• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova 17 vjet nga ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, Dita që i hapi shteg lirisë

March 24, 2016 by dgreca

Foto: Lajmi i parë i mbrëmjes së 24 marsit 1999 për goditjet e para të aviacionit të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s për Kosovën, i dërguar me lidhje satelitore nga Prishtina në Tiranë përmes Zvicrës. Demë Jashari nga Zvicëra-Lozana mundësoi raportimet, lidhjet me vëllain – gazetarin, korrespondentin në Kosovë

   -Lajmet që raportova nga Prishtina, përkundër ndërprerjes së linjave, në orët e nisjes së ngjarjes historike të mbrëmjes së 24 marsit 1999/

-Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve./

-“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s./

-Në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton…/

NGA KORRESPONDENTI NË KOSOVË I GAZETËS DIELLI, BEHLUL JASHARI

PRISHTINË, 24 Mars 2016/ Sot u bënë 17 vjet nga 24 marsi 1999 – Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës. Është kjo edhe një ditë e mirënjohjes e falënderimit të përjetshëm për botën demokratike që nuk lejoi spastrimin etnik dhe zhbërjen e  shumicës shqiptare të Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në  6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar. Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.

Ndërkohë, për shkak të rreziqeve,  shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me misionin vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike.

 Në 24 mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare – ATSH-në lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike ishin bërë të pamundura.

Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë- Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…Në mbrëmjen e 24 marsit 1999 raportoja nga Prishtina se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi pozicionet e forcave serbe.Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.Pasi e raportoja këtë, shtoja se “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.

Raportoja edhe se “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.

Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve, lajmin që dhash edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime. Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.

Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur në gjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.

PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA NË UASHINGTON, NË TAKIM ME PRESIDENTIN AMERIKAN BILL CLINTON: DUHET TË NA NDIHMOSH

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Klinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

MËNGJESI PAS NATËS SË PARË TË GODITJEVE TË NATO-s MBI CAQET E FORCAVE SERBE NË KOSOVË

Mëngjesi i 25 marsit 1999 sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës  kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr në shtëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, të cilët i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e SHBA-ve në Prishtinë.

Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta.  Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje të ndryshme, për t’i pasur banorët  shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.

Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve të NATO-s, lajmet e fundit që dhash nga Kosova ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe  gjatë natës të shqiptarëve në Mitrovicë, kryesisht veprimtarëve e intelektualëve, ndër të cilët ishte edhe poeti Latif Berisha.

Atë mëngjes u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisi kërkimi i ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.

MË SHUMË SE 12 MIJË ARRINTE NUMRI I SHQIPTARËVE TË VRARË E MASAKRUAR, AFËR NJË MILION U DËBUAN NGA KOSOVA

Raportimet dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 5 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

Më 31 mars 1999, forcat policore serbe hyjnë forcërisht në Rezidencën e Presidentit Rugova në Velani – Prishtinë, duke mbajtur atë dhe familjen e tij në arrest shtëpiak deri në 5 maj…

Në 5 maj 1999, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash të Qeverisë italiane dhe të Selisë të Shenjtë, Presidenti Rugova së bashku me familjen largohet për në Itali.
Me t’u vendosur në Itali, Papa Gjon Pali II e pret në audiencë Presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së bashku me familjen. Nga Italia, Presidenti Rugova nis aktivitetin e tij intensiv diplomatik për çështjen e Kosovës. Kërkon intensifikimin e fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë.
Gjatë muajit maj Presidenti Rugova takon kryeministrin britanik Bler, kancelarin gjerman Shrëder, shefin e diplomacisë franceze Vedrin, Sekretaren Amerikane të Shtetit Ollbrajt. Ndërsa, në qershor Presidenti Rugova viziton Spanjën dhe takon Mbretin Huan Karlos dhe Kryeministrin spanjoll Aznar. Po ashtu, në qershor Presidenti Rugova viziton Shtabin e NATO-s në Mons, Belgjikë, ku takohet me Sekretarin e Përgjithshëm, Havier Solanën, dhe komandantin e NATO-s, Ueslli Klark.
Po ashtu gjatë muajit maj Presidenti viziton refugjatët kosovarë të luftës në Gjermani, Itali dhe Maqedoni…

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur  Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja për Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit.

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik  2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 111 shtete të botës.

MESAZHI I FUNDIT I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA I URIMIT PËR 24 MARSIN: DITË E AGUT TË LIRISË PËR TË GJITHË NE

Mesazhi i fundit i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova i urimit për 24 marsin – Ditën e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e Kosovës ishte para 11 vitesh – në vitin 2005:

Dita e fillimit të fushatës apo sulmeve ajrore, pra 24 marsi i vitit 1999, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e agut të lirisë për të gjithë ne. Kurse në historinë botërore ka hyrë si ditë për mbrojtjen e një populli dhe për shpëtimin e tij nga e keqja.
Sot, pas gjashtë vjetësh në liri, mund të themi se Kosova pa pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Këtë progres do ta bënte më të madh dhe më të shpejtë njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës sa më parë. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e stabile, e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-të, është vullneti politik i popullit dhe i qytetarëve të Kosovës.
Për këto gjashtë vjet, KFOR-i, NATO, ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Kështu, KFOR-i, NATO, është bërë forcë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës, që nga fëmijët deri te pleqtë.
Me këtë rast, urime të përzemërta u bëjmë ushtarëve të KFOR-it, komandantëve të zonave dhe Komandantit De Kermabon. Njëherësh urime të sinqerta u shprehim UNMIK-ut dhe Kryeadministratorit Petersen, si dhe OSBE-së dhe ambasador Fieskit.
Urime të përzemërta u bëjmë përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Filed Under: Histori Tagged With: 17 vjet nga nderhyrja e NATO-s, Behlul Jashari, kosova

Mali i Zi do jetë anëtar i rëndësishëm i Aleancës së NATO-s

March 24, 2016 by dgreca

Takimi Paul-Durisic/

Ministrja e Mbrojtjes e Malit të Zi, Milica Pejanoviq Durisic, u takua para pak ditësh me Gjeneralin Peter Paul, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, i cili ishte për vizitë dyditore ne Malin e Zi. Fokusi i bisedimeve midis tyre u dominua nga ceshtjet që kanë të bëjnë me hapat e ardhshëm të Malit të Zi për anëtarësim në strukturat e NATO-s. Ministrja Durisic theksoi se, Mali i Zi do përmbushë të gjithë angazhimet që i paraprijnë fresës për anëtarësim. Ajo shtoi se takimet e këtij niveli janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të krijuar kushtet e nevojshme për Malin e Zi, që ti bashkohet aleancës sa më shpejt të jetë e mundur. “Ne presim që në fund të kësaj faze, pra, në fund të prillit, të nëshkruajmë protokollin për pranimin e vendit tonë në aleancë”, tha ministrja Durisic. Nga ana e Tij, Gjeneral Paul theksoi rolin dhe rëndësinë e Malit të Zi për stabilitetin e përgjithshëm në rajon. Ai tha se, ishte i impresionuar nga arritjet dhe reformat që Mali i Zi ka realizuar në fushën e mbrojtjes”, ndaj po shihet si një anëtar i rëndësishëm i NATO-s”. Gjithashtu gjatë takimit zoti Paul, theksoi rëndësinë e procesit të integrimit, “sepse vetëm së bashku mund të përballohën sfidat e reja të sigurisë”. {SH.K}

Filed Under: Komente Tagged With: i Aleancës, Mali i Zi do jetë anëtar i rëndësishëm, së NATO-s, Shefqet Kercelli

Tritol në Gallatë – Po me HEC-in c’patën?

March 24, 2016 by dgreca

Shpërthimi i një sasie lëndë eksplozivi ka dëmtuar HEC-in  në fshatin Gallatë e cila shërben në përçuarjen e energjisë elektrike nga HEC-i i Vinjollit në malesinë e Kurbinit. Ngjarja ka ndodhur në orën 20.40 të mbrëmjes së të mërkurës ku lënda shpërthyese është vendosur në murin e ndërtesës dhe për pasojë janë dëmtuar paijset e këtij HEC-i duke ndërprerë dhe energjinë elektrike e cila furnizon nënstacionin e Laçit. Agron Lala punonjësi i këtij HEC-i ka njoftuar policinë e Kurbinit e cila ka shkuar në vendngjarje ku kanë konstatuar rastin dhe nga ky shpërthim kriminal dhe menjëherë ka nisur hetimet duke shoqëruar tre persona nga fshati Vinjoll si të dyshuar të ngjarjes, ndërsa në ditën e sotme njësia antiterror nga Tirana dhe grupi hetimor i Kurbinit kanë vijuar procedurat për të hetuar ngjarjen ndërsa është gjetur një fitil dinamiti si provë materiale ndërsa nga shpërthimi është dëmtuar perimetri i godinës me përmasat 1.30 m dhe 1.20 dhe dëmi i paisjeve të HEC-it është i pallogaritshëm, ndërsa policia arreston një të dyshuar nga fshati fqinj me shkakun e pronësisë. Agron Lala punonjësi i HEC-it ka folur për  ngjarjen duke  e komentuar si akt terrorist ndaj një njeriu i cili ka ndihmuar jo vetëm banorët e zonës por dhe investimin e madh të tij duke ngritur HEC-in për furnizimin e popullatës të zonë së malësisë dhe gjetkë, jo vetëm kaq por Filip Lala njeriu investitor si në infrastrukturë rrugore madje dhe tek familjet e varfëra të zonës, duhet përgëzuar për kontributin e tij në invetsimet në këtë zonë (Ahmet Zani)

Filed Under: Kronike Tagged With: Ahmet Zani, Gallatë, Tritol- Po me HEC-in c'patën?

FLETA QË S’SHKRUHET

March 24, 2016 by dgreca

(Një paralele e pamundur)/

Rexhep KASUMAJ, Berlin, mars 2016/

Ishte një mëngjes i bukur. Ai do jetë zgjuar i këndellur e me gëzim. Udha që çonte në Zyrën e Kancelarit shkurtohej shpejtësisht dhe personeli i tij do të ketë filluar, tashmë, ta imagjinonte redizajnimin e saj.

Por papritur, shtabi, këshilltarët, krerët e partisë, miqët e ngushtë, ai vetë kishin shtangur. Rivalët e tij dinakë do të publikonin një pandehmë të ashpër morale. Të ruajtur kujdesshëm për orën e ligë kur karroja elektorale të marrë teposhtëzen, ata e shpallnin atë si flamur të rreckosur fitoreje: sfiduesi i tyre i pandalshëm paskësh qenë në dijeni të një vrasjeje të hershme dhe kishte heshtur.

Ishte ky Björn Engholm, intelektual i hollë e plot sharm, që rridhte nga elementi nordik gjerman. E kishin nominuar për Kancelar Socialdemokratët e margjinalizuar, përballë Kohlit demokristjan që pretendonte mandatin e katërt dhe të fundit të tij.

A kje taktika bizare e kundërshtarit, pat gënjyer vërtetë apo, thjeshtë, fati i lig politik që e shtyri atë drejt rrëzimit – nuk do thoshja specifikisht asnjëherë. Me gjasë kanë qenë tri shkaqet bashkë: e ai, me ndjesi e kulturë qytetarie, dorëhiqej burrërisht nga rendja brilante për ta dërguar Helmutin e hargjuar e provincial në shtëpi.

Përse nuk zanafillohet kurrësesi ky stil i lartë i ndarjes me politikën ndër shqiptarë?

Premieri i hallakatur i Kosovës, s’ka heshtur një vrasje, por madje, ndryshe nga Björni, ka tumirë qindra të tilla dhe ka mallkuar – jo dorasin serb, por viktimën e pafaj shqiptare fundvitesh të stuhishme 80-të, kur do të bëhej pjesë e kabinetit mëkëmbës të Slobodanit.

Pastaj gënjeu se nuk kishte fyer, ndërkohë që tabulati telefonik i pasdëgjuar dëshmon faktueshëm të kundërtën. E, mbanë tjetër të Dhéut të Europës, veç imazhit të dobët, squllosjes vetore a karizmës impresive të Angelës, kësaj “Zonje të Europës”, ishte pikërisht dhe një gënjeshtër që do ta hidhte një figurë kohëgjatë politike me emrin Peter Strinbrück jashtë betejës zgjedhore për ta alternuar atë. Doli të kje një fakt i provuar më pas – por nismërisht i mohuar prej tij, se kishte konflikt interesi e përfitonte të hyra prrallore nga punë e agjenci të tjera…Tani u bënë 4 vjet qyshkur ai gëzon prehjen e ditëve të vona pensionare.

Dhe, ç’është poaq zi, Premieri fillhumbur – ka kërcënuar shtypin e lirë. Një përvojë e ngjashme, prapë nga landet sipër Vjenës, rivjen kujtese e akuzon. Anipse në një formë tepër më të kadifenjtë dhe elegante, bashkëpunëtorë të afërt t’një Presidenti kishin kërkuar mosbotimin e një lajmi. Redaksia nuk u spraps. Do të editonte mandej informatën se ai kishte huajtur para, por tok me vërejtjen ndjekëse mbi kanosjen ndërhyrëse të oborrit të Bellevú – së. Përse të mos financonte ndërtimin e shtëpisë nga Banka, pyeste opinioni i zhgënjyer. Dyshohej, ndaj, se në këmbim të huadhënjes ai do ti ketë bërë ose premtuar favore të jashtëligjshme mikut të tij të pasur. Dhe Christjan Wulff do të shtrëngohej edhe për kërcënim të stafit të gazetës “Welt kompakt”, të braktiste turpërisht Rezidencën presidenciale të Gjermanisë e të paraqitej në gjykatë.

“Pothuajse të gjithë Presidentët amerikanë kishin sensin për të bërë histori”, shkruan Jon F. Kennedy në librin “Kurajë civile”. Porse historia shkruhet jo gjithnjë kur arrin të ngjitesh, veçse poashtu kur di ngadalë të zbresësh. Dhe kur rrokullisja nuk rrëmben më vete si ortek bore jetë të vogla brezash…

Por, si shihet përfundimisht, për Premierin Mustafa dhe manjatët e tjerë të Fuqisë politike që e rrethojnë, kjo lloj flete historie është e mbyllur: matanë rezonit shtetëror, edukatës kombëtare dhe kulturës lamtumirëse..!

Filed Under: Opinion Tagged With: FLETA QË S'SHKRUHET, Rexhep Kasumaj

NUMAN LEPENICA,KUDO, KU SHËRBEU NDRYSHOI PËR MIRË JETËN E BANORËVE TË ASAJ KOMUNE

March 24, 2016 by dgreca

*Ishte i dyti pas major Ahmet Lepenicës që i dha emër të mirë vendlindjes në hapsirën shqiptare, duke mbajtur si mbiemër emrin e fshatit Lepenicës./

*I shërbeu vendit të tij për 32 vjet, nga 1912 deri më 31 dhjetor 1944, si luftëtar trim më 1920, kryetar komune dhe nënprefekt dhe ashtu si miku i tij Ali Asllani vdiq në mjerim, pa pension, me gruan dhe vajzën të dëbuar nga arsimi, vjaza tjetër e helmuar dhe vajza e tretë e burgosur./

 Nga Enver MEMISHAJ/

 Për historinë e administratës shqiptarë që ka luajtur rolin kryesor në zhvillimin e vendit, në çdo kohë, pothuajse nuk shkruhet, ndërkohë që në çdo hap të jetës sonë ndeshim veprën e tyre, pa na vajtur mëndja të mendojmë për krijuesit e tyre.

Një prej këtyre personaliteteve që duhet kujtuar e nderuar është edhe Numan Hoxhaj, që në historin e administratës shqiptare do të hynte me emrin Numan, ose Luman Lepenica. Ai lindi më 3 mars të vitit 1892, në Lepenicë të Vlorës, dhe vdiq në Vlorë në muajin mars të vitit 1953. Ai mbahet mënt edhe sot e kësaj dite si një burrë elegant, i pamshëm, me mustaqet kacorr, jetonte e mbahej si parizian, por mbi të gjitha ishte një atdhetar i plagosur në luftën e Vlorës më 1920, një nëpunës i lartë i shtetit, kryetar komune dhe nënprefekt, që la gjurmë në të gjith hapsirën shqipëtare ku shërbeu me dije e përkushtim.                                                                              *         *       *

Ishte një djalë shumë inteligjent dhe ëndërronte që pas arsimit qytetas turqisht në Vlorë të kryente shkollë në Stamboll. Dhe rasti i erdhi. Tafili kushëriri parë i tij që drejtonte familjen e dërgoi në Vlorë me një kafshë për të shitur leshin e bagëtive. Ai e shiti leshin bashkë me kafshën dhe me atolekë, pa marrë leje nga familja, i hipi vaporrit e shkoi në Stamboll. Atje takoi Ahmet Lepenicën, kushririn e tij, oficer i Perandorisë që kishte marrë famë në fushën ushtarake. Ahmeti e futi në një shkollë ushtarake ku studjojë për dy vjet.Tafili nuk donte ta kishte larg syrit, djalin, kështu e quante ai kushririn e tij, prandaj i kërkoi Ahmetit të ia kthente. Ahmeti pranoi me një kusht që Numani ta vazhdonte shkollën në Shqipëri.

Pas kthimit Numani ndoqi normalen e Elbasanit. Në përfundim të shkollës ai ishte përgatitur për të shërbyer në administratën e shtetit shqiptar, pasi zotronte edhe dy gjuhë të huaja: turqisht dhe italisht. Babai tij, Mahmuti, kishte kryer shkollë në Kaninë dhe kish dalë hoxhë. Si hoxhë ai punoi në Kaninë, Kropisht dhe Lepenicë. Për këtë arsye djemtë e tij: Isaku, Numani, Refati dhe Xhelali morën mbiemrin Hoxhaj, që u bë mbiemri dytë i fisit, pas atij Memishahaj.

Numan Hoxhaj, që më vonë do të quhej Numan Lepenica, mori pjesë aktive në lëvizjet antiturke për liri e pavarësi. Gjatë viteve 1911-1912, ishte në lëvizje të përhershme në fshatrat e Vlorës për thirrje e propagandë kundër Turqisë.

Përpjekjet e shqiptarëve shpunë në shpalljen e Pavrësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912. Në realizimin e kësaj ëndërre kishte dhënë ndihmesën e tij modesta edhe djaloshi Numa Hoxhaj, prandaj kishte të drejtë të krenohej. Në qeverinë e Ismail Qemalit, Numani qëndroi nën komandën e kapiten Ahmet Lepenicës në mbrojtje të shtetit të ri dhe lirisë. Më pas shërbeu si sekretar i Gjykatës në Mallakastër. Në qeverinë e Princ Vidit, më 8 mars 1914, ka shërbyer në policinë e Beratit, duke qënë se kishte edhe arsim ushtarak.

Gjatë viteve 1915 – 1917 ka shërbyer në shkollën e gjindarmërisë në Vlorë, si instruktor.

Më 1919-1920 ka qënë inspektor dhe drejtor i vergjisë, tatimeve në Vlorë.

(AQSH F. 803, V.1921-1939, D. I- 97, f. 47; AQSH F. 152/10, V. 1927, D. 1323, f. 1)

Si e gjithë familja, Numan Hoxhaj, ishte nga të parët që mori pushkën në Luftën heroike të Vlorës më 1920. Në përbërje të çetës së fshatit, ai luftoi me trimëri në Llogora ku edhe u plagos, por nuk u tërhoq nga lufta.

Në përfundim të luftës, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, për luftëtarët që kishin treguar trimqri dhe ishin plagosur u dha nga një shtëpi, si shpërblim e nderim, nga ato që kishte lënë ushtria italiane. Edhe Numan Hoxhës iu dhurua nga  prefektura një shtëpi druri, që në atë kohë i quanin baranga të italianëve, në vendin e quajtur Sheshi i Pashait, sot lagjia “Lirim”, në hyrje të qytetit të Vlorës, në rrugën që më pas u quajt rruga „Zigur Lelo“, por nuk u dhanë tapitë.

Në këtë shesh u grumbulluan 12 familje të ardhura nga Tepelena e Kurveleshi të djegur nga grekët, në vitin 1914.

Më 29 prill 1922, Numan Hoxha dhe 11 familje të tjera i bëjnë një lutje prefekturës që t`ua njohë si pronë truallin në të cilin banojnë së bashku me ullinjtë pronë shtetërore. Më 26 maj 1922, prefekti Bajram Fevzi i përcolli Ministrisë kërkesën e 12 qytetarëve. Me vendim qeverie nr. 513 datë 12.6.1922, kërkesa u miratua dhe detyrimi për truallin dhe ullinjtë do të shlyhej brenda 30 vjetëve.

Vendosja në qytet e Numan Hoxhës do të kishte një ndikim të madh për të gjith fisin e tij Memishahaj ose Hoxhaj, pasi ai njeri dhe ajo shtëpi do të bëhej baza e qytetërimit, ndihmës dhe arsmimimit të djemëve dhe vajzave të fisit.

Në këtë shtëpi prej dërrase me një sipërfaqe prej 198 m²  me tre dhoma, jetoi familjarisht Numa Lepenica me nënën, bashkëshorten dhe tre vajzat. Në vitin 1966, Afërdita, e bija e Numanit ia shiti Vasillio Vitos nga Dukati.

Një shtëpi tjetër me tre të ndara prej 300 m² dhe 553 m² bahçe, ju shit në vitin 1966, Sabaudin Kapllanit nga Kanina. (AQSH F. 249, V. 1922, D. III-314, f. 11, 12, 13)  

Pas fitores së Luftës së Vlorës ai u emërua protokollist në Prefekturën e Vlorës.

Në prill të vitit 1921, Numan Lepenica në pëbërje të parisë së Vlorës mbështet dhe është një nga organizatorët e Kongresit të Federatës Panshqiptare “Atdheu” dhe pas tij do të vinë në këtë lëvizje vëllezërit dhe njerëzit e tij të afërm: Refati, Xhelali, kushriri tij Fejzo Lepenica etj.

Nën ndikimin e major Ahmet Lepenicës, si shumica e vlonjatëve Numani mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924.

Me rënien e qeverisë së Nolit dhe ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut më 24 dhjetor 1924, ai u arratis në Itali, por në saje të miqve ai mori vesh se nuk ishte në listën e të dënuarve nga qeveria dhe prandaj në fund të janarit 1925 ai u kthye në Vlorë dhe u emërua nëpunës i shërbimit civil në Prefekturës së Vlorës. (“Gazeta Zyrtare”, nr. 2, dt. 26.1.1925)

Aftësitë profesionale, ndërshëria dhe përkushtimi në ushtrimin e detyrës si dhe miqtë të shumtë ndikuan që më 10 gusht të vitit 1925, ai të trasferohet protokollist në Ministrinë e Brëndshme, në vend të tij si nëpunës civil u emërua Ismail Adem bej Risilia. (”Ushtima e Vlorës”, Viti I, nr. 1, dt. 10 . 8. 1925)

Në detyrën e protokollistit së Ministris së Brëndshme ai gjendet me mbiemrin Numan Lepenica. Pas major Ahmet Lepenicës ai është i dyti nga vendlindja e tij që merr për mbiemër emrin e fshatit dhe e bën të njohur Lepenicën në territorin shqiptar. Këtë detyrë ai  e ushtroi deri në fund të vitit 1928, duke u treguar si gjithnjë nëpunës i detyrës, me aftësi të larta profesionale dhe ndershmëri dhe për këto merita në vitin 1929 e emëruan kryetar të komunës së Nartës së Vlorës me sekretar komune Miti Puka, nga Lushnja.(“Fletore Zyrtare”, nr. 23, dt. 22. 4.1929)

Në saje të vlerësimit të punës tij në vitin 1930 ai trasferohet dhe emrohet kryetar komune në Këlcyrë. Për shërbimet e tij në këtë komunë marrim informacion nëpërmjet dy artikujve të gazetave të kohës:

Artikulli i parë: “Autoritetet në maninë e tyre për të shtërmbruar origjinën e emërtimeve të huaja të qytetit Klisurë e kanë pagëzuar zyrtarisht: Këlcyrë. Nuk jemi të këtij mendimi, se me të vërtetë në qoftë se kemi dëshirë që fshatrave të Mbretërisë Shqiptare, atyre që kanë emërtime të huaja, tu japim pagëzim shqiptar këtë duhet ta bëjmë në tjatër mënyrë me anën e një komisioni të emëruar dhe jo duke shëmtuar emërat si Këlcyrë, Gjirokastër, Poradec etj.

Komuna e Këlcyrës përmbledh në administratën e vet 21 fshatra me 7000 banorë. Ka një të ardhur 800-1000 napolona në vit. Banorët pothuajse të gjithë jetojnë mirë. Si kryetar i kësaj komune është Numan Lepenica, një njeri që ka kuptuar fare mirë se si duhet organizuar një komunë dhe i cili për zotësinë që ka treguar flitet se do të trasferohet për në Korçë.

Pas shpegimeve që më dha z. Numan Lepenica kuptohet se në qarkun e Këlcyrës si në tërë Shqipërinë ndodhen fshtra të largëta njëra nga tjetra me nga pesë, dhjetë ose pesëmbëdhjetë shtëpi. Natyrisht për një fshat të tillë Qeveria nuk mund të bëjë as rrugë as shkollë.

Por me qënse të tilla fshatra janë të shumta tani po bisedohet grumbullimi i tyre në katunde më të mëdha. Kësisoj të grumbulluar, banorët e një krahine do të mundin shpejt të përfitojnë nga përparësitë e qytetërimit sepse së bashku me dritën e shkollës do të përfitojnë edhe nga një situatë më e mirë ekonomike.

Fakti që do të çuditë këndonjësit është se qyteti i Këlcyrës është një oborr i madh beqarësh… ku nuk ndodhen përveç se dy zonja: e kryetarit të komunës dhe ajo e farmacistit. Është koha për ata që kanë çupa shumë, të venë të gjejnë dhëndurë në Këlcyrë”. (Korespodenti në gazetën “Shqipëria e re”, Konstancë, nr. 438, dt. 23. 9. 1930)

Në ushtrimin e detyrës si kryetar komune, Numan Lepenica, është kujdesur dhe ia ka arritur që të ndryshojë jetën e komunitetit për mirë, kështu p.sh. ai është i ndieshëm dhe i kujdesëshëm që jo vetëm të  sjellë kuadro në komunën që drejton por edhe të shqetësohet për pagën dhe kushtet e jetesës së tyre. Me këtë arsyetim ai diskuton për ardhjen e një mjeku në Këlcyrë: “Për këtë, kryetari i saj Naum Lepenica, përgjigjej se ishte dakord, veçse e shqetësonte problemi i rrogës dhe nuk dinte nëse doktori Koço Dede, pranonte të qëndronte në atë qendër me pagën 160 franga ari në muaj.

Për rregullimin e kësaj çështjeje sipas ligjeve, Lepenica e shihte të udhës të bëheshin hapat e duhura nga autoritetet më të larta prej nga varej dhe ajo komunë, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, që në ujdi me Drejtoirinë e Përgjithshme të Shëndetësisë të rregullohej çështja e doktorit në fjalë, simbas nevojës dhe interesit të përgjithshëm të popullsisë së rajonit të asaj katundarie si dhe në interesin e arkës së zyrës së komunës”. (AQSH F. 294 V. 1930 D. 360 f. 107. )

Artikulli i dytë për komunën e Këlcyrës është i vitit 1932: “Para disa javësh Kryetari i Katundarisë së këtushme z. Numan Lepenica i shoqëruar prej kondoktorit të Këlcyrës z. Feim Mukës matën e shënuan pjesën e rrugës komunale Këlcyrë – Mbrezhdan – Malishovë e deri te Dërrasa e Dishnicës, komuna e Sheperit.

Sipas fjalimeve që patëm me zotrinjtë e tyre rruga brenda një viti do të jetë e mbaruar. Në bëmjen e rrugës do të marrë pjesë çdo mashkull pa privilegj moshe e nëpunësie. Po të detyruar që sejcili të bëjë metrat që i cakton ligji i katundarisë. Bëmja e kësaj rruge do të jetë fatlumturi për krahinën e Zagorisë. Kjo rrugë do të shpëtojë nga fatkeqësia 14 katunde të kësaj lugine që sidomos në stinën e dimrit nga bora e shumtë që bie e rrethon malet përqark, mbetet e izolueme.

Do të jetë një lumturi shumë e madhe, për ato familje, burrat e të cilave jetojnë në kurbet. Nga mungesa e kafshës që s`ka e shkreta grua është e detyruar që mallrat e bler në Gjirokastër e Tepelenë t`i ngarkojë në shpinë. Nga një herë edhe të shkretin misër. Gratë e katundeve në fjalë duhet t`u dalë frika se me bamjen e kësaj rruge i japin fund frikës nga të gremisurat e kafshëve si: Qafë Dhëmbel, Gjurma e Mushkës, Shtegu i Pelës, Hija e Mallëkuar, Dërrasa e Çajupit, etj. Nevojat që do të ketë çdo katund shpresojme se me këtë rrugë do t`i kompletojë me anën e mjeteve moderne ose kafshën që ka, që do të shkojë pa frikë e trëmbje mbi këtë rrugë.

Sa për zagoritet ashtu dhe për shtetin, mejtoj se do të ish interes i përbashkët në se rruga shtetërore e projektuar: Gjirokastër – Poliçan – Përmet të bëhej: Gjirokastër – Erind – Çajup – Topojë – Malishovë – Këlcyrë. Për shtetin them se është më e shkurtër dhe kushton më pak…

Lutim dhe kryetarin e pa lodhur të komunës që deri sa të realizohet qëllimi i nalt-thënë të ketë mirësinë e të përmirësojë akoma nga ç`është përmirësuar rruga: Ura e Muço Hysos-Shtegu i Pelës – Limar – Leskaj – Ara e Laze – Malishovë.

Shpresojmë se për ta shpëtuar nga fatkeqësia krahinën e Zagorisë  për bëmjen e rrugës presim vullnetin dhe energjinë e dy kryetarëve: të Këlcyrës e të Sheperit të cilët me këto përpjekje fitojnë tërë simpathinë e popullit”. (Guri i gjatë në gazetën “Ora”, Tiranë, nr. 592, dt. 2.7.1932, f. 3)  

Në tetor të vitit 1933, Numan Lepenica trasferohet nënprefekt në Delvinë, detyrë nga më të vështirat e kohës, pasi dihet se Greqia zhvillonte pa pushim aktivitet armiqësor kundër vendit tonë dhe në këto krahina duheshin atdhetarë të pa përkulur, inteligjent dhe të përkushtuar ndaj detyrës, cilësi që Numan Lepenica i kishte, treguar gjatë gjith jetës së tij.

Në tetor të vitit 1934 Numan Lepenica trasferohet kryetar komune në Kushovë të Gramshit edhe kjo një komunë e vështirë dhe afër kufirit (Gazeta „Albania“, SHBA, dt. 9.10.1934)

Në vitin 1935, ai tasferohet dhe emrohet kryetar i komunës së Nikaj Mërturit. Aktivitetin në këtë komunë e pasqyron ai vetë në një artikull botuar në gazetën “Drita”:

“Nartë, 27.7.1937

Fort i nderçmi Zoti Drejtor!

Në numurin 196 datë 22 korrik 1937, faqe 3 në shtyllën e katërt të së nderçmes fletore së Zotrisë tuaj ”Drita”, më ra në sy artikulli: Arsimi në Nikaj e Mërtur.

Jo për gjë tjetër, por për një të vërtetë ju lutem të botoni në atë faqe e në atë shtyllë çka kam nderin t`ju shkruaj më poshtë:

Pater Silvestër Hilaj, duke folur mbi arsimin e krahinës të malsisë së Kosovës, Nikaj e Mërtur ka thënë se janë çelë katër shkolla: Lekbibaj, Salie, Shëngjergj e Curraj i Epërm dhe ndërtimin e godinave të këtyre katër shkollave ia atribuon inisiativës së pa lodhëshme të kolegut tim z. Hito Zaçe.

Këtu Padre harron, a nuk di në do që të harrojë e nuk thotë të vërtetën sepse në shkollën e Lekbibaj dhe në atë të Salies janë mbaruar ndërtimet dhe emërimet e mësuesve respektivë për këto shkolla brenda periudhës që i nënshkruari ka qënë si kryetar komune në Nikaj Mërtur dhe këtë gjë besoj që ta vërtetojë edhe Padre vetë pse me mësuesin e Lekbibajt ka bashkëjetuar në qelë të kishës në fund të vitit 1935 deri sa u bënë pushimet dimrore.

Gjithashtu edhe mësuesi i shkollës së katundit Salie ka qënë emëruar ose në dhjetorin e 1935 ose në kallnuerin e 1936. Këto konfirmohen prej akteve që gjenden në arkivën e P.T. Ministrisë së Arsimit. Mandej z. Hito Zaçeja në e mban mënt mirë Padre ka filluar në detyrë në qershorin e 1936, në vendin tim në Nikaj Mërtur. Besoj se u shpeguam. Kjo nuk është një e drejtë që kërkohet por një e drejtë që duhet të dalë në shesh.

Me nderime Kryetar i Komunës Nartë Numan Lepenica” (Gazeta ”Drita”, Tiranë, nr. 202, dt. 29.7.1937, f. 3)

Në qershor të vitit 1936 Numani largohet nga Nikaj Mërtur dhe emrohet kryetar komune në Pulaj dhe më 10 mars 1937 z. Sulejman Tepelena kryetari i komunës së Nartës trasferohet në Pulaj dhe z. Numan Lepenica kryetari i komunës Pulaj trasferohet në Nartë.(Gazeta “Drita”, Tiranë, dt. 21. 3. 1937, f. 3)

Më 13 dhjetor 1938, trasferohet kryetar komune në Tomorricë. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste ai u lidh me elementët që mendonin e punonin kundër pushtimit. Është kjo arsyeja që  autoritetet fashiste e pushuna nga punë më 10 tetor 1939, si antiitalian dhe ai detyrohet të kthehet në Vlorë. (AQSH F. 152/2 V. 1943, D. 754, f . 3,  4)

Vihen re lëvizjet e shpeshta të Numan Lepenicës në komuna të ndryshme. Kjo vjen nga problemet e shumta që dilnin në ato komuna dhe duhej të gjendej një njeri që dinte t`i vinte në udhën e zgjidhjes dhe sapo Numan Lepenica zgjidhte problemet e komunës ku e kishin trasferuar ate e transferonin në komunën tjetër ku kishin lindur probleme.

Këto lëvizje flasin për atdhetarinë, kulturën, iteligjencën dhe përkushtimin që ky burrë kishte ndaj detyrës dhe vendit të tij.

*      *      *

Numan Lepenica, u shpreh që në ditët e para kundër pushtimit italian dhe bashkëpunues me patriotët që mendonin t`i dilnin zot atdheut. Ai kishte në trup plumbat e pushtuesit italian nga beteja e Llogorasë në qershor të vitit 1920. Ishte kjo arsyeja që ai u pushua nga puna më 10 tetor 1939, si antiitalian.

I tërë fisi tij, në Vlorë dhe Lepenicë nën drejtimin e vëllait të tij Xhelal Hoxhës, u kthye në një nga bazat e njohura të Lëvizjes Antifashiste, duke i dhënë luftës për liri, gjithëçka që i duhej në atë kohë: luftë me armë, propogandë, organizimin dhe pasurinë. Vini re këtë fjalën e fundit: pasurinë, se pa këtë pasuri ajo luftë nuk bëhej, prandaj këto familje dhe këta bura duhen vlerësuar e nderuar.(Shih: AQSH, “Historiku i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për Qarkun e Vlorës”, Vëll. I, f. 125; Shamet Gjika “Ditari i kohëve me gjëmime…”, Tiranë 2005, f.73)

Italianwt dhe gjermanwt i propozuan t`i japin detyra tw larta por ai nuk pranoi. (Arkivi MPB, Dosja operative 5706)

Vajza e tij Afërdita ishte gjithashtu në vijën e parë të luftës klandestine kundër pushtuesit, me të rejat e qytetit. Ajo u shkojë për studime në Itali, por edhe atje ajo vazhdoi të propagandonte dhe luftonte kundër fashizmit, për këtë aktivitet ajo burgoset dhe internohet në krahina të largëta të Italisë dhe u lirua nga internimi vetmë me hyrjen e Anglo-amerikanëve në Itali në vitin 1944.

Numan Lepenica, gjatë gjith periudhës së luftës 1939 – 1944, u tregua aktiv në nxitjen e luftës kundër fashizmit, në shmangjen e vëllavrasjes dhe si njeri paqësor në administrimin e qytetit duke qënë gjatë gjith kohës, këshilltar në Bashki apo Prefekturë.

Në fund të vitit 1943, kur gjermanët pushtuan Vlorën, kërkuan nga paria e Vlorës që të vendosnin një kryetar Bashkie, në të kundërt komanda ushtarake gjermane do të merrte përgjegjësinë për çdo gjë në Vlorë. Përballë kësaj situate, paria e asaj kohe, e mbledhur disa herë, nëpërmjet një peticioni të firmosur nga 300 vetë, i propozoi Myhedin Haxhiut të pranonte këtë detyrë të vështirë.

Më datën 27 tetor 1943, Prefekti i Vlorës Vizhdan Risilia dhe kryetari i Bashkisë Muhedin Haxhiu njoftonin popullin e Vlorës me këtë shpallje:

“Në datën e sotme në sallën e bashkisë së Vlorës u mblodhë shumica e popullit për zgjedhjen e këshilltarëve të prefekturës dhe të bashkisë. Me zëra të përbashkëta u zgjodhën, anëtar të këshillit të prefekturës: … Z. Numan Lepenica …

Ftojmë gjithë popullin të kenë besimin e fortë në paanësinë tonë dhe në shërbimet tona në interes të Atdheut dhe të këtij qarku. Populli për çdo nevojë të drejtohet në zyra ku do të gjej çdo përkrahje. Kryetari Bashkisë Muhedin Haxhiu, Prefekti i Vlorës Vizhdan Risilia” (AQSH, F. 392, V. 1943, D. 9, f. 26.)

Numan Lepenica ishte autoritet i njohur në qytet dhe për çdo problem në kohën e vështirë të luftës ai nuk mungonte me urtësinë, diturinë dhe patriotizimin e tij, të jepte këshilla dhe mendime për këdo që kishte nevoj dhe kërkonte këshillat e tij.

“Më 13 tetor 1944, deklaron në hetuesinë komuniste major Rexhep Çela, komandant i xhandarmërisë së Vlorës,  më thirri komandanti i regjimentit 153 gjerman dhe më tregoi një listë që i ishte dhënë prej Vizhdan Risilisë që të digjeshin e plaçkiteshin disa shtëpi në Vlorë, Nartë, Oshtimë, Drashovic, Mavrovë, Panaja dhe Fier. Unë e kundërshtova dhe ai pranoi por tha se po të shtihej pushkë kundra gjermanëve në tërheqie do të zbatonin planin e tyre… Unë thirra nga paria e Vlorës Numan Lepenicën e Aristidh Rucin të cilëve u thash të evitohej goditja  e ushtrisë gjermane në tërheqie… Më 14 tetor, para se të nisesha për mbrojtjen e rendit formova një komision të kryesuar nga Numan Lepenica. Armatosa policinë bashkiake, sigurova gjithë makinat e shkrimit, aparatet e çentralit telefonik më se 70 armë e municion…” (Arkivi MPB, Dosaj 395, f. 5 , 116)

*      *       *

Aktiviteti atdhetar, arsimi, nëpunësia e lartë si kryetar komune dhe nënprefekt do ta ngrinin Numan Lepenicën në krye të parisë së Vlorës. Ai do të jetë prezent në çdo aktivitet atdhetar e kulturor të qytetit të tij edhe si sponsor i librave apo aktiviteteve që kryheshin në qytet, ndërmjet të tjerave përmëndim:

– Kështu ndërmjet Abdul Kuçit, Syriri Libohovës, Ferid Taushanit, Gani Alikos, Ismet Libohovës, Hysen Çalës, Jovan Pozios, Aristidh Rucit, Ahmet Nures, Musa Jonuzit, etj., figuron edhe emëri i Numan Lepenicës që ka dhuruar 25 franga ari, për të ndihmuar Avni Rustemin kur ai gjykohej në Paris për eliminimin e Esat Pashë Toptanit. Vetëm Ferid Taushani ka paguar 100 franga ari, katër të tjerë nga 50 franga dhe pas tyre vjen Numani me 25 franga të gjith të tjerët kanë paguar më pak se 25 franga. Patrioti Avni Rustemi, ka qenë dhe ka mbetur  për vlonjatët një figurë shumë e dashur dhe e vlerësuar. (Gazeta ”Mbrojtja Kombëtar”, Vlorë, dt. 18.11.1920, f. 3 )

– Për Federatën Panshqiptare “Atdheu”, Numan Hoxha, dhuron 10 franga ari dhe është njëkohësisht edhe një ndër abonetët e parë në revistën “Atdheu” (Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë dt. 18.11.1920; 23. 5. 1921)

– Numan Hoxha figuron në numurin rendor 25 nga 130 vetë në listën e qytetarëve të abonuar në revistën “Atdheu”, organ i Federatës Panshqiptare “Atdheu”.(Revista “Atdheu”, maj 1921)

– Libri i Aqif Sulo Progonatit ”Vjersha kombëtare”, Tiranë 1935, sponsorizohet nga 54 vlonjatë ndërmjet të cilëve: Ibrahim Abdullahu, 2 franga, Sami Imami 2 franga, Imer Sharra 3 franga, Numan Lepenica 5 franga ari…

*      *      *

Nën vuajtjet shpirtërore në varfëri e mjerim, i përbuzur dhe i harrua, ai që dikur quhej Numan Lepenica, me një peshë në Vlorë dhe në shoqërinë shqiptare dha shpirtin e tij të bardhe në moshën 61 vjeçare, në mars të vitit 1953.

Vdiq në shtëpi, i pa mjekur si duhet. Jeta e tij interesante por edhe e trazuar, nuk mund të lihet në errësirë, ajo e cila vlen të theksohet sot, si një vlerë e vyer e këtij burri, është gjaku i derdhur për lirinë e Shqipërisë dhe shërbimi 32 vjeçar si nëpunës i lartë në të gjitha trojet shqiptare në kohë shumë të vështira.                                                                                                                                    Nga gjithë ajo familje me emër e me nam e Numan Lepenicës ka mbetur vetëm një vajzë, Donata e Afërditës, sot avokate në Tiranë, e cila është gëzimi ynë, shumë e dashur, gjithnjë e qeshur si shpirti i sajë, ripërtëritja e genit njerzor, epërsia e rracës.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 32 vjet, Enver Lepenica, Kryetar Komune, Numan Lepenica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2968
  • 2969
  • 2970
  • 2971
  • 2972
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT