranës do të shënonte një hap përpara në diskursin, pak më të civilizuar politik shqiptar, por jo.  Ja ku e hodhët ju diskursin politik Z. Kyreminsitër, me postimin e këtij fotomontazhi.  Është për të ardhur keq.

Kombi shqiptar ka nevojë për një diskurs të qytetëruar dhe për një tolerancë politike ndaj kundërshtarit, ashtu siç dha shembull Dr Halim Kosova gjatë fushatës së tij në zgjedhjet për kryetar bashkie të Tiranës, dy vjetë më parë. Ju Z. Kryeministër mund të jepni, menjëherë, një kontribut në këtë drejtim duke hequr fotomontazhin fyes nga fejsbuku juaj dhe t’i kërkoni falje Dr. Halim Kosovës.  Të kërkuarit falje është një “pasuri fantastike dhe shpirtërore”, jo vetëm e hinterlandit të Lezhës e Laçit, por duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve kudo, përfshirë në rend të parë udhëheqsit e vendit. Natyrisht, është pasuri shpirtërore për ata që besojnë në shpirt.  Kërko falje!  Sepse kështu do të vepronin burrat e vërtetë të hinterlandit të Shqipërisë!  Fotomontazhi denigrues dhe i pa moralshëm i postuar në fejsbuk-un tuaj kundër Dr. Halim Kosovës, nuk përfaqëson Shqipërinë që duan shqiptarët, kudo që ata gjënden.

Filed Under: Politike Tagged With: Edi Rama, Frank shkreli, KJO NUK ËSHTË SHQIPËRIA, QË DUAM?, z. Kryeministër!

At Gjergj Fishta:”Toskë e Gegë: si dy kokrra në nji shegë”

June 1, 2017 by dgreca

“Toske e Gege: si dy kokrra ne nji shegë”-(Gjergj Fishta)/

1 lacukuShkruan:Gjergj LACUKU/(Foto-arkiv)/

1 Gjon JacksonvilleShqiptaret e Diaspores mbeten gjithemone nji shembull frymezimi dhe shprese se e nesermja asht ma e bukur, e ardhmja ma e ndritun dhe vlerat e lirise dhe demokracise qe ato gezojne ne vendet ku jetojne duhet te ushqejne atdheun e tyne. Ne muajin qe vjen, pra ne Qeshor, Shoqata mbare-Shqiptare e Amerikes, “VATRA”, do mbaje Kuvendin e saj te rradhes ne NY. Me kete rast, Kryetari i Shoqates ,z. Gjon Buçaj se bashku me shefin e financave z.Marjan Cubi , filluan nji vizite 3 ditore ne  Shtetin e Florides. Se pari, ato vizituan deget Vatrane te Tampes dhe Orlandos.Ndersa vizita  e fundit ishte pikerisht ketu ne Jacksonville, qytetin verilindor te Florides, ku jeton nji komunitet prej ma se 15 mije Shqiptaresh.Nuk ishte rastesi qe vizita permbledhese ishte ketu sepse pikerisht ketu e ka zanafillen Vatra e Florides . Me nismen e z. Adriatik Spahiut, Permetarit te palodhun ne sherbim te Vatres dhe Kryetarit aktual te deges se Jacksonville te krijueme para 5 vitesh , u ba e mundun edhe shtrirja e matejshme e Vatres ne qytetet me popullsi te konsiderueshme Shqiptaresh siç jane Orlando dhe metropoli i Tampes. Gjate ketij takimi , fjalen e mori z.Adriatik Spahiu , qe falenderoj ne emen te Shqiptarve tè Jacksonville te gjithe pjesemarresit. Si gjithemome Vatra mbetet simboli dhe misherimi  i Shqiptarizmes , i ndjenjes dhe identitetit Kombetar – u shpreh z.Spahiu.1 Marjan
Me pas, ju dha fjala Kryetarit te Vatres mbareshqiptare te Amerikes, z.Gjon Buçaj,i cili ritheksoj edhe njihere rolin e Vatres si nji Shoqate , qellimi i se ciles asht interesi kombetar, pra nji shoqate jopolitike, e hapun per te gjitha bindjet por pa harru se pertej politikave apo bindjeve te majta apo te djathta, Vatra mbetet gjithemone ne sherbim te Shqipnise Etnike, pra te shqiptarve qe ndodhen ne trojet e tyne mijeravjeçare. 1 jack GjonZ. Buçaj bani nji vlersim te veçante per degen e Jacksonvillit , vuni ne dukje punen e palodhun te z. Spahiu me stafin e tij per promovimin e vlerave shqiptare jo vetem tue organizue festime per ngjarjet kryesore te historise tone por edhe tue ju vu ne dukje traditat dhe kulturen tone edhe te tjereve siç ishte organizimi per here te pare ne Jacksonville i Festivalit Shqiptar .1 JacksonvilleNe kete eveniment artistiko-kulturor mori pjese edhe Mayor i Jacksoville Beach. Promovimi i librit te Profersor Pllana” Terrori i Serbise mbi Shqiptaret” si dhe shfaqja e filmit “Besa” tregon anet ma te mira te Shqiptarve, ku nje njanen anë nji popull vuan nen terrorin Serb por arrin te mbijetoje dhe te fitoje lirine dhe ana tjeter e Beses Shqiptare, mbrojtja e hebrenjeve prej genocidit nazist .
Ne kete takim u diskutuan tema te ndryshme ,pasi kishte mendime se Vatra i perket spektrit
te djathte politik( dhe keshtu duhet te jete , opinioni im si nji antikomunist i perbetuem) por z. Buçaj e theksoj edhe njihere se “Vatra” asht e tan Shqiptarve pavaresisht bindjeve . Z. Hasan Hakrama, shqiptari me origjine nga Peza e Babë Myslimit, qe njifet si vendi i patriotizmit Shqiptar, e vuni theksin pikerisht ketu, pra per randesine e unifikimit te te gjithe Shqiptarve kudo qe jane nen moton ;” Nji gjuhe, Nji Flamur, Nji Komb”. Gjitheashtu edhe zonja Vasilika Dhimitri-Mato per te hequn dyshimet mbi qendrimin e Vatres,  theksoj se ne duhet te shkeputemi nga e kalumja e hidhun e komunizmit qe futi luften perçarse te klasave. “Tashme ka ardhe koha qe femijve tane, brezave qe do vijne, te ju mesojme gjanat ma te mira qe na bashkojne dhe jo ato qe na ndajne. Te ju mesojme femijve tane qe kane lindun ketu gjuhen tone te bukur Shqipe sepse nepermjet gjuhes femijet tane do jene ne gjendje te i ruajne e te i çojne ma tej traditat tona Shqiptare”- u shpreh zonja Dhimitri.
Ne kete takim diskutuan edhe Zonja Shpresa Gallaj, Dr. Ali Lushnja, z.Bukurosh Curre, z. Indrit Kellezi , Nenkryetari Rexhep Gabrica , aktivisti Basri Jashari, dhe Drejtoresha e Shkolles Shqipe, demokratja e perflakun dhe antikomunistja ma e vendosun , zonja Lavdie Mato.
Me kete rast u caktuan edhe delegatet per Kuvendin e Vatres qe do mbahet ne NY me daten 10 Qeshor te ketij viti.
Ky takim konstruktiv u percoll edhe me kange e valle Shqiptare te te gjitha krahinave. Nji falenderim te veçante per grupin muzikor” Oriental” me kangetaren e mirenjohun te muzikes popullore Shkodrane, znj. Alma Velaj, e cila u tregua e gadshme per me kendue falas per ore te tera. Shpresojme qe ket shembull ta ndjekun edhe kangetaret e tjere sepse te i japesh diçka komunitetit Shqiptar asht nji detyre e secilit qe i kalon permast monetare.
Ky takim bashkeatdhetaresh te mahnit per unitetin dhe qytetarine shqiptare. Vatra ofroj edhe nji donacion per $650.00 per z. Adriatik Novaku.E  mbylli kete shkrim me vleresimin  ma te nalte per Diasporen sepse ne jemi misherimi dhe identiteti i ma se mires Shqiptare.

Filed Under: Vatra Tagged With: Adriatik Spahiu, Gjergj Lack, Vatra ne Jacksonville

Edhe në politikë duhet t’i lihet vend të rinjve si dhe të kujtoheni për Diasporen

June 1, 2017 by dgreca

Nga Lek Gjoka/Florida/

 Zhurmë e madhe dhe akuza ndaj kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë zotit Basha ka përfshirë sot kampin demokrak.

Disa lidër të kësaj Partie kritike të kryetarit aktual që kur PD-ja ishte në  çadër janë lënë jashtë listës se deputetëve në votimet e Qërshorit janë hedhur në një sulm jo ndaj liderit socialist Rama që e kanë për detyrë si anëtar të forumeve drejtuese por në mënyrë të pakuptimtë ndaj vete Partisë së tyrë.

Madje me paturpësi dalin në një konferencë shtypi ku shpalosin platformën e tyrë për largimin e kryetarit Basha. Sigurisht jam dakord që gjithë antarët e partive politike mund të kenë një mendim ndryshe nga  kryetari por në një situatë të tillë kur i gjithë bota demokratike u shqetësua për mos marrjen pjese të demokratëve në zgjedhjet e ardhshme janë të pakuptimta deklaratat e Topallit, Imamit, Patosit, Bode, etj që t’i fryjnë zjarrit të përplasjes në kampin demokrat.

Në qoftë se Basha ka bërë gabime nuk është fundi i botës se disa ish depute nuk do të marrin me të mirat  materiale që i afrohen nga të qenurit deputet (që në fakt një pjese prej tyre janë të përlyer në oferta korruptive) por të luftojnë me mish e me shpirte që Partia e tyrë të fitoje sa më shumë deputete dhe të iu marrë nga duart qeverisjen socialistëve. Partitë politike në Shqipëri duhet t’ju japin deren edhe rinisë . Madje duhët t’i hedhin sytë edhe tek diaspora shqiptare në Evropë dhe Amerikë.

Si nuk u kujtua kurrë zonja Topalli si kryetare parlamenti  së qindra mijëra shqiptarë kanë braktisur e po braktisin Shqipërinë për faj të politikave korruptive të qeverisjes plot korrupsion të politikanëve shqiptarë nuk duan t’a harrojnë vendin nga kanë ardhur, të drejtat për të votuar si qytetar i Shqipërisë apo kur  për vete, familjen dhe klanin tënd e ke në rregull çdo gjë nuk ke pse të shqetësoheni për “turmën” popull. Tani që t’u preken interesat përsonale deklaron në mënyrë të paturpshme se vdiq Partia Demokratike e 91-isht. Jo asnjë Parti nuk vdes as kur lideri zevendesohët por kështu po ju lehtësoni fitoren kampit të majtë dhe për ketë nuk është faji as i popullit që nuk do t’i votojë, as faji i Bashës se nuk caktoi juve në listën e deputeteve por faji i ju të gjithëve që nuk luftoni për të mirën popullit, dhe të Partisë suaj por thjeshtë për interesa personale dhe klanore.

Uroj që keto zgjedhje të jenë zgjedhjet e fundit pa pjesmarrjen e diasporës shqiptare. Megjithëse kryeministri socialist Rama ka deklaruar publikisht se keto do të jenë zgjedhjet e fundit pa diasporën  por dukë parë që në çdo fushatë zgjedhore thuhen premtime n’tym  dëshiroj që në katër vitet e ardhshme pozita dhe opozita t’i kthejnë sytë nga diaspora jo vetëm për të mirat materiale që dërgojnë në Atdhe por t’a përfshijnë në qeverisje (krijimin e ministrisë së Diasporës), zhvillimin e kombit shqiptar dhe antarësimin e trojeve shqiptare në Bashkimin Evropian.

 Jacksonville Florida

Maj 20117

Filed Under: Komente Tagged With: diaspora, Lek Gjoka, Politika, te rinjet

ME ËNDËRRËN E KAHERSHME, SËRISH NË PRIZREN

June 1, 2017 by dgreca

Kalaja e PrizrenitNga Pëllumb Gorica/
1 Shtepia Historike   Nuk jemi shtegtarë si zogjtë për t’iu përshtatur stinëve të vitit në trojet andej e këtej që kanë ndjeshmërinë e gjakut tonë etnik shqiptar. Ndaj, me gëzimin e kapluar, unë dhe miq të mi udhëtojmë drejt Kosovës, një ëndërr e kahershme e çdo shqiptari. Një diell i ngrohtë me rreze të arta që shpërndan një ndriçim mbi natyrën përreth na përshëndet me mesazhe frymëzuese. Rruga që, herë turret gjarpëruese faqes së kodrinave me pemë vende-vende të dendura, herë pushtohet nga fushat me hapësira të gjera e të gjelbëruara, të shoqëron pas çdo kilometri udhëtim e të dhuron një përjetim ndryshe. Qartësisht nga dritaret e makinës sonë, me kanatë hapur e me sytë depërtues, të kap një emocion i beftë, sepse para syve të jepet mundësia të sodisësh e vozisësh kalimthi ndërtimet e rrethuara me gjelbërim, të cilat të rrëmbejnë vështrimin e të çlodhin.  Por ne i shijojmë këto bukuri natyrore edhe përtej tyre, ku trajtat e maleve, me cipë dëbore në majë shpërfaqin pamje të tjera që me të vërtetë të mahnisin. Ndaj e adhuron të bukurën e peisazhit mbresëlënës, sidomos në një ditë të tillë pranvere, ku e ndjen edhe kundërmimin joshës të stinës. Këtë e paraqesim edhe si dëshmi se Kosova e bekuar ka pasuri të shumta ujore, lumenj të rrjedhshëm dhe fusha të gjëra, muzera mahnitës natyrorë, male dhe qytete me një arkitekturë impresionuese.

Hamami

Herë pas here të shfaqen lapidarë përkujtimorë, që janë historia më e re dhe më e dhimbshme e kësaj toke. Janë epose dëshmorësh dhe dhimbje shqiptare që kanë lënë gjurmë të thella.

Diku ndalojmë për pak çaste pranë këtyre memorialëve të lartuar në nderim të gjakut të derdhur dhe viktimave prej çmendurisë serbomadhe; për të ledhatuar e vendosur një tufë lulesh, por edhe për të vështruar më pranë pamjet, si edhe për t’i memorizuar ato, gjë që e bën udhëtimin të këndshem.

Ura e GurtëDuke zhbiruar copëza historie

A e kishte caktuar historia që këtë tokë, këto troje arbërore, të na i shkëpusnin me dhunë grabitqarët e pangopur, qysh një shekull më parë ? !

Sot ndjen mrekullinë më të madhe, kur ata shqiptojnë fjalët: “Tani jemi bashkë, jemi të pandarë, jemi një komb”. Kosova u kthye në kështjellë të shqiptarisë e “gjuhës së zjarrtë”, siç thotë poeti ynë kombëtar, Naimi.  Këtu, në këtë vend të shenjtëruar, kanë çjerrë namin e nishanin mijëra armiq historikë të kombit shqiptar. Dhe jehojnë përjetësisht ngjarje për gjakun tonë të derdhur, ku në çdo majë kodre, dru e gur, ka një histori për të treguar, një këngë për të kënduar, një mesazh trimëror për t’ua përcjellë kohëve dhe breznive…

Duke zhbiruar këto copëza të historisë, duhet thënë se ato ishin bubullimat e një stuhie në qiellin e Kosovës, të cilat kanë vrapuar me një shpejtësi të madhe, si të ishin vënë në garë me njëra – tjetrën. Më pas shtrëngata e furishme e fundshekullit të kaluar që zgjati kohë, me mobilizimin e djemve dhe burrave deri sa Bota u bë e ndërgjegjshme, duke ndërhyrë për të ndalur furinë e makinës vrastare serbe e cila përpiqej të robëronte dhe shkatërronte gjysmën e kombit shqiptar.

Shekulli i kaluar, që humbi qetësinë, na mban pranë kujtesën mes kërcëllitjeve të ujqërve serbë, duke  u lenë vendin trallisjeve të tyre që shtoheshin tej mase e derdheshin nëpër rrugët e qyteteve dhe vendbanimeve, me ulërima e thirrje histerike kundër Shqipëtarëve. Ajri atëherë u bë më i rëndë, sa që mezi mbushej  me frymë njeriu, koha dhe vendi. Serbët lehnin dhe skërmisnin dhëmbët, si pasojë e një egërsie të thepave nga vinin. Nuk mund të hiqen nga memoria e kohës raprezaljet e shumta ndaj popullsisë shqiptare për t’i përzënë nga trojet e  veta, por edhe pamjet e krimeve monstruoze, të torturave, dëbimeve, të pushkatimeve në rrugë, shtëpi, pyje dhe përrenj, të familjeve të tëra, me fytyrat e përvuajtura të mijëra prej tyre, të cilët u shpërndanë në të gjitha trojet e tjera shqiptare. Më  kanë treguar se si brenda një nate thuajse shumica e tyre e kanë braktisur Kosovën duke lënë gjithçka, sepse do te sulmoheshin prej çetnikëve serbë.

Kosova gëzon sot pavarësinë, duke jetuar e lirë në trojet e lashta, këtu ku liria më shumë se kurrë ka marrë të tjera përmasa drejt realitetit për një Shqipëri natyrale. Flamuri i kuq si gjaku valvitet në çdo shtëpi, ku çdo palë e tij si dallgët e kohërave të rrepta, flet aq shumë; tashmë për mijëra shqipe me fletë që vunë shpirtin e tyre të paepur në themel të shtetit të ri të Kosovës.

Prizreni, qyteti simbol i historisë

Nëse udhëton në qytete të njohura të Kosovës të ndizet dëshira, për të rrokur e për të prekur më shumë historinë, të lidhur me ngjarje madhore të atdhetarizmit shqiptar dhe vlerat e tyre monumentale, por edhe panoramat, të cilat nëna Natyrë i ka krijuar si një prehje e këndshme e dehëse, që të çlodhnin e të magjepsin. Prizreni, i shtrirë në shpatet piktoreske të Sharrit, të sjell në çdo hap shpalosjen dhe të bën të ndjehesh ngrohtë si në shtëpinë tënde, ku ruhet me fanatizëm historia, arkitektura, traditat, kultura…

Për historinë e Prizrenit është shkruar prandaj, që të përsërim ato që janë thënë, do të kufizohemi, duke i hedhur një vështrim të shkurtër.

Prizreni një qytet muz,e magjik, ashtu sikundër ka qënë gjithmonë ka historinë të lashtë e cila vjen nga koha e Ilirëve, me fillesa në periudhën Iliro – Dardane dhe Bizantine, duke vazhduar  si një nyje rrugore dhe qëndër ekonomiko – administrative në shekujt e pushtimit turk, me kontribut të veçantë historik në çështjet madhore të kombit.

Për ta njohur më mirë në brendësi këtë qytet të bukur dhe me një histori të lashtë nuk mjafton një ditë, sado e gjatë.  Ai të shfaqet më i mrekullueshëm dhe joshës se herë të tjera e kjo ndjehej nga gjallëria e lumit të turistëve, por edhe nga zhurmimi i tingujve të një muzike, si cicërima zogjsh që vinte nga larg. Të admirosh mrekullitë e qytetit në tërësinë e tij, përveç të tjerave, ato që të befasojnë janë monumentet natyrore. Në lagjen e Marashit gjendet një rrap madhështor e pranë tij Lumëbardha, që gurgullon e tejmbushur nga ujërat dhe potershëm nga shirat si gjithë lumenjtë malorë; me urat e shumta ndanë mes për mes qytetin në dy pjesë. Banorët e Prizrenit të rrëfejnë jo pak histori në lidhje me këto monumente dhe të fusin në të fshehtat e tyre interesante, të mbushura me çudira. Ne sydashuruar i kundrojmë anekënd me kënaqësinë e pamatë që provon kushdo i cili është para pamjeve të tilla.

Vepra të shumta arti, basorelieve dhe buste që u kushtohen figurave të njohura të qytetit i ndesh në çdo shesh, në rrugë e parqe. Në një shesh të vogël përballemi me bustin e Musa  Shehrzades, përfaqësues i Lidhjes së Prizrenit dhe teqen ku ai sherbeu.

Por, duke ecur nëpër rrugëza të kalldrëmta, dredha-dredha e anash tyre ndërtime dy – trekatëshe me motive midis së bardhës dhe së verdhës së mureve, sup më sup me njëra tjetrën e çatikuqe, ndeshemi një arkitekturë tipike, ku menjëherë bien në sy vlera monumentale.  Ndaj nuk mund të mos emocionohesh kur vështron jo pak ndërtesa të stilit oriental: xhami të shumta me minare, hamame, ura me pamjet e tyre kaq mbresëlënëse që të bëjnë t’i admirosh gjatë. Veçse po dëshmohet se ka rendje në emër të modernizimit të çdo hapsire, por, për fatndërtimet e vjetra, që nuk janë të pakta, po i rrezistojnë shkatërrimit e e betonizimit. Gjithsesi, të ndërthurura me ndërtime moderne ato tregojnë më së miri se prizrenasit janë ruajtës të historisë në respekt të vazhdimësisë dhe traditës artizanale.

Nuk mund të mos emocionohesh kur kalon Urën e Gurit të ndërtuar së pari në shekullin XV. Për Prizrenin, si një udhëkryq tregtar, ura i shërbeu më së shumti qytetit, por, duke mos i përballuar vërshimet e lumit, pësoi dëmtime dhe u shkatërrua plotësisht. Kështu ajo rindërtohet sërish para 40 vjetësh dhe, për vlerat arkitekturore, është shpallur monument kulture; ashtu si Xhamia e Sinan Pashës, e cila është një nga më të vjetrat në këtë qytet, ndërtuar  aty nga viti1600. Pak më tutje, arkitektura mrekullisht e bukur e Xhamisë së Bajraklisë të tërheq vëmendjen. Ndër të rrallat ndërtesa karakteristike me arkitekturë të jashtëzakonshme është edhe Hamami në qendër të qytetit. Mahnitëse është pamja e mjediseve të brendshëm dhe e 9 kubeve. Është unikal në llojin e vet.

Kalojmë pranë Gjashtë Çezmave për të cilat tregohet një histori interesante e cila vjen nga thellësitë e shekujve dhe në çdo kohë ruan një vlerë të veçantë; Gratë që nuk mund të bëheshin nëna vinin këtu, duke besuar se ajo u sjell shtatzaninë. Aty pranë është edhe Mulliri i Pintollit. Sa histori mban mbi vete ky mulli i lashtë! Sikur të kishte gojë e të tregonte ç’ka parë në kohëra të shuara!

Vlera dhe vetëm vlera që të emocionojnë.

Një frymë e gjërë madhështie të shoqëron, ngado ku ecim mes historisë e legjendës në Prizren. Me kërshërinë për të parë këto vende historike, që lidhen me historinë tonë kombëtare, këmbët na çojnë në kompleksin monumental të Lidhjes së Prizrenit rindërtuar pas djegies në vitin 1999 prej shovinistëve  serbë, të cilët shpresonin se me këtë shkatrrim do të fshihej kujtesa. Por, ta rindërtosh të njënjtë pas shkatërrimit, do të thotë ta shndërrosh në një mbivlerë për brezat që do të vijnë. Si një obelisk i rëndësishëm historik i gjithë shqiptarëve, kushdo që shkel këtu patjetër prek historinë me dokumente autentike, ngjarje, emra, buste, piktura, data, faksimile dhe relike të ngjarjes së madhe historike e cila ka marrë vlera të tilla kombëtare.

Kalaja ngrihet mbi majën e një kodre epike dhe  zotëron një pamje të gjerë, si një ballkon natyror, rrethuar nga gjelbërimi. Ajo, si pjesë e hershme e historisë së këtij qyteti dhe një nga simbolet e tij, me konstruktin ndërtimor, por edhe me vendosjen, të imponon ta vështrosh me kërshëri nga larg. Historianët kanë vlerësuar të rëndësishme kalanë e Prizrenit e cila, duke i rezistuar rrebesheve të kohës; ka reflektuar me anë të dëshmive të Parahistorisë e më vonë mbijetesën  e banorëve të hershëm në këto troje.

E ruajtur mirë dhe e mbrujtur me histori e legjenda, pa diskutim ajo e të tjera kujtesa historike në morinë e vlerave epike të Prizrenit janë marrë në mbrojtje të veçantë nga institucionet përkatëse të Kosovës, duke u vënë mrekullisht në shërbim të vizitorëve. Krenaria dhe kënaqësia e pasqyruar për të kaluarën e gjatë historike asnjëherë nuk është e tepërt…!6 çezmat                                                   ******

Dëshira për të vizituar qytete e treva të tjera është e madhe, por koha s’na mjafton. Sa dëshirë do të kishim që orët të bëheshin ditë, ditët muaj, muajt vite dhe vitet shekuj. Por është një gjë që nuk varet thjesht nga ne. Rëndësi ka që Kosova sot është e lirë.

Largohemi me dëshirën për të ardhur përsëri, sepse etja për të vizituar këto treva të Lashtësisë e krenarisë shqiptare nuk ka për të sosur kurrë. Ne nuk jemi shtegtarë për në trojet tona, as thjesht adhurues, por të lartojmë dhe të evidentojmë këtë krenari e këto vlera të merituara.

Filed Under: Opinion Tagged With: Pellumb Gorica, SËRISH NË PRIZREN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1974
  • 1975
  • 1976
  • 1977
  • 1978
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT