• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A e ka hipotekuar një komunë të re Serbe në Kosovë, për postin e presidentit Hashim Thaçi?

March 2, 2016 by dgreca

Një komunë e re serbe, për zgjedhjen e Thaçit?/

Bashkësia serbe në Kosovë mund ta krijojë edhe një komunë të re me shumicë serbe, të njëmbëdhjetën me radhë.Nenad Rashiq, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar bisedime lidhur me këtë çështje.

Në këtë kontekst, katër fshatrat : Prilluzhë, Plemetin, Babin Most dhe Gracë, do të mund të formonin komunën e re. Këto fshatra aktualisht i takojnë komunës së Vushtrrisë dhe komunës së Obiliqit.Megjithatë, Rashiq mohon se një gjë e tillë ka qenë kusht nga Lista Serbe për të dhënë mbështetjen e deputetëve të saj për zgjedhjen e Hashim Thaçit president i ri i Kosovës.

Sipas tij, kjo më shumë ishte një lloj kompromisi rreth kësaj, siç e ka quajtur, ideje të vjetër, e cila është ringjallur tash.

“Ditëve të fundit kemi intensifikuar disa kontakte dhe për shkak të një nisme të vendosur dhe të pjekur, kemi arritur deri aty që kjo nismë mund të jetë e realizueshme. Sipas procedurës, kjo fillimisht duhet të miratohet në qeveri si propozim e më pas edhe në Kuvend. Mendoj se kjo nuk do të duhej të paraqiste ndonjë problem, për shkak se fuqia politike nuk do të ndryshonte e as interesat e shumicës shqiptare nuk do të cenoheshin”, ka theksuar Rashiq..

Ai ka shtuar që në rast se ekziston vullneti i mirë, një gjë e tillë do të mund të realizohej deri në fund të këtij viti.

Se a kanë votuar ose jo dhjetë deputetët e Listës Serbe për Thaçin, kjo mbetet ende e panjohur, duke pasur parasysh që votimi ka qenë i fshehtë, por e sigurt është që prania e tyre në sallën e Kuvendit të Kosovës, e ka mundësuar kuorumin për zgjedhjen e Thaçit president të ri të Kosovës.

Një nga njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq, vlerëson se në rast që zgjedhja e Thaçit ka kaluar pa ndonjë kusht apo marrëveshje, atëherë Lista Serbe ka probleme të mëdha dhe do të ndëshkohet nga votuesit e saj.

“Do të ishte krejtësisht e papranueshme në rast se nuk janë marrë vesh dhe që pa ndonjë kusht kanë marrë pjesë në zgjedhjen e tij. Ajo komunë e re nuk është asgjë e re, sepse është nismë e mëhershme. Por, nëse ndodhë, gjithsesi që është hap pozitiv”. 

“Prandaj, për këtë shkak, mendoj që serbët është dashur të kenë kushte mjaft të qarta dhe ato në fund t’ua dëshmojnë votuesve, gjegjësisht, popullit të vet, që ai ta di se cilat janë kushtet dhe pse u është dashur t’i japin votim e tyre Hashim Thaçit”, ka theksuar Nojkiq.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme që për një kohë të shkurtë të zbatohet marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjë që sipas tij është dashur të ndodhë deri më tash, por edhe marrëveshjet tjera si telekomi, etj.

Petar Miletiq, ish nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, nuk pret shumë nga presidenti i ri i zgjedhur, Thaçi, kur bëhet fjalë për bashkësinë serbe. Kjo, sipas tij, para së gjithash, për shkak se funksioni i presidentit nuk ka mjaftueshëm pushtet ekzekutiv.

Ai, megjithatë, dyshon se Lista Serbe ka arritur ta imponoj agjendën e vet, “ashtu sikurse nuk ka pasur sukses as më herët, atëherë kur mbështetja e tyre në Kuvend ka qenë e nevojshme”.

Sipas tij, çështja e komunës së re, mund të jetë vetëm një dëshirë.

“Lista Serbe ia mundësoi zgjedhjen Thaçit. Se a kanë ndonjë marrëveshje apo jo, unë thjeshtë, dyshoj, duke pasur parasysh që i njoh mirë zhvillimet. Mbase, siç kanë thënë edhe ata vet, është për stabilizimin e zhvillimeve në Kosovë”. 

“Në këtë moment, as ajo që është nënshkruar në Bruksel dhe që qëndron në dokumentet e Brukselit, madje as ajo në Kushtetutën apo ligjet e Kosovës, kur kjo nuk respektohet, kam frikë se kjo është vetëm ëndërr dhe nuk ndodhë diçka që nuk ekziston në letër”, ka thënë Miletiq.

Në Kosovë, tashmë ekzistojnë 10 komuna me shumicë serbe, prej të cilave 5 janë formuar me procesin e decentralizimit. Në pjesën veriore të lumit Ibër, janë 4 komuna, ndërkaq, 6 të tjera janë në pjesën jugore.

Pushteti i decentralizuar është krijuar në bazë të Dokumentit të Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.( Bekim Beslimi-Europa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: nej komune peng, peng i psotit, Thaci

SUPER E MARTA NE SHBA: Triumfojne Hillari dhe Tramp

March 2, 2016 by dgreca

Trump dhe Clinton arritën fitore në 7 prej 12 shteteve/

Projeksionet tregojnë se republikani, Donald Trump, dhe demokratja, Hillary Clinton, kanë arritur fitore në zgjedhjet për nominim partiak në ditën e njohur si “Super e Martë”, meqë këtë ditë mbahen votime në më së shumti shtete.

Clinton dhe Trump fituan në 7 prej 12 shteteve të Shteteve të Bashkuara, që votuan dje, sipas projeksioneve nga rrjetet televizive, CNN, Fox News, e të tjera.

Kandidati republikan, Donald Trump, fitoi në Alabama, Gjorgjia, Masaçusets, Virxhinia, Arkanzas, Vermont dhe Tenesi, ndërsa demokratja Hillary Clinton, fitoi në Alabama, Gjorgjia, Tenesi, Teksas, Arkanzas, Masaçusets dhe Virxhina.

Rivali i saj, Bernie Sanders, që përshkruhet si demokrat socialist, sipas projeksioneve fiton në shtetin e tij, Vermont, dhe Okllahoma e Kolorado.

Rivali i zotit Trump në mesin e republikanëve, senatori Ted Cruz, ka fituar në shtetin e tij, Teksas dhe në Okllahoma. Kandidati tjetër republikan, senatori Marco Rubio, fitoi në Minesota.

Pas arritjes së fitoreve të vështira në më tepër se gjysmën e shteteve në votimet në Super të Martën, zonja Clinton duket se tash po shikon kah zgjedhjet e përgjithshme dhe kah dueli i mundshëm me zotin Trump, që është një ish-yll televiziv dhe pasanik, që i shpreh hapur opinionet e tij dhe që e ka kundërshtuar migrimin.

“Asnjëherë nuk kanë qenë më të larta qëllimet në këto zgjedhje, derisa në anën tjetër po dëgjojmë një retorikë që kurrë nuk ka qenë më e ulët”, u tha Hillary Clinton mbështetësve të saj në Majami, dhe ka theksuar se “përpjekja për ndarjen e Amerikës ndërmjet neve dhe atyre është e gabueshme dhe nuk do të lejojmë që ajo të funksionojë”.

Donald Trump, po ashtu, duket se tashmë me shumë kënaqësi po fokusohet në zgjedhjet e përgjithshme. Ai e ka kritikuar zonjën Clinton, ish-sekretare e shtetit, dhe ish-Zonja e parë amerikane, duke thënë se ajo është politikane e karrierës, që ka krijuar probleme në Uashington.

“Ajo ishte atje për një kohë shumë të gjatë”, tha Trump në pushimoren e tij luksoze në Floridë, duke u premtuar mbështetësve se do “do ta ndjek” zonjën Clinton.

“Nëse ajo nuk është korrigjuar deri tash, ajo nuk do të korrigjohet gjatë katër viteve të ardhshme”, tha Donald Trump.

Derisa Hillary Clinton, rrugën e deritashme zgjedhore në Partinë Demokratike, e ka kaluar në mënyrë konvencionale, duke u mbështetur në forcën e partisë së saj dhe votat e minoriteteve dhe të tjerëve, zoti Trump në një mënyrë e ka injoruar establishmentin politik republikan, duke udhëhequr në garën zgjedhore partiake për nominim presidencial kundër dëshirës së tyre.

“Nëse Donald Trump e fiton nominimin republikan, kjo do ta ndajë Partinë Republikane dhe fundamentalisht mendoj se do ta ndajë lëvizjen konservatore”, i tha rrjetit televiziv, CBS, kandidati republikan, Marco Rubio, që ishte favorit i establishmentit partiak.

Por, zoti Trump pretendon se është “unifikues”, i cili partisë i ka sjellur votues të rinjë. Thirrjet e tij që dalin nga aftësia për t’i shprehur në mënyrë të zëshme në Uashington shqetësimet e votuesve, zemërimet e tyre dhe frikën nga terrorizmi, imigrimi dhe rritja e ngadalshme ekonomike., e ka bërë atë tërheqës në sytë e zgjedhësve.

Duke ofruar zgjidhje dhe shpeshherë duke përdorë gjuhë gati vulgare, ai ka arritur të bëhet kandidat udhëheqës republikan me premtimin që “Amerika përsëri do të bëhet e mrekullueshme”.

Votimet në ditën “Super të Martë”shtrihen prej shteteve lindore e deri tek ato në Teksas, Minesota dhe Alaska.

Për këtë arsye dhe për shkak të dallimeve kohore, votimet kanë vazhduar praktikisht deri në orët e sotme të mëngjesit në shtetet mëtutje në perëndim, kështu që pritet që numërimi i fletëvotimeve mund të zgjasë disa ditë.

Presidentit aktual, Barack Obama, i kalon edhe mandati i dytë, kështu që pasardhësi i tij do të zgjedhet më 8 nëntor të këtij viti.

Filed Under: Komente Tagged With: Super e marta, triumfojne Tramp dhe Hillari

NE NUK E DUAM NDRYSHIMIN

March 2, 2016 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/

Për t’i analizuar shqiptarët, nevojitet një studim i thellë. Shqiptarët në përgjithësi janë një popull i çuditshëm dhe tragjikomik. Shqiptarit nuk i zihet besë për asgjë, sepse është njeri jo i fjalës dhe i pabesë. Shqiptarët jo që nuk dinë të bëjnë shtet, por nuk duan të bëjnë shtet. Sepse u pëlqen anarkia, u pëlqen të vjedhin, u pëlqen jeta pa ligje dhe rregulla. Prandaj, shqiptarët të gjithë janë njësoj, hajna dhe njerëz që më së paku ose fare nuk e duan atdheun e tyre. Një popull që e do atdheun e vet, nuk e vjedh dhe nuk e plaçkit, kurse ne e kemi gojën plot atdhedashuri dhe si të na jepet rasti bëhemi edhe ne pjesë e vjedhjeve dhe plaçkitjes së shtetit, bashkë me këtë klasë politike, të cilët tash e 17 vite janë Alfa dhe Omega e krimit ekonomik dhe politik të Kosovës. Shikojeni Shqipërinë, që 25 vite nga rrëzimi i komunizmit, akoma shtet jofunksional dhe në vazhdimësi duke u udhëhequr nga një tufë e hajnave, kriminelëve e banditëve.

Komunikimi me njerëzit!
Shikojeni Kosovën, që 17 vite nga çlirimi i saj, shtet jofunksional, duke u udhëhequr po ashtu nga një tufë e hajnave, kriminelëve dhe banditëve, të cilët vetëm e duan pushtetin dhe jo popullin e shtetin. Edhe sot e 100 vite këto dy shtete do të udhëhiqen po nga hajnat e kriminelët, sa do të largohen nga pushteti njëra palë, do të zëvendësohen me palën tjetër që nuk dallon fare me palën që ishte në pushtet. E kjo e gjitha për shkak se kemi patriotizëm fals, nuk e duam atdheun dhe e kemi në gjen hajninë dhe krimin.
Ne jemi një popull që në mundësinë e parë që na jepet, edhe ne bëhemi pjesë e hajnisë, vjedhjes dhe shkatërrimit të shtetit. Këtë e has çdo ditë në komunikim me njerëzit, të cilët çdo sekondë e minutë, e shajnë dhe kritikojnë ashpër këtë sistem kriminal të krijuar në Kosovën e pasluftës.
Nuk jemi për një shtet ligjor dhe shtetndërtim!
Por, sapo kapin ndonjë post të lartë ose ndonjë punë të thjeshtë shtetërore, me fanatizëm e mbrojnë këtë sistem kriminal dhe thonë se nuk bën ndryshe, por duhet t’i përshtatemi dhe pajtohemi me këtë sistem, edhe pse është sistem i kriminal, mafioz dhe shkatërrues. Prandaj, ky popull nuk më bind fare që mund ta ndryshojë këtë gjendje të krijuar në Kosovë, sepse pjesa dërrmuese e këtij populli nuk janë për ndryshime, nuk janë për ekonomi më të mirë, arsim dhe shëndetësi më cilësore. Nuk janë për një shtet ligjor dhe shtetndërtim, por e duan dhe e pëlqejnë këtë sistem. Një popull i vetëdijesuar, një popull që e do atdheun e tij, nuk do të lejonte që 17 vite fatin e tij në dorën e një grushti politikanësh mafiozë, kriminelë dhe injorantë. Me një fjalë, ky popull nuk dallon fare me këta që i kemi në politikë, se tekefundit këta nuk kanë ardhur nga qielli, por janë pjellë e këtij populli.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Nuk e duam ndryshimin, opinion

JU TREGOJ PER ETRITA IBRAHIMIN, PIANISTEN QE E KA NDERUAR KRYEQYTETI ITALIAN

March 2, 2016 by dgreca

Flet nga Roma Etrita Ibrahimi, pianistja e suksesshme, e vleresuar me medaljen e Arte ne Torino dhe e nderuar nga Bashkia e Romes/ 

Interviste nga  Liliana Pere/Histori suksesi/

Etrita Ibrahimi, e lindur dhe e rritur në Tiranë, në një familje të njohur artistësh, u largua nga Shqipëria në vitin 1989, meqenëse, pasi konkuroi për piano në Konservatorin “Giuseppe Verdi” të Torinos (Itali), menjëherë fitoi  bursë studimi për në atë konservator.

Fëmijëria e saj u karakterizua nga prania e vazhdueshme e muzikës dhe e artit, jo vetëm se kishte lindur në këtë mjedis, por edhe sepse që në moshën 4-vjeçare, filloi studimin e pianos me babain e saj, një ndër kompozitorët më të mëdhenj shqiptar, Feim Ibrahimi, për ta vazhduar atë më pas  me suksese të njëpasnjëshme dhe me rezultate të shkëlqyera, në Liceun Artistik dhe në Institutin e Lartë të Arteve, deri në momentin e largimit nga Shqipëria.

Familja e saj është  nga më të njohurat në Shqipëri për vetë faktin e shumëditur se Feim Ibrahimi ishte dhe është një figurë qendrore e muzikës shqiptare, i cili, pavarësisht funksioneve që ka pasur në të drejtuarit e artit muzikor në Shqipëri, ishte dhe personalitet artistik,  çka e dëshmojnë  veprat e tij të të gjitha zhanreve  dhe të cilësuarit nga kritika muzikore si kompozitori që tronditi tabutë e realizmit socialist dhe si i pari që modernizoi muzikën serioze shqiptare.

Pikërisht, me këtë edukatë dhe me këto parime  është mbrujtur Etrita që kur ka lindur, sepse ajo ka jetuar nga afër të gjitha sukseset dhe peripecitë e babait të saj, ka kaluar të gjithë fëmijërinë dhe rininë e saj me shkrimtarët e mëdhenj, Dritëro Agolli e Ismail Kadare, Fatos Arapi apo Xhevahir Spahiu, etj., me kompozitorët e po aq të mëdhenj shqiptarë, si profesori i Feim Ibrahimit, Tish Daija apo Pjetër Gaci, me muzikologun shumëdimensional grek Georges Leotsakos, apo me shkrimtarët e kompozitorët nga Kosova, si Ali Podrimja, Fahri Beqiri, Zeqirja Ballata, Akil Koci, Rafet Rudi; me regjisorët më të mirë si Piro Milkani apo Kujtim Çashku, me koreografin e shquar Agron Aliaj, me të shkëlqyerit instrumentistë apo këngëtarë si Ibrahim Madhi, Margarita Kristidhi, Gjergj Antoniu, Vaçe Zela, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Avni Mula apo profesoreshën e saj Nora Çashku, me të cilët familja e saj ndante orë të shumta dhe ajo rritej me kulturën dhe dijen e këtyre kolosëve të letërsisë e të muzikës, mes një mjedisi të pasur me literaturë artistike dhe muzikore sepse në shtëpinë e tyre librat dhe partiturat ishin pasuria më e madhe.

Në përfundim të studimeve në Torino, ku ajo shkëlqeu  përderisa u diplomua me “Dhjetë dhe lavdërime” (ekuivalente e “Medaljes së Artë), në klasën e Prof. Remo Remoli, një nga studentët më të dashur të pianistit me famë botërore, Arturo Benedetti Michelangeli.

Pas diplomimit në piano, ajo iu përkushtua edhe  të studiuarit  të  klaviçembalos, në klasën e Prof. Giorgio Tabacco, njërit prej klaviçembalistëve më të njohur italianë.

Gjithmonë kërkuese drejt shtigjeve të fushave të ndryshme të artit muzikor, u specializua edhe në mësimdhënien e metodës Suzuki .

Bashkë me dy kolegë të saj torinezë themeluan Assiociazione Musicale Suzuki Vercelli, në të cilin ajo ka edhe funksionin e Presidentit.

Etrita ka një jetë koncertale shumë të pasur, jetë e cila ka filluar që në moshën 10-vjeçare.  Koncerte të shumta recitale apo me orkestër simfonike jo vetëm në Shqipëri, por edhe një radhë  koncertesh në të gjitha qytetet e krahinës së Piemonte-s (Itali) e në qytete të tjera të Italisë (Roma, Milano, Trento, Genova etj.), në Austri, Spanjë, Çeki, Francë, Kosovë, Mal i Zi, Kroaci, Maqedoni etj. Dhe sukseset nuk i kanë munguar  sepse,  perveç ovacioneve, shpeshhere eshtë klasifikuar në vendet e para nëpër konkurse të ndryshme, ka regjistruar disa herë për Radio Televizionin Shqiptar, është ftuar nga Brahmsgesellschaft në Baden-Baden (Gjermani),  ku ka qëndruar disa kohë në Brahmshaus, për të njohur më thellë jetën dhe veprën e Brahmsit.

Profesioni i saj është muzika, pianoja, mësimdhënia, menaxhimi i eventeve muzikore dhe për karrierën që ka zhvilluar në Itali, në vendin që i krijoi mundësinë të thellonte kulturën e aftësitë e saj profesionale dhe personale e ku ajo ka zhvilluar aktivitetin e saj për 22 vjet Bashkia e Romës e ka nderuar Etritën me Çmimin Ndërkombëtar për karrierën “Beato Angelico”, çmim që u jepet artisteve të huaja, për kontributin e dhënë në zhvillimin e kulturës së Italisë.

Etrita thotë se talenti nuk është gjithçka. Ajo që të bën të ecësh perpara, është puna dhe vetëm puna. Rruga e saj drejt suksesit ka qenë e mundimshme, me vështirësi nga më të shumtat, por ajo nuk është ndalur asnjëherë përpara pengesave dhe ka mundur që ta menaxhojë lehtësisht karrierën, pasi çdo gjë ka ardhur natyrshëm që nga momenti që ka krijuar një profil të saj të qartë artistik dhe personal. Ajo është një grua e thjeshtë, plotësisht e ndërgjegjshme për prejardhjen e saj, për arritjet e saj, por gjithmonë shumë kërkuese ndaj vetes dhe asnjëherë plotësisht e kënaqur me atë çka bën, edhe pse tashmë është një artiste në karrierë.Aktualisht ajo jeton në Shqipëri, pasi duhet të ndjekë nga afër procesin e dixhitalizimit të veprave të babait të saj, shpërndarjen dhe ruajtjen e tyre (me të cilat merret Fondacioni Kulturor “Feim Ibrahimi”, ku ajo është Zv/Presidente). Njëkohësisht është Drejtoreshë Artistike e Festivalit Pianistik Ndërkombëtar “Pianodrom”, si edhe pianiste në Teatrin e Operës dhe të Baletit në Tiranë.Etrita thotë se gruaja është një burim i pashtershëm energjie dhe ajo është në gjendje të kontrollojë dhe të organizojë gjithçka dëshiron. Gratë shqiptare në veçanti, kanë një karakter të fortë që i bën ato të jenë nëna të përkushtuara, bashkëshorte ideale, menaxhere të shkëlqyera dhe askush nuk duhet të lejojë që mbi to të ushtrohet çdo lloj presioni o dhune, psikologjike ose fizike. Ato vetë nuk duhet, kurrsesi, të pranojnë keqtrajtime nga askush dhe shoqëria shqiptare duhet t’i mbrojë ato me çdo kusht.

Ndiqeni bashkëbisedimin: 

_E dashur Etrita Ibrahimi: – A mund të më thoni si ka lindur tek ju dëshira për t’u marrë me Art? Mund të më tregoni hapat e parë dhe fillimet tuaja në këtë rrugë të bukur dhe po aq të vështirë, kush ka qene iniciuesi i zhvillimit te talentit tuaj ? Permendni disa emra qe ju kanë lënë mbresa në formimin tuuaj artistik ju lutem?

Pergjigjet Etrita Ibrahimi: -Studimet e pianos unë i kam filluar në moshën 4-vjeçare dhe babai im, kompozitori Feim Ibrahimi, ishte ai që më ndihmoi në rrugën drejt artit, pasi ishte edhe mësuesi im i parë. Në të vërtetë dëshira e tij ishte që unë  të studioja piano deri në klasën e 8-të për të pasur vetëm njohuri të mjaftueshme për sa i përket muzikës, duke qenë se edhe jetoja në mjedis artistësh,  dhe më pas të merrja një drejtim tjetër. Por në fakt që në vitet e para të studimeve u duk se aftësitë e mia nuk ishin të pakta, meqenëse fitova disa herë çmimin e parë në konkurset e talenteve të reja, si edhe luajta dy herë si soliste me orkestër në vitet e shkollës 8-vjeçare dhe në përfundim të saj, mësuesja ime (më e mira që ka ekzistuar në Shqipëri për sa u përket moshave nga 6 deri 13 vjeç),   e nderuara znj. Lali Gabeci (Hakiu), këmbënguli  që të vazhdoja studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, pasi mendonte që unë kisha të gjitha aftësitë e duhura për ta bërë muzikën dhe pianon profesionin e jetës sime, kështu edhe im atë, që i kishte parë rezultatet e punës së bërë në vitet e fëmijërisë, mendoi se mësuesja ime kishte të drejtë dhe më “lejoi” që të merrja pjesë në konkursin e pranimit në lice. Kështu filloi – ose më mirë të themi vazhdoi – rruga ime drejt artit.Kur isha vetëm 15 vjeç, luajta Koncertin n. 1 për piano dhe orkestër të L. V. Beethoven-it, e shoqëruar nga orkestra e RTSH-së, nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Ferdinand Deda, i cili pati një sukses të madh dhe më pas jeta ime vazhdoi duke kaluar nga një recital në tjetrin, deri në koncertin e fundit – para largimit nga Shqipëria – kur luajta njërin nga koncertet për piano dhe orkestër të J. S. Bach-ut, e shoqëruar nga orkestra e harqeve e Institutit të Lartë të Arteve, nën drejtimin e të paharruarit Ibrahim Madhi.

– Di që ju tani jetoni në Shqipëri dhe jeni një profesioniste mjaft e vlerësuar; do të mund të më thonit dicka më shumë rreth aktivitetit tuaj?

Etrita Ibrahimi:- Vitet e jetës në Itali, janë karakterizuar nga prezenca e koncerteve të vazhdueshme si në vendin tim të dytë, ashtu edhe jashtë tij. Repertori im i përfshin të gjithë autorët barokë, klasikë, romantikë, impresionistë (po përmend vetëm disa: Bach, Mozart, Beethoven, Chopin, Brahms, Rachmaninov, Franck, Debussy, Prokofiev, Poulenc, etj.). Kam luajtur në salla dhe në teatro të shumta; disa prej tyre janë Teatro dell’Archivolto (Genova), Palais Palffy (Vjenë), Teatro i muzikës së dhomës “Rosalia Castro” në La Coruña (Spanjë), në Mimara (Zagreb), etj., etj. Kam marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe mbas 15 vitesh aktivitet koncertal dhe pedagogjik, Bashkia e Romës më nderoi me çmimin ndërkombëtar “Beato Angelico”, i cili i jepet artisteve që kontribuojnë në zhvillimin e jetës kulturore të Italisë.

Kam ardhur në Shqipëri me dëshirën time dhe sidomos me dëshirën e bashkëshortit tim, Alessandro (Giampietro), i cili ishte nismëtari i transferimit tonë këtu. Arsyeja e vetme që na bëri të vinim, ishte dëshira për të ndjekur nga afër (pasi nga Roma ishte thuajse e pamundur) veprat e babait tim.

Unë nuk kam vëllezër e motra, jam vajzë e vetme dhe askush tjetër përveç meje, nuk mund ta bënte këtë. Kështu, në fund të vitit 2010, morëm gjithçka kishim dhe erdhëm për të ndjekur ëndrrën tonë në Shqipëri. Alessandro është pika ime kryesore e referimit. Ai është këshilltari në familjen tonë dhe unë , edhe pse nuk doja fillimisht, ndoqa idenë e tij për të ardhur këtu dhe për të ndjekur (të paktën për një periudhë disavjeçare) atë që për familjen tone është themelore: veprat e Feim Ibrahimit! Mbas vështirësive të para sepse nuk është e lehtë të rifillosh jetën në vendin tënd pas 22 vjetëve, mund të them që kam arritur një status të kënaqshëm për një artist. Përveç koncerteve të shumta që realizoj në Shqipëri dhe jashtë saj, aktualisht jam pianiste në Teatrin e Operës dhe të Baletit, si edhe drejtoreshë artistike e Festivalit Ndërkombëtar “Pianodrom”, i cili është festivali më i rëndësishëm pianistik dhe muzikor në Shqipëri.

Duke qenë se arsyeja e kthimit tim këtu, është krijimtaria e babait tim, jam edhe pjesë e këshillit aktual drejtues të Albautor-it, por të them të vërtetën, zbatimin e ligjit mbi të drejtën e autorit, e shoh shumë, shumë të vështirë në Shqipëri. Mendoja se duke qenë këtu personalisht, do ta kisha më të lehtë, por po konstatoj që në këtë pikë kam gabuar…! Shpresoj që të ndryshojë diçka në këtë drejtim por,  me sa shihet, rruga drejt vendosjes së rregullave mbi pronësinë intelektuale, është shumë e gjatë.

–Znj Etrita Ibrahimi: Si janë marrëdhëniet tuaja në përgjithësi me Artin, produksionin…? Keni ndonjë hobby të cilin e ushtroni apo i përkushtoheni?

Etrita Ibrahimi-Jeta ime është lidhur me artin që në ditën e parë që mamaja ime, Vera, më ka pasur në trupin e saj. Fëmijët kur janë në barkun e nënës ndiejnë gjithçka, aq më shumë muzikën, e cila është shumë e këshillueshme në 9 muajt e shtatzanisë së një gruaje. Këtë, përveç se e kam studiuar, e kam eksperimentuar me djalin tim, por edhe me veten time sepse muzika më e thjeshtë për t’u luajtur dhe kuptuar, për mua është muzika e tim eti, te cilën e kam dëgjuar edhe para se të lindja. Asnjëra nga veprat e tim eti, sado e vështirë të jetë ajo, nuk përbën probleme të pakapërcyeshme për mua, pra muzika dhe arti janë pjesë e ADN-së sime.

Por ato nuk janë gjithçka për mua, natyrisht: jam shumë e apasionuar mbas librave, kinemasë, udhëtimeve (por që për shkak të mungesës së kohës nuk arrij t’i kryej aq shpesh), si edhe tenisit e volejbollit.Në fakt, ajo që më intereson më shumë se çdo gjë tjetër është edukimi i tim biri, pasi nga ky varet e ardhmja e tij dhe kësaj po mundohem t’i përkushtohem më tepër se çdo aspekti tjetër të jetës sime.

-Ju jeni diplomuar në piano. Cilat kanë qenë raportet me personalitetet e artit dhe çfarë mbështetjeje keni pasur prej tyre? Ç’mund të  kujtoni?

Etrita Ibrahimi:- Kësaj pyetjeje e kam pak të vështirë t’i përgjigjem, të them të drejtën. Per hir të së vërtetës, në vitet e studimit dhe të qëndrimit në Itali, nuk kam pasur shumë nevojë për mbështetjen e dikujt. Në jetën time atje,  kam takuar shumë njerëz, shumë personazhe dhe personalitete, por gjithçka që kam bërë, e kam bërë me forcat e mia, pa i kërkuar asgjë askujt. Mbi të gjitha më ka ndihmuar fakti që studimet i bëra në atë vend dhe në ato vite, duke u angazhuar në koncerte sa herë që më kërkonin,  pata mundësinë t’u tregoja të tjerëve nëse vleja dhe sa vleja gjithashtu. Kështu u krijuan kontaktet dhe gjithçka erdhi natyrshëm, pavarësisht vështirësive të tjera të panumërta. Pas diplomimit në piano, studiova edhe klaviçembalo, bëra edhe kurse të tjera specializimi, kështu që munda të fitoja sqimën dhe respektin e njerëzve që më rrethonin, çka u konkretizua me kërkesat e tyre për bashkëpunime të përbashkëta, të shumta dhe afatgjata.Nuk mund të them që të njejtën klimë gjeta kur erdha në Shqipëri…përkundrazi…! Edhe pse unë nuk isha e panjohur në këtë vend (për emrin e tim eti, për emrin që kisha lënë unë para se të largohesha për studime dhe për vetë koncertet e pandërprera që bëja këtu, duke u kthyer herë pas here nga Italia përgjatë 22 viteve), fillimisht nuk u krijua asnjë mundësi për të më hapur një shteg, përkundrazi…edhe  një vend që ishte i mundshëm në atë moment, u mbyll në mënyrë shumë të turpshme … As nuk dua ta përmend këtu por sigurisht,  ata që e dinë këtë fakt, do të kujtohen  nëse do ta lexojnë këtë intervistë, pavarësisht se nuk do t’u pëlqejë ta kujtojnë…!

Gjithsesi,  koha kaloi dhe unë sigurisht që nuk u dorëzova sepse isha e kalitur nga kjo anë, pasi në vitet 1990-1994, kur Shqipëria na preu bursat ne studentëve që kishim shkuar për studime para vitit 1990, kam jetuar momente jashtëzakonisht të vështira, të cilat kanë vulosur përgjithmonë jetën time. I jam përjetësisht mirënjohëse vetëm familjes Nisi, prindërve të mikes sime Gabriella, me të cilën isha shoqe në shkollë dhe që tani i konsideroj si familjen time të dytë, pasi më vunë shtëpinë e tyre në dispozicion dhe aty kam jetuar për rreth 4 vjet, deri në përfundimin e studimeve të mia, kështu të paktën kisha një çati mbi kokë (siç thonë italianët!). Mund të them që ajo ka qenë periudha më e keqe e jetës sime… isha fare e re dhe sapo kisha filluar të fitoja konkurse të ndryshme interpretimi, të cilat janë ato që nëse i fiton, të hapin dyert e karrierës, por nëse ti nuk merr pjesë, rrugën drejt suksesit e ke shumë më të vështirë. Rasti im, ishte ky i dyti sepse për shkak të mungesës së mjeteve ekonomike, nuk munda të marr më pjesë…por me durim dhe duke mos u demoralizuar asnjëherë vazhdova rrugën time, duke u angazhuar në të gjitha aktivitetet e mundshme, derisa arrita me ndershmëri rezultatin e dëshiruar. Edhe këtë herë, kur erdha këtu në Shqipëri, kalova një periudhë të zezë, per shkak të padrejtësisë dhe frymës negative që gjeta këtu, por më në fund disa persona besuan tek unë dhe më vunë në provë dhe ja ku jam sot… Përsëri mund të them me plot gojën se gjithçka që kam bërë në jetën time, e kam bërë vetëm në sajë të forcave dhe te aftësive të mia… Asgjë më pak ose më shumë!

–E dashur Etrita Ibrahimi: Sa kadegorike jeni kur punoni? Sa këmbëngulëse është Etrita në projektet e saj? Si janë raportet me to?

Etrita Ibrahimi:- Natyra më ka bërë shumë të përpiktë dhe këmbëngulëse! Unë kam lindur në shtator dhe jam një shembull tipik i shenjës së Virgjëreshës!!! Përveç kësaj, studimi i një instrumenti ka bërë që unë të jem akoma dhe më e saktë e më kërkuese  në gjithçka që bëj. Muzika nuk pranon kompromise, unë gjithashtu! Nëse marr përsipër të bëj diçka, do ta bëj patjetër. Jam shumë kategorike përsa i përket punës dhe shpeshherë kjo nuk u pëlqen njerëzve që më rrethojnë… E unë natyrisht, vazhdoj…!

– Znj. Etrita: Çfarë motivi gjeni ju në jetën tuaj, nga se frymëzoheni? Tregoni ju lutem një emocion të ndonjë ndjesie të thjeshtë që ta përftojmë me shumë dashuri dhe sensibilititet  të gjithë ne…

Etrita Ibrahimi- Për sa kohë im atë ka jetuar në këtë botë, frymëzimi im ka qenë ai…! Ai më ka mësuar gjithçka dhe, siç e kam përmendur edhe më sipër,  ka qenë mësuesi im i parë i pianos. Kishte besim tek unë, por asnjëherë nuk mbetej plotësisht i kënaqur (ndoshta për këtë arsye edhe unë vetë s’kënaqem kurrë me veten!). Përpara çdo koncerti ose provimi, mami dhe ai kanë qenë publiku im…publiku më kritik për më tepër! Sot frymëzimi im eshtë ai, muzika e tij dhe familja ime…! Sot publiku im përpara koncerteve, është kryesisht mami, por edhe bashkëshorti dhe djali im që më thotë pa doreza nëse i pëlqej ose jo!!! Këto janë personat që motivojnë jetën time, është Mattia, djali im, i cili është një përzierje e perkryer  ndërmjet prindërve të mi dhe tim shoqi. Nuk e di nëse ai do të ketë një të ardhme të lidhur me muzikën, por për momentin reagon shumë mirë ndaj saj. Ka hyrë për herë të parë në një sallë koncertesh kur ka qenë vetëm 9 muajsh dhe që nga ajo moshë, ka ndjekur të gjitha koncertet, operat dhe baletet në të cilat unë kam vajtur. Në fillim nuk donin të më linin të hyja me një foshnjë në sallë (krejt normal),  ndërsa tani, nëse nuk e marr ndonjëherë, me pyesin se ku është…

– Si ju duket  zhvillimi i Artit në Shqipëri?  Si e sheh atë, një artiste që ka jetuar për shumë vite në vendet perëndimore?

Etrita Ibrahimi-:Jam e sigurt që artistët shqiptarë kanë energji dhe aftësi të pashtershme; çdo brez që vjen ka shumë elementë të vlefshëm, të cilët me talentin dhe punën e tyre arrijnë rezultate të shkëlqyera. Mendoj se vendi ynë duhet t’i vleresojë më shumë njerëzit që zhvillojnë kulturën dhe të mos i detyrojë ata që të ikin në vende të tjera për të siguruar të ardhmen e tyre. Njerëzit e vlefshëm na duhen shumë sepse kultura jonë ka nevojë të zhvillohet e të mos mbetet aty ku ka qenë. Për këtë duhet që edhe kushtet të jenë më të mira, pasi na mungojnë mjetet e punës, na mungojnë sallat e klimatizuara dhe një artist nuk mund të performojë në një sallë ku i ngrijnë gishtat ose në instrumente që nuk u  përgjigjen kërkesave të një profesionisti. Personalisht, pas një koncerti të zhvilluar vjet në dhjetor, jam betuar që nuk bëj më koncerte në dimër në Shqipëri…! Sikur këtu gjithçka të funksiononte si në vendet evropiane, arti ynë do të ishte disa herë më lart, pasi nuk na mungon talenti, por stimujt për ta bërë artin pjesë të pandarë të jetës sonë.

–Znj Etrita: Jeni një artiste e vlerësuar dhe e dashur për publikun. A ju suporton familja dhe a është një mbështetje  permanente? Mund te na flisni per familjen tuaj per njohje me te plotë , per lexuesit, ju lutem me tepër  ?

-Etrita Ibrahimi- Familja është boshti i jetës sime: rreth saj rrotullohet gjithçka që ka të bëjë me mua, por edhe ajo rrotullohet rreth meje…! Pa mbështetjen e mamasë sime dhe të tim shoqi, unë nuk do të mund të bëja asgjë.

Ndihma e mamit, në veçanti, është e papagueshme; ajo ka disa vite që sakrifikon kohën e saj per të më krijuar të gjitha mundësitë që unë të merrem vetëm me punën time dhe (në disa aspekte) me djalin tim, i cili është në një moshë të vogël dhe ka nevojë sigurisht për praninë e vazhdueshme të prindit.

Më vjen keq që nuk e kam falenderuar asnjëherë aq sa duhet për përkushtimin e saj, por po shfrytëzoj këtë rast për t’i thënë publikisht se i jam mirënjohëse për gjithçka bën për ne të gjithë sepse pa ndihmën e saj, unë s’do të mund të bëja dot asgjë…!

Në fakt mamasë sime i jam mirënjohëse për shumë arsye: e para është që më ka dhënë edukatën e nevojshme për të qenë një njeri i ekuilibruar, objektiv, i drejtpërdrejtë, këmbëngulës, studioz dhe asnjëherë shpirtkeq. Mund të them që ajo që më bën të jem krenare për prindërit e mi, përveç të tjerave, është fakti që prej tyre kam trashëguar të qenit me këmbë në tokë gjithmonë, pa vuajtur kurrë nga deliri i madhështisë, pavarësisht statusit tim dhe të familjes sime.

Mami ka qenë një bashkëshorte e shkëlqyer, një shoqe e vërtetë jete për babain tim, ajo është një grua shumë e matur dhe jashtëzakonisht e kulturuar dhe e ditur.

Letërsia, profesioni i saj, është ajo që e përfaqëson atë në mënyrën më të plotë, por ajo është një njohëse e vërtetë e muzikës dhe e artit në përgjithësi dhe jo më kot është spektatori dhe kritiku im i parë përpara çdo koncerti.

Mund të them me plot gojën që jam me fat dhe krenare që kam një nënë si ajo dhe që jeta më ka dhënë mundësinë të jem e bija e Vera dhe Feim Ibrahimit.

***

– A jeni e e mbushur me sadisfraksion per sukseset e arritura,   deri tani?

– Etrita:- Në të vërtetë, natyra ime është shumë kërkuese dhe nuk kënaqet asnjëherë krejtësisht me atë që bën, por mund të them që kam arritur disa gjëra që i kisha vënë si qëllim vetes që kur isha studente në Torino…! Megjithatë, akoma nuk kam realizuar plotësisht atë për të cilën kam ardhur në Shqipëri: të ndjek gjithçka ka të bëjë me veprat e babait tim, të publikoj dhe regjistroj veprat e tij.

Znj.Etrita Ibraimi: Ju jeni plot energji e ide…me nje edukim te thelle per punen me artin. Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

Etrita Ibrahimi:- Projektet e ardhshme janë vazhdimësia e atyre që kam filluar : dixhitalizimi i sa më shumë veprave të babait tim, përgatitja e edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar “Pianodrom”, projektet për koncertet e mia të ardhshme. Natyrisht,  është po aq e rëndësishme  puna ime në Teatrin e Operës. Ndërkohë do të vazhdoj punën per të drejtat e autorit që është një aspekt tepër problematik dhe që duhet të gjejë një zgjidhje të shpejtë.Por “projekti” më i madh dhe më i rëndësishëm  i të gjithë jetës sime është: të bëj ç’është e mundur që im bir të marrë një edukim të thellë dhe të gjithanshëm, në mënyrë që  ditën kur do të zgjedhë atë që do të dëshirojë të jetë, ai të jetë plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i bindur për atë që do të bëjë. Dua që të ndjehet i lumtur për zgjedhjet e tij… Dua që të ndjehet  krenar kur të thotë se është djali i Etrita Ibrahimit…!

– Cili do te ishte mesazhi juaj per gruan shqiptare, rolin , pozocionin qe ka ajo sot , dhe sa bën shoqëria per te?

Etrita Ibrahimi: Gruaja është një burim i pashtershëm energjie dhe ajo është në gjendje të kontrollojë dhe të organizojë gjithçka dëshiron. Gratë shqiptare në veçanti, kanë një karakter të fortë që i bën ato të jenë nëna të përkushtuara, bashkëshorte ideale, menaxhere të shkëlqyera dhe askush nuk duhet të lejojë që mbi to të ushtrohet çdo lloj presioni o dhune, psikologjike ose fizike. Ato vetë nuk duhet, kurrsesi, të pranojnë keqtrajtime nga askush dhe shoqëria shqiptare duhet t’i mbrojë ato me çdo kusht.

Në fund dëshiroj t’ju falenderoj ju, znj. Liliana për intervistën e detajuar, për gjithçka ju dhe organizata GSHB, bëni për lartësimin e figurës së gruas shqiptare në përgjithësi dhe ju falenderoj që na bëni të mundur të gjithëve, nëpërmjet gazetës “Dielli/The Sun”, që të njohim figurat e grave më të suksesshme shqiptare, të cilat i dedikojnë jetën e tyre familjes, karrierës dhe zhvillimit të personalitetit të kombit dhe shoqërisë sonë.

-Ju faleminderit e dashur Etrita Ibraimi.Uroj që sukseset për ju te mos mbarojnë. Mund të them që jam krenare per ju, përveç të tjerave, është fakti që prej prindërve keni trashëguar të qënit me këmbë në tokë gjithmonë, pa vuajtur kurrë nga deliri i madhështisë. Jeni nje inspirim për cdo  grua, me edukatën, vullnetin , suksesin, dhe te gjitha virtytet model qe keni. Edhe njëherë  Faleminderit.

Dr. Liliana Pere/ Ing Informatic

President: International Organization.

” Albanian Woman in the World

Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Etrita Ibrahimi, Interviste, Liliana Pere

Polonia nderon luftëtarët antikomunistë

March 2, 2016 by dgreca

Nga Beqir SINA – New York/
1 Marsi është përkujtuar pasi shënon përvjetorin e masakrës së regjimit komunistë më 1951, ekzekutimit të shtatë udhëheqësive të rezistencës anti-komuniste në burgun e Varshavës, pas një gjykimi para një gjykate ushtarake, që ishte për të mbjellë frikë në popull.
communist-party-headquarters-Buzludzha-Bulgaria-8.jpg
WARSAWE – POLONI : Polonia të martën ka nderuar mijëra luftëtarë anti-komunistë, ish të burgosur politik, të interrnuar në kampet e interrnimit, të persekutuar dhe vrarë gjatë viteve të para të pas luftës kur Polonia, ishte e “imponuar” nga regjimit sovjetik .
Polonia deri në largimin nga kampi socialist, e cila erdhi më rrezimin e komunizmit në vend, këto shtresa ishin injoruar deri në ekzistencën e tyre, në librat e historisë për dekada të tëra.
Polonia, kështu mund të quhet se u bë vendi i parë nga ish vendet komuniste, që cakton një datë përkujtimore, për ata që ajo i quan luftëtarët anti-komunistë, ish të burgosur politik, të interrnuar në kampet e interrnimit, të persekutuar dhe vrarë gjatë viteve të sundimit komunist në vend.
Ritet për të përkujtuar këtë ditë u mbajtën në në mbarë vendin, të udhëhequr nga presidenti Andrzej Duda, dhe anëtarë të parlamentit dhe qeverisë, personalitete të larta polake, dhe përfaqësues të korit diplomatik në Warshavë.
Presidenti Andrzej Duda, tha me rastin e kësaj dite se : “Këto janë pjesë e përpjekjeve të Polonisë demokratik të njohin sakrificën e burrave dhe grave që e kundërshtuan në mënyrë aktive regjimin komunist, i cili mori pushtetin në vitin 1944, e ndihmuar nga Ushtria e Kuqe, ruse, pjesë e së cilës, ishte Polonia, duke mposhtur trupat gjermane në fund të Luftës së Parë dhe Dytë Botërore. Luftëtarët anti- komunistë, ishin një temë tabu nën komunizëm. Një festë kombëtare në kujtesën e tyre është themeluar në vitin 2011, por statusi i saj dhe forma është ngritur këtë vit nga qeveria e re, konservatore që mori pushtetin në nëntor dhe ka për qëllim për të rivendosur kapitujt e harruar ose të ndaluar të historisë së Polonisë” tha ai.
Këta luftëtarë “janë në anën e një Polonie të lirë, demokratike dhe një Polonie perendimore, një Polonie ku ata luftuan deri në fund dhe nuk u dorëzua kurrë,” tha Duda në një ceremoni në Pallatin Presidencial, duke shtuar se dënimet për këto aktivitete në atë kohë përfshinte “burg, tortura, vuajtja dhe dhimbje. “
Polonia ka zgjedhur datën 1 Mars për të përkujtuar këtë ditë, mbasi ajo shënon përvjetorin e masakrës së regjimit komunistë më 1951, ekzekutimit të shtatë udhëheqësive të rezistencës anti-komuniste në burgun e Varshavës, pas një gjykimi para një gjykate ushtarake, që ishte për të mbjellë frikë në popull. Trupat e tyre, si ato të viktimave të tjera të regjimit, janë hedhur në gropa të përbashkëta e të pashënuar në terren. Disa prej këtyre varrezave masive nuk janë gjetur deri më sot. Por kërkimet vazhdojnë në bazë thënjesh nga njërëz që kan qenë dëshmitar të kohës.
Eshtrat e mbi 100 viktimave, në një gropë të pashënuar, u zbuluan në vitin 2012 në një lëndinë në një varrezë të Varshavës. Disa prej tyre janë identifikuar përmes ADN-së, dhe përputhen me të dhënat e afërmeve të tyre të jetesës. Zona, aty tani është kthyer në një vend përkujtimor për të gjithë ata që u vranë nga 1944-56. Zyrtarët e shtetit dhe familjet e viktimave vendosën kurora atje të martën.
Në bazë të dokumenteve të mbetura deri tani gjatë periudhës të krimeve komuniste, historianët vetëm përafërsisht mund të llogarisin numrin e të vrarëve në mes 8,600 deri në 25.000. Kishte mijëra të tjerë që mbijetuan burgjet komuniste. Shumica e tyre ishin anëtarë të mëparshme të rezistencës së luftës që luftuan kundër pushtimit gjerman të Polonisë, dhe rrëzimin e komunizmit.
IBNA2.jpg

IBNA3.jpg

Poland_Institute_o_3578106k.jpg

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, dhe nderon antikomunistet, diten e masakres, Polonia perkujton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3039
  • 3040
  • 3041
  • 3042
  • 3043
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT