• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çamëria-ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve

July 4, 2016 by dgreca

Të vrarë e të dëbuar nga grekët, të fyer e të sharë jo rrallë nga bashkëkombësit, të shpërfillur nga pjesa tjetër e kombit jashtë kufirit, të shpërfytyruar nga hallet e shumta, të pambështetje nga institucionet evropiane, shqiptarët e Çamërisë e ruajtën gjuhën, traditën e kulturën shqiptare si askush tjetër./

 Nga Gani MEHMETAJ/

 Kur Armando Sadiku, lojtari i kombëtares shqiptare e dha golin kundër rumunëve, dhjetë milion shqiptarë u gëzuan si asnjëherë më parë. Të gjithë u bëmë shqiptarë krenarë, të gjithë nxituam të mburremi që jemi nipërit e Gjergj Kastriotit. Euforia zgjati tërë natën.  Por të nesërmen gdhiu një portal i cili e bëri Armando Sadikun tabelë qitje, sepse qenka çam, ndërsa shqiptarët e Çamërisë u bënë objekt i fyerjeve nga më të pistat që kam lexuar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Grekët- xhelatët e shqiptarëve të Çamërisë nuk u përmenden më asnjë fjalë. Krimi i tyre fshihej, amnistoheshin, kurse shaheshin viktimat.

Shqiptarët e Çamërisë janë kaptina  më e dhimbshme e historisë sonë kombëtare. Një krahinë të tërë gati sa Kosova e shkombëtarizuan grekët dhe e bënë pronë të tyre. Gur mbi gur nuk lanë në qytete e katunde. Shqiptarët e Çamërisë pinjoll të njërit ndër fiset më të vjetra ilire, i shndërruan me 1945 në kolona të pafundme refugjatësh. Çamëria e sotme ishte Thesprotia e lashtë ilire, luftëtarë të përkushtuar të çështjes shqiptare, ushtarë trima të Gjin Bua Shpatës e princërve të tjerë arbëror të jugut, sot bredhin dyerve të botës nga Konispoli deri në kufinjtë më të skajshëm të Anadollit, në Eskisheher, pa të drejtën elementare-kthimin në tokat e veta.

Të vrarë e të dëbuar nga grekët, të fyer e të sharë jo rrallë nga bashkëkombësit, të shpërfillur nga pjesa tjetër e kombit jashtë kufirit, të shpërfytyruar nga hallet e shumta, të pambështetje nga institucionet evropiane, ata megjithatë e ruajtën gjuhën, traditën e kulturën shqiptare si askush tjetër, kanë muzikë e këngë që të mrekullojnë, kanë valle që të mbajnë pezull, ndërsa përpiqen ta tregojnë tragjedinë -gjenocidin e përmasave biblike, por që jo rrallë tragjedia e tyre bie në vesh të shurdhër.

Papa duhet të zbresë në Çamëri

Çamëria nuk është vetëm ndërgjegjja e vrarë e Evropës, Çamëria është edhe ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve. Papa duhet të zbresë një ditë në Çamëri e t’ua qajë hallin, shqiptarët duhet t’i mbështesim më shumë se sa deri me tash.  Greqia i masakroi dhe i dëboi nga territori etnik, bëri gjenocid ndaj tyre, krimin më të madh në shekullin XX, Shqipëria nuk i mbështeti, komunizmi i vuri nën dyshim e karantinë, i nëpërkëmbi e përbuzi, Kosova e kishte hallin e vet, po edhe egoizmin e madh, Turqia, ish pushtuesi mizor, i përdori për kthim resto sikurse të gjithë shqiptarët myslimanë: të jep grekët e armenët e Anadollit, i tha Greqisë, më jep shqiptarët myslimanë të Çamërisë, dhe jemi të larë.  Ushtria greke i dëboi shqiptarët e Çamërisë të besimit myslimanë në Turqi, shqiptarët ortodoks i shpërndau më kërcënime më thellë në kontinent  apo ua këputi gjuhën. Për njëqind vjet gati i shkriu më shkombëtarizim, pra i vriste në heshtje, ata që nuk arriti t’i vriste më pushkë a më bajoneta. Të tjerët i detyroi të deklaroheshin grekë. Sa herë më ka rastisur mua dhe turistëve të tjerë nga Kosova të takojmë, apo të banojmë në shtëpitë e çamëve ortodoks, të cilët na prisnin aq përmallshëm deri në përlotje, kujdeseshin si askush tjetër ndaj nesh, pikërisht sepse ishim të gjakut të tyre, na e rrëfenin tragjedinë e tyre, por gjithnjë më një sy në dritare se mos i përgjonte kush, apo me veshët nga dera se mos futej ndonjë policë i fshehtë grekë. Shqiptarë ortodoks të Çamërisë për herë të fundit kam takuam më 1991.       

Ndërkaq, shqiptarë të dëbuar të Çamërisë kam takuar pas vitit 1992, kryesisht në Shqipëri, por edhe në Francë e Turqi. Sa  brengos fakti që greku nuk i lejon të kthehen në krahinën shqiptare, po aq  brengosëse është pse një pjesë e bashkëkombësve nuk ua dinë hallin, i përbuzin e përçmojnë si të gjithë të dëbuarit, sepse ashtu i mësuan në kohën e Enver Hoxhës, ashtu po i mësojnë shtrembër edhe në kohën e demokracisë. Lobi i fuqishëm grekë në Shqipëri ka shtrirë rrënjë kudo dhe nuk i lë të ngrehin kokë, zëmër ngushtësia provinciale shqiptare është armiku tjetër, që i nxit shqiptarët kundër shqiptarëve, ashtu sikurse i nxiste dikur lobi serb shqiptarët kundër “kosovarëve”. Shqiptarët e Çamërisë ishin tragjikë në dy plane. Shqiptarët ortodoks që shpëtuan nga masakrat greke, i shkriu dhunshëm pushteti i Athinës, duke ua prerë gjuhën e traditën kombëtare, duke i kërcënuar se po dhanë shenja ringjallje do ta pësonin; shqiptarët myslimanë Greqia i dëboi një herë në Turqi, duke ua humbur farën, ndërsa pjesën tjetër i dëboi në Shqipëri, pasi masakroi pjesën më të madhe të popullatës, gra e fëmijë. Grekët nuk bënë dallime fetare, ata bënë gjenocid ndaj shqiptarëve në Çamëri.

Gjenocidi grekë është i pashembullt, vetëm gjenocidi turk kundër armenëve mund t’i afrohet, ndërsa vetë shqiptarët nuk e ngrehin zërin kundër këtij gjenocidi, ose reagimet janë të flashkëta, shpesh të pasinqerta. Kryesisht reagojnë shqiptarët e Çamërisë, por nuk reagojnë ose fare pak reagojnë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, Preshevës e Bujanovcit.  Secili e ka futur kokën në zhguallin e breshkës dhe nuk i intereson çfarë ngjet jashtë katundit të vet.

Si arsyetoheshin krimet greke?

“Çamët duhet të kenë bërë diçka, prandaj i dëbuan”, më tha më 1991 Llaqi, një ish pjesëtar i strukturave të Enver Hoxhës. Më la pa fjalë se si i arsyetonte krimet greke, ndërsa i fajësonte viktimat çame. Arsyetimin cinik të gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë e kam dëgjuar dhjetëra herë në Tiranë. Një arsyetim që s’ta kapte mendja. Gjenocidi arsyetohej me kinse bashkëpunimin më fashistët. Grekëve u lejohej bashkëpunimi më nazistët, kurse shqiptarët duhej të vriteshin e të dëboheshin. Faktet tregojnë se ishin grekët kombi më bashkëpunues më pushtuesin gjermanë në Gadishullin Ilirik. Nuk e di a e kanë shikuar mbrojtësit e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, filmin “Mediteraneo”, ku vajza e dëlirë greke, ua fal dëlirësinë e vet njëkohësisht dy ushtarëve italianë. Janë dhjetëra filma që e paraqesin këtë bashkëpunim greko-italian, apo greko-gjerman edhe në instanca më të larta dhe në shtrirje më të gjëra se sa në dashuri. Megjithatë strukturat komuniste anti kombëtarizmin e qyqarin ndaj çamëve e mbulonin me ideologji, pra çamët ishin armiq, sepse ishin bashkëpunëtorë të nazizmit, nuk i ndihmuan sepse u mbetej hatri serbëve e rusëve.

Në demokraci ka zëra e grupe që i sulmojnë e fyejnë, sepse po bashkëpunuakan më Turqinë e Arabinë Saudite, ndërsa citojnë deklarata të kreut të partisë çame. Nuk e di a duhej të formohej partia çame në Shqipëri, por duket që shpërfillja e pafalshme e shtetit ndaj çamëve mund të ketë ndikuar në formimin e partisë krahinore, ndërsa nuk përjashtohet që kjo shpërfillje cinike t’i ketë hedhur në prehrin e Turqisë e islamizmit, gjë që do të ishte tragjike për këtë komunitet. Nuk ishte më i mirë pushtuesi turk nga ai grek, prandaj është kriminale nëse i afrohen Turqisë. Po ashtu, sulmi kundër Armando Sadikut, u nis, sepse një portal shkruan që ai qenka takuar më një hoxhë- korb islamik. Takimi i një sportisti më një islamik që e ngreh gishtin si antenë televizori në një shtet laik është i dëmshëm për uniformën kuq e zi e për emrin e mirë të kombit të tij, kurse bashkëpunimi apo ndihma turke për shqiptarët e Çamërisë do të ishte fatale, sepse do t’u jepte shkas grekëve të refuzojnë çdo kërkesë çame, madje s’do ta kenë as mbështetjen perëndimore.  Kush u garanton përfaqësuesve të çamëve që nuk ka marrëveshje të fshehtë greko-turke për tregtimin e interesave çame. Do t’i shes Turqia interesat e çamëve sikurse i shet limonin  e kontaminuar të bregdetit mesdhetar.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: -ndërgjegjja e vrarë, Cameria, e shqiptareve, Gani mehmetaj

Artikujt e fundit

  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl
  • VATRA PROMOVOI “DIKTATI I ADM NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”, BOTIM I GJENERAL ASLLAN BUSHATIT MBI ARMËT BËRTHAMORE DHE SIGURINË KOMBËTARE
  • Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho
  • Deputeti i Parlamentit të Kosovës Prof. Besnik Tahiri mbajti fjalën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
  • ÇËSHTJA E KOSOVËS DHE ROLI I DIPLOMACISË NDËRKOMBËTARE NË PROCESIN E ÇLIRIMIT TË SAJ
  • ZËRI DHE FJALA MAGJIKE…
  • Nderim 179 vjetorit të lindjes dhe 104 vjetorit të vdekjes së Themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemal Vlora
  • Përse akoma në vend numëro?!
  • Njё arap Vlore qё quhet Otello
  • JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT