• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TAKIMET E MINISTRIT TE JASHTEM NE WASHINGTON

March 21, 2017 by dgreca

Stoltenberg-Bushati,  vlerësohet roli i Shqipërisë në ruajtjen e paqes në rajon/

bushati-stoltenberg

Ministri Bushati zhvilloi një takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në ambientet e Ambasadës sonë në Washington DC.Biseda pati në fokus kontributet e Shqipërisë në kuadër të Aleancës, në përgjigje të sfidave në krahun lindor dhe jugor të saj, situata e sigurisë në rajon, si dhe bashkërendimin e qëndrimeve të vendeve të Aleancës në prag të ministerialit të ardhshëm të NATO-s në muajin prill.Ministri Bushati ritheksoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në përmbushjen e angazhimeve të Samitit të Varshavës, përfshirë rritjen e buxhetit dhe shpenzimeve të mbrojtjes.

Sekretari Stoltenberg, nga ana e tij, vlerësoi rolin e Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, kontributin e shtuar të vendit tonë në operacionet dhe misionet e NATO-s, si dhe në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishin zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, situata aktuale në Maqedoni dhe përfundimi i procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.Bashkëbiseduesit u ndalën mbi nevojën për të bashkërenduar përpjekjet për të konsoliduar stabilitetin demokratik dhe për të përmirësuar mjedisin e sigurisë në rajon, në përgjigje të faktorëve destabilizues në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kontekst, Ministri Bushati theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit mes Aleancës dhe vendeve të rajonit, dhe veçanërisht vijmin e institucionalizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën, si një menyrë për të adresuar kërkesat e saj legjitime për më shumë siguri.Në kuadër edhe të Komunikatës së Varshavës, angazhimi më substancial i NATO-s bëhet edhe më i domosdoshëm pas ngjarjeve të fundit destabilizuese të paqes dhe trajektores euro-atlantike të vendeve të rajonit.

Palët ranë dakord se progresi i reformave shtet-konsiliduese, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, dhe perspektiva euro-atlantike mbeten akset kryesorë të përforcimit të paqes dhe stabilitetit demokratik në rajonin tonë, në respekt të vlerave euro-atlantike.Ministri Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg ndodhen në Washington në kuadër të Ministerialit të Koalicionit Global anti-ISIS.

Bushati bisedime në Senatin amerikan dhe Dhomën e Përfaqësuesve

 Në ditën e dytë të vizitës në Washington D.C, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka zhvilluar takime në Senatin amerikan dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Bushati ka marrë vlerësime jo vetëm për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe SHBA në kuadër në NATO-s, por edhe për reformat e ndërmarra në vend.Gjatë takimit me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashme, Ed Royce, dhe Kongresmenin Eliot Engel, biseda u fokusua mbi proçesin e reformave, veçanërisht atë të drejtësisë.Palët mësohet se kanë biseduar mbi efektet e saj transformuese, jo vetëm në jetën e përditshme të qytetarëve, por edhe nga pikëpamja e sigurisë dhe ekonomisë.Teksa vlerësuan kursin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës në Shqipëri, kongresmenët Royce dhe Engel shprehën gatishmërinë e Kongresit Amerikan për të mbështetur konsolidimin e mëtejshëm të tyre, si një fushë ku SHBA kanë investuar burime të mëdha njerëzore dhe financiare përgjatë tre dekadave të fundit.Ndërkohë Bushati ka marrë vlerësime për angazhimin e Shqipërisë për më shumë siguri në rajon dhe përballimin e sfidave të përbashkëta siç është lufta kundër ISIS. Gjatë takimit me Senatorin Chris Murphy, anëtar i Komisionit të posaçëm për Europën, bashkëbiseduesit u ndalën veçanërisht mbi zhvillimet e fundit në rajon, rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA.Ministri Bushati evidentoi angazhimin dinamik dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon, kontributin tonë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe ecurinë e reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri, në kuadër të procesit të integrimit në BE. Senatori Murphy ripërsëriti gjithashtu rolin e posaçëm të SHBA-së, si një aktor i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe mirëqënien e Europës juglindore.

John McCain priti  Bushatin

Gjatë vizitës së tij në Washington D.C., Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati pati një takim në Senat me veteranin Republikan dhe mikun e shqiptarëve John McCain, i cili ka një shikim të kthjellët dhe pa kompromis mbi rolin e patjetërsueshëm të SHBA-ve në rajon në përgjithësi dhe në vendin tonë në veçanti.Biseda me John McCain kishte në fokus vlerat e përbashkëta trans-atlantike dhe ishte inkurajuese për partneritetin e ngushtë midis dy vendeve për sa i përket reformave demokratizuese dhe të sundimit të së drejtës në vendin tonë.John McCain shprehu mbështetje të qartë për kursin e reformave dhe angazhimin parimor të Shqipërisë, përkundrejt adresimit të sfidave të përbashkëta të sigurisë, në kuadër të NATO-s dhe në rrafshin dypalësh.“Takim shumë i mirë me Ministrin e Jashtëm Ditmir  Bushati: Shqipëria është një mike e vërtetë dhe aleate e SHBA-ve, si edhe një demokraci krenare që po bën progres në rrugën e reformave”, shkruan McCain në twitter pas takimit me Bushatin.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bushati, Ne Washington, TAKIMET E MINISTRIT TE JASHTEM

Mjerimi i mjerimit të kritikës së “kulluar”…

March 21, 2017 by dgreca

Përgjigje miqësore për Z. Agron  Tufa/

2 Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons Grishaj/

Një mik më dërgoi një farë “skrapi” i përgatitur nga Z.Agron Tufa, shkrimtar, studiues, pedagog. Ky skrap, as mish as peshk, herë serviret si mbrojtje, herë si sulm, herë si sqarim. Herë përdor kloroformë e herë amoniak. Laboratori nuk ka funksionuar si duhet dhe rënia në përsëritje tregon qartë febrilitetin e autorit. Megjithatë, është e drejta e tij  të mbjellë dhe të korrë sipas oreksit tribalist.

“Shkrirja së qeshuri” me shkrimin e kushëririt (!!!) tallur me një shkrimtar që,  në jetën e tij  ka një krijimtari si pak kush nga shkrimtarët shqiptarë dhe qëndrimi i tij fisnik në periudha të vështira, siç ishte ajo e diktaturës, tregon dhe seriozitetin e tij si njeri i letrave. Se sa e hijshme është kjo për një intelektual dhe mësimdhënës si Z.Tufa, e di vetëm ai. Një nga filozofët grekë (që nuk po më kujtohet emri tani), thoshte: “Doza e të qeshurit duhet te jetë e arsyeshme, se po të shndërrohet në qëllim në vetvete, kthehet në palaçollëk”. Z.Tufa e kupton mirë këtë, se ka sens humori postmodern…

Mirëpo ky sens padit një problem estetik tek Z. Tufa. Që të mos diktohet problemi, ai e emërton shkrimin e kushuririt si shkrim satirik i modelit konician. Këtë, ai e quan dhe armën më të mirë të Ramizit. Atëherë na del se ky i fundit nuk është një shkrimtar origjinal, por një imitues, ndërkohë që shkrimtari i vërtetë është vetë stili i tij, është vetë njeriu. Konica është e vërtetë që satirën e kishte të mprehtë, ndoshta jo sa Fishta dhe sigurisht jo me aq bindje. Ai e përdori mjeshtërisht satirën kur synoi të godiste të keqen, delinkuencën, asasinët, brigantët, vrasësit. Janë të njohura qëndrimet e tij edhe në publicistikë, por në krijimtarinë e tij artistike kulmin e ka te Doktor Gjëlpëra. Duke mbajtur qëndrim ndaj deliktit të Mamurrasit ku u vranë dy shtetas amerikanë, për çka u konsiderua i përfshirë ministri i brendshëm, i karakterizuar në vepër në personazhin grotesk të Salem Bozës. Pra, satira koniciane e ruante edhe funksionin e vet etik. Por a është koniciane, tallja e Ramiz Gjinit ndaj një shkrimtari me qëndrime fisnike? Këtu, Z. Tufa e gjen thjesht të tepruar shkrimin e kushuririt, ndërkohë dhe aq argëtues sa të na  shkulë së qeshuri. Por çka ka koniciane satira e Ramizit? Papajtueshmërinë mes kodit etik dhe kodit estetik, sepse nuk ekziston gjëkundi ndonjë estetikë që lejon shkeljen e kodeve etike. Konica, nuk shkoi gjatë dhe u pajtua me Salem Bozën duke kompromentuar veprën dhe vetveten dhe kur e lypi puna që Amerika t’i përmbahej doktrinës Uillson, e të denonconte pushtimin e Shqipërisë nga Italia, ai nuk qe në gjendje ta luante rolin e tij si diplomat, pikërisht se u konsiderua se përfaqësonte monarkun e diskredituar, pra vetë Salem Bozën. Kalorësi i letrave shqipe, është gjithashtu edhe autori i faqes më të zezë në gjithë publicistikën shqiptare parakomuniste. Fjala është për profanimin e figurës së Luigj Gurakuqit, (të cilin sa qe gjallë e ngrinte në qiell) menjëherë pas vrasjes së heroit nga dora tradhtare, çka përveçse shkelte etikën universale, shkelte edhe kodin shqiptar të respektimit të të vdekurit. Mos vallë edhe këtë sjellje ka parasysh Tufa kur e përqas satirën e Gjinit me atë të Konicës?

Megjithatë, më duhet të sqaroj se nuk më jep ndonjë kënaqësi të polemizoj jashtë çdo kodi etik me zotin Tufa. Së pari, sepse, si antikomunist, ndaj të njëjtat pikëpamje dhe qëndrime me të, Së dyti, sepse kam vlerësuar rolin e tij në drejtimin e Institutit të Hetimit të Krimeve të Diktaturës. Këto kanë qenë arsyet që në shkrimin tim reagues ndaj Ramiz Gjinit, nuk ia kam përmendur emrin, por thjesht, fenomenin. E theksoj këtë, për të sqaruar se nuk kam pasur qëllim ta injoroj.

Sigurisht, kjo është pika që e ka ngacmuar së tepërmi Z. Tufa. Sqarimi i pozicionit të tij në dhënien e çmimit, nuk është aspak i nevojshëm se  nuk bind askënd. Ndërsa për atë që e konsideron akuzë apo teori konspirative, të rrijë i qetë, sepse unë nuk jam prokuror letrash dhe as shoh në këtë rast ndonjë shkelje ligjore, meqë në Shqipëri, për konfliktin e interesit, ligji nuk shkon aq larg sa shkon fenomeni. Thjesht konstatohet aty një problem etik. Tufa, me formimin e tij, ose të paktën me prirjet perëndimore, duhej të tërhiqej nga komisioni, kur ka parë se në konkurim, për çmim, figuron edhe kushuriri. Në Amerikë, kjo ndodh edhe për lidhje më të largëta, miqësore apo kolegësh. Një akt i tillë mund t’i kishte bërë nder edhe vetë kushuririt. Sa për çmimin ndaj Martin Camajt, qoftë ai personalisht, qoftë komisioni duhet të ndihet i nderuar që e kanë pasur një fat të tillë, se Martinin e nderon që në krye të herës vepra e tij e pavdekshme.

Teoria konspirative është vetëm produkt i mendjeve të sëmura të Z.Tufa dhe bannerit të tij. Kur më flet për Salierin, dhe ç’është më e keqja, për të nuk di më shumë se ç’ka parë në filmin “Amadeus” … O Zot! Sa keq më erdhi! Menjëherë, fraku i akademikut  bie. Tek ai film, përveç muzikës nuk ka asgjë të vërtetë me historinë e shkruar. Kjo tregon sa prapa janë “intelektualët” me kulturë të përgjithshme. Sa për kulturë, po ndalem pak edhe te Salierizmi.

Thashethemexhinjtë (si sot disa fundërrina) e asaj kohe, hapën fjalë se, Salieri helmoi Mozart nga xhelozia. Por kjo nuk u vërtetua kurrë. Salieri e admironte talentin e Moxartit, biles ata kompozuan sëbashku. Ai e ndihmoi kompozitorin e madh disa herë. Gjithashtu, Salieri pati nxënës Bethoven, Shubert, List, Carteli. Për çudi, asnjë nga këto kompozitorë të mëdhenj nuk u vra  as nuk u helmua nga “Salierizmi”. Salieri, qe i vetmi kompozitor që kompozonte në  tri gjuhë. Në rastin e shfaqjes së operas ‘Flauti Magjik” publiku duartrokiste, kurse Salieri brohoriste si fëmijë…

Kur e pyetën  Salierin se cili ishte muzikanti më i madh në botë, ai u përgjigj: “Pa dyshim Bethoven!” Intervistuesi e ngacmoi më tej – “Profesor, ju harruat  Mozartin?!” – Salierit i shkëlqyen sytë: – “ Mozarti është muzika  vetë!”. E pra, kur e varrosën Mozartin, nuk ish askush aty, biles as e shoqja, përveç Salierit me vorraxhinë, të cilët mbuluan trupin e kompozitorit të madh…

Po t’a kishin të gjithë “smirën time” dhe atë të Salierit (të cilin, as që e njihkan),  garantoj  se shumë gjëra do të ishin ndryshe. Por, le t’u shmangemi përfytyrimeve utopike!

Tufa thotë se metodat e mia janë të shekullit nëntëmbëdhjetë (Z.Tufa duhet ta dijë se termi postmodernizëm, që e ka për zemër, është përdorur për herë të parë në shekullin e XIX, “në kohën time”, nga John Watkins në pikturë. Gjithësesi e kam për nder të jem atje) dhe me një “bujari” për ta pasur zili më afron punimet e tija. Uroj me gjithë shpirt që punimet në fjalë të jenë të arrira. Por, falë Zotit që më ka dhënë mundësinë të bëj zgjedhjet e mia, i them Z. Tufa se ato që më rekomandon, i lexoj ose në origjinal ose të përkthyera sipas standarteve të çertifikuara në anglisht, pa pasur nevojë t’i marr në mënyrë aberrative. Sa për këtë druaj se dëshmon fakti që diplomat e lëshuara nga universitetet shqiptare që këtu në perëndim s’i njeh njeri, duke çuar dëm vite mund e investim. Këta ia theksoj Z. Tufa që ta dijë se këtu, nuk çmohet “hamallëku” por produkti. Sa për literaturë, mund t’i rekomandoj atij dhe cilitdo studiues të interesuar shumëfishin e asaj që citon Tufa, por kjo atëherë do të ishte Ego phallocentrism. (Në fakt ky term është i goditur për vetë shkrimin e Tufës!). Por është mirë që të mbetemi seriozë. Ai thotë gjithashtu se Verisimilituda dhe Deus ex Machina janë terma të vjetër…dhe nuk përdoren në postmodernizëm. Mirëpo me cilët çelësa do të kyçemi për të interpretuar kryevepra alegorike si Ferma e Kafshëve apo Udhëtimet e Guliverit?

Gjithësesi, aberrative është mënyra e qëndrimit të tij shkencor, që konsiston jo thjesht ndaj mendimit kritik tradicional, por për faktin se duke u hequr si postmodern, vepron si avanguardist. E pra, postmodernizmi në letërsi dhe në kulturë lindi pikërisht si një nevojë për të rizgjeruar horizontin që ngushtonte paprerë dukuria e avanguardave! Dhe koncepti i të “perënduarave” është kryekëput avanguardist. Do Zoti, që kjo të ketë ardhur ashtu shkarazi e nuk bën pjesë në literaturën që u serviret studentëve!

Unë nuk kam bërë një kritikë postmoderne dhe ai e di mirë këtë. Kam shfaqur disa mendime të bazuara në parime kritike dhe kam përmendur edhe metodat. Kritika ime nuk përbën një kritikë të mirëfilltë në sensin akademik. Jo se nuk jam në gjendje të shkruaj edhe sipas metodave akademike. Por lexuesi i gjerë, nuk është pikërisht ai akademik. Përkundrazi, lexuesi akademik jo gjithmonë i ndjek zhvillimet letrare, përpos pjesës që i intereson. Unë operoj në atë drejtim që operon kritika biografike dhe kritika sociologjike, sepse ato janë më komunikuese me lexuesin e gjerë. Këto metoda përdoren në Amerikë dhe më shpesh edhe sot në faqet e shtypit bashkëkohor, për të tërhequr vëmendjen e lexuesve. E kanë përdorur dhe e përdorin edhe sot një pjesë e studiuesve tanë. Arshi Pipa, në kryeveprën e vet Trilogia Albanica, iu largua metodës filologjike të dy pjesëve të para për të operuar me kritikën sociologjike kur shkroi pjesën e tretë. Sa për të perënduarat që përmend Z. Tufa, i kujtoj atij se në shumë shkrime kritike librat e Borges, Thompson, Ellis, Beckett, Kafka e shumë të tjerëve, i shohim të përdorin termat “klasike”: Verisimilituda dhe Deus ex Machina, parabolic, apodictic, metafor, narrative, paradox, semiotics, apprehension, esoteric, apothic, eulogy, catharsis (të cilin e përdor dhe Agroni), ponopticon  e shumë e shumë të tjera, sigurisht krahas atyre që kanë hyrë me zhvillimin e mendimit kritik e teorik postmodern, edhe pse ende nuk ka një teori definitive për të. Interesantja është se, kritikët postmodernistë shqiptarë nuk i përdorin, po përse i përdorin budallenjtë e perëndimit xhanëm?!

E siguroj, z.Tufa, se  ( Freud , Jones  , Derriden  dhe  shumë filozofë që  nga Talesi i Miletit deri  tek , Wittgenstein , Russell , Heidegger ,  Sartre ,  Quine etj  , kam  filluar ti njoh para 30   vitesh…)     më pas  dhe  të tjerë  që njoh  kur të merrem me kritikën postmoderniste do të merrem me terminologjinë e posmodernizmit, dhe me pseudo-postmodernistët, por druaj se kjo do të ndodhë pak vonë, sepse postmodernizmi si dukuri letrare dhe kulturore bashkëkohore, tek ne, është ende në fazën eksperimentale, pavarësisht ndonjë rasti të izoluar që ka vërtet prurje postmoderniste, siç mund të jetë shkrimtari Ridvan Dibra. U ndala këtu, jo për të treguar dijet e mia mbi postmodernizmin, por për t’iu kujtuar atyre që e ngatërrojnë, që postmodernizmi nuk shënon një epokë, por një fenomen kulturor, natyrisht dhe letrar, me shtrirjen e vet kryesisht në perëndim dhe për kulmore ka arritjet në arkitekturë. Do të ishte një kapërcim astronomik që kultura dhe letërsia jonë të arrinin nga komunizmi drejtpërdrejt në postmodernizëm…

Tjetër gjë që dua t’i bëj të ditur Tufës në lidhje me atë që mendon për mua. Dijet e mia në letërsi dhe në kulturë nuk kanë fare lidhje me atë tipologji të rëndomtë që është përhapur si epidemi në Shqipëri e që mund t’i përkufizojmë si dije sa për një vend pune a sa për një copë rrogë. Falë Zotit, kam bërë zgjedhjet e duhura. Letërsia dhe kultura janë vetë jeta ime dhe pse prej tyre ushqehem vetëm shpirtërisht.

Veprat e Naum Priftit janë mbi 100. Në periudhën e gjatë të tij si shkrimtar ka natyrisht edhe krijimtari që i përket realizmit socialist, por, siç vëren me të drejtë edhe Z. Tufa, Prifti e ka kapërcyer me sukses atë hendek që ndante atë letërsi me vlerat e letërsisë universale, çka nuk mund të ndodhte, përveçse falë talentit të madh dhe kulturës së gjerë që pak shkrimtarë të tjerë te ne i gëzojnë. Këto i kam vënë në dukje, siç kam theksuar dhe gabimet e shkrimtarit Prifti, lidhur me punimin e tij: “Kush e Filloi Luftën Vëllavrasëse në Shqipëri”, kështu që pretendimi i Z. Tufa, për “glorifikim” të Priftit nga ana ime, bie poshtë…

Filozofi Daniel Dennett thotë: “Postmodernism , the school  of “thought” that proclaimed, There are no truths, only interpretations’ has largely played itself out in absurdity, but it has left behind a generation of academics in the humanities disabled by their distrust of the very idea of truth and their disrespect to evidence, setting for conversations’ in witch nobody is wrong and nothing can be confirmed, only asserted with whatever style you can muster”.

Në këtë rast, modernisti dhe më pas postmodernisti  Orhan Pamuk, do të shprehej : “Afedersiniz! “

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Agron Tufa, alfons Grishaj, Mjerimi i mjerimit, të kritikës së “kulluar”

Vendimi i Gjykatës së Hagës për Kosovën dhe pengmarrjet e Ramush Haradinajt

March 21, 2017 by dgreca

NGA MAL BERISHA/

1 Mal Haradinaj

Drejt Hagës për Shpalljen e Ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës./

Atë ditë të 21 korrikut të vitit 2010 po udhëtoja nga qendra e Tiranës, drejt aeroportit të Rinasit dhe dëgjoja programin botëror të BBC. Papritmas dëgjova një lajm që ndërpreu programin: Udhëheqësi i guerilëve shqiptar të Kosovës Ramush Haradinaj sapo është arrestuar dhe është duke u dërguar në burgun e Scheveningenit në Hagë. Ai do të ballafaqohet me akuza të reja për krime të rënda të kryera gjatë  luftës në Kosovë.U shokova, dhe thashë me vete: Si është e mundur? Nesër shpallet opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Dhe ja përsëri dikush e godet kaq fort Kosovën. Në moment telefonova kryeministrin dhe e njoftova për lajmin. Ai ende nuk ishte informuar. i tregova se isha udhës për në Hagë për të ndjekur seancën e nesërme të gjykatës ku pritej të jepej opinioni mbi ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Më uroj rrugë të mbarë. Ndjeva shqetësimin në zërin e tij dhe pak para se të mbyllnim telefonat më tha:

-Dëgjo, sa ditë do qëndrosh në Hagë?

-Tre  ditë,  i thashë.

-Shko bashkë më ambasadorin tonë dhe takojeni Ramush Haradinajn në burg. Bëji të fala nga unë dhe siguroje për mbështetjen tonë. Rrugë e mbarë!

Ankthit të pritjes për dhënien e opinionit përfundimtar mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga GJND, iu  shtua edhe ky fakt. Përse tani? Përse sot? Përse duhej kompromentuar çdo gjë? A nuk prisnin dot edhe dy ditë, tri apo katër?

Pengmarrja e Parë në Hagë

Ramushi nuk ishte nga ata burra që fshihej. Ai u dorëzua herën e parë në mënyrën më burrërore. Vetëm një burrë, një shqiptar nga Dukagjini mund të bënte atë që bëri ai. Në rastin e arrestit të parë, kur ai ishte Kryeministër, mblodhi kabinetin e tij dhe ju shpërndau detyrat si çdo ditë tjetër. Askush nuk dalloi dot qoftë edhe një drithërimë në zërin e tij. Komunikoi, bisedoi, bëri edhe shaka. Mbledhja mbaroi. Kur anëtarët e kabinetit të tij ishin gati të largoheshin, ai iu tha:

-Oh me falni se kam edhe diçka për t’ju kumtuar sot: Që prej këtij momenti unë nuk jam më Kryeministri juaj. Sapo të dalim nga kjo sallë unë iu dorëzohem organeve të drejtësisë ndërkombëtare dhe udhëtoj për Hagë i akuzuar për krime lufte. Kosovës i uroj suksese!

Gjithkush që ishte në atë sallë mbeti i shokuar. Ai u dorëzua vetë. U bë edhe gjyqi ndaj tij. Ai doli i pafajshëm dhe u kthye në atdhe. Natyrisht që postin e Kryeministrit e humbi por fitoi një emër të madh. Në politikë ai u bë edhe më aktiv. Por ja, tani gjendet në Hagë përsëri.  Përsëri peng për herë të dytë.

Në Hagë, në pritje për vendimin e GJND

Në mbrëmjen e datës 21 korrik 2010, arrita në Hagë. Aty më priti ambasadori ynë z. Gazmend Barbullushi. Ai ishte një mik dhe koleg shumë i mirë. Atë natë darkuam bashkë dhe u takuam edhe me delegacionin e Kosovës të drejtuar nga Ministri i Jashtëm z. Skënder Hyseni.  Gjatë darkës shkëmbyem shumë biseda, tregime, shqetësime.

Ambasadori i Kosovës në Hagë na tregoi për ndodhinë e asaj dite më delegacionin serb. Kishte koinçiduar që pala kosovare ishte vendosur në një hotel në qendër të Hagës dhe kishte arritur më përpara se pala serbe. Anëtarët e delegacionit të Kosovës po pinin  kafe në lobin e hotelit. Në atë çast vjen delegacioni serb i drejtuar nga Vuk Jeremiç, Ministër i Jashtëm i Serbisë. Ata futen në hollin e hotelit dhe ndërsa stafi i ambasadës po merrej me sjelljen e bagazheve dhe check – in, Jeremiç vuri re se në hollin e hotelit ishte Ministri  Hyseni dhe pala kosovare. Ai menjëherë i drejtohet ambasadorit të vet:

– Në një hotel me këta jemi të vendosur ne?

– Nuk e di, ishte përgjigjur ambasadori i tij. Nuk e  kam idenë për këtë.

– Si nuk e ke idenë?! Në një hotel me këta do rri unë? iu hakërrye ambasadorit.

– Nuk më paska vajtur mendja, ishte përgjigjur ambasadori.

– Atëherë, mu zhduk që këtej dhe nuk dua të shoh më! Ju tjerët merrni valixhet dhe të ikim menjëherë.

Kështu delegacioni serb u largua menjëherë dhe u vendosën në një hotel tjetër në Hagë.

Kjo ngjarje dukej si një ugur i mirë për ne  shqiptarët. Në fakt, gjykata e kishte mbajtur aq mirë sekretin e opinionit të vet, saqë askush nuk mund të thoshte me siguri se cili do të ishte vendimi. Thjesht mund të hamendësohej.  Kështu kaloi ajo mbrëmje me ethet e pritjes së të nesërmes…

Shpallja e Opinionit të GJND

Ambasadori Barbullushi kishte njohje të lavdërueshme me anëtarë të ndryshëm të Gjykatës Ndërkombëtare. Por frika e tij se kishte gjykatës që ishin tërësisht kundra dhe sa ata mund të përbënin shumicën ishte shumë e madhe. Ai merak i tij tanimë ishte kthyer në një ankth edhe për ne tjerët. Sidoqoftë tani duhej thjesht të prisnim orën 15.00 të datës 22 korrik 2010 dhe të dëgjonim kumtimin e vendimit.

Në orët e para të paradites bëmë një shëtitje para ndërtesës së gjykatës. Ajo është një ndërtesë shumë e bukur, ndoshta më e bukura e Hagës e njohur me emrin Pallati i Paqes ose në gjuhën hollandeze: Vredespaleis.

Pallati i Paqes, Vredespaleis, Hagë

Kjo gjykatë është hapur me datën 28 gusht të vitit 1913. Ajo është krijuar fillimisht si një ndërtesë  simbolike për Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit për ti dhënë fund luftës, si produkt i Konferencës së Paqes së Hagës së vitit 1899. Në atë kohë Andrea Dickson White ishte njeriu që kontribuoi më shumë për ndërtimin e kësaj gjykate. Për këtë ai i shkroi mikut të tij Andre& Carnegie. Në fakt ideja ideja për ngritjen e Pallatit pat filluar në një diskutim midis diplomatit rus Frederik Martnes dhe diplomatit amerikan Andreë &hite në vitin 1900. Ata donin të gjenin një vend për Gjykatën e Arbitrazhit dhe ta  vendosnin në Hagë.  White iu drejtua mikut të vet filantropist Andre& Carnegie. Ky i fundit në vitin 1903 i dha atij një milion e gjysëm dollarë, një shumë e jashtëzakonshme për kohën.  Andre & Carnegie ishte një industrialist i famshëm skocez – amerikan i lindur në vitin 1835 dhe një nga filantropistët më të famshëm në botë. Ai është njeriu që i dhuroi Ne& Jorkut atë që sot quhet Carnegie Hall, një nga qendrat më të bukura muzikore në botë, pa përmendur sa e sa vepra tjera që ka dhuruar gjatë jetës së tij. Pallati është i stilit të rilindjes së vonë.  Ndërtesa është vërtetë një vepër arti. Të tilla janë edhe dhuratat që e dekorojnë atë. Aty ka vazo 3.2 tonëshe e dhuruar nga Rusia, dyer të rënda të dekoruara të dhëna nga Belgjika, mermer të sjellë nga Italia, një shatërvan nga Danimarka, qylyma murale nga Japonia, orë për Sahatin e Kullës nga Zvicra, qylyma persiane nga Irani, dru prej Indonezisë dhe Shteteve të Bashkuara. Brenda tij gjenden buste, portrete të kampionëve të paqes nga e tërë bota dhe nga të gjitha fushat. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi më i rëndësishëm juridik i Kombeve të Bashkuara. Gjykata u themelua në vitin 1945 bazuar në një Kartë të Kombeve të Bashkuara dhe filloi punë në muajin Prill të vitit 1946.
Me pak fjalë, ky ishte pallati në të cilin do të futeshim atë ditë për të dëgjuar vendimin mbi opinionin e asaj gjykatë të përbërë prej 15 anëtarësh. Stuartët e gjykatës na treguan se ne duhej të uleshim në anën e djathtë të sallës.  Pasi ishim ulur, erdhi delegacioni serb. Jeremiçi hyri me kokën lart, “parakaloi” (përsëri gabim) para delegacionit tonë dhe me shpejtësi shkoi dhe u vendos në anën tjetër të sallës. Këto veprime më kujtonin plotësisht veprimet diplomatike të kohës së luftës së ftohtë, kur thjesht gjetja rastësore në një mjedis me diplomatin – armik, mund të pasohej me masa represive ndaj atij që nuk kishte bërë kujdesin e duhur.

Në atë moment mu kujtua një histori e treguar nga Konsulli i Përgjithshëm në Stamboll, Enver Zeneli kur po e dorëzonte detyrën në vitin 1992. Ai më pat thënë se ju jeni me fat që do punoni në këtë kohë. Gjatë kohës së punës time, më thoshte ai,  këtu kam qenë i instruktuar që në asnjë rrethanë të mos i jepja dorën rusit, amerikanit, izraelitit.  Nëse kjo ndodhte, unë duhej të kthehesha vetë në shtëpi dhe të mbaja përgjegjësinë. Kështu që ndonjëherë kur shkoja në pritje futesha në salle dhe fap, psh me shfaqej përpara rusi, ndërsa menjëherë djathtas hopa më shfaqej amerikani. Pastaj i shmangesha atij dhe ja ku më dilte përpara një tjetër, izraeliti për shembull. Mos o zot po të qëllonte edhe kinezi! Çfarë duhej të bëja atëherë? Menjëherë duhej të largohesha, ose…

Çastet e shpalljes së vendimit

Gjatë kohës kur Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada po lexonte vendimin, një gjykatës trupmadh, mbante një kontakt me sy me ambasadorin tonë dhe dukej sikur i thoshte që: Edhe pse unë nuk desha, ja që e arritët atë që deshët. Në fakt më vonë ambasadori më tregoi se ai ishte një gjykatës nga Republika Ceke, i cili kishte qenë kategorisht kundër. Por natyrisht kur shumica në atë gjykatë voton pro ose kundër, pakica i bindet plotësisht shumicës. Kështu vendimi shpallet si vendim unanim.

Leximi i materialit zgjati aq sa nuk e mbaj mend. Ajo që u skalit në kujtesën tonë ishte fjalia magjike e shqiptuar nga gjykatësi Ovada:

“Gjykata ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i Deklaratës nuk e shkel asnjë ligj të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare”.

Në u ngritëm në  këmbë dhe filluam të përqafoheshim nga gëzimi. Ishte përjetim i rrallë. Dhe në atë përjetim atë ditë më mbeti në mendje largimi kokulur i Vuk Jeremiçit dhe anëtarëve të delegacionit të tij. Pastaj edhe ne u larguam të lumtur sa më s’ka për të festuar bashkë me delegacionin e Republikës së Kosovës.

Vizitë tek i Pengmarruri për herë të Dytë

Ditën tjetër bashkë me ambasadorin vajtëm të shihnim heroin e Kosovës, Ramush Haradinajn  në burgun e Hagës, Scheveningen. Pas procedurave të gjata dhe shpjegimeve për natyrën e takimit, një seri dyersh prej hekurash u hapën dhe u mbyllën njëra pas tjetrës. Arritëm në kafenenë e burgut, u ulëm pranë një tavoline në një si ndarje më vete, ose një dhomëz e ndarë midis tjerave prej nga shiheshim shumë mirë për çdo veprim që mund të bënim nga një treshe policësh të cilët ishin ulur në një si podium. Pas pak aty dha ballë Ramushi. i fortë,  i qeshur, i vendosur, ai shtrëngoi duart me ne dhe u ulëm. Patëm një bisedë interesante dhe unë së pari e urova për Opinionin pozitiv të Gjykatës së Hagës për Kosovën. Ai e shfaqi hapur gëzimin për këtë. Pastaj biseda u përqendrua tek arresti i tij dhe tek pafajësia  e cila do ta kthente përsëri si hero në Prishtinë. Në një moment të bisedës e pyeta:

A e keni parë ndonjë prej serbëve që  gjenden këtu?

Po më tha, i pata parë më parë kur isha herën tjetër, por edhe unë ju shmangem edhe ata më shmangen mua. Milosheviçin e shihja por sa herë e shihja më kapte një ankth dhe ai e ndjente si dukej sepse përherë fshihej pas rojeve dhe qëndronte larg. Radovanin nuk e kam parë. Ai vazhdoi me emrat dhe sapo përmend Sheshelin, ky i fundit kaloi aty pranë na pa dhe u ndal.

O Ramush, si je? i foli ai në serbisht.

Mirë, mirë u përgjigj Ramushi,  ia ktheu me indiferencë. Pastaj ai i tha disa fjalë të cilat ne nuk i kuptuam por Ramushi na i përktheu. I kishte thënë se këtë radhë je këtu sepse  deshën t’ia bënin më të lehtë Tadiçit vendimin e GJND së. Ti je kurbani i kësaj dite.

Ndërsa Shesheli fliste unë pashë në sytë e atij krimineli tërë urrejtjen e tij ndaj shqiptarëve të përmbledhur në atë vështrim agresiv ndaj Ramushit.

Patëm bisedë të gjatë me Ramushin derisa u ndamë me premtimin se asgjë nuk do të kursehej për çlirimin e tij.

Gëzimi i fitores në Hagë kishte edhe brengën për sakrificën e Ramush Haradinajt. Në atë aspekt ndoshta Shesheli kishte të drejtë. Ishte peng për herë të dytë, i atij vendimi të Hagës.

Pengmarrja e Tretë

Prej disa kohësh, z. Haradinaj gjendet i marrë peng për herë të tretë. Tani ai pret një vendim të një gjykate tjetër të një rajoni të Francës, vendit të lirive njerëzore(!)

Edhe pse z Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga GJND në Hagë, ai përsëri është ndaluar në Francë, bazuar në një urdhër të lëshuar nga Interpoli me kërkesë të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, lëshuar në vitin 2004!(?) Të ndalosh çlirimtarët me kërkesën e një krimineli, pastaj ti gjesh të pafajshëm, pastaj ti zësh prapë, prapë ti lëshosh dhe prapë ti ndalosh, nuk është asgjë më pak se pengmarrje.

Si atëherë në vitin 2010 kur e vizitova në Hagë, vajta dhe e takova në Strasburg me datën 18 mars 2017. Këtë radhë jo me detyrë shtetërore por në një gjest individual respekti për veprën dhe sakrificat e tij. Kësaj radhe ishte një vizitë tek një mik, tek një patriot, tek një çlirimtar i Kosovës, tek një luftëtar i paepur për lirinë, tek një njeri që e ka gjakun e vëllezërve në themelet e kësaj lirie. Kjo nuk ishte aspak një vizitë tek një politikan kosovar, madje as tek një ish-kryeministër, por tek një shqiptar i ballafaquar me padrejtësinë në emër të drejtësisë.

Mirë u kthefsh në Kosovë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjykata Hages, kosova, Mal Berisha, Ramush Haradinaj

ME VAJZAT DHE GRATE NE JACKSONVILLE, FLORIDA

March 21, 2017 by dgreca

Takim i bukur festive me vajzat dhe grate Shqiptare ne Jacksonville,Florida/

1 kjo hare2 Diana4 Dervishi

Komuniteti i grave dhe Shoqata “VATRA” ne Jacksonville, Florida, me rastin e 8 Marsit , Dites Nderkombetare te Gruas, , organizoj nje mbasdite festive ne perkujtim te perpjekve dhe sakrificave te shume grave per te fitue te drejtat e tyre legjitime.Salla e restorantit “Maggiano” ne Town Center ishte mbushur me bukuri e madheshti Shqiptare.Qindra gra dhe vajza ishin mbledhur grupe-grupe, duke u pershendetur e biseduar me njera-tjetre, pa mundur te fshehin edhe nji pike loti mallengjyes por edhe gezimin dhe lumturine per kohen e shkuar dhe arritjet e tyre ne token e bekuar Amerikane, qe mbetet pararoja dhe simbol i lirise dhe demokracise per mbare boten.Grate Shqiptare i gjen sot ne Amerike . jo si skllave te dikurshme te sistemit ma SATANIK ne bote, atij komunst, por tashme ato jane te pavarura ne profesionet e tyre si mjeke, mesuese, ekonomiste  e ne shume profesione te tjera ku ato punojne.

E ftuara e nderit ne kete eveniment ishte zonja Ermira Babaliu, e cila me zanin e saj te ambel e plot melodi, e ndezi sallen me kange e valle per kater ore rresht. Repertori i saj i pasur, solli edhe njehere gjithe muziken shqiptare ne Jacksonville, duke na bere qe te ndjehemi edhe nje here sikur te ishim fizikisht ne vendin tone.

Interesante ishte konkursi”Belly Dance” sponsorizuar nga Ermira Babaliu, ku kunkurrentet shpalosen

me finese artin e tyre duke shpalle edhe tri fitueset ma te mira.

Gjitheashtu, u vu ne dukje dhe u vleresuan shume gra dhe vajza per kontributin

e tyre ne ruajten e kultures dhe zhvillimin e gjuhes shqipe ketu ne Jacksonville.

Nji rol te madh luan edhe “VATRA” ne bashkimin e komunitetit dhe sidomos ne hapjen e shkolles Shqipe,ku ne qender te saj mbetet gjithnji afrimi i sa me shume femijve per te mesuar gjuhen tone amtare ne menyre qe te mos harrojme te kaluaren pasi gjuha asht menyra ma e bukur per te na mabjte te lidhur me vendin e te pareve tane,aq ma teper qe Amerika ofron mundesine per te ruajtur trashigimine kulturore te cdo etnie.

Kjo feste , pervecse historise se saj, ishte edhe nji rast i dobishem per te na bashkuar si gra e motra,

te ndare me njera-tjetren momente qe do mbesin ne kujtesen e seciles prej nesh per nje kohe te gjate.

Cdo feste ku bashkohemi, eshe nje burim i se mires tone te perbashket, prandaj ne gjithemone kemi se cka te mesojme nga njeri-tjetri.

Ne perfundim, deshta te falenderoj edhe bashkepunetoret e mi per organizimin e ketij evenimente, znj.Shpresa Gallo e z. Adriatik Spahiu.
Per Gazeten “Deilli’ nga Jacksonville, Florida, Vasilika Dhimitri-Mato

 

Filed Under: Featured Tagged With: florida, GRATE NE JACKSONVILLE, Takimi ne Florida

Kur vrasjët politike shfrytëzohen për të fituar vota?!

March 21, 2017 by dgreca

Vështrim/

1 Skender Mulliqi

Nga Skënder MULLIQI/Para fushtat elektorale kan filluar në Kosovë. Kadri Veseli I PDK-së ka dalë në terren në bashkëbisedime me qytetarë dhe nderrmarrje të ndryshme . Deri tash  Veseli dhe garnitura e lartë e PDK-së në pushtet kurrë nuk zbritën në mesin e popullit për ti qa hallet dhe problemet jo të vogla më të cilat  ata po përballën  tash e krejt pas luftën. Kjo maratonë e zotit Veseli nuk ishte dashur ti pinë ujë . Nuk janë dalë në terren së kan pasur punë  tjera të pista . Veseli ishte dashur haptazi  të demaskon klanin keqbëres  “ Pronto” . Kjo aferë e “Prontos”  dihet së qfarë reputacioni  të keqe i ka sjellë  popullit .  Nese është i sinqertë së pari do të  duhej që tu kërkon haptazi falje qytetareve  pse nuk u respetua vota e tyre deri me tash, dhe pse ndodhën gjithë këto keqpërdorime të te mirave materjale të pronës shoqërore…

Pas Veselit  edhe krerët më të lartë të subjektit numer dy në Kosovë, LDK-së kan filluar  fushatë para elektorale . Ata që e rrënuan logjikën rugoviane nga skena politike , po i kthehen asaj në mënyrën më të turpshme  . Menjëhere kan filluar ti përmendin vrasjët e pa zbardhura politike të anëtarëve dhe përkrahsëve të tyre . U vranë që shumë kohë m ë parë shumë veprimtarë të LDK dhe ushtarakë të vijës institucionale  të luftës, dhe kurrë deri më sot nuk e gjeten dritën e diellit.Është turp që nuk lahët kurrë për udhëheqjën më të lartë të LDK –së e cila edhe pse parti në pushtet  nuk bëri  asgjë për tre vite që ndonjëra nga këto vrasje të zbulohet. Skënder Hyseni e ka Ministrinë e Punëve të Mbrendshme dhe as lavrën e miut nuk e bëri që vrasjët të zbulohen!  Krejt fushatën e vitit 2014 e bënë mbi bazën e luftës kunder krimit dhe pikërësht, e potencuan  më te madhe së nuk do të bëjnë koalicion më ata që dyshohet së kan gisht në vrasjët e bashkëpartiakëve të tyre .E gjithë kjo u harrua dhe yrysh Isa Mustafa pa e pyetur elektoratin bëri koalicionin  e turpit më PDK –në e Hashim Thaqit.

U vranë njerëzit e mirë të LDK së para , gjatë dhe pas përfundimit të luftës. U vranë e familjët e të  vrarëve te cilat  kan mbetur duke pritur së cilët janë vrastarët dhe urdhëdhënësit e tyre . Dhe,  ashtu sikur nuk ka funksionuar ligji për shumë vite , nuk është duke funkionuar edhe tash . Kur nuk funksionin rendi dhe ligji nuk kemi shtet demokratik dhe shtet ligjor. Fajin kryesor pse Kosova e ka këtë gjendje të mjerë politike dhe ekonomike e bartë edhe Bujar Bukoshi I cili po të kishte funksionuar ligji ishte dashur moti të përgjigjet para organeve të drejtësisë bashkë më të gjithë bashkëpunëtoret e  tij  . Po të ishin përdorë fondi I trepërqindëshit aty ku duhet për furnizimin  e mirë të luftës të krahut  istitucional të luftës, jam i sigurtë së nuk do ta kishim  tash këtë gjendje katastrofale , gadi pa rrugëdalje  të Kosovës dhe popullit të saj.  Vrasjët për shumë kohë patën futur frikë dhe terror në masën e gjerë, sa njerëzit hezition e edhe në shtëpi të shpreshin  lirshem! Koria në derë u mbetet shumë medieve dhe gazetarëve të cilët në kohën e vrasjëve politike I patën futur vëshet në lësh nga frika, por edhe  për qëllime karrieriste. Tash e kan ngritur paksa zërin kunder krimit të organizuar dhe vrasjeve politike që është mirë  , por pak sa vonë .Të përdorësh pa rreshtur figurën e madhe të presidentit , Ibrahim Rugova, Tahir Zemës , Smajl Hajdarajt , Xhemajl Mustafës , Bardhyl Ajetit  ne kohë fushate për të mbledhur vota , është amorale , është veprim bizar dhe poshterësi e llojit të vet. Gjaku i tyre është gjakë që nuk falët lehtë siq po mëndojnë strukturat e larta të LDK-së, së burokratizuar , korruptuar besa edhe të kriminalizuar . Madje , kjo Qeveri pruni vendimet më të dëmshme për popullin dhe Kosovën , më “Zajednicën” dhe  me Demarkacionin . Elektorati rugovianë këto pislleqe nuk ishte dashur tia falë kurrë LDK-së, dhe  rrënuesit të saj ,  Isa Mustafës , si dhe servilëve aty për rreth tij. Nuk është vrarë Tahir Zemaj , Smajl Hajdaraj , Xhema….që  këta  matrapazë politikë të punojnë kaq mbrapsht  . Nuk kan lufuar që askushët të pasurohen në shpinën  dhe në gjakun e tyre .Nuk kanë luftuar Sali Qeku, Agim Ramadani e shumë  heronjë të tjerë që të liqët e kombit ti dalin popullit për të prirë .Nuk kan luftuar dhe as në ëndërr nuk e kan menduar së më të dyja këmbët do të shkelët gjaku i tyre . Nuk e kan menduar sigurisht së nuk do të zbulohen  dorasit edhe atëherë kur janë në pushtet LDK-ja.  Këta duhet ti mbulojë turpi që tua përmendin  emrat e heronjve  dhe shumë gazetarëve të vrarë e të gjallë. Dikush më të drejtë këto struktura të larta të LDK-së i quajti legena, të cilët po i keqpërdorin  vrasjët politike . Kush po mendon Agim Veliut tia bjen drejtësinë kur vet e kan ekzekutivin ? Le ta mshelë prapanicën e madhe Veliu bashkë më velitë e tjerë e ti zbardhin vrasjët politike ?!  Por, besa po  i ruajnë më qdo kusht interesat përsonale duke u thirrë parreshtur  në presidentin . Ibrahim Rugova  dhe në vrasjët politike…

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove, Skender Mulliqi, Vrasjet Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2123
  • 2124
  • 2125
  • 2126
  • 2127
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT