• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria dhe Kosova drejt Bashkimit Evropian

March 1, 2017 by dgreca

unnamed (1)-Koordinim i aktiviteteve për të siguruar që legjislacioni i Bashkimit Evropian i përkthyer në Shqipëri dhe Kosovë ka një gjuhë unike juridike me qëllim të harmonizimt të legjislacionit tonë nacional. Takime zyrtare në Tiranë/

unnamed TIRANË, 1 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Mimoza Ahmetaj realizoi takime të ndara kortezie në Tiranë me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministren e Integrimit Evropain të Shqipërisë,  Klajda Gjosha.unnamed (2)

Gjatë takimit ministrat diskutuan ambientin politik në kuadër të BE-së dhe zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Shqipëri, përvojen e Shqipërisë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe shfrytëzimin e fondeve të BE-së për financimin e reformave të parapara me axhendën evropiane.Në takim me ministrin Bushati temë e diskutimit ishin zhvillimet aktuale në dy vendet tona, respektivisht avancimi me procesin e integrimit evropian. Te dy ministrat u pajtuan që të rritet koordinimi ndërmjet dy institucioneve tona si për të avancuar me implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ashtu edhe për të ecur përpara me axhendat evropiane të Shqipërisë dhe Kosovës.Ndërsa, në takim me ministren Gjosha u diskutua koordinimi ndërinstitucional për zbatimin e MSA-së, procesin e përafrimit dhe përkthimit të legjislacionit, si dhe programimin e fondeve te BE-se për të përkahur reformat në kuadër të procesit integrues. Pas takimit të dyja ministret ju drejtuan mediave në një konferencë për shtyp.

Ministrja Ahmetaj tha:  “Shqipëria ka bërë një progres të shkëlqyer që nga fillimi i procesit të integrimit Evropian, negociimit të MSA-së, përmbushjes së kritereve për statusin e kandidatit dhe tani gjindet pak kohë para nisjes së negociatave. Përvoja e krijuar në gjitha nivelet e institucioneve shqiptare është përvojë të cilën deshirojmë ta shfrytëzojmë për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës në procesin e integrimit Evropian. Poashtu, Republika e Kosovës është fare pranë Liberalizimit të Vizave. Në këtë drejtim përvoja e Shqipërisë në menaxhimin e procesit pas përfitimit të Liberalizimit të Vizave do të jetë e rëndësishme për institucionet e Kosovës”.
 Ministrja Gjosha nga ana e saj tha: “Dua të theksoj se Kosova dhe Shqipëria janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit dhe nga ana tjetër janë zotuar të jenë bashkë në këtë proces. Progresi i të dy vendeve është i qartë dhe i dukshëm.  Ato kanë çfarë t’i ofrojnë njëra-tjetrës në ekspertizë dhe legjislacionin përkthyer. Është e rëndësishme që vendet tona të  bëjnë hapa përpara ndaj ky bashkëpunim duhet të intensifikohet edhe më tej”.
Po ashtu, ministrja Ahmetaj dhe ministrja Gjosha hapën takimin e Komisionit të Përbashkët Teknik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për Përkthimin e Legjislacionit, i cili ka për qëllim koordinimin e aktiviteteve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për të siguruar që legjislacioni i BE-së i përkthyer në Shqipëri dhe Kosovë ka një gjuhë unike juridike me qëllim të harmonizimt të legjislacionit tonë nacional./b.j/
 

Filed Under: Kronike Tagged With: drejt Bashkimit Evropian, Shqiperia dhe Kosova

NJË E DIELË TEK “BIJTË E SHQIPES” NË FILADELFIA

March 1, 2017 by dgreca

Nga Vasil Filipi   /
05
Po bëja kohë që nuk kisha qenë tek shoqata “Bijtë e Shqies”. Puna, shkolla e fëmijëve, hallet dhe problemet e familjes ishin shkaku i kësaj shkëputje, prandaj vendosa që të dielën që po afrohej të shkoja tek ata. E dija qysh më parë që ditët e mërkurë, të shtunë dhe të dielë, në godinën e shoqatës, gjen anëtarë të këshillit drejtues, por vendosa të shkoj të dielën për arsy se në këtë ditë bën mësimin shkolla shqipe.              
            I hipa autobusit dhe zbrita në stacionin që është pranë shoqatës. Ato 150 deri 200 metër largësi që ndajnë stacionin ku zbrita, me godinën e shoqatës, i bëra në këmbë. Sëlargu vura re dy flamujt, atë amerikan dhe shqiptar që valviteshin mbi ndërtesë, dy simbole të dallushme që të lënë të kuptosh, për të gjithë kalimtarët, se në atë godinë zhvillon veprimtarinë një shoqatë Shqiptaro-Amerikane, Shoqata “Bijtë e Shqipes”, emri i së cilës lexohet qartë në tabelën e vendosur mbi hyrjen e godinës.
020306
   Dera e Qendrës Kulturore ose “Shtëpia e Shqiptarit” siç ia kanë vënë emrin bashkatdhetarët e Komunitetit Shqiptar të Filadelfias, ishte e mbyllur. Të paktën kështu dukej nga larg, çka më bëri të dyshoj se ndoshta këtë të dielë, shkolla mund të kishte pushim. U gabova sapo vura dorën mbi dorezën e derës, kur dëgjoj zërat e fëmijëve që këndonin Himnin Kombëtar.    
            Hapa derën me kujdes dhe pashë brenda grupin e fëmijëve, që me pëllëmbën e dorës së djathtë të vendosur pranë zemrës dhe me vështrimin nga qoshja e sallës, ku është vendosur flamuri shqiptar, sapo përfunduan së kënduari: “….Kush është burrë nuk friksohet/por vdes, por vdes si një dëshmor”. Në përfundim gjithë grupi duartrokiti. Duartrokita edh unë.         
            Mbas përfundimit të himnit, grupi u shpërbë në grupe më të vegjël, e me në krye mësueset, morën drejtimin për në klasat e tyre. Në sallën kryesore ngeli pjesa më e madhe e fëmijëve, të cilët u ulën pranë tavolinave të ndarë në dy grupe, ai i klasës së tretë dhe ai i klasës së dytë. Fëmijët e klasës së katër e të pestë zbritën poshte në sallën e bibliotekës së librit shqip “Prof. Anastas Dodi”, kurse ata më të vegjëlit, të klasës së parë, u ngjitën shkallëve për në katin e dytë.        
            Takuam disa nga anëtarët e këshillit drejtues që ishin aty në atë çast si: Tajar Domi, kryetari i shoqatës, Llazar Vero, Dritan Matraku, n/kryetar i dytë, Bujar Çela, Vlashi Fili, sekretar i shoqatës, si dhe prindërit: Milot Rukiqi, Fitim Hamza apo edhe Denis Çela, të cilët mbasi sjellin fëmijët në shkollë, për shkak të distancës së largët që banojnë, nuk largohen, por qëndrojnë aty deri në përfundim të mësimit.           
            Për të mos prishur qetësinë e mësimit dhe për të biseduar qetë, na ftojnë që të ulemi në klubin e shoqatës. Atje përpara një filxhani me kafe apo edhe një godë raki, që na i server me shumë kultutë z. Llazar Vero, fillojmë bisedën. Në krye të lokalit një televizor i madh, trasmetonte një kanal televiziv shqiptar. Duke zhvilluar bisedën me pyetje e përgjigje mësuam mbi organizimin dhe veprimtarinë e shkollës shqipe, në drejtim të cilit më pëlqente të dëgjoja më tepër. 
            Është i treti vit, që me propozim të mësueseve dhe miratim të tonë e të prindërve, kemi shtuar kohën e mësimit në shkollë, nga dy në tre orë. Kështu që tani mësimi fillon në ora 9 e 30 minuta dhe përfundon në ora 12 e 30 minuta, – filloi të më tregonte z. Tajar Domi, dhe më tej vazhdoi. Siç e dini, shkolla shqipe “Gjuha jonë” zhvillon mësimet në ciklin 5vjeçar, sipas klasave, nga e para, ajo e abetares, deri në të pestën, me programe të rregullta sipas lëndëve që zhvillojnë, për të cilat nxënësit, në fund të vitit shkollor testohen dhe vlerësohen:  
            Klasa e parë, abetare dhe këngë. 
            Klasa e dytë, lexim, njohuri fillestare në gjuhën shqipe dhe këngë.  
            Klasa e tretë, si klasa e dytë por më të avancuara.       
            Klasa e katërtë, lexim, gjuhë shqipe, njohuri mbi historinë dhe këngë.        
            Klasa e pestë, Lexim, gjuhë shqipe, histori dhe bashkëbisedim.         
            Një rëndësi të madhe mësueset i kushtojnë mësimit të vjershave dhe këngëve, të cilat përbëjnë edhe pjesën kryesore të programit që fëmijët tregojnë para prindërve në festat e fundvitit, për ato të 7-8 Marsit, festës së mësuesit dhe të nënës, si dhe në mbyllje të vitit shkollor kur shpërndahen dëftesat. Po qe se do të jeni mbas një jave, do të shikoni ato që fëmijët kanë përgatitur për festat e 7-8 Marsit
, – na ftoi z. Tajar. 
            Në përfundim të orarit të mësimit, një grup i zgjedhur i fëmijëve, që përbëjnë grupin artistik të shkollës, nën drejtimin e mjeshtrit, kompozitorit Hamdi Gjana, mësojnë këngët që z. Hamdi përgatit vazhdimisht për ta. Ky grup përfaqëson shkollën në festivalin e fëmijëve në Nju Jork, si dhe jep shfaqe në përfundim të vitit shkollor dhe në mbrëmjen festive të Pavarësisë së Shqipërisë.   
            Çdo muaj ne kemi caktuar një anëtarë të këshillit drejtues që kujdeset direkt për shkollën, pret e përciell fëmijët si dhe interesohet për ndonjë problem që mund të dali gjatë mësimit. Ja në këtë muaj e ka këtë detyrë z. Dritan Matraku. Kjo nuk do të thotë që të tjetrët nuk janë pranë shkollës çdo të dielë.
    
            Në bisedë e sipër vijnë edhe anëtarët e tjerë të këshillit drejtues, Sadik Elshani, Haki Çollaku, apo edhe Bashkim Bërdufi.       
            Ka prindër që janë larg prej këtu, – tregon z. Llazar Vero dhe mbasi sjellin fëmijët, nuk largohen, por qëndrojnë këtu deri në përfundim të mësimit. Gjatë kësaj kohe pijnë një kafe në lokalin tonë, apo shijojnë edhe ndonjë diçka tjetër si dhe shkëmbejnë biseda me ata që ndodhen aty. Pëveç këtyre, ka prindër që ose qëndrojnë mbasi sjellin fëmijët e pijnë një kafe e pastaj largohen për të ardhur përsëri në ora 12 e 30 minuta, ose vijnë para përfundimit të mësimit, e shijojnë kafenë, në pritje për të marë fëmijët. Për këtë qëllim shërben kjo sallë për të cilën e ngritëm para disa vitesh.    
            Zakonisht ne jemi këtu, të mërkurave, të shtunave dhe të dielave, vazhdon të tregojë z. Llazar. Këto janë tre ditë kur Qëndra Kulturore është e hapur për të gjithë, por kjo nuk do të thotë që nuk e hapim edhe në ditët e tjera, kur vijmë për punë e probleme të ndryshme të shoqatës. Orari përgjithësisht është ai që kemi edhe për shkollën shqipe, ditët e diela.
            Ndërkohë para se të fillonte pushimi, midis orëve të mësimit, erdhi dhe z. Bujar Gjoka, n/kryetar i parë dhe përgjegjës i financës së shoqatës. Ai solli disa ushqime dhe pije që kishte blerë për fëmijët.   
            Në pushimin midis orëve të mësimit, – filloi të tregonte ai, – ne u japim diçka fëmijëve, një pako të vogël me biskota, një vafer, ndonjë çokollatë si dhe ndonjë shishe ujë apo lëng frutash. Fëmijët e dinë këtë dhe sapo mësuesja njofton pushimin, ata afrohen pranë tavolinës ku janë përgatitur më parë ato që do u shpërndahen atyre. Për këtë interesohet ai që ka muajin e kujdesit të shkollës por edhe z. Tajar Domi, Llazar Vero si dhe ndonjë prindër, ku dallohet Milot Rukiqi apo edhe Fitim Hamza, që nuk përtojnë asnjëherë për t’u shërbyer fëmijëve. Në çdo fund muaji festojmë datëlindjet e atyre fëmijëve që e kanë patur atë festë, gjatë atij muaji. Për këtë shoqata jonë përgatit një tortë të madhe, ku sipër shënohen emrat e fëmijëve që kanë datëlindjen, por edhe prindërit e fëmijëve japin ndihmesën e tyre.      
            Në pushimin midis orëve të mësimit, u prish qetësia në Qendrën Kulturore. Fëmijët nga të gjitha klasat, u mblodhën në sallën kryesore. Kishin festimin e datëlindjes katër fëmijë: Amalia Molla, Aiden Sanxhaku, Elio Lefta dhe Vanesa Agolli. Femijet rrethuan bashkënxënësit e tyre që kishin datëlindjen dhe filluan këngën “Shumë urime për ju…..”. Mbas shuarjes së qirinjve z. Bujar Gjoka shpërndau dhuratat që ishin përgatitur për tad he pastaj të gjithë bashkë shijuan edhe tortën e datëlindjeve.
            Në pushim takuam edhe me grupin e mësueseve, që bisedonin dhe tregonin diçka nga ora e mësimit apo edhe shkëmbenin përvojën. U afruam tek grupi i tyre. Ishin Raimonda Bardhi, Kozara Doko, Irini Zenelaj, Shpresa Rama, që kanë vite që japin mësim në këtë shkollë, por edhe e reja Elvana Pone.           
            Sa bukur dhe emocionuse është kur dëgjon këta fëmijë të shkollës “Gjuha Jonë” të flasin drejt e pa gabime gjuhën shqipe, – filloi të na tregojë zonja Raimonda Bardhi, një nga mësueset më të vjetra dhe drejtore e kësaj shkolle. Por më bukur është kur shprehen nëpërmjet rrecitimeve me ndryshime të zërit, duke përciell të gjalla ato ndjenja dhe kulturë të trashëguara nga të parët tanë, nga pena e artë e Naimit, Migjenit, Gjergj Fishtës, Asdrenit,etj. Me të drejtë krenohemie themi: “Kemi bërë detyrën më humane në botë, duke përciell vlerat më të vyera të identitetit dhe kombit tonë, e ia lëmë trashëgim këtyre ëngjëjve për ta çuar më tej në rrugën tonë të diturisë.     
            Menduam të vizitonim edhe fëmijët në klasat e tyre. Në klasën e parë ku jep mësim mësuesja Irini Zenelaj, nxënësit po përgatisnin tre këngët e programit për festën e 7-8 Marsit. U ulëm në një nga bangat e klasës dhe ndoqëm përgatitjen e tyre. Nuk kisha si të mos emocionohesha, kur fëmijët këndonin në shqip aq bukur dhe me shoqërimin me duar që i bënin këngës, të kënaqnin pa masë. U bëra një foto dhe mbasi falenderuam mësuesen Irini, për pasionin që tregon ndaj fëmijëve, dolëm nga klasa me mbresat më të mira. Më klasat e dytë, të tretë, të katërtë e të pestë, ndoqëm për pak çaste mësimet në to dhe bëmë foto të fëmijëve duke ndjekur mësimet.  
            Siç na tha sekretari i shoqatës, vitet e fundit, numëri i nxënësve që ndjekin shkollën “Gjuha Jonë” është në shifrat 50 deri 60. Në vitin që po vazhdojmë janë rregjistruar 52 fëmijë. Por ne jemi të pakënaqur me këto shifra dhe duam të kemi sa më shumë fëmijë, mbasi numëri I familjeve shqiptare në Filadeffia I kalon 5.000. Deri sot nga kjo shkollë kanë përfunduar ciklin 5vjeçar rreth 600 fëmijë, shumica të lindur këtu, në Amerikë dhe që në përfundim të shkollës kanë marë dëshmine përkatëse.    
            Më tej ai vazhdon. E rëndësishme është që të flitet shqip në familje, mbasi në të kundërt edhe ajo që mësohet në shkollën tonë, harrohet në vitet në vazhdim.    
            Ai më tregoi edhe një poezi që kishte bërë duke u nisur nga pohimi që tha më sipër. E quajtëm me vend ta vendosnim në këtë reportazh.     
            FLISNI SHQIP. Jam i vogël, jam fëmi/Kam nevojë për ndihmën tuaj/Që në fis me njerëzit e mi/Mos ta kem si gjuhë të huaj/Shokëve dua që t’u them/Kjo është gjuhë e nënës time/Dhe krenar për ju të jem/Për së gjalli e ne kujtime/Ndaj ju prindër u kërkoj/Në shtëpi të flisni shqip/Që dhe unë ta mësoj/Ta mësoj e mos ta harroj.        
            Koha e mësimit mbarroi dhe fëmijët një e nga një, së bashku me prindërit e tyre u larguan nga shoqata. Qendra Kulturore ra përsëri në qetësi.
            U përshëndetëm me anëtarët e këshillit drejtues të shoqatës dhe u larguam me mbresat më të mira për këtë shkollë shqipe, që vazhdon pa ndërpreje, qysh prej 13 vitesh të “ushqejë” fëmijët e komunitetir shqitar në Filadelfia me një “ushqim” të veçantë, gjuhën shqipe. Urimet më të mira për këtë shkollë dhe Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që kujdeset për të. Pastë jetën e suksesshme dhe sa më të gjatë.
 
                                                             
            Filadelfia, 26 Shkurt 2017

Filed Under: Featured Tagged With: NJË E DIELË, TEK “BIJTË E SHQIPES”, Vasil Filipi

TESTAMENTIN E LOTIT NUK E TRESIN SHEKUJT

March 1, 2017 by dgreca

NGA  PËLLUMB  GORICA/

KOPERTINA E LIBRIT TESTAMENTI I LOTIT NEBIH BUNJAKU

(‘‘Testamenti i lotit’’, vëllim poetik nga Nebih Bunjaku)/Testamenti i lotit është i përjetshëm. Është një testament që buron nga dhimbja ndaj është i rëndë, sepse mbart me vete peshën e saj dhe gëzimin. Njeriu loton sepse është njeri, dhe këto lot burojnë nga ndjesi shpirtërore të lindura, nga gëzimet e mëdha, nga dhimbjet e mëdha. Njeriu, prandaj është në këtë botë që t’i përjetojë ato me dinjitet e me shpresë perëndie, të dyja, edhe fitoret, edhe humbjet.  Ndaj them që vëllimi poetik “Testamenti i lotit“ i poetit Nebih Bunjaku, është i ngjizur me qiej mjegullorë dhe gjemba hidhërimi si pasojë e ngjarjeve tragjike të Kosovës, sythe gëzimi të lumtur, fryt i zemrës dhe i mendjes, si bazë rrënjë plot pulsim i një të ardhmjeje plot hapësira. Poeti, duke dashur të depërtojë në çdo qelizë të jetës dhe të rrokë thelbin e gjëravë me të domosdoshme, e ndan vëllimin e tij “Testamenti i lotit”, në katër kapituj me tituj metaforikë, që të mbeten në mendje e nuk të shkulen lehtë, si “Testament i i lotit”; “Vula e shpirtit”; “Në ishullin e mallit” dhe “Stina e harrimit”.   Motiv kryesor i këtij libri, është qëndresa e një populli të lidhur ngushtë me tokën e tij dhe historinë, me diellin dhe shiun, me djersën dhe gjakun, përmes një dashurie të sinqertë e përherë të ndezur që përtërin brezat. Në këtë libër gjithçka është thënë përmes intensitetit të mendimit e ngjyrimit të vargut të qashtër poetik. Gjithmon sipas poetit, testament i lotit përshkruan breznitë, duke vulosur gjithçka me një shpirt që, herë përvëlon me zjarrin e dëshirave, herë vishet me pritje malli në ishullin e tij të lotit dhe pastaj ngjizet me ndjenjësi njerëzore, që të përjetohet pa e njohur kurrë stinën e harrimit. “Në ritualin e Pritjes/ Testament i lotit/ Lëbyrur nga dielli/ Lagur nga shiu”. (Poezia “Testamenti i lotit”)  Kur shkruan me një sintezë të fuqishme poeti dhe ashtu thjesht e natyrshëm ke kuptuar se simboli dielli dhe shiu përfaqësojnë dy botë krejtësisht të kundërta, botën e gëzimit dhe botën e vuajtjeve. Poezia e Nebih Bunjakut shkruar me pathos e dashuri, përshkon etapa të rëndësishme të historisë, dhe nxjerr në pah atdhedashurinë shqiptare, dashurinë vëllazërore dhe gëzimin mbarëshqiptar. Ekzistenca e kombit dhe psikologjia e tij është e lidhur me gjuhën dhe traditën, me legjendën dhe luftën, me tërësinë tokësore, duke përfshirë edhe Kosovën martire, edhe Çamërinë, dhe gjithë shqiptarët e shpërndarë nëpër botë, të cilët i bashkon një ideal, ku rrjedh i njëjti gjak në damarë dhe u kumbon ndjenja e fuqishme e lirisë. Ndaj poeti shkruan: “Lot i shpirtit Çamëri/ Lumë i dëbuar nga shtrati/ Kush t’i ngatërroi ëndrrat/ Djalli a lugati”. (Poezia “Lot i shpirtit Çamëri”). Është e qartë se autori ndërthur rrjedhat e dëshmive-kohë, për të kumtuar qëndresën e shqiptarit me rezistencën e tij ndaj rrebesheve të historisë, por edhe në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe zakoneve, dhe këto ai i portretizon nëpërmjet ngjarjeve historike, që mbajnë themelet e kombit tonë, nëpërmjet përkushtimit qytetar të heronjve, idealistëve, poetëve e artistëve. Këtë qëndresë poeti e simbolizon me “lisat që puthin hapësirat dhe shtrijnë rrënjët gjer në det”. Kullon shpirtësia e poetit e mbështjellë nga furtuna e dhimbjes së kohërave, të cilat zezonin qiellin gri të Kosovës. Ndaj ai shkruan me vargje që burojnë nga zemra e rrezatojnë jo vetëm dhimbje, por edhe respekt e kulturë si për heronjtë e Lidhjes së Prizrenit, po ashtu për Bekim Fehmiun, Ali Podrimjen, etj. “Ura e shenjtë u përkul për Ty/  S’rrodhi ujë por Lot Ali”. (Poezia “Rrugës pa kthim”, Ali Podrimjes)

Më bukur se poeti nuk e thotë askush tjetër botën e vrarë të emigrantit, që kanë fatin e keq të zvarriten udhëve të huaja. Në poezinë “Emigrant”me katër vargje plot sintezë e metaforë, poeti përshkruan takimin e dy botëve në një zemër të përvëluar për liri, një mendje të etur për ëndrra, që të tjerët i ndrydhën pa mëshirë. Veçse kjo poezi e thurur nga shpirti duhet lexuar përtej rreshtave për kalvarin e gjatë e tepër të mundimshëm të emigrantëve tanë udhëve të botës, ku pasqyrohet me së miri se sa e vështirë është të ndihesh i huaj në dhe të huaj. A thua ky fat do të vazhdojë të ndjekë edhe për dekada të tjera shqiptarin?: “Valixhja e vjetër me ëndrra plot/ Dhëmbja e botës emigrant/ Në zemër gjak në sy lot/ Varrin bosh shpirtin vakant”. (Poezia “Emigrant”)

Për poetin Nebih Bunjaku, që njeriu të sfidojë udhët e vështira të jetës, e dallgët e viteve, nuk mjafton vetëm trupi e mendja, por duhet edhe një botë e pasur shpirtërore, një zemër e madhe që të lindë vetëm dashuri e mirëkuptim, duhet deti i ndjenjave që të lindë këngën e durojë dhimbjen me dinjitet. Dhe duke nënkuptuar se baza e të gjitha përtëritjeve dhe e qëndresës është dashuria, poeti një cikël të bukur poezish ia kushton kësaj ndjenje të thellë njerëzore. Duke e konsideruar dashurinë si ndjenjë fisnike që buron forcë e shpërthen romantikë, dhe si domosdoshmëri për ripërtëritjen e jetës, poeti shkruan: “Ç’të bëj unë pa ty/ Si toka pa qiell/ Si qielli pa yje/ Si dita pa diell”. (Poezia “Ç’të bëj unë pa ty”) Dashurinë poeti e ngre deri në lartësi qiellore dhe e konsideron nënën e çdo mësimi: “Nëna e çdo mësimi/ Është veç dashuria/ Akademia e jetës/ Dhe vetë Perëndia”. ( Poezia “Akademia e jetës”) Jeta i ka dhe i pranon të gjitha, por edhe për njeriun që ka marrë misionin ta ndërtojë dhe ta dojë jetën, duhet t’i pranojë ashtu siç janë të gjitha, edhe të qeshurën, edhe vajin, edhe dashurinë, edhe hidhërimin, edhe lumturinë, edhe dhëmbjen… Dhe, në ndërthurjen e tyre merr kuptim ajo: “U martova me dhëmbjen/ Më të trishtën në botë/ Lulen e rinisë/ Ma kalbi me lot”.( Poezia “Martesë me dhimbjen”)

Në fund të librit “Testamenti i lotit“, të duket vetja sikur ke dalë nga një udhëtim i bukur, dhe pastaj je ulur të pushosh nën hijen e një lisi të moçëm, që nuk plaket kurrë, dhe aty nis e mendon për peripecitë e jetës, por bën seleksionim të atyre që të duhen, dhe s’të duhen dhe bilanci të del gjithmonë pozitiv. Kjo jetë ia vlen të jetohet, sepse, siç shkruan poeti: “Ne nuk jemi të humbur/ Jemi në themelet e Lirisë”.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Nebih Bunjaku, Pellumb Gorrica, TESTAMENTIN E LOTIT

LIBËR NGA SIRTARI:”Hyji në skëterrë”

March 1, 2017 by dgreca

ROMANI QË PËRMES RRËFIMEVE TË AT ZEF PLLUMIT SJELL ZËRIN E PËRJETIMEVE TË DHEMBJES SË NJË KOHE/

thumbnail_BALLINA E LIB RITMëhill Velaj: Hyji në skëterrë (roman), botoi SHB “Atunis”, Prishtinë 2016./

Nga Mikel GOJANI/

Shkrimtari, i cili jeton dhe vepron në Amerikë, përkatësisht në Stamfort, ka ardhur npara pak kohësh me romanin e tij të ri “Hyji në Skëterrë”, që duhet thënë se të ndihmon shumë të kuptosh jo vetëm nga teknika e romanit, por edhe të mësosh prej pjekurisë artistike të tij.Mëhill Velaj u lind në vitin 1957 në fshatin Gllogjan (Lugut i Baranit) – Pejë. Ka studiuar Gjuhë dhe letërsi shqipe. Ka punuar si mësimdhënës për nëntëmbëdhjetë vjet, derisa më 1998 ka migruar në Amerikë. Jeton në Stamford.   Me krijimtari letrare merret qysh herët. Shkruan poezi,prozë dhe publicistikë. Ka shkruar edhe për fëmijë. Në Amerikë ka vazhduar veprimtaritë e tij letrare dhe kulturore. Ishte nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, tash është anëtar i kryesisë së kësaj shoqate. Librat e tij janë botuar edhe në gjuhën angleze dhe gjuhë të tjera botërore.

VEPRIMTARIA LETRARE

Në vitin 2011 në manifestimin letrar dhe kulturor “ Dom Mikel Tarabulluzi” në Stubëll të Vitisë u laureua me Çmimin “Agim Ramadani”.  Deri me tash ka botuar këto vepra letrare:  Gërshetat e Aulonës, poezi (1995) Metamorfoza e rruzullit, poezi (2007), Lule që rritemi në gur, poezi (2009), Ishulli i pulëbardhës, novela e tregime (2009)  Unë e tij Etyde, poezi (2010) E nëse jeto jo, poezi (2010) Ourwalk in time, poezi në anglishte (2010), Qyqja në hanin e ferrit, poezi (2011) Në maje pene, publicistikë (2011) Kodi i parajsës (Codul Raiului), poezi në rumanishte (2011), Silueta e varrit (Ls Silhouettes de la tombe), poezi në frëngjishte (2012),  Unë e solla Doruntinën, tregime, (2012), 100 rrënjë të gjithit bohem, antologji poetike për Tahir Deskun (2012),  Me gjakftohtësi roman (2014), Përtej ëndrrave të mia, poezi (2015) Hyji në skëterrë, roman (2016) etj.Prozatori Velaj nëpërmjet këtij romani  bën përpjekje  për të shpalos tablo nga një periudhë tepër e trishte më esencat e saja tragjike, që në Shqipëri ka shkaktuar ideologjia ekstreme komuniste, e cila tehun e persekutimit e kishte të orientuar në drejtim të shtresës së intelektualëve, gjegjësisht të klerit katolik shqiptar,i cili gjatë viteve të sundimit të kësaj ideologjie përjetoi kalvarin më të tmerrshëm që njeh njerëzimi, duke u burgosur, vrarë dhe persekutuar në mënyrën me barbare. Nga kjo dorë tiranike u vranë qindra klerikë, mirëpo duke mos u gjunjëzuar asnjëherë para atyre xhelatëve.

FRYMËZIMI NGA ATË ZEF PLLUMI

Autorit Velaj, kësaj radhe, i frymëzuar është kryesisht nga libri dokumentar, “Rrno vetëm për me tregue”,  i fratit, i cili përjetoi persekutimin më makabër nga ajo ideologji, Atë Zef Pllumi.Në prologun e librit autori Velaj për lexuesit jep sqarimin më autentik rreth qëllimit të botimit të kësaj proze me përmbajtjen tematike, përkatësisht me temën bosht të hedhjes dritë mbi figurën e kryeprotagonistit të romanit, At Zef Pllumi, duke dhënë edhe personazhe të tjerë, që edhe më tepër i japin fuqi këtij vargu të prozës së gjatë.Në fillim të romanit, në prologun e tij, duke folur rreth këtij libri, autori Velaj shton se duke lexuar librin “Rrno vetëm për me tregue” të simbolit të ikonës së  qëndresës katolik në Shqipëri, At Zef Pllumi, më lindi ideja  që të shkruaja këtë roman  dhe t’ia përkushtoj atij. “Në të njëjtën kohë shfletova libra, gazeta të kohës, nga kujtimet e të burgosurve dhe të të përndjekurve politikë, kronikën e fatit të njerëzve që aspironin idealin e lirisë e të demokracisë, të vetëbesimit dhe të guximit të atyre që vdiqën dhe u shfarosën në kampet dhe burgjet komuniste, të optimizmit dhe të shpresës se atyre që mbijetuan skëterrës totalitare komuniste, shpirtit të sakrificës  dhe të vuajtjeve të familjeve të tyre në përballimin e situatave nga më të vështirat  në rrugëtimin e kaluarit të dhimbjeve e sakrificave, në kampet e internimit, gjurmët dhe vragat që ato kanë lënë nga ana fizike dhe shpirtërore për të mbijetuar. Frati mendjehollë kishte vuajtur 26 vite burg në kohën e regjimit të Enver Hoxhës”, shton ndër të tjera shkrimtari Velaj.

ROMANI HISTORIK

Libri i Velajt është një roman  historik në zhanrin e letërsisë dokumentare, i ndarë   në dhjetë kapituj tematikë, që krijojnë një strukturim unikat përmbajtjesor. Në dhjetë këta kapituj vërejmë ngjarje dhe situata nga më të ndryshmet, që dëshmojnë shpirtin titanik të atij individi të asaj kohë që përballej me atë realitet tepër të egër dhe vrastar, si dhe ngadhënjimin e tij ndaj asaj së keqe.Librit i paraprin një moto me fjalët e kryeprotagionistit të romanit Atë Zef Pllumit, i cili thotë:

Me thënë gjithçka për historinë,
Është me thënë më tepër se gjithçka.
Prandaj: Rrno vetëm për me tregue!
Beso për me shpresue…

(At Zef Pllumi, fq. 7)

Lajtmotivi i prozës së Velajt është jashtëzakonisht interesant dhe me skena tepër të larushme, por edhe interesante, që bëjnë prozën të lexohet me një frymë. Protagonistët e romanit, Arianiti dhe Maria, me  të cilët njëherësh edhe fillon romani, janë dy faktorë të cilët veç në fillim të ngjarjeve i japin shpirt prozës. Arianti, i cili kishte tre vajza, megjithatë pas tre vajzave ai dëshironte dhe priste të ketë djalë.  Dhe kjo dëshirë e tij u plotësua, ngase pa kaluar shumë kohë Maries i lind djalë. Arianiti e donte shumë gruan e tij po ashtu edhe fëmijët, të cilët ishin aq të mbarë sa që mendjen gjithherë e kishte vetëm tek ta. Arianiti shpeshherë mendonte  që ishte me fat që kishte një grua si Marien, për të gjitha vitet që kishte kaluar bashkë  deh ato që u kishin mbetur për të jetuar.

AT ZEF PLLUMI SJELL ZËRIN E DHEMBJES SË SHQIPËRISË

Traditat familjare dhe ritet e fesë katolike, besimin te Zoti, i ndiqnin me zell dhe dëshirë të madhe, dhe nuk linin festë dhe çdo të diel të shkonin te Kisha e Vjetër e Françeskanëve. Dardani shkonte gati çdo ditë për të marrë  mësimet e para në teologji  nga At Gjergji. Po ashtu, më vonë, faktorë të ndryshëm lanë gjurmë  në jetën e tij. Arianiti birit të tij dhjetëra herë i kishte treguar  historinë e vëllait të tij Dardanit, nga i cili edhe mori emrin.

Kaptinë të veçantë autori paraqet vijimi i Dardanit në liceun e qytetit, i cili kishte filluar të merrte mësimet e para në gjuhë të huaj dhe në filozofi klasike. Pas mbarimit të Kolegjit Françeskan Dardani nuk vonoi shumë dhe u shugurua meshtar, ku pas një kohe u kthye meshtar në kishën e fshatit, gjegjësisht të vendlindjes dhe kryente shërbesat fetare, po ashtu shkruante artikuj dhe shkrime të tjera, i cili pa kaluar shumë kohë arrestohet nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Një mëngjese pranvere dëgjohen disa të trokitura të rrëmbyeshme të portës së kishës, ku ishin  pjesëtarët e sigurimit të shtetit të cilët e kërkonin fratin. Frati nxitoi të hapte derën, meqenëse motra e tij, Martja, e cila çdo ditë pastronte kishën, edhe pse shunmë e trishtuar, ajo e ndoqi prapa të vëllanë. Dradani e hapi portën, ndërkaq ata Dardanit iu drejtuan me këto fjalë:

Ju jeni Dardan Drenicari, meshtari i kishës, -pyeti rreshteri.

Po, -iu përgjigj Dardami, duke e parë tinëz në sy.

Ju e keni shkruar këtë artikull, e pyeti përsëri rreshteri.

Po, iu përgjigj përsëri Dardani meshtari.

Në emër të popullit jeni i arrestuar, – i tha përsëri rreshteri dhe i dha shenj që  dy oficerëve të Sigurimit, që kishte në krah, për t’ia vënë prangat. Ashtu të prangosur  dhe në errësirë hipën  me forcë, duke e shtyrë xhipin e degës së Punëve të Brendshme, për ta çuar në birucat e burgut. E arrestuan pa i thënë arsyen  dhe pa ditur pse.  Në atë kohë ndodhte shpesh që oficerë të sigurimit  shkonin  nëpër shtëpitë e të përndjekurve  nga pushteti komunist dhe rrëmbenin djemtë dhe vajzat e tyre, por edhe të afërmit e tyre, i arrestonin dhe i degdisnin nëpër burgje dhe kampe burgimi dhe internimi të largëta dhe të tmerrshme… (fq. 81.)Motrës së Fratit Martes në ato momente të trandshme shpirtërore lotët i  shkisnin faqeve…Në vazhdim autori Velaj në mënyrën më brilante përshkruan përjetimet më të trishta që i i has frati në burgjet e errëta të Shqipërisë komuniste, duke filluar nga burgu i qytetit të Jugut dhe në shumë burgje të tjera.

Autori Velaj, me talentin e tij, me forcën e penës së tij, këtë përvojë e ka shndërruar në bukuri tronditëse artistike, në letërsi artistike,  ku gërshetohen, përmes mallit të pashterur për jetën, tragjikja e shkaktuar nga shteti, mirëpo, në fund edhe ngadhënjimi  kundrejt së keqes. Rreth 200 faqet e këtij libri, , lexohen si një roman, pra duke u bazuar tërësisht në librin dokumentar “Rrno vetëm me tregue” të  At Zef Pllumit, fryma humane e të cilit ngrihet mbi atë përditshmëri tiranike. Vlerë tjetër fondamentale është se të gjitha ngjarjet e ndërkallura të tij, shpesh të pabesueshme, janë të vërteta, të përjetuara nga At Pllumi  apo bashkëvuajtësit e tij. Sikurse libri dokumentar “Rrno vetëm me tregue”, po ashtu edhe romani “Hyji në skëterrë”, pra i bazuar në ngjarjet dhe situatat e librit të parë, janë një dëshmi e madhe dhe besnike me nivel të lartë artistik të një pjese të saj kohe skëterrë, që përjeton edhe “Hyji”, bashkë me arrestimin e bërë, duke kaluar nëpërmes hetuesisë  sfilitëse, gjyqit, dënimit, absurd dhe dhunues për sot, vetëm nga shkaku i “poezisë”, që është metaforë e njerëzores, e lirisë së brendshme, e ëndrrës dhe e kundërshtimit. Pastaj përjetimet e tij në burgje si një ferr real.Tablo interesante autori përshkruan edhe periudhën e kohës së lirimit të Atit;  kthimi i tij në vendlindje dhe hedhja e evokimeve në reminishencën e largët; njohja me persekutimet që u ishin bërë gjatë asaj kohe shumë klerikëve të tjerë, po ashtu edhe bashkëfshatarëve të tij etj., po ashtu edhe vazhdimi i misionit të cilit iu kishte përkushtuar qysh herët, deri në momentin e frymës së tij të fundit më 25 shtator 2007.

Pra, romani “Hyji në skëterrë”, i autorit Mëhill Velaj, është një roman që në mënyrën më mjeshtërore  përshkruan gjithë makthet që mund të kalonte një i dënuar për agjitacion e propagandë, në kufirin mes jetës dhe vdekjes, që ishte frati At Zef Pllumi. Në rreth 200 faqe  libër, të cilat të shtyjnë njëra pas tjetrës të lexosh edhe më, edhe më rrëfehen ngjarje, ndjesi, përshkrime dhe personazhe, të cilat në të gjitha rastet janë reale. Këtë dramë jetësore e  kishte vërtetuar vetë  protagonisti real At Zef Pllumi, në librin e tij tashmë të njohur, dhe nga cilat ngjarje ka ndërtuar këtë roman të bukur shkrimtari Velaj.Prandaj, krejt në fund mund të konstatojmë se At Zef Pllumi me rrëfimet dhe përjetimet e tij  sjell zërin e dhembjes së Shqipërisë, të  një kohe të dhimbshme dhe kreshpëruese.Këto ngjarje që i prezanton autori Velaj, mënyra e shtjellimit dhe aspektet tjera tepër të realizuara e bën këtë roman të veçantë e magjepsës, pasuri të letërsisë shqipe, në llojin e vet.

Filed Under: LETERSI Tagged With: LIBËR NGA SIRTARI, Mehill Velaj, Mikel Gojani, romani "Hyj ne sketere"

SHSHA NË ÇIKAGO:Shqiptarët në Maqedoni të kërkojnë ndryshime në Kushtetutë

March 1, 2017 by dgreca

Populli shqiptar në Maqedoni të dalë me kërkesën për ndryshimet e Kushtetutës/

Skender-Karaçica-autor

Nga Skënder Karaçica/Fryma nacionaliste e qarqeve sllavo-maqedone kundër shqiptarëve etnik në tokën dhe shtëpinë e vet,sa vjen e po merrë kahjen e krizës që mund të shpërthej në ndonjë konflikt ndëretnik,thuhet në fillim të reagimit të SHSHA-së në Çikago.Edhe në këto zgjedhje parlamentare populli shqiptar në hapësirën e vet etnike është gjetur në udhëkryqin e politikave të nëntotokës dhe të skenarëve të boshtit  pansllavistë të orkestruar nga Rusia,që për synim kanë sot e gjithditën të destabilizojnë Ballkanin dhe revanshimi kundër shqiptarëve për të vënë tiketën e ,,fajtorit,,kujdestar,,Në këto zgjedhje shqiptarët në Maqedoni shkuan të pa përgatitur dhe më një (platformë politike)që për mendimin tonë ajo nuk ka asnjë vlerë juridike,politike dhe diplomatike për kohën kur e kur populli shqiptar ende e ka statusin e pakicës kombëtare dhe jo shtetformues,që e vërteta tregon se bashkësia e shqiptarëve etnik në Maqedoni përbën popullin e dytë shumicë në hapësirën e vet etnike,thuhet në këtë reagim nga Çikago.

Çfarë ndodhi me zgjedhjet në Maqedoni dhe çështja e (pa)zgjidhur shqiptare,thuhet në reagimin e SHSHA-së që para opinionit del me disa të dhëna relevante që subjektet politike shqiptare nuk e thanë dhe tash sa kohë drojnë të thonë fondamentin e problemit të pa zgjidhur shqiptar në këto hapësira dhe në një shtet (tamponë zonë)për kohën kur qarqet pansllaviste i bënin pazaret në dëme të popullit shqiptar në Ballkan.Pse shqiptarët në këto zgjedhje nuk dolën me kërkesën e kohës për ndryshimet e Kushtetutës,ku populli shqiptar si popull i dytë shumicë të marrë subjektivitetin e barazisë kombëtare(shtetformues)dhe jo pozita e tij tash e një shekull të pakicës kombëtare që është pengesë e madhe për të sotmen dhe të ardhmen kombëtare në kohën e vlerave të demokracisë,vë në dukje SHSHA.Është paradoksale e kohës si është e mundur që dy partitë e bashkësisë maqedonase sllave të kenë 100 deputetë të zgjedhur në parlament,ndërsa bashkësia e shqiptarëve etnikë me 20 deputetë(?!?).Çfarë fituan shqiptarët dhe çfarë do të ndodh tutje?-pyet SHSHA në Çikago.Kësaj pyetjeje mund të thuhet se çështja shqiptare do të mbetët pengë e kohës dhe brenda kapertinave të Kushtetutës aktuale,ku bashkësia e maqedonasve sllav e kanë vënë në plan të parë se ,,shteti i Maqedionisë është i popullit maqedonas dhe të tjerëve,,(sic!).Ku na mbet bashkësia e shqiptarëve etnikë si popull i dytë shumicë që herë pas herë dëgjojmë e lexojmë manipulimet me ,,statistikat,,e përbërjes kombëtare të popullit shqiptar (herë 20-herë 25-herë në përqindjet e falsifikuara tash e një shekull.E vërteta qëndron këtë e pati thënë Samiti NATO në Çikago(2012)se në Maqedoni jetojnë 40 përqind të popullit të dytë shumicë të shqiptarëve dhe paragrafët kushtetuese duhet të ndryshohen dhe populli shqiptar të avancohet në shkallën e barazisë kombëtare (shtetformues).

Vetëm me ndryshimet e Kushtetutës aktuale mund të zgjidhet drejtë çështja shqiptare në Maqedoni dhe ky vend multietnik mund të mbijetojë në rrethanat e kohës dhe të rendit të ri botëror.Shqiptarët duhet sa më parë të lanë me një anë platformën politike dhe të kthehen në udhën e realitetit  kohë-hapësirë dhe të dalin me kërkesën imediate të kohës me kërkesën për ndryshimet e Kushtetutës aktuale dhe tek atëherë mund të nisin proceset e reja demokratike në këtë vend që ka ngelur në një pikë ,,referimi,,se Maqedionia është shtet vetëm për bashkësinë e maqedonasve sllav dhe jo për bashkësinë e dytë shumicë të shqiptarëve etnikë,e thotë zëshëm SHSHA në Çikago.Prandaj ky asociacioin politik-kombëtar kërkon që të nisë procesi për demokratizimin e këtij vendi,pozita e shqiptarëve të avancohet përmes Kushtetutës e jo përmes fjalëve nëpër tavolinat e politikës ditore në Shkup,thuhet në reagimin e SHSHA-së për të shtuar se poqese nuk zgjidhet çështja e (pa)zgjidhur shqiptare në Maqedoni,atëherë e përkrahim opcionin për ndarjen e këtij vendi që ndër vite ka luajtur rolin e (tamponë zonës)për Bullgarinë,Serbinë dhe Shqipërinë.

Për aktualitetin shqiptar dhe manipulimi me votën e lirë tregon se deri ku ka mbërri pozita e pavolitshme e popullit të dytë shumicë.Partitë politike dhe në rend të parë BDI e Ali Ahmetit mban përgjegjësinë kombëtare që kjo gjendje tashti ka mbëri deri këtu (të jesh apo të mos jesh)dhe nuk është e vërtetë se ka ,,humbur,,vota e shqiptarëve(!),thuhet në reagimin nga Çikago.Pse 70 mijë shqiptarë votuan për partinë e Zaevit?Çfarë loje është kjo dhe kush e kurdisi orën e djallit për shqiptarët,pyet me zërin e reagimit SHSHA.Për të hedh dritë në këtë rrafsh do të ishte mirë që Ali Ahmeti të japë dorëheqjen nga kreu i kësaj partie politike që tash e tetë vjetë me partnerin e kaulicionit me N.Gruevskin çështjen shqiptare e kanë përkdhelë me fjalë nga tavolinat politike e jo me ligjet e Kushtetutës(!).-thonë zëshëm në Çikago.Në këto zgjedhje shqiptarët po shkojnë me ,,flamurin,, si humbës dhe të denigruar në shkallë të pabarazisë kombëtare dhe me ligjet kushtetuerse si pakicë kombëtare që e ardhmja do të jetë e brishtë dhe pa përspektivë,e përfundon reagimin e vet SHSHA në Çikago.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: ndryshime ne Kushtetute, Shqiptaret ne Maedoni, Skender Karacica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2168
  • 2169
  • 2170
  • 2171
  • 2172
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT