Nga Gjergj LACUKU-Jacksonville/Florida/
N’ket muaj , pra sot 71 vjet ma pare, me Nandor,nji tufe djajsh te kuq do mblidheshin per te vulose aktin e vrajses se nji Kombi. Rete e zeza e mblun qiellin shqiptar . Kto rê nuk ishin rê te zakonshme por do te shperthenin ne bubullima e vetetima tuj sjell nji shi me pika gjaku, tuj sjell nje fortune uragane vujtjesh fizike e shpirtnore.
Ah kjo dite e mallkune e atij Nandori te larget nen hijen e zeze te djajve te kuq te nji hibridi ma te shemtum turko-sllav , do perhapte polenen e se keqes ane e mban kopshteve te jetes shqiptare. Judejt e ri Iskariot me puthjen e ftohte do fillonin shkatrrimin e jetes qe ne embrion. Qi nga ajo dite e shemtume e mbrapa , ne Shqipni edhe dielli ishte friksue e rrezet e tija edhe sod e ksaj dite kan frike me kalu mbi ket hapsine Hadi te mbitokshem.
Ne vend te dashnise xuni vend urrejtja, ne vend tolerances ndeshkimi, fjala e mendimi u xevendsum me plumba e gropa vorresh, na njoften nga kafshet vetem prej fetyres. Djajte e etun per pushtet te paligjshem krimin e kthyne ne mjet zbavitjeje te shpirtnave te tyne te piste, çdo gja u permbys e u rrokullis ne boshllekun e krijum nga sadizmi ruso – anadollak .Kjo dite do sillte agun a muzgun e asaj nate ma te gjate te kohes njerzore, nji nate qe akoma rrokulliset meridianve e mundohet me dale prej territ qe e ka kaplu prej dekadash.
Laboratoret sadiste ndermoren eksperimentet ma monstruoze; aty u shemtue geni njerzor , u krijue nji njeri i ri, pa forme, pa shpirt, pa ndjenja, thjesht nji robot qe komandohej nga pultet e laboratorve sadist. Kjo nate a dite e zez mundohet te hape syte e saj te mekun ne terrin shpirtnor e i lutna Zotit qe ne momentin e drites syte e saj te jene jo me drejtim nga lindja qe i solli vdekjen por nga perendimi i ringjalljes.
Kosovë-Kryeministri Mustafa në Lituani
-Ministri Çollaku në Hungari për axhendën evropiane/
PRISHTINË, 8 Nëntor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare në Lituani, me ftesë të kryeministrit të Republikës së Lituanisë, Algirdas Butkeviçius.
Gjatë qëndrimit në Vilnius, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministrat Arban Abrashi dhe Mahir Yagcilar, do të zhvillojë takime me kryeministrin e Butkeviçius, anëtarë të kabinetit qeveritar si dhe personalitete të tjera në Lituani.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, do të zhvillojë takime të ndara me kryetaren e Parlamentit të Lituanisë, Loreta Grauzhiniene, dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkeviçius, bë të ditur njoftimi i dërguar nga Vilnius.
Gjatë takimeve të kryeministrit Isa Mustafa me udhëheqësit e shtetit të Lituanisë, do të bisedohet për fuqizimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, si dhe përkrahjen e Lituanisë për proceset integruese evropiane të Kosovës, si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.
Pavarësinë e Kosovë të shpallur në 17 shkurt 2008 Lituania e ka njohur në 6 maj po të atij viti historik.
Ndersa, në vazhdimësi të vizitave zyrtare dhe intensifikimit të komunikimit me shtetet anëtare të BE-së, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, udhëton sot për në Hungari, ku do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të këtij shteti, Peter Szijjarto.
Me ministrin hungarez do të diskutojë për axhendën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave si dhe vazhdimin e bashkëpunimit bilateral mes të dyja shteteve./b.j/
Festivali i 25-të i Këngës e Valles Shqiptare në Amerikë
Festivali Shqiptar ne SHBA- Një urë e fortë lidhëse midis vendlindjes dhe diasporës/
Nga Beqir SINA/
BRONX NY: Festivali i 25 -të, vjetor e mbarëshqiptar, për çerek shekulli, këndoi dhe vallëzoi vetëm shqip. Festa më e madhe shqiptare, në Amerikë, me këngët, vallet, kostumet folklorike shumëngjyrshe dhe traditat nga të gjitha trevat shqiptare, në Amerikë, vjen nën kujdesin shembullor të Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, dhe konsiderohet si festa më e madhe shqiptare e kulturës tonë në diasporë.
Festivali gjithëshqiptar është dita kur shqiptarët e Amerikës festojnë së bashku kulturën tonë, festojnë trashëgiminë tonë, festojnë atë që na sjell dhe na bënë së bashku ne si një popull edhe në mërgim me një kultur të pasur që sjell visari ynë popullor nga të gjitha trevat.
Shqipëria, Kosova, shqiptarët nga Mali i Zi, nga Maqedonia, Presheva, Bujanovci, Medvegja, Çamëria, Arbëreshët dhe Diaspora – këto ishin ngjyrat e pikturës folklorike, që pamë gjatë çerek shekulli në skenën e festavlit : Festivali i Këngës e Valles Shqiptare në Amerikë. Festivali ky që organizohet për të njëzetë e pesë herë, nën patronazhin e Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës – Qendrës Kulturore “Nëna Tereze”.
Kështu në kulmin e aktiviteteve që po zhvillohen gjatë muajit nëntor në kuadrin 28 Nëntorit 1912 – Ditës së Flamurit – Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, New Yorku, mbrëm për 5 orë rradhë u zhvillua edhe festival që u bë vendtakimi i kulturave të të gjitha trevave shqiptare – brenda dhe jashtë trojeve etnike.
Këngëtarë, muzikantë dhe valltarë, të shoqëruar nga orkestra “Alba”, me drejtues maestro Edmond Xhanin me pigmentet e muzikës “pikturuan” me ngjyrat më të bukura të kulturës tonë para syve të mërgimtarve shqiptarë në Amerikë, Festivalin e XXV-të Shqiptar, që u zhvillua të djelën në mbrëmje në” Lehman Center for the Performing Arts” në Bedford Park Boulevrad, Bronx, New York, dhe e ndoqën më shumë se 3500 vetë, nga zona e “Tre Shtetshit”.
Përveç këngëve dhe valleve, kostumeve plot ngjyra, programi i festivalit përfshinte dhe shkollën e këngëve dhe valleve shqiptare, nga Bostoni, Detroiti, Nju Jorku, Nju Xhersi e tjer..
Me valle dhe veshje popullore u prezantuan traditat dhe anët folklorike nga të gjitha trevat prej Grupit “Rozafati”, Kisha Katolike Zoja e Shkodrës, Grupi “Gjergj Kastrioti”, Rochester Hills, Michigan, Ansambli Rugova i Nju Jorkut,, grupi Kenga e Vallja Shqiptare e Valbona Çoba, Ansambli Bashkimi nga Bostoni me koregraf Bashkim Braho, Studentët e Montclair State University, me një performance shumë të suksesshëme, drejtuar nga profesorët e tyre Merita Halili dhe Raif Hyseni.
Dhe, supriza e festivalit me një performancë të mrekullueshme erdhi edhe vendlidnja jonë me Ansamblin “Ana e Malit” nga Ulqini i ftuar nderi i festavlit shqiptar në Amerikë
Asambleisiti i parë shqiptar në Asamblenë e Nju Jorkut, Mark Gjonaj, në përshëndetjen e tij solli edhe lajmin ogurmirë se New Yorku ka miratuar një fond prej 2 milionë dollarësh për Qendrën Kulturore Shqiptare.
Hapjen dhe udhëheqjen e Festivalit XXV, Shqiptar, në Nju Jork, e bën konferencierët Dr. Dritan Dragu nga Detroiti dhe Nichole Zagreda nga Nju Jorku: me sipasrin se saj se sot do të “Kumbojnë fuqishëm dashuria e malli për atdhe, lartësohen e shkëlqejnë ndërgjegja dhe krenaria kombëtare”
Në skenën e festivali dolën grupe vallëtarësh, këngëtarësh e instrumentistësh nga të gjitha trevat, duke interpretuar sipas programit më se 30 pika të ndryeshme. Festivali, ishte i pasur me këngë e valle, humor e pjes instrumentale, skeçe e parodi, valle e melodi të zgjedhura shqiptare, të të gjitha krahinave dhe trevave shqiptare.
Ndërsa përshëndetja tradicionale, dhe bekimi i festivalit erdhi edhe kësaj rradhe nga famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj.
“Para 25 vjetëve , kujtoj në fjalën e tij Popaj, Festivali, filloi me nji grup të vogël njerëzish të talentuar dhe që gradualisht vit pas viti erdhën duke e rritur numërin e argëtuesve dhe pjesëmarrsve, dhe pikërisht për këtë ne të gjithë themi Faleminderes Zotit, që festivali vazhdon dhe ne sot kemi mbi 3 mijë vetë “
“Kemi argëtues nga të gjitha trevat shqiptare brenda dhe jashtë torjeve tona etnike, çka e bën edhe më interesant është se shumica janë të rinj e të reja që dalin në skenë dhe vallëzojnë e këndojnë shqip megjithse kanë lindur në Amerikë”, tha Dom Popaj.
Festivalin e hapi grupi folklorik me solist Shabn Lajçi dhe Fran Shala me pjesën “Festivalet Tona”, dhe këngën e vogëlushes 4 vjeçare Nora Ivezaj, “Jam Malësore Jam Shqiptare “ – ndjekur nga “Kënga jonë e Parë”, nga grupi i Kishës, dhe “Vallja e Bilbilit” Lulet e Festivalit nga Grupi Rozafa me Agelina Nikaj.
Grupi “Gjergj Kastrioti”, Rochester Hills, Michigan, pranë Kishës Katolike Shqiptare Shën Pali,” i cili është një ndër mysafirët e dëshiruar dhe pjesëmarrëse e rregullt e çdo festivali, erdhi në skenën e këtij festivalit me një valle, me koreografen Joli Paparisto e kampionin i kik-boksit, Adrian Hadarbeaj .
Grupi “Bashkimi” Boston, Massachusetts, edhe kësaj radhe erdhi në këtë festival me “Valle me motive Çame” koreografia nga Bashkim Braho, ashtu si këngëtaria e njohur Entela Illiriani që i këndoi magjisë së këngës së Çamërisë.
Në pjesën e dytë këngët e vallet me motive patriotike entusiasmuan jashtëzakonisht të tre mijët pjesëmarrësit , me zërin e tyre dhe motivin patriotik, duke krjiuar një atmosferë mjaft emocionante, të shoqëruar vazhdimisht me duartrokitje të zjarrta .
Këngën e bukur nga treva me veriore e Shqipërisë, me një kolazh me motive nga Shkodra dhe Ulqini – e sollën në këtë festival Grupi Ana e Malit, i cili kishte ardhur enkas për këtë festival .
Ansambli Ana e Malit nga Ulqini u dallua për repertorin e tyre të pasur burimor nga kjo krahinë, kurse studentët e Montclair State University, të cilët dolën në skenë me një performance shumë të suksesshëme, drejtuar nga profesorët e tyre Merita Halili dhe Raif Hysenii- ishte dhe grupi që mori më shumë duartroktitje.
Këngë të vjetra Arbëreshe, solli në skenën e festivalit shqiptar solisti i talentuar, baritoni i njohur Ergin Oda dhe flautistja e talentuar Lule Bllata, kruse në piano luajti Lek Salihu.
Ndërkohë, këngëtarët, Agim Gerbeshi, Lujeta Pëllumbi, Luigj Tinaj, Ylli Sufaj Pëllumb Nacaj, Indrit Milika, Besjana Kërtusha, Anilda Jaupllari, Franc Pali, Sead Asllani, vëlla e motër Buja, i “ranë” mes përmes Shqipërisë, Kosovës, dhe trojeve shqiptare, me këngë popullore, me një kolazh të pasur burimor me motive nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, Arbëria, dhe Çamëria.
In Memoriam: Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së profesor Miftar Spahisë
Ne Foto: Miftar Spahija Thaçi (1914-2005)/
Ishte profesor në James Madison University dhe Mansfield University në SHBA, shkrimtar, publicist, dhe antikomunist. Miftar Spahija protestoi pushtimin italian kur ishte student në Torino, Itali në vitin 1939. U interuepër nji kohë të shkurtë në Tripoli të Libisë nga italianët në vitin 1939 së bashku me disa studentë të tjerë shqiptarë.Pas lirimit dhe kthimit në vendlindje, arrestohet nga karabinierët Italianme 8 korrit 1939 në shpinë e tij në Kolesjan të Lumës.Burgoset dhe dërgohet në nji ishull të vogël të Italisë, në San Nicola di Tremiti.Pas lirimit, në vitin 1941, fillon punë si profesor në gjimnazin e Prishtinës.Ishte kundra brigadava komunsite, dhe për kët arsye dënohet me vdekje (në mungesë) nga regjimet komuniste në Shqipni dhe Jugosllavi. Për dy vjet qendron në arrati (6 shtator 1944 -20 gusht 1946). Disa kohë qendron së bashku me Muharrem Bajraktarin dhe me disa krenë të Lumes si Haziz Fetah Gashi dhe Asllan Zeneli që ishin anti komunistë, por ma së shumti vetëm, sepse ndiqej nga rrepartet speciale dhe forcat ndjekëse.I internojnë familjën në kampin Murat Çelebi në Berat, ku i vdiq vajza 15-muejshe, Kadishja.Me 13 shtator të vitit 1946 del në Greqi.Mbas nji qendrimi prej 9 vjetësh në Greqi dhe Itali, emigroi ne Amerike, ku fillimisht punoi ne Columbia University në New York dhe ma vonë si profesor në James Madison University dhe Mansfield University. Mbi aktivitetin e tij për të drejtat e Kosovës për pavarësi asht cilësue si “korife i politikës dhe diplomacisë shqiptare”(A. Baleta).Ndërsa mbi veprën letrare të tij asht cilësue “themelues i romanit epope” (Hasan Hasani), “dekan i prozës në diasporë” (Naum Prifti), “frymë e Rilindjes Kombetare dhe e Kanunit te Maleve… enciklopedi e vërtetë e jetës, e kulturës shpirtërore dhe e së folmes së malësorëve lumjanë” (Shefqet Hoxha), dhe “ndërthurës i elementeve hibride gjuhesore…brenda një sistemi fluid…me shprehje e fjalëformime të reja…” (Julie Kolgjini), dhe “padron i kulturues” (Ernest Koliqi).
Ndërroi jetë në Bethlehem, Pennsylvania me 8 nandor 2005 dhe u vorros ne Tirane, me 12 Nandor 2005.
Veprat:
Libra:
1. Hasimja, Kanadë, 1990 (728 faqe)
2. Arbanët dhe Curranët, Tiranë, 1998 (966 faqe)
3. Taf Bardheti, Tiranë, 2000 (1046 faqe)
4. Met Malushi, Prishtine, 2001
5. About Kosova, Tirane, 1998, si dhe ne shqip Rreth Kosovës, përkthye nga Ahmet Kolgjini.
Artikuj:
Ka botue qindra artikuj ne gazetën Shqiptari i Lire, organ i Komitetit Shqipnija e Lire, Shejzat që botohej nga Ernest Koliqi, Dielli i Vatrës, dhe Koha e Jonë me botues Isa Ndreun.
Me poshtë botojmë për herë të parëkumtesën mbajtë me rastin e 100-vjetorit të lindjës së Miftar Spahisë nga studjuesi Nazif Dokle, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë me 30 dhjetor 2014, në moshën 70-vjeçare.
Vepra letrare e Miftar Spahisë si burim të dhënash etnologjike
(kumtesë për sesisonin shkencor kushtuar 100 – vjetorit të lindjes)
Nga Nazif Dokle/
Vepra letrare e Miftar Spahisë, veçmas romani (batrili) Hasimja, pos vlerave të shumta si e tillë, bart të dhëna të shumta etnologjike, madje unikale, kur është fjala për krahinën e Lumës. Aty i interesuari mund të gjejë njoftime të dorës së parë për rite e besime të lashta që lidhen me shenjat parajlmëruese, kuvadën, lindjen, vdekjen, kultin e majave, zanat e malit, magjinë, ëndrrat, mallkimin; për mënyrën e jetesës, vendbanimet, organizimin shoqëror e të familjeve të mëdha, psikologjinë kolektive, barazinë gjinore, drejtën kanunore, institucionin e kuvendit, gjakmarrjen etj, etj.
Një studim tërësor i këtij aspekti të veprës së Miftar Spahisë do të ishte me shumë interes ndërkohë ne po ndalemi vetëm në tre momente.
1.Kulti i majës së Gjalliçës…
Gjalliçja preceptohej gjallesë e mbinatyrshme, që posedonte edhe atribute humane: garanci shpirtërore dhe materiale për jetë normale në kushtet e ekonomisë natyrore, strehë e sigurtë dhe e fundit për banorët rreth saj në raste fatëkeqësish. Thuhej: “Gjalliçja asht për të mirin e të keqin.” apo “Gjalliçja asht shumë shpirtgjanë.”
Përpara saj njeriu i pafuqishëm nuk kishte ç’ të bënte tjetër përveç ta adhuronte, t’i bindej, ta merrte me të mirë me falje, blatime, flijime të përvitshme, pa e harruar, shpërfillur, përbuzur, nënvlerësuar e sfiduar kurrë. Ai kishte provuar zëmërgjërësinë, bujarinë, përkundër mënyrës së sjelljes së parë, zëmrimin dhe hakmarrjen e saj për të dytën.
***
SipasMiftar Spahisë (4): “Ky gjalliçiani, bir i thjeshtë i lemisë, asht dalshtimi i fërtesheve me rrebe, me rrebeshe, të gjithsisë. E tue gjallnue në bashktakim me gjithsinë, arsyeton se asht një suntarë atje nalt në Gjalliçe qi i ka në dorë ato drosha. Aj suntarë asht zoti i gjithsisë dhe i njerzisë; atij duhet me ja njoftë fuqinë e epërsisë; duhet me e pavrue. Kështu e shohim gjallçijanin edhe sot e kësaj dite tue ju lutë me mirënjohje zotit të vet. Tynzotit, qi ka strukue edhe e ka shpëtue kur ka qenë në zgrim me u zhdukë prej siprinës së tokës prej fiseve e komeve të huja.“
Në përfytyrimin dhe imagjinatën e banorëve të fshatrave rreth saj, Gjalliçja zotronte qiellin, vrantë e kthielltë. I bënte karshillëk diellit, ndizte zjarrin e rrufeve, u vinte fitilin rropamave të bubullimave e flakën shkreptimave, arbitronte ndeshjet e dragonjëve, turfullonte lugjesh e shtigjesh, dihaste shpellash e rrunash, shtaposte e taposte grykët e kacekëve të erërave. Kalëronte puhitë, jugun, shtrëngatat, tufanet e furtunat.Ua lëshonte frerët orteqeve e rrënimeve, monologonte pishnajash e bungajash.Lëngonte e ngulçonte e lodhur hijesh, burimesh, shpellash, podesh e padinash.
Në sytë e tyre, zgjohej feksjesh së agimeve gjahtare.Lotonte vesë e gazmonte me lulesë pranverën.Rinohej, pllenohej, bulonte djersë, ngazllehej e dehej me aromën e shumimit të verës.Lahej me ar, skuqej, ndryshkej e sitte kristale bryme me vjeshtën. Vezullonte akullimesh. Thinjej në tufa luleboresh e vargje krahnezash pishave e brejve me dimrin. Nanurisej ninullash e vallesh të zanave.Freskohej puhish së mëngjeseve verore.Bëhej qingj e urtohej dele nën përkledhjen e rrezeve diellore.
Në gjykimin e tyre ky mal nuk mund të identifikohej përveçse si fron, seli e perendive sikudër definohet në fjalët e urta popullore: “Gjalliçja e Zoti janë nji.”“Kur të dalësh në majë të Gjalliçëste Kroi Tanzot, ke takue Zotin.” Të njëjtën gjëdëshmon edheMiftar Spahia, kor shkruan (4): “Ky gjalliçiani, ky biri i lemisë, hypë në majë të Gjalliçes me u lutë, poj, në picrrake rrin zoti; në venin ma të naltë, ma fisnik, ma krenarë të bjeshkës, aty liton me ket zot, me ket Tynzot të rrebesheve të gjithsisë.
***
Gjalliçja komunikonte me adhuruesit të saj.I pralajmëronte për acaret, furtunat, shtrëngatat apo kthiellimet e vakjet jetëdhënëse.Fjalët të urta, frazeologjitë që lidhen me Gjalliçën, flasin për hapsira të tjera të kontaktit të njeriut me të.Ajo ishte pikë referimi për të formuluar definicione udhërrëfyese për vete, pasardhësit dhe shoqërinë. Edhe urimi: “Tu preft shpirti te Kroi Tanzot!” nuk mund të mos lidhet me vendin më të afërtë me fronin e Zotit, strehën më të dëshiruar dhe ëndërruar nga një besimtar për botën e përtejvarrit. Besohej se mallkimet e betimet përmbusheshin nëse i ndërmjetësonte Gjalliçja.
***
Ashtu sikundër malet Kundrevicë (Kurvelesh), Tomor (Berat), Shën Llesh (Krujë), në Qarkun e Kukësit nderohen Runa e Malëziut (1856 m), Pashtriku i Hasit (1989 m), Shkelzeni i Malësisë së Gjakovës (2407 m) dhe Gjalliçja e Lumës (2486 m) si shfaqje tipike e kultit të majave, një prej besimeve më të lashta të njerëzimit.
Nderimi i Gjalliçës përfaqëson një prej ditëve të motmotit të kalendarit popullor të krahinës etnografike të Lumës së Kukësit.Përkujtohet në të gjithë fshatrat e Rrafshës së Lumës (Shtiqën, Muje, Gjalicë Kodër – Lumë, Krenxë, Ramhas, Gostil, Nangë) dhe të shpateve të Gjalliçës(Lagjja Brati e Canajt, Tërshenë, Brekijë, Nimçë, Lojme), por më së shumti i dedikohet fshatit Shtiqën.
Organizohet të ejten e parë të gushtit. Këtë ditë, ata që do të bëjnë faljet për nder të majës së Gjalliçës, duhet të arrijnë atje pa lindë dielli. Riti i faljes bëhet në Rrafshin e Majës afër burimit “Kroi Tanzot” që nuk duron e nuk pranon asnjë papastërti njerëzore.Çdo individ, që do të falet, pasi merr avdes te Kroi Tanzot, duhet të përshpërisë formulën: “Bismilahi Rrahman i Rrahim. Po fal dy reçatë namaz për riza të Zotit e për shpirt të Sari Salltëk Babës.” Pas faljes pjesëmarrësit e kësaj cermonie zbresin te stanet e bjeshkës së Shtiqënit, te “Kroi i Kuq”, ku hahet, pihet, zhvillohen lojra, gara qitjeje me armë zjarri, bëhen hoka, këndohen këngë e hidhen valle të shoqëruara me instrumenta popullorë (lodra curle e çifteli) dhe ku përfshihen të gjithë pjesëmarrësit.
Pas kësaj të gjithë zbresin në fshat.Çdo shtëpi është e përgatitur për darkën e kësaj feste, ku s’ duhet të mungojë asgjë. Përveç të afërmëve të largët në këtë darkë mund të vijë kushdoqoftë që dëshiron dhe është i mirëpritur se “Për Gjallicë e për të qethme, shkohet te tjetri pa thirrë.”
Për Miftar Spahinë (f. 123): “S gjen katun në tan Lumën, në tan Shqipninë, prej Shkodre e në Shkup prej Ulqini e në Prevezë, qi, në nji ditë të vetme, të mbledhen si në Shtiqën, tri, katër, pesmi, a ku ta dijë unë sa vetë, për Ditë të Gjalliçes se Gjalliçja ka Ditën e vet; po ka Ditën e vet.”
***
Miftar Spahia (f. 675) festimet për nder të kësaj maje i paraqet të shtrira në një hapsirë shumë të madhe se sa sot. Sipas tij:
“Dita e Gjalliçes, nji herë në motmot, çdo ditë mas gjysmës së verës, lumjanët poene malëzezët, fanast, hasjanët, dibranët, nji hap përtej Veleshicës, poene përzerenjanët, kur nuk kishte dagë në Morin, rrajnë në fushë të Lumës me kremtue e me kujtue me miradije Zotin e Gjalliçes, Tynzotin që i lgjini e i struki nëpër zbina, nëpër pyje e nëpër bjeshkë, me shpëtue prej vërshimeve të komeve të huja. Dita e Gjalliçes asht dita e lojnave, e hajgareve, e hajgive, e qillesave, e kcimeve, e tralave, e gzimit, e vllaznimit, po edhe e kujtimeve të hupjeve të komsisë ilir shqiptare.
Shkrimtari dhe studjuesi i njohur shqiptar Dhimitër Shuteriqi, në romanin e tij “Sytë e Simonidës” (Tiranë 2005, f. 169 – 170), për Gjalicën shprehet “mal, që më të bukur zor se e bën perendia veç atij”; “Mal të bukur si selia e Dodonës”. E e quan “Dodona dardane”.
***
Afër majës së Gjalliçës toponimi “Kroi Tanzot” që shënon një burim uji të pijëshëm qëdëshmon Zotin e një komuniteti, personifikimin e tij.Ai ashtu sikundër perenditë e lashta bënte jetë humane në Majën e Gjalliçës ku kishte rezidencën e tij të përjetshme. Këtë pohojnë edhe fjalët e urta popullore: “Gjalliçja e Zoti janë nji” dhe “Ka zot në majë të Gjalliçës.”Për këtë zot, të emërtuar:“Tanzot (Zoti ynë)”; “Zoti i Gjalliçes”Miftar Spahia (322, 675)shprehet: “Se ky Zot i Gjalliçes asht i lashtë ”… me kremtue e me kujtue me miradije Zotin e Gjalliçes…”
Lumjanët (114) edhe për besëlidhjet e rëndësishme që merreshin në mbledhjet e Dheut, që organizoheshin më së shumti rreth Lisit të Madh në rrëzë të Gjalliçës, kërkonin uratën e saj. Këtë çast të solemnitetit hyjnor që i vinte në unison rritmet e të gjithë zemrave e nuk guxonte ta lëndonte as frymarrja, Miftari e përcjellë me të gjithë tensionin psikologjik imponues si vetë Gjalliçja, kur shkruan:
“Se si i shkrepi nji xixë njanit me u kthye kah Gjalliçja, mu qashtu si ban njeri kur të jet tue u lidhë në namaz. Kur e panë gjithë mbledhimi, si t i kishte turgue, u kthyen kah Gjalliçja e po kqyrin termal. E mu njashtu si kishin ba katragjyshat ilir kur ju lutshin Tynzotit, në maje të Gjalliçes, atijë Tynzoti qi kanjiherë u bumllonte kërcnueshëm, kanjiherë lazrueshëm, mu qashtu, me zemër të mallëngjyeme, mledhimi po lëvizin buzët kadal, heshtshëm, tue ju lutë Zotit të Gjalliçes, Tynzotit t Ilirisë së lashtë!”
•
Hajet e pijet, lojrat, ahengu e garat sportive që organizohen pas faljes së majës te Kroi i Kuq, darka apo dreka që shtrohet në çdo shtëpi ku mund të marr pjesë dhe është mirëpritur kushdo: udhëtar, nevojar qoftë apo i drejtuar enkas janë shprehje e pastër e blatimeve, flijimeve që i bëhen Gjalliçës, Në fshatin Lojme, çdo shtëpi, qoftë edhe më e varfra, ditës, festës së Gjalliçës i kushtonte një kurban.Lidhur me këtë nga Miftar Spahia (f 123) kemi zgjedhur këtë pasazh tejdomethënës:
“Pale a i ka a s i ka dy thas kollomoq në bani, pale a i ka a s i ka katër a pesë dhi në vathë, por kur t ardhe ajo dita e trueme e Gjalliçes, aj njeri i rrafshës së Gjalliçes, nmos past një vegë berr me e pre, ta dijsh se e len pa viç edhe lopën plle, me ba mish për dashamirët qi ja kan msy derën at ditë të lume!”
2. Mallkimi i zanës
Besohej se Gjalliçja qe streha e Zanave të malit.
Zana e Gjalliçës paraqitet si vajzë me bukuri të rrallë, punëtore dhe shumë e respektueshme.Lakmon mënyrën e jetesësë njerëzore.Ushqehet me qumështin e lopëve të stanarëve, që i mjelë fshehtas nën hije bredhash, ndanë pyjeve të dendura caku ku nisin kullotat alpine.Lakmon bukurinë e qëndismave popullore.I bindet pa asnjë rezistencë njeriut. Mashtrohet e martohet me të, lind e rritë fëmijë. Deri në tre vjet pas martesës paraqitet memece, me sa duket kohë e nevojshme për integrimin e saj nga jeta mitike në atë njerëzore.
Nga e mbinatyrshmja vazhdon të posedojë mallkimin e përmbushur misterin e ngjizjes e jetës së saj pranë ujrave, pyjeve, majave, shpellave dhe shkëmbinjëve.Atë e vrau njeriu me padurimin e tij. Vetëm këto rrethana e detyrojnë ta mohojë jetën njerëzore plot vese e mëkate, të artikulojë mallkimin e pakthyeshëm që, edhe sot e kësaj dite, besohet se është i përmbushur prej shekujsh dhe të vdes.
Duket se Zana e Gjalliçës shënon fundin e kultit të zanave dhe konvertimin e tij te adhurimi i zanave tokësore të mishëruara në bukurinë femrore.
***
Në Gusht të vitit 1986, në Shtiqën, një 80 – vjeçar, më pati treguar për zanën e Gjalliçës: “Një djalë i fisit të Mezhdunit (emri i vjetër i fisit Sopi në Gostil) kishte parë disa herë zanën e malit. Ishte munduar ta kapte, por nuk kishte mundur. Atëhere mori një këmishë të qendisur bukur, pa jakë, e vendosi aty ku vinte zana dhe u fsheh.Kur erdhi ajo e joshi këmisha. U mundua ta vishte, por u pengua nga jaka. Kjo i krijoi mundësi Mezhdunit të kapte zanën e të martohej me të. Zana që nga ky moment nuk foli. Pas disa kohësh lindi një djalë. Një prej fisit të Mezhdunit, propozoi t’ia vinin djalin në një trung e të bënin sikur do t’ia prisnin kokën, që ta vinin zanën në provë nëse ishte memece apo jo. Zana, përpara kësaj situate, foli duke e mallkuar fisin e Mezhdunit: “Treqind vjet rrofshi e kur dy shpi mos u bafshi edhe një ditë e do të folshem!” dhe vdiq. Vërtet këtij fisi deri vonë nuk i ka ecur“
***
Trembëdhjetë vjet më vonë (1999), njëri prej pasardhësve të fisit Mezhduni, gojëdhënën për Zanën e Gjalliçës ma ka përcjellur kësisoj:
“Një stanar i fisit Mezhduni të Gostilit vuri re se njëra prej lopëve vazhdimisht kthehej nga kullota e mjelur. U shqetësua dhe filloi ta përgjojë. Një ditë e pa tek po e milte zana e malit e fshehur nën degët e një bredhi të madh. Iu afrua me kujdes e pa zhurmë që mos ta diktonte (Po ta vërente do ta shitonte) dhe e preku lehtë në sup. Zana e befasuar nuk foli dhe ndoqi pas Mezhdunin që u nis për në stan. U martua me të, por nga ky moment nuk foli. Pas një kohe lindi një djalë.
Me që nuk besonin që është memece, vendosën ta provokonin. Njeri i mori djalin, e vuri mbi një cung e bëri sikur do t’ia priste kokën me sakicë. Një tjetër, kushuri me të, shikonte veprimin. Atëhere Zana i mallkoi: “Kurr mos u bafsh dy shpi!” atë që ishte matur sikur do t’i binte djalit dhe “Kur mbi shtatë shpi mos u bafsh!”tjetrin që bënte sehir e që e kishte miratuar provokimin. Pas kësaj Zana vdiq.”
***
Në besimet për zanën e malit, në fshatrat rreth Gjalliçës, ajo paraqitet edhe nënë që mëkon ferishten e saj, po tani jo pjellë e një lidhjeje martesore me njeriun. Lindë pyetja rezultat i cilës marrdhënie seksuale mund të jetë, kur në asnjë rast nuk flitet për partnerë meshkuj të zanave të malit. Mos kemi të bëjmë me mitizimin e një nëne të re që paska rënë pre e arbitraritetit të ndonjë njeriu të pushtetshëm?!
Në Nangë, me 22 dhjetor të vitit 1994, kam regjistruar:
“Pepa është fisi i mallkuar në Nangë. Sipas gojdhënës i pari i Pepës ka ardhë nga Peja. Kishte qenë beg. Një ditë begi doli në mal dhe sheh Zanën e malit duke i dhënë gji djalit. I zemruar, begi ia prêu gjinin zanës. Zana e mallkoi: “Kurrë, gjashtë shpi mos u bëfshi!”
***
Për mallkimin e fisit Pepa në Nangë, kemi edhe një version. Sipas tij: “Dy burra të këtij fisi rrinin te xhamia. Aty kalon një grua shtatëzënë. Ata zihen njeri me tjetrin: “E ka djalë apo vajzë?” Me që nuk u morën vesh ia çajnë barkun për të vërtetuar se kush kishte të drejtë. Ajo i mallkoi: “Kurrë dy shpi mos u bafshi!”
***
Në Lojme tregojnë: ”Te Shpella e Madhe afër Majës së Vogël të Gjalliçës, disa herë u shfaqshin zanat. Një herë një vajzë e rritur kishte dalë me bagëti. Afër kësaj shpelle ishte shfaqur një zanë të përhijuar në pamjen e një vajze të njohur të fshatit të saj. Baresha e kishte thirrë në emër dhe kur i qe afruar ajo ishte përgjigjur me të qeshura të forta fjalëve e të folurës së saj dhe papritur qe zhdukur sikur të mos kishte qenë kurrë. Vajza, sipas gojëdhënës, e shituar nga zana, qe tronditur dhe për shumë javë ka lënguar e sëmurë.”
Në Ramhas kam dëgjuar: ”Një i pari ynë, katragjyshi, ka ecur në thellësinë e një shpelle deri në afërsi të një liqeni të nëndheshëm. Aty ka pa zanën tuj u kreh. U ka thënë shokëve të heshtnin e të bënin kujdes se po t’i diktonte zana do t’i shitonte. Shokët kanë vepruar ashtu, kanë parë që prej krahnit të të sajë dilnin xixa të zjarrta dhe janë këthyer mbrapsht.”
•
Besimin për zanat dhe mallkimin e tyre të përmbushur del i plotë edhe në romanin Hasimja e Miftar Spahisë (48 – 55) Tafili ish mësuar t’i çonte dhitë të hanin gjeth kah Gryka e Tvonave. Aty kishte një krua e pranë tij nji dushk i lartë më degë sa mund rrinin nën hije të tyre dy – treqind dhi. Aty i mrizonte edhe Tafili.
”Tue fjetë,Tafilit i qenka vërlitë n anërr nji vashë e bukur: si i thonë fjalës, si rrezja e dillit; edhe paska pas qenë tue u lesprue në krue të Tvonave:e hollë,ftillake, si selvi, synin si qershi. Flokët i kishin pasë ra deri në shqeme të vitheve! Lesparohej kada -a-a-al, kada -a-a-al, edhe kqyrte fritin e vet ni herë para, nji herë djathtas, nji herë majtas dhe nji herë mrapa deri ku të munte me pa, edhe qeshte me vetvefte prej gzimit qi mirrte prej hijeshisë s fritit të vet. Si u lesprue e u vesprue mirë e mirë, shkoj te capi i kumonës. Capi kthevi kryet; hapi sytë edhe u ngrijt në themë. Po kqyrë zanën! Vasha fillojme krue letas në kurriz e nën fyt; capit i erdh dref, edhe rrinte pa lëvizë as knej as anej; veç bishtin e lëvritte! Tri herë zana e ka ngrijtë capin tërma ; tri herë e ka dunë për toke! Të tretën herë vasha ka fishllue sa ka munë.
… djalit i del gjumi me krye të ranë; tue i dhimtë; tamthat vup vup vup, vup vup vup, dejt prëj prrëj, flaza mkuqë, prush.
Kur trazohet çka me pa! Anrra s kishte qenë anërr.Nji vash, flokët shkapërderdh para e mrapa si sllunga leshi, mundohej keshe me u mulue e me u rudhë. I ardhtë marre me e pa kush si me pas lé e madhe atë ditë prej nane! Kurgja në frit! Kurgja.
Zana nuk bzanë. Veç i ka hap sytë, ato dy drita të bukura, edhe kqyrë djalin habitshëm.
Djali i afrohet.I tollovit, kryet edhe kishte pasë zanë me u dridhë.
Zana nuk bzanë. Edhe ajo ishte prallzue në krye! Duerët , njanën përmbi gji, tjetrën përmbi vefte; keshe me u mulue! E-e -e, -ehë! I ishin terrue sytë! S e din veften ku asht.I vlon gjaku. Tri herë i ka britë të madhe, pashë atë Zot qi të paska falë si zanë mali, kush je ti? A je njerë a zanë mali?
Zana s bzanë; sytë sa të nji mëshqerre; kqyrë me tutë.Djali prap i briti me të madhe; po amlas.
Zana e paska çelë gojën. Unë ty po të kallzoj kush jam, po me nji kusht. Jo me nji kusht, me njimi kushte, i tha djali tue gërhetë. Veç kallzom, kush je! Po të kallzoj, po të kallzoj, po njerit të gjallë në flazë të tokë mos t i thuashë! Në thash, veften tane paç në qafë! Unë po tho-o-m? Kurr jo! Kurr! E friti i dridhej si me ethe.
Unë jam zanë mali, tha me za të munashtë, edhe i verlitoj sytë me lazri! Jam zana e parë, ka edhe shumë zana tjera nër Tvona, po unë jam e para. Ç u thom unë bajnë. Kërcejnë! Kërcejnë si të kishin flatra në themra, si flatrat e shpezve të malit. Ipnja dorën këtijë barije! Menjëherë ja ngjitin dorën. Ipnja shtysën në Dri të zi! E shpijnë te s kthehet ma. Unë ty t kam pa thrash herë nër këto shpatina e lugina, o djalë i ri! Edhe ju dridhë zani.Të kam kqyrë.Të kam venrue kah ke shkue.Ti nuk më shihshe.Të kam nejtë mshehtë.Kam dashtë me të pamë e me të njoftë ashtu si je. Të kam vue roe se kurr nuk i nemë gjanë, edhe ta kam pasë shumë lakmi. Unë i dua baritë; ata të mirët; i due edhe i rujë mos t i gjane gja e keqe e bagtinë jau shtoj si gjetht e malit. Ti ishe tue flejtë, kur ardha me u lesprue në krue; ishe në pikë të gjumit, si me qenë në pikë të mesnatës. Të kqyra. mu duke se po ohojshe, edhe u shkëputhshe me vegë e me krahë. Dashta me të trazue. Thash me veti nuk asht hishëm me i dalë nër sy nji djali të ri kështu si jam une tash me ty. As nuk të bzajta as nuk të preka. Veç ju afrova capit të kumonës edhe engrijta tri herë terma, ngre e dun; me t u shtue gjaja si gjetht e malit! Edhe kan me t u shtue. Po! Kan me t u shtue! Veç po i kallzon ku-u-ujë! Masanej prasmohesh. Kështu po të thom! I tha me za trugues. Në folsh veften tane paç në qafë! S kam çka me të ba.
Nuk kallzoj, nuk kallzoj; i tha shpejt e shpejt. Ishte mkuqë në flazë edhe dridhej der der der! Veç pash qata dy sytë e ballit qi po të ndritkan si illz në flavi, nigjoma nji fjalë të vogël! U, u, u, une po të dashnoj! Po due me të marrë për grue! Ti merrëm për burrë!
Nuk munem! Nuk munem!
Munesh! Munesh! I tha djali tue shique nërmjet dy syvet. Si nuk munesh! Edhe po i vlon gjaki.I ishin terrtue sytë.Vasha e kqyri edhe u mkuq në flazë.Edhe asaj ju terrtuen sytë. Kujtë nuk i terrtohen sytë n at moshë! …
Zana u dashnue me Tafilin. Po të marrë për burrë, i tha, tue ju dridhë zani veç njerë në botë mos ta dije kush jam. Tri vjet rresht nuk kam me folë me kurkan as me ty nuk foli. Mos më vrigo me folë! Prasmohesh! Në krye të tri vjetve, vetë kam me folë, vetë!
Atyprati ja dhan fjalën njani tjetrës me u devue, me u ba burrë e grua. Zanat tjera qi kishin nejtë mshehtë, duelën në shesh edhe ja filluen tralës e valles. Shungulloi lugina e Tvonave si kurrnjiherë!
Zana përdredhi nja dy pirra, i bani si unazë edhe ja shtivi djalit në gisht; e shtivi në rreth! Mos me lujtë! Djali bani nji brethë gjethi të butë edhe ja vuni vashës në krye! Si me të thanë mos t i tollovitet kryet me tjetër djalë.”
Mbasa disa muajsh Tafili u martua.U bë dasëm e madhe.Nusen nuk e morën krushq sipas zakonit, po e pruri vetë Tafili. Të afërmëve u tha se e kishte marrë shum larg. Ditën e tretë nusja doli në shtëpi të zjarrit dhe e bëri vendin pasqyrë. Nëna e Tafilit dhe gjithë njerëzit e shtëpisë u kënaqën, po nusja s’po fliste. Punët i bënte si më e mira nuse. Kjo i bëri të habiten edhe të zemrohen, pse nuk u përgjigjej? …
Në krye të vitit lindi një djalë të bukur si drita e diellit.E donte, e ushqente, e pastronte luante me të po nuk e hapte gojën.As burrit nuk i fliste.
Në një prej ditëve, kur nuk kish mbetur edhe shumë kohë, të mbushseshin 3 vjet dhe Zana të fliste sipas kushtit, Tafili e humbi durimin, harroi marrëveshjen dhe e kërcnoi: “Fol se po ta myti djalin!” Me që zana sërish nuk foli, i zemruar mori një sopatë; e vuri për toke të birin, ia mbështeti kokën në një cung dhe u mat gjoja për ta prerë. Zana pas ulurimës: “Mo-o-o-o- os!”“ka hjekë mafezin e ka puthë, edhe e ka vu për trolli. Tri herë e ka puthë, tri herë e ka paltue për trolli! Të tretën herë ka britë sa ka munë, o Zot! O Zot! O Zot! Urbana e Xhafer Bashës u shimtë! U shimtë o Zot! U shimtë! Të thanmen këto namë, zana fluturoj! Iki!”
Edhe pse versioni që na sjellë Miftar Spahia, nuk i shmanget unitetit me variantet e sipërme është një përpunin i tij në funksion të përcaktimit të fateve të peraonazheve të kësaj vepre, zhvillimit dhe rrjedhës së linjave të tyre. Autori e tejkalon metafizikën e mitologjisë popullore duke e paraqitur të parën e zanave si protagoniste që lufton për ta ndryshuar botën e saj, të simotrave më të vogla, të Tafilit, miti e atë humanen dhe për të vendosë ura midis tyre. Në rastin e parë fisi, që kërkon të ruaj tharmet e koherencës që e mbanin në këmbë, vihet përballë domenit mitologjik në krizë, në të dytin individi që kërkon veteveten, përballë tij.
Ndryshe zanave të gojëdhënave që jetojnë pyjeve e shpellave të Gjalliçës, zanat e romanit në fjalë jetojnë rrëzave të saj, në Grykë të Vanave, pranë ujrave rrjedhse, burimeve, gjelbrimit të harlisur e lisave nën hijen e të cilave mund të mrizojnë deri 300 kokë dhi.
Në variantet të mbledhura në terren, zana bëhet pjesë e jetës së njeriut në saj të dredhisë së tij e lakmisë së saj. I dorëzohet fatit edhe me përulje pranon ta vuajë kalimin në botën e vdektarëve duke u martuar me mashtruesin pa fshehur qënien e saj të mbinatyrshmee kyçur brenda vetes dhuntinë e mallkimit dhe cakun e integrimit të saj në bashkësinë njerzore, dy armë të fundme ndaj ligësisë njerzore.
Këtu ajo del si mbrojtëse e blegtorisë.I shfaqet vet një njeriu konkret, madje nudo, pas një hetimi të gjatë. Ia shfaq simpatinë e saj si bari dhe i premton shtimin e tufës si gjeth i malit. Në kërkim të një ekzistence të dyzuar midis botës së padukshme të pastërtisë absolute shpirtrore e asaj të dukshmes njerëzore të mëkatit e kënaqësive materiale,e joshur pa kthim i dorëzohet njeriut.
E tundon me hiret e saj, e dëshiron, flirton e martohet me të kundrejt kushtit që të mos e merrte vesh njeri se ajo qe zanë dhe respektimin e kohës prej trevjetësh, kur do të niste të komunikonte me të e njerzit për tu integruar në jetën njerëzore. Nuk e fsheh dhuntin e mallkimit për të rënuar këdo që do ta shkelte kushtin, duke përfshirë edhe të shoqin edhe të birin.
Të dyja demostrojnë vyrtytet më të mira të një nuseje, gruaje e nëne, vendosmërinë për t’i shkuar deri në fumd afatit 3 vjeçar për të mos folë.Dhe njera dhe tjetra biejnë viktima të padurimit njerëzor.Provokohen tej kapcitetit të pragut të ndjeshmërisë prindrore me prerje të kokës së ferrishteve të tyre dhe detyrohen t’i dorëzohen fundit tragjik, por me mënyra të ndryshme reagimi.
Zana e gojdhënave vihet përballë pjesëtarëve të fisit të të shoqit.Nuk përmbahet dhe i mallkon :“Treqind vjet rrofshi e kur dy shpi mos u bafshi edhe një ditë e do të folshem!” duke zbuluar dhe të fshehtën që ruante brenda vetes dhe vdes. Kursen të birin, të shoqin; mallkimit të fisit i heq fatalitetin dhe kufizon në kohë dhe hapsirë.
•
Në rastin e dytë zana vihet përpara pabesisë burrit që e kërcnoi të shkelte afatin edhe pse e kishte pranuar marrëveshjen dhe i dinte pasojat e shkeljes së saj. Para se të ‘i lëshojë rrufetë e rrënimit: “O Zot! O Zot! O Zot! Urbana e Xhafer Bashës u shimtë! U shimtë o Zot! U shimtë! ku nuk kursen askend, ajo kryen ritin e një gruaje që divorcohet nga i shoqi: “ka hjekë mafezin e ka puthë, edhe e ka vu për trolli. Tri herë e ka puthë, tri herë e ka paltue për trolli! që të mos mbetej pjesë e familjes së Xhafer Bashës kur do të binte mbi të mallkimi dhe shpëton veten duke ikur fluturim drejt botës së saj mitike.
•
Përveç këtyre në skenat e kapitullit “Nama e Zanës’” duket qartë përpjekja e autorit për të idealizuar jetën baritore, ndikimi i tregimeve mitologjike mbi nimfat, të poezisë së Gjeorgjikeve të Virgjilit, të pikturës klasike franceze e të Vendeve të Ulta që paraqesin skena idilesh baritore apo tabllove Botiçelit e të piktorëve të tjerë të Rilindjes italiane për të portretizuar Zanën.
3. Kuvendi…
Adhurimi i Lisit të Madh (qarr, lloj dushku me trung të trashë e të gjatë, me lëkurë të errët plot të çara e gjethe vezake, që bën lende të mëdha.), në Shtiqën na shtynë të supozojmë se nën hijen e Gjalliçës ka jetuar edhe kulti i stërlashtë i drurëve të vetmuar. Këtë midis, ku ngrihej kjo përmendore shekullore e këtij kulti e ku bëheshin mbledhjet e Dheut të Lumës Miftar Spahija(107) e përshkruan me të gjithë madhështin e vetë:
“Edhe vet vendi i mbledhisë ishte madhshtuer; mu në medis të rrafshës. Kur të kqyrshe kah lenë dilli, shihshe Gjalliçen kërcnuese. Me t u dukë se po të shemet mbi krye! Larg, prej fripit, kqyrte Pashtriki i Hasit të thatë.Kah prenimi i dillit shquheshin bjeshkët e Tejdrines e të Malëziut.Kah dresha, bjeshkët e njoma të Kolosjanit e të Lusnës. Nuk të sheh syni nji hurdhë ma madhështore, me gjith ato male e bjeshkë rrethemrreth si breth, e me dy Drinat, të zivin e të bardhin, e me Lumën, e Shejën e Biceve, qi e kurthojnë në katër anët! Vent s kishte me qenë ma i vetigët për nji mbledhi Dhevi si kjo.”
Miftar Spahia sjellë informacion shumë interesant për institucionin e kuvendit në Lumë.Njërin prej këtyre kuvendeve e jep në të gjithë dimensionin e tij (105):
“Gjithë bajraqet e Lumës kishin çue njerëzit e vet ma në za e ma hagaltarë në kët mbledhi. Pesqin e sa burra ishin mbledhë te Lisi i Sinan Plakit në rrafshë të Lumës. Ishte veni ma i midismi për këso mbledhinash. Nuk ishte hera e parë qi mledhej Dhevi në kët ven të bujshëm, ku ishin ba anare me ransi përsa i përket Dhevit të Lumës.”
•
Nën obsionin tim, përkufizimi më i saktë për Dheun i takon M. Spahisë. Sipas tij:
“Dhevi ishte një senbashkë disi e shgjidhtë; po kur bante me t i greshpue rrathët, kërkush nuk mun të bante hajgare. Ishte nji besëlidhje urumshore e ushtarake ku bajshin fleshë të gjitha katunet e asajë toke qi quhet Lumë; qprej ujit të Veleshicës nërmjet Lumës e Dibrës, e deri te uji i Poslishtit mu ngjitas me Prizerenin.”
KUR PAOLO PINTO PËRSHKOI ME NOT DISTANCËN OTRANTO-VLORË
Nga Gezim LLOJDIA/
1.Alfred Troqe është një notar i viteve ‘80 në qytetin detar të Vlorës.Përvec peripecive që ka përshkruar, Fredi rrëfeu garën e notit zhvilluar në vitet ’80 .Nga Karaburuni në Vlorë ,garë kombëtare e notit me pjesëmarrjen e rekordementëve të këtij sporti,që sot duke se është shuar.
“ Lyem me graso krahët dhe pjesët tjera të muskujve për shkak të qëndrimit të gjatë në ujë dhe të distancës së garës ,ku fillesën e kishte në Karaburun. Kur erdhi P.Pinto ai ishte nisur nga shteti italian, grupi i notarëve shqiptar e shoqëroi këtej mezokanalit ,kur u fut në gjirin e Vlorës. Pinto ishte vendosur në një kosh mbrojtës dhe në të djathë të notarit të që përshkonte distancat e gjata shprehet Fredi, kishte një shoqëruese italiane,notare zonja e cila e drejtonte me shprehet majtas-djathtas,ndërsa Pinto të gjithë trupin e kishte të lyer me krem special,duke dalluar nga notarët shqiptarë që përdorën graso makina për të realizuar një garë në distancë të madhe. Pinto i kishte të gjitha përgatitjet e nevojshme për një garim në det dhe në përshkimin e distancave të gjata. “Salcë”, me një graso të veçantë përbëhet nga një përzierje e lanolinë dhe parafine,kremi që lyen trypin, kufje, syze,anash skuadra e tij shoqëruese në të dy anët.
Pas kësaj ai e ndërpreu garën shkak bëhet moti i keq dhe deti me shumë dallgë për ta rifilluar sërish garën e ndërprerë deri në breg.
2.Përshkrimi i distancës nga Otranto në Vlorë kishte filluar disa vite me parë ,mirëpo P.Pinto ka kaluar disa peripeci. Gazeta italiane La republika e29 qershor 1984,shkruan rreth aksidentit të tij:Nuk ka kaluar me not në brigjet shqiptar të Vlorës në Otranto, Paulo Pinto notar i Barit, ai ishte përgatitur për largimin, rrëshqiti në një hekur duke ndikuar shumë në anën e tij të majtë të kurrizit duke prokuruar një hematomë të madhe. Para se të shkonte në një spital për tu nënshtrohen rrezeve x dhe ndihmën e parë, Pinto, iu desh të priste dymbëdhjetë orë. Në mesin e të kuptuarit ‘tjetër’ se delegacioni italian,që kishte shoqëruar Pinto (kalimi ishte pjesë e një serie të shkëmbimeve kulturore dhe tregtinë ndërmjet të qytetit të Otrantos dhe ‘Shqipërisë)
mbetën në det për shumë se disa orë ‘për shkak se Qeveria Shqiptare
kishte refuzuar vizat dhe të zbarkonin pasagjerët.
Pinto ishte për të mbuluar dyzet milje e detit në tridhjetë deri në dyzet orë, not natën, për një total prej 140,000 goditje, të ushqyerit çdo gjashtë deri në shtatë orë me ushqime gjysmë të lëngshme. Për të mbrojtur atë nga peshkaqenët,ai shoqërohej nga një ekip me pushkë gjahu, fishekë me dioksid karboni.
Kalimi ishte “dënuar” në këto ditë për të përfituar nga një periudhë prej rrymave të favorshme.
Luca Barrel :I pari që provoi pasi është përpjekur iahte Paul Pinto në gusht të vitit 1985,por ka dështuar për shkak të gjendjes së keqe të detit, Adriatik nga Puglia në Shqipëri, vazhdimisht për njëzet e katër orë, duke u mbështetur vetëm në trajnimin e tij fizike dhe duke besuar në mëshirën e ujërave. 14 korrik 1979: Paul Pinto përmes
për të notuar në ngushticën e Otrantos.
Gino Martina midis të tjerave thotë:Në vazhdën e Pintos ,The performanca e tij ka përmirësuar rekordin e mëparshëm prej Paulo Pinto, i madh notar i Barit, i cili vdiq në vitin 2004, në verën e vitit 1986, preku brigjet e Shqipërisë, pas 35 orë në stil i lirë.
3.Kush ishte Palo Pinto ,njeriu,që erdhi në zemër të diktaturës në vitet’ 80. Kampioni i botës në sportet e hapura në ujë ujë dhe figurë e paharrueshme në botën sportive.
Gazeta Del Mezzogiorno shkruan:I lindur në Bari më 8 gusht, 1937.
Avokat, shkrimtar, kampion i paharrueshme dhe mbajtës rekordit botëror Championships Sëimming, pasi duke qenë një notar në pishinë të lartë për distanca nga 400 dhe 1500 metra stil i lirë iu përkushtua kalimeve të shumta dhe të jashtëzakonshme. Ndër shfaqjet e tij të shumta janë për të kujtuar: dy kalimet Capri-Napoli, rekordin italiane në ngushticën e Mesinës në 30 ‘dhe 15’, Kalimi i kanalit anglez nga Anglia në Francë në 1 orë dhe 3 ‘; rekord botëror në ngushticën e Otrantos nga Castro Marina deri Fanos në 42 orë dhe 45 ‘; rekord italian i 24 orëve të notit në Bruksel; lundrimi nga Korsikë të Elbës në 26 orë dhe 33 ‘, Kalimi i liqenit të Ontarios në Kanada në 24 orë, kalimit Itali – Shqipëri (Otrantos – Vlorë) në 35 orë, Jugosllavi – Itali (Is Pelagosa – Vieste.) Në 27 orët e 14 ‘, Tremiti Gargano në 6 orë dhe 20’. Ai vdiq në dhjetor 2004.
Marco Piccinni 28 Janar2012 shkruan : Njerëz të famshëm nga Salento
Historia njerëzore është e përbërë nga shumë incidente të vogla, disa pjesë të një mister që përshkruan një imazh në të cilën çdo individ është në gjendje të njohin rolin kryesor.
Asnjë njeri që i hapi sytë mëngjesin e 12 korrik, 1979 mund të ketë njohur se një ngjarje e madhe do të ndodhte. Askush nuk mund të imagjinojmë se çfarë gazetat do të flasin atje së shpejti. Asnjë. Por disa njerëz ishin duke pritur aty, mbi të brigjeve të presë për një sinjal, një “mënyrë” nga Aeolus dhe Poseidoni, era dhe deti, për një kompani të madhe mund të shohin përmbushjen e saj: për të kaluar atë shtrirje të detit shpesh protagonist i “udhëtimet e shpresës”, që për një herë do të paguhet në vend për të arritur një ëndërr. Ajo zhvillohet brenda në kafaz metalik që do të jetë shtëpinë e tij dhe mbrojtjen nga peshkaqenë për gati dy ditë.
Projektuar nga shoku i tij Nini, kafazi ishte bërë prej hekuri strukturore, një rrjet ngjitur me 8 lundrues.6 metra i gjatë, të gjerë dhe të thellë 5 ,3.
Në fund të artikullit te gazeta një shqiptarë Julian Kripa ka bërë këtë koment:
Përshëndetje, dhe unë u kujtoi gjithmonë Paul Pinto, unë kam parë personalisht në Vlorë në verën e vitit 1979 në afërsi të komunës së Vlorës, isha 8 vjeç dhe për ne fëmijtë ishte një dritare në “Perëndim në ato kohë të diktaturës komuniste. Për mua ky ishte njeriu, që donte të ndërtuar urën në mes dy botëve.