• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

As Ramiz Alia nuk e krijoi ndarjen e sotme te Edi Rames?!

May 9, 2016 by dgreca

Nga  Enver Bytyci / Sot Edi Rama ka shkuar ne Shkoder. Sebebi: Inagurimi i fototekes se famshme “Marubi”. Qellimi: Te thelloje percarjen dh ndarjen midis shqiptareve. Ne kete ceremoni ministrja me e pakulturuar ne historine e shtetit, por e ngarkuar me kulturen, pra bashkepunrtorja sorosiane e Rames me emrin Mirela e dy mbiemra, nuk e ftoi kryetaren e bashkise se Shkodres, Voltana Ademi. Mbasi pyeti Ramen dhe mori pergjigje negative, Mirela urdheroi drejtorine e Artit ne ministri qe e gjithe axhenda te behet ne llogari te prezences se qeverise dhe mungeses se pushtetit lokal. Ky veprim diletant, hakmarres, por dhe dilerantesh i ka zemruar shkodranet, pasi ata shohin se kryeministri i vendit dhe qeveria e tij qellimisht duan ta shpaltojne kryeqytetin e kultures shqiptare, Shkodren. Shkodra sheh larg, lexon pa syze edhe me larg. Shkodren kurre, askush, nuk ka mundur ta neperkembe dhe ta beje naive. Edi Rama, i marrosur ne delirin e vet te madheshtise, ka mundesi qe ta trajtoje Shkodren si Vunoin. Veprimi i sotem i tij me injorimin e te zgjedhurve lokale ishte dukshem nje perpjekje e tille. Po pse kryeministri nuk e donte kryetaren e Bashkise se Shkodres ne krah te tij per inagurimin e fototekes Marubi? 1. Ne fillim ky veprim lidhet me instiktin e papajtueshmerise se Edi Rames me pluralizmin, me opoziten. Ky lloj instkti i ngulitur thelle ne nenvetedijen e tij ka thelluar krizen politike ne Shqiperi si ne asnje vend tjeter. Perjashtimi eshte filozofia e qeverisjes se Edi Rames. Kjo ndodh ne perfaqesim e rendom ne vendimmarrje. 2. Edi Rama nuk e ftoi Voltana Ademin, sepse kjo e fundit do te duhej te pershendeste dhe ne pershendetjen e saj do te thoshte disa te verteta te padeshirueshme per kryeministrin. Do te thoshte se projekti ishte miratuar, kishte filluar, ishte zhvilluar ne pjesen me te madhe te tij, ne periudhen e qeverisjes Berisha. Shqiptareve nuk u duhej zbuluar “ky sekret” i filozofise se qeverisjes Rama, dmth mburrja me punen dhe investimin e Berishes. Aq me teper qe fototeka Marubi eshte simboli i kultures shqiptare. Ne kete pike kryeministri Rama ka filozofine e vet drejtuese, e cila perkthehet lehte si perpjekje per t’u thene shqiptareve se “Kultura ime, (e Edi Rames), eshte me e larte se ajo e paraardhesit tim”. Nuk ka asnje qellim tjeter ne veprimtarine e qeverisjes se sotme. Ne mungese te produktit perpiqen te imponojne nje produkt imagjinar, ireacional, formal. Ndersa Berisha si shtetar kishte filozofine e zhvillimit. Po te dilte qe fototeka Marubi ishte vizion, ide dhe projekt i realizuar, por i paperfunduar i Berishes, atehere rrezohej alibia e Rames. Etja per lavdi te pamerituar e Rames e perjashtoi Voltana Ademin nga ceremonia. 3. Percarjen e Rames e ka diktuar dhe vendndodhja e fototekes Marubi. Me kete veprim ai deshiron te sjelle ndarje te thelle politike ne qytetin simbol te unitetit ne te gjitha kohet e civilizimit. Sa me shume injorim, aq me shume percarje e dasi. Por Edi Rama duke dashur te injoroje kryetaren e Bashkise, ka marre nje goditje te rende per autoritetin e tij. Dhe se fundi, me duhet t’i kujtoj zotit Rama se anglezi, Antonio Smith shkruan se kombi eshte si familja dhe se pjestaret e kombit duhen trajtuar me drejtesi, maturi, respekt, barazi, njesoj sic trajtohen pjestaret e familjes. Ky eshte e duhet te jete tipari kryesor i atij qe drejton shtetin ose familjen. Rasti i sotem ne Shkoder, deklaratat rraciste me alpine, bathoriste, maloke e shpellare, fyerjet e perditshme ndaj opozites te zotit Rama, mungesa e bashkepunimit, transparences dhe konsensusit, jane pasoje e arrogances se kryeministrit. Dhe arroganca e tij nuk ka lidhje me percaktimet e Antonio Smith.

Filed Under: Analiza Tagged With: As Ramiz Alia, Enver Bytyci, ndarjen e sotme, nuk e krijoi, të Edi Ramës

Kosovë-Misioni i OSBE-së, shkollë gazetarie në veri

May 9, 2016 by dgreca

 -Misioni i OSBE-së në Kosovë u ndihmon të rinjve të ndjekin karrierë në gazetari, të promovojnë lirinë e shprehjes/

 PRISHTINË, 9 Maj 2016-B.Jashari/ Misioni i OSBE-së në Kosovë u ndihmon të rinjve të ndjekin karrierë në gazetari, të promovojnë lirinë e shprehjes.Në Mitrovicë të veriut ka nisur sot shkolla dhjetë-ditore e gazetarisë e organizuar nga Misioni i OSBE-së për rreth 20 të rinj nga Kosova veriore. Gjatë programit në fjalë, të udhëhequr nga Davor Glavaš, gazetar i mirënjohur dhe ligjërues në Universitetin e Zagrebit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të fitojnë njohuri praktike mbi raportimin, aftësitë e shkrimit dhe përdorimit të mediave sociale e teknologjive të reja, si blogjet dhe portalet e internetit. Forcimi i këtyre aftësive do t’iu ndihmojë në karrierën e tyre dhe do t’i kontribuojë pluralizmit të mediave në Kosovë.

 “Për shoqëritë demokratike është jetike që të kenë gazetarë të arsimuar mirë që janë në gjendje të raportojnë në mënyrë objektive, faktike dhe të pavarur. Gjithashtu, është e rëndësishme që të rinjve me ambicie t’iu sigurohen mundësi arsimimi për të ndjekur karrierë në gazetari”, tha Christopher Tuetsch,Drejtor i Departamentit për Demokratizim në Misionin e OSBE-së në Kosovë.

“Në kuadër të këtij aktiviteti, Misioni i OSBE-së synon t’iu ndihmojë mediave në Kosovën veriore t’i forcojnë kapacitetet e tyre njerëzore dhe të rrisin pluralizmin e informacionit që i ofrohet publikut” , bëri të ditur ai.

 Pas përfundimit të suksesshëm të programit, katër kandidatët më të mirë do të vazhdojnë  praktikën për gjashtë muaj, aktivitet ky që do të zbatohet bashkërisht me katër media në Kosovës veriore, gjegjësisht: TV Mir, Radio Kosovska Mitrovica, Radio Kontakt Plus dhe portalin KoSSev.

 Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në ruajtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështet zhvillimin e mediave.

Filed Under: Komente Tagged With: Kosovë-Misioni i OSBE-së, shkollë gazetarie në veri

Shqiptarët, një komb me dy shtete

May 9, 2016 by dgreca

-Kemi krijuar një realitet të ri politik shtetëror dhe kombëtar, duke e zhvilluar dhe sforcuar bashkëpunimin tonë kombëtar, si një komb me dy shtete, duke vazhduar zhvillimin tonë, në rrugën e trasuar nga gjaku i heronjve të kombit, si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i zi, diaspora e më gjerë”, tha në Tiranë ministri i FSK, Haki Demolli, duke shtuar se gjaku i heronjve është gjak i derdhur në themelet e lirisë, është gjak i sforcimit të bashkëpunimit kombëtar./

-Në Tiranë u mbajt akademi përkujtimore për dëshmorët Ilir Konushevci dhe Hazir Mala/

 Tiranë, 9 maj 2016/ Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, të hënën në Tiranë janë bërë homazhe dhe është mbajtur akademi përkujtimore me rastin e tetëmbëdhjetë vjetorit të rënies së dëshmorëve të Kombit, Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.

Të pranishëm në këto dy ngjarje ishin drejtues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, përfaqësues të Ushtrisë Shqiptare dhe të FSK-së, bashkëluftëtarë të dëshmorëve dhe qytetarë nga Kosova e Shqipëria. 

Në emër të Qeverisë së Kosovës të pranishmëve në akademi iu drejtua ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli. 

 Njoftimi dërguar nga zyra e shtypit e qeverisë kosovare thekson se, ministri Demolli foli për jetën dhe veprën heroike të dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.

Ministri tha se përmbushja e detyrave të luftës me përgjegjësinë më të lartë, puna e palodhshme, gatishmëria për sacrifice, si dhe rënia e hershme në kohën kur frontit të luftës i nevojitej më së shumti, Ilir Konushevcin e bënë që të radhitet përkrah bashkëluftëtarëve dhe heronjve të orëve të para të lirisë, siç janë Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqi, Luan Haradinaj, Sali Çekaj, Hakif Zejnullahu, e shumë e shumë trima të tjerë të kombit.                      

Ministri tha po ashtu se atdhedashësi Hazir Malaj, jo vetëm që u shqua për aktivitetin e tij patriotic, por njëherësh ai u shndërrua në udhërrëfyes për shumë të rinj dhe trima, si të Malësisë së Gjakovës ashtu dhe nga e tërë Shqipëria, të cilët iu bashkëngjiten UÇK-së dhe luftuan trimërisht përkrah vëllezërve Kosovar.

“Lufta e filluar nga Iliri, doktor Haziri dhe shumë e shumë dëshmorë të tjerë nuk u ndal deri në fitoren përfundimtare, pra deri në çlirimin e plotë të Kosovës.

Gjaku i dëshmorëve të kombit dhe lufta e drejtë çlirimtare, pastaj vrasja, torturimi, masakrimi i popullatës civile nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe, trokitën në ndërgjegjen e botës, dhe kështu u krijua fronti i përbashkët me aleancën më të madhe ushtarake në botë – NATO-n, i cili front përfundimisht solli lirinë e  Kosovës. Çlirimi i Kosovës e bëri realitet ëndrrën e të gjithë dëshmorëve tonë, e bëri realitet ëndrrën, mundin dhe gjakun e të gjithë heronjve, luftëtarëve, veprimtarëve dhe martirëve të lirisë, i bëri realitet aspiratat dhe dëshirat e shumë brezave të popullit tonë, e bëri realitet projektin e arkitektit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidentit tonë historik, Ibrahim Rugova.

Tashmë Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe Sovran, i cili dita ditës po e sforcon  subjektivitetin shtetëror, si në rrafshin nacional ashtu edhe në atë ndërkombëtar, fakt ky që u dëshmua edhe gjatë javës së kaluar, me rekomandimin për liberalizimin e vizave si dhe me anëtarësimin e FFK-së në UEFA.
Kështu, sot kemi krijuar një realitet të ri politik shtetëror dhe kombëtar, duke e zhvilluar dhe sforcuar bashkëpunimin tonë kombëtar, si një komb me dy shtete, duke vazhduar zhvillimin tonë, në rrugën e trasuar nga gjaku i heronjve të kombit, si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i zi, diaspora e më gjerë”, tha ministri Demolli, duke shtuar se gjaku i heronjve është gjak i derdhur në themelet e lirisë, është gjak i sforcimit të bashkëpunimit kombëtar.

“Prandaj populli jonë dhe shtetet tona përjetësisht do t’iu jenë mirënjohës Ilirit, Hazirit dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë”, tha ministri Demolli.

 Zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Petro Koçi, ka përkujtuar 9 Majin Ditën e Evropës, ditën e fitores mbi fashizmin dhe ditën e veçantë për dy dëshmorët, Ilir Konushevci dhe Hazir Mala. 

“Nga ana tjetër më duhet të them që ne vërtetë kemi dy shtete, kemi dy qeveri, dy kryeministra, dy ministra të Mbrojtjes dhe FSK-së, por s’ka konventë ndërkombëtare që të ndaj më dysh dëshmorët, çdo dëshmor i Kosovës është edhe dëshmorë i Shqipërisë dhe çdo dëshmor i Shqipërisë është dëshmor i Kosovës.

Më lejoni që në këtë ditë të veçantë të rikujtoj edhe njëherë rolin e madh që ka luajtur Shqipëria në ato ditë të vështira. Pa diskutim që loja kryesore e Shqipërisë ka qenë në planin politik dhe diplomatic. Shqipëria fjalën e parë të diplomacisë në atë kohë e ka pasur Kosovën dhe vetëm Kosovën”, tha Koçi në fjalën e tij. 

 Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, tha se Ilir Konushevci e kishte lidhur jetën dhe rënien e tij heroike me një vepër të madhe, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe luftën për realizimin e saj. 

“Ai u bë një ndër themeluesit e lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar me armë, luftëtar me mendje, luftëtar me zemër, luftëtar me gjithë familjen e tij. Ai u vra në një ditë maji të vitit të madh të luftës sonë për liri, bashkë me atdhetarin dhe veprimtarin, mikun e tij të mirë dhe të pandarë Dr. Hazir Malaj. Kosova dhe të gjithë ne do të kemi përgjithmonë obligim themelor nderimin e veprës së të rënëve. Do të përulemi përherë para emrit, veprës dhe jetës së heroit tonë Ilir Konushevci dhe mikut të urtë, Hazir Mala”, tha ambasadori Lladrovci.  Përfaqësuesi i Familjes së heroit Ilir Konushevci, Arton Konushevci ka kërkuar që institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë të bëjnë më shumë për familjet e dëshmorëve. 

“Ne kemi mbetur peng të kësaj vrasje, nuk dimë asgjë, siç thashë kanë kaluar 18 vjet. Shpresojmë që edhe bashkëluftëtarët e Ilirit që kanë qenë shumë të afërt me të, të nisin të bëjnë diçka për këtë vrasje. Kujtimi për dëshmorët qoftë i paharruar”, tha Konushevci.Të pranishmit në këtë akademi i ka përshëndetur edhe Gjeneral Brigade, Gëzim Hazrolli, zëvendëskomandant i FSK-së, si dhe publicisti Virgjil Kule./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: një komb me dy shtete, shqiptaret

NDJEHEMI TË KËRCËNUAR,SEPSE PO KËRCËNOHET VALBONA

May 9, 2016 by dgreca

Nga Dr. Islam LAUKA – diplomat, analist/*

Ne jemi sot këtu, sepse ndjehemi të kërcënuar. Ndjehemi të kërcënuar, sepse po kërcënohet Valbona, që është pjesë e pandarë e identitetit tonë. E dimë dhe e njohim autorin e kërcënimit. Sepse ai ka dalë hapur, pa maska, ditën për diell. Është shteti ynë, ai që e ka për detyrë ta mbrojë si Park Kombëtar, që vetë e ka shpallur, para 20 vjetësh.

Me vendimet e Qeverisë për ndërtimin e disa hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, duke shkelur rëndë të drejten mjedisore, kombëtare dhe ndërkombëtare, shteti ynë ështe futur në konflikt të dyfishtë – me natyrën dhe me njeriun.

Por ne, si qytetarë të lirë dhe të përgjegjshëm, nuk do të lejojmë që të prangoset liria e Valbonës me zinxhirin e hidrocentraleve.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë shurdhin ndaj kësaj masakre mjedisore,  ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi t’i dëgjojmë thirrjet e natyrës dhe të njerëzve për ndihmë.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë qorrin, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqermi të shohim sa më qartë krimin që po i kanoset Valbonës dhe njerëzve të saj.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë memecin, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi që thirrjeve për ndihmë të natyrës dhe të njerëzve t’u japim zë nga zëri ynë.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të jetë i pandjeshëm dhe i pashpirtë ndaj këtyre thirrjeve, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi të kuptojmë me mendje e të ndjejmë me zemër lutjet e natyrës dhe njerëzve për ndihmë.

“Ndihmë”, thërrasin bimët dhe kafshët endemike të Luginës së Valbonës. – “Ju lutemi, mos na pakësoni ujin dhe oksigjenin, sepse edhe kështu jemi në rrezik kritik për jetën.”

“Ndihmë”, thërret Gryka e Dragobisë. “Ju lutem, mos ma copëtoni shtatin e Valbonës, sepse ma hiqni freskinë e gjelbërimin dhe ma sillni shkretimin.”

“Ndihmë”, thërrasin njerëzit që e kanë lidhur jetën e dekën me Luginën e Valbonës.

“Ndihmë”, thërrasin zanat, heronjtë e Eposit të Kreshnikëve, mitet e legjendad. – “Ju lutemi, mos na e prekni vendlindjen tonë, sepse nuk kemi ku shkojmë.”

Ne jemi sot këtu, në përgjigje të këtyre thirrjeve, të gatshëm për të ndihmuar dhe për të sakrifikuar.

E dimë që e kemi shumë të vështire, sepse përballë kemi shtetin. Por frikë nuk kemi.

Nga kjo urë, ne i kërkojmë shtetit:

Së pari, transparencë të plotë për vendimet e Këshillit të Ministrave, sa hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen të Valbonë dhe sa leje mjedisore janë dhënë.

Së dyti, të pezullohet menjëherë realizimi i projektit për ndërtimin e hidrocentraleve.Së treti, të organizohet një referendum lokal në Tropojë, lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve dhe, në rast se populli me vullnetin e tij të lirë shprehet kundër ndërtimit të tyre, atëherë të shfuqizohen menjëherë vendimet e qeverisë për këtë projekt.

Nga lartësitë e kësaj ure, ne u bëjmë thirrje intelektualëve të mbarë trojeve shqiptare, grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe, sidomos, rinisë: bashkohuni me ne, në një bllok unik, në mbrojtje të margaritarit të kurorës së Bjeshkëve te Bekueme – Valbonës sonë të bukur dhe të lirë!

Valbonë, 8 maj 2016

*Fjala e mbajtur diten e dielë, më 8 maj 2016, (në “Uren e t’Shtrejtit”) në Tubimin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Valbonës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, NDJEHEMI TË KËRCËNUAR, SEPSE PO KËRCËNOHET VALBONA

Skulptori Llesh Biba, artisti që i jep frymë drurit dhe historisë

May 9, 2016 by dgreca

Nga Dukagjin HATA/

Kur ish Kryeministri Berisha ftoi sipërmarrjen izrealite për të kontribuar në Shqipëri, nismë që pati nxitje dhe bashkëpunime konkrete, skulptori i talentuar i punimeve në dru, Llesh Biba, i para(pas)priu me një punim mbresëlënës, yllin e vjetër të Davidit, simbolikën e lashtë të botës hebrenje, me të cilën ajo vazhdon të identifikohet tash pesë mijë vjet.

Me rastin e ardhjes së Papa Françeskos në Shqipëri, LLesh Biba projektoi dhe realizoi figurën e Jezu Krishtit, vendosur midis dy stemave, stemës së Arbërit dhe stemës së Vatikanit.

Pas jehonës së kësaj vizite historike, artisti nisi dhe përfundoi me një cilësi të admirueshme maketin në dru kushtuar dyzet martirëve të besimit katolikë, që Diktatura vrastare ua mori jetën në kulmin e veprimatrisë së tyre klerikale, si përçues të mesazhit hyjnor, në një vend të braktisur e të izoluar, siç ishte Shqipëria komunsite dhe ateiste.

Para pak kohësh, një sipërmarrës i kërkoi Lleshit realizmin e një skulpture gjigande në dru, me portretin e Nënë Terzës, si dhuratë për një nga personalitetet më të larta të shtetit shqiptar për Vatikanin, ditën e Shenjtërimit të Nënës së Madhe të Botës, në Romë. Skulptori derdhi në këtë punim gjithë talentin, fantazinë dhe mesazhet, që burojnë nga një figurë embelmatike si ajo e Nënë Terezës, me të cilën lidhet një nga kulmet e krenarisë, dinjitetit dhe përkatësisë evropiane të kombit tonë.

I veshur në një mënyrë të çuditshme, me një mjekër të gjatë, sikur vjen nga koha e eremitëve, Llesh Biba herë të ngjan me një asket shëtitës, herë me një pelegrin në kërkim të përvojave të reja jetësore; në fakt, ajo që është, me sa duket, zembreku i “orës së tij” ka të bëjë me filozofinë e nxitimit, pasi ai nuk ka kohë për të humbur dhe gjithmonë e pret një punë, një porosi, “një takim intim me drurin”, siç i pëlqen ta ngacmojë mikut të tij, Tonin Dedë Shalës së Kryeziut, vijuesit të vijës së gjakut të derës ikonë të At Shtjefën Gjeçovit. Tonini e ndjen me intuitën e një bartësi të “filozofsë së drurit” talentin unik të mikut të tij, ndaj bënë çfarë është e mundur që ta ndihmojë në rrugëtimin e tij më shumë se estetik.

Llesh Bib ka mbi tridhjetë vjet që jeton me magjinë e drurit, i jep drurit frymëmarrjen e tij dhe e bën të gjallë, e shndërron në simbolika brilante të botës shqiptare, në kumte të historisë dhe përditshmërisë.

Që kur lindi 60 vjet më parë, më 3 maj të vitit 1956, në Nën Shejt –Orosh- të Mirditës, Llesh Biba, rreth dy të tretat e jetës së deritanishme ia kushtuar artit, poezisë, interpretimit kinematografik, ku spikat në disa role dhe, kryesisht, gjatë këtyre tre dekadave të fundit, drurit, punimeve në dru, të cilat i kanë dhënë krahët e lirisë së krijimit dhe magjinë e përcjelles së mesazheve mbarëshqiptare në kohë.

Një jetë e çuditshme, mes botës së libarve dhe të drurit, me projekte dhe realizime, duke aplikuar një kod të veçantë mendimi dhe sjellje, si një “pasuord” me të cilën identifikohet krijimtaria dhe karakteri i “vështirë” i artistit.

“Leshi është model i gjallë i një talenti shpoërthyes, befasues dhe emancipunes, që të trondit me fuqinë e pasionit dhe fantazinë e tij, thotë Tonin Alia, një nga miqtë më të afërt të tij, ai që ka marrë përsipër t’i sigurojë falas lëndën e drurit sa të jetë gjallë, duke ia zgjeruar hapësirat e lirisë artistit virtuoz.

Takimi me skulptorin unik Llesh Biba është befasues në të gjitha drejtimet: në rrekjen për ta takuar, e cila duket gati e pamundur, në fjalët e tij të kodifikuara, nën tisin e të cilave fshihet një artist i vështirë dhe në atë humorin e tij të hollë e shpotitës, që nis me vetveten dhe përshkon gjithçka, njerëzit që e rrethojnë, mjedisin social, drejtësinë, mediat, politikën e të tjera.

T’i japë jetë drurit, ta bëjë atë të përçojë ndjeshmërinë e kohëve dhe të epokave, kjo për Llesh Bibën nuk është thjeshtë një profesion: mbi të gjitha është një mision, që i tejkalon caqet e një realizmi të zakonshëm dhe të një mbijestese të zakonshme.

Në shtëpinë e tij studio, çdo vizitor do të ndeshi një derë të madhe, një portë, ku spikat figura e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e cila zë pjesën kryesore. Anash saj, duken citate nga njerëz që bënë historinë shqiptare, gjurmë mendjesh të ndritura, të cilat ai i përcjell si një mozaik mbresëlënës, ku konturohet një prelud sa estetik, aq dhe gjeohistorik e gjeostrategjik.

Biba duket se ka si kryemotiv të ecjes së tij në rrugëtimin estetik shkrirjen në një të historisë me përditshmërinë, duke nxjerrë në pah mesazhet që vijnë nga lashtësiae bëhen ura komunikimi panshqiptar në kohën tonë.

Në të djathtë, ky punim gjigant për vendin në të cilin po merr jetë, ka një mesazh të cilin nuk mund ta lëmë jashtë profilit të këtij artisti. “Nuk është mëkat mosdituria e të parëve tanë, por mosdëshira për dituri dhe mbulimi i saj është kryemëkat që s’mund ta bëjë dheu i Arbrit” është edhe një prej mesazheve që mund të shkëpusim nga puna e Bibës. E gjitha në dru, një derë ishte e zbërthyer dhe pasurohet çdo ditë me “shenja” të reja, fryt i imagjinatës së shfrenuar të artistit.

“Unë, rrëfen Llesh Biba,  -kam edukatë pune nga babai im “për të respektuar çdo lloj pune që duhet bërë në kohë të ndryshme, respektoi punët e të tjerëve dhe kur ajo s`është me nivel”. Sepse unë kam e do të kem parim: Më mirë një punë e dobët sot, se 100 punë të mira në mendje për s’e di se kur. Më 1990 vërejta se si artistët e arteve figurative po hynin të notonin në artin modern, unë thashë me vete; po merrem me atë që askush s`po e do, dhe vendosa të prek temën e traditës në një formë tjetër, duke bërë përpjekje të lartësoj jo aq sa dua e sa di, por aq sa kam mundësi në një ambient të caktuar rrethanash”.

“Porta e shekullit” është një nga punimet më transhendente të Llesh Bibës, me një fuqi përfytyrimi dhe konçizitet estetiko-historik, që arrijnë në kufijtë e të pamundshmes. Është një shpërthim ndjesish, trajtash, konturesh, një përzierje e fuqisë kreative të artistit me konkretësinë e mjeshtrit.

Nuk mund të lëmë pa përmendur një nga punët e tij më të lakuara, një vepër drusore që përfshin nëntë instrumente muzikore, të gjithë të unifikuar me njëri-tjetrin. E promovuar në në Torino, në Itali, me rastin e 600-vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit, kjo punë është vlerësuar në të gjitha ambientet shqiptare e jo shqiptare ku është ekspozuar e sidomos është pëlqyer shumë në ekspozitën e skulpturës në Zvicër.

Artisti i veçantë ka mbi 80 vepra të punuara mrekullisht në dru e me një gjuhë poetike magjike.

Të gjitha këto punë i ka hedhur në facebook, në internet, i ka bërë pjesë e një komunikimi publik me dashamirësit e artit të tij, me koleksionistët dhe sipërmarrësit e veprave të artit.  Më e populluara e këtyre punëve “Porta e shekujve” ka marrë mijëra e mijëra klikime dhe qindra komente, çfarë tregon interesin e madh që shkon deri tek befasimi dhe suprizimi…

Punimet e tij në varret e vjetra, kryesisht të atyre figurave e dyerve që kanë bërë histori, me një dekoracion mbresëlënës, kanë bërë që Lleshi të jetë mjaft i kërkuar, por siç thotë vetë, “unë bëj aq sa mundem, aq sa më lejon koha fizike dhe koha e shpirtit”.

Llesh Biba, që nga viti 1981 e deri më tani ka jetuar e jeton si artist i lirë, pa punuar asnjë orë në shtet e pa pasur asnjë ndihmë sado të vogël nga shteti. Edhe pse nuk i mungojnë blerësit, ai do të donte, si çdo artist elitar, dorën e shtetit, mbështetjen e shtetit të tij. Përkundër kësaj, institucionet ia kanë mbyllur derën, duke refuzuar projektet e tij, çfarë ka bërë që artisti të betohet për të mos trokitur më kurrë në zyrat e shefave të këtij shteti, që stimulon mediokritetin dhe anashkalon e refuzon artistët e vërtetë, artin elitar të tyre.

Lleshi është dhe një veprimtar human, që bën shumë për vendlindjen, për nënshejtasit, oroshasit, mirditorët e tij. I lidhur me botën e biznesit human në perëndim, me anë të së cilit ka arritur të çojë në spitalet e qarkut Lezhë Rrshen-Kurbin mbi një million euro pajisje për modrenizmin e shërbimeve spitalore, Llesh Biba nuk mërzitet që pushtetarët lokalë as e ftuan në drekën e inagurimit të këtyre pajisjeve, që do t’i jepnin një fytyrë të re shëndetësisë në këtë qark.

Lleshin e karakterizon një sens humori i hollë, sa duket sikur kufijtë midis seriozitet dhe ironisë, nën “të folmet me rrotulla” (me nënkuptime) shpaloset një botë magjike, të cilën ai e plazmon në idetë dhe fantazitë e tij të harlisura për punimet e reja në dru.

Herë të duket si kaubojs, nga ata të serialeve të vjetër të Hollivudit, herë si murg shëtitës, gjithmonë në nxitim, me pluhurin e tallashit të drurit që ai nuk ka dëshirë ta heqë nga rrobat, sikur kërkon të shenjtërojë magjinë e “lëndës së parë”.

Dhe seç ka një mani për kapelet, të cilat i ndërron “si mbreti gratë” dhe duket sikur është në garë me stilistët më të mirë të tyre, për të na dhënë trajta e forma nga më të larmishmet, të cilat i ekspozon në kokën e tij, ku flokët tashmë ia kanë lënë vendin një fushëtore fundvjeshte, ku bie bryma e një kohe të vështirë…

I diplomuar për dramaturgji, Lleshi ka punuar si regjisor, ka luajtur në disa filma artistikë, shkruan poezi dhe ese, kryesisht me motive të lashta të botës shqiptare, gjurmon kalket dhe glasat gjuhësore me rrënjë të vjetra iliraine, duke menduar, ashtu si disa nga figurat më të shquara të mendimit shqiptar,se shqipja është e parë gjuhë e botës, etj., por emrin e ka fituar pas mesit të viteve ’80, atëherë edhe kur filloj të punonte me drurin, duke i dhënë forma të jashtëzakonshme artistike lëndës drusore që siguron, forma ku konfigurohen shija estetike, finesa e detajit të gdhendes, vlera historike dhe njerëzore.

Pas disa ditëve, me ftesë të mërgatës shqiptare në Itali, të gazetarit dhe të veprimtarit të mirënjohur Ndue Lazri, Lleshi do të udhëtojë për atje, për të qenë pjesë e një promovimi të madh, që kulturologët shqiptarë në tokën italiane, sipërmarrësit, njerëzit e artit dhe administratorët italianë do t’i bëjnë kulturës shqiptare të thellësive, traditës artistike, mendimit dhe shpirtit kolektiv krijues të popullit shqiptar.

Ngula këmbë që LLeshi të ma jepte poezinë e tij “Amaneti” dhe ai, me gjithë heziitimin, ma dha duke më sugjeruar të mos e botoja. Kjo poezi, e botuar në librin e tij me titull “Nën Shejt-Letërnjftim-Të jeshë NËNË“, midis të tjerave thotë:

“S’dua të varrosem

As në kishë as në xhami

Po do varrosem në lartësi

Ku ka vetëm liri

Vetëm shqipja mundet me më dhi…”

Dhe e mbyll poezinë me këto vargje:

“Një lugë kafe dhe, nga i imi katund

Peshon ma shumë

Se dheu i një shteti pa fund”…

Sot kur shtypi dhe mediat gëlojnë nga personazhet e botës së krimit, nga turlifarë aventurierësh, të cilët shpesh rrethohen me një aurolë mediatike të sforcuar, për shkak të komplekseve që kjo shoqëri ka ndaj zejes së keqbërjes, nxjerrja në pah e figurave si ajo e artistit Llesh Biba, të cilët, në mënyrë të heshtur e të pa bujë, bëjnë qa shumë për vendin e tyre, duhet të jetë një obligim dhe mision i gazetarëve dhe analistëve seriozë, të lirë e të pavarur.

* E dergoi per Diellin , autori

Filed Under: ESSE Tagged With: artisti që i jep frymë drurit, dhe historisë, Dukagjin Hata, Llesh Biba, skulptori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2833
  • 2834
  • 2835
  • 2836
  • 2837
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT