• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dëshmitë historike për një luftë çlirimtare

March 31, 2016 by dgreca

Shkruan:Prof. dr. Nusret Pllana/

 (Endrit A. Binakaj, Masakra e Belegut më 29-30 mars 1999)/

 Përkufizimi/

Nuk ka vepër që i kushtohet luftës për çlirimin e kësaj pjese të tokave shqiptare, që nuk ka rëndësi historike, qoftë edhe kur shkruhet për masakrat ndaj popullatës civile. I këtillë është edhe libri i dytë i Endrit Binakajt për Masakrën e Belegut të vitit 1999. Në faqet e këtij libri autori ka sjellë momente, ngjarje, emra njerëzish që me jetën e tyre, edhe pse të masakruar, janë bërë pjesë e lirisë sonë. Armiku i shqiptarëve, ka bërë përpjekje, kjo e fundit në fshatin Beleg të anës së Deçanit,  më 1999, që ta zhduk popullin shqiptar.

Hyrje

 Libri i Endrit Binakajt Masakra e Belegut më 29-30 mars 1999, është libri i dytë i tij për këtë ngjarje tragjike të kësaj pjese të popullit shqiptar. Tragjedia ishte e veçantë, sepse bëhej në një kohë kur Evropa po bënte më shumë se një gjysmë shekulli që nuk e dinte se çka është lufta. Por, Evropa e dinte se brenda saj kishte ende sisteme koloniale, ku shkeleshin të gjitha të drejtat e një populli. Ky vend ishte Kosova. Një pjesë e gjeografisë kombëtare shqiptare, copëtimin e së cilës nga trungu i shtetit amë, Shqipërisë e kishte miratuar edhe Evropa, me nënshkrimet e saj, në disa Konferenca evropiane, disa prej të cilave janë quajtur edhe paqësore.Autori duke u marrë edhe me këto çështje të historisë së shqiptarëve, ka vënë në thumb, jo vetëm pjesën tragjike të tokave shqiptare, por edhe heshtje oportune të Evropës, e cila për qetësinë e saj, për ruajtjen e lëkurës së saj, kishte shkelur mbi parimin  themelor  të gjëllimit të njeriut, që është liria. Pra, Evropës i mjaftonte liria e saj, pa i rënë në mendje se diku në skajin e saj, më shumë se gjysma e një populli të lashtë historik po jetonte në robëri.Prandaj, lufta për liri ishte e pashmangshme. Ishte e tillë, sepse edhe kjo pjesë e popullit shqiptar, më në fund e e kishte kuptuar se lirinë nuk ta falë askush dhe se ajo fitohet me luftë çlirimtare.

 Historia si mësuese e jetës dhe padrejtësitë e saj

Libri i autorit Endrit Binakaj, Masakra e Belegut më 29-30 mars 1999, ndahet në tre kapituj, ose thënë më shkoqur, si lëndë organizohet në tri njësi, që mëtojnë ta plotësojnë njëra tjetrën.

Autori nuk është ndalur vetëm në rrethanat dhe shkaqet që sollën ngjarjet e Masakrës së Belegut. Ai duke u marrë me fatin historik të popullit shqiptar gjatë një periudhe të gjatë kohore, ka ardhur në përfundim se tragjedia e Belegut dhe të gjitha tragjeditë e tjera, ishin pasojë e copëtimit të gjeografisë kombëtare, ishin pasojë e pushtimit të Kosovës nga Serbia dhe ish-Jugosllavia, ishin pasojë edhe e qëndrimit të heshtur të Evropës, e cila kishte nënshkruar copëtimin e tokave shqiptare, ngase i konsideronte pjesë të Perandorisë Otomane, e cila po zhbëhej. Të gjitha këto të dhëna janë sistemuar në kapitullin e parë të librit Masakra e Belegut më 29-30 mars 1999, të autorit Endrit Binakaj.Por, vëmendje të veçantë autori i ka kushtuar qëndresës dhe luftërave të përgjakshme të popullit shqiptar kundër pushtuesit serb, që nga fillimi i procesit të kolonializimit të Kosovës e deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila jo vetëm ishte bërë dalëzotësja e lirisë së kësaj pjese të atdheut, por ishte bërë edhe çlirimtarja e Kosovës.

Lashtësia historike fillon që nga emri  

 Historia e trojeve shqiptare është shumë e lashtë. Këtë e thonë studimet historike, arkeologjike, gjuhësore dhe kulturologjike në përgjithësi. Por, këtë e dëshmon edhe autori i librit Masakra e Belegut më 29-30 mars  1999, Endrit Binakaj. Ai konstaton se vendi i kësaj masakre të përgjakshme, Belegu, shkon thellë në histori. Diku para Mesjetës shqiptare, ai ishte lokalitet i formuar. Fshati Beleg, sipas autorit, i cili shfrytëzon të dhënat arkeologjike dhe historike, dëshmohet i regjistruar që në vitin e largët 1330.Qoftë edhe vetëm marrja me gjithë këtë periudhë kohore, shkarazi dhe me kapërcime, deri në vitet e përgjakshme të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë vlera që meritojnë të lexohen, të mbahen mend dhe të ruhen si dëshmi e ngjarjeve të rëndësishme historike në jetën tonë.Përveç dëshmive historike autori sjellë edhe dëshmi të fushave të tjera të dijes, që nga toponimia, pra emërvendet e të gjithë rrethinës së Belegut, për të ardhur te fillet e lëvizjes ilegale në Beleg, diku nga vitet 1990-1991. Në këto vite, sipas autorit, janë shenjat e para të ardhjes së armëve të lirisë në këtë lokalitet, prandaj masakra që është bërë në Beleg, nuk është vetëm hakmarrje e pushtuesit serb, por është një plan i pushtuesit që e dinte saktësisht ku kishin filluar shkëndijat e para të luftës për liri. Andaj, në ato vende edhe hakmarrja, pra edhe përgjakja ishte më e madhe. Mbi të gjitha ishte çnjerëzore, sepse qëllimi i armikut ishte jo vetëm vrasje e individëve, por shfarosja e një populli të tërë. Dëshmi për këtë lëvizje ilegale për liri, si dhe dëshmi për sjelljen e armëve të lirisë në Beleg, autori ka sjellë edhe jetën dhe veprimtarinë e ushtarëve të parë, të cilët shumë vjet para Luftës së UÇK-së, bashkë me Komandantin Legjendar, Adem Jasharin, por edhe me të tjerë, kishin bërë ushtrimet ushtarake në Shqipëri. Luftëtarët, Saim dhe Sami Tahiraj, jo vetëm ishin veprimtarë të hershëm të çështjes kombëtare, por edhe ishin ushtarë të lirisë së kësaj pjese të atdheut të shqiptarëve.Pjesa e tretë e librit të Endrit Binakajt është e veçantë. Aty janë radhitur të gjithë të ekzekutuarit në Masakrën e Belegut më 29-30 mars 1999. Nuk është me rëndësi kush nga cili vend ishte, nga cili fshat kishte ardhur në Beleg, nga cila anë kishte hyrë në këtë fshat, pse kishte ardhur aty, por është me rëndësi se pushtuesi serb, duke mos kursyer as fëmijët, ka përgjakur dhe ka masakruar të gjithë ata që i ka zënë atë ditë të kobshme në fshatin Beleg.Emrat e të ekzekutuarve janë përcjellë me të dhëna të shkurtra biografike, që dëshmon për kujdesin dhe pjekurinë e autorit të këtij libri. Qoftë edhe vetëm për këtë fakt të vogël, kur autori është vënë në shërbim të ruajtjes së gjurmëve të kujtesës historike, dëshmon për rëndësinë e këtij libri. Sepse, duke qenë të robëruar, duke qenë të pushtuar, duke qenë të përndjekur brez pas brezi, përveç të tjerave, nuk është mundësuar që të ruhen shenjat e kujtesës sonë historike, qoftë edhe dëshmitë shkrimore për ngjarje kaq tragjike, siç ishte Maskara e Belegut më 29-30 mars 1999, të cilën autori e ka shndërruar në një dokument faktesh dhe dëshmish shumë të rëndësishme, edhe për kujtesën e brezave të shqiptarëve që do ta gëzojnë lirinë e Kosovës.

Deçan, 29 mars 2016

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: çlirimtare, Dëshmitë historike, për një luftë, Prof. Dr. Nusret Pllana

ROLI I FAIK KONICËS NË GAZETARINË DHE LETËRSINË SHQIPTARE

March 31, 2016 by dgreca

NGA THANAS L. GJIKA/*
Faik Konica është një ndër figurat më të shquara të historisë, të letërsisë dhe të kulturës sonë kombetare. Me formimin e tij solid, me talentin e spikatur dhe me punën e palodhur dhe të shumanshme, ka kontribuar për formimin e kulturës sonë kombetare me fizionomi europiane që nga viti 1895, kur u diplomua në Dijon të Francës, deri më 1942, kur i mbylli sytë në Boston MA( SHBA).
Revista Albania shkollë e gazetarisë shqiptare
Revista Albania, të cilën Faik Konica e themeloi në nëntor të vitit 1896 dhe filloi ta botonte në mars të vitit 1897, doli nën kujdesin e tij në shqip, frëngjisht e turqisht deri në shkurt 1909 në Bruksel e Londër. Ky koleksion me rubrikat e shumta publicistike, letrare, historike, etnologjike, sociologjike, gjuhësore, etj, të shkruara kryesisht prej penës brilante të editorit, përbën kryeveprën ose veprën monumentale të Faik Konices. Asnjë studim shkencor me synime serioze nuk mund të bëhet për periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare në çdo fushë të saj pa shfrytezuar koleksionin e kësaj reviste. E themi këtë sepse kjo revistë në saje të aftësive të drejtorit luajti rolin e tribunës me të rëndësishme politike, kulturore e letrare të botës shqiptare. Në faqet e saj u afruan dhe botuan në të dy dialektet kryesore të shqipes shumica e talenteve të reja të kohës nga të gjitha trojet shqiptare dhe të gjitha kolonitë shqiptare. Ajo u bë urra më e rëndësishme për lidhjen e kulturës dhe të politikës shqiptare me atë evropiane bashkëkohore.
Revista Albania me problemet që trajtoi me llojet publicistike që lëvroi, me stilin letrar e gjuhën e përpunuar u bë një shkollë e vërtetë e gazetarisë shqiptare, kurse Faik Konica, mësuesi kryesor i saj. Aty debutuan së pari dhe u stërvitën Visar Dodani, Mit’hat Frashëri, Shahin Kolonja, Fan Noli, Gjergj Fishta, Filip Shiroka, Mihal Grameno, Hil Mosi, etj, etj, shumë prej të cilëve nxorën pastaj organet e tyre të shtypit, duke pasur per model pikërisht shkrimet e revistës Albania. Në faqet e kësaj reviste Konica, jo vetëm konsolidoi dhe e ngriti më tej nivelin e artikullit, lajmit, fejtonit, kryeartikullit, pamfletit, shënimit, që  kishin lëvruar para tij, Jeronim de Rada, Anastas Kullurioti, Nikollë Naçua, etj, por levroi i pari disa lloje të tjera të publicistikës si portretin, peisazhin, skicën, komentin, etj…
Në drejtim të poetikës dhe të etikë së gazetarisë Faik Konicën e ndihmuan talenti i
tij i lindur, shijet estetike, kultura e tij e gjerë e fituar në shkollat më të mira të kohës, leximet e shumta në disa giuhë të huaja, si dhe përvoja jetësore familjare, personale dhe shoqërore. Falë këtyre të dhënave, ai arrti të bëhej shumë shpejt një mjeshtër i përdorimit të figurave letrare dhe i zbulimit të karaktereve dhe situatave komike. Talenti i fuqishem, kultura poliedrike dhe e thellë, si dhe atdhedashuria e zjarrtë, bënë që nga pena e tij të delnin shkrime të fuqishme të qarta për nga idetë dhe të bukura për nga forma, të cilat lexoheshin e lexohen edhe sot me ëndje të veçantë.
Koleksioni 12-vjeçar i revistës Albania, me 126 numërat që u botuan gjatë viteve 1897-1909, nuk ka si të mos quhet një vepër e plotë dhe komplekse e Faik Konicës. Brenda këtij koleksioni ka me dhjetra vepra të plota, si poezi, skica, portrete, artikuj, etj, etj, të shkruara prej editorit të revistës. Për këtë arsye, thënia e Nolit: Faiku nuk na la asnjë vepër të përfunduar duhet quajtur e nxituar, ose thjesht shaka e papeshuar mirë. E quajmë thënie të nxituar ose shaka e papeshuar mirë, sepse Noli na ka vënë vetë në dijeni se kur ishte në Egjipt në vitin 1906 kishte lexuar te shtëpia e Spiro Dines gjithë koleksionin e deriatëhershëm të revistës Albania. Ai gjithashtu i kishte lexuar gjatë vitit 1922 dhe tregimet e gjata humoristike Katër përralla nga Zululandi, nuk ka pse të mos i konsideronte vepra të plota. Prandaj mendojmë se më 1962, kur Noli e formuloi atë shaka, ka pasur parasysh faktin që Konica, si autor i talentuar, nuk la vepra të gjata letrare të plota, si romane, poema dhe drama origjinale, ose të përkthyera.

Faik Konica themelues i prozës moderne sbqipe.
Që nga viti 1897 kur filloi të publikonte skicat, portretet, tregimet e shkurtra dhe deri në fund të viteve 20-të të shekullit të XX-të, kur botoi në gazetën Dielli tregimin Katër përralla nga Zululandi (1922), romanin Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit (1924), të cilin edhe pse e kishte përfunduar, nuk e botoi të gjithin, dhe reportazhin e gjatë Shqipëria si m’ u duk (1929), Faik Konica mund të
themi se u afirmua si shkrimtari ynë më i mirë i prozës së shkurtër dhe të gjatë shqipe të kohës. I krahasuar me lëvruesit e tjerë të prozës së shkurtër shqipe gjatë Rilindjes si Konstandin Kristoforidhi, Lumo Skendo, Asdreni, Mihal Grameno, Milo Duo, Hil Mosi, Nuçi Naçi, Papa Kristo Negovani, etj, si dhe me lëvruesit e prozës së gjatë letrare si Dom Ndoc Nikaj, Mihal Grameno, Foqion Postoli, Andon Frasheri, Sterio Spase, Mehdi Frasheri dhe romancierë të tjerë të tre dekadave të para të shekullit të XX-të, Faik Konica qëndron në një nivel më të lartë artistik, për nga ndërtimi kompozicional i veprës dhe për krijimin e personazheve, për gjuhën, figuracionin, etj. Konica u shqua jo vetëm për pastërtinë dhe pasurinë e gjuhës, por dhe për koncizitetin dhe elegancën e stilit, perdorimin mjeshteror të gjuhës si mjet për individualizmin e personazheve. Gjuha e prozës së Konicës duke qenë gjuhë e veprave realiste, rrjedh natyrshëm. Personazhet e tij shprehen dhe kuvendojnë si në jetën e perditshme dhe jo me një gjuhë të kërkuar letrareske si flasin personazhet në veprat e letërsisë romantike.
Përmes forcës së talentit të vet Faik Konica, ndonse ishte larguar prej atdheut që në rininë e hershme, mundi t’ia bëjë autopsinë shoqerisë shqiptare të viteve 20-të të shek XX-të më mirë se bashkëkohësit e tij që jetonin brenda vendit.
Mesazhi ideor i këtyre veprave konsiston në luftën për të demakuar mentalitetin
prapanik që sundonte në Shqipërinë e asaj kohe. Ky mesazh nuk transmentohet përmes lotëve, si bënin shkrimtarët sentimentalistë, as përmes patosit të ngritur emocional plot deklaratizëm, si bënin shkrimtarët romantikë, por përmes vënies së gishtit në plagët reale të shoqerisë shqiptare për të cilën prozatori Konica synonte një jetë më të mirë. Pikërisht duke treguar se dashuria ndaj atdheut dhe popullit mund të shfaqej jo vetëm duke ekzaltuar të kaluarën heroike, si kishin bërë shumica e rilindasve, por edhe duke zbuluar të vërtetën e hidhur, duke kritikuar gjendjen reale, me qëllim që të luftohej për përmirësimin e saj, Konica krijonte njëherazi mendësinë moderne të të menduarit dhe prozën letrare moderne shqipe. Kështu Konica shpinte përpara letërsinë tonë realiste të filluar para tij prej Andon Zako Çajupit me botimin e veprës Baba Tomori (1902), prej M. Gramenos me komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe (1905) dhe skicat e portretet e viteve 1908-1923, prej At Gjergj Fishtës me këngët e poemës Lahuta e Malësisë (1902-1909) dhe përmbledhjes satirike Gomari i Babatasit (1923), prej Dom Ndre Mjedës me vëllimin poetik Juvenilja (1917), prej Asdrenit me vëllimin poetik Endrra e Lotë (1912), etj, etj.
E veçanta e Konicës është se ai e konsolidoi realizmin si metodë krijuese në prozën letrare shqipe, metodë e cila do të bëhej shkolla sunduese e letërsisë sonë në vitet 30-të të shek. XX-të me tregimtarë të talentuar si Ernest Koliqi, Migjeni, Mitrush Kuteli, Nonda Bula, etj.
Nismëtar i kritikës letrare shqipe
Në fushën e kritikës letrare Faik Konica është ndër kritikët e parë letrarë tek ne. Penës së tij i takojnë panoramat e para për zhvillimin e letërsisë sonë dhe kritikat e
para për vepra të veçanta. Ai të çudit me njohjen e gjerë të procesit historik letrar shqiptar që nga autorët e vjetër deri te krijuesit bashkekohore, në një kohë kur ende nuk ekzistonte asnjë histori për letërsinë shqipe. Shënimet dhe esetë e tij në këtë fushë janë me shumë shije dhe bien në sy për formimin e tij teorik në aspektin estetik.
Si kritik letrar Konica të bën për vete me aftësinë dhe intuitën e tij për të kapur e venë në dukje të veçantën, tiparet individuale të çdo autori e vepre për të cilin shkruan.     Duke folur për veprën e Jeronim De Radës ai ngre lart poemën Këngët e Milosaos për figuracionin e saj.
Midis veprave të Naim Frashërit, poezitë e përmbledhjes Lulet e veres, i quan gracioze dhe të freskëta. Me rastin e vdekjes së Naimit (1900), Faiku shkroi portretin më të goditur, një himn të vërtetë për poetin, duke e vleresuar si njeri, si atdhetar dhe si poet të talentuar. Midis tjerash ai arsyeton: …detyra t’u hapij sytë botës e shtrëngojin të mos ngiitej më sipër se kuptimi i popullit të Shqiperise. Pra, sipas Konicës ky poet kishte forcë talenti për të hartuar vepra me nivel shumë më të lartë artistik, por që utilitariteti dhe atdhetaria nuk e lanë të ngrihej në nivelet që ai mund të ngrihej për nga forma artistike.
Konica e rendit At Gjergj Fishtën ndër poetët me vlera të njëmendëta artistike dhe si prijës intelektual.
Filip Shirokën e quan poet kombetar mbas shestjes së Naim Frasherit, autor të soneteve tingelluese.
A.Z. Cajupin e vlerëson për ngjashmërinë me poezinë popullore dhe përkthimin e frymëzuar të Përrllave të La Fontenit, etj.
Duke mos e ndjekur nga afër zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqipe që zhvillohej në atdhe, mendojmë se Konica i ka njohur pak, ose nuk i ka njohur fare veprat
e Lasgush Poradecit, Migjenit, Mitrush Kutelit, Ernest Koliqit, etj të cilët nuk i ka përmendur as në veprën Shqiperia: Kopshti shkembor i Evropes Jug-Lindore, të cilën e
hartoi më 1939. Nga shkrimtarët që ka dashur dhe ka vlerësuar më shumë Konica, është Fan Noli.
Për këtë autor, ai theksoi që më 1910: Fan Noli të kujton klerikët e Rilindjes italiane, kurse më 1939 e cilësoi shkrimtarin më të madh të kohës për veprën Historia e Skenderbeut dhe për perkthimet e goditura të veprave të William Shakespeare-it, të Rubaive të Omar Khajam-it, të romanit Don Kishoti të Miguel de Servantes-it dhe të disa poezive nga letërsia amerikane. Si njohës i mendimit teorik, por dhe i procesit praktik të krijimtarisë letrare, Faik Konica i përmblodhi si askush shkurt parimet themelore të hartimit të veprave letrare, publicistike she eseistike në shkrimin Lutje per shkrimtarët, ku nënvizon se duhet shkruar vetëm për gjëra me vlerë, mbasi të jetëe bërë një punë këmbëngulëse për njohjen e çështjes për të cilën do të shkruhet me paanësi (nënkupto: me objektivitet dhe larg politizimit- Th. Gj) dhe me giuhë të pastër e të bukur. Parime këto të vlefshme edhe për çdo krijues të ditëve tona.

I jemi borxh Faik Konicës
Me sjelljen e eshtrave të Faik Konicës në atdhe vihet në vend amaneti i tij, por ne ia kemi borxh vlerësimin sa më të plote të vlerave këtij talenti, i cili me aq sa njohim deri sot, është padiskutim krijuesi i mendësisë moderne shqiptare, i mendësisë europiane, ku duam të shkojmë. Mirëpo që të mund ta studjojmë dhe vlerësojmë në mënyrë të plotë këtë figurë poliedrike të Rilindjes e pas saj, na duhet së pari të mbledhim e të botojmë veprën e tij të plotë. Gjetja, grumbullimi dhe botimi i kësaj vepre kërkon punë të përkushtuar, dashuri e pasion ndaj atij që shkriu jetën dhe pasurinë e vet për të mirën e popullit dhe të atdheut. Kur ta kemi realizuar një botim sa më të plotë e sa më shkencor të veprës së Faik Konicës, atëhere kuvendimi i tij me popullin e vet do të jetë i giallë dhe përfitimi ynë do të jetë i madh…
(Botohet me disa korrigjime të pakta në krahasim me variantin e botuar në gazetën Rilindja Demokratike, Tiranë, 4 maj 1995, f. 2)

*Shënim: Federata atdhetare Vatra e shpalli vitn 2016 Viti Konica me rastin e 120 vjetorit të themelimit të revistës Albania. Ajo mori përsipër që gjatë këtij viti të ndihmojë financiarisht botimin në gjuhën shqipe të dy romaneve të panjohur të Faik Konicës, shkruar më 1908 frëngjisht. Këto dy vepra të plota letrare i zbuloi, i përktheu dhe i pajisi me një hyrje të gjerë studjuesi Fotaq Andrea. Gjetja e këtyre dy romaneve të hartuar frëngjisht prej Konicës është një tjetër fakt që tregon se Faik Konica e pati aftësinë dhe vullnetin të na linte vepra të plota letrare me dimensione të gjata si romani.

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE LETËRSINË SHQIPTARE, I FAIK KONICËS, NË GAZETARINË, ROLI, Thanas L Gjika

GJAKU I ËMBËL I BESIM GOLEMIT

March 31, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/

Ai erdhi pa njoftuar. Më gjeti në zyrë dhe kur hyri në derë u përkul tej mase. S’kisha parë ndonjë piktor tjetër aq të gjatë. I qeshur, aq sa mund të them se e «kishte dënuar» Zoti të ishte aq i qeshur. «Vetëm duart kam marrë me vete», tha kur u tokëm. «Besim Golemi. Jam gjithçka dhe asgjë. Të falat për ty i kam nga Bujar Xhaferri, poeti.» Dhe e mbuluan mjegullat e së qeshurës, aq sa nuk ia dalloje dot fytyrën. «Kam ardhur për ekspozitën personale që do ta hapim këtu, në këtë qytet që vjetërsinë e ka si një perlë të shtuar. Nuk e marr dot me mend se si do dukej po të mos qe i vjetër…» Kjo ishte njohja e parë. I bëmë të gjitha ato që na takonin dhe mbetëm në pritje të fjalës që do thoshin krerët. E vërteta është se asaj kohe Abdyl Pilafi ishte i dhënë pas poezisë, arteve figurative, muzikës dhe gjithçkaje tjetër të bukur dhe nuk ia prishte dot Llazar Verës, por as të tjerëve. Kështu që ekspozita e Besim Golemit erdhi në mes të pranverës, duke krijuar një pështjellim që s’u mor vesh se nga erdhi: nga gjaku i ëmbël i piktorit apo nga veprat e tij të jashtëzakonshme. Nuk u dëgjua se kush e tha i pari atë punën e gjakut të ëmbël, por që të nesërmen atij ia thoshin si pa teklif shprehjen «paske gjak të ëmbël, Besim!»…

E kam të fiksuar portretin e tij: fytyra pakëz gjatoshe, tiparet e skalitura fort, sytë e zjarrtë si gaca që të digjnin, vështrimi i tij pak flu por i kujdesshëm në përqendrim, dhe e qeshura e tij e çuditshme, pak si e fshehur dhe që pastaj çelej e shtrihej në gjithë tiparet e fytyrës. Besim Golemi! Që nga njohja e parë nuk u ndamë asnjëherë. Të bënte për vete dhe të jepte mundësi ta përqafoje, edhe pse duhej të zgjateshe ca për të bërë atë që dëshiroje. Edhe sikur të kishte një bukuri të shëmtuar atij do t’i shkonte shumë. Mbi të gjitha të bënte përshtypje fytyra e tij e qëruar, e shndritshme, me një shprehje që sigurisht s’mund ta ketë askush tjetër. Më dukej se do të na rrëmbente gjithë vajzat e qytetit dhe t’i çonte atje në Lushnjën e tij, te prindërit për të cilët linte kokën. E gjeje sa në Karbunarë, në shkollën e së cilës e patën «detyruar» të jepte vizatim. Pastaj gjithë kohën në studio. Punonte me një rrëmbim stuhie, shpejt, saktë, gjithnjë me buzën në gaz, drejt e me penel në kanavacë. Nuk vuante për temat që gjente, imagjinata e tij pjellore të detyronte ta shihje në dritë të syrit për të parë se si nga retina do të shfaqej një peizazh, apo një grup figurash. Ai nuk pikturonte por bënte një lloj skulpture me penel, nëse kjo do të qe e mundur. Ndoshta ngaqë raportet e dritës me hijen rrinin pranë me madhështi. Sekreti i pikturave ishte fshehur gjetiu, pse jo edhe tek gjaku i ëmbël. Besimi thuajse nuk fliste, por edhe kur ndodhte kjo s’di pse i treteshin gjithë tiparet e fytyrës në një ëmbëlsi të qeshure që të rrëmbente e të detyronte të mendoheshe thellë. E pse me zë aq të ulët? E pse tupej dhe skuqej paksa kur donte të shprehej për diçka të lënë diku, për një penel, për një vajzë që e priste te dera dhe ai nuk dinte ku të futej nga një ndjenjë fërgëlluese. Ke bërë gjë për këtë qytet? Domethënë ke krijuar ndonjë pamje të tij, ndonjë peizazh? Po, tha ai, veçse ka rënë mjegulla! E pse duhet kjo që të kem bërë një punë, një vepër? E po, ndryshe nuk të pranojnë për ekspozitën! Aty vura re se si kridhej ai brenda të qeshurës së tij, madje digjej krejt. S’kisha parë kurrë një djegie të tillë! E çuditshme. Ndoshta si metaforë do ta donin të gjithë që ta zotëronin atë të qeshur, kurse ajo e tij ishte e pamundur as të prekej e as të gjeje një pikë tjetër takimi. Ishte pikë për pikë e njëjtë me mjegullën që hapej mbi Mangalem duke zbuluar ca shtëpi nën vel, por me një bukuri të tillë saqë thoshim se ishte llahtarisht magjepsëse. Me siguri që ai vuante brenda të qeshurës së tij, digjej ngadalë dhe pa u kuptuar, ndaj dhe nxitonte të kapte ndoshta kohën që do t’i humbiste, duke e shprehur këtë djegie të llahtarshme në gacat e syve të tij, mbuluar me një vel që të mos kishin mundësi t’u depërtonte ndonjë dritë tjetër irrituese. Vuante shumë Besimi dhe këtë ndjenjë nuk u desh shumë ta kapnim, teksa mbrëmjeve te «Shtëpia e Bardhë» rrinim para gotës së verës, duke qëmtuar pak ullinj ose pak shnicel, të cilin e donte vetëm nga dora e Llazar Qendros…

Besim Golemi. Nuk kishte të bënte as me Golemin e Lushnjës e as të Kavajës, por me Golemin e Gjirokastrës. Nga uji i Golemit të Labërisë do t’i kishte rrënjët ngjyra, trupi i tij, gjaku, e qeshura me përmasë të paparë, syri aq depërtues dhe mjegulla që zaptonte majat e maleve. Jam lodhur një ditë tërë ditën, derisa e shkëputa nga duart e Dhimitër Topit për ta marrë me vete. Do të vemi bashkë në Tabie të Kalasë. Kam nja dy të fshehta që dua t’i tregoj vetëm ty. Edhe Sejdin Cekanit dhe Ymer Çirakut, teksa drekonim në shtëpinë e ringritur si për pritje në Tabje, aty ku ishte varri i Babë Dudë Karbunarës (tani as unë nuk e di se ku është!), as atyre nuk ua tregova, sepse vera e kuqe nuk na la të shihnim dot më tej se hunda jonë. E kam vetë merak, mos ki dert. Hë, po, kemi pirë një natë aty, tek Tabja, unë, Sheri Mita, Ferdinand Radi – ai shëmtira e bukur dhe Llazar Vera, e deri pas orës dy të natës kemi ecur këmbadoras një orë për të gjetur qiririn e ndezur!… Dhe nuk e gjetëm dot! Besimi qeshte pa zë, por fytyra i ndrinte. Muzgu na gjeti në Kala. Binte një dritë që se si thyhej në shkëmbinjtë e nxehur nga fundi i majit. Dielli ishte fshehur pas faqes së kodrave veriperëndimore të Myzeqesë dhe tek ne vinte pak muzg i ndritshëm që t’i ndryshonte emocionet dhe të bënte për vete. Ja këtu, i thashë, është shkëmbi Çekbení, rri me sytë ulur nga turpi, sepse këtej zbritën me litar korrierët që duhej të lajmëronin ushtrinë e sulltanit, ndërsa shqiptarët mërzenin nëpër ullishtë, duke pritur që portat e kështjellës të hapeshin vetiu. Dhe po që këtej erdhën lajmëtarët osmanë dhe e vunë në gjumë pashain e fshehur në Akropol. Këtë ti mbase e ke ditur, po kështu si ta them unë nuk e ke ditur kurrë. Ai e vështronte së larti Shën Mëhillin e fshehur në gji të shkëmbit, nën Tabie, shihte çatitë e Mangalemit dhe harqet e dritës mbrëmjesore që vraponin sa nga cepi i Goricës, mbi Atik, mbi Gjyn Gjormes, mbi Holek, mbi… Ky është qytet i llahtarisur, qeshte Besimi si i marrosur. Nuk ngopem dot. Se si më rriten përmasat e tij. Zgjatet përpara pa fund dhe kap grykën atje tej pa filluar Çezma e Vodicës, në Mimias, duke u kreshpëruar rreth e qark me një lloj elegance kryeneçe. S’ka, jam i dashuruar tani dhe ky çast magjik s’do të më shqitet kurrë nga mendja. E jashtëzakonshme. Dhe Besimi i hodhi të gjitha mbresat e tij, më vonë, ditëve të ekspozitës në një triptik të magjishëm të cilin s’di kush pati fatin ta ketë të tijin. Një perlë. Sepse imazhi lëvizte me shpejtësi edhe kur e shihje. Përmasat treteshin dhe bëhej një harmoni «zërash» e ngjyrash gati e pashpjegueshme, duke hedhur një dritë të fshehtë, që s’dihej se nga buronte. Të dukej se ishe në një përqafim të malluar, të etur dhe me një pamundësi të habitshme për ta rrokur. Pra, një tjetër mjegull, e hedhur vende-vende, si enkas për të detyruar që të mbeteshe pa frymë. Vello e hollë, e tejdukshme, por edhe që ta largonte «syrin e keq», të jepte mundësi të kërkoje më tej brenda asaj fshehtësie të mrekullueshme.

E ndjente veten të braktisur Besim Golemi brenda vetes, po dhe me atë që e rrethonte. Por kjo nuk e trishtonte, sepse, ashtu si thoshte me qetësi, është e pamundur të jem vetëm, ngaqë më rrethojnë ata që dua, me një kujdes të përkryer, krejt të harruar. Të ishte iluzion e gjitha kjo, se vërtet kjo botë ngjan së tepërmi me iluzionin, të gënjen dhe po aq të bën për vete. Herën tjetër do vemi bashkë te shtëpia ime në Lushnjë. Jetoj me dy prindërit e mi. I kam të mrekullueshëm. Hm. Qeshi si dinte ai. Kur t’i shohësh s’do t’u gjesh thinja, ato i kam rrëmbyer unë të gjitha, kurse nëna (ah nëna, e mira ime!) ndihet shumë e lumtur sapo më sheh. Ata sy, për besë, atë çast nuk e fsheh dot, nuk kam arritur t’i vizatoj dot, pa le t’u japësh përsosje rrudhave, dritë ballit, flokëve. E dua me shpirt se ka një mirësi që më duket se ma ka dhuruar mua. Kurrë nuk është mërzitur me mua dhe me asnjë tjetër, madje ka një tipar që e kam vënë re shpesh tek njerëzit: «hiqen sikur», domethënë hiqen të mërzitur, hiqen të qeshur e çakërrqejf, hiqen sikur kanë inat… e çë tjetër? Ndaj them se asaj gjithçka i vete mbarë. E di ti që kur ka e kur s’ka ajo është behar! Ia marrsha të ligat! Sa e mirë që është! Do ta shohësh. Dhe kishte të drejtë: e tillë ishte. Nuk mund të ngopeshe dot kurrë kur e shihje. Buronte një mirësi e pavdekshme. Edhe kur e gjeta në divan, mbështetur, për ta ngushëlluar pas asaj hataje që ndodhi, mirësia e saj e patreguar nuk qe shuar, ndonëse e ildisur me një dhimbje të jeratisur thellë! Dhembje e çuditshme kjo e saja!

Në një nga ditët e ekspozitës personale që hapi tek ne, iu desh të përballej me një skenë të çuditshme. I kishte vajtur për të parë ekspozitën sekretarja e parë, një grua energjike dhe gati e paepur, e veshur zyrtarisht mirë dhe e mbajtur me tërë seriozitetin e duhur. Ku janë tekstilistet? – e pyeti. Ku është figura e naftëtarit? S’paska asnjë ushtar! Vetëm vajza! Vajza, vajza, vajza! Çudi me ju piktorët! Pse nuk janë vajza tekstilistet tona? Apo mbledhëset e pambukut? A nuk janë fytyrat e vajzave tona si boçe të hapura? Po gruri? Gruri i Myzeqesë?… Besimi i llahtarisur qe larguar me hapa të gjatë dhe kishte ikur me vrap drejt lumit. Hapat e tmerruar dhe vrapi i thekur të krijonin përshtypjen se kishte ndodhur diçka tepër e rëndë. Por gjatë mbrëmjes vetëm aftësia e Abdyl Pilafit e ndryshoi gjithçka për ta treguar krejt ndryshe, si për të qeshur. Një pikturë e dhuruar për sekretaren e parë, një traktor që shkulte pemë (O Zot, shkulte pemë!) vajti mbarë që të zbukuronte zyrën e saj. E, mirë e kini ju, po unë isha gati të shkulja zemrën dhe mëlçinë bashkë, jo më pemët! Pse nuk bëre një peshkatar nga Karavastaja? Apo s’të pëlqejnë lalucët, ç’ke me ta? Burra esnafë janë. Se edhe zotrote ujë Myzeqeje ke pirë, prandaj nuk je si div? U duk se ekspozita ia mori gjithë fuqinë, por ama të qeshurën nuk ia preku. Po edhe sikur t’ia prekte mendoj se ai me ngulm s’do ta jepte, megjithëse gjithnjë mbetej shumë herë vetëm, mendonte gjatë dhe ashtu i tretur dhe me kokën e futur mes shpatullave ecte duke u mbajtur sidomos kur ishte natë pas dritës së fashitur. Se ai kurdoherë shihte dritë, qoftë kjo edhe e mekur. Ti i dashur mik mbete për mua, ato pesëmbëdhjetë ditë, si në ato legjendat e bukura që tregojnë këtu. Erdhe si erë dhe tani po ikën si bijë e erës, si stuhi. Ishe i qeshur kur erdhe dhe na ledhatove të gjithëve me atë buzëqeshje marramendëse, kurse tani po ikën si stuhi, po na merr dhe ne me vete. Do të vijmë me ty në Lushnjë, do hapim ekspozitat tona personale, si kalamajtë, ca me duaj gruri, ca me gurë Tomori, ca me tufa buzëqeshjesh, ca me tekstile (sidomos ai Agim Ajazi ngordhte për to!), ca me barsoleta e me thagma… Ca edhe me ngërdheshje, tha Bujar Xhaferri, sepse po i dukej sikur aty po konkurrohej për poezi. Çudira të thekshme, po edhe të famshme… Ndonëse s’ngopeshim me të qeshur Besimi kishte mbetur i kapur në çarkun e trishtimit, të ardhur befas. Ashtu ishte. Pesëmbëdhjetë ditë të paharruara. Si ishte e mundur? Një mal me piktura. Të gjitha të shitura. U pasurua Besim Golemi me to? Bëri lek sigurisht, por me t’u kthyer në Lushnje ato ikën fir. Sikur i zhduku rruga e keqe e me gropa! Apo jeta e mbushur krejt me to? Mos ia fut kot plako, mos ma shpif me këto që thua për Besimin! Kur m’i lexoi mendimet, qeshi. Dhe midis nesh ndriti dielli. Duhet punuar çuna, ekspozita tjetër gati për dy muaj! Tani kam punë vetëm me mjegulla, vajza të bukura, ujë kristal nga Tomori, sy të qielltë Myzeqeje, dritë në një hapësirë të pamasë, si një buzëqeshje gjigante midis detit dhe fushës… Paskam punë këto dy muaj! Atij i hynte në sy vetëm deti. Lozte me dallgën, krijonte brenda mijëra figurëza të padukshme, si pa u vënë re, të trembura, drithëruese, të çartura, kokulura, të turpshme, kryeneçe, të lodhura, të epura, të ethshme, të pangopura… Valë deti, por jo vetëm det Divjake, me pyllin e egër e pa shok aty pranë, po edhe det nga Durrësi matanë Currilave, det Vlore e det Shëngjini, det Himare dhe Sarande, det Karaburuni dhe det Qeparoi! I sajonte aty për aty. Mjaft që ti të flisje. Edhe kur qenë broçkulla. Kishte një aftësi fantastike. E fillonte si me të qeshur dhe kur të shihje ngrihej para teje diçka krejt origjinale e madhështore. Mund të thoshe diçka për të qeshur, Besimi e bënte epikë; mund të mbeteshe një grimë brenda vulgaritetit, Besimi ngrihej mbi të gjithë me një lirizëm të shfrenuar! Brenda filozofisë së tij prej krijuesi të fuqishëm zgjohej artisti i çmendur pas harmonisë së padukshme. Dhe për mendimin tim ky dhe ishte gjaku i ëmbël i Besim Golemit, prej këtej rridhte, aty nervozohej pa shkak, aty dhe qeshte duke u mekur po me të njëjtën pamje të shkrirë në gjithë fytyrën dhe trupin, si të ishte pasojë e tmerrshme e njeriut të mirë. Kur është më i mirë nga ç’duhet! Pastaj mbetej peng i pashërueshëm i brengës së tij, i trembur sidomos nga paraqitja e asaj që krijonte, derisa ta mbaronte dhe të derdhte aty gjithë ç’kishte me një patos të frikshëm. I dashuruar? Marrëzisht, por edhe i trembej pastaj, mbetej bosh për shumë kohë, kërkonte me ngulm dhe nuk i shqitej kurrë asaj që e tërhiqte si për ta skllavëruar. Ato momente dridhej. Dridhej fort e nuk përmbahej. Një epilepsi e papërshkrueshme, një magji e patreguar kurrë. Ai duronte thumbat e Bujar Xhaferrit, ai përballej me vetveten, ai qeshte pastaj me gjithë ata që e tregonin me gisht, që edhe gjenin rast të ngrinin kult për paranë dhe për energjinë e pashuar. Ç’ishte ky njeri, vallë? Një bohem, në shpirt e palodhur dhe i paepur – shpirt që digjej me shpejtësi marramendëse, njeri i lirë – vërtet i lirë në mënyrë tjetër nga liria që njohim (atij nuk ia gjeje dot tragën e lirisë!), njeri i gëzuar dhe në çdo qelizë të trupit e përjetonte gëzimin, njeri i trishtuar dhe po ashtu në çdo ind të trupit ndihej trishtimi i tij! Ai i pëlqente dëshirat e vogla njerëzore! Ai i donte të gjithë. Nuk urrente njeri Besim Golemi.

Ai njeri vetëm krijonte. Jam meteor, thoshte. Nuk e di ku do përplasem. Ndoshta krijoj një Megarë tjetër. E ke parë Megarën ti? I pohoja dhe ai vijonte. Fantastike po të them. Nuk e ka bërë dora e robit, por thjesht e Zotit. I dërgoi vet nga larg, i përplasi dhe i fryu në vesh që të ngrenë aty vendin për t’u falur. E tmerrshme! E jashtëzakonshme. U them të gjithëve sa njoh, u thashë edhe atyre të gjimnazit: Shkoni në Megarë! Puthni shkëmbinjtë! Puthni erën dhe mbrëmjeve tretuni bashkë me mjegullën… Aty janë ikonat më të mëdha të botës, në natyrë. Mos vdeksha pa i parë dhe njëherë! Dhe nuk i pa dot. Peng. Por peng i madh është për ata që s’e kanë parë Megarën… I kishte thënë njëherë muzikantit tonë të njohur, Limoz Dizdarit, i cili mirë bëri që vajti në Ksamil, po që të mos i vinte dëm e gjithë sakrifica, duhej të lutej natë e ditë që t’i falte Zoti një faltore. Dhe Zoti e kishte dhuruar faltoren e Davidit në Sarandë, por askush nuk e shihte. Ia shtiri në vesh por Limozit ia fshihnin çapaçulët specialistë. Do t’i ha ishujt e Ksamilit thoshte, do ngre shtylla të larta gjer në kupë të qiellit në Butrint, pikërisht aty ku është kryeqendra e fantazmave të botës, aty ku bën magji fëshfërima e pemëve të ndezura nga dashuria. Eh, Besim! Do të doja të jepja me shpirt të madh një arixhi në kulmin e gëzimit të tij, të shkoja mik te një fshatar i varfër dhe ta shikoja se si e përtërin dhe e bën tjetër njeri kjo ndjenjë e madhe prej njeriu të sinqertë, të përfshihesha tërësisht nga instinkti dhe të vija re se deri ku mund të arrijë kënaqësia shtazarake! Zot, s’di përse bëhem keq në çdo rast kur dal nga vetja dhe nuk ngrohem në zjarrin e ndjenjave të mia. E kur t’i bëj të gjitha ç’kam në mendje? Koha ikën dhe unë kam mbetur në mes të katër udhëve! Dua të hyj në kishë dhe ka vetëm një të tillë! Kjo është kisha e çuditshme e Shën Mëhillit në gji të shkëmbit Çekbení, nën Tabie të Kalasë, aty ku mbrëmja e bruztë nuk na linte të mbusheshin dot me frymë. Të kujtohet, besoj. Ai pastaj qeshte me rregullin moral dhe gjithnjë shpërthente: Ç’ka ndodhur që nuk më besoni? Ja në mes të sheshit digjen qirinjtë. Nuk i shihni? Eh, sa gjëra nuk shihni ju o të mjerë. E kam fatin të shoh gjëra që ju nuk i shihni dot! Ka ardhur kohë tjetër, e shoh. Tani s’ka më ekspozita personale. Nuk gjen dot as Abdyl e as Dhimitër, nuk gjen dot as vajza të bukura e topolake prej Myzeqeje, nuk gjen dot as brigje të virgjra deti, as brinja të epërme mali, as burra pa mustaqe e pa mjekra. Tani po ma shpifin të gjitha. Dhe mëma e tij ishte bërë dorë dhe i ati tretej brenda buzëqeshjes së vetë, ngujuar në një madhështi të varur në greminë. Ishte vajza më e bukur në botë që ma tha të vërtetën në sy. S’kam si e fsheh. Kot të lodhesh për ta gjetur të vërtetën. Ajo mbetet gjithnjë në zemër, e strukur brenda kujtdo që është djegur më në fund në gjithë gjendjen e tij fizike të drobitur dhe shpirti rri atje tej, larg, duke e vështruar në një lodhje të mefshët e të trembur. Besim Golemi i donte shumë vajzat, por thellë dhe fshehur, edhe pse me një lëngëzim që ia digjte madhërisht shpirtin, paksa i lodhur dhe i mbytur nga një trishtim që as ai vet nuk e kuptonte se nga i vinte. Ai dilte çdo mëngjes herët nga pallati i tij dhe shëtiste gjersa gremisej nga lodhja nëpër rrugët e Lushnjës. Dhe vinte në shtëpi. Shihte nga ballkoni i katit të pestë rrugën ku shisnin që me natë fshatarët perimet e tyre. Aty, me sytë ngulitur mbi asfalt mbetej një kohë të gjatë. «Nuk kam më ç’them. Nuk më djeg asgjë përbrenda…» Sigurisht i mbusheshin sytë me lot. I bëhej e gjithë rruga e mbushur me ujë. Mund të hidhej mbi ujë nga një lartësi e tillë?…  Më morën në telefon. Ishte vëllai i Besimit dhe të nesërmen, fshehtas, ma tregoi se ç’ndodhte me të. U ngjita në katin e pestë. Ai sa më pa u ngrys. Por nuk foli asnjë fjalë. U mbyll në heshtje. Siç vajta, ika… Kur po dilja, i vëllai më dha një tub letre speciale të mbështjellë me gazetë. Sytë e Besimit qeshën dhe e tërë pamja e tij u përndrit. U rrokëm në qafë dhe unë u largova duke e mbajtur kokën pas. Sikur ta ndieja se ky do të ishte takimi i fundit…

Besim Golemi mbeti shumë ditë në ndërdyshje, por një mëngjes të bukur, iu bë sikur një nga ato vajzat e bukura po i rrinte pas. Ai mendoi se edhe ajo donte të fluturonte nga kati i pestë. Dhe fluturoi… E mora vesh. Mbeta vërtet pa frymë.

E qeshura e ngrohtë e Besim Golemit më shoqëronte kudo e kurdoherë. Më në fund vendosa, një mëngjes, ta hapja tubin e letrës, dhuratën e tij. U mahnita. Kishte bërë portretin e tim biri që nuk jetonte më. Mes lulesh pa fund. Si një lule e bukur dhe fytyra e tij. E shoh tërë këto vite portretin e tim biri, në një kornizë të thjeshtë dhe kurdoherë më mbetet para syve Besim Golemi. Nuk pyeta kurrë si e njohu tim bir, si e bëri fytyrën e tij, si arriti të gjejë detaje aq mrekulluese… Po ndryshe si do të mbetej edhe ai i gjallë në shpirtin tim?… Sa i bukur më dukej brenda të qeshurës së tij të habitshme! Kishte gjak të ëmbël Besim Golemi…

 

Tiranë, më 30.03.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: GJAKU I ËMBËL, I BESIM GOLEMIT, Xhevair Lleshi

CNN/ Shqipëria, një vend mysliman që dashuron Amerikën

March 31, 2016 by dgreca

TIRANË, 31 Mars/ATSH/- “Në një kohë kur lajmet kryesore janë sulmi terrorist islamik tek fëmijët e krishterë dhe nënat e tyre në Lahore të Pakistanit; kur kandidatët presidencialë amerikanë kërkojnë ndalimin e myslimanëve në SHBA; kur terroristët e ISIS kanë vrarë dhjetëra persona në Bruksel; kur mundësia për një bashkëjetesë paqësore ndonjëherë duket e largët, ka një vend që na kthen besimin në të ardhmen: Mirësevjen në Shqipëri.”Kështu e ka nisur shkrimin e saj për CNN opinionistja Frida Ghitis. Ajo e cileson Shqiperine një vend i vogël mysliman në Ballkan, një rajon i trazuar politikisht, por me nje model per bashkëjetesën fetare. Madje, është vendi më proamerikan në Tokë.

“Por si ndodh kjo?”, shtron pyetjen Frida Ghitis, përgjigja e së cilës thotë ajo, duhet të jetë një mësim për amerikanët dhe gjithë botën.

Opinionistja ka pyetur në rrugët e Tiranës njerëzit se sa e njohin Amerikën dhe të gjithë kanë dhënë reagime admirimi, respekti dhe mirënjohje. Pothuajse njësoj ishte përgjigja edhe për zgjedhjet presidenciale në SHBA, ku sapo dëgjonin emrin “Trump” buzëqeshnin apo nënqeshnin. Shumë pak prej shqiptarëve njihnin Ted Cruz, por duken entuziast për një fitore të Hillary Clinton, vëren Ghitis.

“Kur vinte puna te Trump, reagimi ishte një miksim mosbesimi dhe hezitimi”. E pyetur për propozimin e Trump që myslimanët të mos hyjnë në Amerikë, Adelina Bego, doktoreshë, thotë: “Ne në Shqipëri jetojmë të gjithë bashkë, pa dallim feje. Ne e kemi parë Amerikën simbol të demokracisë, si njësi matëse për Shqipërinë. Propozimi i Trump mund të shkatërrojë këtë simbol”.

Politika e jashtme amerikane, që shumë shpesh ka vuajtur nga konflikti mes idealeve dhe praktikës, në këtë vend ka gjetur idealizmin dhe veprimin. Shqiptarët u dashuruan me SHBA-në që në 1919, kur Woodrow Wilson mbështeti Shqipërinë, duke i dhënë fund planeve të fqinjve, Itali, Greqi dhe Serbi, që ta copëtojnë. Kjo është dhe arsyeja që sot në Shqipëri ka një statujë të Wilson në sheshin “Wilson”.

Frida thekson më tej se dashuria e shqiptarëve për Amerikën u rrit më tepër në 1999, kur presidenti Clinton i dha dritën jeshile operacioneve të NATO-s në Kosovë.

Megjithatë, opinionistja e CNN vëren se lidhjet e ngushta mes Tiranës dhe Uashingtonit nuk e kanë penguar SHBA-në të flasë ndershmërisht për problemet që shqetësojnë vendin, duke përfshirë edhe korrupsionin. “Vazhdimësisë së sjelljes së Amerikës, që vë veprat pas fjalëve, i ka dhënë asaj një farë autoriteti moral në popull”, thotë Frida.

“Ju mund të mendoni se vendi me shumicë myslimane është një kandidat jo potencial për t’u bërë një nxitëse e mirë, por Shqipëria është i vetmi vend që mund të krahasohet me SHBA. Rreth 2/3 e popullsisë apo më shumë është myslimane, por bashkëjetesa, toleranca dhe patriotizmi, janë më të theksuara se sa feja”, vijon shkrimi në CNN.

“Në kohën e fushatës presidenciale, ku retorika shumë shpejt flet për frikën dhe duke parë brenda, ky është një mësim që duhet mbajtur mend”, përfundon shkrimi në CNN.

Filed Under: Komente Tagged With: CNN/ Shqipëria, një vend mysliman, që dashuron Amerikën

PRONARËT FALENDEROJNË PRESIDENTIN BUJAR NISHANI, THIRRJE GJYKATËS KUSHTETUESE

March 30, 2016 by dgreca

PRONARËT FALENDEROJNË PRESIDENTIN E REPUBLIKËS ZOTIN BUJAR NISHANI, NË MBROJTJE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT DHE TË KUSHTETS DHEPRESIN TË NJËJTIN QENDRIM NGA GJYKATA KUSHTETUESE./

Kryesia e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”  shpreh publikisht respekt dhe falenderim për Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani për qëndrimin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtes se pronës së trashëguar konform detyrimeve kushtetuese dhe kërkojmë reflektim të njëjtë juridik, profesional dhe patriotik edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Vemë në dukje që zoti Bujar Nishani President i Republikës, në ndryshim nga të gjithë presidentët e periudhës postkomuniste, e kundërshtoi ligjin nr 133/2015 në Gjykatën Kushtetuese por edhe në Strasburg dhe tregoi se Presidenti duhet dhe mund të jetë garant i Kushtetutës.Janë shumë të pakta familjet që kanë arritur ta marrin  pronën që ju është konfiskuar nga diktatura sepse legjislacioni për pronën 1991-2016 dhe ligji që kundërshtojmë janë në shkelje flagrante të detyrimeve kushtetuese. Ligji i fundit nr 133/2015, kërkon të justifikojë të gjitha aktet e bazuara në legjislacionin kontradiktor dhe antikushtetues të periudhës 1991-2015, por dhe aktet e tjera pa asnjë bazë ligjore, me të cilat Shteti ka shkelur të drejtën e pronësisë dhe ka realizuar anarkinë e titujve të pronësisë.

Ne kemi denoncuar publikisht se ligji nr 133/2015 i miratuar nga qeveria Rama, jo vetëm që nuk e zgjidh problemin e anarkisë postkomuniste 25 vjeçare të titujve të pronësisë por me efektet e tij të afërta ky ligj e thellon prishjen e identitetit tonë kombëtar dhe e fut Shqipërinë në rrugën e vetshkatërimit. Në mbrojtje të këtij ligji sot kanë dalë Ministri i Drejtësisë z. Manjani dhe znj. Sonila Qato, drejtoresha e Agjensisë Kthimit dhe Kompensimit Pronave, që tani ka ndryshuar emrin në Agjensi e Trajtimit të Pronave. Prona e konfiskuar po vazhdon të trajtohet për të plotësuar interest e politikanëve dhe pronarët  nuk kanë ku të ankohen. Ne kërojmë që mediat elektronike dhe ato të shkruara të mos pranojnë dikatin e politikanëve por lënë hapësirë edhe për shoqatat që ne ti përgjigjemi drejtërdrejt akteve të tyre të gabuara .

Kompesimi që parashikon ligji 133/2015 është në shkelje flagrante me kërkesën e nenit 181, është kuptim i gabuar ose abuzim me nenin 17 të Kushtetutës  dhe shërben për ta shkatëruar shtetin dhe për ta kthyer Shqipërinë në shprehje gjeografike. Për sa kohë do të  vazhdojë kjo situatë e nderë ku Shteti shkel Kushatutën do të vazhdojnë të thellohen efektet negative të anarkisë institucionale. Ne nuk jemi kundër kompensimit dhe as kundër legalizimit të ndërtimeve informale, por kërkojmë zbatimin e Kushtetutës dhe jo abuzimin në emër të interesit publik.

Zgjidhja kërkon përgjegjshmëri, patriotizëm dhe moral në nivelin e duhur për ta zbatuar Kushtetutën. Kodi Civil, Kodi Moral, Tradita dhe Kodi Zakonor, Bibla dhe Kurani i shenjtë njohin të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e përdorimit. Por me ligjin nr 133/2015 Qeveria e ka shkelur brutalisht Kushtetutën. Neni 15/2 i Kushtetutës në fuqi thotë : Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre duhet të respektojnë “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut “ dhe të kontribuojnë për realizimin e tyre. Meqenëse prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil (Neni 41/2 i Kushtetutës), kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore (Neni 44). Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, që kanë të bëjnë me shpronësimet e konfiskimet, do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim me të (Neni 181/2).

Sot në 2016 nuk e dijmë shifrën zyrtare se sa është numuri i akteve që nuk kanë asnjë bazë ligjore por janë dhënë  për interesa korruptive nga KKKP dhe kryetarët e AKKP por shembujt që ne mund të japim janë pafund.  Shoqata jonë në vitin 2013 ka paraqitur në të gjitha institucionet shtetërore propozimin që e zgjidh problemin e pronave, por arsyetimi ynë nuk është marrë në konsideratë për shkak të prevalencës së interesave të klaneve mafioze.

Deri sot pronarit AKKP (Shteti), i ka kërkuar 30 dokumenta, thejsht për ta penguar dhe sot drejtoresha e ATP kërkon vetëm dy dokumenta, për ta mashtruar.  Pronarët nuk po kërkojnë atë që ju ka humbur dhe dikush e paska gjetur dhe duhet identifikuar pronari. Pronarët kërkojnë pronën dhe të drejtën e tyre të grabitur, që Shteti duhet tua kishte kthyer që në vitin 1991. Zgjidhja e drejtë e problemit të pronës  nuk ka nevojë për asnjë dokument, por ka të domosdoshëm rrëzimin e ligjit 133/2015 dhe shqyrtimi i alternatives së pronarëve. Në Arkivin e Shtetit dhe zyrat e Kadastrave ndodhen të gjitha dokumentat e pronave të shtetëzuara nga Shteti në kohën e diktaturës. Kuvendi duhet të bëjë një ligj që të përcaktojë që zgjidhja e problemit të pronave me kthim fizik, kompensim dhe çlirim të tokave të pushtuara konform Kushtetutës të jetë detyrim i shtetit.

Vendimi i pritshëm I Gjykatës Kushtetuese për pezullimin dhe rrëzimin e ligjit të trajtimit të pronës Nr 133/2015 ka rëndësi dhe përgjegjësi historike. Gjykata Kushtetuese sot ndodhet para provës të së vërtetës. Kjo Gjykatë me vendimin që do të marri i ka të gjitha mundësitë për t’a futur Shqipërinë në rrugën e demokracisë, duke ja ngushtuar dhe mbyllur rrugën qarqeve antishqiptare, që prej shumë kohësh dhe me mënyra të ndryshme janë përpjekur për të na ndryshuar dhe mohuar historinë dhe tani kërkojnë të na mohojnë pronën e trashëguar ndër breza dhe shekuj, duke pretenduar se pronat tona do të vlerësohen. Asnjë pushtues nuk ka arritur ti bëjë një të keqe kaq të madhe popullit shqiptar. As Pashiçët dhe karaxhiçët që kanë bërë genocid, nuk kanë arritur të bëjnë ligj që pronat e pronarëve autoktonë do kenë një vlerë në para dhe se jane ata që do vendosin çmimin.

Nëse Shteti kërkon zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës, le të hapi  arkivat dhe konform dokumentave të shtetëzimit të dallojë dhe të ndajë pronat që i përkasin shtetit nga pronat që i janë shtetëzuar pronarëve. Pronat e shtetëzuara duhet tu kthehen trungut familjar që u janë grabitur dhe kompensim duhet të parashikojë sipas rastit ato pjesë të pronës, që nuk mund të kthehen pasi ajo është e tjetërsuar për nevoja publike. Kjo frymë është e përcaktuar qartë në shumë vendime, por ato vendime zbatohen në mënyrë klienteliste. Të tilla vendime janë: Vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë Nr 24 datë 13 Mars 2002 pika 2  që ka vendosur:  unifikimin e praktikës gjyqësore sikurse përcaktohet në këtë vendim.  Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Nr. 9 datë 30.11.1994, me kërkues grupin parlamentar të Partisë Socialiste, në arsyetim është shprehur se:”shteti ka qenë bërë pronar pa të drejtë“, dhe më tej po aty thuhet se: “Nuk qëndron as pretendimi i tretë i këtij Grupi se neni 10 i ligjit të përmendur bie ndesh me nenin 27 të ligjit kushtetues “Për të Drejtat dhe liritë Themelore të Njeriut”, që parashikon se askujt nuk mund ti mohohet e drejta të ketë pronë private vetëm ose së bashku me të tjerë. …. Kështu që  parimi kushtetues se askujt nuk mund ti mohohet të ketë pronë, mbron në rradhë të parë ish-pronarin që shteti i mëparshëm e zhveshi nga pronësia në mënyrë të padrejtë”.

Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.10 datë 30.11.1994 shprehet se:  “sepse dihej prejardhja e pronësisë së shtetit, që e kishte burimin nga marrja e padrejtë e trojeve të ish-pronarëve”, si dhe arsyetimi në vazhdim se “…është vendosur një e drejtë pronësie e marrë pa të drejtë nga shteti i mëparshëm”. Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.12 datë 21.03.2000, vendosi se prona duhet  t’i kthehet pronarit të shpronësuar me dhunë nga regjimi i kaluar edhe pse ato prona prej vitesh ishin shitur nga shteti në persona të tretë të cilët i patën blerë ato në mirëbesim dhe konform ligjeve të kohës. Në faqen 3 të arsyetimit të atij vendimi thuhet: ” Me këtë zgjidhje, ligjvënësi përsa i përket kthimit të pronës në origjinën e saj, d.m.th., tek ish – pronarët apo trashëgimtarët e tyre, ….synon të rregullojë, për aq sa është e mundur, padrejtësitë e bëra shtetasve të cilët u xhveshën në mënyrë të pa drejtë nga pronësia, nëpërmjet shtetëzimeve, konfiskimeve, shpronësimeve dhe me çdo mënyrë tjetër, për periudhën nga 29 nëntori 1944 e më pas.”

Gjykata e Strasburgut në çështjen “Ramadhi ” aplikimi 38222/02 i datës 13 Nëntor 2007 në paragrafët 75-84, njeh, si shkelje të Nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës faktin që organet shtetërore kanë dështuar në përmbushjen e një vendimi te KKKPronave te vitit 1995 pasi i kane lënë palët në një gjendje të pasigurtë në lidhje me të drejtën e tyre të pronësisë. Drejtoresha e AKKP dhe Ministri i Drejtësisë e dijnë mirë se të ngjashme me vendimin Ramadhi etj janë shumica e 26000 vendimeve të KKKP.  Ata  janë në faj të rëndë kur pretendojnë se zgjidhjen e 11000  dosjeve që janë depozituar në Agjensi dhe të 26.000 vendimeve të marra nga KKKP dhe AKKP (një pjesë e mirë në shkelje flagrante me ligjet që në vetvete janë antikushtetuese) do ta trajtojnë me ligjin 133/2015 me kompensim. Pronarët janë të zgjuar dhe shumica e tyre do ti drejtohen GJEDNJ sepse të gjitha vendimet e GJEDNJ (vendimet Manushaqe Puto, Rista, Sharra, Siliqi etj.kundër Shqipërisë), kanë përcaktuar qartë se kompensimi do të bëhet me vlerën e vitit 2008 dhe jo sipas çmimeve të vitit 2014 siç kërkon Qeveria me ligjin që kundërshtojmë. Qeveria është në faj kur pa mbaruar kthimin ngutet të bëjë legalizime për të gjitha pushtimet e tokave që kanë bërë persona të tretë, përfshi dhe zonat turistike, sepse kështu përfitojnë për veten e tyre. Qeveria gabon kur bën sikur nuk kupton se cilat prona duhen të kompensohen, ndonse kjo del e qartë në vendimet e GJEDNJ edhe në rapotin e komisionerit Fleckenstain. Të gjitha këto përfshi edhe problemin e kompensimit dhe të legalizimeve i ka arsyetuar shumë mirë alternativa që ka propozuar Shoqata “Pronësi me Drejtësi” që drejtuesit e shtetit e kanë lënë pa e lexuar fare. Mjafton të themi se ligjet aktuale që kanë dhënë dokumeta pronësie  dhe 26.000 vendimet që deklaron AKKP , në shumicën e rasteve janë në shkelje me nenin 181 të Kushtetutës. Aktet e KKKPve i kanë dhënë pronë pjesës së familjes që jeton në fshat, duke përjashtuar një pjesë të trashëgimtarëve me banim në qytet. Kjo ka futur konfliktin brenda trashëgimtarëve ose KKKP kanë bërë pronarë persona  që nuk kanë asnjë dokument trashëgimie për pronën që kanë përfituar. Vetë Kryeministri Edi Rama por dhe deputetë të tjere të majtë dhe të djathtë, kanë deklaruar në Kuvend se për shkak të anarkisë së pronës janë vrarë mbi 8000 persona. Por mesa kuptohet deputetëve ju paska intersuar vetëm debati parlamentar me kundërshtarin dhe nuk i paska shqetësuar aspak numuri i viktimave !!

Shprehim besim se Gjykata Kushtetuese do ta ndalojë këtë hap të gabuar të politikanëve, nuk do ti nënështrohet “kapriços” dhe presionit të tyre dhe do tregohet në lartësinë e duhur duke korrigjuar gabimet e derisotme në legjislacionin për pronat, duke dhenë rrugëzgjidhje konform me nenin 181 të Kushtetutës, dhe kërkesave të Strasburgut.

Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese do të mbylli, kusarinë e pronave në emër të ligjit, këtë burim të korrupsionit pushtetar, të kriminalizimit të shtetit që prej vitesh po rëndon mbi popullin shqiptar.

 

Për Kryesinë e Shoqatës Kombëtaret të të Shpronësuarve

“Pronësi me drejtësi”

Rrapo Hajredin Danushi

29.03.2016

Filed Under: Featured Tagged With: bujar nishani, PRONARËT FALENDEROJNË PRESIDENTIN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2954
  • 2955
  • 2956
  • 2957
  • 2958
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT