• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një vit pas përmbytjeve- Ambasadori Lu dhe Rama në Fier: Fonde për fermerët

February 25, 2016 by dgreca

USAID së bashku me qeverinë shqiptare do mbështesin me 750 mijë dollarë fermerët e fshatit Kafaraj të Fierit, kultivues të luleshtrydheve. Serat e luleshtrydheve, që cilësohen si ari i kuq, një vit më parë u përmbytën. Dje këtë situate e panë ambasdori Donald Lu dhe kryeministri Rama. Gjatë takimit me fermerët Ambasadori Lu u shpreh se, “Ministri Panariti më tha të hënën se qeveria po ia kalon bashkive përgjegjësinë dhe autoritetin për parandalimin e përmbytjeve. Ne e mbështesim plotësisht këtë nismë dhe i bëjmë thirrje qeverisë t’u japë atyre jo vetëm autoritetin, por edhe burimet teknike dhe monetare, që ta zgjidhin këtë problem. Reforma territoriale dhe administrative kishte për qëllim të përmirësonte sigurimin e shërbimeve në nivel lokal”. Ndërsa zoti Rama tha se, pas përmbytjeve dhe rikthimit në normalitet, rekuperimi i dëmeve tashmë është një premtim i mbajtur. Sfida e radhës, sipas tij, është çuarja përpara e këtij projekti, që marka e luleshtrydheve “Made in Albania” të çertifikohet dhe të bëhet e besueshme ndërkombëtarisht.

Filed Under: Kronike Tagged With: Lu dhe Rama, ne Fier, Nje vit pas permbytjeve

Kosovë-Protestë, festë…

February 25, 2016 by dgreca

-Liderët opozitarë, konferencë shtypi një ditë para seancës së Kuvendit për Presidentin e Kosovës/

-Opozita në ditën e tretë të protestës “non-stop”, maxhoranca paralajmëron nesër festë për zgjedhjen e Presidentit/

-Nuk është e sigurt nëse deputetët e Listës Serbe do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit, sipas medias serbe, e cila citon kryetarin e Listës, Slavko Simiç/

PRISHTINË, 25 Shkurt 2016-B.Jashari/ Liderët e opozitës sot pasdite në ora 16:00 mbajnë konferencë shtypi në shesh në Prishtinë, atje ku protesta “non-stop” kundër qeverisë, kundër seancave plenare të Kuvendit  dhe kundër zgjedhjes së Presidentit të Republikës, e me kërkesë për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, ka kaluar natën e dytë dhe po vazhdon sot në ditën e tretë , ndërsa për nesër është paralajmëruar “gjithëpopullore” derisa në orën 11:00 Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të vetme të rendit të ditës: Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.Por, “festa do jetë më e madhe se protesta”, janë paralajmërimet nga partia më e madhe e maxhorancës, PDK, lideri i së cilës, Hashim Thaçi, tashmë edhe zyrtarisht është kandidat për President Republike.“Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është nënshkruar nga 43 deputetë të Kuvendit, konform nenit 69, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërsa për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës janë nominuar dy kandidatë: Hashim Thaçi dhe Rafet Rama”, ka njoftuar dje pasdite kryeparlamentari Kadri Veseli në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, ku nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti, nga VV, ka hedhur gaz lotsjellës e më pas është arrestuar.

Ndërkohë është njoftuar se, strukturat e degës në Mitrovicë të Partisë Demokratike të Kosovës “vendosën që të festojnë së bashku në Prishtinë”. “Urojmë që procesi i zgjedhjes së Presidentit të kaloj pa probleme, siç i ka hije vendit tonë!”, thuhet në njoftimin e tyre.“Zgjedhja e Thaçit president mes protestës e festës”, është një nga kryetitujt e ballinave të shtypit të sotëm në Prishtinë.Gazi lotsjellës që u hodh të mërkurën në mbledhje të Kryesisë nuk e ka parandaluar koalicionin qeverisës që edhe zyrtarisht për të premten ta caktojë seancën, kur Hashim Thaçi do të votohet president i Kosovës, shkruan Koha Ditore.Është hera e dytë që opozita, përveç sallës plenare, gaz lotsjellës hedh edhe në mbledhje të Kryesisë. Veprime të tilla brenda dhe jashtë Kuvendit opozitarët kanë paralajmëruar edhe ditën kur do të votohet presidenti i ri.

Ndërsa, PDK-ja ka disa ditë që po përgatit festë për aktivistët e vet ditën kur kryetari i tyre do të mund të inaugurohet shef i shtetit. Për shkak të procedurës që kërkohet, Thaçin formalisht do ta sfidojë bashkëpartiaku Rafet Rama.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka folur i nervozuar pas mbledhjes së Kryesisë, i ka ftuar qytetarët t’i ruajnë familjet e tyre. Ndërsa, situatën në të cilën po futet Kosova e ka përshkruar pak më shumë sesa serioze, shkruan gazeta. “E premtja e Thaçit”, është kryetitulli i gazetës Zëri, e cila thekson se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, do të votohet të premten në Kuvendin e Kosovës për president të shtetit. Kundërkandidat i tij do të jetë bashkëpartiaku, Rafet Rama, i cili do të dalë në votim vetëm për t’ia plotësuar “radhët”. Opozita ka paralajmëruar protestë kundër zgjidhjes së presidentit, ndërsa PDK-ja manifestim pro ngjitjes së Thaçit në “fron”.

“Haradinaj: Mos e thelloni krizën”, ësht tull balline i gazetës Epoka e Re, ku theksohet se, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se insistimi i qeverisë aktuale për ta vazhduar punën është duke e thelluar edhe më shumë krizën politike në vend.

 “Mungesa e reflektimit dhe insistimit për të vazhduar është duke e thelluar më shumë krizën politike në vend dhe po ia vonon Kosovës mundësinë për t’u nisë së mbari”, citohet Hradinaj në intervistë. “Deri në dorëheqje të qeverisë apo në shpalljen e zgjedhjeve ne do të jemi në shesh dhe nuk do të tërhiqemi”, ka paralajmëruar lideri i AAK-së, një prej tre subjekteve të opozitës së bashkuar.

Ndërsa sipas medias serbe, kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiç thotë se nuk është e sigurt nëse deputetët e Listës Serbe do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit në të cilin do të zgjidhet Presidenti i Kosovës.

Simiç i ka thënë agjencisë Beta se mbrëmë “demonstrativisht” e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e cila pas gazit lotsjellës ishte vazhduar në një sallë tjetër.

Ai ka shfaqur pakënaqësi që mbledhja e Kryesisë u thirr vetëm shtatë minuta para se të fillonte, transmeton Koha.net.
“Në vazhdim të mbledhjes kam thënë se jam kundër mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të mbahet të premten. Lista Serbe ka kërkesa që dalin nga Marrëveshja e Koalicionit PDK – LDK, si dhe kërkesa që dalin nga Marrëveshja e Brukselit që kanë të bëjnë me interesat e bashkësisë serbe në Kosovës e që nuk janë përmbushur”, ka thënë Simiç për median serbe, të cilës i referohet media në Kosovë.“Ne me partnerët tanë të koalicionit kemi pasur disa konsultime lidhur me mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme, por nuk kemi pasur qëndrim zyrtar para se të mos i definojmë kërkesat tona që duhet të zgjidhin problemet e bashkësisë serbe në Kosovë”, ka saktësuar Simiç duke shtuar se “para se ta braktisja i kam mbledhjen e Kryesisë, kam lutur që seanca të mos caktohet të premten dhe derisa të mos merremi vesh për një dokument valid që do të garantonte se kërkesat tona të realizohen dhe kët dokument do ta nënshkruanim bashkërisht”.Sipas fjalëve të tij, nëse kjo nuk ndodh është e pasigurt jo vetëm nëse deputetë do të votojnë, por edhe a do të marrin fare pjesë në mbledhjen që në rend dite e ka zgjedhjen e presidentit të ri, raporton media.Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në Kuvendin e Kosovës, në votimin e parë e të dytë duhen dy të tretat e votave, së paku 80 nga gjithësej 120 deputetët, e në votimin e tretë së paku një më shumë se gjysma – 61.Aktualisht, grupet parlamentare, i PDK-së me 35 e i LDK-së me 33, së bashku kanë 68 deputetë, votat e të cilëve mjaftojnë për zgedhjen e Presidentit në raundin e tretë. Ndërsa, për të pasur kuorumin e nevojshëm dhe zgjedhjen në raundin e parë e të dytë duhen së paku dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe votat e tyre.

Në rrethanat kur nuk mund të llogaritet në votat e opozitës, për zgjedhjen e Presidentit në raundin e parë e të dytë duhen edhe votat e komuniteteve pakicë, pjesë e koalicionit qeverisës – nga grupet parlamentare Lista Serbe me 11 dhe Gjashtë Plusi me 6, gjithësej 17 deputetë.  Të katër grupet parlamentare të koaliciont qeverisës – PDK, LDK, Lista Serbe dhe Gjashtë +,  së bashku kanë gjithësej 85 deputetë.

Pa grup parlamentar janë 4 deputetë dhe mund të llogaritet edhe në vota të tyre pro zgjedhjes së Presidentit. Por, në anën tjetër, ka ndonjë deklaratë nga deputetë të koalicionit qeverisës që kanë paralajmëruar votë kundër.

Ndërsa, opozita në Kuvendin e Kosovës ka gjithësej 31 deputetë (VV 16, AAK 9 e Nisma 6).

Sipas Kushtetutës, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.

./Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, proteste dhe feste

Berisha lë të hapur dorëzimin e mandatit, por është kundër gazit lotsjellës

February 25, 2016 by dgreca

Ish kryeministri Sali Berisha deklaron se kryeministri Edi Rama detyroi të largojë Armando Prengën pas presionit që erdhi dje nga Brukseli.Në një deklaratë për median Berisha akuzon deputetët dhe qeverinë se po përdorin pushtetin për të vjedhur me tendera me familjet e tyre.Sali Berisha: Kreu i Meduzës  ktheu parlamentin  në strofull të kriminelëve dhe në atë parlament gjen sot pas burgjeve të sigurisë së lartë numrin më të madh të kriminelëve per capital. Edmond Prenga alias Armando Prenga si leitnanti i Edi Ramës. Në mëshirë vendosi të mos paraqitet për ti larë faqen e zezë Edi Ramës.  Por Armandi është njëri prej tyre, si Armandi janë një sërë deputetësh që vjedhin pa mëshirë pasuritë e shqiptarëve.  Kurrë ndonjëherë nuk mund të ndodhë si kjo që ndodh në maxhorancën e qelbësirave ku deputetët kanë një garë të papërmbajtur kush e kush të vjedhë pushtetin më shumë.Është simotra Valnetina Leskaj, Ilir Beqaj, Vullnet Spahiu, Koço Kokëdhima. Mendoni se është më pak se Sabri Abazi, nipi o tij Arbri Abazi është fitues i  dhjetra tenderave publikë.

Pjerin Ndreu? Dy ditë më pare një sipërmarrës më tregoi një oferët për 380 mijë lekë për rojet por e fitoi I vëllai I Pjerinit. Tani është epoka e Olsëve. Demokracia është në duart e mobokracisë. Përmbysja e tyre me të gjitha mjetet e mosbindjes civile demokratike është rruga e vetme pasi ky parlament është turpi i madh i Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës

Por a ka skenarë opozita?

Berisha thotë se është duke shqyrtuar variante shumë të hidhura në lidhje me Kuvendi pasi situata është e papranueshme. Berisha nuk përjashtoi mundësinë e lënies së mandatit por përjashtoi kategorikisht përdorimin e gazit lotsjellës.

Pyetja: Do dorëzoni mandatin?

Berisha: Të gjitha opsionet janë të hapura. Jam duke shqyrtuar variantet shumë të hidhura pasi nuk mund të qëndrojë në këtë parlament ka të inkrimuar

Pyetja:  A e zgjidh këtë situatë largimi i opozitës nga parlamenti?
Berisha: Unë po flas si Berisha unë do i nënshtrohem vendimeve të grupit. Kjo situatë është e padurueshme. Merrni prokurorimet kudo familjet e tyre. Përdorin pushtetit për të vjedhur me tendera me familjet e tyre të varfërit ose të përgatiten për tu larguar ose të vuajnë nga uria .Aq më tepër që quhen dembelë.

Jam duke shqyrtuar variantet shumë të hidhura pasi nuk mund të qëndrojë në këtë parlament kaq të inkriminuar. Skenari i opozitës është lufta pa kompromis në parlament dhe qeverisë

Pyetja: Vezët e kapura?
Berisha: Nuk di për ato, opozita bën zgjedhjet e veta

Pyetje: A rrezikon të bëhet një parlament si i Kosovës?
Berisha: Gaz lotsjellës nuk mund të hedhim në parlament, opozita ka 100 mënyra të tjerë pa hedhur gaz në parlament

/Oranews.tv/

 

Filed Under: Politike Tagged With: a lë të hapur, Berish, dorëzimin e mandatit, gazit lotsjelles, por është kundër

Kolonia e artistëve figurativë, Divjakë-Karavasta (19-23 shkurt 2016)

February 25, 2016 by dgreca

NGA ENGJELL ZERDELIA/

Ftesës për të qënë pjesëmarrës në veprimtarinë e organizuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit, Bashkia Divjakë dhe Botimet Toena, iu përgjigja me shumë kënaqësi, sepse më pëlqen të jem pranë veprimtarive, ku mblidhet kombëtaria nga Kosova deri në Camëri. Këto ditët e shkurtit për fat të piktorëve dhe organizatorëve ishin të bukura dhe të mira. E gjithë zona Divjakë-Karavasta u rrethua nga mjeshtrat të shpërndarë si Pelikanët Kacurrelë në të katërta anët e Lagunës. E ku kishte kënaqësi më të madhe se të shikoje këta njerëz të talentuar që në telajot e tyre, të vedosura në kambalecat, pikturonin pamje mahnitëse; diku një minipyll me pisha të larta, pemë të tjera, det dhe bregu i detit me rërën dhe shkurret përreth, dallgë të lehta e të forta, ishullin e pelikanit kacurrel, lagunën me mrekullinë e saj, perëndim dielli, vija uji dhe kanale ndarëse, fushë myzeqeje dhe qielli gri gati për shi, pishë e butë dhe e egër, ngjyra të larmishme, të binte në sy e gjelbëra, e kaltërta, bluja, kafe, bardhë, gri, të gjitha ngjyrat. Takimin e parë bashkë me dirigjentin Maksim Kulla e bëra me dy piktorët dhe njerëzit e shquar Pashk Përvathi dhe Kujtim Buza. U ulëm tek Resorti dhe porositëm secili sipas kerkesës, pranë nesh për fat erdhi dhe drejtori i Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta” Ardian Koci. Biseda u bë fantastike, përpos falenderimit për Divjakën dhe njerëzit e saj, kurioziteti i Lagunës u qartësua edhe në mënyren shkencore të trajtimit që i bëri A.Koci. Ishulli i Pelikanit ndodhet në Lagunën e Divjakës, në lartësinë rreth 0.5-1 m mbi nivelin e saj. Përbën një ishull interesant të formuar nga akumulimet e mbetjeve organike, në të cilin është formuar një ekosistem, ku dallohet një botë shumë e pasur bimore barishtore. Në të folenizon pelikani kaçurel. Ka vlera shkencore (biologjike), ekologjike, didaktike, edukuese.

Laguna e Karavastasë është në afërsi të Lushnjes. Në të rriten disa lloje të rralla pishash dhe një lloj i rrallë Pelikani, Dalmatian Pelican. Supozohet se 5-7 % e të gjithë pelikanëve të këtij lloji jetojnë aty. Karavastaja bën pjesë në parkun kombëtar të Divjakës. Eshtë më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, sip. 4330 ha, gjatësia 10.6 km, gjërësia 4.3 km dhe thellësia deri në 1.5 m. Karakteristike në këtë zonë është kolonia e Pelikanit Kaçurel me rreth 100 çifte që përfaqëson rreth 5-7% të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore, me nje reze shtrirje deri ne 100 km. Karavastaja për këtë specie përfaqëson kufirin më perëndimor të saj. E veçantë është dhe prania e disa qindra çifteve të dallandysheve të detit.

Veprimtaria kulmoi me ekspozitën e organizuar tek Resorti, ku të gjithë piktorët shpalosën punimet e tyre të mrekullueshme. Tradita e kërkon të përcjellim veprimtarinë, përshendetën; kryetari i bashkisë Divjakë Fredi Kokoneshi, drejtorja e Toenës Irena, deputeti Fatmir Toci, piktorët Kujtim Buza, Luan Borici…Nuk ka rëndësi se e vizitojnë një ekspozitë 50 apo 500 veta, e rëndësishme është që kjo pjesëmarrje të ketë shpirtin artistik në këto punime, e kjo jo vetëm nuk mungoi, por ishte në lartësinë e duhur, e zbukuruan festën dhe një gup nxënësish të veshur me kostume popullore të të gjitha trevave shqiptare. Në bisedë e sipër me piktorët lushnjarë Luci Pavli Shandro dhe Luan Borici dalluan ciltërsinë dhe dashamirësinë e këtyre artistëve sa të thjeshtë, aq edhe cilësorë. Ajo që spikati fuqishëm e me shumë dinjitet të madh njerëzor ishte dhe prania e piktoreve femra.Kjo ishte veprimtaria me numur 31 dhe që ka një shtrirje në Shqipëri dhe Evropë.Pjesëmarrës të nderuar, Kolonia e Artistëve Figurativë, Divjakë-Karavasta (19-23 shkurt 2016) ishin: Kujtim Buza, Qamil Prizreni, Pashk Përvathi, Sadik Kasa, Agim dhe Xheneta Kadillari , Caush Vathi, Zaim Elezi, Vangjo Vasili, Luan Borici, Luci Pavlo Shandro, Adrian Cene, Rikarda Nenshati(Nova), Adriana Puleshi, Bojana Ejupi, Nasuf Myftari, Spiro Panariti, Gjergj Simoni, Azem Kucana etj. Qytetet; Tirana, Lezha, Elbasani, Shkodra, Durresi, Peshkopia, Pogeadeci, Lushnja, Mirdita, Tropoja, Prizreni…Kolonitë do të vazhdojnë për vitin 2016 edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: (19-23 shkurt 2016), Divjakë-Karavasta, Kolonia e artistëve figurativë

PDK – ME DY KANDIDATË PËR PRESIDENT, NJËRI – XHORDANO BRUNO I DYTË DHE NJË MESSZH ME ÇIFTELI

February 25, 2016 by dgreca

Nga SINAN KAMBERAJ/New York/
Portalet informative njoftojnë se Partia Demokratike e Kosovës do t’i nominojē dy  kandidatë për President të vendit – një real, pra Hashim Thaçin dhe njē tjetër fiktiv, sa për ta “djegur”, vetëm që të përmbushet një kërkesë formale kushtetuese.
Për kandidatin që do të “digjet”, s’di as vetë pse po ndjej një si dhimbje. Nē fakt, për Kushtetutën ia vlen tē digjet njeriu, por jo për kundërksndidatin, as Partinë, cilado qoftë ajo, madje as për atë që e kontrollon Kushtetuesen. Sepse, kur je mbi Kushtuesen, s’ka pse me të bâ syni vërr!
Kronikat dëshmojnē se edhe mē parë  është bërë kurban nga një kundërkandidat presidencial për një kandidat real, por “të djegurit” kanë qenë oponentë që vinin nga parti të tjera, të ndryshme nga ajo e “djegêsve”.
Suzana Noveberdali është “djegur” për Behgjet Pacollin, Naim Maloku është “djegur” nga Fatmir Sejdiu, Ramë Buja është “djegur” çpufff – nga Ibrahim Rugova.
Këtë herë Xhordano Bruno i Dytë vjen nga e njëjta Parti me Kandidatin Real prandaj “djegia” është e veçantë. Madje-madje është shumë e veçantë sepse, ky burrë që do të “digjet”, oh! vjen nga i njejti rajon, një fshat e kanë në mes me Kandidatin Real.
Akti i ndëshkimit të Xhordano Brunos me djegie, nga ana e Kishës në Mesjetë, ishte i qartë: heretiku Bruno e kishte kundërshtuar botëkuptimin dogmatik të Kishës Romake, ndaj, siç dihet, pas shqiptimit të dënimit nga Inkuizicioni, ai shkoi vetë drejt turrës së druve, pa u trembur, krenar që po i mbronte pikëpamjet e veta shkencore mbi botën ….
Fundi I fundit, ky Bruno i Dytë, që do të digjet vullnetarisht në “turrë të votave”, ndoshta  s’është për ta qarë. Do të dëmshpërblehet për “vetëdjegie” nga Nana Parti. Do ta bëjnë ambasador, ndoshta në Tiranë, ku i çojnë ata që kanë pasë shumë njisha në shkollë të mesme dhe ku dislekti gegë, ku hyn kosovarishtja, llogaritet si njohje e gjuhës së huaj.
Por, pavarësisht nga kjo mynxyrë, “vetëdjegia” po më duket makabre.
Ndoshta ky “therorizim” bëhet për një “Kauzë”, që, përveç kryeparlamentarit Veseli, që nuk “tyrprohet” kurrë, madje as kur i shan para mikrofinit me fjalë të ndyta çikat e gratë deputete, si dhe Grabovcit, zor se i bie kush në fije.
Për Kauzë.
Kauza?! Mua për vetën time,  kjo fjalë, në gojën e pushtetarëve gjysmëanalfabetë, më tingëllon si – Akuza!
Edhe opozita e ka Akuzën e vet. “Kauza” e Opozitës është e paketuar bukur estetikisht. Për Demarkacionin, është bukur e gjatë, me mija kilometera katrorë, sa pronat e feudalëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, që ua kishte dhënë me spin-of AKP e Tanzimatit. Kauza tjetër  është edhe më e kamufluar, edhe kjo është në gjuhës të huaj – asociacion, por meqë shqiptohet zorshëm, duhet t’i thuhet ashtu siç është, sllavisht – Zajednica.
Këto janë Kauzat, jo marrja e pushtetit me dhunë, siç thonë gojëkqinjtë.Këto Kauza tashmë duhet të thuhen, siç u thanë e u bënë më të qarta brëmë, në çadrat e ngritura para Pallatit të Qeverisë, me këngën “Oj Shypni mos thu’j marova!”, me një vijë melodike dramatike, nën tingujt e çiftelisë, instrumentit tonë tradicional me dy tela.
Mungonin vetëm krismat, ruajna Zot, të alltive: bam-bam-bam!
Teksti i kësaj kënge, që sugjeron “vdekje ballë për ballë” (me kë, tash, or jahu?!), në kontekstin e lirisë, i thënçin kështu kësaj derëbardhe, është anakronik.
Bile, ogurzi.
Nuk besoj që ua beson më kush jetën “këngëtarëve” të opozitës që ftojnë miletin fatkeq të shtërngojnë rradhët për “Kauzat” e tyre “shtetndërtuese”. Tashmë është e qartë: Ata as kanë pasur, as kanë Kauza, ashtu siç nuk kanë as sivëllezërit e tyre siamezë,  aktualisht në pozitë. Pseudokumandarët e pangopshëm, në pozitë e në opozitë, qē e kanë kapur dhe e kapin alternativisht e mizorisht shtetin çdo katër vjet, duke ankoruar gra e nipa e mbesa e halla e kunata e teze, nëpër borde e agjenci shtetërore, e kanë degdisur vendin deri në atë derexhe, sa, ka gjasë që, me këto banda në krye, pakkush e do më atë vend. Pushtetarët e sotëm, ashtu si edhe ata që po synojnë të vijnë në pushtet, bile vrap e vrap, para kohe, janë nervozë që nuk po arrijnë t’ia rrjepin edhe atë pak lëkurë që i ka mbetur Kosovës së shkretë, “bukuroshes … qosh e m’qoshe”, siç i thonë ata vajtueshëm.

Si duket, elektorati kosovar, ngaqë nuk u beson më koalicioneve të panatyrshme, si ka mbetur tjetër rrugë, veçse të rirreshtohet. Dhe, si çdo gjë që ka zgjidhje në këtë botë jallane, edhe puna e partive ka zgjidhje. Kur lodhet mileti prej tyre, vjen një ditë kur u thotë – mjaft është mjaft!
Partitë pseudodemokratike nuk kanë dhe nuk duhet të kenë jetë të gjatë. Edhe kjo dihet.
Hëpërhë, ky ngërç i rrezikshëm duhet tè kapërcehet me zgjuarësi, për hir të fëmijëve.
Sa për zgjedhjen e të Premtes, e trashë m’u duk “gjetja artistike” e përzgjedhjes së të Parit që përfaqëson unitetin, me dy kandidatë, nga partia e njëjtë, njëri prej të cilëve, “vetëdigjet”.    Kur të jetë zgjedhur, nëse çdo gjë shkon simbas planit  të Veselit, mbetet vetēm të komentohet verdikti i veçilëve të miletit, në Tupanin Klanor Televiziv, kur kryekomentatori i mirënjohur politik do të vë qershinë mbi tortë:
“Dikush nga jashtë, realisht, mund të thotë së kombinatirika e zgjedhjes së Presidentit nuk kaka më ajo që ishte , por, realisht, mund t’ju them se kaka dhe usht aja që usht dhe atu ku usht”.

Filed Under: Editorial Tagged With: dy kandidatet per persident, mesazh me cifteli, PDK, Sinan Kamberaj, Xhordano bruno

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3055
  • 3056
  • 3057
  • 3058
  • 3059
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT