• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria, kampion në rajon, vetëm për paga minimale

June 10, 2016 by dgreca

Në lidhje me ngarkesën totale të taksave për biznesin, Shqipëria duket më pak atraktive në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke qenë se renditet vetëm pas Serbisë për shkallën më të lartë të tatimit mbi fitimin, tatimit në burim dhe kontributit social të punëdhënësit. Por nga ana tjetër Shqipëria konkurron me Rajonin se ofron pagat më të ulëta dhe kjo është në interes të investitorëve të huaj. Paga minimale në Shqipëri aktualisht është 157 euro, ndërsa në Maqedoni paga minimale është 200 euro, në Serbi 226 euro, në Malin e Zi 288 euro, Kosova e ka 170 euro dhe Bosnja 164 euro. Diferenca është edhe më e lartë në pagën mesatare. Sipas analizës krahasuese që ka bërë Këshilli i investimeve, paga mesatare në Shqipëri është 357 euro, teksa Maqedonia e ka këtë nivel page 530 euro, Serbia e ka 500 euro, Mali i Zi 739 euro, Kosova 360 euro dhe Bosnja 424 euro. Shqipëria është e krahasueshme me Kosovën dhe Bosnjë- Hercegovinën për pagën minimale, por paraqet diferencë të dukshme në pagën mesatare, duke e bërë vendin tërheqës për koston e ulët të punonjësve relativisht të kualifikuar. Nga takimet me bizneset, por edhe nga disa anketime rezulton, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe certifikuar për procese teknologjike specifike si psh.:, në projekte në fushën e industrisë (naftë, gaz, TAP etj.), projekte të cilave nuk iu është paraprirë me investime nga ana e shtetit, në shkollimin dhe përgatitjen profesionale të specialistëve të mirëfilltë.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kampion në rajon, për paga minimale, shqiperia, vetëm

Fillojnë edhe zyrtarisht “Ditët e diasporës” në Prishtinë

June 10, 2016 by dgreca

-Juristë nga diaspora, Kosova e Shqipëria në konferencë për bashkëpunimin.

-Ministri Murati: Ministria e  Diasporës, në bashkëpunim me komunat dhe partnerët e tjerë, i ka bërë të gjitha përgatitjet për pritjen sa më të mirë të bashkatdhetarëve tanë gjatë verës, me moton “Ti je pjesë e atdheut”/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Qershor 2016/ Në Prishtinë, për herë të parë, sot në Ditën e Avokatisë së Odës së Avokatëve të Kosovës, organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Odën e Avokatëve të Kosovës, po mbahet konferenca “Mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe juristëve të diasporës”. Me këtë konferencë po fillojnë edhe zyrtarisht “Ditët e diasporës”.Konferenca ka për qëllim të vihen kontakte mes avokatëve e juristëve nga diaspora dhe atyre nga Kosova, si dhe të krijohen mundësi për bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

Pjesëmarrës në konferencë ishte  edhe zëvendësministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili tha se ndihet i nderuar që sot merr pjesë në shënimin e Ditës së Avokatisë së Kosovës.

“Më vjen që mirë që kjo konferencë organizohet në bashkëpunim me juristët dhe avokatët që janë jashtë. Ky është një sinjal i mirë i shkëmbimit të mendimeve tona,  është rritje e konkurrencës. Konkurrenca nuk e dobëson sistemin juridik, por e forcon atë. Është jashtëzakonisht me rëndësi që të jeni konkurrentë në ndihmë vendit tonë”, tha Kuçi . Ai theksoi se të gjithë avokatët dhe gjyqtarët e kanë një bazë juridike dhe ajo është ligji.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, pasi uroi Ditën e Avokatisë, duke u dëshiruar mirëseardhje edhe juristëve nga diaspora, përçoi mesazhin e bashkëpunimit jo vetëm mes juristëve, por edhe me institucionet e Republikës së Kosovës në sfidat që vijnë.

“Atdheu ynë i përbashkët ka ende shume sfida, të cilat mund të kalohen me një vullnet të përbashkët dhe duke i shfrytëzuar potencialet reciproke. Pra, atdheu dhe dashuria e përkushtimi për të janë pika kyç që na lidhin dhe na shtyjnë të gjejmë modalitete të bashkëpunimit në këto ditë sa do të mbahet konferenca”, tha ministri Murati.

Ai edhe njëherë kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që vendimin për themelimin e Dhomës së Posaçme për investitorët e huaj, ku futet drejtpërdrejt edhe pjesa e madhe e investitorëve të diasporës, të funksionalizohet, meqë rëndësia e këtij mekanizmi është tejet e madhe për të ardhmen socio-ekonomike të atdheut.

Ministri Murati i njohu të pranishmit se Ministria e  Diasporës, në bashkëpunim me komunat dhe partnerët e tjerë, i ka bërë të gjitha përgatitjet për pritjen sa më të mirë të bashkatdhetarëve tanë gjatë verës, me moton “Ti je pjesë e atdheut”.

Konferencën “Mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe juristëve të diasporës” e hapi Osman Havolli, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, cili i  vlerësoi lart përpjekjet dhe kontributin e shumë avokatëve në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Ai tha se Oda  e Avokatëve të Kosovës, e monitoruar nga institucionet ndërkombëtare, qëndron e para në relacion me shtetet e tjera në rajon për aktivitetet  dhe mekanizmat që i ka zhvilluar.

Në këtë konferencë u bë edhe betimi i avokatëve të rinj dhe i praktikantëve.

Konferenca do t’i vazhdojë punimet edhe nesër, ku do të mbahen panel-diskutime dhe do të nxirren konkluzionet dhe rekomandimet nga çështjet e trajtuara juridike.

Filed Under: Mergata Tagged With: Behlul Jashari, Ditet e diaspores, Prishtine

Del në dritë një elegji pesëshekullore

June 10, 2016 by dgreca

Mendime për librin e Novruz Xh. Shehut “Komita vate e shkoi”/

Nga Idajet Jahaj- studiues/

Kohët e fundit u botua libri i Novruz Xh. Shehut “Komita vate e shkoi”. Ky titull është përzgjedhur nga njëri prej vargjeve të një elegjie të hershme dhe të gjatë, të cilën autori e quan baladë, sepse sipas tij, kjo elegji, si përmbledhje e disa elegjive që i kushtohen së njëjtës ngjarje, është transmetuar në mënyrën klasike të baladave që lindën në Europë në fund të Mesjetës.  Nëpërmjet pleonazmit të bukur  “vate e shkoi” jepet romantika e një nëne të re, personazh kryesor i elegjisë.

Libri nuk është voluminoz, gjithsej 90 faqe, por nga densiteti i ngjarjeve që pasqyron, i ngjan një romani. Gjithë ngjarja që përshkruhet ngërthen pikërisht një elegji, të gjysmës së parë të shekullit XVI dhe konkretisht të vitit 1537. Ky vit është i fiksuar në historinë tonë, si vit i një ndeshjeje të madhe midis forcave luftëtare të popullit me hordhitë e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, aty në Bregdetin himarjot. Kanë kaluar qysh atëherë pesë shekuj, ose më saktë 479 vjet dhe balada- elegji ruhet përgjithësisht e plotë! Ajo është një thesar i vërtetë i kulturës sonë folklorike. Gjer më sot kanë qenë të botuara fragmente të saj si në librin e studiuesit Fane Veizi “Bregdeti në këngë”,  studiuesit Llambro Ruci , “Himara”, 2011; Pr. Bardhosh Gaçe “Himara në shekuj”, ose dhe në ndonjë punim tjetër. Por tërësia e vjershës nuk ka qenë e njohur.

Libri ka dy linja kryesore: ngjarjen dramatike të atentatorit Damjan Himarjoti (i njohur në histori si banor vendës nga Himara), por linja e gjenezës fisnore fillon nga kështjella e fortifikuar e Shatit, me lëvizjen e të parit të tyre Petro Shati dhe pasardhësve të tij si kalorës të Kryqit, besnikë të Shën Pjetrit ( fideles Sancti Petri) kalorës të Krishtit drejt Himarës, ku më vonë dhe vetë Damiani do të ishte një  “capitano fidelis sancti Petri” ( Kapiten kryqtar besnik i Shën Pjetrit), i cili, mbas kthimit nga luftërat për Papatin e Venedikun, do ta vazhdonte këtë detyrë me zbritjen e hordhive osmane me në krye Sulltan Sulejmanin dhe në Himarë. Gjurmimi i gjenezave të këtij fisi doli pikërisht nga formimi tërësor i pjesëve të kësaj elegjie. Si lindi ajo? Në libër bëhet një sqarim i plotë dhe i gjerë i gjurmimit dhe i ecurisë së saj sidomos në dekadat e fillimit të shekullit XX.

Ja kuadri i shkurtër i ngjarjes së atij viti 1537 (25 korrik): Forcat e Sulltan Sulejmanit kishin mbuluar bregdetin si një re e zezë. Pas shumë luftimeve të luftëtarëve tanë kundër tyre, një djalë himarjot nga Dhërmiu, Damian Petro Shati, vendosi që ta asgjësojë sulltanin, në çadrën e tij. Ky aksion i tij është i njohur në histori. Por në çastin që do të futej në çadër, u zbulua nga rojet dhe u kap prej tyre. Kryekomandant i ushtrisë osmane aty ishte pikërisht Ajaz Pasha. Ky ishte shqiptar, kishte lindur në Palasë. Të parët e tij kishin zbritur nga Progonati. Ishte marrë jeniçer prej turqve që kur ishte i vogël, kishte bërë karrierë të lartë ushtarake, deri në disa vende të tre kontinenteve që përfshinte Perandoria Osmane… Dhe ja tani, komandonte hordhinë gjakatare turke për të djegur vendin e vet! Renegat i pastër!

Mirëpo tragjedia u lidh: atentatori Damjan ishte kunati i tij. Kishte për grua Komita Petën, kushërirën e parë të Ajaz Pashës, i njohur ndryshe si Li Peta. Ky, i mbarsur me egërsinë e osmanëve, me lavdinë për pushtet e parà, nuk pati mëshirë për të kunatin, por dha urdhër ta torturonin çdo ditë. Por Damjani nuk kallëzoi gjë për inicimin e atentatit që do të kryente. Ajazi dërgoi jeniçerë për të sjellë me forcë aty gruan e Damjanit, Komitën (kushërirën e tij të parë) për ta detyruar Damjanin të fliste. Por Komita, e shoqëruar nga një grua e re, trime, nga Bregu, Marë Lania, niset për në Kurvelesh. Rrugës së Malit të Çikës, jeniçerët i afrohen, por Marë Lania e lë në një farë vendi Komitën e vetë kthehet e dredhon në malet e Çikës, duke thirrur: “Unë jam Komita!”, – për të shpëtuar shoqen e saj tashmë të torturuar nga fati tragjik, por dhe veten nga shtënia në dorë e jeniçerëve që i dhunonin robinat. Jeniçerët kërkojnë ta kapin Marën, por kjo hidhet nga një shkëmb në humnerë, diku mbi majat e Çikës, afër Palasës. Komita, pas shumë peripecish, (kishte një djalë të vogël në krahë, por dhe shtatzënë) shkon nga mali i Bolenës në Petaj të Progonatit, në derëbabe dhe vendoset përfundimisht me banim në Nivicë me njerëzit e afërm të bashkëshortit që ishin kështjellarë në kështjellën e Nivicës. Aty vjen nga Dhërmiu dhe vjehrra e saj, Thëllëza (Fëllëza), e cila mbërrin në kohën kur Komita kishte lindur një vajzë dhe aty fillon vajtimi i saj i gjatë… Është pikërisht ky vajtim që mori faqen e shekujve. Gjithë ky veprim intensiv, i cili ndodhi në një kohë fare të shkurtër, u përshkrua në vajtimin e saj tipik lab. Të gjitha ngjarjet aty parakalojnë si në një film të gjallë. Sigurisht, nëpër shekuj ky vajtim, kjo elegji, që në atë kohë është quajtur dhe baladë, për vetë karakterin e saj të thekshëm lirik, mund të ketë pësuar lëmime, zgjatje ose shkurtime, por thelbi gjithsesi ngelet i paprekur. Kjo elegji është nga më të hershmet në folklorin gojor, të paktën të trevave tona jugore. Ka pasur dhe para kësaj këngë të ndryshme historike si ajo e Rugjinë Balshës, “Ç’bën që rri, Rugjinë e gjorë”, e vitit 1417-1418; kënga e Gjergj Aranitit “Në Çipin përmbi Smokthinë”, e vitit 1434; ajo për trimin nga Bolena -Miho Hoçi, për luftën me turqit në vitin 1492 në Markovë, e ndonjë tjetër. Por këto kanë qenë të shkurtra, me nga 7-8 e deri në 15 vargje. Ndërsa elegjia për Komita Petën ka 72 vargje! Dhe të ruajtura për mrekulli në pesë shekuj!

Për nga sasia e vargjeve, densiteti i ngjarjeve dhe personazheve, ajo i ngjan një poeme të shkurtër të tipit homerik por ndryshe nga ajo ka vërtetësi e dhimbje tronditëse. Të gjithë emrat, vendet e ngjarjet që thuhen në elegji, sigurisht që janë me gjuhën e vjershërimit të hershëm popullor. Kështu ajo është polivalente dhe është vështirë të shprehen në një punim të tillë të gjitha vlerat që ngërthen. Dallohet aty leksiku i vjetër, shumë i hershëm i ligjërimeve popullore labe:

… Komitë e mbodhisurë

Çish shkon e vithisurë?

 

Çish vij a arça pëllua!

Halli që më zuri mua:

Kopaneci si cimbua… etj.

 

Përpos kësaj, aty ka fjalë të tjera pa mbarim, të veshura me tisin e hershëm të së folurës labe: sheprak, llomie, allonar, Otrënt, u mënua, felluk, illi që ke mbë konak, e kërreu, zërë (zanë), thepakë, bjerëjëm, fitirçjerrë, p’eja (pa eja), kumbiset, mënxirë, silarme, mbarlisia (pellazge kjo fjalë)… e sa e sa të tjera.

Në libër jepen personazhe të një rëndësie historike: Ajaz Pasha ka drejtuar ushtri e qeverisur në shumë vende të Perandorisë Osmane, duke u bërë deri në vezir i madh (kryeministër) i saj. Këto të dhëna dalin nga kontekstet historike deri dhe te fakti se ai bëhet jo vetëm kryeministër, por dhe dhëndër në familjen sulltanore, duke u martuar me motrën e Suljemanit të Madhërishëm (për të cilin vitet e fundit pati dhe një film të gjatë historik me shumë seri.) Madje, mbas shqiptarit Pargaliu, me origjinë nga Parga e Çamërisë, si komandant i ushtrisë osmane, erdhi Ajaz Pasha në vendin e tij!  E pikërisht ky sillet me egërsi ndaj bashkatdhetarëve të tij, madje edhe ndaj njerëzve të tij më të afërt. Kështu në libër pasqyrohen “heronj” të palës tjetër, pra të pushtuesit, të përmasave ndërkontinentale. Aty paraqitet vija e gjenezës së fisit Petroshati (Petoshati) që nga demilitarizimi dhe shkatërrimi i kështjellës së Shatit të Shkodrës, kalimi në Dhërmi, Nivicë e Dukat të Vlorës. Edhe sot në Dukat të Vlorës gjendet një toponim që quhet “Ara e Troshanëve”, duke ruajtur kështu dhe origjinën e hershme të pjesës tjetër të fisit kryesisht me klerikë nga Troshani i Shkodrës.

Libri pasqyron përpjekjet për evidentimin e elegjisë. Këto përpjekje filluan me publicistin Sali Nivica e shumë të tjerë në dekada të ndryshme të shekullit XX, deri tek njëri nga pinjollët e sotëm të fisit Petoshati, ish ushtaraku Xhelo Petoshati, tashmë mbi të tetëdhjetat, i cili e ka ditur përmendësh që në rininë e vet, të ruajtur gjysh pas gjyshi. Madje, mund të thuhet se Xhelo Petoshatit i takon merita e nxjerrjes dhe sqarimit të plotë të kësaj elegjie të famshme, të cilën shkrimtari dhe studiuesi i talentuar Novruz Xh. Shehu e kërkoi deri në hollësi duke i bërë sistemimin e plotë, pajisjen me fotografi dhe dokumente historikë nëpërmjet gërmimeve të shumta të literaturës së shkruar dhe gojore. Balada bën pasqyrimin e qëndresës legjendare të shqiptarëve për ruajtjen e trojeve dhe të fesë së të parëve. Por dhe ruajtja dhe transmetimi i saj me stoicizëm, është gjithashtu një qëndresë e fortë për të mos harruar të shkuarën dhe për të qartësuar të sotmen e të ardhmen evropiane të shqiptarëve.

Libri është një punim serioz, i tipit akademik, me serial të madh referimesh për të dhënat e konteksteve historikë dhe të personazheve.

Nga pikëpamja e gjuhës, mund të thuhet se autori është një zotërues i hollë i semantikës së fjalëve. Ka përdorur një leksik të pastër e të pasur, duke shpjeguar edhe labirintet më të vështira të rrjedhave, bëmave, personazheve, konteksteve historike, etj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Del në dritë, Idajet Jahaj, një elegji, Novruz Shehu, pesëshekullore

Promovim në Diasporë- Gjenocidi serb, atak mbi një popull me kulturë të lashtë!

June 10, 2016 by dgreca

Shkruan: Prof.Jusuf Jusufi/ Münster,Gjermani/

Mbrëmje letrare në Münster, 4 Qershor 2016 ora 19, ditë me diell, qielli i kaltërt i jepte nji kuptim më tepër këtij evenimenti. Në sallën e mbushur përplot hyri me përshëndetje të ngrohtë, njeriu që përjetoi për së afërmi ngjarje trishtuese, krime që vetëm të çmendurit mund që t’i bëjnë. Ky punëtor e shkencëtar i pashoq, ishte bërë pjesë e lotëve që rrokulliseshin faqeve të nënave trime krushjane, e nënave të shumta anë e kënd trojeve tona etnike që lirisë ia falën më të shtrenjtit, bijtë dhe bijat e tyre. E mbajti fjalën edhe iu përgjegj ftesës sonë të vij në Münster. Kushtrimin e lirisë e lëshoi nga Kosova martire. Do të vij tha, nuk do të kursehem ta shpërndaj të vërtetën e hidhur, e kam bërë në Europë, Amerikë, Australi…Erdha të ju jap mesazhin nga plagët e hapura që ende nuk janë shëruar. Ne duhet të falim(po jo pa i plotësuar kushtet armiqt tanë shekullor), sepse këtë e duan fuqitë e mëdha, por asnjëherë mos t’i harojmë krimet, masakrat, barbaritë dhe mizoritë e pashembullta që i bënë regjimet e vazhdueshme fashiste serbe mbi ne, aq makabre, pothuajse të papara në historinë e njerëzimit. Harresa është zhdukje, zhbërje, asimilim. Lëvizjet e tij ishin përcjellje e ndjenjave të brendshme. Shpesh godiste me gishta gjërat në tavolinë( kërkonte falje sikur kishte bërë faj), vazhdonte të na thotë se “ju jeni shpresa ime, me ndihmën tuaj do të zbardhë edhe shumë fakte tjera”. Herë pas here e përsëriste slloganin vëllezër e motra, çdo njeri i botës le ta din se çfarë dhune e gjenocidi ushtroi pushteti serb, u vranë e u maltretuan gati gjysmë milioni shqiptarë prej vitit 1844 deri në vitin 1999. Ky ndriçues i errësirës informatike preku shumë fusha të dijes, i burgosur politik por mbi të gjitha njerí, na bëri për vete të gjithëve. Jo se ne nuk kishim takuar profile të ndryshme, por se ai në shumëçka ishte i veçantë, ky është profesor doktor Nusret Pllana. Fokusi i masakrës në filmin dokumentar “Dëshmitë e Heshtura” që i kushtohet Krushës  së  Madhe, film ky që për skenarist dhe regjisor ka Luan Kryeziun.  Ky djep që lindi e përkundi trima si Bajram Curri e Ukshin Hoti ishte që moti caku i maqinerisë vrastare serbe. Pamjet  tonditëse që i shihnim, bënë gjithsecilin të përlotet. Unë sikur kisha një përshtypje, se u ngjallën viktimat dhe tok me ne i gëzoheshin Krushës së mbushur me fëmijë e me jetë. Ja do të thonin ata; këto filiza të ri  e ripërtërijnë gjakun tonë, këto do të na kujtojnë për jetë e mot. Kurrë nuk kisha parë tha profesor Pllana, kaq shumë gra shqiptare në promovim libri në diasporë si sot tek ju në Münster.  Ju lumtë!! Gruaja ka qenë dhe do të mbetet shtylla kryesore e shoqërisë. Por ne, u habitëm sa shpejtë ora vajti dymbëdhjetë. E përshëndetëm me sa mundëm me fjalët; ju profesor nuk guxoni të lodheni, vazhdoni punën në projekte të reja, se kështu arrijmë ta shkruajmë historinë me dorën tonë. E ne, nuk do të pushojmë së përkrahuri Juve dhe shkenctarët e devotshëm. Mbetshi me shëndet dhe kondicion, dhashtë Zoti e shifemi përsëri. Dyert tona ngelen të hapura për atdhetarë. Ta duash shqiptarinë më shumë se veten është sa nder aq edhe privilegj.

Filed Under: Mergata Tagged With: Gjenocidi serb atak mbi një popull me kulturë të lashtë!, Prof. Jusuf Jusufi

Albanian Yellow Pages,19 VITE NE NDIHME TE KOMUNITETIT SHQIPTAR

June 9, 2016 by dgreca

Flet  Ismer Mjeku, botues i Albanian Yellow Pages: Botimi i ri i 19-të i Albanian Yellow Pages, risitë, trendet e marketingut në komunitetin shqiptaro amerikan dhe të tjera/
Bisedoi: Beqir SINA/
Këto ditë ka dalë nga shtypi botimi i 19të i Albanian Yellow Pages, direktorisë që tashmë është pjesë e pandarë e Komunitetit Shqiptar në Amerikë. Ne biseduam me Botuesin z. Ismer Mjeku për risitë që sjell botimi, punën dhe përkushtimin që ka përmbledhur ky edicion dhe tendencat e reja në industrinë e marketingut.
Z. Mjeku, urime për botimin e ri. Ju keni një kohë te gjatë që merreni me marketing në Shtetet e Bashkuara. Çfarë ka ndryshuar në marketing dhe në aftesinë për ta tërhequr këtë treg dhe në bërjen biznes mes shqiptaro-amerikanëve.
Faleminderit për urimet dhe interesimin për këtë cështje. Sipas pervojës sonë pothuajse 25 vjeçare, si dhe nga të dhëna nga Administrata Amerikane për Biznese të Vogla, po vihet re një trend i ri në tregjet etnike në SHBA. Ndërsa pritej që këto tregje të asimiloheshin, koha ka treguar se për shkak të faktorëve ekonomik dhe social, shumë nga grupimet etnike nuk asimilohen shpejt dhe përpiqen të ruajnë integritetin e tyre kulturor dhe etnik dhe kjo refketohet edhe në biznes. Shqiptaro amerikanet kanë kohë që bëjnë biznes mes veti dhe mbështesin njeri tjetrin. Viteve të fundit shihet një interesim më i madh tek kompanitë amerikane që bëjnë biznes me komunitetin shqiptar, tani është rritur ndjeshmëria dhe ata e kuptojnë që komuniteti shqiptar është bërë një forcë blerëse e rëndësishme dhe se komuniteti ynë nuk mund të jetë më objekt i fushatave të cunguara të marketingut por pjesë e fushatave afatgjata. Ndryshimet kulturore tashmë nuk shihen si pengesa por mundësi të reja për të njohur një treg të ri. Edhe për të kandiduar në poste politike, tashmë duhet të kuptosh kulturat e ndryshme, të kesh ndjeshmërinë dhe të dish se si të depërtosh tek ta.
Cilat janë risitë që sjell ky botim ?
Ky është viti i 19të i botimit të Albanian Yellow në versionin e printuar dhe në versionin online dhe prej disa vitesh ekziston dhe nje App që e bën edhe më të lehtë përdorimin dhe marrjen e informacioneve. Albanian Yellow Pages përveç pjesës së direktorisë të bizneseve ka edhe pjesën informative që përfshin informacione për shoqata dhe institucionet shqiptaro amerikane si dhe aktivitetin e tyre, informacione të Konsullatave të Shqipërisë dhe Kosovës etj. Botimi i këtyre informacioneve është një lehtësim i madh për komunitetin dhe një ndihmesë për aktivitete të ndryshme festive, mbledhje fondesh, apo edhe informacione praktike si nxjerrja e një çertificate lindjeje, pasaportë etj. Duke marrë parasysh fuqinë që ka Albanian Yellow Pages për të arritur tek familjet dhe bizneset shqiptare falas, nga ana editoriale sikurse çdo vit ne e fokusojmë vëmendjen në ngjarje të mëdha, fushata publicitare që kanë për qëllim të informojnë apo dhe të edukojnë komunitetin. Këtë vit është viti i Shenjtërimit të Nënës Tereze dhe ne kemi përgatitur një insert kronologjik e fotografik që i dedikohet jetës dhe punës së Nënës Tereze që nga fëmijëria e hershme, familja, bamirësitë, thënie të saj, deri tek një album filatelik i shteteve të ndryshme të botës. Një tjetër insert promovues, informativ dhe interesant është ai për Arbëreshët e Italisë dhe Grecit, fshatit më të vjetër të Arbëreshëve të Italisë themeluar në vitin 1461, mundësuar nga ish Kongresisti Joseph Dioguardi me origjinë nga po i njejti fshat, dhe Liga Shqiptaro Amerikane që ai udhëheq. Në vazhdimësi të promovimit të shqiptaro-amerikanëve në vendimarrje në politikën amerikane dhe inkurajimit për të votuar dhe për të ushtruar të gjitha të drejtat kushtetuese, edhe këtë vit në bashkëpunim me Asambleistin shqiptar Mark Gjonaj, kemi botuar një insert ku tregohet aktiviteti i tij në shërbim të komunitetit shqiptaro amerikan dhe informacione se si të regjistroheni për të votuar, e të tjera.
Për në shumë informacione rreth këtij edicioni mund të merrni kopjen falas në vendet ku shpërndahet Albanian Yellow Pages, apo të porositni një kopje në www.albanianyellowpages.com.
Nga eksperienca juaj me Albanian Yellow Pages a mendoni se prania në rrjetet sociale si Facebook, Linkedin apo Referimet mund të zëvendësojnë apo bëjnë atë punë që bën marketingu?
Marketingu dhe Rrjetet Sociale janë dy gjëra të ndara që nuk mund ta zevëndesojnë njëra tjetrën. Ato kanë dy funksione të ndryshme dhe nëse përdoren mirë e plotësojnë njëra tjetrën. Çdo kompani duhet të ketë një plan marketingu dhe të dijë se cfarë do të arrijë dhe ku, si dhe sa do të depërtojë. Rrjetet sociale ndihmojnë në arritjen e kësaj strategjie, por nëse nuk ka një plan marketingu ato mund të kenë efektin e kundërt dhe ta dëmtojnë biznesin. Nëse mendon ta marrësh në dorë marketingun e kompanisë tuaj duke postuar në rrjetet sociale disa herë në vit, por pa pasur një plan të gjithanshem marketingu, nuk mund të arrish shumë. Suksesi i reklamës është që ajo të jetë e pranishme atëherë kur konsumatorit i duhet ky shërbim dhe jo kur ju të vendosni të postoni në rrjetet sociale. Bizneset që reklamojnë në Albanian Yellow Pages janë të sukseshme sepse nëpermjet librit, versionit online, App dhe rrjeteve sociale ata janë te pranishëm kudo gjatë tërë vitit.
Përveç librit, AlbanianYellowPages.com është një nga website më të vjetra në internet, që nga viti 1996 atëherë kur presenca e bizneseve online nuk e kishte këtë shtrirje dhe rëndësi që ka sot, mirëpo duke qenë se ky website është nga të parat, shumë kërkime që bëhen në Google, Yahoo dhe të tjera, japin në fillim profilin e bizneseve të regjistruara dhe që reklamojnë në Albanian Yellow Pages pa marrë parasysh a kanë këto biznese faqe në intenet apo jo. Për shembull nëse kërkoni një avokat shqiptaro amerikan dhe shtypni ne Google –Albanian American Attorney — do të lidheni automatikisht me kategorinë e Avokatëve në Albanian Yellow Pages nga ku mund të shihni profilet dhe faqet e tyre në internet dhe të zgjidhni kë të përdorni. Kjo është e dobishme si për bizneset që reklamojnë sepse kanë qasje te klientet e rinj dhe për klientet sepse u bëhet më e lehtë gjetja e shërbimit. Word of Mouth Advertising apo referimet janë një formë e reklamimit nga klientë të kënaqur që referojnë, por një biznes nuk mund ta bazojë marketingun vetëm në këtë formë, sidomos tani kur komuniteti ynë është rritur. Vizibiliteti, konkurenca dhe cilësia e shërbimit janë faktorët vendimtarë që ndikojnë në zgjedhjen e një produkti apo shërbimi.
Cili është mesazhi juaj për sipërmarrësit e rinj në komunitetin shqiptaro amerikan si dhe për bizneset shqiptaro amerikane në përgjithësi ?
Do ta përmblidhja mesazhin tim në një thenje të biznesmenit dhe isht Kryetarit të Bashkisë së New Yorkut, Michael Bloomberg “Të jesh një sipermarrës apo biznesman nuk do të thotë vetëm të hapesh një biznes, do të thotë ta shohësh botën nga një këndvështrim tjetër, të bashkëpunosh, të shohësh mundësi ku të tjeret shohin pengesa, të rrezikoni kur të tjerët struken” . Besoni në forcën e profesionistëve, dijes dhe përvojës së tyre, përqendrohuni dhe bëni gjëra që dini ti bëni më së miri.
Dua të falenderoj të gjitha ato biznese dhe individë që gjatë 20 viteve kanë besuar tek Albanian Yellow Pages, janë rritur me ne dhe vazhdojnë të besojnë në fuqinë e të bërit biznes së bashku, për të fuqizuar e mbështetur njëri tjetrin.

Filed Under: Interviste Tagged With: Botimi i ri i 19-të, botues i Albanian Yellow Pages:, Ismer Mjeku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2737
  • 2738
  • 2739
  • 2740
  • 2741
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT