• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Regjistrohet diaspora

February 22, 2016 by dgreca

-UNDP dhe MeD zbatojnë së bashku fushatën për regjistrimin e diasporës/ -Ministria e Diasporës e qeverisë së Republikës së Kosovës në  vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë, procesi vazhdon edhe në vitin  2016/-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë, por, numri  është më i madh, meqë nuk ka përfshirë edhe një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit/

PRISHTINË, 22 Shkurt 2016-B.Jashari/ Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP)  dhe Ministria e Diasporës e qeverisë së Kosovës nënshkruan sot një marrëveshje për bashkëpunim në zbatimin e projektit Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin Ekonomik.

 Marrëveshja, që kap vlerën prej 75,000 euro, u nënshkrua nga Alessandra Roccasalvo, Zëvëndës Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së dhe Osman Shahini, sekretar permanent në MeD. Kjo shumë do të kontribuojë në realizimin e fushatës informuese dhe sensibilizuese për promovimin Regjistrimit të Diasporës që do të zbatohet gjatë vitit 2016 nga projekti DEED.

 Projekti DEED është duke u zbatuar së bashku nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM). Ky projekt synon ofrimin e mundësive për kosovarët që jetojnë jashtë vendit për të qenë aktivë në zhvillimet ekonomike të Kosovës duke përkrahur krijimin e vendeve të punës dhe ndërmarrësisë përmes investimeve dhe ndryshimit të shfrytëzimit të dërgesave për konsumim, thekson njoftimi dërguar nga UNDP.

Ministria e Diasporës e qeverisë së Republikës së Kosovës në  vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë. Procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017, ka paralajmëruar ministria.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun ku u refuzua, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Kosova para më shumë se gjysëm shekulli arrinte numrin prej një milion banorëve. Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

Sipas statistikave kosovare, në regjistrimin e popullsisë së vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.

Filed Under: Mergata Tagged With: -Regjistrohet diaspora, Behlul Jashari, Kosove

Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk!

February 22, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk! Kështu është…

Kujt t’ia dedikojmë këtë gjysmanllëk? Shoqërisë civile dje? Apo opozitës sot? Kujt?

Gjysmanllëk, sherr, estradë…

Tek ne çdo gjë kthehet në sherr gjysmak. Sherr gjelash dhe klithmash. Aq sa asnjëherë, asgjë nuk merret seriozisht. E për rrjedhojë, është krijuar një gjëndje e atillë, një soj jete, ku nuk ka mbetur më, këmbë burri apo robi që t’i peshojë fjala. Të gjithë vetëm se shajnë dhe bërtasin. Të gjithë duket sikur përdorim njëri-tjetrin. Ndaj dhe pamja është e atij trenit me vagonat e ndryshkur. Një soj butaku që zvarritet gjerdhishtave të avllive nëpër lagjet katrahurë në Shqipëri.

1) Shoqërisë civile … (dje) Ne na pëlqen të krahasohemi. Sheshi Taksim në Stamboll. Protestat e 2013-ës. Parku nga kodrat e liqenit. Duhet apo nuk duhen aty, një kënd lojrash për fëmijët? Indinjata ndaj atij që i besuat me 1 milion vota etj.

Në fakt e mira e do që, sikur edhe njëqind veta të kundërshtojnë…, të përfshihet në biseda shoqëria civile. Të përfshihen edhe institucionet e memories së trashëgimisë kulturore. Për të biseduar. Për të vendosur me votë të përbashkët po apo jo. Dhe kaq. Nuk ka përse gjithçka të kthehet në sherr gjelash. Apo parodi estrade me tipit të dinim djalë për së mbari.

Janë një milion vota që ju i dhatë. Një milion. Por puna është se, këto vota ju i jepni me inatin e postulatit shqiptar. Që, për inat të sime vjerre, po shkoj të fle me mullixhiun. Sa vjet në pushtet e mbajtët shoqërinë Rama dhe Veliaj. E pra …, sot nuk keni përse habiteni. Nuk keni përse kërkoni edhe ndjesë publike. Pasi kjo puna e të kërkuarit ndjesës, tek ne përkthehet edhe një dekadë më shumë pushtet.

Sheshi Taksim është një histori e madhe. Për shkak të trashëgimisë kulturore që nga otomanizmi. Mirëpo arsyeja më e parë e kundërshtisë civile turke, ishte fakti i një rezultati të hidhur nga eksperienca Erdogan. Ky ka të bëjë me prerjen e pemëve. Ai njihet tashmë si ish kryeministri shfarosës i pemëve shekullore në ndërtime rrugësh, aeroportesh apo dhe tregje tregtare të tipit Moll. Që ndryshe përkthet pazar madern si ay që ne i themi Tegu. Në këtë drejtim keni pikëpjekje. Megjithëse jo vazhdimësi. Ne Turqinë e marrim gjithmonë si referencë. Kur duam të tregojmë diçka që i ka ikur koha. Por fakti është ndryshe. Turqia dhe koha ka fluturuar vet. Kurse ne akoma.

Sado e vogël qoftë historia e pyllit, parkut në kodrat e liqenit. Eshtë mirë të ruhet siç njihet. Si pylli i lirizmit dhe i shfrenimit të dashurisë. Por me sa di unë, ajo qetësi ka mbaruar me kohë. Qysh sa tek nisi rrugën e përvujtuar e ashtuqujtura demokracia jonë. Kënde lodrash duhet të ndërtohen pranë banesave. Sot praktika aktuale përfshin kënde lojrash, kudo, më së pari në ndërtimet e reja. Por nuk përjashtohet edhe parqet e mëdha, ato të argëtimit dhe pikniqeve etj. Dhe këtu nuk asgjë të keqe.

Ndaj nga do që të kthehesh, ka vetëm një zgjidhje…, bisedim dhe vendimarrje pa sherr.

2) Opozitarizmit … PD-ës, duhet popull për protestë jo dhëndurrë. Jo statute fb. Jo djem nomeklature që akoma flasin për luftë klasash. Ata që e shpikën luftën e klasave. Duhet popull. Duhet revansh. Duhet frymë. Duhet energji. Dhe këto vinë nga gjindja. Gjindja që ka vraga, vrrata, lot. Gjindja e lodhur nga tranzicioni i përjetshëm. Nga pronësimet e shpronësimet. Nga gjindja e papunë. Nga gjindja që ecën më këmbë. Jo gjindja me Volsvagen Tuareg. Ajo që ka shtëpi këtu, shtëpi atje. Duhet gjindja që kollitet herët në mëngjes. Ajo që vuan nga mos kultura e të ushqyerit. Duhet popull… Jo kontesha plot pudër, të provuara e stërprovuara. Gra që flasin me mendësi prej burri patriarkal. Duhen nëna që japin gjak për të rritur fëmijët. Nëna që janë kthyer obeze nga papunësia në shtëpi. Nëna me halle njerëzore. Jo me halle librezash dhe sallone mode. Duhet popull. Fytyra të reja. Jo xhekata të kthyera. Duhen njerëz që dinë të qajnë. Jo domate me hormone.

Duhet gjindje nga ata që përmbytjet e vitpasvitshme, i nxorrën ugareve të Zejmenit, Çermës. Ugareve të Gjanicës dhe Vjosës.

Duhet gjindje nga ajo që ndahen dita ditës në lëndinën e lotëve shqiptare.

Duhet mërmërimë tërmeti që kërkëllon bulevardet.

Opozitarzmi kështu? Me dhëndurrë, etj. Duket si një strategji për të mbajtur në pushtet pikërisht këtë që po shajmë, pështyjmë, përdhosim njëzet e katër orë. Papushim, me prag shtëpie.

Edhe një herë…., opozitarizmi është populizëm.

Kjo qeverisje do kishte rënë me kohë nëse opozita do bëhej me popull. Por me sa duket që pikërisht këtë nuk do opozita jonë.

Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk!, Ilir Levonja

Fundi i diktatorëve!

February 22, 2016 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/
Ky pushtet i udhëhequr nga dyshja mafioze dhe kriminale, Mustafa-Thaçi, ka kohë që e kanë humbur legjitimitetin  e popullit për të qeverisur. Kjo dyshe mashtruese dhe arrogante, shkeljen e Kushtetutës, mashtrimeve dhe gënjeshtrave, dhe me gjithë dështimet e njëpasnjëshme, nuk janë duke e marrë seriozisht indinjatën masive të popullit të gënjyer dhe mashtruar skajshmërisht. Por kështu është fundi i çdo diktatori dhe diktature. Ju kujtohet kur shpërtheu revolucioni i Libisë, diktatori libian Gaddafi kërkoi prej forcave të tij t‘i zënë ata që ai i quajti minj. Ai dha urdhër të prerë: “Tërhiqni ata, pastroni rrugët prej tyre!” Pastaj përsëriti shprehjen e tij të njohur: “shtëpi – shtëpi, rrugë- rrugë, skutë- skutë, sokak – sokak”, duke përdorur edhe një shprehje të papërdorur arabe “zenga-zenga”, e cila nga revolucionarët u kthye në një hit të llojit të vet. Por, ky ishte vetë fundi i diktatorit, i cili për më shumë se 42 vjet e sundoi vendin e vet me zjarr e hekur. Me këto metoda diktatoriale janë duke vepruar edhe këta diktatorët tanë në pushtet, me popullin e saj dhe opozitën. Dhe fundin do ta kenë me një rënie të turpshme nga pushteti, siç kanë rënë edhe diktatorët më të tmerrshëm që ka njohur historia. Prandaj, sa më këmbëngulës të jenë që nuk do të dorëhiqen, sikurse diktatori sirian Bashar Al Asadi, pavarësisht se kanë humbur legjitimitetin për të qeverisur, aq më dhimbshëm do të largohen nga pushteti.
Opozita s’duhet të ndalet me protesta paqësore të përditshme
Por shtrohet pyetja se çfarë duhet të bëjë opozita që t’i japë fund më shpejt kësaj Qeverie kriminelësh dhe oligarkësh? Opozita s’duhet të ndalet me protesta paqësore të përditshme, derisa ky pushtet kriminal dhe mafioz, të lëshojë pe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja. Por, përveç organizimit të protestave për largimin nga pushteti këtë pushtet mafioz dhe kriminal, opozita duhet urgjentisht të bëjë edhe një platformë të përbashkët me shoqërinë civile dhe mediet, për udhëheqjen e këtij vendi, se si të dalim nga kjo gjendje e mjerueshme dhe si të ecim përpara. Sepse këtij populli i ka humbur besimi nga institucionet dhe duhet me vepra që t’i kthehet besimi i humbur. Prandaj, në zgjedhjet e ardhshme, partitë opozitare dhe ato jashtëparlamentare, duhet të bëhen të gjitha bashkë, por duke përfshirë në atë listë gjysmën e kandidatëve nga shoqëria civile, mediet dhe personalitete të pavarura dhe të respektuara në opinion. Me këtë listë të përbashkët jo vetëm që pushteti do jetë i garantuar, por kjo listë do të shënonte fitore të thellë karshi këtij pushteti mafioz dhe të kriminalizuar, të cilët mbajnë përgjegjësinë kryesore për shkatërrimin dhe degraduan këtij shteti.
Opozita e përbashkuar
Nëse opozita vepron në këtë mënyrë, në zgjedhjet qytetarët e Kosovës këtë kastë politike kriminale dhe mafioze, të cilët janë shndërruar në kancerin jo vetëm të shtetit, por të çdo qytetarit, me votën e tyre do ta ndëshkonin shumë keq.  Këtë gjë përfaqësuesit e opozitës duhet ta mendojnë mirë, që është momenti i fundit për t’u bërë bashkë të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi dhe duan t’i largojnë këta qelbësira nga pushteti. Opozita duhet t’i kontaktojë personalisht të gjithë personalitetet e pavarura dhe të respektuara, nga mediet, shoqëria civile dhe bota akademike, që janë kundërshtarët e mafio-politikës në pushtet, për t’iu bashkuar kauzës për parandalimin e degradimit, shkatërrimit dhe zhbërjes së shtetit.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, fundi i diktatoreve

Propaganda kundër Hashim Thaçit i ka rrënjët në Beograd

February 22, 2016 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/

Në të gjitha momentet vendimtare të historisë së re të Kosovës udhëheqësit e saj janë sulmuar në mënyrën më të ulët të mundshme. Janë përdorur të gjitha mjetet për të denigruar personalitetet, të cilët, në këto momentet, kishin pozita kyçe.Kështu, gjatë periudhës së luftës çlirimtare në Kosovë dhe fill pas përfundimit të saj, Shërbimi Sekret Serb përgatiti dhe të orkestroi një fushatë histerike kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Azem Sylës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Rexhep Selimit, Elmi Reçicës, Adem Grabovcit dhe bartësve tjerë të UÇK-së.

Mbi 27 mijë faqe materiale të përgatitura në formë CD-shë dhe mbi 2000 faqe në formë libri të përgatitura nga Shërbimi Sekret Serb u shpërndanë zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së saj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Boshti kryesor rreth të cilit pështillej propaganda serbe kishte me për qëllim që udhëheqësit e luftës çlirimtare të Kosovës të paraqiten herë si terroristë dhe udhëheqës të një strukture terroriste (UÇK-së), e herë si kriminel dhe udhëheqës të një strukture kriminale. Shkurt, në shkrimet e përpiluesve e Shërbimit Sekret Serb, liderët politikë dhe ushtarak të UÇK-së ishin në të njëjtën kohë terroristë dhe udhëheqës të klaneve kriminale. Sipas propagandës serbe ata “ ishin përgjegjës për vrasjen e civilëve të pafajshëm, për rrëmbimet e shumta, për burgosjet e paligjshme, për trafikimin e organeve njerëzore të civilëve serbë…ata merreshin me trafikimin e drogës, me emigracionin ilegal, me tregtinë me armë…”Sa i përket kësaj propagande, ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë ishte indikatori më i fuqishëm për dështimin e shpifjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret serb kundër udhëheqësve të UÇK-së. Por, intervenimi i NATO-s për të ndërprerë politikën e gjenocidit në Kosovë mobilizoi filo­zo­fë, publicistë, politologë, sociologë, historianë e politi­kanë të orientimeve politike të majta e të djathta, që kishin emërues të përbashkët «antiamerikanizmin», të mobilizohen në “mbrojtje të Evropës nga imperializmi amerikan.” «Antiamerikanizmi», si këndvështrim i tyre ideologjik, bëri që përkundër divergjencave që kishin në fusha dhe tema të caktuara, të dalin me qëndrim të përbashkët se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Elmi Reçica, Adem Grabovci dhe bartësit tjerë të UÇK-së “ janë spiuj të amerikanëve” që mundësuan ndërhyrjen e amerikanëve në “territorin e Evropës” duke krijuar kushtet për “ndërtimin në Kosovë të bazës më të madhe ushtarake amerikan në Evropë.”

Akuzat kundër udhëheqësve të UÇK-së për “terrorizëm”, “krim të organizuar” dhe si “spiun të amerikanë” shkuan duke u intensifikuar pas përfundimit të luftës. Gjatë procesit të përcaktimit të statusit politik të Kosovës akuzat e tilla arritën një shpërndarje shumë të madhe dhe arriti KULMIN pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kulmi i kësaj fushate filloi me Carla Del Ponten. Një muaj e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ish- Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla del Ponte botoi librin e saj «Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës». Në këtë libër, sa i përket udhëheqësve të lartpërmendur të UÇK-së, Carla Del Ponte i përvetëson fjalë për fjalë akuzat e ngritura në «Librin e Bardhë» të Shërbimit Sekret Serb. Nga publikimi i këtij libri pasoi i ashtuquajturi “Raporti i Dick Marty-t”, që paraqet një sintezë të shpifjeve dhe sajimeve të Shërbimit Sekret Serb, “Sintezë shpifjesh” që u shndërrua në Raport të Këshillit të Evropës, për të vazhduar me Task Forcën Hetimore Speciale dhe votimin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së!

Vlen të përmendet se përkundër proceseve të montuara gjyqësore kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut, Sylejman Selimit, Rrustem Mustafës dhe kundër shumë luftëtarëve të lirisë shpifjet e lartpërmendura nuk çonin peshë te opinioni publik shqiptar. Përkundrazi. Të bindur për faktin se shpifjet dhe akuzat e tilla ishin sajuar nga Shërbimi Sekret Serb, proceset gjyqësore kundër luftëtarëve të lirisë kishin efekt revoltën e madhe të popullit të Kosovës. Kjo revoltë shprehet më së miri në pritjet madhështore që ju bënë të gjithë të liruarve nga akuzat e fabrikuara nga Shërbimi Sekret Serb.

Të gjitha problemet e lartpërmendura i kam trajtuar hollësisht në pjesën e dytë të librit tim (Mashtrimi i Madh f. 397-560). Të interesuarit për vërtetësinë e pohimeve që solla në këtë shkrim të shkurtër mund t’i konsultojnë referencat që sjell në libër.

Ajo që më shtyri të reagoj duke rikujtuar shpifjet dhe akuzat që u sajuan nga Shërbimi Sekret Serb ka të bëj me një fushatë histerike që përpiqet ta paraqes Hashim Thaçin si “spiun të Francës…” E shoh të udhës të reagoj sepse këtu kemi të bëjmë me një kontekst të ri historik dhe me një periudhë të re të luftës speciale kundër luftës çlirimtare të Kosovës.

Për dallim nga periudha paraprake kur ish-udhëheqësit e UÇK-së kishin një minimum solidariteti përball padrejtësive që u kanoseshin, përkundër divergjencave që kishin në mes tyre në fusha të ndryshme, tani kemi një situatë ku divergjencat rrezikojnë të shndërrohen në armiqësi “brenda llojit”. Nuk më takon mua “të ndaj drejtësi” se kush është “më shumë” apo “më pak” fajtor për situatën e krijuar. Ajo që shihet është e tmerrshme. Shpifjet dhe akuzat e sajuara nga shërbimet antishqiptare po shpërndahen edhe nga njerëzit që vepruan për dekada të tëra në të njëjtat struktura organizative. Qëllimi im nuk është të polemizoj me asnjërin prej tyre sepse kjo histeri shpifjesh ka kaluar caqet individuale. Prandaj nuk po ua përmend emrat. Por, siç thotë një shprehje popullore «Në kofsh Bektesh e merr vesh»!

Nuk ka turp më të madh ku shpifjet e një ish-Zëvendës Drejtor Teknik të njërit nga Shërbimet Sekrete të Francës (Shërbimit të Jashtëm) të përhapen në mediet shqiptare me tituj bombastik se gjoja “ sipas ish –shefit të shërbimit francez Pierre Siramy, Hashim Thaçi është agjent i Francës!” Poshtërsia është edhe më e madhe kur të njëjtën dezinformatë e shpërndajnë njerëzit me të cilët kemi vepruar bashkë.

Sikur t’u kishte interesuar e vërteta lidhur me këto “pretendime” secili do të kishte mundur të bindej se prapa Pierre Syrami-t nuk qëndron asnjë shef i Shërbimit Francez por bëhet fjalë për pseudonimin e Maurice Dufresse, një ish Zëvendës drejtor TEKNIK, i pensionuar për “çështje shëndetësore” dhe i cili ka botuar një libër, ndaj të cilit janë ngritur disa padi për shpifje.

Sikur t’u kishte interesuar e vërteta, para se të botonin shpifje të rënda, do të ishin bindur se në librin “Dëshmia e Pierre Siramy-t, 25 vjet në shërbimet sekrete” në 793 faqe të shpërndarë falas përmes internetit (http://data.over-blog-kiwi.com/0/94/25/77/20140225/ob_8bd82e_25-ans-dans-les-services-secrets-siramy-pierre.pdf), as edhe një fjalë e vetme për Hashim Thaçin!

Kujt i shkon përshtati që në kohën kur pritet që të themelohet Gjykata Speciale të futë thika të tilla me qëllim që divergjencat e ish shokëve tanë të shndërrohen në armiqësi. Meqenëse disa ish bashkëveprimtarë më janë drejtuar publikisht nëpërmes profileve të tyre të Facebook-ut që të jap mendimin tim lidhur me “pretendimet” se gjoja “Hashim Thaçi është spiun francez” e shoh të udhës që të shprehem publikisht rreth kësaj çështjeje.

Gjatë veprimtarisë së përbashkët diplomatike me Hashim Thaçin (si përfaqësues politikë të UÇK-së, në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe në kuadër të PDK-së) Hashim Thaçi ka dëshmuar një konsekuencë të vazhdueshme në qëndrime. Në qindra takime që kemi pasur me përfaqësues të nivele të ndryshme politike dhe shtetërore ndërkombëtare Hashim Thaçi ka mbrojtur qëndrimin se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhje e vetme e mundshme që do të garantonte stabilitetin në Ballkanin Perëndimor; Në të gjitha takimet që kemi pasur pas luftës Hashim Thaçi insistonte me ngulm për lirimin e menjëhershëm të gjithë shqiptarëve që ishin marrë peng nga regjimi i Millosheviqit dhe në mesin e tyre, në çdo takim ka përmendur Albin Kurtin dhe Nahit Hasanin. Në të gjitha takimet diplomatike Hashim Thçi insistonte në domosdoshmërinë e presioneve ndërkombëtare për ndriçimin e fatit të atyre që konsideroheshin të zhdukur dhe në këtë kontekst nuk e lente pa përmendur rastin e politologut Ukshin Hotit dhe veprimtarit të njohur Xhavit Haziri…

Për mua është e qartë se prapa Pierre Siramy-së dhe të gjithë atyre që bëjnë propagandë e lartpërmendur qëndron Serbia. Të gjithë bashkëveprimtarëve u drejtohem me një këshillë: divergjencat eventuale që mund të keni mes nesh nuk duhet të na verbojnë deri në atë shkallë sa të heshtim para shpifje, për të cilën thellësisht jemi të bindur se janë të sajuara nga shërbimet sekrete antishqiptare.

Është e drejtë e secilit prej nesh të ketë mendimin e vet se çfarë presidenti i duhet vendit. Dikujt mund t’i duke e arsyeshme që Hashim Thaçi të zgjidhet në këtë funksion në përputhje me marrëveshjen PDK-LDK; dikujt mund t’i pëlqente që në vend të tij të ishte Isa Mustafa, në përputhje me marrëveshjen e përparshme të VLAN-it, e dikujt tjetër mund t’i pëlqejë një i tretë. Kjo është çështje pikëpamjesh dhe pozicionesh në garën politike. Por, të gjithë e dimë se Hashim Thaçi nuk është spiun as i Francës e as i ndonjë shteti tjetër siç e dimë se propaganda që bëhet kundër babait, gjyshit dhe stërgjyshit të Hashim Thaçit është propagandë e sajuar në Beograd pikërisht për shkak të veprimtarisë që Hashim Thaçi ka zhvilluar kundër Serbisë gjatë luftës çlirimtare, gjatë procesit të përcaktimit të statusit final të Kosovës, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës…

Propaganda e Shërbimit Sekret Serb ka vërshuar Kosovën. Nëse dikush pa vetëdije ka ra në grackë të kësaj propagande është momenti që të tërhiqet, sepse kjo fushatë histerike nuk mund ta pengojë Hashim Thaçin të bëhet president i Kosovës.

Ndërsa, ata që me vetëdije (me pagesë apo pa pagesë) shpërndajnë këtë propagandë, jam plotësisht i vetëdijshëm se do të vazhdojnë avazin e diktuar nga padronët e tyre! Atyre u them: qafën e thefshi!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, propaganda kundet Thacit, rrenjet ne Beograd

Emmie Salaj dhe kuvendi i Shoqatës “Ana e Malit”

February 22, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

“Çdo grua që kupton problemet e familjes do të jetë shumë më afër për të kuptuar dhe problemet që ka vendi.” Margaret Thatcher/

Shoqata shqiptare amerikane “Ana e Malit” në Staten Island, New York mbajti kuvendin e saj dhe bëri zgjedhjet për kryetar të ri dhe kryesinë me mandat për vitin 2016-2019.Në mjediset e këndshme të lokalit “Brook Catering Hall” me pronar z.Shaban Seferi Anamalasit u mblodhën së bashku për të marrë pjesë në kuvendin e tyre të radhës.Kuvendi këtë radhë nuk ishte vetëm një mbledhje pune, por ishte tejet i rëndësishëm, sepse do të bëheshin zgjedhjet për drejtuesit e ardhshëm të shoqatës me mandat tre vjeçar. Ajo që binte në sy në këtë Kuvend ishte se mjaft gra zonja të shoqatës kishin shprehur vullnetin për t’iu bashkuar punëve të shoqates dhe kryesisë. Në këtë shoqatë janë gra dhe vajza të reja që kanë marrë edukimin e duhur dhe janë integruar plot kulturë në botën amerikane, kështuqë pjesëmarrja e tyre ishte krejtësisht një domosdoshmëri do të shprehej ish kryetari i shoqatës “Ana e Malit” z.Ismet Kurti si dhe gjithë Anamalasit që morën pjesë në këtë ditë të shënuar të tyre.  Kuvendin e ka hapur z.Zija Kraja një aktivist i dalluar i cili iu ka shprehur të gjithëve mirëseardhjen dhe iu ka uruar bashkëkombasve punë të mbarë në Kuvend.Kuvendi drejtohej nga presidiumi i përbërë nga këta anëtarë: Ismet Kurti, Xheladin Zeneli, Nail Llolla dhe Bilal Demiri. Z.Zija Kraja ka ftuar në podium z.Xheladin Zeneli ish deputet në Kuvendin e Malit të Zi dhe njëherazi n/kryetar i shoqatës. Z.Zeneli ka sjellë para gjithë pjesëmarrësve aktivitetet e shumta të shoqatës dhe punën e palodhur që ka kryer kryesia e shoqatës. Ai ndërmjet të tjerash tha: Shoqata mban takimin e radhës me komunitetin e vet, më 8 Shkurt 2015 në lokalin ” Brook Catering Hall” në Staten Island.Shoqata mori pjesë në Mbrëmjen Festive të organizuar nga Anëtari i Asamblesë së NY, z. Mark Gjonaj me rastin e 8-vjetorit të Pavarësisë sëKosovës, më 21 Shkurt 2015 në Maestro’ Catering, në Bronx;Pjesëmarrje me rastin e përkujtimit të rënies së Vëllezërve Bytyçi me 7 Mars në Yonkers. Organizimi i 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 8 Mars në restorantin Vanderbilt, në Staten Island. Pjesëmarrje përkrahjeje në mbrëmjen fondmbledhëse të Shkollës Shqipe në Maestro’s, në Bronx (NY), më 21 Mars 2015.Mbledhja e Kryesisë së Shoqatës (12 Prill 2015), Staten Island. Pjesëmarrja në Mbrëmbjen Fondmbledhëse për Ansamblin ” Bashkimi Kombëtar” para paraqitjes së tyre në Festivalin Mbarëkombëtar në Gjirokastër. (Giovanni’s, restaurant, 2 Maj, 2015).Pjesëmarrja në ceremoninë përkujtimore kushtuar 70 Vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe Ditës së Fitores në Europë. Me ftesë të Ansambleistit të shtetit të New Yorkut, Mark Gjonaj dhe senatorit Jeff Klein muarën pjesë disa përfaqësues të organizatave të komunitetit shqiptar. Në këtë solemnitet të organizuar në Albany (NY), mori pjesë Presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani i cili njëherazi ishte edhe folësi kryesor duke përkujtuar kështu kontributin që shqiptarët dhanë gjate Luftës së Dytë Botërore. (5 Maj, 2015). Pjesëmarrja e Shoqatës në festën e përfundimit të vitit shkollor (Graduation Party) të nxënësve të shkollave shqipe “Alba Life”, më 27 Qershor në”Sirico’s” catering, në Brooklyn e shumë shumë aktivitete të tjera u përmendën në fjalën e z.Zeneli, i cili ka ftuar kryetarin e shoqatës z.Ismet Kurti,qe u mirëprit me duartrokitje nga pjesëmarrësit çka tregoi për respektin dhe punën e palodhur të kryetarit të tyre. Z.Kurti tha se: “Kam nderin dhe shpreh respektin tim më të lartë për punën dhe kontributin tuaj të palodhur për të mirën e shoqatës dhe për të mirën e komunitetit tonë në përgjithësi. Puna dhe angazhimi juaj fisnik në këtë aspekt është dhe një vepër humane, është përkushtim i çdonjerit nga ju që reflekton shumë për të mirën e gjeneratave tona që po rriten në mërgim. Më gëzon fakti që komuniteti ynë sot është një forcë reale në çdo lëm të jetës në vendin ku jetojmë dhe veprojmë, edukimi i të rinjve tanë po reflekton shumë që Shqiptaro – Amerikanët të shtojnë ndikimin e tyre në vendimmarrjen te institucionet e ndryshme për çështje të rëndësishme për të ardhmen tonë.Unë besoj se shoqata jonë ka një të ardhme të ndritur sepse në mesin tonë ne kemi burime të pashtershme, njerëz të zot që duket shumë evidente në këtë sallë.Ai falënderoi familjen e tij për mbështetjen që i ka bërë në punen e tij si kryetar dhe njëkohësisht kohën që ai i ka marrë familjes dhe ja ka kushtuar shoqatës vullnetarisht.

Z.Ismet Kurti ndan çertifikatat e mirënjohjes

Z.Kurti në emër të kryesisë iu ndau çertifikata mirënjohjeje anëtarëve aktivë të saj me këtë motivacion: Çertifikatë mirënjohjeje në shenjë mirënjohjeje për mbështetje dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm ndaj komunitetit dhe shoqatës.Ata ishin: Kadri Capriqi All Finest Window/ Alba Life TV Qemal dhe Kozeta Zylo/ Dr.Bari dhe dr.Yllka Ceka Totenville Medical Center/ Iso Capriqi Capri WindowsFatmir Kallaba Kallaba Realty/ Qamil Kapriqi Art Windows/ Ali Kurti High tech Windows/ Alban Krasniqi Albert Salaj Target Construction/ Dino Nela Newport car Service/ Hajro Ceka Grupi muzikor Ceka/ Smail dhe Bilal Demiri Benra WindowsAmir Suka Alba Pro/ Sadik Zeneli DJ SammyZ/ Sulejman Pali Euro CutBKA’ne me kryetar Kabil Kurti dhe gjithë anëtarësine e tyre/ Ansamblin TraditaFutboll klubin “Ana e Malit”/ Admir Mahmedi Miri Design/ Oso Abazi Belvedere restaurant NY/ Antica restaurant Halil Ahmetaj NY/ Chelsea restaurant Qazim Veliu NYNjë falënderim të posaçëm për ngritjen e Flamurit në Hylan Bulevard, më 28 Nentor iu është dhënë: Nail Demirit dhe Latif Leshit, Arben Tairit dhe dhe Faruk Demirit. Gjithashtu falënderojmë për mbështetje Ansambleistin e shtetit të Nju Jorkut Z.Mark Gjonaj, koordinatorin e shoqatave z.Eljo Berisha, ish kryetarin e fondacionit “Plavë e Guci” z.Esad Gjonbalaj, bashkëpunëtorin e zellshëm ish kryetari i Fondacionit “Malësia e Madhe” Detroit z.Pashko Gjokaj dhe shumë të tjerë.

Në fund të gjithë marrësit e çertifikatave të mirënjohjes bënë së bashku një fotografi.

Kryetare e Shoqatës “Ana e Malit” u zgjodh zonja Emmie Salaj

Gjatë Kuvendit e morën fjalën mjaft pjesëmarrës të cilët diskutuan rreth shoqatës, zgjedhjeve të Kuvendit, por edhe për perspektivën e saj. Midis diskutantëve ishin personalitete të shquara që jane të mirënjohur në Diaspore dhe në Mëmëdhe si: Richard Luka, Sabri Gjoni, Cafo Boga, Naser Coba, Ali Kurti, Esat Aloshi etj.

Pati dhe diskutantë që debatuan si Albert Salaj, Halil Bekami, Nail Osmanaj, Flamur Anamali, debati i të cilëve ishte me kulturë dhe tolerues. Ajo që më bëri përshtypje në këtë kuvend zgjedhor ishte mënyra paqësore e diskutimeve, toleranca dhe kultura midis tyre, çka nuk e ndeshim shpesh në vende të ndryshme. Të gjithë pjesëmarrësit i mëshuan fort zgjedhjes së një gruaje si kryetare sepse siç thanë ata gruaja është përkrahëse e fortë e zhvillimit, e stabilitetit, dhe i edukon me dashuri fëmijët e saj për të ruajtur traditat, kulturën dhe gjuhën shqipe.

Kuvendi kaloi në zgjedhje ku në mënyrë demokratike dhe njëzëri u zgjodh zonja Emmie Salaj. Shoqata “Ana e Malit” sipas të gjithë pjesëmarrësve bëri histori, pasi për herë të parë në këtë shoqatë zgjidhet një grua kryetare. Fjalimi i saj ishte shumë impresionues dhe mbresëlënës. Ajo tha se duhet të gjejmë rrugën që ne të bashkohemi të gjithë. Kishja kohë që e mendova për t’u përfshirë në shoqatën “Ana e Malit”, se në se nuk perfshihesh në shoqatë nuk do e kuptosh kur rezultatin. Ajo tha se ne duhet t’i edukojmë fëmijët tanë me traditat e mrekullueshme shqiptare. Nuk ka më emocionuese kur fëmijët mezi presin të shkojnë në piknikun e përvitshëm që organizon “Ana e Malit”, apo Festën e Flamurit Kombëtar. Të gjitha këto bëhen në se ne jemi bashkë, në se ne punojmë për gjeneratat e reja që të mos e humbasin kurrë rrënjët e tyre, rrënjët e të parëve të tyre. Ne duhet t’i çojmë fëmijët tanë të mësojnë gjuhën shqipe sepse ata do ta njohin dhe do ta kuptojnë më mirë historinë e pasur shqiptare. Fjala e saj e zjarrtë dhe plot dashuri për fëmijët të kujtonte zonjën e hekurt të Anglisë Margaret Thatcher e cila ka thënë: “Any woman who understands the problems of running a home will be nearer to understanding the problems of running a country,” që do të thotë: “Çdo grua që kupton problemet e familjes do të jetë shumë më afër për të kuptuar dhe problemet që ka vendi.” Emmia ka marrë edukimin e plotë në Amerike dhe ka një karierë profesionale për t’u admiruar. Ajo sot punon si zv/presidente, Senior, Sales at Shiseido: Beaute Prestige International.  Bordi drejtues i zgjedhur në rrugë demokratike në Kuvend përbëhet nga këta anëtarë: Ismet Kurti/ Bilal Demiri/Mustafë Hidra/ Zija Kraja/ Sulejman Pali/ Emmie Salaj/ Melinda Gjeloshi/ Mina Salaj/ Suada Ceka/ Bajame Llolla/ Nazmir Osmani/ Naser Çobaj/ Albert Salaj/ Arsim Tagani dhe Edin Shabaj.

Në fund të gjithë Anamalasit me krenari i uruan zonjes Selaj, punë të mbarë dhe bënë një foto të përbashkët si pjesëmarrës të këtij kuvendi.

21 shkurt, 2016

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ana e malit, Emmie Salaj, gruaja me histori, Keze Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3063
  • 3064
  • 3065
  • 3066
  • 3067
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT