• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KERKESE- RRUGA DEÇAN-PLAVË TË PAGËZOHET ME EMRIN E JAKUP FERRIT

January 25, 2019 by dgreca

 

KÈRKESË E FAMILJES FERRAJ DREJTUAR INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS QË RRUGA DEÇAN-PLAVË TË PAGËZOHET ME EMRIN E JAKUP FERRIT /

1 Jakup Ferri

Me rastin e 140 vjetorit të Luftës së lavdishme të Nokshiqit dhe të rënies se heroit mbarëshqiptar Jakup Ferrit, me nismën dhe përkrahjen e popullatës së Plavë e Gucisë, Kosovës e të trojeve etnike shqiptare familja Ferri kërkoN nga institucionet përkatëse shtetërore të Kosovës që rruga Deçan-Plavë të pagëzohet me emrin e Jakup Ferrit i cili me tërë familjen e mbrojti shqiptarinë në Plavë e Guci dhe luftoi për lirinë dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare.

QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE TRANSPORTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

PROPOZIM QË NË 140 VJETORIN E RRËNIES SË TIJ HEROIKE RRUGA DEÇAN-PLAVË TË PAGËZOHET ME EMRIN E JAKUP FERRIT

P R O P O Z I M I  I  F A M I L J E S  F E RR I

Në bazë të respektit që e gëzon Jakupi dhe familja Ferri në Plavë e Guci e në mbarë trojet shqiptare si dhe në bazë të meritave dhe sakrificave të të këtij personaliteti historik dhe të anëtarëve të tjerë të familjes Ferri nga të cilat i veçojmë disa:

-në vitin 1879 duke e udhëhequr personalisht në fushëbetejë Luftën e Nokshiqit kundër forcave malaziase me ç’rast ishte korrur një ndër fitoret më të mëdha të luftës së popullit shqiptar Jakupi u vra heroikisht së bashku me dy vëllezërit e vet: Zeqon dhe Beqon.

– i biri i Jakupit Hasani bashkë me 4 vëllezërit e tij, kishte vazhduar luftën kundër okupatorëve sllavë dhe në vitin 1912, kur i ishte dorëzuar Plava e Gucia Malit të Zi nga fuqitë e mëdha botërore Jakupit i ishin vrarë dy bijtë : Agani (babai i Shemso Ferrit) dhe Emini bashkë me tre nipa të familjes.

-në vitin 1944, gjatë Luftës II Botërore janë vrarë dy nipat e Jakupit: Shemsi (prefekt i Plavës dhe komandant i Ballit Kombëtar) dhe Rizai (i cili i kishte mbaruar studimet në Universitetin e Milanos në Itali dhe me dekret të Qeverisë Shqiptare ishte caktuar prefekt i Dibrës së Madhe), ndërsa për veprimatrinë e saj patriotike familja Ferri ishte shpallur “familje armike e shtetit” nga pushteti komunist jugosllav dhe i ishte konfiskuar e tërë pasuria në Plavë, familja FERRI, me iniciativë dhe me përkrahje të popullatës e me rastin e 140 vjetorit të Luftës së Nokshiqit dhe të rrënies së tij heroike i propozon institucioneve përkatëse shtetërore të Kosovës që rruga Deçan-Plavë të pagëzohet me emrin e Jakup Ferrit, i cili, bashkë me pasardhësit e tij, u dëshmua si mbrojtës i pakompromis dhe urë lidhëse mes trojeve shqiptare në Mal të Zi, të Kosovës e Shqipërisë dhe të trojeve të tjera etnike shqiptare.

Jakup Ferri, i biri i Ferr Durit, u lind në vitin 1832 në Plavë, në veri të Alpeve Shqiptare (Bjeshkëve të Nemura) buzë Liqenit të Plavës prej të cilit buron lumi Lim, që në atë kohë ishte pjesë e Shqipërisë nën sundimin e Perandorisë Osmane, sot e Malit të Zi.Për shkak të pozitës së vetë gjeografike dhe rëndësisë strategjike Plava njihej si “mburojë e Rrafshit të Dukagjinit” e madje edhe e tërë shqiptarisë.

Familja Ferri i takon fisit Kuqi ndërsa rrjedhë nga Luhari i Malsisë së Shkodrës, prej nga kishte dalë i pari i familjës, Gjergj Prentashi me një vëlla dhe ishin vendosur në Podgoricë (Mali i Zi), ndërkaq prej aty Gjergj Prentashi kishte kaluar në Plavë (Shqipëria nën pushtimin e Perandorisë Osmane), ku sipas gjasave ishte konvertuar në islam. Gjergj Prentashi e kishte djalë Shabin, e Shabi i kishte dy djem: Halilin e Durin, ndërsa Duri i kishte po ashtu dy djem: Ferrin (Ferr Duri-babai i Jakupit) e Hajron, prej të cilëve rrjedhë familja Ferri e Plavës.

Thuhet se Jakup Ferri që nga rinia e hershme dallohej për shkathtësi, forcë fizike e bukuri por edhe për atdhedashuri, burrëri, zemërgjërësi, drejtësi, sinqeritet e shkathtësi në përdorimin e armëve.Trimërinë thuhet se e kishte trashëguar nga e ëma Zyl Rexha, e njohur në tërë Malësi si grua trimëreshë e cila kishte bartur kobure në brez, madje në një rast i kishte vrarë dy bejlerë duke i mbrojtur vajzat plavjane nga ngacmimet e tyre.Në aspektin fizik Jakupi ishte i gjatë, me mustaqe të zeza, hundë shkabë e shikim të mprehtë.

Jakupi i kishte tre vëllezër: Zeqon, i cili kishte qenë mjeshter i dueleve dhe kishte vra me dhjetëra malazezë në duele ballë për ballë dhe ishte vrarë në Betejën e Moraçës 1876, Shaqirin, i cili ishte vra në një nga betejat e shumta kundër malazezëve dhe Beqirin i cili kishte rënë në Luftën e Nokshiqit.

Në moshën 25 vjeçare Jakupi ishte martuar me Pembën, kushërirën e Ali Pashë Gucisë dhe me të i kishin lindur tetë fëmijë (pesë djem Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani e Emini dhe tri vajza: Kusha, Bardhokja dhe Zadeja).

Jakup Ferri kishte filluar veprimtarinë e tij patriotike e luftarake kudër malazezëve e turqëve në vitet e pesëdhjeta të shekullit XIX, që pasuan pas reformave të Tanzimatit, kishte marrë pjesë në shumë beteja, ndërsa në vitet e shtatëdhjeta ai ishte bërë njëri nga trimat më të shquar të Malësise së Plavës e Gucisë dhe kishte marrë pjesë në kuvende burrash.Kulla e Ferrajve ishte bërë qendër e kuvendeve ku vinin burra jo vetëm nga Plava e Gucia por edhe nga Kosovë e trojet tjera shqiptare.Në këtë kohë Jakupi ishte njoftuar me Sylejman Vokshin, Haxhi Zekën, Ali Ibër Nezën e shumë prijës të tjerë të popullit shqiptar.

Në vitin 1875 në disa vende të Ballkanit ishin bërë kryengritje kundër Perandorisë Osmane, e po në këtë kohë edhe në Mirditë e Dukagjin ishte ngrit popullsia. Në vitin 1876 Serbia e Mali i Zi i kishin shpallë luftë Turqisë, por meqë u thyen ato në vitin 1877 edhe Rusia i shpalli luftë Turqisë e cila e humbi luftën dhe si pasojë nënshkroi paqën në Shën Stefan 1878.Sipas Traktatit të Shën Stefanit Mali i Zi, Serbia e Rumania ishin bërë shtete të pavarura, Bullgaria kishte fituar autoniminë ndërsa Shqipëria kishte mbetur nën Turqi, e madje disa pjesë të saj iu kishin dhënë Bullgarisë(Kumanova, Kaçaniku, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Pogradeci, Korça), Serbisë (një pjesë e sanxhakut të Prishtinës deri në afërsi të Gjilanit e Mitrovicës) e Malit të Zi (Plava, Gucia, Vermoshi, Hoti, Gruda, Kelmendi, Kraja, Anamali, Tivari, Ulqini) gjë me të cilën shqiptarët nuk u pajtuan dhe u bënë rezistencë të armatosur sipas vendimeve të “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare” e cila më 10. qershor 1878 (tri ditë para mbajtjes se Kongresit të Berlinit) formoi “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” me kërkesë të njohjes së kombit shqiptar me një gjuhë dhe një kryeqendër.Një ndër pjesëmarrësit të Lidhjes së Prizrenit ishte Jakup Ferri bashkë me Abdyl Frashërin, Iliaz Pashë Dibrën, Ymer Prizrenin e shumë prijës të tjerë shqiptarë.

Në Kongresin e Berlinit fuqitë e mëdha: Gjermania, Austro-Hungaria, Franca, Italia e Rusia kishin vendosur ta rishikojnë Traktatin e Shën Stefanit, ti copëtojnë tokat shqiptare dhe t’ua ndajnë ato Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë e Greqisë (Çameria).

Vendimet e padrejta të Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit kishin tronditur mbarë shqiptarinë.Gjatë verës së vitit 1878 të gjithë shqiptarët ishin ngritur në mbrojtje të trojeve të veta kundër vendimeve të sulltanit e të fuqive të mëdha.Pikat kryesore të mbrojtjes i kishin organizuar Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri në Plavë e Guci me ndihmën e vullnetarëve nga Peja, Gjakova, Tropoja e viset tjera shqiptare.

Në gusht të vitit 1879 Turqia kishte dërguar forca të mëdha në drejtim të Plavës për ti përmbushur vendimet e Kongresit të Berlinit, por në shtator të atij viti Jakup Ferri udhëhoqi betejen në Gjakovë me ç’rast bashkë me Ali pashë Gucinë, Ali Ibrën me bashkëluftëtarët të tjerë nga Plava, Gucia, Peja, Gjakova, Hasi, Reka, Tropoja etj. rrethuan forcat turke në Gjakovë, dhe në një betejë të përgjakshme e vranë Mehmet Ali Pashë Maxharin të cilin e kishte dërguar sulltani për t’ua dorëzuar Plavën e Gucinë malazezëve kundër dëshirës së shqiptarëve.Pas fitorës së shqiptarëve në Gjakovë, kishte filluar shturrja e administratës turke në viset shqiptare dhe gjykatat shqiptare punonin paralelisht me ato turke apo edhe punonin vetëm gjykatat shqiptare, ndërsa Jakup Ferri, Ali Pashë Gucia e Ali Ibra kishin organizuar tubimet mbarëpopullore tek Verrat e Llukës dhe tek Lisat e Zogjëve në Prizren, ku u forcua besa dhe u bënë përgatitjet për qendresë kundër armiqëve.

Pas përgatitjeve e marrveshjeve me krerët e krahinave të ndryshme (Sylejman Vokshin, Hoxhë Koronicën, Hamëz Batushën, Musë Tahirin e me bajraktarin e Junikut), Jakup Ferri ishte nisur në Plavë për ta organizuar mbrojtjen ndërkohë që Kryesia e Lidhjes së Prizrenit i kishte emrëruar Ali Pashë Gucinë dhe Jakup Ferrin komandantë të mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë së veriut.Të gjithë shqiptarët “nga Prizreni deri në Dibër” e madje edhe nga viset e tjera (Tetova, Tropoja, Shkodra, Kurveleshi) ishin mobilizuar dhe kishin dërguar ndihma (vullnetarë, armë, ushqim, municione e tjera) në Plavë.Jakup Ferri udhëhiqte mbrojtjen e katër rajoneve rreth Plavës: në Qafë të Çakorrit, në Qafë të Diellit, në Arzhanicë-Pepaj dhe Brezovicë-Visitor si dhe tek Qafa e Previsë dhe nga ana e Gërçarit në rajonin e Gucisë.

Në tetor të vitit 1879 Mali i Zi kishte kërkuar nga Turqia dhe fuqitë e mëdha evropeiane dorëzimin e Plavës e Gucisë, por meqë shqiptarët nuk lejuan një gjë të tillë Mali i Zi kishte filluar operacionet ushtarake nën komandën e Mark Milanit e Todor Milanit.

Mali i Zi kishte angazhuar 28 batalone me këmbësori, kalorësi e artileri të armatosura deri në dhëmbë me armë austriake (revole “Gaser”, pushkë “Vergel” e topa “Sferger”) dhe ruse (revole e pushkë “Nagant”), ndërsa vullnetarët shqiptarë ishin më pak në numër dhe dobtë të pajisur e të armatosur (me jataganë, sakica, kosa, me pak pushkë kapsollaqe e kobure).

Betejat madhëstore u zhvilluan në Qafë të Previsë (nëntor 1879), në Velikë, Nokshiq (dhjetor 1879), ndërsa beteja vendimtare në janar të vitit 1880 në fushën e Nokshiqit, kur mbrojtësit shqiptarë fal taktikës së Jakup Ferrit, edhepse më të dobët ushtarakisht (12000 malazezë mire të armatosur kundër 8000 vullnetarëve të armatosur e të pajisur dobtë), i shpartalluan njësitet e ushtrisë malaziase nën komandën e Todor Milanit e Bllazho Petroviqit.Në betejën e fundit në breg të Limit më 4 janar 1880 ishte plagosur rëndë edhe Jakup Ferri (me shtatë plagë dhe me tridhjetë koka të prera të armikut rreth veti) bashkë me 103 udhëheqës të tjerë popullor shqiptar.Jakupi kishte ndërruar jetë në Plavë më 11 janar nga plagët e marra në betejë. Sipas disa informatave Jakupin e kishte plagosur Grujo Radosheviq Bratonozhiq, ndërsa duke e mbrojtur Jakup Ferrin e plagosur që mos ti bie malazezëve në duar, ishin vra tetë bashkëluftëtarë të tij nga Plava.Mark Milani kishte pësuar disfatë të tmerrshme dhe i kishte 2500 ushtarë të vrarë në betejë apo të mbytur në Lim gjatë ikjes nga shqiptarët ndërsa 1200 malazezë ishin zënë robe.Nga ana shqiptare ishin 1000 të vrarë e 600 të plagosur.

Jakup Ferri ishte varrosur në varrezat e Plavës, jo larg nga Lagjja e Ferrajve, në të cilën, afër kullave të veta, bijtë e Jakupit: Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani e Emini e kishin ngritur edhe xhaminë për shpirtë të te atit në vitin 1901/1902, gjë të cilën e dëshmon mbishkrimi i shkruar në gjuhën osmane mbi derë të hyrjes së xhamisë, i cili ekziston edhe sot.

Mbrojtja e kujfijve shqiptarë në Plavë e Guci ishte rast i jashtzakonshëm i gatishmërisë së popullit shqiptarë që ti kundërvihen vendimeve të fuqive të mëdha e të Turqisë, e njëkohësisht është edhe fitorja më e madhe ushtarake e shqiptarëve në histori të re, të cilën e kishin arritur me forca vetanake, pa kurrëfarë ndihme nga jashtë. Fal kësaj fitoreje dhe luftës së vazhdueshme të shqiptarëve edhe pas saj, rajoni i Plavës e Gucisë deri në vitin 1912 kishin mbetur “territori neutral”. Pas vrasjës e të atit, i biri më i madh i Jakupit, Hasani ishte bërë kryefamiljar dhe e kishte trashëguar autoritetin e babait, kështu që e gëzonte respektin e tërë Malësisë së Plavës e Gucisë por edhe të Dukagjinit, Shqipërisë Veriore e më gjerë.

Edhe Hasan Ferri, duke e vazhduar misionin e Jakupit kishte vazhduar, bashkë me vëllezër e bashkëluftëtarë, luftën për mbrojtjen e Shqipërisë etnike deri në vitin 1919 në Plavë, e pas pushtimit e Plavës kishte kaluar në Shqipëri prej nga e kishte organizuar rezistencën kundër armikut dhe kishte marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme si: pjesëmarrja aktive në Luftën e Koplikut 1920, përkrahja e Revolucionit të qershorit 1924, pjesëmarrja në Kongresin e Lushnjës 1929 e tjera, ndërsa në vitin 1938 për shkak të mospajtimeve me mbretin Zog u shpërngul ne Turqi ku edhe vdiq në vitin 1946.Pas vitit 1919 pjesa më e madhe e familjës Ferri ishte dërtyruar të shpërngulet nga Plava, por përkundër këtij fakti traditën patriotike e luftarake të familjës Ferri pas tij e kishin vazhduar edhe nipat e Jakupit Shemsi dhe Riza Ferri si pjesëtarë të Ballit Kombëtar dhe bartës të rezistencës së armatosur kundër pushtimit sllav të trojeve shqiptare.

Për merita të tyre patriotike më 26.janar 1993 presidenti i Shqipërisë dr. Sali Berisha i kishte dekoruar post mortem Jakup Ferrin me “Urdhër të lirisë të klasit të parë”, e po ashtu edhe birin e tij Hasan Ferrin me “Urdhër të lirisë të klasit të parë”, ndërsa presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga më 12. qershor 2012 e kishte dekoruar nipin e Jakupit Shemso Ferrin me Urdhër të Lirisë “për kontributin e tij të lartë për liri të Kosovës”, por përkundër të gjitha sakrificave personale e familjare as Jakupi e asnjëri nga bijtë e nipërit e tij nuk u shpall “hero i kombit”.

Sot, pasardhësit e Jakup Ferri jetojnë e veprojnë të shpërndarë në Plavë, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Tiranë, Durrës, Shkodër, Stamboll, në Gjermani, Holandë, Finlandë e disa vende të tjera (në mesin e tyre ka akademikë, profesorë universitarë, arkeologë, inxhinierë, mjekë, ekonomistë, juristë, kostumografë, piktorë, muzicistë etj.) dhe e ruajnë traditën dhe gjuhën e Jakup Ferrit.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Decan, Plave-Guci, Rruga Jakup Ferri

ZGJEDHJET NË MAL TË ZI DHE SHQIPTARËT E PLAVË-GUCISË

October 6, 2016 by dgreca

Nga Esad Gjonbalaj/Nju Jork/shoqatat-e-malesiseNë Plavë dhe Guci janë përafërsisht rreth 1000 votues shqiptarë. Ky është një elektorat i ndjeshëm jo vetëm në atë zonë, që në vazhdimësi po manipulohet. Ky manipulim bëhet duke shfrytëzuar lidhjet personale e familjare si dhe populizmin të shprehur me terma dhe retorika te mirënjohura “A doni qe kështu te dukej mirëqenia e juaj….!!!???” Dhe këtu një rol te madh po luan edhe diaspora.

Në fakt, ne Plave-Guci unë nuk shoh elektorat të mirëfilltë dhe të organizuar ideologjikisht. Ajo që shoh janë vetëm “simpatizantë” të personaliteteve të caktuara. E them këtë sepse nga asnjë subjekt politik nuk kam parë asnjë platformë apo një vizion te qartë. Nuk kam parë asgjë të shkruar qe do të mund ta cilësoja si kontratë me votuesin. Ajo që kam parë janë vetëm fjalë të “THATA”. Dëgjoj fjalime të mbushura me terminologji kinse patriotike, dhe të mbushura me një terminologji që përdoret që njëzet e ma shume vite nga figura të shpenzuara kombëtarisht dhe moralisht.

E çka është ma e keqja, bëhuni gati të dëgjoni edhe për blerje te votave te pleqve dhe te plakave shqiptare në Plavë e Guci me parat e misionarëve të kafeneve të diasporës. Sepse ai është niveli i atdhedashurisë dhe kombëtarizimit te e te ashtuquajturave subjekte të veshura me emrin parti politike që duan thjesht të rrinë në pushtet pa bërë atë që duhet e pa sjellë ndryshimin që duhet.

Mungesa e perspektivës ekonomike dhe e punësimit e rinisë tonë në Plavë e Guci i shtyn ata qe te rreshtohen ne këtë formë organizmi. Kjo ndodh sepse rina e jone për një vend pune fatkeqësisht rreshtohen dhe kinse bahet militant te partive te hallave, të dajave dhe të tezeve. Kështu partitë bëhen klane familjare e nuk punojnë për interesin kombëtar. Dhe, natyrisht, koha kalon dhe armiku ia arrin qëllimit të vet. E ndërkohë, ne merremi me vetveten, mbesim të përçarë dhe mbeturinat hidhen sërish në fushën e shqiptarëve.

Një rol të madh po luan diaspora që po ndikon në vazhdimin e këtyre strukturave familjare.

Vlerësoj se Diaspora nuk duhet te jete dekor i subjekteve politike apo i grupeve te interesit, jo pse me këtë tentoj t’ja mohoj ndokujt te drejtën bazë të shprehjes së vullnetit të lirë. Këmbëngul në këtë pikë sepse vlerësoj që specifikat e Plavë-Gucisë nuk mund te na dhurojnë një luks të tillë për t’u bërë edhe ne në mërgim pjesë e ndarjeve apo e dobësimit të faktorit shqiptar në vendlindje e në atë trevë. Plaga e rëndë e mërgimit e ka sjellë qënien dhe ekzistencën e qënies shqiptare në rrezik në ato treva. Andaj diaspora që vjen nga Plavë Guci duhet të ndihmojë vendlindjen me projekte dhe me investime e jo me rreshtime klanore dhe partiake që vetëm ndikojnë në vazhdimin e gjendjes. Nuk është e shëndetshme kjo situatë sepse kjo qasje e futjes së Diasporës në rreshta partiakë e ka efektin e kundërt e negativ edhe këtu në SHBA. Sepse ndasitë që lindin në Plavë e Guci reflektohen mbrapsht dhe kjo dobëson dhe përçan edhe vetë diasporën tonë shumë të fuqishme numerikisht e materialisht.

Financimi i subjekteve të ashtuquajtura politike nga diaspora pa marrë parasysh shumën e dhuruar për blerjen e votave nuk behet për çështjen kombëtarë. Kjo bëhet për t’ua zgjatur jetën klaneve dhe grupeve lokale të interesit dhe njëkohësisht është edhe përulje e subjektit ne fjalë para interesit te individit të caktuar.

Prandaj duhet që edhe në këto zgjedhje të shkojmë të bashkuar, me mendësi tjetër, me program te qarte, dhe duke mbajtur parasysh interesat kombëtare në këtë trevë të rëndësishme dhe jetike për kombin.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Plave-Guci, shqiptaret, Zgjedhjet ne Mal te Zi

“SHOKË KLASE PËRGJTHEMONË” NGA NJU JORK-u DHURON MJETE SHKOLLORE NË PLAVË GUCI

September 10, 2016 by dgreca

 

1-ok-shoke-klase

3-shoke-klase

2-shoke-klasePlavë Guci, 9 shtator 2016-Shoqata “Shokë klase përgjithmonë” me qendër në New York  përmes një aksioni bamirësie bëri një gjest me shume vlerë në Plave Guci, duke dhuruar një numër të konsiderueshëm fletoresh, lapsash, ngjyrash etj. nxënësve të shkollave fillore shqipe të Plavës  Gucisë.

Kjo shoqatë realizoi këtë aksion duke koordinuar dërgimin dhe shpërndarjen e këtyre ndihmave me aktivistin e dalluar të komunitetit tonë në New York zt Imer Mehaj, si dhe me stafin e mësimdhënëseve shqiptar në Plavë Guci gjegjësisht me prof.Fadil Ulaj.

Në emër të mësimdhënësve dhe nxënësve shqiptar të Plavë Gucisë prof.Fadil Ulaj falënderojë këtë shoqatë dhe stafin e saj të drejtuar nga znj. Lendita Hoxha për këtë kontribut të jashtëzakonshëm për vogëlushët tanë në vendlindje.(Esad Gjonbalaj)

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: Esad Gjon Balaj, Ndihma, Plave-Guci, Shoke Klase pergjithmone

NDRIÇIMI I SHUMË FIGURAVE DHE I RRETHANAVE HISTORIKE TË KRAHINËS SË PLAVË – GUCISË

April 13, 2015 by dgreca

Shkruan: Mikel GOJANI-Kline*/
Rexhep Dedushaj lindi në vitin 1948 në Vuthaj,nga një familje me tradita përparimtare dhe atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Vuthaj e Guci, ndërsa arsimin e mesëm dhe të lartë i kreu në Pejë, në Gjakovë dhe Prishtinë. Për shumë vite ka punuar arsimtar i lëndës së historisë në shumë shkolla të Rrafshit të Dukagjinit. I detyruar si shumë bashkëvendës të tij, për shkak të angazhimeve të tij u detyrua që të migrojë në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork, ku gjendet edhe tani. Arsyen pse pedagogu dhe veprimtari Dedushaj ka migruar në Amerikë e arsyeton edhe vetë, i cili me këtë rast shprehet: “ Shkaku pse unë jam në Amerikë është hapja e shkollës shqipe në Vitomirice, në “Malla Moskva ” – siç i thonin serbët. Në vitin 1982, kur ata mendonin për t’i mbyllur shkollat shqipe edhe në Prishtinë, unë i përkrahur nga udhëheqësia e Arsimit në Pejë, në krye me Sadik Ukellën, Xhevdet Bashën, Adem Kelmendin, Hajdar Mekaj etj., arritëm ta hapim shkollën shqipe aty. Vidna Rakoçeviq një antishqiptare e dëshmuar atëbotë m’u kërcënua me fjalët më të rënda. Pas vitit 1987 e dini si u zhvilluan ngjarjet dhe udhëheqesit e Arsimit komunal më kërkuan që të largohesha, sepse na paraqitej rreziku që të burgoseshim që të gjithë, prandaj u detyrova të braktis Kosovën dhe të migroj për në Amerikë. Detajisht lidhur me këtë kam shkruar edhe në librin “Si e gjeta dhe si e lashë shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës”, shton prof. Dedushaj.
Është mirë kur bëhet përpjekje për t’u ndriçuar çdo segment që përbën historinë e një populli
Edhe në Amerikë, Dedushaj dha një kontribut të çmuar, duke iu mundësuar fëmijëve të diasporës shqiptare në SHBA gjuhën e ëmbël shqipe dhe historinë e kombit. Ka botuar shumë artikuj dhe punime shkencore me temë historike në gazetat dhe revistat shqipe në Amerikë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Deri më tani ka botuar këta libra: “Krahina Plavë – Guci nëpër shekuj” 1993, (i përkthyer edhe në gjuhën boshnjake), “Shpërngulja e shqiptarëve të Plavë – Gucisë”, Nju Jork 1997, “100 – vjet luftë”, Nju Jork 1999, “Si e gjeta dhe si e lash shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës”, Nju Jork 2009, “Gjurmë mërgimtarësh”, Nju Jork 2009, “Çung Tahiri i Vuthajve”, Pejë 2013 dhe “Komandanti me plumb në trup”,Pejë 2014. Ka në dorëshkrim edhe shumë libra të tjerë. Në luftën për liri e çlirim kombëtar, u shquan luftëtarë e udhëheqës të sprovuar me trimërinë, burrërinë dhe idealizmin e të cilëve populli ynë i shumëvuajtur në shekuj, i mbanë të gjalla në kujtesën kolektive të tij dhe i përcjell brez pas brezi. Ata qenë me dhjetëra e qindra që dolën nga gjiri i këtij populli, nga “palca e kombit”, siç do të shprehej rilindësi i shquar Zef Jubani. Ata, me aktin, veprimtarinë e guximshme,me qëndresën dhe aktivitetin e tyre mahnitën epokën në të cilën jetuan,çuditën çdo strateg e kronist të kosës, u bënë sfidë shekujve. Këta luftëtarë të paepur dhe udhëheqës të shquar popullorë nuk ishin të vetmuar, por të lidhur me popullin që i lindi dhe i rriti. Një bir i tillë legjendar është edhe Çung Tahiri i Vuthajve, nga Vuthajt e Gucisë së Malit të Zi, por edhe shumë emra të tjerë që ndoqën rrugën e këtij atdhetari të shquar të kombit. Është mirë kur bëhet përpjekje për t’u ndriçuar çdo segment që përbën historinë e një populli. Është mirë kur kjo punë bëhet me zell, përkushtim dhe disiplinë intelektuale. Sidomos është e çmueshme kjo punë kur bëhet për ndonjë personalitet të shquar të jetës historike,për ndonjë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë,që për shkaqe ideologjike dhe shkaqe të tjera politike për aq kohë të gjatë ka qenë vlerësuar shtrembër. E kuptova kështu përpjekjen e autorit Rexhep Dedushaj për të ndriçuar personalitetin dhe veprimtaritë atdhetare të atdhetarit Çung Jahë Tahiri i Vuthajve, po edhe i disa të tjerëve, si Bajram Musa, Bajram Xhuku, Isuf Zymeri, Jahë Tahir Dedushaj, por edhe shumë emra të tjerë të brezit më të ri, si Smajl Isufi, dr. Isuf Isufi – Dedushaj, Naim Dedushaj, Jeton Idriz Dedushaj, e të tjerë. Janë këta emra të shquar të jetës historike, politike dhe shoqërore, që kanë lënë gjurmë nderi dhe krenarie për brezat që do të pasojnë. Krejt më qëllim të ndriçimit të jetës dhe veprimtarisë së këtyre figurave, autori Dedushaj ka shkruar këtë libër, si një vlerë e rëndësishme që këta emra dhe këto ngjarje që i ka përfshirë, të mos i mbulojë pluhuri i harresës as ndryshku i kohë.
Çung Tahiri i Vuthajve dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha
Në epiqendër të shqyrtimit, autori Dedushaj ka figurën e patriotit Çung Jahë Tahirit, i lindur më 1890 në katundin e Epërm, të Vuthajve, veprimtarie e të cilit është shumë e rëndësishme dhe me vlera dimensionale për kohën kur ka vepruar me qëllim të çlirimit të trojeve shqiptare. Sipas evokimeve që autori ka shfrytëzuar nga njerëzit që kanë njohur këtë trim malësor, guximi i tij i mahniste të gjithë. Sipas autorit Dedushaj, Çungu ishte ndër të parët që kishte shkuar në luftën e Grebenit në mbrojtje të Krahinës në tetor të vitit 1912, ku iu kishte plagosur rëndë xhaxhai i tij Smajl Isufi. Pastaj, sqaron autori, ky patriot kalon në mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët. Gjatë Jugosllavisë së parë të Karaxhorgjëve, shpeshherë kishte rënë në konflikt me xhandarët e Gjorgje Llashiqit, që vetëm në territorin e Vuthajve i kishin sajuar 9 kazerma ushtarake për ruajtjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, këtë kufi,të cilin nuk e kishte pranuar asnjëherë deri në vdekje. Në vitin 1920 ky patriot dhe luftëtar i denjë merr pjesë edhe në Luftën e Koplikut, në mbrojtje të Shqipërisë nga okupuesit jugosllavë. Në rrugën e tij jetësore ky patriot i shquar edhe në shumë lëvizje të tjera dëshmoi veten, me heroizmin dhe patriotizmin e tij. Për veprimtarinë e tij atdhetare dhe liridashëse, patrioti Çung Tahiri u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë – dr. Sali Berisha, me rastin e 80-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, me “Urdhër për veprimtari patriotike të klasit II”. Atdhetarizmin, guximin dhe luftën e paepur për çlirimin dhe lirinë e trojeve etnike shqiptare, që dëshmuan përpos Çung Jahë Tahirit, autori Dedushaj e prezanton në mënyrë shumë të thukët edhe për pinjollët të tjerë të kësaj dere më tradita patriotike dhe heroike, deri te brezi më i ri dhe shumë të tjerë që kanë qenë pjesë e këtyre lëvizjeve për çlirim kombëtar. Përpos pasqyrimit të këtyre figurave të shquara të historiografisë sonë kombëtare, autori Dedushaj, po ashtu nuk lënë anësh edhe ndriçimin e disa ngjarjeve të rëndësishme historike që kanë ndodhur në atë krahinë gjatë këtij rrugëtimi historik. Autori Dedushaj në vijim pasqyron ngjarjen e 18 korrikut 1951, kur pas prishjes së marrëdhënieve jugosllave – shqiptare, më 1948, sllavo-komunistët jugosllavë e rivendosën “Murin e Berlinit”në këtë kufirin shqiptaro-shqiptar. Me këtë rast, sqaron autori, çetat kaçake të përbërë nga patriot e atdhetarë të kësaj krahine, u vunë në lëvizje sërish dhe të cilët nuk iu dorëzuan okupatorit serbo-jugosllav. Por, edhe ata që ikën në Shqipëri pas atij viti e më parë, me të vetmin qëllim që ta bindin popullin që të mos i dorëzohet pushtuesit, të mos i mashtrojë doktrina e UDB-ës,që për moto e kishte parullën “përçajë e sundo”, d.m.th. të mos spiunojnë njëri – tjetrin, të mos vriten njëri me tjetrin, të mos pranojnë të shkojnë diversantë në Shqipëri – veprime këto tejet djallëzore dhe të rrezikshme, që i sajonte UDB-eja serbosllave pas vitit 1948. Pastaj, ishte një rezistencë e madhe për moslejimin e mbylljes së shkollave shqipe në Mal të Zi dhe të kërkojnë rihapjen e atyre që ishin mbyllur më parë, të mos lejojnë shpërnguljen masive të shqiptarëve nga kjo krahinë në Turqi dhe vendet tjera. Janë edhe të shumta ngjarje të tjera që gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur në këto pjesë të hapësirës sonë etnike. Autori Dedushaj, në mënyrë shumë kronologjike me këtë rast i prezanton edhe pasojat që ka përjetuar popullata e kësaj krahine pas ngjarjeve të 18 korrikut 1951. Një kapitull të veçantë autori Dedushaj i kushton luftëtarëve të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rinjve, Jeton Idriz Dedushaj dhe Ismet Avdi Dedushaj. Jetoni veproi në brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”. Ka marrë pjesë në të gjitha betejat që i ka zhvilluar kjo brigadë në Loxhë, Gllogjan, Prejlep, Maznik, Lumbardh, Jabllanicë (tani Dushkajë) etj., duke luftuar deri në flijimin e tij për lirinë e Kosovës,më 5 qershor 1999, në mes të fshatrave Dashinoc dhe Lumbardh të Deçanit,duke u përjetësuar. Një tjetër luftëtar i lirisë nga kjo familje që në kuadër të batalionit “Atlantiku” nga Amerika, ishte edhe i riu Ismet Avdi Dedushaj, i cili iu përgjigj zërit të atdheut dhe nga Amerika erdhi për të çliruar atdheun e tij, Kosovën. Sipas autorit Dedushaj, nga krahina e Plavës dhe Gucisë, batalionit “Atlantiku” nga Amerika iu bashkëngjiten edhe shumë luftëtarë të tjerë, si Haxhi Balidemaj, Cen Haxhaj, Sadri Mehaj, Ymer Kukaj, Brahim Selimaj, Kujtim e Xhemë Goçaj dhe Arben dhe Milot Buçaj.
Meditimet që ngërthejnë rëndësi shumëdimensionale
Një kapitull të veçantë autori Dedushaj e ka titulluar, “Meditime”, me ç’rast autori i shpalos disa opinione të tij me interes dimensional. Po potencojmë disa nga opinione e tij që autori Dedushaj i shpalos, si Vujanoviqi mashtrohet, Pse po diskriminohet Malësia e madhe, Pse po flijohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata nën Malin e Zi, 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë: Kontributi i Plavë – Gucisë në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Vuthajt në 100-vjetorin e Pavrësisë, Pse shqiptarët e Plavës e Gucisë nuk flasin shqip, Në kullën e Ali Demë Gecit të Llukës, Eshtrat në Previ kërkojnë drejtësi (100-vjet nga masakra e Privisë në krahinën martire të Plavë – Gucisë, ku malazezët vranë barbarisht 700 shqiptarë), Shkolla fillore Dardania e arsyetoi emrin e vet, Lufta për mbrojtjen e Plavë – Gucisë (1879-1880) dhe dilemat rreth saj, (Me rastin e 135-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) etj. Kështu, në përfundim lirisht mund të konstatojmë se libri dokumentar dhe historik “Çung Tahiri i Vuthajve”, i autorit Rexhep Dedushaj, është një libër e mirë për lexuesit, sepse autori nga njeh me shumë figura dhe ngjarje të rëndësishme historike nëpër disa periudha kohore, në krahinën e Plavë- Gucisë. Ky libër, po ashtu njëherësh edhe e pasuron fondin e librave tanë dokumentarë dhe historik, duke njoftuar lexuesit për shumë fakte dhe dëshmi të panjohura deri me tani edhe rreth këtyre figurave, po ashtu edhe shumë aspekteve dhe ngjarjeve të zhvilluara në këto pjesë të hapësirave etnike shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: figurat historike, Mikel Gojani, Plave-Guci, rexhep dedushaj

KOMUNITET- Grupi i qëllimit të mirë i sqaroi moskuptimet

March 10, 2015 by dgreca

Përfundimet nga mbledhja e Kryesisë së Fondacionit Plavë – Guci dhe Grupit aktiv nga komuniteti/

Më 7 mars 2015 , Kryesia e Fondacionit Plavë- Guci (FPG) mbajti një mbledhje të zgjeruar me 13 anëtarë aktiv të komunitetit. Mbledhja u organizua si rrjedhojë e fërkimeve ndërmjet anëtarëve të Kryesisë dhe organeve udhëheqëse të saj. Sidomos publikimi i disa shkrimeve në rrjetin social FB ndikoi negativisht në rrjedhën e punës normale dhe në imazhin e Fondacionit.
Kryesia e FPG me disa anëtarë të komunitetit u shqetësuan për këtë çështje dhe e panë të arsyeshme që kjo situatë nuk i shërben interesit të përgjithshëm dhe po qe se nuk ndërmerren masa konkrete, gjerat mund të marrin drejtim të padëshiruar.
Anëtarët aktivë të komunitetit të FPG u quajtën njëzëri Grupi i qëllimit të mirë. Ky Grup i dëgjoi të përfolurit dhe pas një analize të gjendjes aktuale dhe shqyrtimit të situatës mori vendim pa prezencën e anëtarëve të Kryesisë së FPG: 
1. Shuma e parave të përfolura nga FPG për Projektin ideor me tematikë shumë të ndjeshme mbi masakrën e Previsë, komuna e Plavës dhe Gucisë , është aprovuar në koncept si premtim, nga Kryesia e FPG.
Në mungesë të informimit të drejtë dhe kuptimit të fazave të procesit nga projekti ideor, në të shkruar e gjerë në ekzekutim e tij është bërë gabim procedural dhe është lëshuar çeku i premtuar. Ne të gjithë njëzëri u pajtuam dhe morëm vendim se këtu nuk ka keqpërdorim të parave, nuk ka fajtor as akuzues individual, por fajin e ka e gjithë Kryesia e FPG dhe të gjithë mbajnë përgjegjësi të njëjtë.
U vendos që çeku i lëshuar të kërkohet mbrapa, sepse nuk është dërguar Projekti dhe nuk është arsyetuar me shkrim. Nëse nuk kthehet çeku, atëherë Kryesia e FPG duhet t’i përcjellë zhvillimet e këtij Projekti praktikisht dhe sa do i shërbej realitetit të një historie të anatemuar deri me sot. Po që se konstatohet se Projekti në fjalë nuk i shërben të vërtetës për zbardhjen e gjenocidit malazez mbi popullsinë, atëherë shumicë shqiptare dhe boshnjake, i mbetet Kryesisë së re të distancohet publikisht nga Projekti i premtuar.
2. Shkrimet e publikuara në rrjetin social FB nga tre anëtarë të Kryesisë të fshihen menjëherë.
3. Anëtarët e përfolur të Kryesisë dhe të gjithë të pranishmit t’ia shtrijnë dorën njëri tjetri si shokë, vëllezër dhe veprimtarë të mirë.
4. Raporti i punës dy vjeçare të FPG të shkruhet, shqyrtohet dhe të aprovohet në Kryesi.
5. Menaxhimi zyrtar i rrjetit social FB dhe mediumeve tjera të bëhet nga grupi i zgjedhur prej tre vetash – Admin.
6. Vendimet nga kjo mbledhje u aprovuan njëzëri dhe u nënshkruan nga të gjithë anëtarët e Kryesisë së FPG dhe Grupit të qëllimit të mirë.
Ju dëshirojmë punë të mbarë!
Fondacioni Plavë Guci
P. O . Box 670923 Van Cott Station
Bronx NY 10467
914-439-5798

Filed Under: Komunitet Tagged With: deklarate, Fondacioni, Plave-Guci

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT