• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diaspora: Një histori krijimtarie letrare me vlera në Austri

September 20, 2016 by dgreca

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” përgatit antologjinë e dytë “Iliricum 2” në shqip e gjermanisht./Ne Foto: Anton Marku, Hazir Mehmeti, DanKosumi, AmirJanuzaj, Besim Xhelili, RagipDragusha (dhjetor 2011, Vjenë)

Nga  Hazir Mehmeti, Vjenë/

Studentet shqiptarë të fillimshekullit të 20-të në Austri me veprimtarinë e tyre shkencore, letrare, artistike e mbi të gjitha kombëtare lanë gjurmë në bërjen e kombit dhe shtetit shqiptarë. Ata formuan shoqata, themeluan revista e gazeta, botuan tekste e kalendar kohe duke u bërë të pavdekshëm në historinë kombëtare. Dhe jo rastësisht këtu, kur dihet se   Vjena  ishte njëra nga  qendrat e kulturës evropiane, vend i veprimtarisë së shumë figurave nga historia e kultura shqiptare, mes të cilëve shkëlqen  nisma në studimet e albanologjisë nga albanologët gjerman meNorberJockline madh i pasuar nga nxënësit e tij, studiues të njohur si Eqrem Çabej. Ata trasuan  rrugën e studimeve dhe krijimtarisë letrare pikërisht këtu.  Rrethana e reja të kohës bënë që veprimtaria letrare e artistike të jetë pjesë e kohës deri në ditët e sotme.
Madhështitë nuk krijohet vetëm, por në grupe, ato përzgjedhin ngjashmëritë dhe nxisin energji kolektive e cila na duhet në shërbim të njerëzores e kombit. “Ne shqiptarët jemi popull i befasive të këndshme”-tha bacë Adem Demaqi. Kështu dhe në Vjenë. Secili krijues një copëz historie, një copëz dhembje. Atdheu ishte gjithkund i plagosur dhe njëra nga plagët shekullore ishte mërgimi.
Se njeriu ynë do kujtohet pareshtur, dhe jo vetëm kjo, por ai do jetë frymëzim i brezave në gjurmët e tij në shoqërinë e re. Dhe pikërisht kjo do argumentohet nga nisma që do vjen prej poetit Anton Marku i cili deri atëherë kishte botuardisa përmbledhje me poezi, i prezantuar në Antologjinë e krijuesve kombesh të ndryshme në Austri. Ai ishte këmbëngulës në qëllimin e tij të pastër e më rëndësi. Në vazhdim rrodhen kontaktet e para deri tek takimi i grupit themelues në të cilin uleshin për herë të parë së bashku me  detyrë koheAnton Marku,Hazir Mehmeti, Besim Xhelili dhe AmirJanuzaj. Kjo ngjarje vjen pas disa dekadave pauze të aktiviteteve letrare e artistike në nivel shoqate përkatëse në Vjenë.Takimet e radhës zgjeruan rrethin e kontakteve me krijuesit tjerë  Zaim Toska, RagipDragusha, DanKosumi, EdonaRamadanifrutë i të cilave do jetë themelimi e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Aleksandër Moisiu” në Austri. Me pëlqimin e të gjithëve kryetar zgjidhët Besim Xhelili, poet i cili kishte botuar përmbledhje poetike në vendlindje. Vendimi i godituri grupit u dëshmua me punën madhore të Besimit në vazhdimësi. Pas pak javësh aktiviteti Shoqata regjistrohet pranë organeve austriake me 2 dhjetor 2011, kurse tubim promovimi u mbajt para publikut më 14 janar 2012 në të cilin mori pjesë, krijues, student, diplomat, mysafir nga disa shoqata nga disa qytete. Me këtë rast  Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Austri Dr.SabriKiqmari i cili në fjalën e tij tha:  “Hegeli mbron mendimin se populli që nuk gjënë njohje, i duhet të prodhoj njohjen, përmes bërjes së historisë. Një mendim i tillë gjenial ju përshtatët shumë zhvillimeve në kombin tonë. Detyrë e shkrimtarëve dhe artistëve është jo vetëm pasqyrimi i së kaluarës së ndritshme të kombit tonë, por edhe orientimi i tij drejt së ardhmes”.

Salla e mbushur në Institutin eAfroaziatik në Vjenë do hynë në historinë e re të kontakteve me krijues nga shumë vende e kombe që fillon nga aty. Ata që e nënvlerësojnë shkrimin e historisë le të mësojnë e respektojnë të sotmen dhe për nesër. Dhe një herë do përtëritet emri Aleksandër Moisiu me rikujtim të madhështisë së Lekës së Madh, respektivisht Aleksandrit të Madh të antikës.Derisa në fillim Shoqata kishte vetëm 9 anëtar në vitin 2013 ajo kishte 27 anëtarë. Në vazhdim të aktiviteteve krijuesit e shoqatës organizuan dhe u prezantuan nëpër orë të ndryshme letrare në Austri, Gjermani, Hungari, në vendlindje etj. Si fryt i një bashkëpunimi të mirë dolën nga botimi, në gjuhën shqipe dhe në gjermanisht, antologjia e parë e titulluar „Illyricum I“ i përcjellë me dhjetëra tituj krijimesh personale të  28 autorëve:  Besim Xhelili, Anton Marku, Hazir Mehmeti, AmirJanuzaj, EdonaRamadani, RagipDragusha, DanKosumi, Gazmend Freitag, ZefNdrecaj, Teuta Rexhepi, Driton Murati, Majlinda Zenelaj, Vehbi Haliti, Isa Kosumi, Haxhi Morina, Bajram Krasniqi, Mërgim Osmani, Xhenc Bezhi, DestanGashi, RamizSelimi, Haxhi Muhaxheri, Driton Smakaj, HalitRamadani, Zaim Toska, IzriRexha, Prekë Brahimi, MairIstrefi,

Dr.ViliMinarolli, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, rreth Shoqatës mes tjerash shkruan: „Të krijosh art është dhunti. Por, të krijosh art kombëtar , kur je me vite me radhë larg atdheut është dashuri për vendlindjen dhe popullin tënd. Kjo është një ndjenjë e përbashkët që ju bashkon të gjithëve juve krijuesve shqiptarë në Austri dhe që na e prezanton si një krijesë të gjallë me revistën tuaj të sapo lindur “Iliricum I”.

Në mbledhjen e 1 korrikut 2013 kryesia vendosi të  ndryshon  emrin në Lidhje të Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri (LSHKSHA).Gjatë gjithë jetës së saj LSHKSHA ka shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha Shoqatat, Subjektet, Klubet, Lidhjet dhe grupimet e ngjashme, qoftë shqiptare apo të huaja që veprojnë në Austri po dhe jashtë saj. Deri më tash ka të nënshkruar Memorandume bashkëpunimi me Shoqërinë e Akademikëve Shqiptarë në Gjermani “Dija”, me “Lëvizjen e Gruas Shqiptare”, Linz, me Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, Shoqatën Integruese dhe Kulturore „Stublla“, Graz, Shoqatën Shqiptaro – Austriake „Skënderbeu“, Kapfenberg, Shoqatën Shqiptare „Dy Korriku“, WienerNeustadt. Vazhdimisht të gjithë të interesuarit si krijues, autorë, shkrimtarë, artistë e krijues tjerë i kanë dyert e Shoqatës të hapura dhe janë të mirëseardhur.Në Kuvendin e rregullt zgjedhor u bënë disa ndryshime në marrjen e detyrave ku kryetar zgjidhet poeti Anton Maku, dhe kryesia e Lidhjes.

Disa aktivitete me rëndësi
Botimi i “Iliricum I” në gjermanisht i përkthyer nga  Dr. KurtGostentschnigg dhe promovimi në qendrën e P.E.N –Club në Vjenë nën përkrahjen e kryetarit të saj HelmuthHelmuth A. Niederle .i cili Illiricuminnë gjermanisht, e quan “gur themeltar në marrëdhëniet me krijuesit shqiptarë në Austri”. Organizimi i orës letrare në bashkëpunim në Austri  me shkrimtarin e njohur ArifDemolli, i iniciuar nga KulturKontaktAustri dhe i financuar nga bashkëvendësi ynë, biznesmeniAkiNuredini, Promovimin e revistës “Pelegrin“ në Vjenë. Takim me Adem Demaçin në Vjenë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, e  ku mori pjesë dhe Kryetarja e shkrimtarëve të Austrisë Sidonia Gal. Me vlera ishte bashkëpunimi me shkrimtarin e njohur austriak PeterPaulWiplinger, dhe mbajtja e leximeve letrare të përbashkëta me lexime në të dy gjuhët. Nga lidhjet me shkrimtarë miq austriak, krijuan kushte për afirmimin e krijimeve letrare nga radhët e anëtarëve të Lidhjes me ç ‘rast pranohen anëtarë të P.E.N. Club të Austrisë poetët Anton Marku e Besim Xhelili, kurse jo larg pritet pranimi i tjerëve.
Lexime në dy gjuhët në bashkëpunim me Shoqatën Literaturhaus në Salzburgme autorë: Xhenc Bezhi, ZefNdrecaj, Teuta Rexhepi, Anton Marku, Besim Xhelili, EdonaRamadani, RagipDragusha und DanKosum ora letrare mbjtur në Shoqërinë Austriake për Letërsi, orë letrare në Grac e organizuar së bashku me  Shoqata Integruese  Humanitare e Kulturore “Stublla”, pjesëmarrja në themelimin e  „Lidhja e Krijuesve dhe ShkrimtarëveShqiptarë në Mërgatë në qytetin e Koblenzit në Gjermani.
Ora letrare në Linc e organizuar në bashkëpunim me “Lëvizjen e Gruas Shqiptare” në Linz,Ekspozita me piktura, vepra të Gazmend Freitag dhe ora letrare nëOsteriaAllora ku drejtuesi i saj z.FranzPfeffer do shprehet: “Hera e parë zëri i shqiptarëve në  Galerie Studio 38 të Vjenës. Pastaj ora letrare në Budapest e organizuar nga aktivist e  veprimtarë shqiptar dhe e përkrahur nga Katedra e Albanologjisë, organizim i drejtuar nga shkrimtari Driton Smakaj.  Ministri për Diasporë z.IbrahimMakolli në fjalën e tij porosit:“ Bashkë do të arrijmë që ajo që sot na duket e pamundur ta bëjmë të mundur“. Në këtë orë letrare morën pjesë zj.Mira Hoxha, ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Hungari dhe Sami Ukelli, Ambasador i Kosovës në Hungari.Orë letrare në qytetin e Baden-it në bashkëpunim me shoqatën kulturore “17 shkurti’’; Orë letrare nëKnittelfeld në bashkëpunim me shoqatën kulturore “Dardania’’Pritje në Ambasadën e Shqipërisë nga Ambasadori RolandBimo i Besim Xhelilit, RagipDragushës dhe Ajet Shirës.Ora letrare në ,,InterkulturelesZentrum’’ në Vjenë -Promovimi i librit në gjuhën gjermane të anëtarit tonë ZefNdrecajt në Schlladmingsi dhe i veprave të autorëve Hazir Mehmeti dhe Besim Xhelili në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Austri; Organizimi i konkursit të parë letrarë për autorë shqiptarë në Austri;Ora letrare në Bashkinë e 9-të  Vjenë gjatë ,,Javës së Integrimit’’; Ora letrare e organizuar nga shoqata turke ,,Dialog’’ nga Vjena dhe ajo e mbajtur në “LulishTheater” në Vjenë; Pjesëmarrja në Samitin e Parë të Diasporës në Tiranë etj. Do veçoja promovimin e romanit  “217”  të shkrimtarit Driton Smakaj i cili jeton e vepron në Hungari, Majlinda NanaRama promovim romanit “Perandori”. Ishte me vlerë takimi me studiuesin e veprës së AleksandërMoisiutIsak Guta nga Gjermania. Hapje horizontesh afirmative ishte d bashkëpunimi  me P.E.N Clubin në Austri respektivisht kryetarin e saj shkrimtarin e njohur Helmuth A. Niederle, Takimet me kryetaren e P.E.N  -Klubit në Shqipëri zj.EntelaKasi, shkrimtare. Leximet në disa gjuhë në bashkëpunim me shkrimtarë në gjuhën turke por kombesh të ndryshme:Mehmeti Meti Zekin, HuseyinSimsek; nga Kenia shkrimtarja e njohur disidente PhiloIkonya, nga Polonia MarzannaDanek,
Vargu i aktiviteteve letrare është i gjatë, një plotësim me vlerë në kalendarin historik të shqiptarëve në Austri.  LSHKSH ia ka arritur të ofroj vlera bashkëpunimi me krijues  kombesh të ndryshme që jetojnë në Austri.  Veçan me vlera të mëdha është ngritja e urave të bashkëpunimit me krijuesit austriak që shkojnë dhe përtej rrethit letrar e artistik, kur dihet mbështetja e madhe që kombi shqiptar pati gjatë historisë së tij të vështirë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Hazir Mehmeti, në Austri, Një histori krijimtarie letrare

Kosovë-Dekorohet komandanti i parë i KFOR, Gjenerali Jackson

September 20, 2016 by dgreca

  • PRESIDENTI THAÇI DEKOROI GJENERALIN SIR MICHAEL DAVID JACKSON ME MEDALJEN USHTARAKE PËR SHËRBIM NË KOSOVË/

-Gjenerali Sir Michael David Jackson sot në Prishtinë: Tani po shoh ndryshime të jashtëzakonshme në Kosovë, në krahasim me vitin 1999/-Hyrjes së KFOR në Kosovë i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës  e nënshkrua në 9 qershor 1999 ndërmjet autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra nga gjenerali  Jackson, dhe zyrtarëve serbë. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat nga Kosova/

thaci-jackson

jackson-veseli

jackson-fsk

nato-hyrja-ne-kosove

nato-kosove-12qershor1999-hapat-e-pare-Në Kosovë para 17 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë. Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

nato-behlul-jashari-kosove

Ne Foto:Kartela e gazetarit Behlul Jashari dhënë nga NATO-KFOR për të hyrë në Kosovë në 12 qershor 1999 me kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare, paqeruajtëse-shpëtimtare/

PRISHTINË, 20 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Gjenerali Sir Michael David Jackson për kontributin e dhënë në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, do ta dekorohet sot pasdite me Medalje Ushtarake nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në një pritje në Prishtinë.

Më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli priti paradite në takim gjeneralin britanik Jackson, komandant i parë i KFOR-it, nga viti 1999 i lirisë së Kosovës, i hyrjes së forcës paqeruajtëse të NATO-s.

Hyrjes i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës  e nënshkrua në 9 qershor 1999 ndërmjet autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra nga gjenerali  Jackson, dhe zyrtarëve serbë. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Aktualisht Gjeneral Majori italian Giovanni Fungo është komandanti XXI i KFOR-it, i cili ka marrë detyrën në 1 shtator 2016.

VESELI: JACKSON, GJENERALI I LIRISË SË KOSOVËS

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim gjeneralin Mike Jackson, komandant i parë i KFOR-it në Kosovë.Në këtë takim miqësor, kryetari Veseli dhe gjenerali Jackson diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë, situatën e sigurisë dhe proceset të cilat e presin vendin tonë në të ardhmen.Kryetari Veseli shprehu kënaqësinë e tij që pret në takim një personalitet si gjenerali Mike Jackson. Duke e quajtur ish-ushtarakun e lartë të NATO-s gjenerali i lirisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit tha se Jackson ka barë një punë të jashtëzakonshme dhe Kosova i është mirënjohëse.

“Sot, 17 vite më pas, ne kemi shtetin tonë, me një demokraci funksionale. Kosova shumë shpejt do ta ketë ushtrinë e vet, proces ky i cili do të ndodhë në bashkëpunim me partnerët tanë perëndimorë, SHBA-në dhe NATO-n në përgjithësi. Synim yni është që shumë shpejt të lëvizim drejt anëtarësimit në NATO, ashtu siç është synim i yni edhe integrimi në Bashkimin Evropian”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Ish-komandanti i KFOR-it, Mike Jackson, nga ana e tij, u shpreh i nderuar që ndodhet prapë në Kosovë, duke u pritur, gjithashtu, në takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të saj. Ai tha se tani po sheh ndryshime të jashtëzakonshme në Kosovë, në krahasim me vitin 1999.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, shtoi gjenerali britanik, dhe është njohur nga shumë vende të botës. Ai foli po ashtu edhe për përparime të mëdha në infrastrukturë dhe në segmente të tjera zhvillimore, duke përfshirë edhe krijimin e ushtrisë së Kosovës.

KOMANDANTI I FSK-SË GJENERALLEJTËNANT RRAHMAN RAMA PRITI NË TAKIM GJENERALIN MICHAEL JACKSON

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot në takim gjeneralin anglez në pension Michael Jackson. Pas luftës gjenerali Jeckson ka qenë drejtpërdrejt i angazhuar në transformimin e UÇK-së në Trupat  Mbrojtëse të Kosovës (TMK), e po  ashtu ka qenë edhe Komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, atëherë, kur janë vendosur bazat e bashkëpunimit mes KFOR-it dhe TMK-së.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama, me këtë rast, e falënderoi gjeneralin Jackson për gjithë atë që ka bërë për Kosovën, dhe përmes tij edhe Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po japin në ngritjen dhe profesionalizimin e FSK-së. Komandanti i FSK-së, e njoftoi gjeneralin Jackson edhe me të gjitha zhvillimet e deritashme në FSK, si shkollimet, trajnimet, bashkëpunimin rajonal, pjesëmarrjen në trajnime rajonale dhe përgatitjet e përgjithshme rreth transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.Nga ana e tij, ish-komandanti i parë i NATO-s në Kosovë, gjenerali Jackson, e falënderoi komandantin e FSK-së për pritjen, si dhe shprehu admirimin e tij për zhvillimin dhe të arriturat e përgjithshme të FSK-së, sipas standardeve të shteteve anëtare të NATO-s. Në pritje të gjeneralit Jackson ishin edhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar,  Lirim Greiçevci, këshilltari i komandantit të FSK-së, kolonel Andy Lyton dhe majori Berat Shala.

***

Në Kosovë para 17 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë. Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare – agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) e në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën…

SHKRIM I 12 QERSHORIT 2016:

KOSOVA, 17 VJET LIRI E PAQE

-Para 17 viteve, Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja, NATO nisi të hynte në mëngjesin e hershëm të 12 qershorit 1999 në ora 05 e 17 minuta/

Shkruan: Behlul JASHARI, korrespondenti në Prishtinë sot plot një vit nga 12 qershori 2015 i Gazetës DIELLI, i cili ka raportuar nga kolona e tankeve të para të NATO-s, që hynin në Kosovë/

PRISHTINË, 12 Qershor 2016/ Në Kosovë para 17 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë.

Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare – agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) e në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën.
Ishte ora kur liria po vinte e po iknin forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, dhe që po linin pas luftën me një bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Drejt Kosovës, qyteteve, fshatrave e shtëpive të tyre të shkretëruara e të djegura ishin nisur më këmbë refugjatët e kampit afër kufirit në Bllacë, Maqedoni. Ata njerëz, që dukeshin më të gëzuarit e gjithë botës, në qytezën kufitare kosovare Hani i Elezit binin në gjunjë, puthinin tokën e atdheut të tyre dhe tanket e misionit humanitar e shpëtimtar  të NATO-s, të cilat po u hapnin rrugën për kthimin e madh dhe lirinë e përjetshme. “Është më shumë se ëndërr, është më shumë se gëzim”, shpreheshin në atë mëngjes të dëbuarit që po ktheheheshin në shtëpitë e tokën e tyre.

Forcat serbe kishin ikur nga kufiri dhe po largoheshin nga Kosova, por kishin lënë prapa zonat e minuara, dhe dukej se për këtë zgjatnin me orë kontrollet te Ura e Kashanit mbi lumin Lepenc e te tuneli i afërt në Grykën Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvillonin operacionin për mënjanimin e rreziqeve nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin mbi të të helikopterëve, fillimisht më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githnjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Në Grykën e Kaçanikut, forcat kriminale të Milosheviçit kishin lënë prapa edhe grafite në faqe shkëmbinjësh: “Kosova zemra e Serbisë” e “Serbia deri në Durrës”, e që shkonin edhe shumë larg, “Serbia deri në Tokio”,  “ Serbia deri në Sidnei”…Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës kosovare Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

“Të akredituar deri natën e 11/12 qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën tradicionale të Kosovës, Rilindja.

Përtej këtyre grafiteve të përçudshme, si një përgjigje dhe ralitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi. Nga Kaçaniku, nëpër Fushën e Pajtimit, në orët e pasditës, kolona e NATO-s mbërriti në qytetin e Ferizajt, mbi të cilin nga larg shiheshin re tymi.

“Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin para se të ikin. Ende nuk kanë ikur të gjitha”, tregonin shqiptarët e mbetur atje.

Ata kishin dalë për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet: “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO – Kosova e Lirë”. Kishin dalë në mikprijen e madhe, me falënderimin e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Fëmijëve anëve të rrugës që përshëndesnin me valëvitje duarsh e plot gëzim ushtarakë të NATO-s u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Një vajzë, nxënëse e shkëlqyer e fillores, po shtrëngonte bombonin në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”.  Ishin ata fëmijtë që kishin përjetuar tmerret, e me muaj të tërë as s’kishtin parë ëmbëlsira e ishin përballur edhe me urinë në mungesë të bukës. Tregonin se kishin jetuar me shumë frikë të fshehur nëpër bodrume…

Ndërkohë që kolona kishte marshuar edhe më tej, pas ndonjë ore edhe fushat rreth qytetit të Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arritën deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet dukej mbeti për të nesërmen…

“Po shkojmë në Prishtinë, të shohim si duket në natën e fundit të okupimit”, thanë disa nga gazetarët nga anë të ndryshme të botës, të cilëve iu bashkova, edhepse e dija se të shkohet para se ta marrë kontrollin NATO rreziku ishte shumë i madh, kishte shumë rreziqe nga të cilat mëzi isha larguar…

Vetëm para pak më shumë se një muaji, në 6 maj 1999, i larguar nga kryeqyteti, duke raportuar nga kufiri jugor i Kosovës, kisha dhënë lajmin në ATSH “Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”.

Me atë titull kisha raportuar: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që mund të bombardohen nga NATO-ja…Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me radhë pranë postes së re të Prishtinës, në lagjen Dardania, thonë dëshmitarë okularë që kaluan kufirin Kosovë-Maqedoni. Shumica e të ardhurve janë femijë dhe gra, ndërsa burrat janë marrë nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojnë për më se 200 te rinj e burra shqiptarë që i kanë ndarë nga familjet dhe i kanë marrë në rrugën midis Obiliqit dhe Prishtinës. Të deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojnë per ekzekutimin e 13 shqiptarëve. Mijërat e të dëbuarve gjatë 24 orëve të fundit janë kryesisht nga rajonet e Llapit, Prishtinës, fshatrat e Ferizajt dhe të Lipjanit”.

Kishim mbërritur në kryeqytet, Prishtinë, para mbrëmjes së 12 qershorit, duke kujtuar edhe largimin pasi në mbrëmjen e 24 marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  për ATSH-në e Radio Tiranën për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Në atë mbrëmje të 12 qershorit të para 17 viteve, në Prishtinë shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar, në të gjitha anët kishte breshëri armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur. Paramilitarët e Arkanit i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotelin në qendër apo të sapohyrë, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po iknim me shpejtësi, me automjetin që udhëtonim…

Kisha dhënë edhe lajmin e parë të rikthimit në Prishtinë… Po ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 majit nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve të ATSH-së” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”…

Në të gjitha anët në Prishtinë breshëritë e armëve vazhdonin edhe gjatë mbrëmjes së ditës kur nisi lira, edhe gjatë gjithë natës që po e kalonim në një banesë të shqiptarëve të dëbuar. Nata e fundit e forcave serbe në kryeqytetin e Kosovës ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte disa shqiptarë të vrarë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje…Kishte edhe plumba qorr që binin, të shkrepur nga shumë armë serbe.

Gazetari i njohur edhe për raportimet nga Maqedonia e Lugina e Preshevës në kohë lufte të shqiptarëve për të drejtat e tyre, Bedri Sadiku, që ishte në një automjet tjetër reporterësh nga gjithë bota, ja si e përshkruan hyrjen e tij në Prishtinë dhe kryeqytetin e Kosovës në pasditën e 12 qershorit 1999, në një shkrim në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja:

“Në Prishtinë hymë gati gabimisht, dhe pastaj edhe me qëllim. Ky rrugëtim duhej të shkonte sipas porosive të NATO-s.  Konvojet e NATO-s shkuan në drejtim të Shtimes dhe Lipjanit,  kurse ne me makinën tonë shkuam drejt për në Prishtinë dhe  në Lapnasellë e Çagllavicë hasëm menjëherë në forcat policore,  ushtarake dhe paramilitare serbe…

Në afërsi të Hotel Grandit dhe para tij kishin mbërritur ekipe të gazetarëve të huaj nga Beogradi.  Me këtë rast për pak u shkaktua edhe një incident me disa gazetarë, për shkak të emblemës së Press Qendrës së NATO-s dhe shenjës së NATO-s…

Në ora 16 pa 5 minuta helikopterët e parë të NATO-s fluturuan mbi Prishtinë-paralajmëronin çlirimin e kryeqytetit të Kosovës

Pasi bëmë disa fotografi rrugëve të Prishtinës,  diku rreth orës 16 pa 5 minuta u nisëm në drejtim të Shkupit…Me t’u nisur drejt Veternikut,  dy helikopterë të NATO-s dolën mbi qiellin e Prishtinës dhe bënë disa xhiro mbi Dardani e Dragodan dhe në pjesën qëndrore të qytetit, që paralajmëronin ardhjen e forcave të NATO-s edhe në Prishtinë dhe fillimin e çlirimit nga thundra kolonialiste serbe edhe të kryeqytetit të Kosovës. Një pjesë e këtyre forcave,  që drejtoheshin nga britanikët, i ishin afruar edhe Lagjes së Spitalit, ndërsa grupe ushtarësh ishin vendosur nga gjysma e Veternikut përpjetë, si pararojë e forcave të NATO-s e të KFOR-it,  që pritej të hynin natën dhe në mëngjes në Prishtinë dhe që tashmë kishin mbërritur deri te Llugaxhia. Prishtina do ta kalonte vetëm edhe një natë nën thundrën pushtuese serbe,   në pritje të agimit të parë në liri…

Në  ditën e 13 qershorit 1999, në mëngjes, qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolna e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste rrugës nëpër një kodrinë nga ana jugore dhe mbushte sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të Kosovës.

Nga këto pamje, në ATSH dhe RTSH në Tiranë shkonte lajmi: “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat e Milosheviçit të largohen…”

Erë shkrumbi e shtëpive e objekteve tjera të djegura ndihej në Prishtinë. Forcat serbe i kishin vënë flakën edhe selisë së Zyrës së SHBA – përfaqësisë së  parë të një shteti nga 6 qershori 1996 që shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta, si dhe selisë së Presidencës dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht.

Dyqanet dhe klubet ishin të mbyllura dhe të plaçkitura…

Në 13 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina në ATSH: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar në ATSH: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.

Dhe, vazhdoja raportimin në ATSH: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12- katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.
Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Kështu ishte 17 vite më parë…

Dhe, 17 vjet pas 12 qershorit historik 1999,  Kosova feston Ditën e Lirisë – Ditën e Paqes, kur NATO nisi marshin shpëtimtar me forcat tokësore, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe, që kishte nisur në 24 mars, kur goditjet e para që i raportova nga Prishtina ndodhën rreth orës 20:00. Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 qershor e  hyri në fuqi në 11 qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë 5000 trupa nga 31 vende.

Në 17 vjetorin e lirisë,  Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008 është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së, e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale dhe drejt të gjitha njohjeve.

Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

***

PRESIDENTI THAÇI DEKOROI GJENERALIN SIR MICHAEL DAVID JACKSON ME MEDALJEN USHTARAKE PËR SHËRBIM NË KOSOVË

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite ka pritur në takim komandantin e parë të KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Sir Michael David Jackson, të cilin e ka dekoruar me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.Gjeneralit Sir Jackson kjo medalje i është ndarë për kontributin e tij në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë gjatë mandatit të tij si komandant i KFOR-it në Kosovë.“Roli i gjeneralit Sir Jackson ka qenë i pazëvendësueshëm, i jashtëzakonshëm, historik për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon”, tha presidenti Thaçi.

“Kemi punuar në kohë sfidash bashkërisht, në procesin e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre, në tranzicionin demokratik që e kemi kaluar, në përkushtimet e përbashkëta në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, vijoi  presidenti i Kosovës.

Nga ana tjetër, gjenerali Sir Michael David Jackson, është shprehur mirënjohës për dekoratën dhe mikpritjen që i është bërë në Kosovë.

“U ktheva në Kosovë shtatëmbëdhjetë vite që kur kisha ardhur këtu për herë të parë, kur, më duhet të them, kisha ardhur pa pasaportë. Është e mrekullueshme për të parë se sa shumë progres keni arritur që nga ajo kohë”, tha gjenerali Sir Michael David Jackson.Gjithashtu, gjenerali Sir Jackson ka kujtuar edhe ditët e rënda të pasluftës së vitit 1999.“Edhe pse ato ditë të rënda shënuan fillimin e këtij progresi, atëbotë kishte një atmosferë dhe gjendje shumë të rëndë, kurse sot gjërat kanë ndryshuar shumë”, tha komandanti i KFOR-it i përfundimit të luftës në Kosovë. Presidenti Thaçi u shpreh se, populli i Kosovës dhe mbarë bota e dinë se gjenerali Jackson është një nga njerëzit që ka jetësuar Marrëveshjen e Kumanovës për futjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, dekorohet ne Kosove, Gjenerali Jackson

Wesley Clark, tri vjet pret licencë për operim në Kosovë

September 20, 2016 by dgreca

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, një javë më parë, i kanë kërkuar Ministrit të Financave Avdullah Hoti, që në komision të sjell sqarime rreth një kompanie kanadeze e cila ka tri vite që ka aplikuar për marrjen e licencës për hulumtimin e mineraleve energjetike në Kosovë.Kompania “Envidity Energy Kosova” e cila udhëhiqet nga gjenerali tashmë në pension Weslye Clark, i cili kishte udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s, mbi objektivat serbenë vitin 1999, ka shprehur interesim për gazifikimin nëntokësor të qymyreve të Kosovës dhe prodhimit të gazit sintetik, diellit dhe kerozinës.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një mbledhje të Komisionit, u ka kërkuar anëtarëve të Komisionit që te merret një vendim në favor të këtij projekti, me të cilin sipas tij, konstatohet interesi publik nga lëshimi i kësaj licence.

Në një përgjigje për mes postës elektronike, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se “herën e parë Komisioni e ka shqyrtuar këtë propozim dhe është vendosur që të trajtohet edhe njëherë së bashku me komentet e pranuara nga anëtarët tjerë të Komisionit” .

Më tutje, ministri ka shkruar se “Ministria e Financave, me ketë rast ka kërkuar vlerësimin e këtij projekt propozimi nga aspekti ligjor, teknik dhe financiar” thotë Hoti.

Edhe pse anëtarët e Komisionit, janë shprehur në favor të investimeve të jashtme, ata kanë kërkuar që projektet e propozuara të jenë më të definuara më saktësisht.

Blerim Grainca, anëtar i këtij Komisioni, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë ministri duhet të sjell prova të reja, që lidhet më performancën e kompanisë, sigurinë financiare, dhe hapësirën e shfrytëzimit gjatë hulumtimeve, në mënyrë, siç thotë ai, një vendim i tillë të jetë në përputhshmëri më ligjet të zbatueshme në Kosovë.

“Edhe pse Ligji mundëson përjashtime të caktuara, deputet e kanë të drejtën të kërkojnë shpjegime sepse po flasim për një kompani që kërkon hulumtim në 30 për qind të territorit të Kosovës. Prandaj, çdo kërkesë e deputetëve lidhur më këtë çështje është e arsyeshme dhe konform të drejtave dhe autorizimeve që kanë deputetët.”

Për këtë projekt , por për një sipërfaqe shumë më të vogël të shfrytëzimit të nëntokës, thuhet se ka aplikuar edhe kompania e çimentos “Sharr Cem”.

Edhe zyrtarë të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, (KPMM) i thanë Radios Evropa e Lirë, se në vitin 2013 Kompania “ENVIDITY” ka aplikuar në këtë Komision për tre licenca, sipërfaqja totale e të tri kërkesave ka mbi 3 mijë e 400 kilometra.

Por, Azem Rexhaj, anëtar i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar përmbajtjen e ligjit.

“Ligji për Miniera dhe Minerale e ka rregulluar qe licencat për minerale energjetike fillimisht duhet te miratohen nga Qeveria dhe Kuvendi. Ndërsa, pas miratimit në Kuvend,kompania aplikon për licence ne KPMM. Pasi qe kompania të ketë plotësuar kriteret e parapara më Ligjin për Miniera dhe Minerale atëherë KPMM bënë miratimin e licencës”, ka thënë Rexhaj.

Për t’i dhënë mundësi investimeve të kësaj kompanie në Kosovë, në muajin gusht qeveria e Kosovës, kishte miratuar vendimin më të cilin aprovohet kërkesa e Komitetit për Partneritet Publiko – Privat për konfirmimin e interesit publik nga lëshimi i licencës për projektin e kompanisë ”Envidity”.

Kurse në vitin 2013, është ndryshuar edhe një nen i Ligjit për Miniera dhe Minerale me të cilin thuhet, veç tjerash, “nëse, për shkaqe që ndërlidhen drejtpërdrejtë me nevojën për të siguruar sigurinë e furnizimit energjetik në Kosovë, Qeveria nxjerr vendim me të cilin konstaton se ka interes të rëndësishëm publik në lëshimin e kësaj Licencë për një shoqëri të caktuar tregtare e cila operon me kapacitete të rëndësishme të prodhimit energjetik në Kosovë”.

Ndryshe, projekti i kompanisë inkurajon futjen në përdorim të teknologjive të përparuara dhe është në pajtim me standardin mjedisor. Investimet në fazën e parë thuhet se do të jenë 15 milionë dollarë, kurse deri në fazën e tretë investimet do të arrijnë deri në pesë miliardë euro.

Sipas propozimit të kompanisë, fillimisht thuhet se do të krijojë 100 vende pune kurse më pas numri i të punësuarave do të arrijë në 300. Por, sipas prezantimit të kësaj kompanie në vitin 2015, në fazën e parë kompania synon të prodhojë 1200 barel derivate në ditë, kurse në fazën e dytë 20 mijë barel derivate për ditë.

Ekspertë për këtë çështje, vazhdimisht kanë ngritur nevojën e hulumtimeve shtesë gjeologjike në basenet ekzistuese të linjitit.

Basenet më të rëndësishme qymyrmbajtëse janë: Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe i Drenicës.

Edhe në Strategjinë minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2010- 2025, thuhet se Kosova ka një potencial të konsiderueshëm të mineraleve të dobishme me vendburime të nivelit Evropian, me rezerva të mëdha të qymyrit (linjitit) dhe të plumbit, zinkut dhe argjendit.

Qymyri është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike.Resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për t’u shfrytëzuar. (Kortezi: Nadie Ahmeti, REL- Foto ilustrim-arkiv)

 

Filed Under: Politike Tagged With: Kosove, pret licence, Tri vjet, Wesley Clark

ZOTI PRESIDENT NUK KENI TE DREJTE TE PARAGJYKONI PROTESTEN E STUDENTEVE

September 20, 2016 by dgreca

Nga Luz Tomaj, SHBA/*Studentët e UP-s,  protestuan me kërkesë që, prona e universitetit të lirohet nga objekti i ndërtuar në kohen e okupimit, i cili pretendon me qenë kishë sllavoorthodokse.Pa as nji as dy, Presidenti i vendit protesten e quajti të papranueshme, madje edhe të turpshme. Të kuptohemi, protestimi është forma e fundit e individit, grupit ose mases, për realizimin e një të drejte ose pengimin te donjë të padrejtësie. Ndonëse jo çdo herë, protestat dalin në shesh, si pasojë e neglizhencës, lëshimeve ose mosfunksionimit të plotë të pushtetit.

Së pari, rasti në fjalë, duhet shikuar në lidhje me rrethanat para dhe pas formimit të shtetit të Kosoves. Në kohen kur është përzgjedhë lokacioni dhe lloji i objektit për ndërtim, në Kosovë nuk kanë egzistuar ligji dhe institucionet legale. Ka dominu regjimi i kasapit të Ballkanit, zëdhënës i të cilit ka qenë ministri i Jashtëm aktual i  Serbis. Universiteti i Prishtines ka qenë therrë në sy të Serbisë. E mbaj në memorie se, kur është themeluar ky universitet, forcat reaksionare serbe edhe publikisht, duke aludu në aksionet për mbledhjen e armëve në Kosovë, të dirigjuara nga Rankovici, thonin se tani ia keni dhënë armët Kosoves. Prandaj, përzgjedhja e lokacionit dhe lloji i objektit nuk kanë qenë koinçidencë. Marrja e lokacionit ka qenë plumb në shpirtin e kultures kosovare ndërsa lloji i objektit, vazhdimesi e tradites serbomadhe me kriju gjurma në trevat e okupuara.

Së dyti, rasti duhet shikuar edhe në konstelacion me të metat, në legjislacion, pas formimit të shtetit. Zatën, e ka dhënë zoti dhe historia e argumenton se me formimin e shtetit, pas aprovimit të aktit konstituiv (Kushtetutes) të nxjerret edhe ligji i veçante me tëcilin rregullohet ajo far anarkije e krijuar nga pushtuesi. Edhepse përpiqem me qenë i  informuar, nuk jam i sigurt se një ligj i tillë është nxjerr.

Sidoqoftë, në aspektin juridik, nuk ka fuqi e cila mundet me e legalizu uzurpimin e prones së universitetit  dhe ndërtimin e kishes në atë lokaciion.

Po bëhem subjektiv, po i  tejkaloj kufijtë  sepse po mendoj se mosha dhe vendi ku linda po më japin të drejtën me i sugjeru z. president se ke punë me atë, të cilit ia nep doren por ai nuk ngihet pa t’a marrë krahun dhe trupin. E kuptoj se duhet me bë politikë por edhe politika kërkon ndërgjegje.

***

Një grup i studentëve i Universitetit të Prishtinës, kanë protestuar të hënën me 19 Shtator përpara objektit të Kishës Ortodokse Serbe brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, në kundërshtim të, sic thonë, funksionalizimit të këtij objekti fetar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Luz Toma, Presidenti Thaçi, Protesta e studenteve

Të shërbesh në ushtrinë amerikane

September 20, 2016 by dgreca

Në një pjesë të mirë të vendeve të botës shërbimi ushtarak është i detyrueshëm. Në Shtetet e Bashkuara sherbimi ushtarak është mbi baza vullnetare por që të kualifikohesh duhet të kalosh përmes disa testeve të vështira. Reshteri Terrelle Thomas u pranua në Forcat Ajrore nëntë vite më parë. Tani ai merret me rekrutimin e ushtarëve të rinj në Udbrige të shtetit Virxhinia. “Ishte koha kur ndiqja studimet dhe shpenzimet i paguaja nga xhepi im. Ishin kohë të vështira dhe jetoja me prindërit. Nuk më pëlqeu situata në të cilën isha ndaj shkova dhe bisedova me një rekrutues. Ishte njeri i mirë dhe më shpjegoi gjithçka në hollësi. Kështu u pranova në ushtri.” Ndërsa për Benjamin Spahr ushtria është një traditë familjare. “Nëna ime ka shërbyer në Gardën Kombëtare, im atë ka qënë oficer i Forcave Ajrore, ndaj isha mësuar me këtë stil jetese që në moshë të re.” Përfitimet arsimore që ofron ushtria janë një tjetër arsye. Por, futja në ushtri nuk është e lehtë. Përveç të qënit i ri në moshë, kandidatët duhet të kalojnë përmes testeve speciale, të mos jenë përdorues të drogës dhe alkoolit dhe të kalojnë provimin e stërvitjes fizike. Provat e para fizike kërkojnë shëndet të mirë dhe aftësi fizike. Pavarësisht këtyre sfidave, numri i grave në ushtri po rritet çdo ditë. Madison Foote është një prej tyre. “Ushtrimi i pompave më frikëson pasi nuk jam mirë, por ndjehem mirë tek të tjerat.” Ndërsa bota përballet me pasiguri të ndryshme politike dhe konflikte në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara pritet të jenë në ballë të zgjidhjes së krizave. Shpesh kjo nënkupton dërgimin e trupave jashtë vendit. Rekruti Oludare Ogunmadewa thotë se familja e tij shqetësohet pikërisht për këtë. “Prindërit dhe familja ime janë të shqetësuar rreth kësaj. Por është një rrezik që e ndjej të nevoshëm për mua dhe fëmijët që të siguroj të ardhmen e tyre.” Frika nga e panjohura është pëngesë më e madhe sesa dislokimi në zonat e luftës, thotë reshteri Terrelle Thomas. “Angazhimi katër deri gjashtë vite është i madh. Të rinjtë 18 vjeçarë që regjistrohen mendojnë se pas katë vitesh kur janë 22 vjeç, nuk kanë moshë për të bërë diçka tjetër.” Në vitin 1973 në fund të Luftës së Vietnamit, Amerika i dha fund shërbimit ushtarak të detyruar. Shërbimi ushtarak tani është me kontratë katër apo gjashtë vjeçare. Disa e zgjasin kontratën sikurse rreshteri Terrelle Thomas i cili ashtu si shumë të tjerë ka zbuluar diçka, që është e vështirë të gjendet diku tjetër. “Miqësia. Shumë veteranë që sherbejnë 20, 30 vite, gjëja kryesore për të cilën bisedojnë me mua, kryesisht kur sjellin fëmijët e tyre në zyrat tona, është miqësitë që kanë krijuar me njerëzit që kanë takuar.” Reshteri Thomas së shpejti do të kalojë në anën teknologjike ndërsa vazhdon të ndihmojë të rinjtë amerikanë që të zbulojnë ato që ushtria ka për të ofruar.

Sqarojmë lexuesit se në rubrikat e “Dielli-it”, shqiptaro-amerikanët do gjejnë rrugët, mënyrat dhe dokumentacionin që duhet për tu rekrutuar e shërbyer në Ushtrinë e SHBA.  {SH.K}.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sherbimi, ushtrine amerikane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2483
  • 2484
  • 2485
  • 2486
  • 2487
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT