• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DËSHMORËT E GREHOTIT

September 22, 2016 by dgreca

NGA URAN BUTKA/

Data e 14 shtatorit 1943, është një ditë e shënuar në historinë e Luftës Antifashiste të popullit tonë, kur ranë në luftën për çlirim nga pushtuesit italianë 37 luftëtarë nacionalistë të Ballit Kombëtar me në krye komandantin Hysni Lepenica. Kjo ditë e vlerësuar si Dita e Dëshmorëve nacionalistë, dëshmon për pjesëmarrjen, kontributin dhe flijimin e forcave nacionaliste në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, një luftë e mohuar dhe e tjetërsuar nga regjimi komunist dhe historiografia komuniste, por që është vlerësuar me  shpalljen Dëshmorë të Atdheut të 37 komandantëve dhe luftëtarëve ballistë të rënë për atdhe, me rastin e 50 vjetorit të vrasjes së tyre në Grehot.

Grehoti është vatra ku ndeshet lufta për liri me intrigën e pushtuesve fashistë, shqiptarizmi me pabesinë komuniste, e vërteta me falsifikimin gjysmëshekullor.

Lufta dhe sakrifica e martirëve të Grehotit lidhet në radhë të parë me emrin e Hysni lepenicës, këtij burri të madh të Shqipërisë.

I ushqyer me patriotizëm në familjen Lepenica dhe në trevën e Lumit të Vlorës, i frymëzuar nga idetë e Rilindasve dhe në mënyrë të veçantë nga mëmëdhetarizmi i arbëreshëve të Shën Mitër koronës, ku ai kreu shkollën për mësues, djaloshi Lepenica eci në udhën e tyre, sidomos të xhaxhait atdhetar Ahmet Lepenica, por, në kohë të tjera, shkeli edhe në rrugë të reja. Ndonëse u pushua nga puna si mësues prej autoriteteve pushtuese italiane, ai nuk e ndali hovin patriotik. Mori pjesë në Luftën për çlirimin e Vlorës të vitit 1920, mandej, pas krijimit dhe njohjes së shtetit shqiptar, shërbeu si oficer i gjindarmarisë shqiptare në Vlorë e Gjirokastër. Demokrat i spikatur, bashkëpunoi me Avni Rustemin në shoqërinë “Bashkimi”. Vrasja e Avni Rustemit e vendosi Lepenicën në mesin e forcave kryengritëse të qershorit 1924. Ai mbështeti qeverinë demokratike të Nolit dhe, pas ”Triumfit të Legalitetit” të dhjetorit 1924, ai emigroi nga Shqipëria. I amnistuar, u kthye në vitin 1927 dhe së bashku me Hasan Dostin, Skënder Muçon, Bilal Golemin etj veproi në organizatën e fshehtë kundërmonarkiste “Lëvizja e Vlorës” e cila u dekonspirua dhe veprimtarët e saj republikanë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje: Hysni Lepenica, Muharrem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Skënder Muço,Beqir Sulo, Murat Tërbaçi, Tare Libohova. Protestat bënë që vendimi me vdekje t’u kthehej në burgim të përjetshëm.

H.Lepenica mbeti në burg deri në vitin 1938. I priti me armë në dorë pushtuesit italianë në Vlorë më 7 prill 1939 dhe organizoi qëndresën dhe demonstratat antiitaliane në qarkun e Vlorës. Në Himarë organizoi vrasjen e togerit Italian Moreti dhe u hodh në ilegalitet.

Abaz Ermenji shkruante: “Unë, Safet Butka dhe Hysni Lepenica krijuan në vitin 1942 çetat e para të Ballit Kombëtar kundër pushtimit Italian”

H.Lepenica formoi çetën nacionaliste Shqiponja” në qarkune Vlorës, një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri. Komisari i saj politik ishte avokat Skëndër Muço, bashkëpuntori më i ngushtë i Lepenicës dhe anëtar i KQ të Ballit Kombëtar.

Kulmi i veprimtarive luftarake të Hysni Lepenicës është beteja e Gjormit, 30 dhjetor 1942-2 janar 1943 kundër italianëve, ku morën pjesë1600 luftëtarë nga Mesapliku, Sevasteri, Dukati, Gjormi etj, si edhe çeta partizane “Plakë” e Vlorës me komandant Neki Ymeraj, që përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej mëse 2000 ushtarësh të komanduar nga koloneli Franko Klementi, në kuadrin e një operacioni spastrimi, në të cilin merrnin pjesë përkrah pushtuesve italianë edhe forcat mercenare kolaboracioniste të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit, me urdhër të kryeministrit Mustafa Kruja nr.107/5 dat 17.12 1942.

Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë italianë, ndërsa ranë në fushën e luftës 6 luftëtarë dhe 4 të plagosur nga të dy grupimet kryesore të rezistencës antifashiste shqiptare.

Kjo betejë e përbashkët, e komanduar nga Hysni Lepenica, u tjetërsua nga politika dhe historiografia komuniste. Në dhjetë faqet që ajo zë në botimin “Historia e Luftës NÇ” e vitit 1975, nuk përmendet farë emri i Hysni Lepenicës, si edhe i forcave luftarake të Ballit Kombëtar. Aty thuhet shprehimisht: “Një qëndresë të tillë u përpoqën ta sabotonin H.Lepenica  dhe S.Muço me shokë, ndërsa veprimet luftarake i drejtonin drejtpërdrejt shokët Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu”.

Ky falsifikim u rrëzua nga dokumentët që u gjendën në Arkivin e Shtetit dhe që u botuan prej meje në vitin 1993.

H.Lepenica dhe S.Muco, jo vetëm në këtë betejë të përbashkët kundër italianëve, por edhe përgjatë vitit 1943 u përpoqën të bashkëpunonin me forcat partizane, ata negociuan me drejtuesit e lëvizjes NÇ dhe bënë edhe marrëveshje për luftë të përbashkët kundër pushtuesve si në Shkozë, Dushkarak, Mesaplik, Gjorm etj, ndonëse drejtuesit komuniste se E.Hoxha, H Kapo, M.Shehu i sabotuan dhe i shkelën këto marrëveshje.

  1. Lepenica dhe Skënder Muço morën pjesë si delegatë të Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes, 2-4 gusht 1943 dhe nënshkruan marrëveshjen me delegatët e Nacionalçlirimtares për një luftë të përbashkët antifashiste nën drejtimin e Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë si edhe për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike. Fjala e H. Lepenicës ne këtë kuvend kombëtar është lapidare: “ Ne delegatët e ballit Kombëtar kemi ardhur vetëm për të gjetur rrugët dhe për të arritur një bashkëpunim me frontin N. Ç në luftë kundër okupatorëve. Po pyes: ç’na ndan në? A mos vallë, përveç qëllimit të përbashkët na pengojnë emrat që mbajmë? A nuk kuptohet që front N. Ç, i përkthyer në shqip do të thotë Ball Kombëtar? Atëherë kur është kështu, ç’na mbetet për të rënë dakord që të bashkohemi në këtë luftë?”

Në  Mukje, H. Lepenica u emërua komandat i përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar për Jugun. Më 9 shtator H. Lepenica dhe S. Muço, në krye të çetës “Shqiponja” hynë në Gjirokastër, liruan të gjithë të burgosurit dhe iu drejtuan me një letër shtabit N. Ç. në Cepunë, duke i ftuar drejtusit  e tij, që edhe ata të vinin në Gjirokastër dhe ta qeverisnin bashkërisht qytetin:

\

“ Ju njoftojmë se Gjirokastra është në duart e shqiptarëve. Qysh pardje kemi kërkuar  të viheshim në kontakt  me ju për të bashkëpunuar dhe kordinuar veprimet. Ju ftojmë që sa më parë të delegoni përfaqësuesit tuaj për këtë qëllim. Çasti është kritik, nuk lypset t’i shmangemi detyrës që na imponojnë rrethanat e luftës kundër okupatorit të ri, intereasat e larta  të kombit dhe ato të demokravcisë shqiptare. Në qoftë se nuk i përgjigjeni kësaj thirrjeje të sinqertë nga ana jonë, me hovin që imponohet nga rasti, na duket se merrni një përgjegjsi të rëndë përpara popullit.

Me prurësin presim një përgjigje të shpejtë.

Komandanti i Përgjithshëm i Fuqive të B.K të Jugut

Hysni Lepenica

Anëtari i Këshillit të Qendrës së BK

Av. Skënder Muço “

 

Kjo letër dëshmon për tolerancën dhe dialogun dhe bashkëpunimin që kërkonte të arrinte H.Lepenicca me përfaqësuesit e Frontit Nacionalçlirimtar në luftën për çlirim, Por udhëheqësit komunistë me në krye Bedri Spahiun iu përgjigjen negativisht thirrjes për bashkëpunim, ndërsa Enver Hoxha, në Qarkoren që i drejtonte Komitetit Krahinor te Partise Komuniste të Gjirokastrës jep urdhrin që të mos e ndajnë pushtetin me nacionalistët, por t’u vënë pushkët atyre. Kështu filloi edhe lufta civile në Gjirokastër, Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, luftë e brendshme vëllavrasëse, e urdhëruar nga Partia Komuniste dhe E.Hoxha dhe e nxitur nga emisarët jugosllavë.

Fundi i veprimtarisë atdhetare dhe luftarake të Hysni Lepenicës është lufta e Grehotit. Çetat e Ballit Kombëtar të komanduara nga Hysni Lepenica u goditën papritur nga ushtarët italianë në Grehot më 14 shtator 1943, tek kishin shkuar për të marrë në dorëzim armët dhe për t’i përcjellë italianët e kapitulluar të Divizionit “Peruxhia” në Gjirokastër deri në bregdet, sipas marrëveshjes, që kishin arritur më parë. Atje ranë në pritë dhe u vranë duke luftuar 36 luftëtarë ballistë me gjithë komandantin e tyre Hysni Lepenica. Nxitje për këtë masakër u bënë edhe krerët e LNÇ Bedri Spahiu, Shefqet Peçi etj, që ndodheshin në zyrën e gjeneralit italian të divizionit “Peruxhia” në kazermat e Grehotit.Komanda italiane hapi zjarr pa asnjë paralajmërim në drejtim të Hysni Lepenicës dhe forcave të tij, sipas skenarit të krerëve komunistë.

Në Grehotin e pambrojtur, kryekomandanti H.Lepenica dhe luftëtarët e tij luftuan trimërisht dhe ranë dëshmorë për Shqipërinë , ndër ta: Sefer Imeraj, Hasan Xhaferri, Nano Gjoni,i biri i tij, Hasan Gjoni, Mehmet Koka, Izet Ruka, Shazivar Karabina, Abaz Dauti, Neki Mahmutaj,Sherif Buhuci, Bilal Bilaj, Ali Sheme, Agim Cane, Agim Selfo, Hamza Tola, Ibrahim Graca  e të tjerë.

Filed Under: Opinion Tagged With: deshmoret, E GREHOTIT, Uran Butka

TAKIMET E KRYEMINISTRIT TE KOSOVES NE NJU JORK

September 22, 2016 by dgreca

Kryeministri Isa Mustafa mori përkrahjen e SHBA-ve, Kolumbisë dhe shteteve të tjera për Kosovën (VIDEO)/

Nju Jork, 22 shtator 2016-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në Nju Jork, u takua me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.
Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë si dhe për zhvillimet e fundit që lidhen me proceset integruese euroatlantike, fuqizimin e shtetësisë e subjektivitetit ndërkombëtar si dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.
Duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e deritashme, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-të, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.
Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e SHBA-ve për Kosovën.
Gjatë ditës, në selinë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Isa Mustafa ka takuar edhe ministren e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Maria Angela Cuellar.
Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke kërkuar përkrahjen e Kolumbisë për fuqizimin e subjektivitetit  ndërkombëtar të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa ka marrë pjesë edhe në pritjet e organizuara nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik si dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka takuar përfaqësues të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar përkrahjen e tyre për Kosovën.
Në një deklaratë për media, kryeministri Mustafa ka folur për agjendën e takimeve në Nju Jork.
“Agjenda jonë ka të bëjë me forcimin e subjektivitetit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe njohjen e Kosovës nga më shumë shtete sa që e kanë njohur deri më tani. Pastaj, vënia e marrëdhënieve bilaterale me shtete të cilat e kanë njohur Kosovën por akoma nuk kemi vendosur marrëdhënie bilaterale dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare”, tha kryeministri Mustafa.
Duke folur për përkrahjen e ofruar nga SHBA, kryeministri Mustafa tha se ka pasur takime edhe me përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ka ardhur në shprehje interesimi i përhershëm për Kosovën.
Ndërkaq, në pyetjen e gazetarëve lidhur me procesin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se çështja është shumë qartë.
“Ne duhet t’i përmbushim detyrimet të cilat i kemi dhe detyrimi përfundimtar që tani ka mbetur që ta përmbushim është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi . Është një çështje e cila është e patejkalueshme sa i përket përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Por, mund t’ju them se kjo çështje nuk është diskutuar vetëm nga ta, kjo çështje na është shtruar gati në të gjitha takimet që i kemi pas”, tha kryeministri Mustafa, për media./b.j/

Filed Under: Komente, Komunitet Tagged With: Isa Mustafa, nju jor, Takimet e Kryeministrit

Veprimtaritë e Presidentit NISHANI më Nju Jork, 22 Shtator

September 22, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani dhe Zonja Nishani morën pjesë në pritjen e dhënë nga Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Michelle Obama/

1-nishani-obama

Presidenti Nishani merr pjesë në Segmentin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në kuadër të 30-Vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim/

22 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani mori pjesë në Segmentin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në kuadër të 30-Vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim, që u hap nga Sekretari Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve Kreu i Shtetit shqiptar theksoi mes të tjerash që: “Shqipëria vazhdon të ndërmarrë në vazhdimësi reforma institucionale, ligjore, ekonomike për përmbushjen e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një jetë me sa më shumë dinjitet, me kushte, liri dhe mundësi të barabarta për këdo, duke synuar zhvillimin e vendit, ku më jetikja e miratuar së fundmi ka qenë ajo në fushën e Drejtësisë.”

Presidenti Nishani duke nënvizuar rëndësinë e së Drejtës për Zhvillim, vuri në dukje se ajo përbën një motivim shumë të mirë për të lidhur strategjitë e zhvillimit në një qasje të të drejtave të njeriut bazuar në zhvillimin e tij, çka do ta bënte këtë të Drejtë një realitet të prekshëm për të gjithë dhe se Shqipëria vazhdon të mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar në përmirësimin dhe implementimin e së Drejtës për Zhvillim, si një detyrim i patjetërsueshëm dhe përgjegjësi thelbësore ndaj qytetarëve të vendeve tona.

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani:

“I nderuar President i Asamblesë së Përgjithshme, zoti Peter Thompson,

Lartësia Juaj, Princ Zaid Ra’ad Al Hysein,

Zonja dhe zotërinj!

Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar t’i drejtohem sot para jush këtij segmenti të nivelit kaq të lartë për të përkujtuar 30-vjetorin e Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim.

Shpallja e të Drejtës për Zhvillim si e drejtë e patjetërsueshme e njeriut sipas së cilës të gjithë njerëzit kanë të drejtë të marrin pjesë e të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe politik në të cilin të gjitha të drejtat themelore të njeriut dhe liria mund të përmbushen plotësisht, është një parim sa njerëzor aq dhe universal, i cili duke theksuar me përparësi mirëqenien e individit, e angazhon me më shumë përgjegjësi politikëbërjen e vendeve tona.

Viti 2016 shënon 30-vjetorin e Deklaratës që mundëson çdokënd të gëzojë të drejtën për të qenë pjesëmarrës e për të kontribuuar në zhvillimet botërore. Megjithatë ende është shumë i madh numri i fëmijëve, burrave e grave, aktorë dhe faktorë të zhvillimit, që jetojnë çdo ditë me nevojën e madhe të realizimit të të drejtës së tyre për dinjitet, liri, barazi shansesh, çka përkthehet direkt në përballimin e një sërë sfidash bashkëkohore dhe mbrojtjen e një numri të drejtash civile, politike, ekonomike, sociale e kulturore.

Shqipëria ka qenë e gatshme për të plotësuar angazhimet që rrodhën nga nënshkrimi i Deklaratës së Mijëvjeçarit. Institucionet shtetërore shqiptare janë të përfshira në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke e reflektuar këtë angazhim në miratimin e një agjende zhvillimi, në “Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020”, si dokument i rëndësishëm që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.

Shqipëria vazhdon të ndërmarrë në vazhdimësi reforma institucionale, ligjore, ekonomike për përmbushjen e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një jetë me sa më shumë dinjitet, me kushte, liri dhe mundësi të barabarta për këdo, duke synuar zhvillimin e vendit, ku më jetikja e miratuar së fundmi ka qenë ajo në fushën e Drejtësisë.

Gjithashtu, vendi im është i angazhuar dhe jep një kontribut të qenësishëm në forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe rajonale. Shqipëria nxit seriozisht procesin e bashkëpunimit rajonal duke qenë pjesëtare aktive në të gjitha nismat që veprojnë në rajonin e Evropës Juglindore. Ne besojmë se ky angazhim i shërben jo vetëm promovimit të fqinjësisë së mirë, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit midis vendeve të rajonit, por edhe zhvillimit të vendeve tona, si rrjedhojë përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.

Ne besojmë se sfidat aktuale me të cilat përballemi sot, si: lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar, korrupsionit, etj., mund të përballohen vetëm duke forcuar partneritetin dhe bashkëpunimin midis vendeve tona.

Ndaj dhe e Drejta për Zhvillim përbën një motivim shumë të mirë për të lidhur strategjitë e zhvillimit në një qasje të të drejtave të njeriut bazuar në zhvillimin e tij, çka do ta bënte këtë të Drejtë një realitet të prekshëm për të gjithë.

Shqipëria vazhdon të mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar në përmirësimin dhe implementimin e së Drejtës për Zhvillim, si një detyrim i patjetërsueshëm dhe përgjegjësi thelbësore ndaj qytetarëve të vendeve tona.

Duke përfituar nga rasti i kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme plenare, urojmë suksese në vijimësi për të paraqitur dhe ndarë bashkërisht praktikat më të mira, përvojën e vyer, ide dhe sugjerime të vlefshme se si mund të zhvillojmë më tej përparimin e ta masim atë në vazhdimësi.

Ju falemnderit!”/

Kreu i Shtetit shqiptar takohet me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik (WJC), Ronald Lauder

22 shtator 2016, Nju-Jork

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua dhe zhvilloi disa takime pune me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik (WJC) dhe delegacionin që e shoqëronte, me përfaqësues të organizatës hebreje B’Nai B’rith, si dhe me themeluesin dhe drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore, Dr. Gregory Lafitte.

Zoti Lauder dhe anëtarët e tjerë të KBH-së e falënderuan Presidentin Nishani për qëndrimin që vendi ynë ka mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duke vlerësuar Shqipërinë si një vend miqësor ndaj hebrenjve dhe Izraelit.

Duke vënë në dukje se mes kombit shqiptar dhe atij hebre ekzistojnë një miqësi dhe partneritet i veçantë historik dhe vlera e parime të përbashkëta, të cilat u forcuan edhe më shumë gjatë periudhës së errët të Holokaustit, Presidenti Nishani theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë si me Shtetin e Izraelit, ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të thellohen e të zgjerohen edhe më tej, sidomos në fushën ekonomike.

Duke pasur parasysh burimet e shumta e të pasura natyrore, klimën dhe pozicionin gjeografik të favorshëm, legjislacionin lehtësues, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Presidenti Lauder ndanë bindjen e përbashkët se investimet e sipërmarrësve izraelitë dhe atyre hebreo-amerikanë duhet të jenë më të pranishme dhe në rritje me projekte konkrete në Shqipëri për vetë potencialet dhe mundësitë e mëdha që vendi ynë ajo ofron në fusha si turizmi, hoteleria, bujqësia, etj.

Drejtuesi Gary Saltzman dhe anëtarët e tjerë të Organizatës B’Nai B’rith, e cila shquhet për rolin e saj në mbrojtjen dhe avokacinë e hebrenjve dhe Izraelit, vlerësuan veçanërisht strehimin dhe shpëtimin mbresëlënës që Shqipëria u ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit.

Duke ndarë të njëjtën pikëpamje me Presidentin Nishani, ata u shprehën se ky shembull pozitiv historik i shqiptarëve duhet të promovohet edhe më tej në botë, sepse duke pasur parasysh sfidat dhe rreziqet e terrorizmit, të ekstremizmit e të antisemitizmit në ditët e sotme, ai shpëtim i rrallë, së bashku me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, mbeten shumë aktuale dhe frymëzuese edhe në ditët e sotme.

Presidenti Nishani, duke nënvizuar se historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka hasur një jehonë të gjerë edhe përtej kufijve të kontinentit evropian e më gjerë, i çmoi këto takime si shprehje e miqësisë së konsoliduar dhe partneritetit mes dy kombeve, u shpreh se duhet: “Të ruajmë kulturën, identitetin, civilizimin dhe vlerat e përbashkëta që po kërcënohen seriozisht nga terrorizmi, ekstremizmi i verbër dhe urrejtja”.

“Kjo përvojë pozitive si dhe miqësia e konsoliduar historike i ka forcuar më shumë marrëdhëniet e gjithanshme mes popujve tanë, por edhe mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit, si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.

Ndërsa në takimin me Dr. Gregory Lafitte, drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore Kryetari i Shtetit shqiptar vërejti se gjesti fisnik i shqiptarve në shpëtim dhe strehim të hebrenjve si dhe modeli unik i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendin tonë, mund të shërbejnë jo vetëm si shembuj për të rritur imazhin e Shqipërisë, por edhe si mjete efektive për diplomacinë kulturore në përpjekjet e saj të luftës kundër mungesës së tolerancës dhe ekstremizmit, si dhe për shkëmbimin e kulturave dhe trashëgimisë së vyer për brezat e ardhshëm.

Presidenti Nishani ndau me bashkëbiseduesit gjatë këtyre takimeve pikëpamjen e përbashkët se mbështetja aktive e Kongresit Botëror Hebraik dhe organizatave të tjera të ngjashme hebreje në Izrael, Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, padyshim që do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Presidenti Nishani depozitoi pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara instrumentin e ratifikimit të Marrëveshjes së Parisit për Klimën/

22 shtator 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, mori pjesë në ceremoninë e Nivelit të Lartë për Hyrjen në Fuqi të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, si dhe i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm, krahas shumë krerëve të tjerë të shteteve, instrumentin e ratifikimit të kësaj marrëveshje nga Shqipëria, e cila ka si objektiv luftën kundër ndryshimeve klimatike, si dhe rakordimin e veprimeve dhe investimeve drejt një të ardhme me karbon të ulët, të qëndrueshme dhe përmirësim të aftësive ripërtëritëse.

Marrëveshja u nënshkrua nga pala shqiptare, më 22.4.2016, në Nju Jork dhe u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, më 14.07.2016.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 22 Shtator, Ban Kee Moon, bujar nishani, ne OKB, Obama, Takimet e Presidentit

POETI TAIVANEZ, LEE KUEI-SHIEN – LAUREAT I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”

September 22, 2016 by dgreca

  • Edicioni XX i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”/

   *  Fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit jubilar, të 20-in me rradhë, të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është poeti i famshëm taivanez Lee Kuei-Shien, kandidatë për disa vite për çmimin Nobël. Ky është vendim i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studuesi Prof. Dr. Ymer Çiraku (Shqipëri), Ndue Ukaj (Kosovë) dhe Xhelal Zejneli (Maqedoni). Drejtoria e Festivalit, gjithashtu ka shpalle Anëtar Nderi të Festivalit shkrimtarin dhe studuesin e njohur shqiptar, Akademik Rexhep Qosja./

1-fituesi-cmim-n-frash

*Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 20 – 24 tetor 2016./

Kjo u bë e njohur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 21 shtator në Qendrën kulturore në Tetovë, nga drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, si dhe anëtarët e Jurisë së Festivalit, Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli. Laureatë të mëhershëm të këtij festivali janë emrat e njohur, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Athanase de Thracy (Bullgari), Lionel Ray(Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Craig Czury (SHBA) Sebastiano Grasso (Itali) etj.

Në edicionin e sivjetëm, i cili përkon me 20 vjetorin e Festivalit dhe 170 vjetorit të lindjes së poetit kombëtar, Naim Frashëri, janë ftuar 40 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Meksikë, Taivan, Japoni, Danimarkë, Norvegji, Gjermani, Francë, Avganistan, Itali, Poloni, Lituani, Izrael, Rusi, Turqi, Kroaci, Slloveni, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe poete nga mbarë hapsira shqiptare e nga diaspora.

Në vazhdim konferencës së shtypi, anëtari i Jurisë së Festivalit, Ndue Ukaj, lexoi arsyetimin e Jurisë për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”, ku thuhet se ” Kuie shien Lee u lind më vitin 1937, në Taipe. Aty mbaroi arsimin e lartë në Institutin e Teknologjisë.  Më 1976 u bë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Poezisë në Angli.  Më 1987, iu bashkua PEN-it tajvanez dhe u zgjodh zëvendëskryetar dhe pastaj kryetar i tij. Për një kohë ishte kryetar i Fondacioni Kombëtar për Kulturë dhe Art ne Taivan. Momentalisht është zëvendëskryetari i Lëvizjes Poetët e Botës (Movimiento Poetas del Mundo).

Filloi të shkruaj poezi më vitin 1953. Veprat e tij të botuar përfshijnë “Poezi të përmbledhura” në gjashtë vëllime(2001, “Ese të përmbledhura” në dhjetë vëllime(2002, “Poezi të përkthyera” në tetë vëllime(2003, ”Antologjia e poezisë evropiane” në 25 vëllime(2001-2005), ”Koleksioni Poezi elite” (në 22 vëllime) dhe të tjera, duke përfshirë “Thesar i artë i poezisë moderne indiane” (2005), që përmban poezitë nga presidenti A.P.J. Abdul Kalam.

Poezitë e tij u përkthyen dhe u botuan në Japoni, Kore, Kanada, Zelandën e Re, Holandë, Rumani, Indi, Greqi, Spanjë, Rusi, Mongoli etj.

U shpërblye me çmime të ndryshmetë rëndësishme si, çmimi “Poet Meritor Aziatik”, Kore(1994), me çmimin tajvanez të poezisë “Rong-hou”(1997, çmimi “Poeti botëror i vitit 1997”, çmimi “Poeti ndërkombëtarë”, Indi(1998), çmimin “Poeti i mijëvjeçarit”, i Akademisë Ndërkombëtare e Poetëve , Indi(2000), çmimin e letërsisë “Lai Ho” dhe çmimin kulturor “Premier”, të dy në Tajvan (2001). Ka marrë edhe çmimin “Michael Madhusudan” nga Akademia “Michael Madhusudan”(2002), çmimin “Wu San-lien” për letërsi(2004)dhe Medaljen e Poetit nga Fondacioni Mongol i Kulturës(2005).

Tri herë nominohet kandidat për çmimin Nobel për letërsi nga Akademia Ndërkombëtare e Poetëve, Indi (2002, 2004, 2006).

Ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare poezie në vende të ndryshme të botës, si në SHBA, Japoni, Kore, Indi, Turqi, Mongoli, El Salvador, Nikaragua etj.

Toka, qielli, deti, përbëjnë një trekëndësh metaforik mjaft frekuent tek poezia e këtij poeti tajvanez, ku ndihen pesha e mallit dhe e dramës së vendlindjes – me fluturimet e endërrta të shpresave ngazllyese. Kjo poezi e ka fort të pranishme botëperceptimin filozofik mbi jetën, ku ndërthurren kultura e qytetërime të lashta, të ardhura prej popujve të lindjes së largët. Metafora e vendlindjes shndërrit në poezinë e tij në një pafundësi ndjesish, që nga ato më të brishtat e deri ato më sublimet e më dramatiket. Për të, vendlindja – Taivani, është imazhi i ishullit mitik, të mbështjellë nga dallgët e mëndafshit të bardhë dhe poetit, ia ka ënda ta sodisë nga syri i një zogu në qiell, tërë atë dantellë të endur prej puthje guackash të panumurta. Vendlindja është për të Itaka e paharruar, në sado udhëtime të pafundme që mund të endet njeriu larg saj. Prej kritikës është vlerësuar veçmas tek kjo poezi dikotonimia e ikjes dhe kthimit, ku vatra dhe bota, ndërthurren jo në kundërshti, por funksionojnë në filozofinë e harmonisë dhe bashkëjetesës.

Akordimi i çmimit “Naim Frashëri” të Edicionit të XX, të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë Ditët e Naimit – për poetin e shquar bashkëkohës Lee Kuei-Shien, është vlerësim dhe nderim për magjinë e artit të poezisë, në çdo gjuhë e në çdo shpirt populli që ajo krijohet. Seicila prej tyre, bën pjesë në thesarin e kulturës botërore dhe që përcjellin vlera të humanizmit dhe të bashkëjetesës së ndërsjelltë mes popujve e mes kulturave”.

Në fund, anëtari tjetër i Jurisë, Xhelal Zejneli, lexoi edhe deklaraten qe laureati e dergoi me rastin e marrjes se çmimit “Naim Frashëri”, në të cilën, thotë se,

” Jam thellësisht i nderuar të shpallem laureat i Edicionit të XX të FNP “Ditët e Naimit”. Naim Frashëri është poeti më i madh shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut të madh duke ngritur gjuhën shqipe, ruajtur dinjitetin shqiptar dhe duke vepruar për të afirmuar më shumë personalitetin e pavarur dhe autonom ndërkombëtar të popullit shqiptar. Kur lexoj poezitë e Naim Frashërit, jam thellësisht i inkurajuar nga vullneti i pashueshëm i mbushur me entuziazëm, që shprehet në poezinë e tij. Kam përkthyer në kinezisht poezinë e tij përfaqësuese “Fjalët e Qiririt”, ku strofa vijuese

Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,…
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë

tregon qart një ndjenjë madhështore për ta përqafuar botën, nga e përceptoj edhe shpirtin e popullit shqiptar. Procesi i mundimshëm i Shqipërisë ka vlerë si një mësim i vlefshëm nga mund të mësojë populli tajvanez. Fatkeqësisht, prej shumë kohe, për shkak të ndarjes historike dhe gjeografike, populli tajvanez di mjaft pak për shqiptarët, si dhe për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën. Vendosi ta zë lirinë, do të mundohem për të zbatuar komunikimin e poezisë midis Shqipërisë dhe Tajvanit për të promovuar mirëkuptimin e ndërsjelltë dhe miqësinë në bazë të njeriut për njeriun“.

Tetovë, 21 shtator 2016

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Cmimi"Naim frasheri", Lee Kuei-Shien, poeti tajvanez

Një re e zezë që mund të mënjanohet

September 22, 2016 by dgreca

-Në Prishtinë promovohet libri “E drejta penale ndërkombëtare” i Prof. Dr. Ismet Salihut – trajton Gjykatën Speciale/

-Salihu është shprehur i bindur se Gjykata Speciale asnjerin nuk do ta dënojë pa prova/

1-e-drejta-penale

1-folesi-e-drejtaPRISHTINË, 22 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/.-Gjykata Speciale paraqet një re të zezë për Kosovën. Ajo mund të mënjanohet vetëm pas përfundimit të gjykimit të krimeve të pretenduara, shumica prej të cilëve u atribuohen pjesëtarëve të UÇK-së, në bashkëpunim me mafian ndërkombëtare.

Këtë konstatim, e ka nxjerrë profesori i të drejtës penale ndërkombëtare, dr. Ismet Salihu, me rastin  e promovimit të librit “E drejta penale ndërkombëtare – Me komentarin e shkurtër të Ligjit për Gjykatën Speciale”, të enjten në UBT, në Prishtinë. Në promovim kanë marrë pjesë personalitete të shquara të fushës juridike, profesorë, studentë etj.  Salihu, pos të tjerash, ka thënë se puna e Gjykatës Speciale do të jetë një proces i rëndë, por i domosdoshëm. Sipas autorit Salihu, Gjykata Speciale do t’i gjykojë krimet e pretenduara nga Raporti i Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës, që në opinionin e Kosovës është i njohur se Raporti i senatorit Dik Marti. Pasi ka përshkruar ecurinë e përgjithshme të themelimit të Gjykatës Speciale dhe për dyshimet e shprehura në Kosovë, sidomos nga partitë opozitare, Salihu është shprehur i bindur se Gjykata Speciale asnjerin nuk do ta dënojë pa prova. “Përgjegjësia e kësaj gjykate do të jetë e madhe, mirëpo askush nuk do të dënohet pa prova e fakte”, tha Salihu.  Profesori i të drejtës penale, Salihu, ka përmendur faktin se  pas luftës së Kosovës janë vrarë qindra veta.

“Në mes periudhës së viteve 1998-2000 janë ekzekutuar dhe zhdukur 470 persona, prej të cilëve 95 janë shqiptarë, kurse të tjerët janë të pakicave të tjera, kryesisht serbë”, është shprehur ai, duke dhënë të kuptohet se dikush i ka bërë ato krime.

Për rëndësinë e librit ka folur edhe rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.“Libri shënon një hap tutje drejt marrjes së njohurive në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare, është vlerë e shtuar akademike, si për studentët, ashtu edhe për profesorët, të cilët janë ligjërues të lëndës përkatëse”, përfundoi Hajrizi, duke falënderuar profesor Salihun për kontributin e tij në fushën e drejtësisë.

Referuesi i librit, Lavdim Krasniqi, ka folur për biografinë dhe krijimtarinë e autorit të librit, të cilën e ka cilësuar si shumë të bujshme.

“Libri është i vlefshëm, jo vetëm për autorin, por për të gjithë njohësit e fushës”, theksoi ai, për të shtuar se libri përmbledh refleksione të jashtëzakonshme profesionale.Profesori Skender Skenderi, po ashtu, e çmoi lart kontributin e autorit Salihu, derisa evokoi kontributin e tij dhe të profesorëve të tjerë të çështjeve juridike, të dhënë me rastin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, në 2 korrik 1990 si dhe për Kushtetutën e Kosovës, e miratuar në të njëjtin vit, në 7 shtator në Kaçanik. Në këtë rrafsh ai ka vlerësuar e kujtuar edhe profesorët Gazmend Zajmi, Ejup Statovci etj.“Pa punën e mundimshme dhe të palodhshme të profesorit Salihu dhe kolegëve të tij, në atë kohë nuk do të kishte as Kuvend, as Kushtetutë dhe as pavarësi”, theksoi Skenderi. Kjo sepse, sipas tij,  nuk do të kishte për çka të votohej. Skenderi e ka cilësuar lart edhe presidentin dhe rektorin e UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizin, i cili ka mundësuar botimin e një libri me kaq vlera, nga një personalitet shumë i lartë.

“Zoti President, je i madh, sepse njerëzit e mëdhenj i mbledhin të mëdhenjtë”, janë fjalët me të cilat profesor Skenderi i është drejtuar rektorit Hajrizi.  Krejt në fund, profesori Salihu iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, të cilët kryesisht përqendroheshin tek Gjykata Speciale.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, E drejta penale, Prof. dr. Ismet Salihu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2477
  • 2478
  • 2479
  • 2480
  • 2481
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT