• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEDË PRECI: SI MË SPIUNOI KUNATA DHE SHOKËT DHE MË MOHOI GRUEJA E FËMIJËT

March 3, 2017 by dgreca

HISTORIA TRONDITËSE E DEDË PRECIT: SI MË SPIUNOI KUNATA DHE SHOKËT DHE MË MOHOI GRUEJA E FËMIJËT./

1 dede-preci

Nga Andrea Dangolli.*/

Dedë Preci po sa mbushi 69 vjetë edhe pse e ndien veten shumë ma të vjetër. Vjetët e kohës së diktaturës malësorit nga Puka i duken atij se zgjatën ma shumë se sa në të vërtetë ishte numri i tyne, për arsye se vuejtjet ishin plot dhimbje.
Duket se vuejtjet e tmerrshme që ka përjetue në burgjet e komunizmit, nuk mund t’i largojë nga kujtesa e tij.
Ende i kujtohen agjentët e sigurimit që e ndiqshin  vazhdimisht dhe torturat mizore kur shtynte zhagas si skllav vagonat e randa me krom.
Edhe pse i lodhun nga jeta, sot përpiqet të përshkojë nëpër mend kujtesën e tij, ato vjete të errta që i mohuen fëmijninë, i burgosën
rininë dhe e përndoqën deri në pleqni.
Ai ka të vështirë të gjejë nji ditë të mirë mbrenda tyne, mbasi edhe sot e ndien veten, si me pa lindun i përndjekun, dhe si i tillë po
largohet nga kjo botë.
Që kur ishte katër muejsh, baba i tij, i detyrue nga presioni i pushtetit popullor u arratis dhe shkoi në Suedi.
Me prejardhje nga nji familje që kishte dhanë dëshmorë në luftën për clirimin e atdheut, kjo gja nuk ishte bindëse për autoritetet e
sistemit. Fati i tij merr nji rrugë tjetër, mbasi ai u interrnue bashkë me familjen në Lushnjë ku ndejtën disa vjetë në kushte të
vështira. Më merrte vaji kur shifshem se si nana ime përpiqej për të na rritun. U mundoshem edhe unë me punue dicka për të sigurue kashatën e gojës.
Në kohën e luftës Ramiz Alia u strehue në shtëpinë e babës tim për muej me radhë, megjithë këtë prangave nuk u pështova thotë 69 vjecari.
Në vitet e para te rinisë së tij Deda tregoi nji aftësi që i befasonte të gjithë. Edhe autoritetet e asaj kohe befasoheshin nga aftësija e
tij. Unë dëshiroshem të bahesha futbollist e për të plotsue këtë dëshirë të madhe, nuk tregoshëm se baba im ishte i arratisun. Po të
tregoshëm këtë gja, edhe shokët që më afroshin do te më largoheshin.
Në atë kohe nji mik i imi më fton në Shkodër, për t’u ba pjesë e nji skuadre të vogël futbolli. Fillova stërvitjet që ishin të shumta, por
tuej qenë se kur njeriu shef se do të mbërrijë nji qëllim me randësi, lodhja nuk shkaton pengesë.
Por ecja mirë përpara i pat ditët e numrueme. Ishëm djal i ri dhe po sa kisha krijue familje. Nuk veprova kurr kundër sistemit, filluen të baheshin lloj lloj shpifjesh kundra meje, për shkak të babës t’im që ishte arratisun. Spiunët dhe dëshmitarët që më vunë prangat, filluen nga kunata ime dhe ish shokët. Shprehjen “i yti t’a punon sot.” thotë Deda, sepse këte gja e kanë pasë ma shumë se kurr.
Me ardhjen e demokracisë unë e njoftova babën se do të shkoshëm me e pa për herë të para mbas 43 vjetësh. Kur baba mori lajmin, ai pësoi nji goditje në zemër. Kur unë mbërrijta, ai ishte në minutat e fundit të jetës së tij, ai e hapi njenin sy për të më pa,u mbush thellë me frymë dhe menjiherë ndërroi jetë,”thotë ish i përndjekuni.”
Mandej ai flet edhe për personat qe e kanë dënue, “e njoh edhe gjykatsin, edhe prokurorin, të cilët sot ngrejnë supet edhe
justifikohen se ashtu ishte sistemi. Ironia asht se ata vadhdojnë të ushtrojnë edhe sot paturpsisht detyrat e tyne.
Megjthse më dënuen 9 vjetë. unë e konsideroi atë si burgim i përjetshëm. Ata më privuen nga e drejta njerëzore, për të pasun nji
familje, edhe sot, fatkeqsisht nuk kam kurkan pranë.

69 vjecari tregon se si e mohuen familjaret dhe e lane t’u drejtohej dyereve te azilit.Lash fëmijët të vogel kur u burgosa dhe i gjeta të rritun kur u lirova. Sot fëmijët e mij nuk duen të më njohin si atin e tyne.
Azili më ka dhanë nji përgjigje negative, e tash jetoi në nji dhomë me kushte të mjerueshme, që më ka lëshue dikush për sevap. Ku të shkoi thotë i perndjekuni,që sot, realiteti i vështirë ku po jeton, i përngjanë nji burgu të ri.
Kur njeriu ndigjon fjalët e tij, të krijohet përshtypja se cdo të thotë, të lejsh i dënuem për të mos jetue kurr.
Përjetimet e vështira i përngjajnë nji filmi të frikshëm, të cilin asht e vështir t’a besojsh se ka ngja në të vërtet.
Deda përfundoi tuej thanë se tregova historinë time për të vu në dukje të vërtetat e diktaturës komuniste.

* E dërgoi për Diellin:Gjon KADELI

Filed Under: Histori Tagged With: : SI MË SPIUNOI KUNATA DHE SHOKËT DHE MË MOHOI, DEDË PRECI, GRUEJA E FËMIJËT

Urimi i Trampit është një fotokopje administrate

March 3, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ka disa orë që kryeministri i vendit ka hedhur në fb një nga ato letrat me tekst fotokopje, firmë fotokopje. Nga ato të përditshmet, rutinë, me firmën e presidentit. E quaj rutinë, pasi është thjesht protokoll. Thjesht detyrë për të qënë të kujdesshëm në lidhje me kabinetet qeveritare nga bota mbarë. Që denjuan dhe i çuan një telegram urimi. Ku në gjegje të kësaj, këta, amerikanët nuk ta kursejnë aspak letrën dhe bojën. Si me thënë, një punë e bitisur nga rrogtarët. Të cilët përpiqen të mos u shpëtojë edhe grima. Pasi për Amerikën, dhe jo Trampin, praktika e komunikimit është një nivel elementar. Qoftë kur përballë është edhe shteti më modest.

Po kjo është krejt ekzaltuese në Shqipëri.
Madje konsiderohet një eveniment i madh. Dhe si ai fëmija i lumtur…, më përpara se zyra e shtypit. Kryeministri nxiton ta bëj një statut fejsbuku. Dhe ajo që është më e trishtueshmja, sherri i shqiptarëve në atë rrugicën e komenteve me njëri-tjetrin. Ku një pjesë e madhe, krejt të shfrenuar, u nxjerrin sytë atyre që mendojnë ndryshe. Apo denjojnë t’i thonë shefit se, nuk është sukses qeveritar që në hyn në xhep. Po thjesht, punë e përditshme e administratës amerikane.
Madje pas kryeministrit, shtypi. Sidomos ai që mjel qeverinë. Akoma më triumfator. Duke postuar foto plot buzëqeshje të Edi Ramës. Dhe plot ngërdheshje. Apo të shtrëmbërta të Donald Trampit.
Domethënia…., që Rama e fitoi betejën. Deshi apo nuk deshi Trampi ia njohu forcën liderit të madh të Ballkanit perëndimor.
Ah sikur të ishte kështu.
Këto radhë nuk janë për të denigruar Edi Ramën. Asesi. Nuk kam se çfarë i hedh poshtë. Pasi ne shqiptarët kemi plot shprehje, plot romuse. Por që i përdorim për elokuencë, humor. A për tu dukur simpatik etj. Jo për fakte të gjalla. Ndaj dhe unë me humor po e them atë që flet puna për ‘të. Borxhi publik sapo e kaloi shifrën 72. 2%… E gjeti me 62%. Duke na radhitur në vendin e 18, në europë. Përqindja e atyre që duan të ikin nga Shqipëria. Apo që kanë ikur nga vendi, sapo e la 38% -shin.
Ekonomia informale jo vetëm që nuk u tret. Që nuk e luajti vendit pagesën në kesh 150 mijë lekë në muaj për kamarierët. Nga xhepi i pronarit që pi birrë. Dhe kur t’i ketë ai. Fronti më i gjerë i krahut të punës. Sidomos për të rinjtë. Por u pakësua në 100 mijë. Dhe i sheqerosur me togfjalshin po deshe.
Nga ana tjetër falja e faturave të prapambetura. Dhënia e tapive etj… u bënë orë të propogandës politike. Në vend që të bëheshin mubdësi riaftësimi dhe edukatë. Në raport mes qytetarit dhe faturës. Apo taksës etj.
Statuti i nënpunësit civil u zëvendësua me teserën e partisë.
Sheshi i legenave në qëndër të shtetit gëlltiti sërisht miliarda lekë. Kodrat dhe malet, zonat më të thella u bënë një hambar dhe tokë pjellore e hashashit dhe kanabisit. Policia e shtetit mori sërisht dhuratë nga qeveritë simotra ca mjete. Ku pa frikë mund të pohojmë se jemi i vetmi vend në europë, që brenda një dikasteri operojnë me dhjetra marka të ndryshme mjetesh motorike. Policitë e vendeve të tjera dominohen nga një ose dy marka, kjo o për namus të prodhimit vendas. Ose si produkt i kontratave për mjete e logjistikë.
Arsimi publik u kthye në një garë jo të barbartë. Por mundësi ekselente zgjedhjeje me sira. Dhe konkurimi vazhdon me grupime partiake të hanë të parët njëherë, pastaj të tjerët të marrin çfarë të mbetet.
Shëndetësia…, as që ia vlen të diskutohet. Mjafton të përmendësh një fakt. Që është ministër një person i zhveshur nga mandati i deputetit nga gjykata kushtetuese për abuzim me tendera, konflikt interesi etj.
Ushtria. Jemi sot shteti pas asnjë mbrojtje elementare. Pasi festuam çmendurisht marrjen në mbrojtje nga Nato. Dhe që sot nga një grip midis Moskës, Brukselit dhe Washingtonit, dridhemi e pyesim. Cilit bllok do i përkasim. Lindjes apo perëndimit….
Çfarë të vazhdojë më?
E pra Trampi është njëri i biznesit. Dhe i pragmatizmit tipik amerikan. Që i kushton rëndësi të veçantë rezultave.
Ashtu si vetë qytetarët amerikanë. Rezultave, jo demagogjisë.
Ndaj fitoi duke u thënë amerikanëve që ta bëjmë Amerikën si një herë e një kohë.
E me këto rezultate që ka Shqipëria, do e fshinte me gomë Edin Ramajve. Jo ta përshëndeste. Këtë sokol të parruar të dështimit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: administrate, Ilir Levonja, një fotokopje, Urimi i Trampit është

HERONJT E IDEOLOGJISE SE DIKTATURES KOMUNISTE DHE DEMOKRACIA

March 3, 2017 by dgreca

SI DUHEN TRAJTUAR ‘’HERONJT E IDEOLOGJISE SE DIKTATURES KOMUNISTE’’ SOT NE DEMOKRACI ?/

1 Filip GuraziuNga Filip Guraziu/Demokracia e brishte shqiptare, fatkeqesisht me kalimin e kohes vazhdon te behet edhe me e brishte, kjo per shume aresye, por njera nga  kryesoret qe me rezulton sot pas  25 viteve te veteshembjes se komunizmit, eshte ‘ mosndergjegjesimi dhe mosvemendja serioze  e klases politike ndaj  edukimit te brezit te ri’ . Informacioni qe merr brezi i ri sot eshte kontradiktor dhe kaotik, çka nuk eshte konstruktiv, shembujt jane te shumte; qendrimi ndaj simboleve kombetare (  Skenderbeu, Nane Tereza ); qendrimi ndaj pushtimit turk,  qendrimi ndaj gegnishtes;  qendrimi ndaj luftes civile  ne vitet e lufte se dyte boterore,  qendrimi ndaj denimit te krimeve te komunizmit,…  etj.,  Pra, platforma e institucioneve shteterore, deri sot,  nuk ka arritur te ndertoje nje strategji edukuese te miratuar kolegjialisht, konstruktive dhe  bashkekohore per brezin e ri. Ne gamen e gjere opinioniste te mesiperme deshiroj te  veçoj   qendrimin qe duhet mbajtur sot ne demokraci ndaj  “ heronjve te ideologjise se diktatures komuniste shqiptare“.

Eshte fakt i njohur, se se paku “ zyrtarisht ”,   te gjitha partite politike parlamentare shqiptare kane mbajtur  qendrim   kritik ndaj diktatures komuniste,  gje fare normale dhe ne perputhje me qendrimin politik ndaj diktaturave ( te majta dhe te djathta) ne te gjithe vendet  e Europes dhe me gjere. Shume   persona qe  kane qene ne formacionet partizane  te drejtuara nga komunistet , dhe qe kane vdekur  ne lufte civile kunder formacioneve   shqiptare nacionaliste jane shpallur ‘deshmor ose heronj te atedheut ’, gje ne perputhje me  parimet   komuniste dhe me periudhen ne te cilen  ideologjia e diktatures ishte paresore, edhe mbi ate kombetare ! (internacionalizmi proletar).  Rastet sa me siper jane te shumta, duke filluar qe nga “Heronjt e Vigut”, rezistenca antikomuniste e Muharrem Bajraktarit, ajo e kelmendesve e kryesuar nga Preke Cali, levizja e Llesh Marashit ne Koplik, kryengritja e Postribes, perpjekjet me grupet antikomuniste te derguar ne Shqiperi nga vendet “armike”, SH.B.A dhe Europa perendimore etj. Por a duhet te vleresohen ato tituj sot ne demokraci ?, mendoj qe jo!, pasi ato te vrare nuk e paten  dhene jeten ne lufte kunder pushtuesve te huaj per lirine e atedheut, por per fitoren e idealit   komunist ne lufte me vellezerit e tyre shqiptar, ideal qe me shembjen e komunizmit dhe fitoren e demokracise u shperbe, u denua dhe vazhdon te denohet si imoral dhe kriminal , pra sot ne demokraci   eshte absurde dhe krejtesisht e padrejte  qe  ti ruajne perseri  ato tituj. Kaq i rendesishem ishte vleresimi ideologjik partiak ndaj rasteve te mesiperme sa qe ne veri te Shqiperise  “ heronjve te ideologjise ” ju perkushtua nga diktatura nje monument madheshtor ne qender te Shkodres,  kurse ‘ Tre heronjt ‘ qe vdiqen ne perpjekje kunder pushtuesve fashiste, pra per idealin kombetar u lane ne harrese!

Nje kategori tjeter per tu diskutuar eshte ajo e dekorimeve qe ‘ e majta ne pushtet’ realizoi para dy viteve si dhe e nderimeve apo titujve te nderit qe kudo neper Shqiperi nostalgjiket e diktatures i kane dhene kohet e fundit duke shfrytezuar mangesite ligjore egzistuese.  Jam i mendimit qe duhet dhe  meriton te nderohet e te dekorohet çdo person qe ka dhene kontribut te shquar ‘ pro Shqiperise ‘ gjate viteve te komunizmit, pasi i ka sherbyer vendit te tij duke e zhvilluar Shqiperine, por  jo ato  qe paten punuar ne sigurimin e shtetit , prokurori, hetusi, burgje, gjykate, media dhe ne strukturat politike partiake te cilet i paten sherbyer qorrazi ideologjise dhe diktatures komuniste dhe  jane  pergjegjesit kryesor te terrorit komunist ndaj popullsise shqiptare.

Eshte koha qe te kuptojme nje here e mire se  demokracia shqiptare dhe ardhmja e Shqiperise drejte B.E. nuk mund te realizohet duke i thurur lavdi ideologjise komuniste.  E dini perse? Shume e thjeshte, pasi denimi i krimeve te komunizmi eshte nje nder kushtet kryesore qe duhet te plotesoje Shqiperia per te qene pjese e B.E.   Ne vendet  europiane as qe behet fjale qe te dekorohet  ose te nderohet publikisht ndonji hero i fashizmit ose i nazizmit,  perkundrazi  praktikat jane te tilla  sa qe edhe tentativa per sa me siper  denohet ne baze te ligjit. Nje i tille egziston edhe ne vendet ish komuniste te europes lindore; ne Poloni, Ceki, Lituani dhe Hungari qe shprehet: ‘ Refuzimi publik, vënia në dyshim ose degradimi e faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare perben  vepër penale ‘

Del detyre imediate qe legjislativi dhe strukturat e pavarura qe funksionojne sipas udhezimeve te B.E. te trajtojne problemin e mesiperm per ta futur ne rrugen ligjore. Vetem ligji duhet te sundoje ne demokraci, ligji duhe te jete mbi   nostalgjite romantike te nje periudhe tashme te denuar nga te gjithe aktoret politike .Sa me siper nuk eshte hakmarrje, por drejtesi shoqerore qe na e mundeson  sistemi demokratik. E ardhmja e Shqiperise dhe e brezit te ri eshte shume here me e rendesishme se sa nje titull ose dekorate  me karakter ideologjik. Shqiptare te ardhmen e keni ne doren tuaj, veproni.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: demokracia, Filip Guraziu, Heronjte e Ideologjise

ME POLITIKË KUNDËR SHQIPTARËVE NUK MUND TË ZGJIDHET KRIZA NË MAQEDONI

March 3, 2017 by dgreca

2

Nga Harry Bajraktari/

Kriza politike në Maqedoni, pas refuzimit të presidentit Ivanov që t’ i jipet mandati shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, ka hyrë në nje fazë kritike. Ivanov e mori këtë vendim në mënyrë jo demokratike, e jo kushtetuese për shkak të kërkesave të partive politike shqiptare që gjuha shqipe të zyrtarizohet dhe të përdoret në të gjitha nivelet shtetërore në Republikën e Maqedonisë. Dhe jo vetëm për këtë, ai kundërshtoi edhe të drejtat tjera që u takojnë shqiptarëve me kushtetutë. Deklaratat e tij me tone urryese kundër përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore në Maqedoni nuk habisin, sepse ky edhe në raste të tjera është shprehur kundër saj dhe të drejtave të pa plotësuara të shqiptarëve. Ivanov dhe përkrahësit e tij në rrugët e Shkupit dhe brenda institucioneve, po nxisin konflikt ndëretnik dhe destabilizim politik në Maqedoni dhe në rajon.  Shqiptarët po luftojnë për të drejtat e veta në vendin e tyre dhe këtë realitet duhet ta kuptojë mirë krerët e politikës maqedonase.

Në përpjekje për të shtrirë ndikimin në Ballkan, në mbështetje të presidentit Ivanov, doli edhe Kremlini zyrtar, duke akuzuar Bashkësinë Evropiane dhe politikën shqiptare në rajon për krizën e krijuar në Maqedoni. Sot pro kësaj politike u prononcua edhe kryeministri serb, Aleksander Vuqiq. Kjo nuk do koment.

Nuk mund të ketë demokraci dhe harmoni ndëretnike përderisa atje keqpërdoret kushtetuta dhe ligjet kundër shqiptarëve. Politika maqedonase për kohë të gjatë, ka qenë  diskriminuese ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe këtë e dijnë të gjithë. Kjo politikë nuk mund të vazhdojë më, sepse shqiptarët në Maqedoni sot janë shtetformues dhe faktor i rëndësishëm për zhvillimin dhe inkuadrimin e këtij vendi në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO.

E deshi politika maqedonase gjuhën shqipe në parlament apo jo, kjo do të ndodhë bashkë me gjuhën e shkruar në aktet zyrtare shtetërore. Në të kundërtën bart përgjegjësi për zhvillimin e më tejmë të situatës në këtë vend multietnik, ku shqiptarët bëjnë një pjesë dërmuese të popullatës së përgjithshme.

Ivanov dhe idhtarët e tij, që nuk janë të pakët, e dinë fare mirë se nuk mund të këtë Maqedoni pa shqiptarë dhe nuk mund të ketë stabilitet dhe progres të këtij vendi me abuzimin e të drejtave të tyre.

Dhe, së fundit, shqiptarët në Maqedoni kurrë nuk kanë qenë  destabilizues të shtetit, por përvuajtës të historisë në luftë për të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare.

Mars, New York, 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, KRIZA NË MAQEDONI, POLITIKË KUNDËR SHQIPTARËVE

Mogherini: Shqipëria është Europë

March 3, 2017 by dgreca

*BASHA-MOGHERINI:30 MINUTA NE “ROGNER”/

1 Nishani mogheriniMogherini- Nishani, diskutim për reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin/Presidenti Bujar Nishani u takua sot me Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zv. Presidente e Komisonit Evropian, Federica Mogherini.

Presidenti Nishani i përcolli Mogherinit vlerësimin për mbajtjen lart në agjendën e BE të Shqipërisë dhe rajonit, dhe falënderoi për angazhimin e madh të të gjitha institucioneve të BE për ecurinë e reformave në Shqipëri.Kreu i Shtetit evidentoi se pas propozimit të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe konkluzioneve të Këshillit, janë të qarta fushat prioritare në të cilat vendi duhet të bëjë përparim sa më parë.

Presidenti Nishani vuri në dukje se ndërkohë që reforma në drejtësi ka patur një zhvillim pozitiv në dy vitet e fundit, tashmë ka mbërritur në një etapë të rëndësishme që kërkon krijimin e mekanizmave legjitimë, të besueshëm dhe të shëndetshëm për zbatimin efikas të saj. Në këtë kontekst ai theksoi se është tejet e rëndësishme që ky proces të ecë vetëm mbi baza kushtetuese dhe ligjore, të shmanget politizimi i tij, dhe të inkurajohet gjithëpërfshirja, si garancitë e besueshmërisë tek qytetarët shqiptarë.

Kreu i Shtetit shtoi se reforma në drejtësi është e lidhur ngushtë edhe me reforma të tjera si ajo zgjedhore dhe dekriminalizimin e institucioneve dhe administratës publike, pasi të tria këto dimensione lidhen me perspektivën e Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.

Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në rajon, Presidenti Nishani garantoi se Shqipëria nuk ndërhyn në punët e brendshme të asnjë vendi tjetër, dhe se do të vazhdojë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ai shprehu shqetësimin e përdorimit të një gjuhe armiqësore ndaj shqiptarëve në Maqedoni për qëllime që lidhen me garën politike në vend.

Presidenti theksoi se Platforma e partive shqiptare në Maqedoni është produkt i vetë këtyre partive, të cilin Shqipëria e mbështet duke e parë në frymën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke mbështetur bashkëjetesën si qytetarë të barabartë ndërmjet të gjitha etnive atje, ashtu sikurse ndjekim parimin marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

auto_1488564048fede1488565238

Mogherini: Shqipëria është Europë. BE gati për negociatat

Shqipëria është Europë! Ka qenë ky mesazhi që shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini ka dhënë në një takim me studentët e Universitetit të Tiranës.“Është absolutisht e qartë se Shqipëria është Europa dhe duhet të largohemi nga retorika se ju keni rrugë europiane. Ju jeni rrugës drejt BE-së”, ka deklaruar Mogherini.
Shefja e diplomacisë sw BE ka thënë se Bashkimi Europian nuk ka për të qenë i plotë derisa Shqipëria të jetë pjesë e tij, por i takon vendit tonë që të çojë përpara proceset integruese.
“Zgjerimi është një zgjedhje e përbashkët që ne po e bëjmë së bashku dhe ka të bëjë me vendime të përbashkëta që ne i ndajmë me njëri-tjetrin. Tani e ka Shqipëria në dorë të marrë hapin përpara”, ka thënë Mogherini.
Dhe në këtë drejtim, përfaqësuesja e Lartë ka nënvizuar se implementimi i reformës në drejtësi është diçka që i duhet Shqipërisë dhe jo Brukselit.
“Janë qytetarët që duan një reformë në drejtësi që shteti të funksionojë më mirë dhe jo Brukseli. Ndaj është përgjegjësi e institucioneve që ta përmbushin këtë reformë. Një sistem i pavarur i drejtësisë lufton krimin e organizuar, korrupsionin, do të tërheqë të rinjtë e interesuar për biznes dhe investitorët. Ka ardhur koha që Shqipëria të marrë hapat e duhura, ne nga ana jonë jemi gati të hapim negociatat”, ka thënë Mogherini.
Nuk ka mbetur jashtë fjalimit të saj edhe kriza politike në Shqipëri, për të cilën Përfaqësuesja e Lartë ka nënvizuar se problemet dhe kontestet duhen zgjidhur brenda dyerve të institucioneve.1 Basha Mogherini

BASHA-MOGHERINI:30 MINUTA NE “ROGNER”/

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim rreth 30 minuta me shefen për politikën e jashtme të BE, Federica Mogherini, të cilën e njohu me kushtet e protestës së opozitës dhe me situatën politike në vend.

Pas përfundimit të takimit mes tyre që u zhvillua në “Rogner”, Basha theksoi se diplomates së lartë të BE i bëri me dije se krijimi i qeverisë teknike është zgjidhja e vetme për organizimin e zgjedhje të lira dhe demokratike.

“E njoha konkretisht me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita për krizën e rëndë politike që vendi po kalon, i dështimit për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zonja Mogherini do të shprehet vet, nuk jam këtu të bëj zëdhënësin apo zëdhënësen e saj. Por, kauza jonë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga të gjithë ata që i duan të mirën Shqipërisë”, deklaroi kreu i demokratëve.

Lulzim Basha e konsideron kritike situatën aktuale politike, për të cilën bëri fajtor Kryeministrin Edi Rama, dhe u bëri thirrje forcave politike që t’i bashkohen kauzës opozitare.

“Shqipëria është një pacient me kancer që ka nevojë për një operacion të thellë. Qeveria teknike, që do t’i japë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e vetmja zgjidhje për t’i dhënë vendit rrugëdalje”, tha kryetari i PD Lulzim Basha.

Prenoncimi i plotë i Lulzim Bashës:

“Sapo përfundova një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, znj.Federica Mogherini. Pata rastin ta njoh konkretisht me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita për krizën e rëndë politike që vendi po kalon; i krimit të gjithëpushtetshëm të lidhur me pushtetin politik, i drogës dhe parave të drogës, i moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, i nxjerrjes së bandave dhe kriminelëve nga burgu me ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike të niveleve të larta, i dështimit për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2014 në Korçë, në 2015 anembanë vendit, në 2016 në Dibër, i dështimit për t’i dhënë vendit reformë zgjedhore si plotësimi i të gjitha kushteve për të hapur rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, vetëm përmes një qeverie teknike. Një qeverie të vullnetit të mirë që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke zbatuar deri në fund ligjin për dekriminalizimin, duke ndërmarrë një aksion energjik dhe efektiv kundër narkokultivimit, narkotrafikimit dhe parave të pista të drogës që sipas tashmë gjithë mediave botërore kërcënojnë zgjedhjet në Shqipëri, dhe duke krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pa dyshim duke i hapur kështu rrugë edhe zbatimit të reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut për të cilën Partia Demokratike dhe opozita kanë dhënë kontribut dhe janë krenar për kwtw.

Pyetje: Çfarë ju tha znj.Mogherini?

Basha: Zonja Mogherini do të shprehet vetë. Unë nuk jam këtu të bëj zëdhënësin e saj, por mund t’ju them se kauza jonë, kauza e qytetarëve shqiptarë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga të gjithë ata të cilët i kanë dashur dhe i duan të mirën Shqipërisë. Ata që na kanë shoqëruar në 26 vite tranzicion të vështirë e kuptojnë se Shqipëria me krimin e organizuar në pushtet dhe me problemin e jashtëzakonshëm të drogës nuk është një pacient me kollë që mund të shërohet me shurup, por është një pacient me kancer që ka nevojë  për një operacion të thellë.

Ftesa ime është që faktorët e përgjegjshëm politikë të bashkohen në një pakt kombëtar për të kryer këtë operacion përmes një qeverie teknike e cila do t’i japë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është në të njëjtën kohë edhe e vetmja rrugëdalje. Çdo rrugë tjetër e çon vendin në humnerë, në sundimin e krimit të organizuar për një kohë të gjatë, duke dëmtuar nw palcë interesin kombëtar dhe jetët e të gjithë shqiptarëve në vendin tonë.

Pyetje: Z.Basha do të shkoni të hënën në Parlament në seancën për ngritjen e komisioneve të Vetingut?

Basha: Nuk ka dhe nuk për të pasur Parlament tjetër përveç Sheshit të Lirisë, deri në arritjen e një pakti kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

 

Meta- Mogerini:Reforma në drejtësi të zbatohet sipas Kushtetutës, rrit besimin

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në avancimin e Shqipërisë drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim dhe në veçanti për asistencën e dhënë në kuadër të reformave kyçe.

Në këtë drejtim u theksua rëndësia e avancimit pa vonesa me zbatimin e reformimit të sistemit të drejtësisë në frymën e bashkëpunimit politik e institucional dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së miratuar me konsensus.

Kreu i Kuvendit theksoi se “një reformë e bazuar në kushtetutë e rrit besueshmërinë e procesit dhe e përshpejton zbatimin më cilësor të saj” me qëllim që Shqipëria të ketë mundësi t’a luftojë më mirë korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe për të krijuar një klime më të favorshme për investimet e huaja.

Gjatë takimit, Meta dhe Mogherini diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke ndarë bindjen e përbashkët se një Shqipëri e stabilizuar dhe konstruktive i shërben më mirë stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Filed Under: Politike Tagged With: Meta, Mogherini, Presidentti Nishani, Shqipëria është Europë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2162
  • 2163
  • 2164
  • 2165
  • 2166
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT