• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SUZANNA SHKRELI NISË FUSHATËN PËR NË KONGRESIN AMERIKAN

July 7, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Më në fund është zyrtare!  Ndihmës Prokurorja shqiptaro-amerikane në shtetin Miçigan (SHBA), 29-vjeçarja Suzanna Shkreli është kandidatja e re e Partisë Demokrate në rajonin elektoral ose në distriktin numër 8 të Kongresit amerikan.   Ajo zevëndëson kandidaten e parë të Partisë Demokrate, Melissa Gilbert e cila njoftoi kohët e fundit se, për arsye shëndetsore, u tërhoq nga gara për në Kongresin amerikan.  (Për arsye etike, më duhet të rrëfej që nga fillimi se Suzanna është vajza e një kushëririt tim, jo të largët, me të cilin jemi rritur në katundin Amull, afër Ulqinit).

Ndihmës prokurorja shqiptaro-amerikane dhe kandidatja e Partisë Demokrate, në garën e saj për të përfaqësuar votuesit në distriktin numër 8 do të përballet me kandidatin e Partisë Republikane, kongresistin Mike Bishop.  Nuk do të jetë e lehtë gara politike për Suzana Shkrelin      sidomos kur të merret parasyshë fakti se kjo është fushata politike e parë e saj, për një detyrë të lartë, në një proces mjaft të ndërlikuar, ndërkohë që do të zhvillojë një garë ndaj një kundërshtari republikan me përvojë politike.  Duke shpjeguar arsyen se pse ka vendosur t’i përgjigjej ftesës së Partisë Demokrate për të kandiduar për në Kongresin amerikan, Suzana Shkreli thotë në faqen zyrtare të fushatës së saj se: “Si prokurore, unë përballem çdo ditë me sfida serioze dhe në Gjykatë jam dëshmitare e dështimeve dhe mos aftësisë të Kongresit për tu marrë me nevojat bazë të familjeve amerikane, për çështje siç janë krijimi i punëve me paga të mira, shkollimi me kushte të volitshme financimi dhe sigurimi i pensioneve të sigurta për të moshuarit.  Ne përballemi me sfida të forta dhe serioze në shtetin Miçigan dhe si amerikane e brezit të parë me origjinë shqiptare”, theksoi zonjusha Shkreli, “jam përballur vet me shumë sfida e vështirsi në jetën time të përditshme.  Si e tillë, nuk mund të rrijë duarkryq dhe nuk dëshiroj të lejojmë një Kongres të vazhdojë të mos funksionojë si duhet ndërkohë që vazhdon të mos përfilli dhe të mos jetë i interesuar për nevojat bazë të familjeve punëtore të shtetit Miçigan.  Kjo është arsyeja që po kandidoj për në Kongresin amerikan”, nënvijoi shqiptaro-amerikanja, Suzanna Shkreli.  Ajo vazhdoi duke thënë se si, “Prokurore në Sektorin e Mbrojtjes së Fëmijve, të zonës Macomb të shtetit Miçigan, unë çdo ditë përballem me sfida dhe marrje vendimesh për të mbrojtur fëmijtë nga abuzimet seksuale dhe nga dhuna”.  Duke iu referuar kundërshtarit të saj republikan, kandidatja demokrate tha se, “Mike Bishop dhe Kongresi i tanishëm refuzojnë të përballen me këto sfida dhe nuk merren seriozisht me asnjë zgjidhje të problemeve”.

Në deklaratën e saj, duke njoftuar kandidaturën e saj për në Kongresin amerikan, Shkreli u shpreh se prindërit e saj, Zefi dhe Maria, “Janë imigrantë shqiptarë të cilët ç’prej ardhjes së tyre në Amerikë kanë punuar rëndë për të bërë të mundur shkollimin e lartë për mua, për vëllëzërit e mi dhe për motrën time”.  Suzanna vet ka lindur dhe është rritur e shkolluar në Miçigan.  Ajo u jep kredi prindërve të saj për inkurajimin që i kanë dhënë për të siguruar një shkollim të lartë duke u thënë fëmijve të vet vazhdimisht se arsimi i përgjithshëm është jetik për zhvillimin e tyre personal dhe profesional.   Kjo është arsyeja, theksoi ajo, se pse kam vendosur t’ia kushtoj karierën time mbështetjes ndaj brezit të ardhëshëm, për të siguruar që edhe ata të kenë të njëjtat mundësi që kisha unë.”  Për sukseset e saja ajo shprehet se i është mirënjohëse familjes dhe thotë se përveç ndihmesës për familjen e saj, ajo shpreson që t’ia kushtojë gjithë karierën e saj mbështetjes së interesave të publikut.   Suzanna Shkreli është mbrojtëse e fortë e të drejtave të viktimave të krimeve në këtë vend, ndërsa edhe jashtë vendit ka përfqësuar Departmentin Amerikan të Drejtësisë në trajnimin e pjesëtarve të enteve ligjore dhe policore të vendeve të ndryshme për të mbrojtur viktimat e krimit. Kohët e fundit ajo ishte dërguar edhe në Shqipëri nga Ministria Amerikane e Drejtësisë me të njëjtin mision.

Një prej arritjeve të Suzana Shkrelit, jashtë punës së përditshme si prokurore për të cilën ajo ndihet krenare, është roli që ajo ka luajtur në themelimin e Shoqatës së Avoketënve Shqiptaro-Amerikanë të shtetit të Miçiganit (Albanian-American Bar Association of Michigan).   Misioni i kësaj shoqate — e njohur zyrtarisht nga shteti — është që t’i shërbejë komunitetit shqiptar dhe që anëtarët e sajë të ushtrojnë avokatinë si një grup i bashkuar etnik, kulturor dhe profesional, duke u dhënë mundësi shqiptarëve që të punojnë së bashku për përmirësimin e jetesës së tyre dhe për të mirën e komunitetit në përgjithësi.

Duke njoftuar fillimin e fushatës për në Kongresin amerikan, Suzana Shkreli deklaroi se, “Jam gati” për fushatën, e ndërgjegjëshme për punën e rëndë që kërkon një fushatë e tillë politike, shpesh brutale këtu në Amerikë dhe njëkohsisht e vetdijshme për sfidat dhe problemet me të cilat do të përballet në fushatën që e pret, në javët dhe muajt e ardhëshëm.

Fitorja e Suzanna Shkrelit nuk do të jetë e lehtë.  Nuk do të jetë kollaj për Suzanën të fitojë kundrejt një kundërshtari republikan me përvojë, por ky vit zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara është si asnjë tjetër më parë, me supriza si ato që shohim në nivelin e fushatës për president të Shteteve të Bashkuara.  Çdo gjë e është e mundur.

Fitorja e saj do varet kryesisht nga zhvillimi i një fushate intensive dhe të gjithëanshme nga ana e saj, nga programi që ajo do shpalosë si pjesë e fushatës së saj si dhe nga aftësitë e saja politike për të bindur votuesit e atij distrikti elektoral se ajo është personi më i mire dhe më i përgatitur që duhet t’i përfaqësojë ata dhe të mbrojë interesat e tyre në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.  Për realizimin e fitores, Shkreli ka nevojë mbi të gjitha, që pikësëpari të sigurojë mbështetjen e pa kursyeshme të Partisë Demokratike që ajo përfaqëson, por edhe të mund të llogarit ndihmën dhe përkrahjen e fortë të komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.

Më në fund, pasi të jenë bërë të gjitha përpjekjet për një fushatë të suksesshme dhe pasi tu jenë komunikuar zgjedhësve të gjitha programet dhe idetë politike të Suzana Shkrelit, për tu abzorbuar nga votuesit para zgjedhjeve të përgjithshme në nëntor, më në fund fati i kandidaturës së saj është në dorë të zgjedhësve. Votuesit janë sovrani, ata e kanë fjalën e fundit.  Por, cilido që të jetë rezultati përfundimtar, është pozitiv fakti që kandidatura e Suzanna Shkrelit për në Kongresin amerikan ka tërhequr vëmendjen e medias amerikane, të asaj shqiptaro-amerikane por edhe medias në trojet shqiptare.  Si gjithmonë, është e rëndësishme për komunitetin e vogël shqiptaro-amerikan, në krahasim me grupe më të mëdha etnike në këtë vend, që brezi i ri i shqiptaro-amerikanëve që përfaqsohet nga persona të nivelit si Suzzana Shkreli, të tregojnë se janë të gatëshëm të sakrifikojnë duke kandiduar për poste të ndryshme politike, nga më të vogëlat në nivele vendore e shtetërore e deri në më të mëdhatë të nivelit federal, duke zhvilluar një fushatë bindëse dhe të ndershme.

Shpresoj që kandidatura e Suzana Shkrelit për tu bërë anëtare e Kongresit amerikan tregon pjekurinë dhe vendosmërinë e komunitetit tonë shqiptaro-amerikan, se ky komunitet është i denjë dhe i gatëshëm të marrë pjesë aktive në procesin politik amerikan, këmbë për këmbë me grupe të tjera.  Kandidatura e Suzanna Shkrelit përbën gjithashtu edhe një zhvillim historik të angazhimit serioz politik të komunitetit shqiptaro-amerikan, pasi mesa dihet, kjo duhet të jetë kandidatura e parë e një femëre shqiptaro-amerikane që synon një post në Kongresin amerikan.  Natyrisht, ne i urojmë sukses në fushatë dhe shpresojmë në fitoren përfundimtare të Suzannës, por cilido qoftë rezultati në nëntor, komuniteti shqiptaro-amerikan është krenar me historitë e deritanishme të suksesit të këtij brezi përfaqsuese e të cilit është edhe Suzana Shkreli.

 Suzanna Shkreli for Congress

 “Congress won’t take on the tough fights. I will.”

 Ne Foto: Suzanna Shkreli, kandidatja e Partisë Demokratike (SHBA) për zonën numër 8 të Kongresit amerikan të shtetit Miçigan.

 

 

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, FUSHATËN PËR NË, kongresin Amerikan, SUZANNA SHKRELI NISË

NATO dhe Europa Lindore: Mes bashkëpunimit dhe Brexit

July 7, 2016 by dgreca

Ne Foto:Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg/

 Në samitin e NATO-s në Varshavë priten vendime të rëndësishme për sigurinë e partnerëve lindorë. Edhe referendumi britanik do të jetë një temë e rëndësishme e axhendës.

Nga Robert Schwartz/

Në kohën e diktaturës dhe Paktit të Varshavës qarkullonte në Rumani një fjalë mjaft popullore: Nga të gjithë fqinjët e vendit vetëm Deti i Zi është më besniku. Tani duket se edhe kjo ka ndryshuar. Aneksimi i Krimesë nga Moska dhe lufta në Lindje të Ukrainës kanë shqetësuar Europën Lindore e Juglindore. Rumania ndjehet sidomos e kërcënuar dhe synon të marrë premtime zyrtare për përforcimin e krahut juglindor, ashtu si në Poloni dhe vendet e Balltikut. Në Bukuresht dëgjohet shpesh, se Deti i Zi është prej kohësh “det rus”.

NATO e merr seriozisht nevojën për më shumë siguri të shteteve europiano-lindore. Këtë e tregon edhe prezenca e rreth 4.000 ushtarëve në Balltik dhe Poloni. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në samitin e Varshavës do të merren “vendime të prera sipas nevojës së rajonit juglindor”. Psh, në samit pritet të merret vendimi për krijimin e brigade shumëkombëshe në Rumani dhe vendosjen nën kompetencën e NATO-s të sistemit amerikan të mbrojtjes antiraketore në jugun rumun.

Heinrich Brauss, gjeneral gjerman, një nga të atashuarit tek Sekretari i Përgjithshëm, përgjegjës për politikën e mbrojtjes dhe planifikimit të trupave në shtabin qendror në bisedë me Deutsche Wellen e vlerëson politikën e NATOs- në krahun lindor si “një strategji kërcënimi, të cilën ne në zhargonin e NATO-s e quajmë të orientuar drejt 360 gradë. Pra edhe në Lindje, në jug, edhe në juglindje.” Sipas Brauss është e qartë që hapësira e Detit Balltik është e një rëndësie të veçantë, dhe se Deti i Zi nuk duhet dhe nuk mund të bëhet një det i dominuar nga rusët.

Katarzyna Kubiak dhe Wolfgang Richter, ekspertë për çështjet e sigurisë në fondacionin gjerman “Shkenca dhe Politika”, kanë theksuar në intervistë me Deutsche Wellen se “nuk mund të përjashtojmë që përgatitjet për vendosjen e sistemit antiraketor në Poloni dhe Rumani perceptohen në Rusi dhe vendet e stacionimit brenda kontekstit të masave për sigurimin e partnerëve lindorë të NATO-s.” Nëse nga samiti i Varshavës del një sinjal i armatimit dhe marshimit të trupave në Balltik, kështu mund të pritet një lloj rimilitarizimi i kufijve mës NATO-s e Rusisë, apo Bjellorusisë, thonë ekspertët.

Polen, NATO-Übung in WarschauTrajnim në Varshavë

Drejtuesi i Konferencës së Sigurisë në Mynih, Wolfgang Ischinger në një takim me shtypin e huaj në Berlin e mbrojti strategjinë e NATO-s në Europën Lindore. Situata e kërcënimit për partnerët lindorë -përmes ngjarjeve në Ukrainë dhe në rajon nuk është krijuar nga NATO. Por nga ana e Moskës po punohet me “argumente propagandistikë të fuqishëm”. NATO ka reaguar “e përmbajtur” ndaj nevojës për siguri të partnerëve lindorë. Sipas Ischinger katër batalionet në Poloni dhe Balltik nuk janë në kundërshtim me dokumentin themeltar NATO-Rusi. Edhe nga Rusia ai pret të njëjtën vetëpërmbajtje. “Rusia nuk duhet të reagojë në mënyrë të ekzagjeruar ndaj karakterit të përmbajtur të masave që ka marrë NATO dhe të vërë në lëvizje spiralen e armatimit.” Varet nga Rusia të pranojë ofertën e bashkëpunimit me aleancën.

Një temë tjetër që do të preokupojë samitin e NATO-s në Varshavë. Krahas vendimeve të parathëna si “historike”, pritet edhe një sinjal i qartë i Britanisë së Madhe pas Brexit. Jo vetëm europianolindorët tremben se dalja e Britanisë së Madhe nga BE e dobëson pozicionin e NATO-s në Lindje. Londra nuk duhet të izolohet dhe do të ishte mirë të mos hiqte dorë nga roli i saj esencial në NATO.(Kortezi: DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Brexit, NATO dhe Europa Lindore: Mes bashkëpunimit

PE miraton: Të hiqen vizat me Kosovën

July 7, 2016 by dgreca

Raportuesja për Kosovën, Ulirike Lunaçek, në një postim në rrjetin social ‘Twitte’, ka njoftuar se Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, ka miratuar propozimin për liberalizim të vizave për Kosovën.

Lunaçek ka shkruar gjithashtu se ndihet e lumtur për miratimin e propozimit për Kosovën nga Komiteti për Politikë të Jashtme i PE-së.

“E gëzuar për miratimin e propozimit për Kosovën nga Komiteti për Politikë të Jashtme i PE-së. Tani politikanët kosovarë duhet të veprojnë”, ka shkruar Lunaçek.

Filed Under: Rajon Tagged With: me Kosovën, PE:Të hiqen vizat

Lu, letër deputetëve: Votoni reformën në drejtësi

July 7, 2016 by dgreca

Ambasadori amerikan, Donald Lu u ka dërguar një letër deputetëve për reformën në drejtësi, përmes së cilës u kërkon atyre kërkon miratimin e saj.

“Është koha për të marrë një vendim, udhëheqësit të gjejnë një kompromis që të mbështet nga opozita dhe mazhoranca”, apelohet nga ambasadori Lu në këtë letër.

Duke shtuar se orojekti i 14 qershorit i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi i përmbush plotësisht standardet e Komisionit të Venecias dhe standardet evropiane.

Diplomati amerikan shpjegon më tej edhe se përse ndërkombëtarët kanë kundërshtuar vendet e rezervuara.

“SHBA dhe BE i kanë kundërshtuar vendet e rezervuara sepse kjo formulë do të etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të vetingut si pro qeverisë ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqësor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vendeve të rezervuara do e minonte këtë besim”, sqaron ai.

Në fund, Lu bën sërish thirrje për negociata në kërkim të kompromisit. Megjithatë e ka një paralajmërim.

“Megjithatë, nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën. SHBA besojnë se kjo reformë është jetike për të ardhmen e vendit tuaj. Ju bëjmë thirrje që më 21 korrik të votoni pro reformës në drejtësi”, konkludon ambasadori amerikan.

Filed Under: Editorial Tagged With: ambasadori amerikan Lu, Leter deputeteve

Këngëtarët shqiptarë zbarkojnë në Europë pasi në Shqipëri nuk ka treg

July 7, 2016 by dgreca

Personazh/Një intervistë ekskluzive me muzikantin, këngëtarin, artistin e talentuar, Shenol Amet /

-Ka këngëtare shumë të mira, por ka që nuk kanë zë, por bukuri/

-Mëkat është tradhtia edhe gjithçka që është e jashtëligjshme /

Nga Hermes Nikaj /*

Shenol lindi në qytetin e Shkupit dhe filloi të merrej me muzikë qysh në moshën 10-vjeçare. Më pas u angazhua me festivalet e fëmijëve, ku kuptoi se muzika ishte gjithçka për të dhe një pasion i lindur. Shenol Amet, artisti i kërkuar i diasporës ka marrë pjesë në aktivitete të shumta si muzikant e këngëtar duke performuar live për shqiptarët kudo në botë (Turqi, Austri, Gjermani etj). Në moshën 20-vjeçare formon edhe një bend muzikor, duke u bërë pjesë e shumë dasmave dhe gëzimeve të ndryshme familjare. 36-vjeçari vjen në një intervistë ekskluzive për lexuesit tanë, duke treguar sekretin e suksesit, lidhjen me diasporën dhe jetën e tij private.

-Shenol, një prezantim për lexuesin dhe për ne, do donim të dinim diçka më shumë rreth jush dhe punës që bëni?

Përshëndetje të gjithëve ju lexues, unë quhem Shenol dhe vij nga qyteti i Shkupit. Me profesion jam muzikant e këngëtar. Të tjerat jua tregoj më poshtë (qesh)

-Në Zvicër dhe Gjermani, a vijnë shumë këngëtare shqiptare?

-Po vijnë. Madje rregullisht. Kjo për arsye se tregu shqiptarë nuk e përballon atë shumicë këngëtaresh. Shumë prej tyre kanë zë të bukur dhe me të vërtetë performojnë art. Por ka edhe nga ato që nuk kanë zë por janë vetëm të bukura. Realitet i pranueshëm.

-Fillimisht jeni njohur si instrumentist, më pas këngëtar. Ky quhet guxim? 

Po, është e vërtetë. Fillimet e mia kanë qenë si instrumentist dhe më pas fillova edhe të këndoj, një ndërthurje e cila u përshtat tek unë.

-Cili është sekreti i suksesit tuaj?

Në fakt nuk di të kem një të tillë… Por mund t’ju them se një mashkull në karrierë është një mashkull i kompletuar dhe të jesh vetvetja

-Publiku është ai që kërkon emocion dhe argëtim… Po artisti çfarë kërkon, ju konkretisht? 

Ti pëlqejë muzika që unë bëj dhe duartrokitja, kaq më mjafton dhe vlerësohem pafund.

-Si e shikon jetën tënde profesionale në këtë moment të saj?

Deri tani shumë mirë, por gjërat e mira vijnë avash-avash. Jam i kënaqur me gjërat që i arrij me forcat e mia.

 -Jeta private, si shkon? 

Shkon shumë mirë.

-Ke ndonjë këshillë për ata që duan t’i futen muzikës? 

Duhet punë, përkushtim, taktikë dhe shumë vullnet.

-Çfarë quani mëkat? 

Tradhtia edhe gjithçka që është e jashtëligjshme

-Një mashkull i kuruar estetikisht, jam kurioz të di si e mbani trupin në formë?

Po, më pëlqen të kurohem dhe të ndjek trendet e fundit të modës. E mbaj trupin në formë sepse konsumoj shumë lëngje, fruta dhe fitness.

-Çfarë do përcillni këtë herë për fansat dhe lexuesit e gazetës?

Ju them se Shenol ju do shumë të gjithëve. Ju uroj një verë të mbarë, ushqehuni shëndetshëm dhe dëgjoni muzikë të mirë.

* E dergoi per Diellin: Alber Zholi

Filed Under: Interviste Tagged With: kengetaret shqiptare, Shenol Amet, zbarkimi ne Evrope

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2668
  • 2669
  • 2670
  • 2671
  • 2672
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT