• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR NJERIU ASHT VETEM SHIFER..!

February 9, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*  

2ok fritz

 KY  ISHTE  FUNDI  I  ATYNE  QË  KERKONIN  VETEM  LIRI !/

 PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”

■“UJË  TUE  SHTERRË, NA TUE  U  MBYTË…”, thonte Populli ynë rrezikzi.

Prej ditës së parë që gjarpni i komunizmit lëshoi vezen e vet në Token Shqiptare, kurrma nuk pau ai vend një ditë të mirë veç plumba, pushkatime, kufoma, vrasje, hetuesi, hunjë, dajak, korrente elektrike, zhgulje dhambësh, burgje, kampe shfarosje, polic barbar, hetues terroristë, thyemje kockash e interrnime.., të gjitha këta shemtime si e si me shfarosë një rini t’etëshme per dije e kulturë, një brez të papersëritshem intelektual të formuem në një Europë të perparueme, një Popull “Besnik, Burrnor e Bujar” me të gjitha virtytet e tiparet fisnike, ku sulltan Mehmeti i dytë vetem plasi nga dishprimi, se nuk pat pranë vetes një zog turku si tiranët Enver Hoxha e Ramiz Alia, thimcat e të cilëve villnin vetem helm, vllavrasje, shkatrrim, zhdukje e mjerim në Shqipninë e Atyne Burrave, që me sakrifica e vuejtje Ringjallën mbas 500 vjetësh Atdheun e Kastriotit!

■Në çdo hap ku Shqiptari ven kamben, aty ka një “gropë pa Emen”!

Po më thuej, bre Burrë, i kujt asht Ai shatrivan Gjaku’ të kulluem që skuq edhe Qiellin ?

E pra, Një Zot besuen ata Male të pashkeluna nga zaptuesi, ata Qytete ku Kështjellat u mbuluen me “ruba të zeza” e ata Fusha, ku dikur… “Balta ishte ma e ambel se mjalta”!?

Nuk kanë ma Emna!..

■Rinia di me lexue sllavisht, rusisht, turqisht, greqisht, italisht, frengjisht, po, po, di me lexue kinezëshe e arabqe… Po, pasha një fjalë nga Gjuha e At Fishtës me shkronjat e Manastirit, e një rresht nga vjerrshat e Don Ndre Mjedjes… Qe pra, o Luigj Gurakuqi, ku vojti “Shkolla Yte Normale e Elbasanit” ku, dikur Pishtarët e dijes s’ Ate Shqipninë e patne ndriçue me Veprat e Vigajve të Rilindjes, Naimit e Kristoforidhit të Pavdekshem!

Bash per At Shqipni që Ti o Luigj, ke dhanë edhe jeten… Ndonse, jo i vetem… Ishe me të Madhin Dedë Gjo’ Luli, Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Avni Rustemi…

Po, që në gjurmët e Françeskanëve tanë… Dritë e Dije na dhanë e trashigim na lanë!

■Ata na mësuen se njeriu ka Një Babë dhe Një Nanë… E na i besuem !

Po, mbas 1944 ne, na u desht me besue se “njeriu ka dy e tre baba e disa nana…”

Mbas 1967 na doli edhe “një babë e nanë…” dikund kah Tibeti… E kush nuk e besoi…

E hypen tek stoli…

■Nuk mund ta harroj kurrë Mësuesin e Madh Atdhetar që n’ Kukës e vari Ramiz Alia !..

E varën Havzi Nelen se i mësoi Rinisë vjerrshen e Një Babës e vetem Një Nanës, per të cilen Ai jeten fali, e Flija e Atdheut të vet u ba se: “Na mësoi që Njeriu nuk asht shifer!”

E Bjeshkët e Nêmuna mêjtën… E sot, prap mendoj: “Si varet një Mësues Poet!”…

Kur Ai, nder Ata Bjeshkë dha kushtrimin: “Shqiptarë, varri i t’ huejve asht këtu!” …

■Çoni bre, sytë nalt e shikoni… Ata sot janë vetem “shifra”!.. Një… Tre… Shtatë…

Janë Burrat që vdiqën per Nanen Shqipni e Flamurin e Gjergj Kastriotit tanë!

Shqipnia ka vetem Një Flamur me Një Shqipe… E Ata falën jetën e vdiqën per Té!

E ka vetem Një Popull që me Gjakun e Martirëve të Saj, Até e ka ngjyrosë Kuq’ e Zi…

Prej Hotit, Grudës, Dardanisë, Maqedonisë, Çamërisë e Vorio Epirit ku flitet Një Gjuhë, e vetem e Një Nanës, Nanës sonë Shqipni… E Kjo asht e Asaj Nanës së dhunueme që:

■At Gjergj Fishta Pagëzoi: GJUHA  SHQIPE 

Porsi kanga e zogut t’ verës,

Qi vallzon n’ blerim të Prillit;

Porsi i ambli flladi i erës,

Që lmon gjijt’ e drandofillit:

Porsi vala e bregut t’ detit,

Porsi gjama e rrfés zgjetare,

Porsi ushtima e një termeti,

Ashtu asht gjuha e jonë Shqiptare.

**

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, KUR NJERIU ASHT, VETEM SHIFER..!

Karshillëku antieuroatlantik

February 8, 2017 by dgreca

1 Çerçiz LoloçiNga Çerçiz Loloçi/ Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe mjaft politikanë të tjerë në Shqipëri kanë kontestuar rolin protagonist të ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së Brukselit Romana Vlahutin për ndryshimet kushtetuese dhe sidomos për Reformën në Drejtësi. Madje përtej kësaj pakënaqësie, mediat pranë tyre ka nisur një fushatë të gjerë denigruese ndaj dy ambasadave më të rëndësishme, që janë njëheri edhe përfaqësues të dy nga partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Kjo nuk është hera e parë dhe e vetme kur, vendime apo reforma që duan të kthejnë në normalitet një demokraci të brishtë si kjo e jona, pra kur bëhen përpjekje për një klasë politike më të shëndoshë, për institucione më të konsoliduara, për një administratë publike që nuk përpjestohet mes partive dhe hyjnë deri edhe “të hurit dhe të litarit” përkundër konkurimit- të ngrihen pengesa nga më të pa konceptueshmet. Reforma në Drejtësi është vërtet jetike për vendin tonë dhe këmbëngulja në këtë rast nuk ka qenë as e Partisë Socialiste, as e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe as e opozitës. Këtë e kanë kërkuar dhe kanë këmbëngulur më shumë ndërkombëtarët dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Pikërisht për këtë shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës duke shpresuar në një rithemelim të republikës të grabituar babëzisht nga politikanë, ish kryekomunarë e kryebashkiakë, gjyqtarë e prokurorë dhe nëpunës të të gjitha niveleve. Të ishte për këtë klasë politike, për këta deputetë dhe ministra, asgjë nuk duhej bërë sepse kjo nuk prekte asnjë fije nga shpërdorimet që bënin me pushtetin, nga gjyqet farsë që janë bërë këto 27 vjet dhe politikanët më të lartë “kanë dalë vazhdimisht pa u lagur”. Modeli i partive kryesore në vendin tonë nuk ka asgjë të përbashkët me partitë europiane apo edhe ato të vende fqinje ku mandati i drejtimit s’mund të shkojë më shumë se dy të tilla dhe ku kryetarët e partive nuk sillen si kryetarë çetash të 100 e ca vjetëve më parë. Ky perceptim, por edhe realitet njëkohësisht, i bën politikanët tanë të pabesueshëm dhe të pavërtetë. Kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një hap që duhet përshëndetur, por paralelisht me të duhet bërë edhe kontrolli i krerëve më të lartë të partive kryesore duke iu nënshtruar ”makinës të së vërtetës”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Cerciz Loloci, Karshillëku antieuroatlantik

VATRA, VIZITË NË KONSULLATËN E KOSOVËS

February 8, 2017 by dgreca

NJË PËRFAQËSI E VATRËS U PRIT NGA KONSULLJA E PËRGJITHSHME E KOSOVËS, AMBASADORJA TEUTA SAHATÇIJA/

1 me mua   Nju Jork, 8 Shkurt- Të Mërkurën, 8 Shkurt 2017, një përfaqësi e Kryesisë së Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra” u prit nga Konsullja e Përgjithshme e Repubikës së Kosovës, ambasadorja Teuta Sahatçija, si dhe z. Ylber Kryeziu- Ministër Këshilltar, dhe z. Fatmir Zajmi – Konsull.1 librat Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj shoqërohej nga nënkryetarët e Vatrës Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, sekretarja Nazo Veliu, arkëtari Marjan Cubi dhe editori i Diellit Dalip Greca.1 flet ambasad

Dr. Gjon Buçaj, e falenderoi ambasadoren Sahatçija për pritjen. Ai tha se kjo është një vizitë kortezie, kthim vizite, pasi ndër të parat vizita të saj në komunitetin shqiptar, Konsullja e përgjithshme në nisje të misionit të saj e pat bërë në Vatër, ashtu siç kishte bërë dhe paraardhësi i saj, ambasador Bekim Sejdiu, duke treguar vlerësim për Vatrën dhe vatranët. Kryetari Buçaj informoi për qëndrimet e Vatrës, veprimtaritë e saj, ruajtjen e vlerave të trashëguara që mbart Vatra, që nga themeluesit e saj. Është e vetmja organizatë e kohës së Rilindjes Kombëtare, që përbën vlerë jo vetëm për shqiptarët e Amerikës, por për të gjithë Kombin. Detyra jonë është jo vetëm ta mbajmë gjallë, e ta ruajmë të padëmtuar imazhin e saj historik, të trashëguar nga mendjet e  ndritura që e themeluan, por edhe ta çojmë më tej misionin e saj Kombëtar.Vatrën e ka mbajtë gjallë idealizmi.

IMG_2225
Ambasadorja Teuata Sahatçija falenderoi për vizitën dhe tha se ne duhet që të takohemi më shpesh, të organizojmë veprimtari të përbashkëta.Më pas ambasadorja Sahatçija informoi për situatën që po kalon Kosova,betejën e saj diplomatike, arritjet dhe përballja me problematikat, veçanërisht në veri. Edhe pak ditë, tha ajo ne së bashku festojmë 9 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë të Shtetit të Kosovës. Në këta 9 vjet kemi ecur drejt konsolidimit të shtetit me gjithë vështirësitë e mëdha që na ka nxjerrë Serbia, e Rusia pas saj. Ndjehemi mirë që kemi mbështetjen e  fuqishme të Amerikës. Deklarata e Sekretarit Amerikan te mbrojtjes, James Mattis per mosndryshimin e qendrimit amerikan per Kosoven, dhe deklarata per Forcat Mbrojtese te Kosoves, janë në sinjale që ne duhet të vazhdojmë betejën tone. Edhe  vizita e sekretarit te pergjithshem te NATO-s z. Jens Stoltenberg ne Kosove, perben nje tjeter mbeshtetje per Kosovën.

Kosova, tha ambasadorja Sahatçija, ka shënuar arritje në drejtim të sundimit të Ligjit; hapa pas hapi shteti i ri po ecën drejt BE-së, marrëveshjet e arritura, po hapin perspektiva të reja, kemi bashkëpunim të mirë me Shqipërinë etj.

Më pas u diskutua edhe për komentet e fundit të medias për opsionin e këmbimit të territoreve. Kryetari Buçaj, tha se Vatra, në asnjë rrethanë nuk i ka përkrahë dhe nuk do t’i përkrahë opsione të tilla. Ky është qëndrim i prerë.

Gjatë takimit e morën fjalën edhe zv/kryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, Nazo Veliu, Marjan Cubi dhe Dalip Greca.

Ambasadorja Sahatçija i dhuroi kryetarit të Vatrës botimet më të fundit që përcjellin vlerat, kulturen, historinë, pasuritë, arritjet e Republikës së Kosovës, të cilat do të jenë në dispozicion të vatranëve në bibliotekën e Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: dr. Gjon Bucaj, Teuta Sahatcija, Vatra, vizite en Konsullaten e Kosoves

50-vjetori i një çmendurie kombëtare

February 8, 2017 by dgreca

2 Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/Në historinë e kombeve të mëdha e të vogla ndodhin lloj-lloj fatkeqësishë: luftëra, pushtime, fatkeqësi të natyrës, e tjera.  Gjysëm shekulli më parë, pikërisht më 6 shkurt të vitit 1967 ndodhi një ngjarje që mund të cilësohet, për nga përmasat dhe pasojat fetare, kombëtare dhe kulturore, si një ditë fatkeqe në historinë moderne të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Atë ditë, regjimi komunist, me Enver Hoxhën në krye, filloi një luftë të ashpër kundër fesë, klerikëve dhe institucioneve fetare, duke shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, diçka që as deri atëherë dhe as deri më sot nuk e ka bërë ndonjë popull ose komb tjetër në botë.  Është kjo një ditë fatzezë në historinë e jetës fetare, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve, që Arkipeshkvi i Shkodër-Pultit, i Përndershmi Angelo Massafra, në kujtim të këtij 50-vjetori fatzi, shkruan në portalin katolik peregrinus.al,  se ky përvjetor shënon ditën kur Enver Hoxha deklaroi “vdekjen” e Perëndisë, “duke u mbrojtur pas një ideologjie të korruptuar, të imponuar me anë të terrorit”, një ditë kur, “një njeri i jepte vetes të drejtën të cenonte lirinë e njerëzve të tjerë.  Ishte kjo një ditë kur, “Përball Fjalës Krijuese të Hyut, Shqipëria zgjidhte fjalën shkatërrimtare të diktatorit të vet”, shprehet Kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit në shkrimin e tij.

Në Shqipërinë tonë post-komuniste — u kërkoj falje miqëve të mijë të cilët, ndoshta me të drejtë, më korigjojnë shpeshëherë për këtë përcaktim të sistemit politik të këtyre 25 viteve të fundit atje – sidomos vitet e fundit, vihen re tendenca për të riabilituar regjimin diktatorial komunist dhe figurën e Enver Hoxhës me qëllim për të revizionuar historinë e asaj periudhe, dhe me kollajllëk për të “harruar” përvjetorë si ky.  Në një mungesë totale të solidarizimit me viktimat e kësaj politike të çmendur 50-vjetë më parë, me sa kam venë re, ky përvjetor nuk tërhoqi ndonjë vëmendje nga institucionet shqiptare, as nga media, dhe as nga udhëheqsit politikë të cilët në faqet e tyre elektronike mezi presin të shënojnë çdo gjë, me rëndësi e pa rëndësi, historike dhe jo aq historike.

Por, sa për kujtesë, ishte Shkurti i vitit 1967, kur Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull, ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, fjalim ky me të cilin ai, shpalli luftë kundër ”ideologjisë fetare” dhe ”zakoneve prapanike”, duke e sanksionuar me ligj Shqipërinë kundër Zotit dhe si vendin e parë dhe të vetëm ateist në historinë botërore.  Fjalimi i diktatorit, mund të konsiderohet edhe si mbarimi i luftës kundër klerit dhe i tre institucioneve fetare të shqiptarëve, sepse kalvari i tyre, në të vërtetë, kishte filluar ç’prej vitit 1945.   Shumica e klerikëve katolikë shqiptarë, por edhe i të dy feve të tjera, mysimanë dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të pa-imagjinueshme nepër burgjet dhe kampet komuniste të regjimit hoxhist, në periudhën 1945-1960.   Numri i saktë i klerikëve të vrarë ose të vdekur nepër burgjet dhe kampet e përqëndrimit — katolikë, myslimanë dhe ortodoksë — nën torturat më ç’njerëzore të asaj periudhe — ndoshta nuk do të dihet kurrë.  Deri më 1950, komunitetet fetare në Shqipëri ishin dobësuar deri në një pikë sa që nuk mund të flitej më për ndonjë veprimtari normale të këtyre komuniteteve.  Ironia tragjike e kësaj situate është se e gjithë këjo çfarosje ndodhi ndërsa njëkohsisht, kushtetuta e Shqipërisë komuniste garantonte lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes.

Përveç ndalimit të fesë, me fjalimin e Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1967, Shqipëria komuniste kishte nisur gjithashtu revolucionin e saj bazuar në  Revolucionin Kulturor Kinez, duke e zhytur kështu kombin shqiptar në një katastrofë kulturore përmasash historike të paparë ndonjëherë, ndërkohë që ndërmori krimet më çnjërzore kundër popullit të vet, duke zhdukur pjesëtarët më të dalluar të elitës intelektuale dhe fetare shqiptare dhe së bashku me ta edhe një pjesë të madhe të thesarit të kulturës, të letërsisë dhe të traditave mija vjeçare të kombit shqiptar.  Në këtë 50-vjetor, i ashtuquajturi Revolucioni Kulturor në Shqipëri – vërtetsisht një kopje fatzezë e Revolucionit Kulturor dhe ideologjik të Kinës Komuniste – nuk mund të kuptohet as të shikohet ndryshe veçse një krim përmasash kombëtare, i kryer nga një regjim anti-kombëtar, në emër të një ideologjie sllavo-aziatike, kundër historisë dhe kulturës së kombit shqiptar. Ishte kjo një ideologji që kishte për qëllim zhdukjen e elitës fetare dhe kulturore shqiptare, e cila ndonsë e përbuzur dhe e zhdukur fizikisht — atëherë dhe sot dëshmon gjithnjë vlerat njerëzore, intelektuale, shpirtërore dhe shoqërore, të cilat nuk zhduken kurrë ndër shqiptarët.

Nuk besoj të ketë ndonjë popull tjetër – kur të merret parasyshë numri ipopullësisë së Shqipërisë – që të ketë pësuar vuajtje, procese gjyqësore dhe tortura më të mëdha dhe më të tmershme gjatë shekullit të kaluar se populli shqiptar.  Duke iu referuar periudhës komuniste, Papa Gjon Pali i Dytë me të drejtë është shprehur se: “Historia nuk ka parë ndonjëherë ato që kanë ndodhur në Shqipëri”.  Prandaj, është shumë e vështirë të merret me mend se si është e mundur që udhëheqsit politikë shqiptarë, institucionet shtetërore dhe kulturore të vendit — në një përvjetor si ky — të mos ndjejnë asnjë obligim ose përgjegjësi morale për të kujtuar këtë njollë të zezë të historisë kombëtare dhe viktimat e asaj periudhe. Ata heshtin   duke mbajtur qendrime indiferente ndaj gjenocidit fetar në Shqipëri dhe ndaj shkeljeve flagrante të ligjeve dhe marrveshjeve ndërkombëtare të lirive bazë të njeriut, përfshirë lirinë fetare të asaj kohe.  Ndoshta miqët e mi kanë të drejtë se përcaktimi “periudha post-komuniste” në Shqipëri, duhet të cilësohet disi ndryshe.

Sidoqoftë, ajo që mund të bëjmë në këtë 50-vjetor, nëqoftse asgjë tjetër, të pakën të kujtojmë këtë çmenduri kombëtare dhe viktimat e saj të pafajshme — të kësaj periudhe tragjike të historisë së Shqipërisë — me shpresën që ato krime të mos përsëritën më — në ato forma ose ndryshe — në trojet shqiptare, nga shqiptari kundër shqiptarit ose nga të huajt kundër shqiptarëve.

Por për fat të mirë, Perëndia nuk e kishte harruar Shqipërinë dhe shqiptarët.  Ashtu siç është shprehur edhe Dom Simon Jubani, gjatë meshës së parë në nëntor të vitit 1990, se megjithë përpjekjet e Enver Hoxhës për të zhdukur përgjithmonë fenë në Shqipëri, “Kishat e xhamitë i lartësojnë përsëri këmbënaret dhe minaretë e tyre drejtë qiellit si rrufepritëse, sinjal i shembjes së vet diktaturës”.

Por jo vetëm kaq.  Në këtë përvjetor të harruar le të shikojmë drejtë një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, duke iu bashkuar mesazhit shpresëdhënës të Papa Gjon Palit të II, në vizitën që bëri në Shqipëri më 25 prill, 1993, drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe në Tiranë, ku mes tjerash ka thënë: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin. Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”.   Me atë rast, Papa Gjon Pali i II porositi gjithashtu shqiptarët se, ”Kjo liri e besimit fetar të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë.  Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjia, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet.  Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror….Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, ka deklaruar Papa Gjon pali i II në Tiranë, në prill të vitit 1993.

Në këtë 50-vjetor të ndalimit të fesë në Shqipëri dhe të fjalimit famkeq të Enver Hoxhës,  është një obligim moral dhe përgjegjësi politike dhe shoqërore që të kujtojmë krimet dhe viktimat e regjimit komunist, por njëkohsisht të mos harrohen, por të kultivohen përjetsisht, vlerat e vëllazërimit dhe të harmonisë jo vetëm fetare — për të cilën dallohen shqiptarët — por të zhvillohet edhe harmonia politiko-shoqërore, si një thesar për të sotmen dhe për të ardhmen e kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 vjetori, Frank shkreli, i një çmendurie kombëtare

A egziston strategjia e edukimit ‘ te brezit te ri ne Shqiperi ?

February 8, 2017 by dgreca

Nga Filip Guraziu/

1 Filip

‘Njeriu’ perben  elementin me te rendesishem te platformes  se  zhvillimit se  nje shoqerije.  Mund te investosh shuma te medha per zhvillimin e nje vendi; te ndertosh rruge, ura , tunele,  etj., por cdo gje me pas nuk do te funksionoje si duhet  dhe do te shkoje drejte venitjes dhe  paralizes  ne se ‘Njeriu’ qe i shfrytezon dhe i perdoron ato vepra nuk do te jete i edukuar ,  kjo  jo vetem  ne aspektin  tekniko- profesional , por kryesisht  ne aspektin  moral, human dhe  patriotik.

Nuk eshte rastesi qe diktaturat kudo ne bote,  te djathta dhe te majta, vemendjen me ta madhe te propogandes se tyre ja paten kushtuar  edukimit te brezit te ri.   Ne nje mase me te vogel, po perseri me vemendje te veçante, trajtohet edhe sot  sektorit i edukimit  ne shtetet demokratike te botes.  Eksperiencat ne kete drejtim na bejne  te kuptojme dhe te bindemi se shoqeria shqiptare nuk mund te jete e shendetshme dhe e sigurte ne zhvillimin dhe  perparimin e saje drejte mireqenies ne se ‘sektori i edukimit’ qe trajton brezin e ri nuk ka si udherrefyes nje strategji te miremenduar  qe misheron kerkesat e normave morale bashkekohore qe kushtezon e ardhmja europiane.

Shoqeria shqiptare sot krenohet per disa simbole kombetare me te cilet lidhet identiteti i Arberit; neve jemi krenar qe jemi bashkekombas te Gjergj Kastriotit Skenderbeut dhe te Nane Terezes, dhe eshte e natyrshme qe puna edukuese me te rinjte behet dhe duhet te jete ne kete linje,  por ne kundershtim me kete, praktikat e koheve te fundit   provojne qe çdokush ( edhe personazhe rruge me identitet te dyshimte dhe  prapavije te qarte antishqiptare),  fare lehte bejne propagande krejte te kundert duke gjetur hapsire veprimi ne media dhe sheshe publike, gje qe ç’orjenton formimin e ndergjegjes se brezit te ri duke goditur  qelizen vitale te identitetit te shqiptareve! A duhet lejuar kjo?

Shqiptaret e permbysen  komunizmin duke hedhur ne kazanin e plehrave propoganden   imorale te ‘luftes se klasave’ qe ushqente urrejtjen klasore  dhe perbuzjen per kleriket dhe intelektualet nacionaliste  qe konsideroheshin  “armiq te klases”.  Sot ne demokraci, Shqiptaret mburren per qendrimin moralo-patriotik te klerikve te cilet me besimin ne Zot ju kundervuan haptas dhunes komuniste i njejti qendrim edhe  per intelektualet nacionaliste me bindje liberale te cilet punuan me perkushtim per ngritjen kulturore te shqiptareve. Keto konsiderata perbejne  elemente te rendesishem per formimin moralo-patriotik te brezit te ri, te pranuara unanimisht nga te gjitha forcat politike parlamentare, por perseri ne praktiken e perditshme ndodh e kunderta! Ne nje mori media televizive çfaqen  dite  dhe nate filma te prodhuar nga Kinostudio ‘Shqiperia e re’ te periudhes se diktatures, ku te rinjte e lindur ne demokraci, shohin dhe mesojne pra edukohen me “  imoralitetin dhe antishqiptarizmin e  klerikve ”, tradhetine e intelektualeve nacionaliste dhe poshtersine e klases borgjeze    (propagande tipike e diktatures komuniste)  A duhet lejuar kjo ?

Jo, kjo situate paradoksale dhe e demshme per edukimin e brezit te ri nuk duhet te ndodhe!  Deshiroj qe te moskeqkuptohem, personalisht  vleresoj punen e madhe artistike( pavaresisht moralit politik te kohes) qe ka bere ne vite Kinostudio ‘ Shqiperia e re’, por e çoj zerin per te bere thirrje  qe institucionet pergjegjese te edukimit  dhe ato te kontrollit te mediave vizive  ne nivel shteteror te reagojne per ta kontrolluar situaten duke bere seleksionimin e filmave qe transmetohen.  Gjej rastin te kritikoj  qendrimin indiferent dhe oportunist te drejtuesve te komuniteteve fetare shqiptare dhe ne veçanti te  drejtuesve te komunitetit katolik qe deri sot nuk kane protestuar me force per te kerkuar qe te marre fund diskriminimi moral i klerikeve nga filmat e periudhes komuniste!

Me keqardhje duhet te pranojme se organizimi dhe drejtimi institucional- shteteror shqiptar  i ‘sektorit te edukimit’ ende paraqitet i manget , pa strategji veprimi, per te mos thene qe eshte inegzistent. Indiferenca shteterore ndaj strategjise se edukimit ‘te brezit te ri’ veshtireson deri ne pengese  rrugen e shqiptareve drejte europes. Kembanat e alarmit bien!  Antishqiptaret punojne dite dhe nate kunder gjerave me te shtrenjta dhe simboleve te shqiptarizmit. Populli thote “gjejne shesh dhe bejne pershesh” perse?  Sepse Shqiperia ende muk ka shtet qe te mbroje simbolet, idealet dhe identitetin Shqiptareve, deri kur keshtu?

Filed Under: Analiza Tagged With: A egziston strategjia e edukimit ‘, Filip Guraziu, te brezit te ri ne Shqiperi ?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2207
  • 2208
  • 2209
  • 2210
  • 2211
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT