• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT ANTON HARAPI: “T’a bajmë monumentin kombëtar – Bashkimin e Shqiptarëve.”

February 18, 2016 by dgreca

(70-vjetori i pushkatimit të At Anton Harapit(1946) dhe 100-vjetori i rënjes së Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit, 1915)

Nga Frank Shkreli/

Shkurti shënon 70-vjetorin e pushkatimit nga regjimi komunist të At Anton Harapit, njërit prej atdhetarëve dhe dijetarëve më të dalluar të kombit shqiptar.  70-vjetë më parë, At Anton Harapi dënohet me pushkatim nga “gjyqi i popullit”, si “armik” dhe “tradhëtar”, trupi i vdekur i të cilit u hodh diku në afërsi të Tiranës, ndërkohë që as pas 70-vjetësh nuk i dihet as varri i tij.  Hapni dosjet! Ashtuqë në këtë 70-vjetor të pushkatimit të këtij personaliteti të shquar të kombit, të zbulohet se ku është varrosur, jo vetëm Anton Harapi, por edhe patriotë të tjerë të kombit, eshtërave të të cilëve u janë humbur gjurmët nga regjimi komunist. Të zbulohet varri i tij dhe varret e shënjta të të gjithë atyre që u pushkatuan nga regjimi enverist i nxitur, për zhdukjen e patriotëve dhe intelektualëve më të dalluar të kombit shqiptar, nga sllavo-komunistët armiqët historikë të shqiptarëve.  Ishte amaneti i tij që, “Eshtënët e mi në tokën e Parëvet të jenë testamendi em.”  Por, ai nuk dinte se, për regjimin komunist nuk mjaftonte që ai si kundërshtar tij të pushkatohej, por duhej që edhe eshtërat t’i treteshin.

At Anton Harapit i kishte falë Perendia shumë dhunti morale dhe talente të shumëta në fusha të ndryshme që e dallonin atë. Ndër të tjera, ai njihej edhe si orator i spikatur jo vetëm në Shkodër por edhe anë e mbanë Shqipërisë.

Ishte viti 1915 kur ushtria malazeze kaloi kufirin dhe pushtoi Shkodrën. Ushtria sllavo-malazeze u detyrua të zhvillonte luftime me malësorët shqiptarë. Ndër të tjerë, atyre iu ishin bashkuar në mbrojtje të trojeve shqiptare nga pushtuesit serbo-malazez edhe patriotët e kombit, Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli.  Pushtuesit sllavë organizuan menjëherë vrasjet, ndjekjet dhe internimet kundër patriotëve shqiptarë, duke vrarë, Isa Boletinin, Ded Gjo Lulin, Mehmet Shpendin, por edhe Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin, të cilët thuhet se kishin shkuar në Shkodër për t’iu bashkuar lëvizjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimi sllav.  Për një periudhë prej 20-vjetësh thuhet se eshtërat e Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nuk kishin varrë të tyre në fshatin Shtoj të Shkodrës, por zbulohen në vitin 1936. Eshtrat e dy dëshmorve dërgohen në Gjirokastër, por jo më parë se Shkodra tu jepte këtyre patriotëve një lamtumirë madhështore dhe me fjalime prekëse nga ndër të tjerë, edhe At Anton Harapi.  Fjalimi i At Anton Harapit para mijëra qytetarëve të Shkodrës me rastin e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit për në vendilindje më 1936, është cilësuar si një fjalim klasik, i pa krahasueshëm me ndonjë tjetër në historinë e oratorisë shqiptare.  Në kujtim të 100-vjetorit të rënjes së dëshmorëve Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli, vrarë nga forcat serbo-malazeze (1915) dhe duke shënuar 70-vjetorin e pushkatimit të At Anton Harapit shkurtin e vitit 1946 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ia vlenë të kujtohemi se çfarë burrash dhe çfarë  atdhetarësh kishte dikurë kombi shqiptar.

Fjalimi i At Anton Harapti në ceremoninë e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nga Shkodra në vendlindjen e tyre:

 “DY LOTË E NJË BETIM

Ndalnju! Ku veni, o burra ?!…
Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni.
Doni t’a leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshem e rritet shtatin, atje prej kah Shqipnija u qiti edhe u ndriti !
Le të lëvdohen po, për ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë ma pak s’do të gezohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhe.

Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrëshme, por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo shqiptarësh, jeni kreshnikë, jeni burrat shqipëtarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e kreshnikisë s’uej .
Jo, nuk u lëshon ju Shkodër lokja, ambël pa u puthun në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmuem të dy krahët, permallshem pa u derdhun dy pika lotesh, lote gezimi e pikllimi, mbi eshtënt t’uej.
Eshtën të pamort, u falem ! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme t’ueja rueni një visar të çmueshëm, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër ne deri sa të jetë Shqipnija.
E udha e mbarë u qoftë !
Veç, o burra, që vdekun, flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, dhe, lëshonje një za, at zanin t’uej kumbues si të luajvet, diftoni djelmënisë shqiptare shka ua ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshem.
Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnesët e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri që në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen themeluesat e atdheut.
Kemi pse te jemi e të mbahemi Shqiptarë, deri sa të shënjta të ruhen besë e burrni.
Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani një urim Shqipnisë; m’i ndillni të mbarë e perparim, pagjë e ngadhnim.

 Por dhe nje namë, si rrufeja, m’i a lëshoni kulshedres së re, rrymvet dërrmuese, që po e brejnë jetën shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatërrojnë: lëvdohen për dashuni, e na qesin mëninë e fitmen, duen te na mesojnë e po na zhburrnojnë.

 Heu! Ata mos qofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër vehte, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familja e historia.
Nuk po u pyes kush jeni e kah po veni. Kudo shkojshi, të bardhë qofshi ; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk me duhet gja kush u vrau, por knaqëm, kah marr me mend atë per shka ju ratë preja e dorës mizore. Nuk marr parasysh ç’ krahine ishit e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptar.

Ju mësytë Shkodrën për strehe atdhetarije, për lamë veprimi, për strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqësi iu priti e iu dha nderimin që ju përkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, ndër të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lulë e tjerë sokola.

Eh, moj Shkodër, moj mizore ! Si s’u ngine ma njiherë me gjak ? Deri kur ma do të m’i a këndojsh kangën vdekjes e shemtimit?
Shka asht në ty, që dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa në jetë, si të gezojshesh ma fort për të mbetun se për të gjallë? Me shka ma mund do të shuhet ajo etja e jote, që tashma sot të rreshkë e të përvlon?…

Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and përkunde burrat e maleve, ashtu në prehën t’and mblodhe, ne votren t’ande rreshtove kreshniket e kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpëtimin; në therori, fitimin; në burrni, forcën. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmone për piri.
Zotnijë të ndritshëm ! Nuk due t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Mirrni kto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, ejani këtu, e mbi këta eshtën, shëmbull ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijme dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e të krishtenë, e me besën e burravet, me besën Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajtë Shqiptarit të pa prekun një Zot të vertetë, një atdhe të lumtun, për të bamë Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderbeun.

T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptaret janë njimend burra; se mund te jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë, e njiheri Shqiptarë të njimendët.
Zoti i vërtetë e Atdheu le të na bashkojnë, Zoti e Atdheu të na mbajnë;
Me Zot e me Atdhe të lumnojmë ! “   
 (Teksti i fjalimit ishte botuar në revistën e françeskanëve shqiptarë, ” Hylli i Drites”, Shkoder 1936.)
At Anton Harapi nuk ishte as “tradhëtar” as “armik i popullit” dhe as një “Klerik që shiti atdheun”, siç e akuzonte jo vetëm regjimi anti-kombëtar i Enver Hoxhës, por edhe apologjetët e tij edhe sot e kësaj dite — por ishte dhe mbetet një atdhetar i cili me besimin në Zotin dhe me dashurinë për kombin e vet, edhe sot në këtë 70-vjetor të pushkatimit të tij, i fton Shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre aktual – duke u bërë thirrje, ashtu siç u kërkoi shqiptarëve të kohës së tij në fjalimin që mbajti si anëtar i parlamentit shqiptar në vitin 1944:   “T’a bajmë monumentin kombëtar – Bashkimin e Shqiptarëve.”

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: At Anton Harapi, bashkimi i shqiptareve, Frank shkreli, Monumenti Kombetar

Shqipëria një pjatë e përzier e paudhësive

February 18, 2016 by dgreca

…Ne nuk sollëm modele të bukura, nuk ndërtuam të kundërtën e monstrës që rrëzuam në shkurt’91. Ne nuk sollëm heronj të mirë, ata që nuk vjedhin, nuk dhunojnë, ata që nuk vrasin, ata që respektojnë mendimin e tjetrit edhe kur nuk janë dakord me të, ne nuk sollëm shtetbërësin idealist që merret vesh me atë që ka përballë për të mirën e vendit të vet, që di të ulet për hir të progresit e të arritjes së qëllimeve të mëdha të kombit. Ne, e gjithë kjo klasë politike, nuk e krijuam dot heroin tonë të mirë./

Nga Mesila DODA*/

Sot është një ditë e rëndësishme për t’u përkujtuar. Më 18 shkurt të vitit 1991 nisi greva e urisë e 728 studentëve të Universitetit të Tiranës, ndaj është një rast i mirë të kujtojme dhe përkujtojmë këtu në Parlamentin e Shqipërisë datën që bëri të mundur një kthesë historike në jetën e vendit.

Dëshiroj që sot t’i rikthehem këtij momenti që na ndryshoi e na rriti të gjithëve njëheri, jo thjesht si një person i privilegjuar që isha në rreshtat e atyre që shkruajtën historinë e jashtëzakonshme të përmbysjes së një sistemi, por që ta kthejmë këtë datë si një mundësi për të kuptuar çfarë bëmë gabim, ku u stepëm, çfarë bëmë mirë a keq dhe a u zhgënjyen njerëzit nga ne?

Greva e Urisë së studentëve të Universiteti të Tiranës ishte një akt i pastër politik për varrosjen e diktaturës në vend, për zhdukjen e miteve të rreme….Por a u zhduk miti i egër i diktaturës së veprimit dhe mendimit? Nuk u zhduk. Në këtë sallë i keni bashkë mite, gjysëmzotër të rremë, skllevër të mendimit e të shpirtit dhe njerëz të lirë që e paguajnë çdo ditë shtrenjtë lirinë e tyre, Kjo është edhe Shqipëria e sotme…një pjatë e përzier e dhunës, krimit, korrupsionit, lirisë së paepur, ambicjes, intrigës, idealizmit, hipokrizisë , servilizmit e varfërisë.

Ka pak pra, shumë pak për ta patur zili atë çka ndërtuam dhe për këtë të gjithë kemi faj. Ata që nënshtruan, që s’pranuan e s’pranojnë tjetrin, mitet e reja, të vjetra e të dhunshme të ndryshëm, por njësoj në mendje me ata çka rrëzuam para çerek shekulli, por janë njësoj me faj para realitetit dhe ata që heshtin, që përulen e nënshtrohen para forcës, dhunës së retorikës e turmës së paguar e skllave të mbretërve.

Çfarë ndërtuam? Ne ndërtuam një sistem që imitoi lirinë, imitoi demokracinë….kishte gjithë përngjasjen me të, por është një sistem i padrejtë. Është një sistem shpirtërisht e fizikisht i korruptuar, është një sistem që varfëron individin, e lë dhe e zhyt në mjerim shpirtëror e ekonomik. Mos të gënjejmë veten, ne kemi ndërtuar me duart tona, pak e përditë, mitin e padrejtë të vjedhjes, gënjeshtrës, korrupsionit, pandëshkueshmërisë, trafikimit të pushtetit me banditë, ish-banditë e familjarë dhe kjo nuk është ajo që deshëm ne shkurt të ‘91. Kjo është tabloja e asaj që ndërtuam, ndaj nuk duhet të çuditemi që shqiptarët nuk besojnë më, që sot njerëzve të zhgënjyer nuk i duket gjë koha e terrorit dhe monstruozitetit të Enver Hoxhës. Para disa ditësh dëgjuam romancën e shekullit të tregohej nganjë plakë që ka mbetur e ligë, e ftohtë dhe kalkuluese deri ditën e fundit që duhet të shkojë nga kjo botë. Unë besoj se gjyqin e saj do e bëj Ai, tek i cili ajo nuk besoi dhe e mohoi gjithë jetën e saj mizore, por di të them që gjyqin këtu mbi tokë ne nuk ja bëmë kurrë. Askush nuk ja numëroi jetët e të vrarëve, torturuarve, dhunuarve, familjet e shqyera, jetët e dhunuara, varfërinë që e shkatërroi fizikisht e shpirtërisht këtë komb, tradhëtinë e shitjes së trojeve kombëtare, shkatërrimin e shtëpive të Zotit, zhdukjen e burgosjen e klerit…

Të mjerët ne… ishim të vetmit që ja lamë duart e gjakosura Ledi Makbethit, e amnistuam moralisht dhe ligjërisht nga krimet dhe e kthyem në një zonjë ëngjëllore që na tregon romancën e vet epiko-lirike. Ligjet që do duhej ta dënonin i lamë në mes, i zbutëm, madje i futëm qosheve hera-herës, historinë nuk e shkruajtëm drejt e qartë. Sa herë që duhet të bëjmë një akt të mirë për t’u ndarë sinqerisht nga krimi i djeshëm, aq herë fillojmë gjoja të zihemi mes nesh e t’i lëmë dosjet sirtareve, ligjet të pavotuara, krimin të amnistuar …e atëherë nuk duhet të habitemi që në këtë vend nuk dënohet kush, sepse nuk dënohet dot hajduti, kur nuk është dënuar krimineli, vrasësi. Ktheni kokën anash, ca do i gjeni në karrigen ngjitur me ju a disa rreshta më tutje.

Ne nuk sollëm modele të bukura, nuk ndërtuam të kundërtën e monstrës që rrëzuam në shkurt’91. Ne nuk sollëm heronj të mirë, ata që nuk vjedhin, nuk dhunojnë, ata që nuk vrasin, ata që respektojnë mendimin e tjetrit edhe kur nuk janë dakord me të, ne nuk sollëm shtetbërësin idealist që merret vesh me atë që ka përballë për të mirën e vendit të vet, që di të ulet për hir të progresit e të arritjes së qëllimeve të mëdha të kombit. Ne, e gjithë kjo klasë politike, nuk e krijuam dot heroin tonë të mirë.

Sot, në këtë ditë është mirë që t’i vëmë emrin e vet historisë së këtij vendi.

Do doja të përfundoja këtë fjalë duke lajmëruar se iniciativave që kemi ndërmarrë për t’u ndarë nga e shkuara, atyre për hapjen e dosjeve, dekriminalizimin, heqjen e medaljeve dhe titujve të nderit për xhelatët e diktaturës, do i shtojmë edhe iniciativa të tjera, tejet të rëndësishme që të marrë një pozicionim të qartë e gjithë kjo klasë politike. Shqipëria e ka jetike aprovimin e platformës kombëtare të dekomunistizimit, ku të pasqyrohet:

Nevoja për një ligj për kujtesën historike. Të rinjtë të mësojnë të kaluarën e vërtetë dhe të njihen masakrat dhe kriminelët. Të punohet për gjetjen e trupave të viktimave duke përdorur informacionet që duhet të jepen me ligj nga ata që disponojnë informacionin.

Të aprovohet ndryshimi ligjor për ndalimin e përdorimit në publik të simboleve komuniste dhe figurave të kriminelëve të regjimit të kaluar.

Të hiqet çdo titull nderi për cilindo funksionar që është i përfshirë në krimet e ish-regjimit të kaluar.

Të mos jepet asnjë dëmshpërblim për ish-funksionarët komunistë që më vonë u deklaruan të persekutuar.

Të largohen kriminelët nga administrata dhe politika. Të ndalohën përfundimisht ish-gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit të vjetër të bëhen pjesë e sistemit të sotëm të drejtësisë. Nuk mund të ketë dekriminalizim të keqbërësve të rinj dhe falje për xhelatët e vjetër. Kriminelët e keqbërësit e të gjitha kohërave duhen ndaluar të jenë pushtet mbajtës.

Të gjenden të zhdukurit te diktaturës, të nderohen të rënët, martirët. Historia e vërtetë e Shqipërisë duhet të jetë pjesë e edukimit, pjesë e kurrikulave zyrtare në shkollat tona.

Kjo nuk është thjesht deklaratë për përdorim politik, por platformë, të cilën herët a vonë politika do detyrohet ta konsiderojë, sepse shfaqje si ato që shohim sot do vazhdojnë të prodhojnë destabilitet kombëtar per shkak të modelit të keq që sjellin. Ky Parlament duhet të ndërtojë në mënyrë urgjente një komision ad-hoc për aprovimin e kësaj platforme dhe monitorimin e saj.

Më së fundi, do kisha një kërkesë që s’do duhej të vinte nga unë, por nga ju që miratuat ligjin gjysmak të dosjeve. Votoni komisionin e hapjes së dosjeve, votojeni urgjentisht se edhe atë ligj gjysmak që miratuat e keni lënë pezull dhe ende nuk e keni filluar një process, i cili u ndërtua pa vizion dhe pa dëshirë për të zbardhur të vërtetën. Më së fundi, do ju ftoja të gjithëve që në përfundim të kësaj fjale të kryejmë një akt nderimi në respekt të grevës së urisë së studentëve. Ju ftoj që të çohemi në këmbë dhe t’i bëjmë një duartrokitje si akt nderimi dhe falenderimi për studentët e dikurshëm, rebelët që ndryshuan historinë e këtij vendi.

* Fjala e plotë mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë

***

Kuvendi refuzon nderimin për studentët që rrëzuan diktatorin

Deputetja Mesila Doda ftoi deputetët të nderojnë me një duartrokite momentin historik të grevës së urisë së studentëve në shkurt të vitit 1991

Një thirrje e deputetes, Mesila Doda, ka vënë në provë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë përballë historisë së dhjetorit ’90. Si studente e grevës së urisë e 25 viteve më parë, Mesila Doda, kërkoi nga deputetët të ngrihen në këmbë për të duartrokitur për një çast në nderim të grevës s studentëve që rrëzoi bustin e diktatorit, por ligjvënësit e dy palëve kanë refuzuar këtë thirrje në respekt ndaj njërit prej momenteve të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Me sa duket deputetët e dy palëve nuk e kanë aq për zemër atë moment që rrëzoi sistemin komunist në Shqipëri.

Padyshim që ka prej tyre nga ata që e respektojnë këtë ngjarje, pasi mund të kenë qenë në atë grevë historike, por fakt është se Kuvendi i Shqipërisë e refuzoi sot një gjest shumë të thjeshtë në nderim të studentëve të dhjetorit 90, vetëm një duartrokitje për ta.

 

Filed Under: Featured Tagged With: e paudhësive, Mesila doda, Shqipëria një pjatë e përzier

Kosovë- Ministria e Drejtësisë: Vendimi i Gjykatës Serbe është tendencioz

February 18, 2016 by dgreca

*Kosovë-Reagim i Ministrisë së Drejtësisë lidhur me dënimin e eprorëve të UÇK-së  nga organet gjyqësore serbe/

*Ky vendim shkel edhe  parimin e të drejtës pozitive të vet shtetit serb, i  cili në mase të madhe po keqpërdor edhe tolerancën e mekanizmave ndërkombëtarë. Prandaj, kjo situatë duhet të shqyrtohet me kujdes edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, veçanërisht nga EULEX-i./

Prishtinë, 18 shkurt 2016/ Ministria e Drejtësisë vlerëson se vendimi i fundit i gjykatës serbe lidhur me dënimin e eprorëve të UÇK-së, pjesëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani” : Anton Quni , Rrustem Berisha , Xhafer Gashi, Demush Gacaferri , Demë Maloku, Agron Jusufi, Rabit Alia dhe Sheqeri Maloku është një vendim tendencioz që tregon se Serbia vazhdon të sillet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe  realitetin e ri të krijuar në Kosovë.Ministria e Drejtësisë thekson se, ky vendim  bie ndesh edhe me parimet bazë të ligjshmërisë dhe juridiksionit që vendos drejtësinë në aspektin e së  drejtës pozitive dhe kompetencës lëndore dhe territoriale,  si dhe parimit të inter-operabilitetit në fushën e juridiksionit të së drejtës penale vendore dhe asaj ndërkombëtare.

Ky vendim shkel edhe  parimin e të drejtës pozitive të vet shtetit serb, i  cili në mase të madhe po keqpërdor edhe tolerancën e mekanizmave ndërkombëtarë. Prandaj, kjo situatë duhet të shqyrtohet me kujdes edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, veçanërisht nga EULEX-i.

 Ky rast, i cili cenon liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës të garantuara me kushtetutën e vendit dhe me instrumentet relevante ndërkombëtare, kërkon  një trajtim të qartë të tendencave provokuese të gjykatave që procedojnë raste në mungesë të juridiksionit dhe që funksionojnë në bazë të disa marrëveshjeve të tejkaluara. Përfundimisht, logjika juridike e organeve gjyqësore serbe është e tejkaluar dhe i takon  ish  sistemit të Republikës Federale të Jugosllavisë,  e cila nuk ekziston më as si rregullim shtetëror,  as si formë e regjimit shtetëror por as si sistem juridik nuk mund të trashëgoj bazë për veprim juridik ndaj qytetarëve që i takojnë një realiteti të ri të rregullimit shtetëror, administrativ e politik. Institucionet e Kosovës, në koordinim të plotë edhe me faktorin ndërkombëtar që ndërmjetëson rregullimin e raporteve ndërshtetërore dhe të fqinjësisë, do të kërkojnë të tejkalohen këto insinuata pa bazë ligjore dhe destabilizuese.Krahas angazhimit për arritjen e një pakti për traktat paqeje dhe stabiliteti mes Kosovës dhe Serbisë do te duhej të ketë edhe një akt formal kërkim-faljeje nga ana e Serbisë, si dhe tërheqje te akteve akuzuese fiktive. Për sistemin juridik te Kosovës vendime te kësaj natyre janë pa efekt juridik dhe kërkojmë nga Serbia t’i tërheq ato. Po ashtu, kërkojmë nga faktori ndërkombëtar t`i bëjnë trysni Serbisë që të tërheq akte të tilla. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të përdorin të gjithë mekanizmat në drejtim të anulimit të kërkesave për arrestime pa bazë juridike në Europol, Interpol etj., përfundon komunikata e dërguar nga Ministria kosovare e Drejtësisë./b.j/

 

Filed Under: Komente Tagged With: është tendencioz, Kosovë- Ministria e Drejtësisë: Vendimi i Gjykatës Serbe

Kosovë-Të hyrat buxhetore në janar, rritje 11.4 për qind

February 18, 2016 by dgreca

-Ministri i Financave, Avdullah Hoti: Viti 2016 ka filluar mbarë/

PRISHTINË, 18 Shkurt 2016-B.Jashari/ Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, ministri i Financave, Avdullah Hoti, informoi për Raportin mbi Përformancen e të Hyrave dhe Shpenzimeve Buxhetore. “Të hyrat e përgjithshme për muajin janar janë rritur për 11.4 për qind, krahasuar me janarin e vitit 2015, që është rreth 12 milionë më shumë”, tha ai.Kjo rritje, vijoi ministri Hoti, ka ardhur si rezultat i rritjes së të hyrave nga taksat kufitare prej 10.3 për qind, kryesisht nga rritja e sasisë së naftës së importuar, ndërsa të hyrat e arkëtuara janë rritur me 7 për qind, dhe shpjegimet nga Departamenti i Politikave Ekonomike tregojnë që kjo është shenjë e aktivitetit të shtuar ekonomik në janar të këtij viti krahasuar me janarin e vitit të kaluar.“Ndërsa, të hyrat tjera jo tatimore, ku hyjnë të hyrat vetanake të nivelit qendror por edhe local, të hyrat nga tantiema dhe nga taksat koncesionare janë rritur në rekord prej 30 për qind, këtë janar krahasuar me janarin e vitit të kaluar”, theksoi ministri i Financave.Tek shpenzimet, tha Hoti, viti ka filluar mbarë, të gjitha projeksionet për shpenzime në paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime janë duke shkuar sipas planifikimit.“Ka rritje të shpenzimeve në subvencione dhe transfere që është e pritshme për shkak të implementimit të skemës së pensioneve për veteranët e luftës dhe të përfitimeve për asistencë sociale”, tha ministri i Financave në qeverinë e Kosovës.Ministri i Financave Avdullah Hoti, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri,  sot ishte edhe në vizitë në Zyrën rajonale të Administratës Tatimore në Gjilan.Edhe gjatë kësaj vizite, ministri Hoti prezanto Raportin mbi Përformancen e të Hyrave dhe Shpenzimeve Buxhetore për muajin janar të këtij viti, ku bëri të ditur se “të hyrat e përgjithshme buxhetore janë rritur me 11.4% krahasuar me janarin e vitit të kaluar, të shtyra kryesisht nga aktiviteti i shtuar ekonomik gjatë këtij muaji”.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosova, Minsitri Abdullah Hoti, rritje ekonomike

AAK: Serbia s’ka fuqi mbi shtetasit e Kosovës

February 18, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 18 Shkurt 2016/ Serbia nuk ka fuqi mbi shtetasit e Kosovës, deklaroi sot në një reagim Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti e liderit Ramush Haradinaj.Kjo parti thekson se, “gjykimi i tetë ish-pjestarëve të UÇK-së, në mesin e të cilëve janë edhe dy zyrtarë të lartë të AAK-së, deputeti Rrustem Berisha dhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, është presedan i rrezikshëm dhe përzierja flagrante në sistemin juridik e politik të Kosovës”.“Për më tepër është i çuditshëm një vendim i tillë, i cili bëhët publik pikërisht në ditën e pavarësisë së Kosovës dhe në kohën kur institucionet e Kosovës po bëjnë edhe kompromise antikushtetuese për Asociacionin e komunave serbe”, shprehet AAK në një deklaratë.
“Ky do të duhej të ishte një alarm edhe për reflektimin e institucioneve të Kosovës, në raportet që po i  ndërtojnë me Beogradin, dhe bazë që nga bashkëbiseduesit e tyre serbë në Bruksel, të kishin kërkuar tashmë që Serbia të heqë dorë nga ndjekja e shtetasve të Kosovës”, shtohet në deklaratë.  “Baza juridike e trupës klandestine gjygjësore serbe, i takon ish sistemit socialist- komunist të Republikes Federale të Jugosllavisë,  e cila nuk egziston as si rregullim shtetëror e as si sistem politik. Ky ish sistem juridik nuk mund të trashigojë bazë për veprim juridik ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, përfundon AAK./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: AAK: Serbia s’ka fuqi, e kosoves, mbi shtetasit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3075
  • 3076
  • 3077
  • 3078
  • 3079
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT