• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MERGATA-Rruga e jetës është drejtësia,mos u ndaj nga rruga për të hyrë në rrugica

April 29, 2016 by dgreca

*Sokol Demaku, mësues në shkollën suedeze “Fjardingskolan”, Borås/

*Duke lexuar librin “Sa e këndshme është jeta” të Sokol Demakut/

Shkruan Viron Kona/

Njerëzit e duan vendin e tyre, e duan rruzullin tokësor si një shtëpi dhe familje të madhe, të bukur e të ngrohtë, harmonike, ku të mbizotërojnë marrëdhëniet miqësore, respekti i ndërsjellë i vlerave, duke kontribuuar gjithkush me modesti për pjesën që i takon. Prandaj dhe krahasimi i rruzullit tokësor me “Shtëpi të Njerëzimit” apo shprehja “Jeto dhe lërë të jetojnë”, tingëllojnë nga më të gjeturat, ato janë rrjedhojë e përvojave jetësore të trashëguara në breza.

Mesazhet  të tilla të vyera e, plot të tjera, përcjellë libri i Sokol Demakut “Sa  e këndshme është jeta”, një libër që nuk i kalon 100 faqet, por që kumton cilësisht ide dhe arsyetime logjike për jetën aktuale dhe të ardhmen, për natyrën dhe përpjekjet e shoqërisë për të kundërshtuar të keqen dhe për të përmirësuar dhe perfeksionuar më tej vetveten, për t`i dhënë njeriut lirinë  e merituar, të drejtën që i takon, vlerat dhe të vërtetat…

Për të çelur kapitujt e librit autori përdorë si çelësa  të artë shprehje të filozofisë popullore shqiptare, që e plotësojnë më mirë idenë dhe mesazhin, por që edhe konfigurojnë mendimin dhe portretizimin e tipave dhe karaktereve që ai merr përsipër të paraqes. Janë shprehje që përmenden në vendin dhe kohën e duhur, që njeriut i vlejnë në jetë, sot dhe gjithnjë, janë sentenca që vijnë nga përvojat e kohëve që kaluan dhe që vlejnë edhe për kohët që vijnë. Ato janë të shumta dhe tërheqëse në këtë libër, por unë mbajta shënim disa prej tyre: “Rruga e jetës është drejtësia, mos u ndaj nga rruga për të hyrë në rrugica”, “Plakem, e për nënën time gjithnjë jam i vogël”,  “Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten”, “Njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri nga koka, jo nga këmbët”, “Ke provuar të mbushësh kokën me idetë e të tjerëve, por në fund bosh e ke përsëri”, “Unë nuk vuaj shumë nëse më jepet rasti të falë atë që është për t`u falë, nuk dua as të humbas atë që kam”, Çdo njeri duhet t`i përgjigjet vetes së tij dhe duhet të dijë se çfarë kërkon në jetën e tij”. “Dashuria duron varfërinë, nevojën, urinë, mundimin… Dashuria  ndryshon skëterrën në parajsë…”, “Dashuria për atdheun është mbi të gjitha dashuritë”.

           Mos përbuzë gjuhën e nënës sate, gjakun e vëllait…

Në vendin tënd mund të të ndodhë që ta shohësh disa herë dikë` dhe të mos arrish të komunikosh, sepse nuk ka ardhur rasti, sikurse, mund të ndodhë që edhe mund të kesh pasur një zënkë, grindje e konflikt me të dhe, kur i kalon pranë, as që i hedh sytë, i shmangesh, apo edhe e përfletë, e kërcënon. Por, nëse ndodhesh në dhe` të huaj dhe, e rastis bashkëkombësin, qoftë edhe atë me të cilin je grindur, menjëherë ndjen dëshirën t`i afrohesh dhe ta përshëndetësh.

Në vështirësitë dhe peshën e rëndë të emigracionit, në tehun e mprehtë të indiferentizmit e mospërfilljes dërmuese, emigranti përpiqet të gjej një mbështetje sado të vogël për t`u çliruar nga rëndesa e mjedisit të madh, të  rrëmujshëm e të panjohur, që, atij, herë-herë i ngjason deri edhe me një gjeratore të fuqishme e të pamëshirshme që e tërheq drejt qendrës së saj thithëse. E, atëherë ai kërkon me ngulm qoftë edhe një pikë të vogël mbështetëse, ashtu si udhëtari në shkretëtirë që, i etur për një pikë uji, kërkon doemos një burim, ashtu si shtegtari që ka humbur rrugën në një pyll të dendur, kërkon një shteg për të dalë…

Emigranti kërkon të kapet diku, të mbahet dhe të dalë nga gjendja e turbull dhe  e pa shpresë ku ndodhet. Në kësi rastesh, edhe sytë apo vështrimi i njeriut sado pak të njohur, i duken si një far, si një dritë, ku ai duhet të drejtohet, si një bankinë moli, ku ai të ankorojë anijen e tij të jetës. Bashkëkombësi bëhet kështu mbështetje për të qëndruar e orientuar, pastaj, për të ecur e për të vazhduar rrugën e jetës, ai është shpresa, besimi dhe shpëtimi. Kjo, ndodh, për arsyen e kuptueshme, sepse me bashkëkombësin të lidhin gjëra të mëdha, që bashkojnë dhe jo ndajnë, të lidhë origjina, gjaku, vendlindja, gjuha, kombësia, traditat…

Në të gjitha epokat, por edhe sot po ndodh dendur që njerëzit largohen nga vendlindja, në shumicën e rasteve për mbijetesë, apo dhe për shkak të luftërave dhe gjenocidit, sikurse edhe të prirë nga kurioziteti  dhe kureshtja. Por, mjafton një sinjal, një thirrje, një kambanë nga atdheu dhe ata vrapojnë e mblidhen në vendlindje, e cila ka forcën e një magneti tërheqës dhe të fuqishëm. Bashkëkombësit vijnë në atdheun e tyre dhe mblidhen si bijtë rreth prindit, me merakun t`i pyesin e t`i shohin se si janë, çfarë mund të bëjnë për t`i ndihmuar dhe mbështetur për jetën dhe vazhdimësinë…“Guri rëndë peshon në vend të vetë”, “Zemra e tyre është në vendlindje”.

Duke “bashkëbiseduar” me Astrid Lindgren

Me arsyetime të mençura dhe me një gjuhë të qartë e të kuptueshme, letrare dhe filozofike, Sokol Demaku, përcjellë  mesazhin që, ashtu si atdheun e vendlindjen, duhet të duash dhe  të respektosh njerëzit e kombit tënd, gjakun tënd, i cili është më i afërti, qenia njerëzore që qëndron më pranë teje në gëzime dhe vështirësi, në mbijetesë dhe luftë për të mbrojtur atdheun dhe jetën… Ai ndjenë dhe shprehë keqardhje për ata njerëz që grinden, që shahen e përçahen, që formojnë klane dhe i kundërvihen njëri – tjetrit, shpifin nisur nga interesa të vogla e meskine, paragjykime dhe vese të zilisë, egoizmit, pronësisë, përfitimit vetjak. Me fjalën e tij të qetë dhe të urtë, Demaku bën thirrje për bashkim e vëllazërim, për jetesë në harmoni dhe të mbushur me dashuri, për t`i qëndruar pranë vëllait, për t`iu gjendur atij në vështirësi, për t`ia lehtësuar hallet e mbijetesës në dhe` të huaj, për t`i ofruar po mundi një “dorë” ndihmë. Prandaj dhe përcjellë thirrjen: “Mos përbuzë gjuhën e nënës sate, gjakun e vëllait… “Duhet të dish se, i huaji asnjëherë në jetë nuk ka për të pyetur për rrënjët e tua, por gjithmonë ka për të folur për gjethet ato i interesojnë atij. E së shpejti, në vjeshtë, gjethet do të thahen, do të bien për tokë e do t`i bartë era..

                  Njerëzit duan më shumë  diellin që lind se sa atë që perëndon

Në tipin dhe karakterin, në punët dhe detyrat që kryen, Sokol Demaku shfaqet gjithë gjallëri dhe entuziazëm, miqësor dhe i ndjeshëm, ai nuk është asnjëherë indiferent dhe flegmatik, nuk mund të qëndroj i qetë kur punët nuk shkojnë siç duhet, përkundrazi, është aktiv, i zhdërvjelltë dhe i zjarrtë: edhe në krijimtari, edhe në veprimtaritë kulturore, arsimore, artistike e shoqërore. Tipi dhe karakteri i tij shfaqet në dëshirat dhe vullnetin për dije e kulturë,(duhet të dish vet, që t`u thuash diçka  të tjerëve), në pasionin dhe mirëkuptimin vëllazëror, në dashurinë për vendlindjen me tërë forcën e ndjenjave  të pastra e të sinqerta, në gatishmërinë për ta ndihmuar e mbështetur atë që është në nevojë, duke bërë gjithnjë më të mirën e  mundshme. Sokoli e ka si lajtmotiv maksimën: “Punët e mira janë si drita, jo si errësira”. Njerëzit duan dritën, jo errësirën, ai mbështetet në devizën se, njerëzit “Duan më shumë  diellin që lind se sa atë që perëndon”.

Në të djathtë: Sokol Demaku, Per Olof Höög (kryetar i komunës Brämhult-Borås-Suedi)  dhe Bahtir Latifi,(prill 2013) duke i dhuruar kryetarit të komunës një copë minerali nga nëntoka e Kosovës.

Karakterin dhe formimin e tij Demaku e shprehë në librat dhe mendimet që shfaq, qofshin ato filozofike e poetike, por mbi të gjitha e shprehë në qëndrimet realiste dhe njerëzore, në marrëdhëniet miqësore që krijon kudo ku ndodhet, në vendlindjen e tij – Kosovë, në Shqipëri me miq e shokë të shumtë, në Boras të Suedisë ku jeton e punon me bashkatdhetarët, me kolegët, nxënësit, komunitetin prindëror të shkollës suedeze “Fjardingskolan” ku është mësues prej shumë vitesh, me kolegët  gazetarë e shkrimtarë në Lidhjen e Shkrimtarëve Suedezë, në Shoqatën e  Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klelementi XI Albani”…Sikurse e shfaq nëpërmjet revistës tashmë mjaft të njohur “Dituria” të Borasit, Suedi, që ai drejton, të radios dhe televizionit  “Dituria”…

                         Kur nuk merret në mbrojtje i drejti, atëherë “djajtë” hedhin valle

Të mbetet në mendje skica“Një ndjenjë e humbur”, e cila, e shkruar  me gjuhë të zhdërvjelltë dhe  figuracion të gjallë artistik, shprehë ndjenja të thella dhimbjeje njerëzore për vogëlushët, që, të detyruar nga egërsira-gjenocidi-serb mbi Kosovën martire, braktisën ëndrrat, kukullat, lulet, zogjtë, oborrin e shtëpisë, lojërat, shoqet dhe shokët e vegjël, gjyshërit, gjithçka të dashur dhe të bukur të vendlindjes dhe, pas prindërve të tyre, “morën arratinë” në rrugët labirint të kurbetit… Një skicim demaskues i gjenocidit serb, i cili, veçanërisht në Kosovë, u shfaq i tëri sterrë i zi në ligësinë e tij, duke vrarë  e masakruar njerëzit e pafajshëm, duke shkatërruar gjithçka ata ndërtuan me mundim të madh dhe sakrifica, duke i zbuar nga vendlindja, duke i  terrorizuar vogëlushët, duke u marrë atyre jetën, duke u vrarë ëndrrat dhe fëmijërinë…

Libri vijon me ligjëratën “Ku është ëndrra, ku mbeti shpresa?!”, një pjesë prekëse, që vjen  nëpërmjet rrëfimit drithërues të një nëne kosovare, e, ku përpara lexuesit shfaqen si në një skenë filmike dallgë e stuhi dëshpërimi e vuajtjesh,  të cilat as që mund imagjinoheshin se mund të ndodhnin, tmerre dhe krime rrëqethëse, që dërmuan shpirtra dhe zemra, që e bëjnë njeriun e urtë dhe të mirë të vërë në dyshim karakterin e panjohur dhe të dyzuar njerëzor, se, deri ku mund të arrijë ligësia e qenies njerëzore serbomadhe me ato krime dhe ato tmerre që i bënë të zeza dhe i nxinë krejt faqet e globit, që i treguan botës pjesën e padukshme, anën e panjohur të atyre qenieve që, në egon, babëzinë dhe egërsinë sunduese e pushtuese, u shfaqën përbindësha anti jetë, anti njerëzorë. Atë ligësi, ata e kishin shfaqur edhe për shumë vite e dekada më parë mbi shqiptarët, por që Evropa as që kishte dashur t`i dëgjonte, t`i shikonte, të pranonte të vërtetat e tmerrshme që ndodhnin në mesin e saj… S`ka më keq se sa ai që nuk do as të shikojë dhe as të dëgjojë. Fjala e urtë thotë se, kur nuk merret në mbrojtje i drejti, atëherë “djajtë” hedhin valle! Dhe,   “djajtë” e hodhën vallen e zezë të krimit mbi Kosovë.

E dhimbshme, tronditëse kur nëpërmjet gojës së nënës, shpërthen psherëtima: “Eh, botë e madhe, botë vetjake që më gënjeve me dritat shumëngjyrëshe, me bukuri të rrejshme… Bota kurrë nuk ka dashur të di të vërtetën…”

Ishin ato krime, ai ferr, që krijoi gjenocidi serb mbi Kosovë, të cilat më në fund e shkundën dhe e tmerruan Evropën, e tronditën dhe  e bënë të ndjeshme, duke besuar tashmë se krimi i zi i Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore nuk kishte ndalur, por vijonte i veshur me koracën e hekurt të barbarisë mesjetare, duke shkaktuar drama dhe tragjedi të tmerrshme në popullsinë e lashtë shqiptare, që kërkonte veçse të drejtën dhe lirinë në tokën e trashëguar nga stërgjyshërit e lashtë dardanë…

E, me gjithë ç`ndodhi, populli i Kosovës as u mposht e as u gjunjëzua, ai u shndërrua në Feniks, në zogun e shenjtë dhe të pavdekshëm të  mitologjisë, që rilindi nga hiri i tij…Në faqet e librit fryjnë me tallaz ndjenja dhe përjetime të dhimbshme: “Na larguan nga fshatrat me tanke, na detyruam të ikim maleve. Atje në male ishte shpëtimi ynë, aty ishte streha jonë…Nga atje shihnim gjakpirësit me shami në kokë duke djegur shtëpitë tona, duke shkatërruar çdo gjë që kishim krijuar me vite…Vendosëm të ktheheshim, por jo ne gratë, vetëm disa nga burrat të shihnin nga afër se ç`kishte mbetur…Çdo gjë ishte bërë shkrumb e hi. Më i vjetri i fshatit tregoi kur u kthye se, në oborr, kishte gjetur një kartolinë të shkruar nga njeri prej gjakësorëve serb që ia adresonte familjes së tij e ku i tregonte për krimet që kishin bërë ndaj popullsisë shqiptare…Krenohej me krimet që kishte bërë…”

Në vazhdim, në librin e tij, Sokol Demaku, ndihet i shqetësuar për plagën e rëndë të kurbetit dhe pasojat e shkaktuara: “Kurbeti ta humb fjalën e parë shqipe që ke nisur të flasësh në vendlindjen tënde të dashur, ta humb shokun e jetës që të mirën dhe të keqen e ke ndarë së bashku me të, të ndanë nga zemra e nënës që të ka rritë, të ndanë nga baba që të ka mësuar se si duhet vendlindja ku ke le, të ndanë nga motra e cila sa herë ta përmend emrin shkrihet në lot, të largon nga vëllai, nga miqtë e shokët dhe gjithë rrethi shoqëror…Në kurbet kurrë nuk mund të dëgjosh fjalën e ëmbël të nënës sate që e ke lënë me duar në gji duke të pritur në çdo kohë, të mungon ledhatimi i babait tënd që të rriti me këshillat e tij të mira dhe të dashura…”

    Era e fuqishme nuk ia zhveshi dot pallton udhëtarit,kurse dielli me rrezet e ngrohta bëri që ai ta heq vetë…

Sokol Demaku punon e krijon vazhdimisht. Ai godet të  keqen dhe ligësinë, duke përdorur si “armë” krijimtarinë dhe bukurinë krijuese, shpirtin e pastër dhe të dëlirë, punën e pandalshme, veprën kulturore dhe atdhetare.

Demaku është nga ata njerëz që nuk i shkëputë fjalët nga veprat, ai e përdor dhe e vë të gjithë kohën e   mundshme dhe përkushtimin në shërbim të punëve të dobishme, nismave e veprimtarive të vyera kulturore, duke i shërbyer me devotshmëri jetës, arsimimit dhe kulturimit, edukimit të fëmijëve, harmonisë, miqësisë dhe mirëkuptimit shoqëror, e, në këto drejtime ai është kurdoherë unik.

Sokoli të gëzon dhe të entuziazmon me punët e kryera dhe gjithnjë vijon në mënyrë të pandalshme për punë të tjera, edhe më të bukura. Energjitë e këtij njeriu janë të mëdha sepse kanë burim shpirtin dhe zemrën e tij të bardhë, krijuese dhe atdhetare.

Njeriu nuk është se do t`i bëj të gjitha, por në pozicionin e tij bënë më të mirën e mundshme, e të gjithë bashkë kryejmë punë edhe më të mëdha e të dobishme në shërbim të jetës dhe përparimit.

 

Duke punuar, duke krijuar pareshtur, gjithnjë me qëndrim të mençur e të ekuilibruar për jetën dhe njerëzit, për ngjarjet dhe marrëdhëniet shoqërore, Sokol Demaku  na sjellë në mendje proverbin ku tregohet që, era, sado e fuqishme, nuk ia zhveshi dot pallton udhëtarit, përkundrazi ai e shtrëngonte atë më shumë pas vetes, kurse dielli, me rrezet e tij të ngrohta, pa bujë e zhurmë, ngadalë e pa u ndjerë, bëri që udhëtari ta heq vetë pallton nga trupi…

“Sa  e këndshme është jeta!”, është një përfaqësim i veprimtarisë së palodhur, i mendimeve  krijuese të autorit, ai ka në qendër popullin e  vuajtur dhe të martirizuar të Kosovës, që u përballë me dhunën dhe gjenocidin e egër serb, nuk u thye, nuk u përkulë, por vijoi rrugën e jetës, gjithnjë në gjurmët e të parëve të lashtë ilirë, kurdoherë i orientuar drejt paqes dhe mirësisë, duke i treguar Evropës dhe botës, mesazhe dhe shembuj të vyer e të ndritshëm të civilizimit dhe qytetërimit të vërtetë…

Filed Under: Mergata Tagged With: Boras, mësues në shkollën suedeze “Fjardingskolan”, Sokol Demaku, Viron Kona

Kosovë-Shqipëri, dy qeveritë mblidhen në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës

April 29, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, ku Qeveria e Kosovës dhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë do mbajnë mbledhjen e tretë të përbashkët/

-Qeveria e Kosovës në përgatitje për mbledhjen e përbashkët me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë/

-Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës në mbledhjen e tretë do të nënshkruajnë, mes tjerash, një marrëveshje me të cilën marrin përsipër edhe obligimet financiare që dalin nga procesi i zbatimit të marrëveshjes për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë/

Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI -Behlul JASHARI/ 

PRISHTINË, 29 Prill 2016/ Qeveria e Kosovës dhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë do mbajnë mbledhjen e tretë të përbashkët në 3 qershor 2016 në Prishtinë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014 dhe të dytës në Tiranë në 23 mars 2015.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës,  të 86-tën, të 19-tën në vitin 2016, drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.

“Mbetet çështje deri në fund të javës së ardhshme t’i kemi të përfunduara të gjitha marrëveshjet që mund të lidhen mes dy qeverive. Që të mos kemi vonesa në fillim të javës së ardhshme do të ulemi t’i përgatisim ato”, u shpreh kryeministri Kosovar.

Në mbledhjen e 15 prillit,  qeveria e Kosovës deklaroi nisjen e përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë dhe paralajmëroi propozimin e grupit të autorizuar përgatitor lidhur me kohën e vendin e mbajtjes mbledhjes së përbashkët.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në takimin në Prishtinë në 7 prill kanë diskutuar mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive dhe në dakordësi të plotë kanë vlerësuar se procesi i bashkëqeverisjes së problemeve dhe çështjeve të interesit të përbashkët ka dhënë rezultate shumë të mira.

Në mbledhjen e mesit të prillit të qeverisë  së Kosovës u theksua koordinimi me qeverinë e Shqipërisë dhe përgatitjet e nisura për takimin e përbashkët. “Koha për të cilën ne jemi marrë vesh përafërsisht me kryeministrin Rama, është fundi i majit ose java e parë e qershorit”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar angazhim nga kabineti qeveritar në përgatitjet e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që të jetë përmbajtjesore dhe t’i kontribuojë thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

Mbledhja e përbashkët e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, në 11 janar 2014 në Prizren, ndodhi  për të parën herë pas më shumë se 100 vjetëve të shtetit të parë e pas 6 vjetëve të shtetit të dytë të shqiptarëve.

“Modestish mendoj se ajo që na ka bërë bashkë sot, në një tryezë të bashkëqeverisjes strategjike, qeverinë e Shqipërisë dhe qeverinë e Kosovës, është një nismë që ka të bëjë pikë së pari, me kontributin tonë për integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar, si shprehje  e vendosmërisë sonë të përbashkuar për ta jetësuar këtë integrim si hapësirë evropiane të tejkufijve”, theksonte në mbledhjen e parë kryeministri shqiptar Edi Rama.

Pas mbledhjes, në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive, të Shqipërisë e Kosovës.

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës janë takuar sërish, në një mbledhje tjetër, të dytë, në 23 mars 2015 në Tiranë, nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, ku u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle dhe një deklaratë e përbashkët për zonat e lira ndërkufitare.

Duke paralajmëruar mbledhjen e tretë, kryeministri kosovar Mustafa ka theksuar se, “do të vazhdojmë me takime të përbashkëta të dy qeverive dhe do të punojmë bashkërisht në përgatitjen e takimit të ardhshëm, në të cilin do të bëjmë një vlerësim të punëve të deritanishme, por edhe të aktiviteteve të cilat ne kemi interes t’i zhvillojmë si aktivitete të përbashkëta sepse vlerësojmë se bashkëpunimi me Shqipërinë është i interesit të veçantë për Republikën e Kosovës”.

Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës në mbledhjen e tretë të përbashkët do të nënshkruajnë, mes tjerash, një marrëveshje me të cilën marrin përsipër edhe obligimet financiare që dalin nga procesi i zbatimit të marrëveshjes për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Dakordimi për këtë bëhej i ditur në 26 prill  në një njoftim të dërguar nga Ministria e Diasporës në qeverinë e Kosovës.

Njoftimi theksonte se, në Tiranë, menjëherë pas përfundimit të takimit të grupit të punës për zbatimin e marrëveshjes mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, ministri kosovar i Diasporës,Valon Murati, u prit në një takim edhe nga Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë. 

Vëmendja e këtij takimi është përqendruar në lidhje me përmbushjen e detyrave që dalin nga Marrëveshja e përbashkët për unifikimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.

Në mbledhjen e dy qeverive, në Tiranë, në 23 mars 2015, është nënshkruar edhe Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës “Për Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.

Filed Under: Komente Tagged With: mbledhja 3 qershor, ne Biblioteken Kombetare, Shqiperi Kosove

Zviceranët zbulojnë Shqipërinë përmes çiklizmit

April 29, 2016 by dgreca

TIRANË, 29 Prill / – Zviceranët zbulojnë Shqipërinë si vendin më të përshtatshëm të turizmit çiklistik.Tobi Gessler, zviceran, i cili jeton dhe punon në Shqipëri, përmes blogut të tij ka arritur që të bëjë atraktive një tjetër fushë të turizmit shqiptar, atë të çiklizmit.

Duke ftuar tërheqjen e të tjerë sportdashësve, shqiptarë dhe të huaj, kanë nisur organizimet e tureve të çiklizmit në zonat rurale të vendit tonë. Sikurse shkruan Monitor, Gessler tregon për një gazetë zvicerane se fokusi i saj është që të sjellë sa më shumë të huaj që të eksplorojnë zona te ndryshme ne Shqipëri, qe janë ndër më të mirat për turizmin e çiklizmit.

“Të gjithë të apasionuarit e çiklizmit jashtë duhet të eksplorojnë Shqipërinë. Ka fshatra fantastikë dhe rrugë që nuk gjenden në vende të tjera”,  tregon ai, duke shtuar se së fundmi ka themeluar edhe kompaninë “Ride Albania Mountain Biking” për të të tërhequr turistët e huaj.(Sipas ATSH)

Filed Under: Sport Tagged With: përmes çiklizmit, zbulojnë Shqipërinë, Zviceranët

Shqiperi-Monumentet e kulturës, turizmi i kohëve moderne

April 29, 2016 by dgreca

Jemi në pragsezonin e turizmit veror dhe kjo stinë krijon mundësi lëvizje dhe pushimi në vendet më të preferuara bregdetare, natyrore apo turistike te monumenteve të kulturës dhe historisë. Turizmi historik është një turizëm në kërkim për ne dhe mund të quhet si turizëm elitar që në botën e zhvilluar është shumë fitimprurës për ekonominë.

Me miliona vizitorë të objekteve të lashtësisë i gjen nëpër botë duke vizituar themele rrënojash të vjetra dhe monumente të mbetura në këmbë që nga kohët e lashta. Shqipëria cilësohet si një ndër vendet më të lashta në Ballkan, një vend me histori aktive. Mund të përmendim disa qytete shqiptare me vlera të herëshme historike dhe që sot kanë një vlerë të shtuar në turizmin tonë.

Në qoftë se do të nisim nga jugu i vendit, përmendim Butrintin, me emrin e lashtë Buthrotum, që shtrihet rreth 18 km në jug të Sarandës. Pranë tij ndodhet edhe liqeni me ujë të kripur me të njëjtin emër. Është një nga sitet më interesante arkeologjike në Shqipëri, ku vlera të veçanta ka teatri me forme gjysmë-rrethi. Po ashtu, me vlerë janë edhe mbetjet strukturore nga ndërtimet e lashta. Është destinacioni më i vizitueshëm përsa u përket vlerave historike që zbresin deri në gojëdhëna.

Apolonia është qytet antik në Shqipëri, ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike. Është themeluar rreth fillimit të shek të IV p.e.s. Gërmadhat e 9Apolonisë janë zbuluar në fillim të shek XIX. Gjurmët më të hershme arkeologjike janë disa objekte të kohës së hekurit, tipike të kulturës ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen disa mbeturina të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve.

Apolonia, pas Dyrrahut, ishte qyteti më i rëndësishëm në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera që e mbanin të njëjtin emër në kohën antike. U ngrit mbi një kodër në një pozicion që zotëron tërë zonën dhe nëpërmjet luginës së lumit Vjosë lidhej me detin Adriatik.

Ndryshe nga qytetet koloni të tjera të cilat ishin ngritur buzë bregdetit, Apolonia ishte ngritur më në brendësi, disa kilometra larg bregdetit. Por, lidhej me bregdetin përmes lumit Vjosa, që në atë kohë ishte i lundrueshëm. Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Apolonia si qytet u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 para Krishtit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apolon dhe qyteti luajti një rol të madh si ndërmjetës tregtar mes helenëve dhe ilirëve. Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Vjosë.

3Llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për antikitetin.
Arkeologët e quajnë Apoloninë Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.
Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë etj.

Durrësi – Sot është qyteti-port më i rëndësishëm i Shqipërisë. Në pjesën jugore ndodhet plazhi i tij i gjatë më shumë se 10 km. Gjatë periudhës verore në Durrës vijnë më shumë se 150.000 turistë në ujërat e detit Adriatik. Monumentet e qytetit antik i kanë rezistuar kohës dhe janë akoma sot në një gjendje të mirë. Durrësi është një destinacion interesant për turizmin historik dhe prej tij futen në territorin tonë me mijëra turistë çdo vit.

Kruja – Kalaja e Krujës u ndërtua gjatë shekujve të 5-të dhe 6-të. Ka një formë eliptike me sipërfaqe prej 2.25 6hektarësh. Muret rrethuese janë të përforcuara nga 9 kulla, të cilat shërbenin për vëzhgim dhe sinjalizim gjatë periudhave të luftërave. Brenda mureve të kalasë gjenden ende disa shtëpi të banuara.

Berati – U përket qyteteve të rralla ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Krishtit këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ;pasi aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit.

Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P.Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kassandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P.Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, 5u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Pulheriopolis (Qytet i bukur). I pushtuar nga bullgarët në shek. IX, u quajt Belgrad (Qytet i bardhë) – Berati i sotëm.

Shkodra – Origjina e emrit të saj, SΚΟΔRΙΝΩΝ (Scodra në transkriptimin latin), mendohet të jetë vendi ku shkon Drini (Shko Drinon). Kur erdhën pushtuesit turq në Mesjetë e quanin İşkodra ose Işkenderiyye nga Işkender duke pandehur se banorët e këtij qyteti ishin të bijtë e Aleksandrit të Madh (Skënder, emri i myslimanizuar i Aleksandër) për nga trimëria që shfaqnin në beteja, nga ku Barleti nxjerr një tezë se Shkodrën mund ta ketë themeluar Aleksandri i Madh, por faktet e dëshmojnë për më të vjetër.

Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin shqiptar fillon që në shek. XV ku ishte qendër e humanizmit. Nga ky ambient dolën në dritë humanistë e mendimtarë të shquar, si Marin Barleti e Marin Beçikemi, që me veprat e tyre nxitën futjen e qytetit në vepra e studime e shkenca të aplikuara. Matematicieni Gjon Gazuli, u konsiderua si një nga astronomët më të shquar të kohës. Dallohet me një nga shkollat më të para në trevat shqiptare më 1698. Historiani E. Jacques shton se edhe të tjera shkolla u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639″.

Thuhet se Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. Por të dhënat tregojnë se “akademia” 7kulturore për të cilën shquhet ky qytet fshihet pas errësirës së shekujve. Gjatë qindravjeçarëve Shkodra ka qenë një metropol i qytetërimit shqiptar e madje ballkanik.

Kështu që turizmit historik dhe të kuriozitetit, i duhet dhënë prioritet nëpërmjet investimeve në mirëmbajtjen e qyteteve historike, në infrastrukturën rrugore që të çon drejt tyre, si dhe në kompletimin me personelin përkatës dhe të përgatitur për të pritur vizitorë të huaj.(N Lena)

Filed Under: Kulture Tagged With: i kohëve moderne, Shqiperi-Monumentet e kulturës, Turizmi

Arben Frroku i arrestuar prej 6 Marsit, PD akuzon qeverine

April 29, 2016 by dgreca

Partia Demokratike akuzon qeverinë se si në rastin e Mark Frrokut kanë vonuar të dhënat për Arben Frrokun, i cili sipas saj është arrestuar më 6 mars.Në një dalje për median nga Enkelejd Alibeaj janë të njëjtët persona si në rastin e Mark Frrokut që i shërbyen krimit dhe shkelën ligjin me urdhrin e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe lejen e Edi Ramës

Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Alibeaj

Lajmi i ndalimit të Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj, nxjerr zbuluar bashkëpunimin e dyfishtë të pikave kyçe të policisë, me bekimin e Tahirit dhe Edi Ramës, në arratisjen e të dënuarit dhe me tej në favorizimin e tij për të shmangur drejtësinë.

Ndalimi i Frrokut në Holandë është bërë që me 6 mars. Por autoritetet shqiptare, kanë vonuar dërgimin e të dhënave në shtetin e BE.

Të njëjtët persona, i njëjti mekanizëm, që la në sirtar për muaj me radhë kërkesën e Interpol Bruksel për deputetin e Edi Ramës, vëllain e të dënuarit me burgim përjetë, Mark Frroku.

Të njëjtët persona që shërbyen krimin dhe shkelën ligjin duke fshehur kërkesën e Policisë së Brukselit, sigurisht me urdhërin e Tahirit e me lejen e Edi Ramës, edhe këtë radhë, shërbyen krimin duke vonuar dërgimin e të dhënave.

Ishte denoncimi publik i bërë nga z. Berisha që i detyroi Tahirin e Ramën të dërgojnë të dhënat, ku u konfirmua se ishte pikërisht Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm, shtetasi i ndaluar në Holandë me identitet tjetër të falsifikuar.

Edi Rama fillimisht e mbështeti aleatin e tij politik, duke i mundësuar arratisjen. Pak para se të dënohej me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, Frroku iku nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë në sistemin Tims. Pra me urdhër, policia ka hapur kufijtë për të, dhe i dënuari për vrasjen e komisarit të policisë, avulloi pa lënë asnjë shenjë.

Ky bashkëpunim me krimin, me të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri të lartë, është në të vërtetë fytyra e Tahirit, e Ramës dhe e kësaj oligarkie që sundon me krimin e për krimin.

Arben Frroku arrestohet në Holandë, fshihej me identitet të rremë/

Policia e Shtetit duke informuar zyrtarisht për arrestimin e Arben Frrokut, thotë se ka nisur procedurat e ekstradimit të tij nga Holanda.Policia thotë se identifikimi dhe arrestimi i tij është bërë më 17:15 minuta.

Sqarimi i policisë:

Interpol Tirana gjatë ditëve të fundit ka patur disa komunikime me homologët në Holandë në lidhje me këtë çështje, por vetëm sot pasdite, u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare. Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët holandezë. 

Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të gjykatës.

Filed Under: Komente Tagged With: akuzat e PD, Arben Frroku, arretsimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2857
  • 2858
  • 2859
  • 2860
  • 2861
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT