• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arshi Pipa për standarditetin e gjuhës Shqipe

December 2, 2016 by dgreca

arshi_pipa 2(1)

Një sqarim për z. Thanas Gjika lidhur me qëndrimin e Arshi Pipës ndaj standarditetit të gjuhës/

anton-cefa

Nga Anton Çefa/Në nr. festiv të “Diellit”, lexova shkrimin “Të çlirohemi nga mendësitë osmaniste e komuniste” të Thanas Gjikës, ku vërejta me dhimbje mendësinë e kohës së diktaturës. Nuk kam ndër mend këtu të diskutoj për këtë, por do të them dy fjalë për qëndrimin e Arshi Pipës ndaj çështjes madhore të standarditetit të gjuhës sonë, për të cilin në atë shkrim thuhet: “Personalitete të kulturës dhe shkencës shqiptare si prof. Arshi Pipa etj. , mbas kapitullimit të diktaturës komuniste erdhën më 1992 – 1993 prej emigracionit dhe u shprehen për braktisjen e gjuhës letrare shqipe, gjuhës standard të përbashkët të krijuar mbi bazën e toskërishtes, si një krijesë me dhunë e kohës së diktaturës. Ata kërkuan krijimin e një gjuhe të re letrare me bazë gegërishten, meqenëse dialektet gegë i flet shumica e popullit shqiptar, etj.”

Së pari, kemi vetëm një dialekt gegë dhe disa nëndialekte e të folme.

Së dyti, askush nuk ka kërkuar të vendosë gegërishten si gjuhë standard të shqipes.

Së treti, i pari që e ngriti këtë çështje madhore të gjuhës mbas rënies së diktaturës qe At Zef Pllumi, i cili doli me kërkesën që mbasi mund të diskutohet lirisht, dhe jo si  në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 , ku ka munguar liria e fjalës si në çdo forum tjetër të kohës së diktaturës, të organizohet një Kongres për të diskutuar këtë problem madhor kombëtar. Akademikët kuqalosha që ishin pushtetarë të Akedemive, as që e përfillen Fratin e Nderuar e të ditur.Nuk kam ndërmend të merrem tani me këtë problem. Ajo që më bëri përshtypje e për të cilën do të sqaroj këtu është se akuza që i bën në këtë shkrim Gjika Arshi Pipës nuk qëndron, është e gabuar, tendencioze. Pra cili është qëndrimi i Arshiut ndaj çështjes së gjuhës. Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, Arshiu merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosur në një forum ku liria e fjalës përbënte sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin që “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; një përfundim të cilit nuk mund t’i heqësh asnjë presë, (siç thotë një shprehje popullore), dhe që më në fund është pranuar prej të gjithëve.

Me interes është të parashtrojmë ndonjë mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohu dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qëndrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 1). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 2). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskërisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”; kurse Virgjilin në toskërisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 3). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukurie, ndërgjegjja e disa intelektualëve, kryesisht atyre që ushqejnë mendësinë e kohës së diktaturës, për këtë çështje madhore, është ajo që është: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

Më vjen mbarë të shtoj edhe dy fjalë rreth personalitetit të tij. Arshiu qe atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindur, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhur, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ua kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruante në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhur në Bronx qëndron, që prej vitiit 1999, në mjediset e Muzeut Historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktaturës ose nostalgjikët e tyre, e kanë të zorshme të pranojnë një personalitet të tillë si Pipa, që i ka demaskuar një jetë të tërë.

Referenca

1). Shpend Topallaj, “Dy jetë paralele – Rreth librit të Uran Kalakullës me titull “Arshi Pipa njeriu dhe vepra”.

2). Idem

3). Ibidem

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Arshi Pipa, e gjuhës Shqipe, per standarditetin, Thanas Gjika

NJË VATRAN PËR PARLAMENTIN E MAQEDONISË

December 2, 2016 by dgreca

Intervistë e Editorit të Gazetës”DIELLI” në SHBA , Dalip Greca, me kandidatin për deputet, vatranin dhe biznesmenin e sukseshëm, prej 13 vitesh në Dibër, z. Ibrahim Kolari./

1-ibrahim_kolari-300x199

* Përse votuesit duhet ta votojnë Ibrahim Kolarin?/

I.Kolari: Sepse Ibrahim Kolari, ka një rezyme të pastër si Loti, është i pakorruptuar, u sjell shpresën, e një njeriu që vjen nga SHBA dhe njeh rregullat e demokracisë së pastër, -demokracisë amerikane. Unë, si veprimtar i dalluar në USA, Kosove, Shqiperi, dhe gjithe trojet shqiptare, sjell një frymë të re. Po ashtu unë kam më shumë se tre dekada në Vatër, në Bordin e saj, si dhe kontribues në Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane, ç’ka më bën më të sigurtë në përcjelljen e frymës Kombëtare. Për mua Vatra ka qenë një Universitet më vete….Kam 13 vjet që kam cuar investimet e mia në Diber…/

NGA DALIP GRECA/

Mesazhi: I nderuar z. Kolari, në emër të Kryesisë së Federatës VATRA në SHBA dhe Gazetës së Saj “Dielli” uroj që të dilni fitues në zgjedhjet e afërta Parlamentare për në Kuvendin e Maqedonisë. Vatranët dhe lexuesit e Diellit po e ndjekin me emocion e vëmëndje garën tuaj. Tash që fushatës po i afrohet fundi, do të donim për të informuar më mirë vatranët dhe lexuesit e Diellit në SHBA,Kanada, Australi,  Europë, vendlindje, të sillnim më shumë informacion përmes bashkëbisedimit në online.

Ibrahim Kolari: Eshtë kënaqësi të bashkëbisedoj me gazetën më të vjetër të botës shqiptare,zërin e vatranëve, që vijon të botohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej 107 vitesh.

Pyetje: Si po ndjeheni tash që dita e zgjedhjeve është në prag? Sa optimist jeni për fitoren?

I.Kolari: Natyrisht ndjehem shumë mirë. Kam përcjellë mesazhe të qarta për elektoratin duke e garantuar se gjithçka kam premtuar do ta realizoj gjatë mandatit tim. Jam i gatshëm t’i shërbej popullit tim. Jam optimist për fitore. Fitorja do të jetë në anën tonë sepse ne sjellim shpresë për ndryshim.

 Pyetje: – Si e kanë pritë bashkatdhetarët kandidaturën e një vatrani, e një biznesmeni, që po kontribuon aq shumë në vendlindjen e vet prej 13 vitesh?

I.Kolari: Bashkatdhetarët dhe Vatranet, prej momentit kur u shpall kandidatura ime, reaguan pozitivisht. Unë mora urime të shumta për të fituar mandatin e deputetit, më ofruan mbështetje të pakufishme. Unë nuk do t’i zhgënjej, do të luftoj deri në momentin e fundit, kur të mbyllet fushata, me 11 Dhjetor 2016.

Pyetje: – Ju e provuat si kandidat i pavarur në zgjedhjet lokale për mandatin e kryetarit të Dibrës, por nuk ia dolët, edhe pse fituat shumë vota. Si e justifikoni rikthimin, jo si kandidat i pavarur por me mbështetje politike?

I.Kolari: Po ju them një fakt: Ne vitin 2015, kur lideri i Opozites Maqedonase z. Zoran Zaev, shpalli të dhënat nga përgjimet-bomba, që tronditën Maqedoninë; doli dhe fakti se votat e mia, si kandidat i pavarur, ishin manpuluar, ishin vjedhur, madje edhe blerë me $20.00 për çdo votues(për dibranët e varfër janë shumë edhe 20 dollarë). Unë nga ana ime e kisha konstatuar manipulimin, vjedhjen, dhe e denonçova me forçë, kritikova ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Shkup, mirëpo ishte e kote mbasi VMRO & BDI ishin ne koaliçion te ngushte, të lidhura fort si vëllezërit siamezë dhe mbrojtën me forçë manipulimin. Ata ishin regjizoret dhe ekzekutuesit e maniopulimit. Unë isha pa mbështetje për të mbrojtë votat që dibranët mi patën dhënë.

Pyetje:-Si do t’i përgjigjeshit pyetjes: Përse votuesit duhet ta votojnë Ibrahim Kolarin?

I.Kolari: Sepse Ibrahim Kolari, ka një rezyme të pastër si Loti, është i pakorruptuar, u sjell shpresën, e një njeriu që vjen nga SHBA dhe njeh rregullat e demokraçisë së pastër, -demokraçisë amerikane. Unë, si veprimtar i dalluar në USA, Kosove, Shqiperi, dhe gjithe trojet shqiptare, sjell një frymë të re. Po ashtu unë kam më shumë se tre dekada në Vatër, në Bordin e saj, c’ka më bën më të sigurtë në përçjelljen e frymës Kombëtare. Për mua Vatra ka qenë një Universitet më vete.

Jam nga të paktët shqiptaro-amerikan që fitimet në shtetin amerikan i kam sjellë në vendlindje, ku po jap kontribut me investimet e mia, duke punësuar popullin tim dhe duke zbutur varfërinë e papunësinë. Shumë herë qytetarët e Dibres më drejtohet per shume halle, per çdo dite duke mu ankuar se u mungon sigurimi shendetsor, duke mu ankuar për mungesën e vendeve të punës, për jetën e vështirë, ku mungon shpresa për  një të nesërme të pasigurtë. Unë konstatoj se qytetartë janë të pasigurtë për të nesërmen, pa perspektivë, të friksuar deri në palçë nga partitë politike, nga pushteti.Të gjithë këtu, si të moshuarit ashtu edhe të rinjët ndjehen të pakënaqur nga pushteti. Unë shpresoj shumë se do të jem fitues në këto zgjedhje sepse kam çfarë u jap qytetarëve, kam garanci karakterin tim, përvojën që sjell, aftësitë, investimet e mia në vendlindje.

Me Experiencen time, dhe me mbeshtetjet e popullit dibran si në Diber ashtu edhe ne diaspore do të jemi fitues ne keto zgjedhje.

Pyetje- Sa ju ndihmon fryma Kombëtare e Vatrës dhe kontributi juaj prej më shumë se 30 Vjetë në Vatër?

I.Kolari: Natyrisht që fryma vatrane që unë sjell këtu në Dibër është një arsye më shumë përse qytetarët dibranë duhet të votojnë për mua. Vatra ka të shenjtë çështjen Kombëtare dhe me këtë frymë jam edukuar unë. Vatra ka ndikimin e vet,jo vetëm në diasporë por edhe në të gjitha trevat etnike të banuara nga shqiptarët, pra edhe këtu në Maqedoni, edhe në Dibër. Në Mandatin tim në Parlamentin e Maqedonisë, do të keë edhe mbështetjen e Vatrës, edhe frymën e Vatrës. Unë do të jem një zë I dobishëm për popullin tim, unë besoj në Demokraci dhe sjell përvojën e demokracisë amerikane, ku kam qenë I përfshirë aktivisht, me lidhje në politikën amerikane. Si pjesë e Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe Vatrën, lidhjet e mia me politikën amerikane, veçanërisht me Republikanët e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, do të jenë të dobishme për elektoratin tim.

Zeri im do të jete shume i fuqishem ne Parlamentin e MK, mbasi besoj ne Demokraci, dhe në shtetin ligjor. Pa zbatim korrekt të ligjeve nuk funksionon shteti,nuk ka ekonomi të zhvilluar, kjo është fryma që sjell unë.

Pyetje – Ju keni drejtuar Shoqatën Atdhetare “Dibra” në SHBA”, përbën ky fakt një plus në konkurimin Tuaj?

I.Kolari: Shiko, unë jam dibran, jamë pjesë e popullit tim.Kjo ka qenë arsyeja që po u kërkoj votën qytetarëve të mi, por edhe mandatin që më patën dhënë dibranët e Amerikës për ta drejtuar shoqatën, përbën një besueshmëri Plus.

Sherbeva në Shoqatën Demokratike Dibrane në SHBA për dy mandate  të suksesshme. Unë do të jemë përherë në anën e dibranëve dhe askush nuk do t’më infektojë nga mikrobi i korrupsionit. Unë do të jem një avokat i fuqishëm i qytetarëve që përfaqësoj. Në fund të mandatit unë jam i bindur se do të jem po aq faqebardhë sa ç’jam para hyrjes në Parlament.

Pyetje:- Po formacioni i dr.Seles, që keni zgjedhur, sa ju ndihmon në mision tuaj për të qenë pjesë e Parlamentit?

I.Kolari: Se pari, kur une pranova ftesen nga dr.Sela qe te behem pjese LRPDSH, e Pyeta z. Sela per Platformen politike, për motivin e marrjes së tij me politikë, pashë rezymenë e tij, dhe u binda se une tek formacioni i tij gjeja veten dhe e pranova bashkëpunimin. Sot ne jemi në ALEANCE per Shqiptaret, kemi bërë bërë kualicion me dy partitë të tjera, UNITETIN që ka në krye Gjeneralin, Gezim Ostrenin, dhe RDK, me kryetar , Vesel Mehmeti. Kemi gjëra të përbashkëta dhe luftojmë me një Platformë që do të rikthejë shpresën e humbur të qytetarëve. Jemi një formacion politik qe besojmë se do të kurorëzohemi me fitore, natyrisht nëse do të respektohet ligji i zgjedhjeve, nëse zgjedhjet do të jenë të qeta dhe demokratike.

Pyetje: Çfarë mendoni Ju se i mungon Dibrës dhe çfarë do t’i jepni Ju asaj.

I.Kolari: Z.Editor i Diellit; Dibra per çdo dite po zbrazet nga nataliteti, por edhe po shkatrohet nga infrastruktura, ish,Myftiu i Dibres, sot Kryetar I Dibrës, po e drejton Dibren si mos më keq, po e keqmenaxhon qytetin, nuk respekton ligjin. Të gjitha premtimet e tij elektorale i ka marrë era, asgjë nuk ka realizuar. Ai po e drejton Dibrën sikur ta ketë çiflik të tij, nuk ka një plan urbanistik, nuk ka ujë në periudhën e Verës kur vijnë emigrantët, shumë punime në qytet nisin dhe nuk përfundojnë jo për një muaj e dy, por me vite, mbeten nëpër këmbë. Kur bashkëbisedoj me qytetarët, më thonë se janë shpresëhumbur, vetëm vizat për të ikur mund t’i shpëtojnë nga jeta mizerabël që bëjnë, ku mungon gjithçka. Duke qenë se unë vij nga Diaspora, e di se çfarë u duhet ofruar qytetarëve dibranë. Jam i bindur se Misioni im do të jetë i dobishëm për dibranët.Unë kam premtuar në elektorat se pagën time të deputetit do ta përdor për studentët e elitës dibrane, që nuk kanë mundësi financiare për t’u shkolluar.

– Cili është mesazhi Juaj për dibranët në prag të zgjedhjeve?

I.Kolari: Mesazhi im është i thjeshtë: Dibranë, ma jepni votën sepse do të jem zëri dhe shërbëtori Juaj në Parlament. Kam që në vitin 2003, që solla nga SHBA në Dibër investimet e mia, dhe nuk jam larguar edhe pse nuk kam pasë mbështetje, ç’ka tregon vendosmërinë time për të qenë pranë Jush.

Unë u bëj thirrje bashkqytetarëve të mi dibranë që së bashku ta largojmë me votë të keqen që është instaluar në Maqedoni që nga viti 2001, duke u bërë gangrenë e Demokracisë.Ju risjell në vëmendje dibranëve dhe të gjithë shqiptarëve, video incizimin që shpërndau në FB Gazmend Kërkuti, duke iu drejtue dibraneve, m’jaft  i duartrokitët ata qe ju shkatërrojnë per çdo dite, ata qe vendin e kane shnëdrrue ne Anarki.. Dibranet jane ata qe lotojnë jo vetem në morte, kur vajtojne, por fatkeqsisht edhe dasmat po i lajne me Lot…Le t’i themi ndal këtij relaiteti fatkeq të gatuar nga pushtetarët aktualë.MJAFT!

Partia Aleanca per Shqiptaret , me jep mbështetje te jashtzakonshme… Besoj se ketij vendi do i kthehet dinjiteti. Qytetarë, Ju garnatoj, ne nuk jemi Ata, Jemi Ndryshe..!

Zoti e bekoftë popullin shqiptar, Zoti i bekofte Shtetet e Bashkuar të Amerikes, dhe falenderim i veçantë per shpëtimin e Kosovës..!

-Faleminderit për Intervistën

Nju Jork-Dibër, 2 Dhjetor 2016

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, e maqedonise, Ibrahim Kolari, NJË VATRAN PËR PARLAMENTIN

Kosova, fokus për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin

December 1, 2016 by dgreca

-Ministri Hyseni priti në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie/

1-skender-hyseni-ambasad-delawe

PRISHTINË, 1 Dhjetor 2016/ Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni priti sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie. Të dy biseduan për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, me fokus të veçantë për hapat që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm dhe për luftimin e terrorizmit.

Ambasadori Delawie vlerësoi lartë Punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës në përpalljen me këto dukuri,  sidomos masat që ka ndërmarrë kjo e fundit në parandalimin e aktit të mundshëm terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izrael. Ministri Hyseni dhe ambasadori Delawie u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe të intensifikojnë atë

Filed Under: Komente Tagged With: - EKSTREMIZMI, Greg Delawie, kosova, Skender hyseni, terrrorizmi

Singapori-Kosova merr njohjen e 113-të

December 1, 2016 by dgreca

kosove-newborn-prishtine-debore-17janar2016-foto-behlul-jashari-1-Singapori njeh Kosovën si shtet i pavarur dhe janë vendosur marrëdhëniet diplomatike/

enver-hoxhaj-vivian-balakrishnan

PRISHTINË, 1 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Singapori është shteti më i ri, i 113-ti  anatër i OKB-së që e njeh Pavarësinë e Kosovës, të shpallur para më shumë se 8 viteve, në 17 Shkurt 2008.MPJ në njoftimin e sapodërguar thekson: Kosova është njohur sot nga Singapori dhe janë vendosur marrëdhëniet diplomatike. Në notën verbale, thuhet se “në përgjigje të letrës së Ministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj të datës 24 qershor 2014 për Ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Republika e Singaporit njeh Kosovën dhe vendos marrëdhënie diplomatike”.“Një tjetër lajm i mirë për Kosovën. Singapori është shteti më i ri që e njeh pavarësinë e vendit tonë. Kam takuar e lobuar pa ndërprerë duke vizituar fillimisht këtë shtet në vitin 2013, zhvilluar shumë biseda e takuar sërish ministrin e Jashtëm, Vivian Balakrishnan në New York. Tani numërojmë 113 njohje”, ka thënë Hoxhaj.Singapori është shteti i 4 nga ASEAN që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Singapori është i vendosur në Azinë Juglindore dhe ka popullsi prej 5.7 milionë banorësh. Singapori është një nga vendet më të zhvilluara në botë dhe nga GDP për kokë banori është vendi i 3-të në botë.Në të njëjtën kohë, Singapori ka pranuar pasaportat e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës mund të marrin vizë në misionet diplomatike dhe konsullore të Singaporit apo të aplikojnë online për e-vizë për të hyrë në Singapor që nga sot.Ministri Hoxhaj do të vizitojë Singaporin në janar 2017 për të thelluar marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare.

Filed Under: Kronike Tagged With: njeh Kosoven, shteti i 113, Singapori

Letër “Vatrës” me rastin e Ditës së Pavarësisë

December 1, 2016 by dgreca

Në Emër të Zotit/

1-ismail-bardhi

Shkruan: Ismail Bardhi, Shkup/

Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga themelimi i një lëvizjeje, organizate mbarëkombëtare si “Vatra”, është për t’u lavdëruar dhe për t’u gëzuar me këtë emër që ka njëdomethënie tepër të lezetshme dhe të rëndësishme për të gjithë ne. Qëllimi i “Vatrës” gjithsesi ka qenë që të gjithë të jemi rreth Vatrës dhe për Vatrën. Se a ka ndodhur diçka e tillë, me keqardhje duhet të pranojmë se jo, sepse hapësira shqiptare në atë kohë kur është themeluar “Vatra” ka pasur një tablo shumë të dhimbshme, sepse vatrajonë ka qenëdisi e zbrazët: nga shkronjat, nga letrat, dhe nga kultura. Pavarësisht nga e kaluara e tillë, ne për fat të keq mbi atë të kaluar kemi mbështetur edhe një ardhmëri pa ardhmëri. Kjo nuk do të thotë se mundohem ta kthej të kaluarën, ngase ajo nuk kthehet dot dhe nuk duhet të kthehet, por shqiptarët nuk do të kenë mundësi asnjëherë t’i përgjigjen një pyetjeje shumë të rëndësishme: çfarë i sollën vetes për vetveten, respektivisht për Vatrën!?! Përpos pakënaqësisë dhe frikës – asgjë! Të gjithë fituan, krijuan shtete, përpos shqiptarëve, të cilët vërtet krijuan shtetin, por si e bënë këtëështë shumë e vështirë të flet gjuha e shtetësisë dhe kulturës shtetërore.

Ky naivitet është bërë, për fat të keq, një “forcë” e madhe dhe me apo pa dashje i ka keqpërdorur edhe kulturën edhe mendjen e shëndoshë; keqpërdorim ky që u dëshmua me diplomacinë e dobët, me organizime të atentateve të ndryshme, me “krijimin” e një historie kundërthënëse, e deri te ateizmi i paparë në botë. Edhe monizmi edhe pluralizmi në vatrën tonë u treguan me një model të veçantë që nuk u përputh as me fjalorin e fqinjve përreth Shqipërisë, e të mos flas për më gjerë. Është fakt se po në këtë të kaluar ndodhën gjëra që për fat të keq as ne “nuk” i dimë, ngaqë i kemi harruar dhe i harrojmë, sepse thuajse gjithçka e bëjmë në mënyrë folklorike, larg kritikës së duhur dhe organizimit të mirë. Për shkak të kësaj dobësie, ne përdorim vrazhdësinë e mendjes, fjalorin e frikës, organizime dhe tubimepër ndarje e deri te kërcënimet fizike, dhe jo vetëm kaq.

Për të gjithë këtë e kemi fotografinë e dy shteteve tona: njëri me një flamur e tjetri me tjetër. Ja tani është duke u shkuar edhe nga ajo që të kemi edhe dy kombe, jo një. Nuk flas për “si”-në dhe “sa”-në e tyre, edhe pse të gjitha njoftimet dëshmojnë se “paria” janë futur thellë në kriminalitet, në naivitet, janë futur thellë në shkatërrimin e kulturës së tyre, ndaj ne sot nuk dimë për të kaluarën e një qyteti, fshati, lagjeje tonë, e lëre më për personalitetet e shquar. Fjalori politik që përdoret brenda hapësirës së shteteve tona është larg çdo dimensioni. A e dini përse?! Për arsye se nuk mbështetet fare mbi mendjen shqiptare dhe vatrën shqiptare. Të gjithë vrapojnë me të madhe që t’i pëlqejnë Perëndimit, Lindjes, Jugut, Veriut… edhe NASA-s. Është për t’u habitur se nga buron kjo forcë e shëmtuar? Gjërat për të cilat jemi bërë copë për njëçast ndryshojnë;kemi ardhur në asi derexheje që një deklaratë e një diplomati e ndryshon diskursnin e “politikës” tonë, dhe vendimet e kuvendit dhe qeverisë. Besoj se jemi të ndërgjegjshëm se çfarë do të thotë kjo: kjo do të thotë se gjendemi mes dilemës të jemi apo të mos jemi.

Nëse në mënyrë serioze shikojmëse ç’janë duke bërë partitë shqiptare, çfarë do të shohim: në Maqedoni u dëshmua se partia “e madhe” shqiptare çdo veprim të vetin, duke filluar që nga organizimi “kryengritës” dhe pas kësaj,e ka bërë në marrëveshje të plotë me “dushmanët” e shqiptarëve. Shqiptarët “e mençur” e hëngrën këtë lojë, e pranuan shumë mirë dhe u desh të kalonin vite e vite që ta kuptonin se kanë qenë të mashtruar. Ja sot nuk kanë mundësi të hapin gojën ngaqë janë zënë në flagrancë. E njëjta gjë ndodhi edhe me partitë politike shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Dita-ditës po zbulohen fshehtësitë që nuk janë fare në interes të tokës, kombit, mendjes dhe kulturës shqiptare: politikë pa parime, pa perspektivë, plot “pendime” dhe plot kundërthënie.

Në hapësirën e Ballkanit ne shqiptarët me shumicë nuk mendojmë asgjë tjetër, përpos se si t’i braktisim trojet tona dhe jemi tepër të interesuar për vizat e shengenit dhe të SHBA-ve. Përpos atyre që merren me politikë! Është shumë interesante se edhe individë që janë jashtë vendit, nëse kanë pak ambicie për politikë dëshirojnë të kthehen: nuk e di pse, a për të ndihmuar apo pse për momentin kjo është e vetmja hapësirë që mundëson pasurim brenda nate (mandati) dhe pa u djersitur. Pas gjithë kësaj, habitem me fjalorin tonë: “patriot shqiptar”!?! Fjala më denigruese për momentin.

Besoj se, duke pasur parasysh atë që u tha më sipër, është koha për t’i ringjallur atë forcën e shenjtë dhe qëllimet fisnike të “Vatrës”, për ta riaktivizuar atë si forcë qëdo t’i ndryshonte gjendjen, tablonë dhe mendësinë shqiptare për një organizim dhe riorganizim që do të mendonte për një shtet modern shqiptar. “Vatra” ka nevojë të bëhet një forcë shumë e rëndësishme, sepse është themeluar në një shtet shumë demokratik që ka respekt ndaj popullit shqiptar dhe “shteteve” shqiptare, ndaj nuk guxon ta keqpërdorë këtë përkrahje të madhe. Besoj se ka pasur kohë të mjaftueshme për ta menduar dhe rishqyrtuarçështjen shqiptare, shtetin shqiptar. Ajo nuk guxon t’u nënshtrohet kërkesave të individëve, “komandantëve” të ndryshëm me fytyrë e pa fytyrë, të cilët që të tregohen se kanë ndikim dhe forcë kanë përdorur mënyra të ndryshme dhe të cilët thuajse të gjithë kanë dëshmuar se nuk e kanë vrarë fare mendjen për çështjen shqiptare. Mjaft ka qenë organizimi, strategjia e shqiptarëve e ndërtuar nëpër restorane e kafene; kultura e kafeneve nuk duhet të jetë kultura jonë.

“Vatra” duhet ta mbrojëçështjen shqiptare, kulturën shqiptare nga shumë gjëra dhe ta kritikojë gjendjen aktuale të shqiptarëve. Sidomos çështja e harmonisë fetare ështënjë çështje me rëndësi që nuk duhet reduktuar në debatin se kjo apo ajo fe është moderne/jomoderne, perëndimore/joperëndimore. Ne e pamë fotografinë e sllavëve që vetëm për arsye se diku ishin shumicë, zhvilluan një luftë të ashpër, të tmerrshme madje edhe kundër atyre që flisnin gjuhën e njejtë, por që i takonin një feje tjetër, e të mos flas për ata që flisnin gjuhë tjetër. Me dinakëri dhe plot mashtrim kjo po mundohet të futet edhe brenda indit tonë shqiptar, dhe atë nga “patriotët” shqiptarë. “Vatra” besoj se është e kujdesshme ndaj kësaj çështjeje shumë të rëndësishme. Ne kemi nevojë që “Vatra”, me forcën që duhet ta ketë, ta pastrojë mendjen shqiptare nga vetë lojërat “shqiptare”; ta krijojë forcën e pavarësisë së mendjes shqiptare kur bëhet fjalë për kombin dhe shtetin; të mundësojë zhvillimin e metafizikës së shëndoshë të fesë qëështë plot dashuri, qetësi e shpëtim. Fjala do të ishte më e padjallëzuar për “Vatrën” vetëm atëherë kur ëndrrat tona do të konstatohen ashtu siç duhet.

Për fat të keq, inteligjencën tonë, të cilën jemi duke e dëshmuar nëpër shumë universitete prestigjoze të botës, si dhe në trojet tona, pa marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe jostabilitetin politik, nuk na lejohet ta vëmë në shërbim të së mirës, duke ditur që kemi të talentuar që kanë mundësi të luajnë rol të madh në ndërtimin dhe rindërtimin e kulturës, shkencës dhe politikës shqiptare. Të gjitha këto keqpërdoren vetëm për arsye të patriotizmit të rrejshëm dhe politikës shtetshkatërruese dhe katundareske të njerëzve që nuk dinë gjë tjetër, përveç “çallëmit” dhe llumit që kanë nëpër mendje dhe trup. “Vatra” ka mundësi të fillojë një riorganizim për mbrojtjen e popullit të vet në nivelin akademik, përndryshe do të bëhemi lodër dhe gaz i botës. Shpeshherë e kam thënë: ne jemi ata që jemi në brendësinë tonë; brendësia jonë është dëshmi e së jashtmes sonë; ndërsa e jashtma/paraqitja jonë është dëshmuar se nuk harxhon për din e iman e vatan asgjë, përpos një leku, dollari, euroje, denari… D.m.th. për momentin aq vlejmë: një lek, një dollar, një euro, një denar…

Letrën po e përfundoj me lutjen: O Zot që Ty të besojmë, kemi nevojë për mëshirën Tënde; kemi nevojë për dashurinë Tënde; jemi të ethshëm për dijen Tënde. Ndihmona që të jemi të udhëzuar, na e forco shtetin tonë; na e pasuro dhe zbukuro kulturën tonë; na e ndriço rrugën tonë si në këtë botë ashtu edhe në botën e amshuar.

Ju faleminderit.

Ismail BardhiShkup, 28 nëntor 2016.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ismail Bardhi, leter Vatres, Në Emër të Zotit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2353
  • 2354
  • 2355
  • 2356
  • 2357
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT