• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Koha për një Shqipëri Normale!

January 13, 2017 by dgreca

Shkruan: Dr. Ledian Droboniku/

1Ledian Droboniku

Pse s’ka punë?/

Ndonjë fatkeqësi natyrore?/

Mbaruan punët e nuk ka më punë për të bërë?/

Realizuam të gjitha potencialet tona?/

Nuk ka njerëz për të punuar, nuk ka burime natyrore, nuk ka para?

Jo të gjitha këto janë dhe me bollëk madje !!!

Por atëherë çfarë nuk shkon?

Ndoshta, ndoshta, modeli i gabuar???

No, i’ts the economy, stupid!

Kështu e ka ekonomia!

Ekonomi tregu, të përgjigjet dhe njeriu më i thjeshtë, me një besim të vendosur sikur e ka kuptuar me të vërtet së çfarë është ajo.

Jetojmë në kohën e slloganeve dhe dizinformimit industrial, e vetmja industri që u realizua me sukses këto 2 dekada. Çdo njeri është i prirur tu japë shpjegim problemeve, pavarsisht nëse ato janë fryt i llogjikës së tij apo përsëritjes së slloganeve parafabrikuara  diku.

Diskutimet për ekonominë, në erën e dizinformimit industrial, nuk ndryshojnë shumë nga ato mbi fushat e tjera sociale. Llogjikës racionale, fitore  e iluminizmit evropian, i mbivendosen sllogane të thjeshta si dogma fetare, prandaj të pakritikueshme, prandaj je ose besimtar ose heretik i mallkuar.

Në këtë totalitarizëm modern,  flitet për ekonominë sikur ka vetëm një tip ekonomie, flitet për kapitalizmin sikur ka vetëm një lloj kapitalizmi, e kështu me radhë për tregun, punën, konkurrencën etj. “Shkencarët” e kësaj disipline jo shkencore, duan ta konsiderojnë ekonominë, jo si disiplinë sociale që varet nga nevojat e shoqërisë, por si një shkencë ekzakte me formula e grafikë hipnotizues për të mbajtur qytetarët larg. Nëse vërtet do të ishte një shkencë ekzakte, të gjithë do i kishin zbatuar këto formula mekanike dhe problemet do të ishin zhdukur.

Por kështu nuk ka ndodhur e nuk ka si të ndodhë sepse ekonomia është një aktivitet social dhe krjon raporte pushteti, të cilat mund të jenë në shërbim ose të gjithë komunitetit ose vetëm një pjese të tij. Për çdo koncept të saj mund të gjesh argumenta dhe kundëragumenta, varet se nga cila anë zgjedh të pozicionohesh: nga shumica e varfër apo pakica e kamur, punësimi apo kapitali, solidariteti apo konkurrenca etj.

Nevojat dhe problemet e shoqërisë janë komplekse e nuk mund të shpjegohen apo zgjidhen vetëm nga “specialistë idjotë” si ekonomistët apo juristët, por vetëm nëpërmjet një bashkëveprimi social, vetëm nëpërmjet një formimi të plotë e multidisplinor, pasi problemet  atje jashtë në botën reale janë komplekse e jo të ndarë me departamente. Nëse nuk kupton filozofinë e jetës, antropologjinë dhe psikologjinë e  njeriut, nevojat sociologjike, historinë dhe vlerat e vendit tënd,  atëherë edhe konceptet dalin të përmbusura. Pa dashje trasformohesh në një makinë të çmendur dhe njeriu të duket si një send i çfarëdoshëm që flaket pasi përdoret ose kur na ka më vlerë.Me të drejtë John Maynard Keynes shprehnte me shqetësim se “tashmë problemi nuk qëndron shumë tek dalja e ideve te reja sesa shplarja nga toksina e ideve të vjetra”. Keynes, një mendimtar liberal, u mundua me punën e tij të shpëtonte kapitalizmin qoftë nga armiq të jashtëm, si komunizmi, ashtu dhe nga difektet e tij të brendshme, si ishte trauma sociale shkaktuar nga Depresioni i Madh i 1929-ës. Adoptimi i reformave të tij në vendet perëndimore i dhanë botës një prosperitet për dekada me radhë duke mbajtur larg hijet e komunizmit. Kudo u krijua një begati e përgjithshme, shërbime publike të aksesueshme, një shtresë e mesme sepse me anë të punës fitoje më shumë sesa me interesa kapitali. Si pasojë Demokracia u forcua dhe kapitalizmi morri një fytyrë humane në të mirë të shoqërisë dhe popujve. Por kjo rritje e pushtetit të qytetarëve u shoqërua me humbjen e pushtetit të elitave financiare e lobeve pas tyre. Kjo përmbysje e forcave nuk do te tolerohej për shumë kohë.

Shumë shpejt kursi do të ndryshonte.

Pushteti duhej rekuperuar, por kjo nuk mund të bëhej pa “mbështetjen” e masave, mediave dhe katedrat e universitetit. Kudo Shteti fillon të sulmohet, si i korruptuar,  sepse “jo-efiçent” dhe e vetmja zgjidhje është privatizimi i asaj që deri dje ishte publike. Shumë shpejt, ekonomistët keynezianë zhduken për ti lërë vendin ekonomistëve neo-liberalë të përshtatshëm me trendin dhe interesin e klasës dominante. Nuk është shumë e vështirë për peshqit të ndjekin rrjedhën e lumit, sidomos kur bëhet fjalë për lumenj financiarë që të sigurojnë fonde për karrierën, antarësi bordesh, projekte dhe botime që mbështesin idetë e këtij sistemi dogmatik dhe antishkencor. Ekonomia u rikthye në shtratin fetar me dogmat e Rikardos, Say-s, Maltusit, Hayekut dhe Friedmanit. Tregu konsiderohet si një entitet magjik që zgjidh gjithçka, lëvizjet i bën dora e padukshme, konkurrenca është e vetmja luftë për njeriun ujk, fiton më i forti në këtë darvinizëm social, kurse puna nuk konsiderohet më si e drejtë por si çdo kosto tjetër për makinerinë e tregut. Shteti ndalon së qenuri mbrojtës i interesit publik dhe – si thotë Foucault – i shërben vetëm tregut, zaptohet nga “elitat” për ti shërbyer interesave të veçantë.

Duke iu kthyer rastit shqiptar, këtu futemi në një rreth vicioz, sepse të gjithë “intelektualët” kritikojnë “shtetin” se ka bllokuar tregun, se pushteti oligarkik favorizon monopolet dhe vret konkurrencën dhe iniciativën e lirë. Por në të njëjtën kohë, që e kritikojnë heqin të vetmen mundësi për të normalizuar shtetin: demokracinë pjesëmarrëse. Ngatërrojnë pushtetin me shtetin, harrojnë se mekanizmi i tregut përputhet me mekanizmin e këtij pusht-(sh)teti, se përqendrimi i parasë koinçidon me përqendrimin e pushtetit politik. Prandaj konstitucionalizmi modern e vuri tregun nën kontrollin e demokracisë, aty ku tregu ndan e fragmentizon shoqërinë, demokracia e rikompozon në mënyrë që shoqëria dhe faktorët e prodhimit të funksionojnë në nivele optimale.

Ekonomistët dhe intelektualët shqiptarë në përgjithësi, kanë një një aversion ndaj demokracisë sepse ose janë të konvertuar prej ideologjisë komuniste (të ekonomisë së planifikuar) ose kanë formim neoliberal, besimtarë të tregut magjik me duar të padukshme. Modelet që këta  u shpërndajnë studentëve dhe opinionit publik janë elitiste dhe antidemokratike, duke bërë që vetë të përvuajturit të adhurojnë ideologjinë e padronëve, të mundohen të bëhen dhe ata të tillë e jo të ndryshojnë këtë sistem, thellësisht të padrejtë.  

Ideologjia dominante dhe mendimi unik, është ai elitist me sfond shumpeterian, që e konsideron politikën, aktivitet të një elite, sepse qytetarët nuk kuptojnë, se ata nuk janë largpamës, se demokracia ka kosto, se populli manipulohet, se vendimet janë populiste etj etj. Kjo lloj ideologjie të bën të besosh që  shteti, për të mbrojtur interesin publik të shumicës duhet të drejtohet nga pakica, nga një “elitë e ndritur”. Aq i fortë është ky mendim sa të gjithë presin me sytë nga qielli se kush do vijë për të shpëtuar Shqipërinë.

I njëjti vizion karakterizon dhe mendimin për ekonominë. I ashtëquajtur model “trickle-down”, ku primare është, që një pjesë e vogël të stërpasurohet dhe pastaj pasuria do të rrjedhë vetë nga sipër për të tjerët. Po kështu nuk ka ndodhur dhe  nuk do ndodhë kurrë sepse pasuria është pushtet dhe askush nuk dëshiron ta ndajë atë me të tjerët, deri sa këta të fundit ndërgjegjësohen dhe organizohen për ta rimarrë atë. Ky lloj kapitalizmi ultrafinanciar është thellësisht antihuman sepse po godet ekonominë reale, po prodhon papunësi, po çmonton shtresat e mesme dhe të drejta fituar ndër dekada në Perëndim, po prodhon popuj endacakë e konfliktualitet si kurrë më parë. Jo vetëm ekonomistë, por sociologë e filozofë e deri tek Papa (Evangelii gaudium) kanë kundërshtuar këtë model si shkatërrimtar për bashkëjetesën paqësore  mes njerëzve, mes popujve dhe të ardhmen e planetit.

Por cili është ky model, që i është imponuar edhe Shqipërisë dhe mbështetet me fanatizëm e miopi prej të gjithë klasës politike dhe klerit të sistemit?

I ashtëquajtuari neoliberizëm, është një paketë reformash ekonomike e politike (Washington consensus)  që iu imponua të gjitha vendeve me bekmin e FMN-se dhe BB-së, tashmë në shërbim të aksionierit të tyre, ShBA-së dhe jo komunitetit ndërkombëtar, si ishte misioni fillestar. Këto reforma konsistonin në: dorëzimin e sovranitetit politik dhe monetar të shteteve, neutralizimin e demokracisë, përqendrimin e pushtetit politik, ekonomik e financiar, hapja ndaj tregjeve dhe kapitalit ndërkombëtar, privatizime të çdo pasurie publike, heqjen dorë nga politikat industriale dhe ato të punësimit, rritjen e borxhit publik dhe ndërkombëtarizimin e tij, shkrirjen e bankave tregtare me ato financiare etj.  

Aderimi i Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar u kushtëzua me aprovimin e shpejtë të këtyre reformave. Kjo ishte muzikë për veshët e nomeklaturës shqiptare, të cilët gjetën një ideologji dhe partnerë të rinj, për të ruajtur e forcuar pushtetin e tyre elitist, edhe duke shitur interesat e kombit.

Populli shqiptar, i kërkoi  mikut të tyre të ri, ShBA-së dhe sekretarit Bejker, një plan Marshall për Shqipërinë. Por ato investime nuk erdhën kurrë. Si përgjigje morën “këshillën” për adoptimin e terapisë shok, të zbatuar aq me devotshmëri prej të ndjerit Pashko dhe të “vjetrit e rinj”. Edhe pse kaq fort e kritikuar prej ekonomistëve e nobelistëve si Stiglitz, kjo “deformë” fshiu nga dheu industrinë shqiptare, krijoi papunësi totale duke detyruar shqiptarët të marrin arratinë si një popull endacak. Por nga ana tjetër, krijoi bazat për oligarkinë e re “ekonomike” që përvetësoi dhe shkriu pasuritë e një populli të tërë për 1 lek. Shpresa, se këta do të bëheshin kapitenë të ekonomisë së prodhimit shqiptar, ishte një iluzion, sepse këta jo vetëm nuk meritonin këtë pasuri si të paaftë që ishin, por tashmë do luftonin për mbajtjen e një sistemi politik oligarkik banal që të ruante e shtonte këto privilegje. Si pasojë Shqipëria do të kthehej në një ekonomi koloni importi dhe i gjithë shteti do punonte për këtë antiprojekt duke krijuar një spirale të rrezikshme.

Kështu “kapitalistët” shqiptarë nuk do ishin sipërmarrës të prodhimit si në vendet normale, por “kapitalistë” spekullativë dhe të importit.

Importimi siguronte valutë e të ardhura të shpejta, pa ndërmarrë ndonjë risk në kohë, pa lodhje e pa projekte të komplikuara.

Importi krijon raporte kushtëzimi me botën e politikës, me konçesione e afera doganore. Këtu interesat përpuqen e të gjithë ata që kanë pushtet “kënaqen”, pavarsisht se prodhimi vendas bie, papunësia merr përmasa biblike dhe territorri katandiset e boshatiset.

Të vetmin kontakt me masat e ruante partia si monopol, e jo ndonjë klasë borgjeze prodhimi që u krijonte punë qytetarëve e krijonte lidhje në territor.

Shndrrimi i politikës në një luftë mes bandave partiake, rrit pasigurinë e një biznesi prodhimi për pasojë mënyra më e shpejtë është pasurimi nëpërmjet liçencave dhe importit të klientëve të kastës.

Por për të mos pasur konkurrentë të këtyre mallrave importi, duhet në radhë të parë të mos lejohet prodhimi vendas, duhet çmontuar industria, bujqësia, e çdo aktivitet tjetër prodhues.

Shqipëria është i vetmi vend që krijoi kaos me pronën, me sistemin gjyqësor, me trasparencën e kapitalit, me urbanizimin e shërbimet publike. Pa këtë gjunjëzim të ekonomisë së prodhimit dhe mjegullës ligjore e financiare, privilegjet e kastës do ishin të rrezikuara.

Kjo ekonomi importi, gjithashtu kënaq dhe “fak-torin” ndërkombëtar që shohin Shqipërinë si një treg zhbllokimi të eksporteve të tyre e mandej i japin përkrahje një kaste antikombëtare.

Kjo skemë piramidale, do të mbahej në këmbë kryesisht me remitancat e emigrantëve ose rritjen e borxhit publik në shifra alarmante.

Rritja e borxhit publik dhe ndërkombëtarizimi i tij, është një masë afatgjatë për të lidhur duart çdo qeverie që mos të dalë nga “kursi” sepse tashmë e ekspozuar.

Shteti duhet mos të ndërhyjë në orientimin e ekonomisë drejt prodhimit të brendshëm

Shqipëria duhet të mos industrializohet dhe ekonomia mos të prodhojë vlerë të shtuar dhe kështu të lejojë dhurimin e burimeve natyrore lobeve të huaja.

Bashkë me humbjen e sovranitetit politik e ushtarak, kasta nuk hezitoi të dorëzonte dhe sovranitetin monetar. Banka e Shqipërisë vihet në shërbim të kësaj politike, duke lejuar përqendrimin e kapitalit në dëm të një ekonomie zhvillimi dhe punësimi. Sot me normën e interesit afër “0” ka mbaruar dhe misioni i saj pasi bankat e nivelit të dytë janë të mirëkapitalizuara dhe të shkëputura nga realiteti shqiptar

Në erën e kapitalizmit, shqiptarët nuk kanë në duar kapitalin,  bankat e tyre. Për pasojë preferohet që depozitat e shqiptarëve prej miliarda euro të shkojnë jashtë, me instrumenta finanicarë, në vend që të kreditonin biznesin vendas. Të vetmet kredi janë ato për konsumatorë të mallrave të importit dhe mohimi për kreditimin e biznesit vendas me justifikimin e kredive të këqija. Me një bursë inekzistente bankat janë të vetme operatorë finanicarë duke krijuar një asimetri asfiksuese.

Miti i investitorëve të huaj vazhdon dhe sot si një përrallë e bukur. Por të vetme investime të huaja që erdhën janë ato spekullative duke marrë në kontroll sektorët strategjikë si banka, naftën, minierat, porte e aeroporte, komunikacion e telekomunikacion. Shqipëria privohet prej miliarda euro në vit që jo vetëm i merren këtij populli por as nuk injektohen në ekonomi në formën e investimeve.

Lulëzimi i ndërtimit kaotik, asgjësoi mbi 20 miliardë euro, qytetet dhe bregdetin shqiptar. Në vend që ky lum financiar të ishte orientuar me politika shtetërore drejt sektorëve prodhues, vazhdon të ushqejë kastën edhe sot e kësaj dite si u duk qartë me planin e ri të Tiranës, bazuar akoma mbi betonin.

Rrogat duhet të vazhdohen të mbahen të ulëta, në mënyrë që ekonomia e pakët e prodhimit mos të bëjë investime teknologjike por të mbështetet tek aktivitetet bazuar mbi punën e lirë. Në këtë darë shqiptarët “shijojnë lirinë” duke ngritur lokale e parukeri me shpresën se kështu do ngrihet ekonomia. Por dhe kjo nuk do e ketë të gjatë me lulëzimin e qendrave të mëdha tregtare duke përqendurar gjithmonë e më shumë pasurinë në pak duar.

Mijëra studentë nuk do gjejnë kurrë punë profesionale sepse ekonomia mbahet në nivele banale dhe kasta favorizon fasoneritë dhe biznese skllavëruese edhe për qëllime elektorale.

Këto politika deflative, duke mbajtur rrogat e ulëta, godasin konsumin e bashkë me të kërkesën agregate, si pasojë me rrallësinë e parasë në qarkullim, ekonomia e prodhimit humbet marzhin e fitimit duke krijuar akoma më shumë papunësi e akoma më shumë rroga të ulëta. Një spirale që rrit skarsitetin artificial të parasë, nuk lejon kreditimin e biznesit prodhues, mban artificialisht të fortë monedhën shqiptare, gjë që ndihmon vetëm importet dhe shtrenjton prodhimet shqiptare që zëvendësohen mjaft mirë me ato skadente importi.Sindakatat merren në kontroll dhe punëtorët kërcënohen jo vetëm nga sipërmarrësit privatë por dhe nga vetë adminitrata shtetërore apo partitë.Pa ekonomi prodhimi Shqipëria të vijojë të mbetet një rezervë të papunësh me kosto të lirë, të gatshëm për deportim në ekonomitë e zhvilluara. Kjo i intereson edhe kastës shqiptare për shfryrjen e zemëratës sociale dhe vijimit të ardhjes së remitancave për ekonominë e tyre të importit.

Por remitancat fillojnë të ulen dhe i vetmi burim mbetet borxhi i jashtëm duke përshpjetuar kolapsin financiar

Ekuacioni i plaçkitjes nuk mban më, lufta mes bandave ashpërsohet dhe pushteti duhet të forcojë radhët, duke rritur numrin e policisë, rritur dozën e propagandës, goditjen selektive ndaj bizneseve, mediave dhe qytetarëve.Sistemi që krijuan jo vetëm që prodhoi rënie ekonomike por dhe degradim shoqëror e kulturor, prostitucion dhe kriminalitet të shpërhapur, pseudointelektualë që perfeksionojnë vetëm artin e të lëpirit me fundshpinën e radhës, turrma të rinjsh injorantë me çertifikatë që shohin zgjidhjen tek rreshtimi pranë partisë.

Por çfarë duhet bërë?

Sigurisht, ndryshimi i kursit dhe realizimi i reformavë politike dhe ekonomike të kundërta me ato që u ndoqën përgjatë tranzicionit.Nëse nuk kemi shtet por vetëm pushtet, atëherë duhet të ndërtojmë shtetin si mbrojtës i interesit publik dhe atij kombëtar.Nëse nuk kemi shtet që mbron interesin publik, nuk do kemi as ekonomi tregu të lirë por lojra mes lobeve dhe klaneve.Nëse qytetarët sovranë janë shpronësuar nga partitë dhe lobet, atëherë duhet instualuar demokracia pjesëmarrëse ku vendimet merren nga qytetarët dhe nuk delegohen më. Shoqëria dhe ekonomia funksionon e zhvillohet si një e tërë pa krijuar ishuj piratësh e det fukarallëku.Nëse paraja ka përmbytur politikën, duhet një divorc i menjëhershëm në mënyrë që politika të flasë për hallet e 99%-shit, aksioni politik mos të varet nga financa e parlamenti mos të mbushet me lekaristë, injorantë e militantë.Nëse kudo ka një klimë korrupsioni, populli e di se peshku qelbet nga koka, prandaj një largim i gjithë drejtuesve të lartë shtetërorë, partiake, ekonomikë, mediatikë e akademikë, është i domosdoshëm ashtu si një shtrydhje qelbi që duhet ta kishim bërë kohë më parë pa ricikluar fytyrat e kastës. Kthimi i llogaridhënies në vend me dënime të përjetshme për abuzimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë si dhe konfiskimin e gjithë pasurisë vjedhur popullit shqiptar.Nëse pushteti deri tani ka ndërhyrë për krijimin e një ekonomie koloni importi, misioni i shtetit të ri duhet të jetë kalimi në një ekonomie prodhimiTeoria e stadeve të Rostow, por dhe para tij të F. List, provuan se një shtet nuk mund të futet në garën globale pa ngritur më parë industrinë e tij dhe këtë nuk e bën dot “privati” pa bashkëpunimin e shtetit që rimerr e ringreh sektorët strategjikë, industrializon vendin, rrit avantazhet krahasuese në sektorë të ndryshëm, si dhe klimën dhe oportunitetin e biznesit. Përndryshe çfarë kuptimi ka shkëmbimi  i lirë rikardian, kur nuk shkëmben dot asgjë por vetëm importon. Këtu dy dekada vendi ra një stad më poshtë dhe duhet rekuperuar ky stad pa ngelur në stanjacion të përjetshëm si vend afrikan.Historia ka treguar se vendet e zhvilluara si ShBA, Japonia, Italia, Korea e Jugut etj realizuan modernizimin e tyre me ndërhyrjen e fortë të shtetit direkt ose me masa protektive. Autori kino-amerikan, Chang, në librin e tij, “samarritanët e këqinj” provon se vendet e zhvilluara diktojnë receta kundërprodhuese për vendet e botës së tretë.Kurse nobelisti Stiglitz, argumentonte që nga herët se terapia shok ishte e gabuar dhe shkatërrimtare për vendet e dala nga komunizmi si dhe argumenton për një demokratizim të globalizimit jo diktuar nga “shpata amerikane”. Nobelisti tjetër Krugman, gjithashtu dëshmon tregtinë e padrejtë mes vendeve të zhvilluara e atyre në zhvillim duke tharë risurset e këtyre vendeve dhe lënë në stanjacion. Ekonomistët teologë shqiptarë të liberalizmit, ngatërrojnë ekonominë shqiptare me atë globale, flasin për një botë si e dëshirojnë ata dhe jo se si funksionon ajo në të vërtetë, mbrojnë parime që vetë vendet e zhvilluara i shkelin me këmbë, mjafton të shohësh politikën europiane e amerikane mbi bujqësinë, kapitalin, borxhin publik etj etj.Përqendrimi i pushtetit dhe kapitalit nuk është rastësi por rregull në një kapitalizëm pa frena si është ai sot. Ky lloj kapitalizmi projektuar mbi eksportin dhe jo prodhimin vendas, nuk promovon cilësinë por produkte të këqija sepse bazohet mbi koston pavarsisht se si realizohet ajo, duke shkatërruar natyrën, duke krijuar produkte toksike e kancerogjene, duke bazuar mbi punë skllavëruese, vetëm e vetëm që kapitali të optimalizojë fitimin në shkallë planetare. Nuk ka se si shpjegohet se çfarë i mungon Shqipërisë që të importojë atë çka mund ta krijojë fare mirë vetë. Kjo lloj gare është një spirale e drejtuar poshtë drejt degradimit dhe jo lart drejt begatisë së popujve. Prandaj nuk duhet kthyer as në izolim komunist por as në shqyerje të plotë, por një rrugë të mesme ku prodhojmë çfarë mundim vetë e pjesën tjetër në një balancë tregtare të ekulibruar. Zhvillimi i turizmit krijon një moltiplikator të fuqishëm për të rekuperuar valutën së bashku me defluksin e emigrantëve shqiptarë dhe të ardhurat nga sektorët strategjikë.

Kthimi i Bankës së Shqipërisë, në varësi të Republikës së Shqipërisë. Ndryshimi i misionit të saj drejt zhvillimit dhe punësimit dhe jo më në shërbim të privilegjeve të kastës. Skarsiteti artificial i parasë, përforcon superpushtetin e klientëve të kastës, botës së krimit dhe paralizon  biznesin prodhues. Shqipëria duket sikur është në euro dhe pa qenë në euro, me një monedhë të fortë artificiale duke mos përfituar as interesa të ulta të borxhit sikur të ishte në Euro. Fisher, shpjegonte se dy jamë mënyrat për të qenë kompetitivë të një ekonomie: 1) ose të ulësh normën e shkëmbimit 2) ose të ulësh rrogat. Por rrogat janë në kushte mbijetese, në një cikël vicioz që godet kërkesësn agregate, rrit papunësinë, ul investimet dhe rrit më tej gapin teknologjik me vendet e zhvilluara.

Pabarazia e thellë, si shpjegon Pikety e para tij Keynes e shumë të tjerë, jo vetëm nuk është e drejtë por pengon zhvillimin e ekonomisë së përgjithshme. Ëndrra liberale se të pasurit do investojnë pasuritë e tyre, kthehet në makth nëse këto pasuri mbeten të ngrira, ose më keq akoma çohen jashtë Shqipërisë në forma të ndryshme. Sot psh kemi 4 miliardë euro kursim dhe vetëm 140 milion euro investim.

Prandaj dhe ndryshimi i politikës fiskale, mqs jemi vendi që taton më pak të pasurit, duhet të orientohet drejt pasunikëve të mëdhenj që përfituan këto dekada dhe jo biznesit të vogël apo qytetarëve. Metodat për ndalimin e rrjedhjes së valutës jashtë ekzistojnë.Shqipëria është jo vetëm i vetmi vend që nuk ka bankat në duart e shqiptarëve por nuk ka as banka publike. Prandaj, krijimi i bankave publike në ndihmë të bujqësisë apo turizmit janë deçizive për uljen e perceptimit të riskut. Ashtu sikundër do të ishte ndalimi i menjëhershëm i bankave tregtare nga ato financiare, për të shndrruar bankën në misionin e saj si agjente e zhvillimit të territorit.Rinegocimi i borxhit publik, sepse i kontraktuar nga qeveri të korruptuara. Kjo është një praktikë e njohur ndërkombëtarisht nëse arrestojmë të gjithë kryeministrat, ministrat e financës dhe governatorët e bankës kombëtare këto dekada. Kthimi i parave vjedhur popullit shqiptar e mbajtur në banka të huaja do të ishte një kusht për kthimin e borxhit publik përkundrejt po këtyre bankave.Por asnjë nga këto masa nuk do të ishin afatgjata nëse nuk realizojmë bashkimin me Kosovën si e vetmja mënyrë për të rritur masën tonë kritike në betejat globaliste tregtare, ekonomike, financiare dhe ushtarake.Të gjitha këto masa japin sinjalin e ngritjes së vendit, mobilizimit të forcave materiale e shpirtërore, duke shërbyer si magnet për mijëra të të diplomuar jashtë shtetit, biznesmenë me njohuritë e tyre prodhuese si dhe qindra mijëra shqiptarë nëpër botë.

Ky duhet të jetë një program kombëtar për Normalizimin e Shqipërisë moderne për dekadat në vazhdim e sigurisht nuk mund të bëhet nga arkitektët dhe përfituesit e këtij sistemi, me metodat dhe isntrumentat e këtij sistemi, me forcat ekonomike e mediatike të këtij sistemi.Prandaj vota, rotacioni, beteja për emra e sigla është një luftë e rremë që legitimon status quo-n. Ajo që duhet është përmbysja e forcave në lojë, e fuqizimit të borgjezisë së prodhimit kundër asaj së importit, kundër monopoleve e lobeve.Por borgjezia shqiptare nuk e bën dot këtë pa ndihmën e qytetarëve shqiptarë, pa një ndërgjegjësim të shumicës së heshtur që vuan nën thundrën e 3% barbar, antikombëtar, inojrant e militant.Kushtet sociale, kombëtare e ndërkombëtare po piqen për këtë revolucion civil e paqësor. E rëndësishme është të shpejtojmë kët kohë e mbi të gjitha mos të gabojmë si në të kaluarën tonë, duke riprodhuar forma totalitarizmi të ri, por duke demokratizuar vendin dhe ekonominë, duke mos lejuar më përqendrimn e asnjë pushteti pas partive dhe lobeve, duke mos rrezikuar lirinë e shqiptarëve por duke instaluar demokracinë pjesëmarrëse, e i dhënë çdo shqiptari instrumenta të vërtetë për të kontribuar në ngritjen e shtetit dhe ekonomisë shqiptare.

Koha për një Shqipëri Normale!Koha për patriotët dhe progresistët të përgatisin këtë rrugëtim demokratik!

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Ledian Droboniku, koha, Normale!, për një Shqipëri

Politikat shtetërore dhe juridikat imperative

January 13, 2017 by dgreca

1 Riza-SmakaNga Prof dr Riza Smaka/Në shtetet e së drejtës, politikat   dhe praktikat shtetëtore apo publike, kurdoherë ,  kërkohet të jenë në shërbim të plotë   të përfilljes së padiskutuar të normave juridike  në aplikim.Në anën tjetër , politikat  dhe praktikat  në fjalë, e kanë autorizimin që ,në procedurë të caktuar, të  veprojnë për  modifikime, novelime, amendime ( jo” amandamentime”) të  normave juridike në aplikim.

Pas   novelimeve legale të miratuara në procedurë të kërkuar , juridike përkatësisht e drejta  , prapë , i  mbivëhet  politikës dhe praktikave të saja. Gjithsesi, politikat  dhe praktikat shtetërore, përderisa normat juridike të caktuara janë në fuqi, të njëjtat , Nolens Volens, doemeos duhet (Ius Imperativum,  Cogens) t’i përfillin. Aq më parë , parimet  juridike ndërkombëtarisht të mirënjohura e valide , obligojnë për përfillje të padiskutuar  nga  të gjitha  institucionet publike   shtetërore e ndërshtetërore përkatësisht ndërkombëtare e veçanërisht nga    titullarët  respektivë   sikundër   nga  cili do entitet natyral apo  legal!

Ne Bis In Idem & Res Iudiciata

Në  doktrinat    juridike , në dimensionin   historik,  pozitiv, shtetëror e ndërshtetëror (ndërkombëtar),  njihet, kultivohet dhe përgjithsisht  përfillet parimi juridik  valid  “Res Iudiciata” përkatësisht “Ne Bis In Idem” referuar ndalimit të  procedimit juridik të rastit  juridik të trajtuar, proceduar dhe të përfunduar më parë!

Ky parim juridik është  fundamental   dhe në  funksion të   sigurisë  juridike, të stabilitetit  juridik , socio-ekonomik e posaçërisht politik dhe, si i tillë , në shtetet demokratike qe synojnë të jenë shtete të së drejtës ( jo “shtete juridike”)  është i  inkorporuar dhe i afirmuar në  rendet juridike respektive . Inkorporimi i këtij parimi ,varësisht nga rendet juridike  të  shteteve të ndryshme,  praktikohet në postulate  ose dispozita kushtetutare. Në vendin tonë, ky parim juridik i mirënjohur,   përkitazi me çështjet penale , është  normuar në dispozitën e nenit 34 të Kushtetutës, me të  cilën  është përjashtuar   gjykimi më se njëherë  për të njëjtin akt penal!

Ndalimi i Ramush Haradinaj-t në Francë , në kundërshtim flagrant me të  drejtën ndërkombëtare madje edhe me të  drejtën pozitive franceze!

Vite më parë , z Ramush Haradinaj  , padrejtësisht , ishte i akuzuar për kinse kryerje të akteve penale të caktuara!

Konform me të drejtën   aplikative , Tribunali për Krime Lufte në Hague, z Ramush Haradinaj-n , me  me aktgjykime  meritore , të njëjtin, duke konstatuar se ishte i akuzuar  padrejtësisht , e ka liruar nga të  gjitha  alinetë e aktakuzave  penale! Ndryshe , po ai institucion  gjyqësor ndërkombëtar z Ramush Haradinaj-n , e ka shpallur dy herë  ( sic) të pafajshëm si të akuzuar pa bazë, pa të drejt! Rastet e tilla perkojnë me institutin  juridik të mirënjohur Res Iudiciata , rast i gjykuar dhe i përmbyllur përkatësisht me “ Ne Bis In Idem” apo jo më tepër se një herë për raste juridike – penale të njëjta! Sëandejmi  ,  organet e drejtësisë franceze ,aq më parë,të një shtetit me traditë  demokratike të afirmuar , sëpakut ,nga Revolucioni Borgjez Francez ( 1798) përkatësisht nga miratimi  i  Code Civile në  fillimin e shekullit XIX-të, sëpakut,  është dashtë të dijnë se ,askush, pra, as z Ramush Haradinaj, nuk lejohet të procedohet juridikisht , në këtë rast penalisht , më së një herë!

Fletë arresti i shtetit sërb, tendencioz, politik dhe hipotezë juridike  diskutabile

Autoritetet franceze, është dashtë të  dijnë ,nëse, eventualisht nuk  e kanë dijtë se ,shteti sërb,   gjithnjë i motivuar nga apetite  hegjemoniste , makijavelisht dhe pa skrupulla elementare  , kurdoherë ka vepruar dhe aktualisht vepron   kundër çështjes shqiptare , në përgjithsi e, veçanërisht kundër  shtetit Kosovës , në veçanti! Në këtë kontekst, po ato dhe ,autoritete  ndërkombëtare si dhe të shteteve tjera, kurdoherë  duhet të dijnë, të mos harrojnë dhe të përkujtojnë seriozisht se , forcat  militare e politire të shtetit sërb, veçanërisht, gjatë periudhës 1998-9, edhe  në Kosovë kanë  kryer shumë krime lufte madje gjenocidiste kundër  civilëve shqiptarë të të gjitha moshave e gjinive- Alas, sic! Po ashtu , po ato autoritete është dashtë të dijnë se, shteti sërb ,në saje të statusit anëtar në Eupol përkatësisht Interpol,   ad hoc dhe për aq makijavelisht mund të  lëshojë   urdhër arrestim kundër cilit do  person ( shqiptarë veçanërisht nga Kosova) në rastin konkret , edhe kunder z Ramush Haradinaj-t,  aq më parë kur  akti i tillë, apriori , është hipotezë juridike diskutabile qe,   fillimisht  mund të apelohet  vetëm  në presumime ( sic) dhe ,tek  në vijim ,  në  argumente përkatëse. Mirëpo, gjatë  periudhës së procedimeve preliminare ,  personi i  “mbajtur” praktikisht i arrestuar, pashmangshëm pëson  vuajtje  morale e fizike të intensitetit të lartë e tok me to dëmtime morale e fizike të pamatura dhe virtuelisht të pakompensuara.

Rrjedhimisht , poqëse kërkuesi i fletëarrestit, konkretisht ,   autoriteti  përkatës i  shteti sërb,  nuk e argumenton kërkesën në fjalë, personi përkatësisht pala e arrestuar  lirohet!  Megjithatë   kërkuesi  i  fletë -ndalimit të atillë, edhe pse tërësisht arbitrar, arrin satisfikacionin e vetë të pandershëm nëpërmjet   arrestimit të  personit të caktuar, në rastin konkret ,të personalitetit të shquar të Kosovës, z Ramush Haradinaj-t!   Kërkuesi  i fletë-ndalimit   kur nuk e argumenton  pretendimin   e vet, çfarë edhe rasti  konkret  ,i pandehuri do të lirohej!  Inicuesi  i procesit  të tillë ,virtuelisht  dhe mjerisht ,  zakonisht mbetet i papërgjegjshëm juridikisht ,pos ,eventualisht,  i përgjegjëshëm për  reimbursimin e  dëmit të shkaktuar  personit  padrejtësisht të arrestuar.

Përkitazi me papergjegjësinë morale të   kërkuesit të arrestimit  tendencioz, të motivuar politikisht   dhe pa baza juridike ,  çfarë është rasti konkret,  kur është në  çështje shteti sërb, të mos flitet- Sic!

Ndryshe, autoritetet sërbe, gjatë    ushtrimit të  politikave  hegjemoniste antishqiptare-  veçanërisht antikosovare ,  kanë vepruar në mënyrën e sipërthënë, kanë keqshfrytëzuar okasionin  e statusit të shtetit sërb – anëtar në  EU Pol përkatësisht në Interpol ashtu që ,  kundër, jo pak   personave përkatësisht personaliteteve  shqiptare- kosovare,   edhe në ato institucione ndërkombëtare , kanë depozituar  kërkesa   për arrestime të caktuara ndryshe juridikisht të paargumentuara e tërësisht të motivuara politikisht !

Memorandë

Ndryshe,  Eupoli përkatësisht Interpoli  e konkretisht  autoritetet franceze , nder të tjera, Nolens Volens,  do të duhej që, paraprakisht, jo t’i refuzonte, por, t’i  flakte ( rejections) kërkesat  e autoriteteve të shtetit sërb  për  ndalime përkatësisht për arrestime të  qytetarëve kosovarë , sëpakut , nga se , të njëjtat janë  arbitrare  dhe  tendencioze, janë të karakterit makijavelist,  kanë   tendenca  për degradime, denigrime, etiketime dhe fusnotime  negative të qytetarëve  përkatësisht personaliteteve  shqiptare  të caktuara posaçërisht nga Kosova,

titullohen  si  të shtetit “jugosllav” , ndryshe  , shtet inekzistent , shtet i  disolucionuar më kohë dhe ,shtet i panjohur aktualisht,  ishin,  janë dhe ngelën  krejtësisht të pargumentuara, të motivuara nga politika  sërbe hegjemoniste dhe për aq   antishqiptare !

Në këtë kontekst , vlen të  apostrofohet dhe, autoriteteve  ndërkombëtare në fjalë e veçanërisht atyre franceze konkretisht ,se z Ramush Haradinaj, ish komandant i shquar i UÇK-së, posaçërisht gjatë  periudhës 1998 – 9, ka zhvilluar luftë çlirimtare të  drejtë dhe të afirmuar edhe nga e drejta ndërkombëtare publike  pikërisht   kundër   forcave militare e politare të shtetit sërb  (  të  cilat , vetëm gjatë poasaj peridhe , në  territorin e UÇK-së , në Kosovë, nder të tjera,  kanë   privuar nga jeta barbarisht rreth 13 ooo civilë shqiptarë të të gjitha moshave, kanë  perdhunuar dhjetra mia femra shqiptare ,nder të cilat, jo pak të mitura, kanë  plaçkitur e shkrumuar mbi 150 000 ndertesa të destinimeve të ndryshme, disa mia civilë  shqiptarë të masakruar i kanë   hudhë në kanale   masive dhe ,mia të  tillë, gjithnjë,nuk janë   zbuluar,  pasi që, “autoritetet serbe nuk dijtkan së në të cilat   hendeqe e gropa masive nëpër  territorin e shtetit sërb qenkan   groposur”)   Alas!   Z. Ramush Haradinaj, sëpakut, konform me parimet juridike ndërkombëtarisht valide dhe afirmative “Ne Bis In Idem “ & “Res Iudiciata” , nga autoritetet ndërkombëtare, çfarë është Interpol-i, Europoli e, veçanërisht nga ato të Francës së Revolucionit Borgjez të shek. XVIII-të dhe të  Code Civile-s të shek. XIX-të, kurdoherë do të   duhej ta ndernonin e, kurrsesi, ta   arrestonin për hire  tekanjoze  hegjemoniste sërbe !

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe juridikat imperative, Politikat shtetërore, Prof dr Riza Smaka

PRESIDENTI THACI:MORA PERKRAHJE NGA REPUBLIKANET

January 13, 2017 by dgreca

SHBA001Presidenti Thaçi falënderoi qeverinë demokrate, mori mbështetje nga republikanët për Kosovën/SHBA04Prishtinë, 13 janar 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përmbyllur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku takoi zëvendëspresidentin Biden dhe senatorë e kongresmenë të shumtë demokratë dhe republikanë.SHBA02

Njoftimi i dërguar thekson se, gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë, presidentit Thaçi i është rikonfirmuar mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga zëvendëspresidenti Biden për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe integrimin e plotë euroatlantik.Por, mbështetje për integrimin dhe zhvillimin e shtetit tonë, presidentit Thaçi i është premtuar edhe nga senatorë e kongresmenë të partisë demokrate dhe asaj republikane.SHBA03Presidenti Thaçi në Uashington është takuar edhe me senatorin dhe ish-kandidatin republikan për president, Bob Dole, i cili ditë më parë u emërua zëvendësshef i ekipit transitor të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.Në fokus të bisedës së presidentit Thaçi me senatorin Dole ishin zhvillimet aktuale në Kosovë dhe nevoja që SHBA-ja të vazhdojë të luajë rol udhëheqës në të gjitha proceset e rëndësishme në Kosovë dhe në rajon.Pas takimin me senatorin Dole, presidenti Thaçi u prit edhe nga presidenti i Këshillit Atlantik, Frederick Kempe, me të cilin bisedoi për aspiratën e qytetarëve të Kosovës për t’u bërë pjesë e familjes euroatlantike.Kreu i shtetit në Uashington u prit edhe nga senatori Bob Corker, i cili njëherësh është Kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan.Në këtë takim, senatori Corker i ka rikonfirmuar presidentit Thaçi përkrahjen e SHBA-së për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.Gjatë qëndrimit në SHBA, presidenti Thaçi takoi edhe ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright, e cila ishte përkrahëse e madhe e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.Gjithashtu, presidenti Thaçi zhvilloi një takim edhe me ish-zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit dhe presidentin e “Brookings Institute”, Strobe Talbott.Me tej, presidenti Thaçi takoi edhe anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve, kongresmenin Eliot Engel, kurse pas tij edhe senatorin John McCain.Me senatorin McCain, presidenti bisedoi për të gjitha zhvillimet në rajon dhe më gjerë, duke u përqendruar në nevojën që SHBA-ja të vazhdojë me rolin e saj udhëheqës në Kosovë.Një takim të rëndësishëm, presidenti Thaçi kishte edhe me senatoren Joni Ernst nga shteti i Iowas, ku biseduan për bashkëpunimin mes Kosovës dhe shtetit të Iowas, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme të senatores Ernst në cilësinë e anëtares së Komitetit për Shërbimet e Armatosura në Senatin amerikan.I pari i vendit në Uashington takoi edhe kongresmenen nga Teksasi, Sheila Jackson Lee, njëherësh anëtare e Komitetit për Siguri Kombëtare.Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime edhe me personalitete të tjera të jetës politike atje, kurse vizitën zyrtare e ka përmbyllur me ish-senatorin republikan, JimDeMint, që tash është president i “Heritage Foundation”, si dhe me kongresmenin Mike Turner, i cili njëherësh është Kryesues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: :MORA PERKRAHJE, NGA REPUBLIKANET, Presidenti Thaçi

Merkel: Nuk ka garanci të përjetshme për bashkëpunimin SHBA-BE

January 13, 2017 by dgreca

Kancelarja gjermane ka thënë se do të ishte “naive” nga ana e BE që ta konsiderojë gjithmonë të sigurtë mbështetjen e SHBA. Ajo bëri thirrje për më shumë solidaritet brenda BE pas Brexit dhe fitores së Donald Trumpit.1 Merkel

Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi në një fjalim të mbajtur të enjten në Bruksel që Bashkimi Evropian “të marrë më tepër përgjegjësi” në politikën botërore. Kjo thirrje bëhet në një kohë, kur në Evropë janë shtuar shqetësimet për angazhimin ndaj bashkëpunimit transatlantik të Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump.

“Nga këndvështrimi i disa prej partnerëve tanë tradicionalë- dhe me këtë kam parasysh edhe marrëdhëniet transatlantike – nuk ka garanci të përjetshme për një bashkëpunim të ngushtë me ne, evropianët”. Kështu u shpreh Kancelarja Merkel para të pranishmëve në Bruksel, pasi kishte pranuar më parë tituj si doktore nderi nga universitetet prestigjoze belge, Leuven dhe Ghent.

Kancelarja nuk e përmendi me emër Donald Trumpin. Por fjalët e saj duket se u referoheshin vërejtjeve të liderit të ardhshëm amerikan, se ai do të shqyrtojë kontributet financiare të një vendi në aleancën e NATO-s përpara se të nisej ta ndihmonte atë vend. “Evropa po përballet me sfidat më të mëdha në dekada”, tha Merkeli duke përmendur konfliktet në kufijtë e Evropës si atë në Ukrainë.

Merkel merr titullin doktor nderi në BelgjikëNe Foto: Merkel merr titullin doktor nderi në Belgjikë/

Ajo shtoi se do të ishte një qëndrim “naiv ta konsiderosh të sigurtë se të tjerët do të zgjidhin problemet në fqinjësinë tonë.”Merkeli tha se vota shokuese e Britanisë së Madhe për t’u larguar nga Bashkimi Evropian e ka rritur rëndësinë e solidaritetit brenda pjesës tjetër të bllokut. Kjo ka dalë në pah edhe në diskutimet që janë bërë për të intensifikuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe në çështje të tjera.”Këtë vendim ne duhet ta shohim si një shtysë për të bashkëpunuar (për synimin) e mbajtjes së Evropës të bashkuar, për ta përmirësuar atë dhe për ta sjellë atë sërish më pranë qytetarëve”, tha ajo. Në takimin e nivelit të lartë në dhjetor, Bashkimi Evropian ra dakord që të ndërmarrë hapat e parë drejt zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.Kancelarja Merkel, e cila kërkon të rizgjidhet në post këtë vit është kritikuar në Evropë për politikën e saj ndaj refugjatëve sirianë. Të enjten ajo tha edhe se Evropa duhet ta përshpejtojë punën e saj për miratimin e një regjistri të hyrjeve dhe të daljeve në BE, për t’i kontrolluar në këtë mënyrë më mirë kufijtë e Bashkimit Evropian.

Filed Under: Analiza Tagged With: brenda unionit, merkel, SHBA-BE, unitet

NJË HIMN NDERIMI PËR RAMIZ KELMENDIN

January 13, 2017 by dgreca

Me rastin e shkuarjes në amshim të profesorit, publicistit, veprimtarit dhe shkrimtarit Ramiz Kelmendi: Njeriut që u bë Shembëlltyrë e që tërë jetën mbeti një Urti e Lartë/1 ramiz-Kelemndi-300x164Nga Xhemail Peci/Në letrat shqipe, sa herë flasim me të, ajo me zjarr të shenjtë flet me ne: Shqipëria. Dhe kur sa herë i duhet të flas dhe sa herë i duhet të shkruajë, ajo flet vetë tek letërsia. Kur kohët janë ziliqare e kur thurin lajka me lule, dhe danajtë sjellin dhurata e stolira, po s’folët ju e po s’shkruat ju, për mua kush do flasë? Thellë shpirtit na flet zemërmira: Ramiz, do nxjerrësh nga arkivat zërat e zemrës sime, dhe do hapësh edhe ca libra leximi. Do shkruash me majën e penës sate si anza vet, e do flasësh thellë nga frymëzimi, Do shkruash për zogjtë e mi, ashtu siç shkruan për fletët e Sibilave të Virgjilit. Unë do ta vë dorën në zemër, e ti do ta vësh zemrën në letër. O, do më shkruash prej shpirtit! Kam etje në sytë dhe në bebëzat kam mall, e zemra më mbytet në vaj prej mallëngjimit. Nëpër fletët e gazetave nisi rruga ime kur shkruan me gjak dritës së kandilit. Kam një mall në shpirt, dhe një brengë në zemër e kam si flaka e vetë Qiririt. Nga Kongresi i Berlinit më thau malli e s’më shkroi kush si ti Letra prej Ulqinit!

      Orakulli i Dodonës u nis të ma sillte një lajm e një kartë të ma falte si një ogur. Tek vijat e kufirit, degët e Lisit Ilir shtrydhën gjakun, e lotët më rodhën si krua: zgur! Do shkruash me shkronjat e shpirtit tim, edhe për Bashkëluftëtarët e Skëndërbeut! Ramiz, u shua Lahuta, ra heshtja, graniti u thye, ndaj penën rroke, o burrë i dheut!Do flasësh hijshëm dhe me shije, e tok do të kesh edhe buzëqeshjen filozofike. Si Diogjeni: Lëshomani hisen e diellit, do ua thuash kur shfaqen zaret cinike. Do vishesh hijshëm si Lasgushi dhe do ecësh me gjithë takt, Pejës dhe Prishtinës. Do qeshësh lirshëm si Mitrushi, e fjalën si zambak në gjak, sikur lule mbirë në mes të stinës.

      I kujt ishte ai zë, e nga vinte ai mall, ajo thirrje dhe ato klithma prej thellësive të zemrës?!…Mbi Penën e Artë ka rënë – bekuar e bardha e shamive të lokemadheve të Rugovës, përmbi penën e bardhë ka rënë zemërthirrja e breznive orëmira. Në magjinë e fjalëve, ka rënë bekimi i shenjtë i Lisit të Gjakut, ka rënë o nënë mbi të: Heshtja e Armëve!

Ka rënë e bardha e bukurive të Pejës, e tok me të gjakimi i Lasgushit për Drinin e Bardhë. Ka rënë, o mëmë, në zemër prej ditëve të burgut, shpresa se një ditë ka me zbardhë. Ka rënë shami e bardhë e Ajkunës e tok me të edhe Lumbardha e Anakreontit. Ka rënë Ujëvarë e Bardhë e Mirushës mbi penën e denjë, siç bie sipër fjalëve vetë bekimi i Zotit.

 Do shkruash fejtone e do nxjerrësh pluhurit të harresës gjithë ato Letërkëmbime. Do nxjerrësh edhe Polemikat në Letrat Shqipe, e zemrën tok me penën ndër ligjërime: unë marrë nga zemra jote, ti merr nga zemra ime! Unë vie tek ti e ti vie tek unë, në urën e pesherëtimave rrethuar me gardh e hekura, populli s’duhet të bëjë gjumë!

 Do ta falë dorën time të djathtë, se kam mall të më shkruash për Faik Konicën! E prapë ta falë dorën time të djathtë se e dua një mbishkrim edhe për Elena Gjikën. Kur i shkroi De Rada: Mirësisë engjëllore të zemrës suaj, e dua veç prej duarve tua! Ramiz, dy dashuritë si Perëndia t’i falë: Migjenin dhe Konicën në zemrën si krua.

 

      

 

      Në shtegun e ballit si shtegun e malit, e dua ligjërimin e gjakut në fjalët e tua. Në thelpinjtë e zemrës i dua fjalët që si Drini i Bardhë, të rrjedhin aq fort për mua. Mes përmes Shqipërisë dua t’i bie, si Lasgushi e me të Fishtës atë gjuhë Perëndie, se me flatrët e fjalës sate sa lart e ngrite atë penë me rreze drite: e ngrite një Republikë të tërë Letërsie!

 

      Zemërthirrjen e Petro Nini Luarasit, dua ta shkruajë prapë në ballë të kohës, kur tha se njëqind herë po të biem, sërish duhet të ngritemi. Shqiponjës kur flatrat i dhanë fatosat e kombit – Rozafa kur i mëkoi me qumështin e gjirit. Me penën tënde dua ta shkruajë se breznitë orëmira perënditë ilire i zgjojnë prej gjumit.

 

      Ramiz, u nise për në Portën e Madhe të Letërsisë, kur i kishe vetëm 16 pranvera! Me firmën tënde Hija e Lirisë! Bardhësi Rugove mbolle në flatra fjalësh, se fryma jote e fundit sot e mot është: Fjala!. Sot kalove nga e njëjta Portë e u përcolle nga Republika e Lirisë! E Breznitë Orëmira të puthën ballin për tek përjetësia: Ramiz, thellë penës dhe zemrës sate, më e shenjta dashuri jam unë: Shqipëria!

 

                                                                                                      Londër, 11 janar 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: NJË HIMN NDERIMI, per, RAMIZ KELMENDIN, Xhemail Peci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2271
  • 2272
  • 2273
  • 2274
  • 2275
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT