• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI NISHANI PADIT ERJON VELIAJN

May 12, 2016 by dgreca

Konferencë për Shtyp e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani/

Tirane-12 maj 2016/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dha sot pasdite një Konferencë për Shtyp të cilën e gjeni të plotë në vijim, së bashku me pyetje-përgjigjet:

“Presidenti i Republikës:  Së pari dua t’ju falënderoj ju gazetarët dhe njerëzit e medias që jeni sonte në këtë konferencë shtypi për prezencën tuaj dhe për gatishmërinë që keni treguar për të mirëpritur shkëmbimin e këtij komunikimi së bashku.

Ju kam ftuar sonte për të përcjellë përmes jush tek opinioni publik dy çështje shumë të rëndësishme shtetërore për të cilat përcjell shqetësimin, preokupimin, por njëkohësisht dhe angazhimin për t’i adresuar dhe për të dhënë kontributin e Institucionit të Presidentit të Republikës në respekt të detyrave, përgjegjësive, obligimeve kushtetuese të Kreut të Shtetit shqiptar dhe natyrisht për të vijuar më tej proceset e ndjekjes, të përcjelljes, të zgjidhjes së këtyre shqetësimeve dhe problemeve.

Çështja e parë ka bëjë me disa deklarata publike, akuza publike në gjykimin tim të rënda adresuar nga një autoritet lokal ndaj Presidentit të Republikës, Kryetarit të Shtetit shqiptar. Më parë dëshiroj t’ju kërkoj të ndiqni edhe një herë këto deklarata dhe më pas do të përcjell tek ju çështjet që krijojnë shqetësim dhe problematikë këto deklarata të rënda.

* * *

Inserti

Erjon Veliaj: Në momentin që Presidenti i Republikës sillet si Bujar Nishani atëherë ka vajtur Presidenca tek Bujari, jo Bujari tek Presidenca.

Gazetari Blendi Fevziu: Ç’do me thënë kjo?

Erjon Veliaj: Ajo që do të thotë kjo është shumë e qartë. Unë kam qenë i vetmi zyrtar publik i kësaj mazhorance që ka mbajtur një relatë profesionale dhe personale me Presidentin, i vetmi. Ky është një njeri i cili zhgënjeu qeverinë në mënyrën sesi trajtoi Visar Zhitin; ky është një njeri që zhgënjeu publikun në mënyrën sesi vodhi pronën e kishës katolike në Elbasan; ky është një njeri që disa herë, me të gjithë ministrat e kabinetit tonë, disa herë ka shkuar kundër interesit publik për interesin personal.

Blendi Fevziu: Dhe këto janë akuzat tuaja personale serish ndaj Presidentit të Republikës dhe ju nuk i keni të vërtetuara.

Erjon Veliaj:  Patjetër, patjetër.

* * *

Presidenti Nishani: Natyrisht që një njeri kushdo qoftë ai që vjedh ka vetëm një emër “hajdut” dhe unë besoj që shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e Institucionit të Presidentit të Republikës, shteti shqiptar nuk mund të ketë në krye të tij një njeri që është hajdut. Hajduti e ka vendin në qeli, e ka vendin përballë ligjit; hajduti dënohet sipas ligjeve të shtetit dhe kodeve përkatëse. Prandaj, kjo është një çështje që nga sot i kalon për shqyrtim drejtësisë. Drejtësia duhet dhe e ka përgjegjësi kushtetuese ligjore ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë Presidentin e Republikës si hajdut dhe ta dënojë në bazë të krimit që ka kryer ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë përballë ligjit. Kjo është një rrugë pa kthim, është një rrugë pa ndalesë. Prandaj, tashmë unë ftoj dhe median që të ndjekë me vëmendje të posaçme gjykimin dhe sjelljen e drejtësisë. Është një proces i cili do të adresohet tashmë prej ditës së sotme në institucionet përkatëse të gjykatës dhe personalisht dhe Institucioni i Presidentit të Republikë do të ndjekë çdo seancë, çdo moment dhe çdo vendim që do të merret gjatë hetimit gjyqësor të veprimtarisë së Presidentit të Republikës dhe akuzave të bëra ndaj Kreut të Shtetit shqiptar.

Çështja e dytë të cilën dëshiroj të përcjell shqetësimin përmes jush tek opinioni publik, por edhe tek të gjithë institucionet ndërkombëtare të cilat bashkëpunojnë ngushtë me shtetin shqiptar për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit, të institucioneve ligjzbatuese, të institucioneve të drejtësisë në lidhje me sulmin e dhunshëm të djeshëm të organizuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe qytetarë dhe individë  të tjerë me pushtet ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ dhe Trupës gjyqësore të Apelit Administrativ të Tiranës. Sulm i dhunshëm, qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës, ndaj gjyqtarëve në ushtrim të funksioneve të tyre kushtetuese, të cilin e dënoj, e dënoj me ashpërsinë më të madhe jo vetëm për faktin se është një sulm i organizuar, instrumentalizuar politikisht, por dhe i realizuar ndaj një pushteti të pavarur kushtetues i cili është i përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si mekanizmi i vetëm për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të çdo individi në Republikën e Shqipërisë.

Vlerësoj qëndrimin e Ministrit të Drejtësisë dhe besoj që Ministria e Drejtësisë do të vijojë të inkurajojë pavarësinë e gjyqësorit shqiptar, luftën kundër korrupsionit në radhët e gjyqësorit.

I kërkoj Kryeministrit të dënojë sulmin e dhunshëm ndaj gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë!

I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës zyrtarisht dhe publikisht të hapë dhe nisë hetimet për dhunën e ushtruar ditën e djeshme ndaj Gjykatës së Republikës së Shqipërisë dhe ndaj gjyqtarëve të Republikës në ushtrim të detyrës dhe për shkak të detyrës!

U kërkoj të gjithë gjyqtarëve të Republikës, gjyqtarëve të ndershëm që të marrin kurajë dhe të mbrojnë Republikën. Mbrojtja e Republikës është përgjegjësi themelore e institucioneve të pavarura kushtetuese të vendit në një demokraci që funksionon!

U kërkoj qytetarëve të vendit të ruajnë shpresën për të vrarë frikën! Jam i bindur se shoqëria shqiptare përmes sakrificave të mëdha që ka mundur të mbërrijë deri në ditët kur ne kemi këtë sistem politik, dhe këtë sistem kushtetues që funksionon. Do munden jo vetëm ta ruajnë atë, por me gjakftohtësi, me mençuri, me dinjitet dhe mbi të gjitha me integritet të përpiqen të gjithë së bashku me të gjithë aktorët përparimtarë të vendit dhe Shqipërisë të vijojmë rrugën e përparimit dhe konsolidimit të vlerave tona më të mira.

Këto ishin dy çështje, të cilat dëshiroja t’i ndaja me ju sonte dhe përmes jush, për t’ia përcjellë të gjithë opinionit publik. Jam i hapur për çdo pyetje që mund të keni në lidhje me këto dy çështje, por edhe me çështje të tjera që dëshironi.”

Pyetje: Zoti President, rreth shtatë muaj më parë ju keni deklaruar në emisionin “Top Story” rezerva lidhur me sistemin e drejtësisë, pasi sipas jush kishte influenca nga qeveria. Lidhur me çështjen për përgjimin që i është bërë familjes suaj. Çfarë ka bërë sot që ju të ndryshoni mendjen mbi sistemin e drejtësisë dhe keni besim tek sistemi i drejtësisë tashmë? Ju faleminderit!

Presidenti Nishani: Nëse e kuptova qartë pyetjen, nuk kam ndryshuar mendim dhe qasje ndaj sistemit të drejtësisë për as edhe një arsye dhe për as edhe një çështje. Çështja që ju i referoheni është dhe mbetet një çështje serioze. Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar ekzistenca e një pajisjeje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për t’u verifikuar se sa qëndron si lajm, se sa i vërtetë është. Mbetet për t’u hetuar nëse është i vërtetë, por në kontekstin e presionit më të madh, që u manifestua mbrëmë në mënyrën më të dhunshme dhe ekstreme si nuk e kishim parë në këtë vend prej 25 vitesh, besoj se shqetësimet që ngrihen për të pasur një sistem drejtësie të pavarur, të influencuar, të pakërcënuar, të pazhantazhuar, por padyshim, profesional e të pastruar nga afera korruptive, besoj se jam sot në themelin e orientimit më të mirë evropian dhe të vizionit civil dhe qytetar të çdo qytetari dhe të çdo aktori sot përparimtar të shoqërisë sonë. Prandaj nuk kam ndryshuar as një mendim. Mbetem në atë deklaratë, në atë mendim që sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për një reformë, e cila të krijojë kushtet për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar; për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të kapur e të përdorur politikisht, të shantazhueshëm, për t’u dhënë mundësinë e karrierës njerëzve dinjitozë, profesionistë dhe me dinjitet. Për të pasur një mekanizëm të drejtësisë larg çdo influence dhe të mbajmë fort shpirtin e shpresës, të integritetit dhe të kurajës. Dhe unë besoj se të gjithë së bashku, institucionet e përgjegjshme shtetërore, mediat, të cilat kanë një rol të jashtëzakonshëm dhe thelbësor në raport me këto të drejta dhe hapësirë të shoqërisë, shoqëria civile dhe çdo qytetar i thjeshtë, akademikët, profesorët, të cilëve u bëj thirrje, në një situatë jo të mirë të çështjeve të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri, grupeve të ndryshme, intelektualëve, që të mos kenë frikë! Të kenë kurajë! Të thonë fjalën dhe mendimin e tyre siç e gjykojnë dhe siç e mendojnë! Dhe të mbajnë fort shpresën për më të mirën!

Pyetje: Zoti President, mirëmbrëma! Atëherë atë të cilën ju e quajtët dhunë ndaj Gjykatës Administrative të Apelit të ndërmarrë nga Kryetari i Bashkisë Veliaj, ky i fundit ka deklaruar se një gjë e tillë, një protestë para gjykatës vjen pasi vetë Presidenti i Republikës ka influencuar në trupin gjykues në një proces gjyqësor që ka Bashkia e Tiranës me ndërtimin e një pallati tek Diga e Liqenit. Cili është qëndrimi juaj? Ju faleminderit!

Presidenti Nishani: Kjo është një akuzë tjetër, tërësisht e pavërtetë, që do të ketë radhën e saj padyshim të adresimit në institucionet përkatëse për t’u verifikuar dhe për t’u vërtetuar, por në respekt në pyetjes suaj, të shqetësimit tuaj, por edhe të qytetarëve padyshim, unë jam dhe e ndiej të obliguar për të bërë një sqarim të shkurtër: Presidenti i Republikës nuk ka asnjë kompetencë as ligjore dhe as institucionale për të përcaktuar trupa gjyqësore. Procesi i emërimit dhe përcaktimit të trupës gjyqësore ndodh në gjykatë Është tërësisht kompetencë e kryetarit të gjykatës dhe e kancelarit të gjykatës që nuk kanë asnjë lidhje me Presidentin, me Institucionin e Presidentit të Republikës.

Pyetje: Zoti President, pak më parë ju drejtuar gjykatësve që të kenë kurajë të mbrojnë Republikën. Çfarë nënkuptoni me “të mbrojnë Republikën”? Çfarë rrezikon të kthehet Republika shqiptare? Thirrja të tilla i kemi dëgjuar në fillim të viteve ’90-të kur studentëve u thuhej nga intelektualët shqiptarë që të vrisnin frikën dhe me kurajë të shembnin diktaturën. Sot jemi 26 vjet më pas. Sërish kjo thirrje. Çfarë rrezikojmë realisht sikundër ju e shikoni?

Presidenti Nishani: Këto thirrje së pari vijnë si reagim i shfaqjes së atyre reminishencave që ju thatë, të atyre viteve. Për fatin e keq reminishencat e atyre ngjarjeve, e atyre sjelljeve, e atyre viteve, po rishfaqen. Po shfaqen në dimensione të ndryshme, në forma të ndryshme, në fusha të ndryshme nga individë të ndryshëm. Nëse njerëz me pushtet terrorizojnë funksionarët e shtetit gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të detyrës, në radhë të parë, padyshim që ka nevojë për t’u mbrojtur Republika, sepse Republika dhe vetëm Republika, Kushtetuta dhe vetëm Kushtetuta, ligji dhe vetëm ligji është garanti ynë i përbashkët për gjithsecilin prej nesh. Nga Presidenti i Republikës e deri tek qytetari më i thjeshtë. Nga njeriu, i cili ka mundësi dhe lidhje të fuqishme me pushtetin apo me paranë, deri tek qytetarët më të pambrojtur në aspektin social dhe shoqëror. Prandaj thirrja ime është për të mbrojtur Republikën si garanti i vetëm, për të mbrojtur mekanizmat që kemi ndërtuar, mekanizmat që duam t’i kemi të fortë për të garantuar pikërisht këto liri, këto të drejta, ashtu siç do të garantohet edhe gjykimi, edhe penalizmi i atyre që shkelin ligjin, dhunojnë Kushtetutën dhe cenojnë Republikën.

Ju falënderoj për kohën dhe për praninë tuaj dhe njëkohësisht dëshiroj që të shpreh vlerësimet dhe respektin maksimal për punën shumë të rëndësishme që bëni çdo ditë! Ju uroj punë të mbarë!

Filed Under: Interviste Tagged With: PADIT ERION VELIAJN, presidenti Nishani

Integrimet euroatlantike të Kosovës dhe dialogu

May 12, 2016 by dgreca

-Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri mbajti ligjëratë në Akademinë Diplomatike me diplomatë të rinj nga mbarë bota/

PRIZREN, 12 Maj 2016/ Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri mbajti ligjëratë në edicionin e tretë të Shkollës Pranverore për diplomatë të rinj të organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung, që po mbahet në Prizren.Njoftimi i dërguar thekson se, ministrja Tahiri ligjëroi në temën “Integrimet euroatlantike dhe dialogu” ku ndër të tjerash foli për proceset zhvillimore në Kosovë që nga periudha e luftës për liri dhe pavarësi deri në ditët e sotme të ndërtimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Tahiri tha se filozofia jonë politike për shtetin drejtohet nga vizioni euroatlantik për Kosovën. Qëllimet tona strategjike janë forcimi i shtetit nga brenda mbi parimet themelore të demokracisë dhe sundimit të ligjit që është një kusht i domosdoshëm për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në BE, NATO, OKB dhe organizata tjera relevant. Ajo foli për progresin në rrugën e integrimeve euro-atlantike ku përmendi si suksese të mëdha Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit mes Kosovës dhe BE-së si dhe liberalizimin e vizave, duke potencuar se ardhmëria euro-atlantike e Kosovës  është aspiratë dhe inspirim i yni për të thelluar reformat në çdo fushë. Pastaj ajo theksoi se Kosova edhe pse një shtet i ri po dëshmon se është një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe angazhimi ynë për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal është demonstruar edhe në dialogun e Brukselit. Ministrja Tahiri siguroi pjesëmarrësit se Kosova mbetet e angazhuar për thellimin e marrëdhënieve bilateral me gjithë shtetet në botë, me ato që e kanë njohur Kosovën si dhe me ato që nuk e kanë njohur sepse një ditë do ta njohin Kosovën. Ajo ftoi këto vende që njohjen e Kosovës ta bëjnë si kontribut jo vetëm për Kosovën, por edhe paqen në rajon. Më tej, ajo foli për sfidat rajonale ku përmendi nevojën për përforcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit, krizën e refugjatëve dhe luftimin e terrorizimit ndërkombëtar, duke thënë se rajoni nuk ka kapacitetet të mjaftueshme për përballimin e tyre, prandaj duhet përshpejtuar integrimet evropiane dhe euro-atlantike në të mirë të një paqe të përhershme. Ministrja Tahiri pastaj iu përgjigj edhe shumë pyetjeve të pjesëmarrësve si dhe falënderoi drejtorin e Akademisë, Skender Durmishi dhe drejtorin e Fondacionit Friedrich Prof. Dr. Wulf Lapins për ftesën që të merr pjesë në këtë Konferencë.Ministrja Tahiri pas ligjëratës para diplomatëve të ri, vazhdoi bashkëbisedimin nga afër me disa nga pjesëmarrësit, me znj. Agnieszka Hrdej-Januszek nga Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë, Dr. Valbona Zeneli, George C. Marshall në Gjermani, z. Thanachai Thapthong, Ministria e Punëve të Jashtme e Tajlandës konsullin e përgjithshëm nga Kostarika z. Guillermo Rojas Vargas, dhe Ambasadorin Gjerman Hans-Fochen Schmidt, Prof, dr. Ronald K.McMullen, Universiteti Iowa./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: dhe dialogu, euroatlantike të Kosovës, Integrimet

THIRRJE GAZETAVE TE TIRANES QE NGA SHBA: MBESHTESNI PRONARET!

May 12, 2016 by dgreca

Te nderuara Gazetat: Dita, Panorama, Telegraf, Sot, Shekulli, Shqip, Shqiptare, RD, Tema dhe Fryma e Re/

Shoqata Pronesi me Drejtesi ju kerkon me perulje mbeshtjetjen e penes tuaj per te publikuar me transparence dhe pa-asnjanesi perpjekjet qe ne po bejme keto 25 vitet e fundit per te mbrojtur te drejten e prones ne Shqiperi.Ne si organizate jo-qeveritare, jo-fitim prurese dhe me principin per te mbrojtur te drejten e individit, jemi formuar nga pronare direkt te prekur nga kjo padrejtesi dhe fizikisht me veprimtari ne Shqiperi dhe SHBA.

Mbeshtetja konstante, prej shume vitesh, e pa politizuar dhe pa censuruar na ka ardhur nga gazeta Dielli dhe kanali televiziv Zeri I Amerikes, burime mediash qe operojne ne SHBA. Ne e kuptojme presionin qe mund te ushtrohet tek ju si gazeta nga ndonje force politike, por ju lutem gjeni cdo menyre per te dhene nje mundesi tek ne per tu degjuar ne popull. Ne kemi vene kohen dhe rrogat tona si kryetare shoqate per te mbrojtur te drejtat e me shume se 5 mije pronareve dhe hapjes rruge te investimeve te huaja ne Shqiperi. Nje kusht per Shqiperine per te hyre ne BE eshte dhe kthimi I Pronave dhe mediat si brenda dhe jashte vendit duhet te shkruajne vazhdimisht se cfare ne si organizate po bejme dhe se si reagon qeverija Shqiptare ndaj nesh.

Ju faleminderit per kohen,

Myrshit dhe Gezimi ne Shqiperi

Agimi dhe Lumturi ne SHBA

Filed Under: Opinion Tagged With: GAZETAVE TE TIRANES QE NGA SHBA:, MBESHTESNI PRONARET!, thirrje

Kosovë-Izrael, paralajmërohet themelimi i Odës ekonomike

May 12, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 12 Maj/-  Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot takim me një grup sipermarrësish izraelitë, me të cilët diskutoi për iniciativën e këtij grupi për themelimin e Odës Ekonomike izraelito-kosovare, qëllimi i të cilës do të jetë promovimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Duke përshëndetur këtë iniciativë, Veseli, foli për potencialin shumë të favorshëm njerëzor, lehtësirat ligjore dhe burimet e shumta natyrore që ka Kosovë, e të cilat me ide të mira ekonomike mund të shndërrohen në gjeneratorë të zhvillimit ekonomik të vendit, hapje të vendeve të reja të punës dhe depërtim më të madh në tregun ndërkombëtar të prodhimeve kosovare.

Ndërsa sipërmarrësit izraelitë theksuan se do të qëndrojnë në Kosovë edhe për të njohur ambientin dhe mundësitë ekonomike të saj, si parapërgatitje për vizitën e një grupi më të madh kompanish izraelite, që do t’i bëjnë Kosovës pas vlerësimit të tyre.

Ata u interesuan në mënyrë të veçantë për industrinë e ndërtimit dhe sektorin e bujqësisë, ndërsa kryetari Veseli theksoi se do të jetë në përkrahje të të gjithë atyre që me idetë e tyre kreative ekonomike nxisin zhvillim ekonomik. /KosovaPress/

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosove-Izrael, marrdhenie ekonomike, oda

Ilir Meta në Washington DC

May 12, 2016 by dgreca

Washington 12Maj/- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot në Kongresin Amerikan nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave, Kongresmeni Pete Sessions dhe nga Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare Kongresmeni, Michael McCaul.

Gjatë takimit u diskutua mbi çështjet dhe prioritetet e sigurisë së SHBA-së dhe Shqipërisë, duke theksuar nevojën për përforcimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të luftës kundër terrorizmit, me vëmendje të veçantë ndaj krizës së refugjatëve dhe zhvillimeve në rajon dhe lindjen e mesme.
Duke biseduar mbi krizën e fundit të refugjatëve, kryetari i Kuvendit nënvizoi se kriza të tilla duhen parandaluar përpara se të përhapen më tej, ndërsa vuri në dukje se Shqipëria po bën përpjekjet e saj, jo vetëm në përballimin e kësaj krize migratore, por edhe në luftën kundër terrorizmit, të cilën e konsideroi një sfidë globale, jo thjesht rajonale.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në Kongresin Amerikan nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave, Pete SessionsMë tej, Meta i njohu Kongresmenët me zhvillimet e fundit në vend dhe e vuri theksin në përpjekjet e klasës politike shqiptare, në bashkëpunim me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, për realizimin me sukses të reformimit të sistemit të drejtësisë, si kyç për të ardhmen e vendit.
Nga ana e tyre, Kongresmenët Pete Sessions dhe Michael McCaul vlerësuan përpjekjet e Shqipërisë në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe shprehën interes e mbështetje të veçantë për avancimin e reformës në drejtësi, duke nënvizuar se SHBA kanë nevojë për një Shqipëri të fortë dhe një rajon të stabilizuar.
Në përfundim, Kongresmenët amerikanë shprehën mbështetjen e tyre ndaj Shqipërisë, si një aleat i SHBA, në përpjekjet e saj për progres dhe vlerësuan rolin e saj të çmuar në këtë partneritet. “Siguria është çështje globale jo rajonale, sikurse e tha me të drejtë Kryetari Meta, dhe ne duhet të mos kursejmë asgjë për të ndihmuar aleatët tanë”, u shprehën Kongresmenët Sessions dhe McCaul.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në Kongresin Amerikan nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave, Pete Sessions dhe Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Michael McCaulGjithashtu, Kongresmeni Sessions në një prononcim të dhënë pas takimit e falenderoi Ilir Metën për vizitën duke
ripërsëritur mbështetjen e Kongresit Amerikan për Shqipërinë.  “Miqtë tuaj në SHBA, jo vetëm që kanë besim te Shqipëria, por edhe te populli shqiptar. Ne mbështesim progresin që po bëni. SHBA-të duan që Shqipëria të ketë sukses dhe është e nevojshme që Shqipëria të jetë e suksesshme. Kjo mund të arrihet nëpërmjet lidershipit dhe një ditë më e mirë për Shqipërinë fillon me stabilitetin, paqen dhe duke siguruar që të gjithë shqiptarët të kenë një shans për ta bërë jetën e tyre më të mirë. Dhe marrëdhëniet tuaja me Kongresin amerikan dhe popullin amerikan tregojnë se ne do të jemi aty përkrah jush. Në emër të Kongresit amerikan unë dua t’ju falënderoj për miqësinë tuaj dhe për bashkëpunimin e mirë”, tha Kongresmeni Pete Sessions.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ilir Meta, ne Kongresin amerikan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2821
  • 2822
  • 2823
  • 2824
  • 2825
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT