Cfare thane Kotzias e Bushati për çamët, ligjin e luftës, detin… në Top Story
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias u ndal në Tiranë në një vizitë zyrtare dyditore për të diskutuar çështjet e hapura mes dy vendeve jo vetëm me homologun e tij, Ditmir Bushati.
Së bashku me Bushatin dhe me Top Story-n e moderimin e Sokol Ballës, Kotzias u ndal në një auditor të mbushur me studentë dhe profesorë të Universitetit të Tiranës. Në fjalën hyrëse, kryediplomati grek vuri theksin tek urat që lidhin dy vendet dhe u kujdes të përforcojë se e ardhmja europiane e Shqipërisë varet edhe nga Greqia.
Fjalimi hyrës i Kotzias
“Ju falenderoj shumë për ftesën. Ju falënderoj edhe për fjalët e mira që u thanë këtu. Falënderoj çdo shqiptar dhe shqiptare, të cilët me punën e tyre, me miqësinë, me prezencën e tyre në Greqi, kontribuojnë në zhvillimin e vendit tim, me lidhjet e tyre familjare dhe kontaktet e përditshme, sjellin më afër dy vendet tona. Falënderoj personalisht çdo student dhe studente me origjinë nga Shqipëria që ka ndjekur leksionet dhe seminaret e mia dhe sot janë të sukseshëm në atdheun e tyre. Jam krenar për ata studentë dhe ato studente. Në Greqi jetojnë 700 mijë Shqiptarë, 140 mijë prej tyre kanë marrë nënshtetësinë greke. Pothuajse 7 mijë janë tashmë vetë sipërmarrës. Dëshëroj të nënvizoj edhe nga kjo foltore, se sa me fat jemi ne, Grekët, që vala e parë e emigrantëve ekonomikë dhe e refugjatëve, vinte prej vendit tuaj. Njerëz të qetë, familjarë, plot mirësi, punëdashës, me dëshirë për dije. Pa fanatizëm dhe ekstremizëm. Njerëz që gjetën një jetë të mirë dhe të koordinuar, ndërkohë që ndihmuan në mënyrë vendimtare atdheun e tyre. Të integruar në shoqërinë greke si askush tjetër që vinte prej vendeve të treta.
Ata përbëjnë një urë mirëkuptimi reciprok. Përspektiva europiane e Shqipërisë, vetë europianizimi i elitave shoqërore, gëzon mbështetjen tonë të plotë dhe të gjithanshme. Realizimi i pesë objektivave europiane që i janë vendosur Shqipërisë, do të ndihmojë në avancimin e reformave të brëndshme në vend por dhe do t’i sjellë më afër dy vendet tona. Greqia, një prej anëtareve më të hershme të BE-së, zotëron eksperiencën dhe ekspertizën mbi proçedurat dhe ‘’anët e çuditshme‘’ të BE-së, dhe në çdo moment është e gatshme të ndihmojë për çdo kërkesë nga ana e Shqipërisë mike. Njëkohësisht, ne dëshërojmë që të mos i lëmë të pazgjidhura probleme të vjetra, të cilët do të krijonin vështirësi në ecurinë europiane të Shqipërisë. Dëshërojmë që ato të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur, me dialog, me pjekuri, me mirëkuptim dhe në mënyrë racionale. Bashkimi Europian është një sistem i së drejtës, një sistem që udhëhiqet nga e drejta dhe ligji, funksionon në bazë të rregullave.
E kemi mbrujtur me kulturën e dialogut dhe të respektit reciprok, me kulturën e konsensusit dhe të kompromiseve pozitive. Pikërisht kjo kulturë duhet që të përhapet në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe që të arrihet kjo, do të duhet që ne, Shqipëria dhe Greqia, të japim shëmbullin pozitiv për të gjithë rajonin. Nën këtë frymë ne dëshërojmë që të kapërcejmë keqkuptimet dhe konceptet ekstremiste (shoviniste). Po synojmë zgjidhjen e problemeve të vjetra dhe shfrytëzimin e mundësive të reja. Synojmë ecurinë e përbashkët përpara. Do të dëshiroja të bëja edhe vërejtjen e mëposhtme: megjithë krizën që ka goditur ekonominë greke, me pasoja për të gjithë shoqërinë tonë, Greqia mbetet duke ruajtur distancën, si vendi më i fuqishëm i rajonit.
Disponon avantazhe thelbësore. Nuk është vetëm Prodhimi i Brendshëm i saj bruto që, megjithë tkurrjen në masën 25% prej krizës, është pesë herë më i madh se ai i Bullgarisë dhe dhjetë herë më i madh se ai i Shqipërisë, është pjesëmarrja e saj në të gjitha institucionet perëndimore. Është ekspertiza që zotëron, janë kapacitetet dhe aftësitë që ajo disponon. Në shumicën e tyre grekët, kanë mësuar ta respektojnë Shqipërinë dhe faktorin shqiptar. Nuk rrojmë në kohën e rrezimit të sistemit të atëhershëm politik, të emigrimit të shqiptarëve dhe të mungesës së perspektivës për vendin e tyre. Shqipëria po përparon si një vend modern europian dhe duam të jemi përkrah saj në këtë realitet.
Nuk lëjojmë që të nënvleftësohet fqinji ynë veri-perendimor. Së bashku do të transformojmë të ardhmën e rajonit. Nga ana tjetër, nuk do të duhet të harrojë askush në Shqipëri se e ardhmja e saj është e lidhur me marrëdhëniet e mira me fqinjin e saj jugor. As të nënvleftësohen mundësitë dhe instrumentet që disponon Greqia akoma edhe sot. Është e vërtetë se ka vende më të fuqishme në Europë dhe në botë se vendet tona, por interesimi i tyre për Shqipërinë nuk është i qendrueshëm, nuk përbën përparësi të dorës së parë. Përkundrazi, ne duam, dëshirojmë dhe punojmë për marrëdhënie barazie, ku nga problemet e së kaluarës të ngremë sot miqësi dhe përfitime të përbashkëta për të ardhmen. Marrëdhënie të forta midis Shqipërisë dhe Greqisë japin forcë në shtetet dhe shoqëritë tona, ushqejnë me shpresë popujt tanë. Kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit.
Bashkëbisedimi
Pas fjalimi hyrës, dy kryediplomatët iu përgjigjen disa pyetjeve të Sokol Ballës dhe të studentëve dhe profesorëve të pranishëm në këtë takim.
Pyetje: Ministri i Jashtëm i Shqipërisë mund të na sqarojë më tepër për parimin e reciprocitetit që duket sikur po trajtohet në mënyrë të re mes dy vendeve.
Ministri Bushati: Ne kemi hapur një linjë të qartë dialogu komunikimi dhe kemi ballafaquar pikëpamjet e kundërta që kemi për disa nga cështjet që mbeten të hapura dhe besoj që me dialog dhe përvojën e dy vendeve tona, duke u mbështetur në instrumentet e së drejtës ndërkombëtare dhe në frymën europiane do të kemi mundësinë që disa nga këto çështje t’i tejkalojmë.
Pyetje: Doja të preknim një çështje delikate që nga pala shqiptare po trajtohet me një tonalitet tjetër vitet e fundit; çështjen çame.
Ministri grek, Nikos Kotzias: Të falenderoj për këtë pyetje. Në vazhdim të konferencës sime të shtypit thashë se problemet janë për t’u zgjidhur. Disa mendojnë se problem është zgjidhja. Besoj se nuk duhet ta zmadhojmë këtë problem që ju sapo shtruat. Kisha një intervistë në një kanal televiziv shqiptar dhe u përpoqa të them se kemi shumë gjëra të përbashkëta pozitive që mund të bëjmë në dy vendet tona Shqipëria dhe Greqia dhe nuk besoj se duhet të përqëndrohemi pikërisht të kjo çështje që ju sapo shtruat. Përsa i përket kësaj çështje, bëhet fjalë për një grup popullsie çame që rronte dhe rron në Shqipëri dhe me ta nuk kishim dhe nuk kemi asnjë problem. Ata vetëpërcaktohen nëse i takojnë njërit grup apo tjetër në Shqipëri, por ky nuk është problemi yne. Ekziton dhe një grup tjetër çamësh që janë integruar në shoqërinë greke, një pjesë e tyre janë islamizuar nga vitet 1600, nga këta ekzistonte edhe një grup tjetër që bashkëpunuan me pushtuesit dhe ishin bashkëpunëtorë të tyre. Ata u dënuan nga gjyqet pas Luftës së Dytë Botërore dhe u larguan në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Tani ekzistojne fëmijë nga këta njerëz, nipër, që nuk mbajnë një përgjegjësi për mëkatet e luftës që kryen paraardhësit e tyre. Greqia për cilindo që përcakton kushtet e kriteret dhe ka vizë Shengen është e hapur. Mua më pëlqen të flas për 700 mijë shqiptarët që janë në Greqi dhe që nuk kanë asnjë lidhje me traditën e Luftës së Dytë Botërore që gjatë gjithë kësaj periudhe në treguam se i duam si fëmijët tanë. Flas edhe për ata studentë të shkëlqyer që vijnë nga Shqipëria. Madje në viziten e fundit që bëra në Shqipëri unë takova disa prej tyre që janë bërë profesorë universiteti. Kur shikon gjëra të tilla zemra e çdo mësuesi fluturon dhe dua të them që shqiptarët që studiojnë në universitetet tona dhe flas për Universitetin e Marrëdhënieve Europiane dhe Ndërkombëtare në Pire, janë nga studentët më të mirë që kishim ndonjëherë, arsimdashës të zgjuar dhe shumë punëtorë, që përbën gezim për çdo profesor. Duhet të mendojmë për këtë kategori njerëzish që përbëjnë urën më të mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Pyetje: Tek parimi i reciprocitetit, si do të trajtohet çështja çame nga ana e Qeverisë shqiptare? Zoti ministër foli për të drejtat e pronës së minoritetit grek në Shqipëri, ndërkohë dimë që pala greke kërkon ngritjen e varrezave të të rënëve të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. A do të kërkojë Qeveria shqiptare reciprocitet nga pala greke edhe për çështjen çame në këtë drejtim. E dimë që çështja çame ka një aspekt ekonomik, por ka edhe një aspekt moral dhe historik për ngritjen e një varreze të të rënëve të tyre në territorin grek.
Ministri Bushati: Detyra jonë është e vështirë pasi duhet të gjejmë një balancë për problemet e mbartura nga historia që kërkojnë zgjidhje. Mund të qendrojnë disi të fshehura në momente të caktuara, por sërish kërkojnë zgjidhje. Ne kemi grupuar çështjet përsa na takon si Shqipëri në 3 shporta, 3 kategori, në shportën e problemeve me origjinë nga Lufta e Dytë Botërore, në shportën e problematikave që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë tek jeta e qytetarëve të të dy vendeve dhe shporta e tretë ku janë çështje përcaktuese për të ardhmen tonë. Kur flasim për shportën e parë ju përmendet çështjen çame apo varrezat e të rënëve grekë në Shqipëri, ligji i luftës e kështu me radhë. Ka një tërësi çështjesh. Jam optimist se për të gjitha çështjet po mbizotëron fryma e racionalitetit sesa thjesht listimi i kendvështrimeve të ndryshme.
Pyetje: Do doja të flisnim pak për ligjin e luftës, apo dekretin mbretëror të 1940. Zoti ministër (Kotzias), ju folët për nevojën e një traktati të ri miqësie mes dy vendeve, ky mund të jetë një debat interesant për të gjithë juristët, por për njerëzit e thjeshtë mbetet problem, që ne kërkojmë të bëjmë një traktat të ri miqësie, por si mund të bësh një traktat miqësie kur ke në fuqi një ligj lufte. Njerëzit e thjeshtë do të thonë që duhet të hiqet njëherë ligji i luftës dhe pastaj të bësh një traktat të ri miqësie.
Ministri grek, Kotzias: Winston Churchill tha pas Luftës së Dytë Botërore se Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë dhe unë them dhe jo i pari që të mos jemi të burgosur të historisë, të mësojmë nga historia dhe të mos mbetemi në burgun e saj. Në marrëdhëniet greko-shqiptare ne kemi një nivel marrëdhëniesh të shkëlqyera, por edhe marrëdhëniet tona personale. Nëse me lejon ta them zoti ministër. Por ne jemi europianë para se të jemi ballkanas, por jemi pak skizofrenë. Mbaroi lufta dhe ekziston një ligj për luftën. Një këshill ministrash në Greqi tha se mbaroi lufta në 1987 pastaj në morëm dhe hartuam një traktat miqësie mes dy vendeve, pastaj punuam në mënyrë të fortë që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s, kjo do të thotë se ne nuk jemi në luftë. Por pala tjetër na thote se keni edhe një ligj ju. Këtë skizofreni kemi për ta zgjidhur mes nesh. Politika mplekset ndonjëherë edhe me psikoanalizën, siç më thotë një miku im shqiptar, natën kërcejmë në buzuk dhe në mëngjes themi edhe ndonjë fjalë për grekët. Ndërsa ne gjithë ditën mbështetemi te puna e shqiptarëve në greqi, i përqafojmë, i puthim dhe i duam dhe para se të flemë e themi ndonjë fjalë për Shqipërinë. Jemi si të ishim një çift i moshuar grindavec, është koha të martojmë nipërit tanë që të bëjmë një traktat miqësie.
Do të them edhe për këtë me shumë qartësi, por nuk do desha ta them në greqisht, do t’i them publikisht. Më pyetën disa nëpunës në Greqi, nuk bëjmë edhe shumë kontrolle në kufirin shqiptaro- grek, por këto mos i dëgjojë Europa. Tani e dimë sesi kalohet në kufirin shqiptaro-grek. Kjo është gjë e mirë që populli të bashkohet, por kur kërkohet zyrtarisht të kontrollohen emrat, të drejtë kanë, por realiteti është ndryshe. Kam mikun tim, Pangalos, ministrin e Jashtëm grek, ai thotë se është arvanitas. Çfarë është arvanitasi? Është një hibrid greko-shqiptar. Tani ai thotë është grek. Nëse do rrimë t’i bëjmë kontroll në kufi…Kjo nuk mund bëhet sepse marrëdhëniet mes shqiptarëve e grekëve mund të kenë probleme përsa i përket kufirit, apo probleme me historinë, por është e vërtetë se në këto 1 mijë vitet e fundit kufijtë e gjeografia shkojnë e vijne dhe këtë e them se historia na edukon në mënyrë racionale se problemet mund të zgidhen. Kam një partner, ministrin Bushati që mbron interesat e Shqipërisë, por elemente të këtyre interesave janë në marrëdhëniet greko-shqiptare. Dikush në vendet tona, edhe në Greqi thonë të kemi interesat tona pa dëmtuar Shqipërinë. Por nuk janë të ndara këto. Interesat tona dhe marrëdhëniet tona ato janë të gjitha bashkë. Por dje katër gazeta greke kishin titull kyesor se përse shkoja unë në Shqipëri. Por kjo do të thotë që unë budalla jam që të humbas një takim të tillë këtu. Po ashtu gazetat e tjera thanë që unë u rrethova nga demostrues. Nuk më rrethuan, i pashë nga larg. Por duhet të dini se sa në demostrata kam shkuar unë. Për mua në jetën time, asgjë që është njerëzore nuk është e huaj që domethënë nëse dëmostrojne të tjerët apo demostroj unë.
Pyetje: Duket sikur klima mes dy vendeve është ngrohur disi zoti Bushati. Kotzias foli për probleme që zgjidhen mes dy fqinjësh, mendoni se do të jetë kaq e thjeshtë të zgjidhet çështja e kufirit detar?
Ministri Bushati: Çështjet e përcaktimit të shelfit kontinetal kërkojnë gjakftohtësi, përgatitje paraprake dhe precedentë dhe mbështetje në precedentë të saktë. Kam hulumtuar arkivat e Ministrisë së Jashtme shqiptare. Me Italinë në është dashur 7 vjet për të mbyllur çështjet e detit në një reliev gjeografik që është favorizues dhe gjithë procesi i diskutimeve është bërë gjatë Luftës së Ftohtë dhe pala shqiptare ka qenë e ndihmuar nga një ekspertizë e huaj dhe aq në mënyrë profesionale është kopsitur i gjithë procesi, saqë as Shqipëria dhe as Italia nuk ka kontestuar si marrëveshje. Me Greqinë ne kemi ndjekur një procedurë dhe proces për fat të keq jo profesional. Kur dëgjoj prap sot ish-zyrtarë që flasin për vorbulla më e pakta që them është fali Zot se nuk dijnë ç’bëjnë e ç’thonë. Relievi gjeografik me Greqinë është më i vështirë, çka e bën edhe aplikimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare më të vështirë. Por si me magji, pala shqiptare me 3 raunde bisedimesh dhe vetëm 1 vit e gjysmë dhe një dosje që për mirësjellje mund ta quaj dosje, se nuk është as dosje, e mbyll këtë marrëveshje. Me ato kushte dhe standarde që dihen. Miku im Kotzias është në të drejtën e vet kur thotë që e drejta e brendshme nuk mund të përdoret si argument për të bllokuar marrëveshje që konkludohen mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, por edhe unë besoj se jam në të drejtën time kur them se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht na pëlqejnë apo jo, janë vendime të padiskutueshme. Kam ndjekur me vëmendje debatet në Shqipëri. Për Vangjelin (Dule) që është këtu, andej nga jugu e dijnë mirë atë shprehjen që thonë që ‘krushqit e parë të shqiptarëve janë grekët’. Kjo do të thotë që nuk është mirë as për ne dhe as për grekët për të jetuar dhe thënë që kemi një projektmarrëveshje që mund të mos ishte një marrëveshje e ndershme për të dyja palët. E them që faji është i Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare dhe atyre që e negociuan në atë në mënyrë. Mora shembullin e Italisë për këtë çështje sepse është një vend themelues i BE-së, fqinj me ne dhe që ka marrëdhënie po kaq të mira edhe me Greqinë. Kur marr Italinë si shembull kam parasysh që duam një zgjidhje të bazuar në respektin për të drejtën ndërkombëtare, një zgjidhje me frymë europiane dhe që bazohet tek e drejta ndërkombëtare. Nuk duam që të jemi sanduiç i kontesteve dhe konflikteve, por as të shohim për zgjidhje që nuk kanë kompasin orientues tek e drejta ndërkombëtare.
Ministri grek, Nikos Kotsias: Filimisht unë kam për t’ju thënë ju diçka shumë të mirë. Ne kemi një det të mirë e të bukur sepse italianët nga ana tjetër e kanë shkatërruar detin dhe pikërisht për këtë det të bukur ne duam të krijojmë zona detare dhe kështu kemi një situatë paradoksale që na ndodh. Ne thamë që e kemi firmosur marrëveshjen dhe tani duhet ta zbatojmë atë dhe e kemi nënshkruar marrëveshjen në bazë të të drejtës ndërkombëtare sikundër e tha edhe ministri i Jashtëm, po thotë pala shqiptare, por sipas asamblese tonë kushtetuese një fakt i tillë nuk është i ligjshem. Ne i tregojmë palës shqiptare se e drejta ndërkombëtare është mbi të drejtën kushtetuese tuaj. Ndërkohë rikthehet pala shqiptare duke thënë, po ashtu është, por e drejta kushtetuese e jona është e drejtë e saktë për ne. Dhe kështu ne kemi një marrëveshje për 8 vite radhazi dhe shikojmë njëri-tjetrin në sy, por gjithsesi diçka duhet të bëjmë. Ka zgjidhje qoftë teknike, qoftë juridike, të cilat duhet të respektojnë interesat, por edhe konceptet e të dyja palëve. Kjo është përsa i përket konceptit politik, por duhet të konfirmojmë faktin këtu se politikanët kanë nevojë për ekspertë edhe për ekspertizën analoge që nevojitet. Por edhe këtë e them jo vetëm në aspektin metafizik se në politikë kemi nevoje edhe për fantazi dhe fillimisht kemi nevojë për ide në mënyrë që të bëhen dizertacione pas 50 vitesh me këto ide.
Kosova për vazhdimin e Misionit të EULEX-it
-Kryeministri Isa Mustafa: Qeveria vlerëson rolin e EULEX-it dhe përkrahjen e madhe dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fuqizimin e shtetit të së drejtës në Kosovë/
-Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi: Mandati aktual i misionit të EULEX-it në Kosovë përfundon me datën 15 qershor të këtij viti/
Nga Behlul Jashari-Gazeta DIELLI/ PRISHTINË, 10 Qershor 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 92-të të rregullt, të 24-tën në vitin 2016, në të cilën ka miratuar projektligjet që ndërlidhen me vazhdimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Mustafa tha se qeveria e Republikës së Kosovës mbetet edhe më tutje e përkushtuar fuqimisht për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si një nga prioritet më të rëndësishme të qeverisjes së saj.
“Qeveria e ka mbështetur dhe do t’i mbështesë me të gjitha mjetet institucionet e drejtësisë, prokurorinë, gjyqet dhe policinë që ta bëjnë punën e tyre në luftën kundër krimit dhe ndjekjen e shkelësve të ligjit, në mënyrë që vlerat vitale të shtetit tonë dhe qytetarëve t’u sigurojmë një ambient të qetë dhe të sigurt për të jetuar dhe për të punuar”, tha ai.
Qeveria, vijoi Mustafa, vlerëson rolin e EULEX-it dhe përkrahjen e madhe dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fuqizimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.
“Sot, me rastin e aprovimit të këtyre dy ligjeve, ne shprehim edhe njëherë qëndrimet dhe vullnetin tonë dhe mirëpresim vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë në marrëveshje me institucionet e Republikës së Kosovës të bindur se prezenca e EULEX-it edhe më tutje në Kosovë vetëm sa do të përshpejtojë reformën e nevojshme në institucionet e drejtësisë dhe do t’i kontribuojë përafrimit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian”, tha kryeministri.
Njëkohësisht, vijoi ai, qeveria vlerëson se tani janë pjekur kushtet për transferimin edhe të më shumë përgjegjësive nga EULEX-i në institucionet vendore të drejtësisë dhe kontributi i këtij misioni të përqendrohet më shumë në monitorim, në mentorim dhe këshillim.
“Ne jemi të vetëdijshëm se për vazhdimin e mandatit të EULEX-it duhet të vendoset në Kuvendin e Republikës së Kosovës jo më larg se më datë 14 qershor të këtij viti. Meqenëse është një afat i shkurt dhe kohë pushimesh, e që deputetët të njihen paraprakisht me përmbajtjen e këtyre projektligjeve, sepse kërkohet një shumicë e cilësuar, ne kemi vendosur që sot t’i procedojmë këto dy projektligje dhe që kurdo që paraqitet nevoja, të plotësojmë çdo kusht të nevojshëm formal”, theksoi kryeministri kosovar.
Ai njoftoi se, ditëve të fundit ka pas diskutime në nivel të institucioneve kosovare, respektivisht presidentit, kryetrarit të Kuvendit, qeverisë, përfshirë institucionet vendore të drejtësisë.
“Ka pasur takime edhe me përfaqësues të BE-së dhe të SHBA-ve, që janë dakorduar që edhe më tutje të vazhdojmë prezencën e misionit të EULEX-it në Kosovë”, theksoi Mustafa.
Kryeministri tha se është i informuar se presidenti i Republikës së Kosovës i ka dërguar letër përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Mogherini, ku së bashku me falënderimin për kontributin e EULEX-it viteve të fundit në sistemin e drejtësisë, poashtu është kërkuar që ky mision të vazhdojë me prezencën e vet në Kosovë edhe në vitet e ardhshme.
“Qeveria e Kosovës pret që në një të ardhme të afërt të kemi përgjigje pozitive edhe nga BE-ja, në mënyrë që të sigurohet baza ligjore dhe kushtetuese e vazhdimit të misionit të EULEX-it, që mos të ketë moment vakumi në trajtimin e rasteve penale, civile dhe kushtetuese, që janë në kompetencë të EULEX-it, që qytetarëve që janë subjekt i këtyre procedurave të mos iu cenohet e drejta për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, u shpreh Mustafa.
Si qeveri, siguroi ai, mbetemi thellë të përkushtuar që të ndërtojmë një shtet demokratik, të zhvilluar ekonomikisht si pjesë të familjes së vendeve të BE-së, gjithnjë duke thelluar partneritetin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e drejtësisë, por edhe në të gjitha fushat tjera dhe jemi të bindur se këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një nga aleatët tonë kryesorë në shtetndërtimin e vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa.
Qeveria e Kosovës, më tutje, miratoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka prezantuar Projektligjin.
“Ashtu sikur e dimë tanimë, mandati aktual i misionit të EULEX-it në Kosovë përfundon me datën 15 qershor të këtij viti, sikurse që është paraparë në letrat e shkëmbimit të Presidentes në atë kohë dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian në vitin 2014. Ne jemi të informuar se Presidenti i Republikës ka dërguar letër po ashtu për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe në këtë drejtim Ministria e Drejtësisë qysh në shtator të vitit 2015 ka hartuar një plan strategjik për transferimin e kompetencave”, tha Kuçi.
Ky plan, vijoi zëvendëskryeministri i pare, është ndarë në disa çështje që ka rëndësi të veçantë për institucionet qendrore, por edhe në raport me përfaqësuesit e BE-së. “Deri më tani kemi pasur si rrjedhojë të konkludimit të shumë negociatave të përbashkëta që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it dhe në muajt që kemi kaluar po ashtu kemi pas përfaqësues edhe të BE-së nga Brukseli, respektivisht edhe nga komanda për operacione civile por edhe përfaqësues të tjerë të BE-së që janë në Kosovë. Institucionet e Republikës së Kosovës, jemi munduar që ta koordinojmë në mënyrën më të mirë dhe ta unifikojmë këtë proces, duke e koordinuar aktivitetin në plotëni me presidentin e Republikës, me kryeministrin, me kryetarin e Kuvendit, po ashtu edhe me përfaqësuesit e gjyqësorit të Kosovës, përfshirë Këshillin Gjyqësor, Prokurorial, kryetarin e Gjykatës Supreme, kryeprokurorin e Shtetit nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Kosovës”, tha zëvendëskryeministri i parë.
Natyrisht, vijoi ai, gjatë procesit të negocimit ne kemi tentuar t’i harmonizojmë qëndrimet dhe kompetencat tona.
“Kemi ardhur në përfundim që mandati i EULEX-it të vazhdojë edhe për së paku dy vite në Republikën e Kosovës, që nënkupton deri në qershor të vitit 2018. Po ashtu, jemi pajtuar së bashku me BE-në që EULEX-i të transferoj një numër të konsiderueshëm të rasteve tek institucionet vendore të cilat konsiderohen të transferueshme dhe mund të trajtohen me sukses nga institucionet vendore. Në këtë drejtim, po ashtu, kemi propozuar që një numër i rasteve të cilat kanë filluar më herët të mbetën në kompetencë në kuadër të EULEX-it dhe transferi i tyre të jetë në mënyrë diskrecionale nga EULEX-i për një arsyetim dhe llogaridhënie që mund të jetë te institucionet vendore”, tha Kuçi.
Zëvendëskryeministri i parë theksoi se, pozicioni, po ashtu, i BE-së por i dakorduar edhe me ne është që mandati i tre gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës të vazhdojë dhe në rastin eventual që ndonjëri nga ata të tërhiqet zëvendësimi do të jetë me gjyqtarë vendorë.
“Jemi pajtuar që të ketë vazhdim të mandatit të gjyqtarëve të EULEX-it në dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës në panelin e AKP-së dhe në panelet e tjera. Po ashtu, jemi pajtuar që të vazhdohet edhe më tutje në mbështetjen e EULEX-it për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe funksionalizimin e plotë të gjyqësorit në Republikën e Kosovës, respektivisht në very”, tha Kuçi.
Kontributi i EULEX-it, vijoi zëvendëskryeministri i parë, do të vazhdojë edhe në shërbime tjera mbështetëse, qoftë ato procedurale, penale, hetimore, mjekësi ligjore, njësitë rajonale policore dhe të tjera.
“Natyrisht përmes shërbimeve të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit te disa institucione ku nuk do të ketë kompetencë ekzekutive. Në këtë drejtim ne kemi ngritur çështje që kanë të bëjnë në veçanti me raste të reja që i quajmë ne dhe ka nevojë që të ketë parasysh secili që të hartohet një plan strategjik i cili do të jetë i koordinuar me misionin e EULEX-it që parasheh afatet kohore dhe mënyrën e transferimit të kompetencave, por edhe hapjen e rasteve të reja. Çështje me rëndësi që është ngritur gjithsesi ka mbetur saktësimi i politikës së mundësisë për marrjen e rasteve të reja, që kjo paraqet një ndër pikat më të rëndësishme të diskutimit tonë deri më tani dhe po ashtu në raport me BE-në. Politikat e tilla të mundësisë së marrjes së rasteve të tilla duhet të definohen qartë edhe në rastin e ligjit, por edhe rrethanat e jashtëzakonshme që i kemi quajtur ne, që parashihen në raport edhe me BE-në. Në këtë drejtim ka mundësi që sipas shkëmbimit të letrave të ketë përjashtim për rastet e reja në këtë proces, në veçanti për panelet me shumicë të cilat do të jenë me kërkesë të arsyetueshme të kryetarit të Gjykatës Supreme dhe me kërkesë të EULEX-it dhe miratim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku në raste të caktuara mund të jenë të panelit të përbërë nga shumica e gjyqtarëve të EULEX-it. Po ashtu, dua të them që transferimi i këtyre lëndëve te institucionet vendore mund të bëhet në cilëndo fazë me një arsyetim të veçantë. Ndërsa duhet të pranojmë faktin se nuk kemi arritur të konkludojmë në tërësi marrëveshjen finale me BE-në sa i përket qëndrimit të rasteve të reja që mund të merren nga prokurorët e EULEX-it pa një pëlqim paraprak nga kryeprokurori i shtetit. Natyrisht se është një mision në interesin tonë por besoj edhe të vetë BE-së të kemi një mision të BE-së edhe për një kohë në Republikën e Kosovës për krijimin e kapaciteteve tona dhe po ashtu të kemi parasysh që t’i ngrisim kapacitetet tona dhe të jenë të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë që duhet. Këto dokumente sot paraqiten për miratim në qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pastaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri i pare, Kuçi.
Më pas, kryeministri Mustafa tha po ashtu se qeveria do të mbetet gjithmonë e hapur deri në mbledhjen e Kuvendit, që çdo çështje edhe më tutje duhet të harmonizohet ose të plotësohet çdo formalitet ligjor i nevojshëm.
Kabineti Qeveria, pas shqyrtimit aprovoi edhe plotësim-ndryshimet e Projektligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundim të Ligjit në Republikën e Kosovës.
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka prezantuar këtë pikë.
“Natyrisht, në reflektim të letrës së presidentit të Republikës së Kosovës dhe të projektligjit paraprak që miratuam, që besoj se do të miratohet fillimisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pastaj do të reflektoj edhe në këtë projektligj që ndërlidhet me ndryshimet e mundshme për mandatin e EULEX-it në Kosovë.
Ky projektligj ka për qëllim që t’i përshtat ndryshimet që ndërlidhen me ligjet në vijim, që ka të bëjë me mandatin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në vendin tonë. Ligji për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës natyrisht se do të pësojë ndryshimet e veta, po ashtu edhe ndërlidhet edhe me ligjet e tjera që ka kompetenca misioni i EULEX-it në Kosovë. Në veçanti, Ligji mbi juridiksionin dhe kompetencat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në ndryshimet dhe plotësimin e Ligjit që ndërlidhet me mandatin për sundimin e ligjit në vendin tonë si dhe Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe çështjet që kanë të bëjnë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, tha Kuçi.
Ai vijoi se, në reflektim të letrës, këtu parashihet edhe mundësia e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për dy vitet e ardhshme që mendoj Kuvendi i Kosovës në ligjin paraprak do të reflektoj. “Natyrisht që ky Projektligj, e përmenda edhe më herët pikën që e ka dalluese e të gjitha tjerat takuese, e ka atë që ka të bëjë me rastet e reja. Unë jam i bindur që me propozimin tonë do ta zëmë afatin kohor për miratim në Kuvendin e Kosovës, se data 15 në orën 24:00 do ta zë Kosovën me një vendim për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Në këtë drejtim besoj që edhe Qeveria e Kosovës, edhe Presidenca, po edhe Kuvendi i Kosovës, do të kryejmë detyrat tona në mënyrë që me datën 16 misioni i EULEX-it të ketë bazën legale për funksionim në vendin tone”, përfundoi Kuçi.
Kryeministri Mustafa, tha se sipas procedurës, Kuvendi njëherë duhet të aprovojë Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare, i cili pastaj krijon bazë që aprovohet ndryshimi dhe plotësimi i projektligjeve që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it.
“Kështu që, ky Projektligj mund të trajtohet në Kuvend vetëm pasi që të aprovohet i pari. Qëllimi jonë ka qenë që ne t’ua prezantojmë këtë Projektligj deputetëve, në mënyrë që ata ta lexojnë dhe ta kenë të njohur. Pastaj, në qoftë se Kuvendi kërkon ndonjë procedurë formale tjetër nga ne, ne ndërkohë do të plotësojmë të gjitha procedurat formale”, tha kryeministri Mustafa.
Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për hua, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane KfW Frankfurt Am Main për programin “Masat e Efiçencës së Energjisë në Ndërtesat Publike në Nivel Komunal në Kosovë”.
U aprovua edhe projekt-rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për strukturën organizative të Zyrës së Kryeministrit.
Mimoza Leskaj: Kam jetuar dy botë
Bisedë me znj.Mimoza Leskaj ish e përndjekur politik/
Kam jetuar çdo ditë të jetës sime me frikën se nga momenti në moment mund të humbja tim atë, dhe kjo ka qenë tortura më e madhe e jetës sime. M.Leskaj /
Bisedoi Keze Kozeta Zylo/
–Le të hidhemi në vitet e fëmijërisë suaj, si ka qenë ajo dhe si e keni përjetuar ju si fëmijë?
– Ishin vite të vështira! Familja ime përfaqësohet nga të dy mbiemrat..-Lesko nga babai ,dhe Shaska nga mamaja, pra vetë mbiemrat flasin shumë! Mbas shumë dëbimeve nga vende të ndryshme, ku edhe mbiemrin nga Lesko ja shkruaj në Leskaj, babai më në fund vendoset në një kasolle të vjetër në periferi të një qyteti të vogël që quhet Shijak! Mbas shumë mundimesh arrin të ngrejë shtëpi. Aty lind,dhe ndërsa rritem,filloj të kuptoj peripecitë e mëdha të familjes. Një fëmijëri e heshtur e imja, si e shumë të tjerëve që rridhnin nga familje me” biografi të keqe”, kjo lloj “damke” të ndiqte kudo, dhe në çdo lloj moshe.
Kam jetuar çdo ditë të jetës sime me frikën se nga momenti në moment mund të humbja tim atë, dhe kjo ka qenë tortura më e madhe e jetës sime.
Persekucionet mbi të ishin të shumëllojshme dhe kjo ndikonte shumë në rritjen dhe formimin tim si fëmijë. Vendi ku jetonim kishte njerëz bujar dhe të mirë, të cilët lehtësuan sado pak mënyrën e jetesës në Shijak, kshtuqë ndërsa kalonim rrugës nuk na shante dhe ofendonte njeri, me fjalën e ndyrë “balliste e qelbur” siç bënin shpesh në zonat ku jetonin të afërmit e mi.
E them me shumë respekt se vetë shijakasit ishin njerëz të mirë, bujarë dhe mikpritës. Babai im njeri shumë i ndershëm dhe punëtor arriti të fitonte respektin dhe dashurinë e këtyre njerëzve të mirë.
Na shihnin me respekt, dhe vlersonin kulturën e familjes sonë. Pjesa më e dhimbshme e fëmijërisë time ishte familja e mamasë time, dmth gjyshërit dhe dajot të internuar në një majë mali i quajtur (Skotull nga zona e qytetit të Vlorës), ku kishte vetëm egërsira. I ngjitesha atij mali me orë të tëra për të parë të afërmit që jetonin atje. Isha vetëm pesë vjeçe dhe imazhi i asaj jete atje më ka ngelur akoma në sy. Kam përpara syve dhe sot gjyshin Filo Shaska, i dalë shumë i sëmurë nga torturat e egra të burgjeve. Njeri i shkolluar, ekonomist i zoti dhe njeri i ndershëm, që njohu torturat dhe varfërinë më makabre të atyre kohrave. Varfëria e panumërt e ditëve që shoqëruan mamanë dhe motrat e vëllezërit e saj mbas arrestimit të gjyshit është e llahtarshme. Ajo nga mos të ushqyerit u sëmur aq shumë sa dhe sot i vuan ato pasoja. Këto ngjarje dhe shumë të tjera, i kam përejtuar shumë keq fëmijë. Kam derdhur lotë të panumërt përballë vuajtve të tyre, ku ajo e imja nuk ishte asgjë.
Cila është familja juaj dhe pse u persekutuat nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës?
–Familja ime ishte kundër sistemit komunist. Ajo asnjëherë nuk u përputh me idetë e gabuara të atij sistemi.
Im atë ishte djali i një nacionalisti shumë të njohur në gjithë zonën e Jugut, njeri me influencë të madhe, Ahmet Lesko nga Tatzati i Delvinës! Me plagosjen e tij dhe eliminimin fizik në spitalin e Tiranës ngjarjet ndryshuan. Menjëherë mbas fitores së komunizmit, vëllezërit e tjerë Qani, Karafil dhe Ismet Lesko u arratisën dhe jetuan derisa vdiqën në Amerikë, ku prehen atje dhe sot. Nëpërmjet arratisjes i shpëtuan barbarzmit të egër komunist.
Ndërsa vëllai vogël Namik Lesko duke menduar për fëmijët e mitur të lënë me nënat në moshë shumë, shumë të re, vendos të qèndrojë dhe të kujdeset për ta. Nuk kalon shumë kohë dhe e kapin duke e eliminuar në mënyrë barbare , në coptimin e trupit të tij, për ta hedhur në lumin e Lanës, ku kuptohet ngelet dhe pa varr!Pra duket qartë persekutimi në vazhdim i fëmijëve që filluan të rriteshin, ku më i madhi ishte babai im Enver Lesko!
–Çfarë do të kujtoni nga jeta juaj e peresekucionit, si e keni përjetuar diferencimin në shoqërinë e atëhershme, a mund të na sillni ju lutem ndonjë episod?
Kam shumë për të kujtuar. Vuajtjet janë të mëdha dhe të pafundme, por do ju sjell vetëm tri episode…
1-Në moshën 8 vjeçe qëllohem në buzë me sustën e një çante shkolle, dhe gjaku më rridhte papushim ,ashtu futem në shtëpi. Prindët të shqetsuar ulërinjë. Kjo bëhesh që babai im të reagonte dhe duke u irrituar të gjenin shkak për ta burgosur. Ngjarjet pasuan me një denoncim ku u përgatit një fletrrufe e hidhur,sic përdoresh atherë për të të demaskuar!
2-Në moshën 14 vjeçe nuk më jepej e drejta për të vazhduar shkollën e mesme dhe pse isha shumë mirë me mësime, dhe u bënë përpjekje të jashtzakonshme nga njerëz që na donin dhe respektonin të cilët e quanin të pavend faktin se nuk duhej të shkollohesha.
3- Në vitin 1987 mar guximin dhe fshehurazi prindërve I shkruaj një letër xhaxhait në Amerikë. Ishte thjeshtë një letër përshëndetje e shkruar me shumë kujdes, por që doja tu tregoja se ne ishim gjallë e mirë, dhe i mendonim. Përgjigja e tyre vjen pas një viti dhe nuk na jepet ne, por thërrasin babain në degën e brendshme, ku e kërcënojnë që duhet të më ”mblidhte” për guximin që mora, në një rast të dytë do mendonin ata vetë për mua!
Cilat kanë qenë ëndrrat tuaja të parealizuara në Shqipëri dhe si ndiheni sot kur i kujtoni pengesat e shumta që ju sollën gjatë regjimit komunist?
E vetmja ëndërr primare që kisha ishte Liria! Doja të isha e lirë dhe jo ashtu në kafaz siç jetoja! Nuk reshta asnjëherë në cdo moment të jetës pa e ëndërruar, sepse nga kjo varesh gjithcka. Shkruaja dhe lexoja me etje cdo libër, ëndërroja të bëhesha shkrimtare me emër ku të mund të shkruaja vetëm të vërteta! Dhe me këto dy ëndrra u rrita, ndërsa vitet kalonin. Që të dyja nuk i realizova dot në Shqipëri, dhe është kjo arsyeja që unë shkruaj dhe botoj në gjuhën shhqipe.
Ju ka rastisur gjatë periudhës postkomuniste të takoni persekutorët e familjes suaj?
-Kam shkruar një tregim për këtë. Kam qenë dëshmitare kur im atë takoi persekutorin e tij! Nuk mund ta harroj kurrsesi. Përsa i përket spiunëve ordinerë që ishin persekutorët në vazhdim, pothuajse jetonim me ta. Ishte njëlloj “kompromisi” e quaj unë….unë hesht, dhe ti s’më bën dot gjë. Absurditeti i asaj jete të jetuar ndryshe dhe të qenurit ndryshe, do thosha.
Kur ikët nga Atdheu dhe cila ishte arsyeja kryesore e largimit për në Itali?
Nga Atdheu largohem në vitin 1995, por kjo për arsye sepse martohem në Itali, sepse është zgjedhje personale e jetës!
Cili është ndryshimi midis Atdheut tënd dhe Italisë që të priti? Në bisedat me miqtë italianë në se ju ke treguar historinë tuaj të dhimbshme familjare, cili ka qenë qëndrimi i tyre?
Ndryshimet janë të mëdha sepse filloi një jetë familjare nga e para. Vendi , kultura dhe mënyra e jetesës ishin e kundërta e asaj që lashë dhe jetova unë.Shpesh me shaka them që kam jetuar dy botë, por kjo është e vërtetë. Në biseda me miqtë kam treguar shumë ngjarje, shpesh dhe nuk më kanë besuar, kjo për faktin se ka ngjarje vërtetë të paimagjinueshme, dhe kam arritur në konkluzionin që është e pamundur të na kuptojnë, duhet jetuar!
Sot mjerisht politikanë, pseudogazetarë, ku më duhet të them se ka dhe nga klasa juaj e persekutuar, qe në vend që të sjellin emrat e persekutorëve, dëshmitarëve, akuzuesve të tyre që i futën në burg apo internuan, merren me kundërshtarët e tyre nëpër komente që fshihen nëpër anonime apo në shkrime të ndryshme duke i akuzuar si kriminelë, tradhëtarë, vrasës pa fakte, pa dokumenta, pa i njohur kurrë, me një fjalë bëjnë të njejtën gjë siç i dënoi diktatura me shpifje, inate, diskriminime… Cili është opinioni juaj për këtë rrëmujë që po ndodh në Shqipëri dhe midis shqiptarëve kudo ne botë?
-Karakteri është personal! Ndërsa jeta rrjedh me shpejtësi edhe njeriu kërkon të rikuperojë me shpejtësi kohën e humbur, dhe këtu del në pah karakteri personal i çdokujt . Përsa i përket rrëmujës që ndodh në Shqipëri, ndiej dhimbje. I kthej shpesh mendjen dhe sytë aty me keqardhje të madhe. Ai popull i vuajtur meriton shumë, ai vend është vërtet shumë i bukur, por siç duket tek ne shqiptarët ka një lloj egoizmi që e përdorim në të keqen tonë.
Ju keni botuar libra me poezi, ku shumë prej peozive tuaja jane mirëpritur nga lexuesit, cilat janë motivet më kryesore qe ju kanë dhënë frymëzim për t’i hedhur në letër?
GjithCka më frymzon! Përpiqem të realizoj ëndrrën time të fëmijërisë, nuk është kurrë vonë për këtë. Mbas mungesës së fortë që ndjeva mbas humbjes së tim eti, i cili u bë shkas në realizimin e kësaj ëndrre, frymëzimin e gjej kudo. Nga mëngjesi dhe gjer në mbrëmje jeta të dhuron nga më të ndryshmet emocione. I marr ato nga e kaluara , risjell tek lexuesit e rinj atë pjesë të cilët ata nuk e njohin. Praktikisht shkruaj çdo emocion të vërtetë, dhe kjo ka bërë që lexuesit të kthejnë sytë në ato cka unë shkruaj.
Cilat jane ëndrrat tuaja që parashikoni se do t’i realizoni në të ardhmen?
Të ëndërrosh është bukur, sepse jeta kudo ka vështirësitë e veta, dhe unë mendoj se do vazhdoj akoma të shkruaj. Përfundova librin e tretë poetik, “Pyeta Retë” i cili hyn për botim këto ditë, mbas atyre dy të para si: “Flas me Heshtjen “ dhe Dashuri me Ngjyra Vjeshte”. Po përfundoj një libër me tregime të vërteta dhe disa dorëshkrime, si dhe po punoj për romanin e parë i cili titullohet “Rikthim në të kaluarën”! Shpresoj në realizimin dhe mbarësinë e tyre!
Qershor, 2016
New York, USA
Skizoanalitika – Psikoanalizë Sociale dhe Politike
Nga Blerta Haxhiaj/
Duke ekzaminuar problematikën e subjektit, pas shkencave reaktive Anti-Edipi zhvillon nje linjë diagnostike atë që e shtrojme si problematike se në çfarë konstituon sëmundja në ditet e sotme dhe si duhet të kujdesemi për vetëveten duke e shëruar vetëvetën. Autorët (Deleuze & Guattari) përdorin termin e tyre ‘skizoanaliza’ – (schizo – ndarje; analizë –zbërthim) e cila është e kundërta e ‘psikoanalizës’ – (psyche – shpirt; analize – zberthim) e cila me vonë çdo gjë, mat gjithçka kundër neurozes dhe kastrimit. Skizoanaliza fillon me schizo – ndarje apo thyerje; -ku pohimi i tyre është : “a schizophrenic out for a walk is a better model than a neurotic lying on the analyst’s couch. . . .” – “një skizofrenik duke ecur në rrugë është një model më i mire se një neurotik i shtrire në divanin e analistit” kundër territoreve të Edipit dhe Edipalizimit (Familija, Kisha, “Xhamia” Shkolla, Kombi, Partia) Anti-Edipi kërkon të zbulojë deterritorializimin e dëshirës e cila buron dhe nuk është e koduar në kodet edipale dhe në territoret e neurozes, një makinë të dëshirës e cila arratiset nga kode të tilla.
Nga paranoja, te skizofrenia, nga fashizmi te revolucioni, ajo që është nën hetim është proçesi i jetës e cila lëkundet nga një ekstrem te një tjetër. “Të quajnë ‘Njeri i vogël’, ‘Njeri i zakonshëm’ Thonë se një epokë e re ka filluar, ‘Epoka e Njeriut të Thjeshtë”. Nuk e thua atë, o Njeri i vogel, o Njeruc. E thonë ata, nënkryetarët e kombeve të mëdhenj, udhëheqësit e zgjedhur të punëtorisë, stërnipërit e penduar të borgjezise, politikanët dhe filozofët. Të ofrojnë të ardhmen, por nuk të tregojnë të kaluarën” – Reich Wilhelm Degjo Njeruc; Vërshimet dhe prodhimet e dëshirës do të përceptohen si prodhime sociale të pandërgjegjshme. Pas çdo investimi të kohes, interesit, kapitalit është nje investim i dëshirës dhe vice-versa; Anti-Edipi është një teori e dëshirës dhe e vullnetit, e ndërgjegjes dhe e pandërgjegjes e cila lidh dëshirën me rrafshin social dhe sistemin monetar të bazuar mbi profit. Ky tension shndërrohet në një novele e cila udhëheqë kombinimin e makinës artistike; makinës revolucionare dhe makinës analitike; “ një kombinin i të tre mënyrave të dijes – intuitive, praktike, dhe reflektive, të cilat së bashku përputhen dhe vendosen si një gur mbi njëri tjetrin si një makine strategjike nga ku si tabele qitje ka egon dhe fashistin mbrenda nesh”(duaj nga fascio, shkopinjëve të lidhur tok së bashku me sëpatën) kjo është një analizë politike ku skizoanaliza shndërrohet në një vegel në skizofreninë si proces, e cila shërben si pikë nisje dhe si vend mbërritje. Kjo shërben si një vegël që njerëzimi të zhveshë vetëvetën nga çdo element antropomorfik dhe antropologjik, nga mitet dhe tragjedite dhe ekzistencializmi rend për të përceptuar atë se çfarë është jo-njerëzorja të njerëzorja, vullnetin e tij, forcen e tij, transformimet dhe mutacionet.
Një skizoanalizë e skizofrenisë është në rend për të mbajtur pushtetin e të nisë kërkime të reja në subjektivitetin kolektiv të shëruar revolucionar i njerezimit. “For we are sick, so sick, of our selves!” – Ne jemi semure, kaq sëmure, nga vetëvetja! (ANT-OEDIPUS – CAPITALISM AND SCHIZOPHRENIA by Gilles Deleuze and Felix Guattari)
Sipas Proust është çmenduria dhe pafajsia ajo që na shqetëson, nëse skizofrenia do të ishte universale, artistët e medhenj do ti përkisnin askujt. “Skizofreni nuk është as mashkull as femër, ai është mashkull ose femër por i përket saktesisht dy anëve, mashkull në anen e mashkullit, femer në anen e femrës”. Në kodin e Edipit – libidoja si energji e seleksionimit dhe shkëputjes është e konvertuar në fallus si një objekt i shkëputur, e cila më vonë do të ekzistojë si një formë transcedentale, nuk tentohet të mohohet si një edipalizim seksual, edipalizim heteroseksual apo homoseksual, si një edipalizim i kastrimit mirëpo mohohet se të gjitha janë me bazë seksuale – kastrimi dhe edipalizimi fillon nga nje iluzion bazik e cila na shtyn të besojmë se makina e dëshirës është e aftë për të gjitha përgjigjet, një subjekt më ligje transcedentale dhe është një prodhim social dhe kulturor. Psikoanaliza në nivelet më të larta të terapise riforcon lëvizjet e dukshme më të cilën i kombinon forcat. Psikoanaliza për vetëvetë siguron ‘shndërrimin’ e të pandërgjegjshmes, në atë që quhet pre-edipal, shaku për konflikt – Freud – kundërshtia sasiorë mes homoseksualitetit dhe heteroseksualitetit në fakt është si konseguencë e Edipit, është një produkt i edipalizimit dhe si kundër efekt e trajtimit që e përforcon. Në realitet ky problem ka të bëje më ekzistencën dhe natyrën e anti-edipalizimin e kastrimit, seksualitetit, heteroseksualiteti, homoseksualiteti, se si prodhimi i dëshirës nuk e lejon vetëvetën të projektohet në një mit, shenjat e deshirës nuk e lenë vetëvetën të eksploatohen nga shenjuesi; Edipi na informon neve, nëse nuk vazhdon linjën babai -mami – Unë, ndodh që bjen në nje humnerë të zeze dhe të padiferencuar. “Por është stresuese fakti që Edipi krijon diferencimet të cilat në rend janë ato që na kërcënojnë ne” internalizohet funksioni diferencial e cila sundon disnjuksionet eksluzive ose duhet të zhytesh në natën neurotike të imagjinates.
Skizoanalitika nuk e fsheh faktin se kjo është një psikoanalizë sociale dhe politike, një analizë militante, jo sepse duhet gjeneralizuar Edipin në kulturë nën kushteve qesharake të cilat kanë qënë normë deri më tani, është një analize militante sepse propozon të demonstroje ekzistencën e nje investimi libidinal të të pandërgjegjshmes të prodhimit socio-historik. Edipi është i vendosur që në fillim, në njërën anë është një njeri që definohet i edipalizuar – (pra ai vret babain) në një vrasjë pa fund ai merr emra të shumtë (neurotik, psikotik, pervers) në çdo rast një njeri i ‘madh’ është një rast i mirë sepse në konfliktin e edipit ai gjen nje zgjidhje origjinale (Hitler) duke luajtur rolin e babait përmes ‘transfuzionit homoseksual’ në relacion më turmat e femrave. Nuk është ofenduese nëse themi se Edipi është një besim i rremë por më ofenduese është nëse ky besim është i domosdoshmën në falsitetin e vet dhe ngulfatë prodhimin e domosdoshëm. “Çështja e babait është e njëjtë sikurse e Zotit : të lindur nga abstraksioni” merr përsipër lidhjen e thyer mes njeriut dhë natyrës, njëriut dhe botës, kështu që njeriu të prodhohet si njeri ndaras nga natyra dhe vetë njeriu. Seksualiteti nuk përfaqëson një premium për Egon, nje shndërrim për mosbindjen e proçesit të riprodhimit. Thuhet se e pandërgjegjshmia është e errët dhe me mistere, mirëpo psikoanalisti riforcon dhe shpikë ‘priftin’ e vet.
Relacioni psikoanalitik modelon për vetëvetë, roli kritik i parasë të cilën psikoanaliza sjell një justifikim të ri, një limit kohe ku kontradiktat mes vete prodhojë borxhe të shumta deri në infinit duke ushqyer dhe kujdesur për konflikte të reja. Freud e di se diçka nuk është në rregull në psikoanalizë, kurimi tenton të bëhet gjithnjë e me shume i padeterminueshëm, – testamenti i Freud – ai është në dijeni për helmin që është futur në filtrat e psikoanalizës. Si të tillë detyrohemi të përballemi më Edipin dhe kastrimin, reduktohemi te ata, të vendosim nëse duhet të masim apo çfarë të masim dhe nëse jo, mirëpo dëmi është shaktuar tashmë, trajtimi ka zgjedhur rrugën e vet të edipalizimit, e tëra në refuzim ndërsa shkicofrenizimi kuron … D & G jo vetem Dolce & Gabbana por edhe Deleuze & Guattari