• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AZEM HAJDARI: “MË KA MARRË MALLI PËR NËNËN TIME!”

September 10, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/Atë natë të mrekullueshme të 22 marsit 1992, teksa po ndiqja rezultatet e zgjedhjeve nëpër rrethe, dëgjoj zërin e njohur të Azem Hajdarit që, përveç gëzimit të fitores, në një intervistë të shkurtër në mesnatë e bëri kërkesën në Radio “Tirana” për të përshendetur me këngën “Më ka marrë malli për nanën time”.

Po. Ai dëshironte që gëzimin e fitores së demokracisë, për të cilën dha aq shumë djali i saj, ta kishte dhe nëna e tij shpirtbardhë e punëtore, që i rriti fëmijët me shumë mundime mes varfërisë së kohës së socializmit. Kjo është një kërkesë njerëzore.

Dhe është pikërisht kjo njerëzore e Azemit që, para se të bënte Tyrben e Dervishit të Luzhës, ia pat rregulluar aq mirë edhe varrin nënës së tij të dashur.

Është pikërisht kjo njerëzore që atij i dha aq zemër e mend për t’u hedhur deri në vetsakrifikim në ballë të studentëve për të kërkuar lirinë dhe demokracinë në tokën shqiptare, për të dalë nëpër mitingje e për të folur me njerëzit e zemrës për të nesërmen.

Është pikërisht kjo njerëzore që e bën të nderuar e të respektuar në zemrat tuaja, në fjalën e në punën tuaj, në jetën tuaj, në të sotmen e të nesërmen tuaj, që të tjerët të kenë mall për ju, që ju të keni mall për të tjerët, që të ndërtojme jetën e demokracinë në emër të njerëzores.

RAMIZ LUSHAJ.
Botues i gazetës së pavarur “Shkëlzeni”

___________________________________________
Marrë nga Gazeta lokale “Shkëlzeni” e rrethit të Tropojës, nr. 18, shtator 1992.

Foto e Azem Hajdarit nga arkivi im vetjak. @ Ramiz Lushaj.

Image may contain: 1 person , outdoor

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Azem hajdari, malli per nenen, Ramiz Lushaj

MË SHPËTOI DUHANI SHQIPTAR

September 10, 2016 by dgreca

(sipas kallëzimit të një mbreti polak)/
Nga IDAJET JAHAJ /
 … Ja, më shikoni mua ju? Kam qenë mbreti i Polonisë dhe i Letonisë. Sigurisht, këto dy copa të arta të mbretërisë sime do t’i zhbënte, do t’i çirrte me thoin e vogël ariu i madh rus. E kam fjalën për shtetin e stërmadh të stepave dhe pyjeve të pafund… të asaj hapësire që kundërpeshon botën.
Pra, unë isha mbreti i Polonisë së artë e i Letonisë së argjendtë.
Kush ua jepte këto ngjyra dhe vlera? Jo vetëm fushat e bukura, pyjet piktorike e malet që hijeshojnë si vetulla të bardha mbi të kuqërremtën e mjalttë të fushave apo hapësirat e kristalta të pellgjeve e liqeneve të mëdhenj të akullt, shkopinjtë e të cilit ndriçonin si zbukurime edhe në degët e pemëve. Jo vetëm këto. Ishin të arta e të argjendta edhe për qetësinë e pavarësinë. Kumbonin si treva të këngës e të zileve të hovshme të trojkave që çanin peizazhet e verdha nëpër rrugët plot largësi e mister… E tillë ishte bota e madhe e punës, e zhurmës së këndshme të qyteteve e tymit të bardhë të jetës paqësore në fshatra e lagje… E mbi këtë frymëmarrje plot jetë, çangat e lashta të kishave shkundnin tingujt hyjnorë si zile të përjetshme, që të venë në gjumin e ëndrrës.
Këto po mendoja atëherë, kur isha djalë i ri, njëzetë e katër vjeç. Kush ish më i lumtur se unë? Bollëku, mëndafshi e hareja më rrethonin kudo, që nga fëminia… Këtë kallëzim tani unë e bëj në moshën madhore, kur kujtoj çastet e jetës, rruazat e fatit, segmentet e dritës e të errësirës, që kam patur edhe unë si çdo i gjallë mbi këtë dhe.
Shpesh njeriut i shkon filmi i jetës ndërmend. Sidomos çastet ogurzeza kur mund të humbte edhe jetën. Pak mendon njeriu për to, e këto çaste ai i kalon shpejt në kutinë e harresës, se, po të mendojë gjatë për to, nuk është mirë… Jeta ka çaste tragjike. Këto izolohen së bashku me rrënqethjen e tyre. Por ka edhe raste tragji-komike, të cilat, ndonëse rrallë, dëshiron t’i lëçitësh apo t’i shkruash ndonjëherë.
Doni t’ju them një sekret? Nga bota ime intime? Po jua them. Isha mbret, pra, i velur me gjithçka. E kisha shijuar çdo ëmbëlsirë të kësaj bote. Por edhe froni, dhe gjithë vezullimet e tjetra, më dukeshin të pamjafta për pozitën e lartë, po të mos gëzoja edhe diçka tjetër në fatin personal: unë kam qenë dashnori i parë i mbretëreshës së sotme të Rusisë – Ekaterinës së famshme! Nuk gënjej, dhe as dua të përfitoj lavdi për këtë. E kam shkruar edhe në ditarët e mi. Isha mbret i ri, e kush nuk më adhuronte mua?
Nuk zgjatem për ekzaltimin ndaj bjondinkës mbretëreshë (të sotme), e cila atëherë vezullonte si çupëlinë e re që ishte, në një provincë gjermane. Më lejoni të them vetëm kaq: i hoqa asaj, i pari, virgjërinë.. Kaq. Pra, në zgafellën e ndërgjegjes sime them se ky fakt më bëri më shumë mbret, se sa shiritat e shumëngjyrtë që mbaja mbi supe.
I dehur nga ky luks shpirtëror, kjo pasuri, doja ta ushqeja shpirtin tim me natyrë, me atë arsenal të madhërishëm pamjesh të kodrave dhe pyjeve tona të pafundme… me atë pamje lumi e qielli, rrugësh misterioze e rreziqesh, ku shpirti s’ngopet kurrë. 
Po udhëtoja në pyllin e zi të Letonisë. U futa thellë në botën e drurëve. Bisedoja në heshtje me ta, me barin e gjelbër e të verdhë, me harlisjen e kurorave të lisave e pishave që kuvendonin me qiellin… Soditja kaltrinat e qiellit midis degëve, vetullat e argjendta të maleve të akullt në largësi. Ky udhëtim e kjo vetmi, kjo botë memece e shumëngjyrëshme, ai ar akulli diku, sikur ma shuante furrën time shpirtërore, gjithnjë të ndezur…, hovin e djalit të ri, që fati e kish mbingarkuar në jetë. Po udhëtoja thellë në pyje dhe vetëm. I lashë larg rojet, as armë nuk mora me vete. Thashë: do zhgrryhem në pyje, në baltra, në degë. Do shoh, do shoh, do shoh…
E, që ta pikëzoj fjalën, tashmë vonë mendoj: po sikur të më afrohet rreziku… e të humbas me gjithë shiritat e ylbertë të fatit? Kjo pyetje më shtjellohej si fjollë mjegulle para syve. Ja këtë desha të kallëzoj: se si, për pak çaste desh më iku jeta, nga marrëzia e ikjes, e fshehjes, e fluturimit me këmbë…
Kisha humbur në pyll. Në pyjet tona, për të cilat kemi aq krenari, i kemi “si lulja në kapele”, siç i themi këtej, në anët tona, kudo që era e fatit na hedh nëpër rruzull. Në këto trungje e gëmusha ku udhëtoja, rreziku i vdekjes shpesh të qëndronte një pëllëmbë larg…
Isha i lodhur, por si i ri, më ziente gjaku…Megjithatë u ula pranë një trungu. Thashë të ndez një duhan. Kohët e fundit kisha mësuar ta hiqja duhanin, natyrisht, si mbret, kërkoja duhan “mbretëror”. Një të tillë më kishin rekomanduar se kishte në një vend bujqish e barinjsh të talentuar, të palodhur e krenarë, në bregun e poshtëm të Adriatikut, aty nën sllavët. Vendit i thonë Shqipëri. Çudi, shqiponja ka më shumë kësaj ane nga ne. Dhe janë të mëdha e ngrihen si avionë mbi kreshtat e pyjeve. Por emrin e tyre e kanë marrë ata, shqipot, siç u thonë. Ata janë të lidhur shumë me cilësinë e fluturimit e të forcës së shqiponjave. Pra, andej, nga “Vendi i shqiponjave” një mik më kish rekomanduar se ka duhan të mirë, të zgjedhur. Dhe gjetën disa shqiptarë këtu në Poloni, “Krutaj” u thoshin, më duket. I porositëm për duhan e ata e sollën nga vendi i tyre. Duhan i mirë, ngjyrë mjalti, me fijet si kadaif… dhe unë e mbajta me vete kutinë e duhanit shqiptar, siç e mbanin ata, në xhep. Kështu, edhe në momentin e pyllit të thellë. Mbaja edhe shkrepësen.
Po rrija e mendoja. Kur befas, një putër e stërmadhe më del që prapa trungut. Një tigër rus, i madh sa një elefant. Tmerr. Ç’të bëja? Vdekja po më zmadhonte sytë. Qimet e tij të verdha e gri, i ndriçonin më shumë se shiritat e mi të mbretit. Pra, më kishte ngulur sytë ai, mbreti i pyllit dhe i akullit, gjakësori i bukur. Mu afrua. Goja e tij dy të kollfitura më kish, mua, mbretin e imtë. Filmi i jetës dhe pellgu i zi i vdekjes më parakalonin bashkë para syve të mi. Në çast, në sekondë. “Ika”, thashë me vete.
Ai gati po më lëpinte hundën time. Ah, ai, mbreti i pyllit, do të hante një mbret të pyllit e të yllit…Pse? … Mendoj tani, me humor, nga që i zhvirgjërova i pari mbretëreshën e stepave të tij të pafund?!…
“Po nuk është e mundur të bëhem llokume për stomakun e tij” – mendova. Mendja më punonte instinktivisht. Ç’të bëja? Futa dorën në xhep, ashtu kot. Atje dora më preku vetëm kutinë e ndritshme metalike të duhanit shqiptar. “Ta nxjerr”, thashë, po ç’të bëja me të? Po më shkoi në mend: e hapa me të dy duart dhe ia afrova në hundë ariut. Ai e nuhati, e nuhati si të ishte një bërnet i rrallë dhe ktheu kokën pas. E tundi edhe një herë kokën dhe e afroi e i mori erë përsëri. U kthye mbrapsht e teshtiu një herë, dy. Aq fort, si bubullimë. A thua u lëkundën dhe fijet e barit e degët përreth. Teshtiu sërish… fort… e pastaj më t’ia mbath një vrapi që s’kish të arritur.
Oooo, shkëlqimi i syve po më vinte në vend. Armë nuk pata me vete. Po edhe të kisha, a do mund ta vdisja atë përbindësh aq të madh në aq pak sekonda? Po a kish armë më të fortë se kjo armë e shkëlqyer shqiptare? E deklaroj unë këtë, mbreti i Polonisë e i Letonisë! Duhani shqiptar, me atë ngjyrë mjalti e fije kadaifi, m’u bë pjesë e zemrës, më shpëtoi jetën. Jo vetëm për nevojë, por tani unë atë nuk e ndaj as për dhembshuri e mirënjohje. E dëboi vdekjen nga unë ashtu thjesht, vetëm me erë, pa zhurmë, si në bashkëbisedim sfidues me jetën. Që atëherë i mbolla mirë në mendje këta dy togfjalësha: “Vendi i shqiponjave” dhe “Duhani shqiptar”.
… E deklaroj unë këtë, mbreti i … dy copave të arta të Evropës. 
Bile, për t’ju bindur, shkruaj edhe vitin këtu: 1767. Poloni. Stanislav August Ponjatovski.

Filed Under: LETERSI Tagged With: DUHANI SHQIPTAR, Idajet Jahaj, MË SHPËTOI

Kënga e Petro Markos për Halim Xhelon dhe dy vjersha të Halimit

September 10, 2016 by dgreca

Shkruan:MSc. Albert Habazaj/2-busti

2-pamjeKur ishim të vegjël, në vitet 1967-1974, nxënës në shkollën 8-vjeçare “Halim Xhelo” të vendlindjes time, në Tërbaçin e dashur, drejtori i shkollës, mësuesi madh, që vërtet e meritonte të ishte Profesor, poeti popullor i teksteve të këngëve të grupit të madh të Tërbaçit, dragoi i këngës labe Kujtim MICI, punonte si ai edhe me folklorin. E veçanta e tij qe puna në sistem zinxhir me grupet e të rriturve, të burrave, të grave, me grupin miks, të pionierëve dhe të fatosave.

Kënga e Petro Parkos për Halimin. Mbaj mend, qysh nga klasa e parë deri në të tetën, që këngën “Halim Xhelo trim, o trim” e këndonte grupi i madh, ai miks dhe grupi i vogël, yni, i shkollës, vit pas viti (me variantet përkatëse). E dinim këngë të popullit, kur krijuesi rrjedh në përroin e përjetshëm të anonimatit. Në fakt ajo qe bërë këngë e dashur e popullit. Kur u rritëm, morëm vesh që ky tekst kishte një autor. Autor i këngës, aq të dashur edhe sot e kësaj dite në Tërbaç, në Labëri dhe në Vlorë është Kalorësi Rebel i Lirisë, i pamposhturi dhe i pavdekshmi Petro Marko Dhërmiu, që e adhuroj aq shumë, sa do të doja të qe lindur në Tërbaçin tim. Tekstin e këngës e kam lexuar më vonë në librin e parë me poezi të Petros “Horizont” (Tiranë, “Naim Frashëri”, 1959). Ja teksti i këngës: “Të kish rritur Labëria,/ Djalë i popullit Halim,/ Halim Xhelo trim o trim,/ (vargjet 2, 3 janë refren, shën. im – A. H) Të kish pritur Shqipëria,/ Të prit të delje në Vlorë,/ Me flamur të kuq në dorë,/ Po ti u trete i mërguar/ Në Francë, në vend të huaj,/ Shqipërinë për ta shpëtuar./ Ti vdiqe, njeri s’të qau,/ Mau djalëria, mau/ (ashtu është shkruar në tekst, është dialekt.: mbahu, shën im – A.H) Halimi rrugën e çau,/ Hall e popullit e qau”. Kjo këngë, sa e thjeshtë, aq e bukur, në shtratin e shtruar të labërishtes, është thurur si një këngë e përvajshme qysh në vitin 1937, sepse Petro Marko qe adhurues idealist i shpirtzjarrtit për atdhe Halim Xhelo Tërbaçi. (Dhe i ngjante në karakter, në dinjitet). Vetëm një lexues i vëmendshëm mund të merrte informacion dhe tepër shkarazi, që këtë tekst e ka bërë P. Marko. Tek vepra përgjithësuese “Historia e Letërsisë Shqiptare” 1983, kur trajtohet P. Marko si një nga poetët dhe prozatorët kryesorë të brezit të viteve ’30 të shek. XX, shkruhet: “Poeti do t’i këndonte Halim Xhelos, një nga komunistët shqiptarë të shquar të kohës, dhe vjersha do të bëhej më pas popullore” (Shih: “Historia e Letërsisë Shqiptare që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1983 f. 577).

Mjeshtri i madh Muhamet Tartari për Halim Xhelon. I mirënjohuri i Vranishtit të valleve së vetëtimave, Muhamet Tartari ka bërë disa këngë për Halim Xhelon, të cilat i ka kënduar grupi i Tërbaçit. Po prezantojmë vetëm pak vargje, që të japin imazhin e një pikture poetike të peizazhit epik të vendlindjes së Heroit: “Po rrjedh ujë nga burimi,/ Ujë mali, ujë bore,/ Po ushton një këngë labe,/ Këngë trimash, burrërore./ Ja fillon e para Çika,/ Iso Çipini, Stogoi,/ Ja hedh bukur Bogonica/ Për Halim Xhelo dragoin./ Nga balt’ e Tërbaçit doli,/ E ushqeu toka labe,/ Mori forcën dhe qëndresën,/ Trimërin’ në këto male”.

Kënga për Halimin e mësuesit krijues, të paharruarit Zaim Hoxha: Mësues e bir mësuesi, Zaimi jepte gjuhë e letërsi në shkollën 8 vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç. Gjatë gati dhjetë vjetëve, që punoi në vendlindje, ai krijoi edhe një këngë shumë të bukur me vlera artistike, estetike dhe emocionale “Veshur Bronx e ballë lartë” kushtuar tërbaçiotit të madh Halim Xhelo, këtij burri të lartë kombi, kësaj figure demokratiko-revolucionare për pavarësi, liri e përparim, e rangut kombëtar. “Flet Halimi, ësht’ i gjallë,/ Për atë s’ka vdekje./ Do sikur të thot’ ca fjalë/ Bashk’ me ne në mbledhje./ Rri e do të puthë dheun,/ Rri, po nuk i rrihet…” janë  disa vargje që thuri mësues Zaimi për grupin e shkollës, që ngriti drejtor Kujtimi dhe mësues Rexhepi me ne, që kur u bë kjo këngë, më 1973, ishim në klasë të shtatë. Si e përjetësuar në bronx na vjen portreti i Halimit në këngën recitative të mësuesit veteran, dritanit i arsimit në Vlorë, fisnikut Zaim Nuro Hoxha
Vjershërimi dhe kënga, një anë pak e njohur e Halim Xhelos. Pak e dinë që Halimi ka shkruar dhe poezi. Gjithashtu ai e këndonte shumë bukur këngën labe. Ka ngritur edhe vetë këngë. Këtë fakt na e kanë thënë e na e kanë lënë në memorien tonë ata lisat e moçëm që u rrëzuan me kohë e një nga një, duke transmetuar pas kujtesën individuale e atë sociale brezave, ata pleq të mençur të fshatit, qysh në vitet ’70 të shekullit të kaluar si Sali Lusho, Rustem Xhaka, Hairo Laze etj., të cilët e njihnin nga afër Halimin. Është një këngë për Luftën e Vlorës. Si praktikë folklorike, kanë qenë raste të rralla aktivizimet e njerëzve të arsimuar, të cilët kanë krijuar vargje e i kanë kënduar së bashku me banorët, luftëtarët, kuvendarët etj. Të tillë, pra, mund të përmendim Halim Xhelon, i cili më 9 maj 1920, kur bobla mblodhi tërbeçtë në Bregun e Bragjine (që nga ai çast mori emrin Bregu i Alarmit), në ballë të fshatit Tërbaç të Lumit të Vlorës thuri dhe këndoi në mes të bashkëfshatarëve të tij këtë njësi folklorike të regjistruar dhe të memorizuar në kujtesën sociale të komunitetit që e pranoi dhe e përcolli tek të pasmit e gjakut. Kënga. Ja vargjet e këngës që improvizoi Halimi, si pasqyrim të atypëratyshëm të shfaqjes së dukurisë apo nevojës  së menjëhershme për t’u bashkuar në luftë kundër armikut për lirinë e Atdheut të pushtuar: “Shqipëri e dashur/ Je në robëri./ Jamte buzëplasur/ Se ti s’ke liri./ Un’ për ty do des,/ I dashur Atdhe,/ I gjall’ të mos jes,/ Ndryshe pse më ke?/ Ngrihi burra trima,/ Armikun përzëmë/ Porsi vetëtima/ këtu mos ta lëmë!/ Shqip’ria thërret-ë/ lirinë kërkon-ë,/ nga nevej e pret-ë/ mvetësi dëshron-ë./ Nevej të bashkuar/ O për një qëllim-ë./ Me flamur në duar:/ Vdekje për shpëtim-ë”. E shënuam këngën siç e kemi dëgjuar atje ku është kënduar, sikurse është praktikuar, me të folmen dialektore të Tërbaçit, duke respektuar parimin fonetik detyrimisht. Ky krijim foklorik ka një fillesë krijuese individuale. U paraqit, u pranua, u përfshi në praktikim, në qarkullimin folkorik të bashkësisë përkatëse. Individi krijues është Halim Xhelo. Banorët që e pranuan dhe e bënë të tyren janë tërbaçiotët. Data e krijimit është 9. 05. 1920. Këtë këngë të H. Xhelos e kemi gjetur të botuar në gazetën “Mbrojtja Kombëtare”, gjatë gërmimit në arkivat e shtypit periodik të Bibliotekës Kombëtare, Tiranë. Gjithashtu, memorja na e sjell si në ekran, ngaqë në vitet 1967-’70, kur ndihej një situatë sa festive, aq solemne në Tërbaç, sepse gëzonin njerëzit, tek prisnin 50 vjetorin e kujtimit të fitores së bujshme që kishin arritur në Luftën e Vlorës, më Njëzetën, “kur hodhën talanin në det”, siç thoshnin ish-vullnetarët e kësaj lufte çlirimtare. Parë në rrafshin krahasimtar me njësitë e tjera folkorike, kjo këngë mund të jetë edhe akretipi i ciklit të këngëve të Epikës historike të Luftës së Vlorës.

Vjersha. Nga Parisi, më 17 Prill 1936, Halim Xhelo, me frymëzim atdhetar, bën vjershën “Të njëmbëdhjetë xhandarët”, me 6 strofa 12 rrokëshe (edhe pse nuk respektohet fort metri), e cila është shkruar nën përshtypjen e thellë të shtypjes mizore që iu bë Kryengritjes së Fierit nga regjimi. Vjersha i referohet faktit të vrasjes pa gjyq të 11 xhandarëve antizogistë që morën pjesë në atë kryengritje: “Përtej nga lëndinat, mu për nënë shelgje/ Dëgjohen ca bërtima, po bien ca dyfeqe,/ Ç’është andej, mor djema, or ju udhëtarë?/ Mos pyet xha Nako, njëmbëdhjetë xhandarë./ Me plumba i qëndisnë, mu në zëmër e në ballë/ Po syri s’iu përënt sa qenë të gjallë,/ Me kryet përpjetë, thirrën me një zë:/ Të bëni ju popull, atë që dot s’u bë./ Njëmbëdhjetë varre, njëmbëdhjetë qivurë/ U ngrehnë në Fier, ndën arat me grurë/ Ju nënat e tyre, pushoni pak ligjet,/ O nuset e reja, që xhani po ju digjet./ Djemt e burrat t’uaj vdiqën për liri,/ I qan gjithë populli, tër një Shqipëri./ Me xha Nakon, bujk, Lalë Myzeqeje,/ Që s’ka hi në vatër, as çull e mbuleje./ Do ngrihet vegjëlia, si një trup më këmbë,/ Sulltanin e Tiranës, ta çqepë me dhëmbë,/ Për vete të fitojë male e vërri,/ Çifliqet e grabitur, nder e burrëri./ Në Fier një Pantheon mermeri të skalisur,/ Me krejt martirët t’anë, tejpërtej stolisur./ Do vemi haxhilerë të hedhim trëndelinë,/ Mbi varret e atyre, që ranë për lirinë.”. Duke bërë pelegrinazh në varret e të rënëve, autori shfryn gjithë urrejtjen kundër regjimit dhe i bën thirrje popullit për ta përmbysur atë. Vjersha është botuar pas vdekjes së Halimit në gazetën “Bashkimi Kombëtar”, nr. 6, më 15 Shkurt 1937. Pa u futur në analizë të hollësishme, nuk mund të flasim për nivel artistik, sepse është më tepër një vjershë kushtruese, deklaratë e këngëzuar me duf, është një poezi e përkushtuar, e angazhuar, deklarative, por e mbushur me dashuri për atdheun, me adhurim për lirinë, me nderim për martirët.

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, Kenge per Halim Xhelon, Petro Marko

DIPLOMA UNIVERSITARE

September 10, 2016 by dgreca

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia/
10443417_440593496132822_1097807340613409978_n (1).jpg
     – Mbete gjithë ditën në kompjuter, moj bijë – i tha e ëma kur hyri në dhomë dhe eci drejt saj.
Ajo, si të mos kishte dëgjuar se ç’foli e ëma, klikoi mbi kompjuter dhe figura u zhduk menjëherë. Në ekran, u dukën disa shkronja, që të ëmës iu dukën shumë të vogla për t’i lexuar, ndoshta edhe pse ishte pa syze.
– S’po kuptoj se ç’po ndodh me ty; e ke lidhur jetën vetëm me këtë të uruar kompjuter. Epo edhe kështu nuk bëhet, ngrysu, gdhiu, ti vetëm kompjuter e ke mendjen!
Vajza i dha një shtytje kokës prapa duke e rotulluar, si për të treguar lodhjen e saj, fërkoi tëmthin e majtë me gishtin tregues të dorës, pastaj, si e përgjumur, hapi gojën dhe vuri dorën para saj.
– Mama! Do shkoj në shkollë, në universitet. – Ktheu kokën nga e ëma që po rrinte në këmbë në anën e djathtë të saj. Në fytyrë iu dallua një shprehje gëzimi.
E ëma, si të mos e kishte dëgjuar mirë se ç’i tha e bija, e pyeti: – Ç’farë the? Shkollë, universitet?! – Fytyra e saj menjëherë mori shprehje habie
– Po! – iu përgjigj e bija. Lëvizi karriken rrotulluese pak majtas dhe përsëri u kthye nga e ëma.
– Unë, me kë do rri në shtëpi, nëse ikën ti në universitet? – tha e ëma dhe mblodhi buzët e habitur. Pastaj, duke i dhënë kokës një lëvizje majtas djathtas në shenjë mohimi, foli e habitur: – Universitet!? Nuk ke moshë ti moj bijë tani për në universitet! Shkolla ka kohën dhe vaktin e saj. Ti edhe shkollën e mesme atje, në Shqipëri… – nuk e vazhdoi mendimin ta thoshte deri në fund, ndërsa me vete po thoshte: “Ti edhe shkollën e mesme, me të shtytur, si i thonë fjalës, e more.
– Mama, disa herë t’a kam thënë dhe ti je vetë e ndërgjegjshme, jemi në Amerikë këtu dhe… – i dha flokëve të saja ngjyrë gështenjë një lëvizje me dorë, duke i hedhur prapa kurrizit.
Ajo ishte një vajzë që i kishte kaluar të 30-tat. Jetonte vetëm me të ëmën. Në Sh.B.A. kishin ardhur si fituese të llotarisë amerikane për të qenë banore e përhershme e Amerikës. Në rininë e saj, kishte pasur histori të ndryshme dashurie dhe gjithmonë kishte dalë e zhgënjyer, jo për fajin e saj, siç e thoshte edhe ajo vetë, por nga mentaliteti konservator i meshkujve…
Për të kaluarën e saj, që e kishte hedhur pas krahëve, nuk donte t’ia dinte.
Sapo erdhën në Amerikë, të dyja, nënë e bijë, për të përballuar vështirësitë e fillimit të një jete të re e të panjohur në emigracion, ishin regjistruar në një shkollë me program mësimor dy javor, për përkujdesjen e të moshuarve. Nga ajo shkollë dy javore ishin pajisur edhe me dëshmi kualifikimi, e cila i ndihmoi edhe në gjetjen e menjëhershme të punës.
E ëma ishte e kënaqur me punën që bënte, jo vetëm se paguhej mirë, por i ishte mundësuar edhe fjetja në shtëpinë e të moshuarës së sëmurë.
Në të njëjtin pozicion pune si e ëma ishte edhe e bija, por se ajo, në mbrëmje vinte të flinte në apartamentin e tyre të marë me qira.
Puna e të ëmës nuk zgjati më shumë se tre vjetë; e moshuara ndëroi jetë.
Vajzës i ishte mërzitur puna dhe, si për t’a larguar atë mërzitje, pjesën e mbetur të kohës së lirë e kalonte në kompjuter.
Atë ditë, kur u ul para kompjuterit, midis mesazheve të shumtë në e-mail, i kishte ardhur edhe një mesazh nga një adresë e panjohur.
E klikoi për të lexuar se ç’shkruhej në atë mesazh; nga një universitet jashtë shtetit ku ato banonin, e njoftonin të regjistrohej në atë shkollë e të vazhdonte studimet on-line dhe ajo mund të zgjidhte një nga ato diploma gradimi: bachelor, masters degree, professor doktor.
Iu duk e çuditshme, por edhe një ndjengë gëzimi jetoi në ato çaste. “Si m’a kanë gjetur adresën e e-mail-it!” – mendoi.
E lexoi disa herë atë ç’farë ishte shkruar, plotësimin e formularit dhe të dhënat e tjera. U dyzua pak kur lexoi shumën e majme që duhej për të paguar shkollën, por, mendimi se do pajisej me një diplomë universitare amerikane, si e vetmja mundësi për të ecur në jetë, e qetësoi.
Për të qenë më e qartë me atë ç’farë i kishte ardhur, mendoi të bisedonte direkt me shkollën, sipas numrit të shënuar.
Zëri tjetër matanë telefonit, e mirëpriti kërkesën e saj për t’u regjistruar si studente on-line në atë universitet, madje, ai zë, iu duk i ëmbël dhe e folura e gruas iu duk me kulturë…
Vajza e pranoi edhe pagesën e shkollës.
– Mësimi do jetë on-line, vetëm se, për të qenë korrekte me rregullat e shkollës, duhet të paraqitesh në shkollë në ç’do fundsezoni – i tha zëri matanë telefonit.
– J’u lutem, j’u lutem shumë! Diploma më intereson edhe nëse nuk e kam mundësinë të paraqitem në shkollë…
Ç’do gjë u qartësua…
 
Pas dy vjetë mësimi on-line erdhi dita e shumëpritur. Në ceremoninë e dorëzimit të diplomave, midis studentëve të tjerë, ishte edhe ajo.
Pas ceremonisë përshëndetëse, falenderimit dhe urimit në punën e re të gjithë studentët të veshur me uniformën e diplomimit, u shpërndanë të gëzuar, duke mbajtur në duar diplomën universitare dhe ëndrën e gjetjes së punës.
 
Në shtëpinë e tyre ai sukses i vajzës, mbrojtja e diplomës, nuk mund të kalonte pa një ceremoni gëzimi familjar.
Të dyja, nënë e bijë, menduan të shtrojnë një darkë familjare, ku të ftuar do ishin miqtë dhe shokët e tyre më të afërm.
Në një cep të dhomës, që ishte regulluar bukur, qendronte e varur fotografia e saj në ditën e diplomimit.
Pak e nga pak, dhoma e pritjes u mbush me të ardhurit, fytyrat e tyre ishin të qeshura.
Më të qeshura, dukeshin fytyrat e nënës dhe të bijës.
Disa nga miqtë e ardhur, nuk nguruan të shprehnin habi me veten e tyre.
 
Kishte kaluar, pothuajse një vit e gjysëm dhe vajza ishte akoma në pritjen e gjetjes së ndonjë pune.
Kishte trokitur në shumë dyer zyrash dhe kompani të ndryshme. E kishin mirëpritur në takimin e parë dhe, kur kishin parë diplomën e shkollës on-line, nuk e kishin vazhduar më bisedën.
Asaj vetëm i premtuan, duke e përcjellë me fjalët refren: “Po j’u shënojmë numrin tuaj të telefonit dhe, mundësia e parë që do na krijohet për punë do t’ju thërrasim vetë”.
Për t’a bërë bindës atë fakt, diplomën e fotokopjonin në sy të vajzës, e fusnin në sirtarë dhe për t’a hedhur më vonë në koshin e plehrave.
Ajo pritje e gjatë, asaj nuk po i pëlqente edhe pse mundohej të mos e shprehte shqetësimin në sy të së ëmës, ndërsa, vetë e ëma kishte kohë që po e brehte meraku dhe shqetësimi i mosgjetjes së punës.
Një ditë, nuk nguroi t‘ thoshte: – Paguam gjithë ato para’ moj bijë, bëre gjithë atë shkollë dhe, punë nuk ke gjetur akoma. Po bëhen gati dy vjetë. Ajo shkolla e parë që bëmë bashkë, vërtet dy javore ishte, por, jo vetëm që nuk paguam, por edhe punën na e gjeti menjëherë.
Edhe vajza vetë e dinte mirë, që ajo diplomë universitare online nuk kishte shumë vlerë dhe mundësi gjetje pune.
Mendoi të kthehej në Shqipëri, si e vetmja mundësi për t’u punësuar. “E kam armën e fortë tani; kam diplomën nga një universitet amerikan” – dhe buzëqeshi me kënaqësi.
Iu kujtua një e njohura e saj para pak kohësh, që kishte mbaruar shkollën dhe ishte diplomuar on-line si edhe ajo. Ishte kthyer në Shqipëri dhe menjëherë ishte punësuar, madje edhe në administratën e lartë shtetërore.

Filed Under: LETERSI Tagged With: DIPLOMA UNIVERSITARE, Pierre-Pandeli Simsia

“SHOKË KLASE PËRGJTHEMONË” NGA NJU JORK-u DHURON MJETE SHKOLLORE NË PLAVË GUCI

September 10, 2016 by dgreca

 

1-ok-shoke-klase

3-shoke-klase

2-shoke-klasePlavë Guci, 9 shtator 2016-Shoqata “Shokë klase përgjithmonë” me qendër në New York  përmes një aksioni bamirësie bëri një gjest me shume vlerë në Plave Guci, duke dhuruar një numër të konsiderueshëm fletoresh, lapsash, ngjyrash etj. nxënësve të shkollave fillore shqipe të Plavës  Gucisë.

Kjo shoqatë realizoi këtë aksion duke koordinuar dërgimin dhe shpërndarjen e këtyre ndihmave me aktivistin e dalluar të komunitetit tonë në New York zt Imer Mehaj, si dhe me stafin e mësimdhënëseve shqiptar në Plavë Guci gjegjësisht me prof.Fadil Ulaj.

Në emër të mësimdhënësve dhe nxënësve shqiptar të Plavë Gucisë prof.Fadil Ulaj falënderojë këtë shoqatë dhe stafin e saj të drejtuar nga znj. Lendita Hoxha për këtë kontribut të jashtëzakonshëm për vogëlushët tanë në vendlindje.(Esad Gjonbalaj)

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: Esad Gjon Balaj, Ndihma, Plave-Guci, Shoke Klase pergjithmone

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2504
  • 2505
  • 2506
  • 2507
  • 2508
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT