Departamenti amerikan i Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar të pasdites së kësaj të enjteje ka bërë të ditur se Sekretari i Shtetit, John Kerry do të vizitojë Tiranën më 14 shkurt.
Ndalesa e Sekretarit Kerry në Shqipëri është në vazhdën e një udhëtimi 5-ditor, që ai do ta nisë me ndalesën në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e 52-të të Sigurisë. Në këtë ndalesë, ai do të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë (ISSG) për të diskutuar mbi mënyrat sesi të përshpejtohet dhënia fund e konfliktit sirian.
Më tej në Tiranë, Sekretari Kerry do të takohet me krerët më të lartë të qeverisë shqiptare, për të diskutuar mbi integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin e ngushtë dypalësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. John Kerry bëhet i pesti kryediplomat amerikan që viziton Shqipërinë gjatë 26 viteve të demokracisë. I pari ka qenë James A. Baker III, në vitin 1991, atëherë kur Shqipëria ende nuk kishte dalë plotësisht nga diktatura 45-vjeçare komuniste. Më pas, në vitin 2000 ishte Madeleine Albright, ajo që vizitonte Tiranën pak pas Çlirimit të Kosovës. Pas një tjetër përplasjeje në rajon, asaj të 2001-shit në Maqedoni, ishte Colin Poëell, në vitin 2003, që do të ishte i pranishëm në firmosjen e Kartës së Adriatikut mes Uashingtonit, Tiranës, Zagrebit dhe Shkupit. Hillary Clinton ishte Sekretarja e fundit amerikane e Shtetit, e cila vizitoi Shqipërinë në vitin 2012. Tre vite pas kësaj vizite, në kohën kur rajoni është i përfshirë nga shumë zhvillime, por edhe nga tentativat e herëpashershme të Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj në Ballkan, John Kerry viziton Tiranën. Pas Shqipërisë, kryediplomati amerikan do të rikthehet në SHBA, ku në Sunnylands, Rancho Mirage, të Kalifornisë do të bashkohet me Presidentin amerikan, Barack Obama, në samitin mes SHBA-ve dhe ASEAN (rajoni Azi-Paqësor), më 15 dhe 16 shkurt.
Kujtesë për veten dhe miqtë
Nga Gëzim Zilja/
Ne Foto:Godina ku u ngrit flamuri kombëtar./
Në Ankara, ku u ndodha ditë më parë me një grup audituesish të KLSH-së për shkëmbim eksperience, miqtë turq na çuan të vizitonim dhe Kompleksin Muzeal të Ataturkut ose thënë ndryshe, babait të krijimit të Turqisë së Re. Ishte një vepër moderne e shtrirë në disa hektarë tokë, e ndarë në disa pavione. Pasqyrohej aty lufta heroike e popullit turk për pavarësinë e Turqisë së re, reformat për një shtet të fuqishëm, ngritur mbi gërmadhat e perandorisë otomane. Është një Muze mahnitës, i kuruar deri në detaje, nga reliket e shumta, jeta private, nëna, babai, të afërmit, shokët e luftës dhe të pas-luftës, pamje madhështore të betejave luftarake, ku bijtë e Turqisë jepnin jetën për atdheun e shumë e shumë hollësi të tjera, që nxjerrin në dritë dhe e bëjnë të pavdekshme atë figurë historike. Sigurisht një ‘’ditë pune’’ tetë orëshe nuk mjafton ta vizitosh, por përshtypja dhe mbresat të mbeten për një kohë të gjatë në mendje. Mendon: ja vlen një jetë e tillë dhe si qytetar kujtohesh që edhe ti ke një atdhe, që ja vlen ta duash, ta respektosh, të punosh dhe të ndjehesh krenar për të. Sot nuk kërkohet të japësh jetën për Shqipërinë por është detyrë të jesh e të bëhesh më i mirë për të e shoqërinë shqiptare. Shëmbulli i Ataturkut dhe ai muze madhështor, të çojnë të mendosh për atdheun tënd dhe babanë e kombit, Ismail Qemalin. Mendja, duke vizituar Muzeun fluturon vetvetiu atje në Vlorën e Dashur, në një shtëpi tepër modeste dykatëshe, (flamuri nuk është ngritur këtu) në breg të detit, ku ndodhet muzeu i Babait të Kombit, themeluesit të Shqipërisë. Janë gjashtë dhoma gjithsej, që pasqyrojnë një luftë 500 vjeçare për liri e pavarësi të popullit shqiptar. Nuk është vendi të përmendim përpjekjet mbinjerëzore të popullit shqiptar kundër grekëve, serbëve e malazezëve për ta mbrojtur atë Shqipërizë, që njohën Fuqitë e Mëdha. Do të duheshin të paktën dyzetë pavione nga një për secilin firmëtar të Kartës së Pavarësisë, një dyzinë për ata që nuk firmosën me penë por me pushkë dhe disa të tjerë për heronjtë që dhanë jetën në mbrojtje të trojeve shqiptare. Më ka shkuar edhe më parë mendja, në një pyetje , në një shqetësim në një merak, në një të drejtë që kërkoj ta did he ta kërkoj me zë të lartë: Përse nuk ndërtohet një Muze që të pasqyrojë atë epope që përfundimisht çoi në Themelimin e Shtetit Shqiptar? Si fillim është e domosdoshme të ringrihet godina e vërtetë që sot nuk ekziston (foto 1), ku u ngrit flamuri dhe u vendos përkohësisht Qeveria e Parë Shqiptare me kryeministër Ismail Qemalin. Sa kushton kjo godinë trekatëshe e ndërtuar me gurë me gjithë anekset e saj? Nuk duhen shumë para, kjo është e sigurt, por më shumë dashuri e kujdes për veten, për figurat dhe historinë tone kombëtare.
Shikoni se ç’kanë bërë disa bijë të Vlorës, ata të sotmit, kanë ngritur një përbindësh betoni, atje ku mund të ngrihej e të sundonte Sheshin (foto 2) kompleksi Muzeal i Pavarësisë, ku të ndodhej edhe godina mëmë. Ndoshta do të gjendet aq tritol (mendimi im) që kjo godinë-qelbësirë që i ka zënë frymën Sheshit të Flamurit të hidhet në erë.
Një vit më pare, një grup patriotësh vlonjatë me shpenzimet e tyre, me nismën e vlonjatit e mirë, Bujar Leskaj, e çuan Ismail Qemalin në atdheun e munguar, në Kosovë. Shtatorja e tij e punuar nga skulptori Luan Mulliqi ngrihet madhështore në një nga sheshet e bukura të Prishtinës. Mos ndoshta duhet të përsëritet historia? Në gazetën ‘’Kombi’’ të vitit 1920 është një listë e gjatë, ku tregëtarët por edhe qytetarët vlonjatë, dhuruan shuma në Franga Ar, për Avni Rustemin para se ky të nisej për në Paris.
Jam dyshues, por prap dua të besoj se një Kompleks Muzeal ashtu si e kanë gjithë kombet e qytetëruara do të ngrihet një ditë. Monumenti i Pavarësisë, Lulishtja dhe Varri, ku prehen eshtrat e Ismail Beut, Monumenti i Ushtarit të Panjohur, Shtiza e Flamurit, janë aty. Duhet ngritur përballë pjesa që mungon por… duhet marrë leje te pronari i ri i ‘’Sheshit të Flamurit’’, ose ‘’Mister Çimentua’’, nëse ky ja ka haberin se ç’është Atdheu dhe historia e tij.
MIRATIMI I REZOLUTES SE PE-SE,PER KOSOVEN, MESAZH I FUQISHEM PER PERSPEKTIVEN E SAJ EVROPIANE
NGA LULZIM MULLIQI/
Gjate viteve te fundit,BE dhe Kosova jane duke u angazhuar thellesisht per te zhvilluar dialogun e perbashket ne fushat te ndryshme si:Politike,diplomatike,ekonomike,sociale etj.Se fundmi, nje bashkepunim i tille po verehet ne nismat rajonale e globale,perkushtimin e perbashket te ruajtjes së sigurise dhe paqes ne rajonin e vendeve te Ballkanit perendimor,si dhe bashkepunimin e institucioneve te BE-së me Kosoven,ku argumente per kete jane:Nisja per MSA-ne,progresi i dialogut per liberalizimin e vizave per Kosoven dhe së fundmi,Parlamenti Evropian miratoi nje Rezolute per procesin Europian te integrimit te Kosovës ne institucionet e BE-së.Keshtu votimi i Parlamentit Europian i ka dhene nje dinamike dhe mesazh te fuqishem Shtetit te ri te Kosovës ne perspektiven e saj europiane,i cili pason ratifikimin qe iu be muajin e kaluar Marreveshjes së Stabilizim-Asocimit,te arritur ndermjet Bashkimit Europian dhe Kosovës.Vashdimesia e kesaj dinamike ne kete drejtim eshte relevante per Shtetin e Pavarur te Kosovës ,qe te kete perparime te metejme ne fushen e Mardhenieve Nderkombetare,procesin e lobimit te njohjes së metejme edhe nga pese vendet e tjera te Bashkimit Europian dhe forcimin e metejme te sovranitetit te saj Shteteror dhe territorial.Ceshtja me e rendesishme dhe me relevante e kesaj Rezolute eshte apeli qe i
kane bere ligjvenesit e Parlamentit Europian per kompletimin e njohjeve zyrtare te Shtetit te Kosovës edhe nga ana e pese vendeve anetare te BE-së,te cilat ende refuzojne ta njohin Kosoven.Permes kesaj rezolute i eshte dhene nje mesazh me së i qarte pese vendeve te tjera te BE-së,qe sa me pare ta njohin Pavaresine e Shtetit te Kosovës,duke thene së kjo do te ndikoje ne ngritjen dhe kredibilitetin e BE-së dhe forcimin e metejme te stabilitetit ne rajonin e Ballkanit.Vlene te permendet së shteti i Kosovës eshte i njohur nderkombetarisht nga afro 110 vende te tjera te OKB-së,perfshire ketu SHBA dhe vendet me te fuqishme te Bashkimit Evropian.Parlamenti Europian si nje Institucion i BE-së, qe mbart nje cilesim Nderkombetare.Ai eshte organi i vetem ne nivel mbikombetar,qe zgjedhet drejtpersedrejti.Kompetencat dhe roli PE-së,kane qene prej themelimit ne nje evolim te vazhdueshem ,nga i cili Ai perfitoi nje ndikim ne rritje.Etapa te rendesishme ketu kane qene zgjerimin i kompetencave te tij ne disa fusha te ndryshme si:Futja e procedures së bashkepunimit dhe asaj te bashkevendosjes,realizimi i zgjedhjeve te drejtperdrejta,zgjerimi i kompetencave te tij ne ceshtje te buxhetit etj.Gjithashtu,ne vitin
1977,Parlamenti Europian miratoi nje Rezolute te rendesishme edhe per te drejtat e vecanta te qytetareve te Bashkimit Europian,ku kane qene te parapara te drejtat e reja civile dhe politike ,si dhe mbrojtja e tyre.Parlamenti Europian poashtu,ne vitin 1984 e miratoi edhe Projektin e Traktatit per Unionin Europian ku per here te pare ishte perkufizuar edhe qytetesia e perbashket e Unionit.Sipas nenit 3,te atij Projekti”Qytetaret e shteteve anetare njekohesisht jane edhe qytetare te Unionit Europian”Andaj Rezoluta e Parlamentit Europian per Kosoven eshte per tu pergezuar dhe pershendetur nga i gjithe spekteri i partive politike shqiptare ne Kosove dhe me gjere,sepse ajo permban kerkesa te qarta per perforcimin dhe integrimin e Kosovës ne strukturat e Bashkimit Europian.
*Lulzim Mulliqi-Ekspert i Ceshtjeve Juridike dhe Mardhenieve Nderkombetare.
Delegacioni i BE vizitoi Qendrën NdërInstitucionale Operacionale Detare
Nga Shefqet Kërcelli/
Vlerësohet puna e bërë nga institucionet e shtetit shqiptar për monitorimin e situatës detare
Paraditen e datës 5 shkurt 2016, një delegacion i Bashkimit Evropian i kryesuar nga Europarlamentarët Romana Vlahutin{Amabasadore e BE në Shqipëri} dhe Lars Wigemark {Ambasador i BE në BosnjëHercegovinë} zhvilluan një vizitë në Qendrën tonë NdërInstitucionale Operacionale Detare. Fillimisht Delegacioni i BE u prit nga Drejtori i QNOD, Gjeneralmajor{R} Maksim Malaj dhe Kordinatorët e Institucioneve pjesmarrës të kësaj Qendre. Sipas programit mbas fotos së përbashkët, Delegacioni i BE i ndarë në dy grupe u njoh me Organizimin, Përbërjen e Misionin e Qendrës si dhe funksionimin e Sallës Operacionale. Mbasi i uroi mirëseardhjen, zoti Malaj i prezantoi pjesmarësve qëllimin e krijimit të QNOD në maj të vitit 2010, konceptimin e saj si institucion kryesor për monitorimin e situatës detare, ministritë pjesmarrëse, bashkëpunimi midis tyre, stafi operacional, kapacitetet operacionale dhe drejtimi i operacioneve, rregjimet juridike, sistemet dhe asetet në përdorim, shtrirja e tyre, shkëmbimi i informacionit dhe analiza e riskut. Në vijim Gjeneral Malaj evidentoi disa nga operacionet kryesore të kryera gjatë vitit të kaluar dhe aktualisht, si ato antidrogë, trafikun e paligjshëm të mallrave dhe njerzve, operacionet humanitare për shpëtimin e personave dhe mjeteve në rrezik, etj. Në organizimin, certifikimin dhe funksionimin normal të QNOD ka shërbyer dhe asistenca e Ambasadës së SHBA, BE dhe NATO-s, nëpërmjet strukturave të tyre, ICITAP, EXBX, PAMECA dhe atasheve ushtarakë të vendeve partnere, theksoi zoti Malaj. Ndërkohë për trajnimin, standartizimin dhe përgatitjen e personelit përbërës të QNOD ka qenë efikas bashkëpunimi dhe zhvillimi i stërvitjeve me Flotën e 6-të dhe Rojen Bregdetare të SHBA, me Qendrën e Simulimeve të Forcave të Armatosura, Guardia di Financën dhe Institucionet Shtëtërore me interesa në det si, Forcën Detare, Policinë Kufitare, Antikontrabandën Detare, Kapitanerinë e Porteve, Inspektoriatin e Peshkimit dhe atë Mjedisit. Gjatë prezantimit Ambasadore Vlahutin u interesua për operacionet e kryera në zbatim të ligjshmërisë detare, kryesisht trafikut të paligjshëm dhe përballimin e situatave emergjente në det. Në zbatim të programit, delegacioni i BE u njoh konkretisht me funksionimin e Sallës Operacionale të QNOD. Kapiten i Rangut të I-rë,{R} Astrit Aliaj, Zv/drejtor i QNOD, e njohu delegacionin e BE me organizimin e Sallës Operacionale, ndjekjen dhe monitorimin e situatës detare nga personeli i saj, sistemet dhe aparaturat që përdoren, bashkëveprimi gjatë operacioneve. Këtu zyrtarët e BE bënë pyetje dhe ndoqën nga afër mënyrën e monitorimit dhe ndjekjes së lëvizjes së anijeve të peshkimit, për të cilat morën përgjigje nga specialistët përkatës. Në fund të vizitës Ambasadorja e BE në vendin tonë, zonja Romana Vlahutin vlerësoi punën e bërë nga personeli dhe institucionet e shtetit shqiptar për organizimin, pajisjen dhe forcimin e institucioneve ligjzbatuese në det. “Shqipëria ka bërë hapa para dhe i ka përmbushur detyrimet e standartet e kërkuara nga BE për kontrollin dhe monitorimin e hapësirës detare”, u shpreh ambasadorja Vlahutin. Po sot Delegacioni i BE zhvilloi vizita në objektet muzeale të qytetit të Durrësit.
BOTA KËRKON NJË LIDER QË TË BASHKOJË POPUJT
-Nga takimi në New Hampshire i Hillari Klintonit, kandidate për presidente e SHBA-së. Merrte pjesë edhe ish predisenti, Bill Klinton-
– Midis atyre që takuan ish presidentin Klinton, isha edhe unë. Mes emocioneve i thashë:- Jam shqiptar dhe kam ardhur nga Bostoni. Dua t’ju falenderoj për kontributin tuaj të çmuar në luftën e popullit të Kosovës, për mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep Amerika Shqipërisë./
Nga Fuat Memelli/
Të martën që kaloi, më datë 2 shkurt, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, të kundondodhurit në veprimtaritë e shqiptarëve të Bostonit , Petrit Alibej dhe Sami Ajdini, u nisëm drejt qytetit Nashua, të shtetit New Hampshire, për të marrë pjesë në takimin elektoral që do zhvillonte aty, kandidatja për president e SHBA-së, zonja Hillari Klinton . Fakti që aty do ishte i pranishëm edhe bashkëshorti i saj, ish presidenti, Bill Klinton, na i shtonte jo vetëm dëshirën, por edhe kureshtjen për të marrë pjesë . Unë do të shkruanja për dy gazetat shqiptare që dalin në Amerikë, Illyria dhe Dielli, ndërsa ata vinin si mbështetës të zonjës Hillari. Koha e bukur dhe muzika shqiptare që na vinte Petriti, na bëri që të mos e ndienim fare atë një orë udhëtim ,deri sa mbritëm aty ku do zhvillohej takimi.
Megjithëse ishte ditë pune, rradha e njerëzve që vinin aty, qe e madhe. Në hyrje të godinës, vullnetarë mbështetës të Hillarit, orientonin pjesëmarrsit dhe verifikonin emrat në listat që kishin më vete. Emrat e të gjithë pjesëmarësve, ishin dhënë një ditë më parë kështu qe bërë verifikimi për çdo person. Duke parë kartat e identitetit , gjetën edhe emrat tanë në lista. Ne firmosëm, lamë numrat e telefonit e e-mailet dhe kaluam.Pa mbritur te salla ku do zhvillohej takimi, u bë kontrolli trupor si dhe i paisjeve që mund të kishte ndonjëri , njëlloj sikur kontrollohet në aeroport.
Para se të hynim në sallë, një nga organizatoret kryesore, na u afrua dhe na pyeti:-Ju shoh të veshur bukur ju të treve, më mirë nga të gjithë. Nga vini dhe çfarë funksioni kini? E sqaruam se vinin nga Bostoni dhe kishim ardhur posaçërisht për të ndjekur nga afër këtë takim.Pasi na falenderoi, na tha:-Ju do hyni pas senatorit dhe pushtetarëve të tjerë që janë me atë. E falenderuam edhe ne, pasi na shpëtoi nga rradha e gjatë.
Hymë në sallë dhe po zinim vendet kur një nga organizatoret , dukë parë dokumentin e gazetarit ndërkombëtar që kisha vendosur në gjoks, më tha:-Ju do paraqituni te ai personi aty, do regjistroi, do merni një dokument dhe mund të shkoni afër podiumit . Ashtu bëra. U regjistrova , mora një kartë tjetër që ishte për gazetarët dhe zura vend farë pranë vendit ku do flisnin dy Klintonët.
Në ballë të sallës, ishte vendosur një parullë e madhe me fjalët:”Fighting for us”( Luftojnë për ne)e cila nënkuptonte që ai mesazh është shkruar nga qytetarët. Krahas pankartave të vogla që mbanin shumë vullnetarë, gjashtë të tjerë mbanin nga një gërmë të madhe të fjalës: Hillary. Në një ekran të madh u shfaq një film prej disa minutash për jetën politike të Hillari Klintonit, që kur ajo kishte hyrë në politikë e deri sot.
Pastaj e morrën fjalën folësit. Në mikrofon afrohet presidentja e shkollës ,në sallën e të cilës zhvillohej takimi e më pas guvernatorja, Maggie Hasen, e cila foli shkurt për kontributin e Hillari Klintonit. Një këngëtare këndoi himnin amarikan, i cili shoqërohej edhe nga pjesëmarësit. Me duartrokitje të forta, pritet hyrja në sallë e ish presidentit amerikan, Bil Klinton dhe bashkëshort i zonjës Hillary. Megjithëse kanë kaluar afro 16 vjet vjet që është larguar nga detyra e presidentit, për kontributin e madh që ka dhënë jo vetëm për Amerikën por edhe në mbarë botën, ai ka mbetur një njeri i dashur dhe i vlerësuar për amerikanët. Ka ardhur në këtë takim për të mbështetur bashkëshorten e tij. Pasi falenderoi pjesëmarrsit , ndër të tjera theksoi se këtu në New Hampshire, vij si në shtëpi. Kam ardhur edhe kur do kandidoja për president dhe besoj se nuk ju zhgënjeva për premtimet që u dhashë. Duke folur për Hillarin, ai theksoi se kur isha president, ajo vinte shpesh në zyrën time të punës dhe kërkonte ta mështesja. Kërkonte ndihmë për edukimin si dhe për shëndetësinë. Unë e mbështeta dhe ajo bëri mjaft punë të mira. Lidhur me cilësitë e presidentit të ri amerikan, ai tha se sot bota kërkon një lider që të bashkojë popujt, të japë mesazhin e paqës, t’i bëjë ata të sigurt. Këto cilësi, besoj se i plotëson Hillari, theksoi ai.
Një Klinton tjetër, mer pastaj mikrofonin, bashkëshortja e tij, zonja Hillari, e cila është e para grua që kandidon për t’u bërë presidente e Amerikës. Në sallë shpërthejnë përsëri duartrokitje të fuqishme. Ajo foli pa rreshtur mbi 40 minuta, ku binte në sy energjia e saj dhe logjika e argumenteve. U ndal për një sërë problemesh si rritjen e rogave, sigurinë kombëtare, çmimet e ilaçeve, balancimin e pagës mes burrave e grave kur bëjnë punë të njëjtë, problemet fetare, etj. Duke folur për problemet re garave, ajo theksoi se unë do t’i mbështes ato në të gjitha fushat e jetës. Solli një shembull nga shëndetësia. -Një grua në Ohio, më tregoi se kishte dy vjet që nuk merrte një ilaç të domosdoshëm për atë, pasi ishte rritur shumë çmimi: nga 20 dollarë që paguante, tani ishte bërë 70 herë më shtrenjt. Unë jam njëra prej jush dhe nuk do të lejoj të ndodhin këto. Duke folur për rogat e burrave dhe grave, solli një rast diferencimi. Një grua që punonte menaxhere në një restorant, i kishte treguar se kolegu i saj menaxher që ishte burrë e që bënin të njëjtën punë, merrte më shumë të ardhura nga pronari . Ky është një diskriminim që nuk duhet të ndodhë , theksoi ajo.
Siguria kombëtare dhe politika e jashtme, ishin probleme të tjera që zunë vend të rëndësishëm në fjalën e saj. -Ne duhet të kemi lidhje të ngushta me popujt e tjerë. Së bashku, ne përbëjmë një forcë të madhe. Kështu ne mund të parandalojmë luftën dhe terrorizmin. Duke parandaluar luftën, nuk ka pse të dërgojmë ushtarë në vendet e konfliktit. Në rast se do të jem president, unë do të kordinoj punët me shtetet e tjera, përfshi edhe ato arabe. Detyra e sekretares së Shtetit që më besoi presidenti Obama, më bëri që të shkoj në shumë vende dhe të takoj shumë njerëz. Kjo ishte një eksperiencë e madhe për mua. Ajo u ndal edhe në problemet fetare që shqetësojnë sot botën. –Të gjitha fetë janë njëlloj dhe ne nuk duhet të flasim kundër tyre. Të flasësh kundër një feje, është diskriminim, theksoi ajo.
Pas mbarim të fjalës së Hillarit, shoqëruar më plot duartrokitje, shumica e njerëzve filluan të largohen, ndërsa çifti Klinton vazhdoi edhe minuta të tjera në sallë, duke takuar pjesëmarrës të rreshtit të parë. Njerzit afrohen, duan t’i takojnë, t’i thonë ndonjë fjalë, të bëjnë një foto për kujtim. Është i madh numri i atyre që duan t’i takojnë, por jo të gjithëve u realizohet kjo dëshirë. Midis atyre që takuan ish presidentin Klinton, isha edhe unë. Mes emocioneve i thashë:- Jam shqiptar dhe kam ardhur nga Bostoni. Dua t’ju falenderoj për kontributin tuaj të çmuar në luftën e popullit të Kosovës, për mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep Amerika Shqipërisë. I thashë se votat e shqiptarëve do të jenë për Hillarin. Më falenderoi dhe u largua se e prisnin njerez të tjerë për t’u takuar. Shokët e mi, Petrit Alibej dhe Sami Ajdini, u treguan më të shkathët: ata takuan Hillarin dhe Billin.-Kam ardhur nga Bostoni, i tha Petriti zonjës Klinton, për të dëgjuar nga afër fjalën tuaj, mesazhet që do përcillnit . Ju përshëndes në emër të shumë shqiptarëve të Massachutsses. Uroj të jeni presidentja e ardhëshme e Amerikës! 80 vjeçari Sami Ajdini, me një energji që sfidon moshën, i tha Hillarit:”Unë jam 17 frymë në Boston.Nga këta 7 veta votojnë. Të gjithë votat tona , do jenë për ju. Qënia juaj si president, do t’i japë më shumë dritë jo vetëm Amerikës, por edhe botës.
Takimi i kësaj dite i zonjës Klinton, ishte vetëm një copëz e betejës elektorale të saj këtu në New Hampshire, e cila do të vazhdojë edhe një javë . Pastaj do ta kjetë fjalën kutia e votimit, ndërsa ditët në vazhdim, beteja do të spostohet në një shtet tjetër.
Dita e bukur me diel, na shoqëroi edhe gjatë kthimit për në Boston. Me një ndjenjë kënaqësie, ne tregonim mbresat tona nga kjo pjesëmarrje e parë në një takim elektoral që zhvillojnë kandidatët për president amerikan, tregonim çastet e paharruara të takimit me çiftin Klinton, fotot e bëra me ata, të cilat do t’i kemi kujtime shumë të çmuara.