• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sylvia Plath – poetja tronditëse e shekullit XX

January 19, 2021 by dgreca

Nga Nga Gladiola Jorbus/

Sylvia Plath ishte një poete, noveliste dhe shkrimtare amerikane. Ajo ka lëvruar zhanrin e poezisë rrëfyese dhe është e mirënjohur për vëllimet e botuara, ‘Kolosi dhe Poemat e tjera dhe Ariel’ si dhe ‘Kavanozi i ziles’, një roman gjysmëautobiografik i botuar pak para vdekjes së saj. Në 1982, ajo fitoi çmimin ‘Pulitzer’ pas vdekjes për Poemat e Mbledhura.

Lindur në vitin 1932 në Boston, Masaçusets, Plath studioi në Kolegjin Smith dhe në Newnham College në Kembrixh, Angli. Ajo u martua me poetin anglez Ted Hughes, me të cilin fillimisht jetuan në Shtetet e Bashkuara, e më pas në Angli. Sollën në jetë dy fëmijë, para se të ndaheshin nga njëri – tjetri.

Sylvia Plath ishte një nga poetet më dinamike dhe të admiruara të shekullit XX. Vepra e saj tërhoqi vëmendjen e një numri të madh lexuesish, të cilët konstatuan në vargun e saj njëjës, një përpjekje për të përshkruar dëshpërimin, emocionin e dhunshëm dhe obsesionin me vdekjen. 

Në revistën e librit në New York Times, Joyce Carol Oates e përshkroi Plath si “një nga poetet më të famshme dhe më të diskutuara të pasluftës që shkruajnë në anglisht.” Intensivisht autobiografike, poemat e Plath-it hulumtojnë ankthin e saj mendor, martesën e saj të trazuar me poetin Ted Hughes, konfliktet e saj të pazgjidhura me prindërit dhe vizionin e saj për veten.

 Sylvia shkroi për natyrën, ose për kufizimet shoqërore të individëve, duke e zhveshur poezinë e saj nga penelatat zbutëse. Përkundrazi, përmes procesit të të shkruarit, ajo shprehu frikën parësore, kontradiktat, tensionin. Poezitë e Sylvia Plath i nënshtrohen imagjinatës së egër, të lënduar, hedhin imazhe dhe fraza me energjinë e një kali të arratisur.

Në veprën e Plath-it vërejmë përdorimin e paqartë të teorisë psikoanalitike dhe kjo na fton të rivlerësojmë lidhjet e vendosura nga kritikët midis poezisë rrëfyese dhe psikanalizës. Përcjellja e vetvetes, kufijtë e kujdesit të të folurit dalin në pah në poezitë e saj, të cilat lexohen në formë sipërfaqësore, madje duket se ilustrojnë teoritë e Frojdit. 

Sylvia Plath nuk e përdor psikanalizën thjesht për të hetuar thellësinë e pavetëdijes së saj. Prania e këtij ligjërimi dëshmon interesin e saj të përjetshëm për për të strukturuar veten. 

Referencat e shumta ndaj miteve, përrallave dhe folklorit në poezi të mbështetura fort në teorinë psikoanalitike, sugjerojnë se kjo e fundit nuk është, veçse një nga shumë format narrative mbi të cilat Plath-i modelon imazhin e psikikës së saj. 

Kjo mënyrë i siguron asaj një mori personazhesh dhe embrionesh narrative të cilat ajo i përdor si pikënisje, duke i lakuar konceptet frojdiane sipas qëllimeve të veta. Psikoanaliza është kthyer në kokën e saj pasi tallja-hermeneutike (metoda e interpretimit të tekstit) e Plath-it vë në lëvizje metaforën dhe identifikimet shtrembëruese të cilat nuk i japin qasje tjetrit, por e kthejnë atë në një krijim letrar.

Plath pyet veten nëse përpjekja e saj për përsosmëri vallë a do të sjellë ndonjëherë fryte dhe a do të shfaqet së jashtmi:

‘Kurrë, kurrë nuk do ta arrij përsosmërinë që dëshiroj me gjithë shpirt – pikturat e mia, poemat, historitë e mia – të gjitha pasqyrime të dobëta … Shkrimi është dashuria e parë e jetës sime. Unë kurrë nuk mund të jem një shkrimtare e ngushtë dhe introverte, ashtu si janë shumë të tjerë, sepse shkrimi im varet aq shumë nga jeta ime.

Plath-i ka vuajtur nga depresioni gjatë pjesës më të madhe të jetës së saj dhe i është nënshtruar terapisë elektrokonvulsive (ECT). Fundi i saj qe tragjik. U vetëvra. Ajo që e shtyu Sylvia Plath (vajzën e profesorit emigrant gjerman Otto Plath) drejt vdekjes ishte e dhimbshme, por e qartë për psikiatrin e saj: depresion klinik. 

Nga ana tjetër, pasi poetja e mrekullueshme, kreu vetëvrasje më 11 shkurt të vitit 1963, miqtë, adhuruesit dhe biografët e saj ishin të etur për të fajësuar dikë për këtë tragjedi, një zuzar prej mishi dhe gjaku. Më potenciali ishte bashkëshorti i saj poeti Ted Hughes, i cili e kishte braktisur Sylvian dhe dy fëmijët e tyre të vegjël për të dashurën e tij Assia Esther Wevill. Përkthyesja gjermane, u kish shpëtuar nazistëve në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe kishte emigruar fillimisht në Palestinë, e më vonë në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo përjetoi një lidhje 6-vjeçare me poetin Ted Hughes, por vrau veten dhe vajzën e tyre katër vjeçe Shura duke përdorur një furrë me gaz, vdekje e ngjashme me vetëvrasjen e gruas së parë të Hughes, Sylvia Plath.

Fakti që dhe Assia kreu vetëvrasje pas gjashtë vitesh në të njëjtën mënyrë si gruaja e tij, Sylvia duke lënë hapur gazin e sobës, vulosi fajësinë e Hughes. Në një letër drejtuar mikut të tij të ngushtë Lucas Myers, T. Hughes reflekton nga ana e tij për vdekjen e dy grave që deshi. Në letër rrëfen se për vdekjen e gruas së tij, Sylvia Plath, shkaktare ishte “vendosmëria e tij e sëmurë”, ndërsa në rastin e së dashurës shkaktare ishte “pavendosmëria e tij e sëmurë”.

Martesa midis Plath dhe Hughes u shtri në vitet (1956 – 1963). Ajo konsiderohet si një nga martesat më të shqyrtuara e detajuara, në historinë e letërsisë së shkruar në anglisht. 

Gjithsesi, poetja amerikane Sylvia Plath (jetës së të cilës i është kushtuar filmi ‘Sylvia’ një prodhim i vitit 2003, interpretuar nga ylli hollivudian Gwyneth Paltrow), edhe pse jetëshkurtër, ka lënë gjurmën e saj të pashlyeshme në botën e letrave. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gladiola Busulla, SYLVIA PLATH

LEO FREUNDLICH, EMËR QË DUHET KUJTUAR

January 19, 2021 by dgreca

Hazir MEHMETI, Vjenë/

     LEO FREUNDLICH,  EMËR QË DUHET KUJTUAR /

Austriaku që denoncoi gjenocidin serb ndaj shqiptarëve para një shekulli.

     Thyerje

     Të rrallë janë individët në histori që për një komb bëjnë aq shumë në momentet më kritike të jetë, në tehun e nyjës shekspiriane “të jesh apo të mos jesh“ (To be, or not to be),  siç ishte Leo Freundlich për shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar.   Lufta Ballkanike i gjeti shqiptarët e dërmuar nga robëria shekullore osmane pa të drejta, mbi të gjitha pa të drejtë shkolle në gjuhën e vet, si elementi i parë i identitetit kombëtar. Perandoria Osmane nuk mbajti asnjë premtim ndaj kërkesave shqiptar të cilët u organizuan ushtarakisht dhe çliruan shumicën e tokave shqiptare që në vitin 1911 nga pushtimi i gjatë turk dhe arritën të ngritin  flamurin shqiptar në Shkup, qendra e vilajeteve shqiptare, me 12 gusht të vitit 2012. Në anën tjetër, vendet fqinj grabitqare: Greqia, Serbia e Bullgaria tokat shqiptare i konsideronin plaçkë të tyre  dhe u vërsulen kundër trevave shqiptare nga të gjitha anët.  

       Masakrat 
       Akti më çnjerëzor që njeh Gadishulli ishte masakrimi dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga rajonet e Nishit, Leskovcit, Vranjes e Medvexhës, ishte i  përmasave biblike, i pa parë as në kalifate e as  gjatë kryqëzatave mileniumeve të historisë. Kjo do përsëritet në  Gadishullin Ilirik nga forcat serbe të mbështetura nga Rusia sërish disa dekada më vonë në Luftën Ballkanike të viteve 1910-1914, sipas memorandumeve serbe për asgjësimin e etnisë shqiptare në Kosovë, Sanxhak, Preshevë. Mbretëria Serbe tentonte t’i mbante të fshehta krimet e saj nga opinioni botëror, por kishte edhe personalitet që shënonin nga tereni dhe këto informata faktike i dërgonte në shtypin botëror dhe kancelaritë e fuqive të kohës. Njëri nga ata ishte  Leo Freundlich, publicisti i njohur austriak i cili raportet e tij i përcolli në shtypin botëror dhe qeverive të shteteve kryesore evropiane. Leo Freundlich mbajti lidhje me shumë personalitet shqiptare të kohës shumë nga të cilat janë figura të shquara të kombit si: Ismail Qemali, Dervish Hima, Fan Noli, Syrja Bej Vlora, Ahmet Zogun dhe albanolog austriak të njohur të kohës.   

      Publicistikë…

       Leo Freunlich vuri  kontakte me albanologët Franc Nopcen dhe Chlumecky-in nga të cilët mësoi mbi shqiptarët dhe rrethanat në Gadishull i cili për rreth tri dekada do jetë i mishëruar me rrjedha rreth shqiptarëve. Në vitin 1913, po thuaj se çdo ditë mblidhte fakte dhe shkruante raporte  nga trevat shqiptare të cilat i dërgonte në çarqet shtetërore të cilët kishin mundësinë e veprimit dhe në gazetat më prestigjioze të kohës. Ai  që nga fillimi ishte i afërt me Komitetin Shqiptar në Vjenë, ku dhe vet ishte anëtar i seksionit letrar, i cili e ndihmonte në përkthimet e nevojshme.  Nga këto lajme dhe raporte dërguar agjencive të njohura nxori në përmbledhjen “Korrespodenca shqiptare” (Albanische Korrespondenz), e cila paraqet gjithashtu, pasqyrimin e shtypit të kohës. Kjo veprimtari, sipas studiuesve, konsiderohet si agjenci e parë kombëtare shqiptare e lajmeve. 
      Raportimet e tij rreth krimeve serbe mbi popullin shqiptar të përmbledhura në– Golgota shqiptare (Albaniens Golgotha) janë fakte denoncimi të krimit serb për zhdukjen e shqiptarëve. Përvojën e publicistike e vazhdoi me “Korrespondencën Shqiptare” dhe themelimin e gazetës javore në gjuhën shqipe  Vëllazënija” ( janar 1916) e cila do luan një rol me rëndësi në informim gjatë disa viteve në dekadën e dytë dhe të tretë të shekullit që lamë pas. 

 Fakte nga akuza 

     Në  përmbledhjen e tij “Golgota shqiptare”, Freundlich iu referohet fakteve të kohës, mes tjerash ai do shkruan: “Historia e këtij kombi është një zinxhir i pakëputshëm luftërash të përgjakshme kundër shtypësve të dhunshëm. Por, këto tmerre të përgjakshme nuk ishin në gjendje ta shfarosin këtë racë të fuqishme”.
           Freundlich më tutje  në akuzën e tij shkruan: “Serbët në Shqipëri erdhën si vrasës e jo si çlirimtarë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kufijtë e Shqipërisë u vendosën të përcaktoheshin me nxitim sipas statistikave kombëtare ose statistikave të caktuara nga  komisioni i cili do të formohet në vend aty për aty. Serbët kanë nxituar t’i ndryshojnë këto statistika me grykën e mitralozave dhe bajonetave. Ata kanë bërë mizori që janë të papërshkrueshme. Deri tani, qeveritë kanë heshtur. Por tani është e qartë se heshtja e mëtejshme është e barabartë me bashkëfajësi. Për serbët, armiku më i madh është e vërteta. Ajo e rrezikon ekzistencën e tyre”. 
          Leo Freundlich është zëri më i fuqishëm i kohës në protestë kundër zhdukjes masive të shqiptarëve etnik në territoret e tyre etnike. Ai i cilëson fuqitë e mëdha të Evropës në bashkëfajësi të cilat nuk intervenojnë. Në shkrimet e tij protestuese argumentoi vrasjet e mbi 300 mijë shqiptarëve.
             Shoqëria shqiptare asnjëherë nuk u konsolidua si duhet që të mund t’i vlerëson e përkujton miqtë e shqiptarëve ashtu siç e meritojnë. As sot nuk ku asnjë këshill apo organ tjetër brenda institucioneve shtetërore për rehabilitimin, vlerësimin dhe kujdesin ndaj atyre që dhanë shumë për kombin shqiptar, ruajtjen dhe ndërtimin e lidhjeve.  Komunizmi urrente çdo gjë që ishte jashtë ideologjisë së tyre dhe dënonte patriotët e devotshëm të kombit. Në shoqërinë shqiptare pas komunizmit u krijua amulli anarkike në çdo sferë të jetës ku asgjë nuk zuri vendin e vet aty ku duhet, as miqtë e kombit shqiptar.
   Freundlich për disa vite ishte  përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Nisur nga kjo dhe meritat e tij, Mbreti Ahmet Zogu e dekoroi me titullin e lartë “Kalorës i Skënderbeut”. Leo Freundlich  jetoj në Shqipëri  gjerë në vitin 1939, deri kur vendi u pushtua nga Italia, vit kur  ai u shpërngul në Gjenevë deri në vdekjen e tij në vitin 1953.  Pa dyshim Leo  Freundlich  mbetet hebreu me rrënjë austriake i cili ndihmoi shumë kombin shqiptar në momentet tragjike të tij.
       Është koha që shoqëria shqiptare të ngrihet në nivelin e saj, në tabanin e moralit  kombëtar për vlerësimin e atyre që e meritojnë duke mos i harruar gjeneratave. Virtytet dhe edukata ndërtohet mbi vlerat praktike, andaj kemi nevojë më shumë se kurrë në përmirësimin e imazhit tonë kudo në botë.   Leo Frendlidh do jetë gur i fuqishëm lidhës mes dy popujve tanë gjeneratave.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Hazir Mehmeti, Leo Freundlich

Hijet e ndjekjes që ishin hije të vdekjes, përplasën me historinë e pathënë për kohën që nuk dëshirojnë me ngrënë…

January 19, 2021 by dgreca

NGA NUE OROSHI/

Hijet e ndjekjës që ishin hije të vdekjes, janë hije përplasëse për të thënat dhe të pathënat e kohës që e kanë jetuar.Hijet e ndjekjës në trojet shqiptare janë hije që i kanë shkaktuar një dëm të madh atdhetarizmit shqiptar.Ato hije kudo i kanë përcjellur atdhetarët shqiptar. Është interesant se këto hije të vdekjeve të atdhetarëve shqiptar janë përzier dhe bërë demokrat ku aq është pshtjelluar lëmshi se sot ende nuk dihet se kush ka qenë viktima e kush krimineli,për faktin se hijet e ndjekjes janë viktimizuar pas ardhjes së demokracisë më shumë se sa viktimat e komunizmit apo atdhetarët shqiptar që e kundërshtuan komunizmin duke sakrifikuar djemtë më të mirë dhe duke rrezikuar familjet e tyre të cilët u internuan nëpër kampe përqëndrimi që ja kalonin edhe kampeve të mesjetës  të quajtura paluri,ku gjuheshin robërit e luftës që ishin të destinuar të zhdukeshin. Është ineteresant të theksohet se këto hije të vdekjes që kanë qenë shumë aktiv në vrasjen dhe burgosjen e atdhetarëve shqiptarë ende sot e asaj dite nuk kanë kërkuar falje për krimet e kryera në Shqipëri,Kosovë dhe viseve të tjera shqiptare.Këto hije të vdekjes ne intervalin kohor 1944-1951 kanë vrarë dhe likuiduare mbi 47300 shqiptar në emër të parullës: “Proletar të të gjitha vendeve bashkohuni, me qendër në Moskë, apo si quheshin ndryshe nga atdhetarët nacionalistë klysht e Moskovit”.Edhe sot këta klysh të Moskovit kundërshtojnë çdo gjë që është kombëtare dhe çdo gjë e perzijnë me kritika, për faktin se dëshirojnë ta ruajnë frymën e tokës së djegur në trojet shqiptare. 

Vërtet këto hijena të ndjekjës që shpesh herë i kanë bërë varrin atdhetarëve dhe nacionalistëve shqiptar janë aktiv si minjët e gjirizeve, që përplasën me historinë e pathënë për kohën e shkuar që nuk dëshirojnë me ngrënë.Nuk e di se a ka ndodhur ndonjë rast kur hijet e ndjekjës në Shqipëri dhe Kosovë ju kanë kërkuar falje viktimave që i shkaktuan dhimbje,vaj e lot  familjeve atdhetare.Edhe sot me rrinë në kokë fjalët e atdhetarës Bardhe Gjomarkaj ku ishte e burgosur, kur ja binë lajmin komunistat pansllavistë se a e dinë se te kemi vra vëllain Lleshin, është fjalë për atdhetarin Llesh Gjomarkaj.Bardha pergjigjet:”Jo nuk e di-por një e di se kur Marku dhe Lleshi kanë dalë në mal na kanë thënë këto fjalë: “Nëse ndegjoni se na kanë kapur të gjallë, dhe jemi në burg mos ejani me na parë se nuk e kemi kryer detyrën ndaj atdheut,por nëse ndëgjoni se jemi vrarë dekun atëherë mos gaboni me derdh lot për ne”.Hijenat e ndjekjës përplasën edhe sot e asaj dite duke u munduar që të permisojnë imazhin e historisë se tyre dhe duke tentuar që ti mbulojnë me pluhurin e harresës të bëmat e tyre kriminale.

Por gjaku i derdhur i atdhetarëve shqiptar këto hijena nuk do ti harroj dhe dhimbjet që i shkaktuan familjeve atdhetare do ti përcjellin deri në varr.Këto hijena nuk janë mërzitur as për lotin e nënave shqiptare për djemtë dhe vajzat e tyre që i rritën me plot mundime,as për vajin e fëmijëve të atdhetarëve shqiptar që jo vetëm se i vriste komunizmi në Kosovë dhe Shqipëri,por ju konfiskonte edhe pasuritë dhe ju merrte edhe miellin në magje për ti mbytur të gjallë edhe familjarët e mbetur.Është e pashembulltë në historinë e njerzimit se si komunistët pansllavist shqiptar i kanë shërbyer regjimeve komuniste me besnikërinë e qenve dhe asnjëherë as në demokraci nuk kanë kërkuar falje për dëmet që i kanë shkaktuar kombit shqiptar.Pas ardhjes se demokracisë, ndodhi e kundërta ata shfrytëzuan mirë mundësitë që i jep demokracia, dhe menjëherë e ndryshuan qëndrimin ku morën pozicionet edhe në demokraci, dhe bllokuan shumë gjëra që duheshin zbardhur.Edhe sot e asaj dite bijtë e tyre janë duke qeverisur në të gjitha trojet shqiptare,madje kanë filluar sulme edhe më të vrazhda kundër nacionalistëve shqiptar. E dhimshme është kur e shihja në tv në Shqipëri një djalë krimineli Agim Mhill Doçi, dhe komunistë i palëkundur kur e shante projektin e monumentit të Gjergj Kastriotit në Prizren,vëtem që ti mbrojë të ashtuqujturat vlera të skulptorve komunist të qarkut të Tiranes, në vend që të shkonte në Qafë të Valmerit të merr 14 lule dhe ti dërgoj në vendin ku babai i ti Mhilli së bashku me kriminelët e tjerë komunist vranë pa gjyq 14 atdhetar mirditor dhe burgosën e internuan mijëra familje mirditore.

Ka edhe dhembshuri të tjera kur prokurori i shkruan historin pa autorizim, viktimës së saj siç ishte rasti me atdhetarën Rukie Rama, një vajzë e çeliktë e bjeshkëve të Tropojes kreshnike, që u ballafaqua me regjimin komunist por e mbrojti nderin e të parëve të saj, atdhetarve tropojan, duke mos ju nënshtruar apetiteteve shizofrenike të xhelatëve komunist.Këto hijena të vdekjes që përplasën me historinë e pathënë ata nuk deshirojnë asesi që  kohën e kaluar ta ngrënë, por dëshirojnë ta ringjallin për ti përseritur listat e vdekjës, dhe për të shtuar më tepër vajin e gjëmën në familjet atdhetare shqiptare siqë ishte rasti me Sabiha Kasimatin, ku para togës së pushkatimit rrethohet nga burrat që ishin shënuar për tu pushkatuar që ti shpëtohet jeta por asesi nuk e fal regjimi kanibal komunist.A janë të vetdishëm këto hijena të ndjekjës se sa plagë i kanë shkaktuar shqiptarizmës?As erdoganisti dhe tradhtari i kombit shqiptar Edi Rama politikani më i mbrapshtë në keto 30 vite të fundit nuk i kërkon falje familjës së poetit Havzi Nela, i cili në kufirin shqiptaro-shqiptar i kishte shkruar këto rreshta: “Po te la atdheu i dashtun po të la po zemer plasun”.E Havzi Nela ishte poeti i fundit viktimë e regjimit komunist që u varë me nënshkrimin e Kristaq Ramës babait të Edi Ramës.

Falje nuk kanë kërkuar as djemtë dhe nipat e kriminelit Enver Hoxha, as fëmijët e kriminelit, Mehmet Shehu, por as fëmijët e kriminelve komunist në Kosovë që vranë dhe zhdukën atdhetarët shqiptar.E historia jonë shqiptare vazhdon edhe sot e kësaj dite të shkruhet në dy rrugë.Në atë shkencore dhe të vërtetë ku shkruhet ashtu siç ka ndodhur dhe atë të vijës komuniste ku shkruhet ashtu siç e ka thënë partia e Milladin Popoviçit,Dushan Mugoshës,Svetozar Vukmanoviç Tempos Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. Deri sa në Kosovë disa gjëra janë avancuar për të mbarë dhe atdhetarët nacionalist kanë filluar ta zënë vendin e duhur,është fatkeqësi se në Shqipëri ende se kemi asnjë rrugë me emrat e atdhetarve shqiptar.Madje as Mirdita ende nuk i ka vendosur asnjë rrugë apo asnjë shesh me emrin  e heronjëve të kombit shqiptar, Kapidan Mark Gjon Markut e Kapidan Llesh Gjon Markut,e Kapidan Ndue Gjon Markut.Hijet e ndjekjes përplasën me historinë e pathënë për kohën që nuk dëshirojnë me ngrënë.E këto hijena të ndjekjës që ja kemi falë dreqit, janë shkaktar i vdekjes së atdhetarizmës shqiptare në të gjitha trojet etnike shqiptare ku vet janë pajtuar që t´ia falin shpirtin dreqit dhe bëjnë pazar me mefistofilët e llojeve të ndryshme në dëm të shqiptaris, për shitjen edhe të kësaj pak toke apo deti që na ka mbetur.E dikur në trojet shqiptare kur luhej loja e kapuqave këndohet një këngë interesante:”S´ju kem falë por ju kemi mujt fal  i kofshi dreqit tmallkut”.E them ju kemi mujt se Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare pa dëshirën e këtyre mefistofilëve e kanë marrur rrugën evropiane përkundër shumë pengesave që janë duke i vendosur kjo farë e dreqerve të mallkuar, që  e kanë kapluar politikën shqiptare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hit e ndjekjes, hit e vdekjes, Nue Oroshi

SALI BUTKA NË KONGRESIN E LUSHNJËS Sabri Godo

January 19, 2021 by dgreca

Me rastin e përvjetorit të Kongresit të Lushnjës/

SALI BUTKA NË KONGRESIN E LUSHNJËS/

 (fragment nga libri i Sabri Godos “Plaku i Butkës”)/

Në Kongresin e Lushnjës Sali Butka shkoi si delegat i Kolonjës dhe u bashkua me burrat e mëdhenj të kombit, atje ku po hidheshin themelet e shtetit të pavarur shqiptar.

Plaku shkoi në qytetin ku do të mblidhej kongresi kombëtar gati një muaj më përpara, si mik i Ibrahim Karbunarës. Ditën e 28 Nëntorit ai mbajti një fjalim në mitingun e organizuar në Lushnjë, me rastin e festës së Flamurit. 

Ja kronika e asaj dite të 28 nëntorit 1919: 

“Mëngjesi… u gdhi i stolisur me flamurë kombëtarë, i gjithë qyteti ishte në festë; në ora 10.00 u bënë tedeumet si në kishë e në xhami, mandej populli u grumbullua përpara godinës së nënprefekturës. Në këtë moment u këndua himni kombëtar… Mbasandaj doli Sali Butka, i thjeshtë në shprehje, por kuptimplotë. Saliu tha midis të tjerash: “Mua më janë vranë dy djemtë për çlirimin e atdheut, por kurrë nuk u dëshpërova, sepse ata bënë detyrën si gjithë patriotët e tjerë që ranë dëshmorë. Sot jam kryelartë, kur shoh që ëndrrat e tyre, si edhe gjithë shokëve të tyre si Spiro Bellkameni, Themistokli Gërmenji, e të tjerë, u plotësuan. Në këtë moment Sali Butka prek flamurin kombëtar me dorë dhe e puth.” ( Arkivi i Institutit të Historisë, A-V-73)

Plaku i Butkës  përshëndeti me vargje Kongresin kombëtar të Lushnjës, Këshillin e Lartë dhe qeverinë që dolën nga ky kongres:

Uronj Këshillën e Naltë

Me faqe të bardhë daltë

Dhe me një Shqipëri të plotë!

Shpirti im kështu më thotë.

Më pas Sali Butka lëshoi kushtrimin për çlirimin e Vlorës dhe Sazanit nga pushtuesit italianë me vargjet:

Për Sazanë dhe për Vlorën

Do të vritemi të tërë!”

Vargje nga libri me vjersha i Sali Butkës “Ndjenja për Atdhenë”, botuar në Korçë në shtypshkronjën “Dhori Koti”, viti 1920….

Filed Under: Histori Tagged With: NË KONGRESIN E LUSHNJËS, Sabri Godo, SALI BUTKA

DREJTËSIA NDËRKOMBËTARE DO TË RIKONFIRMOJË PASTËRTINË E LUFTËS PËR LIRI E PAVARËSI

January 19, 2021 by dgreca

Anton Quni Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se përballë sakrificës për arritjen e lirisë dhe pavarësisë edhe kësaj radhe është koha që Kosova të përballet me të kaluarën dhe të provojë me fakte dhe prova para drejtësisë ndërkombëtare pastërtinë e luftës për liri dhe pavarësi. Sipas Ministrit të Mbrojtjes z.Anton Quni fatet individuale asnjëherë nuk kanë diktuar fatin historik të Kosovës. Aspiratat për të parë Kosovën anëtare të Bashkimit Evropian dhe anëtare të NATO-s shkojnë përtej fateve individuale. Jemi të gatshëm të vihemi në shërbim të atdheut duke reflektuar se përfaqësojmë vlerat më të larta demokratike që përfaqëson edhe vetë Evropa.

ZOTI MINISTËR, SI PARAQITET SITUATA NË KOSOVË NË ASPEKTIN E SIGURISË KOMBËTARE DHE BETEJA E SHTETIT NDAJ PANDEMISË GLOBALE?

Pandemia Globale COVID-19, ka sfiduar edhe sistemet më të avancuara shëndetësore të vendeve më të zhvilluara ekonomikisht në nivel botëror, prandaj edhe Kosova është përballur me vështirësi për shkak të sistemit të paqëndrueshëm shëndetësor por edhe për shkak të vështirësive ekonomike dhe sociale si dhe një stabiliteti të paqëndrueshëm politik. Në rrethanat e pandemisë, të gjitha aspektet e sipërpërmendura kanë pasur një ndikim negativ edhe në aspektet e sigurisë. Kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe izolimi kanë ndikuar negativisht në aspektet ekonomike, duke shkaktuar rritje të papunësisë dhe thellimit të vështirësive ekonomike. Po ashtu, në këto rrethana, rritja e dhunës, veprave penale të vjedhjeve dhe thyerjeve, rritja e dhunës në familje, kanë ndikuar, sfiduar edhe aspektet e sigurisë; ndërsa paqëndrueshmëria politike, ka ndikuar negativisht kur me vështirësi është arritur konsensusi për miratimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike. Në këto rrethana shumë të vështira, pavarësisht rrethanave politike, është dashur një koordinim i lidershipit, me qëllim të rritjes së besueshmërisë në vend të aplikimit të forcës, rritje e nivelit të reagimit sidomos në raport me grupet vulnerabile (sidomos dhuna mbi baza gjinore); fuqizimin e gjithëpërfshirjes duke balancuar qasjen ndërmjet institucioneve të shtetit dhe shoqërisë civile, integrimin e qasjes së përgjigjes ndaj pandemisë në kuadër të programeve të sigurisë; si dhe fuqizimin e llogaridhënies. Në këtë kontekst, pavarësisht sfidave, institucionet e sigurisë kanë luajtur një rol konstruktiv dhe situata e tillë ka qenë e menaxhueshme.

RRËZIMI I QEVERISË NË KOSOVË NGA GJYKATA KUSHTETUESE, A E KA RREZIKUAR SIGURINË KOMBËTARE DUKE MARRË PARASYSH ETAPAT NË TË CILAT GJENDET SHTETI I KOSOVËS: HAPAT DREJTË INTEGRIMIT EVROPIAN, DIALOGU ME SERBINË DHE LUFTA NDAJ COVID?

Ndërrimet e shpeshta në strukturën udhëheqëse institucionale shtetërore, sigurisht se krijojnë një situatë të paqëndrueshme politike që reflekton në ndërprerje të proceseve, pasiguri në raport me atraktimin e investitorëve të huaj, si ndryshim të qasjes në raport me obligimet shtetërore në proceset politike dhe obligimet ndërkombëtare. Gjithsesi, pavarësisht ndryshimeve të shpeshta, qëndrueshmëria institucionale është ndërtuar në nivelin e administratës. Prandaj, pavarësisht ndryshimeve të shpeshta, viteve të fundit është vërejtur një maturim i institucioneve të administratës shtetërore të cilat pavarësisht nivelit jo të kënaqshëm të profesionalizmit apo edhe politizimit, kanë arritur të ruajnë funksionimin institucional dhe të ruajnë memorien institucionale, duke krijuar vazhdimësi në shumë procese politike dhe shtetërore. Kosova ka vendosur marrëdhëniet kontraktuale me BE-në, përmes MSA-së dhe ka një strukturë institucionale të avancuar që në vazhdimësi monitoron realizimin e detyrave shtetërore, sipas agjendës evropiane. Po ashtu, sa i përket proceseve politike, siç është Dialogu me Serbinë, Kosova ka marrë zotime ndërkombëtare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ligji për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është miratuar nga organi më i lartë i shtetit, prandaj detyrimet ndërkombëtare janë të obligueshme, sepse në këtë mënyrë edhe në raport me aleatët strategjikë, tregojmë përkushtimin shtetëror dhe maturinë institucionale për të marrë përsipër detyrimet tona ndërkombëtare. Modalitetet e implementimit të këtyre marrëveshjeve duhet të realizohen në nivel teknik dhe në konsistencën e veprimeve institucionale dhe profesionale, por edhe koordinimin me partnerët ndërkombëtar, duke respektuar me përpikëri dispozitat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.

SI I KOMENTONI ARRESTIMET E KRERËVE TË SHTETIT TË KOSOVËS DHE TË LUFTËS SË UÇK NGA PROKURORIA SPECIALE?

Aspiratat shekullore për të realizuar të drejtën për liri dhe pavarësi, gjatë gjithë historisë, kanë pasur çmimin shumë të lartë. Edhe kësaj radhe, Kosova, përmes shprehjes së vullnetit nga institucioni më i lartë i shtetit, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ishte e gatshme të përballet me detyrimet ndërkombëtare për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare. Rezistenca paqësore e bashkë-dyzuar me luftën për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahjen e pakursyer nga aleatët tanë që na kanë shoqëruar në gjithë rrugëtimin tonë për liri, janë kurorëzuar me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, duke konstituuar për herë të parë shtetësinë e Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht. Në këtë kontekst, ashtu si do herë gjatë historisë kur fati i individëve nuk është konsideruar përballë sakrificës për arritjen e lirisë dhe pavarësisë edhe kësaj radhe, është koha që Kosova të përballet me të kaluarën dhe të provojë me fakte dhe prova para drejtësisë ndërkombëtare pastërtinë e luftës për liri dhe pavarësi.

A PO BËN EVROPA NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS?

Unë besoj fuqishëm në drejtësinë ndërkombëtare. Evropa përfaqëson vlerat më të larta demokratike dhe mbi bazën e këtyre vlerave janë angazhuar edhe në sferën diplomatike; por edhe atëherë kur iu bashkuan SHBA-ve dhe NATO-s në luftën e tyre kundër totalitarizmit dhe diktaturës së Millosheviqit. Prandaj, besoj fuqishëm në vlerat fondamentale demokratike që janë kultivuar në Evropë për shekuj me radhë; dhe njëkohësisht vlerësoj lart edhe kontributin e Evropës në forcimin e shtetit ligjor dhe fuqizimin e qeverisjes demokratike në Kosovë.

SI KOMANDANT DHE LUFTËTAR LIRIE, SI I KOMENTONI AKUZAT E SPECIALES NDAJ UÇK?

Si komandant dhe luftëtar lirie, konsideroj se të gjithë ne që kishim fatin më të madh histori t’i shërbejmë atdheut për të arritur lirinë pas sakrificave shekullore, edhe kësaj radhe secili nga luftëtarët e lirisë është i gatshëm t’i bëjë shërbimin e radhës atdheut dhe t’i përgjigjemi detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës.

A ËSHTË E TURPSHME BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN?

Drejtësia ndërkombëtare e pavarur dhe e paanshme është udhërrëfyes për vlerat demokratike që promovon e drejta ndërkombëtare. Nuk është e rrugës të paragjykojmë proceset gjyqësore të cilat janë në vijim e sipër. Do të presim vendimin përfundimtar të gjykatës mbi këto procese gjyqësore për të bërë konstatimet dhe vlerësimet. Në këtë fazë, në nivel shtetëror dhe institucional do të angazhohemi me të gjitha kapacitetet që në mënyrë profesionale para Gjykatës Speciale, të paraqesim faktet dhe provat kredibile që dëshmojnë kryerjen e akteve gjenocidiale për pasojë shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut të garantuara me aktet më të larta ndërkombëtare, nga ushtria Serbe e udhëhequr nga diktatori Millosheviq. Tani është koha që në mënyrë të koordinuar për një qasje të strukturuar, si institucione shtetërore, të bashkëveprojmë me shoqërinë civile duke u zgjeruar edhe në sensibilizimin dhe shpërndarjen e fakteve të vërteta edhe përmes rrugëve institucionale diplomatike; por edhe duke përdorur edhe mënyrat e reja të komunikimit (përmirësimi i profilit të Kosovës në qasjen në informatat që janë të qasshme në internet; publikimi i video-incizimeve dhe fotografive që argumentojnë me fakte mënyrat brutale të shkeljes së lirive dhe të drejtave elementare njerëzore nga Serbia; si dhe argumentimin për vërtetësinë e fushatave të fabrikuara nga Serbia, për shtrembërimin e fakteve historike). Një aspekt i veçantë i paraqitjes së fakteve që provojnë vërtetësinë e tyre janë edhe kronologjia historike gjatë procesit të rezistencës paqësore, proceset e negociatave ndërkombëtare në Rambuje deri tek lufta për liri e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e mbështetur fuqishëm, nga fushata e sulmeve ajrore nga NATOs; ku për herë të parë qasja për të mbrojtur të drejtat elementare njerëzore dhe për të parandaluar aktet gjenocidale të një sistemi diktatorial, tejkaloi konceptet klasike të së drejtës ndërkombëtare për sovranitetin shtetëror. Të gjitha këto fakte, shteti i Kosovës do të kujdeset t’i paraqesë para gjykatës; prandaj besoj fuqishëm se drejtësia ndërkombëtare do të ri-konfirmojë edhe njëherë pastërtinë e luftës për liri.

NJË NDËR AKUZAT QË “SPECIALJA” I BËN UÇK ËSHTË VRASJA E KATOLIKËVE NË KOSOVË, SI E KOMENTONI KËTË AKUZË? A E KA CENUAR UNITETIN E QYTETARËVE? 

Historikisht, harmonia ndër-fetare ndërmjet shqiptarëve të të gjitha besimeve, është ndër vlerat më të larta që ka kultivuar kombi ynë. Vlerat kombëtare kanë determinuar rrugën tonë për liri dhe pavarësi. Pavarësisht se prokuroria ka mundur të ketë në dispozicion informata të pasakta që kanë për qëllim deformimin e fakteve historike, shpreh bindjen time të plotë se gjykata ndërkombëtare do të vendosë sipas parimeve më të larta të drejtësisë dhe kredibilitetit të provave. Dëshmitë historike për harmoninë ndër-fetare janë faktet dhe provat që do t’i shërbejnë një gjykimi të pavarur dhe profesional, prandaj besoj fuqishëm se këto prova të fabrikuara nga Serbia, për qëllime të ndryshimit të rrjedhës së fakteve historike, do të jenë një përpjekje e dështuar e radhës, edhe në sferën ndërkombëtare, ashtu siç ndodhi kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, legjitimoi luftën për liri dhe aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

CILAT KANË QENË DISA NGA REFORMAT KRYESORE NË MINISTRINË E MBROJTJES NËN UDHËHEQJEN TUAJ SI MINISTËR I MBROJTJES.

Në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, kam ndërmarrë veprimet institucionale dhe ligjore në dy drejtime:  -Rritja e llogaridhënies në menaxhimin e punëve publike në kuadër të Ministrisë, duke siguruar proces transparent duke respektuar parimin e meritokracisë dhe kompetencës profesionale në të gjitha proceset; si dhe – Fuqizimi i  subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe rritja e rolit të saj në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Kosova arriti për herë të parë në historinë më të re, të bëhet pjesë e misioneve paqeruajtëse ndërkombëtare. Ushtarët e FSK-së të jenë pjesë përbërëse e Ushtrisë Amerikane për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse ndërkombëtare; duke avancuar kështu agjendën e Kosovës në proceset integruese euro-atlantike.

SI E GJYKONI SE DO DALË KOSOVA PAS KËSAJ PËRBALLJE ME DREJTËSINË NDËRKOMBËTARE NË HAGË?

Kosova si çdo herë gjatë historisë, pavarësisht vështirësive gjatë  rrugëtimit, për të fuqizuar shtetësinë e saj, edhe në përballje me drejtësinë ndërkombëtare, do të arrijë të konsolidohet dhe së shpejti do të zërë vendin e saj, në proceset integruese përkrah vendeve të rajonit në familjen Evorpiane. Fatet individuale asnjëherë nuk kanë diktuar fatin historik të Kosovës. Aspiratat për të parë Kosovën anëtare të Bashkimit Evropian dhe anëtare të NATO-s shkojnë përtej fateve individuale prandaj, gatishmëria për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare është një ri-konfirmim se secili prej nesh, jemi të gatshëm të vihemi në shërbim të atdheut duke reflektuar se përfaqësojmë vlerat më të larta demokratike që përfaqëson edhe vetë Evropa. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Quni, Interviste, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 228
  • 229
  • 230
  • 231
  • 232
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT