• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demokratët, përpjekje për shkarkimin e Presidentit Trump

January 11, 2021 by dgreca

– Republikanët bllokuan një përpjekje për të shqyrtuar një rezolutë që i bënte thirrje Zëvendës Presidentit Mike Pence të aktivizonte amendamentin e 25-të të Kushtetutës, e cila parashikon heqjen e një presidenti kur ai është i paaftë për të kryer detyrat./

Demokratët e Kongresit amerikan ndërmorën të hënën një përpjekje të dytë për të detyruar Presidentin Donald Trump të largohet nga posti, duke paraqitur akuzën për “nxitje rebelimi”, lidhur me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit javën e kaluar.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët pritet ta marrë në shqyrtim çështjen të mërkurën. Nëse akuza miratohet, kjo do ta bënte zotin Trump të vetmin president në historinë e SHBA ndaj të cilit ndërmerret dy herë një proces shkarkimi.

Mijëra mbështetës të Presidentit Trump sulmuan Kapitolin javën e kaluar, duke i detyruar ligjvënësit që po çertifikonin fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden të iknin nga salla. Pesë veta humbën jetën gjatë sulmit të dhunshëm në Kapitol.

Dhuna erdhi pasi Presidenti Trump i nxiti mbështetësit të marshonin mbi Kapitol gjatë një tubimi ku ai përsëriti pretendimet e pabazuara se disfata e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit ishte e paligjshme.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, shumë prej kolegëve të saj demokratë dhe disa republikanë thonë se presidentit nuk mund t’i besohet më mandati, i cili i përfundon më 20 janar.

“Në mbrojtje të Kushtetutës sonë dhe të demokracisë sonë, ne do të veprojmë me urgjencë, sepse ky President përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për të dyja këto,” shkroi zonja Pelosi të dielën në një mesazh drejtuar kolegëve të saj demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Dhoma e Përfaqësuesve nuk duhet të miratojë kurrë një rezolutë që kërkon heqjen e një presidenti të zgjedhur në mënyrë të rregullt, pa seanca dëgjimore, debat ose votim të regjistruar”, tha anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Alex Mooney, i cili ngriti kundërshtime rreth projekt-rezolutës.

Më herët të hënën, republikanët bllokuan një përpjekje për të shqyrtuar një rezolutë që i bënte thirrje Zëvendës Presidentit Mike Pence të aktivizonte amendamentin e 25-të të Kushtetutës, e cila parashikon heqjen e një presidenti kur ai është i paaftë për të kryer detyrat.

Zonja Pelosi tha se demokratët po i bëjnë thirrje Zëvendës Presidentit Mike Pence të përgjigjet brenda 24 orësh pas miratimit të legjislacionit që i kërkon atij të mobilizojë kabinetin për të hequr Trump në bazë të Amendamentit të 25-të.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të martën mbi rezolutën që bën thirrje për përdorimin e Amendamentit të 25-të.

Zoti Pence dhe republikanët e tjerë kanë treguar pak interes për përdorimin e amendamentit në fjalë.

Në një deklaratë me video pas sulmit, zoti Trump pranoi se një administratë e re do të merrte detyrën më 20 janar, por nuk është shfaqur në publik. Twitter dhe Facebook kanë pezulluar llogaritë e tij, duke përmendur rrezikun se ai mund të nxisë dhunë.

Zoti Pence ishte në Kapitol së bashku me familjen e tij të mërkurën, kur mbështetësit e Presidentit Trump sulmuan ndërtesën. Sipas njoftimeve, ata nuk kanë folur me njëri-tjetrin që nga ajo ditë.

Zyra e zotit Pence nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me këtë çështje. Një burim tha javën e kaluar se ai ishte kundër idesë së përdorimit të Amendamentit të 25-të për të rrëzuar zotin Trump.

Zonja Pelosi kishte thënë se Dhoma e Përfaqësuesve mund të votonte për të ngritur akuzën për rebelim, nëse Nënpresidenti Pence nuk vepron. Ndihmësit e udhëheqësit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, i cili votoi kundër njohjes së fitores së zotit Biden, nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve ngre përsëri akuza kundër zotit Trump, Senati, i cili aktualisht kontrollohet nga republikanët, nuk do t’i merrte në shqyrtim ato para datës 19 Janar, dita e fundit e plotë e zotit Trump në detyrë.(kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokratët, Donald Trump, shkarkimi i Presidentit

SHKOLLA SHQIPE, RIKTHIM NË VATËR

January 11, 2021 by dgreca

NXËNËSIT E SHKOLLËS SHQIPE”CHILDREN OF THE EAGLE” RIKTHEHEN NË VATËR/

Mjediset e Vatrës të Dielën e 10 Janarit 2021 u rihapën sërish për nxënësit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” nën drejtimin e Drita Gjongecaj. Për shkak të Pandemisë, mësimet që patën filluar këtu që në shtator 2020, ishin ndërprerë nën nëntor për pak kohë për t’u zhvilluar online. Të Dielën mësimi nisi sërish fizikisht dhe do të vazhdojë për cdo të Dielë, duke filluar nga ora 2.00 pm.

Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” përherë ka qenë e lidhur më Vatrën, edhe kur nuk zhvilloheshin mësimet këtu, mësueset dhe nxënësit e kanë vizituar Vatrën për t’u njohur me historinë e Vatrës, gazetës Dielli dhe shqiptarëve të Amerikës prej më shumë se një shekulli.

Kujtojmë se po në Vatër është organizuar edhe Seminari i shkollave shqipe.

Shënim: Fotografitë janë marër nga arkivi I Diellit.

Filed Under: Histori Tagged With: ”CHILDREN OF THE EAGLE”, Drita Gjongecaj

ZGJEDHJET E 14 SHKURTIT 2021- REGJISTRIMI I VOTUESVE JASHTË KOSOVËS

January 11, 2021 by dgreca


Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka,  me gazetarin Behlul Jashari, tani korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI/

-Njoftim nga mbledhja e KQZ-së: Periudha për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar, në orën 18:00, sipas kohës në Kosovë/

 PRISHTINË, 11 Janar 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ *

 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike të cilat do të çertifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Sipas KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 934 mijë e 831 euro, pra 0.5 euro për votues të regjistruar. Vendimi i KQZ-së mbështetet në të dhënat e listës jopërfundimtare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 1 milion e 869 mijë e 662 votues.

Në vazhdim të mbledhjes, u njoftua se periudha për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar, në orën 18:00, sipas kohës në Kosovë.

Po ashtu, lidhur me këtë proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për verifikimin e aplikacioneve për regjistrim.

Sipas vendimit të KQZ-së:

I.                    Prej një e-mail adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër;

II.                 Në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari;

III.               KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit;

IV.               Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet;

 QEVERIA KA NDARË MJETE SHTESË PËR ZGJEDHJET E PARAKOHSHME

PRISHTINË, 11 Janar 2021-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të Kryeministrit Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike, mbledhjen e 56-të me radhë,  në të cilën ka miratuar ndarjen e mjeteve shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me 14 shkurt 2021.

Qeveria ka aprovuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për alokim të parakohshëm në të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej  165 mijë e 850 euro.

Kjo ndarje bëhet sipas kërkesës së datës 08 janar 2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa mjetet e ndara do të merren nga kategoria buxhetore e Shpenzimeve të Paparashikuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me Ligjin e Buxhetit për vitin 2021, ka të ndara në programin e zgjedhjeve shumën prej 8 milionë e 51 mijë e 575 euro, të cilat mund të përdoren për përmbushjen e këtij obligimi. Në përputhje me këtë vendim, puna jashtë orarit të rregullt për punonjësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kalkulohet dhe paguhet sipas legjislacionit në fuqi, nga ndarjet aktuale buxhetore në kategorinë paga dhe shtesa.

*Foto –Arkiv- gjatë një interviste: Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka,  me gazetarin Behlul Jashari, tani korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI

Filed Under: Politike Tagged With: Kosove, Zgjedhjet e 14 Shkurtit

Diaspora dhe Zgjedhjet në Kosovë

January 11, 2021 by dgreca

– Diaspora do të votojë nga 2 deri më 12 shkurt-

Shqiptarët e Kosovës jashtë vendit do të votojnë për herë të dytë në zgjedhjet në Kosovë. Për zgjedhjet e 14 shkurtit, votimi me postë prej tyre është parashikuar të bëhet nga 2 deri në 12 shkurt.

Ndërkohë regjistrimet për qytetarët e Kosovës jashtë vendit do të bëhen nga data 13 janar deri më orën 18.00 të 21 janarit.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani shpërndau legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt.

Në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur se fushata zgjedhore fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021.

Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Kushtetuesja kishte konstatuar se Qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 (zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës sepse Qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.(Kortezi-Gazeta Diaspora Shqiptare)

Filed Under: Kronike Tagged With: diaspora, zgjedhjet ne Kosove

KUJTESA-Imzot Mark Sopi (1938-2006)

January 11, 2021 by dgreca

– në përvjetorin e 15-të të vdekjes-11 Janar 2006-11 Janar 2021-/

Nga Don Lush Gjergji/

Jeta dhe vepra/

Imzot Mark Sopi, lindi në Binçë më 26 shkurt 1938. Pas shkollës fillore në Viti, gjimnazit klasik në Pazin të Kroacisë, studimet filozofike dhe teologjike i kishte filluar në Zagreb dhe përfunduar në Romë.Shugurohet meshtar në Romë, më 29 qershor 1968.  Don Dedë Ramaj, famullitari i Stubllës dhe Binçës, në fjalën e rastit gjatë drekës kremtore pati thënë në mënyrë profetike:“Mos harro biri i kujt je, së pari i Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i tyre, pastaj i famullisë dhe së fundi i familjes… Ndero të parët dhe ndero vetveten, sepse ke gjurma për të ndjekur nga lashtësia dhe historia…”.        

Pesë vitet e para të meshtarisë ishte famullitar në Ferizaj dhe sekretar i Imzot Nikë Prelës. Gjatë viteve 1974-1991 famullitar në Zllkakuqan, me shërbime të palodhshme në çdo kuptim dhe drejtim: baritor, bamirës, organizativ, ndërtimor, për objektet kishtare, përgatitjen për themelimin e dy famullive të reje, të Klinës dhe të Budisalcit, në pajtimet e gjaqeve…

Ishte edhe intelektual i mirëfilltë dhe punëtor i palodhshëm nëpër revista të ndryshme, sidomos “DRITA” e Ferizajt dhe “Vëgim drite” të Durrësit. Si fryt i kësaj pune ka dhuruar këto botime: “Baca Kolë dhe famullitari”(1995), “Martirët e Karadakut”(1996),” Koncilet ekumenike” (2000) dhe “Shën Luçia”  (2003).

Papa Gjon Pali II. e emëroi ipeshkëv të Kosovës më 23 nëntor 1995, pas shërbimit katërvjeçar në Durrës, dhe më vonë e shuguroi në Vatikan më 6 janar 1996. Udhëheqjen e Ipeshkvisë e mori në Prizren, më 18 shkurt 1996, me plot flijim, kujdes dhe përkushtim, e udhëhoqi deri në ndërrimin e jetës, më 11 janar 2006.

Tiparet vepruese dhe dalluese

 Nga jeta dhe profili i tij ka shumë tipare vepruese dhe dalluese, unë do t’i theksoj vetëm disa.

Parimor dhe guximtar në çdo rrethanë të jetës dhe të veprimit, para, gjatë dhe pas Luftës së vitit 1999. Ishte Bariu i Mirë i grigjës së besuar, jo vetëm i asaj katolike, por i të gjithëve, sidomos atyre që s’kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet. Gjatë këtyre dhjetë viteve ishte kudo lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët dhe ndërkombëtarët, gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën e përbashkët, për t’i ngushëlluar të pikëlluari dhe ndihmuar të varfëritë, për të qenë aty ku njerëzit tanë vuajnë, ishin të goditur dhe kërcënuar.

Me qëndrime të qarta dhe largpamëse, me zemër të madhe dhe bujare për të varfër dhe nëpërkëmbur. Gjithnjë në kërkim për shërbimin e Zotit, Kishës sonë, në çështje shoqërore, kulturore, arsimore, sidomos në mishërimin e jetës dhe të veprës së Nënës Tereze në traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë.

Ëndrra e tij jetësore ishte ndërtimi i Shenjtërores – Katedrales së Nënës Tereze në Prishtinë, si fanar në detin tonë të trazuar, si dhe zgjidhja fatlume e çështjes së Kosovës.

Posaçërisht, dua të theksoj aftësitë e tija për komunikim me të gjithë, me përfaqësues të huaj në Kosovë apo gjetiu, për paraqitjen dhe mbrojtjen e çështjes sonë madhore dhe për të mirën e përbashkët.

Me një fjalë, Imzot Mark Sopi ishte njeri urëlidhes mes skajshmërive, veprues në çdo kënd dhe vend, flijues për të mirën e të gjithëve, me gjakftohtësi dhe me urti, me fe të gjallë, shpresë të ngultë dhe dashuri flijuese dhe dhuruese për Zotin, për Kishën, për popullin Shqiptar, për të gjithë.

Imzot Mark Sopi fill pas rrënimit të diktaturës në Shqipëri, së bashku me Mons. Damjan Kurti, shkoi në Durrës si misionar për ta ndihmuar dhe shërbyer këtë Kishë dhe Popull martir, duke dëshmuar kështu dashurinë flijuese dhe dhuruese.

Testamenti shpirtëror i Imzot Mark Sopit

“Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. E kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” ( Gjn 11, 25-26).

Jezusi na pyet edhe ne sot, siç e pyeti dikur Martën: “A e beson ti këtë?”. “Po, Zotëri! Unë besoj se Ti je Mesia, Biri i Hyjit – ai që duhej të vijë në botë!” (Gjn 11, 26-27).

I vdekuri jeton dhe flet, për ne që besojmë në Zotin, në vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtin, në jetën e pasosur. Pra, Imzot Mark Sopi është i gjallë ndër ne, jo vetëm në  mendje dhe në kujtime, por para së gjithash në Zotin, në pritje të ngjalljes së trupit dhe në jetën e pasosur.

Kjo është zanafilla e fesë së krishterë,  Kishës Katolike, Imzot Mark Sopit, feja jonë që na ka mbledhur rreth Sofrës së Krishtit  në dhjetëvjetorin e kalimit të tij në amshim. Është rast i mirë që edhe ne të forcohemi në fe, të ngjallemi në shpresë dhe të ndizemi në dashuri, për Zotin, për Kishën, për njëri-tjetrin, t’i zgjojmë ndjenat e nderimit dhe të falënderimit ndaj Kishës dhe barinjve të saj që na kanë udhëhequr në rrugën e shëlbimit.

Në këtë shtyllë Imzot Mark Sopi e ka ndërtuar jetën  tokësore dhe veprimtarinë e tij baritore, në personin e Jezu Krishtit, të mishëruar, të vdekur dhe të ngjallur, si burim i pashtershëm feje dhe dashurie, si mundësi konkrete për dëshminë e krishterë.

Pa këtë lidhje dhe trinom  Jezu Krishti – Kisha – Populli Shqiptar, ne s’mund ta kuptojmë, shpjegojmë dhe zbërthejmë jetën dhe veprimtarinë e Imzot Mark Sopit ndër ne, me ne dhe për ne,  rrezikojmë ta cungojmë apo edhe të japim  interpretime të njëanshme dhe të gabuara për të.

Imzot Mark Sopi ka jetuar dhe vepruar për Krishtin e ngjallur,  ka besuar, predikuar dhe dëshmuar gjithnjë ngjarjen kulmore të ngjalljes së tij, si fitore jona,  është frymëzuar dhe flijuar për Atë. Krishti i ngjallur  është shpërblim  më i madh i tij në amshim.

Njësia e dytë e jetës dhe veprës së tij ishte pa dyshim Kisha katolike, si “Mësuese dhe Nënë”, të cilën ai e ka dashur dhe shërbye me tërë qenien e tij njerëzore dhe të krishterë. Pra, Krishti dhe Kisha  ishin dy binaret e jetës, të cilat ai kurrë nuk i ndau dhe harroi, por me mendje dhe me zemër i pranoi dhe përqafoi duke i shërbye deri te ofshama e fundit të kësaj jete.

Shpesh thoshte kështu: “Tash Kisha jonë e stërlashtë dhe martire, ka gjasa të lulëzojë, pas dimrit kaq të rëndë dhe të gjatë shekullor. Ne duhet t’i rrimë gati “arës së Zotit”, ta përgatisim dhe mbjellim sa më mirë. Zoti do të bëjë të rriten të korrat…”.

Sot mund të themi se pati të drejtë. Frytet e para të kësaj “pranvere” shihen dhe hetohen dukshëm kudo ndër ne.

Kishte njohuri, nderim dhe admirim, dashuri të madhe për paraardhësit tanë, “Martirët e Karadakut”, që i kishte studiuar nëpërmjet dokumenteve të arkivit “Propaganda Fide” në Romë,  si model i jetës  dhe dëshmisë së krishterë.

Ishte i lidhur qenësisht me Popullin tonë Shqiptar në të mira dhe të vështira, gjithnjë në shërbim dhe flijim të të gjithëve, pa dallime dhe përjashtime. E Lumja Nëna Tereze ishte hallka dhe unaza që i lidhte këtë trinom, Krishtin, Kishën, Popullin Shqiptar, gjithnjë nën ndikimit e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.

Imzot Mark Sopi Nënën Tereze e pati takuar në Romë gjatë studimeve, dhe që nga ajo kohë lidhja kurrë nuk ishte ndërprerë. Atë  e ka pasur si model të përsosur të jetës së kushtuar, si fryt të Kishës tonë martire, dhe si përfaqësuese të denjë të Kishës dhe Popullit Shqiptar në botë, tash edhe në amshim. Në vizitat e saja nëpër Kosovë dhe në Shqipëri, ishte së bashku me Nënën Tereze, duke e  pranuar dhe përcjellë,  po ashtu edhe këtu në famullinë e Zllakuqanit. Ishte shumë i gëzuar dhe i lumtur në pjesëmarrjen e lumturimit të saj në Romë, më 19 tetor 2003, edhe pse kishte disa halle shëndetësore.

Jo rastësisht dha shpirt në Prishtinë, gjatë një bisedimi në Komunë rreth ndërtimit të Katedrales dhe Shenjtërores së saj, më 11 janar 2006. Pra, dëshira, testamenti i fundit i Imzot Mark Sopit, ishte i ndërlidhur me Nënën Tereze, ndërtimin e Kishës dhe Katedrales me emrin e saj, me jetën dhe porosinë e saj për ne dhe për botën.

Tash, shpresoj dhe uroj, që së bashku ta shijojnë amshimin e lumtur në parajsë dhe të luten e të ndërmjetësojnë për ne, për Kishën dhe Popullin tonë./Kortezi- drita.info

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 vjet nga Vdekja, don Lush Gjergji, Imzot Mark Sopi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 239
  • 240
  • 241
  • 242
  • 243
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT