• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRE TRANZICIONE PRESIDENCIALE ME PASOJA PER AMERIKEN

November 19, 2020 by dgreca

Përktheu Rafaela Prifti/

Përse u miratua Amendamenti 20 i Kushtetutës Amerikane dhjetë vjet pas propozimit të projekt-ligjit? Cili president cilësohet si model i tranzicionit presidencial? Çfarë mund të sjellë dimri i ndasisë?

Thomas Balcerski, autor dhe mësues në Eastern Konektikut përshkruan tre episode famëkeqe të tranzicionit administrativ në historinë e Amerikës.

Dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve Presidenti Donald Trump nuk e pranon humbjen ndaj ish-zv Presidentit Xho Biden. Disa zyrtarë të lartë të administratës së Trumpit, përfshirë edhe ish-shefin e përgjithshëm të Shtëpisë së Bardhë Xhon Kelli, kanë bërë thirrje për një proces paqësor tranzicioni. Megjithatë, shumë nga republikanët në Kongres qëndrojnë në krah të Presidentit.

Në realitet, Trumpi është president në dalje e sipër. Presidenca e tij ka shpërfillur precedencat e mëhershme në shumë aspekte por në këtë pikë ai është si gjithë presidentët e tjerë paraardhës. Mandati i tij do përfundojë dhe ai do dalë nga Shtëpia e Bardhë për të filluar kapitullin tjetër të jetës së tij. Dhe mënyra sesi sillet në këtë periudhë mnnd të jetë ajo që i jep vulën administratës së tij duke qenë gjithashtu edhe një moment kritik në historinë amerikane. Vendi ka përjetuar disa episode famëkeqe tranzicioni.  Tre të tilla kanë qenë: Xhejms Bjukenan dhe Abraham Linkolni gjatë dimrit të përcarjes 1860-1861, Herbet Huver dhe Franklin Delano Rusevelt gjatë përkeqësimit të krizës ekonomike të viteve 1932-1933, Bll Klinton dhe Xhorxh W. Bush pas zgjedhjeve të shumëkontestuara të vitit 2000.

Rrethanat e diktojnë më shumë se më parë nevojën për tranzicion efektiv. Përkeqësimi i epidemisë së COVID-19 kërkon angazhim total nga dega ekzekutive dhe kooperim të presidentit aktual me presidentin e zgjedhur për hir të vendit. Për të mos lejuar thellimin e tragjedisë, Trumpi dhe Biden duhet të shmangin gabimet e tre tranzicioneve me nam të keq.

1860-1861: Xhejms Bjukenan dhe Abraham Linkoln

Inagurimi i Abraham Linkolnit si presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara në Uashington DC pasardhës i Presidentit Xhejms Bjukenan u bë pas Zgjedhjet e vitit 1860 ishin një sfidë serioze për tranzicionin presidencial. Në nëntor të atij viti Linkolni kishte fituar mjaft vota në Kolegjin Elektoral ndaj tri rivalëve të tjerë duke siguruar mandatin e ardhshëm të presidentit. Pa kaluar një muaj, Karolina Jugore u mblodh në një kuvend shtetëror nga ku vendosi unanimisht shkëputjen nga Bashkësia e Shteteve (Unioni). Pas saj, gjashtë shtete të jugut e ndoqën atë shembull. Presidenti Bjukenan që kishte humbur zgjedhjet tregoi dobësi në përballjen me krizën. Ai deklaroi se nuk e mbështeste shkëputjen e shteteve të jugut por besonte se qeveria nuk kishte forca ta ndalonte këtë veprim dhe iu drejtua Kongresit për zgjidhje. Mbledhja e ‘të urtëve’ në Uashington DC doli me një varg me propozime të hartuara me qëllim që skllavëria të kishte mbrojtje kushtetuese. Ky dokument njihet si Kompromisi Kritenden (mbiemri i Përfaqësuesit ligjor të Kentakit, Xhon Kritenden, që propozoi masat ligjore – Shënim i Përkthyeses)

Por Presidenti i zgjedhur Linkoln me mençuri refuzoi të pranonte çdo lloj kompromisi të dalë nga administrata e papëlqyer e Bjukenan. Në ditën e inagurimit, Linkolni shkoi për vizitë në Shtëpinë e Bardhë dhe të dy vajtën me një pajton në ndërtesën e parlamentit. Pavarësisht nga fjalimi i paqtë inagurues, lufta shpërtheu kur forcat e Konfederatës hapën zjarr në Fort Sumter në prill 1861.    

Kongresi republikan ishte aq i mllefosur me veprimet e fundit të Bjukenan kur ishte ende në postin e presidentit por nuk ishte rizgjedhur për mandatin tjetër, sa ia tërhoqi privilegjin e postimit pa pagesë duke e detyruar administratën e tij të paguante vetë për veprimet postare dhe madje nuk pranoi të paguante as për portretin zyrtar të z. Bjukenan.  Ai nga ana e vet i doli në mbrojtje pozitës së tij në prag të luftës, të cilën historianët e quajnë si librin e parë të kujtimeve nga një president por kjo nuk mjafroi për ta rehabilituar emrin e tij. Për pasivitetin e tij gjatë kohës kur po e shihte se Unioni po shkërmohej në këmbët e tij, ai renditet si presidenti më i keq në historinë e Amerikës.

1932-1933: Herbert Huver dhe Franklin D. Rusevelt

Në vitet 1932, periudha e Depresionit të Rëndë e kishte rrëzuar ekonominë amerikane në nivele të ulta të panjohura më parë. Bankat e kishin humbur kredibilitetin, bujqit nuk kishin treg për produktet e tyre dhe papunësia kishte arritur në 25 %.  Në nëntor, Rusevelti doli me një program të quajtur Pakti i Ri që financohej nga fonde shtetërore, dhe fitoi shumë më tepër vota se fushata e Huverit për vullnetarizm kolektiv të individëve. Ditën pas zgjedhjeve në orën 9:34 të mbrëmjes Huveri pranoi humbjen me zor me anë të një telegrami: “Për hir të qëllimit tonë të përbashkët, unë do jem i përkushtuar ndaj çdo hapi të mundshëm të dobishëm.” Në ditën e inagurimit të Franklin Delano Rusevelt në 1933, ai dhe paraardhësi Herbert Huver shkuan bashkë në ceremoni. Në të vërtetë Huver nuk kishte lënë gjë pa bërë që ta sabotonte Paktin e Ri të Ruseveltit. Praktikisht, ai donte t’i anulonte pjesë të tëra të programit social përpara se Rusevelti të hynte në Shtëpinë e Bardhë. Nga ana e tij, Rusevelti nuk pranoi të bashkëpunonte për asgjë me presidentin ‘në dalje e sipër.

Ndërkohë, pasojat e Depresionit të Rëndë u përkeqësuan. Në ditën e inagurimit Huveri dhe Rusevelt udhëtuan “si në gjemba” nga Shtëpia e Bardhë drejt Parlamentit. Rusevelti bëri vetëm disa komente për përgatitjet madhështore përgjatë rrugës ku do mbahej parada. Fatmirësisht, ky do ishte fundi i kohëzgjatjes së periudhës midis dy administratave, e caktuar në një kohë kur amerikanët udhëtonin me kuaj ose vaporë. Në vitin 1933, Kongresi më në fund miratoi ligjin e propozuar për herë të parë nga Senatori Xhorxh Norris në 1923 – që arriti të hynte si amendamenti 20 në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.  Midis të tjerave, amendamenti e përshpejtoi kohën e daljes së presidentit prej postit zyrtar nga data 4 mars në 20 janar.

2000-2001: Bill Klinton dhe Xhorxh W Bush

Ndërsa President Bill Klinton dhe Presidenti i zgjedhur Xhorxh W. Bush qëndrojnë përpara Shtëpisë së Bardhë për herë të parë pas përfundimit të zgjedhjeve në 19 Dhjetor 2000, në Uashington, DC, pak kush e dinte atëherë luftën e brendshme që kishte filluar prej datës 7 nëntor. Në një prej garave më të paparashikuara në historinë amerikane, ish-Presidenti Al Gore dhe Guvernatori i Teksasit Xhorxh Bush kishin fituar shtete kyce që janë vendimtare për fatin e zgjedhjeve. Fituesi i shtetit të Floridës nuk mund të deklarohej megjithëse rrjetet kryesore mediatike ia kishin dhënë fitoren zotit Gore dhe e kishin ndërruar pastaj në favor të Bushit.

Duke menduar se kishte humbur, zoti Gore i telefonoi Bushit për t’i uruar fitoren. Gjatë rrugës për të mbajtur fjalimin e ‘humbjes’ pranë Momumentit të Luftës në Nashvil, asistentet vrapuan ta njoftonin të mos dilte përpara publikut. Sipas lajmeve, në Florida diferenca në numrin e votave ishte aq e vogël sa nuk numd të parashikohej fituesi, dhe kështu filloi një betejë ligjore disajavore derisa më në fund Gjykata e Lartë e ndaloi rinumërimin e votave në Florida, dhe z. Gore e dha pranimin duke iu drejtua publikut përpara kamerave në datën 13 dhjetor. Ndërkohë që priteshin rezultatet e zgjedhjeve, agjencia federale që hap rrugën për presidentin e ri, nuk njohu asnjë kanditat. Vendimi vonoi vënien në zbatim të Aktit të Tranzicionit Presidencial që përfshin lokalet e zyrave, pajisjet si edhe fondet përkatëse për administratën e re. Megjithatë Bushi u lejua të vinte në mbledhjet informative të sigurisë ndërsa Gore ishte i pranishëm si Zv President. Në 2004 Komisioni i Posaçëm për  aktet e 11 Shtatorit konkludoi se ngadalësia në tranzicion i ‘ndrydhi’ aftësitë e administratës për të emërimet e zyrtarëve në poste kyçe të sigurisë kombëtare.

Megjithatë nuk kishte pak episode dramatike – administrata e Presidentit Klinton nuk u largua pa bërë zhurmë. Dolën fjalë se personeli kishte shkulur telat e telefonave, kishin dëmtuar tualetet, dhe kishin kryer një akt mëse “fëminor” duke hequr shkronjën W nga tastierat e kompjuterave të Shtëpisë së Bardhë (personeli i Klintonit i ka hedhur poshtë shumicën e këtyre akuzave.) Zyra e Llogarisë paraqiti një raport të dëmeve prej 15,000 dollarëve. Si kundërbalancë, Bushi iu përkushtua punës për një tranzicion profesional kur erdhi koha për ta kaluar ‘stafetën’ te presidenti i zgjedhur Barak Obama. Nga ana e vet, Obama e ka cilësuar atë si ‘standarti më i lartë’ i tranzicioneve dhe e ndoqi atë model në kohën e tranzicionit nga ai te Trumpi.   

Zoti Trump mundet fare mirë ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve duke ndjekur traditën e gjatë të ‘unifikimit’ të vendit që nis nga inagurimi në vitin 1896. Dhe prej aty mund të ndjekë shembullin e presidentëve përpara tij që marrin pjesë në ceremoninë e inagurimit të pasardhësit.  Por nëse e shkuara mund të shërbejë si prolog, për mbarë vendin pritet të ketë thellim të krizës dhe një periudhë të trazuar trancizioni. Ashtu si edhe përpara në historinë tonë, duhet të jemi të përgatitur për dimrin e ndasisë midis administratës së vjetër dhe asaj të re – dhe për pasojat që kjo do t’i sjell vendit.

Filed Under: Featured Tagged With: me pasoja, Rafaela Prifti, Tre tranzicione presidenciale

Depolitizimi i pushtetit-mision i demokracisë pluraliste

November 19, 2020 by dgreca

Duke marrë parasysh pushtetin autoritar për tre dekada edhe në pluralizëm në Mal të Zi, idea e depolitizimit të pushtetit  do të jetë  sfidë për qeverinë e re në procesin e reformimit dhe të demontimit të strukturave ekzistuese në nivel qendror dhe ate lokal, duke vlerësuar si kriter profesionalizmin  e jo përkatësinë partiake, që do të jetë dëshmi praktike e ndryshimëve në qeverisje si kudo në botën demokratike 

Shkruan: Nail Draga

Por, më të drejt bëhet pyetja se çka mund të bëjë në këtë drejtim Qeveria e re e cila ka obligime dhe përgjegjësi në udhëheqjen e Malit të Zi në mandatin e saj, në këtë kohë të krizës së përgjithshme ekonomike, shoqërore e shëndetësore, për të realizuar në praktikë premtimet e dhëna elektoratit votues gjatë fushatës parazgjedhore. Nuk ka dilemë se përgjegjësia kryesore bie mbi kryetarin e qeverisë, por as ministrat nuk mund të jenë pa përgjegjësi, sepse ata do të japing lloragi për veprimet në resorët përkatës. Madje opinioni pret me padurim fillimin e punës së kësaj qeverie, për të parë ndryshimin apo vazhdimësinë e qeverisë së mëparshme. 

Duke marrë parasysh se koalicioni i shumicës parlamenatre është përcaktuar për qeverinë e ekspertëve, do të thot se janë mënjanuar figurat politike që është risi në skenën politike, mbetët të shihet se sa do të kenë ata mundësi praktike për ta realizuar këtë mision.

Angazhimi i personave të ndryshëm në qeveri në cilësinë e ministrave pa përkatësi partiake,  është përgjegjësi kryesisht e kryeministrit sepse ai ka zgjedhur ekipin me të cilën do të punojë, duke marrë parasysh referencat e tyre profesionale. Një veprim I tillë jep për të kuptuar se ata nuk do të jenë në presionet partiake, dukuri e cila iu mundëson autonomi personale dhe profesionale për të vendosur për të zgjedhur kuadrat e ndryshme në resorin përkatës. Dhe si të tillë ata do të jenë baza e fillimit të depolitizimit të pushtetit duke filluar nga lart që do të jetë risi në qeverisjën shtetërore në Mal të Zi. 

Por,duke marrë parasysh përbërjen heterogjene të shumicës parlamentare, interesat personale si dhe animozitetin e dëshmuar, nuk ka dilemë së do të ketë divergjenca brenda tyre,  andaj mbetët të shihet se a do të jenë pengesë ne realizimin e angazhimeve konkrete  në këtë drejtim. 


Sovraniteti i qytetarit

Në sajë të fitorës së opozitës në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, për të parën herë qytetari votues është sovran, ku vendosi me ndërgjegje me votën e vet ndryshimin e pushtetit. Si të tillë janë ata relaksuar duke dëshmuar  guximin e munguar vite më radhë, sepse pushteti i mëhershëm kishte monopolizuar edhe votën e qytetarëve. Ndërsa ndarjët politike dhe ata fetare në bashkësinë ortodokse  në Mal të Zi arritën nivelin më të lartë, në këtë vit zgjedhor, që u manifestu me shëtitjet fetare, ku si shkak ishte ligji për lirinë e bashkësive fetare, që definitivisht përcaktoj edhe rezultatin e tyre zgjedhjeve në favor të opozitës. 


Ekipi i ekspertëve si „fushë e minuar“

Sistemi ekzistues me përvojën tridhjetëvjeçare pothuaj është „betonuar“, përmes kuadrave partiake,  andaj  qeveria e re  duhet të angazhohet ne demontimin e tij, por nuk ka dilemë  se  ekipi i ekspertëve  nuk do ta ketë të lehtë, sepse duhet të eci ne “fushën e minuar“, andaj edhe sukseset do të jenë të diskutueshme. Pikërisht në ketë aspekt duhet të dëshmohet qendrimi dhe angazhimi konkret në fushën e depolitizimit të strukturave dhe të institucionve qeveritare.

Çdo angazhim në këtë aspekt qoftë edhe minimal, duhet  mbeshtetur, sepse edhe rruga ma e gjatë fillon me hapin e parë. Andaj mbetet obligim i shumicës  së re parlamentare që të angazhohet në këtë drejtim, për të ndryshuar  status quon ekzistuese që është „prodhim“ shumëvjeçar  nga qeverisja e mëparshme.


Neoliberalizmi dhe dështimi i privatizimit


Ndërsa  nga fusha e ekonomisë, qeverisja e re duhet të merret jo vetëm me strukturën e saj por duke eliminuar konceptin e neoliberalizmit, duke ofruar qasje tjetër dhe zgjidhje në këtë drejtim. Po ashtu duhet të rishqyrtohen marrëveshjet dhe kontratat në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, të cilat në sajë të procesit të tillë janë plaçkitur  në forma të ndryshme, duke lënë pa punë një numër të konsideruar të punësuarish. Në këtë aspekt, deri më tash askush nuk ka dhënë përgjegjësi, edhe pse ka raste  të shumta të dështimit,  ku kryporja  e Ulqinit  paraqet rast të veçantë të hulumtimit, sepse ishte e vetmja fabrikë e tillë në vend, por gjoja u privatizu  dhe u plaçkit në formën ma të vrazhdë të mundur.

Partitokracia pengesë e depolitizimit

Andaj, duhet bërë përpjekje  për të filluar me procesin e depolitizimit sepse kemi të bëjmë me një të drejtë të mohuar të qytetarëve, sepse deri më tash ka dominuar autokratizmi në udhëheqje dhe sistemi i partitokratisë në qeverisje. Kemi të bëjmë pikërisht me partitë e ndryshme politike të cilat nuk zgjedhin mjete për të fituar ndonjë mandat qoftë të këshilltarit apo të deputetit, duke u bërë pjesë e qeverisjës, për përfitime të ndryshme. Dhe të tillët nuk marrin parasysh vlerat dhe parimet por interesin personal apo të klanëve të ndryshme.

Është koha e fundit për të  vlerësuar profesionalizmin  e jo përkatësinë partiake  si kriter bazë  i punësimit që do të jetë hapi vendimtar në procesin e depolitizimit të  pushtetit, përfundimisht edhe në pluralizëm, si në nivelin lokal dhe ate qendror, si kudo në vendet demokratike.

(Nëntor 2020)

Filed Under: Analiza Tagged With: i pushtetit, Nail Draga

KOSOVA, KONSULLATË NË STRUGË

November 19, 2020 by dgreca

 -Inaugurohet Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë – Maqedoni e Veriut/

Strugë , 19 Nëntor 2020-Gazeta DIELLI/

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka inauguruar sot Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strugë – Maqedoni e Veriut.

Hapja e kësaj Konsullate është dëshmi e përkushtimit dypalësh për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndër-shtetërore të cilat vazhdojnë të jenë të shkëlqyera, e që është ri-konfirmuar edhe gjatë vizitës së fundit zyrtare të Kryeministrit dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë do të shërbejë si urë lidhëse për avancimin e mëtejmë të raporteve të ndërsjella, të ndërveprimit ekonomik e kulturor, por edhe përfaqësimit e mbrojtjes së të drejtave të shtetasve kosovarë në këtë pjesë të Maqedonisë së Veriut.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e vlerëson këtë si sukses të diplomacisë kosovare, e cila edhe përkundër sfidave të jashtëzakonshme me pandeminë COVID19, ka arritur të zgjerojë rrjetin e saj diplomatik duke siguruar përfaqësim dinjitoz të Republikës së Kosovës në rajon e më gjerë. 

Filed Under: Kronike Tagged With: KONSULLATË NË STRUGË

Nëse e ndërron Atdheun…

November 19, 2020 by dgreca

Nga Gezim ZILJA/

Në një shkrim para dy javësh botova shkrimin me titull: Do të duhet të presësh shumë o mërgimtar. Mërgimtari mu përgjigj me këtë pohim: Atdheu im është ai që më jep bukë, punë, liri, mundësi të rris e të shkolloj fëmijët e mi. Unë respektoj mendimin e këtij njeriu; që e do jetën dhe punon ndershmërisht për të rritur e edukuar fëmijët, por i qëndroj mendimit se kushdo që e ka një atdhe, ka detyrime ndaj tij, se ai nuk mund të harrohet e se me kalimin e kohës, malli për të kthehet në zjarr që djeg e përvëlon. Ka shumë mënyra për ta shprehur dashurinë për atdheun edhe kur je larg edhe kur je afër. Naim Frashëri me një shqipe të kulluar, ku nuk gjen një fjalë të huaj, 140 vjet më parë këndonte himnin e pavdekshëm të mallit e dashurisë për vendlindjen e shtrenjtë: Kur dëgjon zëthin e s’ëmës, qysh e le qengji kopenë/Blegërin dy a tri herë, edhe ikën e merr dhenë/ E nëse i presin rrugën e ta trembin njëzet a tridhjetë vetë/ Ai s’ndalet po ecën para si shigjetë… Mirëpo zemra e poetit që i këndon në mërgim atdheut, nuk bindet; ajo shkallmon kraharorin dhe fluturon larg me vargjet e magjishme: Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu tek jam mua/ Vjen me vrap e me dëshirë, atje ndër viset e tua. Shpërthen më tej Naimi ynë i madhërishëm, dhuratë e zotit për Shqipërinë e shqiptarët: Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar/ Zemrën ti ma gatove, plot me dëshirë e me zjarr. Ai përkulet plot nder e respekt, me një ndjesë do ta quaja naimjane sepse është unike, e papërsëritshme ( ne vetëm mund ta citojmë atë) dhe betohet: Shqipëri o mëma ime, ndonëse jam i mërguar/ Dashurinë tënde, kurrë zemra s’e ka harruar. Çfarë e shtynte Poetin Hyjnor, Mëndjendriturin e Rilindjes, të përkulej e betohej për Atdheun, kur ai gjeografikisht ekzistonte por zyrtarisht ishte Turqi? Retë e zeza të pushtuesit turk që pllakosën Shqipërinë nuk mund të mbysnin shpirtin e lirë të shqiptarëve.  I ndaluan të shkruanin shqip por nuk ia dolën dot të ndalonin kodin e besës dhe të nderit, që ishin nenet themelore, të pashkatërrueshme të kushtetutës së popullit shqiptar, gur themeli në ato troje. Qëndrueshmëria dhe papërkulshmëria tashmë do të shpreheshin, plot vendosmëri edhe në ruajtjen me çdo çmim të gjuhës amtare, të eposit të kreshnikëve e baladave, historisë së Skënderbeut, të riteve, zakoneve,  këngëve të trimërisë, të lindjeve e dasmave, vajeve e ninullave, të valleve, veshjeve, e gjithçka, që dallon një komb nga një tjetër.  Zjarri nuk ishte i madh por si ai prushi i vatrës nuk u shua kurrë deri ditën që shpërtheu si vullkan dhe solli shtetin e pavarur shqiptar. Te këto virtute të shqiptarit e ngjyeu penën De Rada, arbëreshi i famshëm, që i pari, pas një gjumi të thellë risolli në vemëndje të shqiptarëve Heroin Kombëtar Skënderbeun, aty e gjeti frymëzimin Naimi kur shpallte me penën-shpatë gjithë krenari e mllef: ” Bota që kur është zënë /Shqipëria gjallë ka qenë….” Shembulli i Rilindasve mahnit edhe sot, mjafton të lexosh krijimtarinë e tyre. Ata shkrinë jetën, pasurinë, diturinë e gjithçka kishin, derisa ia arritën, që shqiptarët të jetonin të lirë në Mëmëdheun e tyre. Si arritën ata të ndërgjegjësonin e të ngrinin me armë në dorë një popull analfabet pas katërqind viteve robëri?! U trete Gjonlekë u trete/ Tuke rënë asaj trumpete/ Sos u përpoqe për vete/ Por për gjithë vilajete. Dhe më tej: Pse lëfton a derëzi/ As për mua as për ti/ Po për gjithë Shqipëri, do të këndonte populli qysh më 1848. Tridhjetë vjet më vonë luftërat do të kulmonin me Lidhjen e Prizrenit dhe Evropa do të dëgjonte përsëri pushkën e shqiptarëve nga Preveza deri në Ulqin.  Përsëri populli do të përjetësonte luftën e shenjtë: Sef  Kosharja i pari i fisit/Hije t’paska maj’ e lisit/Hije m’paska o djelmt e mi/Kam dhanë shpirtin për Shqipni.  Ky popull do t’ia dalë edhe këtë herë megjithëse tashmë është pushtuar nga vetë shqiptarët. Një grup hajdutësh e renegatësh, që i shërbejnë parasë dhe dreqi e di se kujt tjetër, po e mbajnë peng Shqipërinë prej tridhjetë vitesh, duke  ndërruar karriget me njëri-tjetrin. Sa herë hipin në pushtet shpallin armiq pjesën tjetër, jo në pushtet. Ia kanë mbërritur që shqiptarët të ndarë, të zihen e të urrehen midis tyre për hir të partive nga nëpunësi i arsimuar e punëtori që gatuan llaç deri te fshatari që jeton me njëzet kokë dhi e një dynym tokë. Kjo ndarje lehtëson punën e sundimtarëve, prandaj e ushqejnë atë çdo ditë atë, duke etiketuar si tradhëtarë, armiq, kriminelë e hajdutë njëri-tjetrin. Duket sikur gjendja është pa shpresë po shqiptarët do të munden ta shporrin te keqen që i ka zënë. Ti mërgimtar thua: Atdheu im është ai që më jep mundësi të punoj, ushqehem, e të rrisë fëmijët. Po “bukë” hanë Larua e Balua, Pikalorja e Pikpiku e plot kafshë e shpendë, të buta e të egra. Madje është proverbiale mbrojtja, që i bën klloçka pushëverdhëve të saj dhe luanesha këlyshëve të vet. Po deri këtu. Më tej historia e njeriut dhe ajo njerëzore është krejt ndryshe nga ajo e gjallesave të tjera…. Dakord! Shko ha “bukë të bardhë” o shqiptar me diplomë, ndërroje dhe atdheun nëse kjo të bën të ndihesh më mirë! Po fshatin, qytetin ku ke lindur, malet, lisat e gjatë, fushat e gjëra me lule, bregoret bukuroshe, çukat, brigjet, kodrat, pyjet e gjelbëruar, lumenjtë, detet e liqenet  e Atdheut nuk i merr dot me vete. Ka ende miliona shqiptarë të vegjël e të mëdhenjë, në Shqipëri dhe jashtë saj, që e duan Atdheun, që na lanë të parët: se nënat që i lindën ishin shqiptare, se gjaku që u rrjedh ndër deje është gjak shqiptari, se në këtë tokë, janë varrosur baballarët, nënat, gjyshet e vëllezërit që u ikën para kohe. E duan Shqipërinë se është toka ku kanë lindur, se shkolla dhe mësuesit, që u mësuan gërmat e para ishin shqiptarë, se gjuha që flasin është shqipja,  se gjithçka që i rrethon e mirë ose e keqe është shqiptare. Ka ende shqiptarë të ndershëm, të pa lëkundur që luftojnë kundër korrupsionit, varfërisë e padrejtësisë. Ka të tjerë që jetojnë në dhe të huaj, por kurrë nuk e kanë harruar vendin e tyre dhe përpiqen për ta bërë më të begatë. Një ditë jo të largët, të mirët do të jenë më të shumtë e do ta rradhisin Shqipërinë  në kombet e qytetëruara evropiane. Fëmijët tanë meritojnë një jetë më të mirë, një atdhe më të denjë dhe këtë shqiptarët do ta bëjnë pa e ndërruar atë. Kjo do të ndodhë!

Filed Under: ESSE Tagged With: e ndërron Atdheun, Gezim Zilja, Nëse

Një vit Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare

November 19, 2020 by dgreca

Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare ka kremtuar sot një vjetorin e themelimit të saj. Ndryshe nga sa do të ishte festuar një ngjarje kaq e madhe në kushte normale, për shkak të situatës së rënduar nga shtimi i rasteve të të prekurve me COVID-19, ky një vjetor më shumë se një festë e madhe për të kremtuar arritjet e Dhomës ishte një takim virtual me pjesëmarrjen e më shumë se 100 miqsh, mbështetësish dhe anëtarësh të Dhomës së Biznesit të Diasporës. 

Në fjalën e tij të hapjes kryetari i Dhomë së Biznesit të Diasporës Z.Ardian Lekaj  tha se viti 2020 deri tani ka qenë një vit i vështirë, për të gjithë. “Sot jam shumë krenar që më në fund po realizohet një ëndërr. Shumë e më shumë njerëz po e kuptojnë se Diaspora ka vlerën e saj dhe se nëpërmjet Diasporës mund të arrihen suksese të reja. Ne në këto momente nuk jemi gjë tjetër veçse një ajsberg, të cilit i shikohet vetëm pjesa e sipërme dhe pjesën nën ujë do ta shohim më vonë”, – u shpreh Lekaj. 

Ndërsa ministri i Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko në fjalën e  tij përshëndetëse tha:  “Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare është një nga projektet më ambicioze që ne kemi nxitur në këtë periudhë. Dhe besoj dhe uroj që Dhoma e Biznesit do të jetë vërtet një projekt, i cili do të bashkojë të gjithë shqiptarët. Diaspora Shqiptare nuk është një projekt vetëm i një shteti. Kjo është arsyeja qe Shqipëria ka lidhur marrëveshje edhe me Kosovën, është në proces edhe me Maqedoninë e Veriut  si dhe me Malin e Zi . Mendoj që forca e bizneseve shqiptare  në Diasporë, por edhe e partnerëve të tjerë , ka shumë rëndësi. Pasi mendoj që ne kemi hedhur hapat dhe strukturat  për të krijuar një Dhomë vërtetë ambicioze.

President i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës, z. Lazim Destani,  duke falenderuar gjithë anëtarët e kryesisë dhe stafin e Dhomës së Biznesit për punën e bërë me përkushtim gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga themelimi i Dhomës tha se kjo ka qenë kjo një periudhë shumë e jashtëzakonshme, e nisur me pasojat e tërmetit për të vazhduar pastaj me telashet që shkaktoi pandemia. 

“Në këto rrethana tejet të vështira u dëmtuan shumë familje e shumë biznese, si në vendet tona ashtu dhe në Diasporë e kudo në botë. Të ndodhur përballë këtyre vështirësive Dhoma nuk është ndalur, përkundrazi, gjithsecili kemi zhvilluar aktivitete gjatë gjithë kohës. Së bashku edhe me Kryetarin e Dhomës, z. Ardian Lekaj, kemi zhvilluar disa takime virtuale por edhe takime direkte me partnerë të ndryshëm europianë. Kemi zhvilluar gjithashtu takime bashkëpunimi me Rrjetet e Bizneseve në vende të ndryshme të Europës si dhe jemi në kontakte të vazhdueshme me kompani të fuqishme të pjesëtarëve të Diasporës sonë. Jemi me plot shpresa për të bërë punë të mira, për të realizuar investime e për të hapur vende pune të reja. Uroj sa më shpejt ta lëmë prapa pandeminë, në mënyrë që ditët, javët dhe muajt në vijim të jenë gjithnjë e më të favorshëm për mëkëmbjen, zhvillimin dhe funksionimin e bizneseve”, – tha ai. 

Duke bërë bilancin e një viti punë kryetari i Dhomës së Biznesit Ardian Lekaj tha: “Filluam ditën e tërmetit, u mblodhëm të gjithë së bashku në zonat ku kishte rënë tërmeti. Pyetja më e madhe në ato momente ishte: Do vazhdojmë, do të bëjmë hapjen apo nuk do të vazhdojm? Ne vendosëm të vazhdojmë të bëjmë hapjen, për arsye se jeta e re fillon në gërmadha. Dhe ditë për ditë nga pak, filluam të zgjerojmë networkun, dhe të krijojmë kontaktet tona. Tani jemi në fazën e mbledhje së informacioneve, pas kësaj faze kemi filluar me aleanca, dhe pas aleancave fillojnë projektet konkrete. Projektet konkrete ecin edhe paralelisht  dhe ju do të shikoni dhe shembuj konkret.

Por pavarësisht një viti të vështirë Dhoma e Biznesit të Diasporës ka arritur të realizojë një sërë projektesh dhe bashkëpunimesh, si:

Bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë Shqiptare në Itali;

Marrëveshje dhe Bashkëpunim me Kompaninë Marlotex dhe Organizatën Ëold Vision për shpërndarjen e 20 mijë maskave për nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare dhe të mesme;  

Organizimin e dhurimit të 5 mijë testeve COVID-19 Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhuruara për Shqipërinë nga tre biznesmenë të Diasporës shqiptare Z. Lazim Destani, President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe themelues i Kompanisë “Ecolog International”, Nazmi Viqa, përfaqësues i Kompanisë “Abbruch AËR” dhe Remzi Ejupi, përfaqësues i  Kompanisë “Eurokoha”; 

Marrëveshje Bashkëpunimi me Dhomën Amerikane të Biznesit, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit të DHBD me rrjetet ekzistuese të diasporës në Zvicër, Gjermani, Itali, Belgjikë, Luksemburg; 

Marrëveshja me Universitetin Jo-Publik “Marin Barleti” për trajnimin e stafit dhe anëtarëve të DHBD. 

Organizimin e forumit ekonomik “Albania Gateway to the Balkan” në Roterdam, të cilit iu bashkuan rreth 100 biznesmenë nga Holanda, Belgjika dhe Gjermania;

Organizimin e Samitit të Grave te Biznesit në bashkëpunim me Fondin dhe Ministrinë e Financave, me pjesëmarrjen e profesionisteve të reja, studente, gra akademike dhe eksperte në fushën e biznesit, përfaqësues të institucioneve shtetërore si dhe të organizatave ndërkombëtare, veçanërisht ato me fokus gratë dhe zhvillimin e tyre në fushën e biznesit dhe sipërmarrjes, ku u prezantuan dy platformat elektronike “Rrjeti i profesionistëve” dhe “Si të bësh biznes në Shqipëri”.

Projekti i radhës i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare në bashkëpunim me Cooperazione Italiana dhe IOM, i cili pritet të lancohet më 18 dhjetor është “Connect Albania”. Një projekt ambicioz, i cili do të nxisë ndërmjetësimi e ardhjes së investimeve në Shqipëri nëpërmjet përfaqësuesve të Diasporës.

“Të gjitha këto nuk do të ishin bërë të mundura pa mbështetjen e një personi që ndoshta ka qenë motivatori, inisiatori më i madh në të gjithë vitet e fundit për Diasporën Shqiptare. Ky person ka ndihmuar jo vetëm shqiptarët në Shqiperi, ka mbështetur jo vetëm shqiptarët brenda kufijve të vendit por edhe ata ne Kosovë. Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi. Ndaj në duam të nderojmë me këtë çmim që ne e quajmë “Vizioni  Diasporës Shqiptare”, z. Pandeli Majko, – përfundoi Lekaj.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dhoma e Biznesit, diaspora, nje vit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 302
  • 303
  • 304
  • 305
  • 306
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT