• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fjalimi i fundit madhështor i Gjergj Kastritotit

August 4, 2016 by dgreca

Nga Aurenc Bebja, Francë*/

Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannovich, me titullin « Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire ». Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J.J.Kesler, Frankfurt. Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve. Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti :

« Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni. Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…

Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtruesë dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtytëve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe lluksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga minisitrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysëm veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…

 

Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe rracës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…

Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të pergjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…

 

Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

 

Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhëtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhërin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënjen e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëheqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë

Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhuesë ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i feshu mbretit pafajsinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqinj. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.

Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni lulftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit ».

Burimi : Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Fjalimi i fundit madhështor, i Gjergj Kastritotit

Kosovë-Hetohet përmbajtja e përgjimeve

August 4, 2016 by dgreca

-Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, priti në takim kryeprokurorin e EULEX-it Claudio Pala/ Prishtinë, 4 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, kryeprokuroi i Shtetit, Aleksandër Lumezi, priti sot në një takim pune kryeprokurorin e EULEX-it, Claudio Pala.

Pas këtij takimi, kryeprokurori i EULEX-it z. Pala e ka ngarkuar prokurorin përgjegjës për rastin e ashtuquajtur të MTPT-së (Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit) për të bërë një vlerësim të përmbajtjes së telekomunikimeve të përgjuara, për të gjetur nëse ekziston ose jo dyshimi i bazuar për inicimin e hetimit për pohimet e përmbajtura që dallojnë nga ato për të cilat tashmë është marrë vendimi për ndërprerjen e hetimit.
Raporti mbi këtë vlerësim do t’i dorëzohet kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi.
Më pas varësisht nga informatat e pranuara nga prokurori ndërkombëtar i çëshjtes, nëse nuk është bërë hetimi i atyre telekomunikimeve, nga kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, do të krijohet një ekipë e prokurorëve nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të cilët do të verifikojnë dhe analizojnë përmbajtjen e telekomunikimeve në mënyrë që të arrihet përfundimi se a ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale, të kryera nga subjektet e përgjuara, të cilat mund të ndiqen penalisht.
 Nëse do të gjenden elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, të cilat do të mund të ndiqen penalisht, prokuroria do t’i filloj hetimet për ato vepra penale, pavarësisht se nga kush mund të jenë kryer./b.j/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Aleksandër Lumezi, Claudio Pala, Hetohet përmbajtja e përgjimeve

Presidenti Nishani: Konsensusi, garanci për ndryshime afatgjata kushtetuese

August 4, 2016 by dgreca

Tirane, 4 Gusht 2016- Presidenti Bujar Nishani ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku në fokus të saj kishte krijimin e institucioneve të reja të reformës në drejtësi.“Kjo është një çështje me rëndësi kombëtare e përmasave kushtetuese, ndaj mendova të ndaj me opinionin publik qëndrimin tim në këtë ditë gushti. Mes shumë institucioneve që krijohen për reformën, është edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që ngarkon Presidentin për zgjedhjen përmes shortit të anëtarëve. Neni përkatës kërkon përzgjedhjen brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese të 11 gushtit”, tha Nishani.

Sipas tij, ka një shqetësim serioz sepse neni 149 i Kushtetuës përcakton në pikën 5 të tij kriteret për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short sipas ligjit përkatës, por ndërkohë ligji nuk është miratuar ende nga Kuvendi.

“Pra, ndodhemi në një situatë ku Kushtetuta na kërkon zgjedhjet brenda 5 ditëve dhe po Kushtetuta kërkon përcaktimin e kritereve nga ligji, ndërkohë që nuk e kemi një ligj të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo më vendos në një situatë kontradiktore”, tha Nishani para gazetarëve.

Ai deklaroi gjithashtu se ka vendosur një kontakt zyrtar me Kuvendin, të cilit i ka bërë me dije këtë përplasje dhe se pret të konsultohet të martën me përfaqësues të grupeve parlamentare.

“Kam një korrespondencë në kontekstin administrativ me Kuvendin dhe ftoj për një takim konsultativ përfaqësues nga grupet parlamentare ditën e martë të javës që vjen”, shtoi Nishani.

Ndërkaq, Presidenti e quajti një garanci të madhe faktin që votimi i ndryshimeve konsensuale ishte miratuar me konsensus të plotë.

Filed Under: Komente Tagged With: Garancii per ndryshime, konsensusi, Kushettuse, presidenti Nishani

Trumpi dhe Putini ç′qëndron pas lidhjes mes tyre?

August 4, 2016 by dgreca

Nga Martin Ganslmeier/  Deutsche Welle/

Trumpi sheh tek Putini një person me ide të njëjta dhe Putini do të gëzohej nëse ai do të zgjidhej në Shtëpinë e Bardhë./

Mediat amerikane flasin prej disa kohësh për një “bro-mance” të burrave të fortë Donald Trump dhe Vladimir Putin. Përkthimi i “bro-mance” do të ishte “romancë vëllazërore”, por kjo nuk i përshtatet tamam situatës – sepse më tepër mund të flitet për një lidhje reciproke shpirtërore mes kandidatit të republikanëve për president të SHBA-së dhe presidentit rus. Në këtë mes nuk është madje as qartë nëse ata të dy janë takuar ndonjëherë me njëri-tjetrin. Të hënën Donald Trump tha: “Unë nuk e kam takuar Putinin kurrë dhe nuk e njoh atë. Ai ka thënë një gjë të bukur tha për mua: që unë jam një gjeni. Kaq. Unë nuk e kam takuar kurrë atë”.

Por në intervista të mëparshme, Trumpi ka pohuar të kundërtën: “Po, jam në kontakt me Putinin! Dhe mund t’ju them, se Putini është shumë i interesuar për atë që do t’ju them në këtë intervistë.”

Kjo ishte nga fundi i vitit 2013, pra vetëm dy vjet e gjysmë më parë. Në fundjavë, kanali amerikan ABC e ballafaqoi Trumpin me deklaratat e tij kontradiktore.

Trump: “Unë nuk besoj se kam takuar ndonjëherë Putinin.”

Moderatori: “Por ju duhet ta dini në qoftë se e keni takuar!”

Trump: “Po, ashtu mendoj dhe unë.”

A kemi të bëjmë me një humbje të hershme kujtese të një 70-vjeçari? Apo mos vallë Trumpi do papritur të fshehë diçka? Shumë gazetarë kanë hulumtuar tashmë për këtë dhe nuk kanë gjetur, të paktën të dokumentuar, ndonjë informacion për ndonjë takim mes Trumpit dhe Putinit. Kur Trumpi organizoi tre vjet më parë në Moskë konkursin e bukurisë “Miss Universe”, ai donte patjetër që Putini të vinte si i ftuar nderit. Por Putini nuk shkoi.

Të tjerë gazetarë supozojnë se Trumpi ka marrëdhënie biznesi me oligarkë rusë dhe fiton para nga Rusia. Këto spekulime Trumpi i ushqen vetë, sepse refuzon të bëjë publike deklaratat e tij të taksave. Po ashtu edhe planet për të ndërtuar në Moskë një “Trump Tower” dhe “Trump Hotel” kanë dështuar.

Adhurimi i ndërsjellë mes Trumpit dhe Putinit është më shumë një çështje tipi, mendon Michael O’Hanlon, ekspert për politikën e jashtme pranë Institutit Brookings: “Është shqetësues fakti që Trumpi sheh tek Putini një person me ide të njëjta. Sipas motos: ne vendet e forta ndajmë botën. Putini mund ta mbajë sferën e tij të influencës, për sa kohë na lë ne rehat në tonën.”

Por a mjafton afërsia shpirtërore e dy alfa-meshkujve për të shpjeguar pse deklaratat e Trumpit për politikën e jashtme shpesh të tingëllojë sikur t’ia ketë thënë Putini me telefon?

NATO ka mbijetuar, thotë për shembull Trumpi. Por nëse vendet baltike do të mbrohen nga SHBA, kjo varet nga fakti nëse ato paguanë mjaftueshëm. Po ashtu në fundjavë Trumpi tha se si president ai mund ta imagjinonte edhe njohjen zyrtare të aneksimit rus të Krimesë: “Unë do ta shoj me kujdes këtë çështje. Por sipas atyre që kam dëgjuar njerëzit në Krime preferojnë të jenë pjesë e Rusisë.”

Me këtë përshtatet edhe fakti se delegatët e Trumpit në takim të partisë arritën që kërkesa për më shumë furnizimet armë për Ukrainën të hiqet nga programi i partisë së republikanëve.

Trump i ka përmbysur brenda një kohe të shkurtër parimet prej dekadash të republikanëve: nacionalizëm në vend të internacionalizmit. Proteksionizëm në vend të tregtisë së lirë. “SHBA-ja në plan të parë” në vend të angazhimit për mbrojtjen e anëtarëve të tjerë të NATO-s. Paraardhësi i Trupit si kandidat për president, Mitt Romney, e quante Rusinë madje si “armikun gjeopolitik numër një” të Amerikës. Nuk është çudi që Putin do të gëzohej nëse Trumpi do të zgjidhej në Shtëpinë e Bardhë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Deutsche Welle, mes tyre?, pas lidhjes, Trumpi dhe Putini ç′qëndron

Shqiptari Genti Daku, me medalje ari në SHBA

August 4, 2016 by dgreca

Quhet Genti Daku. Është biri i dy emigrantëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ia ka dalë të shkëlqejë duke përfunduar maturën me medalje ari dhe duke u renditur në 160 më të mirët e SHBA-ve.

Genti Daku është 17 vjeç dhe në vjeshtë do të fillojë studimet në Harvard, ndërkohë në dy verërat e fundit, ka kontribuar në Shqipëri, duke mbledhur fonde që fëmijët të mësojnë anglisht në një kamp veror në Radomirë të Dibrës.

Rasti i Gentit ka nisur të shpërndahet në rrjetet sociale, si shembull i suksesit dhe model për bashkëmoshatarët e tij.(KJ)

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: me medalje ari, ne SHBA, Shqiptari Genti Daku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2590
  • 2591
  • 2592
  • 2593
  • 2594
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT