• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Bajrami me mesazhe paqeje, solidariteti e mirëkuptimi

July 5, 2016 by dgreca

-Me rastin e  Fitër Bajramit, sot ditën e parë të festës,  Myftiu Tërnava, si tradicionalisht, organizoi pritje përurimi në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ku urojnë edhe përfaqësues të komuniteteve tjera fetare, mes tyre ishte Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji/

– Presidenti Thaçi viziton Bashkësinë Islame të Kosovës/

 PRISHTINË, 5 Korrik  2016-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë festohet Bajrami i Madh, drejtuesit institucionalë e politikë në mesazhet e tyre urojnër paqe, solidaritet dhe mirëkuptim, duke theksuar vlerat e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore.

“Në këtë festë, e cila vjen pas agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit, ne ndajmë me njëri-tjetrin vlerat e sakrificës, solidaritetit, devotshmërisë dhe unitetit. Paqe, mirëqenie dhe shumë gëzime në familjet tuaja”, shrehet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Të gjithë besimtarëve muslimanë në Kosovë ju uroj Festën e Bajramit. Uroj që harmonia, solidariteti dhe mirëkuptimi të zotërojnë tek ne dhe në familjet tona”, është mesazhi i kryeministrit Isa Mustafa.

“Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të gjithë besimtarëve myslimanë të vendit tonë, ua përcjelli urimet e përzemërta për festën e Bajramit”, thekson kryeparlamentari Kadri Veseli.

Manifestimi qendror në Republikën e Kosovës u mbajt në mëngjes në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku u bë edhe falja namazit të Fitër Bajramit.

“Festa e Fitër Bajramit njeriun e rikthen edhe njëherë në përkushtimin edhe më të madh ndaj Krijuesit, të cilin e shprehim përmes adhurimeve të shumta të cilat e pastrojnë dhe e motivojnë shpirtin edhe më shumë për vepra të mira, duke pastruar atë nga egoja, urrejtja, pangopësia, zilia e xhelozia, duke e udhëzuar në vepra të mira dhe respekt me njëri tjetrin”, është shprehur në mesazhin e urimit myftiu i Kosovës,  Naim Tërnava.

Me rastin e  Fitër Bajramit, sot ditën e parë të festës,  Myftiu Tërnava, si tradicionalisht, organizoi pritje përurimi në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ku urojnë edhe përfaqësues të komuniteteve tjera fetare, mes tyre ishte Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji me bashkëpunëtorët.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e festës së Fitër Bajramit ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është pritur nga myftiu Naim Tërnava.
Presidenti Thaçi përcolli urimet më të mira për të gjithë qytetarët e besimit islam, duke uruar për forcimin e harmonisë ndërfetare në Kosovë.

“Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot si president i vendit të uroj myftiun Tërnava, Bashkësinë Islame dhe të gjitha besimtarët e fesë islame për festën e Bajramit të Madh. Një festë kjo e lutjeve, e solidaritetit, e respektit, e mirëkuptimit, e tolerancës mes njerëzve. Edhe prej mysafirëve të shumtë tek myftiu Tërnava në Bashkësinë Islame, shihet se kjo festë është një festë e bashkimit, pa dallime feje, etnie apo përkatësie partiake. Të gjithë sot janë në këtë shtëpi të Zotit për të uruar, për të përgëzuar”, është shprehur presidenti Thaçi./b.j/

Kryetari Veseli vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës

 

Veseli: Në këtë ditë të shenjtë për besimtarët islamë, përçoj mesazhin për paqe e dashuri midis njëri-tjetrit dhe respektin e madh për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit

 Sot, me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).

Kreu i Kuvendit u prit nga kryetari i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava dhe drejtues të tjerë të kësaj bashkësie fetare, të cilët i uroi për festën e Bajramit dhe nëpërmjet tyre, të gjithë besimtarët islamë në Kosovë.

“Në këtë ditë të shenjtë për besimtarët islamë, përçoj mesazhin për paqe e dashuri midis njëri-tjetrit dhe respektin e madh për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit: për heronjtë, dëshmorët, martirët dhe të pagjeturit. Po ashtu, respekt të thellë për ata që agjëruan me bindjen e mesazhit të agjërimit”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kryetari i Kuvendit theksoi nevojën e solidaritetit më të madh me të gjithë qytetarët në nevojë, duke u ofruar atyre përkujdesje, respekt dhe dashuri. Ai uroi që të kemi sa më pak familje të tilla.

 

Filed Under: Komente Tagged With: e mirëkuptimi, Kosovë-Bajrami, me mesazhe paqeje, solidariteti

Shakaxhiu i Përparimit

July 5, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

Ne pergjigjen e shkrimit tim te dates 27.06.2016 qe me dergonit ne dy gazeta te perditeshme ju shkruanit:

“Nuk ka forcë tokësore që më vendos mua përballë të përndjekurve. Unë, qëkurse jam kthyer nga studimet në vitin 2000, jam dhe do të mbetem në krah të komunitetit tim, si një aktivist  i kauzës së të përndjekurve politikë.”

 Lidhur me sa më sipër desha t’ju pyes:

  • Per cilët të përndjekur e quani veten aktivist i  tyre, pasi  jo  të  gjithë  të  përndjekurit

kanë të njejtin ideal. Disa janë të djathtë, të tjerë të majtë. Një pjesë e tyre kanë patur idealin e Shqipërisë Demokratike Etnike, ndërsa të tjerë idealin komunist por që përfunduan në burg apo interninm për ndonjë tekë apo mosmarrëveshje jo parimore me idhullin e tyre diktator. Madje ka patur edhe nga ata të dënuar ordinerë që vidhnin apo kryenin veprime incesti me familjarët e tyre dhe regjimi totalitar, për t’i dënuar më tepër, u shtonte edhe akuzat politike për agjitacion dhe propagandë apo tentativë arratisjeje.

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, ku bëjë pjesë edhe unë, është krejtësisht e vendosur në krahun e atyre që aspirojnë për një Shqipëri Demokratike Etnike.

Po ju, zoti Kola, ku bëni pjesë? Në rast se do të shohim prejardhjen e familjes tuaj do të vemë re se i përket një fisi me bindje plotësisht të djathta. Përveç atyre që ju përmendni në përgjigjen tuaj mbi paraardhësit tuaj unë do t’u shtoja edhe ato që shkruan babai juaj, Zoti Kurt Kola:

Marrëveshja e fshehtë e UDB-së jugosllave me Sigurimin e shtetit shqiptar, dënoi me pushkatim, por pa gjyq dhjetë pjesëtarë të familjes sonë, midis të cilëve babain tim, 2 vëllezërit e mi, dy nipërit, dajën tim etj. Kështu, duke konkretizuar masakrën e klanit komunist me pushkatimin e 19 personave të pafajshëm të familjes së tij, Kurt Kola, rrëfen se lufta civile e pashpallur, në fakt filloi pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.

Llogjika e do që me këto të dhëna ju të kishit bindje plotësisht të djathta. Por a ndodh kështu? Unë nuk e besoj. Një fjalë e urtë popullore thotë se nga ferra del trëndafili dhe nga trëndafili del ferra. A nuk i ndodhi kështu, të madhit Skënderbe me nipin e tij Hamza Kastriotin? Ndaj edhe për ju nuk e besoj të jeni i djathtë pasi shoh veprimet që kryeni dhe qëndrimin që mbani përballë forcave politike. Si ka mundësi që dikush që pretendon se ka bindje të djathta, madje të ketë qenë, sipas jush, kandidat për deputet i një partie të djathtë si LZHK-ja, të jetë anëtar i komisionit të ngritur nga Partia Socialiste me në krye zonjë Bazhdari, ish-kryetare e Partisë Socialiste për Shkodrën, për të hartuar programin e kësaj partie për të përndjekurit? Si ka mundësi që një parti si ajo e mbiquajtur “Rruga e Lirisë”, e krijuar nga ati juaj, të pranojë të vihet në aleancë me bllokun e partive të majta? Madje ka zëra që thonë se jeni antarësuar në Partinë Socialiste dhe se së shpejti do të krijokeni një parti tjetër të të përndjekurve. Nuk e di se si do ta quani këtë parti të djathtë apo të majtë?

Një gjë e tillë më kujton një përrallë që kam lexuar dikur:“Një natë, ndërsa flinin, bashkëshortja i thotë Nastradinit: – O burrë, në krahun e djathtë ke një qiri, të lutem ndize! – Nastradini, ashtu i përgjumur që ishte, i përgjigjet: – E ku e di njeriu natën se ku e ka krahun e djathë dhe ku të majtin?”

    Kjo sëmundje më duket se ju ka zënë edhe juve, zoti Kola, ndaj nuk e dini se kush është e djathta dhe kush e majta.

Me shkresën Nr. 557, datë 15.07.2014 shoqata  jonë së bashku me Shoqatën Mbarëkombëtare të Integrimit të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i paraqiti Kuvendit të Shqipërisë propozimin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin  e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar. Propozimi ishte firmosur nga dy kryetarët respektivë, zotërinjtë Simon Mirakaj dhe Adem Hallçi. Në propozimin e bërë përveç të tjerave përfshiheshin edhe këto dy pika:

  1. Ish-të dënuarit politikë që janë gjallë dhe kanë mbushur moshën 75 vjeç për meshkuj dhe 70 për femra, dëmshpërblehen me dy këste.
  2. Afati i përfundimit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë nga regjimi komunist është viti 2017

Bashkangjitur me këto ishte edhe relacioni shoqërues  i tyre.

Gjatë diskutimit të tyre në komisionet e kuvendit u thirr edhe shoqata  jonë, madje kam qenë edhe unë pjesëmarrës. Parshtruam propozimin tonë dhe kërkuam përkrahjen e pjesëmarrësve. Atje ishit edhe ju, zoti Kola dhe ne menduam se ju do të dilnit përkrah nesh, por kjo nuk ndodhi.  Zëri juaj nuk u dëgjua në mbrojtje të këtij propozimi gjë, që normalisht duhej ta kishit bërë. Por ju nuk guxuat dhe shkakun e dini ju vetë. Para disa ditësh deklaruat se dëmshpërblimi do të shlyhet sipas mundësive financiare që ka shteti shqiptar por nuk e di si nuk e paskeni marrë vesh se katër vite më parë Kryeministri juaj dërgonte në SHBA 80 mijë dollarë vetëm për një fotografi me Presidentin Obama.

Jam anëtar i Partisë Demokratike qysh prej 6 janarit 1991. Kam qenë anëtar i kryesisë së kësaj partie për Vlorën dhe Drejtor i Departamentit të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në vitet 2001-2002. E kam mbështetur këtë parti në të gjitha aktivitetet e saj për liri dhe demokraci, por kam pasur edhe vrejtje kur shihja se disa veprime të individëve të saj nuk pajtoheshin me parimet e demokracisë perëndimore. Një gjë të tillë e kam pasqyruar në shumë shkrime të mijat, ndërmjet të cilave theksoj të mëposhtmet:

“E majta brenda së djathtës” gazeta “Telegraf” datë 8 dhe 11 prill 2007

“Letër e hapur Kryeministrit të Shqipërisë” gazeta “Telegraf” datë 9 gusht 2007

“Mbi ndëshkimin e krimeve të komunizmit” gazeta “Metropol” datë 16 gusht 2011

“Dosjet dhe të përndjekurit politikë” gazeta “Metropol” datë 4 nëntor 2011.

“A po zbatohet Katovica?” gazeta “Metropol” datë 14 qershor 2012.

“Edhe një herë mbi dënimin e krimeve të komunizmit” gazeta “Metropol” dhe “Republika” datë 24 gusht 2012.

Hapni faqen time në internet ose lexoni artikujt e mësiperm në gazetat përkatëse në bibliotekë dhe pyeteni veten:

  • A do të jeni në gjendje të bëni të njejtën gjë edhe ju?

Unë nuk e besoj pasi shoh veprimet e përditëshme tuajat.

Ju më akuzoni se e paskam bërë me keqdashje  kur  ju  paskam  thënë  se  pse  nuk  paske

kërkuar heqjen e dekoratave diktatorit Hoxha. Ju përgjigjeni se këtë e paskeni berë në faqet e google. Ju jeni drejtor i një institucioni të njohur shtetëror. A i keni dërguar Kuvendit të Shqipërisë një propozim për këtë çështje në emër të institucionit që përfaqësoni? Nuk e besoj pasi një gjë e tillë do të kishte qenë në faqet e para të shtypit të shkruar dhe atij viziv. Madje jo vetëm për këtë çështje por edhe për të gjitha çështjet e tjera të ngritura në shkrimin tim të mëparshëm nuk keni dhënë përgjigje. Përse? Edhe këtë e dini vetë ju. Unë dua përsëri t’ju pyes:

  • A jeni dakord  me  rezolutat  e  Asamblesë  Parlamentare  të  Këshillit  të  Europës  të

viteve 1996 dhe 2006 si dhe të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”?

Së fundi në përgjigjen tuaj ju paska zënë meraku për moshën time se qenkam plakur. Mos u   merakosni   fare.  Duke   parë  shqetësimin  tuaj  më  kujtohen  disa  vargje  të  Anakreontit  të

famshëm:

Anakreont qenke plakur, gjithë gratë po më thërrasin,

                        Dhe pardje më dhanë në mbudhë një copë xham që të më ngasin.

                        ……………………………………………………………………………………………..

                        Porse unë nuk e çaj kokën, në më thonë babush u plake,

                        As pse koka ime djeshme, sot ka mbetur lapurake.

Ndaj edhe unë nuk e çaj kokën sepse ky “plakushi” qysh nga viti 1991 ka botuar rreth 300 artikuj të ndryshëm në organet e shtypit, ka mbajtur rreth 50 kumtesa nëpër konferenca të ndryshme shkencore dhe përkujtimore, ka botura 4 romane, “Shkallët e Ferrit”, “Sekreti i Varrit të Vetmuar”, “Në kërkim të Lirisë” dhe “Ëndrrat e Thyera”. Ka botuar një libër me kujtime  “Rini e Copëtuar”, një libër me poezi “Dhimbje”, një monodramë “Hijet Lëvizin” dhe një libër me tregime “Një Tregim Për Mikun Tim”. Po ju more zotni, që jeni ende në moshën e rinisë, çfarë veprash keni lënë? A keni botuar ndonjëherë ndonjë shkrim që të ketë lënë gjurmë apo ndonjë libër tjetër. A keni mbajtur ndonjë kumtesë në ndonjë konferencë shkencore? Për më tepër ju keni atë që mua më ka munguar, pasi nuk më  lejoi regjimi i përmbysur, arsimin e lartë dhe nuk e di nëse e keni parë ju atë  apo ju ka parë ai ju.

Këto ishin të gjitha ato që doja t’ju thoja në lidhje me reflektimin tuaj. Është e drejta juaj të përgjigjeni ose jo, por ju bëjë me dije, se nuk kam për t’i lexuar më ato që do të shkruani dhe nuk do të kem më dëshirë dhe kohë për t’u përgjigjur. Kohën dua ta shfrytëzojë vetëm për arritjen e qëllimit që i kam vënë vetes. Po të kishte qenë gjallë Noli i madh, me siguri do t’ju kishte quajtur “Shakaxhiu i Perparimit!”

Filed Under: Analiza Tagged With: reshat kripa, Shakaxhiu i Përparimit

VJEDHJA NE RINAS DHE IMAZHI I SHTETIT

July 5, 2016 by dgreca

OPINION  NGA ASLLAN BUSHATI/

Në mesditën e 30 qershorit 2016, në aeroportin e Rinasit bëhet e ditur se ka ndodhur një vjedhje “spektakolare” e mjeteve monetare valutë në trasfertë   jashtë Shqipërisë. Thuhet se sasia  ka qenë rreth 83 kilogramë (peshë), të cilat minimalja  sikur të ishin të gjitha të prerjes njëzetëshe,janë afërsisht 3.6 milion euro. Po sikur qoftë larg  të kenë qenë  prerje  pesëdhjetëshe…38 milion. Pra thënia zyrtare për vjedhje rreth një million euro, është një tallje e vogël zyrtare (por me shumë miliona) me qytetarët e varfër  shqiptar.

Shkaqeve të kësaj ngjarjeve do t’ju këthehemi më pas, por më parë le të analizojmë një  konstatim që thotë  se:” cdo ditë nga bankat shqiptare të nivelit dytë , dalin  jashtë vendit rreth 8-10 milion euro”. Pyetja  më madhore shtrohet pse ka kaq shumë banka të huaja në Shqipëri ? Një vend i varfër  dhe me resurse të kufizuara ekonomike  a ka mundësi të gjenerojë kaq shumë para (madje kesh dhe në valutë)? Disa gojë të liga thonë se  kjo është e pa mundur ,por që tashmë ky vend komandohet nga bandat kriminale vendase dhe interesat e të huaja që pastrojnë parat e pista me shumë lehtësi. Po në se pastrohen para, pyetja më primitive  është se pse  nuk duken investime në Shqipëri? Disa thonë se mjafton që parat të futen në valle dhe pastaj pjesa e luanit del atje ku ka më shumë interes investimi (jashtë) dhe një pjesë shkon  tek plantacionet e hashashit se tashmë “Lazarat “ është kethyer e gjithë Shqipëria. Me te drejtë disa të tjerë pyesin , atëherë  pse shteti nuk kërkon origjinën e këtyre parave në lëvizje, pse ikën nga vendi ynë kjo para kesh, pse “lahen” parat këtu dhe  trasferta bëhet diku tjetër? A e ka nën  kontrollon Banka e Shqipërise këtë veprimtari? Thuhet se 10 përqind  e depozitave mbahen  për likuiditetin e detyrimeve të brendëshme dhe 90 përqind valuta del jashtë nisur nga interesat bankare. Por pyetja shtrohet po interesat  shqiptare ku jane? Këto banka janë ngritur me pëlqimin e Qeverisë Shqiptare dhe të Bankës Shtetit Shqiptar, atëherë këto dy organizma më të mëdhejt ekonomik ,pse bëhen sehirxhinj? Kjo mban erë të keqe, jo vetëm korrupsion por më shumë –kriminalitet i organizuar  kundër shtetit shqiptar.

Në këtë rrokopujë pisllëqesh edhe një tjetër problem madhor evidentohet  me aeroportin e Rinasit. Pra  disa vitesh Qeveria Socialiste e kryesuar nga Fatos Nano e dha me koncesion per 25 vjet duke i shkaktuar vendit një humbje të madhe ekonomike e duke e bërë udhëtimin  e shqiptarëve më të shtrejtin në Europë për disa vite. U tha e stërtha se u morëm vesh me koncesionarin për ta zgjidhur problemin. Më pas u tha se koncesionar i ri do te jetë një firmë serioze kineze, por del se kinezët janë tërhequr dhe një kompani fantazëm  offshore e krijuar para disa muajsh është aktualisht pronare. Pyetja shrtohet: aktualisht ne kemi vetëm një aeroport në veprim dhe ai është objekt i rëndësisë së vecantë. Si mundet që shteti të jetë kaq indifferent për një pasuri të madhe kombëtare? A mos këto janë para të pista shqiptarësh që vërdallosen nëpër  offshore dhe në fund venë nën  këmbë një object të rëndësisë së vecantë sic është aeroporti i Rinasit?

Këthehemi tek vjedhja, e cila është  e treta e përmasave të mëdha në këto 16 muajt e fundit. E para ndodhi në bankën  tek ish stacioni  trenit, e dyta në Qaf-Kashar dhe e treta brenda aeroportit të Rinasit, në një kohë që gjendja  e gatishmërisë ishte e shkallës së lartë sepse ishte fill pas ngjarjeve të aeroportit të Stambollit. Për asnjerën nuk  janë gjetur autorët.  Atëherë kush ka përgjegjësi për këto humbje ekonomike të cilat në mënyrë të tërthortë rëndojnë mbi shqiptarët,  dhe më e rënda e mbi të gjitha, kush përgjigjet për atë që  imazhi i shtetit është deskretituar në përmasa të mëdha. A ndjenë përgjegjësi bankat, kompanitë e sigurimit, kompanitë e transportit të valutës apo policia e shtetit?  Rrjedhja e informacionit dukshëm mendohet se është në njerën nga këto hallka ose në koordinim. Bankat a i paguajnë kompanitë e sigurisë në raportë me vlerat që ata marrin në ruajtje dhe më pas këto të fundit personelin ruajtës, apo këto të fundit janë shërbëtorë të dorës fundit? A janë të paisur rojet e sigurisë me armatim sipas ligjit ? Vetë ligji a është kompementar ,ku e gjejnë veten të barabartë në përgjegjësi e detyrime si bankat dhe kompanitë e sigurisë? Po kompanitë e transportit valutave a kanë mjetet e duhura për transport të sigurisë lartë? A janë ato blind e me GPS, kasaforta të sigurisë së lartë dhe me sensorë në rast situate të jashtzakonëshme? A kanë kamera të brendëshme dhe të jashtme makinat e transportit? ( Në paranteze në NY edhe taksitw e limuzinat e zakonëshme, me ligj janë të paisura me kamera të brendëshme, për të mbrojtur shoferin dhe pasagjerin). Po objektet e aeroportit a janë paisur me pamje të dubluar të kamerave dhe me sensorë? Në se këto e shumë të tjera, janë në përputhe me ligjin dhe rregullat në fuqi, si mund te kryhet një vjedhje ne një nga vendet më të sigurta në Shqipërisë, në mes të ditës dhe në një kohë prej  tre minutash ( ose  hajde dhe katër minuta e tridhetë sekonda sic thonë disa të tjerë)? Po sikur hajdutët të mos kishin objekt marrjen e parave, por hedhjen në erë të depove të karburantit të aeroportit, marrjen peng të avionëve me pasagjerë ose thjeshtë hedhjen në erë të avionëve me pasagjerë? Po policia e shtetit (dhe në radhë të parë ata që bëjnë politikë në këtë institucion), a kanë pergjegjësi për gjithë këto vjedhje nën hundët dhe sytë e tyre?

Kur lëvizin vlera monetare  kaq të mëdha a ka detyrime ligjore midis palëve, që të  njftohet policia e shtetit? Po Ministria e Transporteve që ka nën vartësi Aviacionin Civil, a ka përgjegjësi për mangësitë e konstatuara  nga auditi ndërkombëtar? Koha e rregullimit të mangësive thuhet se  maksimalisht është dhjetë dite, por auditi ndërkombëtar  ka konstatuar mangësi  që në Nëntor 2015. Më në fund pyetja shtrohet :a ka në Shqipëri  shtet funksional për mbrojtjen  e interesave kombëtare, të kompanive dhe të qytetarëve të thjeshtë? Këto shtetar a ndjejnë përgjegjesi para Kushtetutës, ligjeve, zgjedhësve, detyrës dhe ndërgjegjes qytetare? Në se po, askush nuk është vetdorëhequr? Pra disa ditësh Mbretëria e Bashkuar (Britania), votoi për daljen nga BE-ja dhe për këtë Kryministri Kamerun dha dorheqjen. Po në Shqipëri kush dha dorëheqjen për këto skandale?

Mjerisht  mund të konstatojmë  se aktualisht në Shqipëri ,nuk ka  shtetar të përgjegjëshëm, nuk ka shtet ligjor, por  ka hajdutë  të mwdhenj e të vegjël, profesionist e amator dhe një kastë politikanësh e shtetarësh të inkiriminuar, të lidhur me njëmijë fije me kriminelët vendas e të huaj,e  që po e shfrytëzojnë  shqiptarin e thjeshtë si skllav.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DHE IMAZHI I SHTETIT, VJEDHJA NE RINAS

Kryeministri Mustafa në Samitin e Liderëve në Paris, kërkon përkrahje për projekte konkrete zhvillimore

July 4, 2016 by dgreca

-Ishin të pranishëm presidenti francez Hollande, kancelarja gjermane Merkel, kancelari austriak Kern, kryeministri italian Renzi, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë/

Paris, 4 korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po merr pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili po zhvillon punimet në Paris.Njoftimi i dërguar sonte thekson se, Kryeministri Mustafa mori pjesë në takimin qendror të Samitit, ku ishin të pranishëm presidenti francez Hollande, kancelarja gjermane Merkel, kancelari austriak Kern, kryeministri italian Renzi, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë. Në fjalën e mbajtur, kryeministri Isa Mustafa, ka listuar projektet konkrete zhvillimore për të cilat ka interes të përbashkët në rajon, shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim me vendet e rajonit si dhe vlerësoi rezultatet që po jep procesi i nisur në Berlin. Të pranishëm në punimet e samitit janë edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Kryeministri Mustafa foli për proceset eurointegruese të Kosovës, duke përfshirë MSA-në dhe rekomandimin për liberalizim të vizave.“Besoj thellë se është në interes të BE-së që të hapë më shumë mundësi për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha kryeministri.Kryeministri Mustafa prezantoi edhe proceset konkrete ku ka nevojë për bashkëpunim më të madh ndërmjet vendeve të rajonit si zhvillimi ekonomik, qarkullimi i lirë dhe energjia. 

 Me këtë rast, kryeministri bëri thirrje që Serbia të kryej obligimet dhe të mundësohet funksionalizimi i projekteve moderne në të mirë të të gjitha vendeve të rajonit, siç është transmisioni i energjisë. Kryeministri Mustafa ka listuar një numër të projekteve në fushën e transportit, ambientit dhe energjisë, si linja 10 e hekurudhës që lidh Shkupin-Prishtinën dhe Beogradin, kompletimi i Autostradës 7 që lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe me Nishin në Serbi, i cili do të lidhte Detin Adriatik nga Durrësi me korridorin 10 të Rrjetit Evropian. Kryeministri Mustafa foli edhe për punën që po bëhet në përfundimin e Autostradës për Shkup si dhe mundësinë e zgjatjes së pistës së Aeroportit të Prishtinës. Në sektorin e energjisë, kryeministri tha se po punohet në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, në riaftësimin e kapaciteteve ekzistuese si dhe interesimin që të ndërtohen linjat e interkoneksionit me vendet e rajonit. Duke u referuar rritjes ekonomike prej 4 % të Kosovës, kryeministri Mustafa prezantoi punën që po bëhet që këtë vit rritja të jetë edhe më e madhe. “Kemi nevojë të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për investime më të mëdha, huazime më të volitshme, të cilat do të krijonin kushte të kapërcejmë problemin e papunësisë së lartë sidomos të të rinjve dhe grave”, tha kryeministri duke theksuar nevojën që të mendohet edhe për treg të përbashkët të kapitalit.

 Kryeministri vlerësoi edhe themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, si një impuls i duhur që do të krijoj ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor. 

Në fund, kryeministri Mustafa ka shprehur besimin e palëkundur të qytetarëve të Kosovës në vlerat evropiane dhe në Bashkimin Evropian si familje e popujve. “Duke pas parasysh këtë besim dhe përcaktim popullor, Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për avancimin e agjendës eurointegruese. Republika e Kosovës beson dhe po punon që të jetë pjesë e familjes evropiane”, tha kryeministri Mustafa.  

Gjatë Samitit të Parisit, kryeministri Mustafa do të takohet me drejtuesit e shteteve të BE-së si dhe homologët nga vendet e rajonit.​

***

Hoxhaj në Samitin e Parisit, BE-ja më e vendosur se kurrë për të ardhmen

Paris, 4 korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor së bashku me ministrat e Francës dhe Gjermanisë.

Në takimin që është pjesë e Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, Hoxhaj ka folur për sfidat dhe zhvillimet e reja në BE dhe Ballkan pas referendumit në Britani, dhe nevojën që të rimendohet qasje e re.Po ashtu, Hoxhaj ka folur edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së duke kërkuar heqjen e vizave pas rekomandimit pozitiv muaj më parë, ndërsa ka përmendur edhe dialogun me Serbinë dhe mos implementimin e marrëveshjeve.“Politika jonë e jashtme rajonale mbështetet në paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Angazhimi ynë në dialog me Serbinë, me gjithë të kaluarën, është dëshmia më e mirë e këtij dedikimi. Megjithatë ky proces nuk duhet të vazhdoj pafundësisht dhe marrëveshjet duhet të implementohen”, ka thënë Hoxhaj në takim.Më tej, ai ka ngritur shqetësimet për ndërhyrjet gjithnjë në rritje të Rusisë dhe ekstremizmit në rajon, duke kërkuar nga BE-ja që të jetë më e vendosur se kurrë për t’u përballur.

Kryediplomati kosovar ka falënderuar Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së për përkrahjen pasi Kosova është njëra nga tri shtetet e vetme që ka përfituar financimin e një projekti hekurudhor.

Hoxhaj është pjesë e delegacionit të Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe Samiti në Paris është vazhdimësi e Procesit të Berlinit.

****

Kosova, partnere në një projekt rajonal në Samitin e Parisit

-Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës, Kujtim Shala, në Samitin e Parisit mori pjesë në Konferencën e Rinisë të Ballkanit Perëndimor “Connecting Youth”/

Paris, 4 korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës, Kujtim Shala, po merr pjesë në Samitin e Parisit mbi Ballkanin. Ai sot ka marrë pjesë në Konferencën e Rinisë të Ballkanit Perëndimor “Connecting Youth” që organizohet në kuadër të këtij samiti, me  ç’rast do të do të nënshkruhet edhe marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor.

Ministri Shala në fjalën e tij të rastit në këtë samit, u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës, e ka mirëpritur iniciativën për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor,  meqë qëllimi kryesor i kësaj është promovimi dhe arritja e pajtimit dhe miqësisë mes popujve të Ballkanit, nëpërmjet bashkëpunimit të rinjve.

Po ashtu, ministri Shala u fokusua te funksioni që duhet të ketë kjo zyre, dhe u shpreh se promovimi i tolerancës, solidaritetit, besimit reciprok, bashkëpunimit social dhe ekonomik, rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën shoqërore e politike, shkëmbimin e përvojave në fushën e arsimit, si dhe promovimi i diversitetit kulturor, janë vetëm disa nga detyrat që duhet të arrihen nga kjo zyrë.

Ministri Shala në fjalën e tij i falënderoi edhe dy Qeveritë: atë Gjermane dhe Franceze për ndihmën dhe eksperiencën e ofruar, meqë këto dy qeveri, u shpreh Shala, kanë një bashkëpunim model në këtë aspekt, siç është bashkëpunimi i Zyrës franko-gjermane për 53 vite rresht.

Më tej, Shala shtoi se Qeveria e Kosovës, sikurse deri më tani, do të luajë një rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm në frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, duke përmbushur të gjitha obligimet e dakorduara, që rrjedhin nga obligimet e gjertanishme, si në aspektin financiare, po  ashtu edhe në atë të përfaqësimin në bordin e paraparë, në sekretariat, si dhe përfaqësimin në nivel të vendit.

Në fund të fjalës së tij, ministri Shala u shpreh  se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të mbështesë të rinjtë në përgjithësi dhe do të angazhohet gjithashtu për të mbështetur Zyrën e Bashkëpunimit Rajonal Rinor, dhe shtoi se Kosova është partner në këtë projekt të rëndësishëm rajonal.(Pergatiti:Behlul JASHARI)

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Kryeministri Mustafa, Samiti i Parisit

Çamëria-ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve

July 4, 2016 by dgreca

Të vrarë e të dëbuar nga grekët, të fyer e të sharë jo rrallë nga bashkëkombësit, të shpërfillur nga pjesa tjetër e kombit jashtë kufirit, të shpërfytyruar nga hallet e shumta, të pambështetje nga institucionet evropiane, shqiptarët e Çamërisë e ruajtën gjuhën, traditën e kulturën shqiptare si askush tjetër./

 Nga Gani MEHMETAJ/

 Kur Armando Sadiku, lojtari i kombëtares shqiptare e dha golin kundër rumunëve, dhjetë milion shqiptarë u gëzuan si asnjëherë më parë. Të gjithë u bëmë shqiptarë krenarë, të gjithë nxituam të mburremi që jemi nipërit e Gjergj Kastriotit. Euforia zgjati tërë natën.  Por të nesërmen gdhiu një portal i cili e bëri Armando Sadikun tabelë qitje, sepse qenka çam, ndërsa shqiptarët e Çamërisë u bënë objekt i fyerjeve nga më të pistat që kam lexuar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Grekët- xhelatët e shqiptarëve të Çamërisë nuk u përmenden më asnjë fjalë. Krimi i tyre fshihej, amnistoheshin, kurse shaheshin viktimat.

Shqiptarët e Çamërisë janë kaptina  më e dhimbshme e historisë sonë kombëtare. Një krahinë të tërë gati sa Kosova e shkombëtarizuan grekët dhe e bënë pronë të tyre. Gur mbi gur nuk lanë në qytete e katunde. Shqiptarët e Çamërisë pinjoll të njërit ndër fiset më të vjetra ilire, i shndërruan me 1945 në kolona të pafundme refugjatësh. Çamëria e sotme ishte Thesprotia e lashtë ilire, luftëtarë të përkushtuar të çështjes shqiptare, ushtarë trima të Gjin Bua Shpatës e princërve të tjerë arbëror të jugut, sot bredhin dyerve të botës nga Konispoli deri në kufinjtë më të skajshëm të Anadollit, në Eskisheher, pa të drejtën elementare-kthimin në tokat e veta.

Të vrarë e të dëbuar nga grekët, të fyer e të sharë jo rrallë nga bashkëkombësit, të shpërfillur nga pjesa tjetër e kombit jashtë kufirit, të shpërfytyruar nga hallet e shumta, të pambështetje nga institucionet evropiane, ata megjithatë e ruajtën gjuhën, traditën e kulturën shqiptare si askush tjetër, kanë muzikë e këngë që të mrekullojnë, kanë valle që të mbajnë pezull, ndërsa përpiqen ta tregojnë tragjedinë -gjenocidin e përmasave biblike, por që jo rrallë tragjedia e tyre bie në vesh të shurdhër.

Papa duhet të zbresë në Çamëri

Çamëria nuk është vetëm ndërgjegjja e vrarë e Evropës, Çamëria është edhe ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve. Papa duhet të zbresë një ditë në Çamëri e t’ua qajë hallin, shqiptarët duhet t’i mbështesim më shumë se sa deri me tash.  Greqia i masakroi dhe i dëboi nga territori etnik, bëri gjenocid ndaj tyre, krimin më të madh në shekullin XX, Shqipëria nuk i mbështeti, komunizmi i vuri nën dyshim e karantinë, i nëpërkëmbi e përbuzi, Kosova e kishte hallin e vet, po edhe egoizmin e madh, Turqia, ish pushtuesi mizor, i përdori për kthim resto sikurse të gjithë shqiptarët myslimanë: të jep grekët e armenët e Anadollit, i tha Greqisë, më jep shqiptarët myslimanë të Çamërisë, dhe jemi të larë.  Ushtria greke i dëboi shqiptarët e Çamërisë të besimit myslimanë në Turqi, shqiptarët ortodoks i shpërndau më kërcënime më thellë në kontinent  apo ua këputi gjuhën. Për njëqind vjet gati i shkriu më shkombëtarizim, pra i vriste në heshtje, ata që nuk arriti t’i vriste më pushkë a më bajoneta. Të tjerët i detyroi të deklaroheshin grekë. Sa herë më ka rastisur mua dhe turistëve të tjerë nga Kosova të takojmë, apo të banojmë në shtëpitë e çamëve ortodoks, të cilët na prisnin aq përmallshëm deri në përlotje, kujdeseshin si askush tjetër ndaj nesh, pikërisht sepse ishim të gjakut të tyre, na e rrëfenin tragjedinë e tyre, por gjithnjë më një sy në dritare se mos i përgjonte kush, apo me veshët nga dera se mos futej ndonjë policë i fshehtë grekë. Shqiptarë ortodoks të Çamërisë për herë të fundit kam takuam më 1991.       

Ndërkaq, shqiptarë të dëbuar të Çamërisë kam takuar pas vitit 1992, kryesisht në Shqipëri, por edhe në Francë e Turqi. Sa  brengos fakti që greku nuk i lejon të kthehen në krahinën shqiptare, po aq  brengosëse është pse një pjesë e bashkëkombësve nuk ua dinë hallin, i përbuzin e përçmojnë si të gjithë të dëbuarit, sepse ashtu i mësuan në kohën e Enver Hoxhës, ashtu po i mësojnë shtrembër edhe në kohën e demokracisë. Lobi i fuqishëm grekë në Shqipëri ka shtrirë rrënjë kudo dhe nuk i lë të ngrehin kokë, zëmër ngushtësia provinciale shqiptare është armiku tjetër, që i nxit shqiptarët kundër shqiptarëve, ashtu sikurse i nxiste dikur lobi serb shqiptarët kundër “kosovarëve”. Shqiptarët e Çamërisë ishin tragjikë në dy plane. Shqiptarët ortodoks që shpëtuan nga masakrat greke, i shkriu dhunshëm pushteti i Athinës, duke ua prerë gjuhën e traditën kombëtare, duke i kërcënuar se po dhanë shenja ringjallje do ta pësonin; shqiptarët myslimanë Greqia i dëboi një herë në Turqi, duke ua humbur farën, ndërsa pjesën tjetër i dëboi në Shqipëri, pasi masakroi pjesën më të madhe të popullatës, gra e fëmijë. Grekët nuk bënë dallime fetare, ata bënë gjenocid ndaj shqiptarëve në Çamëri.

Gjenocidi grekë është i pashembullt, vetëm gjenocidi turk kundër armenëve mund t’i afrohet, ndërsa vetë shqiptarët nuk e ngrehin zërin kundër këtij gjenocidi, ose reagimet janë të flashkëta, shpesh të pasinqerta. Kryesisht reagojnë shqiptarët e Çamërisë, por nuk reagojnë ose fare pak reagojnë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, Preshevës e Bujanovcit.  Secili e ka futur kokën në zhguallin e breshkës dhe nuk i intereson çfarë ngjet jashtë katundit të vet.

Si arsyetoheshin krimet greke?

“Çamët duhet të kenë bërë diçka, prandaj i dëbuan”, më tha më 1991 Llaqi, një ish pjesëtar i strukturave të Enver Hoxhës. Më la pa fjalë se si i arsyetonte krimet greke, ndërsa i fajësonte viktimat çame. Arsyetimin cinik të gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë e kam dëgjuar dhjetëra herë në Tiranë. Një arsyetim që s’ta kapte mendja. Gjenocidi arsyetohej me kinse bashkëpunimin më fashistët. Grekëve u lejohej bashkëpunimi më nazistët, kurse shqiptarët duhej të vriteshin e të dëboheshin. Faktet tregojnë se ishin grekët kombi më bashkëpunues më pushtuesin gjermanë në Gadishullin Ilirik. Nuk e di a e kanë shikuar mbrojtësit e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, filmin “Mediteraneo”, ku vajza e dëlirë greke, ua fal dëlirësinë e vet njëkohësisht dy ushtarëve italianë. Janë dhjetëra filma që e paraqesin këtë bashkëpunim greko-italian, apo greko-gjerman edhe në instanca më të larta dhe në shtrirje më të gjëra se sa në dashuri. Megjithatë strukturat komuniste anti kombëtarizmin e qyqarin ndaj çamëve e mbulonin me ideologji, pra çamët ishin armiq, sepse ishin bashkëpunëtorë të nazizmit, nuk i ndihmuan sepse u mbetej hatri serbëve e rusëve.

Në demokraci ka zëra e grupe që i sulmojnë e fyejnë, sepse po bashkëpunuakan më Turqinë e Arabinë Saudite, ndërsa citojnë deklarata të kreut të partisë çame. Nuk e di a duhej të formohej partia çame në Shqipëri, por duket që shpërfillja e pafalshme e shtetit ndaj çamëve mund të ketë ndikuar në formimin e partisë krahinore, ndërsa nuk përjashtohet që kjo shpërfillje cinike t’i ketë hedhur në prehrin e Turqisë e islamizmit, gjë që do të ishte tragjike për këtë komunitet. Nuk ishte më i mirë pushtuesi turk nga ai grek, prandaj është kriminale nëse i afrohen Turqisë. Po ashtu, sulmi kundër Armando Sadikut, u nis, sepse një portal shkruan që ai qenka takuar më një hoxhë- korb islamik. Takimi i një sportisti më një islamik që e ngreh gishtin si antenë televizori në një shtet laik është i dëmshëm për uniformën kuq e zi e për emrin e mirë të kombit të tij, kurse bashkëpunimi apo ndihma turke për shqiptarët e Çamërisë do të ishte fatale, sepse do t’u jepte shkas grekëve të refuzojnë çdo kërkesë çame, madje s’do ta kenë as mbështetjen perëndimore.  Kush u garanton përfaqësuesve të çamëve që nuk ka marrëveshje të fshehtë greko-turke për tregtimin e interesave çame. Do t’i shes Turqia interesat e çamëve sikurse i shet limonin  e kontaminuar të bregdetit mesdhetar.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: -ndërgjegjja e vrarë, Cameria, e shqiptareve, Gani mehmetaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2675
  • 2676
  • 2677
  • 2678
  • 2679
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT