-“Nesër besojmë se Kosova do të pranohet në UNESCO, do të jetë një ditë historike”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke paralajmëruar edhe një seancë solemne me këtë rast/
-Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, vitrinë me reproduktime eksponatesh arkeologjike të grabitura nga Serbia/
-Ka mëse 17 vite, nga 1998-1999, prej kur më shumë se 1.200 objekte arkeologjike e etnografike të Kosovës mbahen në Serbi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Nëntor 2015/ Vitrina e Muzeut të Kosovës u vendos sot në ambientet e Kuvendit kosovar me reproduktime (kopje) të eksponateve arkeologjike të grabitura nga Serbia në vitin 1999. Ky aktivitet zhvillohet një ditë para votimit të pritur në Paris për anëtarsimin e Kosovës në UNESCO në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate të OKB-së, anëtarësim ky që po kundërshtohet nga Serbia.
“Nesër besojmë se Kosova do të pranohet në UNESCO, do të jetë një ditë historike”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke paralajmëruar edhe një seancë solemne me këtë rast.
Në vigjilje të votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, me iniciativën e kryetarit të Republikës së Kuvendit, Kadri Veseli, në hollin e Kuvendit është vendosur Vitrina Arkeologjike e Muzeut të Kosovës.
Në hapje të ceremonisë, kryetari Veseli foli për rëndësinë e votimit të nesërm në Paris, kur pritet t’i hapen dyert Kosovës për t’u bërë pjesë e UNESCO-s.
Ditën e nesërme, kryetari Veseli e cilësoi ditë të madhe dhe historike për Kosovën. “Gjasat për pranim të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, ku edhe e ka vendin, janë shumë të mëdha, pasi ka sinjale që edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën do të votojnë për anëtarësim. Kosova e meriton të jetë pjesë e UNESCO-s”, u shpreh ai me optimizëm.
Kreu i Kuvendit tha se vendi ynë ka një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur kulturore, ndërsa dëshmi e kësaj janë edhe këto eksponate që sot po ekspozohen në mjediset e Kuvendit.
“Falënderoj Muzeun e Kosovës për zbukurimin e hollit të Kuvendit me këto eksponate të vlefshme. Shumica e eksponateve janë ende në Beograd dhe presim që të kthehen në Kosovë”, tha më tej kryeparlamentari Veseli.
Drejtoi i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, tha se Muzeu është i nderuar që Kuvendi i Kosovës hap dyert për një pjesë të thesarit të tij të vlefshëm dhe se kjo ditë, sipas tij, shënon fillimin e një programi të ri të bashkëpunimit me Kuvendin.
Vitrina e Muzeut me eksponate nga fondi arkeologjik ishte e hapur gjatë verës në sheshin “Ibrahim Rugova”, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ku mes tjerash ishte e vendosu riprodhimi i “Hyjneshës në Fron”, një figure terrakote mbi 6.000 vjet e vjetër, e zbuluar në 1956 në afërsi të kryeqytetit, Prishtinës, dhe është simbol antik i saj.
“Prezantohen riprodhimet e disa objekteve nga thesari arkeologjik, pjesë e koleksionit të madh të Muzeut të Kosovës, i cili ende nuk është kthyer nga Beogradi”, u theksua në hapjen e ekspozitës.
Ka mëse 17 vite, nga 1998-1999, prej kur më shumë se 1.200 objekte arkeologjike e etnografike të Kosovës mbahen në Serbi. Beogradi i ka kthyer Prishtinës “Hyjneshen në Fron”, të cilin e pat sjellë nga kryeqyteti serb një nga ish-kryeadministratorët e misionit të OKB-së në Kosovë, Michael Steiner.
“Vitrina e Muzeut të Kosovës” kishte ekspozuar edhe Medaljonin e Probit, i viteve 276-282, i zbuluar në Ulpianë, monedhë e përdorur gjatë sundimit të Perandorit Probi, Kapakun Prozopomorf dhe Figurinën Antropomorfe të peridhës së neolitit, të zbuluara në Mitrovicë, Urnën nga periudha e hekurit, zbuluar në Bardh të Madh, Okarinën – instrument muzikor frymor nga argjila e pjekur, e periudhës së neolitit zbuluar në Runik të Skënderajt, Tavolinën e kohës së neolitit zbuluar afër Graçanicës, e artefakte të tjera.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i themeluar para katër viteve, këtë javë bëri promovimin e katër botimeve të tij, një nga të cilët ishte libri i Prof. Dr. Fejaz Drançollit “Monumentet e shkatërruara në Kosovë 1998/99”.
Duke prezantuar faktet, me këtë rast ai tha se, politika okupuese millosheviçiane, për më pak se tre muaj, vetëm në periudhën e luftës mars-qershor ’99, i shkatërroi veprat më të rëndësishme dhe me vlerë të një kulture, trashëgimie afro pesë shekullore, dogji, plaçkiti, rrënoi, granatoi dhe rrafshoi deri në themele një numër të madh të monumenteve fetare-islame, civile, objekte publike e individuale shqiptare.
“Kjo katrahurë u realizua nga forcat pushtuese ushtarake serbe-malaziase, policia dhe paramilitarët serbë. Çdo gjë ishte e planifikuar nga institucionet shtetërore, regjimi dhe politika serbe e kohës, edhe pse ish-Jugosllavia, ku bënte pjesë edhe Serbia, qenë nënshkrues të Konventës së Hagës (1954) për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore gjatë luftës”, theksoi ai.
Pos që u shkatërrua trashëgimia, shtoi Drançolli, u plaçkit i tërë dokumentacioni i monumenteve nga Enti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. “Këtu nuk duhet harruar, por duhet potencuar edhe marrjen e mbi 1500 eksponateve arkeologjike e etnologjike nga muzeumet e Kosovës”, u shpreh ai.
Në këtë monografi, vijoi Drançolli, kemi paraqitur vetëm 100 monumente të shkatërruara, kur dihet se numri i përgjithshëm i trashëgimisë ndërtimore të shkatërruar arrin shifrën prej mbi 2700 objekteve. “Po ashtu, kemi arritur në përfundim se qëllimi i regjimit dhe i politikës serbe, jo vetëm tani, por edhe më herët ishte zhbërja në tërësi e trashëgimisë, qytetërimit dhe civilizimit, humbjes së gjurmëve të gjuhës dhe skeletit shqiptar në Kosovë, si populli më i vjetër në zemër të Europës”, theksoi ai.
Këto shkatërrime, të përmasave shfarosëse, tha Drançolli, janë akte rurale-urbicide ndaj trashëgimisë shqiptare në Kosovë, por edhe pjesë e krimit edhe ndaj thesarit botëror, të mbrojtur me të drejtën humanitare, sipas normave ndërkombëtare të institucioneve më të larta ndërkombëtare – UNESCO-s, ICOM-it, etj.
“Një popull që në njërën anë me egoizëm e mbronë trashëgiminë e vet e në anën tjetër e shkatërron dhe e përvetëson trashëgiminë e një populli tjetër, nuk bën pjesë ndër popujt e qytetëruar”, u shpreh Prof. dr. sc. Fejaz Drançolli, historian i artit.
Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të Serbisë kanë kryer një numër të madh të krimeve ndaj popullatës civile, kanë vrarë rreth 12 mijë shqiptarë, mijëra i kanë zhdukur e rreth 1 milion i kanë dëbuar. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon edhe se, në Kosovë janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999.