Kosovë-Serbi,arrihet marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave ADR në Bruksel
Bruksel, 20 prill 2016/ Me ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel pas bisedimeve maratonike dhe në një atmosferë të rëndë dhe të tensionuar, rreth orës 3:30 pas mesnate është arritur marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme ADR në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, ka njoftuar ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri e cila theksoi se kjo marrëveshje konfirmon se Serbia ka njohur shtetin e Kosovës në fushën e transportit të mallrave të rrezikshme.Ministrja Edita Tahiri, sipas njoftimit të sapodërguar nga Brukseli, ka theksuar se me ketë marrëveshje, të dyja shtetet janë pajtuar për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, sipas konventës e OKB për certifikatat e ADR-së (certifikatat për vozitësit dhe certifikatat për automjete) dhe të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane për transportin e mallrave të rrezikshme. Kjo marrëveshje u arrit pas tetë muaj bisedimesh dhe pasi Kosova vendosi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Kjo marrëveshje është në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për tregtinë e lirë të vitit 2011 dhe parimet e CEFTA-së. Marrëveshja në fjalë hynë në fuqi nga data 25 prill 2016 si dhe zbatimi i saj është i garantuar nga Bashkimi Evropian si ndërmjetëse e dialogut të Brukselit. Delegacioni i Qeverisë së Kosovës ka konfirmuar se në ditën kur hynë në fuqi kjo marrëveshje atëherë në po të njëjtën ditë do të hiqen masat e reciprocitetit të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri dhe në përbërje ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, si dhe ekipi i ekspertëve, ka zhvilluar në Bruksel bisedime rreth 20 orë gjatë tërë ditës deri në orët e mëngjesit. Për shkak të situatës së tensionuar pas shkeljeve që zyrtarët e Serbisë i kanë bërë marrëveshjes për normalizim me deklaratat provokative, bisedimet janë zhvilluar kryesisht në format dy palësh dhe vetëm në orët e vona të mbrëmjes kanë vazhduar në format trepalësh.
Po ashtu në këto bisedime, ministrja Tahiri ka ngritur shqetësimet në lidhje me fushatën elektorale provokative të zyrtarëve të Serbisë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë si dhe ka kërkuar që BE të përcaktoj qartësisht standardet për frymën e normalizimit në mënyrë që të parandalohen shfaqjet destruktive dhe keqpërdorimet e marrëveshjes për normalizim nga ana e zyrtarëve serb gjatë fushatës zgjedhore. Në këtë kuadër me kërkesë të BE-së që palët të angazhohen për frymën e normalizimit dhe pas kërkim faljes nga ana e z. Marko Gjuriq për hyrje ilegale në Kosovë, palët janë zotuar që të respektohet marrëveshja për vizitat reciproke të zyrtarëve si dhe deklarimet duhet në mënyrë rigoroze të respektojnë frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.Në takime është biseduar për çështjen e hyrjeve dhe daljeve në Kosovë me letërnjoftime ilegale të lëshuara nga strukturat paralele, për të cilën ministrja Tahiri theksoi se masat e ndalesës për këtë çështje Kosova i ka marrë në dhjetor të vitit të kaluar dhe tani më 18 prill, sepse qytetarët serb në Kosovë të pajisen me lejet e njoftimit të Republikës së Kosovës përndryshe do t’u ndalet qarkullimi, me këtë rast theksoi se një pjesë e madhe e serbëve të Kosovës i kanë marrë letërnjoftimet e shtetit të Kosovës dhe ende një pjesë nuk i kanë marrë prandaj duhet sa më shpejt t’i marrin. BE-ja ka kërkuar që të krijohet një hapësirë kohore tranzicioni në mënyrë që edhe ky problem të zgjidhet sa më shpejt, ashtu siç u zgjodh edhe çështja e njohjes reciproke e certifikatave të ADR-së. U vendos që takimi i radhës të mbahet sa më parë.Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri kishte në përbërje edhe Hykmete Bajrami, ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Edita Tahiri dhe koordinator i çështjes, Fejzulla Mustafa, udhëheqës i sektorit të transportit të mallrave të rrezikshme në Ministrinë e Infrastrukturës, Bekim Mehmetaj, udhëheqës i sektorit IBM në Doganën e Kosovës, Lulzim Krasniqi, këshilltar politik i ministres Hykmete Bajrami dhe Zef Dedaj, udhëheqës i divizionit për politika tregtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Për çështjen e vizitave reciproke në delegacion ishte Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres Tahiri, Elona Cecelia, këshilltare politike e ministres Tahiri dhe Haxhi Bajraktari, ministër këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bruksel ndërsa për çështjen e letërnjoftimeve ilegale ishte Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres Tahiri dhe Shaban Guda, drejtor i policisë kufitare, përfundon njoftimi./b.j/
***
Media: Pas 18 orësh dialog në Bruksel përmbushen 4 kërkesat e Beogradit
Sipas medias, pas 18 orësh e gjysmë palët biseduese të Beogradit e të Prishtinës kanë arritur marrëveshje: është zgjidhur çështja e letërnjoftimeve, është hequr bllokada për kamionët me materie të rrezikshme, nuk do të ketë ndalesë për zyrtarët serbë, kur zgjedhjet serbe në Kosovë do të mbahen të dielën, të mbështetura nga OSBE-ja, sikurse më 2014.
Kështu raporton Radio Televizioni i Serbisë, i cili citon drejtorin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, të ketë thënë se bisedimet ishin të vështira, por me rezultate të mira, transmeton Koha.net. Sipas tij janë përmbushur të gjitha kërkesat e Serbisë.
Hillary Clinton në ngjitjen drejt fitores, Po skenari i “revolucionarit” Sanders?
Me fitoren e qartë në votimet paraprake në Nju Jork Clinton mund të jetë e sigurtë për mominimin nga demokratët. Tek republikanët ende gjithçka mbetet e mundshme – pavarësisht fitores së Trump-it. Ines Pohl komenton.
Ka vetëm një suprizë në këtë mbrëmje elektorale në shtetin e Nju Jorkut: Eshtë ndjenja e çlirimit tek ekipi i Hillary Clinton-it. Në fillim të zgjedhjeve paraprake askush nuk e kishte menduar, se do t’i duhej ndonjëherë të vihej në pikëpyetje, nëse senatorja për shumë vite e “shtetit të tyre” do të fitojë bindshëm ose jo. Por këtë vit askush nuk mund të jetë i sigurtë. Madje as një ish-First Lady.
Nëse në fitoren ndaj Bernie Sanders diferenca do të ishte dukshëm nën dhjetë përqind, atëherë do të dëmtohej rëndë imazhi i fitimtares gjithsesi i cënuar i ish-ministres së Jashtme. Asaj i duhej të fitonte me difernecë bindëse votash në shtetin, që ajo e quan atdheun e saj. Në radhë të parë kjo është e rëndësishme për atmosferën në radhët e përkrahësve të saj. Ndonëse edhe në zgjedhjet që kanë paraprirë më shumë kanë votuar për Clinton se sa për konkurentin e saj, fitoret e shumta të vogla të të vetëshpallurit socialist Bernie kanë pasur efekt. Shumë përkrahës të Clinton-it dukeshin të lodhur dhe të zhgënjyer. Në biseda të drejtpërdrejta ata thonin, se po u kujtohen zgjedhjet e vitit 2008, kur papritur i panjohuri Barack Obama arriti atë që dukej e pamundur dhe tek e fundit fitoi kundrejt perandorisë Clinton. Nëse Sanders me imazhin e tij të revolucionarit dhe me shumë përkrahës të rinj do t’ia dalë të përsëritet i njëjti skenar?
Shumë energji
Në hotelin Sheraton, ku simpatizantët e Clinton-it brohorisnin kandidaten e tyre, ishte e prekshme ndjenja e çlirimit qysh në publikimin e prognozave të para bindëse. Në këtë mjedis u çlirua energji si asnjëherë tjetër. Sepse të gjithë e dinin, që Nju Jorku do të shërbejë si provë lakmusi. Nëse Clinton nuk do t’ia dilte këtu me një fitore bindëse, për të do të vështirësohej situata në zgjedhjet presidenciale në nëntor. Pavarësisht se cili do të ishte sfidanti i saj.
Konform kësaj Clinton u shrpehu personalisht mirënjohjen simpatizantëve të saj dhe në dukje e çliruar ajo u bë një me masën. Shumë, shumë gra iu hodhën në qafë asaj gjatë fjalës së falenderimit e po aq shumë ishin që fshinin lotët e gëzimit. Hillary Clinton jo vetëm që është kthyer në skenë, por ajo është e pranishme. Me këtë impuls nga Nju Jorku asgjë nuk do të mund ta ndalë atë në rrugën për nominimin si kandidate e demokratëve për garën presidenciale.
Republikanët në krizë ekszitenciale
Tek republikanët analiza rezulton e paqartë. Ndonëse Donald Trump fitoi bindshëm, edhe pas këtyre zgjedhjeve paraprake nuk është e qartë, se si do të veprojë partia e tij me kandidatët në kongresin e partisë. Ashtu si edhe gjatë javëve të mëparshme sërish vlen motoja: pas zgjedhjeve ndodhemi para zgjedhjeve. Vetëm një gjë dihet saktë: nga 18 deri më 21 korrik në Cleveland/Ohio zhvillohet kongresi i republikanëve. Të deleguarit aty duhet të pozicionohen qartë, nëse do të pranojnë vendimin e shumicës së zgjedhësve – apo me prezantimin e një kandidati të ri do ta çojnë partinë drejt një krize ekzistenciale.
Hillary Clinton e di këtë dilemë. Pas fitores në Nju Jork asaj nuk i duhet më që të fokusohet tek kundërshtari brenda radhëve të veta, por mund të nisë fushatën kundër republikanëve. E diskutueshme siç është ajo, tani ka ardhur koha edhe për këtë.(Ines Pohl)
Rusia po shfrytëzon krizën në Maqedoni
Tensionet në Maqedoni kanë kulmuar. Për të dytën javë me radhë, në Shkup dhe qytete të tjera mbahen protesta kundër pushtetit.Shkak është bërë vendimi i presidentit Gjorgje Ivanov për të falur dhjetëra politikanë, të akuzuar për shkelje nga më të ndryshmet.
Shqetësime kanë shprehur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duke thënë se e ardhmja euro-atlantike e Maqedonisë është vënë në rrezik, por me teori më konspirative ka dalë Rusia.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka paralajmërur se përdorimi i “skenarit të Ukrainës” kërcënon destabilizimin e Maqedonisë dhe të Ballkanit në tërësi.
Sipas Moskës zyrtare, opozita maqedonase është bërë instrument i Perëndimit, me qëllim pengimin e zgjedhjeve më 5 qershor, të cilat janë vlerësuar si mënyra e vetme për të dalë nga kriza e gjatë politike.
Zhaneta Trajkovska, drejtore e Shkollës për Gazetari dhe Marrëdhënie Publike në Shkup, thotë se Rusia do që të sigurojë më shumë hapësirë në Ballkan.
Nëse Maqedonia përafrohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, mundësitë për ndërhyrjen ruse janë më të vogla, thotë Trajkovska.
Sipas saj, Rusia e shfrytëzon krizën e tanishme në Maqedoni për vetëpozicionim dhe interesa të saj gjeostrategjikë në Ballkan.
“Me siguri bëhet fjalë për interesa të caktuar ekonomikë, për një bashkëpunim, për të cilin publiku nuk di shumë”, thotë Trajkovska.
Maqedonia është në krizë politike qysh vitin e kaluar. Një aferë e përgjimeve që është zbuluar nga opozita dhe ka treguar për keqëpërdorime të mëdha nga ana e pushtetit, ka shkaktuar krizën.
Muaj më vonë, është nënshkruar e ashtuquajtura Marrëveshje e Përzhinos, midis katër partive politike, mbi kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.
Dimitar Bechev, nga Qendra Evropiane për Politika, thotë se Qeveria e Maqedonisë dhe ish-kryeminstri Nikolla Gruevski, njëherësh kryetar i partisë në pushtet VMRO-DPMNE, është përgjegjës për tensionet e fundit, sepse nuk i përmbushin obligimet e marra.
Bechev merr si shembull amnistinë për politikanët, e cila, sipas tij, nuk ka qenë e paraparë me Marrëveshjen e Përzhinos.
“Maqedonia është një vend i vogël dhe të gjithë e dinë se presidenti Ivanov varet plotësisht nga Gruevski. Presidenti maqedonas nuk e ka marrë vetëm këtë vendim, por natyrisht është koordinuar me Gruevskin”, thotë Bechev.
Ka zëra se Gruevski është aleat i Rusisë dhe se përpiqet të balancojë dhe kalkulojë midis Moskës dhe Brukselit.
Dhe, Rusia e shfrytëzon këtë situatë në Maqedoni, si dhe të gjitha krizat e tjera në botë, thotë Bechev.
Vëzhguesit paralajmërojnë se situata në Maqedoni do të përshkallëzohet tutje. Ata presin gjithnjë e më shumë protestues në rrugë, por edhe kundër-protestues që i organizon partia në pushtet.
Përgatiti: Valona Tela
Hillary Clinton dhe Donald Trump, fitojnë në New York
*Hillary Clinton fitoi 57, 9 Perqind te votave, Sanders 42, 1 %, Donald Trump 60,1 %, John Kasich 25,1 %, Ted Cruz 15 %/
* Clinton dhe Trump u duhen ende secilit nga 400 delegatë për të marrë emërimin e partisë së tyre/
Kandidatët po përpiqen të sigurojnë numrin e nevojshëm të delegatëve për të marrë emërimin e partisë së tyre.
Zoti Trump fitoi pothuajse në total të 95 delegatët që dërgon për kuvend shteti i Nju Jorkut. Deri tani ai ka 845 delegatë, ndërsa Senatori Cruz ka 559 delegatë, pasuar nga Kasich me 147. Në garën republikane, pretendentëve i duhen 1237 delegatë për të marrë emësimin e partisë në kuvend. Me fitoren e djeshme, zoti Trump e ka të mundur ta arrijë këtë numër. Ai falenderoi përkrahësit dhe vazhdoi ta paraqesë vetein si i vetmi kandidat me mbështetjen e mjaftueshme për të siguruar emërimin.
Rivalët e tij Cruz dhe Kasich shpresojnë që të zhvillohet një kuvend i hapur, ku asnjë kandidat nuk ka marrë numrin e nevojshëm të delegatëve në hapje të kuvendit dhe zgjedhja hidhet në votë gjatë punimeve të kuvendit, ku pas votës së parë delegatët mund të votojnë për kë të duan.
Në kampin demokrat, pretendenti Bernie Sanders është përballë një realiteti të vështirë. Aktualisht zonja Clinton ka 1930 delegatë, ndërsa zoti Sanders ka 1223 delegatë. Në zgjedhjet demokrate kandidatit i duhen 2383 delegatë për të siguruar emërimin e partisë.
Por zoti Sanders mbetet pozitiv dhe tha para një turme entuziaste se fushata e tij do të mobilizojë një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje dhe do të gjallërojë Partinë Demokrate.
Zonja Clinton e shfrytëzoi fjalimin pas fitores mbrëmë për t’iu drejtuar përkrahësve të zotit Sanders, duke thënë se mes saj dhe këtij grupimi ka më shumë gjëra që i bashkojnë se sa i përçajnë.