… E degjuat…? ”Sihariq! 3439 qytetarë shqiptarë të Shkupit, Tetovës e Kumanovës kanë ndërruar emrat shqip“për shkak të bindjeve fetare ku ndikim më të madh kanë hoxhallarët”. I pabesueshëm ky mjerim! Historia njeh shumë shkombëtarizime, por jo dhe llojin e turpshëm të aktit shkombëtarizues të shqiptarëve të Maqedonisë, për të cilin dikush mban përgjegjësi./
Nga Fahri XHARRA/
Te jesh shqiptar në Maqedoni duhet që pa tjetër të jesh vetëm si‘ turk”, “musliman i denjë”
(xhami me minare 42 metërshe të larta) dhe nuk guxon të shkosh as majtas e as djathtas po vetëm nga Kibla. E vështirë ! Por nëse do ndryshe e ke të vështirë të jetosh, të punosh, të shkollohesh , të… të….” (1).”Sihariq! 3439 qytetarë shqiptarë të Shkupit, Tetovës e Kumanovës kanë ndërruar emrat shqip“për shkak të bindjeve fetare ku ndikim më të madh kanë hoxhallarët”. I pabesueshëm ky mjerim! Historia njeh shumë shkombëtarizime, por jo dhe llojin e turpshëm të aktit shkombëtarizues të shqiptarëve të Maqedonisë, për të cilin dikush mban përgjegjësi. … U plotësua kushti i të qenit shqiptar
Po të jesh shqiptar ortodoks në Maqedoni , nuk është e dëshirueshme ; është e rrezikshme dhe të sjellë shumë probleme në jetë. (2).”Të premten pasdite persona të panjohur kanë demoluar makinën e profesorit Branisllav Sinadinovski, i cili para dy javësh u zgjodh kryetar i Organizatës fetare të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni. Makina është demoluar, i janë prerë gomat dhe janë dëmtuar pjesë tjera të veturës. Profesori Sinadinovski theksoi për INA se ka dyshime se sulmi është për shkak se ai është deklaruar publikisht shqiptar ortodoks dhe pas regjistrimit të Shoqatës së Shqiptarëve Ortodoks në Maqedonia nga ana e gjykatës.” … U plotësua edhe kushti i asaj të mos jesh shqiptar.
Pra , ku është thelbi i gjithë kësaj katrahure kombëtare ? I ceka dy shembujt e më sipërm që mendja e shëndoshë , ( e edhe nëse është e mashtruar ) duhet ta kuptojë se nga rreh ora e zhdukjes, që të kthjellon përfundimisht që të kthehet nga e mbara kombëtare. Në Maqedoni , sipas të gjitha gjasave jetojnë mbi 300 mijë shqiptar ortodoks ( Prof. Sinadinovski e thotë; deri në 100 mijë ). Pak i rëndësishëm numri ; thelbi është që shqiptarët ortodoks jetojnë dhe frymojnë shqip në Maqedoni .
Por e shihni që edhe pse të fesë ortodokse ; ata nuk janë të dëshiruar në këtë shtet të pa qenë kurrë shtet . Pra po e kuptoni ; sllavët nuk e duan prezencën shqiptare në tokat e shqiptarëve në Maqedoni !
Shqiptari që flet shqip , mbanë emër shqip, jeton shqip nuk është i dëshiruar . Nëse je musliman të bëjnë turk , nëse je ortodoks të bëjnë sllav. Pra? U kuptuam ?
Çështja e madhe Sinadinovski – një e rame e madhe me shumë të vramë. . Ra , kjo çështje e zgjimit të shqiptarëve ortodoks të Maqedonisë dhe na e dha të kuptojmë rrezikun e të qenit shqiptar në këtë shtet , të cilin shqiptarët dhe numri i tyre i madh ia mundësuan formimin e shtetësisë.
Profesori Fatmir Sulejmani shkruan për shqiptarët musliman : “Mercenarëve që sot ju shkon kungulli mbi ujë dhe e keqpërdorin shkallën e emancipimit kombëtar e politik të shqiptarëve, duhet thënë: BOLL MË se ia nxorrët bojën! Ata duhet ta dinë se, pavarësisht nënsjetullave të sigurta të padronëve dhe donatorëve, pavarësisht punëve të pista që kanë marë mbi vete, një ditë do t’ju pëlcasë tollumbaci dhe të gjithë do ta kuptojnë se prapa nuk u qëndron religjioni, po armiqtë shekullorë të shqiptarëve. Të tillët nuk mund të fshihen pafundësisht prapa Fesë dhe prapa Zotit, sepse janë më të pafe dhe më të pa Zot se çdo krijesë njëqelizore që ka krijuar i Madhërishmi.”
Kurse Profesori Sinadinovski e thotë këte: “Nuk është ky sulm i parë. Kam pasur probleme dhe kërcënime edhe herëve tjera. Policët erdhën mirëpo nuk kërkuan as gjurmë e as gjëra tjera për zbulimin e autorëve edhe pse dje nuk binte as shi e as borë. Mendoj se qëllimi është për të ushtruar presion ndaj meje sepse vazhdimisht më paraqiten persona me numra të panjohur dhe më kërcënojnë me likuidim fizik, mua dhe familjen time”, deklaroi Prof. dr. në bisedën për INA. Ai ka kërkuar mbrojtje nga institucionet, por edhe përkrahje nga shqiptarët kudo që janë. Sinadinovski është autori i librit “Shqiptarët ortodoks në Maqedoni” dhe se sipas tij, ky komunitet në masë të madhe i asimiluar numëron mbi 100 mijë veta.”
Pra , së pari për shqiptarët e besimit musliman ; “Jeni të manipuluar. vetëm që të mos jeni shqiptar, e si turq sllavët e kanë më të lehtë zhbërjen e juaj . Kurse për shqiptarët ortodoks: “
“Mos të frikoheni nga kërcimet se lutjet e juaja në gjuhën shqipe dhe shkollat në gjuhen shqipe , në gjuhën e të parëve do të fillojnë së shpejti edhe për ju”
Fahri Xharra, 18.01.16
Gjakovë
Dekorata e Rugovës për Robertson
-Ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Robertson i dorëzohet “Medalja e artë e lirisë”, dekoratë nga Presidenti historik Rugova/
-Presidentja Atifete Jahjaga priti lordin George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Janar 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti në takim lordin George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, të cilit i dorëzoi “Medaljen e artë të lirisë” për kontributin e lartë për lirinë e Kosovës, që i është ndarë nga Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në vitin 2004.
Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për ndihmën që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në periudhën më të rëndë dhe në fazën e shtetndërtimit të saj. Presidentja Jahjaga tha se intervenimi i NATO-s, pjesë e cilës ishte edhe Britania e Madhe, ishte vendimtar për të ndaluar gjenocidin në Kosovë dhe për ta shpëtuar popullin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga çmoi kontributin e Lordit Robertson në çlirimin e Kosovës dhe në mbrojtjen e vlerave demokratike të botës të përparuar. Ajo tha se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për kontributin e mijëra djemve dhe vajzave që shërbyen në Kosovë në kuadër të forcës paqeruajtëse të KFOR-it dhe misioneve ndërkombëtare, duke garantuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në të gjithë rajonin.
Lordi Robertson shprehu falënderimin e tij për dekoratën dhe nderimin që i është bërë dhe e cilësoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si një veprim të drejtë, i cili përcaktoi edhe jetën e tij. Ai shtoi se është krenar me të arriturat e Kosovës, duke u shprehur se e ardhmja e Kosovës është në duart e vet qytetarëve të saj.
Në Ditën e Lirisë, 12 qershor 2004 – në 5 vjetorin e hyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë në 12 qershorin e vitit 1999, Presidenti në atë kohë Ibrahim Rugova në akademinë solemne njoftonte se me rastin e atij përvjetori kishte vendosur të dekorojë me “Medaljen e Artë të Lirisë” burra shtetesh dhe personalitete të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e lirë të Kosovës.
Në tekstin e Dekretit Presidencial thuhej:
“Në pesëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s/KFOR-it në Kosovë, 12 qershorit, Ditës së Lirisë së Kosovës, në bazë të fuqive kushtetuese të Presidentit të Kosovës me Dekret të veçantë kam vendosur të dekoroj me ‘Medaljen e Artë të Lirisë’ shefa të shteteve, të qeverive, senatorë, kongresmenë, deputetë, ushtarakë, ministra, personalitete të Amerikës e të Evropës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës, dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës”.
ALEKSI I LEZHËS DHE ALEKSI I ATHINËS
Shënuar një vit, dy vjet, tre vjet…më parë…/
Asgjë s’ndryshon, asgjë s’krijohet, çdo gjë transformohet nga një harresë në tjetrën…/
Nga Abdurahim Ashiku/
Gazetar, Athinë/
Aleksandër i quajnë të dy, Aleks i thërresin, babai, nëna, motrat, shokët, miqtë…
I pari është nga Grikë Manatia e Lezhës, fshat në të cilin në vitin 1962, kur isha student, pata pi një kafe siç dinë ta pjekin e shtrojnë njerëzit e mirë, në ditë të mirë.
I dyti, Aleksi i Eksarkies është nga Athina, kryeqytet i vendit nga e ka prejardhjen fjala “demokraci”, fjalë që na vjen nga më se tremijë vjet jetë njerëzore.
I pari, Aleksi i Grikë Manatisë ishte i papunë, baba i tri vajzave dhe vëlla i katër motrave…
Oh sa lot, oh sa dhimbje!…
I dyti, Aleksi i Athinës ishte nxënës shkolle, katërmbëdhjetë pranvera parë e shijuar. Ishte bir i një familje të mesme greke.
I pari, Aleksandri i Lezhës doli në demonstratë për të kërkuar punë për të mbajtur gjallë familjen e tij, vocërraket që zgjatnin duart si zogjtë në fole.
I dyti, Aleksandri i Athinës, doli të shëtisë në lagjen Eksarqia me moshatarët e vet, shëtitje pafajësie fëmijësh në gëzim e hare.
I pari, Aleksi i Lezhës mori një plumb në kokë nga policia e shtetit, një plumb që ka një autor kolektiv.
I dyti, Aleksi i Athinës mori një plumb rikoshetë nga një polic që shtiu në tokë për të treguar forcën e shtetit në lëngatë.
Për të parin, Aleksia Nikën nuk do të ketë drejtësi, nuk do të ulet njeri në bankën e të akuzuarit.
Për të dytin, Alexandros Grigoropoulos u zhvillua një gjyq. Polici, edhe pse e mbajti grykën e revolverit në tokë, u dënua me burgim të përjetshëm.
Për të vrarët nga plumbat e shtetit demonstruesit bënë një mullar të madh me lule të freskëta në vendin ku derdhën gjakun, lule që dora vrasëse i fshiu me fshesën e frikës deri në palcë për tërë natën…
Në Eksarkia, vendin ku u vra pesëmbëdhjetëvjeçari grek, çdo ditë, edhe pas kaq vitesh, do të gjesh lule të freskëta…
Për Aleksin e Greqisë u dogj Athina, u zhvilluan zgjedhje të parakohshme. Për të, në kujtim të tij, prej asaj kohe, çdo vit, në ditën e vrasjes, zhvillohen demonstrata të dhunshme, digjet Athina.
* * *
…Të hënën e parë të janarit, pas gjashtë muaj bojkoti të pakicës… u mblodh Kuvendi i Shqipërisë.
U mblodh dy ditë përpara se Aleksandri i Lezhës, vet i katërt, të mbushte katër vjet përgjakje të paparë në kohë dhe hapësirë, në historinë e Shqipërisë; ditën me diell, nën vëzhgimin e objektivëve fotografikë e televizivë, drejtpërdrejt, me zë e figurë…
U mblodh dhe vendosi të ngrejë një komision kuvendar për “Serverin e Tatimeve”…
Ironi e madhe e kohës. Për vrasjen e katër demonstrueseve paqësorë me shënjestër të drejtpërdrejtë e plumb në ballë e në zemër u hesht dhe vazhdon të heshtet për shuarjen e “serverit” të kryeministrisë, dëshmitarin me zë dhe figurë të urdhërdhënësve të vrasjes së shekullit?!!!
Për një “shpullë” në mjedise të mbyllura të Kuvendit opozita shqiptare në Kuvend gjashtë muaj brodhi të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe kryeqytetet e Evropës së bashkuar me flamurin “Na kanë rrahur”…
“Shpulla” është në gjykatë, prej muajsh flitet e shkruhet…
”I ra, s’i ra!?” si në meselenë e bishtit të dhelprës…”E lagu, s’e lagu!?”
Prej vitesh Aleksandi i Lezhës, vet i katërti, kërkon drejtësi, kërkon që ata që morën shënjestër ndaj jetës së tyre, ata që urdhërua vrasjen e tyre të gjykohen….
Në Athinë, për një plumb rikoshetë, polici fajtor u dënua me burgim të përjetshëm…
Në Shqipëri, për vrasjen e katër vetëve dhe plagosjen e shumë të tjerëve, askush nuk është ulur në bankën e të akuzuarve, askush nuk është dënuar. As ata që tërhoqën këmbëzën e kallashnikovit, as ata që urdhëruan “zjarr…”.
Aleksin e Lezhës, vet i katërti, partitë politike dhe shoqëria shqiptare i kanë harruar…
Aleksin e Athinës, çdo vit, në ditën kur plumbi i mori jetën në moshën më të bukur të fëmijërisë, e përkujtojnë me demonstrata të fuqishme që nisin në vendin ku e vranë dhe pushtojnë sheshet qendrore të kryeqytetit grek…
Andej ku kam lindur unë dhe ku kam kaluar vitet më të gjata të jetës sime në Atdhe, për vrasjen ka një fjalë të urtë…
“Për të tërhequr këmbëzën e patllakes duhet një pendë qe…”
DEPUTETË, RISHIKONI LIGJIN PËR PRONAT!
DEKLARATË PUBLIKE E KOALICIONIT TË PRONARËVE ADRESUAR DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË/
Tirane-19 Janar 2016/
Deputetë të nderuar,Dëgjuam në TV dt 19.01.2016 qëndrimin e antarëve të Komisionit të Ligjeve. Ju ftojme të rishikoni ligjin nr.133/2015 të propozuar nga AKKP dhe Ministria e Drejtesise “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompesimit.” qe ju miratuat me 78 vota të maxhorances midis të cileve ishin 20 deputetë, që kishin votuar për ligjin 9235 dt.29/07/2004, që ndryshon në themel me draftin qe keni votuar me urdher politik.Presidenti Nishani ka percaktuar mangësitë e atij ligji që bien ndesh me nenet 181 dhe 41 të Kushtetutës, të asaj Kushtetute, që jeni betuar ta mbroni. Ju bëjmë këtë thirrje publike që për interesa partiake, të mos shkelni mbi parimin, ndershmërinë dhe betimin tuaj. Si mundet të pretendohet për drejtesi kur Kuvendi bën ligje që mbrojnë dhunuesit.? Drejtësia vonon por nuk harron. Mos harroni se populli do drejtesi dhe s’do t’ju a fali kurrë këtë faj !
Kryeministri qe e konsideron politik votimin e këtij ligji gabon rëndë, sepse ky ligj i thellon konfliktet e pronesisë, nuk zgjidh asgjë nga ato që vetë Edi Rama premtoi me rilindjen. Ne ju ftojmë të reflektoni dhe të votoni nji ligj që të zgjidhi problemet, duke mbyllur plaget, jo nji ligj që do të shtojë plagë të reja.! Kanë ndodhur mbi 8000 vrasje për pronat,ish kryeministra dhe deputete janë deklaruar se pas vitit 1991 janë bërë gabime të rënda me pronat. Ne urojmë që ju ta mbroni Kushtetutën dhe mos bëni të njejtin gabim dy here duke e votuar atë ligj, që është vazhdimësi e gabimeve të derisotme, pasi abuzimet me pronat janë të stimuluara nga kakofonia ligjore e deri tanishme. Është shansi juaj të merrni nji vendim të mënçur për mbylljen e këtij procesi brenda maxhorancës. Mos bëni nji ngatërresë e re më të madhe, prona është e shejtë, është identitet, është e sanksionuar ne Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ne Kushtetutën tonë dhe mbrohet nga Gj.E.D.Nj. në Strasburg. Presidenti ju ka ftuar por edhe ne pronarët e grabitur nga diktatura dhe nga postdiktatura, ju ftojmë të reflektoni.
Manovrat, me çmimet dhe vlerësimet, sipas gjëndjes së pronës në kohen e konfiskimit apo shtetezimit, pa mbaruar më parë procesi i kthimit dhe korigjimi i gabimeve me kthimet, që janë vjedhje që kanë bërë institucionet e ngarkuara me kthimin e pronave, gomarllëku për ti diktuar Strasbugut të mos pranojë ankimime është fjasko banale, që pranon të shkatërrojë gjithçka për interesa meskine dhe klanore. Ka kohë që politika luan me legalizimet thjeshtë për përvetësime pronash dhe blerje votash, ky ligj cenon ligjet e mëparshme për legalizimet por cenon rëndë vetë shtetin dhe e injoron drejtësinë. Me këtë ligj të fundit, kërkohet të ligjërohet dhunuesi në kurriz të të dhunuarit.! Kështu Shqipëria nuk mund të jetë shtet ligjor.! Ka vite që të huajt ju thonë për shtetin ligjor në përputhje me ligjet Evropiane. Strasburgu e ka dënuar dhjetra herë dhe do të vazhdojë ta dënojë shtetin, dhe ju nuk mund ta komandoni dhe korruptoni Strasburgun, që të veprojë me dy standarde se ndrysha ajo nuk mund të quhet më Gjykatë. Ju që populli ju ka votuar keni në dorë dhe alternativën e zgjidhjes që është propozimi i berë me draftin e Shoqatës Pronësi me Drejtesi në vitin 2013. Ai draft nuk është përfillur dhe nuk është analizuar sepse po të zbatohen detyrimet Kushtetutese, oligarkisë politike u preken interesat, për pronat që kanë perfituar padrejtesisht. Kjo është e vetmja arsye që ligjet e pronave janë ngaterruar vazhdimisht. Nëse e ju do ta votoni përsëri këtë ligj, ju po dilni hapur kundër Europës, kundër rrekomandimeve të përsëritura të Gj.Strasburgut dhe Kushtetutës së vendit , për të mbrojtur abuzimet e deritanisheme.
Zotërij deputetë: Ne besojmë se ju do ngriheni në lartësinë morale të deputetit. Keni shansin të beni nji ligj qe e zgjidh drejtë problemin kangrenë të pronave. Pikërisht për këtë ju ftojmë ta rishikoni ligjin, të mos e votoni politikisht se do shtoni padrejtesine. Nese doni alternativën që e zgjidh problemin mirë shpejt pa kosto dhe në përputhje me Kushtetutën shqyrtoni si alternativeë propozimin e pronarëve dhe do jeni faqebardhë, duke e zgjidhur këtë çështje nji here e mirë.
Themeli i reformës në drejtësi duhet të fillojë me pronën, në të kundërt, do të vazhdojë oligarkia kleptokratike e periudhës së pluralizmit postkomunist.
Për Kryesinë e Koalicionit të Pronarëve Shqiptarë
Av. Axhem Ymeri
Prishtinë-Përkujtimore ushtarëve sllovakë në kuadër të KFOR-it
-Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Sllovakisë, Miroslav Lajčák, sot në Kosovë-/
PRISHTINË, 19 Janar 2016/ Në Prishtinë, në Parkun e Qytetit, sot pasdite bëhet zbulimi i Pllakës Përkujtimore në nderim të ushtarëve sllovakë, që humbën jetën në aksidentin ajror duke u kthyer nga misioni i tyre në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Ngritja e Pllakës përkujtimore për ushtarët sllovakë bëhet me iniciativën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila merr pjesë në zbulimin e saj, siç pritet së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Sllovakisë, Miroslav Lajčák, në orën 14:45.
Ndërsa, në orën 15:40, sipas axhendës së dërguar, Presidentja kosovare Jahjaga pret në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin sllovak Lajčák.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa pret në takim Miroslav Lajçak, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Republikës së Sllovakisë, në ora16:20. .
Në 15 janar, Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mbledhjen e thirrur enkas, miratoi unanimisht propozimvendimin për vënien e Pllakës Përkujtimore për ushtarët e KFOR-it sllovak, të cilët kanë humbur jetën pas lirimit nga misioni në Kosovë.
Në marrëveshje në mes të Zyrës Sllovake në Kosovë, Kabinetit të Presidentes së Kosovës dhe kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, ishte propozuar që Pllaka Përkujtimire të vihet në Parkun e Qytetit. Në Pllakën Përkujtimore janë të shkruar 42 emra./b.j/