• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Negacionizmi serb dhe gjenocidi në Kosovë

April 9, 2017 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/

Deklarata e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit se “Kosova do ta padisë Serbinë për krimin e gjenocidit” provokoi reagime të sërishme në Serbi. Nga të gjitha reagimet serbe publiciteti më i madh iu dha ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiqit. Në prononcimin e vet Ivica Daçiqi u përqendrua në faktin se “Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se nuk ka të drejtë të bëj padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Askush nuk duhet të befasohet nga reagimet e një politikani si Ivica Daçiqi. Përkundrazi, një gjë e tillë duhej pritur. Ajo që është për t’u befasuar ka të bëj më hapësirën që mediet në gjuhën shqipe i dhanë qëndrimeve të tij. Fatkeqësisht askush nuk e përmendi se bëhet fjalë për Ivica Daçiqin i cili që nga viti 1992 e deri në rrëzimin e Millosheviqit nga pushteti në vitin 2002 ushtroi funksionin e zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviqit. Gjatë gjithë kësaj periudhe ai u shqua në propagandën e luftënxitës të Serbisë dhe në fshehjen e krimeve.

Gjatë të gjitha luftërave që Serbia zhvilloi në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë shteti serb aplikoi negacionizmi, nocion që mbulon strategjinë e fshehjes së krimit. Në kuadër të kësaj strategjie u përpiluan qëndrime dhe shpjegime të caktuara që kishin për funksion mohimin e vërtetësisë së gjenocidit. Por, siç e kam trajtuar më hollësisht në librin « Mashtrimi i Madh », mohimi i gjenocidit është pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës dhe organizon gënjeshtrën në një sistem, funksioni i të cilit është shmangia nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit.

Ivica Daçiqi dhe politikanët tjerë serbë që kanë përgjegjësi për krimin e gjenocidit në Kosovë kanë përdorur dhe do të përdorin negacionizmin për t’i ikur edhe përgjegjësisë individuale. Në këtë kontekst duhet të shihen deklaratat e politikanëve, artikujt e gazetarëve, emisionet televizive, konferencat e mbajtura për të fshehur gjurmët e krimit të gjenocidit serb.

Megjithatë vlen të përmendet se në deklaratën e fundit të Ivica Daçiqit theksi vihet në aspektin procedural: Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe nga ky pozicion nuk ka të drejtë të shtrojë padi kundër Serbisë. Çështja e procedurave për ngritjen e padisë për gjenocid është çështje që do ta trajtoj në një shkrim tjetër. Tani për tani po ndalem në faktin se ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiqi punën e gjenocidit serb në Kosovë e lë të nënkuptueshme.

Po rikujtoj se ngjashëm si Daçiqi edhe ish ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Goran Svilanović gjatë vizitës së tij në Hagë më 3 tetor 2003 deklaroi se “Serbia nuk do ta dorëzojë arkivin e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë sepse nëse Millosheviqi dënohet për gjenocid atëherë edhe Serbia do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim”( Zëdhënësja e Gjykatës së Hagës, Florence Hartmann, Paix et chàtiment, f.118).

Madje, udhëheqësit e Serbisë deklaronin haptazi se “inte­resi jetësor nacional i tyre ishte t’i fshihnin Gjykatës Ndër­kom­bëtare të Drejtësisë të gjitha informatat dhe dëshmitë që mund ta inkriminonin Serbinë për krimet e gjenocidit”. (Vepra e cituar, f.118).

Gjenocidi serb në Kosovë është fakt që kontestohet nga negacionistët serbë dhe ata që ishin të inkuadruar në mbrojtjen e Serbisë nga sulmet e NATO-s. Është tragjike kur sheh se nuk kemi bërë atë që duhet për të përhapur në botë të vërtetën për këtë gjenocid. Fatkeqësisht, propaganda serbe për Kosovën ka zënë vend në shumë qarqe politike dhe intelektuale në institucionet me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, të gjitha kërkesat për të përshpejtuar padinë janë të rrezikshme sepse padia e shtruar në kohën kur Kosova është vënë në bankën e akuzës nga Gjykata Speciale do t’i konvenonte vetëm Serbisë.

Padia kundër Serbisë për gjenocidin në Kosovë është çështje që duhet të përgatitet hollësisht dhe nuk duhet të shihet e ndarë nga depërtimi i të vërtetës në të gjitha qarqet me influencë në botë. Na mbetet që të vërtetën për gjenocidin serb në Kosovë ta shpërndajmë anekënd botës si kusht paraprak për ngritjen e padisë penale në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Nacionalizmi serb

Sikur Artani të ishte sot në detyrë

April 9, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Në vendin tonë një ish polic duhet të mos jetë asgjë. E kam fjalën për ndonjë meritim statuti të veçantë. Si mbrojtja. Sidomos kur ka drejtuar poste kyçe për vite me radhë. Por edhe moralisht duket se është prapë asgjë. Pasi veç shtypit që e jep si lajm, a ndonjë indinjate me të drejtë të shokëve. Të cilët ndihen të braktisur. Një pjesë e tyre janë edhe ata isha. Një pjesë u kanë shpëtuar reformave të ”dinjitetit” që qeveria Rama u dha në këto katër vjet, në kanabisimin e vendit. Tjetër asgjë. Nga institucionet e shtetit. Si Ministria apo Drejtoria e Policisë së Shqipërisë. Asgjë. Veç heshtje. Klikova në webet e tyre. Vetëm arritjeve u jepej vend …, asgjë-je tjetër. Lajmet kishin mbetur tek e premtja. Dt 7 prill. Data ironi. Sidomos kur kujton 7 prillin e vitit 1939. Si na erdhën italianët neve atëhere. Sa të armatosur. Dhe si u shkuan ne, në prillin e vitit 90-të. Të çarmatosur dhe i pushtuam si na desh qejfi.
U kujtova që e shtuna dhe e djela janë pushim absolut.
Megjithatë sikur Artani të ishte sot në detyrë. Do kishin ushtuar veglat bandave frymore. Tapeti i kuq do shtrihej tej e tej. Nga Ministria deri tek varrezat e dëshmorëve të kombit.
Statutet e kryeministrit, ministrit të brëndshëm, drejtorit të policisë së shtetit. Deputetëve të ”devotshëm” a sekretarëve politikë…, do vlonin me lavdërata plot dhimbje.
Të jeni të sigurt se kryeministri do dilte live dhe do thoshte që sado, sado, krimi nuk na mposht dot. Përkundër atyre që thotë opozita. Kjo vrasje dëshmon luftën pa komprimis që ne u kemi shpallur kriminelëve etj.
Mirëpo Artani është një ish polic. Ndaj sot do përcillet si një qytetar normal. Pa merita shteti. Dhimbja i përket vetëm familjes. Asaj nëne. Dhe atyre fëmijëve. Të afërmeve. Dhe ndonjë shoku nga detyra e dikurshme. I cili me të drejtë ndihet i alarmuar. I kërcënuar. Dhe frymëmarr lutet që partitë e vendit të kthehen në bina. Të mos jenë më kurva, siç thotë ai. Por t’i mbrojnë.
Pra Artani është një ish. Kësisoj nuk ka banda frymore. Jo polic në detyrë. Eshtë një i shkarkuar në bazë të reformave efikase, shkurtim vendi pune për 1 javë. Pasi javës tjetër. Drejtoria do hapet prapë, por sigurisht me emër tjetër.
Dhe në detyrë do vi ai komisioneri i qëndrës numër aq e kaq. Pasi ruajti votat me heroizëm. Ashtu siç ndodh rëndom tek ne. Ashtu siç është bërë gangrene kjo mode e fëlliqur meritash partiake.
Megjithatë është një moment kur si këta në detyrë. Ashtu edhe ishët. E kam fjalën për oficerët e karrierës. Pasi shoh që paskan edhe një shoqatë. Të reflektojnë. Në kuptimin e ekzistencës së tyre si qytetarë dhe kuadro të rëndësishëm të një vendi demokratik. Të paktën sot duhet të ishin në protestë.
Të drejtat nuk dhurohen. Po as nuk fitohen duke ndenjur kafeneve. E me gazetë në dorë. Duke u shkelur syrin sa të majtëve. Sa të djathtëve etj. Duke u atashuar në një komision zgjedhor etj. Aq sa i mire është njëri nga ata për ju. Aq i keq është për kolegun tuaj. Që bëhet ish. Që vritet. Që humb veç jetës edhe dinjitetin profesional. Ndërsa ju, të hutuar pyesni veten se kujt do i shkoni në varrim ditën a javën tjetër.
Një ish koleg, është koleg, ndaj respektojeni.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, sikur Artan Coku, te ishte gjalle

KUR TIRANITË NUK DORËZOHEN PËRMBYSEN

April 9, 2017 by dgreca

EDI RAMA NUK VLEN AS PËR KRYEMINISTËR AS PËR KURBAN.

KUR TIRANITË NUK DORËZOHEN PËRMBYSEN/

1 AzganOpinion Nga Azgan HAKLAJ/

Zhan Zhak Rusoi, filozofi dhe iluministi i madh francez i ka lanë si testament njerëzimit veprën e vet monumentale “Kontratën Sociale”, ku shpjegon qartë se shteti është një kontratë sociale, juridike, morale e shoqërore mes qytetarëve të lirë dhe atyre që i qeverisin. Të drejtat hyjnore natyrale të njeriut: liria, siguria e jetës, e pronës dhe barazia para ligjit janë të panegociueshme e të padhunueshme, na mëson filozofi i madh.

E bëra këtë hyrje për faktin e thjeshtë e të hidhur se Rama megjithë dekoratën e “Legjionit të Nderit” (dekoratë, thjesht politike) që ia dha para disa ditësh Presidenti i Francës nuk ka mësuar asgjë nga Franca, Tempulli i Lirisë e Simbol i Republikës, sepse në të kundërt ai duhet të mendonte: A mund të jem Legjionar i Francës unë, kryeministri i Shqipërisë, kur mijëra qytetarë, protestojnë para zyrës time ditë-natë, protestojnë para godinës së mbuluar me ferexhe, para qeverisë maskë dhe kërkojnē dorëheqjen time për shkak se kam shkelur kontratën sociale me popullin tim.

Dua të bëj një vepër për Atdheun tim pastaj le të vdes, të bëhem Kurban, thoshte shkrimtari, publicisti, politikani brilant, Viktor Hygo.Po ju a e keni bërë këtë z. Rama, që keni pranuar të dekoroheni?! Sigurisht vepra juaj ēshtē e shëmtuar, publikisht keni deklaruar se Opozita është e lirë të varë vehten. Pra, ju, kërkoni asgjësimin fizik të Opozitës njëres shtyllë të demokracisë.

Edi Rama, sëbashku me ortakun e tij – Ilir Meta, vrasës dhe persekutorë të Opozitës, mendojnë se mund të qeverisin Shqipërinë si konsuj të Romës së lashtë!

Është e pamundur të analizosh në një shkrim të vetëm “bëmat e Ramës”, për këtë duhen analiza e libra shumë voluminozē.Nuk më ka habit aspak fakti se ky Don Kishot i politikēs është përpjekur të luaj me Kartën e Nacionalizmit, por këtë mantel e zhveshi dhe doli si dikur lakuriq në Francë.Pasi e bëri vëlla Erdoganin, kërcënoj se do ta privatizojë Akropolin e Athinës dhe i tregoj vendin në Beograd mikut të tij Vuçiç, duke u mburrur për këtë, por nuk pati guximin e burrërinë të fliste dy fjalë për shqiptarin e madh, emblemën e patriotizmit të qëndresës e njëherësh të nacionalizmit modern shqiptar, z. Ramush Haradinaj, i cili mbahet peng në Francë për t’i bërē qejfin mikut të tij Vuçiç, politikanëve në Kosovë tē lidhur me Beogradin.

Kur z. Rama u dekorua m’u rikujtua njē sentencë e Perandorit të Francës, Napoleon Bonaparti, që pata cituar tek një shkrim për Kalorësin e Lirisë, Ramush Haradinaj: Dekorata më e madhe që merr njeriu në jetë është një plagë në shërbim të Atdheut. Ramush Haradinaj e ka tejkaluar këtë sentence, sepse ka disa plagë në trup dhe se ka vënë kurban në themelet e Kosovës vëllezërit e tij: Luanin, Shkëlzenin, Enverin. Ramush Haradinaj shkoj dy herë në Hagë si dorëzan i Kosovës. Pas një beteje të gjatë gati një dekadë u kthye triumfues duke e çertifikuar kauzën e shenjtë të UÇK-së, luftën e saj për çlirimin e Kosovës.

Simbolikat e Ramës janē aq naive sa janë edhe zhgarravinat e tij , pikturat me tē cilat shetit nëpër Evropë ashtu si serbët me eshtrat e Car Llazarit. Këtë e ban me paratë tona, sigurisht, në një kohë kur shtëpia ku lindi Homeri Shqiptar, Gjergj Fishta, akademiku gjenial i kulturës, patriotizmit, konstruktori i Shqipërisē Evropiane është shembur për dhé.Edi Rama proklamon atë të cilës nuk i beson as vetë ai: Unë jam kryeministēr i Rilindjes, arkitekt i shtetit të ri dhe vizionar i madh Evropian. Sa për opozitën që ka mbi 50 ditë, mbi 1.200 orë, që proteston në Shtëpinë e Lirisë, me qytetari, me kurajo të pashoqe e që i thotë në protestēn më e madhe në historinē shqiptare: “Ik”!, ai nuk don të ja dijë.

Por nē ditën e 50-të të kësaj Proteste, Lideri i Opozitës së Bashkuar, arkitekti i Republikës së Re, z. Lulzim Basha, i tha qartē: Tiranitë që nuk dorëzohen përmbysen. Nuk do të ketë zgjedhje farsë me Ty, as Qeveri fasadë për të shpëtuar klanin tand kleptokratik.

Rama ka ëndērruar se “protestuesit mjeranë” apo “çadristë të ngujuar”, siç i quan ai, t’i vinin flakën Kryeministrisë, institucioneve e mbarë Shqipërisë për t’i treguar botës se PD dhe Opozita, të cilën ai e përbuzë me neveri dhe e ka shpallur “të keqen e madhe të këtij vendi”, protestuesit i cilëson se “janë tribalë, vandalē, janë talebanët e Evropës” dhe vetëvehten e tij “shpëtimtari i qytetrimit Evropian”(!)….

Tomas Hobs ka një maksimë: E Drejta Morale është burim i të gjitha të drejtave. Ju keni humbur të drejtën morale z. Rama, sepse keni dhunuar Kontratën Sociale me popullin tend, ndaj Opozita e Bashkuar, shqiptarët, do të të flakin të bindur thellēsisht se nuk vlen për Kryeministër dhe as për kurban.

Midis qindra e mijëra protestuesve tē varfëruar e tē poshtëruar nga Rama, mes njerëzve që ai dhe sekserët e tij u zhvatën pronat dhe u rrafshuan shtëpitë, mes qindra biznesmenëve që qeveria u falimentoj bizneset e sipërmarrjet vetëm se ishin mbështetës të PD-së, mes qindra të rinjëve dhe të rejave që u shkatërroj ëndrrën ka padyshim koka të nxehta, të cilët duan ta bajnë kurban z Rama. Edhe vetë z. Rama, ndoshta ëndërron të bëhet kurban e të muroset në Sheshin “Skënderbej” dhe, ashtu si prifti shovinist Sebastianos që u varros në Konicë, të mbetet në histori.

Ai nuk do të ketë kurrë këtë fat për tē qënē kurban i Republikēs së Re dhe i Shqipërisē sē Nesërme Evropiane. Legjenda e Rozafës nuk mund tē përseritet. Kurbani është simbol i shenjtë për Njerëzimin.

Kur Profeti Abraham doli në Kodrat e Sinait dhe në shenjë besnikërie ndaj Zotit deshti të bante kurban djalin e tij, Krijuesi i Gjithësisë e zbriti nga Qielli një dash e i tha Profetit: T’i tregove besnikërinë ndaj Meje, por nuk dua kurbanë njerëzish. Kurbani, z. Rama, duhet të jetë i shëndetshëm, pa sëmundje, i pastër dhe i taksur për t’u sakrifikuar në Ditën e Shenjtë.

Fati i shqiptarëve ështē në duart e tyre

Ju nuk vleni as për Kryeministër, as për Kurban.

Ikni, ikni, ikni, që tē mos gjykoheni…

Filozofi i lashtë Konfuci na ka lanë një fjalë të urtë: Diellit që perëndon e burrit që bié i mbyllet dera. Ju keni rënë z. Rama e shqiptarët njëzëri, solemnisht, do t’ua mbyllin derën.

Tiranë, 9 prill 2017

Në foto: Azgan Haklaj duke folur në mikrofon tek Shtëpia e Lirisë, tek Çadra e Protestës.

Filed Under: Analiza Tagged With: as Kryeminister, as Kurban, Azgan haklaj, Edi Rama

BETEJA E KOSHARES BASHKOI SHQIPTARËT

April 9, 2017 by dgreca

1 GuriFoto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares është i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova në Prishtinë/
1 Thaci
 
BETEJA E KOSHARES BASHKOI SHQIPTARËT/
 
-Në Kosovë, në “Ditët e Shqipes” përkujtohet Beteja e Koshares, e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë më 9 prill 1999, një prej fitoreve më domethënese. Beteja e Koshares, kapitull i rëndësishëm i fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/
4 Thaci
 
-Presidenti Thaçi: Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së. 
-Kryeministri Mustafa: Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të NATO-s është garancia e realizimit të aspiratës tonë për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vet për ardhmërinë tonw/
3 Lule
 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
2 Koshare
 
 KOSHARE, 9 Prill 2017/ Beteja e Koshares që bashkoi shqiptarët, e para 18 viteve, e vlerësuar simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës, u përkujtua sot me homazhe dëshmorëve dhe me një tubim, me pjesëmarrës edhe nga Shqipëria.
 “Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi tradicional në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë po marrin pjesë në veprimtaritë e sotme, përfshirë akademinë përkujtimore që u zhvillua pak më parë në Koshare.
 “Para 18 viteve këtu në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak ‘Shigjeta’ duke hapur një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të ardhëshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha presidenti Thaçi në tubimin përkujtimor, duke theksuar triumfin politiko-ushatarak të luftëtarëve për lirinë e Kosovës.
Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti kosovar tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.
“Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës”,  tha presidenti Thaçi.
Kryeministri Mustafa tha se, “heqja me luftë e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë më 9 prill 1999 shënon një prej fitoreve më domethënese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe se “Beteja e Kosharës përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës”.
Kreu i qeverisë vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
 Në tubimin përkujtimor për Betejën e Kosharës, nga pjesëmarrësit e udhëheqësit e saj, foli  Rrustem Berisha, komandant i Brigades 138 “Agim Ramadani”.
“9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës”, theksohet në veprimtaritë e zhvilluara.
Në Betejën e Koshares  ranë heorikisht heronjtë  e popullit – komandantët Agim Ramdani dhe Sali Çekaj, si dhe 114 dëshmorë, të cilët përkujtohen këto ditë, si tradicionalisht, edhe me veprimtari të tjera, me nderimet më të larta të kombit.
Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares është i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, shtëpi-muze, në Prishtinë.

PRESIDENTI THAÇI: BETEJA E KOSHARES, KAPITULL I RËNDËSISHËM I FITOREVE TË UÇK-së
 
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor të betejës së Koshares, i cili u organizua në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”.
Presidenti Thaçi tha se para tetëmbëdhjetë vjetëve, në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak “Shigjeta”, duke hapur kështu një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti Thaçi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.
Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike, presidenti Thaçi tha se arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës.
 “Për herë të parë në histori, Kosova ishte pjesë e tryezës diplomatike ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë. Nga kjo konferencë u krijua baza politike për fillimin e intervenimit të Aleancës Veriatlantike të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe”, tha presidenti Thaçi.
Pas fillimit të intervenimit të NATO-s, presidenti tha se në Kosovë u krijua një situatë e re.
“Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së shpalli Mobilizimin e Përgjithshëm, si një akt që vuri në lëvizje popullatën e aftë për t’u angazhuar në radhët e UÇK-së në mbrojtje të atdheut. Fushatën e bombardimeve të NATO-s, regjimi i Beogradit e shfrytëzoi si një pretekst shtesë për të dëbuar masivisht popullatën civile shqiptare nga trojet e veta. Në këto rrethana, Qeveria e Përkohshme dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me kuadrot e veta elite urdhëroi hartimin e operacionit “Shigjeta”, faza e parë e të cilit filloi këtu e 18 vjet më parë. Këtu në Koshare u dëshmua më së miri se drejtësia e kauzës dhe forca morale e një populli që lufton për lirinë e tij është më e madhe se çdo ushtri pushtuese”, u shpreh presidenti Thaçi. 
Beteja e Koshares rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, shtoi presidenti Thaçi, duke bërë që me forcë për herë të parë të thyhet kufiri ndarës Kosovë – Shqipëri dhe të mundet ushtria serbe në kufi.
 “Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, që së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre. Përmes zonës së kontrolluar nga UÇK-ja do të hynin më lehtë edhe ndihmat humanitare për popullatën e zhvendosur brenda Kosovës. Thyerja e kufirit ishte mesazh se rruga e furnizimit me armatim për zonat e thella brenda Kosovës ishte i mundshme edhe në atë kohë”, tha presidenti Thaçi.
 Presidenti theksoi se operacioni “Shigjeta”, brenda planit të studiuar mirë kishte edhe misionin e bashkërendimit me ekspertët e NATO-s për të saktësuar vendndodhjen e forcave serbe në territorin e Kosovës.
“Operacioni ‘Shigjeta’ tregoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte pjekur për të ndërmarrë edhe operacione të luftës frontale me forcat serbe”, shtoi presidenti Thaçi.
Për luftën e zhvilluar në Koshare dhe në Pashtrik, presidenti tha se përpos që kanë madhështinë e idesë dhe projektit, kanë edhe përmasën e sakrificës. 
“Sot dhe përgjithmonë do t’i përkujtojmë me respekt të thellë dhe përulje komandantët dhe ushtarët e tyre, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Xhemajl Fetahun dhe qindra dëshmorë që ranë për lirinë e Kosovës”, tha presidenti Thaçi. 
Kreu i vendit theksoi se falë sakrificës së djemve dhe vajzave më të mira të vendit tonë, të burrave dhe grave, të martirëve dhe gjithë rezistencës qytetare, sot Kosova është shtet i lirë, sovran dhe demokratik. 
“Nuk ka as shpifje, as çfarëdo qëndrimi armiqësor nga qarqe antishqiptare, që do të arrijnë ta njollosin luftën e drejtë dhe sakrificën sublime të luftëtarëve të lirisë. Institucionet e Kosovës do të jenë gardian i vlerave mbi të cilat është ngritur themeli i tyre. Kujdesi për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët do të jetë gjithmonë institucional”, u shpreh presidenti Thaçi. 
Mbi këtë bazament, presidenti tha se Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.
 
KRYEMINISTRI MUSTAFA: BETEJA E KOSHARES VLERË DHE TRASHËGIMI PËR BREZAT QË VIJNË
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”.

Me këtë rast kryeministri Mustafa tha se heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë,  më 9 prill 1999, shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani”, tha kryeministri Mustafa.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Të pranishmëve të shumtë në këtë tubim përkujtimor iu është drejtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të pranishmit i përshëndeti komandanti i kësaj brigade, Rrustem Berisha, në emër të familjarëve të dëshmorëve Bukurije Grajçevci, nëna e dëshmorit Burim Grajçevci, njëherit motra e dëshmorit Fitush Kukaj.
Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, për komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berisha si dhe nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së Koshares, u ndanë mirënjohje për dy shoqatat që funksionojnë në diasporë me emrin e heroit të Kosovës, Sali Çekaj.  
 
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, më 9 prill 1999, nga Brigada 138 “Agim Ramadani” shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Prandaj, ne të gjithë, jemi sot këtu për të dëshmuar edhe njëherë ndjenjën e mirënjohjes deri në përulje për pjesëmarrësit e Betejës më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Në aspektin luftarak, Beteja e Koshares përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës. Kurse në aspektin ushtarak nxjerrë në pah përdorimin e shkathtësive të larta taktike dhe operative në luftë kundër një armiku numerikisht shumë të madh dhe të armatosur.
Ashtu sikurse edhe në frontet tjera anekënd Kosovës, Beteja e Koshares, deri në ditën e çlirimit, ishte aleati tokësor i betejës ajrore të NATO-së për çlirimin e Kosovës. 
Pjesëmarrës të nderuar,
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të NATO-s është garancia e realizimit të aspiratës tonë për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vet për ardhmërinë tonë.
Është garanci se Republika e Kosovës, ashtu siç tha edhe presidenti, Forcën e saj të Sigurisë, do ta shndërroj në Forcë të Armatosur.
Stabiliteti jonë ekonomik dhe buxhetor, është garancia më e mirë se kemi stabilizuar financat dhe shteti jonë ka krijuar parakushte për ta financuar një ushtri moderne, partnere të denjë të NATO-s, aleancës më të fuqishme politike e ushtarake të botës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuara familje të heronjve, dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të luftës,
Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani.
Të gjithë ne, sot ndjehemi krenar me veprën e heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, me veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
Por, po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ndjenja e krenarisë për veprën e heronjve tanë, pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” do të na nderojë të gjithëve dhe ne duhet të punojmë në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për të zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë pjesë të familjes euroatlantike.
Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në betejën e lavdishme të Koshares dhe në betejat tjera anekënd  Kosovës.
Trashëgimia e angazhimit të përbashkët për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares, është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar, për ta zhvilluar  Kosovën dhe për t’i zhvilluar të gjitha vlerat si trashëgimi për brezat që vijnë.
Për të gjithë ata që u flijuan për Kosovën, përgjigja më e mirë është ndërtimi i një Kosove të fortë, të zhvilluar ekonomikisht, të aftë për të mbrojtur sovranitetin e saj shtetëror, të respektuar nga fqinjët dhe vendet tjera, si faktorë të paqes, unitetit dhe stabilitetit në rajon. Një Kosovë të dashur, të respektuar dhe të admiruar, para së gjithash nga qytetarët e saj.
Neve na takon ta duam Kosovën, sepse vetëm ashtu na respektojnë të tjerët. 
Pjesëmarrës të nderuar,
Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve, nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe në beteja tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Veçanërisht, me përulje do të përkujtojmë edhe të rënët nga vendet tjera mike.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”
Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosharja, Mustafa, Thaci

Henri Çili-Kadares: Kërko dosjen e Lubonjëve!

April 8, 2017 by dgreca

*Reagon  Lubonja: Dokumenti është i manipuluar dhe jashtë kontekstit /2 kadare-kalocii*“Kadare i denoncuar”: Dëshmia e Lubonjës dhe hapja e dosjeve/

1 Lubonja

Libri “Kadare i denoncuar” i autorit Dashnor Kaloçi, jo vetëm pati sukses në treg, por edhe nxiti një debat të fortë.

Aryseja?

Një dokument i vitit 1975, marrë nga dosja hetimore e Fatos Lubonjës, ku publicisti, është pyetur ndër të tjera ç’mendim kishte mbi shkrimtarin Ismail Kadare, botuar në librin “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave” ka ngjallur debat për muaj në media.

Lubonja ngulmon se është manipuluar dhe nxjerrë jashtë kontekstit, ndërsa autori Kaloçi, deklaron se dokumentet janë autentike.

Por çfarë thuhet në të famshmin dokument nr.65?

Duke dëshmuar për babanë e tij, Todi Lubonja, Fatos Lubonja thotë se Todi kishte simpati për shkrimtarin Ismail Kadare, ndërsa të tjerët i quante të paaftë.

Ky debat e ka çuar shtëpinë botuese “UET Press” të kërkojë më thellë të vërtetën.

“UET Press” dhe autori i librit Dashnor Kaloçi kanë kërkuar në Ministrinë e Brendshme vënien në dispozicion të dokumenteve arkivore në lidhje me atë që ka dëshmuar Lubonja.

Por sipas ligjit të ri të dosjeve, këtë të drejtë e ka vetëm personi i prekur, pra Ismail Kadare.

Për këtë arsye, botuesi Henri Çili i është drejtuar me një letër të hapur shkrimtarit Ismail Kadare, duke i shkruar që ai të kërkojë hapjen e dosjeve për veten, duke nisur nga gjyqi i Lubonjëve.

“Së pari, kuptoj shkakun bazë se pse Fatos Lubonja është vendosur kundër jush publikisht qysh prej fillimeve të demokracisë shqiptare. Lubonja ka bërë në gjyqin e babait të tij një dëshmi, që sipas të gjitha kodeve juridike apo morale të kohës mund t’ju çonte pas hekurave, mund t’ju bënte grup me Todi Lubonjën, ose mund të bënte diçka më shumë. Morali i fabulës; Todi Lubonja (lexo: armiku) pëlqen shkrimtarin Ismail Kadare. Pra lidhja është e qartë. Por më e rëndësishme se kaq, për të kuptuar më tej personazhin e Lubonjës, shpeshherë kam qenë vetë viktimë e shkrimeve të tij të ndyra, të pavërteta, etiketuese, etj., etj,” shkruan Çili.

Por në dokumentin nr.65, Lubonja dëshmon edhe kundër të atit.

“Prova ndaj familjarëve të tu është një nga provat më themelore në jetën e njeriut, ajo ndodh për të shkuar më tej, tek humanët e tjerë. Ndodh që ajo të humbet. Por rrethanat e humbjes së kësaj prove, siç e ka humbur Lubonja me dëshminë kundër të atit, me siguri ka përcaktuar një pjesë shumë të madhe të personazhit Fatos Lubonja ashtu siç e njohim sot, një moralist laik që i kërkon llogari gjithkujt me ose pa të drejtë,  kur ka humbur një provë thelbësore, morale të jetës së vet: ka dëshmuar kundër babait.

Mitologjia na mëson një shembull. Po, është e vërtetë. Mund të vritet babai, siç i ndodhi Edipit, pa e ditur. Mund të shkohet edhe më tej, por kur Edipi mori vesh të vërtetën, braktisi fronin, qytetin, qorroi sytë dhe jetoi i vetmuar. Fatos Lubonja nuk ka bërë asnjë nga këto dhe askush nuk kërkon të bëjë diçka të tillë, por na ka nxjerrë sytë të gjithëve. Ty të parit Ismail, për 26  vjet. Ky pozicionim ose ky shpjegim i etosit idhnak të Fatos Lubonjës, të cilin e vërteton ky dokument, më ka ndihmuar vërtet ta kuptoj mjaft mirë dhe kjo nuk do të thotë se e ndëshkoj, dënoj apo etiketoj siç do të bënte ai me këdo tjetër, për çështje edhe më të vogla se kaq,” thekson Çili.

Lexoni më poshtë letrën e plotë të Henri Çilit, dëshminë e Lubonjës kundër të atit dhe kontekstin e të gjithë debatit për këtë çështje.

“UET Press” ka kërkuar  në Ministrinë e Punëve të Brendshme vënien në dispozicion të dokumenteve arkivore në lidhje me deponimin e Lubonjës në hetuesi…

Një  dokument i vitit 1975, marrë nga dosja hetimore e Fatos Lubonjës , ku publicisti, është pyetur ndër të tjera ç’mendim kishte mbi shkrimtarin Ismail Kadare, botuar në librin “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”  ka ngjallur debat për muaj në media.  Lubonja  ngulmon se është manipuluar dhe nxjerrë jashtë kontekstit, ndërsa  autori Kaloçi, deklaron se dokumentet janë autentike. Ky debat e ka çuar shtëpinë botuese “UET Press” të kërkojë më thellë të vërtetën….

Ka qenë pikërisht ky dokument që ka ngjallur një debat të gjatë për muaj me radhë në media, me Lubonjën që ngulmon se është manipuluar dhe nxjerrë jashtë konteksti dhe me autorin e librit Kaloçi, i cili deklaron se dokumentet janë autentike dhe të marra nga origjinalet që ndodhen në arkivat përkatëse të shtetit shqiptar dhe të verifikueshme për këdo. Ky debat e ka çuar shtëpinë botuese “UET Press” të kërkojë më thellë të vërtetën. Për këtë arsye në muajin shkurt ky ent botues ka depozituar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse,  një kërkesë për vënien në dispozicion të dokumenteve arkivore në lidhje me deponimin e Lubonjës në hetuesi, ku do të vërtetohej nëse dokumenti është origjinal apo i manipuluar. Kjo drejtori ka kthyer përgjigje negative:  “Ju bëjmë me dije se në zbatim të ligjit 48/2012  Për mbrojtjen e të dhënave personale,  neni 6 pika 1/a “Të dhënat personale përpunohen vetëm nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin”, neni 7, pika 1 “ndalohet përpunimi i të dhënave që zbulojnë origjinën racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësinë në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimet penale si edhe shëndetin dhe  jetën seksuale”. Ligji  9154 datë  06.11.2003, neni 63 “Arkivat mbrojnë jetën intime të personit. Ndalohet njohja, shfrytëzimi dhe publikimi i dokumenteve që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe cenojnë jetën private të personit. Dokumentet që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe cenojnë jetën intime të personit shërbejnë vetëm pasi kanë kaluar, sipas rastit 50 deri 150 vjet nga data e krijimit të tyre”. Fatos Lubonja, i njohur publikisht si një prej kritikëve të shkrimtarit Ismail Kadare është shprehur se ky i fundit  me këto përpjekje, siç është edhe botimi i librit “Kadare në pallatin e Ëndrrave” , po fabrikon të shkuarën e tij dhe se nuk është e vërtetë që përndiqej nga Sigurimi. Autori, Dashnor Kaloçi i është përgjigjur publikisht më herët akuzave të Lubonjës mbi autenticitetin e dokumenteve, si dhe për përgjegjësinë e interpretimit, shpjegimeve mbi to“Në 101 dokumentet që janë pasqyruar aty janë të hedhura në libër pa i bërë absolutisht asnjë ndryshim, shkurtim, deformim, falsifikim apo çdo gjë tjetër që mund të mendojë ndonjë. Në çdo fund dokumenti janë të nënshkruar, data, viti, numri i dosjes, faqja, fondi etj., që mund të gjendet lehtësisht, dhe të verifikohen po ashtu nga kushdo…”, pretendon Kaloçi, ndërsa Lubonja është i bindur se ky libër i shërben gënjeshtrave …

Reagimi i  Lubonjës: Dokumenti është i manipuluar dhe jashtë kontekstit 

 Në një shkrim të botuar në Gazetën “Panorama”,  në nëntor të vitit të kaluar, Fatos Lubonja shprehet se si autori Kaloçi, ashtu edhe ata që e promovojnë këtë libër nuk nisen të kërkojnë të vërtetën e këtyre dramave, por i (keq)përdorin drama si kjo për t’u shërbyer gënjeshtrave të një shkrimtari të socrealizmit si Kadareja, i cili edhe pse në vend të dënimeve dhe ridënimeve me burgje ka njohur vetëm promovime e privilegje e çmime. Lubonja gjithashtu e ka çuar problemin në aspektin etik, ku sipas tij këto dokumente gjyqesh apo hetuesish “nuk janë shkruar nën vullnetin e lirë të atij të cilit i atribuohen, por nga hetuesit e sekretarët duke zbardhur, në funksion të fajësimit, fjalët e një njeriu që është nën shtrëngim dhe torturë fizike dhe psikologjike”. Lubonja është i mendimit se këto dokumente nuk mund të merren si dëshmi të vërtetash. “Për shembull: sipas Kaloçit në dokument shkruhet se unë u paskam thënë hetuesve se im atë çmonte vetëm Kadarenë, pasi vetëm ai thoshte të vërtetën, kurse të tjerët kishin frikë. E vërteta është që im atë në atë kohë çmonte Kadarenë si më të talentuarin e shkrimtarëve dhe se e kishte mik, por kurrsesi nuk mund të thoshte se ky shkruante të vërtetën.  As unë nuk mund ta sajoja këtë. Kjo është një fyerje për inteligjencën, edhe të hetuesve madje, pasi çdokush me dy pare mend ishte i vetëdijshëm se askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën në atë kohë. Se përndryshe, ç’kuptim kishte që unë shkruaja letërsi sirtarësh po qe se të vërtetën mund ta shkruaje si Kadareja? Prandaj, nëse dokumenti thotë vërtet kështu, atëherë fjala ime është zbardhur në mënyrë të deformuar. Dhe gjëra të tilla duhen pasur parasysh kur kërkojmë të kuptojmë të vërtetën e asaj kohe nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit”. Lubonja gjithashtu i referohet shembullit gjerman , ku krahas arkivave të STAZ-it ekziston një tjetër arkiv, ku njerëzit që figurojnë në dosjet e STAZ-it janë ftuar të dëshmojnë të vërtetën e tyre. “Prandaj edhe Adam Michniku ka thënë se ne ( disidentët polakë F.L) nuk mund të gjykohemi nga dokumentet që kanë bërë persekutorët tanë për ne”. Sipas Lubonjës ajo që mungon është analiza e këtyre raporteve dramatike të njeriut me pushtetin, “me synimin që ato të mos përsëriten më ( siç po ndodh edhe sot nën diktatin e pushtetit të ri që Kadare s’ka guxuar ta denoncojë një herë) ne vazhdojmë me kulturën e vjetër të manipulimit të njerëzve, me gënjeshtra dhe simulimin e heronjve të paqenë. Kështu kemi ardhur përsëri në një gjendje ku të gjithë e dinë të vërtetën, por askush nuk guxon ta thotë, pasi sundon gënjeshtra e atij që ka pushtetin dhe paranë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fatos Lubonja, Henri Cili, Kadare i denoncuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2085
  • 2086
  • 2087
  • 2088
  • 2089
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT