• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria, krah i fuqishëm për Kosovën

April 8, 2017 by dgreca

-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani theksoi se Shqipëria i gëzohet progresit që po bënë Qeveria e Kosovës për të zhvilluar shtetin në planin e brendshëm dhe të jashtëm, në të mirën e gjithë qytetarëve/-Ministrja Edita Tahiri u takua me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani/

1 Nishani

PRISHTINË, 8 Prill 2017-Gazeta DIELLI/Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës,  Edita Tahiri u takua me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në të dyja shtetet si dhe rritjen e bashkëpunimit në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për integrimet euroatlantike.

Në këtë takim që u zhvillua në Stamboll me rastin e pjesëmarrjes në Samitin ekonomik euroaziatik, ministrja Edita Tahiri vlerësoi lartë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e shtetit të Kosovës, rritjen e njohjeve si dhe përshpejtimin e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike. Ajo theksoi se Shqipëria është krah i fuqishëm për Kosovën në rrugëtimin shtetëror dhe kombëtar, ndërkaq theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit për të përballuar sfidat e reja të sigurisë për Kosovën, Shqipërinë por edhe gjithë rajonin.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani theksoi se Shqipëria i gëzohet progresit që po bënë Qeveria e Kosovës për të zhvilluar shtetin në planin e brendshëm dhe të jashtëm, në të mirën e gjithë qytetarëve. “Përparimet e Kosovës drejt integrimit evropian, nënshkrimi i Marrëveshjes Stabilizim Asocim janë tregues që Kosova është në rrugën e drejt. Shqipëria mbështet fuqishëm perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe ne do jemi në një bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimtarisë tonë së bashku për realizimin e këtij qëllimi madhor” tha presidenti Nishani.

Gjatë këtij takimi u rikonformua rëndësia e bashkëpunimeve në fushat konkrete në të mirën e të dyja shteteve dhe kombit shqiptar në përgjithësi.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, ministrja Edita Tahiri zhvilloi edhe një varg takimesh me qeveritar dhe politikan nga vende të ndryshme. Ajo u takua me Natiq Aliyev, Ministër i Energjisë së Azerbajxhanit, me ish-ministrin e Mbrojtjes së Austrisë, Werner Fasslabend, ish zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Jusuf Kalamperovic, me deputetin e Parlamentit të Turqisë, Selahattin Minsolmaz, me një delegacion nga India të përfaqësuar nga Këshilli Ekonomik i Bizneseve, me Aziz Sahin, President i Këshillit Evropian të Bashkëpunimit të Bizneseve të Turqisë dhe i Iniciativës për Binjakëzimin e Qyteteve, etj.

Takimi me ish-ministrin e Mbrojtjes së Austrisë, Werner Fasslabend, ishte i veçantë për faktin se ai ka qenë Ministër i mbrojtjes së Austrisë në periudhën dhjetë vjeçare të çlirimit të Kosovës , ku biseda u përqendrua në evokim kujtimesh të bashkëpunimit nga ajo kohë, ndërsa ministrja Tahiri e falënderoi atë dhe Austrinë për gjithë mbështetjen për Kosovën, duke përmendur edhe faktin se Austria kontribuoi edhe me aplikimin për kodin telefonik shtetëror për Kosovën pranë ITU-së dhe se Kosova ka tashmë kodin e vet telefonik./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, bujar nishani, Minsitrja Edita Tahiri, presidenti

EDHE JUDA ISKARJOT ISHTE “APOSTULL…”!!

April 8, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 6a00d834515c6d69e200e54f67b7218834-640wi1947 ISHTE VAZHDIM I VITIT 1946… ASHTUSI 1967 !/

Po hyjmë në Javen e Madhe të Pashkëve! Ditë të ngarkueme me emocione. Sejcili ka dishka që në vetvete kujton dhe reflekton tek ne edhe po kje se nuk flet…

Kujtoj si sot, aty nga viti 1952 kur po ndihmonim Meshë në kishen e Fretenve, At Marjan Prelen tue ba një predikim per Juden Iskarjoti, nga predikatoria pranë Elterit të Shna Ndout, që të jepte pershtypjen se ka harrue Burgun e Fretenve ngjitë me Kishen e Tyne. Janë shumë vite… Kujtoj, vetem hymjen në temën e marrun nga i madhi At Gjergj Fishta: “Tradhtarët na lanë pa Atdhe!”… Dhe, vazhdoi burrnisht pa Ju tutë syni, me shpjegue se “Shkodra asht mbushë me Juda Iskarjotë…” Populli kishte mbushë të gjitha bankat e boshlleqet e Kishës dhe po veshtronte me gojë haptë se, “kur po hyjnë me e marrë edhe Këte Frat xhullijtë si Jezu Krishtin në Kopshtë të Gjetsemanit…” Por, per fat nuk e pame atë skenë që kushedi sa herë na paraqitej nder darka në shtëpijat tona. Edhe Juda nuk Ju afrue me e “puthë” aty, edhe ai e kishte lanë per pak ditë ma vonë. Të gjitha kopshtijet e rrugët e Shkodres së shkretë të kujtonin një Gjetseman ase një Kalvar të mnershem që vazhdonte panderpremje nga viti 1944 nga sllavokomunistët e terroristit Enver Hoxha.

■Flitet per vitin 1946 dhe harrohet me fillue me 1947…

Burgjet e Shkodres dhe të Veriut ishin të mbushuna me Klerikët Katolik Shqiptarë, që ishin dhe do të mbeten të Papersëritshem per përgatitjen e Tyne kulturore, Shpirtnore dhe qytetare Europjane dhe, këte e tregon qindresa e Tyne në hetuesi, nder gjyqe të mëshefta dhe para plutoneve të ekzekutimit: Pastertia dhe Pafajsia e Tyne shembullore!

Falin torturuesit dhe shpifsit! Vdesin si Ushtarë të Krishtit dhe besnikë të Papës!

Presin shkrepjet e armëve me besimin e plotë se shpejtë do të shohin Fëtyren e Zotit!

Shqipnia dhe Kryqi janë ideali i Tyne i Perjetshem! Flamuri i Kastriotit do të mbulojë Trupat e Tyne të masakruem nga sigurimi i Shtetit komunist, e per Atë Flamur vdesin si me lé, të lidhun në sigjir dhe të merthyem nder dryj nga bishat antishqiptare e të pafé!

Urrejtja e atyne kafshëve anadollake nuk shuhet as me zhytjen e Shqipnisë në gjak!

Pushkatohet Don Luigj Prendushi, Don Dedë Maçaj, torturohet deri në vdekje Frati i Lezhës At Serafin Koda, mbytet Don Ejëll Deda, mbytet tinzisht Imzot Frano Gjuraj… Arrestohen e torturohen Klerikët Don Ndre Krroqi, At Daniel Gjeçaj, Don Nikollë Luli, Don Zef Shtufi, At Anton Luli dhe në Dhjetor të 1947 fillojnë edhe gjyqet e mëshefta të At Çiprian Nikës dhe At Palë Dodaj ku, hapet edhe kapitulli “armëve të futuna nga Sigurimi komunist nder Kishat Katolike të Veriut në Nandor 1946.”…

Shumë herë më kujtohen disa rreshta që kam lexue nder “Kujtime” të Nikita Hrushovit, kur e pyeten per mbylljen e Kishave në Rusi. Hrushovi u pergjegj: “Jo, mos i mbyllni, po klerikët duhet të përgatiten të gjithë nder shkollat tona dhe me programet e shtetit. Ka me ardhë koha që ata klerikë kanë me i mbyllë vetë Kishat pa nderhymjen tonë…”

5 PRILL 1967: 50 Vjetë perpara, At Pjeter Mëshkalla S.J. i shkruen kriminelit të njohun, kryeministrit të qeverisë shqiptare një “Leter”, ku, nder tjera ven në dukje:

■“…Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut…” (Nxjerrë nga Letra origjinale.F.R.)

Të dy këto thanje perputhen me qendrimin e sotem të elementit të rij që drejton shtetin, arsimin dhe kulturen, shkollat shqiptare, kishat dhe objektet fetare, ligjvensit dhe të gjitha hallkat e ndryshkuna të shtetit sotem me prirje sllave, turke, greke, italiane, etj…

Zhdukja nga programet shkollore të Atdhetarëve tanë, dhe kalimi i drejtimit të Shtetit në “drejtime” të pakufizueme me antishqiptarizmin, po hapin rrugët antiatdhetare.

■Vendosja e gjuhës së “ndysuar” e percaktueme nga Prof. Arshi Pipa, deri në Ungjillin Shenjtë, perfundimi i shkollave shqipe me programet Anti – Atdhetare, të aprovueme nga Ipeshkvi i Shkodres italiani A. Masafra dhe Popi i Ortodoksëve greku Anastasi Janullatos,  … të perkrahun nga një brezni “siç e ka percaktue At Mëshkalla”, sot ata po i afrohen ma shumë “puthjeve” të Juda Iskarjotit, se Mësimeve të Shën Palit, që perhapi Fenë Katolike në Iliri që në vitin 67 mbas Krishtit.

Juda-iskariotski

Ky ishet fundi….

            Vazhdon Pjesa XI.

            Melbourne, 6 Prill 2017.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori

“Bashkim doganor”, ide e Vuçiqit e rrezikshme për Kosovën

April 8, 2017 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/Ideja për një bashkim doganor dhe treg të përbashkët të Ballkanit perëndimor, nuk i konvenon Kosovës, bazuar në rrethanat aktuale politike dhe ekonomike të saj, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike -politike dhe integruese të vendit.

Ideja për bashkim doganor, të cilën e ka favorizuar kryeministri dhe presidenti i sapozgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hasur në mbështetjen edhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. 

Ndërkaq, në Samitin e Sarajevës, që është mbajtur muajin e kaluar, është propozuar një treg i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se propozimi për një union doganor të vendeve të Ballkanit perëndimor, buron nga ideja e Serbisë, e cila, sipas tij, ka tendencë për ta shtruar një kontroll dhe ndikim më të madhe ekonomik në rajon dhe me këtë kontroll, të unifikojë edhe hyrjet doganore të vendeve anëtare.

“Bëhet fjalë për influencë të Serbisë në ekonomitë rajonale dhe natyrisht, Kosova nuk ka një interes të tillë që të ketë një ndikim të Serbisë në këtë rajon, gjithmonë për tu ushqyer pretendimet e Serbisë për status neutral ndaj integrimeve evropiane dhe ndaj influencës ruse në rajon”. 

“Pra, për ne nuk ka kurrfarë përfitimi, përveç se ndikim politik në rritje të Serbisë në rajon. Mungesa e përfitimeve dhe rrjedhimisht, paqartësia e një unioni të tillë e bëjnë këtë projekt tërësisht të parëndësishëm për Kosovën. Do të ishte mirë që Kosova të fliste edhe me Shqipërinë që t’i bindte ata për mosdhënie të përkrahjes, sepse përkrahja fillestare e Shqipërisë është e pakuptimtë dhe e pashpjegueshme në këtë moment”.

Por, Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk duhet t’i frikësohet ideve të tilla, sikurse një bashkim doganor ose treg i përbashkët i Ballkanit perëndimor.

Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë ta marrë primatin në kundërshtimin e kësaj ideje, por ajo duhet t’i sqarojë vërejtjet dhe t’i realizojë kërkesat e saj, para se një projekt i tillë eventualisht edhe të jetësohet. Ai thekson se Kosova duhet ta ndërtojë dhe ta fuqizojë sovranitetin e saj në çfarëdo kompozicioni.

“Kosova vazhdon të ketë pengesa të ndryshme nga Serbia, duke i diskriminuar edhe mallrat, produktet që prodhohen në Kosovë. Pastaj, Ksoova dhe qytetarët e saj nuk kanë assesi mundësi të lëvizin lirshëm në bosnjë e Hercegovinë. Kosova është vendi i vetëm që nuk e ka mundësinë që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm edhe në zonën Schengen. Mendoj që Kosova, mbi bazën e këtyre tri gjërave, duhet ta ngritë zërin dhe kur këto tri gjëra të sqarohen në njëfarë forme, atëherë, natyrisht që do të ishte e gatshme për ta mbështetur. Kosova nuk ka arsye t’i frikësohet, madje as ta ngritë flamurin për ta kundërshtuar diçka të tillë”.

Në anën tjetër, kryeministri serb Vuçiq, në një intervistë dhënë portalit “Politico” ka theksuar se bashkimi doganor dhe tregu i përbashkët do të nënkutonte “ një ish-Jugosllavi plus me Shqipërinë”.

“Kjo është ide politike pa rrezikimin e sovranitetit të atyre shteteve. Do t’i ngritë ekonomitë tona. Neve na nevojitet norma e rritjes prej katër deri pesë për qind në vit dhe jo tre. Kjo nuk mjafton”, ka thënë Vuçiq.

Por, Abdixhiku vlerëson se ideja e Vuçiqit është pikërisht për një Jugosllavi të re.

“Në princip princip do të duhej të dukej si një Jugosllavi e re, pra me përjashtim të Kroacisë dhe Sllovenisë dhe me futjen e Shqipërisë. Si e tillë, kjo ide, për Kosovën është e padobishme, sepse integrimet ekonomike i kemi të përmbyllura me marrëveshjen e CEFTA-s dhe asnjë hap tjetër, në unione doganore të këtij formati, nuk i konvenon Kosovës. në të vërtetë, Kosovës nuk i konvenon asnjë bashkim ose union tjetër që nuk ka ngjyrime të Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, synimet që dalin nga deklaratat e Vuçiqit, profesor Ujkani, i quan të rrezikshme për Kosovën.

“Ne e dimë që në kuadër të ruajtjes së sovranitetit të secilit shtet, ai mendon që ta ruaj sovranitetin e vet edhe mbi Kosovën. Prandaj, janë këto dilema që duhet të hiqen përfundimisht. Kosova duhet dhe ka arsye që ta trajtojë drejt Serbinë, si një fqinjë të vetin, por, assesi nuk guxojmë të hyjmë në aventura të tilla, në të cilat Serbia provon një Jugosllavi, ta themi, ekonomike me shtetet e tjera, madje duke përfshirë edhe Shqipërinë, e që në emër të kësaj synon edhe ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën. Kjo nuk guxon të ndodhë”.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës tashmë ka shprehur qëndrimin kundër projektit të bazuar mbi idenë e Vuçiqit. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kohë më parë, në rrjetin social Facebook, pati shkruar se “Republika e Kosovës e konsideron të paqëlluar çdo lloj Unioni Doganor apo Tregu të përbashkët rajonal, i cili risjellë në opinion reminishenca të së kaluarës, të cilat janë në interes të të gjitha vendeve”.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Bashkim Doganor, kosova, Serbi, Vuciq

Politikanëve nuk u konvenon Ligji “anti-mafia”

April 8, 2017 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti/ Një ligj i quajtur anti – mafia, përmes së cilit do të rregullohej çështja e përfitimeve të pasurisë në mënyrë të paligjshme dhe rrjedhimisht do të luftohej korrupsioni dhe krimi i organizuar, ka vite që është iniciuar, por i njëjti, thonë njohës të rrethanave, nuk është hartuar pothuaj asnjëherë.

Ligji anti-mafia u iniciua rreth shtatë vjet më parë nga kryeministri atëhershëm Hashim Thaçi, por nuk u jetësua asnjëherë. Autoritetet në Prishtinë thonë se Kosova ka ligje, përmes së cilëve “bëhet konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme”.

Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se “çështja e konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, do të adresohet në kuadër të Kodit Penal”.

“Ju njoftojmë se Grupi Punues është dakorduar që dispozitat, të cilat adresojnë çështjen e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, do të adresohen në kuadër të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale”.

“Aktualisht, grupi punues është duke punuar në Kodin Penal dhe pastaj do të vazhdohet me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, të zyrës për media të Ministrisë së Drejtësisë.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile japin vlerësime të ndryshme për nevojën e miratimit të këtij ligji, përderisa anëtarë të Komisionit për Legjislacion e konsiderojnë të domosdoshëm, siç thonë, për dekriminalizimin e Kosovës.

Pal Lekaj, anëtar i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duke marrë parasysh nivelin e lartë të korrupsionit, përvetësimin e pronës dhe mosfunksionimin në nivel të duhur të sistemit të drejtësisë, një ligj i tillë është i domosdoshëm dhe jetik për dekreminalizimin e Kosovës.

Por, mungesa e vullnetit politik dhe pasuria e pajustifikueshme e disa personave, thotë ai, ka ndikuar që autoritetet kompetente t’i “neglizhojnë procedurat e hartimit të Ligjit “anti-mafia”.

Lekaj sqaron se disa herë është menduar të procedohet në Komision, por është tërhequr nga rendi i ditës.

“Janë të gërshetuara interesat e pushtetarëve dhe në këtë drejtim, meqë njerëzit kanë prona mjaft dhe nuk e kanë të sqaruar prejardhjen e pasurisë se tyre, ndodh kjo. Pra, interesi është kryekëput politik”, thotë Lekaj.

Në anën tjetër, përfaqësues nga Institutit I Kosovës për Drejtësi, konsiderojnë se miratimi i këtij ligji mund të keqpërdoret politikisht. Betim Musliu nga ky institut, shprehet se ata që janë pushtet do të mundohen t’i ndjekin qytetarët që janë të rreshtuar në opozitë, për të bërë, siç thotë ai, “luftë shtrigash”

“Po në asnjë mënyrë nuk besojmë që kjo politikë dhe ky sistem i drejtësisë i kapur nga politika, do të shfrytëzojë ligjin për të bërë ndjekje të kriminelëve dhe t’ua konfiskojnë pasurinë. Por, do të bëjë veprim që do t’u shërbejë interesave ditore të politikës”, vlerëson Musliu.

Përfaqësues nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, e konsiderojnë të domosdoshëm miratimin e këtij ligj.

Arton Demhasaj thotë se pasuria e pajustifikueshme, së pari e zyrtarëve të lartë shtetërorë, ka bërë që të mos miratohet ky ligj.

Objekt i parë i hetimit, pas miratimit dhe zbatimit të ligjit, do të duhej të ishte prejardhja e pasurisë së zyrtarëve shtetërorë dhe pastaj konfiskimi, thotë Demhasaj duke shtuar se për këtë arsye, ky ligj po heshtet.

“Një ligj i tillë, nëse fillon të zbatohet do të cenonte pasurinë e politikanëve, pasi të gjithë jemi dëshmitarë, se kur shohim formularët e deklarimit të pasurisë së tyre, shumica nga ta janë milionerë, kanë pasuri milionëshe. Dhe, është shumë vështirë të bindemi se ajo pasuri milionëshe e tyre, është krijuar me pagat e tyre që i marrin. Dhe, kjo sjell si përfundim që këto pasuri mund të jenë të fituara në mënyra të ndryshme të paligjshme”, shprehet Demhasaj.

Për zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, pavarësisht që nuk ekziston ligji “anti-mafia”, një “Ligj për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Vepër Penale”,siç thonë, kryen funksionin njëjtë

Filed Under: Politike Tagged With: : Politikanët, Kosove, Ligji antimafie

Libri i ri, “Sadik Premte, Historia e një desidenti”

April 8, 2017 by dgreca

“Sadik Premte, Historia e një desidenti” është libri i ri i promovuar në Akademinë e Shkencave me autor Dashnor Kalocin. Bazuar në dokumenta në libër tregohet se Premte u kthye në kundërshtar të diktatorit Enver Hoxha për shkak të përplasjes mes tyre për Kosovën.  Diktatori urdhëroi vrasjen e tij dhe të rreth 100 përkrahësve.

Ata që duan të dinë më shumë në lidhje me historinë e desidentit Sadik Premte kanë mundësinë që tashmë t’i gjejnë këton të dhëna në librin e ri të Dashnor Kalocit me titull “Sadik Premte, historia e një disidenti”.

Libri është prezantuar në Akademinë e shkencave ndërsa autori Kaloci sqaroi pse u kthye Sadik Premte në një nga kundërshtarët më të mëdhenj të diktatotit Enver Hoxha.

Po ashtu ai sqaron se 100 përkrahës të Sadik Premtes janë ekzekutuar nga regjimi me urdhër të Enver Hoxhës.

Në libër janë përmbledhur dhe pasqyruar fakte të shumta nga jeta e disidentit Sadik Premte të grumbulluara nga arkiva e shtetit por edhe nga arkivi personal i vëllait të tij.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Dashnor Kaloci, libri, Sadik Premte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2087
  • 2088
  • 2089
  • 2090
  • 2091
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT