PRISHTINË, 16 Nëntor 2015/ Nga bisedimet Kosovë – Serbi po fiton vetëm Serbia, kurse shpëtimi i Kosovës është ndërrimi i klasës politike me figura të papërlyera, si dhe bashkëpunimi i lartë me Shtetet e Bashkuara. Flet për “Zërin”, ish-diplomati amerikan, David Phillips, kontribuues i lartë në proceset për çlirimin e Kosovës, që nga viti 1989.
Kosova jo vetëm se është vonuar në ndërtimin e një shteti me prosperitet, por edhe është kthyer prapa.
Fatkeqësisht angazhimi i udhëheqësve të shtetit të saj, është i ndikuar nga qëllimet e ambicieve personale të vetëpasurimit.Korrupsioni dhe aktivitetet kriminale kanë lulëzuar.
Kështu thotë për gazetën kosovare “Zëri” ish-këshilltari i OKB-së dhe i Departamentit Amerikan të Shtetit, David Phillips.
Autori i librit “Çlirimi i Kosovës” dhe bashkëpunëtori i ngushtë i ambasadorit Richard Hollbrook kritikon Evropën për politikat e gabuara të saj ndaj Kosovës.
Ai thotë sendarja etno-territoriale e Kosovës është projekt i Millosheviqit, dhe para këtij presioni nuk guxon të bjerë Kosova.
Sipas tij, e vetmja përfituese e bisedimeve Prishtinë – Beograd, është Serbia. Si një parakusht për dialog, BE-ja duhet t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave dhe jo ta shpërblejë krejt në fund të procesit.
”Liberalizimi i vizave duhet të jetë një parakusht për angazhimin në negociata politike me Serbinë”, deklaron Phillips.
Boksieri lezhian, pjese e klubit sportiv me te mire te Botes
Nga Ahmet ZANI/
Boksiori Shqiptar Jurgen Uldedaj tashmë do të jetë pjesë e klubit sportiv më të mirë të Europës Europes SES Boxsing që ndodhet në Gjermani dhe ku bëjnë pjesë emrat e mëdhenj të boksit botëror si Robin Haxhi Krasniqi, Robert Stieglitz Domenik Bosel, Francesko Pianeta, Michael Wallisch dhe Tom Schwarz. Ka qenë përformanca e shkëlqyer e 18-vjeçarit e cila ka tërhequr vëmendjen e Trainerëve të spiktur të këtij sporti të cilët tashmë e kanë bërë lezhjanin Uldedaj pjesë të tyre. Prej 3-muajsh ai ka nisur trajtimin në Gjermani së bashku me boksierët më të mirë të botës, ku po stërviten për t’u përballur me sfidatë radhës. Boksieri Shqiptar vjen nga një eksperiencë e sukseshme në boksin amator në Kampionatin Shqiptar, Europian dhe Botëror ku është vlërsuar me medalje të ndryshme. Uldedaj diten e shtunë u përball në një ndeshje që u zhvillua në “Desua Arena” me kampionin Polak 28-vjeçarin Mateusz Gatek një boksier me mjaft eksperiencë në boksin profesionist. Në ndeshjen e zhvilluar 18-vjeçari Jurgen Uldedaj arriti të deminojë në të gjitha raundet, duke e vënë në vështirësi kundërshtarin dhe në randin e dytë i shkakton edhe nockdoën e parë. Përformanca e shkëlqyer e Uldedajt ka tërhequr edhe vëmedjen mediave në Gjermani të cilët e kanë cilësuar boksierin Shqiptar një super talent në Karierën e boksit profesionit. Nga ana tjetër Manaxheri dhe Promotori i Tij Ulf Stainforth, i cili është shpallur më i miri për vitin 2015, shprehet shumë i kënaqur për suksesin e arritur dhe për prespektivën që e pret Supertalentin Shqiptar me “Team Deutschland” si pjesë e klubit “SES Boxing”. Gjithashtu edhe vlersimi i shefit te klubit Dirk Dzemski dhe Trainerit Rene Friese janë me nota shumë pozitive, për boksierin 18-vjeçar Jurgen Uldedaj, që falë sukesit të tij një flamuri shqiptar është valvitur në vende të ndryshme të Europës dhe Botës.
Djaloshi lezhjan e ka nisur sportin e boksit që në moshë 13 vjeçare duke fituar tre herë medalje në kampionatet europiane, si dhe në vendin tonë shpallet pesë herë radhazi kampion i vendit.
Kuvendi i Kosovës dy muaj me bllokada
-Kryesia përgatitje për seancë plenare. Shtypi: Deputetët e koalicionit kërkojnë forcimin e sigurisë në Kuvend/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Nëntor 2015/ Përgatitjet për seancën plenare me më shumë se 30 pika në rend dite, janë sot në axhendën e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, i cili prej plot dy muajsh nga fillimi i sesionit vjeshtor bllokohet nga opozita me edhe me protesta, gjuajtje me vezë e gaz lotësjellës në seanca e jashtë tyre në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Së fundit, në 23 tetor, as në mesnatë nuk ka përfunduar dita e gjatë e ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës e rreth tij, një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, pa opozitën, u mbajt në orët e para të pas mesnatës. Opozita, e cila qëndronte në seancën plenare, edhe me ndonjë pije, deklaronte se deputetetët e koalicionit qeverisës ishin mbledhur në byfenë e Kuvendit.
Ndërsa, sipas njoftimit zyrtar, “salla në të cilën është mbajtur vazhdimi i seancës nuk është byfeja e Kuvendit, por sallë alternative e sallës kryesore. Një nga arsyet pse seanca është zhvendosur në sallën alternative është se deputetët opozitarë me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëmtim në rrjetin e zërimit përmes prishjes së gjashtë mikrofonave”.
Njoftimi theksonte se, “në pamundësi për mbajtjen e seancave plenare, më 17 shtator 2015, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna e seancës plenare, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur me 23 tetor, është marrë vendimi përmes të cilit kërkohen veprime plotësuese, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë për siguri, në mënyrë që të sigurohet shëndeti i deputetëve dhe mbarëvajtja e punimeve të seancës plenare”.
Derisa zhvllohej seanca e Kuvendit të Kosovës jashtë sallës plenare, opozita deklaronte se, “aktualisht po mbahet një takim ilegal i strukturave partiake të LDK-PDK, të cilët e kanë uzurpuar një sallë të institucioneve publike për ta zhvilluar një takim ilegal të strukturave të tyre brenda Kuvendit”.
“Kjo në asnjë mënyrë nuk është seancë, prej së cilës në mënyrë të papranueshme është përjashtuar opozita”, shtohej në deklaratë.
Opozita ka paralajmëruar vazhdimin e bllokimit të seancave plenare të Kuvendit, ndërkohë që bojkoton mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe të Kryesisë së Kuvendit.
“Nuk ndalemi, nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi”, janë shprehur tre subjektet e opozitës së bashkuar edhe në deklaratën e fundit të përbashkët, ndërkohë që në ambientet e Kuvendit para mediave kanë prezantuar edhe një peticion me më shumë se 200 mijë nënshkrime.
Në 10 nëntor, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës miratoi Masë të përkohshme për marrëveshjen Kosovë-Serbi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjykata njoftoi se, “mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi Masë të përkohshme, me të cilin pezullon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të ‘parimeve të përgjithshme/elementet kryesore’ të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.
“Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës”, shtohej në njoftim.
Ndërsa, opozita deklaronte se, “sot, pas dy muajsh të rezistencës aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç ka filluar. Presidentja i dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është i shpallur ‘nul’ dhe në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush”.
Në 30 tetor, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Presidentja e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Në 11 nëntor, qeveria e Republikës së Kosovës në një deklaratë theksonte se mbetet e përkushtuar për dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces.
“Masa e përkohshme e marrë nga Gjykata Kushtetuese është procedurë normale dhe e pezullon zbatimin e Marrëveshjes për Parimet e Përgjithshme / Elementet Kryesore të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Për ta siguruar përputhshmërinë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Marrëveshja si e tillë në pikën 2 e ka paraparë shqyrtimin e saj nga Gjykata Kushtetuese”, theksonte komunikata e qeverisë kosovare.
Kuvendi i Kosovës, derisa u mblodh në seancën konstituive shumë të vonuar në 8 dhjetor 2014, në legjislacionin e kaluar ishte 7 muaj jofunksional, 1 muaj para e 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare parakohëshme të 8 qershorit.
“Deputetët e koalicionit kërkojnë forcimin e sigurisë në Kuvend”, është një kryetitull balline sot në shtypin në Prishtinë.
Deputetët shumicë në Kuvendin e Kosovës insistojnë në mbajtjen e seancave plenare, pavarësisht bllokadës së opozitës,shkruan Koha Ditore.
Këtë ata do ta bëjnë duke u kërkuar ndihmë Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes forcimit të masave të sigurisë. Gazeta merr vesh se 84 deputetë kanë nënshkruar peticion dhe do t’i drejtohen ekzekutivit për krijimin e kushteve të sigurisë për punë në Kuvend. Kjo çështje pritet të diskutohet në mbledhjen e së hënës në kryesi. Janë gjithsej 32 pika të cilat do të diskutohen në kuadër të përgatitjeve për seancën e radhës.
Një burim brenda Kuvendit ka thënë se ka vendosmëri për mbajtjen e seancave plenare, qoftë edhe nëse ato nuk mbahen në sallën e dedikuar për seanca.
“Bashkësia ndërkombëtare në Kosovë insiston në mbajtjen e seancave dhe do ta njohë çdo seancë dhe miratimin e axhendës parlamentare, edhe nëse seanca mbahet jashtë selisë së Kuvendit”, ka thënë burimi. Gazeta nuk ka arritur të vërë kontakt me shefat e grupeve parlamentare të partive në pushtet, PDK e LDK.
Ndërsa, nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë thënë se seancat duhet të mbahen. Driton Lajçi, këshilltar i Veselit, as nuk ka pohuar e as mohuar nëse ka ardhur peticioni i pozitës, që për adresë ka qeverinë.
Ndahen çmimet e Panairit të Librit “Tirana 2015”
Janë ndarë çmimet e edicionit të 18-të të Panairit të Librit. Autori më i mirë i vitit u shpall Parid Teferici, për librin me poezi “Largësi Ideale”. Përkthimi më i mirë shkoi për Mira Meksin, me romanin e Milan Kunderës, “Identiteti”. Çmimi i përkthimit “Fan Noli”, për punën e gjatë ndër vite ju dha Shpëtim Çuçkës. Ndërsa çmimi për letërsinë për fëmijë u fitua nga Shkëlzen Zalli, për librin “Kurora me Banane”. {Sh.K}
NJË SINICARE-KANDIDATE PËR TË QËNË NUSE E FAN NOLIT
Nga Fuat Memeli-Boston/
Këtë fakt e kam mësuar qysh në vitin 2008, nga një intervistë e studjuesit ,Shpëtim Sala, dhënë gazetares Anila Mema dhe botuar te gazeta “Panorama” e datës 8 nëntor të atij viti. E ruajta këtë gazetë në arkivin tim, me dëshirën që si sinicar, të shkruanja diçka më tepër për këtë fakt. Gazeta vazhdoi të “flerë” për 7 vjet në arkivin tim dhe unë u ula të shkruaj këto rradhë, sivjet me rastin e 50 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan Nolit. Për faktin se një vajzë sinicare mund të ishte bërë nusja e Fan Nolit, mësova më vonë edhe nga libri i Nasho Jorgaqit, kushtuar jetës së Nolit, i cili gjithashtu e trajton këtë problem. Këtë ma tha sinicari,Thoma Ketri, mjek i njohur në Shqipëri, i cili tani jeton në Detroit të SHBA-së, pasi e kish lexuar librin e Nashos.
Po ndalemi së pari te fakti që sjell studjuesi, Shpëtim Sala.Në një nga pyetjet që gazetarja Anila Mema, i bënte këtij studjuesi, ishtë kjo:”cilat ishin kandidatet e mundëshme , me të cilat mendohej se Noli do të martohej?”. Dhe përgjigja është kjo:”Dy vajza ishin kandidate që mund të bëheshin priftëresha. Njëra ishte në Misir, në Kajro. Këtë ia kishte rekomanduar Thanas Tashkua. Nëpërmjet letrave, mësohet se vinte nga një familje e pasur. Idea ishte që para se ta merrte, të paisej me një sasi të hollash, rreth 100 stërlina ( të verdha ose ar) dhe me pajë veç të tjerash. Ndërkohë një kandidate tjetër për martesë, qe një vajzë nga Sinica që jetonte në Neë York dhe ishte shumë më e varfër nga ajo e para e Egjyptit”. Dy rastet e mundëshme të Nolit për martesë, siç thotë studjuesi, janë me mblesëri. Periudha për të cilën flitet, është viti 1907,kur Noli ishte 25 vjet dhe ndodhej në Neë York. Aty kishte shkuar qysh në vitin 1906. Idea për t’u martuar atëhere , ishte se ai duhej të bëhej prift, dhe prift pa priftëreshë, nuk mund të jesh. Ndër të tjera në letërkëmbimin me Thanas Tashkon, Noli shkruan:”po s’kini priftëreshë, dërgoni 100 lira. Dërgojini në çast. S’ka priftëreshë, dërgoni vetëm lirat, pa bëhem prift edhe pa priftëreshë, ose marr atë të Neë Yorkut nga Sinica. Po duhet të kem para që ta marr, ndryshe s’e mar dot. Ka edhe ajo mjaft të holla më thanë dhe është gati për martesë”.
Duke patur lekë, Noli mendonte se mund të kompromentonte mitopolitin rus, Platonin,mund ta merte me të mirë për t’u bërë prift, edhe nëse nuk martohej, sikurse ndodhi më vonë. Ndoshta ai nuk shkoi në Egjipt për mungesë parash, ose nëna e vajzës mund të mos ketë pranuar. Studjuesi thotë se duhen lexuar edhe letrat e Tashkos për të mësuar më shumë. Për vajzën nga Sinica, Noli linte të kuptohej se e mbante rezervë, pasi ajo nuk ishte e pasur, megjithëse siç shprehet vetë ( që e theksuam më lart) “ka edhe ajo mjaft të holla më thanë dhe është gati për martesë”. Në letërkëmbime të tjera Noli thotë se më mirë që nuk u martova, pasi kështu u bëra peshkop.
Nasho Jorgaqi, te vepra e tij “Jeta e Fan S.Nolit” ndër të tjera shkruan:” Në letërkëmbimet e me Th. Tashkon, L.Ligorin etj, kërkon prej tyre ta ndihmojnë për të zgjedhur priftëreshën e ardhëshme. Mbi të gjitha e do që të jetë shqiptarkë. Nolit i paraqiteshin tre kandidatura: një vajzë nga Sinica e Korçës por që heq dorë prej saj nga që ajo është e varfër dhe s’mund t’i sjellë pajë, dy të tjerat të cilat janë mirë nga gjendja, ai dëshiron t’i shohë para se të vendosë.Këto janë në Bukuresht e në Misir, ndërkohë që dasmën mendon ta bëjë në Boston para 100 shqiptarëve dhe të verë kurorë me prift rus”.
Megjithë njohjen e faktit se nja vajzë me origjinë nga Sinica që jetonte në Neë York, ishte kandidate për të qënë nusja e Nolit e ai mund të ishte bërë dhëndër Sinice ( kjo mund të kish ndodhur sikur sinicarja të kishte qënë e pasur) nuk mësohet më tepër se si e kishte emrin e mbiemrin kjo vajzë, çfarë njerzish kishte në familje, kush ishte mblesi , etj. Duke hamendësuar, më shkon mendja se ndoshta mbles mund të ketë qënë prifti patriot, At Pando Sinica, i cili ka jetuar në Boston dhe ka patur njohje me Nolin. Ai si sinicar, mund t’i ketë rekomanduar Nolit vajzën sinicare për nuse. Ndoshta këtë rekomandim mund tja ketë bërë dikush tjetër.
Tani pas 105 vjetesh nga koha për të cilën flitet, unë duke jetuar në Boston, u mundova mos bie në gjurmë për vajzën sinicare . Pyeta për këtë sinicarë në Amerikë si dhe në Shqipëri, por nuk zbulova dot gjë. Ndoshta dikush tjetër mund të mësojë më shumë në të ardhmen. Do të jetë me interes , jo vetëm për sinicarët, por për gjithë lexuesit e pasionuar të jetës dhe veprës së Fan Nolit.