• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Komenton Thaçi: Shumica ishin me ne. Rruga e Kosovës është e pandalshme

November 9, 2015 by dgreca

PARIS, 9 Nëntor 2015/ Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, shprehet se, “shumica e madhe e shteteve të botës kanë votuar për Kosovën”.
“Fatkeqësisht, për 3 vota nuk fituam shumicën absolute të nevojshme”, shton ai.
“Për 10 muaj fushatë, si konfidenciale, ashtu edhe të hapur, kemi dhënë maksimumin dhe ç’është me rëndësi edhe qytetarët dhe miqtë e Kosovës dhanë shumë”, thekson Thaçi.
“Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n edhe një herë. Zoti ju bekoftë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës”, përfundon krydiplomati kosovar, Thaçi, në një postim në ‘facebook’ nga Parisi.
Kosovës i munguan vetëm tre vota për pranim në UNESCO, në Konferencën e përgjithshme të kësaj organizate të OKB-së sot në Paris, pasi nuk kaloi pragun prej dy të tretave nga 195 vendet anëtare. Duheshin së paku 95 vota, ndërsa pro ishin 92, kundër 50, abstenuan 29 shtete.
Më herët Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, rrëzoi me 89 vota kërkesën e Serbisë për shtyrje të votimit. Kërkesa e Serbisë u mbështet nga 59 shtete, ndërsa u abstenua nga 22 të tjera./b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: shumica, Thaci, votoi per Kosoven

A fituan Rusia dhe Serbia ne Paris?

November 9, 2015 by dgreca

– Kosovës i munguan vetëm 3 vota për pranim në UNESCO/
– Ja kush Votuan Pro, kush abstenuan/
PARIS, 9 Nëntor 2015/ Kosovës i munguan vetëm tre vota për pranim në UNESCO, në Konferencën e përgjithshme të kësaj organizate të OKB-së sot në Paris, pasi nuk kaloi pragun prej dy të tretave nga 195 vendet anëtare. Duheshin së paku 95 vota, ndërsa pro ishin 92, kundër 50, abstenuan 29 shtete.
Më herët Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s rrëzoi me 89 vota kërkesën e Serbisë për shtyrje të votimit. Kërkesa e Serbisë u mbështet nga 59 shtete, ndërsa u abstenua nga 22 të tjera.
Pyetja shtrohet nese:A fituan Rusia dhe Serbia ne Paris?

VENDET QE E MBESHTETEN KOSOVEN

Vendet qe votuan Pro Kosoves ne UNESCO
—– Afghanistan, Albania, Germany, Andorra, Saudi Arabia, Australia, Austria, Bahamas, Bahrain, Belgium, Belize, Benin, Brunei, Bulgaria, Burkina Faso, Canada, Costa Rica, Ivory Coast, Croatia, Denmark, Djibouti, El Salvador, UAE , Estonia, Macedonia, Fiji, Finland, France, Gabon, Gambia, Ghana, Grenada, Guinea, Guyana, Haiti, Honduras, Hungary, Cook Islands, Solomon Islands, Iceland, Ireland, Italy, Jordan, Kuwait, Lesotho, Latvia, Liberia , Libya, Lithuania, Luxembourg, Malaysia, Malawi, Malta, Monaco, Montenegro, Nauru, Niger, Norway, New Zealand, Oman, Pakistan, Palau, Panama, Papua New Guinea, the Netherlands, Portugal, Qatar, the Dominican Republic, the Czech Republic, Tanzania, the United Kingdom, Rwanda, Saint Lucia, Saint Kitts and Nevis, San Marino, Samoa, Senegal, Sierra Leone, Slovenia, Somalia, Sudan, Sweden, Switzerland, Chad, Thailand, East Timor, Togo, Tonga, Turkey, Tuvalu, Vanuatu, Yemen.
Kundral
——Angola, Argentina, Armenia, Belarus, Bolivia, Botswana, Brazil, Chile, China, Cyprus, Congo, Cuba, Ecuador, Eritrea, Ethiopia, Georgia, Guatemala, Guinea, India, Indonesia, Kazakhstan , Kyrgyzstan, Lebanon, Morocco, Mauritius, Mozambique, Mexico, Myanmar, Namibia, Nicaragua, Uganda, Palestine, Paraguay, Philippines, Syria, Moldova, the Democratic Republic of Congo, People’s Democratic Republic of Lao, People’s Democratic Republic of (North) Korea, the Russian Federation, Serbia, Slovakia, South Africa, South Sudan, Spain, Sri Lanka, Suriname, Uruguay, Venezuela, Zimbabwe.
Abstenuan!
Those who abstained included Algeria, Bangladesh, Barbuda, Bhutan, Bosnia-Herzegovina, Burundi, Cameroon, Comoros, Egypt, Greece, Guinea-Bissau, Jamaica, Japan, Kenya, Mali, Nepal, Nigeria, Peru, Poland, Central African Republic, the Republic of (South) Korea, Romania, Saint Vincent and the Grenadines, Seychelles, Singapore, Trinidad and Tobago, Tunisia, Vietnam, Zambia.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosovës i munguan vetëm 3 vota, NE UNESCO, për pranim

PO I PËRGJIGJEMI FLETËS FRÊNGE “LE PETIT JOURNAL”

November 9, 2015 by dgreca

Nga Mustafa KRUJA/
Jemi miq në shtëpí të huej e si t’ atillë kemi detyrë t’i shtrohemi vullnetit të të zotit e të nderojmë dëshirat e interesat e tij. Pas rregullavet të Kalorísë shqiptare i përket të zotit të shtëpísë të mbrojë mikun e fyem a të gërgamë prej nji të treti, sidomos kur edhe ky të jetë po miku i asaj shtëpie. Por kur rasat të mos i lenë vênd zbatimit të kësaj rregulle kaloreshë, mikut të ngamë s’i mbetet tjetër përveçse të dalë e të shkojë ose të zgjânojë zêmrën e të durojë! Pra nuk na lên as ligja as njerzía të vêmë në rrezik interesat e vêndit që na ka dhânë hospitalitet ; dhe prandaj jemi të shtënguem t’a rrudhim qarkun e fjalës, qoftë edhe në të dalun zot vetes, po të jetë kundra Shtetënve miq e besatarë të këtij vêndi.
Megjithkëtê nuk besojmë të ketë ndo një ligjë a rregull shoqnore që të mos na japë lejë me iu përgjegjun një flete a një shkrimtari frêng që dash’a pa dashun, me díje a pa díje, kërkon të na paraqesë përpara botës nën më të zezat ngjyra. Nji farë Koloneli Thomasson, duke gjykue në Petit Journal të Parisit veprimet e këtyne ditve në Shqipní, shihni se qysh i mbulon me lule (!) dëshmorët e atdheut t’onë, rënë këndej e andej Vjosës, më kët’ anë e matanë Semanit:
“Në kët’ vênd t’ egër – thotë frêngu për Shqipnínë – që mban akoma zakonet e Kohës së Mesme e që mundet të barabitet me Marokun, kanë qênë gjithmonë dy rrjedha, njêna që e kish kryet te Italianët dhe tjetra te Austriakët. Secila nga këto mund të forcohet për dâm të tjetrës pas gjasavet të kohës. Sikur të shtrëngohej i gjithë trupi ushtarak i Austrisë të hiqej nga Shqipnía, s’do t’i kish fare krahët të sigurtë nga çetat shqiptare që sot janë me tê dhe nesër pa dy fjalë do t’i këtheheshin kundra duke marrë anën e mundësit!”
Pikë së pari, kritiku ushtarak i gazetës pariziane po na fal titullin “t’ egër”. Kjo fjalë u âsht tepër familiare frêngjvet; kur zêmrohen dy çilimîj njêni me tjetrin e para sharje që ndëgjohet nga goja e tyne âsht kjo: “sauvage-i egër!” Por a thue se edhe kritiku i nji gazete me rândësi, si “Le Petit Journal”, i përdorë fjalët aqë letas, si çilimîjt, pa vûe re se ç’duan me thânë? S’e besojmë! Ai, duke e cilësue Shqipnínë t’ egër, ka dashë me dëftye plotsisht nji vênd që s’ka fenë e qytetnimit, që s’din njerëzí, s’njeh qeverí, s’merr vesht shoqní as kupton se kujt i thonë komb, ligjë e rregull; po kujtojmë kështu tue mos dashë me e vûe edhe Kolonelin Thomasson bashkë me Vladan Gjorgjeviçin që ia ka paraqitë botës Shqiptarët me bisht!
Por shkrimtari frêng e shfaq mâ mirë qëllimin e tij kur thotë se mbajmë akoma zakonet e Kohës së Mesme e kur na krahason me Marokenët. Popujt e Kohës së Mesme kanë pasun edhe shumë vërtyte si besë, trímní, kalorí etj. Mirëpo na, pas Petit Journal-it, i kemi bjerrë të gjitha këto e kemi mbajtun vetëm doket e këqia t’asaj kohe, duke shtue pastaj në vênd të besës tradhtí, në vênd të trimnísë ligështi a, me nji fjalë, kemi râ në shkallët të Jevgjet ase, makar si thotë shkrimtari vetë, të Marokenëvet.
Na nuk besojmë që nji Kolonel i Francës të jetë nji anmik aqë i pa ndershëm i kombit t’onë sa të poshtnohet me shpifë rrena kaqë të pa turpëshme si këto që po na boton me gazetën Petit Jornal. Ai âsht, themi na, nji njeri që Shqipnín s’e ka pà kurrë ; me Shqiptarë a miq të Shqipnís s’i ka takue të rrijë e të flasë kurrë ; vepra të shkrueme asnjanësisht mbi ne as e di se ka. Përkundras pastaj kush e di se sa herë i ka ndodhë me i ndîe punët t’ona prej gojës s’anmiqvet a me i këndue nga pênda e tyne.
Na nuk mundemi të themi se kemi nji qytetnim material si ay i visevet tjera t’Europës ; jo si ai i vêndit të shkrimtarit, por as si i fqîjëvet t’anë të vegjël. Megjithkëtê kush e njeh Shqiptarin me të vërtetë, s’mundet aspak të na kundrështojë kur të guxojmë me thânë se moralisht, për ndîesi qytetnore nuk biem fare mâ poshtë se shokët t’anë balkanas. Do të venim shumë gjatë po të sillshim këtu shêmblla që tregojnë karakterin moral e shoqnor të popujvet tjerë, sidomos, të popujvet fqîjë, në fîllim të jetës së tyne të lirë. Vetëm po i këshillojmë kritikët t’anë, në qoftë se e kanë me të drejtë, të studjojnë mirë e asnjanësísht historín e përlindjes së popujvet ballkanas. Të shqyrtojnë pastaj me një shpirt liberal edhe historínë e gjallë të kohnavet t’ona, e sidomos këtê, për të gjetun mâ mirë se cilët janë t’egjër e gjaksorë të pashpirtë nga ndêjësit e Ballkanevet e makar t’ Europës mbarë!
Z. Thomasson flet mbi rrjedhat politike të vêndit t’onë me nji frymë mjaft të dobët e të gabueme. Shqiptarët e zgjuem e të mësuem, në kohnat e errta të sundimit turk, e shikojshin Francën si vêndi ku kish lindun dielli i lirísë së gjithë popujvet dhe me shumë arsye kishin varë shpresa të mëdha te atdheu i atyne që me Rivllesën e mrekullueshme të I789-ës e me Shfaqësín e të Drejtavet të njeriut i hapën derën nji jete të re në të tânë Europën duke u futun edhe të gjithë kombevet tjerë shkëndíjën e lirisë në zêmër. Nuk do t’i çudíste fare Shqiptarët sikur të dilte ndonji La Fayette i ri më I878, më I9II e I2 e t’u epte dorën atyne burrave që ishin të shtrënguem të luftojshin me dhâmbë e me thonj për me shpëtue Shqipnín, më nj’anë nga zgjedha shekullore e Turqisë, dhe më tjetrën prej kthetravet t’anmiqvet rreth e rrotull qi lakmojshin të na futshin nën zgjedha të reja e mâ të shëndosha. Por jo! Përkundras, Ulqini e Tivari shqiptarë iu dhanë në dorë Nikollës së Malit-të-Zí me ndihmën e flotavet të Fuqívet të Mëdha, nga të cilat edhe ajo e Francës, atdheut të La Fayettit e të Dantonit. Kjo ishte e para herë që Shqipnía po provonte me zêmër të përgjakun, se përpara interesit principet a gojdhanat liberale s’kishin ndonjë vlerë. Por provat e helmta nuk mbetën me kaq për kët vênd të mjerë : rivllesat kombëtare që nisën në Malsi më I9II e mbaruen në Shkup më I9I2 me shkatrrimin moral e material t’ushtrísë turke, tue i hapun udhën e triumfit Katërpalshes ballkanase pak muej mâ vonë, u përshkruejshin nëpër fletët e Parisit me ngjyrat mâ të çudítshëmet e të pabesueshmet për njeriun. Kur pastaj mâ në fund u gjetëm përpara Konferencës së Londrës, I9I3, që do të ndante drejtësinë në mes të Kombevet ballkananas (!), mbasi Turqia, përpara me armët shqiptare dhe pastaj me ato të Katërpalshes sllavo-greke, ishte prishun dhe gati krejt dëbue nga Europa, pamë se Republika e Francës u bâ krahu i djathtë i Rusisë cariste, bashkë me të cilën u mundue, gjer ku i arriu fuqía, që të mos bâhej Shteti shqiptar, që toka arbnore të ndahej ndërmjet Sllavëvet e Grekëvet, që, me njê fjalë, fara e Shqiptarit të mbaronte, të shuhej nën thêmbrën tirane t’anmiqvet të vet. Në njê rasë kaqë të vështirë kur jeta e kombit e e racës s’onë ishte në pikë të rrezikut të bâhej flîja e padrejtësisë ruso-frênge, kush u hodh në shesh me armë në dorë e me vullnet të pa tundshëm që t’a shpëtonte?
Të mos kishin qênë interesat gjallnore të monarkísë austro-hungare e t’Italisë, që do të rrenoheshin bashkë me Shqipnínë, me nji fjalë, të mos ishte Adriatiku, shpresat t’ona të pështetuna mbi principe e ideologjí do të na kishin lânë n’ujë për jetë.
Përpara këtyne të vërtetave për Shqiptarët nuk do të kishte kurrë njê tjetër rrugë të drejtë e t’ arsyeshme përveçse me u çveshun nga ândrrat e me iu veshun realitetit. Shqipnín e shpëtuen Austrí-Hungaría me Italínë që me humbjen e saj shihshin në rrezik edhe përtardhmen e tyne. Pra s’ka gjâ mâ të natyrëshme që Shqiptarët t’i kenë varë shpresat e tyne në këto dy Fuqí të Mëdha, shpëtimtare të vêndit e të kombit të tyne.
Por “sa koka aqë mêndje” thotë njê fjalë e motshëme ; âsht e ditun pra që disa prej nesh mund të kenë çmue mâ tepër veprën e njênës dhe disa atê të tjetrës, kundrejt Shqipnís ; kush ka pà njênën politikë mâ të dobishme, kush tjetrën. Kjo ngjan kudo, kështu për shêmbull âsht edhe në Francë : Z. Clémenceau e sheh të mirën e vêndit të tij në lidhjen me Anglinë, Z. Caillaux me Gjermanínë!
Koloneli Thomasson të jetë i sigurtë se ata Shqiptarë që formojnë dy rrjedhat filaustriake dhe filitaliane në Shqipní janë patriotë të thjeshtë e të bindun e jo njerëz të shitun e të rregulluem pas interasavet të veçanta e pas fuqísë e fitimit luftarak të njênës anë a tjetrës. Po flasim përgjithësisht për ata që marrin vesh nga politika e jo, natyrisht, për grumbullin popullor që s’mundet të ketë nji mêndim të vetin e të ngulun kurrkund në botë. Shtojmë por se edhe ndër Shqiptarët s’âsht çudí të gjindet ndonji Bolo, Almereyda, Turmel a ndo nji Duval!
E pra, n’âsht se karakteri e shpirti i gjithë nji populli lypset të gjykohet pas vepravet të tradhtorëvet, kjo duhet të jetë njê rregull e përgjithshëme e jo vetëm për ne!

MAK.
Gazeta “Kuvêndi”, 23 Korrik 1918

Filed Under: Histori Tagged With: Le Petit Journal, Mustafa Kruja, pergjigje

Realitete Shqiptaro – Britanike

November 9, 2015 by dgreca

Shkruan Mal Berisha/

Sot në tërë Europën janë përkujtuar martirët britanikë të asaj organizate që njihet me emrin Special Operations Executives, ose Ushtria e Fshehtë e Churçillit. Ishte kënaqësi e veçantë të nderonim të rënët britanikë të SOE në truallin shqiptar, me ftesë të Sh.T, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Shqipërisë, z. Nicholas Cannon. Këtë ditë përkujtimore e nderoi edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. z. Bujar Nishani.

Me këtë rast po postoj pjesë nga libri I sapo dalur nga botimi:

REALITETE SHQIPTARO – BRTIANIKE –

Në aktet më të rëndësishme, dashamirëse dhe ndihmën më të madhe të dhënë nga ana e Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë, është futja e vendit tonë në hartën e veprimeve të SOE. Një numër i madh djemsh e vajzash britanikë shkuan në Shqipëri për tu ballafaquar me një terren dhe situatë krejtësisht të panjohur edhe pse misioni i tyre ishte pro përkrahjes të shqiptareve. Dhe lind pyetja se çfarë ishte kjo organizatë?!
Në rrjedhojë të Luftës së Dytë Botërore, me rënien e Francës në duart e nazistëve, lindi nevoja e menjëherëshme e krijimit të një force vullnetare luftarake britanike, e cila do të zhvillonte një luftë ndryshe kundër ushtrive hitleriane. Kjo forcë u pagëzua me emrin; Special Operations Executive (SOE) ndërsa misioni i saj ishte të kryente akte spiunazhi dhe sabotazhi në prapavijat e nazistëve. Luftëtarët e këtij formacioni do të nxirrnin trenat nga shinat, të shembnin urat si dhe të sabotonin fabrikat e prodhimit të armëve. Ata do të ndihmonin organizmin e luftës guerrile në të gjitha vendet e pushtuara nga armiku. Në 16 korrik 1940, Kryeministri Churchill emëroi Hugh Dalton si mjeshtrin politik të SOE-s dhe menjëherë e urdhëroi atë të fillonte veprimtarinë në terren. Organizata punësoi ose me saktë angazhoi 13.000 pjestarë prej të cilëve 3.200 ishin femra. Ajo u shpërnda zyrtarisht me datën 15 janar të vitit 1946. Agjentët e SOE në qershor të vitit 1941, arritën të shpërthenin stacionin elektrik francez Pessac. Ky akt u prit në Londër si një sukses dhe krijoi bindjen se nuk ishin vetëm bombat ato që do të shkatërronin makinën ushtarake gjermane. Ky operacion çoi në qindra të tjera anë e mbanë Europës deri në Lindjen e Largët, në Japoni. Në vitin 1942 një skuadër e SOE–s vrau zëvendësin e Hitlerit, Reinhard Heydrich me një granatë; Në Greqi në vitin 1942 ata shkatërruan urën e Gorgopotamos, duke i prerë furnizimet ushtrisë së Romelit në shkretëtirë; Në Norvegji shkatërruan një fabrikë të ujit të rëndë, duke i dhënë fund ëndrrës naziste për prodhimin e një bombe atomike. SOE mund të godiste armikun në çdo kohë dhe në çdo vend.
Cili ishte roli i SOE–së në Shqipëri?
Dy fotot në krye të këtij teksti bëjnë lidhjen midis dy cepave fundorë, kohorë të kësaj historie. E para është statuja që simbolizon luftëtarët e SOE–s, e ngritur në Londër, në Albert Embankment, në anën e Lumit Tames, në një baraz-largësi midis Urës Lambeth dhe London Eye . Tjetra është një fotografi e memorialit të të rënëve të SOE–së në Tiranë, të vendosura në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
SOE, përveç vendeve të tjera si Francë, Poloni, Gjermani, Hollandë, Belgjikë, Itali, Jugosllavi, Hungari, Greqi, Kretë, Çekosllavaki, Norvegji, Danimarkë, Rumani, Abisini, Azinë Juglindore veproi edhe në Shqipëri. Një grup i vogël ndërlidhës hyri nga Greqia në Shqipëri në vitin 1943. Agjentët e SOE–së ishin Julian Amery, Anthony Quayle, Davis Smiley dhe Neil “Billy” McLean.
Por si u zhvilluan operacionet e SOE–së në Shqipëri?! Këtë na e ka përshkruar më së miri Rodrick Bailey në librin e tij:
SOE në Tokën e Shqipeve .
Në vitin 1943, një ekip i vogël elitë i ushtarëve britanikë, filloi të zbriste me parashutë në malet e Shqipërisë së pushtuar. Ata ishin pjestarë të SOE–s dhe kishin si detyrë të gjenin dhe të armatosnin çetat e luftëtarëve guerrilas dhe të sulmonin armikun sa më shumë që të mundeshin. Ata kurrë nuk kishin shkelur në Shqipëri dhe as që dinin se çfarë do t’i priste atje.
Duke u përpjekur të mbijetonin në kushtet më ekstreme dhe në një terren tejet të vështirë këta britanikë të rinj jetuan nën rrezikun e përhershëm se mos binin në duart e armikut ku i priste vdekja e sigurtë. Përveç sëmundjeve, pamundësisë për një jetë të pastër, atyre iu shtohej edhe fakti se guerrilasit shqiptarë, sipas Roderick Bailey-t, ishin në konflikt me njëri – tjetrin. Në këtë libër të jashtëzakonshëm autori ka përdorur intervistat me të mbijetuarit, ditare të fshehura prej kohësh dhe të deklasifikuara më së fundi, të cilat dëshmojnë historinë e jashtëzakonëshme të SOE–së në Shqipëri.
SOE, sipas dokumentave të saj deri në vitin 1945, ka dërguar në Shqipëri 7.000 pushkë, 5.000 armë gjysmë automatike, 1.800 mitroloza të lehtë, bashkë me 16 milion e pesëqint(pesëqind) mijë fishekë, 240 mortaja, me 25.000 bomba, dhe 25.000 granada përveç pistoletave dhe gjashtëdhjetë mitralozave gjysëm të rëndë. Po ashtu ata dërguan 28.000 palë rroba ushtarake, 57.000 palë çizme ushtarake, 14.000 batanie, 390 fenerë, 6 xhipsa, dhe një motorbarkë. Ata dërguan edhe qindra ton me ushqime.
Nga grupi i parë prej 50 britanikëve që zbritën në Shqipëri, 16-të mbetën të vrarë ndërsa 17 të mbijetuar janë dekoruar. Në atë periudhë kohore të veprimtarisë së SOE–së në Shqipëri, dhanë jetën 53 pjesëtarë të këtyre forcave. Autori e fillon rrëfimin e tij dramatik me pjesë nga vepra e autorit tonë të madh Ismail Kadare që u bë i famshëm me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”. Historia e mbetjeve të eshtrave të këtyre të rënëve britanikë është tejet e dhimbshme. Ata kurrsesi nuk mund të vlerësohen si armiq pushtues të Shqipërisë. Përkundrazi, ata erdhën dhe dhanë jetën për të nxitur dhe ndihmuar popullin shqiptar të çlirohej nga fashizmi dhe nazizmi. SOE u shpërnda zyrtarisht me datën 15 janar të vitit 1946. Pas luftës ata bënë përpjekje të mëdha për të mbledhur eshtrat e të rënëve të tyre, si kudo tjetër edhe në Shqipëri.
Regjimi i Enver Hoxhës, i cili kishte marrë tërësisht një kurs, fillimisht pro-Jugosllav e më vonë pro–sovjetik, i solli shumë pengesa britanikëve për të marrë eshtrat e djemve e vajzave të veta. Autori tregon sesi përkundër tërë pengesave të qeverisë, një oficer i quajtur MacIntosh gjeti një mbështetje të jashtëzakonshme tek populli shqiptar që u tregua aq bujar ndaj tij. Kështu në shkurt të vitit 1946, ai pasi kishte shkuar fshat më fshat, e breg më breg në kërkim të tyre, arriti të mblidhte eshtrat e të rënëvë britanikë në Shqipëri. Fatkeqësisht, MacIntosh u përzu nga qeveria shqiptare si “reaksionar dhe armik i popullit shqiptar” dhe misioni i tij mbeti i pambaruar. Por më e keqja ende nuk kishte ndodhur. Qeveria angleze ia besoi ambasadës franceze detyrën për marrjen e eshtrave. Në vitin 1950 një atashe francez, shkoi të vizitonte varrezat e britanikëve në Shqipëri. Ai nuk gjeti asnjë gjurmë të tyre. E drejta e këtyre njerëzve për tu prehur në një vend të qetë u “fitua” vetëm pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri. Ata u mblodhën dhe u vendosën në një varrezë në Parkun e Tiranës. Me datën 11 nëntor 2012, Ambasadori Britanik në Tiranë ShT z. Nicholas Cannon dhe Kryeministri i asaj kohe Dr. Sali Berisha organizuan një shërbesë përkujtimore në varrezën e britanikëve prapa Universitetit të Tiranës. Ata ishin 53 të rënë, por vetëm 46 prej tyre i kanë pllakat e varreve mbi kokë.
Shqipëria i ka borxh nderi këtyre të rënëve për kontributin në çlirimin e vendit tonë. Pas kthimit në atdhe, veteranët e SOE që shërbyen në Shqipëri i shërbyen vendit të tyre në fusha të ndryshme të jetës. Shumë prej tyre u bënë njerëz të shquar dhe politikanë të zotët. Le të veçojmë disa prej tyre:
Harold Julian Amery, Baron Amery of Lustleigh, (1919–1996)
– Politikan konservator britanik, i cili shërbeu tre dekada si figurë drejtuese e kësaj partie dhe 42 vjet anëtar i parlamentit. Ai ka shërbyer si oficer ndërlidhës i SOE për lëvizjen e rezistencës antifashiste shqiptare në vitet (1943–1944) në përbërje të grupit të quajtur “Tre Mosketjerët” bashkë me majorin Davis Smiley dhe kolonelin Neil McLean.
John Anthony Quayle, aktor i madh i teatrit anglez, shërbeu si oficer i shërbimit të fshehtë anglez gjatë luftës. Në vitin 1943 mbërriti në Tragjas, Shqipëri. Aty u takua me një oficer tjetër të SOE–së të quajtur Jerry Field të cilin e zëvendësoi, pasi ai ishte plagosur në një ditë peshkimi. Pas luftës ai iu kushtua aktrimit dhe drejtoi Teatrin Memorial të Shekspirit ku dhe hodhi themelet e krijimit të Kompanisë Mbretërore të Teatrit Shekspirian. Ai ka luajtur rolet e Falstafit, Otellos, Henrin e VIII-të si dhe ka interpretuar edhe me Lorenc Oliverin dhe ka një galeri të pafund rolesh. Për ne shqiptarët mbetet figurë e dashur pasi jo vetëm që shërbeu në Shqipëri, por ishte anëtar aktiv i përhershëm i Anglo Albanian Association. Vdiq në vitin 1989.
Kolonel Davis Smiley (1916–2009) ishte një oficer i shërbimeve të fshehta britanike. Në luftën e Dytë Botërore ai ka luftuar në Palestinë, Irak, Persi, Siri si dhe ka vepruar me SOE–në, në Shqipëri dhe në Tailandë. Ai ka shkruar librin ”Albanian Assignment”.
Kolonel Neil “Billy” McLean(1918–1986), oficer i shërbimeve të fshehta britanike i SOE në Shqipëri dhe më pas politikan i shquar. Më pas ka shërbyer si anëtar i Parlamentit Britanik. Në Prill të vitit 1943 ai u hodh me parashutë në Shqipëri ku ra menjëherë në kontakt me partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese. Ai u përpoq të pajtonte grupet e ndryshme në Shqipëri. Pas një periudhe në Angli u kthye përsëri në Shqipëri në vitin 1944 me ekipin e vogël të Tre Mosketjerëve (shih më lart).
Magaret Hasluck për të cilën flitet në këtë libër, shërbeu në SOE. Pas luftës, dhe pas ekzekutimit nga komunistët të mikut të saj shqiptar, Lef Nosi, ajo u sëmur rëndë dhe vdiq në varfëri në Dublin në vitin 1948. Atë e ndihmuan miqtë e saj të SOE–së në ditët e fundit të jetës në mënyrë anonime.
Billy McLlean shërbeu si konsull në Sianking. Tony Neel shërbeu në forcat ajrore, Bill Tilman u bë gazetar i njohur. Shumica e tyre i shërbyen Britanisë në fusha të ndryshme, duke treguar se ishin po aq të guximshëm e të talentuar në paqe sa ç’ishin në luftën që zhvilluan në Shqipëri në shërbim të popullit shqiptar. Shqipëria iu ka borxh nderi si të rënëve, ashtu dhe të mbijetuarve, për kontributin në çlirimin e vendit tonë nga nazi-fashizmi.

Filed Under: Histori Tagged With: Mal Berisha, Realitete, shqiptaro-britanike

Duke pritur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO-Vitrinë eksponatesh të grabitura nga Serbia

November 8, 2015 by dgreca

-“Nesër besojmë se Kosova do të pranohet në UNESCO, do të jetë një ditë historike”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke paralajmëruar edhe një seancë solemne me këtë rast/
-Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, vitrinë me reproduktime eksponatesh arkeologjike të grabitura nga Serbia/
-Ka mëse 17 vite, nga 1998-1999, prej kur më shumë se 1.200 objekte arkeologjike e etnografike të Kosovës mbahen në Serbi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Nëntor 2015/ Vitrina e Muzeut të Kosovës u vendos sot në ambientet e Kuvendit kosovar me reproduktime (kopje) të eksponateve arkeologjike të grabitura nga Serbia në vitin 1999. Ky aktivitet zhvillohet një ditë para votimit të pritur në Paris për anëtarsimin e Kosovës në UNESCO në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate të OKB-së, anëtarësim ky që po kundërshtohet nga Serbia.
“Nesër besojmë se Kosova do të pranohet në UNESCO, do të jetë një ditë historike”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke paralajmëruar edhe një seancë solemne me këtë rast.
Në vigjilje të votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, me iniciativën e kryetarit të Republikës së Kuvendit, Kadri Veseli, në hollin e Kuvendit është vendosur Vitrina Arkeologjike e Muzeut të Kosovës.
Në hapje të ceremonisë, kryetari Veseli foli për rëndësinë e votimit të nesërm në Paris, kur pritet t’i hapen dyert Kosovës për t’u bërë pjesë e UNESCO-s.
Ditën e nesërme, kryetari Veseli e cilësoi ditë të madhe dhe historike për Kosovën. “Gjasat për pranim të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, ku edhe e ka vendin, janë shumë të mëdha, pasi ka sinjale që edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën do të votojnë për anëtarësim. Kosova e meriton të jetë pjesë e UNESCO-s”, u shpreh ai me optimizëm.
Kreu i Kuvendit tha se vendi ynë ka një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur kulturore, ndërsa dëshmi e kësaj janë edhe këto eksponate që sot po ekspozohen në mjediset e Kuvendit.
“Falënderoj Muzeun e Kosovës për zbukurimin e hollit të Kuvendit me këto eksponate të vlefshme. Shumica e eksponateve janë ende në Beograd dhe presim që të kthehen në Kosovë”, tha më tej kryeparlamentari Veseli.
Drejtoi i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, tha se Muzeu është i nderuar që Kuvendi i Kosovës hap dyert për një pjesë të thesarit të tij të vlefshëm dhe se kjo ditë, sipas tij, shënon fillimin e një programi të ri të bashkëpunimit me Kuvendin.

Vitrina e Muzeut me eksponate nga fondi arkeologjik ishte e hapur gjatë verës në sheshin “Ibrahim Rugova”, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ku mes tjerash ishte e vendosu riprodhimi i “Hyjneshës në Fron”, një figure terrakote mbi 6.000 vjet e vjetër, e zbuluar në 1956 në afërsi të kryeqytetit, Prishtinës, dhe është simbol antik i saj.
“Prezantohen riprodhimet e disa objekteve nga thesari arkeologjik, pjesë e koleksionit të madh të Muzeut të Kosovës, i cili ende nuk është kthyer nga Beogradi”, u theksua në hapjen e ekspozitës.
Ka mëse 17 vite, nga 1998-1999, prej kur më shumë se 1.200 objekte arkeologjike e etnografike të Kosovës mbahen në Serbi. Beogradi i ka kthyer Prishtinës “Hyjneshen në Fron”, të cilin e pat sjellë nga kryeqyteti serb një nga ish-kryeadministratorët e misionit të OKB-së në Kosovë, Michael Steiner.
“Vitrina e Muzeut të Kosovës” kishte ekspozuar edhe Medaljonin e Probit, i viteve 276-282, i zbuluar në Ulpianë, monedhë e përdorur gjatë sundimit të Perandorit Probi, Kapakun Prozopomorf dhe Figurinën Antropomorfe të peridhës së neolitit, të zbuluara në Mitrovicë, Urnën nga periudha e hekurit, zbuluar në Bardh të Madh, Okarinën – instrument muzikor frymor nga argjila e pjekur, e periudhës së neolitit zbuluar në Runik të Skënderajt, Tavolinën e kohës së neolitit zbuluar afër Graçanicës, e artefakte të tjera.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i themeluar para katër viteve, këtë javë bëri promovimin e katër botimeve të tij, një nga të cilët ishte libri i Prof. Dr. Fejaz Drançollit “Monumentet e shkatërruara në Kosovë 1998/99”.
Duke prezantuar faktet, me këtë rast ai tha se, politika okupuese millosheviçiane, për më pak se tre muaj, vetëm në periudhën e luftës mars-qershor ’99, i shkatërroi veprat më të rëndësishme dhe me vlerë të një kulture, trashëgimie afro pesë shekullore, dogji, plaçkiti, rrënoi, granatoi dhe rrafshoi deri në themele një numër të madh të monumenteve fetare-islame, civile, objekte publike e individuale shqiptare.
“Kjo katrahurë u realizua nga forcat pushtuese ushtarake serbe-malaziase, policia dhe paramilitarët serbë. Çdo gjë ishte e planifikuar nga institucionet shtetërore, regjimi dhe politika serbe e kohës, edhe pse ish-Jugosllavia, ku bënte pjesë edhe Serbia, qenë nënshkrues të Konventës së Hagës (1954) për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore gjatë luftës”, theksoi ai.
Pos që u shkatërrua trashëgimia, shtoi Drançolli, u plaçkit i tërë dokumentacioni i monumenteve nga Enti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. “Këtu nuk duhet harruar, por duhet potencuar edhe marrjen e mbi 1500 eksponateve arkeologjike e etnologjike nga muzeumet e Kosovës”, u shpreh ai.
Në këtë monografi, vijoi Drançolli, kemi paraqitur vetëm 100 monumente të shkatërruara, kur dihet se numri i përgjithshëm i trashëgimisë ndërtimore të shkatërruar arrin shifrën prej mbi 2700 objekteve. “Po ashtu, kemi arritur në përfundim se qëllimi i regjimit dhe i politikës serbe, jo vetëm tani, por edhe më herët ishte zhbërja në tërësi e trashëgimisë, qytetërimit dhe civilizimit, humbjes së gjurmëve të gjuhës dhe skeletit shqiptar në Kosovë, si populli më i vjetër në zemër të Europës”, theksoi ai.
Këto shkatërrime, të përmasave shfarosëse, tha Drançolli, janë akte rurale-urbicide ndaj trashëgimisë shqiptare në Kosovë, por edhe pjesë e krimit edhe ndaj thesarit botëror, të mbrojtur me të drejtën humanitare, sipas normave ndërkombëtare të institucioneve më të larta ndërkombëtare – UNESCO-s, ICOM-it, etj.
“Një popull që në njërën anë me egoizëm e mbronë trashëgiminë e vet e në anën tjetër e shkatërron dhe e përvetëson trashëgiminë e një populli tjetër, nuk bën pjesë ndër popujt e qytetëruar”, u shpreh Prof. dr. sc. Fejaz Drançolli, historian i artit.
Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të Serbisë kanë kryer një numër të madh të krimeve ndaj popullatës civile, kanë vrarë rreth 12 mijë shqiptarë, mijëra i kanë zhdukur e rreth 1 milion i kanë dëbuar. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon edhe se, në Kosovë janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, grabite nga Serbia, vitrine eksponatesh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3377
  • 3378
  • 3379
  • 3380
  • 3381
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT