• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dyshime për një varr masiv të diktaturës

March 17, 2016 by dgreca

Punëtorët e një firme ndërtimi gjetën disa ditë më parë në afërsi të Pogradecit mbetjet mortore të një varri që dyshohet si varr masiv, pasi gjendet pranë një poligoni stërvitor të ish-ministrisë së brendshme të diktaturës komuniste.

Zyrtarët ende nuk mund të deklarojnë nëse ky është apo jo një varr masiv derisa ekspertiza të bëjë punën e vet, ndërsa mbetjet mortore u sollën në kryeqytet për të parë nëse u përkasin një ose më shumë personave.

Dyshimi se ky mund të jetë një varr masiv lidhet me faktin se ai u gjet pranë ish poligonit të qitjes së ministrisë së punëve të brendshme gjatë diktaturës në Pogradec dhe pranë një lumi të zonës. Kjo është një skemë e ngjashme me 32 mijë pikat e tjera të ekzekutimeve masive, që u kryen nga diktatura komuniste në të gjithë territorin.

Drejtori i përgjithshëm i Institutit për Integrimin e të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, thotë se Instituti ka përgatitur një hartë me 32 mijë pikat e ekzekutimeve që bënte diktatura dhe shumica e tyre janë pranë një lumi dhe një insitucioni të diktaturës.(Ilirian Agolli VOA)

Zoti Kola thotë se nga fillimi i viteve 90 janë gjetur dhjetëra varre masive deri tani, por asnjëherë ato nuk janë studiuar profesionalisht nga një strukturë shtetërore me analiza shkencore ADN, por janë kryer me nisma private.

Shqipëria ka ende rreth 6 mijë persona të zhdukur gjatë diktaturës komuniste. Ata janë të pushkatuar me gjyq dhe pa gjyq, si dhe të burgosur, që kanë ndërruar jetë nëpër qeli dhe kampe, që nuk u janë dhënë familjarëve.

Për rastin e Pogradecit ekspertiza është siguruar, tani po kërkohen fonde dhe interesimi i familjarëve është i madh për të gjetur njerëzit e tyre, duke dhënë kampione ADN.

Verifikimi i mbetjeve mortore duhet kryer me analiza ADN të krahasuara me familjarë sa më të afërt me viktimat.

Këtë proces Shqipëria vetë nuk e kryen dot plotësisht dhe për ta cuar përpara zbulimin nevojiten fonde shtetërore.

Autoritetet kanë marrë mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për gjetjen e të Zhdukurve, i cili ka kryer me sukses gjetjen e të zhdukurve në Kroaci, Bosnje, Kosovë dhe shumë vendet ë tjera.

Zona pranë lumit Terhan në Pogradec është përdorur si poligon stërvitor nga ministria e brendshme për shumë vite gjatë kohës së diktaturës.

Ashtu si edhe shumë poligone të tjera, ai u përdor si vend ekzekutimesh për kundërshtarët e regjimit komunist.

Një nga dyshimet kryesore është se aty mund të jenë ekzekutuar pa gjyq persona që kapeshin në përpjekje për t’u arratisur nga kufiri i Maqedonisë.

Viktimat e pushkatuara aty mund të jenë persona të humbur nga e gjithë Shqipëria.

Poligonet anës lumenjve shërbenin për të groposur të pushkatuarit buzë ujit dhe për të humbur gjurmët sa më shpejt, pohojnë dëshmitarët dhe studiuesit e asaj periudhe të errët të diktaturës komuniste.

Filed Under: Komente Tagged With: Dyshime, për një varr masiv, te diktatures

Mogherini-Mustafa: Promovim progresit në axhendën BE-Kosovë

March 17, 2016 by dgreca

-Kryeministri Mustafa u takua me Përfaqësuesen e Lartë për Punë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e cila tha se shpreson që dialogu i gjithëpërfshirës politik do të ndihmoj në tejkalimin e ngërçit në Kuvendin e Kosovës në periudhën e ardhshme/

Bruksel, 17 mars 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është takuar sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë \ Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, të cilën e joftoi për progresin e gjithanshëm në Kosovë.

 Njoftimi dëruar nga Brukseli thekson se, kryeministri Mustafa theksoi përmbushjen nga ana e Kosovës të rekomandimeve dhe kritereve për liberalizimin e vizave, duke shprehur besimin se BE së shpejti do të marr vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

 Gjatë takimit, është diskutuar për zhvillimet në Kosovë.

 Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini tha se shpreson që dialogu i gjithëpërfshirës politik do të ndihmoj në tejkalimin e ngërçit në Kuvendin e Kosovës në periudhën e ardhshme.

 Mustafa dhe Mogherini vlerësuan progresin e vitit të kaluar në marrëdhëniet në mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, duke pas parasysh që Marrëveshja për Stabilizim Asociiim do të hyj në fuqi nga 1 prilli.

Mogherini theksoi rëndësinë e kësaj marrëdhënie të parë kontraktuale në mes të BE-së dhe Kosovës, dhe ripërsëriti përkushtimin e saj për të punuar me kryeministrin Mustafa dhe autoritetet në Kosovë për të promovuar progresin e mëtutjeshëm në axhendën BE-Kosovë.

 Ajo konfirmoi gatishmërinë e BE-së për të ecur përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, pas përmbushjes së kushteve./b.j/

**********

Në linkun me poshtë mund të gjeni videon nga takimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë \ Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

http://ec.europa.eu/avservices/video/player.cfm?sitelang=en&ref=I118375

Filed Under: Komente Tagged With: Mogherini-Mustafa:, në axhendën BE-Kosovë, Promovim progresit

Kosovë-Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë procesin e demarkacionit

March 17, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 17 Mars 2016-B.Jashari/ Nis takimet në Prishtinë Komisioni ad hoc i ekspertëve ndërkombëtarë, që do të vlerësojnë procesin e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për themelimin e të cilit Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ka nënshkruar vendimin në 15 mars.

Dy nga anëtarët e Komisionit, Fletcher M. Burton, diplomat i lartë amerikan në pension, i cili në vitin 2009 ka mbikëqyrur përpjekjet për përcaktimin e kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë, dhe Herbert Wilmes, shtetas gjerman,  i cili ka diplomë dhe  doktoraturë në gjeodezi nga Universiteti i Bonit dhe është vlerësues i hartave topografike, do të priten sot në takim te kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. 

Pjesë e Komisionit vlerësues të përbërë nga tre ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Britania e Madhe është edhe Fred Newton, i cili ka shërbyer për 25 vjet në policinë e porteve dhe të kufijve tokësorë të Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të botës.

Tre ekspertët do të bisedojnë me të gjithë akterët politikë dhe institucionalë për procesin e demarkacionit, do të shqyrtojnë dokumentacionin dhe do të zhvillojnë vizita në terren për të krijuar një pasqyrë të qartë për rrjedhën e këtij procesi. Puna e ekspertëve do të përmbyllet me vlerësimin e procesit të demarkacionit dhe procedurave që janë ndjekur në atë rast. Vlerësimi do t’i dorëzohet Presidentes Jahjaga, pranë Zyrës së të cilës është vendosur ky komision.

Komisioni vlerësues është themeluar me iniciativën e Presidentes Jahjaga, pas shqetësimeve të ngritura rreth marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për vendosjen e kufirit shtetëror.

Sipas shtypit të sotëm në Prishtinë, Presidenca ka konfirmuar se Komisioni do të vlerësojë demarkacionin, duke u nisur nga metodologjia dhe shqyrtimi i dokumentacionit përkatës e deri te takimet me udhëheqës institucionalë e politikë në Kosovë dhe zyrtarët malazezë, si dhe do të zhvillojë vizita në terren, ndërsa ky vlerësim pritet të zhvillohet dhe të përmbyllet në një afat prej dy javësh.

Filed Under: Analiza Tagged With: e demarkacionit, Kosovë-Ekspertët ndërkombëtarë, vlerësojnë procesin

Identiteti i një parku

March 17, 2016 by dgreca

Ilir Levonja-Florida/

Në vitet 50-të shqiptarët projektuan një park natyral. Ndofta me kujdesin e atyre që kishin ca ëndrra. Por kjo nuk ka më asnjë rëndësi për kohën. Megjithatë çfarë u krijua, qe një magji lirike të cilën e ëndërronin të dashuruarit. Atëhere as nuk çohej nëpër mend lisharsi i fëmijëve. Ai i sojit të cirqeve të vegjël publike në kthina qytetesh. Ndofta edhe përbri disa lulishteve të vogla etj. As ujvarat plastike ku kalamajtë të grisin pantallonat dhe prindërit të fjalosen. Këndet e lojrave e kishin vendin e tyre. Madje edhe ato cirqet me dryn, kishin një pesëlekësh faturë. Por kishin edhe shkollat fusha aktivitesh me shumicë. Dhe lulishtet frymosnin.

Kurse atje, në ato kodra, qe gjithçka e natyrshme. E mjergullës dhe e dashurisë. Gjithçka e gjelbërt, e luleve dhe e kitarave. E ecjes kalaqafë. E flirteve. Dhe asaj jete sportive të vrapimeve në natyrë. Pra qe i gjithi natyrë. Një heshtje shiu. Dhe vërtet, nuk kishte paqje më të bukur se në ato rrugica, qoftë në dimër, qoftë në pranverë, verë apo vjeshtë. Jo rastësisht prej aty kanë buruar aq e aq lirika. Aq e aq këngë. Aq e aq dashuri …, sa altari apo show-t që bëjnë shtetarët në celebrimin e çifteve. Eshtë asgjë më shumë, veçse një akt mjeran përballë bekimit të atij parku natyral. Me afsh të njelmët bari, korin e zogjve … Dhe mbi të gjitha, përsonalizimin e dashurisë.
Mirëpo kohët rrjedhin.
Dhe shpesh njerëzit më keq se kohët. Mbase edhe të dashuruarit e atij parku. Matufepsen. U hyn vetja në qejf. Flasin për parqet e botës. Për kryeqytetet e shteteve ku kanë bredhur. Se si të gjitha parqet kanë apo nuk kanë kënde lojrash. Se si kudo në botë, kudo ku ka park, ka edhe kënd lojrash.
Tek ne emërtimi është shpesh produkt negativ. Për arsyen më të parë. I sheshon identitetin vendit. Kjo po ndodh edhe me ne, sot, aty me debatin mbi parkun e Tiranës. Identiteti i një vendi krijohet nga tradita. Dhe jo nga emërtimet. Sespei bie që sot atyre kodrave të bredhin njëherësh, gjyshër, nipojë e mbesa. Dhe të dashuruar, flirtonjës. Edhe të dehur sigurisht. I bie që kur të mëdhenjtë të zihen për Edi Ramën dhe Sali Berishën, të vegjlit të argëtohen nën korin e pështymave. I bie që sipas ati ideatorit të së ardhmes, ky të jetë parku i orgjive dhe i zhurmës.
Sot ka shumë njerëz që e mahniten me kumbullat pa kumbulla midis smokut dhe betonit. Por harrojnë se kanë vrarë identitetin e tyre. Kanë vrarë vetveten. Tirana ka shumë identitete të harruara. Përshembull vjeshta e rrugës së Elbasanit, e Liceut, etj. Eshtë fare e kollajshme t’i vrasësh. Fare e lehtë. Por janë identitete që nuk vijnë më. Dhe ne kemi për të mbetur përjetësisht në kërkim të vetvetes.
Ka bota vërtet parqe me kënde lojrash. Por janë krijuar të atillë. Janë projektuar. Dhe njerëzit shkojnë me fëmijët. Pasi argëtohen edhe vet në aktivitete.
Ka bota vërtet parqe. Ka edhe të natyrës të transportueshme. Që ngrihen me data të caktuara. Në sezone. Montohen për kaq e aq ditë. Dhe çmontohen pa dëmtuar qoftë dhe një degëz peme.
Ka bota vërtet parqe aktivitetesh. Ka edhe nëpër lagje. Edhe pranë banesave. Por ato nuk bëhen në kohë fushatash. Dhe nuk vdesin në të përditshmen. Janë aty dhe të mirëmbajtur. Jo rrënoja të një kohe na ishte një herë.
Por tek ne i duan këndet aty tek parku i të dashuruarve, pikërisht pasi aktivitetet e të rriturve tanë, janë politika dhe grindja. Ndenja më këmbë dhe tifozllëku. Dhe të bëjnë sehir. Janë aktivete paradoksi. Të atyre që shpallin moratoriume kundër prerjes së pyjeve. Ndërsa nga ana tjetër presin vet me qejfin më të madh. Të atyre që akuzojnë gjithë ditën tjetrin. Dhe që bëjnë me qejf ato që ka bërë i akuzuari.
Pra nëse përmendi botën, veproni si bota. Ndërtoni parqe me kënde lojrash. Ka fusha, ka kodra plot.
Mjaft e vratë identitetin e gjërave. Sado të thjeshta qofshin janë ekzistenca jonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Identiteti i një parku, Ilir Levonja

Retorika politike e konfliktit dhe shëndeti i njeriut

March 17, 2016 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA-Nju Jork/ Në atmosferën e ndezur të këtyre ditëve, qoftë në Amerikë, për shkak të fushatës për zgjedhjet presidenciale, e qoftë në Shqipëri, ku atmosfera është në mënyrë permanente e ndezur dhe e helmuar nga politikanët, dëgjimi i një psikiatri amerikan të universitetit Harvard i cili dha një leksion për përfundimet e një studimi mbi faktorët kryesorë ndikues mbi lumturinë dhe shëndetin e njeriut, kthehej me të vërtet në një antidot qetësues.

E ndoqa fjalën e tij përmes një videoje që gazeta “Washington Post” ua kishte shpërndarë përmes postës elektronike shumë personave, ndërmjet tyre, edhe mua.

Në një sallë të mbushur me studentë dhe personel të atij universiteti, ku binin në sy shumë studentë aziatik, interesi për kulturë i të cilëve është i dukshëm këtu në Amerikë dhe njëkohësisht është edhe një arsye për të kuptuar se përse vendet e tyre po bëjnë përparime të jashtëzakonshme, dr. Robert Waldinger po fliste për rezultatet paraprake të një studimi i cili kishte filluar në vitin 1938, pra, më se 75 vjet më parë, dhe vazhdonte ende.

Salla ku fliste psikiatri ishte e zhytur e tëra në qetësi, vëmendja e të gjithëve ishte përqendruar te lektori dhe secili bluante me mend fjalët e tij. Nuk kishte as thirrje, as britma, as fishkëllima miratimi, apo kundërshtimi nga të pranishmit. Lektori, me një zë të butë e të qetë, ngadalë, tregonte për projektin i cili kishte për qëllim të zbulonte faktorët më të rëndësishëm për një jetë të lumtur, të shëndetshme e të gjatë. Në fillim të studimit ishin zgjedhur 724 persona, të gjithë të rinj, qoftë nga universiteti e qoftë nga shtresat më të varfra e më të ulëta të shoqërisë së Bostonit të asaj kohe. 60 prej tyre jetonin ende dhe ishin të moshës rreth 90 vjeç. Jeta e tyre do të ndiqej me hollësi nga çdo pikëpamje. Prej tyre disa kishin lindur të varfër e më pas u ngritën në shkallët më të larta të shoqërisë amerikane, të tjerë lindën të pasur dhe gjatë jetës ranë poshtë e më poshtë, disa u alkoolizuan e të tjerë kaluan në skizofreni.

Po të pyesësh njerëzit në përgjithësi, tha lektori, se ç’gjëra konsiderojnë si më të rëndësishmet për jetën e tyre, në shumicë të përgjigjen se paraja është më e rëndësishmja, dhe se fama apo suksesi janë, po ashtu, të rëndësishme dhe të krahasueshme dhe të lidhura me paranë. Në bazë të rezultateve të projektit, sipas profesorit Waldinger, nuk ishin aq të rëndësishme as paraja, as fama dhe as suksesi: rëndësinë e dorës së parë për një jetë të lumtur, të shëndetshme, emocionalisht të qetë e të gjatë e kishin marrëdhëniet e mira e të ngushta që krijonte njeriu me të tjerët: me familjen, me shokët, miqtë e me komunitetin. Personat që ishin të kënaqur me ato marrëdhënie, dilnin të ishin më të lumturit dhe më të shëndetshmit, ndërsa personat e pakënaqur me ato marrëdhënie, apo personat që e kalonin jetën të izoluar, ishin më pak të kënaqur, shëndeti i tyre binte më shpejt, funksionimi i trurit ngadalësohej dhe jetonin më pak. Në lidhje me marrëdhëniet me të tjerët, nuk kishin rëndësi numri i marrëdhënieve, por cilësia, sinqeriteti, intimiteti dhe stabiliteti i tyre. Me shumë rëndësi ishte që njeriu të shmangte sa të mundte konfliktet me të tjerët. Konflikti dobësonte shëndetin dhe shkurtonte jetën.

Kur mbaroi, plot përulësi, duke bashkuar pëllëmbët e duarve para gjoksit, ashtu siç përshëndesin hindutë, dr. Waldingeri u largua nga skena, i shoqëruar me duartrokitje plot nderim e respekt nga të pranishmit. Të gjithë ata që ndodheshin në sallë, por edhe ata që e dëgjuan fjalën e tij të regjistruar, si puna ime, pas dëgjimit, u ndjenë më të qetë, u vunë në mendime dhe shumë mund të kenë modifikuar edhe pikëpamjet e tyre në lidhje me përparësitë që duhet të ndjekin për të bërë një jetë më të mirë e më të plotë.

Tashti të vijmë në realitetin tonë.

Sot në Amerikë po zhvillohet fushata për zgjedhjen e presidentit të ri. E kam ndjekur fushatën, sidomos atë të kampit republikan dhe shikoj se si kandidatët, duke krijuar një situatë konflikti ekstrem, kacafyten me njëri tjetrin në mënyrën më banale, duke bërtitur, sharë, fyer e akuzuar me gjithfarëlloj mënyrash njëri tjetrin dhe ndjekësit e tyre, në salla të mbushura plot, brohorasin, bërtasin, fishkëllejnë e tundin parulla, që, në mënyrë histerike, shprehin mbështetjen për kandidatin e tyre dhe urrejtjen e përbuzjen për kundërshtarin e tij. Dëgjoj Donald Trumpin në Karolinën e Veriut tek u kërkon njerëzve të tij, me zë të fortë e të ngjirur, të nxjerrin jashtë dikë që shprehet kundër tij dhe i shoh ata tek e shtynë dhe e përplasin viktimën nga një anë në anën tjetër, e qëllojnë atë me grusht dhe, më në fund, e arrestojnë. Shoh më pas në Universitetin e Ilinoit në Çikago të ndodhin skena të përleshjeve masive midis përkrahësve të Trumpit dhe kundërshtarëve të tij. Në Ohajo, Trumpit i prishin dhe i ndërpresin tubimin. Trumpi, që predikon konfliktin, dhunën dhe urrejtjen, po vjel frytet e hidhura të predikimeve të tij. Shoh tek ne, në Elbasan, ku numrin dy për nga rëndësia dhe vlerat në Partinë Socialiste, desh e rrahën, sepse doli kundër politikës së numrit një të partisë. Kam parë apo dëgjuar skena të tilla të shëmtuara, madje edhe më të ashpra, të ndodhnin edhe në Partinë Demokratike dhe shoh vazhdimisht skena të tilla, aspak të hijshme, të ndodhin në parlamentin tonë “pluralist”.

Çfarë ndryshimi midis skenave vulgare e barbare, ku politikanët u flasin militantëve të tyre dhe skenave humane, ku parashtrojnë mendimet njerëzit e kulturës!

Atmosfera helmuese e konfliktit që krijohet në tubimet politike, ku politikani mbledh mijëra njerëz të cilët i ndërsen kundër kundërshtarit të tij dhe i kthen në militantë fanatikë, duket se, nga ana e shëndetit, sidomos të atij psikik, atyre u bën shumë keq. Militanti, me tru të shpëlarë dhe gjykim të bllokuar, në një gjendje shqetësimi e agjitimi të vazhdueshëm, flet, grindet, shan, nëm, përbuz, plot helm e urrejtje, palën tjetër, jo vetëm në ato tubime, por edhe jashtë tyre: edhe në shtëpi, edhe në kafene, edhe në punë, edhe në rrugë, edhe në komentet që bën në gazeta dhe kudo që të ndodhet, madje edhe në gjumë. Retorika e egër dhe sjellja vulgare e politikanit ndaj opozitarit, transplantohet në çast, në mënyrë të shumëfishuar te militanti.

Në qoftë se do të kisha mundësi, do t’i sugjeroja dr. Waldingerit që, po ta shihte të arsyeshme, të mundshme dhe të dobishme, të ndikonte në nisjen e një studimi të ngjashëm me atë për të cilin foli, që të vëzhgonte ndikimin që kanë retorikat e egra të politikanëve në tubimet politike në shëndetin mendor dhe emocional të atyre vetë, por, sidomos, të atyre që i dëgjojnë e që i ndjekin. Një studim i tillë, mund të përcaktonte jo thjeshtë nëse ato tubime politike ndikojnë apo jo në psikikën e njeriut, gjë që në njëfarë mase kuptohet edhe intuitivisht se ndikojnë, por edhe shkallën e atij ndikimit dhe do të shërbente, njëkohësisht, dhe për të vendosur rregulla të posaçme për ndalimin e sjelljeve të papërgjegjshme të politikanëve në paraqitjet publike, qoftë edhe për hir të mos dëmtimit të shëndetit të përkrahësve të tyre.

Nju Jork, mars, 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe shëndeti i njeriut, Ilir Hashorva, Retorika politike e konfliktit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2987
  • 2988
  • 2989
  • 2990
  • 2991
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT