• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dita e 6-të e grevës- Basha: Qeveri teknike, korrigjim i 7 ligjeve

February 23, 2017 by dgreca

1 basha-sot-696x392

Nga Enton Daci/Kryetari i opozitës, Basha deklaroi nga sheshi i lirisë së protestës qytetare se, PD dhe qytetarët nuk do të pranojnë kurrë zgjedhjen nën tutelën e parave të krimit dhe të drogës, ndërsa bëri thirrje që përballë ushtrisë së banditëve të ngrihet e gjithë shoqëria.“Mbrëmë, ambasadori i OSBE-së, Bern Borshard më në fund lëshoi kushtrimin për kauzën që ne kemi ngritur tash 3 vite. 2 miliardë euro të pista për të blerë zgjedhjet e shqiptarëve. Para të pista, qeveri e pistë, lojë e listë, zgjedhje të pista. Ne nuk do ta pranojmë kurrë. Koha ka ardhur që përballë banditëve të veshur me pushtet e pushtetit të përforcuar me banditë, të rreshtohemi të gjithë qytetarë të lirë të Shqipërisë, të rreshtohemi në këtë betejë për të sotmen e të nesërmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dënglat e tyre se ata duan reformën në drejtësi dhe ne nuk e duam, nuk i beson më askush. Nuk ka zog gomari t’i besojë. Nga vettingu i vërtetë dhe drejtësia e vërtetë ka frikë Edi Rama, ka frikë Vangjush Dako dhe bandat e lidhura me to”, tha Basha.

Basha tha se qëndresa e shqiptarëve sapo ka nisur dhe nga dita në ditë ajo do të bëhet edhe më e fuqishme.“Qëndresa jonë sapo ka filluar, beteja jonë po merr hov nga dita në ditë. Mbështetja për këtë betejë vjen nga e vërteta, se rrugë tjetër për Shqipërinë nuk ka. Rruga tjetër të çon në një republikë të kapur nga bandat dhe krimi ku çdo shqiptar do të jetë skllav i tyre. Se si funksionon kjo mund ta thotë mirë çdo durrsak. Durrësi është qyteti i parë që ka rënë peng i bandave dhe i krimit, por Durrësi sot është këtu, Durrësi është gati, të ngrihemi të gjithë për të refuzuar republikën e krimit dhe për t’i hapur rrugë të gjithë së bashku republikës së demokracisë së vërtetë, republikës së shtetit ligjor të vërtetë dhe drejtësisë së vërtetë”, tha Basha.Deputetët e opozitës e kanë zhvilluar seancën parlamentare jo në sallën e Kuvendit, por në sheshin e lirisë të protestës, duke dhënë një mesazh të qartë të mosnjohjes së institucioneve që janë kapur nga krimi. Basha i ka bërë thirrje deputetëve të tjerë që të braktisin godinën e Parlamentit dhe t’i bashkoheshin sheshit të protestave.“Anëtarë të këtij Parlamenti të vërtetë të Shqipërisë ku po ushtrohet prej gjashtë ditësh demokracia direkte, demokracia direkte, sepse krimi dhe droga kanë asgjësuar institucionet e tjera të shtetit. Sot nuk ka dy parlamente, por një parlament dhe ai ndodhet këtu në këtë shesh të lirisë me çdo qytetar, përfaqësues i drejtpërdrejtë i zërit dhe vullnetit të tij. Godina që i thotë vetes Parlament, është sot streha më e qartë e krimit, korrupsionit, mashtrimit dhe maskarallëkut.Mbrëmë i bëra një thirrje çdokujt, duke përfshirë edhe ata deputetë të së majtës që kanë një fije ndërgjegje dhe një fije kurajo, që ashtu si shqiptarët vranë frikën dhe u bashkuan të vijnë këtu në këtë parlament të vërtetë, të mos rrinë në strofullën e krimit, të mos i bëjnë fresk krimit, të mos bëhen pjesë e parlamentit fasadë dhe e demokracisë fasadë. Kjo thirrje qëndron”, tha Basha.

Gjashtë ditë nga protesta e opozitës

Kryetari i PD, Basha deklaroi sërish dje nga sheshi i protestës se, opozita nuk do të tërhiqet për asnjë moment nga protestat deri në fitoren e plotë të qëllimit për të bërë vendin me zgjedhje të lira.“Sot është një ditë e madhe për Shqipërinë jo vetëm sepse për të gjashtën ditë radhazi shqiptarët protestojnë pa pushim nga ky shesh i lirisë, por sepse anembanë vendit, frika po vritet, njerëzit po bashkohen, kurajo qytetare po ngrihet në nivele të papara e të padëgjuara që prej revolucionit demokratik të vitit 1990.Kjo është një lëvizje e madhe popullore, është një lëvizje e madhe kombëtare, kjo është mbi të gjitha lëvizja juaj të nderuar qytetarë dhe qytetare të Shqipërisë. Dhe Partia Demokratike ka nderin të jetë pjesë, të jetë në ballë të kësaj lëvizjeje dhe të mos ju lërë në baltë, deri në përmbysjen e republikës së krimit, deri në përmbysjen e republikës së korrupsionit dhe ndërtimin së bashku të një republike të vërtetë demokratike të qytetarëve shqiptarë.

Kjo nis me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë nuk ka e nuk do të ketë asnjë kompromis, për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë, qeveri teknike ose populli do të qëndrojë këtu e do të përballet deri në largimin e qeverisë së bërë njësh me krimin.Parlamenti i shqiptarëve, parlamenti i qytetarëve është këtu. Parlamenti i pastruar nga kriminelët dhe që i shërben me zërin e vet me vendimet e veta qytetarëve, është këtu. Atje është vetëm shtëpia e krimit. Në shtëpinë e krimit ka vetëm deputetë kokulur dhe deputetë që i shërbejnë fasadës. Në shtëpinë e lirisë çdo qytetar është përfaqësues sovran i popullit të vet dhe interesave të tij. Ndaj le ta kenë të qartë të gjithë ata që nuk e kanë dëgjuar zërin e popullit se tërheqje nuk do të ketë. Se nuk do të ketë asnjë hap mbrapa, se, ditë për ditë, ne do të avancojmë deri në fitoren e plotë të kauzës qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes largimit të kësaj qeverie dhe vendosjes së një qeverie tjetër që i garanton ato. Ditë për ditë shqiptarët po bashkohen”, tha Basha.

Kapja e drejtësisë, Rama-Meta, 29 kandidatë për 27 vende

Institucionet e reja të drejtësisë do të jenë nën kontrollin e plotë të mazhorancës. Kryetari i PD, Basha bëri të qartë se skema e re që kërkohet të votohet me imponim është kapja e drejtësisë nga Rama dhe Meta, të cilët në aleancë me njëri-tjetrin kanë arritur pazarin për të emëruar njerëzit e tyre në postet kryesore të drejtësisë. Nga 27 kandidatura në të tilla poste, Rama dhe Meta kanë paraqitur 29 të emëruar të tyre.“Nga ky shesh dua t’ia bëj fare të qartë atyre dhe çdokujt që mund të ketë gënjyer. Partia Demokratike e bëri detyrën e vet në Parlament. Ne e mbaruam detyrën tonë dhe jemi krenarë për ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë një drejtësie të pavarur që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin. Ishin ata që përjashtuan opozitën nga 7 ligjet duke thyer premtimin që dhanë përballë partnerëve tanë euroatlantikë. E përjashtuan me qëllim që të kapin institucionet e reja të drejtësisë. Sot, për këto institucione të reja të drejtësisë, kjo mazhorancë që e ka frikë reformën në drejtësi propozon 29 kandidatë për 27 pozicione. Pra, nuk ka zgjedhje, ka emërime. Edi Rama dhe Ilir Meta duan t’i emërojnë vetë në vend që të lejojnë zgjedhjen e më të mirëve, e më të aftëve, më të pakorruptuarve për të ndërtuar drejtësinë që duan shqiptarët. A mund ta pranojmë ne këtë?! A mund të pranoni një drejtësi të kapur nga Edi Rama?! Kujt i shërben një drejtësi e kapur nga Edi Rama?!”.Basha ka kërkuar korrigjim të 7 ligjeve në frymën e reformës të votuar me konsensus më 22 korrik në Parlament dhe jo në mënyrë të njëanshme.“Kurrsesi nuk mund ta pranojmë, por nëse në të vërtetë janë ata që nuk kanë frikë nga Vettingu, ju them që menjëherë pas paktit për një qeveri të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pas korrigjimit të 7 ligjeve sipas vërejtjeve konsensuale të opozitës, urdhëroni ta bëjmë vettingun e të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur. Kush ka frikë nga gjyqtarët dhe prokurorët e pakapur?! Ata që e kanë lidhur fatin e tyre me bandat?! Ata që kanë vjedhur dhe shpërdoruar qindra e miliona euro në çdo sektor apo opozita që e ka lidhur fatin e saj me fatin e qytetarëve shqiptarë?! Partia Demokratike do ta votojë dhe do ta çojë përpara reformën në drejtësi, por vetëm sipas përcaktimeve europiane të Kushtetutës së Shqipërisë, sipas votës historike të 22 korrikut. Ne do ta hapim këtë rrugë bashkë me qytetarët shqiptarë. Nëse nuk tremben nga drejtësia e pakapur le t’i hapin rrugë qeverisë teknike, le të ndryshojmë së bashku 7 ligjet që i bënë përshesh për të kapur drejtësinë dhe ne do të na kenë aty dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do ta zgjidhim çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe çështjen e drejtësisë së vërtetë për qytetarët shqiptarë”, tha Basha.

Marshi epik i banorëve të Zharrëzit

Kryetari i PD, Basha ka përshëndetur marshin epik të banorëve të Zharrëzit, të cilët janë nisur në këmbë drejt Tiranës me qëllim që zëri i tyre i revoltës të dëgjohet pas një periudhe të gjatë censure.“Dua të përshëndes sot në mënyrë të veçantë marshin epik të banorëve të Zharrëzit, të cilët po i afrohen ora-orës Tiranës, po i afrohen ora-orës sheshit të lirisë, parlamentit të qytetarëve shqiptarë, do t’i mirëpresim këtu këta njerëz të vuajtur, këta njerëz të nëpërkëmbur të zhvatur dhe të goditur rëndë nga arroganca, nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie. Por, do të mirëpresim kështu çdo qytetar që niset të bashkohet me këtë parlament të shqiptarëve, me këtë aulë dhe agorë të vërtetë të demokracisë shqiptare”, tha Basha.Basha ka përshëndetur edhe protestën e qytetarëve të Durrësit që janë ngritur kundër mafies së betonit të Gjushit në Durrës. “Dua të përshëndes të gjithë qytetarët e Durrësit, të cilët e kanë përdorur këtë parlament të vullnetit popullor sot për të denoncuar me fakte, për të denoncuar dhembjen e madhe që ky qytet ndjen. Sepse ka rënë peng i bandave, ka rënë në mëshirën e bandave, të cilat kanë emëruar në krye të punëve Vangjush Dakon, si përfaqësues dhe si menaxher të aferave të pista të krimit të organizuar.E kanë emëruar bashkë me Edi Ramën për t’iu shërbyer interesave të tyre dhe prandaj sot Durrësi është një qytet ku papunësia është ndër më të lartat në Shqipëri. Prandaj Durrësi sot është një qytet ku shëndetësia është përtokë. Prandaj Durrësi është sot një qytet ku nxënësit studiojnë në kushte të mjerueshme, ku ndihma ekonomike i jepet vetëm një numri shumë të vogël familjesh, ndërkohë që mijëra të tjera që kanë nevojë për këtë ndihmë, nuk e marrin. Është një qytet i mbifaturuar, i shkatërruar me këto gjoba energjie e uji. Është një qytet tipik i menaxhuar nga mafia, ku miliona euro beton hidhen për fasada, ndërkohë që qindra mijëra familjarë, çifte të reja nuk marrin dot kredi për strehim social. Të gjitha këto janë derivat i zgjedhjeve të shkatërruara të vitit 2015 ku Vangjush Dako me bandat mori Durrësin.Ja çfarë ndodh kur kapen zgjedhjet, ja çfarë ndodh kur krimi dikton zgjedhjet. Kjo është një orë e madhe e zgjimit kombëtar, është një orë zgjimi për Durrësin, është një orë zgjimi për gjithë Shqipërinë, është një vendim i pakthyeshëm. Kurrë më zgjedhje të kapura dhe të prishura nga krimi! Kurrë më zgjedhje me bandat! Vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme që nisin me largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij të inkriminuar e të korruptuar. Nisin me një pakt të madh kombëtar, për një qeveri të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Mbështetje amerikane për kauzën e zgjedhjeve të lira/1 johnShtetet e Bashkuara mbështesin protestën dhe betejën qytetare të shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mesazhi i mbështetjes i ka mbërritur Kryetarit të opozitës Basha nga anëtari i  Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit, republikani  John P. Cyrier, i cili shprehet në mesazhin e tij, se SHBA-të, do të mbështesin gjithmonë përpjekjet e popullit shqiptar për liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut. “I dashur Kryetar Basha. Ju lutem pranoni këtë mesazh të mbështetjes në përpjekjet paqësore të popullit shqiptar në betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se ata do të kenë mbështetjen tonë në përpjekjen për liri, demokraci dhe liritë individuale”, thuhet në mesazhin e zotit Cyrier.Ky nuk është mesazhi i parë që vjen nga përfaqësues të nivelit të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të përpjekjeve të opozitës për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një ditë para 18 shkurtit ishte Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Çështjet e Jashtme ai i cili, do të dërgonte mesazhin e parë për opozitën, dhe të qartë për mazhorancën. “I dashur Lulzim, ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e qytetarëve shqiptarë dhe betejën e tyre të drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se do të ketë gjithmonë mbështetjen tonë në kauzën e tij për liri dhe demokraci, shtet të së drejtës dhe liri njerëzore”, ishte mesazhi i kongresmenit amerikan.

Ai njihet si një ndër njerëzit më të besuar të Presidentit Trump, dhe një ndër tre kandidaturat për postin e Sekretarit të Shtetit. Kur kishin kaluar vetëm dy ditë nga fillimi i protestës së opozitës, një tjetër mesazh do të vinte nga Kongresi amerikan, këtë herë nga kongresmeni Robert Aderholt. Edhe ai ashtu si kolegu i tij Rohrabacher, do të mbështesë protestat e opozitës për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Unë mbështes fuqimisht, hapat e qytetarëve shqiptarë dhe betejës së tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në kauzën e tyre të drejtë për liri dhe demokraci, shtetin ligjor, si dhe lirinë individuale”, ishte mesazhi i zotit Aderholt, duke ngritur njëkohësisht dhe shqetësimin për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. “Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen në Shqipëri më 18 qershor 2017. Unë e kuptoj që, asnjë masë konkrete nuk është marrë në implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, si dhe në përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit.Manipulimi i zgjedhjeve vendore dhe raporti i OSBE/ODIHR mbetet një shqetësim, sidomos në lidhje me dhunimin e mundshëm të së drejtës themelore të shqiptarëve për të votuar të lirë”, thuhej në mesazhin e kongresmenit. Pra duket qartë se, Edi Rama nuk jep garanci se do të mbajë zgjedhje të lira, jo vetëm për opozitën shqiptare, por dhe për vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Spërdredhjet politike për të gjetur zëra të përhumbur në arenën ndërkombëtare, të cilat kundërshtojnë këtë fakt duket se janë të dështuara, para deklaratave të përfaqësuesve të lartë të SHBA.

Studentët i bashkohen protestës në shesh/1 studnetet-33-696x464Pasditen e ditës së gjashtë të protestës, studentë nga e gjithë Shqipëria iu bashkuan qëndresës së qytetarëve në Sheshin e Lirisë. Studentë nga Korça, Shkodra, Elbasani, Pogradeci, Durrësi ngritën shqetësimet lidhur me përditshmërinë në sistemin arsimor. Brikela është një studente e Universitetit të Korçës, me banim në Pogradec. Ajo u shpreh se shpenzimet për të udhëtuar drejt Korçës janë sakrificë e prindërve të saj. “Shpenzimet e shkollimit tim janë një sakrificë e babait tim, i cili gjithashtu ka mbetur pa punë, e kanë hequr. Aftësia e këtij kryeministri për të ndihmuar studentët ka mbaruar, pasi nuk ka më çfarë të japë për këtë vend”. Të tjerë studentë të filialeve të universiteteve publike në Shqipëri ngritën shqetësimet e tyre jo vetëm lidhur me sistemin arsimor kaotik sipas tyre, por edhe premtimeve të tjera të pambajtura të qeverisë.

Një studente e Universitetit të Korçës, banuese në Devoll iu drejtua godinës së Kryeministrisë për të pyetur se ku është ndihma ekonomike për familjet në nevojë. Kryedemokrati Lulzim Basha iu përgjigj shqetësimeve të studentëve të sjella nga anembanë Shqipërisë në sheshin e qëndresës qytetare. Sipas tij, sistemi i kësaj qeverie i ka shtyrë të rinjtë drejt rrugës së emigrimit, duke larguar kështu asetin më të vlefshëm që ka vendi ynë sot: rininë shqiptare. “Ilaçi për demokracinë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ky është ilaçi për demokracinë që e kthen pushtetin dhe vendimmarrjen tek ju, rinia dhe çdo shqiptar që kërkon të jetojë me djersën e ballit. Ne jemi gati të marrim përsipër përgjegjësitë që na takojnë për rininë, për studentët”.

Premtimet ndaj rinisë ua përsëriti edhe studentëve të Universiteteve publike shqiptare, të cilët udhëtojnë nga vendbanimi i tyre drejt qyteteve, ku sot gjenden filialet e universiteteve publike. “Qindra-mijëra studentë janë goditur sot për shkak të tarifave të larta të studimit, janë goditur sot për shkak të mbylljes së filialeve. Unë dua t’u them se, filialet e universiteteve publike që janë goditur nga kjo qeveri anti-arsim, nga kjo qeveri anti-kulturë, nga kjo qeveri anti-studentore do të rihapen dhe do të financohen plotësisht me fondet e taksapaguesve shqiptarë. Këto fonde nuk do të përfundojnë më në xhepat e klientëve të qeverisë, por do të financojnë arsimimin e fëmijëve shqiptarë në universitetet publike me tarifa të ulura, me tarifa të përballueshme dhe me filiale sa më pranë tyre”. Planin e ndihmës ndaj rinisë studentore, kreu i selisë blu, Basha e çon përtej sistemit të Arsimit të Lartë. “Stazhet janë një koncept europian. Unë i kam përjetuar gjatë kohës që studioja në Europën Perëndimore, kam parë se si i ndihmojnë studentët si një urë nga shkolla drejt tregut të punës. 70% e studentëve shqiptarë që kanë pasur mundësi të sigurojnë një stazh pune kanë siguruar një vend pune. Ndaj nuk është shpikje, nuk është propagandë, nuk është ofertë partiake. Eshtë oferta për të gjithë studentët shqiptarë dhe nesër do të jetë realitet. 10 mijë studentë shqiptarë në bazë të meritës së tyre do të kenë nga shteti shqiptar mbështetje financiare për një vit”. Një nga studentët pjesëmarrës e pyeti zotin Basha si ka ndërmend të përmirësojë situatën për studentët, të cilët sot po largohen nga vendi i tyre, kur Shqipëria është në një gjendje ekonomike si kjo e sotmja, e cila ka rënduar çdo familje shqiptare. Përgjigjen kryetari demokrat Basha e arsyetoi si më poshtë: “Klima ekonomike në Shqipëri është e rënduar, sepse fitimet e shqiptarëve kanë rënë. Taksat janë rritur, çmimet janë rritur, konkurenca është zeruar. Ky është sistemi që jemi ngritur të shembim këtu në këtë “Shesh të Lirisë”. Ju keni ardhur të kërkoni të drejtën tuaj për të konkuruar dhe ne do ta garantojmë këtë të drejtë së pari, duke sprapsur modelin e së keqes dhe duke u dhënë shqiptarëve dhe rinisë modelin e konkurencës së lirë. Ekonomia shqiptare do t’i përgjigjet platformës tonë të taksës së sheshtë, të qeverisë, e cila nuk qëndron përballë biznesit si xhandar, por është në krah të sipërmarrjes për interesin publik, për punësimin”. Rruga e vetme drejt një Shqipërie me standarde europiane për rininë dhe qytetarët për kryedemokratin Basha është sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që mund të vijnë vetëm përmes një qeverie teknike.

***

Berisha: Betejën do ta fitojmë me çdo çmim dhe me çdo kusht

1 berisha-1-696x498Ish-Kryeministri deklaroi dje nga sheshi i protestës qytetare se shqiptarët do ta fitojnë betejën me qeverinë e krimit dhe të bandave me çdo kusht dhe me çdo çmim. “Kjo është një betejë, të cilën ne do ta fitojmë me çdo çmim, me çdo kusht.Pra, kjo betejë është betejë për çdo të ri shqiptar. Pse ne jemi këtu? Ne jemi këtu për të nxjerrë Shqipërinë nga Kolumbi e Europës. Do u dërgoj një mesazh të gjithë atyre, të cilët verën që kaloi ose sot arritën të marrin para si punëtorë krahu në plantacionet e drogës. Vërtet që keni marrë një grusht para, por është e vërtetë që nesër a pasnesër dhe vitet që vijnë, do të detyroheni të shisni dhe lëkurën tuaj për të çdroguar fëmijët tuaj, sepse drogën, baronët e drogës po e fusin me shpejtësi në shkolla ndaj mos vrisni me drogë të ardhmen tuaj. Bashkohuni me ne, t’u japim vendin këtyre trafikantëve dhe banditëve që duan të helmojnë rininë me drogë, që duan të errësojnë të ardhmen e tyre”, tha Berisha.

Berisha tha se për të parën herë ai po zhvillonte një seancë parlamentare jo në sallën e Kuvendit, por me qytetarët. “Në karrierën time politike kjo është dita e parë e parlamentit me qytetarët dhe ju jap fjalën se ndihem 100 herë, në mos një mijë herë më i nderuar, më i lirë, më krenar sot këtu me ju se sa atje në atë sallë, me ata, të cilët e shndërruan Parlamentin në komunitetin e kriminelëve më të rrezikshëm të vendit”, tha Berisha.

Gazetat në Belgjikë: Mark Frroku, vrasës në Belgjikë, deputet në Shqipëri

Shndërrimi i Parlamentit në arenën e të inkriminuarve ishte një tjetër denoncim i ish-Kryeministri Berisha dje, i cili solli në vëmendje se mediat ndërkombëtare vijojnë të ngrejnë çështjen e deputetëve të inkriminuar në Parlamentin shqiptar. Berisha citoi artikullin e gazetës kryesore belge, e cila dje në një editorial të saj shkruante për Mark Frrokun, ndërsa në Belgjikë akuzohet për vrasje në Shqipëri mban mandatin e deputetit. Por rasti i Frrokut nuk është rasti i vetëm i një deputeti të inkriminuar në Parlament.

“Duke ardhur këtu më dërgon një qytetar një sms dhe unë do ja u tregoj se çfarë ishte. Gazeta kryesore e Belgjikës hapet sot në mëngjes përsëri me histori krimi të pushtetit shqiptar, ‘Mark Frroku, vrasës në Belgjikë dhe deputet në Shqipëri’. Artikulli thotë se prokurori në Shqipëri i kërkoi 16 vjet burg për vrasje, por artikulli sërish thotë, se kryeprokurori Rama po bën gjithçka për ta nxjerrë të pafajshëm. Artikulli thotë se i afërt dhe i mbrojtur nga pushteti, vrasësi deputet është i paprekshëm. Çdo herë që ulesha në Parlament dhe shihja këtë vrasës të shëmtuar në anën tjetër, ndjehesha në një vështirësi të jashtëzakonshme morale, në radhë të parë para jush të dashur qytetarë. Ktheja sytë në krahun tjetër, shikoja tjetrin kriminel, që në shkatërrim dhe shkelmim të plotë të traditës të tij familjare dhe të çdo tradite familjare shqiptare, kishte tregtuar vajzat e Lezhës, i kishte shtyrë ato drejt prostitucionit. Por nuk ishte i vetëm Ndoka aty. Aty ishin jo një apo dy, por mbi 19 si ky. Dhe ndonjëherë mendoja me vete, po të shkoj në një burg dhe të më nxjerrin përpara 140 të burgosur, a do të gjej kund dot 19 të burgosur më kriminelë se sa këta që kam sot në Parlament?! Dua t’u them se çështjen e krimit, PD dhe kryetari i saj, deputetët e saj e kapën në krye të radhës si një çështje jetike për ju dhe për vendin. Pikërisht se e kemi të tillë, dolëm jashtë Parlamentit. E bëmë çështjen e krimit në Shqipëri një çështje ndërkombëtare, çështje të Europës, çështja të Departamentit të Shtetit. Për herë të parë në memorien time, institucione të mëdha ndërkombëtare publikisht thanë se PD ka të drejtë që braktisi Parlamentin dhe ato iu imponuan kryebanditit”.

Policia nuk hapi hetim ndaj Ndokës për plagosjen

Bashkëpunimi i ngushtë i pushtetit me bandat u demonstrua edhe me ngjarjen e disa ditëve më parë në Lezhë, ku nipërit e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, i cili la mandatin për shkak të precedentëve kriminalë, dhunuan me armë ish-kreun e PS për këtë qark, por policia nuk regjistroi asnjë procedim penal ndaj tyre.

“Ka shumë njerëz që më thonë pse tregohesh kaq i ashpër, ju them se koha do e tregojë këtë. Shqipëria ka banditë dhe vrasës, por serial killer dhe kryebandit është ky këtu (Rama), sepse është ky që familjarisht është i lidhur me klanet e kokainës, është ky që çon të vëllain e tij shofer të Genc Xhixhës, bosit të kokainës së Xibrakës. Është ky ai që liron e mban në Parlament Mark Frrokun, është ky dhe jo ndonjë tjetër që përdor gjithë forcën e shtetit, madje edhe levat ndërkombëtare, për të mbrojtur një hajdut ordiner, një vrasës e kriminel si Armand Prenga, i cili shkon dhe qëllon në seli të komisariatit ata që shkuan e u ankuan për të”, tha Berisha.

Ai theksoi se është ky e jo ndonjë tjetër që liron Hakmarrjen për Drejtësi, të cilën e dënoi drejtësia kur socialistët ishin në pushtet. Berisha kujtoi se ish-ambasadori Jefrey bëri gjithçka që të bëhej drejtësia kur ekzekutuan pak metra prej nesh shoferin e prokurorit të Përgjithshëm. “Është ky kryebandit dhe vrasës serial, që Kostandinin e Luizës, pasi ekzekutoi 4 të rinj djem nënash në një mëngjes këtu në Tiranë, pasi kishte vrarë një tjetër të ri një vit më parë, e hoqi nga dënimi përjetë; dhe nxori në tapet të kuq nënën e tij si korbë e krimit, e cila në vend që të ndrydhej, të qante për krimin e shëmtuar të të birit, të qante për nënat që veshi në zi, dilte e rrihte gjoksin me një paranojak se po jepte dorëheqjen”, u shpreh ish-Kryeministri.

“Është ky dhe jo ndonjë tjetër, që mbante në zyra Shullazin dhe që e shtynte t’i thoshte rektorit tërhiqu se të marr djalin peng. Është ky ai i cili merr mesazhe nga Dritan Dajti, merr mesazhe nga Zani Çaushi, merr mesazhe nga vrasësit serialë dhe komunikon me ta si shok i tyre. Është ky dhe jo ndonjë tjetër, që pasi liroi Hakmarrjen për Drejtësi, ka dërguar Aldo Baren në gjykatë dhe u thotë gjyqtarëve  se me shpatën e Vettingut të drejtësisë do u presë kokën nëse nuk e lirojnë njeriun që preu koka njerëzish në Lushnjë dhe i përdorte si top futbolli.

Është ky kryebanditi, është ky serial killeri, është ky kryehajduti  i vendit, dhe derisa ne të mos bindim çdo shqiptar, përgjegjësia është e jona dhe jo e atyre që janë të pabindur. Duhet të ulemi një më një me çdo qytetar e t’i tregojmë se ja kush është ky që drejton sot ekzekutivin e vendit. A mundet ne të votojmë në këtë mënyrë?”, vijoi ish-Kryeministri.

“Çfarë ndodhi pardje në Lezhë? Nënprefektin e Lezhës, ish-kryetarin e PS, ish-deputetin e Lezhës, Agostin Marku i dalin banditët e drogës, nipat e Ndokës, e shtrijnë në mes të rrugës, i gjuajnë me revole dhe policia nuk guxon të hapë çështje, dhe vetëm pas reagimeve të fuqishme detyrohet ta bëjë. Por kur ata, për ish-kryetarin e tyre e bëjnë këtë, çfarë mendoni se do të bëjnë këta për votën tuaj, për fëmijët tuaj? Përkundrazi. Janë këta që shtypin si krimbat çdo qytetar që i nënshtrohet”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri theksoi se fundi i këtij pushteti që sot mbahet në këmbë nga bandat është i pashmangshëm.

“Ne, këtë betejë nuk e nisëm sot. Sot apo më 20 shkurt ne i vumë kurorën finale për të mos dalë kurrë nga kjo çadër të gjallë pa vendosur në vend ligjin, vullnetin tuaj, votën e lirë, të ardhmen e shqiptarëve.

Beteja me krimin është beteja më e vështirë, më e rrezishme, por absolutisht, me guximin e qytetarëve ai bëhet pluhur më shpejt se çdo gjë tjetër. Banditët me pushtet hiqen si trima, vrasin e presin, banditët nën presionin e ligjit gjejnë vrimat e miut për t’u futur dhe ata do t’i detyroni ju shumë shpejt t’i gjejnë”, tha Berisha.

Shqiptarët vranë frikën, 38 mijë të arrestuar më 2015

Prezenca masive e qytetarëve në protestën e 18 shkurtit dëshmoi se shqiptarët e kanë frikën dhe janë gati sot t’i japin fund regjimit të krimit në pushtet. Berisha kujtoi dje në bashkëbisedimin me protestuesit në çadrën e lirisë terrorin e ushtruar nga qeveria Rama përmes arrestimeve të pjesës më vulnerabël të shoqërisë, të varfërit e të pamundurit.

“A e dini ju se cili ka qenë mesazhi hyjnor që më ka ardhur mua nga 18 shkurti? Me qindra qytetarë më shkruanin ‘e vramë frikën sot dhe ne do të fitojmë’. Por a kishin të drejtë këta? Kishin, se bijtë e etërve xhelatë arrestuan sipas statistikave të tyre, në vitin 2015, 38 mijë qytetarë shqiptarë. Ata nuk ishin me imunitet si ne deputetët, nuk ishin të mëkëmbur, ata ishin të varfërit dhe hallexhinjtë e këtij vendi. Prej tyre, 22 mijë vetëm për llambën elektrike u futën në burg. Etërit e tyre ishin terroristë, etërit e tyre ishin kriminelët më të mëdhenj të historisë kombëtare, ata ekzekutuan me gjyq edhe pa gjyq me dhjetëra mijëra. Por në fushatën e arrestimeve në vitet ‘45-‘47 arrestuan 27 mijë shqiptarë, pra 10 mijë më pak se Edvin Kristaq Rama më 2017. Jam 100% i sigurt në fitore, kurrë në jetë nuk kam qenë më i sigurtë se sa sot në fitoren e kësaj beteje. Kam një thirrje. Këtu para jush, para se të mblidheshim një zonjë nga Durrësi lëshoi një kushtrim; i bëj thirrje intelektualëve të ngrihen, tha. Edhe unë u bëj thirrjen më miqësore intelektualëve të ngrihen. Ne intelektualët që kaluam vite e dekada në diktaturë e mbështetëm fuqishëm diktaturën qoftë me heshtjen tonë, duke qenë ne shumicë e heshtur diktatura jetoi nga viti në vit e nga dekada në dekadë, dhe kjo duhet të na shoqërojë gjithë jetën si një brejtje e madhe e ndërgjegjes. Dhe kjo duhet të jetë një thirrje e madhe që vjen nga thellësitë e ndërgjegjes tonë. Kurrë më të mos konformohemi, por të ngrihemi fuqishëm kundër të keqes çdo ditë”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri u bëri thirrje intelektualëve të mos heshtin ndaj situatës që sot ka përfshirë vendin.

“Intelektuale dhe intelektualë, edhe ju që nuk keni jetuar diktaturën, kujtoni një shprehje të Burkes, i cili thotë ‘e keqja nuk kërkon asgjë tjetër që të triumfojë përveç indiferencës së njerëzve të mirë’, përveç konformizmit të intelektualëve pra, përveç heshtjes së tyre. Mos u bëni bashkëfajtorë në këtë reagim kriminelësh, në këtë regjim banditësh, se ju që të gjithë mund të lexoni për politikën dhe do të gjeni se më i keqi i të gjitha regjimeve, më i keqi i të gjitha diktaturave dhe oligarkive është banditokracia. Ndaj të ngrihemi, frymëzohuni nga ata qindra e mijëra burra që vërshuan drejt Tiranës dhe erdhën këtu. Absolutisht të paktën 100 mijë prej tyre, erdhën me vullnetin e hekurt për ta fshirë nga faqja e dheut këtë ndërtesë dhe klikën e urryer. Por vendosën me përgjegjësi qytetare të qëndrojnë në fibrën e tyre qytetare, në guximin e tyre, të qëndrojnë të pamposhtur në këtë çadër, në çdo vend gjer në fitore”, u shpreh Berisha.(A Shahini)

Filed Under: Politike Tagged With: 7 ligjet, dita e 6-te, greva, Lulzim Basha, Qeveri teknike

Kosovë-Shefi i Shtabit të Ushtrisë së Maqedonisë vizitë zyrtare në FSK

February 23, 2017 by dgreca

-Dy gjeneralët, Rama dhe Velickovski, vlerësuan  bashkëpunimin e deritashëm si mjaft  të  frytshëm dhe theksuan që edhe në të ardhmen ta zgjerojnë këtë bashkëpunim edhe në fusha tjera, duke ndarë eksperienca bashkë/unnamed (2)

unnamed (1)

PRISHTINË, 23 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama priti sot në vizitë shefin e Shtabit të Ushtrisë të Republikës së Maqedonisë, gjenerallejtënant Metodija Velickovski, në krye të një delegacioni të lartë të Ushtrisë së Maqedonisë.Shefi i Shtabit të Maqedonisë u prit me ceremoni ushtarake nga Njësia Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së.Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant  Rrahman Rama dhe ministri Haki Demolli, ku ishte edhe zëvendësministri Muhamet Latifi, zhvilluan takime të ndara me shefin e Ushtrisë së Maqedonisë, gjeneralin Velickovski, të cilin e falënderuan për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë së Maqedonisë, si dhe e njoftuan me të arriturat e përgjithshme të FSK-së.Po ashtu, ministri dhe komandanti u shprehen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë dhe FSK-së me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Maqedonisë janë në nivel të lartë dhe treguan gatishmëri për vazhdimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi, duke u bazuar në raportet e mira ekzistuese dhe në konkretizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy forcave dhe të dy vendeve.

unnamed (4)Delegacioni maqedonas, ku ishin edhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, kolonelët Donche Kuzmanov, Zoran Dodevski dhe Goran Nelovski si dhe nënkolonelët Mile Markovski dhe Besnik Emini, zhvilloi një takim edhe me një delegacion të Ministrisë së FSK-së, të përbërë nga gjeneralët Bashkim Jashari, Zymer Halimi dhe Gëzim Hazrrolli, koloneli Fadil Hadërgjonaj dhe nënkolonelët Ali Krasniqi dhe Ismajl Brahimi. Me këtë rast nënkoloneli Agron Bajrami, drejtor i Departamentit për Transformim, Modernizim dhe Standardizim, mbajti një prezantim të shkurtër me temën “FSK dhe planifikimi për të ardhmen”.Delegacioni nga Maqedonia i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, vizituan Qendrën për Studime Universitare të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”, ku nga komandanti i saj, major Avni Kiqina, u njoftuan me aktivitetet e kësaj qendre. Me pas vizituan Regjimentin e Mbrojtjes Civile në Pomozotin, ku u pritën nga komandanti i  këtij regjimenti, kolonel Shaip Haziri, i cili përveç tjerash e njoftoi shefin e Shtabit të Ushtrisë së Maqedonisë edhe lidhur me funksionimin dhe kapacitetet e Qendrës Trajnuse të Kërkim-Shpëtimit.  Komandanti i FSK-së gjeneral Rama me shefin e Shtabit të Ushtrisë së Maqedonisë, gjeneralin Velickovski dhe së bashku me dy delegacionet, përcollën nga afër demonstrimin e pjesëtarëve të Kërkim-Shpëtimit Urban.Ndërsa shefi i Shtabit të Ushtrisë së Maqedonisë, gjenerallejtënant Metodija Velickovski, shprehu kënaqësi të veçantë për bashkëpunimin e mirë ndërmjet Ushtrisë së Maqedonisë dhe FSK-së si dhe përgëzoi pjesëtarët e FSK-së për demonstrimin e tyre  me sukses.  Ai ritheksoi gatishmërinë për bashkëpunim edhe në të ardhmen, qoftë  në fushën e arsimimit të  kadetëve të FSK-së (nga radhët e komuniteteve) në Akademinë Ushtarake në Shkup, qoftë me pjesëmarrje në trajnime të përbashkëta (kadetët) si në  Qendrën e  Kërkim- Shpëtimit këtu në Pomozotin apo në Poligonin Ushtarak në Krivollak.

Dy gjeneralët, Rama dhe Velickovski, vlerësuan  bashkëpunimin e deritashëm si mjaft  të  frytshëm dhe theksuan që edhe në të ardhmen ta zgjerojnë këtë bashkëpunim edhe në fusha tjera, duke ndarë eksperienca bashkë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Dy gjeneralët, Rama dhe Velickovski, vizitë zyrtare në FSK

Turpi Yne Kombetar- BBC: femrat shqiptare, më të trafikuarat në Britani

February 23, 2017 by dgreca

Gratë dhe vajzat e varfëra shqiptare përbëjnë numrin më të madh të viktimave të trafikut njerëzor në Britaninë e Madhe. Sipas një reportazhi të britanikes BBC, mes 3266 viktimave të trafikimit në vitin 2015, 600 prej tyre vinin nga Shqipëria./

unnamed
“E bekuar me bukuri natyrore, por e kthyer në qendrën e një tregtie të errët, përgjatë dy dekadave, Shqipëria ka zhvilluar një industri brutale”, shkruan BBC. 
Gazetarja Reeta Chakrabarti,  ka intervistuar disa gra të trafikuara në Shqipëri dhe Britani. Në më të shumtën e rasteve viktimat janë vajza të mitura të moshës 10 deri në 12-vjeçare dhe hisoritë e tyre janë nga më brutalet e të dhimbshmet, si ajo e Sejas. “I urrej ata. Do të doja që të merrnin ndëshkimin që meritojnë. Të vjedhin lirinë, të shfrytëzojnë e të përdorin si vegël. Është shumë e ulët”, rrëfen ajo.
Seja ishte vetëm 14 vjeç kur u largua nga familja e dhunshme për t’u shitur në një rrjet trafikantësh nga ai që mendonte se ishte i dashuri i saj. Shumë shpejt e gjeti veten në botën e tmerrshme të krimit. Për muaj të tërë u detyrua të flinte me disa burra në ditë, duke u bërë viktimë e abuzimeve të panumërta. 
Por, siç pretendon gazetarja e BBC, historia e Sejas nuk është e pazakontë në një vend ku trafikantët janë të mirëorganizuar dhe gëzojnë reputacion për brutalitetin e tyre. Një tjetër viktimë është Ana, e cila është intervistuar në Britaninë e Madhe. Ajo vjen nga një qytezë e vogël rurale dhe ishte bindur nga i dashuri të braktiste familjen për t’u shitur për prostitucion në Britani. 
“U përfshiva në botën e krimit. Nuk e kisha idenë e asaj që më rrethonte. Nuk më lejonin të shihja, pasi m’i mbanin sytë e lidhura. Më përdhunonin çdo ditë”, kujton ajo. Ana tani është në të 20-at dhe ishte e virgjër deri në momentin e trafikimit.  Ajo mundi të arratisej dhe tani strehohet në qendrën sociale “Salvation Army”. Përfaqësues të qendrës pohojnë se numri i viktimave të trafikimit dhe skllavërisë moderne në Britani është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe Shqipëria përbën një shqetësim të veçantë.

Filed Under: Komente Tagged With: BBC: femrat shqiptaret, me, të trafikuarat në Britani

SHTETI DEMOKRATIK, PROTESTA E OPOZITES,KUSHTETUTA DHE ZGJIDHJA E PRONËS

February 23, 2017 by dgreca

*KËRKESA TË BËJMË SHTET DEMOKRATIK DHE PROTESTA E OPOZITËS NUK REALIZOHET DUKE ANASHKALUAR KUSHETUTËN PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMIT TË PRONËS/

1 Gezim Bocari

“*RIVENDOSJA E TE DREJTES KUSHTETUESE TE SHTETASVE MBI PRONËN E MOHUAR DHE TE GRABITUR NE EMER TE LIGJIT/

Shkruan: Prof. Dr. Gezim Boçari/Të bëjmë shtet tha kryetari i mazhorancës dhe Kryeministri aktual z. Edi Rama dt. 18 Shkurt 2017 si përgjigje ndaj mijëra protestuesve të opozitës, që filluan protestën e tyre.Që gjërat ti themi ashtu siç janë pas vitit 1945 deri në 1991 Shqipëria kishte Shtet  por kishte shtetin e diktaturës që ndërtoi Enver Hoxha dhe për 45 vjet drejtoi sipas doktrinës së Marksizëm –Leninizmit. Në atë kohë ligjet zbatoheshin dhe në atë shtet jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe pronarët që mund të ishin luftëtarë antifashistë të orëve të para konsideroheshin armiq të klasës (proletarëve), janë burgosur e keqtrajtuar apo persekutuar si kulakë. Në atë kohë Shteti jepte denim kapital për një mendim të shprehur në kafene apo në mbledhje.

Në 1991 revolta popullore përmbysi shtatoren e diktatorit, por mentaliteti mbeti dhe politika u fut dhe po vazhdon në drejtim të gabuar dhe jo në drejtimin e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Doktrina ose parimet që kanë zbatuar drejtuesit e partive politike pas 1991 është pëzierje e elementeve të çrregullt të ekonomisë së tregut me kleptokracinë në terren të papërgjegjshmërisë. Kjo e ka kriminalizuar shtetin. Në këto 26 vjet vazhdon të quhet demokraci pluralizmi pseudodemokratik, zbërthimi i Shtetit dhe vjedhja  sipas modelit të Katovicës që la pas Ramiz Alia. Në bindjen time kryeministri ka shumë të drejtë për kërkesën të bëjmë Shtet dhe këtë nuk e kundërshton askush nëse me fjalën Shtet, kuptojmë shtetin demokratik, ndarjen e politikës dhe drejtësisë nga krimi i organizuar. Në sheshin ndërmjet Kryeministrisë dhe Kuvendit  ku prej datës 18 Shkurt 2017 po proteston opozita e bashkuar, Kryetari i PD z. Basha, theksoi se protesta është fillimi i demokracisë së vërtetë. Ai kërkoi Qeveri teknike për garantimin e zgjedhjeve. Ndër të tjera z. Basha shtoi se çdokush do të mund të flasë dhe të zgjidhë hallin e  vet. Kjo dhe kërkesa e Kryeministrit për të bërë shtet përputhen me kërkesat e të gjithë popullit shqiptar por dhe me kushtet e Rezolutës së Parlamentit Europian të dt. 15.02.2017. Këto kërkesa kanë vlerë të padiskutueshme por këtu ka “diçka” që pengon, diçka që nuk shkon pasi lojrat politike për 26 vjet i kanë kthyer kërkesat e mësipërme në shifra zero që i mungon numuri një përpara që ato të marrin vlerën e tyre reale. Në kushtet e sotme të Shqipërisë njëshi i munguar para zerove është zbatimi i detyrimit  të Shtetit për kthimin dhe kompesimin e pronës së grabitur tek i zoti në përputhje me nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës. Duke mohuar pronën e trashëguar politika na ka mashtruar dhe masakruar për 26 vjet. Këtë duhet ta kuptojë çdokush që mendon të mirën e  Shqipërisë përfshi të majtë apo të djathtë.

Pas vitit 1991, për 26 vjet vjedhjen e pronave të shqiptarve po e mbështet shteti, noteri, gjyqtari, drejtori i ZRPP,drejtori i ALUIZNit dhe shumë hallka të tjera sepse nga e majta dhe e djathta  për të maskuar vjedhen e pronës në kushtet e pluralizmit u zbatua platform e “katovicës”. Prona private është dallimi midis sistemit diktatorial komunist nga i cili duam të shkëputemi dhe demokracisë së modelit euroatllntike ku dëshirojmë të shkojmë. Ku shkon shoqëria shqiptare nëse partitë politike e të dy krahëve vazhdojnë ta anashkalojnë anarkinë e tutujve të pronësisë ?

Me gjyq dhe pa gjyq sistemi i diktaturës  në 45 vjet ka pushkatuar 5-6 mijë shtetas. Në Kuvend kryeministri Edi Rama dhe jo vetëm ai, por edhe deputetë të tjerë kanë deklaruar se për shkak të anarkisë së titujve të pronësisë kanë humbur jetën mbi 8000 njerëz.  Deklarohet se gjyqtarët nuk justifikojnë pasurinë dhe këtë do ta hetojë Vetingu. Kjo është e drejtë por ky veting, nuk do jetë i suksesëshëm dhe rrezikon të degradojë në gjobëvenie nëse nuk përfshin Kuvendin dhe Qeverinë, në raport me detyrimet kushtetuese dhe denoncimet tona për pronën.

Bërja e shtetit, demokratik, që respekton të drejtat e njeriut, kërkon bashkimin e pronarëve, të përndjekurve dhe diasporës për zgjidhjen e drejtë e problemit të pronës së grabitur. Opozitë e vërtetë e kleptokracisë janë gazetarët investigative të emisionit “Fiks Fare” “Stop” etj.   Në numurin e madh të partive politike egzistuese, partia e re “Aleanca Popullore për Demokraci” bën sens demokratik, pasi me programin e saj merr përsipër të korigjojë gabimet e tranzicionit. Programi saj përmbush kërkesat për pronën në përputhje me Kushtetutën, prandaj kam pranuar të jem pjesë e kryesisë së këtij subjekti politik.  Në programin e APD për problemin e pronës thuhet tekstualisht: “  RIVENDOSJA E TE DREJTES KUSHTETUESE TE SHTETASVE MBI PRONËN E MOHUAR DHE TE GRABITUR NE EMER TE LIGJIT

  1. Prona është një nga prioritetet kryesore të APD dhe për integrimin në Bashkimin Europian, si dhe për marrjen e statusit si vend anëtar. Ngritja e një strategjie për arritjen e zgjidhjes përfundimtare.
  2. APD do të kërkojë që kthimi dhe kompensimi të përcaktohen me ligj të Kuvendit si detyrim i Shtetit. Sipas këtij ligji në zbatim të nenit 181 të Kushtetutës, Shteti duhet të hapi regjistrat e shtetëzimit dhe konfiskimit të pasurive të patundëshme dhe të dallojë se ne vitin 1991, pas abrogimit të Kushtetutës komuniste të vitit 1976, cilat prona janë të shtetit dhe cilat prona janë prona që u janë konfiskuar qytetarëve dhe Shteti demokratik që në vitin 1991, kishte detyrimin kushtetues që ti kthente tek subjekti i shpronësuar, pavarësisht nga zëri kadastral i pronës në momentin e kthimit.
  3. Në zbatim të Kodit të Proçedurës Administrative për aktet absolutisht të pavlefshme,  Neni 116 etj,  nëpërmjet proceseve të rregullta gjyqësore, Shteti të shpalli NUL vendimet dhe transferimet e bëra pas vitit 1991, vetëm për ato prona ku Komisionet e pronave dhe institucionet e tjera të shtetit, pronat që në zbatim korrekt të detyrimeve kushtuese duhet ti kthenin tek pronari i ligjëshëm, ato i ndryshuan emrin e pronarit dhe i transferuan në përsona të tretë.
  4. Kompesim financiar ose mënyra të tjera kompensimi të pasurive të paluajtëshme të subjekteve të shpronësuara nga regjimi komunist,  ligji të parashikojë vetëm për pronat të cilat nuk mund të kthehen fizikisht tek pronari original, pasi për shkak të kohës janë asgjesuar dhe nuk egzistojnë (fabrika, punishte, etj), të pronave që gjatë regjimit diktatorial u tjetërsuan për nevoja publike si godina banimi, rrugë, spitale ose nevoja të tjera publike si dhe pronat që edhe sot vazhdojne të përdoren për nevoja publike .
  5. Përfundimi i proçesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, të jetë procedurë që do të kryhet nga institucionet shtetërore, brenda një afati te shkurter kohor prej pak muajsh, dhe prona t’i kthehet subjektit të shpronësuar. Zbatimi nga Shteti i nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës, eliminon faturën financiare që imponon legjislacioni aktual, eliminon pasigurinë e titujve të pronësisë dhe kohen e gjatë të parashikuar nga politika aktuale, me pretendimin për zgjidhen e problemit nëpërmjet kompensimit, hap rrugën për investimet e huaja private, realizon stabilitetin social dhe ekonomik  duke bërë të mundur, zhdukjen e konflikteve ndermjet familjeve dhe brenda familjes. Në rastet kur subjekti i shpronësuar ka kundërshtime, për pronën që i kthehet trungut familjar të shpronësuar a do të ketë të drejtën ti drejtohet rrugës gjyqësore. APD merr përsipër paraqitjen e draftit të këtij projektligji për miratim në Kuvend me procedurë të përshpejtuar”.

Për shkak të mungesës së vullnetit politik, Shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe shoqatat e tjera të pronarëve “Krahina Jonë“, “Bregdeti”  etj me shtrirje më të lokalizuar  janë investuar individualisht, për kthimin e pronës tek i zoti. Shoqatat kanë bërë të pamundurën për ta mbajtur të gjallë kauzën, por drejtuesit e Shtetit për 26 vjet e kanë intriguar zbatimin e detyrimeve kushtetuese , duke i bërë ligjet ashtu siç ju ka interesuar krerëve të oligarkisë politike, duke e devijuar kthimin fizik të pronës së grabitur tek i zoti. Përpjekja e Qeverisë nëpërmjet ligjit 133/2015, për të justifikuar dhe maskuar shkeljet monstruoze me pronën të akumuluara prej vitit 1991, kanë dështuar pasi defakto këtë ligj e ka rrëzuar Gykata e Strasburgut.  Kundërshtimi i Strasburgut për ti kompensuar 5 dosje sipas kërkesës e Qeverisë është gjithashtu garanci për korigjime të rëndësishme në legjislacionin për pronat. Unë, nuk mund të parashikojmë kohen dhe nëse do bëhen korigjime të tjera apo një ligj i ri që do detyrojnë legjislativin dhe ekzekutivin shqiptar të zbatojë kushtetutën, por jam i sigurtë se e drejta e pronës do respektohet. Juridikisht zgjidhja individuale nëpërmjet Strasburgut për çdo trung familjar realizohet me proçese gjyqesore brenda vendit, ku ankuesi të kërkojë kthimin fizik të pronës dhe kompensim vetëm për ato pjesë që janë tjetërsuar për nevoja publike, me vlerën që tashmëGJEDNJ e ka percaktuar. Pas përfundimit të gjyqeve brenda vendit, nga ankuesi pa humbur kohë ankesa duhet dërguar në Strasburg. Sa më shumë ankesa të drejtohen ne Strasburg aq më mirë sqarohet situata për Strasburgun dhe kështu e drejta e pronës afrohet.

Bashkëpunimi bën të mundur këtë qasje ndryshe, më të thelluar që na lejon të shfrytëzojmë të gjitha mjetet dhe mundesitë demokratike të kohës. Atdhetari  Loro Stajka një kundërshtar i diktaturës i emigruar rreth viteve 1954 në SHBA me zemrën dhe mendimin e tij patriotik, me një shkrim të botuar date 31.01.2017 në gazetën “Dielli“  rikujtoi për pronarët dhe të përndjekurit porosinë e lënë nga Gjergj Katriot Skenderbeu, se “bashkimi bën fuqinë”. Po intelektualë patriotë si z. Loro ne emigracion ka shumë dhe ata kanë  rol të pazëvendësushëm për të shpëtuar Shqipërinë nga krimi dhe kleptokracia e organizuar .

Këto 25 vjet pas vitit 1991 e deri sot kanë bindur pronarët se qëndrimi në sqetullën e kësaj apo asaj partie politike rezultoi se është dështim i programuar. Që kauza jonë e përbashkët të zgjidhet mirë, shpejt dhe pa shpenzime kërkon bashkimin dhe solidaritetin tonë në rrugën politike dhe konkretisht formimin e një formacioni politik kompakt dhe të qartë në kërkesën për pronat dhe të drejtat e tjera të mohuara. Pronarët, janë të persekutuarit e pas vitit 1991, ata së bashku me të përndjekurit dhe diasporën janë grupe te lidhura pazgjidhshmërisht me njera – tjetrën lidhur me kërkesën që shteti të ketë detyrimin ti kthejë secilit pronën e grabitur. Prona është kërkesë që intreson dhe biznementët që duan të kërkojnë investime të huaja private, të zhvillojnë industrinë turistike etj.  

Në planin shoqëror, nisur nga grupet e intereseve që përfaqesojnë, për problematikat dhe pengesat që këto dy grupe parësore interesi, hasin në realizimin e misionit te tyre për rivendosjen e të drejtave të mohuara me dhunë dhe mashtrime prej vitit 1945 e deri sot Shoqatat e Pronarëve dhe ato të Përndjekurve Politike, janë dy anët e një medaljeje. Këto shoqata pavarësisht nga mendimet ndryshe apo grindjet eventuale midis kryetarëve, për renditje në kontributet që ata kanë dhënë, ka ardhur koha të ndryshojmë mënyrën e veprimit për realizimin e të drejtave të shkelura. Duhet të realizohet një bashkepunim dhe bashkerendim, pa asnje kusht për platformën e pronës, nga të gjitha shoqatat që mbrojnë interesat e pronarëve dhe të përndjekurve. Nëse kryetarë dhe persona të vaçantë do të gjejnë sebepe për tu grindur dhe jo mirëkuptim e bashkëveprim atëhere  “katovicën” , pavarësisht se kush e instaloi, nuk duhet ta kërkojmë askund tjeter por e kemi në mes nesh. Kryetari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, z. Rrapo Danushi në shkrimi botuar ne gazetën “Ballkan” dt 16 Shkurt 2017,  ju thotë publikisht politikanëve “Jepini fund katrahurës me pronat”. Të njëjtën kërkesë ka bërë dhe Kryetari i Koalicionit të disa shoqatave të pronarëve z. Axhem Imeri dt.18 Shkurt, po në gazetën Ballkan.

Vetëm pas këtij bashkëpunimi të mirëorganizuar përfaqësimi i pronarëve, i të përndjekurve dhe mbështetja e diasporës garanton negocim të vlefshëm të APD në nivelin e duhur me subjekte të tjera politike që do pranojnë ta kenë pjese integrale të programit te tyre kthimin tek i zoti të pronës së grabitur në përputhje me kushtetutën dhe me vendimet e Strasburgut.

Shpreh bindjen se nëpërmjet bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave tona i shërbejmë kauzës tonë të përbashkët plotësojmë kërkesën e të gjithë shqiptarëve që e duan Shqipërinë tokë të shqiptarëve dhe ju ftoj të gjithëve të merrni pjesë në këtë diskutim me mendime pro apo kundër.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: E PRONËS, KUSHTETUTA DHE ZGJIDHJA, Prof. Dr. Gezim Boçari, PROTESTA E OPOZITES

Protesta e PD më 18 shkurt 2017 riciklim i demonstratës të PS më 18 shkurt 2011

February 23, 2017 by dgreca

1-elida-bucpapaj-300x130

Nga Elida Buçpapaj/

Në 18 shkurtin e vititi 2011 PS zhvillonte demonstratën e dytë përpara kryeministrisë që asaj kohe kishte si kryeministër Sali Berishën.Kjo demonstratë vinte pas tragjedisë së 21 janarit dhe me frikën për të degjeneruar rishtas dhunë, gjë që nuk ndodhi.Gjashtë vjet më vonë në të njëjtën datë dhe në të njëjtin shesh, po përpara kryeministrisë, kësaj here vice versa, do të ishte PD në opozitë si organizatore e demonstratave, që do t’i emërojë si “protesta”.Protesta e PD e 18 shkurtit 2017 ngjan si dy pika uji dhe riciklon demonstratën e PS të 18 shkurtit 2011.Edhe demonstratat e 2011, edhe protestat e 2017 bien erë makutëri për pushtet, s’kanë kauza.Pretendimet për zgjedhje të lira janë vetëm demagogji.E keni dëgjuar Lulzim Bashën të flasë për ndryshim të Kodit Zgjedhor prej nga ku vjen e keqja ? Kurrë!Ndërsa kauza e 21 janarit 2011 për të larguar nga pushteti Ilir Metën pas shfaqjes të videos të Dritan Priftit ngjante si e vërtetë.

Por Edi Rama e rrëzoi përfundimisht këtë kauzë kur e ftoi në bashkëqeverisje dhe vijon ta mbajë me pekule Ilir Metën që e dredh si karavidhe si i përkëdheluri herë me PD e herë me PS.Fakti që në protestën e 18 shkurtit 2017 askush nuk e përmendi Ilir Metën, tregon se PD i jep prova besnikërie pas një lidhje morboze që ndërtoi me LSI në 2009, çka i kushtoi humbjen në qershorin e 2013.Ajo që dua të them në krye është se si PS ashtu edhe PD janë parti të pasura, që asnjëherë nuk kanë treguar prejardhjen e të ardhurave të tyre.Si PS ashtu edhe PD nuk e kanë problem të paguajnë për të krijuar skenarë protestash apo demonstratash si kjo e 18 shkurtit 2017 që do të vinte gjashtë vjet pas asaj të 18 shkurtit 2011.

PS dhe PD janë anët e së njëjtës monedhë, ata janë shkaktarët e mungesës të shtetit të së drejtës, që herë njëra e herë tjetra, mbajnë si paterica figura të konsumuara si ajo e Ilir Metës, e Fatmir Mehdiut, Kreshnik Spahiut etj.etj. Lulzim Basha në protestën e 18 shkurtit 2017 i kishte “zhdukur” xhaketat e vjetra. Në krah ai mbante nga njëra anë Sali Berishën, si politikani më populist pa të cilin Basha dhe PD nuk ekziston dhe në krahun tjetër Fatmir Mehdiun, me të cilin nuk dihet se çfarë dreqi e lidh. Sa herë shfaqet në publik Fatmir Mehdiu,  populli e lidh emrin e tij me tragjedinë e Gërdecit, kur ai ishte Ministër i Mbrojtjes, një figurë fatalitet i PD.

Një gjë desha ta theksoj që duhej ta vendosja në krye dhe e vlerësoj faktin që dje nuk pati asnjë përpjekje për të prishur rendin publik apo tendencë për shkatërrim të pronës veç djegjes të pupacëve të Edi Ramës, si dhe dy ministrave të kabinetit, ministrit të brëndëshëm dhe atij të shëndetësisë. Kjo është e vlerësueshme dhe bën dallim.

Gjithçka tjetër ishte identike.

Sa i përket pjesmarrjes të madhe, ishte një demonstrim forcash i PD, sikur edhe PS në kohën kur ishte në opozitë. PD kishte organizuar sjelljen nga rrethet për fundjavë të përkrahësave të saj, shto këtu edhe ish-administrata e PD e pushuar nga puna me riciklimin në pushtet të PS. Sa për transportin më kujtohet një deklarim i Tom Doshit se pagesën e autobuzëve që sillnin përkrahësit e PS në demonstratat e 2011 i kishte mbuluar ai financiarisht. Edhe nga krahu tjetër, i PD-së duhet të ketë ndodhur e njëjta gjë.

Protesta e PD e 18 shkurtit 2017 ishte një copy paste e demonstratës të PD të 18 shkurtit 2011.

Në demontratat e PS të 2011, Edi Rama dhe aleatët e tij kishin si model  përmbysjet dhe revolucionet e shteteve afrikane të Pranverës Arabe, çka ishte një nonsens sepse Shqipëria nuk ishte vend afrikan, por vend anëtar i NATO-s.

PD dhe aleatët e saj po përdorin si model protestat në Rumani, daljen e popullit në sheshe, por që kauza e rumunëve është krej ndryshe me këtë të PD, sepse rumunët duan të largojnë nga pushteti të gjithë klasën politike të korruptuar. Nëse rumunët do të ishin dje në sheshin përpara kryeministrisë ata do të protestonin si kundër Edi Ramës, ashtu edhe kundër Sali Berishës, Lulzim Bashës apo Ilir Metës, Fatmir Mehdiut etj.

Më 18 shkurtit 2011 si kolonë zanarore, PS kishte zgjedhur muzikë funebër, për të shprehur gjoja dhimbjen për katër shqiptarët e vrarë më 21 janar 2011; ndërsa  më 18 shkurt  2017, PD kishte zgjedhur muzikë patriotike, për të treguar se gjoja janë patriotë.

Pse them gjoja patriotë?

Sepse ky Kreshnik Spahiu i sotshëm në një emision televiziv disa ditë më parë tha se Ramën do ta rrëzojë Greqia, lobi grek pranë administratës të SHBA, sikur rrëzoi Sali Berishën më 1997. Vangjel Dule, kryetari i PPDNJ-së nga ana tjetër i ka amplifikuar thirrjet për Ilir Metën që ky të largohet nga qeveria Rama.  Por populli nuk e harron Kreshnik Spahiun që kur ishte me opozitën, me PS kundër PD, e  akuzonte Lulzim Bashën, Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë të asaj kohe se ia ka falur detin Greqisë!

Të kthehemi tek argumentat e skenarit binjak të 18 shkurtit 2011 me 18 shkurtin 2017.

Pankartat dhe sloganët që u përdorën  gjatë 18 shkurtit 2011 ishin identike pothuaj me këto të 18 shkurtit 2017, veç ndryshonin emrat.

Pankartat e PS në demonstratatën e 18 shkurtit 2011 ishin: Sali Berisha jep dorëheqjen, zgjedhje të reja pa Saliun, Sali Berisha largohu, ikë, duam zgjedhje të reja, të largohen hajdutët, kriminelët. Lulzim Basha asaj kohe ishte ministër i brëndëshëm, si Saimir Tahiri sot, dhe demonstruesit e shihnin përgjegjës për tragjedinë e ndodhur më 21 janar, sikur Tahiri sot shihet përgjegjës për lulëzimin e trafikut të drogës.

Sloganët që u përdorën më 18 shkurt 2017 nga PD ishin: Edi Rama ik, zgjedhje të lira pa Edi Ramën kryeministër, Edi rama rri në malet e Sharrit, mos u kthe, duam zgjedhje të lira, duam votë të lirë, jeni kriminelë, hajdutë, trafikantë.

Më 18 shkurtin e 2011, ata që e morën fjalën nuk ishin politikanë, por të rinj dhe njerëz të thjeshtë, tekstualisht sikur dje më 18 shkurt 2017. Më 18 shkurtin e vitit 2011 foli si politikan vetëm Edi Rama, në 18 shkurtin e vitit 2017 në podium foli vetëm Lulzim Basha, të tjerët pastaj ishin të rinjadhe njerëz jo nga politika.

Edi Rama më 18 shkurtin e vitit 2011 tha se do të rrinë në demonstrata që do të shtrihen në gjithë Shqipërinë deri sa të largonin Sali Berishën; të njëjtën gjë përsëritën Lulzim Basha edhe Sali Berisha më 18 shkurtin e vitit 2017, se do të rrinë nëpër protesta deri sa të largohet Edi  Rama!

Edhe çadrat e bardha, si tenda sulltanësh, përpara kryeministrisë i aplikoi i pari Edi Rama kur ishte në opozitë dhe tani pas tij Lulzim Basha që synon të riciklojë pushtetin kësaj here si kryeministër.

Në një farë mënyrë PD duket si epigon i PS!

Edhe shërbimi i mediave është klientelist. Mediat janë pro krahut politik që i mbulon financiarisht dhe kundër rivalëve të tyre politikë.

Qendrimi i opozitës është kundër Ambasadorit Lu dhe Ambasadores Vlahutin që i konsiderojnë si produkt të Sorosit. Në fakt emrat e tyre lidhen me SHBA, BE dhe reformën në drejtësi.

Në protestat e 2011, Edi Rama mbante qendrim të hapur kundër Ambasadorit Arvizu deri sa gazetarët në shërbim të tij i bënin Ambasadorit Amerikan diskriminim racor.

E reja e vjetër dhe ndryshimi është se PD me pretendimin e manipulimit të zgjedhjeve kërkon qeveri teknike, ashtu sikur në 2011 Edi Rama i konsideronte të vjedhura zgjedhjet e 2009, por nuk kërkonte qeveri teknike.

Por si në 2009, edhe sot më 2017, as Edi Rama atëherë, as Lulzim Basha sot, nuk i rrëzojnë dot qeveritë pasi atë janë legjitime.

Prandaj synojnë që ta bëjnë  Ilir Metën për vete, që ky të ndryshojë shtratin bashkëshortor, të kalojë nga Edi tek Luli, sikur kaloi nga Saliu tek Rama. Ilir Meta nuk e ka problem, përkundrazi, e ka për zanat. Ai futet edhe në një shtrat me djallin.

Konkluzioni është se protestat e PD që ngritën siparin më 18 shkurtin e vitit 2018, sikur ato të 18 shkurtit 2011, nuk kanë asgjë të përbashkët me protesta popullore apo me një revolucion demokratik.

E vërteta është se populli është i lodhur nga keqqeverisja 26 vjeçare, nga korrupsioni, trafiku, nepotizmi, klientelizmi, puritanizmi, egërsia dhe mungesa e humanizmit e pushtetit dhe nëse duhet të ngrihet, duhet të protestojë kundër shkaktarëve të vërtetë të vuajtjeve të tyre.Nëse PD do të vijojë me protesta me pretendimin për zgjedhje të lira, duke e kthyer në kauzë fallco qeverinë teknike, kjo manovër e saj nuk do të ketë asgjë në të mirë të popullit dhe do të jetë në disfavor të reformës në drejtësi. Pra tranzicioni postdiktaturë do të zgjatet edhe më dhe shqiptarët do të vazhdojnë të vonohen.

Nëse në Tiranë, protestat do të ishin si në Rumani, populli do të ngrihej edhe kundër atyre që organizuan 18 shkurtin 2011, edhe kundër këtyre që organizuan 18 shkurtin 2017, sepse janë e njëjta gjë, janë anët e së njëjtës monedhë, pasi e gjithë kjo katrahurë dhe ky degradim sistemi ka ardhur pikërisht prej keqqeverisjes së tyre sepse ata janë elita politike, establishmenti, klasa politike, që është ricikluar, ka ndryshuar vend, por pushtetin e ka mbajtur të akumuluar në duart e veta dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë as metodë dhe as fytyrë.

PS Ka edhe diçka tjetër që e kanë të ricikluar PS me PD: në 2011 më sulmonin me fyerje njerëzit e Edi Ramës, tani më sulmojnë njerëzit e Lulzim Bashës. Nuk isha dhe nuk jam asnjëherë me politikën dhe aq më pak me partitë, jam me të mirën e përbashkët të shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, ngjashmeri, Pd-PS, Protesta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2178
  • 2179
  • 2180
  • 2181
  • 2182
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT