• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRËFIM PËR MOSHËN E ËNDRRËS

July 7, 2016 by dgreca

Iliriana Sulkuqi “Qirinjtë e Galaktikës”, poezi/

NGA PËLLUMB GORICA/

Çdokush lexon dhe përzgjedh letërsi sipas shijes së tij individuale. Kjo ndodh edhe me mua. Një ditë të zhveshur nga mendimet nxora nga rafti i librave të bibliotekës sime librin me poezi “Qirinjtë e Galaktikës”, të poeteshës elbasanase Iliriana Sulkuqi, që jeton tashmë mes Amerikës e Shqipërisë. Iliriana është një nga më të lakuarat e poezisë shqiptare me veçori të stilit, të cilat burojnë nga temperamenti i saj, talenti e pjekuria artistike. Ajo është poetja me një botë të shumëllojtë gjërash, që rrezatojnë aq shumë fisnikëri njerëzore, këngë nëne dhe gruaje të emancipuar. Në krijimtarinë e saj, vizaton me dorë të lirë marrëdhëniet e brishta njerëzore ku sundon malli e regëtin dashuria.

“Qirinjtë e Galaktikës” është një titull që tregon se poetja nuk është vetëm një det ndjenjash që konkurrojnë në udhët e ndritura të galaktikës, por edhe shumë e guximshme për t’u ndeshur me një realitet misterioz, dhe për të nxjerrë aty temën e poezisë që dëshiron. Ndaj asaj nuk i ka ngelur peng që, dashuria se bëri mal të ishte maja: “S’më bëri diell, të isha rrezja/ S’më bëri det të nisja dallgët”.

Kush janë qirinjtë e galaktikës, që Iliriana Sulkuqi në këtë vëllim poetik mundohet t’u kapë ndriçimin e të spërkasë ndjenjat dhe mendimet e të gjithë atyre që duan të jetojnë e të ndryshojnë jetën? Pak dritë për të gjithë. Yjet e shumtë të galaktikës ajo i ka shndërruar në qirinj, të cilët i mban të gjithë në duart e saj dhe kërkon me çdo kusht të ndriçojë errësirën, të zbardhë zemrat, të ngrejë lavdi heronjsh, të hapë varre të ndershëm njerëzish. Drita e qirinjve duhet të depërtojë thellë deri tek madhështia e gruas dhe besimi i njerëzve te Zoti, ndaj Iliriana deklaron se: “Rrënjët vijnë era tokë/ Kurse toka erë grua/ Por “se beson Zotin, ti vjedhë lotin.”

Poezia e Iliriana Sulkuqit është gëzimi dhe brenga, blerimi dhe thatësira, jeta dhe vdekja, njerëzorja dhe antinjerëzorja. Fluturon mbi krahë ëndrrash në thellësi horizontesh dhe kur duket se nuk ka më rikthim ajo shpejt zgjat dorën dhe kap një brengë nëne ose bisedon me një pemë dhe çuditet se si ajo ruan virgjërinë në këtë kohë të trazuar. Ajo futet në arsyetime filozofike, udhëton në shtigje të panjohura galaktikash pa u shkëputur asnjë çast nga realiteti i përditshëm, dhe nuk harron se mbi të gjitha është njeriu që i jep kuptim jetës e vdekjes. Aty ajo gjen edhe ferrin edhe parajsën, zbulon përditë në origjinën mistike të prejardhjes së njeriut, gabimin e Evës ndaj superioritetit mashkullor të Adamit, dhe ndeshjen e madhështisë midis dritës e errësirës, që kanë qenë gjithmonë në shekuj në konflikt argumentues. Dhe kjo është dhënë në mënyrë përgjithësuese, me një argument poetik shumë të goditur në poezinë “Dialog engjëll djall dhe dy përgjigje”, që edhe pse figuracioni ngjan si fjalë e përditshme, mesazhi është shumë fluid: Engjëlli: “Besomë të dua si jetën”. Djalli : “Për cilën jetë të betohet?”, dhe vjen pas përgjigjes së Engjëllit, ajo e Djallit:  “Djall, hej djall e bir djalli/ s’ta besoj të vërtetën/ Edhe sikur të më ngresh nga varri”.

Maskiliteti dhe feminiteti ndeshen shpesh në poezinë e Iliriana Sulkuqit, por më shumë për të ngjizur njerëzoren midis dy sekseve se sa për të krijuar ndarje, më shumë si një domosdoshmëri për ardhmëri shoqërore dhe për zhvillim jetësor. “Përse e pranojmë praninë tuaj?”pyet meshkujt e çuditur poetja. Por kjo është një pyetje sugjestive sepse ajo shpejt e jep përgjigjen: “Si në letrat e bixhozit zi e kuq/ Si në fizikë plus minus/ Si gjysmat e tokës me ditë e natë/ Ne qajmë dhembjen tonë të bukur/ Ju ikni të ç’burrëruar dhe kaq…” 

E rritur mes brengave të jetës, poetja Iliriana Sulkuqi sikur ka edhe një farë ndrojtje, ajo me vargun e saj shkel herë mbi qelqe dhe ruan mos thyhen e herë sikur shkel mbi gjemba e ruhet të mos quket. Ndaj ajo është si me mëdyshje në triptikun e jetës. Rrobat e vajzërisë asaj si bëjnë më. Fustanin e nusërisë ajo s’e prek dot, kurse “rrobat e gjyshes “ ajo nuk do t’i veshë më. Në tre vargje poetja ndërthur poetikisht tri nyjet e jetës, që nuk janë lehtë të jetohen: Vajzërinë, nusërinë, plakjen. Tri gjërat e bukura të jetës:  Fëmijëria, rinia, pleqëria dhe që secila ka të bukurat e të shëmtuarat e veta në të cilat duhet të jesh vërtet njeri me arsye, të kesh lënë kocka në udhët e jetës, që t’i jetosh e t’i meritosh ato tri mosha, sepse në fund të fundit përbëjnë atë libër të mrekullueshëm që quhet jetë.

Poetja nuk e duron dot boshllëkun, zbrazëtirën, ndarjen, mungesën e dashurisë njerëzore. Vetëm një që e ka provuar një akt të tillë mund të shkruajë vargje të tilla me peshë të rëndë e respekt të thellë për dashurinë jetësore: “Midis meje dhe teje/ Një fije floku sa një kilometër/ Hapësirë/ Ku lindet e rritet marshi im funebër’’.      

Iliriana Sulkuqi nuk ka kufizim në ndjenjat poetike. Dashurinë e ka për të gjithë, por ajo veçon dashurinë për nënën. Edhe pse ka një dashuri për njeriun ajo ruan specifikën e qelqtë të dashurisë hyjnore për të dashurin e saj. Vetëm moshë nuk ka kjo poete ashtu si të gjithë poetët, që misioni i tyre është në funksion të pastërtisë dhe natyrës njerëzore, ndaj deklarimin e saj poetik po e vëmë si mbyllje të këtyre shënimeve të shkurtra: “ Ja kështu i dashur mik/ Poet si unë – unë si të tjerët/ Moshën prej ëndrre kur e rrëfejmë/ S’e kemi më vetëm për vete… “.

Filed Under: LETERSI Tagged With: E ËNDRRËS, iliriana Sulkuqi, Pellumb Gorrica, RRËFIM PËR MOSHËN

Kosova dhe Shqipëria me konsullatë të përbashkët në Mynih

July 7, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 7 Korrik 2016-B.Jashari/ Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë së shpejti do të hapin konsullatën e përbashkët në Mynih. Hapjen e konsullatës do ta bëjnë ministri  Enver Hoxhaj dhe homologu i tij, Ditmir Bushati.Konsullata në Mynih do të jetë e dyta e këtij lloji pas hapjes së Konsullatës së Përgjithshme në Milano, bën të ditur sot MPJ kosovare në njoftimin e dërguar.Theksohet se, hapja e konsullatës së përbashkët është tregues i avancimit të veprimeve të koordinuara të politikës së jashtme të të dyja shteteve me qëllim të përmirësimit të shërbimeve konsullore për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë.Konsullata e Përgjithshme e Mynihut është paraparë t’i mbulojë landet e Bavarisë (Bayern), Baden-Vyrtembergut (Baden-Württemberg), Rajnland-Pfalc (Rheinland-Pfalz) dhe Zarland (Saarland). Shërbimet dhe ndihmën e kësaj konsullate pritet ta marrin rreth 30 për qind e qytetarëve të të dyja shteteve që jetojnë Gjermani.Përveç kësaj, hapja e Konsullatës së Përgjithshme do të ndikoj edhe në partneritetit strategjik Kosovë – Shqipëri si dhe intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale me landet që janë në rrethin e juridiksionit të kësaj konsullate.  

 

Filed Under: Featured Tagged With: Kosova dhe shqiperia, me konsullatë, të përbashkët në Mynih

Kosova, në një moment të ri dhe historik

July 7, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Prishtina/

-Nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian me shumicë të votave është aprovuar rekomandimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës/

 PRISHTINË, 7 Korrik  2016-Gazeta DIELLI/ Krerët e shtetit të Kosovës njoftojnë dhe vlerësojnë miratimin e propozimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, duke theksuar se është një moment i ri dhe historik.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Miratimi i propozimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian është edhe një dëshmi tjetër e përkrahjes dhe e gatishmërisë së institucioneve të BE-së për heqjen e vizave për qytetarët tanë.

Ky është moment i ri dhe historik për Kosovën.

I falënderoj eurodeputetët për angazhimin aktiv dhe vlerësimin real të të arriturave tona.

Tani është radha që pa vonesë të veprojmë dhe t’i marrim vendimet ne si Kosovë.

E ardhmja evropiane është e vetmja alternativë për Kosovën.

Kryeministri Isa Mustafa: Sot, morëm një lajm shumë pozitiv nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, ku me shumicë të votave është aprovuar rekomandimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Tani institucionet do t’i adresojnë çështjet e mbetura dhe t’i krijojmë mundësi qytetarëve tanë të lëvizin të lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Të punojmë së bashku që të arrijmë këtë sukses të përbashkët!

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli: Sot pata një bisedë telefonike me Znj. Tanja Fajon, raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, lidhur me përmbylljen sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave dhe çështjet të cilat kërkojnë përkushtim institucional në raport me këtë proces. Unë e përsërita qëndrimin tim që ky proces duhet të përfundojë sa më shpejtë, i sigurt që interesat e qytetarëve të Kosovës do të mbizotërojnë mbi axhendat tjera. Znj. Fajon përsëriti gatishmërinë e saj për të ndihmuar në ballafaqimin me sfidat që janë para nesh. Shfrytëzova rastin të falënderojë Parlamentin Evropian për miratimin e propozimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni për Politikë të Jashtme. Kjo është një vazhdimësi e mbështetjes së Parlamentit Evropian në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe inkurajim për institucionet e Kosovës. Parlamenti Evropian mbetet aleat yni dhe do të vazhdojmë përkushtimin për realizimin e planit tonë të përbashkët.

Këto ishin deklaratat e sotme, ndërsa në 4 maj 2016 Komisioni Evropian i propozoi  Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duke e transferuar Kosovën në listën e vendeve pa viza për qëndrim afatshkurtër në zonën Shengen. Propozimi është bërë së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit që konfirmon se Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, në një moment, të ri dhe historik, vizat

Vrasje që “vret”

July 7, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Më 6 korrik, të gjitha kanalet televizive i hapën lajmet e mbrëmjes me një skenë jo të zakonshme: në Baton Ruzh të Luisianës dy policë shtrijnë për tokë një person e, më pas, njeri prej tyre e qëllon me pistoletë për vdekje në gjoks, madje disa herë. Po të mos ishim duke ndjekur lajmet, ajo skenë mund të merrej fare mirë si e riprodhuar nga ndonjë film artistik, mbas së cilës mund të përsiatje se regjisori e kishte tepëruar, nga që viktima qe e shtrirë për tokë, pra e neutralizuar, e pafuqishme të rrezikonte ndokënd, aq më tepër policët e fuqishëm e të armatosur deri  në dhëmbë. Gjithë sa u shfaq në ekran qe aq e tmerrshme sa sikur nuk doje që t’iu besoje as syve të tu. Por, kur informohesh se gjithë sa më sipër ndodhi në mes të qytetit, në Baton Ruzh, Luisiana, të martën e 5 korrikut, në mesnatë; se polici qe i bardhë e viktima me ngjyrë, përjetimi e vlerësimi për të ndryshon, merr përmasa të tjera. Skena qe me të vërtetë tronditëse që të “vriste” shpirtërisht, sado për trim e gjakftohtë që mund ta mbaje veten.

Ngjarja në fjalë ngjalli menjëherë reagimin e komunitetit me ngjyrë por, jam i sigurt se do të marrë përmasa edhe më të mëdha. Këtë shqetësim e shprehën edhe autoritetet zyrtare vendase si guvernatori Xhon Bel Eduards dhe kryetari i bashkisë se Baton Ruzhit, Kip Holden që bënë thirrje për protesta paqësore, se videoja e transmetuar, pohuan ata, qe me të vërtetë tronditëse.

Nuk është hera e parë që policët e bardhë vrasin persona me ngjyrë, në rrethana që nuk e përligjin përdorimin e armës, si Erik Garnerin, në Stejt Ailënd dhe Akai Gurlein nga Bruklini, Nju York; Majkëll Braunin,  në Ferguson, Misuri; Ualter Skotin, në Cerleston të Karolinës së Jugut; Fredie Grejin në Baltimore, e gjetkë. Pyetja e parë që të vjen ndëmend pas kësaj kronike është se si ka mundësi që të veprohet kështu kur lotët e nënave të viktimave dhe gjurmët e protestave mbarë popullore ndjehen akoma për shumë ndodhira të tjera si kjo?! Unë nuk kam akoma asnjë informacion të hollësishëm e të saktë se kush ishte 37 vjeçari Alton Sterling, përveçse nga sa është thënë në media, se ishte një hallexhi, që shiste video për të përballuar jetesën. Por, pavarësisht nga kjo, përderisa ai nuk rrezikonte kërkënd, edhe sikur të qe i armatosur,  me që policët tashmë e kishin vënë për tokë, në asnjë mënyrë nuk përligjet veprimi i tyre. Tjetër punë sikur të dy palët të qenë në një konfrontim ballas e viktima të qe si ata, me armë në dorë e gati për t’i qëlluar. Unë nuk jam jurist e nuk i njoh thellë ligjet për të shtjelluar më tej se deri ku arrin kompetenca e policit në rrethana të tilla, por kaqë gjë e di që prej shumë kohësh: kundërdshtari, qoftë ai edhe armiku yt, në fillim neutralizohet duke e qëlluar në këmbë apo pjesë të tjera të trupit dhe vetëm kur ai kundërvepron e rrezikon të vrasë të tjerët, mund ta qëllosh për vdekje, siç edhe ka ndodhur në shumë raste e nuk ka ngjallur asnjë reagim, se gjithçka ka qënë brenda ligjit e rregullave. Por, për ngjarjen në fjalë puna ndryshom krejtësisht. Më besoni se ajo më ka prekur e indinjuar aq thellë sa jam gati të shkoj e të bashkohem me protestuesit, sikur të kisha mundësi.

Fakt është se dhuna me armë në SHBA, apo dhe në vende të tjera, ka marrë përmasa shqetësuese. Sipas “Uashington Post”-it, vetëm këtë vit, në SHBA, janë vrarë nga policët 505 persona. Pa mëdyshjen më të vogël duhet thënë se shumica e viktimavë përbënin rrezik për të tjerët. Policët pra, kanë kryer detyrën e tyre dhe për këtë askush nuk mund të kundërshtojë. Disa syresh e kanë paguar me jetë betejën me keqbërësit. Unë kam ndjerë të njëjtën dhimbje dhe kur u vra polici Brajan Mur, vitin e kaluar ndërsa patrullonte në Quins apo dhe për oficerët Rafael Ramos e Venjian Liu në Bruklin, më 2014. Por, siç pohonte një e përditëshme e NY këto ditë, ndërsa për vrasjet e policëve nga civilët, analizat e vlerësimet janë të qarta se kush është fajtor,  kur policët vrasin civilët situata shpesh paraqitet tepër e errët..

Ajo që më shqetëson më shumë për gjithë sa më sipër e që më shtyu të shkruaj këto radhë, është mëdyshja që kam në vetvete, siç e kam pasur dhe për vrasjet e tjera që përmenda më lart: a do ta kishin vrarë, në atë mënyrë policët e bardhë sikur Alton Sterlingu të mos qe me ngjyrë?

Unë e bëj këtë pyetje jo pa qëllim. Edhe herët e tjera, protestuesit e të gjitha niveleve, kanë ngritur zërin se policët e bardhë kanë vrarë jo thjesht se viktimat i kanë rrezikuar ata apo të tjerët, por edhe të shtyrë nga një dozë urrejtjeje apo paragjykimi racor. Mos po bije dhe unë në pozitat e paragjykimeve të tilla? Jo, këtë e kanë pohuar dhe vetë autoritetet e Policisë, jo vetëm të Nju Yorkut ku banoj, por edhe më gjerë se nuk mbahet përherë i njëjti qëndrim ndaj shkelësve të Ligjit, si për të bardhët dhe për ata me ngjyrë. Madje, disa kohë më parë, gazetat e jepnin edhe me përqindje këtë dallim. Veç, të jemi realistë: përveç statistikave të policisë, nuk është e vështirë të konstatohet se në pjesën më të madhe të rasteve, shkeljet e ligjit, qoftë edhe në rrugë, në Sabuej apo mjedise të tjera publike, bëhen nga ata me ngjyrë dhe kjo ka spjegimin e vet. Mjafton të përmend me këtë rast një shifër që flet shumë: ndërsa ky grup shoqëror përbën rreth 12 përqind të popullsisë së SHBA-së, në burgjet e krimeve të rënda ata përbëjnë 70 deri 80 përqind. Rrënjët e kësaj tabloje janë të shumta e të thella, shtjellimi i të cilave del jashtë caqeve të këtij shkrimi. Por, unë e bëra këtë parantezë që, kur gjykojmë një ngjarje, për më tepër një vrasje si ajo që përmenda në fillim, duhet të jemi realistë e tepër të kujdesshëm. Veçanërisht policia duhet t’i hapë sytë mirë se me veprimet e saj të gabuara, dashje apo pa dashje, ka çuar ujë në forcimin e psikozës se ndaj pakicave zbatohet një politikë raciste, në vend që të jepte prova për të kundërtën. Përndryshe, haraçi ka për të qënë i madh, siç edhe ka ndodhur deri tani. Duke vrarë egërsisht një të pafajshëm, ata na kanë vrarë shpirtërisht të gjithëve, e kjo nuk është pak.

7 korrik 2016

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Vrasje që “vret”

Tri viktimat e familjes shqiptare në Toronto, varrimi në Shqipëri

July 7, 2016 by dgreca

Ceremoni përkujtimore për bashkatdhetarët, që humbën jetën tragjikisht në një aksident automobilistik, mbahet në Toronto, ndërsa varrimi në Shqipëri/
1193867.jpg
TORONTO – KANADA Ditën e martë, më 12 korrrik, prej orës 3 deri në 6 pasdite, do të mbahet një ceremoni përkujtimore për  bashkatdhetaret tanë që humbën jetën tragjikisht në një aksident automobilistik : Xhemile Vokshi, Valbona Vokshi dhe Isabela Kuci, nënë-vajzë-mbesë, njoftonë Televizioni i komunitit shqiptar “Pasqyra” nga  Toronto – Kanada.
Ceremonia përkujtimore për tri jetë , që humbën jetën tragjikisht në një aksident automobilistik, mbahet në adresën: Lynett Funeral Home 3299 Dundas Street West, Toronto – Kanada.
Televizionit “Pasqyra”, nga Toronto, duke shprehur edhe ngushëllimin e tyre “I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre”, thotë se ndërsa, ceremonia përkujtimore mbahet në Toronto, varrimi i tyre do të bëhet në Shqipëri.
Aksident tragjik në Kanada, vdesin tre jetë, shqiptare të një familje
Tre gjenerata nga një familje shqiptare humbën jetën në një aksident tragjik në Kanada, më 28 Qershor, ditën e Premte. Viktimat janë Xhemile Vokshi 55 vjeçe, vajza e saj Valbona Vokshi 35 vjeçe dhe e mitura Isabela Kuçi 5 vjeç.
Gjatë këtij aksidenti, një aksident masiv ky i ndodhur në periferi të qytetit Toronto në Kanada, simbas njoftimeve u përfshinë 18 mjete.
Mësohet se automjeti në të cilin ndodheshin viktimat, është përfshirë nga flakët, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme, gjyshes, vajzës dhe mbesës.
Lajmi për vdekjen e e familjes shqiptare, në Kanada, u konfirmuan bashkëatdhetarët, nga një mike e familjes Katerina Seitaj, e cila u shpreh e hidhëruar për çfarë kishte ndodhur.
Motra e Valbonës, Blerta dhe djali i saj 2- vjeçar ndodheshin në një makinë tjetër e cila gjithashtu u përfshi në aksident, por fatmirësisht shpëtuan me lëndime të lehta.
Valbona kishte emigruar në Kanada në moshën 20- vjeçare dhe për shumë vite kishte punuar në një restorant bashkë me prindërit dhe motrën e saj.
Menjëherë, pas këti aksidenti tragjik miq dhe të afërm të viktimave kanë nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve në GoFundMe.com, për të përballuar shpenzimet e funeralit./ Beqir Sina/
1193867.jpg

20150314192942583646-646x330.jpg

crash-7.jpg

hwy-400-crash.jpg

crash-7.jpg

hwy-400-crash.jpg

image.jpg

pedestrian-death.jpg

li-620-whitby-crash.jpg

pedestrian-death.jpg

pics-family-jpg-size-custom-crop-1086x547-700x353_1467118690-9858519.jpg

screenshot-8-32_1467118690-1635772-Copy-354x350.jpg

texas-crash-kills-ontarians.jpg

toronto-mississauga-fatal-crash.jpg

Filed Under: Komente Tagged With: dhe Isabela Kuci, Valbona Vokshi, viktimat e Torontos, Xhemile Vokshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2667
  • 2668
  • 2669
  • 2670
  • 2671
  • …
  • 5723
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • WOODROW WILSON: PRESIDENTI AMERIKAN QË MBROJTI SHQIPËRINË KUR FUQITË E MËDHA DONIN TA FSHININ NGA HARTA
  • PROTESTAT DHE FUNDI I NJË EPOKE POLITIKE NË SHQIPËRI NJË DOMOSDOSHMËRI E KOHËS
  • Kosova në filatelinë jugosllave me prani te kufizuar dhe identitet te mohuar
  • GJENIALITETI I SKËNDERBEUT NË BASHKIMIN KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE
  • Dr. Lumnije Kqiku, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri: Mjekët shqiptarë, vlerë e shtuar për sistemin shëndetësor austriak
  • Gjuha denigruese, sulmet dhe agresioni verbal ndaj gazetarëve, përbën një akt kriminal publik
  • TRI LETRA TË FAN NOLIT…
  • Ballkani në prag të një rikonfigurimi të ri ekonomik dhe strategjik
  • Vizita baritore e Kardinal Ernest Simoni Troshanit në Mbretërinë e Bashkuar
  • Deputeti i Partisë!
  • Gjeografia e tumoreve: Si e ndajnë botën gjinia, varfëria dhe stili i jetesës
  • Shqiptarët e Amerikës protestojnë në New York kundër shitjes e zhvatjes së Atdheut, korrupsionit, vjedhjes, babëzisë e qeverisë…
  • Pse mungesa e Liderit në revolta shumë herë është përparësi!
  • PROTESTAT E DIASPORËS – BAROMETËR I ZGJIMIT TË RINISË SHQIPTARE
  • Ballkani dhe Shqipëria në udhëkryqin ndërmjet demokracisë dhe autokratizmit global

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT