• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIBRANËT : “FUKARALLËKUN TA FALIN, MASKARALLËKUN JO!”

September 20, 2016 by dgreca

Nga Besim NDREGJONI & Skender CALA/

Në këtë shkrim nuk duam të flasim  për përzgjedhjen e kanditatëve të Dibrës për Kryetar Bashkie.  As për kurikulumet e tyre të pasura , si specialistë  në fushat përkatse .  Rama si njeri i aftë në kirugji, ndërkohë  Shehu  i aftë  në financa dhe ekonomi. Duam të flasim  për  moralin e shëmtuar  të   dy shtabeve  dhe forcave politike , të PS dhe PD.. të  cilat në 20 vite , nuk ju dhuruan  dibranëve  një gëzim  të vetëm :” Rrugën e Arbërit” e cila u bë legjendë   në saj të premtimeve  të pa mbrojtura , të cilat  morën fytyrën e mashtrimit  dhe të fjalë së pambajtur. Në vitin 2001 rruga e Arbërit  u premtua nga Fatos Nano ( ish Kryeministër)  duke dërguar në Bulqizë tonelata zhavor  të cilat u mbuluan nga uji dhe rruga, as që filloi por votat i mori në Dibër . Në vitin 2005  kjo rrugë e pafilluar  u premtua  nga Sali Berisha ( ish Kryeministër)  rruga filloi por mbeti  aty ku është sot. Vetëm 20 km  mbaroi si rrugë  me dy korsi  dhe e   asfaltuar. Në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 Edi Rama ( sot Kryeministër)  premtoi se do mbaronte rrugën e Arbërit  që Saliu e la rrugëve . Por po përfundon  mandate  i  tijë  dhe as  që u vu uji në “zjarr” për atë rrugë. Nuk po flasim  për mungesën e interesimit  të dy forcave politike , që e  lënë Dibrën në  mjerimin e saj shekullor , duke bërë dhe synuar  që Dibra  të mbetet  përjetsishtë zorrë qorre në trupin e atdheut të saj. Dhe kush…  Dibra krahina  më pjellore   në dallim me krahinat  malore  dhe kodrinore të Atdheut.  Në historine e re të Dibrës  mund të lexosh  pa shumë mund  tri faza që gjunjzuan Dibranët e mi. 

 Faza e pare. Koha  e Dullës ( nuk duam të i përmendim as emrin) që instaloi  mjerimin  dhe varfërinë në Dibër, përçau  Dibrën  në luftë të egër klasash , dhe ndërtoi me djersën gjakun dhe mundin  e papaguar të dibranëve me kantjeret  dhe hidrocentralet e Atdheut “socialist”.

 Faza e dytë  Demokracia , e cila u la në mjerimin  e vet, por një gjë të mire e bëri : lejoj lëvizjen e tyre të  lirë brenda dhe jashtë shtetit. Por  mungesa e interesimit  ndaj tyre vazhdoi “Ata” vërtete u ndanë nga Krishti( koha e vjetër)  por nuk u takuan kurrë me Muhametin( demokracinë)

Faza e tretë , jo vetëm Dibra  por e tërë Shqipëria po e përjeton këtë kohë me dhëmbje.  Që nga puntori  që nuk gjen punë sepse  nuk ka specialitete  e gjer tek pensionistat , të cilët plot 3 vite  që nuk u shtohet  asnjë qindarkë,  por le fakirët e dalun  me 60%  dy dekada ma pare  kanë mbetur  në pusin e harresën , në pusin e mashtrimit.  Por mbi të gjitha , shqiptarët po dehen nga “ mrekullia”  e fushave , kodrinave  e maleve  të mbjellura  me jeshilin “hashash”  dhe këtë lumturi  na e sollën “Rilindasit”  e Ramës “lumturi” e cila vetëm në tre vite   jo vetëm ka bërë  “Hashash”  mendjet e shqiptarve  por ka zbehur para  botës  çdo vlerë të tyre të fituar në shekuj, duke na bërë gazin e botës.

Është  një dramë që po e kalojmë ne  shqiptarët, në aktualitetin që po përjetojmë, më të turpshin që nga koha e turkut, që më shtyn  të pronocohem  në shtypin tone. Veçanrisht  kur pashë  se dhe  në fshatrat tona  koha e rilindjes ka mbjell drogë.. mijëra rrënjë . dhe fashati nuk flet, si qindra fshatra shqiptare, dhe Dibra ime nuk flet si dhjetra  krahina të tjera, sepse fukarallëku i ka mbyllur sy dhe veshë. Por në Dibër qarkullon  në shekuj  fjala e urtë: “Fukarallëku , maskarallëku”. Që do të thotë zgjedhjet lokale në Dibër  për Kryetar Bashkie , instaluan  maskarallëkun, falë zotit  me ndihmën e Rilindjes së Ramës , që në përkthimin alegorik  të fjalës  do të thotë : “Perendimi moral i atyre  votuesve  Dibranë. Që në këmbim 2000 lekëve  jeshil  shitën jo vetëm shpirtin , moralitetin  për të cilin votuan  e kthyer  në flamur tre  brezash të grisura. Gazetaria  shqiptare  këto ditë në përgjithësi, por “Fiksi” dhe “Stopi” folën në veçanti “ maskarallakun” e ndodhur  në Dibrën time të artit e kulturës që këto vite nuk e di ku kanë përfunduar.  Por siç thuhet: Shpresa vdes e fundit, ashtu edhe drama e votimeve  në Dibër, le të jetë  një paralajmërim serioz  për filozofinë e aparatikanëve të Rilindjes . “ Sa më fukara  nji popull , aq pushtet  ushtrohet mbi të.”  Zgjedhjet në Dibër, le të jenë  sinjal se koha  e kategorisë së antinjeriut  të llojt  Rama, Gjiknuri, Tahiri, Balla  e dhjetra pallëve të tjerë do të jenë fillimi i fundosjes së tyre. Por dhe koha e tapave të sojt  Abazi, Suli, Aga, Lala , Noka e dhjetrave  sekserve ( për fat të keq  Dibranë e Lezhjanë do të mbarojë. Dhe ashtu siç tha një gazetare  e njohur për bindjet e majta  të saj  në emisionin “opinion” të Fevziut : “Brekët e Shukriut dhe britmave të Sadriut  nuk mund  të bëhen flamuri i betejave  për një Shqipëri të tradhëtuar  nga krimi qeverisës dhe i vulosur nga paralamenti i krimit dhe injorancës. Por edhe për këto dobësi , Dibra e urtë e ka  gjetur ilaçin ajo thotë : “fukarallakun ta fali, maskarallakun jo”  kam bindje  se Dibra jonë e mençurisë , herët a vonë , maskarallëkut  do i tregojë rrugën . Rrugë që kësaj  rradhe e bëri  Dibrën prrua.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Besim Ndregjoni, dibranet, Skender Cala, zgjedhjet

SHEMBUJ TË QYTETARIT GLOBAL

September 20, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të martën, më 20-shtator, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon hapi debatin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ës duke u bërë thirrje udhëheqsve botërorë të mbledhur në New York që, “Të jeni në shërbim të popujve tuaj.  Mos përmbysni demokracinë.  Mos vidhni dhe mos keqpërdorni burimet ekonomike të vendit tuaj.  Mos burgosni dhe mos torturoni kritikët tuaj.”   Fjalë të ashpëra këto të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ës drejtuar udhëheqsve të vendeve anëtare në fillim të punimeve të mbledhjes së 71-të të Asamblesë së Përgjithshme. Por megjith problemet që ekzistojnë anë e mbanë botës, Ban Ki Moon u tha përfaqsuesve botërorë se, “Duke punuar së bashku, duke vepruar në unitet, ne mund t’ia dalim”, shtoi ai, duke u përballur drejtë për drejë me sfidat botërore së bashku, ndërsa u kujtoi delegatëve të organizatës botërore fuqinë që posedon çdo individ për të ndryshuar botën.

Në kuadër të mbledhjes vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York —  Instituti “Atlantic Council” me qëndër në Washington, e që merret me studimin e çështjeve ndërkombëtare në fushën politike, ekonomike dhe intelektuale – dekoroi të hënen me çmimin vjetor “Global Citizen”, qytetarit global, tre individëve të dalluar, “lidershipi i të cilëve”, sipas këtij enti,  “ishte shembullor në përballimin e tyre me sfidat globale dhe në mbështetje të unitetit” ndërkombëtar.  Fituesit e këtij çmimi prestigjoz ishin Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe dhe muzikanti dhe kompozitori amerikan Wynton Marsalis.

Në darkën vjetore shtruar në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrale në New York për nder të fituesve të këtij çmimi morën pjesë rreth 500 udhëheqës qeveritarë, tregtarë, ushtarakë, mediatikë dhe përfaqsues të shoqërisë civile nga e mbarë bota, përfshirë edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili i dorëzoi Çmimin e Qytetarit Global, Kryeministrit italian, Matteo Renzi.

Kryetari i Atlantic Council, Jon M. Hunstman në fillim të darkës, theksoi rëndësinë që ka uniteti botëror në mbështetje të kauzave të përbashkëta, në përpjekje për të përmirësuar në përgjithsi gjëndjen në botë dhe për tu përballur me sfidat historike të kësaj kohe, me objektivin, shtoi ai, “që të krijojmë një botë më të lirë, më të hapur dhe më të begatë”, për të gjithë.

Duke i dorëzuar dekoratën e lartë Kryeministrit italian Renzi, personi më i ri nga mosha në atë detyrë,  Sekretari Amerikan i Shtetit Kerry iu drejtua pjesëmarrësve duke thënë se pa marrë parasyshë se nga vimë ose çfarë profesioni kemi, secili prej nesh si individë dhe të gjithë ne si grup, e konsiderojmë vetën atlanticistë.

Unë, shtoi kryediplomati amerikan, jam këtu sonte për të nderuar së bashku me ju kontributin e një udhëheqsi dinamik por edhe të një udhëheqsi gjithnjë e më të rëndësishëm në arenën e kontinentit europian.  Ai e cilësoi udhëheqsin e ri italian si një, “Reformator të guximshëm në vendin e tij dhe si një zë të fortë në fushën e sigurisë së përbashkët.”

Në fjalimin e tij kushtuar Kryeministrit italian, Z. Kerry përmendi Luftën e parë dhe të dytë Botërore, si edhe sundimin komunist anë e mbanë Europës për 50-vjetë, duke theksuar se para-ardhësit tanë, shtoi ai,  kishin arsye që themeluan Bashkimin Europian dhe organizatën e Atlantikut Verior, NATO.  Si rrjedhim, nënvijoi ai, “Kishte arsye që udhëheqsit vizionarë, duke filluar nga Çurçilli e Rusvelti e deri tek Adenauri e De Gasperi, u përpoqën të krijonin një komunitet transatlantik që do të shërbente si një platformë e qëndrueshme në mbështetje të stabilitetit, begatisë dhe paqës ndërkombëtare”.  Të gjithë ne — e sidomos personat që po nderojmë sonte shtoi ai — jemi mbledhur këtu si ruajtës dhe mbështetës të atij vizioni, tashëgimi e të para-ardhësve tanë europianë dhe amerikanë.

Kryediplomati amerikan foli gjithashtu edhe për marrëdhëniet e “mrekullueshme” që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Italisë, ndërsa përmendi njëkohsisht lidhjet e ngushta familjare, historike dhe kulturore që ekzistojnë  midis dy vendeve, dhe të cilat theksoi Z. Kerry, janë të çimentuara në vlerat tona të përbashkëta.

Këtu në Amerikë —  një vend dhe një kontinent i emëruar pas emërit të një biri tjetër të Firencës (Amerigo Vespucci) përfundoi Z. Kerry – jemi të kënaqur që Italia qeveriset sot në drejtim të duhur nga një udhëheqës guximtar dhe në përputhje të plotë me lidhjet dhe vlerat trasatlantike.

Nga ana e tij, duke pranuar dekoratën, Kryeministri italian foli mbi rëndësinë e udhëheqjes globale dhe shtoi se, “Qytetaria globale nuk është një çmim ose dekoratë në vetvete, por është një përgjegjësi që duhet të ushtrohet nga të gjithë.  Ne nuk mund të humbasim vlerat tona duke mos respektuar dinjitetin e çdo personi”, u shpreh udhëheqsi italian Matteo Renzi duke pranuar dekoratën e Këshillit të Atlantikut. Duke mbrojtur dinjitetin e secilit person, “Mund të humbasim disa vota”, përfundoi ai, “por ne nuk mund të humbasim vlerat njerëzore”, në këtë proces.

Këshilli i Atlantikut dekoroi edhe Kryeministrin e Japonisë, Z. Shinzo Abe për shërbimin e tij të gjatë publik dhe për udhëheqjen e tij të jashtzakonshme për sigurimin e paqës rajonale dhe për angazhimin e tij të vendosur në përforcimin e ekonomisë japoneze.

U dekorua gjithashtu edhe muzikanti i famshëm amerikan, Wynton Marsalis, i njohur botërisht jo vetëm për muzikën xhezë (jazz), por edhe si ambasador kulturor i cili i ka kushtuar gjithë jetën arteve dhe edukimit në fushën e arteve anë e mbanë botës dhe i cili me veprimtarinë e tij ka zhdukur pengesat midis artistëve dhe muzikantëve në të dy anët e Atlantikut.   Marsalis pranoi dekoratën e “Qytetarit të Botës”, duke u thënë të pranishmëve se, “Kur politika dhe financat humbasin rrugën e duhur, atëherë ne duhet t’u këthehemi rrënjëve tona – tek kultura.” .

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës, Ban Ki Moon u tha udëheqsve botërorë të martën se ndonëse një botë e përfeksionuar mund të duket shumë larg në horizont, mundësitë për realizimin e një bote të tillë ekzistojnë në secilin prej nesh, po të duam të veprojmë në të mirën e përbashkët dhe në unitet me njëri tjetrin.   Të tre të dekoruarit nga Këshilli i Atlantikut – Kryeministri i Italisë Matteo Renzi, Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe dhe muzikanti i njohur amerikan Wynton Marsalis – në mënyrën e tyre modeste dhe individuale janë shembuj të “qytetarit të botës” për tu ndjekur edhe nga të tjerët anë e mbanë botës.

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, SHEMBUJ TË QYTETARIT GLOBAL

Presidenti Nishani bashkëdrejton Tryezën për refugjatët

September 20, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani bashkëkryeson Tryezën e Rrumbullakët me temë: Kontrata Globale për ndarjen e përgjegjësive–për refugjatët dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare, në kuadrin e aktiviteve të Samitit të OKB-së për refugjatët dhe migracionin/

Nju Jork, 20 shtator 2016/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, në kuadrin e qëndrimit në Nju Jork, mori pjesë edhe në Samitin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për refugjatët dhe migracionin, ku ndër të tjera bashkëkryesoi, së bashku me Zëvendës Presidentin e Parë të Komisionit Evropian, Komisonerin Frans Timmermans, Tryezën e Rrumbullakët me temë: Kontrata Globale për ndarjen e përgjegjësive – për refugjatët dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

Presidenti Nishani, në fjalën e tij kryesore theksoi se në kushtet e paprecedenta ku 35-mijë njerëz zhvendosen forcërisht çdo ditë nga shtëpitë e tyre, si rezultat i konflikteve apo persekutimit, është e domosdoshme një qasje kolektive nga komuniteti ndërkombëtar. Më pas Presidenti shtoi se vlerat, përkujdesja për jetët njerëzore dhe detyrimi për të mbrojtur të pafajshmit duhet të mbizotërojnë përkundrejt politikave populiste dhe pikëpamjeve të ngushta nacionaliste. Kjo është një çështje që përfshin si dimensionin e sigurisë ashtu edhe atë humanitar. Ndaj dhe Qeveritë, ndajnë si barrën ashtu edhe përgjegjësinë për të përballuar flukset migratore dhe të refugjatëve që shikojmë sot.

Në fund të fjalës, Presidenti Nishanit theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar nënkupton lidership politik dhe menaxhim efikas të lëvizjeve të refugjatëve, veçanërisht në planin rajonal dhe bashkëpunimin me agjencitë e specializuara ndërkombëtare.

Më poshtë vijon fjala e plotë e Presidentit të Republikës në Tryezën e Rrumbullakët me temë: Kontrata Globale për ndarjen e përgjegjësive – dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare

“Zoti Zëvendës President i Komisionit Evropian, Komisioner Timmermans,

Të nderuar pjesëmarrës,

Çështja e migracionit dhe refugjatëve nuk është e re për botën. Ajo ka bashkëshoqëruar gjithmonë luftrat po aq sa ka qenë paralajmërues i fuqishëm se statuskuotë politike nuk kanë qenë më të mundshme, duke i paraprirë kështu ndryshimeve të mëdha. Këto kohë, çështja e flukseve migratore dhe refugjatëve është rikthyer ndjeshëm në agjendat tona politikbërëse po aq sa ka ngërthyer energjitë dhe punën e përqëndruar të organizatave lokale e ndërkombëtare.

Nga të dhënat që disponojmë rezulton se sot, një numër i paprecedentë prej 65-70 milionë njerëz në mbarë botën janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. 21 milionë janë refugjatë dhe më shumë se gjysma e të tyre janë nën moshën 18 vjeç. Në shtetet fqinje të drejtpërdrejta të Shqipërisë, vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2016, më shumë se 160 mijë njerëz kanë kaluar detin për në Greqi dhe 93 mijë në Itali, duke mos folur këtu për gjendjen edhe më të vështirë që po përballon Turqia. Këmbana e alarmit është duke rënë në vendet anëtare të Bashkimit Europian, por dhe në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor për përballimin e kësaj sfide që ngërthen si dimensionin e sigurisë ashtu edhe atë humanitar.

Për pasojë, kjo çështje nuk mund të mos dominonte edhe agjendën tonë sot, pasi ka zënë vend gjerësisht si në kontekstin e BE-së, OSBE-së, NATO-s, etj. Për më tepër, kur rreth 35.000 njerëz zhvendosen me forcë çdo ditë si pasojë e konflikteve apo persekutimeve, është e domosdoshme që të ndërmerren vendime dhe veprime kolektive për të trajtuar si rrënjët e këtij problemi ashtu edhe pasojat që shkakton ai.

Konfliktet sjellin si pasojë shkatërrimin e qeverisjes dhe strukturës sociale, lejojnë grupet e dhunshme ekstremiste të shfrytëzojne pakënaqësitë e thella e të hershme për të fituar mbështetje, ndërsa pretendojnë zaptimin e territoreve dhe burimeve si dhe kontrollin e popullatave. Situata tejet kaotike në Siri dhe Irak, por edhe në Libi, janë prova më e gjallë e këtij fakti. Kjo është ajo që DAESH (por jo vetëm) ka bërë gjatë tre viteve të fundit me pasojat shkatërrimtare, për të cilat, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm por nga të cilat edhe jemi seriozisht të rrezikuar.

Natyrisht, që përballimi i këtyre sfidave nuk është një detyrë e lehtë, dhe mbi të gjitha kërkon një qasje kolektive nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo ka munguar prej vitesh në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në rastin e Sirisë. Ndaj gjej rastin, të përshëndes edhe angazhimin konkret së fundmi të SHBA dhe Rusisë për t’i dhënë fund armiqësive në Siri, rifillimin e bisedimeve midis palëve për të gjetur rrugën e zgjidhjes së konfliktit, si dhe për t’i dhënë përgjigjen e merituar veprimtarisë së Da’esh dhe Frontit Al Nusra në Siri.

Vlerat, kujdesi për jetën e njeriut dhe detyrimi për të mbrojtur të pafajshmit duhet të mbizotërojnë përkundër pikëpamjeve të ngushta nacionaliste dhe politikave populiste. Dimensioni humanitar nuk mund t’i mungojë debatit politik dhe as t’i shmanget përgjegjësive tona drejtuese.

Pa dashur t’i jap nota romantike këtij diskutimi, por me bindjen se përçon një mesazh të fuqishëm në kohën dhe përmasën e duhur, do të doja të ndaja me ju mesazhin që shqiptarja më e njohur në botë, Nënë Tereza, me përulësi shenjtoreje i dha botës: ndihma e pakushtëzuar e njerëzve në nevojë janë fidanët që do të krijojnë pyllin e paqes. Falë këtij përkushtimi dhe dashurie të mbinatyrshme kjo murgeshë e përunjur u “pagëzua” si Nënë Tereza e botës, dhe prej tri javësh kanonizuar në Vatikan nga Papa Françesku si Shën Tereza, e paqes dhe dashurisë. Bota sot ka nevojë të frymëzohet nga të tillë shembuj, për të mbjellë shpresë aty ku ka dëshpërim për të ardhmen kaq të pasigurtë e të rrezikuar.

Zonja dhe zotërinj,

Rajoni i Ballkanit është i vendosur në një pozicion ku pasojat e presionit të flukseve migratore në Jug mund të arrijnë shpejt Evropën Perëndimore e Veriore. Rreziku aktual për të cilin duhet të tregojmë shumë vëmendje, është ai i përdorimit të migracionit për qëllime terroriste. Në këtë llogore askush nuk qëndron i vetëm, dhe as mund ta shmangë me vetëizolim.

Si vend që e ka eksperimentuar hidhur këtë qasje shkatërrimtare më herët, Shqipëria qëndron fort e palëkundur përkrah partnerëve të saj, modestisht, për një qasje të përbashkët kolektive. Në këtë kontekst, besoj se kemi ende shumë për të bërë si në forcimin e partneritetit strategjik me BE-në, ashtu edhe në solidarizimin më të madh ndaj njerëzve të prekur nga ky fenomen. Atyre që kanë nevojë për mbrojtje duhet t’ju ofrohet një rrugë e sigurt dhe ligjore, duke shmangur rrezikun që vjen nga kontrabandistët dhe tregtarët e vdekjes. Ky është një angazhim për t’u bërë pjesë e një zgjidhjeje më të gjerë të bazuar në solidaritetin dhe kapacitetet, në gatishmërinë për të mbrojtur vlerat dhe parimet ndërkombëtare dhe ato të të drejtave të njeriut.

Disa ditë më parë, Shqipëria organizoi një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi sfidat e zyrave të Avokatit të Popullit, në lidhje me flukset migratore. Në Deklaratën e Tiranës, përcjellë tashmë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, synohet t’i hapet rrugë një qasjeje të re në kontekstin e flukseve migratore, atë të respektit dhe mbrojtjes të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga vendi i origjinës apo statusi individual.

Shqipëria është pjesë si e Konventës që lidhet me Statusin e Refugjatëve 1951, ashtu dhe e Protokollit që lidhet me Statusin e Refugjatëve të vitit 1967. Por nevoja për bashkëpunim ndërkombëtar shkon përtej faktit nëse jemi vend pritës, origjine apo tranzitimi. Qeveritë duhet të ndajnë si peshën ashtu edhe përgjegjësitë për përballimin e këtyre flukseve.

Bashkëpunimi ndërkombëtar kërkon: lidership politik dhe menaxhim efikas të lëvizjeve të refugjatëve, veçanërisht në nivel rajonal dhe ndër-rajonal. Bashkëpunimi ndërmjet pikave të kalimit kufitar të vendeve ndërkufitare, autoriteteve detare dhe atyre aeroportuale mbeten kyç për një transferim të sigurt të refugjatëve dhe minimizimin e rrezikut për të qenë kontigjent trafikimi, ushtrimi dhune apo shfrytëzimi. Ndarja e të dhënave dhe njoftimi në kohë i autoriteteve në vendet e tranzitimit dhe ato pritëse mbetet kyç për shpejtimin e procedurave të regjistrimit dhe lejeve të pranimit në vendin e destinacionit.

Për vendet e vogla, kryesisht ato të tranzitimit të refugjatëve është i nevojshëm një dokument tip bashkëpunimi i cili mund të parashikojë adresimin e çështjeve si mbrojtja, shmangia e trafikimit të tyre, rënia pre ndaj presionit të krimit ndërkombëtar, keqpërdorimi i kontigjentit më vulnerabël, etj.

Për krijimin e kushteve të nevojshme dhe adaptimin sa më parë të refugjatëve në komunitetet lokale kërkohet adresimi i menjëhershëm i situatës specifike, duke mbajtur parasysh parimet e humanizmit, dinjitetit sikurse parashikon ligji ndërkombëtar.

Përfshirja e organizatave ndërkombëtare si IOM, UNHCR dhe bashkëpunimi ndërmjet OJQ-ve në arranxhimet e përbashkëta për përballimin e krizave është shumë i rëndësishëm, por shtetet nga ana e tyre mbajnë përgjegjësinë kryesore.

Shtetet, veçanërisht ato më pak të përgatitura për pritjen e refugjatëve, duhet të përfitojnë nga ekspertiza e OKB-së, IOM dhe UNHCR për përballimin e këtyre krizave dhe vetë zyrat e këtyre organizatave në terren duhet të jenë më aktive ndaj strukturave të vendeve pritëse dhe të avancojnë proceset para se përballimi i fluksit të bëhet fakt, në mënyrë që masat përshtatëse të jenë marrë.

Gjithashtu, shtetet, veçanërisht ato pritëse të refugjatëve politikë, duhet të mbështeten me skema të mbrojtjes së refugjatëve politikë në mënyrë të përkohshme, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Ndër mjetet më kryesore ndërkombëtare janë marrëveshjet e ripranimit, veçanërisht për lëvizjet e parregullta.

Integrimi i refugjatëve në vendin e destinacionit mbetet sfidë kryesore si për Qeveritë, ashtu edhe për komunitetet lokale. Nevojat e refugjatëve duhet të trajtohen nga qendra programi humanitar të cilat duhet të jenë të financuara mirë dhe të ofrojnë programe trajnimi dhe edukimi. Problemi aktual mbetet edukimi i fëmijëve të refugjatëve. Në këtë kontekst, qendrat pritëse me ndihmën e organizatave ndërkombëtare, duhet të marrin masat që cikli i edukimit të brezit të ri të mos ndërpritet, në mënyrë që minimizohet dëmi në edukim. Po kështu punësimi afat-shkurtër do të mund të shmangë ekspozimin ndaj fenomeneve si trafikimi, shfrytëzimi nga rrjetet e prostitucionit etj.

Si kriza e refugjatëve ashtu dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit, dëshmojnë ndërvarësinë tonë, çka e bën të domosdoshëm bashkëpunimin e të gjithëve, në mënyrë të koordinuar dhe me politika të mirë përcaktuara.

Ne duhet të punojmë së bashku për zhvillimin e dialogut, për parandalimin e konflikteve, për të shmangur diskriminimin dhe gjuhën së urrejtjes, për të vendosur ura lidhjeje dhe bashkëpunimi, midis kulturave, feve dhe qytetërimeve të ndryshme. Në themel të të gjithë punës sonë duhet të jetë mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit dhe i të drejtës ndërkombëtare.”

Filed Under: Komente Tagged With: Presidenti Nishani bashkrejton, Samitin e OKB-së

Për çfarë do flasi diaspora me kryeministrin? – JEP DHE TI OPINIONIN TEND!

September 20, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida, SHBA/*

Eshtë një pyetje që të vjen në parvaz të mëndjes. Ta mbush vështrimin. Por me lule gjëmbaçësh. Janë një sërë pashpjegueshmërish, që fillojnë nga aludimi prej fëmije, i këtij burri të lumtur. Kampionit të bojkotit. Me atë sinkron muzikor vidjo prej buçkoje që e konsideron gjithçka si hera e parë. Pra si një risi qeveritare. Për të patur prezent aty diasporën.

Janë një sërë hamendësimesh gjëmbaçore…, të cilat duhet të jesh emigrant e t’i ndjesh. Ndryshe është një show i radhës. Nga ato që po e ia zgjasin ndjesinë se ne shqiptarët jemi vërtet të pafat, karshi kombeve të tjerë. Aty me ne janë sllavët përshembull. Erdhën, u forcuan. U diktaturuan. U vranë, u vranë edhe me ne. U ndanë në shtetë më vete. Na përfshinë edhe ne. Që u vetpakicuam me qejf partish. Aq sa kemi plot vetullusha me seli dhe cigare. Që flasin në emrin e kombit. Pra sllavët… Por prapë janë më mirë se ne. Në daç me integritietin institucional, lëvizjen e lirë në botë. Në daç me infrastrukturë e mirëqënie ekonomike.
Ne veç të ankohemi se na dhëmbin brinjët, dimë. Të vrasim njëri-tjetrin përditë.
Janë një sërë e tërë pashpjegueshmërish e hamendësimesh.
Çfarë është diaspora për një vend?
Përse shoqëria na quan emigrantë? Dhe qeveria diasporë?
Përse njerëzia na shikon si frymëzim ekonomik? Dhe qeveria si Banka turistësh? Përse na trefishohen biletat kur vimë në muajt e verës? Dhe përse kemi aeroportin e vetëm. Të vetmin më të shtrenjtin.
Përse njerëzia na konsideron se jemi larg. Dhe nuk dimë gjë, kur kritikojmë qeveriun? Dhe përse qeveriu na buzëqesh hidhët, kur i themi të vërtetën?
Përse bëhemi mollë reklamash kur kapim suksesin? Dhe përse jemi njerëz të paemërt. Kur…? Kur fillojmë të pastrojmë banjot, të lajmë pjatat! Të shërbejmë. Të zëmë e të ngrihemi. Duke jetuar fizikisht këtu-aty-atje. E duke mos hequr mëndjen, dridhmën e zemrës nga vendi amë.
Për çfarë do flasi diaspora? Madje për herë të parë?! Pasi asaj, apo neve na vjen ndoht nga ky koncept. Pikërisht nga këto pak detaje mendësie që solla më sipër. Ndoht’ sepse tek ne ka vdekur mendësia e diçkaje si të për herë të parë. Qysh sapo shkel dheu e huaj. Ti mund të kesh qënë edhe vet emigrant makaronash. Por emigrant qokash, vizash pa teklif. Jo emigrant, përndjekjesh. Emigrant malesh. I mbytur, rraskapitur. Nga ata që shitën çfarë mundën për një vizë. Emigrant llotosh. Apo maunesh. Pjestar i fshesësh. I anijeve të mbytura. Eh sa të tjera.
Kur thua për herë të parë. I lyen me bojë e i bën pis kot, përpjekjet shpirtërore të djemve të atij dheu. Kur sjellin aty deri senatorë nga kusbabaja e botës, Amerika. Siç ishte rasti i fundit, i zotit Bajraktari me senatorin Engel. Nuk janë kontakte të para. Jo… janë të mijraparëmbëdhjeta. Sa e sa e të tjerë punuan për të strehuar, pritur. Ndihmuar në qëndrën e Fort Dixie, në New Jersey, në majin e 1999-ës. Çfarë fletore të hap. E të dëshmojnë se mendësia mbi konceptin si e parë, si i parë…., ka vdekur.
Për çfarë? Për një lloj neverie që ka zënë fill e po bëhet hendek, midis ne zogjve shtegtarë dhe njerëzisë në dheun amë?
Hë…, re…, erdhët ju për të na dhënë mënd? A e di se si më tha, një bujtinar. Diku në një anë rruge. -Ja sa të ikni ju, pastaj të pimë pordhët Edi Ramës.
Për çfarë do flasi diaspora me një qeveritar shqiptar?!
Mund të ndodhi që Kryeministri në një sfond të kuq masiv. Tu flasi me orë të tëra për rilindjen urbane. Ta dish zemrat e tyre do shtrydhen pasi nuk u ka mbetur më gërçkë ku të varin mëndjen.
Dhe ashtu si rëndom tu rrëfejë vendet nga ata vinë. Tu dëshmojë se si fliten gjuhët në vendet ku ata jetojnë e punojnë. Tu demonstrojë punën me orë të zgjatura. Prej ekzemplari bojkotues.
Dhe që tani hiqet sikur u merr shpirtin, atyre që nuk shkojnë në punë. Por që përpikmërisht firmosin diku.
Për çfarë, mund t’i flasësh një emigranti. Apo një diasporisti nga Anglia. Që përcolli Gordon Brown-in nga shef në qytetar. Për shkak të statutit të partisë. Për çfarë një diasporisti nga Franca, që lufton përditë me terrorin. Ndërkohë ti shemb me dru një investitor të huaj. Për çfarë një diasporisti ta zëmë që ka humbur fëmijën nga droga. Kur ti e ke kthyer Shqipërinë në hambar të kanabisit. Në vendin e punëtorëve të tipit brigada të ndëshkuarish me punë të detyruar. Me brigada që flen luginave me çadra plastmasi.
Madje për këtë…, kushdo që disponon mund të postojë foto. Poshtë këtij statuti. Në mënyrë të atillë që, disporistët të kenë materiale reale. Shembuj konkret nga stanet e kanabisit.
Për çfarë parshmërie do i flasësh? Për atë që shqiptarët, me shpenzimet e tyre. Prodhojnë, blejnë abetare. Hapin vullnetarisht shkolla. Japin mësim po vullnetarisht. Si e si për hatër të atdheut.
Çfarë modeli do u sjellësh? Kuvendin? Klasën politike? Marrëdhënien, komunikimin. Respektin institucional….? Apo përvojën opozitarizmit dhe të aleancave me keqardhje se ndryshe nuk fitohet. Nuk vimë dot në pushtet?
Për çfarë?
Për rritjen e borxhit publik.
Diasporistëve, u kanë rënë të ndenjurat në ujë, kryetar. I thonë gjërat troç. E troç jetojnë. Po ju kur u pyet për vilat. Për makinat? Për drogën. Për meritokracinë partiake etj. Bëheni nervoza.
Kur ju thua se, këtej e andej, nga vimë ne diasporistat. Në politikë vjen, dëshmon. Fiton ose nuk fiton platforma jote. Ikën natyrshëm. Dhe shkon në burg po natyrshëm. Ti aty, soji yt në përgjithësi…, të thonë se, më do populli mua.
Për çfarë do flisni, do flasim. Ndaj që në krye është një show me destinacion dështimin e radhës. Jo tuajin lartësi, por të shoqërisë shqiptare.

PS:PS: 3 Vjet te shkuara Edi Rama u beri thirrje mjekeve shqiptare qe ksihin emigruar neper Bote, qe t’i thonin”Po Shqiperise”…I mblodhi, u mbajti fjalim, u fotografua me ta….Cfare ka ndodhe 3 vjet pas atij takimi?.

Lexes: JEP DHE TI OPINIONIN TEND!

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ilir Levonja, me kryeminstrin?, Për çfarë do flasi diaspora

PSE E BRAKTISI KONFERENCEN E BRATISLAVES MINISTRI HYSENI?

September 20, 2016 by dgreca

Kosovë/ De nominim i papranueshëm/

-Ministri Hyseni e lëshon  demostrativisht  konferencën në Bratislavë. Republika e Kosovës do të kthehet në këtë nismë posa të bëhen korrigjimet e nevojshme në pajtim me marrëveshjen e Brukselit/

PRISHTINË, 20 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skender Hyseni i cili me ftesë të Robert Kalinak, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme të Republikës Sllovake, aktualisht Kryesues i Këshillit të Bashkimit Evropian, kishte udhëtuar për në Bratislavë, për të marrë pjesë në Konferencën e tretë Ministrore të Procesit të Pragës, ka lëshuar tubimin në shenjë proteste me de nominimin që i është vendosur Kosovës (Kosovo/UNSCR 1244/1999).Ky de nominim është i papranueshëm ka theksuar ministri Hyseni, duke shtuar se nëse i bëhet çfarëdo reference Rezolutës 1244 , duhet t’i bëhet referencë e qartë edhe mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Pavarësinë e Kosovës, në pajtim me marrëveshjen e arritur në Bruksel, pra në pajtim me fusnotën e cila është aplikuar edhe në MSA të nënshkruar midis Kosovës dhe BE-së.

Ministri Hyseni po ashtu theksoi se vetëm muaj më parë, ai kishte nënshkruar me FRONTEX-in marrëveshje bashkëpunimi me atë de nominim që ishte dakorduar edhe Brukseli, ku i bëhet referencë e qartë edhe mendimit të GJND-se.  Kjo konferencë si dhe vet Procesi i Pragës si i tillë synon të forcoj edhe me shumë partneritetin midis vendeve pjesëmarrëse në fushën e migrimit të paligjshëm. Ministri Hyseni ka theksuar në fund se Republika e Kosovës do të kthehet në këtë nismë posa të bëhen korrigjimet e nevojshme në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për përfaqësimin e Kosovës.

Filed Under: Komente Tagged With: braktisi, Konferencen e Bratislaves, Skender hyseni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2482
  • 2483
  • 2484
  • 2485
  • 2486
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT