• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PANDEMIA GLOBALE, PSE NDODHI KATASTROFA NË LOMBARDI?

January 30, 2021 by dgreca

Dr. Adela Sulejmani bashkëthemeluese e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, pjesëmarrjen si kërkuese shkencore në një studim të zhvilluar në Spitalin e Desios, Lombardi dhe i shpjegon gazetarit të “Diellit” Sokol Paja, arsyet se pse Lombardia në Itali ishte ndër vendet më të goditura në botë nga pandemia globale COVID-19.

NJË STUDIM MBI KATASTROFËN NË LOMBARDI

Në Mars 2020, në kohën kur Italia ishte vendi i dytë më i prekur nga COVID-19 në të gjithë botën, në Spitalin e Desios, Lombardi u realizua një studim që përfshiu 175 pacientë COVID-19 të hospitalizuar. Në atë periudhë, kishte shumë pak të dhëna mbi COVID-19 ndërkohë që rastet rriteshin në mënyrë eksponeciale dhe numri i  personave që humbën jetën ishte në nivele shumë të larta. Rastet e COVID-19 në këtë studim ishin me  së shumti raste të rënda dhe karakterizoheshin nga pacientë të moshuar me më shumë se një sëmundje bashkëshoqëruese. Objektivi i këtij studimi ishte të vlerësonte ndërlidhjen midis gjendjes klinike të pacientëve, të dhënave laboratorike dhe radiografike në momentin e pranimit në Urgjencë, me rrezikun për prognozë të pafavorshme (humbje jete). Subjektet që nuk kërkonin shtrim në spital ose që u  transferuan në spitale të tjera u përjashtuan nga studimi. Pacientët u  ndanë në dy grupe në bazë të gravitetit të sëmundjes: në gjendje jo të rëndë (37  pacientë) dhe të rëndë (138 pacientë). Studimi u aprovua nga Komiteti Etik i Istituto Nazionale Malattie Lazaro Spallanzani, Romë.

KARAKTERISTIKAT DEMOGRAFIKE DHE KLINIKE TË PACIENTËVE

Mosha mesatare e pacientëve në studim ishte 71 vjeç nga të cilët 105 (60%) ishin mbi moshën  65vjeç. Shtatëdhjetë përqind e pacientëve ishin meshkuj dhe 30% femra. Shtatëdhjetë e nëntë përqind e tyre paraqisnin një ose më shumë sëmundje shoqëruese.  Simptomat më të shpeshta të paraqitjes në urgjencë ishin vështirësia në frymëmarrje, ethe dhe kollë. Pothuajse gjysma e  pacientëve nuk kishin temperaturë; duke treguar se kjo shenjë mund të mos jetë tipar i  fazes së hershme të sëmundjes. Nga 175 pacientë, 23% u shtruan në terapi intensive. Gjashtëdhjetë e  dy pacientë humbën jetën  gjatë shtrimit në spital dhe 61 prej tyre ishin në gjendje të rëndë.  Pacientët në grupin e jo të mbijetuarve ishin më të moshuar (80 ndaj 62 vjeç)  dhe kishin më shumë sëmundje bashkëshoqëruese (93% kundrejt 73%) në veçanti,  sëmundje kardiovaskulare dhe diabet. Gjithashtu kishin saturim më të ulët të oksigjenit në gjak (86 ndaj 92 %) dhe PaO2 / FIO2 (206 kundrejt 307). Një përqindje më e lartë e të mbijetuarve, kishin bërë një trajtim me  antibiotikë para mbërritjes në urgjencë (41 kundrejt 19%). Sëmundjet,  siç janë sëmundjet kardiovaskulare dhe  diabeti, ishin të shoqëruara me një rritje 2.8 herë dhe 3.9  të rrezikut për prognozë të pafavorshme, përkatësisht.  Të dhënat nga ky studim konfirmojnë që vdekshmëria ishte rreth 20 herë më e lartë në pacientët mbi moshën 65 vjeç. Inflamacioni kronik si  dhe kapaciteti i ulur për të kompensuar hipoksinë mund të jetë një shpjegim i mundshëm. Rreth 23%  e popullsisë italiane është mbi 65 vjeç dhe COVID-19  paraqet një kërcënim serioz kryesisht për këtë grup moshë. Shumica e pacientëve që ishin në gjendje të rëndë ose që humben jetën vuanin nga sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe tumore.

TË DHËNAT LABORATORIKE TË STUDIMIT

Analizat e gjakut treguan leukocitozë (rritja e rruzave të bardha në gjak) në 18% dhe leukopeni (uljae rruzave të bardha në gjak) në 14% të rasteve. Më shumë se gjysma e pacientëve paraqisninlimfocitopeni (ulja e limfociteve) dhe 20% trombocitopeni (ulja e pllakëzave të gjakut). Pacientët qëhumbën jetën kishin nivele të hemoglobinës më të ulta në krahasim me të mbijetuarit. Gjithashtu,leukocitoza dhe limfocitopenia ishin më të shpeshta. Treguesit e keq funksionimit të veshkave (kreatinina dhe urea), të inflamacionit (PCR dhe PCT) dhe treguesit e koagulimit (aPTT, INR dheD-Dimer), ishin më të larta tek pacientët që humbën jetën. Gjithashtu paraqitën nivele të larta të kreatininëkinazës (CK)  dhe troponinës. Pacientët në këtë studim   zakonisht  paraqitnin nivele normale të prokalcitoninës, ndërsa rezultatet e proteinës C-reaktive ishin gjithmonë të larta, duke sugjeruar që këto indekse inflamatore janë të rëndësishme gjatë proçesit të diagnozës diferenciale të një rasti të dyshuar COVID-19. U vu re se kreatinina e lartë (dëmtim akut i veshkave), faktorë të pavarur të rrezikut dhe nivelet e CK ishin të lidhura duke i bërë këto të dhëna thelbësore për identifikimin në kohë të pacientëve me rrezik më të lartë për rezultate negative.

PACIENTËT ME PNEUMONI BILATERALE

Shumica e rasteve COVID-19 nuk zhvillojnë pneumoni. Radiografia mund të jetë normale në rastet me COVID-19, veçanërisht në fazat e hershme të sëmundjes. Përfshirja bilaterale e mushkërive është e zakonshme tek të sëmurët rëndë dhe sidomos në fazat e avancuara të sëmundjes. Në studimin tonë, vetëm shtatë   pacientë nuk paraqitën ndonjë ndryshim në   radiografinë e mushkërive. 64% e pacientëve paraqisnin pneumoni bilaterale, me një prevalencë më të lartë nëgrupin e pacientëve në gjendje të rëndë dhe 21% pneumoni të njëanshme. Ky studim tregoi se humbja e jetës ishte më e lartë në pacientët e moshuar dhe në gjendje të rëndë, me prekje të funksionit të mushkërive dhe që paraqisnin vlerat e kreatininës dhe kreatinëkinazës mbi normë gjatë  pranimit në Urgjencë. Të dhënat e mësipërme mund të kontribuojnë për të identifikuar herët faktorët e rrezikut për një prognozë të pafavorshme, dhe për të zgjedhur menaxhimin më të përshtatshëm për pacientët.

FAKTORËT QË ÇUAN NË KOLAPS SISTEMIN

Sistemi shëndetesor në Itali e gjeti veten të papërgatitur për t’u përballur me pandeminë COVID-19. Lombardia ishte vatra e parë e emergjencës COVID-19 në Itali, dhe e dyta në të gjithë botën, pas Kinës. Për shkak të numrit të limituar të stafit shëndetësor, të shtretërve dhe aparaturave  mjekësore, Lombardia pati vështirësi për të përballuar rritjen eksponenciale të rasteve COVID-19. Shumë spitale organizuan reparte të veçanta për pacientët COVID-19 duke forcuar masat mbrojtëse. I gjithë stafi shëndetësor u përball me sfida dhe sakrifica të mëdha. Shume kolegë u infektuan dhe shumë të tjerë humbën jetën në këtë pandemi. Në Mars, në Itali pati hezitime dhe skepticizëm në lidhje me gravitetin e këtij virusi pavarësisht se shumë komitete shkencore kishin  paralajmëruar për një gjendje të jashtëzakoshme. U desh kohë që të vendosej karantina totale, të bëhej gjurmimi i kontakteve dhe të vendosej detyrimi mbi maskat, ndërkohë që numri i rasteve rritej.

VAKSINAT SHËNOJNË FILLIMIN E FUNDIT TË PANDEMISË

Ka qenë një vit i vështirë për të gjithë me humbje njerëzore, me frikë, izolim dhe në shumë raste pa fuqi për të ndryshuar situatën. Prodhimi dhe miratimi i vaksinave të sigurta dhe efektive ndaj  COVID-19, në dispozicion për njerëzit në të gjithë botën është një arritje vërtet e  jashtëzakonshme,  duke ofruar shpresë se fundi i kësaj pandemie është afër. Vaksinat e  aprovuara kanë kaluar të tre fazat e studimit klinik,  dhe efektet anësore më të shpeshta të raportuara nuk kanë qenë të rënda. Madje edhe reaksionet alergjike, të cilat janë shumë të rralla,  mund të kontrollohen në mënyrë ambulatoriale, siç ndodh me vaksinat e tjera. Italia ka filluar ‘fazën e parë’ të fushatës të vaksinimit, me injeksionet e para në 27 Dhjetor, 2020. Vaksinimi nuk është i detyrueshëm në Itali, por është fortësisht i rekomandueshem dhe ofrohet falas. Kjo faze synon të vaksinojë 5 përqind të popullsisë së përgjithshme dhe synon vaksinimin e  stafit shëndetësor të vijës së parë, azilet dhe personat e moshuar mbi 80 vjeç. Pjesëmarrja shumë e  lartë e stafit shëndetësor në këtë fushatë vaksinimi, është dëshmia më e  vërtetë për të hedhur poshtë të gjitha teoritë konspirative dhe keqinformimet mbi efektet e vaksinave. Personalisht, e  kam bërë dozën e pare të vaksinës në datën 8 janar dhe dozën e dytë në datën 29 janar. Përveç se një dhimbje të moderuar në vendin e injeksionit, që zgjati vetëm një ditë, nuk pata asnjë efekt tjetër anësor dhe asnjë shqetësim. Vaksinimi është një akt i përgjegjësisë qytetare, i  dashurisë për jetën dhe për të tjerët dhe shpresoj që do të jemi të shumtë ne që besojmë te shkenca dhe që  do të vaksinohemi. 

Filed Under: Sociale Tagged With: Dr. Adela Sulejmani, Sokol Paja

KUR LEKA ZOGU KERKONTE BASHKIMIN E SHQIPERISE ME KOSOVEN PER TE RREZUAR DIKTATUREN

January 30, 2021 by dgreca

L’UNITÀ (1991) / LEKA ZOGU I, SHQIPTARËVE TË SHQIPËRISË DHE TË KOSOVËS : “BASHKOHUNI PËR TË PËRMBYSUR REGJIMET ANTISHQIPTARE DHE SLLAVO-KOMUNISTE!”/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Janar 2021/*

“L’Unità” ka botuar, të martën e 12 marsit 1991, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me thirrjet për kryengritje të Leka Zogut I ndaj shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

–“Mbreti” në mërgim Leka nxit shqiptarët për kryengritje

Tirana. Anija “Tirana” me dy mijë shtetas shqiptarë me dëshirën për t’u kthyer në shtëpi pas azilit të shkurtër dhe fatkeq italian zbarkoi natën midis të dielës dhe të hënës në portin e Durrësit. Ata u pritën nga të afërmit dhe miqtë, dhe një turmë policësh dhe ushtarësh.

Nën dritën verbuese të fotoelektrikëve, zbarkimi ndodhi në një mënyrë të rregullt, pa incidente. Autobusët dhe kamionët e vënë në dispozicion nga autoritetet po prisnin në port. “Veteranët – të rraskapiturit” hipën dhe u dërguan në vendet e tyre përkatëse të banimit.

Të gjithë dukeshin të ngushëlluar nga garancia që përpjekja aventureske klandestine në mërgim nuk do të çonte në marrjen e masave ndëshkuese ndaj tyre në atdhe.

Ndërkohë, duke nuhatur ajrin e stuhishëm që fryn mbi vendin e origjinës, Mbreti aspirues Leka, në mërgim në Afrikën e Jugut, por që aktualisht ndodhet në Bruksel, i nxit bashkatdhetarët e tij të ngrihen dhe të përmbysin qeverinë.

Thirrja u drejtohet jo vetëm shqiptarëve të Shqipërisë por edhe atyre të Kosovës, një krahinë jugosllave. Leka u bën thirrje shqiptarëve të mos ikin dhe të bashkohen për të përmbysur regjimet “antishqiptare dhe sllavo-komuniste”.

Në thirrjen e tij, Leka premton një amnisti totale për anëtarët e forcave të armatosura dhe policinë e lartë sekrete (Sigurimin) nëse ata dezertojnë dhe “bashkojnë përpjekjet e tyre me ato të njerëzve për të rrëzuar regjimin e paligjshëm komunist”. Leka bën thirrje gjithashtu për bojkot të zgjedhjeve “të paligjshme” të planifikuara me 31 Mars në Shqipëri.

Një delegacion nga Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut vizitoi tre burgje në Shqipëri, përfshirë burgun famëkeq të Burrelit, ku, megjithë mohimet zyrtare, po mbahen edhe kundërshtarë politikë. Kushtet e jetesës në burgje përcaktohen si “çnjerëzore”.

*Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

Filed Under: Fejton Tagged With: Aurenc Bebja, Leka Zogu

KUJTESA- Në 105 vjetorin e ditëlindjes së Dr.Lazer Radit!

January 29, 2021 by dgreca

U kujtofsh ndër breza Dr.Lazer Radi!

46 vjet i burgosur i internuar nën diktaturë familjarisht

Kur më futën në burg/ lashë gruan me gjithë vajzë/ kur dola nga burgu, gjeta gruan në burg dhe vajzën të vdekur.  Nga libri: “Muret e muzgut”

Ju jeni bard i kulturës kombëtare, ku mund të kuvendohet burrërisht në odat e shtruara me qilimat me ngjyrat marramendëse, ju i latë popullit tuaj lehonë në shekullin e ri, djepin me shqiponjen e lirë dhe ne këndojmë këngët e pakëndueme këngët që t’i kemi borxh përjetësisht…  Ju jeni prijëtar që ndalon tehet e bardha të thikave mbi kokat e zogjve dhe ecën përpara me ballin që praron vetëm fllad lirie, edhe pse shtëllunga mjegulle të zeza ende fshihen pas plisit tënd të bardhë si bora e bjeshkëve.  E në këtë fantazi me ëndrrat e tua mbush qiellin me yje zjarr.  Në qerpik të yjeve zë rrënjë dhimbja që bëhet mal.

Në këtë 105 vjetor fjalët shqip në librat e tu më bëhen jehonë që vijnë nga bjeshkët e nëmuna ndërsa ti si Pëllumb Paqeje fluturon për të takuar miqtë e besës dhe tund kujtesën mjerisht të ndërtuar mbi themele harrese… Në këtë përvjetor me fjalën e parë shqip që ju kujtoj, është poezia e shkruar nga ju me titull “Abetarja”, që është libri i shenjtë i shqiptarëve. Dhe ja disa vargje të saj: “Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/”.

Në këtë 105 vjetor ndez një qiri në shenjë përshpirtjeje të përëndishme e lutem në shenjtërinë e fjalëve si para një shenjti dhe bëhem manushaqez naimjane e mpitë dhe e qetë.

Çdo shkronjë në librat tuaj është frymë, është ajër, është metaforë e gjelbërt, si sytë e vashës që të kishin magjepsur në rininë studentore. Ju qëndroni si ciceron nëpër muzeume dhe rrëfen historinë sa tragjike dhe të bukur të kombit tënd. Ecën nga njeri pavion në tjetrin me një trok shekulli të pandalur dhe pas një pushimi zanor lëshon në qiell një tufë pulëbardhash për të ikurit si ty, për të ikurit prej Soi.  Petalet e shpirtit tuaj puthin me mall që djeg zhur, gërmat e ndritura shqipe, dhe rinisin një këngë që s’do të mbarojë kurrë.  Së bashku rinisim një melodi të pakëndueme, një melodi kujtese që çan gjokset e maleve hijerëndë.

Keze Kozeta Zylo, 29 Janar, 2021 , New York

Filed Under: Featured Tagged With: 105 Vjet, Dr. Lazer Radit, Kozeta Zylo

IZRAELI NJEH KOSOVEN

January 29, 2021 by dgreca

-ME 1 SHKURT 2021- KOSOVA DHE IZRAELI LIDHIN MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE/

Në 1 Shkurt  2021 Kosova dhe Izraeli lidhin marrëdhëniet diplomatike/

-Ministria Kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës: Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

PRISHTINË, 29 Janar 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:

Republika e Kosovës po hyn në një etapë të re historike me Shtetin e Izraelit. Shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po konsolidohet fuqishëm.

Ditën e Hënë me datë 1 Shkurt, me një ceremoni solemne virtuale, do të firmoset formalizimi i marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.  

Firmosja zyrtare e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, z. Gabriel Ashkenazi.

Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, është shprehur me këtë rast shefja e diplomacisë kosovare, duke shtuar se Kosova është përjetësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për detajet e ceremonisë mediat vendore e ndërkombëtare do të njoftohen me kohë.

Me rëndësi:

Linku i video mesazhit të Ministres znj.Meliza Haradinaj-Stublla.

https://www.facebook.com/105233457889389/posts/232950885117645/

Filed Under: Featured Tagged With: Izraeli, Kosova-Izrael, njohja

Proces e mekanizëm

January 29, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/ Njerëzimi është ende në zhvillim, dhe kjo prirje nuk ka gjasa të ndalet. Si specie, njerëzit kanë populluar pothuajse çdo cep të Tokës, duke zhvilluar e përhapur teknologji dhe kultura të cilat formojnë botën tonë.
Ideja e ‘përzgjedhjes natyrore’ ose ‘mbijetesës së më të fortit’ kishte kuptim në kohën e Epokës së Gurit kur njerëzit luftonin për copa mishi, por a vlen sot në epokën e teknologjisë? Përgjigjia e shkencëtarëve është unanimisht ‘po’, megjithatë thonë se “mund të kemi ide të gabuar se çfarë është në të vërtetë evolucioni.”
Evolucioni shpesh përdoret i këmbyeshëm me ‘mbijetesa e më të fortit’ ose ‘përzgjedhja natyrore’. Në të vërtetë, këto nuk janë krejt e njëjta gjë. Evolucion’ do të thotë proces i ndryshimit gradual. ‘Përzgjedhja natyrore’ është mekanizëm me të cilin evolucioni mund të ndodhë.
Kështu, një nga arsyet e dështimit të sistemit komunist është se përdori mekanizmin e gabuar të përgjedhjes jo-natyrore në të gjithë procesin e evoluimit; shoqërinë e ndau në klasa, duke përkrahur e forcuar njërën (me punë, shkollë e pozitë më të mirë), për të luftuar tjetrën (vrasje, burgosje përndjekje e internime) për shumë dekada. Ky trajtim krijoi disnivel të thellë zhvillimi mes shoqërisë e klasave sa që tani, një kohë 30 vjeçare vazhdon të quhet natyrshëm “periudhë tranzicioni”, pa e kuptuar sa qesharak tingëllon.
Asgjë nuk ka ndryshuar. E kaluara është ulur këmbëkryq. Shumë nga përfaqësuesit e ish klasës së shtypur ka ikur, të tjerë brenda vendit janë lëne jashtë sistemit. Ata që shtypnin vazhdojnë të shtypin lirshëm. Vërtet, një shoqëri maskash sundon, që kërcënon e frikëson. Pra, evolucioni nuk duhet kuptuar medoemos si përparim; Shqipëria është siç ka qenë; komunizmi evoluoi, në drejtim të kundërt; ‘mamuthët’ sundojnë, ata asnjëherë nuk e lëshuan pushtetin, vetëm sa larguan ‘armiqtë’, ose ata që nuk i duan.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Proces e mekanizëm

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 215
  • 216
  • 217
  • 218
  • 219
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT