• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Joachim Gauck: Të mos nxitet projektimi i imazhit të armikut

December 24, 2016 by dgreca

Pas sulmit terrorist Presidenti i Gjermanisë bën thirrje në përshëndetjen për Krishtlindjet për arsye dhe respekt./

1presid-gjerman

Përshëndetja tradicionale e Krishtlindjeve e Preisidentit sivjet është tërësisht në shenjë të sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Berlin në sheshin Breitscheidplatz më 19 dhjetor. Dymbëdhjetë vetë gjetën vdekjen dhe 53 u plagosën pjesërisht rëndë, kur atentatori mësyu me nëj maune në masën e njerëzve. “Shumë të vdekurit dhe të plagosurit në një treg Krishtlindjesh në Berlin na kanë tronditur e trazuar thellë”, thotë Joachim Gauck. Njerëzit tani ndjejnë indinjatë, zemëratë, frikë dhe pafuqi.Ndjenja, prej të cilave njeriu nuk duhet të lejojë të pushtohet dhe kurrësesi indinjata dhe zemërata nuk duhet të kthehen tani në urrejtje e dhunë. Në vend të kësaj është e rëndësishme, të qendrojmë bashkuar dhe të mbrojmë njerëzoren. Kush është “i ndjeshëm, i hapur dhe i gatshëm për ndihmë”, mund t’i shndërrojë indinjatën dhe zemëratën “në forca, që mbrojnë prej urrejtjes, dhunës dhe përçmimit ndaj të tjerëve”, thotë Gauck në fjalimin e tij të të regjistruar në presidencë në kështjellën Bellevue. Kjo është përshëndetja e tij e fundit me rastin e Krishtlindjeve si president.

Përballja politike me arsye

Këto janë fjalë, prej të cilave lexohet qartë shqetësimi i tij nga një radikalizim i shoqërisë. E në radhë të parë shqetësimi prej një konfrontimi politik lidhur me politikën ndaj refugjatëve. “Pikërisht në kohët e sulmeve terroriste ne duhet të mos i thellojmë hendeqet në shoqërinë tonë, as duke i përgjithësuar grupet si të dyshuar dhe as duke i shpallur në mënyrë përgjithësuese politkanët si fajtorë”, thekson Joachim Gauck.Por kjo nuk do të thotë, që të heqësh dorë prej diskutimit politik për shkaqet dhe pasojat e sulmit. Si për politikën ndaj refugjatëve, ashtu edhe për sigurinë në Gjermani duhet të ketë debat konstruktiv, me arsye dhe me respekt ndaj kundërshtarit politik. Për ish-priftin evangjelist Gauck kjo ka të bëjë edhe me një mesazh kristian të Krishtlindjes: “Ne duhet pikërisht në këto ditë të sjellim në vëmendje atë çfarë i karakterizon Krishtlindjet dhe që përtej kristianizmit është bërë pjesë e kulturës sonë.”

Falemidnerit shumë qytetareve dhe qytetarëve

Qytetarëve presidenti u bën thirrje, që “të kenë besim tek vendi i tyre” dhe të bëjnë gjithçka, në mënyrë që shoqëria të mbetet një “vend i bashkëjetesës në solidaritet”. “Edhe tani, që ajo po përballet me probleme të pazgjidhura”. Me këtë ai nuk do të dhurojë “dëshira ëndrrash”, thekson Joachim Gauck, por bën fjalë për “realitetin”. Vazhdimisht ai takon njerëz, që e kanë bërë Gjermaninë “përmes kontributit vetiak më të banueshme, më të sigurtë dhe më të besueshme. Kjo ndodh si në profesion, në kohën e lirë, në familje apo në angazhimet vullnetare. “Këta njerëz gjatë viteve si president më kanë bërë mua gjithmonë e më të sigurtë.”Presidenti në fjalën e tij lëvdon e shpreh mirënjohje veçanëarisht për infermieret e kujdestarët, edukatoret e mësuesit, ushtarët e policët. Por edhe “sindikalistët e angazhuar dhe sipërmarrësit e vetëdijshëm për përgjegjësinë, punonjësit social dhe menaxherët si dhe të gjithë ata, që zbatojnë të drejtën”. Po ashtu meritojnë falemenderim edhe “shumë qytetare e qytetarë që angazhohen vullnetarisht në ndihmë të refugjatëve e që me këtë tregojnë, se nuk duhet të refuzohet dhe të përjashtohet e huaja, për të ruajtur e jetuar atë që është e jotja”. Pikërisht në kohë të pasigurta shoqëria di ta vlerësojë “punën e besueshme” të këtyre njerëzve. “Jo sepse ato bëjnë diçka të jashtëzakonshme, por sepse ato atë që është e zakonshme e bëjnë jashtëzakonsiht mirë.”

 

Filed Under: Komente Tagged With: addresses the Climate Change, armikut, imazhi, mos nxitet, Presidenti gjerman, terrorizmi

Trump: Perëndimi të luftoj kundër ekstremizmit islamik

December 24, 2016 by dgreca

1-trump

Një video e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), e publikuar mbrëmë nga agjencia e militantëve, Amaq, ku shihet i dyshuari për sulmin në Berlin, Anis Amri, duke shprehur lojalitet ndaj IS-it, është komentuar ashpër nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump.Zoti Trump, që kishte shprehur përkushtim për “eliminimin” e grupeve terroriste, e ka shfrytëzuar këtë video për të kërkuar nga shoqëritë perëndimore që të përgjigjen “me luftë” kundër ekstremizmit të dhunshëm islamik.“Terroristët që i kanë vrarë aq shumë njerëz në Gjermani, pak para krimit thanë se – me vullnet të Zotit ne do t’ju vrajmë juve derra”, ka shkruar zoti Trump në rrjetin Twitter, dhe ka shtuar se “ky është kërcënim i pastër fetar, që u shndërrua në realitet”.“Kaq urrejtje…kur Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet do të përgjigjen me luftë?”, pyetet Trump.Autoritetet thonë se Anis Amri, personi i dyshurar për sulmin në Berlin më 19 dhjetor, nga i cili janë vrarë 12 vetë, është vrarë nga policia italiane.

Filed Under: Komente Tagged With: ekstremizmit islamik, të luftoj kundër, Trump: Perëndimi

Murin në Mitrovicë, nuk e “rrënojnë” rezolutat

December 24, 2016 by dgreca

1-muri-mitrovices

Çështja e ndërtimit të murit në veri të Mitrovicës, është karakterizuar me debate dhe mospajtime nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nëseancën e fundit.Seanca për këtë çështje ishte thirrur nga Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës, ku është kërkuar të dihet nga Qeveria e Kosovës, se a kanë qenë në dijeni për ndërtimin e një muri të tillë.Madje, kjo parti kishte përgatitur një projekt -rezolutë, në të cilën, ndër të tjera kërkohej shkarkimi i Ministres për Dialog,Edita Tahiri, ndërprerja e bisedimeve në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, si dhe Qeveria e Kosovës, përmes organeve të veta të ndërmarrë të gjitha masat që të rrënohet muri që është në ndërtim e sipër.Për votimin e kësaj rezolute nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.Në anën tjetër, analistë për çështje politike, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës është dashur që t’i qartësojë hapat e ardhshëmqë do të marrëpër zgjidhjen e këtij problemi.Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kuvendi është i pafuqishëm për të marrë vendime apo miratuar ndonjë rezolutë për shkak të problemeve që kanë ndërmjet vete partitë në Kuvendin e Kosovës, por edhe për shkak të paqartësive që përmbajnë rezolutat.“Një prej arsyeve që këto rezolutat e Kuvendit nuk po arrijnë ta kenë fuqinë e tyre është se shpesh herë janë të paqarta, nuk parashohin veprime konkrete. Dhe, më shumë bazohen në rrafshin politik të përfitimit të vëmendjes politike dhe të konsumimit ditor, sesa që rezolutat, të cilat janë realiste dhe parashohin veprime konkrete për t’u zbatuar”, thotë Krasniqi.Analisti Halil Matoshi, ndërkaq, thotë se rezolutat nuk kanë ndonjë efekt në zgjidhjen e problemit të krijuar pas ndërtimit të murit. Ai shprehet se në këtë drejtim Kuvendi i Kosovës nuk ka asnjë lloji fuqie.“Kjo me murin është një maskaradë e radhës sa për të tentuar që të shfaqen zëra patriotikë, por që nuk ka asnjë fuqi ndikimi. Kjo sepse rreth murit mund të ndikojë vetëm këmbëngulja e Brukselit zyrtar dhe Qeverisë së Kosovës, ndërkaq Kuvendi i Kosovës në këtë drejtim nuk ka asnjë lloji fuqie”, vlerëson Matoshi për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka qenë transparent.Sidoqoftë, Matoshi thotë se Kuvendi i Kosovës, asnjëherë nuk ka arritur që të pavarësohet dhe të marrë vendime kredibile, përpos vendimeve që kanë qenë të shtyra nga faktori ndërkombëtar.Albert Krasniqi, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të qartësojë se çfarë në fakt ka përmbajtur marrëveshja e arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar:“Fuqia e Kuvendit të Kosovës është duke kërkuar qartësisht nga Qeveria se çfarë hapash konkretisht duhet të ndërmarrë. Për shembull të kërkojë nga Qeveria që të bëhet një inspektim i gjendjes atje. Duhet të tregojë se çfarë në fakt përmban ajo marrëveshje, për shkak se ka shumë paqartësi dhe shpesh herë faji hidhet sa në nivel komunal, sa në nivel qendror, Kuvend dhe kështu duke e shpërndarë nuk ka ndonjë adresëtë saktë se kush është përgjegjës për atë veprim” .Gjatë debatit dhe mosmarrëveshjes për këtë çështje në seancën Kuvendit, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka duke e quajtur murin joligjor, ka thënë se ky mur nuk ka lindur në bazë të projekteve në Bruksel.Në asnjë moment në Bruksel, ka thënë ai, nuk është diskutuar për murin dhe nuk ka qenë muri pjesë e këtij projekti.Ndryshe, me vendim të autoriteteve lokale të veriut të Mitrovicës,ditë më parë filloi ndërtimi i një muri, me një lartësi prej mbi dy metrash, duke ngjallur reagime të fuqishme dhe rritur tensionet.Ndërtimi i murit u bë në kohën kur po kryheshin punimet për revitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, pas heqjes së “Parkut të Paqes”, sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel, me qëllim të rikthimit të normalitetit në qytetin e ndarë të veriut të Kosovës.(Kortezi Nadie Ahmeti RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Murin në Mitrovicë, nuk e “rrënojnë”, rezolutat

Kosovë-Ministria e Diasporës: Njoftim për bashkatdhetarët

December 24, 2016 by dgreca

1-min-e-diaspores

PRISHTINË,-Gazeta DIELLI/ Ministria e Diasporës e Kosoves i njofton bashkatdhetarët, të cilët kanë vendosur t’i kalojnë festat e fundvitit me familjarët në atdhe  që, për t’iu ikur pritjeve të gjata në kufi, përveç pikës kufitare në Merdar, t’i shfrytëzojnë edhe pikat e tjera  që janë më pak të frekuentuara.Bashkatdhetarëve u rekomandohet që, para se të nisen për në Kosovë, ta hapin linkun: //www.mpb-ks.org/qkmk/#.WF0vGdIrKM8 e Qendrës Kombëtare për menaxhimin e kufirit, në të cilin detajisht do të informohen për  pikat kufitare, si dhe për kohën e pritjes.

Po ashtu, institucionet e Kosovës, në këtë kuadër edhe Ministria e Diasporës, do të bëjnë përpjekje  që bashkatdhetarëve tanë t’u krijohen lehtësi gjatë kalimit të pikave kufitare, veçanërisht të evitohen pritjet e gjata, për ta kaluar një pushim të rehatshëm./b.j/

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ministria e Diaspores, Njoftim, për bashkatdhetarët

PËRSIATJE NË NATËN E KRISHTLINDJES

December 24, 2016 by dgreca

1 eugjen merlika

Shkruar nga Eugjen Merlika/Ka dymijë vjet që, në fillim një pjesë e vogël njerëzish, më pas gjithënjë në rritje, deri në shifra shumë të mëdha, në çdo 25 dhjetor, festojnë lindjen e Fëmijës Jezu. Ndërkaq, në rruzullin tonë, në këtë pikë t’Universit të zgjedhur nga Krijuesi për të ndërtuar botën e të ngjajshmëve të tij, lindnin çdo ditë shumë fëmijë. Ata rriteshin, burrëroheshin, plakeshin e vdisnin, për t’u mbuluar me pluhurin e përjetshëm të harresës që do të kursente shumë pak prej tyre, ata që do të hynin në botën e vogël të “farëve”, t’atyre që do të merrnin përsipër misionin e zhvillimit e të ecjes përpara të gjithë njerëzimit.Fëmija i lindur në një shpellë të Betlemit ishte i veçantë. Kishte dalë nga barku i një virgjëreshe që quhej Maria. Ai nuk ishte fruti i një pasioni njerëzor që i a bën të pranueshme çdo femre gjithë mundin, dhimbjet e sakrificat e një akti që është në bazën e vazhdimit të historisë njerëzore. Megjithatë ai ishte një fëmijë i zakonshëm që prindët do t’a merrnin në krah, për të ikur larg së bashku drejt një vendi që do t’u epte mundësinë të shpëtonin jetën e tij të kërcënuar nga një urdhër fëmivrasës i një mbreti.Ai do të rritej si gjithë të tjerët në shtëpinë e marangozit Jozef, do të luante me fëmijët, do të miqësohej me moshatarët.

Ungjillori Luka na tregon se në një rast kur Jezui 12-vjeçar kishte shkuar bashkë me prindërit në Jeruzalem, për të festuar Pashkën ebraike, u zhduk për tre ditë dhe u gjend në Tempullin e Madh të qytetit, tek kuvendonte me të diturit e kohës, doktorët e tij. Ky episod, ndër të paktit që ndriçon fëmijërinë e tij, dëshmon brumin mendor me të cilin kish lindur e ish formuar djaloshi. Në ndryshim nga moshatarët Ai kishte orë të tëra, në të cilat qëndronte i vetmuar, i zhytur në mendime e përsiatje. Ato orë përbëjnë misterin, të pazbuluarën të cilën Jezui, Shpëtimtari, e mori me vete. Në një çast të caktuar, kur Ai mbushi tridhjetë vjeç, rrjedha e qetë e jetës ndryshoi.

Ai filloi të flasë gjatë mes njerëzve e të bëjë “mrekulli”. Fjalët e Tij hynin drejt e në zemrat e ndigjuesve, i bënin jehonë dëshirave të tyre të fshehta, portretizonin një botë krejt të ndryshme nga ajo në të cilën jetonin. Bota e tyre, e ndërtuar mbi themelin e sundimit të më të fortit, ku mbizotëronte “përdhuna e krenarit, vonimi i ligjës, gojëçthurja e zyrtarit dhe shkelmat që çdo vlerë zemërgjërë nga të pavlershmit merr…”, po të parafrazojmë të madhin Shekspir, do të përballej me një përfytyresë të re ku vëndin e dhunës, të mizorisë së të fuqishmëve do t’a zinte dashuria për njëri tjetrin. Fjalët e Tij ishin mesazhi i Krijuesit për një njerëzim të sëmurë, që luhatej në rrugën e tij mes ecjes përpara e vetëshkatërrimit.

Fjalët e Jezuit, sermonet para turmave e ndjekësve, parabolat e thjeshta me të cilat zbërthente thelbin e dukurive njerëzore, do të përbënin revolucionin më të madh që ka njohur njerëzimi në rrugën e tij të gjatë. Ai nuk ishte një revolucion me dhunë ku një pjesë njerëzish, të armatosur me një paketë bindjesh e idesh, do t’u a bënin të detyrueshme konceptet e tyre pjesës tjetër nëpërmjet armëve, terrorit e vdekjes, siç do të ndodhte shumë shekuj më vonë. Ai ishte shpallja e një doktrine barazie e drejtësie, ku elementi kryesor që do të përcaktonte marredhëniet mes njerëzve do t’ishte jo urrejtja, por dashuria e ndërsjelltë. Parimi themelor i asaj doktrine ishte  “të mos i bëhej tjetrit ajo që nuk do të të pëlqente të të bëhet ty” e fuqia e saj në lajmërimin e një epoke të re ku njerëzimi, i sfilitur nga mëkatet e shumta, do të kishte mundësinë të shëlbehej e të ringjallej. Për t’ia arritur kësaj Zoti kishte dërguar në tokë birin e tij që, nëpërmjet kryqëzimit, do të shpëtonte njerëzimin nga pesha e mëkateve. Ishte një hap më tej kundrejt tabelave të Moisiut, që përcaktonin kontekstin moral në të cilin duhej të përshkohej jeta njerëzore. Krishti sillte mes njerëzve shpresën. Ky ishte rezultati më i rëndësishëm i pranisë së tij të shkurtër mes frymorëve të këtij planeti.

Fuqia e mesazhit të Tij ndau më dysh historinë njerëzore duke përcaktuar fillimin e një ere të re. Për dhjetëvjeçarë me rradhë historiografia e regjimeve komuniste e quajti me këtë term vitin zero kur lindi Krishti, duke mbajtur n’errësirë popuj të tërë mbi një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë njerëzore. Habit fakti që tani pasardhësit e atyre regjimeve janë bërë “mbrojtës të flaktë” të besimeve fetare e që marrin pjesë në meshat e Kërshëndellave apo Pashkëve, ose shkojnë në Vatikan për të kërkuar bekimin e Papës. Nëse nuk është shprehje tipike e hipokrizisë, e lidhur me interesa të mëdha të imazhit për oportunizëm politik, siç mendoj, duhet t’a pranojmë këtë dukuri si një nga mrekullitë e viteve të fundit të Jezuit.

Mesazhi i Krishtit u luftua, i u nënështrua për shekuj të tërë dhunës së Perandorisë më të fuqishme të kohës, asaj romake, në lashtësi. Të njëjtin fat pati në kohët e reja, kur u bë  prè e sulmeve të paparimta të revolucionarëve të ndryshëm, në veçanti të idhtarëve të Marksit, të ardhur në pushtet në më shumë se një të tretën e botës. Megjithatë ai nuk u ndal, nuk u kufizua, nuk reshti së pushtuari mëndje e zemra njerëzish gjatë dymijë viteve. Kjo provon vërtetësinë e tij, sepse vetëm e vërteta ka fuqinë të shkallmojë mure, prita, gardhe që dhuna, në forma të ndryshme, i ve përpara për t’i penguar ecjen. Ai ushqeu gjithmonë shpresën për kohë më të mira e i armatosi njerëzit me durimin për të përballuar me dinjitet edhe sfidat më të tmerrshme, mbasi edhe në përshkimin e tuneleve më t’errëta të jetës fjala e Tij ishte një dritë në fundin e tyre.

Qindvjetori i shkuar vuri në provë shumë popuj e shumë njerëz nëpër lagerët e gulagët e pafund të ferreve naziste e komuniste. Ata qindra milionë krijesa njerëzore, që patën fatin e keq të kalojnë nëpër to, që u ballafaquan në çdo çast me dhunën e mizorinë, e dijnë mirë se me çfarë besimi e shprese në zemër i drejtonin sytë nga qielli, në heshtje duke kërkuar ndihmën e Tij…Dukej sikur pesha lehtësohej, dhimbja pakësohej e fuqitë shtoheshin. Thonë se në vitet e tmerrshme të shtypjes policore në kampin e Spaçit, mbas revoltës së 1973-shit, në netët e ftohta të dimrit mirditas, hija e Krishtit shoqëronte vargun e të burgosurve që i ngjiteshin malit për të marrë turnin e punës. Nuk di me siguri sa është e vërtetë kjo. Shfaqjet e Zonjës së Bekuar janë të vërtetuara në Lourdes, në Fatima, në Mezhdugorie, madje dhe të fotografuara, të Jezuit më pak. Por nuk do të kishte asgjë për t’u habitur dukuria e Spaçit, mbasi rrallë herë prova e dhimbjes ka qenë kaq e hidhur sa në qelitë dhe galeritë e atij kampi të mallkuar, në mesin e viteve 70.

Mesazhi i Krishtit është një gjithësi vlerash, konceptesh, dukurish, që shkojnë nga jeta intime e njeriut, tek bashkësia e parimet e saj, tek Shteti e ligjet e tij, tek Krijuesi e raporti i krijesës me të. Është një godinë madhështore ku nuk ka skuta  të pandriçuara, ku parimin e dënimit e ka zëvendësuar ai i faljes, ku njeriu është objekt e subjekt i historisë së tij vetiake dhe njëherësh i asaj të njerëzimit. “ Nuk kam ardhur t’i u  sjell paqen, kam ardhur me shpatë në mes tuaj…” shprehet Krishti në një nga predikimet e Tij. Në dukje ka një paradoks, jep idenë se edhe lajmëtari i dashurisë hyjnore ka nevojë për dhunën për të mbështetur argumentat e Tij. Në fakt shpata është simbolike, është lufta e brëndëshme që duhet të përballojë njeriu për të sendërtuar paqen me veten, me t’afërmit, me bashkësinë njerëzore e deri me vetë Krijuesin. Për vetë natyrën komplekse të njeriut, të përbërë së shumti nga instikte, dëshira, synime e interesa vetiake të njëanëshme, rruga e përsosmërisë morale, shtegu i domosdoshëm për të kaluar në paqen e brëndëshme dhe botën sipërore të Krijuesit, lufta brënda individit bëhet një praktikë e përjetëshme. Në këtë luftë del i fituar më shumë ai që mëkatet e tij i shlyen nëpërmjet pendesës së sinqertë, mbas një pjese jete të stuhishme, se sa ai që kalon jetën e tij duke  respektuar parimet. Kur kthehet në shtëpi “djali plangprishës” shkakton më shumë gëzim se sa vëllai që çdo ditë punon normalisht për familjen. Duket diçka e pakapëshme për logjikën e thjeshtë tonën, madje bie ndesh me të, si në rastin kur Krishti predikon për t’i kthyer faqen tjetër shpullës.

Njerëzimi i projektuar nga Krishti është një shoqëri ideale e cila përjashton dhunën, si faktor rregullues i bashkëjetesës. Por sa i mundshëm  do t’ishte sendërtimi i kësaj shoqërie që trashëgon që nga agimet e saj luftën mes njerëzve, madje dhe brënda një bashkësie apo familjeje, që fillon me vëllavrasjen? Krishti predikon, këshillon, shëron, bën mrekullira, por është i vetëdijshëm se mësimet e Tij janë më shumë në bazën e shëndoshjes e ringjalljes shpirtërore të njerëzve se sa të organizimit të tyre shoqëror e shtetëror.  “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote “, “ Rrugët e juaja nuk janë rrugët e mija “, janë pohime që nxjerrin në pah personalitetin jashtëtokësor të profetit. Ai nuk merr pozën e ligjvënësit dhe as të zbatuesit të ligjeve tokësore. Për Të është i huaj pushteti zyrtar mbi njerëzit, por Ai fiton mbi ta atë shpirtëror, sepse është zëdhënës i fjalës së Babait, i dërguar në Tokë për të ndryshuar rrjedhën e mbrapshtë të lumit njerëzor. Megjithatë Ai predikon parimet e rregullat e bashkëjetësës mes njerëzve, si koncepte  rregulluese të shoqërisë, në të cilën institucionet  shërbejnë si katalizatorë të dukurive shoqërore, pa të cilët bashkësia njerëzore do të kthehej në një anarki shkatërruese. Në këtë anarki do të përfitonin parazitët, mashtruesit, lajkatarët, njerëzit pa skrupuj që kanë për parim vetëm interesin e tyre. Në Tempullin e madh të Jeruzalemit Njeriu – Zot rrëmbeu kamzhikun dhe përzuri me të farisejtë që e kishin mbushur. Sa i dobishëm do t’ishte sot ai kamzhik për të pastruar institucionet e Vendit tonë nga farisejtë bashkëkohorë që i kanë pushtuar…..

Njeriu jeton në dy sfera që duken të ndara, por që nuk përjashtojnë njëra tjetrën. Njëra është ajo temporale, jeta e zakonshme materiale me problemet e saj të përditëshme, me lodhjen, varfërinë, punën, familjen, Shtetin e marrëdhëniet e individit me të dhe ligjet e tij. Tjetra është ajo shpirtërore, që duhet të mbështetet në raportin e brëndshëm me t’afërmit e me Hyjninë e në pregatitjen e vetes për ballafaqimin me Të, kur jeta tokësore të ketë mbaruar kursin e saj. Por ky dualizëm harmonizohet nga ligjet universale të Krijuesit që, nëpërmjet fjalëve të Krishtit, gjejnë përhapjen e tyre mes njerëzve e shërbejnë si udhërrëfyes në jetën e tyre. Në këtë kontekst është tepër domethënëse dhe e një aktualiteti të paperëndueshëm thënia: “Jepini Qezarit atë që është e Qezarit dhe Zotit atë që është e Zotit!”. Është një porosi shumë e vyer të cilën, fatkeqësisht, Njerëzimi, në rrugën e tij të gjatë, nuk e mbajti parasysh.

Vetë godina e Jezuit, Kisha katolike, për kohë të gjata, lakmoi rolin e Qezarit e, sa herë Qezarët e rradhës mëtuan të zëvendësojnë Zotin në jetën e vartësve të tyre. Neve, si popull, na takoi shorti më i keq, mbasi “Qezari” ynë e fshiu krejtësisht Perëndinë, jo vetëm nga goja e nënshtetasve të tij, duke u a bërë t’a paguanin me kokë, ose vite të gjata burgimi e pune të detyruar ushtrimin e kultit të saj, por edhe nga fjalori, duke e kthyer Shqipërinë, zyrtarisht, në Shtetin e vetëm ateist në botë edhe nga ana juridike.

Në qendër të doktrinës së Krishtit është koncepti i faljes, që bëhet urdhërues e merr tone madhore kur është fjala për të vrarë me gurë një prostitutë : “ Ai që e ndien veten pa faj të hedhë gurin e parë!” Është një nga pikat kulmore të Testamentit të Ri, një çast, në të cilin Krishti na paraqitet si një poliedër që rrezaton dritë gjithandej. Na zbulohet si vetëdija kritike e Njerëzimit, nga buron një konceptim i ndryshëm i ligjeve në fuqi, të trashëguara apo të fituara. Nuk mjafton të zbatohet një ligj që dënon një grua që shet trupin e saj, mbasi, në rastin konkret, faji nuk përqëndrohet vetëm në personin, por merr përmasat e një dukurie të përgjithëshme, në të cilën, thellë në vete, secili ka një pjesë. Prandaj aftësia e gjykimit njerëzor zbehet, nuk ka fuqi, i lëshon vendin gjykimit hyjnor, që shprehet nëpërmjet fjalëve që Jezui i thotë Maria Madalenës, të ulur në gjunjët e tij.

Jeta e shkurtër e predikuesit më të shquar të Njerëzimit përfundoi në kryq. Çastet e fundit nxjerrin në pah më së miri dyfishësinë e qënies së Tij njerëzore e hyjnore. Ajo klithmë dëshpërimi “Ati im, Ati im përse më ke braktisur?”, mbas një torture sfilitëse tri ditëshe i gozhduar në Kryqin e drunjtë, kur fuqitë njerëzore pothuajse ishin shterrur, është përsëritur me miliona herë në historinë e gjatë të mizorive njerëzore. Viktimat e këtyre mizorive kanë lehtësuar shpesh peshën e vuajtjes duke menduar Shpëtuesin e Njerëzimit në kryq. Ajo klithmë dhimbjeje e dëshpërimi u pasua nga qetësia e vdekjes dhe ngjitja në qiell. Ky akt përfaqëson mesazhin më të përkryer të shpresës, një mesazh që ngulitet thellë e që bën të mundur përballimin e së keqes në format e saj më skajore.

Kanë kaluar dymijë vite, por në çdo natë Krishtlindjesh ne rijetojmë çastin e Betlemit. E rijetojmë në forma e mënyra të ndryshme, jo rrallë edhe nëpërmjet shfaqjesh që s’kanë asgjë të përbashkët me personazhet e shpellës së Betlemit. I rijetojmë ata çaste me një hidhësirë në gojë, sepse jemi të vetëdijshëm se, megjithë përparimet që ka bërë Njerëzimi në rrugën e tij drejt zhvillimit e mirëqënies, megjithë realizimet fantastike të disiplinave të ndryshme shkencore, megjithë shpalosjen e paprerë të parimeve më fisnike në karta e dokumenta, ne mbetemi ende larg sendërtimit t’asaj shoqërie në të cilën mësimet e Krishtit të mos jenë vetëm objekt predikimesh klerikësh nëpër kisha.

Në çdo prag mesnate, kur presim në heshtje e të zhytur në përsiatje çastin simbolik t’ardhjes së Mesisë së Betlemit mes nesh, secili në botën e tij të vogël i bën një shqyrtim vetes, për të shkoqitur në intimitetin e tij, ku i vetmi dëshmitar mund të jetë Zoti, gjithshka që nuk duhet të kishte bërë apo ato që duhet të bënte dhe i mungoi dëshira, vullneti, interesi. N’atë intimitet të secilit, larg çdo lloj hipokrizie njerëzore, mbasi vetëm vetja nuk mund të gënjehet, ndoshta fillon ecja në rrugën e gjatë e të vështirë të sendërtimit të mësimeve të Krishtit. Aty lind shpresa se diçka do të ndryshojë për mirë.Ne e ushqejmë atë edhe se përvoja e gjatë e së shkuarës  së Njerëzimit na le pak shteg për të besuar. Kjo është fuqia e Natës së Kërshëndellave, që nuk kanë mundur t’a pakësojnë as shekujt, as njerëzit, as teoritë apo doktrinat e tyre, që vazhdon të pushtojë, të magjepsë, sepse i flet shpirtit të njeriut dhe ai është i përjetshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, NË NATËN E KRISHTLINDJES, persiatje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2305
  • 2306
  • 2307
  • 2308
  • 2309
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT