• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Modeli autoritar i shtetit në festën e pavarësisë së shqiptarëve

November 30, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /Më 28 nëntor të këtij viti, pra ditën e pavarësisë së shqiptarëve, Kosova e thelloi ndarjen politike dhe krijoi kushtet për një krizë pa kthim. Themeluesi i Vetëvendosjes dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prangos nga ana e policisë së shtetit në zyrat e partisë që ai themeloi, pas një daljeje publike në manifestimin e 28 nëntorit. Prangat iu vunë edhe 95 aktivistëve të tjerë të Vetëvendosjes. Por shumica dërmuese prej tyre tashmë janë të lirë, përveç zotit Kurti, për të cilin masa e arrestiti është caktuar për 30 ditë. Policia bëri gjithashtu kontroll në zyrat e partisë dhe tha se aty u gjetën mjete, me të cilat ka operuar Vetëvendosja në Kuvend, si gazlotsjellës, sprajt, maska, e të tjera si këto. E njëjta kishte ndodhur në Shqipëri më 28 nëntor të vitit 2000, kur politika urdhëroi policinë e Tropojës të qëllonte kundër gjimnazistëve në protestë në këtë qytet dhe vrau një protestues e plagosi disa të rinj. Më pas, në orën 01.30 të natës policia ndali në kryeqytet kreun e opozitës, e rrethoi atë dhe e shoqëroi për në zyrat e drejtorisë së policisë së Tiranës. Sigurisht kushtet e rrethanat ndryshojnë. Por të bën përshtypje fakti se si guxon politika të përdorë 28 nëntorin për të ndëshkuar opozitën?! Prej këtij rasti dhe prej rastit të Kada Bujupit qeveria e Kosovës ka dëshmuar se nuk dëshiron ta zgjidhë konfliktin përmes dialogut dhe kompromisit. Eshtë e vërtetë se Albin Kurti dhe deputetët e tjerë kanë shkelur ligjin kur përdorën gazin lotsjellës në parlament. Eshtë gjithashtu e vërtetë se Vetëvendosja dhe partitë e tjera opozitare e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës me veprimet që bëjnë në parlament. Eshtë po ashtu e vërtetë se edhe mos pranimi në UNESKO, veç fajeve dhe përgjegjësive të diplomacisë shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, është pasojë gjithashtu i këtij imazhi që përhapi opozita e Kosovës nëpër botë. Por një imazh akoma më të keq përhap qeveria e Kosovës, korrupsioni qeveritar dhe ai në drejtësi, tarafi dhe nepotizmi, favoret në tendera dhe në përdorimin e fondeve publike. A duhet që më parë se Albin Kurti të ishin në qeli të gjithë hajdutët e Kosovës?! Sigurisht që po. Atëherë më e pakta është se arrestimi i Albin Kurtit e Kada Bujupit është zbatim selektiv i ligjit në Kosovë. Mund të thuhet se në rastin e korrupsionit qeveritar “mungojnë provat”. Gjithmonë mungojnë provat, kur ato i administrojnë vetë hajdutët e kriminelët. Prandaj kjo nuk është arësye për të justifikuar kapjen e shtetit nga njerëz që punojnë për xhepin. Një shtet, një polici, një prokurori, një gjykatë, të cilat të gjitha së bashku ose veç e veç zbatojnë ligjin në mënyrë selektive, ky shtet nuk konsiderohet as shtet ligjor, as shtet i së drejtës. Edhe Kosova, edhe Shqipëria janë shtete të kësaj kategorie, kanë ndërtuar piramidën e ushtrimit politik e selektiv të së drejtës. Kjo është arësyeja pse arrestimi i Albin Kurtit do ta thellojë krizën politike në vend. Albin Kurti dhe veprimet e tij nuk po gjenin përkrahje te qytetarët, sepsë askush nuk dëshiron të bëhet kurban i politikës. Qytetarët e Kosovës e kuptuan se kauza e opozitës nuk ishte e qartë dhe sidomos metodat e saj të dhunës ishin jo demokratike. Ky ishte lajmi më i mirë gjatë javëve e muajve të fundit në Kosovë, sepse nga pjesmarrja dhe mbështetja e qytetarëve varet drejtësia e kauzave politike. Ndërkohë ishte lajm i mirë edhe për shkak se qytetarët kanë filluar të vetëdijësohen e të mos e lejojnë veten të keqpërdoren nga politika. Por nuk është me vend që mospërkrahjen e publikut qeveria ta shfrytëzojë si të drejtë të saj në vendimet që ajo merr e të dhunojë opozitën. Ndërsa arrestimi i 28 nëntorit ka mundësi që ta përkeqësojë këtë tregues, të rrisë mbështetjen e qytetarëve ndaj Vetëvendosjes, sepse ata nuk mund të pajtohen me dhunën e shtetit, aq më tepër në një ditë të shënuar kombëtare siç ishte dita e shpalljes së pavarësisë. Në një farë mënyre ky akt do ta shndërrojë zotin Kurti në një hero, duke i dhënë atij një vend të pamerituar në historinë tonë kombëtare. Aq më tepër në një vend e në një rajon kur heronjtë i thërrasin në skenë simbolikat dhe jo aktet që ata bëjnë për atdheun e për kombin. Qeveria e Mustafës dhe Hashim Thaçit me aktin e 28 nëntorit kanë përgatitur dështimin e plotë të qeverisjes së tyre. Nga frika, apo nga përceptimi se ata e kanë të drejtën në anën e tyre, këtë do ta provojë koha. Por se e drejta qëndron në anën e qeverisë, kjo nuk më rezolton e saktë, pasiqë kësaj qeevrie i ka munguar transparenca me qytetarët e saj sa i përket vendimeve që ajo ka marrë për nënshkrimin e marrëveshjes së Asosacionit serb dhe vijës kufitare me Malin e Zi. Askush nuk është i qartë se çfarë përfaqësojnë konkretisht këto dy marrëveshje dhe me ose pa qëllim, këtë nuk e ka qartësuar as vetë opozita, e cila i kundërshton ato me retorikë patriotike. Kjo është arësyeja pse qeveria tashmë është e dështuar plotësisht dhe sa më shpejt të japë dorëheqjen e ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, aq më mirë është për Kosovën dhe banorët e saj. Por le të presupozojmë se policia dhe prokuroria e Kosovës me arrestimet e tyre po zbatojnë ligjin. Po sikur pas këtyre dy deputetëve që gjenden prapa hekurave të përdorin gazlotsjellës në parlament deputetë të tjerë të opozitës, a do të thotë kjo se të gjithë deputetët e opozitës do të arrestohen?! A ka llogari politike në këtë aksion politik të qeverisë? Si mundet ajo që të burgosë të gjithë opozitën?! Ku ka ndodhur që pushteti të sillet kësisoj ndaj demokracisë, përveçse në vendet tipike diktatoriale e autoritare? Atëherë duhet të shkojmë te pasoja tjetër. Nëse burgoset opozita, çfarë sistemi ka ndërmend të aplikojë qeveria Thaçi-Mustafa?! Një sistem diktatorial apo autoritar të tipit rus?! Nëse ndodh kjo, lind pyetja se sa i sinqertë është konstatimi i zotit Thaçi se “prania ruse në rajon është rrezik për popujt ballkanikë”?! Apo kur bëhet fjalë për korrupsion, krim, veprim selektiv të ligjit na pëlqen modeli rus, kur bëhet fjalë për sigurinë dhe sovranitetin na pëlqen të mbështetemi te Perendimi, SHBA-të dhe BE!!! Ky konflikt konceptesh, pretendimesh, modelesh, përcaktimesh, sjelljesh duhet të marrë fund. Por nuk besoj se këtij konflikti e këtij modeli i japin fund udhëheqës politikë e shtetërorë të korruptuar e të lidhur me interesa oligarkike, ashtu siç nuk besoj se Albin Kurti dhe disa bashkëpunëtorë të tij, për shkak të qëndrimeve ideologjike të tyre, mund të sjellin ndonjë zhvillim të ri në politikën dhe qeverisjen e Kosovës, nëse ata marrin një ditë pushtetin. Sjellja arrogante në opozitë shumëfishohet me marrjen e pushtetit. Këtë po na e dëshmon përditë shembulli i Edi Ramës në Shqipëri. Kjo është arësyeja pse diplomacia shqiptare hesht në rastin e zhvillimeve në Kosovë, një heshtje e dubluar nga heshtja e Beogradit, e cila të vë në dyshim se mos midis dy kryeqyteteve ballkanike ka një marrëveshje të heshtur për heshtjen. Për të korrigjuar atë që mund të korrigjohet besoj se është në integritetin e parlamentit të votojë amnisti për të gjithë ata që kanë shkelë ligjin gjatë protestave kundër marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi dhe të miratojë njëkohësisht një program bashkëpunimi politik për të çuar deri në fund transparencën dhe rishikimin e të gjitha vendimeve përkatëse. Pozita dhe opozita do të duhet të angazhojnë ekspertët e tyre më të mirë për të sqaruar eten dhe publikun rreth këtyre marrëveshjeve. Më pas do të duhej të shihej mundësia e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, si zgjidhje përfundimtare për ta vënë vendin në binarët e një shteti normal. Ndërkaq do të ishte mirë që partitë politike në pushtet ose në opozitë të përcaktoheshin qartë dhe prerë në interes të shtetindërtimit dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale e sovranitetit të vendit, duke përcaktuar si ëlëmentë themelorë të reformave drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe transparencën e bashkëpunimin politik. Shkurt, nuk është e mjaftueshme ta duam SHBA-në dhe BE-në vetëm me fjalë e retorikë, por me vepra dhe qëndrime rigoroze demokratike në respekt të lirisë së qytetarëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, i shtetit në festën e pavarësisë, Modeli autoritar, se shqiptareve

URAN BUTKA VIZITOI VELLEZERIT BAJRAKTARI DHE AGIM KARAGJOZIN

November 30, 2015 by dgreca

Shkrimtari dhe studiuesi Uran Butka pasi mori pjese ne promovimin e librave te tij”Masakra e Tivarit” dhe “Lufta Civile” te organizuara me 28 nentor nga Vatra, vizitoi Familjen Bajraktari, dhe ndau caste te gezuara me miqte e tij qe jetojne ne  Nju Xhersi, Genc dhe Esat Bajraktari( i shoqeruar nga Mithat Gashi) me te cilet kishte ndare kohe te veshtira ne Tepelene ne rinine e tij, dhe me pas shkoi ne Floral Park ne Nju Jork, ku i beri nje vizite mikut te tij, z. Agim Karagjozi, President Nderi i Vatres.Z. Butka shoqerohej ne kete vizite nga anetari i kryesise se Vatres dhe President i Fondit te Studenteve, pedagogu Mithat Gashi dhe Muhamet Omari.

Filed Under: Vatra Tagged With: Genci dhe Esat Bajraktari, Uran Butka, vizitoi Agim Karagjozin

MENDIMET EKUMENIKE TE IMZOT NOLIT JANË AKTUALE DHE ORIENTUESE EDHE SOT

November 30, 2015 by dgreca

Prof. Dr. Thanas L. GJIKA/*
Populli shqiptar në kohën kur po fillonte lëvizjen kombëtare të Rilindjes, pra në prag të Lidhjes së Prizrenit, nga ana fetare ishte i ndarë në katër besime të ndryshme: 30 % ishin të krishterë (orthodoksë ose katolikë) dhe 70 % muhamedanë (sunitë ose bektashinj). Edhe pse midis shqiptarëve të këtyre besimeve nuk ishte shkaktuar ndonjë luftë fetare, për shkak të tolerancës fetare që e karakterizonte si popull, përsëri ndarja në katër besime fetare ishte nje pengesë për procesin e bashkimit kombëtar dhe për pjesëmarrjen në lëvizjen çlirimtare antiosmane. Tek shqiptarët ekzistonte dhe një e keqe tjetër, që e kishte burimin tek klerikët e lartë të huaj. Dhespotlerët, peshkopët dhe myftinjtë krahas punës fetare kryenin dhe propaganda politike në favor të qarqeve që i kishin dërguar. Kjo përzjerje e fesë me politikën e thellonte ndarjen e përçarjen e popullit shqiptar. 
Myftinjtë përpiqeshin t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve muhamedanë se ata ishin një popull me gjak osman i krijuar nga përzjerja e shqiptarëve me turqit e ardhur nga Anadolli dhe Stambolli. Sipas tyre shqiptarët muhamedanë për nga besimi dhe gjaku ishin vëllezër me turqit osmanllinj, kurse shqiptarët orthodoksë nuk kishin lidhje me ta sepse ishin grekë. Nga ana tjetër, dhespotlerët, misionarë të propagandës grekomadhe, përpiqeshin t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve të krishterë orthodoksë se ata ishin grekë që kishin humbur gjuhën greke dhe kishin mësuar gjuhën shqipe nën presionin e shqiptarëve muhamedanë, të cilët këta dhespotlerë i quanin turq. 
Për të mënjanuar përçarjen që sillnin ndarja fetare dhe propagandat e huaja, rilindësit tanë filluan nga puna sqaruese për të bindur shqiptarët e të katër besimeve se ata duhej ta donin njëri tjetrin si vëllezër pavarësisht nga ndryshimet fetare dhe të mos dëgjonin propagandat e huaja. Ata duhej të ishin krenarë që ishin pasardhës së Gjergj Kastiotit Skënderbeut dhe të kryengritësve të mëvonshëm. Të ishin krenarë për faktin se e kishin ruajtur identitetin e tyre kombëtar përmes ruajtjes së gjuhës së tyre të veçantë, ruajtjes së karakterit trimëror, të zakoneve të mira, të këngëve e valleve të bukura, të folklorit të pasur, etj. Rilindësit u përpoqën t’i ndërgjegjësonin shqiptarët, se po të bashkoheshin, do ta fitonin përsëri lirinë e humbur dhe do të shkonin drejt zhvillimit si kombet e tjerë të lirë të Europës. 
* * *
Në vitin 1880 u formulua për të parën herë mendimi për krijimin e unitetit fetar e kombëtar të shqiptarëve. Politikani dhe poeti shkodran Pashko Vasa, në poemthin SHQIPNI MOJ E MJERA SHQIPNI, lëshoi thirrjen:
Mos shikoni kisha e xhamia,
Feja e shqiptarit asht shqiptaria!
Mirëpo, pavarësisht nga synimi shumë i mirë që kishte kjo thirrje, ajo nuk dha rezultatin që shpresohej. Fjala shqiptaria duke qenë një fjalë e re intelektualiste, u kuptua vetëm prej njerëzve të shkolluar, të cilët përbënin një pakicë.
Atdhetari Gjerasim Qiriazi, pasi ishte pagëzuar si i krishter protestant evangjelist në Manastir, qyteti ku ishte lindur e rritur, shkoi në vitin 1892 në qytetin e Korçës ku hapi në ambjentet e Shkollës Shqipe të Vajzave të parën kishë protestante ungjillore (evangjeliste)1. Ai mendonte se bashkimi kombëtar i popullit shqiptar mund të realizohej duke u pagëzuar të gjithë në fenë e re protestante evangjeliste. 
Një rrugë tjetër sugjeroi djaloshi 21-vjeçar Faik bej Konica më 1895 duke upagëzuar si i krishter katolik me emrin Faik Domenik Konica. Këtë veprim ai e bëri mbasi kishte kryer disa shkolla katolike si Seminarin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, Seminarin Gallata Saraj në Stamboll dhe gjimnazin e kollegjin e lartë në Dijon (Dizhon) të Francës. Gjatë jetës së tij në të tilla ambjente katolike ai kishte vënë re se mendësia e besimtarëve katolikë shquhej në krahasim me mendësinë e besimtarëve muhamedanë, për më tepër respekt ndaj njerëzve, për tolerancë, pastërti morale dhe trupore, për më shumë dashuri ndaj punës, etj. Për këto arsye ai mendoi se populli shqiptar për të fituar pavarësinë dhe për të krijuar një shtet të lirë sa më të ngjashëm me shtetet europiane, duhej të kthehej në fenë e të parëve, pra në krishtërim. Emri i tij Faik Domenik Konica është i dëshmuar në disa letra dërguar Nikolla Naços në Bukuresht në vitet 1895-1897, të cilat ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit të Republikës së Shqipërisë2. Po ashtu dhe në dokumentet e regjistrimit në Univeritetin Harvard, ai eshte regjistruar si shqiptar katolik.
Për të marrë vendimin e pagëzimit të tij si i krishter katolik, mendojmë se Konica ishte ndikuar edhe nga leximi i veprës Historia e jetes dhe e veprave te Gjergj Kastiotit Skënderbeut princit të Epirotëve shkruar prej Marin Barletit në latinisht, ku tregohej pagëzimi i Skënderbeut dhe i shumë trimave të tij si katolik. Gjatë viteve të pushtimit osmanët kishin arritur të kthenin në fenë muhamedane mjat arbërorë. Edhe Gjergj Kastriotin sulltani e detyroi të kthehej në muhamedan dhe i dha emrin Iskander-beg (Skënderbej). Ndërsa në fund të vitit 1444, mbasi mori Krujën, Skënderbeu u pagëzua me vullnetin e tij si katolik, duke rimarrë emrin e fëmijërisë Gjergj. Ky pagëzim i tij ishte një veprim më tepër diplomatik për të treguar se shteti i tij do të orientohej drejt Europës katolike dhe jo drejt Ballkanit orthodoks, për të lidhur aleancat e nevojshme për luftën e tij kundër Perandorisë Osmane.
Mirëpo shqiptarët e besimit muhamedan të fundit të shekullit XIX-të, kur u kërkoi Faik Konica që ta ndërronin besimin fetar, nuk mundën ta banin këtë pap, sepse nuk e kishin formimin e tij kulturor dhe sepse ishin familjarizuar me fenë e pushtuesit duke jetuar si muhamedanë për disa ose për shumë breza. Muhamedanizmi i tyre ishte i ndryshëm nga ai i Gjergj Kastiotit Skënderbeu, i cili kishte jetuar në këtë fe vetëm disa vjet. Muhamedanët shqiptarë në fund të shekullit XIX-të ishin të familjarizuar me fenë e pushtuesit dhe zakonet e saj të jetesës. Të parët e tyre në saje të përqafimit të kësaj feje ishin privilegjuar prej pushtuesve, ishin bërë pronarë tokash, kishin marrë nëpunësira dhe tituj, ishin përjashtuar prej disa taksave që paguanin shqiptarët e krishterë, nuk i shpinin djemtë ushtarë si të krishterët, por i shpinin nëpër shkolla për të marrë grada e pozita ushtarake, etj. Me një politikë të tillë pushtuesit osmanë kishin arritur që t’i ndanin këta shqiptarë prej shqiptarëve të krishterë. Për më keq akoma, shqiptarët muahamedanë, që përbënin shumicën e popullit, ndjeheshin krenarë e kapadainj ndaj bashkëkombasve të tyre të krishterë. Shumë prej tyre i përçmonin shqiptarët e krishterë, sikur ishin inferiorë ndaj tyre. Shqiptarët muhamedanë, ashtu si vetë pushtuesit, i quanin shqiptarët e krishterë me fjalë përbuzëse pis arnaut, raja e kaur i derrit, në vend që t’i vlerësonin si bashkatdhetarë të përvuajtur që e kishin ruajtur më të pastër se ata origjinalitetin kombëtar. Me pak fjalë, thirrja e Konicës për t’u kthyer në fenë e krishterë, shqiptarëve muhamedanë u tingëlloi si fyerje, si ulje në rang shoqëror.
Në vitin 1909 u krjijua në qytetin e Korçës Shoqëria Lidhja Orthodokse e cila i dërgoi një thirrje Patrikanës së Stambollit, të formuluar prej atdhetarit Mihal Grameno, për të lejuar përdorimin e gjuhës shqipe në kishat orthodokse të popullit shqiptar3. Duke qenë se Partikana e hodhi poshtë këtë kërkesë, disa anëtarë të kësaj shoqërie u përpoqën të gjenin një rrugë të re për të shpëtuar besimtarët orthodoksë shqiptarë nga presionet përçarëse antishqiptare të dhespotlerëve gekë. Ata kërkuan që të krishterët orthodoksë të ktheheshin në unitë, një sekt fetar orthodoks që nuk njihte vartësinë prej Patrikut të Stambollit por prej Papës së Romës. Kjo rrugë sipas tyre do t’i afronte shqiptarët e krishterë orthodoksë me vëllezërit e tyre katolikë dhe do t’i mbronte nga propaganda antishqiptare e Patrikanës së Stambollit. Një rrugë të tillë kishin ndjekur më parë arbëreshët e Italisë dhe e kishin fituar mbrojtjen e Papës nga presionet greqizuese të Patrikanës së Stambollit.
Për qëndrimin ndaj besimeve fetare gjatë Rilindjes nuk qëndroi pa u shprehur dhe poeti i shquar Naim Frashëri. Me poemën e tij Qerbelaja botuar më 1898, ai la të kuptohej se bashkimi kombëtar i popullit shqiptar mund të arrihej duke u kthyer të gjithë shqiptarët muhamedanë në bektashinj. Ky sekt i muhamedanizmit ishte tolerant ndaj të krishterëve dhe shihej si një sekt fetar shqiptar, sepse ishte përqafuar kryesisht prej reparteve të jeniçerëve, ku kishte shumë shqiptarë.
Të gjitha mendimet e shprehura prej rilindësve tanë për të realizuar bashkimin kombëtar të popullit shqiptar me anë të ndërrimit të besimit fetar, nuk u pranuan prej masave popullor, pra nuk patën sukses. 
Për nderin e shqiptarëve të Amerikës, personi që i dha zgjidhjen më të mirë këtij problemi, ishte emigranti i ardhur në SHBA prej diasporës shqiptare të Thrakës Lindore, Theofan Stilian Noli. 
Gjatë bisedave që ai kishte bërë me shqiptarë muhamedanë kishte vënë re se shumica e tyre, ndonëse ishin të cekët në njohuritë fetare, e mbronin me fanatizëm besimin e tyre fetar. Pra ai kuptoi se për këta shqiptarë ishte e papranueshme idea e pagëzimit në fenë e krishtere të stërgjyshërve. Për këtë arsye, në mars të vitit 1908, sapo u shugurua prift orthodoks, ky djalosh i pjekur parakohe, hartoi një thirrje drejtuar gjithë shqiptarëve të cilën e botoi në gazetën Kombi me titullin Kombit Shqiptar!4.
Ky shkrim i Nolit kishte dhe ka karakter programatik lidhur me problemin e qendrimit ndaj besimeve fetare dhe ndaj bashkimit kombëtar të popullit tonë. Si njohës i mendësisë fetare të shqiptarëve, Noli jep konkluzionin e vet lidhur me qëndrimin e bashkatdhetarëve të tij ndaj propozimeve për ndryshimin e besimeve fetare:
U muar vesh më së fundi, që është më lehtë të bësh pesë mbrekullira me njërën dorë dhe gjashtë mbrekullira me tjatrën, sesa t’u ndryshosh fenë pesë shqiptarëve në këtë kohë.5
Pasi shpreh mendimin e tij se besimet fetare në vetvete nuk janë të këqia, por të këqia i kanë bërë klerikët e huaj dhe disa klerikë shqiptarë që u shkojnë pas si vegla qorre, duke helmuar fenë me propaganda shoviniste, Noli kalon te thelbi i problemit dhe formulon mendimin e tij të guximshëm:
Na duheshin dhe na duhen priftërinj e peshkopë si dhe hoxhallarë e myftinj shqiptarë të vërtetë. Jo vegla politike të huaja, po meshëtarë prej çdo feje që t’i kenë me të vërtetë frikë Perëndisë dhe të përhapin me drejtësi e me zell urdhërimet e Tij dhe vetëm urdhërimet e Tij, që t’i japin popullit të kuptojë që njeriu munt të ketë cilëndo fe që e ka gjetur prej stërgjyshërve dhe i pëlqen, po s’mund të zgjedhë një tjatër kombësi dhe ta luftojë të tinë, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtori”.6
Pastaj jep këshillën e tij në formë urdhëruese:
Të mos ndryshojmë gjë prej gjëje; vetëm të krejmë [krijojmë] krerë fetarë me ndërgjegje [atdhetare]. Kjo është më e mira udhë për të prurë bashkimin, se programi i ndryshimeve të rea në fetë do të jetë prishja jonë e përgjithshme.7
Në mbyllje të shkrimit Noli sqaron se ai kishte filluar nga puna për të përkthyer veprat e liturgjisë së shenjtë në gjuhën shqipe, sepse vetëm duke dëgjuar mësimet fetare në gjuhën amëtare do të forcohej ndërgjegja fetare e popullit. Ky sqarim vlente edhe për klerikët e besimeve të tjera fetare për të përkthyer edhe ata veprat e shenjta në gjuhën shqipe, në mënyrë që edhe besimtarët e tyre të formonin bindje fetare më solide, larg propagandave të huaja antishqiptare.
Pikërisht këto mendime të Fan Nolit e mbyllën diskutimin e këtij problemi. Faik Konica e pranoi këtë thirrje si udhërrëfyese. Disa muaj më vonë, ai hartoi artikullin Rreziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë, ku mbasi solli mendime nga opinionistë europianë për shkatërrimin e shpejtë të Perandorisë Osmane, u kërkoi shqiptarëve muhamedanë që të bashkoheshin me shqiptarët e krishterë dhe të mos e quanin kurrë më veten turq, por vetëm shqiptarë muhamedanë:
Të kthyerit tuaj në fée të vjetër do të sillte me një herë bashkimin e kombit. Po këtë e thom [vetëm] se bie fjala, se e di që s’bëhet dhe s’duhet bërë. Mbetet islamismi. Mbajeni këtë besë, po duke larguar të ligën politikë që sjell, e cila është që i huaji nuk e ndan Turkun nga Shqipëtari muhamedan.
Një shkronjëtor politik i njohur më thosh një ditë: “Evropa nuk do ta kish dhënë Vranjën te Sërbia dhe Ulqinin te Mali i Zi, sikur të kish kuptuar që ka një komb shqipëtar të ndryshmë nga kombi i Turkut”.8
Konica e përkrahu edhe mendimin tjetër të Nolit, mendimin për përkthimin e veprave liturgjike në gjuhën shqipe si rruga më e mirë për forcimin e besimit fetar dhe për krijimin e Kishës Shqiptare Orthodokse Autoqefale. Për këtë arsye Konica theksoi nevojën e madhe që kishin edhe institucionet e fesë myslimane të popullit shqiptar për të predikuar në gjuhën amëtare dhe për t’u shkëputur nga vartësia e Sheh-ul-Islamit dhe të krijonin një synod muhamedan me disa kanune fetare sipas zakoneve të kombit tonë. Kurse bektashinjtë nga ana e tyre duhej të reformoheshin, të organizoheshin më mirë, të hiqnin dorë nga alkolizmi dhe të krijonin një seminar për të përgatitur kuadrin e vet, dervishët.
Si përfundim themi se mendimet ekumenike të At Fan Nolit për të mos kërkuar ndryshimin e besimeve fetare të popullit, por për të përgatitur klerikët e të gjitha besimeve me ide të njëjta atdhetare dhe për të përkthyer literaturën fetare në gjuhën shqipe, ishin dhe janë udhërrëfyese për shqiptarët kudo ku jetojnë. Karakteri i tyre udhërrëfyes u duk në faktin se ato u përqafuan nga gjithë shqiptarët e asaj kohe, madje dhe nga Faik Konica, i cili më parë ishte shprehur ndryshe, por duke qenë i kulturuar, u tërhoq me mençuri dhe propagandoi mendimet e priftit të ri orthodoks, At Fan Nolit.
Themi se këto mendime ekumenike të Nolit janë aktuale dhe orientuese edhe sot për shqiptarët, mbasi po të ishin zbatuar pas vitit 1991, kur filloi rimëkëmbja e institucioneve fetare dhe ushtrimi i besimit fetar në Shqipëri, do të kishim një gjendje të shëndoshë në të katër besimet fetare. Do të kishim një gjendje të shëndoshë fetare dhe nuk do të kishim klerikë të huaj, të cilët nuk predikojnë në shqip dhe më keq akoma u kanë hapur rrugën disa sekteve fetare fondamentalistë, aq të rrezikshëm për të ardhmen e popullit tonë. Nuk do të ishim ndërtuarndërtesa kultesh me projekte të sjella nga vendet e huaja, por do të kishim ndërtuar xhami dhe kisha të reja të ngjashme me ndërtesat tona të kultit të cilat ishin krijuar gjatë traditës qindra vjeçare. Nuk do të buçisnin disa herë në ditë altoparlantët në xhamitë shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë me fraza në arabisht, por në gjuhën shqipe, në gjuhën që e kupton populli. Po ashtu nuk do të kishte ndodhur as ai vërshim i mjaft shqiptarëve të Shqipërisë për të këmbyer kombësinë shqiptare me kombësinë greke pa e pasur gjuhën greke gjuhë nëne dhe pa pasur asnjë lidhje gjaku me popullin grek. 
Pra mëkëmbja dhe rimëkëmbja e institucioneve dhe e besimeve fetare midis shqiptarëve, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë e Maqedoni, ka nevojë të mbështetet edhe sot në mësimet noliane për t’i shpëtuar besimet fetare nga shtrembërimet që po ndodhin nën presionet e emisarëve të huaj.
1Dr. Femi Cakolli. Biografia e Gjerasim Qiriazit (1858-1894), Botim i Shoqërisë Biblike, 2008.
2. Arkivi Qndror i Shtetit, Tiranë. Fondi Faik Konica. Dosja Korrespondenca.
3Shoqëria Lidhja Orthodokse. Të naltit Shenjtërisë së Tij Patrikut Ekumenik Joakimit III-të, Gazeta Lidhja Orthodokse, Korçë, 1909, 2/15 tetor, f.1.
4Meshëtar i përunjët për ndriçim Fan S. Noli. Kombit Shqiptar, Kombi, Boston, 27 mars, 1908, nr. 80, f. 1. Citimet prej këtij artikulli i kemi marrë nga botimi: Fan S. Noli VEPRA 2 Publicistika (1905-1925). Botim i ASH të RPSSH, Tiranë 1987, f.146-149.
5Po aty, f. 147-148.
6Po aty, f. 148.
7Po aty.
8Faik Konitza. Rreziku i afërm i shqptarëve muhamedanë. Shkruar në vapor Princesse Clementine nga Doveri në Ostende, 1908, Albania, London 1909 vol. 12.(*Kumtese e mbajtur ne Simpoziumin e organizuar nga Biblioteka Noliane prane Kishes se Shen Gjergjit me 22 Nentor 2015)

Filed Under: Analiza Tagged With: Kumtese, Mendimet ekumenike, Prof. Dr. Thanas L.Gjika, te Imzot Nolit

SHABAN BINAKU DHE AVDULLAH HOXHA, DY DESHMORE TE KOMBIT QE I PARAPRINE PAVARESISE

November 29, 2015 by dgreca

NGA HARRY BAJRAKTARI/*

Mirëmbrëma të nderuar bashkatdhetarë!/

Të gjithë juve që jeni tubuar këtu dhe shqiptarëve kudo që janë, ju uroi Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u shpall në Vlorë më 1912. E përgëzoj  ” VATRËN” për këtë organizim të mirë me rastin e 28 nëntorit, ku jemi tubuar këtu nga të gjitha viset shqiptare për të kremtuar së bashku.

Për lirinë e Shqipërisë, kanë sakrifikuar jetën shumë shqiptarë të cilët ranë në fushëbeteja të ndryshme kundër armiqve tanë. Këta martirë e dëshmorë që dhanë jetën për lirinë e atdheut, duhet t’ i kujtojmë vazhdimisht që mos ta harrojmë të kaluarën dhe historinë tonë.Më lejoni që sonte para jush t’i them dy-tri fjalë për dy dëshmorë të kombit tonë nga Malësia e Gjakovës, Shaban Binakun e Avdullah Hoxhën, të cilët për shkak të aktivitetit të tyre patriotik dhe luftërave që zhvilluan për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, u ndoqën kudo nga ushtria e xhonturqve derisa u ekzekutuan.

Sot, pikërisht, para 105 vjetësh, më 27 Nëntor 1910, dy vjet para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me urdhërin e Durgut Pashës, xhonturqit e pabesë në sheshin e pazarit në Gjakovë, varën publikisht Shaban Binakun e Avdullah Hoxhën, në të njëtën ditë, në të njëjtin vend. Varjen e këtyre dy dëshmorëve të kombit, Qeveria e Xhonturqve e bëri publikisht me qëllim që ta frikësonte masën popullore shqiptare që ishte ngritur kundër këtij pushtuesi për të fituar lirinë dhe pavarësinë.

Trupat e tyre u varrosën në Gjakovë, në oborrin e Tyrbes së Tahir Efendisë, te Ura e Tabakve, ku janë edhe sot. Varja e këtyre dy martirëve shkaktoi zemërim të thellë te populli shqiptar, sidomos në Malësinë e Gjakovës.

Sic thote kanga popullore:

Haj medet po ban Gjakova,

Sot po viret Abdullah Hoxha.

Haj medet po ban konaku,

Sot po virret Shaban Binaku.

Shaban Aga si gjylja e topit,

rrept po shkon rrugës së konopit,

Po bjen hoxha shahadet,

Shaban Aga po i jep gajret,

qendro hoxhë, ishalla mreti nuk na pret

Shaban Binaku i përket  familjes së madhe të Binak Alisë.  Musli Mulosmanaj, i cili sonte është i pranishëm në këtë manifestim është nipi i Shanban Binakut, kurse Servete Hoxha-Mulosmanaj, bashkëshortja e Musliut, është stërmesa e Avdullah Hoxhës.

Shaban Binaku nga natyra ishte një njeri i mençur ku qetësinë e ruante edhe në momentet më të vështira, që është veti e burrave të mëdhenj. U lind në Fang të Bujanit në Malësinë e Gjakovës në vitin 1851 kur kjo anë i takonte Vilajetit të Kosovës, njëri nga katër vilajetet shqiptare nën Perandorinë Osmane. Kishte trashëguar shumë veti të babait të tij, Binak Alisë. Ishte orator i njohur në tubimet e shumta popullore ku udhëhoqi shumë kuvende të rëndësishme në luftë kundër sundimit osman dhe ringjallte shpresën kombëtare, ashtu siç kishin vepruar shumë patriotë para tij.

Shaban Binaku me vëllëzerit dhe kusherinjët e tij mori pjesë në kryengritjen e Slivovës në afërsi të Ferizajt, ku ra heroikisht Mic Sokoli e trima të tjerë. Ai udhëhoqi tubimin e Verrave të Llukës, ku u morën vendime të rëndësishme historike për Shqipërinë.

 

Avdullah Hoxha u lind në fshatin Kovaçë të Malësisë së Gjakovës nga një familje atdhetare. Me profesion ishte hoxhë dhe i përkiste fisit Gash.  Ndoqi rrugën e shumë patriotëve të kësaj ane, ku liria kombëtare për të ishte mbi të gjitha. Së bashku me Shaban Binakun morën pjesë në shumë beteja e kuvende popullore. Këta dy dëshmorë ishin pjesëmarrës edhe në Lidhjen e Pejës dhe në aktivitete tjera për Pavarësinë e Shqipërisë. Ranë për çështjen e Shqipërisë së bashku, në të njëjtën ditë, ashtu siç kishin luftuar kundër perandorisë osmane dhe pushtuesve tjerë serbo-malazez.

 

Të nderuar bashkatdhetar,

në saje të gjakut të tyre dhe të brezave para dhe pas tyre që ranë në fushëbeteja gjithandej Shqipërisë etnike kundër armiqve tonë të shumtë, sot gëzojmë lirinë dhe pavarësinë në dy shtete tona shqiptare: në Shqipëri dhe Kosovë. Duhet të luftojmë gjithmonë për më shumë të drejtat  kombëtrare të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të zi dhe në Luginën e Preshevës, duke mos harruar kurrë as Çamërinë.

Gëzuar kjo festë!

Faleminderit.

 

Mbajtur ne Darken Festive te 103 vjetorit te Pavaresise se Shqiperise, Organizuar nga VATRA- Nju Jork  27  Nëntor, 2015.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Avdulla Hoxha, deshmoret, harry bajraktari, Shaban Binaku

Imam Edin Gjoni: TE BASHKUAR RRETH FLAMURIT KOMBETAR

November 29, 2015 by dgreca

Mesazhi i percjelle nga Imam Edini Gjonaj ne darken festive te 103 vjetorit te pavaresise se Shqiperise, organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikes dhe Bashkesia Shqiptare ne Nju Jork, ku ishin te pranishem te tre besimet fetare/
Sonte, pas 103 viteve nga pavarësia e shtetit tonë, të gjithë qëndrojmë të bashkuar pranë flamurit tonë: i madh dhe i vogël, në Shqipëri dhe jashtë saj, mbi Shkumbin dhe nën të, të Krishterë dhe Myslimanë: të gjithë një gjaku dhe një gjuhe, një zemre dhe një qëllimi.
Sot qëndrojmë krenarë si shqiponja dykrenore që ruajtëm substancën e kombit tonë fisnik, gjuhën tonë të lashtë dhe të ëmbël gjatë gjithë shekujve të qenies tonë … 
Krenarë përpara historisë së pastër si loti, për duar të papërlyera, për faqe të bardhë me të cilën serbes mund ta shikojmë çdo popull në sy…
Por mbi të gjitha krenarë për një të vërtetë të madhe që e kam për borxh ta theksoj sonte dhe përherë: për mirëshkim dhe dashuri  vëllazërorë ndërfetar (e jo kurrësesi tolerancë), që në këtë kohë kaosi dhe rrëmuje, na bën që të jemi shembull ekzemplar për mbarë planetin.  
Më kujtohet Imami dhe mësuesi im zoteri Rexhep Lika kur më fliste për fshatin tonë, Këllezën, në Anë të Malit, pjesë e komunës së Ulqinit (përndryshe fshati në të cilin ka lindur përkthyesi i parë i Biblës në tërësi, Dom Simoni Filipaj) për një rast shembullorë. Ishte ajo kohë, më thoshte ai, kur akoma fshatarët e Këlleznes së Poshtme nuk kishin asnjëfarë ore (sahati), ndërkohë që prifti i katundit kishte orë. Atëherë prifti lajmëronte fshatarëve mysliman përmes kambanave kur ta ndërpresin ushqimin dhe ta fillojnë agjërimin në agim (syfyr) gjatë muajit të Ramazanit. Por në anën tjetër, ku si në Shkodër mund ta gjeni dikë si Myftiun e saj, i cili mu në mes të fjalimit të Bajramit, që është fjalimi më solemn në vit për myslimanët, ta ndërpresë fjalimin mu në respekt ndaj kambanat e Kishës. 
 Gjestet e vogla për nga veprimi, por të mëdha në domethënia. Gjeste që dolën natyrisht dhe pa asnjë teklif nga zemërgjerësia e Shqiptarit.  
 Prandaj, e them sonte dhe përherë, Shqipëria e jonë është në këtë pikëpamje sikur diamanti:
– Unike dhe fisnike në substancë, 
– Reflekton ngjyra të ndryshme kur drita përthyhet nëpër të, prandaj edhe kemi divergjencë fetare e cila asaj i jep vetëm bukuri e hijeshi dhe na pasuron si komb.  
– Dhe diamantin kush përpiqet që ta thyejë, në fund do ta thyej veten e vet. 
Më në fund:
I lutem Zotit: 
Ta bekojë Shqipërinë, Kosovën dhe popullin Shqiptarë kudo që të jetë,
Ta bekojë Vatrën tonë, 
Ti bekojë SHBA, këtë tokë dhe popull, për të cilën Zoti e lidhur fuqishëm fatin tonë si komb dhe si shtet dhe të gjithë aleatët tonë. 
 Urime Përzemërsisht Festa e Pavarësisë!

Filed Under: ESSE Tagged With: ‘Flamurit Kombëtar, Imam Edin Gjoni, rreth, te bashkuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3317
  • 3318
  • 3319
  • 3320
  • 3321
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT