• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAHN: NË KOSOVË, PËR TË FESTUAR

May 17, 2016 by dgreca

-Kryeministri Mustafa dhe komisioneri Hahn mbajtën konferencë për gazetarë/

–Presidenti Thaçi priti komisionerin Hahn, flasin për perspektivën evropiane të Kosovës/

Prishtinë, 17 maj 2016-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me komisionerin për Politika Fqinjësore Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn mbajtën një konferencë për gazetarë.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa/

Ishte kënaqësi e veçantë që sot të mirëpresë komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.

Disa ditë më herët, në këtë vend ishim së bashku me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesen e lartë, Mogherini, si dhe komisionerin Avramopoulos, që flet për një prezencë shumë të shpeshtë dhe të madhe të njerëzve shumë përgjegjës të niveleve më të larta të Bashkimit Evropian në Kosovë.Siç jeni të informuar, komisioneri Hahn është në Kosovë për të marrë pjesë në aktivitetet që lidhen me inaugurimin dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, një marrëveshje shumë e rëndësishme për ne, e cila është nënshkruar në tetor të vitit 2015, ndërkaq ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti.

Me komisionerin Hahn u takuam sot në mëngjes, biseduam për çështjet aktuale në vend dhe po ashtu ishim në konferencën që i dedikohet zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit, që ndërlidhet drejtpërdrejtë me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.Ne konsiderojmë se kjo Marrëveshje është dokumenti bazik i të ardhmes evropiane të Kosovës, është një kontratë për të ardhmen, është kontratë e zhvillimeve politike, e zhvillimit ekonomik dhe avancimit të proceseve eurointegruese të vendit tonë.

Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje dhe me hyrjen në fuqi, Kosova ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian e cila Marrëveshje do të sjellë shumë të mira për Kosovën, por e cila po ashtu e ofron shumë Kosovën me Bashkimin Evropian, mirëpo edhe Bashkimin Evropian me Kosovën.

Me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje po ashtu kemi konstatuar se është konfirmuar vullneti dhe vizioni i qytetarëve të Kosovës për perspektivën e integrimit evropian si alternativë të vetme të qytetarëve të Kosovës dhe është dëshmuar po ashtu gatishmëria e Bashkimit Evropian të pranoj Kosovën në gjirin e saj, në zhvillimin ekonomik, në forcimin e shtetit ligjor dhe në përparimin e marrëdhënieve të stabilitetit në rajon dhe stabilitetit evropian.

Marrëveshja ofron po ashtu mundësi të veçanta për reforma në gjithë sektorët, reforma të cilat ne i kemi filluar, mirëpo do t’i bëjmë shumë më lehtë dhe në mënyrë shumë më konsistente me përkrahjen e Bashkimit Evropian.

Kjo Marrëveshje na mundëson siç kemi theksuar edhe më parë edhe pjesëmarrjen tonë në një treg shumë më të madh, në një treg prej mbi 500 milionë banorëve, si dhe qasjen tonë në fondet e IPA-s, që janë fonde shumë të rëndësishme për përgatitjen e Kosovës për proceset integruese evropiane.

Në pikëpamje të benefiteve politike, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit paraqet themelimin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe në mënyrë zyrtare na mundëson që ne t’i qasemi rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo Marrëveshje formalizon edhe dialogun politik të cilin ne do ta zhvillojmë me Bashkimin Evropian, por edhe intensifikon dialogun politik me fqinjët për përparimin e marrëdhënieve për stabilizim dhe për fqinjësi të mirë.Unë sot u zotova në bisedë me komisionerin Hahn, por edhe në konferencën që patëm se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punoj ngushtë me të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian, se ne do të punojmë ngushtë po ashtu edhe me të gjithë partnerët tanë dhe me të gjitha grupet e interesuara, edhe me shoqërinë civile, edhe me bizneset, me shoqatat e bizneseve, edhe me opozitën, me Parlamentin e Kosovës, me partitë politike, sepse Marrëveshja u takon të gjithëve. Interesi i Kosovës është interes i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe do të bëjmë të pamundurën që ne të nxjerrim përfitimet për Kosovën, por edhe përfitimet evropiane nga implementimi i një marrëveshje të tillë.

Fjala e plotë e komisionerit Hahn/

Kam kënaqësinë që jam prapë këtu në Prishtinë, në Kosovë, faktikisht për të festuar jo vetëm anëtarësimin në UEFA për të cilin ju uroj, por gjithashtu edhe për hyrjen në fuqi të MSA-së e cila është po aq e rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Siç u tha nga kryeministri paraprakisht, kolegët e mi, përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini dhe komisioneri Avramopoulos, tashmë ishin këtu në vizitë dhe unë nuk dua të fokusohem mbi përgjegjësitë e tyre.

Do të doja të fokusohem tek ajo që e përmendi kryeministri mbi perspektivën ekonomike, e cila është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit dhe është një nga elementet kryesore të MSA-së. MSA krijon shumë mundësi për zhvillimin e vendit, në mënyrë që të shtyhet vendi drejt një integrimi evropian, dhe sot siç u tha edhe nga kryeministri, jemi dakorduar që të krijojmë një grup koordinues të përbashkët i cili do të koordinohet nga ministri Çollaku dhe nga ambasadori ynë, z. Zhbogar, në mënyrë që të krijojmë një udhërrëfyes që do të merret me nevojat e domosdoshme, imediate, që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, për shkak se ne besojmë se gjyqësori i besueshëm, sundimi i ligjit, janë shumë të rëndësishme për investimet e reja, por edhe që t’iu jepet investuesve vendas një siguri që ata të investojnë paratë e tyre dhe kjo është shumë e rëndësishme.

MSA jep qasje në tregun evropian dhe gjithashtu krijon mundësi që të keni qasje në tregun evropian, ndërsa në anën tjetër, kompanitë evropiane duhet që prapë se prapë të përballen me disa pengesa tregtare. Do të thotë kjo është një përparësi që ju e keni dhe duhet ta shfrytëzoni. Kjo është një periudhë e tranzicionit deri në dhjetë vite, të cilën autoritetet kosovare dhe bizneset duhet ta shfrytëzojnë për t’u akomoduar me kërkesat e Bashkimit Evropian. Sapo patëm një konferencë me bizneset, dhe aty jemi pyetur, si shembull, që ‘kur kompanitë që krijojnë bulmete,  do të kenë qasje në tregun evropian?’. Ata do të kenë qasje menjëherë në tregun evropian, por duhet të përmbushin kërkesat fitosanitare dhe këtu duhet t’i shpenzojmë paratë tash e tutje.

Meqë ra fjala, në vitin 2016 dhe në vitet e ardhshme, më shumë se 300 milionë euro do të jenë në dispozicion për të akomoduar veçanërisht komunitetin e bizneseve me sfidat të cilat dalin nga MSA-ja, për t’iu mundësuar që të jenë konkurrentë të mjaftueshëm me Bashkimin Evropian dhe këtu duhet ende punë, ka shumë hapësirë për përmirësim.

Përfundimisht, në qoftë se keni qasje në tregun evropian, në shumë raste keni qasje edhe në tregun global, për shkak se shumë standarde teknike, standarde evropiane teknike, janë edhe standarde globale teknike. Kështu që ky është një tjetër nivel, një element tjetër që është shumë i rëndësishëm apo vendimtar. Nuk duhet të harrojmë se me 4 qershor do ta mbajmë Samitin ku do të përfshihet procesi i Berlinit, do të përcaktohemi se sa është e rëndësishme që Kosova të luaj rolin e saj në riintegrimin, rilidhjen e gadishullit Ballkanik me Bashkimin Evropian. Për këtë arsye ka qenë shumë e rëndësishme që të kemi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Jam i bindur se shumë shpejt vendimmarrësit evropianë, Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian, do të marrin vendimet e caktuara në mënyrë që raportin tonë pozitiv si Komision Evropian sa i përket liberalizimit të vizave, ta shndërrojnë në një vendim konkret.

Natyrisht se disa vendime duhet të merren brenda vendit dhe iu kisha kërkuar të gjithëve, përfaqësuesve politik, po ashtu edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, që të luajnë rolin e tyre, të jenë të bashkuar në kuadër të perspektivës evropiane të Kosovës.

 Presidenti Thaçi priti komisionerin Hahn, flasin për perspektivën evropiane të Kosovës/

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Johannes Hahn.

Presidenti Thaçi ka falënderuar komisionerin Hahn për vizitën e tij në Republikën e Kosovës dhe për mbështetjen e tij për procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, por edhe për rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ne do t’i kryejmë të gjitha obligimet tona që edhe zbatimi i vizave të ndodh sa më shpejt, të përmbyllet ky proces me sukses të plotë. Rekomandimi nuk ka qenë dhuratë për Kosovën, por ka qenë meritë dhe zbatim i plotë i të gjitha kritereve të nevojshme demokratike”, është shprehur presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është vend stabil, me institucione stabile, me një komunikim dhe dialog të brendshëm mes spektrit politik kosovar. Gjithashtu, ai ka thënë se jemi edhe në një fazë të re të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si një proces që do çojë drejt evropianizimit të plotë të rajonit.

Ndërkaq, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Johannes Hahn, u shpreh se ai po qëndron në vizitë në Kosovë për të shfrytëzuar së bashku me autoritetet kosovare këtë momentum evropian të fituar në muajt e fundit.

“Mendoj se raporti pozitiv për liberalizimin e vizave, por edhe fakti se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka hyrë në fuqi, nënkupton se vendi ka shumë mundësi përpara. Tani është koha për të parë se si ne mund t’i shfrytëzojmë këto mundësi, veçanërisht për t’i dhënë shtytje ekonomisë”, ka thënë komisioneri Hahn.

Komisioneri Hahn ka thënë se është e rëndësishme që të përmbushen dy kërkesat e mbetura për të siguruar miratimin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se konsideron se kjo duhet të jetë e arritshme, sepse është në interes të vendit dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe për njërin prej hapave të parë drejt perspektivës evropiane të shtetit.

“Është shumë me rëndësi për të zgjidhur problemet aktuale sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të përqendroheni në shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, për trajtimin e papunësisë në vend, posaçërisht në mesin e të rinjve”, theksoi komisioneri Hahn.

Presidenti Thaçi falënderoi komisionerin Hahn për mesazhet e tij që i ka dërguar sot për gjithë spektrin politik, shoqërinë kosovare dhe për të gjitha institucionet e vendit.

Ai ka thënë se kemi një qëllim, një vizion, dhe se ai është perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës.“Bashkërisht do t’i realizojmë të gjitha”, ka thënë presidenti Thaçi.

Hahn: Të gjithë faktorët kosovarë duhet të japin përkushtimin maksimal në rrugën evropiane

-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli takon komisionerin e BE-së për fqinjësi dhe zgjerim, Johannes Hahn/

PRISHTINË, 17 Maj 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takim me Johannes Hahn, komisioner për politika të fqinjësisë dhe negociata të zgjerimit i Bashkimit Evropian.

Në takim u bisedua për momentumin e ri të krijuar në raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, pas MSA-së dhe rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Komisioneri Hahn, duke përgëzuar kryetarin Veseli për këto dy të arritura shumë të rëndësishme të Kosovës, theksoi se mundësi të reja janë hapur për shoqërinë dhe bizneset kosovare.

“Të gjithë faktorët kosovarë duhet të japin përkushtimin maksimal në rrugën evropiane të Kosovës. Kjo rrugë është e sigurtë, por ju duhet ta dëshmoni në vazhdimësi me punën tuaj”, tha Hahn.

Nga ana e tij, kryetari Veseli, duke folur për momentumin e ri të krijuar në raportet Kosovë-Bashkim Evropian, theksoi se perspektiva evropianë është qëllim nacional që gëzon konsensusin e plotë të të gjithë faktorëve politikë në vend, e se institucionet e Kosovës do të përqendrojnë të gjitha energjitë e kapacitetet në përmbushjen e obligimeve që kërkon procesi i integrimeve.

“Në këtë kontekst, prioritet do t’i jepet luftës së pakompromis kundër të gjitha fenomeneve që pengojnë perspektivën evropiane të Kosovës, të tilla si korrupsioni dhe krimi i organizuar”, shtoi kryetari Veseli./b.j/

 

Filed Under: Komente Tagged With: Hahn, lam ardhe per te festuar, Thaci priti Hahn

Pohimi i DINJITOZ i Gruas së Kryebashkiakut

May 17, 2016 by dgreca

Opinion nga Pirro Dollani/

“Shukriu është bërthama e familjes dhe rreth tij vërtitemi të gjithë. Ai është forca, kuraja dhe burimi i pashtershëm i funksionimit të familjes sonë. Morali dhe edukata vijnë nga familja. Do të jem në krah të Shukri Xhelilit derisa vdekja të na ndajë.” Intervista dhënë Gazetës Panorama/

E tha vërtet shoqja Tefta këtë apo shtypi opozitar do të tregojë se në ç’marrëdhënie të mjerueshme është familja socialiste? Natyrisht, do të jetë ndonjë SHPIFJE e këtij shtypi se një grua, qoftë edhe me kufizime të theksuara mendore, nuk mund të nxjerrë nga goja xhevahire të tilla. Aq më pak, s’mund të flasë kështu gruaja e një kryebashkiaku të suksesshëm të Partisë Socialiste. Po shoqja SHUKRIE e tha dhe i lumtë goja që e tha. Por lexuesi injorant, qës’është mësuar të lexojë ndërmjet rreshtave, kujton se SHUKRIJAe ka fjalën për familje e saj! Jo mor i dashur lexues,ajo me një gjuhë ezopike na thotë që fenomeni Shukriu “është bërthama jo vetëm e familjes së saj”, por bërthama e tërë shoqërisë shqiptare, bërthama e të gjitha partive politike, bërthama e parlamentarëve, pushtetarëve të rinj, të vjetër dhe atyreve që do të vijnë pas tyre, pavarësisht, përkatësive partiake që do të kenë!Madje, për ta bërë thënien e saj edhe më të kuptueshme për masat e gjëra të popullit injorant, ajo shton edhe këtëfrazë kyçe nëpohimine saj: “rreth kësaj bërthame vërtitemi të gjithë!” A më të lumtë goja, moj ti e SHUKRIUT, për guximin, trimërinë dhe për këtë përgjithësim filozofik që bën për tërë realitetin shqiptar, të sotëm e të nesërm! Mendjeshkurtërit dhe opozitarët pandehin se ti po flet për familjen tënde. Jo mor dritëshkurtër, jo, ajo bën një përgjithësim për tërë shoqërinë shqiptare! Dhe për këtë ajo duhet të përgëzohet e vlerësohet, pasi ka thënë një të vërtetë profetike që askush nga ne s’mund ta mohojë. Dhe sikur kjo thënie të mos mjaftonte, SHUKRIJA, e mbyll intervistën, me një betim solemn: DO TË JEM NË KRAH TË SHUKRI XHELILIT DERISA VDEKJA TË NA NDAJË!!!(Ë më të lumtë goja!) Një dashuri e tillë që e bën dashurinë e Romeos me Xhuljetën të duket si një lojë fëmijë çerdhesh,duhet të frymëzojë të gjithë “fansat” e Partive politike shqiptare, që kështu me stoicizëm të qëndrojnë e të mbështesin Partitë e tyre politike, deputetët, qeveritarët, të sotëm dhe të nesërm, pavarësisht që edhe kokën po ua zhysin në kanalet e ujërave të zeza. Dhe vetëm vdekja duhet t’i ndajë ata, pasi “partitë politike me liderit e tyre, parlamentarët dhe qeveritarët janë forca, kuraja dhe burimi i pashtershëm i këtij korrupsioni, burimi i kësaj hajduterie, anarkie, mafjozërie që po e atrofizon shoqërinë shqiptare në çdo qelizë të saj. Pikërisht, për këtë mësim qëShukria e kryebashkiakëveu jep tërë shqiptarëve dhe veçanërisht “fansave” të partive politike që ata skllavërisht t’u qëndrojnë besnik deri në vdekje partive të tyre, ajo duhet të çmohet e nderohetnga Presidenti i Republikës Rrumpallhane të Shqipërisë!U lartësoftë emri yt dhe të gjithë Shukrive të shoqërisë shqiptare!

Filed Under: Opinion Tagged With: Gruas së Kryebashkiakut, Pirro Dollani, Pohimi i DINJITOZ i

Sot nisin punimet për gazsjellësin TAP

May 17, 2016 by dgreca

Sot mbasdite, në Selanik zhvillohet ceremonia e përurimit të fillimit të punimeve për gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), tubacionit që do të transportojë gaz natyror nga rajoni i Kaspikut në drejtim të Europës. Kalimi i tij nëpërmjet Greqisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke përshkuar më pas detin Adriatik, me destinacion përfundimtar lidhjen me rrjetin italian të gazit natyror, shndërron Shqipërinë dhe Greqinë në dy nyje të rëndësishme energjetike në rajon.
Në ceremoninë e përurimit që do të hapet nga vet kryeministri grek, Alexis Tsipras, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në nivel të lartë edhe Shqipëria, me zv.kryeministrin Niko Peleshi dhe ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri; Italia, si dhe shumë vende të korridorit të ri jugor, si Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turqia dhe Bullgaria. Gazsjellësi do të sjellë fillimisht hapjen e mbi 8.000 vendeve të punës në Greqi dhe mbi 2.000 në Shqipëri, ndërsa më pas, mijëra vende të tjera pune do të krijohen nga kontratat e reja me kompani vendase dhe të huaja, si dhe nga stimulimi i aktivitetit ekonomik. Gjithashtu përfitim do të kenë edhe qytetarët e të dy vendeve nga përdorimi i gazit natyror.
Vlen të përmendet se, 10 ditë më pas në Athinë mbërrin edhe Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili sipas informacioneve ende të pakonfirmuara, do të sjellë propozime të reja për transportin e gazit natyror të “Gazprom”-it në BE, nëpërmjet shfrytëzimit të tubacionit në fjalë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: për gazsjellësin TAP, Sot nisin punimet

‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT …

May 17, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/

Një ndenjë e bukur dhe e këndshme kënaqësie e shoqëroi udhëtimin tonë drejt juglindjes, mes një grupi miqsh të penës, me të cilët shpesh jemi të pandarë në takimet letrare. Mëngjesi gëzimdhënës, plot dritë, por edhe me aromë kundërmuese lulesh gjithfarësoj. Udhëtojmë luginës piktoreske të Shkumbinit plak. Malet, me madhështinë e tyre, e rrethojnë luginën e thellë. Thyrjet e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse, e diku të mbytur nga deti i gjelbërimit të drurëve të lartë e të shumëllojshëm me blerimin e harlisur, i japin një bukuri të veçantë. Pa fjalë një natyrë e magjishme shqiptare!

Kalojmë Elbasanin, Librazhdin, Përrenjasin. Makina duket sikur fluturon në peizazhet interesante, që të emocionojnë për çdo metër udhëtim. Herë pas here shfaqen e zhduken vendbanime të vogla, të shtrira në shpate kodrash. Po gjithsesi, me gjarpërimet  e saj është një rrugë që ecet shpejt dhe këndshëm. Ajo kalon ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit Shkumbin, gurgullues e i kaltër si një shirit argjendi, me vërshimin e ujrave drejt detit Adriatik.

Në liqen mahnitja dashuruar

Kur kalon Qafën e Thanës, një ndjesi e këndshme të kaplon si asosacion me malet e hirta në horizont, të mbuluara me qeleshen e bardhë dhe liqenin e Ohrit. Një peizazh magjeps si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite. Mes qiellit e tokës, ky liqen, një bukuri që natyra e krijoi, zemër e bukurive të Ballkanit. Re puplore era i lodron në hapësirën qiellore. Dielli, duke i sfiduar ato me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyeheshin në liqen, e reflekton mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Kur vjen këtu në një ditë të tillë, e shijon më bukur prarimin magjik të liqenit, dhe natyrën rrethqark tij. Ndaj me syrin e aparatit fotografik e përjetojmë këtë peizazh të shushurimës së patrajtshëm të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos pasqyrën liqenore. Kodrat, malet, vendbanimet, si roje, i shtrohen në gjunjë. Qytetet e Ohrit, Strugës, Pogradecit, por edhe perlat turistikë: Shën Nauni, Lini, Driloni etj, me peizazhet e tyre të mrekullueshme, të mahnitin veçanërisht në ditë të kthejllta qiellore. Natën, dritat e tyre vezullojnë si yje uji në liqen. Lini, me shtëpi të ngjeshura rreth kodrës, të rrethuara me pemë të llojeve të ndryshme, të magjeps me pozicionin e tij tërheqës. I shoqëruar me peisazhin piktoresk buzë liqenit ai ngjason si një vapor i ankoruar prej kohësh. Ecim drejt Pogradecit, qytet i vendosur në skajin jugor të liqenit. Tablotë e natyrës kalojnë me radhë. I soditim këndshëm, duke thithur ajrin e freskët të stinës. Aty këtu shfaqen shtëpi dhe lokale midis mozaikut të kulturave bujqësore, dhe pemëve frutore të gjelbëruara. Buzë liqenit bari mbulon tokën si qylym i blertë. Bregut në ca kallamishte nositët cicërijnë. Valët numërojnë njëra-tjetrën në breg me një shushurimë të lehtë. Tutje ca varka lëkunden në sipërfaqen e pastër të ujit. Peizazhi tërheqës e piktoresk i  qytetit të Pogradecit, të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kam pasur rastin të vizitoj qytetin e Pogradecit shumë herë në fillim të viteve ’90, ndaj dhe shumëllojshmëria e objekteve të memories me kujtimet e asaj kohe, kaq natyrshëm më rrjedhin si ujëvarë. Godina të pakta disa katëshe, rrugë të shkatërruara, parqe të rrënuara, dritat e venitura… Qyteti sot më shfaqet më i mrekullueshëm e impresionues si një kartolinë shumëngjyrëshe. Ndërtimet e vjetra ndërthuren me simbolet e reja të zhvillimit modern të këtij qyteti. Pallate shumëkatëshe me modele të ndryshme arkitekturore, lokale, skulptura, parku, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë të tjerë dekorativë.

Shijojmë me ecjaket tona pastërtinë, ngjyrat, flladin e liqenit. Koloriti i ngjyrave të stinës i jep një tjetër hijeshi Pogradecit.  Rugët e qytetit gumëzhijnë nga lëvizjet e vizitorëve. Pogradecarët, banorë të dashur e mikpritës ndjehen të lumtur që janë nga ky vend kaq i bukur, e me trashëgimi të pashtershme kulturore, historike dhe fisnikëri vlerash, që meritojnë pa dyshim respekt. Ata krenohen me qytetin e tyre, dhe figurat e njohura të tij. Liqeni, jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, por, është një lloj pasqyre për Pogradecin dhe bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve nacionaliste, atyre u pëlqen ta emërtojnë liqenin me emrin e qytetit të tyre. Monumenti i Lasgushit, i ngritur fare pranë liqenit me vështrimin nga ai, plot hir dhe pak metra më tutje i Mitrush Kutelit, dy korifejve të penës, bij të këtij qyteti, përbëjnë simbolet e Pogradecit. U ndala pak çaste, buzë liqenit, atje ku valët e tij e flladitin fytyrën time të emocionuar, por edhe Lasgush Paradecin me Cucin, qenin e tij.  Liqeni dhe Lasgush Poradeci identifikojnë njëri-tjetrin. Duke e kundëruar Pogradecin, malin e Thatë, liqenin, që llokoçit valët lehtë në breg, të kumbojnë vargjet e Lasgushit,  kur derdh dhëmbjen për plagët e nositit:

“Un’ ik liqerit zemërak 
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.

Liqeni i shkretë e rrit tallazi porsi det

E shpirtin duke më përcjellë më thotë se

Ah! Shih sa është i thellë

Ky gjiri em që të patë pjellë”

Magjia ka zbritur në Drilon

Të shkosh në Pogradec e të mos vizitosh Drilonin është sikur të mos kesh ardhur fare aty. Kjo sepse Driloni është një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare. Ky vend, që dikur  quhej një “mollë e ndaluar”, sot është një mrekulli për t’u shijuar nga gjithkush. Ai ka një panoramë qetësuese të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë, dhe me shtrirje përgjatë ujrave të kristalta e të qeta. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja është ë vështirë, sepse imazhet të rrëmbejnë befasishëm. Kundërmimi i luleve, romantika mahnitëse sa reale, dhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit, shto këtu përjetimin e pllaquritjes së pulëbardhave, të peshqve të veçantë, që marrnin shikimin e vizitorëve të shumtë, dhe varkave të vogla, apo simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pemë, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia. Ajo të pushton aq shumë mes këtij pejzazhi tërheqës, duke të bërë gati të dalldisur me ngjyrat, aromat, freskinë… Nën rrezet shëndritëse të diellit ujrat e freskëta dhe hijeshia e natyrës të jep kënaqësi ripërtëritëse. Është peisazh i bukur, por, që e humbet atë kur dëmtohet. Përballë këtij peizazhi të bukur e të mirëmbajtur spikatin ndërtimet e vjetra, por e trishtuar është ajo që vështron buzë liqenit në Tushemisht. Një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim me ndërtime të reja, e betonizim pa kriter buzë liqenit, duke e ngushtuar hapësirën e plazhit. Edhe pse me nota jete në zhvillim, ndërtimet e zbukurojnë këndshëm këtë vend, por vlerat nuk mund të kthehen kurrë në antivlera duke i shkatërruar.

E padyshim krahas të tjerave këtu nuk mungojnë bar kafetë, restorantet dhe hotelet me shije të ndryshme, të cilat ofrojnë pushime, por dhe zbavitje të këndshme. Kryesisht aty gjen një shërbim të kulturuar, dhe ajo që është me rëndësi, përkujdesjen e veçantë. Driloni është i preferuar edhe për gatimet tradicionale, sidomos të koranit, peshkut që gjendet vetëm në liqenin e  tij.

Në Drilon, në çdo stinë të vitit shijohet freskia e mëngjezeve, puhiza e mbrëmjeve,por mbi të gjitha mikpritja pogradecare.

– Driloni i mbushur me aromë natyre, të jep një ndjesi mjaft pozitive si një privilegj i së bukurës,- të thotë Besniku, bashkëbiseduesi dhe miku ynë pogradecar.

Driloni është një poezi që meriton të interpretohet. Këtu natyra të përkëdhel aq bukur, edhe kur qielli është gri, apo në ditët e dimrit me borë është më fantastik, aq sa të josh ta vizitosh atë përherë. Se ska si të ndodh ndryshe, në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare  gjithkush që e viziton e gjen parajsën e shpirtit të munguar.

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: ‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT, Pellumb Gorica

NJE VJERSHE E NASE BENIT PER HIMAREN( 1914)

May 17, 2016 by dgreca

-nga IDAJET JAHAJ-/
 
Nase Beni ishte një patriot i zjarrtë, një luftëtar i shquar. Kishte mërguar në Amerikë para vitit 1912; erdhi në atdhe në pragun e ngritjes së Flamurit. Gëzoi për pavarësinë e Atdheut nga Turqia, por trishtoi për sulmet shoviniste të fqinjëve ndaj vendit tonë. Shkroi me gjak trishtimi:
 
… Pesëqind vjet ç’i përballe
Tramundanët e Turqisë,
Dhe nashti që t’erdh’ liria,
Ti veshe rrobat e zisë,
Se të pllakosi Greqia
Në bregdet të Shqipërisë!
 
Dhe shkruan (ndoshta në fletoren e tij që mbante në torbë maleve të Çikës) apo këndon, sipas rastit, me shokë apo në davete të ndryshme, ku e improvizonte këngën – të përsosur, aty për aty. Shkruante haptazi kundër oktapodit shoven të jugut. Qorton rëndë Himarën e tij të dashur, e cila ka vezulluar si dritë në histori, por tani … e prishi, ngaqë dëgjoi disa të shitur “priftërinj e dhaskalë”, që i shërbenin megali-idhesë greke. Në këtë frymë shkroi vjershërimin e zjarrtë “O Himarë e Toskërisë”, në vitin 1914, kur greku doli në Himarë e  gjakprishuri Spiro Milo përçau popullin duke predikuar kombësinë fallco greke në etninë e moçme himarjote shqiptare. Vjersha u shkrua në fillim të shekullit të XX, por, po me aq vezullim ajo ndriçon edhe sot, kur, me të njëjtën egërsi, megali-idheistët e Fanarit i janë vërsulur krahinës heroike, për ta deheroizuar atë, për ta çngjyrosur e bastarduar:
 
O Himarë e Toskërisë,
Si u qeshe këtë radhë,
Moj nëna e trimërisë
Në çdo punë del e parë.
 
Të gënjyen moraitë,[1]
Priftërinjtë me dhaskalë;
U qeshe si çilimitë,
Të prishën me propagandë!
 
Ç’t’u desh flamur’ i rruspisë,[2]
Kur e di që të bën varrë,
Mohon gjakn’ e kombësisë,
Dhe humb’ emrin shqiptar!
 
Qani nëna e qani motra,
Qaj, namuz’[3] i Shqipërisë,
Qani me ligje të forta,
Për atë ditën e lirisë.
 
Me penë doja t’i thoja
Gjithë mendimet e mia,
Dhe me zogj do t’i dërgoja,
T’i dëgjojë akëcia… 
 
Kush ishte akëcia? – Shqipëria, njerëzit, bota. Gjithsecili, kushdo. Ky patriot i vyer bërtet, kumbon, trishton, kushtron për gjëmën shpirtërore që zhvillojnë megali-idheistët në Himarë. Aktualitet  dritë-fortë pas një shekulli.
 
 Shqiptar i kulluar
Poeti popullor Nase Beni, nga Vunoi i Himarës, kushtron në vaj baladesk: “Qani nëna, qani motra”. Ai ishte një patriot i zjarrtë, një shqiptar i kulluar. Me frymë rilindëse në gjakun e tij. Donte të mbronte atdheun me çdo mjet. Por mjetin më efikas që përdori ishte vargu e kënga. Dhe përsërit: “Me penë doja t’i thoja”. Mjeti i penës përforcon mendimin se Nase Beni ishte i shkolluar, kishte mësuar shqip, por edhe gjuhë të huaja, se kishte qenë në Amerikë, në emigrim. Pra, jo vetëm një talent i lindur, por edhe i kultivuar. Me elementin baladesk të zogjve, ai donte të shpërndante nëpër qiellin shqiptar vargjet e tij të ndritshme. Ai ishte luftëtar me pushkë e me penë për mëmëdhenë. Pak është shkruar për këtë atdhetar. Ai ishte i zjarrit të betejave (si në Kallarat 1914, në Kaninë e Vlorë, 1920), po ashtu edhe i zjarrit të vargjeve. Kumbimit poetik të epikës, ai i jep ison e ëmbël lirike, karakteristike e poetëve të shquar të Bregut. Në vargje ai kumboi emrin shqiptar. Me ‘të skaliti epose të paharrueshëm.
Ai rrojti 33 vjeç (1888-1921), duke lënë pas vizionin e ndritur të patriotit, luftëtarit me armë në dorë dhe poetit popullor me këngën e tij të pavenitur.


[1] grekët
[2] kurvës
[3] Fama, name, nderi

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, NJE VJERSHE E NASE BENIT, PER HIMAREN( 1914)

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2807
  • 2808
  • 2809
  • 2810
  • 2811
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT