• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Planet perëndimore dhe klanet ballkanike

April 8, 2017 by dgreca

Ballkani gjendet mes premtimeve shpesh boshe të Perëndimit dhe aspiratave të rrezikshme klanore. Qasja joserioze mund ta çojë atë në konflikte/

Nga Arsim Zekolli…/

Në mesin e të gjitha deklaratave ogurzeza apo paralajmëruese për vranësirat politike mbi Balkanin Perëndimor, e vetmja gjë që, falë kontekstit dhe tonalitetit, meriton vëmendje është ajo e Jean Claud Juncker drejtuar Donald Trump, sipas së ciles “nëse BE shpërbëhet, do të ketë luftë të re në Balkan”. Optimistët e përjetshëm preferuan që deklaratën ta interpretojnë si sinjal shpresëdhënës se vëmendja e Perëndimit ndaj rajonit sërish po kthehet me seriozitetin e duhur. Pesimistët atë e lexuan  si tentativë dinake të Junckerit për bartje të fajit përtej Atlantikut për furtunat, të cilat do të pasojnë më vonë. Megjiathate, leximi real-politik i deklaratës  të shpie drejt dy motiveve të mundshme për formulimin e qëndrimit të njeriut të parë të  BE. Motivi i parë dëshmon se Brukseli nuk ka ndonjë ide konkrete për të qetësuar gjendjen e krijuar, që të sjell në përfundimin, se Juncker në mënyrë të (pa)vetëdijshme pranon varësinë ndaj SHBA për mirëmbajtjen e paqes brenda oborrit europian.

E përbashkëta e liderëve të Ballkanit

Shikuar nga pikëvështrimi ynë i bretkocës, deklarata imponon edhe leksione tjera të bazuara mbi eksperiencat e deritanishme të qasjes transatlantike ndaj rajonit. Sa për fillim, ia vlen të parashtrosh pyetjen, se cila është pika e përbashkët që lidh Aleksandar Vuçiqin, Hashim Thaçin, Nikola Gruevskin dhe Ali Ahmetin? Përgjigja imediate do ishte se të gjithë këta konsiderohen si lojtarë të besueshëm të Perendimit. Por, vështrimi dhe leximi më i vëmendshëm i biografive të tyre pasqyron një “kurvarurë” më interesante e cila shënon ngritjet dhe dominancat e tyre politike. Që të gjithë të apostrofuarit karrierat e veta politike dhe qeverisëse i kanë filluar falë përkrahjes së fuqishme te BE (më saktësisht, të Gjermanisë) e cila që në zanafillë i ka identifikuar, kultivuar, politikisht formuar dhe në fund si shpresa të mëdha për ndryshime demokratike – instaluar në kolltuqe qeverisëse.

Që pas një periudhe relativisht të shkurtër, të kaluar në poste sunduese, të “kidnapohen” dhe rreshtohen nën flamurin e SHBA si prodhime “të gatshme për konsumim”. Por, për dallim nga agjenda iniciale e të qenurit demokrat-reformist, tani ata duken të ngarkuar me vetëm një detyrë – ruajtjen e stabilitetit me çdo kusht. Përfshirë këtu edhe çmimin më të lartë të tolerimit të logjikës së degjeneruar politike, sipas së cilës, ndërrimi i qeverisë më nuk konsiderohet si proces normal i ndryshimeve, por si kërcënim serioz e trandites ndaj stabilitetit të vendit e rajonit.

Rrugëtimet drejt ferrit

Mazedonien Arsim Zekolli (DW/K. Blazevska)

Në këtë ndarje rolesh sipas prioriteteve transatlantike, nuk do gjeni dot dallime cilësore në nxënës të mirë kundër atyre të dobët, por vetëm ilustrime për pasojat e këtushme të çertifikatave të dhëna me lehtësi absurde në duart e atyre, të cilët me shkathtësi bindnin gjermanët për “bindjet dhe vlerat e tyre demokratike”. Të trashëguar pastaj nga spin-ekspertët amerikanë, të stërvitur për servis dhe mirëmbajtje të autokratëve tanë ordiner, të gatshëm për të plotësuar që të gjitha qëllimet më të mira amerikane në rrugëtimin drejt ferrit.

Mosmarrëveshjet në raportet Juncker-Trump nuk duhet konsideruar si shkas për anime, por vetëm si dy faqe të së njejtës monedhë ballkanase në allishverishet mes imitimeve rajonale të demokracisë dhe stabilitetit, si ekzekutues i mëshirshëm i demokracisë. Ndonëse vonë, megjithatë vlen të kujtohen dy palët andej dhe këndej Atlantikut se në lojën e madhe të Ballkanit janë futur së bashku edhe me forca të partnerizuara. Por se edhe toni i zënkave të ndërsjella mes tyre, garanton se nëse nuk bashkojnë forcat, së bashku do fundosen në mocalet e krimit që tepër gjatë refuzonin të shterrin. Çfarëdo prolongimi i konfliktit absurd mes qasjes gjermane ndaj rajonit të bazuar mbi oferten “ushtri nuk kemi, por kemi lek” dhe strategjisë amerikane “lek nuk kemi, por ua garantojme stabilitetin”, patjetër do rezultojë me humbje të ndikimit  të dy paleve në rajon dhe rrënim si të demokracisë ashtu edhe stabilitetit.

Dinamika klanore

Një vërejtje e këtillë është e bazuar edhe falë rolit të tyre si prindër politik të monstrave të këtushme qeverisëse. Filozofia e sigurimit të qetësisë nëpërmjet dhuratave për djemtë e dhunshëm si ataman kolonial dhe sherifa të stabilitetit, tanimë është e tejkaluar, kundër-produktive dhe jo kompatibël me motivet fillestare. Ballafaqimi dhe negociimet e pafundme me partitë politike rajonale është i destinuar të deshtojë, dhe ashtu do mbetet derisa presioni dhe kërcënimi nuk fokusohen mbi mekanizmat  real të fuqisë dhe sanksionit. Që është më lehtë për ta thënë se për ta bërë, pasi mekanizmat në fjalë nuk janë partitë politike, por klanet e instaluara brenda tyre, si faktor efektiv të politikbërjes dhe vendosjes.

Nuk është ndonjë sekret i madh se në Maqedoni (por edhe në rajon), grupimet të cilat preferojmë t’i quajmë si “subjekt parti”, në realitet paraqesin vetëm shprehje eufemiste për sundim të klaneve. Intriga klanore të mveshura me pëlhura polit-partiake paraqiten si bashkëpunime multietnike, duke kamufluar anën e errët të konfliktit nga i cili kanë lindur dhe vazhdojnë të manipulojnë. Kjo nuk është ndonjë risi në skenen e tanishme politike, por konstantë veprimi e etabluar nga PDSH dhe Menduh Thaçi në vitet ‘90-ta. Model ky që më vonë do kopjohet nga klani kriminogjen Gruevski/Mijalkov, shumëfishohet përbrenda BDI si klani i Zajazit, klani i Teutes në Tetovë, klani i Kaqanikut në Çair, ndërsa tani në LSDM identifikohet si klani Zaev kundër klanit OJQ-medial nën kontroll të Radmilla Shekerinskes. Dinamika centrifugale klanore evoluon e përsoset edhe përbrenda partive të reja, konform modeleve dhe shembujve të partive më të vjetra.

Identifikimi i dominimit të logjikës klanore në politikat vendimmarrëse, është shtresa e fundit në procesin e mundimshëm të qërimit të qepes sociale që na ngulfat dhe përlot. Proces, ky i cili mund të kontribuojë për sqarimin e dinamikave jologjike mes partive dhe përbrenda vetë partive, që njëkohësisht qartëson shkaqet e vërteta për sjelljet inerte për të marrë vendime, për aprovim reformash dhe thënë përgjithësisht, bllokadat e shumëta që na ngarkojnë.Raportet e gjata dhe fërkimet mes klaneve i kanë qartësuar të gjitha motivet për veprime të caktuara dhe përfitimet e aspiruara, që rezulton me krijimin e një  gjendje të mosbesimit permanent, tensione dhe acarim raportesh në tërë skenen politike në vend. Në fund, diktati i epshit primar për mbijetesë të klanit shndërrohet në forcë dominante dhe gjenerator i kapjes së shtetit (VMRO-DPMNE, BDI) apo të kapjes së shoqerisë (LSDM).

Kriza rrënon shtresat

Kriza e stërzgjatur tanimë arrin të gërryejë të gjitha shtresat e mundshme politike, shoqërore e ekonomike, duke u shndërruar në acid, i cili depërton gjithandej. Zhveshja e bërthamave klanore përbrenda partive tani kërcënon të prodhojë energji enorme të agresionit si dhe procese fermentuese përbrenda partive, rrjedhimisht edhe në skenen politike dhe shoqërore.

Tentativat për të thyer bërthamat e tilla klanore si parakusht për rinisje të proceseve reformatore, provokojnë tensione përbrenda establishmentit të tanishëm. Që kërcënojnë dhe shantazhojnë me reagime destruktive zinxhirore si akt i fundit për parandalim të demisionit të tyre nga politika.

Parandalimi i reakcionit të tillë zinxhiror në rajon, imponon angazhimin e faktorëve te jashtëm që posedojnë mjaft fuqi dhe peshë për të parandaluar shpërthimin e instalacioneve të tyre me afat të skaduar. Megjithate, duhet theksuar se sa do që parandalimi i shpërthimit është intervencë urgjente dhe e realizueshme, ajo nuk do mund të konsiderohet plotësisht e suksesshme nëse nuk prek në evitimin e efekteve të fërkimeve ndërklanore dhe paraqitjen e frymëzimeve fashiste në rritje e sipër tek gjeneratat e reja. Përdorimi tepër i shpeshtë i akuzave për fashizëm si etiketim politik, na bën që sot mos të arrijmë të identifikojmë dhe alarmojmë për karakteristikat e saja socio-politike të cilat gjithnjë e më shumë po infektojnë grupimet rinore dhe diskursin publik. Sa për ta kujtuar – kriza ndoshta nuk do shpërthejë në konflikt, por rrezatimet vdekjeprurëse të energjive klanore do vazhdojnë të helmojnë qenien tonë politike (DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsim Zekolli, dhe klanet ballkanike, Planet perëndimore

Shqipëri- 10 tonë hashash në Përmet

April 8, 2017 by dgreca

Policia shqiptare po zhvillon në një zonë rurale të Përmetit në jug të Shqipërisë një operacion antidrogë. Sipas policisë në një magazinë të mbyllur është zbuluar një sasi e madhe marijuane që mendohet se është në disa tonë dhe besohet se është sasia më e madhe e lëndës narkotike e gjetur në Shqipëri.Kronika e trasmetuar nga Top Channel saktesoi shifren 10 tone.

Magazina e zbuluar ndodhet në fshatin Pagri të Përmetit dhe fotot e publikuara nga policia flasin per disa tone marijuane te paketuar ne thase plastike.

Nderkohe, Policia shqiptare tha sot se falë një operacion të përbashkët antitrafik ndërkombëtar me policinë greke dhe italiane është bllokuar rreth 1,4 tonë marijuanë dhe janë arrestuar tre skafistët që po e dërgonin lëndën narkotike drejt Italisë.

Sipas burimeve zyrtare një skaf super i shpejtë u nis nga Vlora dhe pas ndjekjes policore u drejtua në brigjet e Korfuzit në Greqi ku devijoi më pas drejt hapësirës detare me Italinë. Mjete të rojës bregdetare italiane dhe greke përfshirë dhe ndjekjen nga ajri me elikopterë kanë arritur bllokimin e skafit. Policia italiane ka arritur të mbledhë në det rreth 1, 4 tonë marijuanë që ishte hedhur nga tre skafistët para arrestimit.

Policia shqiptare po kryen sot kontrolle në Vlorë dhe në Fier ku banonin skafistët dhe po heton për zonën ku ishte kultivuar marijuana që po transportohej drejt Italisë. Si autoritet policore greke dhe ato italiane kanë premtuar mbështetje për policinë shqiptare për të frenuar trafikun e narkotikëve që këtë vit ka marrë përmasa.

Rrjete të fuqishme trafiku janë ringjallur në Vlorë dhe në Pulia të Italisë duke transportuar përmes hapësirës detare mes të dy vendeve disa dhjetëra tonë marijuanë që u kultivua vitin e shkuar në Shqipëri. Afrimi i sezonit turistik e vështirëson punën e policive kufitare për shkak të shtimit të mjeteve të lundrimit në det dhe pamundësisë për të identifikuar mjetet e trafikantëve.

Filed Under: Kronike Tagged With: Droga ne Shqiperi, sasia rekord, zbulohet

LDK-së në Malishevë shënoi 27 vjetorin e themelimit

April 8, 2017 by dgreca

Malishevë, 8 prill 2017 -Në praninë e qindra qytetarëve dhe aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot në Malishevë u shënua 27-vjetori i themelimit të Degës së LDK-së në këtë qytet.1 LDKTë pranishmëve të shumtë, me nga një fjalë rasti iu drejtuan kryetari i LDK-së, njëherësh Kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa dhe kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Sami Kafexholli.

2 LDKDuke uruar përvjetorin e 27-të, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar Presidentin Rugova dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në shtetndërtimin e Kosovës.Kryetari Mustafa ka shprehur mirënjohje të veçantë për veprimtarët e LDK-së në Malishevë, të cilët tash e 27 vjet e kanë mbajtur gjallë LDK-në dhe të gjithë ata që i janë bashkuar LDK-së ndërkohë.

Më tutje, Akademik Mustafa shprehu përkushtimin e tij si kryetar i LDK-së por edhe të Kryesisë, të Këshillit të Përgjithshëm, dhe të Kuvendit për kultivimin e vlerave themelore të LDK-së dhe rrugës, praktikës dhe filozofisë së Presidentit Ibrahim Rugova, të cilat, siç u shpreh kryetari Mustafa, do të jenë udhërrëfyese të zhvillimit dhe punës së LDK-së.

“Do të punojmë shumë në mënyrë që LDK-në tani ta bëjmë pjesë të rëndësishme të ndërtimit të institucioneve, të qeverisjes së vendit, të drejtimit të komunave, të zhvillimit ekonomik, integrimeve evropiane dhe të paqes e sigurisë në këtë pjesë të Evropës. Unë konsideroj se pa LDK-në nuk do ta kishim sot një Kosovë të lirë, demokratike, të njohur dhe të pranuar nga 114 shtete, një Kosovë e cila është garanci e paqes dhe sigurisë, një Kosovë e cila po tregon rezultate shumë të mëdha në shumë fusha, edhe në fushën ekonomike, në fushë politike edhe në aspektin e zhvillimit demokratik edhe në aspektin e sigurisë por edhe në aspektin e përgatitjeve tona për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në OKB”, tha kryeministri Mustafa.Lideri i LDK-së, po ashtu, tha se kjo parti do të vazhdojë të punojë që ta përgatis Kosovën që të jetë vend i cili do të dëshmojë vlerat e saj në të gjitha këto institucione.

“Ne vlerësojmë se Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian dhe në NATO së bashku më Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Ne besojmë poashtu se  Kosova e ka vendin në Kombet e Bashkuara, në organizatën e të gjitha kombeve sepse kemi vlera dhe kemi çka të këmbejmë në këtë organizatë”, tha kryetari Mustafa.

Më tutje, kryetari i LDK-së shprehu përkushtimin e organeve drejtuese që të komunikojnë dhe bashkëbisedojnë me anëtarësinë e gjerë për adresimin e kërkesave dhe qëndrimeve të tyre por edhe për përgatitjen e programit politik  të LDK-së edhe programit qeverisës, që të bëhet një program i cili i përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe të anëtarësisë.

“Gjatë këtyre dy viteve kemi kontaktuar me të gjitha strukturat, me të gjitha asociacionet e bizneseve, me të gjitha odat ekonomike, me pjesën më të madhe të bizneseve në Kosovë, me shoqërinë civile, me degët tona dhe kemi ndërtuar politikat ekonomike dhe politikat fiskale ashtu siç kanë kërkuar bizneset, qytetarët dhe asociacionet. Kjo na ka mundësuar që ne sot të kemi normën më të lartë të zhvillimit ekonomik në rajon. Po ashtu, jemi vendi që kemi hyrë 10 vjet më vonë në procesin e tranzicionit dhe kemi arritur këtë hap falë asaj që kemi një popullatë shumë të vyeshme ashtu siç e kemi edhe këtu në Malishevë, kemi biznese shumë të fuqishme dhe kemi një orientim të qartë politik dhe ekonomik që ta nxjerrim vendin nga kjo gjendje”, tha ai.Si kryeministër dhe si kryetar i LDK-së, akademik Mustafa, tha po ashtu se ministrat dhe Qeveria i dinë problemet me papunësinë por ka siguruar se edhe ky problem do të zgjidhet.

“Do ta zgjidhim bazuar në koncepte të qarta profesionale dhe shkencore, në bashkëpunim me institucionet më të fuqishme botërore, me Bankën Botërore, me FMN-në, me BERZH-in, me Bankën Evropiane për Investime, me vendet e Bashkimit Evropian, kah e kemi kthyer ne ekonominë sepse dëshirojmë ta kemi një ekonomi evropiane dhe të lidhur me vendet e BE-së”, tha kryetari Mustafa.Kryetari i LDK-së, po ashtu, foli për vlerësimet më të larta të Bankës Botërore, të organizatave amerikane dhe të organizatave më të fuqishme të bizneseve për punën e mirë që po bën Qeveria.

“Ne tani kemi bërë një kthesë të madhe, kemi ulur korrupsionin, ministrat tanë nuk merren me tenderë, e kemi lënë tenderomaninë anash dhe po mundohemi që të punojmë për qytetarin, të punojmë për të rinjtë tanë dhe të punojmë për perspektivën e zhvillimit ekonomik. Dikujt kjo mund të mos i pëlqejë por neve na gëzon. Ne i kemi rolet e ndara, Qeveria ka rolin e vet, presidenti ka rolin e vet, institucionet e drejtësisë rolin e tyre. Ne si Qeveri po punojmë fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe ne marrim përgjegjësi për aftësitë tona, dijen dhe profesionalizmin tonë, për ofertën tonë në zhvillimin ekonomik. Unë ju siguroj që ne do të shkojmë në rritje ekonomike edhe këtë vit edhe vitin e ardhëm edhe viteve tjera”, tha kryetari Mustafa.Sa i takon iniciativës së presidentit për procedimin e ushtrisë, Kryeministri Mustafa shprehu përkrahjen për çdo iniciativë e cila do t’ia sigurojë ushtrinë Republikës së Kosovës në bashkëpunim me SHBA-të dhe NATO-n.

“Ne kemi përfunduar punën tonë në përmbushjen e 95 kritereve për liberalizim të vizave, 94 konsiderohen të plotësuara tërësisht, e kemi përfunduar punën edhe sa i përket matjes së territorit dhe sa i përket caktimit të vijës kufitare dhe tanimë kjo nuk është çështje e Qeverisë. Ne si Qeveri do t’ia procedojmë Kuvendit dhe mbetet përgjegjësi e Kuvendit të vendos lidhur me këtë çështje.  Është një çështje shumë e rëndësishme për qytetarët tanë, që njerëzit nuk e konsiderojnë që shumë e lehtë por ne jemi këtu të marrim vendim edhe më të rënda për interesat e vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa.Më tutje, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur për kërkesat e qytetarëve të Malishevës për çështjen e regjionalizimit, duke shprehur mbështetje që Malisheva të rikthehet në Regjionin e Prizrenit.

Krejt në fund, kryetari Mustafa, tha se për LDK-në nuk ka interesa të  veçanta dhe se LDK e ka vetëm një interes, realizimin e programit politik të saj, për ruajtjen e unitetit, përmbushjen e objektivave, për Qeverisje të mirë, të pastër, për qeverisje në interes të qytetarëve dhe me besimin e tyre.

Ndërkaq, kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Sami Kafexholli, në fjalën e tij tha se Dega e LDK-së në Malishevë edhe sot e kësaj dite i qëndron besnik rrugës së trasuar nga presidenti historik dhe arkitekti i Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.Më tej, ai ka folur për aktivitetet e Degës së LDK-së, duke theksuar se po vihet re një interesim dhe mobilizim i të gjitha gjeneratave për LDK-në,“I nderuar kryeministër Akademik Isa Mustafa, Dega jonë ju përkrah në punën e mirë që po e bëni në udhëheqjen e vendit, për një zhvillim ekonomik dhe mirëqenie më të mirë të qytetarëve”, tha Kafexholli, duke shtruar disa kërkesa të qytetarëve të Malishevës, duke shprehur besimin se kjo Qeveri mund të ofrojë zgjidhje për problemet konkrete të qytetarëve.
Gjatë këtij tubimi janë dhënë mirënjohje për veprimtarët shumëvjeçar të LDK-së në Malishevë.

Filed Under: Komente Tagged With: 27 Vjetori, Ibrahim Rugova, LDK Malisheve, Mustafa

Edhe Koço na mungonte

April 8, 2017 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

E kam fjalën për Koço Kokëdhimën. Dhe nuk e di përse na duhet. Pasi sistematikisht ka qënë objekti ynë.
Skandali i Sarandës në gushtin e 2014 me sekretarin e tij që terrorrizoi një nënë duke i kërkuar seks me të bijën katërmbëdhjetëvjeçare etj. Me tentativat e tia në 2015-tën për tua bërë të vështirë xarriotëve bujqësinë, agrikulturën. Me qëllim që tu marri tokat. Plantacionet me agrume.
Me ndërtimet pa leje në Qeparo.
Apo tenderat e fituara padrejtësisht.
Sistematikisht i jemi referuar në luftën kundër korrupsionit dhe të tjera. Dhe me të drejtë. Dhe fituam disa beteja. Mjaft të përmendin zbythjen nga Kuvendi. Me heqjen e mandatit të deputetit në majin e vitit të kaluar. Një fitore e madhe e jona karshi vdekjes së shtetit të së drejtës. Dhe të drejtës qytetare.
Një fitore si ajo karshi sivllaut Beqja.
E sivëllezërve të krimit dhe drogës.
E kemi pasur model të oligarkisë shtetare. Klasave shoqërore të ndara në grupe interesash. Dhe që mezi presin tu vi në pushtet krahu i tyre.
Kanë qënë fitoret tona të mëdha. Të cilat do na i kishte zili çdo opozitë. Dhe nëse vërtetë sot. E kemi future këtë, koalicionin qeverisës në krizë politike. Eshtë arritje, arritje opozitare. Por nëse synimi ynë kaq është. Atëhere me të vertetë jemi kaluar. Le të gëzojmë që i morëm Edit këtë apo atë pasha. A shushunjë fondesh publike. Dhe ia hodhëm.
Le të kënaqemi me veten tone. Se e nxorrëm kallp qeverinë.
Fitore që ia vlejti.
Por nëse mendojmë tu ofrojmë shqiptarëve. Një sistem zgjedhor më efikas. Ku të përfshihet numërimi elektronik. Një sistem zgjedhor i besueshëm, më përfaqësues për ta në Kuvendin e vendit. E për rrjedhojë .., një qeverisje më të mire se kjo e tërmeteve dhe e drogës. Atëhere ta themi që tani, me Koçon e aleatë si ai.., kjo nuk ka për të ndodhur.

Filed Under: Politike Tagged With: edhe koco Kokdhima, Ilir Levonja, mungonte

Rreziku më i madh i Shqipërisë, vetë shqiptarët

April 8, 2017 by dgreca

  • Një Opinion i Diellit shkruar nga Editori, 6 vite të shkuara, kur Pozita  e sotme në Opozitë, bënte grevë urije me cadër para Kryeministrisë-koha kur Komisioni i Parlamentit Europian, merrte vendimin për Liberalizimin e Vizave te Shqiperise/

Nga Dalip Greca/

Faik Konica, që bëri politikë e diplomaci në kohë të vështira, pat arritur në përfundimin logjik se rreziku më i madh Shqipërisë i vjen nga vet shqiptarët. I hidhur, por mbetet i vërtetuar ky përfundim i Konicës. Shembuj për ta ilustruar thënien e mendimtarit të shquar ka shumë në historinë tonë, por pa përmendur dyluftimin tragjik të shqiptarëve në vitin e mbrapsht të Haxhi Qamilit në fillim të shekullit të shkuar, ngjarjet e përjetuara pas vdekjes së Konicës, do të mjaftonin për t’i dhënë të drejtë në përfundimin e hidhur që mendimtari arriti njëqind vite të shkuara.Vetëizolimi 50 vjeçar i shqiptarëve, pushkatimet e shqiptarëve nga vetë shqiptarët,( vrasjet e varjet e nacionalistëve prej komunistëve e më pas lufta brenda llojit, komunistët kundër komunistëve), viti i mbrapshtë ’97, kur sërish shqiptarët i drejtuan pushkët njeri-tjetrit, djegiet e shkatërrimet e pazakonta, që kthyen kohën pas për të keqen tonë, do të mjaftonin që ta pranojmë si aksiomë, që nuk ka nevojë të vërtetohet këtë thënie të Faikut.

Po dyluftimi i politikës mes vetes deri në armiqësi, duke e mbajtur vendin 20 vjet në tranzicionin sfilitës, a nuk është element negativ, që e specifikon si anarkizëm demokracinë shqiptare? Për të mos mbetur retorike pyetja, përgjigja vjen pohuse.

Le ta ilustrojmë përfundimin e Faik Konicës me zhvillimet më të fundit në Shqipëri: Greva e urisë që ndërmori opozita për 19 ditë, ai i shërbeu ajo për mirë shqiptarëve? Le ta vlerësojmë për një moment se qëllimi i saj ishte për mirë, siç pretendojnë organizatorët sepse paska synuar që të kthejë shënjtërinë e votës, por a ishte koha e gjetur për të ndrequr një padrejtësi që e kishte burimin edhe nga vetë ata që e organizuan? Natyrisht që e analizuar me qetësi greva ishte e gabuar, veçanërisht u organizua në kohë të gabuar. E organizuar në kohën kur dihej se Brukseli e Strasburgu e kishin nën vëzhgim Shqipërinë për të marrë vendimin e liberalizimit të mohuar të vizave pas plotësimit të infrastrukturës logjistike, pas dorëzimit nga ana e qeverisë të pyetsorit për aplikim në BE, çoi mesazhe negative në Evropë. Greva e opozitës i tha Evropës se Shqipëria nuk është gati as për procedurat e anëtarsimit në BE , as për liberalizimin e vizave. Mirë që Evropa, bëri sikur nuk e dëgjoi këtë mesazh të opozitës në pozitë ( Vetë lideri socialist ka 12 vjet që është në pozitë si Kryetar Bashkie).

Letra e kryetarit socialist drejtuar Presidentit të Komisionit Europian, Hose Manuel Barrosso, në ditën e publikimit të vendimit të komisionit Europian, të provokon një shije të keqe hipokrizie. Apeli i Ramës , që kriza të mos ndikojë në vendimin e liberalizimit të vizave, i bërë pas rekomandimit të Komisionit Europian, tingëllon më shumë si kërkim pjese në tortën që shqiptarët pregatiten ta shijonë të fundit në Evropë.

Le t’i rikthehemi grevës: Bllokimi i kryeqytetit, provokimi sfidus ndaj qeverisë nën dritaren e kryeministrit, duke i vënë mur çadrash qeverisë, rrethimi i institucioneve, duke sfiduar ligjet, pa realizuar as kërkesën minimale të marrjes së lejes në polici, provokimi i qytetarëve që iu vështirësua jeta në Tiranë, bien erë anarkizmi dhe jo demokracie.

Nëse opozita kërkon të rikthejë mungesën e demokracisë dhe transparencën e munguar, siç pretendon,ajo jep shembullin më të keq se si nuk duhet të veprohet në një shtet demokratik. Si mund të kërkosh transparencë duke shkelur ligjet dhe duke nëpërkëmbur shtetin! Vetë greva e paligjshme, që e organizon në mes të Tiranës pa marrë as leje tek organet përkatëse, nuk është vendim normal, as logjik. Pra ti si opozitë nuk njeh shtetin ligjor, çfarë transparence kërkon të bësh? Transparenca i ka të dyja anët dhe bëhet nga të dyja palët. Nuk jep shembull që mund të ndiqet nga qytetarët kur thua bëj si them unë e mos bëj si bëj unë.Nëse kërkon transparencë, bëje më parë tek vetja dhe shpjegoua qytetarëve se përse paske të drejtë që të shkelësh ligjet e shtetit duke mos denjuar që të marrësh leje për të organizuar grevë duke paralizuar për 19 ditë kryeqytetin? E drejta jote pushon së qeni e drejtë porsa ajo shkel të drejtën e një qytetari tjetër. Kjo është aksiomë e demokracisë. Zotëri, ke shkelur të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të qarkulluar lirisht në kryeqytetin e tyre. Tirana nuk është vetëm e opozitës, as jotja si kryetar bashkie, që me fermane të paligjshme e veprime të paligjshme, të okuposh sheshet apo të bllokosh qeverinë. Mw ka mbetur nw mendje analiza njw politikani tw majtw gjerman, europarlamentari socialdemokrati Gernot Erler, ish minister europian, i sheh në sy dëmet e kësaj greve” : “Kjo bllokadë e dëmtoi shumë Shqipërinë. Gatishmëria për investime të huaja ka rënë, marrëdhëniet tregtare kanë rënë, procesi i reformave ligjore faktikisht ka mbetur në vend dhe nuk po ecën përpara, por ne si evropianë nuk mund të detyrojmë asgjë. Ajo që na mbetet për të thënë është “Mjaft!”.

Faktet dëshmojnë se greva ishte e sforcuar dhe  më shumë erdhi si një tekë e liderit se sa zhvillim logjik i ngjarjeve. Ky përfundim vjen nga analiza e zhvillimeve që i paraprinë asaj: Zgjedhjet fillimisht qenë pranuar nga opozita dhe lideri i saj Rama, faktori ndërkombëtar i çertifikoi dhe i pranoi si më të mirat e viteve të fundit, ndërkohë që përsosmëria nuk mund të pretendohet sa për meritë të militantëve aq edhe për nxitjen e vetë forcave politike, që i stimulojnë, përfshi partinë e Ramës. Të mos harrojmë pa shënuar këtu edhe faktin se opozita e sotme është bashkautore e Kodit Zgjedhor.

Të mos harrojmë dhe faktin se kjo opozitë ka fabrikuar Dushkun famkeq të 2001, që cënoi dhunshëm integritetin e votës duke nxjerrë 12 deputetë në një zonë zgjedhore. Dushku ia vlente për grevë urie, por maxhoranca e sotme, që atë kohë ishte opozitë, nuk e ndërmori këtë hap!Ndëshkim i munguar. Shkojmë më tej, e zëmë se pozita e sotme nesër kalon në opozitë dhe rrethon dhe ajo qeverinë, ashtu si opozita e sotme, çdo të ndodhë? Jo anarkizmi, por zgjidhja institucionale çon në mënjanimin e problemeve me të cilat përballet Shqipëria në këtë tranzicion të pazakontë në të gjithë Europën ish komuniste.Shoqëria shqiptare ka shumë problem për të zgjidhur, problemet e ish të përndjekurëe politikë, problem i pronave, por duke bllokuar Parlamentin, siç po vepron opozita, ato do të mbeten ashtu siç janë.

Opozita ka rolin e saj në mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri,duke synuar korrigjimin e qeverisë, por nëse ajo vepron në mënyrë institucionale dhe respekton shtetinin ligjor, në të kundërtën, kthehet në faktor pengus dhe bie ndesh me zhvillimet demokratik. Nëse ajo do të realizojë rolin e saj si oponente e qeverisë do të shërbejë si rregullator që do të ndihmojë demokracinë, nëse do të vazhdojë që vetëm ta pengojë qeverinë me synimin që të marrë pushtetin me çdo kusht, bën të kundërtën, pengon demokratizimin e Shqipërisë dhe ecjen përpara, i hap rrugë anarkizmit dhe vë në pozitë të vështirë funksionimin e shtetit ligjor.

Dielli, Maj 2011

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, rreziku i Shqiperise, vete shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2086
  • 2087
  • 2088
  • 2089
  • 2090
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT