• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Konferenca Shtetërore e Pronësisë Intelektuale në Kosovë

April 26, 2017 by dgreca

_DSC8619_DSC8614

PRISHTINË, 26 Prill 2017/ Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale, 26 Prill 2017, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/Zyra për të Drejtat e Autorit, në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë/Agjencinë për Pronësi Industriale/Inspektoratin e Tregut si dhe Doganën e Kosovës, ka mbajtur “Konferencën Shtetërore të Pronësisë Intelektuale në Kosovë – të arriturat dhe sfidat”.Në këtë Konferencë morën pjesë zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti, Minstrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, zëvendës shefi për Bashkëpunim në Bashkimin Evropian, Libor Chald dhe Drejtori i Zbatimit të Ligjit në Doganën e Kosovës, Blerim Krasniqi.

Zëvendësministri Hoti, tha se Kosova ka vlerësuar lartë të drejtat pronësore intelektuale, të drejta të cilat janë të rregulluara me ligjet përkatëse të cilat janë në harmoni me legjislacionin evropian dhe atë ndërkombëtar.Po ashtu ai theksoi se besojmë se Republika e Kosovës shumë shpejt do të bëhet pjesë e Organizatës Botërore e Pronësisë Intelektuale.Po ashtu edhe të pranishmit tjerë folën rreth rëndësisë së Pronësisë Intelektuale dhe Ditës Ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale që këtë vit u shënua me moton “Inovacioni përmirëson jetën”./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Konference, Kosove, Pronesi Intelektuale

Hije & Siluetë, ekspozitë intriguese në galerinë “Nikolet Vasia”, Durrës

April 26, 2017 by dgreca

Intervistë për gazetën “Dielli” me piktoren e re durrsake Sara Tagani/

2 ekspozita1 Sara Tagani3 Ekspozite

Nga Shefqet Kërcelli/Tashmë në qytetin e Durrësit është krijuar një traditë e vecantë në artin e pikturës , ku piktorë të vjetër dhe të rinj, shpalosin punimet e tyre me tematikë e gjini të ndryshme. E vendosur në qendër  të qytetit, galeria “Nikolet Vasia”,  që mban emrin e piktorit të mirënjohur durrsak Nikolet Vasia, është bërë shtëpia e përbashkët e piktorëve shqiptarë nga gjithë trevat. Kjo ka ngjallur dhe interesin e artdashësve durrsakë të kësaj fushe, por dhe turistëve dhe vizitorëve të huaj. Në një mbasdite të zakonëshme po kaloja tek kjo ekspozitë. Nga jashtë më tërheq reklama që paralajmëronte një ekspozitë të re, “Hije&Siluetë”. Afrohem, shoh me kujdes pikturat e ekspozuara, ndërsa  në tryezën e pritjes qëndronte  zonja Rosita Tagani{Leka}, ishushtarake, ku kemi shërbyer për disa vite në Distriktin Detar të Durrësit. Po ju këtu?  Ja, vajza ime ka hapur këtë ekspozitë, ma ktheu. U gëzova dyfish, jo vetëm për faktin që një piktore e re shpalos talentin e saj, por dhe se është vajza e një ishkoleges sime. Pak më tej, takoj autoren e ekspozitës për tu informuar dicka më tepër lidhur me pikturat. Së bashku me Sarën shohim punimet e vendosura, plot 25, të cilat sic shprehet ajo, janë realizuar në periudha të ndryshme kohore në sajë të pasionit, përkushtimit e dashurisë për pikturën. Ekspozita do qëndrojë e hapur përgjatë një jave, dhe nga sa pamë, ka ngjallur interes tek artdashësit e qytetit bregdetar, të cilët janë të emancipuar dhe mirëpresin piktura me temën e nudos. Gjithsesi për ta kompletuar  përshkrimin tonë rreth ekspozitës, tematikës e vlerave që bart, i morëm këtë intervistë të shkurtër piktores së re, Sara, njëkohësisht studente e gjuhëve të huaja në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.

Zonjusha Tagani, së pari, ju urojmë suksese në rrugën e bukur të  pikturës. Ju gjatë kësaj jave promovuat veten si piktore në një ekspozitë të emërtuar “Hije&siluetë”, cfarë nënkupton ky emërtim?

Sara Tagani: Fillimisht ju falenderoj për intervistën dhe faktin që u bëtë pjesë e ekspozitës sime. “Hije&Siluetë”, është përmbajtja e 25 tablove të paraqitura në këtë ekspozitë.

Gazeta Dielli-:-Si ju futët artit të pikturës, ishte një rastësi apo dëshirë e hershme?

Sara Tagani: Dashuria për pikturën ka marë jetë që në fëmijëri. Mund të them që nuk ishte rastësi, por dëshirë dhe trashëgëmi. E kam të trashëguar nga gjyshi im. Shpeshherë ja prekja telajot dhe penelat. Tek unë, talentin për pikturën e zbuloi ime më.
Dielli-:-Mësuam se ju jeni studente e gjuhëve të huaja në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në cfarë raporti është piktura juaj me studimet në shkencat sociale?

Sara Tagani: Krahas cdo rrugëtimi që kam nisur dhe do të vazhdoj në të ardhmen, pra, studimet universitare, piktura do ecë gjithmonë paralel me të!
Dielli-:- Trajtimi i kësaj teme në pikturë është fushë e preferuar për ju, apo sepse e ndjeni veten më të aftë?

Sara Tagani: Nudo është një nga fushat e preferuara të mija, e përcjellur me kujdes që në fillesat e krijimtarisë nga piktorja Shpresa Beqiri. Kjo temë njerëzore më ka impresionuar prej vitesh dhe për këtë arsye, detaj mbas detaji, punim mbas punimi u bë e mundur hapja e një ekspozite të tillë.

Dielli-:-Si ka qenë interesi i artdashësve durrsakë për ekspozitën tuaj, opinionet e tyre?

Sara Tagani: Jam shumë e lumtur që dhe për ekspozitën time të katërt ka pasur interes. Opinionet e komentet e tyre më kanë shtuar dëshirën e vullnetin për të punuar më shumë në këtë fushë, por dhe për të përmirësuar tablot e mija.

Dielli-:- Sa kohë keni që mereni me pikturë, kush ju ka inkurajuar që të ndiqni këtë rrugë të bukur?

Sara Tagani:  Pikturën e kam filluar në moshën 10 vjecare. Sic e përmenda dhe me lart ishte ime më, ajo që zbuloi artin tek unë. Mbështetja kryesore ka qenë nga familja dhe dy profesoret e mi, Shpresa Beqiri e Nikolet Vasia.
Dielli-:- A mund të na thoni dicka për planet tuaja në të ardhmen, do vazhdoni të merreni me pikturë krahas studimeve universitare?

Sara Tagani:  Padyshim! Piktura do jetë gjithmonë aty. Cdo detaj i përditshëm më ngacmon të trajtoj artin tim. Natyrisht që studimet universitare ndihmojnë në formimin tim akademik. Por, piktura eshtë ajo që më bën të ndjehem mirë dhe më plotëson shpirtërisht.

Suksese si studente dhe piktore e talentuar!

Faleminderit gazeta “Dielli”, ishte vërtet kënaqësi!

Filed Under: Interviste Tagged With: Durrës, ekspozite, Hije & Siluetë, Sara Tagani, Shefqet Kercelli

FEMIJET E DIASPORES, NGA AUSTRIA NE VENDLINDJE

April 26, 2017 by dgreca

  *Freskim njohje e dashurie ndaj atdheut /
   * Reportazh udhëtimi me nxënës. Ekskursionistë nga Austria në vendlindje nën mbështetjen e Ministrisë së Diasporës./

1 Muze Krujë

Ne Foto:Vizite ne Muzeun e krujes/

Per Diellin nga Vjena  Hazir MEHMETI/

1 Adem Prekaz

Ne Foto:Vizite ne Prekaz

.     Pushimi i Pashkëve u pasuruar me ekskursionin mësimor në njohjen e atdheut, njëkohësisht çmallje me të afërmit e munguar. Kësaj radhe ishte nga Austria  grupi prej 43 nxënësve dhe mësueseve të tyre Antigona Elshani, Bukurije Limani, Rafete Kosumi dhe Hazir Mehmeti. Që në ditën e parë u priten në ministri nga Ministri Valon Murati dhe stafi i tij. Z.Ymer Avdiu, zyrtar në ministri, dha një njoftim rreth grupit të ekskursionit. Ministri në fjalën e tij përshëndetëse tha: “I falënderoj mësueset/it që kontribuojnë për mësimin e gjuhës amtare në Austri. Ne po realizojmë programe që të ju mbajmë më afër atdheut, të shtrojmë rrugën që ju të jeni më afër brenda mundësive tona së bashku me mësuesit, shkollat në realizimin e aktiviteteve të tilla. Ekskursioni ka efekt të fuqishëm në ofrimin me vendlindjen.”
“Ndihemi të nderuar nga pritja e juaj, nga pritja e Ministrisë dhe njerëzit e përkushtuar për ta ofruar nxënësin mërgimtar me vendlindjen e prindërve tanë” u dëgjua zë mes zërash.
Grupi i nxënësve vizitoi edhe Muzeun e Kosovës, Muzeun Etnografik, Qendrën e Qyteti ku përmendorja e Gjergj Kastriotit Skëndërbeu të ngjallë krenari të freska dhe detyrim në vlerësimin e përkrenares dhe shpatës origjinale në Vjenë të cilën e barti Kryetrimi ynë para pesëqind e dyzet e nëntë vjetësh. Buçetë lulesh të freskëta në Velani  në respekt për  kryetarin e ndjerë Ibrahim Rugova, filozof e burrështetas që bëri të flasin burrat e mëdhenj të kohës për hallet e Kosovës.
Vizita në Vendin e Epokave, Prekazin Legjendar, fillon me buçetë nderimi e përulje para veprës që Komandanti Legjendar Adem Jashari, familjes së Madhe Jashari, aty ku lëshoi rrënjë Liria. Shtëpia muze, Muzeu i Familjes Jashari, do mbetën përgjithmonë në bebëzat e filizave të rinj kureshtar me zemrën flamur, edhe për nesër. Mirëseardhje me lulet e freskëta drenicore e ëmbëlsirë nga Violetë e Fatimir Osmanit, na riktheu në  “bukë e krip e zemër”  bujari e trashëguar në sofrën shqiptare.
Gryka e Rugovës hapi krahët e gurtë para rrotave të Egnatia e cila  gumëzhinte zgjua bletësh nga mahnitjet me pamjet madhështore. Gurgullimës së Lumëbardhit iu shtua zëri violinës së talentit të muzikës në Vjenë, Alban Spahiu me bekimin e Betovenit në zbutjen e ashpërsive shkëmbore të rënduara moteve. Kulla e Rugovës nuk do harron gjatë kombinime mjeshtërore tingujsh të violinës e çiftësisë . Nuk u dashtë shumë kohë kur nxënëset valltarë nga Graci i Lasgushit dikur,  të ringjallin vallet shqiptare të ndërtuara shekujve dhe ruajtura gjithkund ku frymon shqiptarja.   Sara Krasniqi, Fiona Sadiku, Rina e Leona Maxhuni, Rinesa e Erona Mjekiqi, Albiona, Blerina e Lujleta Kabashi, Rilinda e  Agnesa Bytyqi, Elvire Bujari, Diana Limani treguan se e duan dhe kultivojnë vallen shqiptare duke e prezantuar në festivalet e kombeve Evropës  bashkë me punën e kujdesin e arsimtares së tyre Bukurije Limani. Bujaria e Rugovës ishte mbresëlënëse, një krenari e arsyeshme e koleges sonë Xhevë Lajqi, e lindur dhe rritur krenare këtyre viseve madhështore.  Pranë qerres relikte rugovase, luleshurdha dhe vjollca uruan rrugëmbarë në pa harrim të emrave në gjuhën shqipe.
Egnatia me hapat e saj ndaloi aty ku bashkohen  vëllezërit e vegjël me duqit e bardhë e të zi në Drinin ujëshumë. “ Një foto, ju lutem”, foli drejtuesi i grupit. Kjo sjell fat edhe për nesër, simboli i bashkimit ka rrënjët e vjetra tragjedive të mëdha të kombit të ndarë. Lugina e Fanit i Vogël ishte disiplinuar me shkëlqimin e asfaltit edhe përtej bashkimit me vëllain, Fani i Madh drejt Matit. Papritur djathtas nesh shkëlqente shkëmbi i gurtë me tempullin e lartë ku Homeri Shqiptar lëshoi kushtrimin në Lahutën e Malësisë. Tutje luginës rridhte Mati i mplakur me zemërimet e tij moteve në tregime  legjendash të vjetra e të reja rrapëllimave të vështira shqiptare. Shoqërimi nga miku ynë dhe gjithë shkollës shqipe në diasporë, z.Nuhi Gashi, e pasuroj këngën bashkë me organizimin e mirë të udhëtimit përtej Kalimashit.
Eganatia furishëm kërkonte Kryestacionin e tij, Krujën e Gjegj Kastriotit Skënderbeut, dhe,  kështjellën e tij legjendë epokave. Portës hyrëse në kështjellë, nga kishte hyrë dhe Gjergj Kastrioti pesëqind e shtatëdhjetë e katër vjet më parë me Flamurin e Arbërit, po hynim dhe ne. Në fytyrat e nxënëseve shkëlqeu dielli me gjithë horizontin e hapur nga dukej Tirana e mbuluar me pluhurin e saj të mesditës. “Mirësevini”, fjala e parë nga vet drejtori i Muzeut , Mehmdi Hafizi i cili nga vizitor gojëhapur, na bëri miq të tij e të muzeut. Rrallë kisha dëgjuar fjalë ciceroni me aq qartësi e respekt. Këtu, shoqëria dhe kujdesi i Albana Maxhunit dhe Luljeta Kabashit e pasuroj rrugëtimin tonë në çdo hap.
Zigzageve dejtë Adriatikut krejt pranë restorant “Gjorgj Bush” majtas,  rrugëton Egnatia  Fushëkrujes, qyteti ku prehet simboli i gruas kreshnike shqiptare, Shotë Azem Galica në pavdekësinë e veprës së saj. Jo, nuk do tregojmë histori dhembje,  do i mbajmë ashtu të fuqishëm brenda qenies sonë veprat heroike për të mos i harruar kurrë fëmijët e dëshmorëve luftërave, dje e sot.  Miqtë tanë e të partiturës së mirëfilltë të këngës shqiptar ringjallën realizimin e mësimit. “Do këndojmë vallëzojmë shqip sipas programit. Jo, tallava nga tallavistët shkatërrues të melosit e këngës shqiptare. Çiftelia  e Albanit bëri që rruga të zgjasë shkurt.
Aroma e detit filloi të vinte hyrjes në Bonita ku filloi regjistri me emrat Dren Vitija, Sheqer Avdia, Ardian Kabashi, Ledian Gashi, Krenar Miftari, Euron Salihi, Alblir Kosumi, Laurent Qestaj, nuk donin të ndaheshin as në kohën e gjumit. Nga Velsi shoqërinë e pasuruan nxënëset: Afrora Salihi, Azemine Baftjari, Besjana Demiri, Premtine Januzi, Viola Berisha, Sherife  Dermaku, Yllka Elezi, bashkë me grupin dhe shoqja e tyre Blina Gashi nga Vjena. Grupi i nxënësve nga rrethina e St.Pöltenit është pasuri e re e mësimit shqip në Austri. Përpjekjet e mësueses Antigona Elshani u kurorëzuan me themelimin e një shkolle të re ku do mësohet shqip. Nxënës që flasin aq bukur shqip sa nuk dallojnë nga të tjerët. Edonisa e Fortesa Çekaj, Arianita e Leonita Luta, Altina Krasniqi, Donika Elshani do e përcjellin përjetimin e atdheut dhe njerëzve të tij shoqeve e shokëve se sa bukur është të mësosh shqip, të folesh lirshëm në atdhe.
Nxënësit mësuan me dashuri nga gjeografia e historia e lashtë e kombit shqiptar, vendlindjes së stërgjyshërve që nga lashtësia. Amfiteatri i Durrësit një mrekulli e pasuri e paparë akoma i zhytur në llumin e vjetër dhe të pakujdesisë. Dhomat e gladiatorëve luteshin në harresën e vjetër gjysmë të shkatërruara. Muzeu Arkeologjik i Durrësit u pëlqye nga nxënësit duke ngacmuar kujtesën krahasuese të muzeve të shumtë në Austri.
Rruga e kthimit të Egnatia mori tatëpjetën drejtë Kalimashit  dhe prej aty në Prizrenin e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenin e Sylejman Vokshit. Shtëpia e Lidhjes Shqiptare bashkë me gjurmët tona historike, u shemb e u kall nga pushtuesit barbarë, por u ngrit përsëri Feniks në zemrat tona. Dhe, ja tani shkëlqimi i Hartës Etnike përballë Lumëbardhit porositë breza në vigjilencë e dashuri vëllazërore.
“Ciceroni ka mbaruar orar, andaj ju mund vetëm t’i shihni”, tha roja.
“Ne do shohim dhe dëgjojmë nga ciceronët tanë, tani lexojmë e shkruajmë vet gjurmët tona”, iu kujtua mësimi nga libri i historisë dhe zëri i mësueses. Qetësia është respekt e përjetim ngjarje, asaj çka dëgjon e sheh, një rregull cilësi e grupit shumë të disiplinuar.  Tiktaket në Orën e Ymer Prizrenit ngjallnin fantazi epokash para eshtrave të tij në foton djathtas pranë themeleve të Kalasë së Ulqinit ku ra në përjetësi.
Në ditën lamtumirës nxënësit shijuan bukurinë nëntokësore të atdheut në Shpellën e Mermertë të Gadimes. Legjenda e lepurit dhe qenit kishte qenë e bazuar. Këtë e dëshmon Korridori i Ahmetit lidhur me Sallën e Koncerteve ku dashuria jetësohet mes Romeut  e Zhulietës miliona vite fshehtësive të mistershme. Koka e Peshkut, Përkrenarja e Gjergj Kastriotit Skëndebeut, Harta e Kosovës, Syri i Vashës e shumë figura magjike do jetojnë detyrimisht deri në rikthimin tonë sërish kur dora e kujdesit do merr formën e duhur. Stalaktiti i thyer nga dora e keqe i keqpërdorur në shpjegim nuk la shije të këndshme.  “Përse ia ka pre gjuhën vjehrrës, mësues”, u dëgjua pas pak zëri i shqetësuar fëmijëror. Reformimi i njeriut të edukuar larg shprehjeve të dhunshme para fëmijëve është i domosdoshëm ashtu sikurse çiltërsia e tyre. Melodia e huaj nga tarabuku dhe kënga ku bastardohej gjuha shqipe hapur për dy cent, ishte një shije për tu harruar shpejt.
Dhe, aty pranë,  Dardha sipër shkëmbit tregonte vështirësinë e lulimit pranveror bisqeve të reja mes degëve të thara.
Veprat e Jusuf Gërvallës, dhuratë rast organizatori, forcuan porosinë dhe detyrimin tonë. Edhe për nesër.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Hazir Mehmeti, NE VENDLINDJE, nga Austria

Të Enjten seanca gjyqësore për Haradinajn

April 26, 2017 by dgreca

Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj do të dalë nesër, e Enjte 27 Prill 2017, para gjykatës në Colmar të Francës, ku pritet të merret vendimi përfundimtar.

Haradinaj është duke u mbajtur në Francë me fletarrest të Serbisë që nga muaji janar i këtij viti.Seanca do të fillojë në orën 9 të mëngjesit, ku gjykata pritet të vendosë për rastin e Haradinajt.Kreu i AAK-së u ndalua në aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia për, siç thuhet, krime lufte në Kosovë.

Filed Under: Komente Tagged With: Haradinaj, neser, senaca Gjyqsore

Jemi popull i Unit….

April 26, 2017 by dgreca

*Shqipëri dil e bërtit poshtë opozitarizmi/

Nga Ilir Levonja/Florida/

Më duket si paradoksale që bijtë e vetmisë së madhe, Bijtë e Dullës, I kujtojnë sot opozitës, vetminë. Çudi si nuk po dalim në rrugë me pankarta. Të mobilizojmë popullin. Pasi jemi në vitet 60, shekulli i kaluar. Dilni. Atëherë bërtisnim poshtë Hrushovi. Sot bërtisni, poshtë opozitarizmi.

Kulmi i kokës, kur hiqen perëndimorë. Këta traktoristat e kulisave me Erdoganin, Putinin. Këta ideistët e atij hajnit bjellorus Llukashenkos. Ideistët e pushtetit të pa mjaftueshëm.

Pushtetarët e dreqit. Thua demokracia është 40 vjet pushtet. Jo, pushtet katërvjeçar a rrotacionit etj. Jo, jo.

Ne nuk e durojmë dot erën e freskët të demokracisë.

Duam erën e qelbur të diktatit.

Jemi popull i Unit.

Po kjo është e vërteta jonë.

Një vend paradoks.

Dhe me që po flasim për kulisa, blofe lojrash politike. Apo, negociata të dështuara…?! Për shance të humbura të opozitës etj. Për një mbyllje të saj. Në një vetmi të madhe. Një devijim nga misioni. Një mosdashje Vetingu. Kjo kuvli magjike e shqiptarëve pushtetarë. Tema e një fushate që edhe pse e kanë nisur, nuk po u shkon me qejf për poshtë. Që ikin me mendimin se po u votua Vetingu. Ua ndreqën jetën shqiptarëve dhe me siguri investitorët e huaj do jenë më të shumtë. E plot budallallëqe të tjera.

Në fakt po ndodh e kundërta. Brenda një vetmie të madhe është tashmë pushteti. Jo opozita. Një opozitë më e madhe se kurrë më sot. Më e qartë dhe më e vendosur.

E qartë si drita e diellit. Qeveri teknike.

Sfiduese.

Po shqiptarëve të pushtetit, u duket e çuditshme që një lojë me sfidë, bojkot dhe vetvrasje. Në një vend totalisht në krizë, të marrë peng nga hyrje-daljet. Rama tek Meta, e anasjelltas. Me farsat e etapave presidenciale. Me bojkotin si mrekullia e kokëfortësisë, peshqesh i gjenisë së përparimit shqiptar Edi Rama. Aq sa u kanë vënë një fashë boje a pudre të gjitha strategjive të tyre të dikurshme. Deri tek mosnjohja e shtetit. Me tekat e tyre bojkotuese.

Dhe që sot rrahin përditë në një pike. Veting dhe vetvrasje bojkoti. Aq sa u është mbushur mendja se Shqipëria bëhet pa oopozitë.

Bëjeni… !

Të gjitha i keni.

Bëjeni dhe Vetingun. Në fund të fundit qeverisja është një revolucion. Dhe ju bij të revolucionarëve jeni.

Sipas shakaxhiut tuaj, doni edhe 20 vjet pushtet, që të bëni reformat. Që të zbusni klimën për investitorët etj. Këto janë përralla. Pas 20 vjetëve do kërkoni 20 të tjera. Kështu që lum ai popull për këtë sfidë të hapur opozitare.

Turpi më i madh i takon pushtetit që kërkesave opozitare për tubime, iu përgjigj me kërcënime policësh. Nga foltoret politike të institucioneve tona të rendit. Iu përgjigj me Jo të madhe. Aq sa shenjat e një autoritarizmi monopol shtetëror i kohës së Dullës, po pluskojnë mbarë vendin.

Ideja më e keqe e gjithë këtyre viteve. Eshtë mohimi i opozitarizmit. Në fund të fundit, është diçka e traditës tuaj.

Po shqiptarët nuk duan të kuptojmë më pasi e kanë të lehtëtashmë. U njihet pasaporta. U mjafton të ikin.

Ju i tegonit telat me gjemba. Kallashin. I varnit në sheshe publike. Demokracia për ju është monopjesmarrje, monovendosje, monogjithçka.

Dhe klima popullore shqiptare, stoike, se pa iksin apo ypsilonin nuk bëhet. Bëhet ore bëhet. E keqja fillon tek këta, që thonë se duam edhe 20 vjet të tjerë të kryejmë reformat.

reformat o bëhen o nuk bëhen. 20 vjeçari është monopolizim pushteti. Rruga bjelloruse, ruse, azerbajxhanase e së fundi kjo turke.

Eshtë për të vënë duart në kokë. Duhet t’ju kapi paniku. Një erdoganizëm i gjallë po mbyt vendin.

Një lëshim pushteti në një fund mandati, nuk është asgjë. Biles një sfidë e bukur politike. Por kush e ka ndërmend këtë. Ata që hyjnë e dalin tek njëri-tjetri…. dhe që e shohin revanshin a suksesin ekonomik, tek vrasja e opozitës?.

Jo tek fitorja me votë. Por nuk kanë faj. Fajin e kemi ne…që, harrojmë. Jo më shumë se dje. Një nga fitimtarët me ”vote të lirë”. Një nga ata, në atë milionshin e votimeve populiste, mburrjes, u dënua dje me 7 vjet heqje lirie. Dhe sekuestro pasurie prej milionash euro. Këta, e ca të tjerë si këta, ishin fituesit. Po ne shqiptarët nuk e kemi për herë të parë që vimë në pushtet me hajna. Sidomos e majta. Këtë ne e harrojmë.

Nuk po të kërkojmë zyrat, pushtetin. Por shance të barbarta për votë të lirë.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, opozitarizmi, popull i Unit, shqiperi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2048
  • 2049
  • 2050
  • 2051
  • 2052
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT