• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Komisioni, i gatshëm të nisë punën për matjen e territorit

February 7, 2017 by dgreca

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka mbledhur dokumentet e nevojshme për të filluar punën në terren.Anëtari i grupit të ekspertëve dhe zëdhënësi i komisionit, Tomor Çela tha për Radion Evropa e Lirë se komisioni ka pranuar dokumentet e nevojshme dhe brenda javës do të prezantohen nga institucionet përkatëse për shqyrtim dhe diskutim.“Ne jemi në fazën e rishikimit të dokumentacionit komplet. Me datën 10 do ta kemi një takim të përbashkët ku secili institucion do të prezantojë të gjeturat e veta rreth sipërfaqeve dhe projekteve që i kanë realizuar në territorin e Kosovës”, tha Çela. Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtari i komisionit, tha po ashtu se përfaqësuesit e komunave nga të cilat është kërkuar dokumentacioni për territor, i kanë dorëzuar në komision.“Ne si komuna kemi dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. Atë çka posedon Komuna e Pejës, (është dorëzuar dokumentacion) 602 kilometra katrorë e 58 hektarë është sipërfaqja totale e komunës së Pejës. Në bazë të llogarisë së matjeve që do të bëhet më tutje, do të konstatohet a ka humbje të territorit …a mungojnë ato 83 kilometra që po i propagandon opozita dhe disa deputet të pozitës”, tha Muhaxheri për Radio Evropa e Lirë.Komisioni përbëhet nga ekspertë, të cilët janë deleguar nga institucionet dhe subjektet e ndryshme vendore. Në këtë komision gjatë punës pritet të ketë edhe ekspertë në cilësinë e vëzhguesve nga institucionet dhe përfaqësitë ndërkombëtare në Kosovë.Formimin dhe punën e këtij komisioni e kanë kundërshtuar partitë politike opozitare dhe nuk kanë dashur që të marrin pjesë në ketë komision duke thënë se “nuk dëshirojnë të legjitimojmë veprime dhe marrëveshje tejet të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, siç është edhe Komisioni për matjen e territorit”.Në Komisionin e ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës nuk po marrin pjesë as përfaqësuesit e banorëve të brezit kufitar mes Kosovë dhe Malit të Zi.

Ali Lajçi, ishte caktuar nga komisioni si përfaqësues i banorëve, por ai nuk ka marrë pjesë dhe konfirmon se nuk do të përcjellë punimet e komisionit.“Nuk kam shkuar ngase e konsiderojmë si farsë. Është humbur legjitimiteti, kurse tash po bëhen prova për të dërguar edhe një herë (në Kuvend) për ta bërë një kamuflim. Ne nuk jemi të interesuar ta legjitimojmë atë lloj projekti tashmë të dështuar”, tha Lajçi.Partitë politike opozitare në vitin e kaluar patën bllokuar disa herë seancat plenare, duke përdorur dhe gazin lotsjellës dhe fishkëllima në sallën e Kuvendit, kur është tentuar të trajtohet çështje e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi apo çështje tjera që nuk janë mbështetur nga tabori opozitar.Komisioni për matjen e territorit të Republikës së Kosovës me anë të një komunikate për media ka deklaruar se është duke punuar intensivisht në kuadër të ndarjes së punës.“Në punën e Komisionit mungojnë vetëm ata që nga fillimi nuk iu kanë përgjigjur ftesës së Qeverisë dhe të Kryeministrit (partitë opozitare dhe dy kryetarë të komunave). Komisioni i fton edhe ato subjekte që përmes përfaqësuesve të tyre t’i bashkohen diskutimit konstruktiv për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të vërtetës dhe të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, duke thënë se në komision “nuk ka asnjë përçarje”.Matja e territorit është iniciuar si kërkesë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pas akuzave të opozitës por edhe disa deputetëve në pushtet, se me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar se kjo matje nuk do të marrë shumë kohë dhe se me anë të këtij procesi do t’i jepet një përgjigje profesionale dhe shkencore pyetjes se a ka humbur apo jo territor shteti i Kosovës me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.(Kortezi: Arton Konushevci-RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: i gatshëm të nisë punën, komisioni, për matjen e territorit

Ish-kryeparlamentari Krasniqi, në Samitin e Katërt Botëror për Paqe

February 7, 2017 by dgreca

1 Krasniqi

Me ftesë të Presidentit të Federatës për Paqe Universale, Thomas G. Walsh, ish- kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, mori pjesë në Samitin e Katërt Botëror për “Paqe, Siguri dhe Zhvillim Njerëzor“, i cili u mbajt në Seul të Koresë Jugore, nga 1 deri më 5 shkurt 2017, nën organizimin e Federatës së Paqes Universale.Me këtë rast, u mbajt edhe Kuvendi i parë Global i Shoqatës Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe.Konferenca punimet i zhvilloi në më shumë se tetë sesione, duke prekur një numër çështjesh me rëndësi për paqen, sigurinë dhe zhvillimin njerëzor. Prezantimet dhe diskutimet e pjesëmarrësve nga shumë vende të botës nxorën reflektimet duke u bazuar në përvojat e vendeve dhe rajoneve të tyre, së bashku me hapat e mundshëm të veprimit për ndërgjegjësim, vizion të ri dhe udhëheqje të guximshme për të zgjidhur çështjet kritike të kohë sonë.Në këtë konferencë, pjesëmarrës nga Kosova ishin edhe deputetët Visar Ymeri dhe Flora Brovina.

Filed Under: Kronike Tagged With: Jakup Krasniqi, në Samitin e Katërt Botëror, për Paqë

Alpinistët Kosovarë drejt majës së Everestit

February 7, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi ua dorëzon alpinistëve flamurin e Kosovës për ta ngritur në majën e Everestit/01

PRISHTINË, 7 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një grup të alpinistëve kosovarë, të cilët në muajt e ardhshëm do të ngjitën në majën e Everestit.

02

Presidenti Thaçi ka theksuar se përmes sukseseve në shumë disiplina sportive, kosovarët janë duke forcuar identitetin shtetëror dhe duke e promovuar Kosovën në botë.“Jam i vetëdijshëm për rreziqet që paraqet kjo ekspeditë dhe do t’iu mbështesim në çdo hap”, ka shtuar presidenti Thaçi.Nga ana tjetër, udhëheqësi i grupit të alpinistëve, Nazmi Hasanramaj, ka thënë se kjo ekspeditë i kushtohet shtetit të Kosovës dhe për porosi ka paqen dhe promovimin e shtetësisë.“Qëllimi final është ngritja e flamurit të Kosovës në Everest, që sot na dhuruat”, ka shtuar ai.Grupi i përbërë nga Nazmi Hasanramnaj, Qëndrim Sopi, Arineta Mula dhe Haki Hasanramaj janë duke i vazhduar përgatitjet për ngjitjen e vargmaleve më të larta në botë, të cilat janë mbi 8800 metra të larta.“Tash e tri vjet jemi duke u përgatitur. Përgatitjet psikofizike jemi duke i vazhduar intensivisht, ndërsa profesionalisht dhe shpirtërisht jemi përgatitur për të gjitha sfidat, rreziqet dhe sakrificat e mundshme që mund të na presin atje”, ka thënë Hasanramaj.Presidenti Thaçi e ka vlerësuar lart guximin e alpinistëve për këtë iniciativë dhe rrugëtim përplot sakrificë.“Pushtimi i majave të Everestit dhe ngritja e flamurit të Kosovës nga ju, do të jetë një lajm i jashtëzakonshëm për republikën tonë”, është shprehur presidenti Thaçi./b.j/

Filed Under: Sport Tagged With: Alpinistët Kosovarë, Behlul Jashari, drejt majës së Everestit

Vrulli i përbaltjes që ka nisur

February 7, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

2-Ilir-196x300-1Për dy ditë me radhë e ngritëm në kupë të qiellit Dritëroin. Tashmë do na duhen edhe dy ditë të tjera ta përflasim. Për dy ditë dominoi entuziazmi i një humbjeje të madhe. Një keqardhje gati kolektive, aq sa edhe homazhet e prillit 1985. Kur e qamë në masë atë, baba Enverin. Gjjeninë e krimit dhe diktaturës së proletariatit. Homazhet ku garuam se kush qante më fort. Dhe gati 80% të objekteve, rrugëve, maleve, pjesë të qiellit etj…, i dhamë emrin e tij. I konkuruam ato ditë. Me sukses të plotë. Aq sa një vdektari komshi, Enveri i pati shprehur keqardhjen që nuk vrau ca më shumë.

Tjetri kishte ngritur supet, mirëpo bac Enveri kishte këmbëngulur:-Po ore po, shqiptarit lëroju nënën që të të dojë. Nuk e shikon, kanë 3 ditë që më qajnë.Ne ia kaluam me sukses ditëve të prillit 1985. Edhe pse në krijimitarinë e tij, amanetet poetike e përbuznin këtë masturbim kolektiv. Për dy ditë i harruam shumë e shumë probleme. Si Eskobarin e Delvinës që peshkonte me jahte luksoze. Edhe pse policia e Greqisë, Interpoli, Apo DEA, policia speciale e Departamentit amerikan që lufton tregun e drogave të rënda. E harruam se si një gazetar bëhet miliarder për dy ditë. U çamë më dysh me luftën pakompromis të një ambasadori kundër korrupsionit dhe reformave. Pasi ne na mjaftojnë birrat. Po çfarë dy ditë…, filluan që më parë me ato fotot ku shfaqej një Dritëro i ligur. Që dukej sheshit që po shuhej. Mirëpo ne nuk na duhet kjo. Rëndësi ka të tregojmë që jemi pranë tij. Pa e vënë re se ajo bjerrje njeriu, stononte me kostumet e sejmenëve të lajkave. Me qeshjet fallco dhe me diçiturat të menduara si të goditura. Një fatkeqësi dhe kafshëri njerëzore që nuk e di se cila dherishte trualli a soj uji na e ngjiz ne shqiptarëve. Këtë etje për tu dukur.Tashmë ka nisur përbaltja. Dhe më e keqja është tek adresimi i akuzave për firma vrasjesh. Mohimin e një realiteti letrar më të gjerë. Atë të cilin realizmi socialist e varrosi sikur të mos kishte ekzistuar. Më e keqja është akoma, kur lufta bëhet brenda llojit. Ku për një inat a qejfmbetje kohe. Dikush na del viktimë e dikush xhelati..Kjo strategji, kjo lëvizje. A ky lloj intrigimi ka nxjerrë kaq e aq disedentë. Edhe pse ata ishin viktima të luftës brenda llojit. Jo të një disidence. Po e theksoj, luftës brenda llojit. Një modë e shëmtuar kjo disidenca brenda bllokut dhe nomeklaturës. Brenda koridoreve të një akademie arti apo shkencas. Brenda redaksive dhe studiove të prodhimit të filmit.

Aq sa shqiptarët edhe pse kanë kaluar 27 vite demokraci, ngritën vetëm një komision. Dhe dënuan vetëm një grua si Nexhmije Hoxha. Dhe këtë për filxhan kafesh. Jo krime kundër njerëzimit. Madje vazhdojnë me mburrje me teoritë e atyre që hanë paçe e pilaf në mëngjes, se, po luftojnë komunizmin duke e demaskuar keq. Me epitete si zonja e zezë etj. Përmes këtyre paçepilafistave ose xhonkomunistat e rinj. Këtyre xhonkomunistave me këto komisione treçerekshekullore, gjoja hetimi për korrupsion në administratë. Dhe që vrapojnë të hedhin karafila po njësoj, mbi Dritëroin, Lasgushin, Fishtën, Koliqin, Camajn etj. Por vetëm pas vdekjes ama. Ndërsa paralelisht shtyjnë urat e tyre në vazhdimin e luftës frontale mes disidentëve të njëjtit lloj.

Ku i bën karshillëk kohës me një provincializëm uni një bir oborri. Dhe shqiptarët magjepsen duke besuar se po ndertojnë demokracinë. Jo, jo aspak! Demokraci po ndërtojnë rumunët që nuk po lëvizin nga sheshi. Pasi nuk e pranojnë fakti edhe kështu edhe ashtu.Dritëroi vdiq komunist me mëkatet e kohës. Dhe të tiat bashkë. Për aq sa i takon në atë bashkëstrategji të luftës së klasave apo të tjera. Dhe do pranonte me qejf dënimin. Atë dënim të cilin Lasgush Poradeci i madh e përfshinte nën përemrin Ne, poetët jemi fajtorë. Ia ka thënë Ismailit, e keni tek Ftesë në Studio.Komunist vdiq edhe Petro Marko. Fashist Gabriele D’Annunzio në Itali. Socialist Pablo Neruda në Kili etj.Ashtu si edhe plot zëra të tjerë tek ne me bindje krahësh. Fitimtarësh dhe të mundurish.Po si i bëhet halli që në atë aparat shfarosje, dosjexhinjsh, kapterrash, sekretarësh, prokurorësh. Që edhe sot e kësaj dite flasin se gjithçka e kanë bërë konform ligjeve të shtetit, Kushtetutës së vendit. Nga ai aparat kërkash që kanë yshtur një politikë denigrimi shqiptari karshi shqiptarit. Dhe fërkojnë duart kur bijtë e nomeklaturës merren me firot e Agollit. Me mëkatet e artistëve midis njëri-tjetrit. Dhe përballë ne që harbojmë si të dehur seksualisht. E harrojmë mëkatet apo shfarosjen e klerit katolik. Pikërisht prej këtyre baballarëve të sejmenëve që ne sot i votojmë. Këtyre që i hedhin karafila poetit mëkatar. Pastaj shkojnë e dalin studiove, fitimtarë.Dhe me të drejtë. Shfarosja e katoliçizmit nuk ka marrë as sot shpagim. Kushedi, edhe atje poshtë. Ose në botën matanë, Enveri u zgërdhihet klerikëve, françeskanëve të Shkodër loce. Se bukur fort, i ka futur në një amulli si ajo e kohës, kur gjysma donin Dovletin . Dhe gjysma mëvetësinë.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, që ka nisur, Vrulli i përbaltjes

Vaçe Zela, valsi yne i lumturise

February 7, 2017 by dgreca

Me rastin e 3 vjetorit te ndarjes nga kjo bote te artistes sone te madhe, Vaçe Zela (7 prill, 1939 – 6 shkurt, 2014)/pastedImage-2

Nga Sadik ELSHANI/*2Sadik-ElshaniSot, me 5 shkurt, 2017 iu dha lamtumira e fundit poetit, shkrimtarit, gazetarit, publiçistit, dramaturgut, skenaristit, njeriut, Dritero Agolli. Nena Shqiperi, “Hallemadhja jone shekullore” e futi ne gjirin e saj te ngrohte per ta mbajtur ne perjetesi. Ndersa tri vite me pare, me 5 shkurt te vitit 2014, na la Vaçe Zela, kengetarja, artistja jone e madhe. Edit Piafi yne u nda nga kjo bote per t’u ngritur ne qiellin e perjetesise prej nga eshte duke shendritur si nje yll qe nuk shuhet kurre. Eshte zeri i saj, Jane kenget e saj qe do ta mbajne ate gjithmone te gjalle ne mesin tone.

Vaçe Zela u lind me 7 prill te vitit 1939, te njejten dite kur Shqiperia u pushtua nga Italia fashiste. Atdheu u pushtua, humbi pavaresine, por po ne ate dite te veshtire, ai vend lindi Vaçe Zelen, e cila pak vite me vone do te behej krenaria, Nderi i Kombit. Kjo mund te jete vetem nje rastesi, por eshte me shume se nje rastesi, eshte nje metafore e ngadhnjimit te se bukures mbi te keqen. Ajo ishte nje dhurate per kombin tone.

Vaçe Zela ishte nje artiste e perkryer me plot kuptimin e fjales. Ajo nuk ishte interpretuese mekanike e kenges, ajo i jepte shpirt kenges me zerin e saj te vecante, melodioz e plot muzikalitet. Per arritjet e perkryera artistike, ajo ishte mjaft kembengulese dhe e vendosur. Siç tregonin, poeti Dritero Agolli dhe kompozitori Tish Daija, ajo kishte kerkesa te larta artistike si per tekstin, ashtu edhe per muziken – luftonte per çdo varg, luftonte per çdo note. Gjithmone do te mbetet model i persosmerise profesionale e artistike.

Si nje artiste e pashoqe ne hapesirat tona dhe si nje grua fisnike me vlera te larta njerezore, u be shembull, u be burim frymezimi per shume vajza te reja, artiste te ardhshme – ka qene percaktuese e fateve te jetes se tyre. Shume vajza te reja thonin se do te beheshin si Vaçe Zela dhe shume prinder u thonin vajzave te tyre: Te me behesh si Vaçe Zela. Ky eshte nje nga vleresimet me te larta qe mund t’i behen nje artisti.

Kenga e saj gjithmone sjell optimizem, hov rinor, te merr ne krahet e saj magjik e te shpie ne nje bote magjepse, t’i largon per nje çast hallet, brengat e jetes. Ja si shprehet per kete kengetari Sherif Merdani: “Ne jetuam ne nje Shqiperi qe lengonte, qe renkonte. Ku kengetari burgosej per kengen e tij, poeti pushkatohej per vepren e tij. Zoti nuk na i vrau shpresen, dergoi nje ze qe na i zbuti dhimbjen dhe na dha shprese, kjo ishte Vaçja.”

Vaçe Zela eshte vlere kombetare, eshte diamanti i kurores se  muzikes se lehte shqiptare. Kenget e saj jane nje copez e shkelqyer, e arte e mozaikut te kultures sone kombetare. Me kenget e Vaçe Zeles shpirti i kombit tone eshte me i pasur, me fisnik. Kenget e saj jane per te gjitha brezat, te gjitha koherat – kenge qe pelqehen e kendohen ne te gjitha trevat shqiptare. Jo me kot ajo kishte lene amanetin, porosine e saj qe arkemorti me trupin e saj te zbriste ne aeroportin  Prishtines e pastaj te vazhdonte per ne Tirane me makine, ashtu, mespermes Shqiperise, si kenga e saj qe jehonte ne gjithe Shqiperine Etnike.

Ajo u paraqit me plot sukses edhe ne skenat e huaja dhe me interpretimet e saj plot elegance, me zerin e saj te vecante ajo i magjepsi edhe artdashesit joshqiptare, shpalosi vlerat shpirterore te popullit tone para botes. Jane kenget e vendit tone, kenget e shpirtit tone.

Jeta e nje artisti, shkençetari, madje edhe e çdo njeriu, eshte vepra e tij. Njerezit jetojne me vepren e tyre, mbahen mend per vepren e tyre. Vaçe Zela krijoi nje art me vlera te veçanta artistike. Kenget e saj, zeri i saj i embel, i ngrohte, i veçante e plot muzikalitet do te jehoje nder vite e shekuj. Teksti i zgjedhur, muzika plot ritem, e rrjedhshme, interrpretimi me gjithe shpirt – keto jane kenget e Vaçe Zeles. Kenget e saj jane valsi i lumturise, optimizmit dhe krenarise se kombit tone. Kenget: “Valsi i lumturise”, Rrjedh ne kenge e ligjerime”, “Djaloshi dhe shiu”, “Kenget e vendit tim” e shume e shume te tjera, qe jane margaritare te muzikes sone, do te mbeten gjithmone me ne e do te kendohen gjithmone me shume dashuri, respekt e mirenjohje ndaj Vaçes. Ne skenen muzikore shqiptare ajo ishte dhe do te mbetet e vetme (unike), e paperseritshme, e pakrahasueshme, e paimitueshme, e paarritshme. Kengetare te reja, behuni me te mira se Vaçe Zela, por mos u mundoni ta imitoni ate! Ajo ishte dhe do te mbetet njeshi.

Gjate karrieres se saj te shkelqyer ajo u nderua me shume mirenjohje, çmime, urdhra e dekorata: Artiste e Merituar, Artiste e Popullit, Nderi i Kombit – e vetmja grua shqiptare qe u nderua me kete titull per se gjalli. Por çmimi me i larte e me domethenes per te dhe çdo artist te vertete, ishin duartrokitjet e zjarrta te publikut, adhurimi per zerin, kenget, artin e saj.

Tani ka tri vite qe ajo prehet e qete ne token shqiptare, ne zemrat e shqiptareve dhe te gjithe adhuruesve te muzikes, artit dhe vlerave te larta te bukurise njerezore!

Gjithmone ne zemrat tona!

Filadelfia, 5 shkurt, 2017

*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: Sadik Elshani, Vace Zela, valsi yne i lumturise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2210
  • 2211
  • 2212
  • 2213
  • 2214
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT